• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Trump mbetet vetëm, ikin Kruz dhe Kasich

May 4, 2016 by dgreca

Miliarderi i pasurive të patundshme dhe politikani i ri Donald Trump është kandidati presidencial republikan i pritshëm pas fitores së thellë në zgjedhjet paraprake në Indiana. Trump mposhti me lehtësi rivalin kryesor Ted Cruz, i cili e ndërpreu menjëherë fushatën e tij duke e lënë Trumpin në një rrugë të sigurtë drejt kandidaturës së partisë. Donald Trump e kishte konsideruar Indianën si betejën e fundit mes kandidatëve të partisë së tij dhe ashtu ndodhi. Ai i dha një goditje dërrmuese Ted Cruzit në Indiana, dhe tani qëndron si kandidati i pritshëm presidencial republikan pas një fushate ndonjëherë përçarëse dhe të hidhur në zgjedhjet paraprake republikane.

“Është e bukur ta shohësh dhe ta vëzhgosh dhe ne do ta bëjmë Amerikën përsëri një vend të madh,”– tha Trump.

Trump shpejt ndryshoi fokusin tek kundërshtarja e mundshme demokrate Hillary Clinton, dhe tek bashkimi i partisë republikane.

“Tani po nga thërrasin të gjithëve, po na thonë se duan të ecin me ne, me trenin e Trumpit e quajnë, dhe ne i duam në grupin tonë.”- tha ai.Fitorja e Trumpit shënon fundin e fushatës së senatorit të Teksasit Ted Cruz dhe shpresat e tij për Shtëpinë e Bardhë.

Cruz e njoftoi vendimin e tij para përkrahësve të tij të zhgënjyer në Indianapolis:“Ne dhamë gjithçka, por votuesit zgjodhën një rrugë tjetër. Kështu me zemër të thyer, por me optimizëm të pafund për të ardhmen e vendit tonë po pezullojmë fushatën.”

Ndërsa e sulmoi gjatë gjithë fushatës duke e quajtur gënjeshtar, Trump u përpoq të ishte i ngrohtë ndaj Ted Cruz mbrëmë pas largimit të tij nga gara:

“Që ta kuptoni, Ted Cruz nuk e di në më pëlqen mua apo jo, por ai është një konkurrent shumë i forte, një njeri shumë i zgjuar dhe ai ka një të ardhme të ndritur. Dua ta përgëzoj Tedin, e di sa e vështirë është kjo garë”, – tha Trump.

Në garën demokrate, Bernie Sanders shënoi një fitore të ngushtë ndaj kryesueses Hillary Clinton:

“Miliona njerëz sot po fillojnë të ngrihen dhe të kërkojnë një qeveri që na përfaqëson të gjithëve ne, dhe jo vetëm një grusht miliarderësh”.

Por edhe me këtë fitore Sanders nuk e ndryshon shumë epërsinë që ka Clinton për të marr kandidaturën e partisë demokrate.

Fitorja e Sanders në Indiana ishte e ngushtë por përsëri ishte fitore dhe senatori është optimist se do të arrij të fitojë në disa nga zgjedhjet paraprake që pasojnë si në Kentucy apo Kalifornia që ka shumë delegatë. Megjithëse e pranon se matematikisht është e vështirë pasi duhet të fitojë 95 përqind të garave që kanë mbetur, Sanders shpreson se do të arrij të shënoj fitoren më të çuditshme në historinë amerikane. Por shifrat deri tani janë kokëforte për Sanders që të arrij të ndryshojë kryesimin e ndjeshëm të zonjës Clinton në betejën për kandidaturën e partisë demokrate.

Anketat tregojnë se zonja Clinton do të jetë favorite në zgjedhjet e përgjithshme në se ka përballë Donald Trumpin. Një anketë e re para fitores mbrëmë të Trumpit tregon se Clinton kryeson 54% me 41%, një kryesim prej 13-pikësh ndaj biznesmenit të Nju Jorkut.

Clinton është më e besueshme sesa Trump në shumë çështje që votuesit i radhisin si shumë të rëndësishme me një përjashtim të madh. 50% e votuesve thonë se Trump do të bënte një punë më të mirë për ekonominë amerikane krahasuar me 45% që mbështesin Clinton për ekonominë.

Por natyra e paparashikueshme e Trumpit mund ta bëjë këtë një garë të ngushtë.

Trump dhe Clinton pritet të përqëndrohen më shumë tek njëri tjetri gjatë javëve në vazhdim duke na dhënë një shije të asaj që do të presim në fushatën elektrorale të përgjithshme.

John Kasich tërhiqet nga gara presidenciale

Guverntatori i Ohajos John Kasich, një ndër konkurrentët për kandidat i Partisë Republikane në zgjedhjet për president, po tërhiqet nga gara, duke i hapur rrugë manjatit Donald Trump të marrë emërimin e partisë së tij.

Zoti Kasich ishte një ndër 17 konkurrentët që u futën në garë për të përfaqësuar partinë e tyre në zgjedhjet presidenciale, që do të zgjedhin pasuesin e Presidentit Barak Obama.

63-vjeçari Kasich e prezantoi veten si kandidat të moderuar në një garë të mbizotëruar nga politikanë me pikëpamje të forta konservatore. Ai theksonte vazhdimisht se synonte të shëronte përçarjet politike në Uashington. Por në një fushatë ku dëgjohet qartë revoltimi i zgjedhësve me punën e qeverisë federale, zoti Kasich nuk arriti të siguronte mbështetje të dukshme, ndërsa përkrahja për Donald Trumpin vazhdoi të rritet.

John Kasich konkurroi në mbi 40 shtete në zgjedhjet paraprake, por fitoi vetëm një prej garave në Ohajo, ku ai është guvernator.

Ai doli i treti me një diferencë të dukshme në zgjedhjet e Indianës dje. Ted Cruz u rendit i dyti në këto zgjedhje dhe menjëherë pas përfundimit të votimeve deklaroi se tërhiqet nga gara.(VOA)

Filed Under: Analiza Tagged With: ikin Kruz dhe Kasich, Trump mbetet vetëm

EDITORIAL- Marrdheniet e Amerikës me Shqipërinë, avokate kishin Vatrën

May 4, 2016 by dgreca

Nga Dalip Greca*/

Fedederata Panshqiptare e Amerikës VATRA, në këtë 104 vjetor të ditëlindjes së saj, ka me çfarë të krenohet. Punët e saj për Kombin shkëlqejnë në fondin e artë të Historisë Kombëtare. Vatra është një institucion që mbart  historinë më të spikatur të Shqiptarëve të Amerikës. Federata me emrin simbolik”Vatra Shqiptare”, e pagëzuar me këtë emër nga Faik Konica, do t’i mjaftonin 104 vite histori monumentale,që nga themelimi, për tu ndjerë pjesë e historisë Kombëtare. Do t’i mjaftonin fushatat e mëdha për shpëtimin e Kombit në vitet 1913- 1920, kur e patëm humbur Pavarësinë; do të ishte i mjaftë përfaqësimi i Vatrës në Konferencën e Paqës në Paris, Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve(realizuar nga ish Kryetari i Vatrës Fan S. Noli), Organizimi dhe financimi i Diplomacisë së Shtetit Shqiptar nga Vatra, kur nuk kishim shtet (përfaqësimi dinjitoz me Dekanin e Diplomacisë në Washington Ministrin Faik bej Konicën),fryma e saj në Kongresin e Lushnjës,  botimi për dekada i librave shqip dhe dërgimi i tyre në Shqipëri, organizimi i shkollave shqipe në SHBA dhe ruajtja e gjuhës kombëtare dhe traditave, Lobimi për Shqipërinë tek miqtë amerikanë dhe Europianë, Huaja Kombëtare që shpëtoi Shqipërinë nga kriza, Organizimi i Fondit të studentëve që nga vitet ’20-30 të Shekullit XX dhe sot,dërgimi i Trupave vullnetare të Vatrës për të ruajtë kufijtë jugorë të Shqipërisë dhe pjesmarrja e tyre në Luftën e Vlorës, dërgimi i Bandës Muzikore të Vatrës në vitet ’20 në Shqipëri dhe krijimi i Bandës muzikore të Shtetit Shqiptar”Hymni i Luftes se Vlores “Vlora-Vlora” ka per autor kreun e Bandes se Vatres, Thoma Nasi), lufta pa kompromis kundër diktaturës komuniste për 50 vite,etj …dhe sikur fare të mos punonte Vatra sot, ajo mbetet një monument historik në Kujtesën e Kombit.

Ndër punët e mëdha të Vatrës në shërbim të çështjes Kombëtare mbetet si gur i çmuar organizimi i Diplomacisë së munguar në mungesë të Shtetit të vdekur Shqiptar, barrë që u mor përsipër nga Vatra. Drejtuesit e Vatrës u kapën fort pas Deklaratës të Presidentit Wilson për vetëvendosjen e e kombeve.
Ndodhi çasti ftalum i 4 korrikut 1918, kur Noli, kryepari i Vatrës u takua me Presidentin Wilson. Në atë që është quajtur pelegrinazhi historik, i organizuar nga presidenti Wilson në Mount Vernon, në vendvarrimin  e presidentit të Parë të Amerikës, George Washington, “Vatra”  kishte dërguar dërguar  kryetarin e saj, Imzot Nolin, për të përfaqësuar Shqipërinë, dhe ia doli mbarë.

Noli shkoi me mision që të përcjellë tek Presidenti me Wilson, e vetmja shpresë për shpëtim, shqetësimin e Shqiptarëve për ruajtjen e pavarësisë të pasluftës. Noli ia arriti t’ia përcillte presidentit problemin shqiptar të kërcënuar nga fqinjët dhe Traktatet e fshehta të Evropës. Pas dy takimeve që realizoi me presidentin Amerikan, Noli i entuziazmuar i dërgoi Komisionit Qëndror të “Vatrës” mesazhin shpresëdhënës nga Washingtoni: “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me Presidentin Wilson, i cili më dha shpresa të mëdha . . .”

Vatra e nisi organizimin e Diplomacisë së munguar që më 1916, kur caktoi me rrogë mujore diplomatin dhe patriotin e sprovuar Mehmet Konica, në Zvicër dr. Mihal Turtulli e Mithat Frashëri, ndërsa në Washington- Kostë Cekrezi dhe Erikson.

Vatra luftoi me të gjitha armët për të siguruar Pavarësinë e dalë në ankand nga traktetet e fshehta të Europës dhe shkelja e tokës shqiptare nga ushtritë e shteteve fqinjë, Greqi, Serbi, Mali i Zi. Fushata e Vatres  e 3 prillit 1917, ishte një triumf për të siguruar fonde për lobimin e miqëve amerikan dhe Europianë në Konferencën e Paqes në Paris, por edhe për t’i dalë zot vendit me mjete të tjera të Paqës dhe të Luftës. Që në vitin 1916, degët e Vatrës kishin nisë të krijonin pranë vetes së tyre në qendrat ku e ushtronin aktivitetin,në shtra e qyteza,  ato që u thirrën Trupat Vullnetare të Vatrës. Më pas këto trupa u unifikuan dhe stërviteshin në New England në drejtimin e patriotit Aqif Përmeti në, i cili e finalizoi punën e madhe kombtare duke u nisë vetë në krye të 200 Trupave me djemtë e vatranëve drejt Shqipërisë në fund të Shkurtit 1920 dhe mbeti atje për të organizuar Ushtrinë Kombëtare Shqiptare..

Po ashtu Vatra dërgoi bashkë me Trupat Vullnetare edhe Bandën Muzikore të saj, që i ra Shqipërisë kryq e tërthor nga Shqipëria e Mesme në atë të Jugut, duke i përshkuar viset shqiptare në këmbë që nga Durrësi, Elbasani, Korça, Gjirokastra, Tepelena e deri në Vlorë, ku u bënë pjesë e Luftës së Vlorës, dhe lanë si gjurmë këngën e njohur-Hymn”Vlora-Vlora” me muzikë të vatranit dhe kreut te Bandes muzikore Thoma Nasi.

Vatra ia arriti që të mposht propagandën e shfrenuar greke në Washington dhe Kryeqendrat e Europës se çdo ortodoks ishte grek dhe se viset e Jugut të Shqipërisë: Korça- Gjirokastar ishin vise greke! Në gazetat e zëshme të Amerikës dhe Europës, Vatra financoi botimin e shkrimeve që përcillnin të vërtetën dhe demaskonin propagandën shpifse greke dhe sllave.

Vatra i ka ndihë Kombit në të gjitha format, ishte ajo që i siguroi Shtetit Shqiptar një Hua Kombëtare rreth 200 mijë dollarë në kohë të vështira, ishte  Vatra ajo që dërgoi vatranët e shkolluar e me kulturë për t’i shërbyer Atdheut, duke çuar atje frymën e Perëndimit, paçka se gati të gjithë ata diktatura komuniste i pushkatoi, burgosi, internoi.Vatranët e sotëm ndjehen krenarë për paraadhësit e tyre, që i bënë aq shumë shërbime të vyera Kombit.

* Në Diellin e printuar gabimisht si autor është venë prej dizajnerit emri i nënkryetarit Bushati….

Foto- Vatra arkiv-  28 Prill 2012. Komisioni themelues i Vatrës. Nga e majta; Paskal Aleksi, Kristo Floqi, Elia Tromara, At Fan S. Noli, Llambi Chikozi, V. Dhimitri  dhe Faik Konica.

 

Filed Under: Editorial Tagged With: avokate kishin Vatrën, dalip greca, EDITORIA, Marrdheniet e Amerikës me Shqipërinë

Kryeministri Mustafa: Liberalizimi i vizave, perspektivë eurointegruese

May 4, 2016 by dgreca

-Mustafa: Republika e Kosovës ka bërë një hap tjetër shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, ndërsa për qytetarët dhe shtetin tonë tashmë është hapur një perspektivë shumë e fuqishme politike, ekonomike dhe demokratike/

-Zhbogar: Kjo është një prej ditëve që kujtohen gjithmonë. E përgëzoj popullin e Kosovës për këtë të arritur/

-Çollaku: Vendimi i sotëm i Komisionit Evropian është fillimi i hapjes së dyerve të Bashkimit Evropian për popullin e shtetit më proevropian/

 PRISHTINË, 4 Maj 2016-B.Jashari/ Liberalizimi i vizave dëshmon perspektivën e pakthyeshme eurointegruese të Kosovës, tha sot pasdite kryeministri Isa Mustafa. Ai deklaroi kështu në një konferencë shtypi të mbajtur menjëherë pasi në një takim pranoi nga shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/përfaqësues Special i BE-së, Samuel Zhbogar rekomandimin e Komisionit Evropian për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

 Kryeministri Mustafa tha se kjo është një ditë e madhe për Kosovën dhe për qytetarët e saj.

“Rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën është një vendim me rëndësi shumëdimensionale për vendin tonë. Republika e Kosovës ka bërë një hap tjetër shumë të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, ndërsa për qytetarët dhe shtetin tonë tashmë është hapur një perspektivë shumë e fuqishme politike, ekonomike dhe demokratike”, tha kryeministri.

 Mustafa, po ashtu, tha se arritja e këtij suksesi kulmor është rezultat i përkushtimit të qytetarëve, i punës së madhe të të institucioneve dhe i përkrahjes së parezervë të partnerëve ndërkombëtarë.

“Kosova i plotësoi kushtet që qytetarët e saj sikurse edhe qytetarët e tjerë të këtij kontinenti të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Institucionet e Bashkimit Evropian përkundër ashpërsimit të kritereve vendosen sipas meritës për Kosovën sot”, tha kryeministri.

 Më tej, Mustafa tha se liberalizmi i vizave dëshmon në vepër perspektiven e pakthyeshme eurointegruese të Kosovës dhe është një konfirmim i madh për qytetarët optimistë të Kosovës dhe mesazh po ashtu i qartë për ndonjë pesimist të izoluar brenda dhe jashtë saj.

 Kryeministri Mustafa, po ashtu, ka shprehur përkushtimin e Kosovës që t’i përmbahet në mënyrë strikte të gjitha rregullave të Bashkimit Evropian në këtë proces.

“Duke respektuar, pa asnjë ekuivok, çdo pikë dhe çdo rregull të këtij procesi, ne do t’ia hapim vetes rrugën e ecjes më tutje në rrugën evropiane”, tha kryeministri, duke falënderuar të gjitha institucionet për punën e bërë në këtë proces gjatë katër viteve të fundit.

 Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësues Special i BE-së, Samuel Zhbogar, tha se kjo është një prej ditëve që kujtohen gjithmonë.

“E përgëzoj popullin e Kosovës për këtë të arritur. Duke qenë në Kosovë që kur ka filluar procesi i liberalizimit të vizave në vitin 2012, ndaj ndjenjën e satisfaksionit dhe përmbushjes. Tani varet nga shtetet anëtare të BE-së, përkatësisht nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, që të vendosin për afatet kohore të heqjes së vizave. Ne shpresojmë se kjo do të ndodh sa më shpejtë që të jetë e mundur”, theksoi Zhbogar.

 Ministri kosovar për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, ka uruar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për propozimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave duke thënë se me këtë vendim Komisioni Evropian ka vulosur faktin që përpjekjet e qeverive të Kosovës për më shumë se katër vite kanë përmbushur me sukses kriteret e procesit.

“Vendimi i sotëm i Komisionit Evropian është fillimi i hapjes së dyerve të Bashkimit Evropian për popullin e shtetit më proevropian. Ky veprim sinjalizon përfundimin e izolimit të evropianëve të rinj dhe trajtimin e tyre të barabartë me të gjithë popujt e rajonit”, theksoi ai. Rekomandimi i sotëm, vijoi Çollaku, është vendimtar në mundësimin e udhëtimit pa viza në vendet e zonës Schengen për qytetarët e Kosovës.

“Tani që procedura e vendimmarrjes është nisur, ne do të dinamizojmë edhe më shumë punën me Parlamentin Evropian dhe me shtetet anëtare të BE-së në mënyrë që vendimi përfundimtar pozitiv të merret sa më shpejtë. Besoj fuqishëm se kjo do të ndodhë shpejtë, dhe vendimi i Komisionit sot vetëm më përforcon bindjen se lëvizja e qytetarëve pa viza do të bëhet këtë vit”, tha ministri Çollaku në konferencën për shtyp.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Kryeministri Mustafa, liberalizimi i vizave, perspektivë eurointegruese

Njezet e kater ore ne spitalin e traumes…Qendra hale e mjekimit

May 4, 2016 by dgreca

Nga Enver Bytyci/

Njezet e kater ore ne spitalin e traumes…. Qendra hale e mjekimit.  Tek degjoja cdo dite lajmet, akuzat, kritikat per shendetesine, sido qe intuita me conte te bindja per gjendjen skandaloze ne spitalet tona, ka patur ndonje moment kur ne mendjen time eshte reflektuar me nje koeficent vertetesie per shkak te interesit e luftes politike. Por mu desh ta provoja vete e te mendoja te kunderten. Te henen qe shkoi shkova me urgjence ne spitalin e traumes, ose ate qe quhej spitali ushtarak dhe gjeta nje hale ne vend te nje qendre mjekimi. Kontakti i pare ishte me policin. “Kush je, nga je, cte ka ndodhur, ke patur konflikt me dike” dhe ne fund nuk harronte te uronte sherim te shpejte. Deri ketu gjithcka ne rregull. Por mendohesha gjithe keta police qe presin te demtuarit, si nuk e pyeten Shullazin kur ai u plagos ne Qafe Kashar?! Nejse cdo rregull ka perjashtimin e vet. Por miresjellja e policeve nuk ishte e tille te bluzat e bardha. U desh plot tri ore te prisja ne sallen e urgjences, e cila vetem salle nuk ishte. Ashtu zbuluar, i semure, pa kujdes, pa mbrojtje. Cdo kerkese times dikush i pergjigjej: – prit nje sekonde, ose dy sekonda, maksimumi nje minute. Sekondat e minutat u bene tri ore. Pas tri oresh me cuan ne dhomen e shtrimit. Kater krevate me tete banore, bashke me shoqeruesit, ne maksimumi 15 m katror. Krevate te shkaterruara, te cilet ne vend te kembes se hekurt kishin tulla. Krevate qe nuk lehtesonin dhimbjet e traumave, por i shtonin ato. As nivelim nuk kishin. Ne dhome kishte nje te semure, te cilit i kishin varur nje bidon uji 5 kg. Ai me thote se mirrte ilace, por qe antibiotiket detyrohej ti blinte jashte ne farmaci. “Keto kushte jane, me thoshte Ariani, nje tjeter i shtruar. Na thone “Po te doni rrini, po patet 8000 euro, shkoni te privati”. Ne mengjes vjen nje djale i ri dhe i ben njerit qe kishte thyer krahun nje oferte per shitjen e hekurave qe do i viheshin ne krah. I jep nje cmim prej 900-1000 euro. Personi me kembe te thyer e bidon te varur interesohet te ky tregtar te gjej derman per shkak te cmimit me te ulet. Por jo, pas pak vjen mjeku dhe i thote qe hekurat ti marre te firma qe e kishte rekomanduar. Shkoi i biri, Hasani, i bleu hekurat me 1500 euro. Ndryshe nuk do te operohej. Ishte mjeku i operacionit, nuk behej shaka me te. Llogaria ishte e tille: Ose zbato porosine, ose mund te mbetesh sakat. Jane pa fund problemet si keto: por me e keqja kaloi gjate nates. Era e halese ngjit me dhomen, te cilen e shfrytezojne tete paciente e tete shoqeruesit e dy dhomave, te ben ta harrosh dhimbjen. Nuk ka uje. Vetem dy here ne dite me nga gjysem ore. Nuk ka ose nuk funksionin depozita, nuk ka motopompe. Dhjetra e qindra paciente jetojne e flejne si ne nevojtore. Dera e WC-e paputhitur per shkak se nuk eshte tamam dere, leshon duhmen e tmerrshme te fekaleve dhe te shton nje traume tjeter, ate psiqike. Edhe kete rast mendoja: Sa kushton nje depozite? Pese milion, dhjete milione? Po keta kaq para i harxhojne ne nje nate ose dy nete per person ne hotelet lluksoze te botes?! Atehere pse? Nuk ka aresye tjeter: Qe diktaturat te mbijetojne duhet te shkaterrojne dinjitetin njerezor. Gjithe naten pa gjume. Diten beme disi, hapem dyer e dritare. Po a te degjonte njeri nese i flisje per kete? Askush. Heshtje varri! Nga kjo kuptova se diktatura e ka shformuar integritetin e njeriut. Secili mendon: “Cme duhet mua?! Une shoh punen time, shoh xhepin tim”! Hallexhinjte, te semuret, duhet te vuajne. Dhe pas kesaj vjen tallja e shtetit me parate e pacienteve. Ti mund ke kesh paguar 40 vite sigurime shendetesore. Dhe ato vlejne sa era e halese se spitalit te cilin ti e ke paguar. Edhe pse ke paguar ti nuk ke te drejte ose nuk mundesh te flasesh, jo me te revoltihesh. E drejta e revoltes ndaj teje i takon diktatures, por ti nuk guxon te thuash se “Spitali eshte nje hale, se ofendon ministrin, pasi dikush mund te mendoje edhe jete: “Kur spitali eshte hale, hale eshte edhe vete ministri”. Se po shkoi insinuanca te padishahu, atehere ke marre fund. A nik eshte ky gjithashtu fundi i demokracise, pervecse shendetesise?! Dhe e keqja nuk mbaron. Te henen ishte dite pushimi. Askush nuk i vizitoi te semuret. Nuk i kishte vizituar ata dikush as te shtunen, as te dielen. Edhe semundja ne Shqiperi ben pushim, kur ministri, kryeministri, drejtori i spitalit e ka dite pushimi. Erdhen ne mengjesin e te martes. Te paret sanitaret. Me zhurme e bertima. Erdhen pastaj infermueret. Edhe ato me tangerllek te papare. Askush prej tyre nuk pyet se si jemi. Asnje nuk thote nje fjale sheruese, aq me pak nje fjale te embel. Erdhen me ne fund mjeket. Diku nga ora dhjete. Shume mjeke. Nuk u mor vesh kush i kujt mjek ishte. Une po, se u desh te pyesja per shume gjera. U gezova kur me thane te dal e te kurohem ne regjim shtrati ne shtepi. Por edhe nese nuk do me thonin, e shpalla vendimin tim: vdes e nje nate te dyte nuk do ta kaloj ne kete hale.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Qendra hale e mjekimi

Media e lirë me pronarë të (vet)robëruar?!

May 4, 2016 by dgreca

Nga Lutfi DERVISHI/

Një gazetar që takova sot në Shkodër ishte shumë i kënaqur se kishte marrë rrogën e muajit dhjetor. Për vitin 2015 ai quhet i paguar. Për vitin 2016 ka shpresë. Tek e fundit jemi në muajin e pestë.

A ka kuptim të flitet për lirinë e gazetarit kur botuesit/pronarët e medias nuk janë të lirë?! Në shumicën dërrmuese media nuk funksionon si biznes për të mbajtur veten, por si armë/mburojë për të kapur punë publike apo mbrojtur interesa private duke tundur flamurin e “interesit publik”.

Në një vend të vogël si Shqipëria me 2.7 milionë banorë, gëlojnë mbi 20 gazeta të përditshme, mbi 60 stacione televizive, mbi 60 radio, afro 200 televizione kabllore dhe qindra faqe online.

Nuk ka treg për të mbajtur në këmbë gjithë këtë armatë, por “armata” zvarritet duke shkurtuar vendet e punës, duke vonuar pagat, duke mos paguar dhe kur paguan me rroga mizerabël.

Biznesmenë që bëhen lakej të pushtetit, për të përfituar fonde publike, apo për t’u bërë pjesë e PPP (partneritet publik privat) kurrë nuk e çojnë në mendje se media është për të treguar “historinë” dhe jo për të bërë lustraxhiun e qeverisë.

Por,gjithsesi, botuesit janë e keqja më e vogël. Ka ardhur kohë e re, kohë kur partitë, qeveria, të shquarit e botës së artit nuk e duan më median për të komunikuar me publikun sepse e bëjnë vetë punën e medias.

Me siguri keni vënë re kronika televizive që kanë të njëjtët pamje dhe të njëjtin tekst. Janë si delet që i qeth një bari. Është vetëm një mikrofon anonim që shfaqet  në televizione të ndryshme. Ky është mikroni qeverisë apo partisë. Nuk ka më gazetarë të shohin dhe të raportojnë, nuk ka më gazetarë të bëjnë pyetje. Kronikat dërgohen si pica taksi në redaksi.

Rezultati është që nga mëngjesi në deri në darkë- në ekran nuk sheh njerëz, por zyrtarë, nuk sheh probleme, por parada, nuk sheh punë të kryer, por përurime, nuk sheh gazetarë, por postime në Facebook dhe Twitter.

Kanë kaluar vite nga koha kur zgjedhjet i raportonin gazetarët. Zgjedhjet politike, i raportojnë partitë politike dhe media është videoteka ku luhet kaseta. Dhe ironia bëhet më e plotë kur vetë gazetarët pyesin: “Çfarë mendoni për raportin e fundit të  Freedom House” që e rendit Shqipërinë në kategorinë e vendeve me liri të pjesshme?”

Media e re online dhe rrjetet sociale janë bekim për lirinë e shtypit. Për fat të keq sheh në Facebook qytetarë kurajoz dhe gazetarë të drojtur, ose gazetarë që raportojnë në Facebook dhe bëjnë propagandë aty ku marrin rrogën.

Media e re dhe rrjetet sociale mbeten shpresa se e vërteta do të jetë në sipërfaqe dhe ai që është në pushtet do të jetë gjithmonë i vëzhguar.

I lirë do të thotë që vendimet në lidhje me gazetarinë t’i marrësh në bazë të ndërgjegjes tënde profesionale, qoftë edhe duke gabuar, dhe jo duke menduar: “si e do ky… çfarë do të thotë ai…dhe ç’do na bëjnë ne?”

Nuk mund të ketë media të lirë, kur pronari medias është rob!(Syri.net)

Filed Under: Analiza Tagged With: Lutfi Dervishi, Media e lirë me pronarë, të (vet)robëruar?!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2847
  • 2848
  • 2849
  • 2850
  • 2851
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT