• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BIBLIOTEKA“SHEFQET MUSARAJ”!?

December 9, 2020 by dgreca

-Biblioteka, që nga koha e diktaturës dhe deri sot mban emrin Shefqet Musaraj (1914-1986) anëtar i Partisë Komuniste, që në themelimin e saj dhe shkrimtar i realizmit socialist. Gjatë luftës, ka mbajtur pseudonimet Shkrimtari dhe Çeçua. Nga  dokumenatat e arkivit të shtetit   (AQSH F 22/ap. V. 1943, D 3/1, f.1-3. Fondi 14 në AQSH. )  del se veprimtaria e tij kryesore ka qenë informimi mbi gjendjen në qytetin e Vlorës dhe Tiranës për  vitet 1943-1944, mbi lëvizjet e krerëve të Ballit Kombëtar, formacioneve të tyre luftarake, demaskimi i gjithë organizatave të tjera si Balli, Legaliteti apo Partia Social-Demokrate, duke i shpallur armiq të partisë. /

SHKRUAN:GEZIM ZILJA/

Biblioteka e Vlorës ka ndërruar disa herë vend. Tani ndodhet diku aty afër qendrës në një ndërtesë modeste. Gjatë egzistencës ka pësuar dy humbje të mëdha. E para është vjedhja, plaçkitja, hedhja në plehra e bibiotekës së Eqerem Bej Vlorës pas ardhjes në fuqi të komunistëve, një pasuri e pazëvendësueshme me vlera të pallogaritshme kombëtare. Hera e dytë është sërish vjedhja, djegia, grisja, e hedhja trotuareve e rrugëve të Vlorës të qindra librave, gjatë muajit mars të vitit 1997, nga turmat e vulgut vlonjat e më gjerë, të drejtuara nga disa intelektualë e politikanë antishqiptarë. Ishin ata që nën maskën e fjalës popull, drejtuan turmat e papërgjegjshme në djegjen e plaçkitjen e institucioneve shtetërore si shkolla, gjykata, bashki, komisariate, muze, biblioteka deri kopshtet e fëmijeve, duke gjunjëzuar shtetin e kryer porositë e segmenteve të huaja ekstremiste antishqiptare.  Biblioteka, që nga koha e diktaturës dhe deri sot mban emrin Shefqet Musaraj (1914-1986) anëtar i Partisë Komuniste, që në themelimin e saj dhe shkrimtar i realizmit socialist. Gjatë luftës, ka mbajtur pseudonimet Shkrimtari dhe Çeçua. Nga  dokumenatat e arkivit të shtetit   (AQSH F 22/ap. V. 1943, D 3/1, f.1-3. Fondi 14 në AQSH. )  del se veprimtaria e tij kryesore ka qenë informimi mbi gjendjen në qytetin e Vlorës dhe Tiranës për  vitet 1943-1944, mbi lëvizjet e krerëve të Ballit Kombëtar, formacioneve të tyre luftarake, demaskimi i gjithë organizatave të tjera si Balli, Legaliteti apo Partia Social-Demokrate, duke i shpallur armiq të partisë. Pjesa më e madhe e letrave që gjenden në Arkivin Qendror i drejtohen personalisht shokut Taras, alias Enver Hoxha. Në to përmenden Gjon Markagjoni, Fiqiri Dineja, Abaz Kupi, Xhafer Deva, Abaz Ermenji, Fasli Frashëri, Ismail Tatzati, Ali Këlcyra, Mehdi Frashëri, Mustafa Kruja, Skënder Muço, …. Dosti, Xhaf Bali etj. Shefqeti merrte dhe dërgonte informacion, duke gënjyer e justifikuar çdo veprim të Partisë Komuniste edhe në rastet, kur ai vet ishte i qartë se vrasjet kryheshin për terror, asgjësimin e kundërshtarëve politikë, që shpesh ishin njerëz të thjeshtë, që nuk ishin dakord me vijën e Partisë Komuniste dhe ndërhyrjen e komunistëve  jugosllavë. Në mënyrë të veçantë ai informonte çdo veprimtari të Balli Kombëtar, duke i cilësuar ata  në bazë të direktivav të Partisë Komuniste armiq, që duheshin  luftuar e asgjësuar me çdo kusht.  Edhe kur faktet ishin ne favor të krerëve të Ballit, Shefqet Musaraj me porosi të partisë propagandonte të kundërtën. Ja si informon ai Tarasin për vrasjen e Zejnel Avdurrahmanit në Kaninë. Fillimisht në letrën e tij ai flet mirë për të, si një njeri të ndershëm, i pangatërruar, që shikonte punën e vete pasi ai e njihte mirë. Ai i shkruan Tarasit “…: Në qoftë se Zejnel Abdurrahmani është ekzekutuar vetëm si “spiun”, unë deklaroj me sinqeritetin e një komunisti se Zejnel Abdurrahmanin s’ka njeri që ta njohë për të këtillë….”. Por më tej sapo informohet se Zejnel Avdurrahmanin e ka vrarë partia ai shton: “Partia lëshoi komunikatë: Dora a drejtësisë ekzekutoi Zejnel Abdurrahmanin, spiun, provokator i njohur prej popullit. Dhe kështu vendimi u muar, Zejnel Abdurrahmani u vra,. Nashti s’na mbetet veçse të bëjmë tonën: Dy duar për një kokë janë…” Shikoni me vëmendje këtë fotografi që është bërë në Smokthinë, Matogjin në vitin 1943, në shtëpinë e Qemal Xhelo Musarajt, djalë xhaxhai i Shefqetit, pas një darke shtruar për miqtë. Fati i tyre ishte i ndryshëm megjithëse ishin miq e kushërinjë. Shefqetin kur e lajmëruan, se Zejnel Avdurrahmanin ishte vrarë nga Partia Komuniste mbajti anën e partisë. Avdul Kuçi një personalitet i kohës, jurist, deputet, në Luftën e Vlorës më 1920 hartoi tekstin e Ultimatumit drejtuar gjeneral Piaçentinit, dhe u caktua prokuror nga Komiteti i Luftës. Më 10 maj 1945, me vendim nr. 12, Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës e dënoi me vdekje si «kriminel lufte» dhe konfiskimin e pasurisë. U pushkatua më 1945.

unnamed

Smokthinë, Matogjin, 1943, një darkë në shtëpinë e Qemal Xhelos. Nga e majta në të djathtë Shefqet Musaraj, Zejnel Avdurrahmani, pushkatuar, Abdul Kuçi pushkatuar, Qemal Musaraj vdekur në burg.

Qemal Musarajit, djali xhaxhait të Shefqetit, si fshatar i pasur dhe përkrahës i Ballit Kombëtar komunistët i dogjën shtëpinë qysh në vitin 1943. Në vitin 1945 i sekuestruan gjithë pasurinë dhe e burgosën duke lënë rrugëve gruan dhe dy fëmijë të mitur. Ja një pjesë e letrës, dërguar gruas së vet, që mban datën (janë katër të tilla)  14 maj 1952. 

“…Letrën e prillit a e kini marrë apo jo? Ushqimet i kam ngrënë me kohë, i dava me Namikun. Brenda halleve tuaja më ndihmoni edhe mua me pak të holla dhe ndonjë send për të ngrënë. Më dërgoni ndonjë çikë gjizë mase u jep njeri….  (Arkivi MPB Dosja 516, fletë 42.) . I sëmurë, i uritur, pa ndihmë mjeksore, i torturuar fizikisht e shpirtërisht Qemal Xhelo Musaraj dha shpirt në moshën 45 vjeçare, më 18 tetor të vitit 1952, në burgun famëkeq të  Burrelit. Ndërkaq Shefqet Musaraj si besnik i partisë komuniste ngjiste shkallët e karrierës. Në vitin 1945 sipas modelit stalinist sovjetik u formua Lidhja e Shkrimtarëve. Qëllimi i saj ishte që gjithë krijimtaria letrare por edhe ajo që studiohej në shkolla të vihej në shërbim të ideologjisë komuniste. Tashmë do zotëronin parullat: E jap jetën për partinë, partia mbi të gjitha, e di partia, me partinë në ballë, plumbin ballit armiqve të partisë  etj etj.  Në letërsinë e re, të ashtuquajtur e realizmit socialist personazh kryesor ishte komunisti, sekretari i partisë, hetuesi, sigurimsi  që lufton e sakrifikohet në emër të ndërtimit të një bote të re, në luftë me armiqtë e brendshëm e të jashtëm. Me porosi të partisë më 1947 Lidhja organizoi Konferencën e Tretë të Shkrimtarëve. Qëllimi ishte të shkarkohej Prof. Sejfulla Malëshova si Kryetar i Lidhjes dhe në krye të vendoseshin njerëzit e partisë. Dhe ashtu ndodhi. Kryetar u zgjodh Dhimitër Shuteriqi, sekretar Fatmir Gjata (autor i romanit famëkeq “Këneta”)  dhe Sekretar i Përgjithshëm Shefqet Musaraj. Dr Ymer Dishnica dhe Prof Skënder Luarasi u përjashtuan nga Lidhja. Më vonë Shefqet Musaraj do të zgjidhej dhe Kryetar i Lidhjes dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në gjithë gjuetinë e shtrigave, që u organizua nga partia dhe sigurimi i shtetit kundër shkrimtarëve përparimtarë do të ishte aprovimi ose firma e Shefqet Musarajt. Së bashku me Fatmir Gjatën, e të tjerë do të ishte nga njerëzit kryesorë të mënjanimit, përjashtimit,  burgosjes ose hedhjes baltë mbi Branko Merxhanin, Nebil, Çikën, Petro Markon, Mitrush Kutelin, Lasgush Poradecin, Ali Asllanin, Musine Kokalarin e mjaft të tjerëve. Ashtu si në kohën e luftës kur i burgoseshin e vriteshin shokët e miqtë e tij e  nuk tha një fjalë për t’i mbrojtur, ashtu veproi edhe pas luftës. Kur burgosej Petro Marko, dënoheshin e ndaloheshin të shkruanin Mitrushi, Lasgushi, Musineja e Ali Asllani ai mbajti anën e partisë e për këtë u shpërblye me poste e dekorata.  Si shkrimtar ai sot hyn në të harruarit.. Ai është autor i disa romaneve pa vlerë, që shtrembëronin të vërtetën e luftës antifashiste, glorifikonin  figurën e Enver Hoxhës dhe rolin e Partisë Komuniste dhe i thurrnin hymne luftës së klasave. Asnjë vepër e tij e realizmit socialist nuk është në qarkullim sot.Madje ai u akuzua rëndë nga kundërshtarët e tij pas luftës, si shërbëtor i fashizmit nga i cili mori dhe një shpërblim të konsiderueshëm në para, dhe vjedhës i dorëshkrimeve të studiuesit e historianit Ilo Mitkë Qafëzezit, të cilat i paraqiste si të vetat. Dhe për ta mbyllur kur Ali Asllani, Poeti i Madh Shqiptar bënte lutje pas lutje për tu pranuar në Lidhjen e Shkrimtarëve, e më vonë t’i caktonin një pension pleqërie, Shefqeti i përgjigjej që ke biografi të keqe e ajo të pengon. Pyetja ime është: Ç’domethënie ka sot emri i Shefqet Musarajt për bibliotekën e qytetit të Vlorës?  P.S Çfarë kam  shkruar më sipër është e dokumentuar dhe mund të jap fakte e sqarime të mëtejshme por kam shkruar aq sa lejohet në një artikull gazete (ose f.b) për të mos lodhur lexuesin. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja, Shefqet Mysaraj

KOSOVA NDERON KUJTIMIN 13 MIJE VIKTIMAT TE KRIMIT GJENOCIDAL SERB

December 9, 2020 by dgreca

NGA DR. VJOSA OSMANI/ *Sot, në Ditën ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit, si dhe parandalimit të këtij krimi, jemi këtu për ta ngritur zërin edhe një herë për krimin gjenocidal të kryer nga regjimi serb i Millosheviqit, i verbuar nga ideologjia nacionaliste dhe i shtyrë nga hegjemonia për të shfarosur popuj, zaptuar territore e deportuar banorët e tyre.

Jemi mbledhur, pra, për ta ridëshmuar plagën tonë të pambyllur, për vrasjen e mbi 13.000 njerëzve tanë, shumica prej të cilëve civilë, gra, pleq e fëmijë, mbi 1.600 nga të cilët ende mbajnë statusin e “personave të pagjetur”. Por, ata nuk janë thjesht të pagjetur. Ata janë “të pagjetur të fshehur” nga pushteti pasardhës i regjimit që kreu gjenocid mbi ta. Bazuar edhe në Konventën mbi gjenocidin, por edhe në vendimet e gjykatave ndërkombëtare kundër krimeve, këta persona nuk janë thjesht |të pagjetur”, ata janë “të zhdukur me dhunë”, të cilët po mbahen edhe sot të zhdukur me dhunë, madje duke bërë thirrje që të mos zbulohen kurrë. Ky është krimi i vazhdueshëm serb mbi viktimat, mbi të zhdukurit me dhunë, për të cilët ne kërkojmë drejtësi. Sepse, dhuna mbi viktimat e gjenocidit serb është sistematike, nga vrasja e tyre në fshehjen e tyre e në thirrjen e regjimit të sotëm serb për mosdhënie të informative për ta. E, “praktika sistematike e zhdukjes me dhunë” është krim kundër njerëzimit”. Serbia duhet ta pranojë peshën historike të gjenocidit ndaj shqiptarëve. Ajo duhet të detyrohet që të japë informata për dhunën sistematike ndaj viktimave. Ajo duhet t’u përgjigjet thirrjeve për ofrim të informatave mbi krimet e kryera mbi viktimat dje dhe mbi ta e mbi familjet sot. Familjet tona nuk duhet të jetojnë në pasiguri, ata kanë të drejtë të garantuar ndërkombëtarisht që të dinë të vërtetën për viktimat e gjenocidit serb, bota mbarë ka të drejtë dhe detyrim të dijë për dhunën sistematike, të djeshme dhe të sotme, të kryer nga një mendësi e pandryshuar regjimi në Serbi. Fshehja e mëtejme e informatave për ta është vazhdim i krimit sistematik shtetëror, të cilin Serbia vazhdon ta kryejë mbi viktimat e gjenocidit për të cilin unë nuk mund të hesht, loti i këtyre nënave nuk mund të heshtë, historia jonë e së djeshmes nuk mund të heshtë. Zëri i vrarë i viktimave të këtij gjenocidi nuk mund të heshtë. Të gjithë këta zëra kërkojnë zërin tonë! Prandaj, asnjëri nga ne nuk mund të heshtë. Të heshtim mundemi vetëm kur përkulemi për të nderuar secilën nga këto viktima me ndjenjën më të thellë të dhembshurisë dhe ia kujtojmë vetes tmerrin e përjetuar. Atëherë heshtja kumbon. Ju ftoj për një minutë heshtje e nëpërmjet heshtjes të ngremë zërin e tyre.

Të dashura familje!

Të dashur qytetarë!

Ne jemi këtu sot për të dëshmuar për zërin e pamundur të viktimave të gjenocidit serb, të kryer më 1999, i cili po mbytet secilën ditë, sado që në trajtë tjetër, me sjelljen e drejtuesve të shtetit serb; ne jemi këtu për të dëshmuar se plaga e trishtë e familjeve të të vrarëve nga krimi gjenocidal, plaga e pambyllur e këtyre familjeve të nderuara që kanë ardhë sot në log të kuvendit për ta dëshmuar dhimbjen tonë të përbashkët, por edhe e shumë familjeve të tjera, vazhdon të peshojë në ndërgjegjen tonë përderisa nuk do të ketë njohje ndërkombëtare të këtij gjenocidi. 

Jemi këtu për të dëshmuar se krimi i kryer nuk mund të fshehët dhe se fshehja e krimit është krim i ri, po aq i tmerrshëm sa ai i pari; për t’i dëshmuar vetes e botës se rrëfimi mbi gjenocidin është i domosdoshëm, sepse ai dëshmon të kaluarën tonë. Ikja nga të rrëfyerit për përjetimin është mohim i ekzistimit të tij. 

E, ne duam të dëshmojmë sepse nuk duam të harrojmë. Ne duam të dëshmojmë sepse i duam 1.600 të pagjeturit tanë, të cilët regjimi i sotëm në Beograd i fsheh ende, janë historia e trishtë e këtij vendi, të cilën ne do ta themi pa frikë çdo ditë, derisa dhembja e këtyre nënave, baballarëve, motrave e vëllezërve, bijave e bijve jetimë të mos njihet dhe drejtësia për ta të mos vijë.

Historia nuk do të na falë nëse ne provojmë të hapim një kapitull të ri libri, pa e lexuar e rilexuar me kujdes kapitullin e së djeshmes dhe të së sotmes. Ajo nuk do të na falë nëse nuk do të njihet tragjedia e vendit tonë, nëse gjenocidi i kryer nga shteti serb nuk do të emërtohet me emrin e vërtetë, me përmasën e vërtetë, dhe nëse nuk do të ketë drejtësi vendore e ndërkombëtare për viktimat. Historia nuk do të na falë nëse ne nuk do t’u japim zë mbi një mijë zërave të vrarë të fëmijëve tanë, shumë prej të cilëve vetëm foshnje disajavëshe ose disamuajshe. Emrat e tyre qëndrojnë në themelet e pavarësisë sonë, por dhembja për ta do të shtohet për aq kohë sa Serbia nuk do ta pranojë fajin historik për gjenocidin e kryer. E dhimbja është në veçanti shumëfish më e madhe për fëmijët e pagjetur, që janë në mesin e mbi 1600 bashkëqytetarëve tanë që akoma janë të zhdukur me dhunë e të fshehur nga Serbia. 

Të dashur qytetarë!

Këtë vit ne e festuam ditëlindjen e 12-të të Republikës. Por, ndërsa po e kujtonim përvjetorin e lindjes dhe po krenoheshim me rritën e saj, ora e këtyre mbi 1.100 fëmijëve të vrarë trokiste në ndërgjegjen tonë. Ajo troket çdo çast me peshën e rëndë të saj. Distanca mes moshës së tyre kur u vranë e moshës së republikës po rritet, siç po rritet edhe zbrazëtia që kanë lënë ata në familjet e tyre dhe në gjithë vendin. Fytyrat e tyre janë thirrje e përhershme për ne. Fytyrat e tyre janë thirrje e përhershme për drejtësi. Ata do të na rrinë përballë e do të na flasin çdo ditë. Së bashku me plagën e mbetur hapur. Ndonjëri prej tyre sot do të mund të ishte deputet, do të mund të ishte përfaqësues i popullit në Kuvend, ta kishte zërin e vet.

Të nderuar deputetë!

Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin dhe lirinë e popujve në Ballkan. Ajo na ka çliruar ne nga një regjim gjenocidal, por ka gjasë t’i shpëtojë edhe serbët, nëse e kuptojnë peshën historike të hegjemonisë së tyre.

Prandaj, sot e këtu, sikur kurdoherë, do të flas me zërin që ma jep fati i trishtë yni dhe do të kërkoj fort që historia e dhimbshme e Kosovës, si e gjithë historia jonë kombëtare, të mbahet në mend e të rikujtohet. Sepse, duke e rikujtuar atë, ne bëhemi më të urtë e më të drejtë në vendimet tona. 

Ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, vetëm duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe  nivelin e organizimit politik. Mbi të gjitha, duke kërkuar me ngulm që Serbia ta pranojë peshën e fajit historik. A është Serbia e gatshme? Jo. Asnjë nga liderët serb nuk ishte I gatshëm të bëjë atë që bëri ish kancelari gjerman Ëilly Brandt para 50 vitesh, të kërkojë falje e të përkulet pra para viktimave që i shkaktoi ai regjim, të bëjë atë që bënë një qenie njerëzore, kur dhimbja nuk mund të përshkruhet me fjalë. Por jo, sot Presidenti serb vazhdon të glorifikojë Millosheviqin përderisa nuk ka vendosur as një lule, e lëre më një pllake përkujtimore tek varrezat masive në Batajnicë e gjetiu në Serbi; sot kryetari I kuvendit serb kërkon nga serbët mos të tregojnë vendndodhjen e varrezave masive me shqiptarë dhe i kërcënon ata; sot kryeministrja serbe, i quan njerëz të zbritur nga mali ndërkaq Kosovën e krahason me Nagorno Karabakh. Kosova vazhdon të qëndrojë në preambulën e kushtetutës së Serbisë, duke e provuar sot gjenocidin e hartave, siç e bënin gjenocidin e armëve dje, duke promovuar gjuhën e urrejtjes, si paraprijëse të të gjitha gjenocideve, siç bënin në fillim të shekullit XX e sidomos në fund të tij. Ky është pengu i cili e mban të varur dialogun. Pra, mospranimi i fajit nga Serbia, mbajtja peng e mbi 1600 qytetarëve tanë si të zhdukur me dhunë e mbi të gjitha mungesa e drejtësisë për të gjitha viktimat e gjenocidit serb. Por, ne nuk do të reshtim së punuari që paqja të mbretërojë në hapësirat në të cilat jetojmë, sepse ky është interesi ynë strategjik. E paqja, është e mundur vetëm atëherë kur thuhet dhe pranohet e vërteta. E vërteta e vetme, e cila nuk mund të ndryshojë e as të përmbyset, sepse ka ndodhur para syve të të gjithë botës, është se Serbia kreu gjenocid, kurse ne ishim viktima të këtij gjenocidi.

Ju falënderoj!

*Fjalimi i kryetares së Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, në seancën e veçantë për nderimin e viktimave të krimit të gjenocidit

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Vjosa Osmani, kosova

Refleksion Dhjetori- “ Lideri nuk lind…Bëhet “

December 9, 2020 by dgreca

Shkruan:Marjana BULKU/

Refleksion dhjetori mbi botimin e veprës “ Lideri nuk lind …bëhet “ me autore Dr . Iris Halilin 

Është 8 dhjetor 2020 . Një datë që tri breza(ne, prindërit tanë dhe fëmijët tanë)e njohin mirë sepse ia kanë numëruar me ankth orët e zhurmshme të atyre ditënetëve  dimërore që viteve 90-të që ndollën pranverën e një shprese plot ëndrra lirie duke u bërë protagonistë të saj.

Në kutinë time postare gjej librin “ Lideri nuk lind …bëhet” nga Iris Halili, mike dhe bashkëkohëse e viteve studentore në Fakultetin Histori -Filologji,  Tiranë. E marr ta shfletoj rrëmbimthi edhe pse shumë nga çështjet e botuara aty Irisi i ka publikuar në shtypin e përditshëm , nuk mungojnë referenca , citime dhe gjykime të thelluara mbi teoritë e lidershipit.

Prekem thellësisht në shpirt kur lexoj se këtë botim ajo ua kushton prindërve të saj, mbase edhe të mijve e ndofta të të gjithëve ne që ëndërruam atyre netëve të gjata studentore dhjetori për lirinë e shumëpritur e aq shumë të munguar.

Tashmë Irisi jeton në SHBA, unë po ashtu, shumë nga ne u larguam nga atdheu “sepse na vdiq shpresa” -siç shprehet ajo  , , e fjala na mbeti në gojë… e pathênë por gjithmonë në mendje . 

Kështu m’u duk se erdhi ky libër ;në këtë natë plot me kujtime të ftohta dhjetori e me ideale të pastra , e shëmbëllime ëndrrash e vrullesh rinore. 

Teksa e shfletoj ndjej se nga Irisi ish -studente dhjetori ka mbetur po ajo energji , mprehtësi gjykimi dhe thellësi mendimi që vozit lirshëm sa në letërsi po aq edhe në mitogji ku dukshëm bie në sy depërtimi nëpër informacionet e pafundme filozofike e kërkimore që vijnë në mënyre konçize dhe plot përvoja jetësore si dhe ajo prej pune ,duke krijuar kështu një komunikim të artikuluar thjesht , bukur ,saktë.

E lexoj dhe pohoj pareshtur dhe filloj të besoj se teoria mund të shdërrohet  lehtësisht në praktikë nëse “ rruga drejt lidershipit kalon nëpërmjet edukimit, vetëshërbimit ndaj shpirtit mendjes dhe trupit “- siç shprehet ajo.

Më tej shikoj profilin e Irisit petagoge, me mendimin që sulmon me gjykim , me frazën e shkathët e të zhdërvjellët që i referohet mendjeve që udhëhoqën botën me mendim dhe veprim ( Gandi ,Mandela,nënë Tereza) me arsyetimin që kultivon maturinë , logjikën saktësinë.

Nuk ke se si të mos i kthehesh dy herë në lexim konceptit të Lidershipit toksik ku ajo rendit :

1.Liderët e paaftë

2.Liderët e ngurtë dhe jofleksibël

3. Liderët  e papërmbajtur

4.Liderët e pashpirt,pa emtati, pa ndjenja

5.Liderët e korruptuar

6.Liderët izolacionalistë

7. Liderët diktatorë 

Mjafton ky narracion tiparesh që të qartëson edhe pamjen e shoqërive ku jetojnë e veprojnë këto lloj liderash të pranishëm në skenën politike shqiptare dhe jo vetëm, çka është e ngulitur në mënyrë postulare në fjalët e Kasit tek ” Jul Cezari”; -“ Dështimi i dashur Brut qëndron te vetja jonë .

Ky moment dhe shumë të tjera analoge e sjellin Iris Halilin në rrafshin e analistes që politikën dhe shoqërinë me të gjitha tiparet kulturore e historike din ti verë në një rrafsh studimor duke e bërë veprën mjaft të dobishme për studentët, gazetarët dhe politikanët , për të gjithë dhe për çdo moshë që të dijë e të mundë  ta dallojë liderin .

Rasti i Shqipërisë nuk solli vetëm diktaturën e egër hoxhiane por edhe Liderin që duhet imituar duke pasqyruar kështu në mënyrë tejet emocionale Nënë Terezën si një nga katër Lideret më të mëdhenj të njerëzimit përkrah Gandit,Martin Luter Kingut dhe Mandelës .Një model frymëzimi për shumë shkolla amerikane të cilat liderin shërbëtor e konsiderojnë si lidership moral që udhëheq përmes shembullit personal plot me vlera e vyrtyte sublime ku në thelb qëndron shpirti human dhe respekti maksimal për njeriun .Ky moment i veprës është i mbushur me analiza studimore, përqasje mendimesh, përvoja jetësore, fakte historike dhe teologjike ku dominon njerëzorja Terezë , arsyje legjitime krenarie për përkatësinë etnike të përbashkët por edhe mëkatin e madh po aq të përbashkët që ajo aq pak njihet dhe studjohet në shkollat shqiptare . Ky studim është një version ndryshe që Shenjtoren Terezë e radhit në rrafshet më të larta që udhëheqin njerëzimin ( Gand, Luter King, Mandelë).

Po e lexoj duke shkruar këtë libër sonte duke iu afruar asaj që duket se mbeti pêrherë në rrugëtim; kërkimi i një lideri që të frymëzojë të tjerët të ëndërrojnë .

A ka ? !

A do të ketë ? !

Një  dilemë e cila ne dhe prindërit tanë na mundoi gjatë, uroj të mos jetë kaq e mundimshme për fëmijët tanë .

“ Gjithkush mund të bëhet një lider i mirë përsa kohë ata flasin rreth zgjidhjeve “ citon Iris Halili si për të na e lehtësuar dilemën e gjatë në këtë natë dimri të gjatë kur 30-  vjet më parë belbëzonte liria. 

Filed Under: Featured Tagged With: Iris Halili, Lideri nuk lind, Marjana Bulku, Refleksion Dhjetori

Ngërçi civil dhe vrasjet e orëve policore

December 8, 2020 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/

Sapo futesh në internet vëren një vërshim statutesh në lidhje me 8 dhjetorin. Ndërkohë lexon disa lajme mbi vrasjen e një të riu pasi ka thyer orët policore në Tiranë. E para gjë që të vjen të thuash, është një e bërtitur vënçe. Lërini memet e statutet dhe dilni protestoni. Ndryshe nuk ka asnjë vlerë as dita e studentëve, pra 8 dhjetori. Për më tepër dita e studentëve nuk është festa e të korrave, por e zhgënjimit më të madh social. Dilni e protestoni se kur shikon kaq e kaq gazeta pro qeveritare që tentojnë të zbusin vrasjen e mesnatës në Laprakë, nuk shkojnë memet me dy gishta lart. Janë këto gazeta që u shqyen për vrasjet e 21 janarit 2011. Dhe me të drejtë. Pavarsisht ligjit për personat që sulmojnë objektet e rëndësisë së veçantë, që mbrohen nga garda e republikës, qëllohen në vend etj. Kjo nuk justifikon vrasjet. Jo çdo ligj është i drejtë. Pavarsisht atyre pamjeve me benzin mercedes 2400 që tentonte të shqyente derën e Kryeministrisë etj., asnjë vrasje civilësh nuk justifikohet. Sidomos kur nuk janë persona të skeduar si kontigjent krimi. Protestuesit jo, jo, pasi protestuesi është shëndeti i demokracisë. Sot këto webe po nxitojnë të nxjerrin detyrat e policit të shërbimit, kur ka të drejtë të qëlloj dhe kur jo. E kanë në majë të gjuhës mbledhjen e supeve me togafjalshin se bëri detyrën etj. Apo atë që zbatoi ligjin. Eshtë të vësh duart në kokë t’i marrësh jetën tjetrit përse nuk ndalon. Për ca gjoja orë policore mesnate etj. Eshtë një turp kolektiv, pasi kur sheh kronikat dyndjet janë ditës, veçmas kafenetë. Dhe për më tepër edukata e mbrapshtë e mbajtjes së maskës në gushë, a në mjekër si detaj që na dallon nga shoqëritë e tjera. Qeveria dhe ata që drejtojnë këto grupet pandemike, në vend t’i mëshojnë sensibilizimit mbi maskën, orët pike të dyndjeve, justifikojnë vrasjet e mesnatës. Kjo është një katastrofë sociale që nuk ndodh vetëm nga punësimi me merita partie në radhët e policisë së shtetit, por edhe nga indiferenca jonë. Nga horia për të postuar meme me dy gishta. Dhe  ironia më e madhe qëndron kur del e flet për ideale një i pa rruar, një që hiqet si ish dhjetorist, kryeministri i vendit. Ka sot krahun e djathtë një ish ministër të  brendshëm të diktaturës, bash atë që akuzohet se urdhëroi vrasjet e 2 prillit 1991 në Shkodër. Pa përmendur se askujt deri më sot nuk i është prekur fije floku, edhe pse kemi një histori blozë përndjekjesh, persekutimesh, vrasjesh nga regjimi që përmbysëm. Jo pak, por janë rreth 6000 të pushkatur e të zhdukur. Por ne i kemi hedhur prapa krahëve, po ecim përpara. Në muajin maj të këtij viti një oficer amerikan në Minnesota ndaloi dhunshëm një civil, pasi e shtriu përtokë i vendosi gjurin tek qafa. Kjo rezultoi fatale për jetën e të ndaluarit dhe për më tepër e pa preçedentë për një shoqëri që të drejtat e njeriut i ka të shenjta. Oficeri qëlloi i bardhë dhe qytetari i zi, pra me ngjyrë. Qe një dridhje sociale që luajti tokën e madhe vendit aq sa protestat nuk pushuan gjithandej. Protesta që u pasuan me një komunikim institucional deri ulje në gjunjë  në sheshe publike të policisë. Dhe kjo është normale në një vend që do demokracinë. Kurse tek ne, ministri hesht, kryeministri po ashtu, policët kërruajnë hundët. Pjesa tjetër publikojnë meme pa fund dhe urratosen si krijesa të kulturës bolshevike, pavarsisht se çdo jetë njeriu të thjesht është e barazvlertë me atë të kryeministrit a kujtdo shtetari tjetër. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Ngerçi Civil

Ëndrra e dhjetoristëve: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”…

December 8, 2020 by dgreca

(Përjetime të një mësueseje në 30 vjetorin e Lëvizjes studentore që përmbysi regjimin diktatorial të Enver Hoxhës).

Nga Keze Kozeta ZYLO/ Ndonëse ka kaluar 30 vjet qëkur filluan lëvizjet e mëdha për të përmbysur regjimin më dikatorial në Europë, ato perseri duhen kujtuar me shkrim si në rastin në fjalë: psh rreth një përjetimi personal si mësuese aktiviste për këtë lëvizje nga më qytetaret, më civilizueset për Kombin shqiptar.

Megjithatë shpesh hesht, sepse udhëhiqem nga motoja e babait tim veteran të Luftës si: “Ne bëmë detyrën karshi Atdheut”!

Për të qenë e sinqertë si bijë e tij, veçanërisht kur ishja e re mund të më ketë irrituar thjeshtësia e  tepruar, sepse s’kishja ëndrra për të ndenjur në mjerimin e burgut të fshatit, jo për faktin e thënies së tij lapidare për mua: “Ne bëmë detyrën”, por për faktin për vuajtjet e tij dhe të nënës sime.  Ata s’panë një ditë pushimi në jetë, por vetëm puno e puno në punë të rëndë stropacitëse fizike si 90% e popullsisë fshatare, ndërsa disa të tjerë u ngritën me katapultë pa hedhur qoftë dhe një krismë arme kundër okupatorit, pa ditur të shkruanin e të lexonin, të pagdhendurit përfituan gjer në ekstrem…

Ishin vitet e errta, të egra që gjithëkush e ka përjetuar në forma nga më të ndryshmet. Vërtetë fati më hodhi në Tiranë nga eksellenca e rezultateve të bashkëshortit tim të cilin mbasi mbaroi universitetin e inxhinierisë në kontigjentin e ushtrisë e emëruan direkt në Institutin e projektimeve, por shpirtërisht edhe sot në New York në zemër të botes së lirë them: “Lumturisë sime i ka munguar gjithmonë diçka: në radhë të parë lumturia e vëllezërve të mi dhe pastaj shumicës së bashkatdhetarëve që jetojnë akoma me listë për të marrë bukën e gojës apo duan të ikin sa më parë…

E fatkeqësisht kjo dhimbje gërryese vazhdon të ndihet gjer në asht dhe sot pas ëndrrës së bukur të studentëve: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

  Por më lejoni të hidhem tek përjetimet e mia për këtë lëvizje historike, demokratike, paqësore për të ndaluar krimet e përbindshme karshi të persekutuarëve, të dhunuarve dhe mjerimit mbarë kombëtar.

Ishte i çuditshëm përjetimi ndërkohë shihja se si nje dritëz hyjnore po ulej pranë Tiranës, pranë intelektualëve shqiptarë, punëtorëve plot ëndrra, dhe në këtë rast e kam fjalën për Tiranën, pasi atë e njoh gjer në imtësi, sepse e fillova profesionin e mësuesisë dhe e ushtrova për 20 vjet në kryeqytet, pak fat apo jo?

Kishte vite më përpara që diskutohej brenda mureve të shtëpisë, brenda dhomave pakënaqësia midis intelektualësh që me siguri do të vinte një ditë që do të shpërthente si vullkan, por këtë radhë jo me karabina pushkësh, por paqësisht dhe plot kulturë…

Kështu në shtëpinë e njerit prej ish grevistëve të urisë prof.Mehdi Shehut, të intelektualit erudit ndjesë pastë arkitektit Nesti Çabirit, në shtëpinë e demokratit dhe mësuesit profesionist të boksit, Baftjar Shehut, apo në shtëpinë time diskutoheshin herë pas here probleme të dhunës, të mohimit të lirisë etj, të gjitha këto nën besim miqsh të ngushtë dhe të kahershëm.  Kur Nesti Çabiri na bënte leksione private, kuptohet pa pagesë për italishten në vitet 88-89 në kohë të lirë na thoshte: “Sa keq!

Hamë me tallon, rrimë me orë të gjata për të marrë vezë, ndërsa Europa i shkel me këmbë.  O Zot ç’mjerim është këtu përsëriste herë pas here”!  Ne e dëgjonim me kurreshtje sepse ishte i vetmi person nga ne që ishte shkolluar për arkitekturë në Gjermani dhe Itali dhe sigurisht krejtësisht i besueshëm për atë që thoshte.  Ndërsa prof.Mehdi Shehu i lëndëve inxhinierike na solli një ditë fshehtas Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut e miratuar me 10 dhjetor, 1948, ku ndër të tjera do të më ngulitej në kokë si thumb neni 19 i cili thotë: 

“Gjithkush ka të drejtën e Lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin

lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe njoftimit të

informacionit dhe ideve me çfarëdo mjeti qoftë, pa marrë parasysh kufijtë”. 

Në gjimnazin “50 Vjetori i Pavarësisë” dhe shtrimi në spitalin ushtarak

Grupi ynë kishte në përbërje disa mësues të ish gjimnazit “50 vjetori i Pavarësisë” në Kombinat ku shumica e gjimnazistëve i kishin prindërit punëtorë me tre turne në Kombinatin tekstil.  Këta mësues ishin:  Inxh.Valentina Shehu, Inxh.Liri Çabiri, Baftjar Shehu dhe Kozeta Zylo, ku më duhet të theksoj se mësueset Valentina, Baftjari dhe autorja e këtij shkrimi kishin ngritur probleme rreth dhunës psikologjike që ushtronte organizata bazë e partisë së shkollës rreth mendimeve tona të lira, të hapura deri diku në orën e mësimit, ku u përfshinë dhe katër mësues të tjerë si Beatriçe Capo etj, dmth bëheshim 7 mësues pa teserë partie, që nxënësit na quajtën 7 shaljanë.  E sjellë këtë kujtim pasi dua të tregojë fytyrën e shtetit të egër që për problemet që ne ngritëm solli në shkollën tonë dy herë radhazi Vangjel Moisiun sekretarin e punëve ideologjike pranë Ramiz Alisë, sekretar i parë i Komitetit qendror të Partisë së Punës së Shqiperise në vitin 1985 mos gaboj, për të marrë takim me të shtatë prej nesh, ish drejtorin e shkollës demokratin dhe intelektualin Myfit Ishmaku si dhe me organizatën bazë të partisë që kishte për sekretare Razie Stafa.  Për hir të së vërtetës Vangjel Moisiu më shumë dëgjoi prej nesh dhe sjellja e tij ishte tepër ndryshe nga diktatorët dhe të pagdhendurit.  Pas tij erdhi për katër herë radhazi Pirro Lako i akuzuar si qejfli femrash, ish sekretar i komitetit të partisë së Tiranës i cili organizoi mbledhje kolektive me gjithë mësuesit për të na diskretituar dhe për të marrë masa siç dinin ata të merrnin.  Zëri mbrojtës i mësueses inxh.Valentina Shehut, mendimet burrërore, trimit sypatrembur Baftjar Shehut ishin tejet tronditëse për një sekretar me aq fuqi partie për gjithë Tiranën. Kur më erdhi radha mua ndërmjet të tjerash thashë se nxënësit tanë po marrin shumë pak bursa për të shkuar në Universistet, sepse nuk kanë krah janë bij të klasës punëtore… Në fund Pirro Lako i “përndritshmi i partisë” erdhi me konkluzionin se Këze Zylaj ka rënie ideologjike…  Kaq duhej për të qenë në shenjestër nga falangat kanceroze dhe sahanlëpirësit që nuk ju ndanë kurrë Kombit tonë.

Pas disa ditësh më vjen njoftimi nga sekretarja e organizatës bazë të partisë Razie Stafa që në atë kohë funksiononte për dy gjimnaze:  “50 Vjetori i Pavarësise” dhe “Myslym Keta” në Kombinat se duhet të paraqitesha pranë Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës ku më kishte thirrur për takim Pirro Kondi i cili ishte në atë kohë sekretar i parë i rrethit të Tiranës dhe kandidat i byrosë politike.  Së bashku me bashkëshortin tim dhe vëmendjen e familjes të cilet u shqetësuan shumë, më çuan pranë godinës së Komitetit të Partise, sot godina qendrore e partisë socialiste.  

Më duhet të theksoj pa lejen e tij përtej modestisë se kam pasur në krah një bashkëshort shembullor, burrëror me mendime të hershme liberale demokratike dhe që s’i trembej syri nga e vërteta…  

Sekretarja e zyrës se Pirro Kondit pasi më mori dhe më çoi në paradhomë më tha që do të presësh këtu derisa të na njoftoj për të vajtur në zyren e tij. Dhe erdhi momenti i shkuarjes atje, ndërsa Qemali priste perjashta, me mendimin dhe dyshimin se mund të arrestohesha ose kushedi çfarë dënimi tjetër.

Pirro Kondi ishte me një veshje sportive me një bluzë me mënga të shkurtëra që më befasoi për paraqitjen e tij si zyrtari më i lartë i kryeqytetit.  Sekretari i parë Kondi e filloi bisedën:  -Ju jeni Këze Zylaj? – Po i thashë Këze Zylaj.  – Ju keni sjellë shumë shqetësime dhe ç’është më e keqja se keni bërë për vehte mjaft nxenës të mirë me partishmëri të fortë politike dhe ju po i prishni ata.  Këtu medoemos e kishte fjalën për një nxënëse të shkëlqyer, të jashtëzakonshme, që për katër vjet njohu vetëm 10-ën, që lexonte dhe jepte opinione si një kritike e mirëfillte, Merita Gjeçin e cila na kishte bërë një mbrojtje dinjitoze si nxënësja ime për katër vjet.  Ju keni thënë në disa mbledhje të drejtuara nga i deleguari i Ramiz Alisë Vangjel Moisiu dhe yni Pirro Lako midis të tjerash se: “partia e punës nuk po u jep bursa fëmijëve të “kllasës” punëtore (sqaroj këtu se të gjithë të mëdhenjtë e parties, fjalen klasë e shqiptonin kllasë si në rusisht…)  I thashë se unë kam ngritur me guxim një të vërtetë që duhet thënë se shumë pak po shkojnë në Universitet nga gjimnazi ynë, nxënësit tanë, është një shkollë që është lënë mbrapa liste.  

Pirro Kondi me hakërrim në dialektin lokal gjirokastrit dhe forcë detyre partie u përgjigj: “Vajzo, vajzo ( shtoj ketu se ishja 27 vjeçe) ne kemi dhënë dhe vazhdojmë t’ju japim “kllasës” punëtore bursa, ata janë prioriteti ynë.  Duke vazhduar dhe dëgjuar më së shumti atë për gati 2 orë pasi ishja e thirrur atje në emër të grupit të 7 mësuesëve, kuptova se koefiçienti i inteligjencës së tij vlente për të dëshëruar, ishte thjesht një vegël qorre e partisë në pushtet, fal bëmave dhe lidhjeve të ngushta që kishte me klanin e fuqishëm të byrose politike.  Pasi më tha se do të heqim nga gjimnazi për shkak të rënies ideologjike dhe do të çojmë në një cikël më të ulët, siç ishte shkolla 1 Qershori, që midis nxënësve kishte mjaft rom, shkolla ishte prane Selitës, vazhdoi se përsëri ne do të shohim se si do të punosh pranë tyre…

Me lot në sy e kundërshtova se heqja ime nga shkolla është cënim i profesionit tim dhe njëkohësisht shkatërrohet reputacioni im duke lënë shkas që shumë gojë të liga të flasin dhe të intepretojnë sipas dëshirës së tyre.  

Pirro Kondi me një kërcënim të frikshëm m’u përgjegj: “Vajzo, vajzo, ka dhe punë detyronjëse, ka dhe burg, ke dy vajza të vogla për të rritur, bashkëshortin e keni përjashta që po u pret, është në pozicon të mirë pune…  ( e dinte sekretari i parë Pirro Kondi punën dhe lëvizjen e bashkëshortit tim i cili në atë kohë ishte shef i teknikës së gjithë ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes).

Të gjitha këto janë herë e parë që i shkruaj në publik, por janë kujtime të përjetuara të thëna aq lirshëm, aq miqësisht aq besueshmërisht në shtëpinë e ish grevistit të urise prof.Mehdi Shehut dhe rrethit tonë miqësor ku diskutuam me aq guxim për bëmat dhe tmerret e kokave që udhëhiqnin partinë.

Pas vendimit të 2 Pirrove të famshëm përfundova në spital ushtarak me një lodhje nervore, ku më jepnin valium për të bërë gjumë…  Kurrë s’do ta harroj veçanërisht shqetësimin e atit tim i cili erdhi për gjithë natën nga Mezhgorani për të më parë në spital dhe këshilluar.  Duke më vënë dorën tek balli këshilloi: “Bija ime!  Kudo që të vesh më beso se do të dali më mirë!”  Çfarë profecie që pati!  Pasi dola nga spitali me lot në sy shkova pranë shkollës “1 Qershori”, ku më duhet të shtoj se ish drejtoresha e shkolles znj.Miranda Kalaja një intelektuale erudite me shumë gjuhë, ish mësuesja e matematikes me një familje të persekutuar autoktone tiranase Lejla Begeja, mësuesja e biologjisë Afërdita Bega, ishin pakuptuar ëngjëjt mbrojtës të mi.  Drejtoresha ishte informuar nga organizata bazë e partisë së shkollës rreth dosjes sime dhe me elegancë dhe plot mirësi më hapën një vend të ngrohtë reth ”oxhakut” të kesaj shkolle me aq vlera dhe plot kulturë.  O Zot kur i kujtoj filmat dhe librat që diskutonim pa ndrojtje, edhe sot habitem se sa me fat ishja që shkova pranë tyre, dhe çuditërisht gjithë kolektivi i atjeshëm arsimor ishte në rezonancë me lirinë individuale…  

Eja mblidhuni këtu-këtu!…

Si çdo nismë e bukur apo e pabukur e ka një zanafillë e ka një shtysë për ta realizuar.

Duke e pasur shtëpinë pranë qyteti studenti, ish shkollës “Labinoti” dhe dhoma e gjumit tonë përkonte nga ana e oborrit të saj, papritur një natë e zakonshme u shndërrua në zëra Lirie, në zëra të rinjsh studentësh që hidhnin parrulla në kor:  “E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Kadare, Kadare, Kadare hajde me ne, ose këndonin:  Ejani mblidhuni këtu, këtu, eja mblidhuni këtu, këtu”!…

Për bashkimin me nismën e studentëve e kam fjalën jo vetëm që ishim të bindur plotësisht për ndryshim dhe këto falë bisedave pothuajse të përnatshme me intelektualë të mirëfilltë, por të pabujshëm ose të harruar, por nga ana tjeter e kishja parë dhe ndjerë në shpatulla egërsinë e Pirrove dhe vasalëve të tyre në organizata partie arsimtarësh që më së shumti këto organizata i drejtonin injorantë me shpirt katran…

Për hir të së vërtetës protestave të studentëve të dhjetorit po i bashkohej pothuajse paprimtas gjithë populli i Tiranës të udhëhequr nga intelektualë liberal dhe plot kulturë perëndimore.  Kjo nuk duhet harruar kurrë, nuk është koha për të marrë i pari flamurin e demokracisë, pasi prijësit në se nuk i venë luftëtarët pranë, kanë mbaruar misionin.  

E kam fjalën për popullin e shumëvuajtur, punëtorë, fshatarë, minatorë, anëtarë me tesera të partisë së punes që janë me mijëra të ndershëm prej tyre dhe shumica vuajtën po njëlloj si ata pa tesera, që erdhën dhe shpërthyen gjokset e tyre duke thirrur:  “Eja mblidhuni këtu-këtu, E duam Shqipërinë si gjithë Europa”!

Filloi të diskutohej ethshëm nëpër grupime mësuesish, nëpër grupime nxënësish, ku filloi ndarja në demokratë e socialistë, ku vazhdonte akoma klithma e kukuvajkave të disa mësueseve komuniste, veçanërisht ato e ata qe ishin komplet trushpëlarë dhe të vinin fletë rrufe për shfaqje të huaja që më shkaktojnë neveri kur i kujtoj.

Një natë pranë shkollës “Labinoti” u dëgjua zëri i Azem Hajdarit dhe emri i tij nga studentët që ishin mbledhur duke hedhur parrulla, te cilët ishin përzënë nga policia e Ramiz Alisë dhe Byrosë politike për të shtypur dhe shpërndarë lëvizjen.  Ishte një natë e frikshme, por e bukur, ishte një dhimbje e bukur siç thotë poeti kombëtar Ali Podrimja.

Ne shkonim çdo mëngjes në sheshin e Demokracisë pranë studentëve të grevistëve të urisë, shkonim me miken time të ngushtë, inxh.Valentina Shehun e cila kishte bashkëshortin e saj në grevë urie, prof.Mehdi Shehun, shkonim së bashku me vajzat tona aq të vogla, ish nxënëse të shkollës “Kosova” të cilat në mënyrën e vet thoshnin:  “Babi është me ju, Babi është me ju”! 

(Në atë kohë ishte në Ministrine e Mbrojtjes dhe pastaj e hoqën për pikëpamje demokratike).

 Emocionet, energjinë aq pozitive që merrnim pranë qytetit studenti do të ngelen të paharruara në kujtesën tonë.  Po dëgjoheshin zëra Lirie, zëra të rinjsh që kishin ëndrra aq të bukura, zëra nga greva e urisë, që mund të dilnin ose jo të gjallë.  Midis tyre dëgjoja zërin e prof.Shenasi Ramës ish studentit të grevës së urise dhe njërit ndër themeluesit e opozitës kundër sistemit komunist në Shqiperi.  Opinionet e tij analitike dhe tejet profesionale në publik i përkasin një elite të zgjedhur që mjerisht akoma heshtet për këta intelektualë që i shërbejnë realisht Kombit. 

Dëgjoja zërin e dhëmbshur të Edlirës, vogëlushes që kërkonte të atin e saj në grevë urie prof.Mehdiun që siç kujton prof. Rama në statusin e tij se: “Në këto momente kishja dash me kujtue e nderue grupin e ngushtë të shoqatës dhe promotorët e vërtetë të grevës së urisë Arben Liken, Arben Sulon, Edmond bushatin, Xheni Taninin, Vilsa Dade, Edvin Shvarc, Alban Picin, të ndjerin Fred Gremin, si dhe pedagogët patriotë Mehdi Shehun dhe Ukë Bucpapaj.  Pavarësisht rrugëve që kanë marrë në jetë të gjithë shqiptarët e kanë një borxh nderi me ua kthye këtyre djemve dhe vajzave të papersëritshme dhe studentëve të tjerë pjesëmarrës”.

Në pallatin e Kulturës dhe hedhja e bustit të diktatorit Hoxha

Pjesëmarrja e popullit në qytetin studenti sa vinte dhe po merrte përmasa të papara duke u mbështetur nga shumë intelektualë.  Kështu një mbasdite të gjithë mësuesit demokratë u mblodhëm në Pallatin e Kulturës ku në presidium midis të tjerëve do te ishte prof.Ylli Vejsiu.

Pjesëmarrësit në sallë më caktuan për të lexuar në emër të gjithë mësuesëve të Tiranës telegramin në mbështetje të grevës së urisë së studentëve në Pallatin e Kulturës në Tiranë që drejtohej nga prof.Ylli Vejsiu, ish një nga nismëtarët themeltarë të partisë demokratike.  Kur dolëm përjashta vëllai, shumë miq dhe kolegë dashamirës më thanë se brenda në sallë janë vendosur kamerat dhe mund të ketë arrestime, sigurisht këto ishin presione, por dhe me të vërtetën e hidhur brenda, por a po pyesnim më nga ai regjim që kishte sjellë sa e sa drama njerëzore, a mund të vritej më ëndrra e Lirisë së mohuar?  

Regjimi po ndjente nga afër grahmat e fundit ndaj dhe mblidhte forcat e zeza dhe më shumë rreth vehtes për të shtypur dhe vrarë demonstruesit.

Ishin ditë dhjetori, ditë të ftohta për nga stina, por vullkani i zemrave rinore ngrohte atmosferën dhe zjarri i shenjtë prej Perëndie dukej se kishte prekur dhe tokën e pushtuar nga banditët udhëheqës që mjerisht e kanë gllabëruar atë tokë pothuajse në çdo sistem…

  Ishin muaj tejet me ngarkesë sidomos për ne banuesit e Tiranës dhe që i mbështetnim ata pasi na duhej të merrnim pjesë paradite, mbasdite deri në hedhjen e bustit të diktatorit Enver Hoxha.  

20 Shkurti ishte një ditë historike për shqiptarët, ishte një ditë që i tregoi botës se shqiptarët e duan Lirinë, se shqiptarët s’jetojnë dot nën diktaturë.

Në këtë ditë u nisëm nga sheshi i studentëve, ku me artopalant na drejtoi drejt sheshit qendror aktorja e Teatrit Kombëtar Raimonda Bulku.  Do të kishja shume dëshirë të kishim aparat fotografimi për t’i pasur si relike apo pikturë nëpër bluzat dhe fustanet tona ujin me ngjyrë që lëshuan makinat e policisë duke filluar para TVSh-s drejt trupave tanë.  Ëndërroj të kishja një vidio ku të ishin rekorduar thirrjet e demonstruesve, kur panë policët para TVSH-s apo kryeministrisë dhe ish komitetit qendror si: “policia është me ne, policia është me ne”!…

Shumë interesante është fakti se mësuesi Baftjar Shehu i cili ishte direkt në hedhjen e bustit të Enverit kokëposhtë, mori nga busti i diktatorit në sheshin e Tiranës një pjesë nga këmba e tij, nuk e di në se e ruan akoma apo jo?  

 Ditët e shkurtit po rrokulliseshin me shpejtësi si dhe shumë gjëra të tjera kardinale për Shqipërinë.

Në Partinë Demokristiane të Shqipërisë

U krijuan parti të ndryshme demokratike, për nga radha partia demokristiane ishte e treta pas demokratikes dhe republikanes.  Mora pjesë qysh në krijimin e Partisë demokristiane, e ftuar nga miku i ngushtë i familjes sonë intelektuali shkodran inxh.Franc Marku.  Arsyeja ishte shumë e thjeshtë:  Ishte e vetmja parti që shkruante në status se nuk pranonte ish komunistë dhe që sot pas 30 vjetësh kur e mendoj më vjen për të qeshur se sa naivë tregoheshim ndonjëherë nga gënjeshtrat dhe gjepurat e “liderëve” të korruptuar fund e krye…  Por kjo do te jete nje shkrim tjeter që mjerisht ne nuk ndryshojmë kurrë, mjerisht ne mohojmë njeri tjetrin.  As më pak e as më shumë kam parë historikun në Web të Partisë Demokristiane ku aderova, dhe absolutisht nuk zihet emri dhe pse me krenari e them që u zgjodha sekretare e përgjithshme publikisht nga shkodranët edhe pse ishja nga Jugu dhe e vetmja grua, ndërkohë drejtova gazetën “Ora e Shqipërisë” organ i partisë në fjalë.  Po ku do t’ja dije Nard Ndoka që është në krye të PDKSh-s dhe as ka qenë fare anëtar të pakten deri në shkurt të 1997-ës, kur u arratisëm nga bandat dhe kallashnikollët që të shponin sytë tej përtej…    

Në këtë parti takova një nga burrat e rrallë të kombit, intelektualin erudit Dr.Lazër Radin i cili u burgos dhe internua për 50 vjet nga regjimi diktatorial hoxhist.  Nëpërmjet gazetës “Ora e Shqipërisë” Dr.Lazer Radi sillte shkrime që ja rrisnin karatin nivelit të saj dhe nëpërmjet publikimeve njoha një shkrimtar të një race të epërme që do të mbetet emblemë për kulturën, filozofinë dhe letërsinë shqiptare.

  Është e pamundur t’i përshkruash gjithë ato skena që ke marrë pjesë dhe i ke parë me sytë e tu, por është e mundur të tregosh historinë e patreguar që ka qenë brenda teje dhe që rrinte në agoni deri në shpërthim siç dhe do të shkruante shkrimtarja amerikane Maya Angelou.

Megjithatë unë po i referohem Rosa Parks, kësaj gruaje trime, amerikane, aktiviste e shquar e cila ka thënë: “I’d like to be remembered as a person who wanted to be free and wanted other people to be also free.” që do të thotë: “Unë dua të kujtohem si një person ku dëshironte të ishte e lirë dhe ka dëshiruar që edhe të tjerët të jenë të lirë”.

Në këtë rast unë kujtoj nga Nju Jorku me mall e nostalgji të gjithë miqtë liridashës, të gjithë ata martirë të Lirisë, të gjithë demonstruesit që u sollën plot kulturë dhe pa dhunë në sheshe e kudo, kujtoj atë kohë aq të afërt, por ende shumë të largët në përmbushjen e ëndrrës rinore dhe të gjithë shqiptarëve:  “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”!

Filed Under: Featured Tagged With: Endrar e Dhjetoriste, Keze Kozeta Zylo, Shqiperia si Europa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 281
  • 282
  • 283
  • 284
  • 285
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT