• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJERIU QË HUMBI GRUAN NË AMERIKË

April 26, 2016 by dgreca

Nga Agim Xh. Deshnica/

Treni E-3/

Berti, mësues nga Tirana, u njoh me Elsën në Korçë, në një mbledhje kushtuar shkrimtarit Foqion Postoli. Në çastin kur e pa, ai u mahnit nga pamja që ajo kishte, nga sytë e saj, nga flokët e derdhur mbi supe dhe mënyra si fliste, por, mbi të gjitha, nga urtësia që e dallonte. Nuk thonë më kot: “Ja korçare, ja hiç fare!” – mendoi.

Elsa qe lindur dhe rritur në lagjen me rrugica, afër qendrës së qytetit romantik, ku, sipas romanit “Çupat e Vançit”, gratë nën harqet e portave, me fshesë në dorë, merrnin në gojë gjithë dynjanë. Por Elsa qe krejt ndryshe, e mençur, e sjellshme dhe mësuese me kulturë. Gjyshi i saj para lufte, pati qenë tregtar i njohur me tre dyqane, njëri me orendi shtëpiake, tjetri me basme, i treti me këpucë për burra e gra. Mbi portat e hekurta të dyqaneve, lexohej: “Gaqo T. Dreni dhe djemtë.”

Vite më vonë, kur u hapën kufijtë, ata të dy, krahpërkrah, morën rrugën drejt Sofjes me autobusin turk ”Izmir-4”. Por, ndërsa po udhëtonin me trenin E-3, Sofje-Bukuresht, papritur vargu i gjatë i vagonave u ndal në stacionin e qytetit Ruse plot me turq, pranë urës mbi lumin Danub. Berti, pa e zgjatur, nxitoi për te dyqanet pranë platformës së hekurudhës. Teksa po mundohej më kot të merrej vesh rusisht me dy shitëse turke për vodkë polake, treni pa u ndjerë u nis dhe ia mori gruan.

“Më la! – mendoi i turbulluar – Si i bëhet tani? Ku ta gjej Elsën?”

Nga ky ankth, i doli gjumi. I gëzuar si fëmijë vuri re, se ndodhej në shtrat. Hodhi sytë përqark. Jashtë pesë dritareve, dielli i tetorit si në korrik, i zbardhte edhe më grilat e brishta plastike. Në tavan rrathët e ngjashëm me pjata porcelani, të kapura zinxhir, tregonin se ndodhej në vilën e drunjtë A-3, në Medford mbi Boston. Elsa flinte e nuk ndihej…

Tiranë – Milano – Boston

E vërteta është pak si ndryshe. Pas kthimit nga Bukureshti, Berti dhe Elsa u larguan nga atdheu në fillim të tetorit, kur mijëvjeçari i dytë po i qasej fundit. Nga Rinasi u ngjitën në qiell mbi Adriatik, me ajrorin e kompanisë Al Italia. Pas dy orësh, zbritën në aeroportin e Milanos. Nga lart shikonin vetëm çati, rrugë e pemë. Të ngujuar për orë të tëra brenda nëpër salla dhe korridore, qytetin e artit e soditën disa herë, në fotografitë me ngjyra të varura nëpër mure. Pra, u desh të prisnin gjatë, deri sa, më në fund, me ajrorin e madh Boing fluturuan mbi Atlantik. Në qiell shijuan ushqime të lehta e pije me ngjyra në pjata e gota plastike, të servirura nga stjuardesa përherë të qeshura, por jo aq të bukura, siç tregojnë reklamat. Hanin e pinin udhëtarët tanë, tok me të tjerët, si në restorantin e hotel Drinit. Lexuan revista në italisht, ndërsa filmin në televizor nuk po e kuptonin. Hera – herës, hidhnin sytë jashtë dritares, nga dukeshin nën re si në hartë, Italia, Franca, Spanja, Portogalia, detet si liqene dhe vargmale. Lëvizja e ajrorit tregohej edhe në tabelat elektronike të vendosura lart. Tej mbi oqean, ku thuhet se ndahet dita me natën, befas dritaret u mbyllën. Ata së bashku me udhëtarët e tjerë, pasi kishin hequr brezat e sigurisë, kthyhen vështrimin në ekranin e televizorit. Tani siguria shprehej tek besimi ndaj Zotit, dashuria për jetën, tek fluturimi i qetë i ajrorit Boing, tek mendja, sytë dhe duart e aviatorëve. Mbresa, që nuk shuhen, të linte zëri aq i ngrohtë i kapitenit në radio, i cili njoftonte se ajrori po i afrohej tokës amerikane. Ja, tek u shfaq Bostoni, midis drurëve dhe ujërave! Zbritja e avionit në pistë u bë e butë. Shpërthyen duartrokitjet përgëzuese të pasagjerëve të çliruar. Më tej u dukën portat, që hapeshin e mbylleshin vetë, korridoret me hapësira të plota, shkallët rrëshqitëse, sallat e gjera dhe doganierët.

Pas kontrollit dhe vulosjes së pasaportave, ata të dy u takuan përmallshëm me birin e tyre. Në rrugë hasën me sherifin e “steit polis”, dhe morën qortime për veturën e parkuar gabim. Djali i doli atij përpara dhe i foli me një anglishte të pastër:

– Më falni, sër! Jam nga Shqipëria, ndërsa këta janë prindët e mi. Kemi shumë vjet pa u parë. Jemi paksa të hutuar.

Oficeri i gjatë, elegant, me kapele republikane, pa të porsaardhurit, u mendua për një çast dhe i nderoi:

– Uellkom in Amerika!

Berti dhe Elsa, të lodhur e me çanta ndër duar, tundën kokën dhe buzëqeshën. Kur hipën në veturë, e mblodhën veten e u gëzuan.

Përshtypjet e para ishin rrugët e gjera e të pastra, automobilët e shumtë, ndërtesat e larta pranë oqeanit, kulla e xhamitë ngjyrë blu Xho Henkok dhe pak më larg Prudenshëlli madhështor, gjelbërimi, lumenjtë dhe urat… Vendi, ku do të banonin, me emrin Medford, në atë muzg me perëndim të purpurtë “uajlld uestern”, u kujtonte Mangalemin e Goricën e Beratit.

Qysh atëherë, kaloi një vit i mbushur me habi të këndshme, jo si ato të Kristofor Kolombit dhe në kohëra të tjera. Pra, Berti dhe Elsa nuk patën fatin t’i zbulonin të parët indigjenët e kulturës së lashtë inkase, me kalorësit trima mbi kuaj të shpejtë, me sokëllima, pupla, harqe, shigjeta e tenda me majë. Ata zbuluan një popull tjetër, me kombësi e raca nga më të ndryshmet, me kapele dhe bluxhinse ala-amerikane, ndër vetura, autobusë e trena të zhurmshëm, që nxitonin në autostrada, mbi ura, nëpër tunele, nën ujë e nën qiellgërvishtëset e reja. Vështronin shpesh hapësirat e kaltra dhe gjurmët e bardha, që linin pas ajrorët e mëdhenj të kompanive Panamerikan, Kanada Erë, Lufthansa, Al-Italia, Sviseri etj. Shikonin hera – herës në ëndërr Tiranën, sheshin me shatërvane dhe zgjoheshin…

B-K. Marti dhe Hejmarketi

Hejmarketi është qendra kryesore, më e lashta e Bostonit, ku, përbri

kishave e ndërtesave të larta, ngrihet kulla e orës së qytetit, e ngjashme pak me Sahatin e Tiranës. Ajo kullë shërben edhe si hotel për turistët. Në parkun e gjelbërt, shtatoret e bronzta të guvernatorëve të vjetër heshtin nën hije, mbi plaforma mermeri, a rrafsh me tokën, apo ulur në frona pushimi. Të shtunave këtu vërshojnë turistë të shumtë. I sheh tek ulen pranë tyre dhe fotografohen me ta. Pastaj, njëri pas tjetrit, ecin më tej drejt përmendores “Holokaust”, me shtatë kulla të larta të krijuara me tuba hekuri dhe të veshura me xhama të trashë, ku janë gdhendur kumte dëshmitarësh dhe numrat që mbanin viktimat në kampet Majdenek, Ausviç, Sabibor, Belzek, Kelmno, etj.

Në sheshin ngjitur dëgjohen kitarat spanjolle, fyejt e ëmbël bolivianë dhe bubullimat e tamburëve afrikanë. Në stadiumin e vogël në trajtë gjysmë rrethi, matanë rrugës kryesore, nga kombësi të ndryshme jepen shfaqje me këngë e valle. Në anën veriore ngjitet Hanovër Strit, një rrugë e pastër, që përshkon tejpërtej zonën North End, me lokale të shumta, ku të zë veshi të folura italisht, këngë napoletane dhe violina milaneze.

Në pazarin e zhurmshëm si gjithë pazaret, tregtarë bullafiqë, kryesisht me prejardhje latine, bërtasin sa u nxjerr fyti: “Dallar beg! bak e beg, dallar, dallar!”, ndryshe nga sjellja e urtë e shitësve në supermarketet marramendëse, si Stop end Shop, Uoll Grin, Failins, Bixhejs, Target, Best Baj, Homdipod, Big, Kej Marti, etj.

Një të shtunë, aty nga mesdita, Berti me kapele “Boston”, Elsa me çantë në sup, me autobusin 90, mbërritën në Esembli Skuer (Sheshin e Mbledhjeve”), në B-K. Marti. Ky dyqan i madh ndodhet mbi Boston, në zonën e Samervillit. Aty shiten mallra gjithëfarësh, ushqime e pije, veshmbathje e mobilje, pajisje sportive, mjete shkollore, si edhe aparate elektronikë.

Elsa pa u thelluar shumë, tha:

– Mbarojmë punë këtu, pastaj me autobusin 92, shkojmë për pazar në Hejmarket!

– Si të thuash ti, ashtu do të bëj edhe unë. Ti na solle këtu, ti do të urdhërosh! Boll urdhërova në Shqipëri…

Portat kryesore kanë të shkruar in, (hyrje), diçka e ngjashme me shqipen veriore “in mrèn”, dhe exit (dalje). Me këtë shenjë Bertit i pëlqente të sajonte në shqip: “Ik!” Ndërmjet dy portave, brenda qëndron në këmbë një burrë i moshuar, i shkurtër, i shëndoshë e faqesimite, me kapele “Patriot”. Herë pas here, ai u hedh një sy të shpejtë faturave. Kur porta exit lëshon tingullin ring-ring, blerësit kthehen të shqetësuar. Njeriu me kapele, duke buzëqeshur, e zgjidh çështjen aty për aty. Si duket, arkëtarja s’ka shuar sinjalin e mbrojtjes nga vjedhësit.

Bertit, kur e vizitoi së pari atë, iu kujtua një dyqan ushqimesh me vetëshërbim, që u hap në Tiranë, në rrugën e Kavajës. Me shportë në dorë atje, merrje lirshëm nga raftet mallrat ushqimore. Pasi mbaroje punë, duhej t’i afroheshe arkëtares nëpër një kalim të ngushtë. Porta nuk kishte as ring-ring, as pi – pi – pi. Por, pa kaluar shumë kohë, dyqani i vetëshërbimit i Tiranës u mbyll. Ç’kishte ndodhur? U përfol se ai pati dalë me humbje për shkak të mungesës së sinjalit lajmërues.

Kur hyn në B-K.Marti, duhet të vësh syze dielli për shkak të neonëve me shkëlqim të fortë. Të verbon pastërtia e bardhësia e dyshemesë, e rruginave me rafte e varëse të ngarkura me mallra. Palé, dëgjon edhe muzikë klasike të qetë apo moderne. Mallrat e zgjedhura i vendos në karrocë dore metalike, ku mund të hipësh fëmijët, po edhe të mbështetesh vetë. Ka edhe mjete me motor elektrik, me të cilët bredh rreth e rrotull tok me sendet e blera. Vetëm kur do të paguash, çmallesh me radhët tona, përjashto ata që paguajnë me kartë bankare në makinat elektronike, që flasin si njerëz, madje në fund të thonë: “Thenk ju for shoping!” Edhe këtu nuk mungon parulla me dy krahë a reklama “Baj uan, get uan fri!”, (Bli një me pare, tjetrën e ke të lirë!), e ngjashme me reklamën e vjetër në pazaret e Elbasanit, të Tiranës e të Shkodrës: “Sot me pare, nesër pa pare!”

Sapo hyri, Elsa u nda e humbi në pyllin e dendur me fustane, bluza, këmisha, funde, bizhame, çorape, etj. Berti ia mbajti për në repartin e elektronikës.

“Oh, çfarë nuk paska këtu! – fliste me vete. – Radio, manjetofonë, televizorë, kamera, kompjuter, printera, aparate fotografikë, Sharp, Filips, Soni, Leksmark, Kodak, etj. Njëri më i mirë se tjetri!”

Iu kujtua dita kur për herë të parë bleu me autorizim televizorin bardhë e zi, Samsung, montuar në Durrës me pjesë të importuara nga Koreja. Iu deshën atëherë të merrte borxh 4200 lekë të reja, gjë që do të thoshte të dimëronte si ariu në strofkull, plot gjashtë muaj. Televizori kishte vetëm katër kanale, nga të cilët punonte vetëm një, ai i Tiranës. Kurse këtu një televizor me ngjyra Filips apo Soni blihej me punën e një a dy ditëve të zakonshme. Kurse programeve nuk u gjendej as maja, as fundi!

Shoferja e autobuzit 92

Berti i hutuar pas mallrave dhe kujtimeve, nuk vuri re se koha po rrëshqiste. Deshi t’u hidhte një sy mobiljeve, por ndërroi mendje. Duhej të shkonin në Hejmarket. Ndaj i ra tërthorë dyqanit të madh dhe vuri re i habitur se qe ngatërruar nëpër veshjet e brendshme të grave, prandaj u tërhoq djathtas dhe doli tek ishte nisur, përballë televizorëve viganë me ngjyra, ku përplaseshin si bizontë, lojtarët e fuqishëm me kaska të futbollit amerikan. Iu bë sikur ishte ulur te shkallët me stola të butë, në stadiumin shumëngjyrësh në Park-uej.

– Ju lutem, ku është dalja? – pyeti një vajzë flokëverdhë me uniformë të kuqe.

– Shkoni drejt dhe merrni djathtas! – iu përgjigj ajo.

– Thenk ju!

Berti eci shpejt e shpejt në atë drejtim, duke parë për bri rreshtat e rrobave të grave. Siç dukej, Elsa kishte humbur në atë pyll me veshje si Liza në botën e çudirave. Ndërkohë, ai u gjend para portës exit. Elsën nuk e shihte gjëkundi. Hodhi sytë në rruginat e drejta, por më kot! Brodhi brenda e përqark portave, thuajse një orë, për ta gjetur e përsëri nuk ia zunë sytë. I nevrikosur, doli në rrugë. Eci poshtë e lart nëpër trotuar dhe, së fundi, hyri në kabinën e pritjes pranë tabelës “stop”, ku në minuta të përpikta kohe ndaleshin autobusët 90 e 92. Atje ishin ulur katër plaka amerikane me flokë të verdhë bukle-bukle e me veshje vajzash. Në qafë mbanin rruaza bardhë e blu, ndërsa në gishtat e duarve – unaza floriri me diamante. Flisnin pa pushim, duke ndërprerë njëra – tjetrën. Berti kapte tek – tuk ndonjë fjalë të tyre nga ajo bisedë e shpejtë. Por, ja, tek u shfaq në kthesë një autobus! Para “stopit”, pa e fikur motorin, ndaloi. U hap porta e parë.

– Bas najni tu! (Autobuzi 92!) – thirri shoferja.

Berti kishte vënë re, se në Amerikë autobusët drejtoheshin nga burra e nga gra të moshave të ndryshme. Ashtu siç janë në botë gjithë njerëzit, edhe ndër shoferët me uniforma blu, disa qenë të qeshur, disa hijerëndë e pa fjalë, disa të hollë, disa të trashë, të gjatë e të shkurtër, të rruar, por edhe me mjekër e mustaqe, madje edhe pleq, por të shkathët. Thuhej se ditëve të shtuna e të diela, punonin si shoferë edhe studentë, a nëpunës e punëtorë të pajisur me patenta, që i kishin fituar në shkolla automjetesh të rënda.

Njëherë në Nju Jork, pasi kishte ecur në këmbë nëpër rrugën e drejtë numër 10, te një “stop” Berti hipi në autobusin e linjës Bronz-Manhaten. Zuri vend në ndenjësen pranë shoferit, vrau mendjen, lidhi disa fjalë anglisht e i tha:

– Unë kërkoj treni Boston.

– Nga jeni ju?

– Albania.

– Vërtet? Jua gjej unë stacionin.

– Po ju lindur këtu? – e pyeti Berti shoferin.

– Jes! Në Nju Jork. Banoj në Broduej. Dikur kam qenë kampion në boks.

– Boks! A, a, veri gud sport!

– Jes! – qeshi ish kampioni.

– Edhe unë boksier! – ia kthehu Berti.

– Ou! Gud men!

Shoferi nisi t’i tregonte vendet që përshkonte autobusi.

Berti dëgjonte, por shumë fjalë s’i merrte vesh. Hera – herës tundte kokën kot së koti.

– Të pëlqen Amerika?

– Jes! Veri najs! (Po, është shumë e bukur.)

Autobusi 92 shkon drejt Hejmarketit

 

Ndërkaq, plakat hipën ngadalë në autobusin 92 dhe zunë vend në krahun pranë shoferes. Berti i hodhi një sy nga larg supermarketit dhe hipi. Iu afrua shoferes. Ishte e re, flokëverdhë, e qeshur dhe e hijëshme.

– Iskjuz mi! – nisi t’i fliste me një anglishte të çalë. – Unë humbi grua. Mund zbriti dhe shofi prapë dera dyqani?

Shoferja qeshi. Në kor qeshën edhe plakat.

– Okej!

Berti kërceu poshtë dhe u fut te in-i, pa nga larg sallat pa mbarim, dhe doli shpejt nëpër exit.

“Nuk është gjë! – tha me vete. – S’ka Elsë këtu!”

U kthye me nxitim. Hipi përsëri në autobus, hodhi 15 centë te arka dhe u ul përballë plakave. Për të larguar mërzinë, vendosi të vazhdonte shakanë e nisur.

– Grua nuk gjetur! Humbi grua ime!

Katër femrat e plakura me bukle kukurisën, teksa atobusi bëri përpara. Rrugës, grupi katërsh i grave të moshuara nisi një bashkëfjalim gazmor me shoferen. Asnjëra nuk e pyeti Bertin nga ishte, ç’punë bënte e ku banonte. Fjalët e tyre, siç kuptohej, qenë aq të këndshme sa për pak shoferja desh e kaloi një udhëkryq, kur në semafor ishte ndezur drita e kuqe. Frenimi qe i fortë. Udhëtaret, ndonëse u epën përpara, arritën të mbaheshin për bukuri.

Fjalët u prenë. Dëgjohej vetëm motori i fuqishëm, kur makina e gjatë çante drejt qendrës së qytetit…

Berti u hodh e tha:

– Unë humbi grua ime, po unë tjetër gjej!…

Kaq u desh. Biseda u ringjall më e fuqishme me hahaha e hihihi!

Në një “stop” hipën dy gra të kolme, rreth të dyzetave me tipare sllavesh, pa shumë ondulacione. Paguan dhe u ulën përbri Bertit, të vetmit burrë në autobus, me kapele blu “Boston.” Nga pamja ai i mori për ruse.

– Vi ruskie? – i pyeti.

– Da! S’ Maskvi.

Në atë kohë ndërhynë plakat me të qeshur dhe u treguan ruseve se zotnisë i kishte humbur gruaja në supermarket.

Ruset ua kthyen me një anglishte të bukur. Dhe, sakaq, të shtata gratë ia plasën gazit. Një nga moskovitet iu drejtua Bertit në anglisht:

– No problem, çenxh dhe uajf! (S’ka rëndësi, zëvendësoje gruan!)

– Jes! Oçen harasho! – iu përgjigj Berti në dy gjuhë, duke e vështruar rusen drejt në sy, midis të qeshurave si në pijetore.

Më tej, në çdo “stop” zbriste nga një plakë duke qeshur. Në ndalesën e parafundit u larguan edhe ruset. Asnjëra nuk e përshëndeti Bertin, veç shoferen.

Autobusi 92, i mbushur me udhëtarë të tjerë, ndiqte udhën e zakonshme. Shoferja shtrëngonte timonin dhe shihte me kujdes sinjalet. Pra, shakaja kishte marrë fund. Po shqiptari me kapele amerikane “Boston”, dukej se diçka bluante me mend.

Ja, edhe rruga e gjerë! Vetura tutje – tëhu! Kulla e orës së qytetit! Ndërtesat e larta dhe pazari i madh!

Pranë tabelës “stop” autobusi i shpejtë ndaloi.

– Hejmarket! – lajmëroi shoferja.

Berti u ngrit dhe eci drejt daljes, duke u mbajtur nëpër tubat e emaluar. Para se të vinte këmbët në shkallët e autobusit, i foli shoferes flokëverdhë afër veshit, me anglishten e vet:

– Unë ndërroi grua…gjeji tjetër…si ju!…

Shoferja qeshi dhe u duk se u përmend befas.

– Oh, maj gad!…- thirri.

Berti kërceu në trotuar dhe ngriti dorën. Shoferja e çiltër ia tundi kokën si me qortim. Autobusi u nis me zhurmë.

Takimi me shoferen

Berti brodhi rreth e qark nëpër pazar, mbushi qeset plot me fruta e zarzavate dhe u kthye në shtëpi. Elsën e gjeti në kuzhinë, tek mundohej më kot të hiqte nga një shishe qelqi tapën e sertë. Filloi sakaq në mes tyre një fjalëkëmbim paksa i zhurmshëm:

– Ç’u bëre, ku humbe, ku e ke mendjen?! Plasa duke të kërkuar!

– Po ti? Mbete rrugëve! U harrove pas fustaneve të grave!

Berti mbahej si burrë dhe bënte sikur nuk dëgjonte se çfarë sajonte e shoqja. Kur gjakrat u ftohën pak, e pyeti:

– Na paske blerë edhe ujë mineral, hë!? Nuk të mjaftojnë bidonat që ke në frigorifer!?

– Hapi sytë, shikoje mirë!

– Ou! Qenka vodkë polake!

– E mora për ty!

– Polakët vdesin për atë të shkretë pije….

– Edhe ti! Mbete duke belbëzuar natën në gjumë: “Votka polake, votka polake!”

– Eh, mirë! Mos u merr me ëndrra, po ma lër mua ta nxjerr atë tapën! Nuk është punë për gra ajo! Largohu, shko laj pjatat!

Pas tri javësh, Berti dhe Elsa do të shkonin prapë në Hejmarket. Rastisën shoferen bionde simpatike me autobusin 92. Ndërsa kalonin përbri saj, Berti iu afrua dhe i tha:

– Mem! Aj faund maj uajf! (Zonjush! E gjeta gruan!)

Ajo hodhi sytë drejt tyre, u kujtua dhe ia ktheu buzagaz:

– Sikur në gjithë Bostonin të kërkoni, nuk mund të gjeni tjetër si ledin tuaj!

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh Deshnica, GRUAN NË AMERIKË, NJERIU QË HUMBI

Hapet ne Vuthaj Muzeu Etnografik Vuthaj, Guci

April 26, 2016 by dgreca

Në Vuthaj hapet Muzeu Etnografik në të cilin përfshihen eksponate  të vjetra tradicionale karakteristike e fshatit Vuthaj dhe e trevës tonë Plavë Gucisë.

Dëshira e madhe për të ruajtur  nga zhdukja e vlerave të mirëfillta autoktone bëri të veten  që bashkëvendësin ynë  Ramok Çelaj të  hap Muzeu Etnografik për her të par në Vuthaj në një nga anekset e kullës qindravjeçare të kësaj familje.

Është kjo  një hapësirë  i posaçëm ku do të ruhen dhe ekspozohen për vizitoret ky thesar i çmuar dhe me vlerë i vendlindjes tonë .

Dashuria e madhe e Ramok Çelajt bëri të veten që kjo pasuri  kombëtare, tani e tutje mos të mbes në mëshirën e fatit por të jetë e ruajtur dhe e mirëmbajtur nga një adhurues i flaket i etnografisë  siç është fisniku vuthjan Ramok Çela.

Ramok e përgëzojmë për këtë nisme, ndërkaq ju të dashur vizitor dhe adhurues të etnografisë ju sugjerojmë qe sa her qe jeni ne Vuthaj, jeni te mirëseardhur në Muzeu Etnografik.

Filed Under: Featured Tagged With: Guci, Muzeu Arkeologjik, ne Vuthaj

Besimtarët katolikë në Nju Jork, kremtuan festën e Zojës së Shkodrës

April 26, 2016 by dgreca

*Besimtarët katolikë, Nju Jork, kremtuan festën e Zojës së Këshillit të Mirë, festën e Zojës së Shkodrës, pajtore e të gjithë Shqipërisë/
 *Radio Vatikani : Festa e Zojës së Shkodrës – Zojës së Këshillit të Mirë – Zoja e Shkodrës /
NGA BEQIR SINA/
 BRONX – NEW YORK : Sipas kalendarit katolik, me daten 26 prill e gjithe kisha katolike, shqiptare, kremton festen e Zojes se Keshillit te Mire, ose, siç e ata ne, festen e Zojes se Shkodres, pajtore e te gjithe Shqiperise. Me emrin e së cilës është e pagëzuar edhe Kisha Katolike e Shqiptarëve në kodrat e New Yorkut, në qytetin Hartsdale – disa mile larg qyteti të New Yorkut.
 Simbas traditës kremtimi i kësaj feste ka nisur me Meshën e pasuar me bekimindhe lutjet fetare  dje gjate mesdrekes se dites se diele dhe me pase ne mbremje, besimtarët e shumtë në numër janë mbledhur për të festuar së bashku me familjet e tyre, në një lokal, jo shumë larg Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, restorantin “Maestro’s”, ku edhe u shtrua një Drake Solemne, shkruajnë disa besmitarë në medien sociale të rrjetit shoqëror Facebook, ku disa prej tyre kan postuar edhe fotografitë nga kjo festë e bukur e këtij komuniteti .
  Simbas fotografive, ne kete Darke festive, kan marre pjese me shume se 300 vete, besimtare katolike, si dhe figura te shquara te komunitetit, autoritetet e larta te qytetit te Nju Jorkut, veprimtare e aktiviste te komunitetit.
Ne fillim te pranishmit, shoqeruan ne kor hymnin kombetar te ShBA – se, dhe te Shqiperise. Me pase me nje minute heshtje u nderuan te gjithe te renet.
    Kengetari të komunitetit, Remi dhe  Hajro Ceka, si dhe grupi i djemve dhe i vajzave te shoqerise kulturore “Rozafati” nga Kisha Katolike “Zoja e Shkodres”, Nju Jork, me udheheqese artistike koreografen Anxhelina Nika, me vallet dhe muziken e embel dhe te bukur shqiptare, kostumet e shumellojshme popullore, krijuan nje atmosfere mjaft te kendeshme dhe te bukur ne kete Darke.
       Bekimi i Darkes ose lutja fetare, sipas zakoneve te kishes, eshte dhene nga Dom Viktor Dedaj. Me pase eshte kenduar nje pjese muzikore “Zoja e Shkodres” kenduar nga dueti i korit te Kishes Katolike “Zoja e Shkodres” ne Harstdale – Nju Jork, Fran Shala.
 Folesit e rastit thane se :”Kisha Katolike Shqiptare ne Nju Jork, “Zoja e Shkodres” vjen ne kete feste e dalluar, per rolin e madh qe u ruajt ne mbrojtjen e vlerave fetare e kombetare ketu ne emigrim. Ku, krahas klerikeve, kjo kishe ka edhe nje  nje keshill te shkelqyeshem, nje grup intelektualesh, ambicioz dhe te gateshem per te punuar ne çdo kohe pa u lodhur, dhe ne harmoni me njeri tjetrin.”
Kjo vihet re, thanë oratorët edhe per krijimin e nje atmosfere kaq madheshtore, me intelekt dhe perkushtim si dhe me dashuri dhe respekt per çdo njerin prejbesmitarëve, tek ai qe ka bere gjithçka per  kete Kishë, kaq madhështore, dhe natyrishtë thonë ata krediti i shkon Famullitarit të kësaj Kishe, Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork, “Zoja e Shkodres”, me Famullitar Dom Pjeter Popaj.
  Dom Pjeter Popaj duke folur per rendesine e kesaj dite, në një nga festimet e kaluara u ka thënë besimtareve të tij se;  “Zoja e Keshillit te Mire – Zoja e Shkodres, nuk i harroi kurre banoret e ketij vendi te martirizuar, shqiptaret as ne kohen e kalvarit te popullit shqiptar gjate diktatures komuniste, diktatures me te eger ne Europen Juglindore, as ne kohet e kalvareve te tjera, perjetuar gjate shekujsh. Nena e Keshillit te Mire gjithmone, ka thënë ai, ka qene ngushellim e mburoje e popullit tone te dashur shqiptar, e edhe sot na tregon shtegun e jetes se vertete. Sot festa e Zojes se Shkodres, kremtohet me madheshti edhe ne qytetin me verior te Shqiperise, ne Shkoder, me gezim dhe me entuziazem te madh e me shtegtimin tradicional ne shenjteroren e kalase Rozafa,”
     
 Radio Vatikani : Festa e Zojës së Shkodrës – Zojës së Këshillit të Mirë – Zoja e Shkodrës
Në Qytetin e Veriut të Shqipërisë, Shkodër, që prej kohëve të lashta nderohej me përkushtim të veçantë, një figure e mrekullueshme e Zojës. Është ajo figure që sot ndodhet në Gjenacan të Italisë. Historia e saj, është vetë historia e katolicizmit ndër shqiptarë, katoliçizëm i cili, me vdekjen e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, më 1468, nisi udhën e vet të kryqit. Në sa një pjesë e madhe e banorëve, gjatë pesë shekujve të robërisë, do të shtrëngohej të ndërronte fe e një pjesë tjetër do të merrte rrugët e mërgimit, vetëm një pakicë do të mbetej besnike, duke vuajtur porsi gjarpri nën gur për shekuj e shekuj.
E pikërisht në këtë kohë, rreth vitit 1467, kur një ushtri e re e madhe e sulltanit u dynd mbi Shkodër, sipas gojëdhënës, figurja e Zojës u shkëput nga muri i Shenjtërores rrëzë Kështjellës së Rozafës, për të mos u dhunuar nga hordhitë anadollake. E mbartur nga engjëjt, mbështjellë prej një reje – vijon gojëdhëna- u ndalua në Gjenacan, afër Romës. Gojëdhëna tregon edhe se Figurën e mrekullueshme e përcollën dy shkodranë, rojtarë të shenjtërores, e ndërsa ecnin me sytë lart, pa u kujtuar as ata vetë, e kaluan në këmbë detin Adriatik. Si arritën në Romë, figurja u zhduk nga sytë tyre.
Por nuk vonoi e në të gjithë Italinë u hap zëri se një figure e mrekullueshme kishte zënë vend në muret e Shenjtërores së Gjenacanit, ku me ndërmjetësinë e saj po kryheshin mrekulli të panumërta. Ishte data 25 prill 1467. Që asokohe nisën shtegtimet e besimtarëve drejt Gjenacanit, e Zoja jonë e Këshillit të Mirë, Pajtorja e shqiptarëve, nisi të nderohej edhe në Itali, Gjermani, Austri e më vonë edhe në kontinente të tjera, me të njëjtën figure, që vijon të nderohet në Gjenacan.
Kjo figure, pra, nderohej në kishëzën dy herë të rrënuar të Zojës rrëzë Kështjellës Rozafa, një nga më të vjetrat në Shqipëri. Në këmbë apo gërmadhë, Kisha mbeti gjithnjë cak shtegtimi. Nuk ka besimtar që duke kaluar andej, edhe pas vitit 1967, kur kisha u rrënua për herë të dytë nga diktatura enveriane, të mos jetë lutur në heshtje për ditë më të mira me një lutje tradicionale, që i qëndroi kohës, më shumë se muret:
“O Zoja e Bekueme, Nana e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna e Zotit Atë, Nana e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes Trini: ndërmjetëso për ne në qiell!”.
E kur Kisha u rindërtua, Lutja u pasurua me fjalët:
“Ndër duert tua të fuqishme, o Nanë e Mëshirës, po e lëshojmë të dashtunin kombin tonë, megjithsè jemi mëkatnorë të mjerë e të padenjë. Po të falënderojmë se na je gjetë e na ke ndihmue me kujdesin e një Nane të vërtetë në dimnin e gjatë e të vështirë të persekutimit, i cili na shkaktoi viktima të panjehuna, martirë që tash ndërmjetësojnë për ne në qiell. Po të falënderojmë që na e nxore nga Zoti hirin e rikthimit të pranverës së lirisë fetare e qytetare, e cila i hapë rrugën ndërtimit të një shoqnie ma të drejtë e ma vëllaznore( fotografia nga Leonardo Berishaj)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, Besimtarët katolikë në Nju Jork, e Zojës së Shkodrës, kremtuan festën

Nderroi Jete ne Nju Xhersi Benjamin Cakrrani

April 24, 2016 by dgreca

   Njoftim/

Ne date 19 prill 2016 nderroi jete ne moshen 76 vjecare ne spitalin e Hackensack,New Jersey Benjamin Kujtim Bektash Bej Cakrrani. Trupi i tij do te shoqerohet  nga familjaret per ne varrezat e qytetit te Fierit, Shqiperi.

-Dy fjale te merituara ne ceremonine funerale:

Te nderuar pjesmarres,

I autorizuar nga familja Cakrrani si edhe nga nje detyre e brendeshme si bashke-vuajtesi i te ndjerit Benjamin Cakrrani po japim dy fjale te merituara per shokun tone edhe birin e familjes Cakrrani. Familje keto qe u martirizuan dhe u torturuan nga sllavo komunizmi shqipetar, per te vetmen arsye sepse kane thirrur “Rrofte Shqiperia”.

Familja Cakrrani ne periudhat decizive ka mbajtur mbi shpatulla historine e vendit te vet dhe si e tille nga diktatura komuniste pesoi ate fat si ato homologe te familjes se saj.

Komunizmi per te mos leshuar pe, ne lirine e drejtesine e familjes Cakrrani, Benjaminin, djalin e kesaj familje, arrestoi edhe denoi me dy dekada e gjysme kohe heqje lirie. Ky kalvar i pambarimte na bashkoi me Benjaminin ne burgun famkeq te Spacit. Benjamini me shpirtin e tij paqesor per shoket prodhonte miresi, miqesi , edhe dashuri te sinqerte. Personi i tij nuk kishte as edhe nje kundershtar. Ai sa mundeshe u jepte shokeve (vecmas te rinjeve) edukim edhe kulture, qe ata mos te humbisnin ate qe nuk e gjenin dot kurre. Pra nderin edhe karakterin njerezor. Benin e karakterizonte kurajoja per te kaluar veshtiresite.

Kapitullimi i komunizmit Benit i dha lirine. Ai u kthye ne familje pas shtatembedhjet vjet e gjysme kohe te humbur. Tanime ne kushte te veshtira ekonomike-shoqerore Beni ndertoi familje duke vene kurore me Emine Mamo. Nga kjo kurore linden dy vajza Juxhesta edhe Era, bija keto te mrekullueshme qe u bene stolia shpirterore e ciftit martesor.

Familja e Benjaminit u shtua, u be me kater pjestare. Kjo nje familje normale qe ne perpjekje per te gjetur nje jete me te mire,autostrada e jetes i coi ketu ne token e premtuar ne SHBA. Benjamini iu kushtua rritjes edhe shkollimit te vajzave edhe ju gezohej rezultateve te shkelqyera te tyre ne shkolle.

Benjamini nderroi jete ne nje kohe kur vajzat e tij e quajne te parakoheshme mbasi kerkonin qe babes te tyre te mrekullueshem ti jepnin me shume gezime deri sa ai te perfitonte privilegjin e te qenurit gjysh.

Zotit i qofshim fale:

Ai i ka rezervuar sukseset e vjazave qe ne jeten e tyre ti japin gezime te shumfishta nenes se tyre Eminese.

Benjamin! Ne emrin tim dhe te familjes time jam ketu te te them lamtumiren e fundit.

-Beni! Do te te duam kur ti te percillesh per ne banesen e fundit te mos derdhen lote grarie sepse vdekja jote eshte e lumtur tani ne fundit e asaj jetes tende te mireperdorur.

-Ashtu edhe ti o shpirt bujar derdhe energjine e jetes tende per te kerkuar liri edhe drejtesi.

-Beni! Sipas amanetit tend bashkeshortja tende e nderuar dhe vajzat e tua engjellore do te te shpien te flesh shume i qete ne token Shqipetare, qe ti e deshe gjithe jeten me teper sesa shpirti.

… – Shpirti jot u prefte ne paqe ! Lamtumire !

 

Muharrem Xhydollari

Filed Under: Komunitet Tagged With: Benjamin Cakrrani, Nderroi Jete ne Nju Xhersi

Kosovë-Serbë me dyshtetësi votojnë edhe sot

April 24, 2016 by dgreca

-Misioni i OSBE-së në Kosovë, operacion për grumbullimin e votave të zgjedhjeve parlamentare të Serbisë/PRISHTINË, 24 Prill 2016-B.Jashari/ Në Kosovë sot serbë me dyshtetësi votojnë për Parlamentin e Serbisë, derisa në Serbi po zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhjet e rregullta lokale e në Krahinën e Vojvodinës edhe zgjedhjet për Kuvendin Krahinor.Në Kosovë, sipas medias serbe, për sot janë të regjistruar  106. 094 votues, të cilët “të drejtën e tyre për të votuar mund ta realizojnë në 90 vendvotime”.Ndërsa, në zgjedhjet e fundit parlamentare në Republikën e Kosovës të 8 qershorit 2014, lista përfundimtare e votuesve përmbante 1.782.454 emra, për të cilët në gjithë territorin ishin të hapura  798 qendra votimi me gjithsej 2.374 vendvotime.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka njoftuar ndërmarrjen sot të një operacioni të grumbullimit të votave për t’iu mundësuar personave me të drejtë vote në Kosovë qasje në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.Paralajmërohej se, në këtë ditë, Misioni i OSBE-së do të hapë pesë qendra me degë përkatëse nëpër Kosovë, dhe stafi i OSBE-së do të jetë prezentë në secilën prej tyre. OSBE ka deklaruar se ka bërë aranzhime për shpërndarje të duhur gjeografike të këtyre qendrave dhe degëve, gjë që siguron mbulim të duhur të zonave ku gjenden personat me të drejtë vote.    

Ky angazhim i OSBE-së bazohet në modelet e operacioneve të mëhershme, në veçanti atë të vitit 2014. OSBE do të jetë bartës i operacionit në Kosovë, duke përfshirë edhe ruajtjen e materialit të ndjeshëm që do të përdoret në këtë proces. Materiali si fletëvotimet dhe listat e votuesve i janë dorëzuar OSBE-së nga Komisioni Zgjedhor Republikan i Serbisë. Mënyra e hedhjes së votës për personat me të drejtë vote do të jetë e njëjtë si në 2014. 

Për personat me të drejtë vote, prania e Misionit të OSBE-së në terren ka vënë në dispozicion informacion rreth vendeve që do të shfrytëzohen për këtë operacion.

Pas përfundimit të procesit, OSBE do t’i bartë votat e grumbulluara në Rashkë dhe Vranjë (qytete në Serbi) dhe do t’ia dorëzojë ato Komisionit Zgjedhor Republikan të Serbisë për numërim e procedura të mëtutjeshme.

Gjatë zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, të vitit 2014, Misioni i OSBE-së në Kosovë, për nevojat e operacionit të mbledhjes së votave pat hapur 10 qendra në mjediset me shumicë serbe, në mënyrë që t’u mundësonte votimin serbëve të Kosovës me nënshtetësi të dyfishtë.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, i cili nuk ka ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit, në Kosovë pa veriun  u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë, ndërsa  1.47 %  e banorëve ishin serbë, 1.58% boshnjakë,  1.08 % turqë, etj. Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.

***

LB edhe një herë, kundërshton zgjedhjet serbe në Kosovë

Lëvizja për Bashkim, parti e koalicionit qeverisës që udhëheqë Ministrinë e Diasporës, me ministrin Valon Murati, kundërshton zgjedhjet serbe në Kosovë. Komunikata e plotë:

Të dielën, më 24 prill, janë caktuar të mbahen zgjedhjet parlamentare të shtetit fqinj, Republikën e Serbisë.

Sikurse edhe viteve të mëparshme, edhe këtë vit, Serbia e ka bërëtë qartë që do t’i organizojë zgjedhjet e veta parlametare edhe në Kosovë. Dhe jo vetëm kaq, por e ka bërë të qartë, sikurse edhe viteve të kaluara, se zgjedhjet në Kosovë i konsideron dhe i trajton si zgjedhje në territorin e vet. Për më tepër, gjatë takimeve me qytetarët serbë në Kosovë, zyrtarët serbë nuk kanë lënë rast pa i theksuar haptas objektivat e tyre politike që ta minojnë dhe mohojnë shtetësinë e Kosovës, duke i shfrytëzuar këto mesazhe fashiste për t’i mobilizuar serbët e Kosovës për të votuar në këto zgjedhje.

Përderisa e drejta e votimit njihet për qytetarët që ruajnëdyshtetësinë, pra në këtë rast edhe për serbët e Kosovës që nëse kanë dy-shtetësi mund të votojnë edhe në zgjedhjet e Serbisë. Por,në rastin e Kosovës këto zgjedhje nuk përfillin asnjë normë të njohur ndërkombëtare në këto raste dhe LB konsideron se kjo shpërfillje nga Serbia e ka bazën në raportet e pazgjidhura në mes të dy shteteve, që pas mbarimit të luftës.

Prandaj, Lëvizja për Bashkim, edhe një herë i bën thirrje qeverisësë Kosovës dhe gjithë faktorit politik shqiptar, që në vend të qasjes parciale dhe joserioze në bisedimet me Serbinë, të ndërtohet një qasje gjithëpërfshirëse, përmes ndërtimit të një platforme kombëtare, nga të gjitha forcat politike shqiptare, e cila do të vendoste nëbinarë afatgjatë mënyrën e udhëheqjes së bisedimeve me Serbinë, binarë nëpër të cilët do të ecnin forcat politike shqiptare, pa marrëparasysh se cila do të ishte në pushtet e cila në opozitë dhe do të evitonte situata të pakëndshme si këto, në të ardhmen.

Deri atëherë, pasojat e raporteve jonormale me Serbinë do t’i vuajmë të gjithë pa përjashtim, përfshirë këtu edhe në ciklet zgjedhore lokale apo qendrore serbe. Pa marrë parasysh këtë, institucionet shtetërore të Kosovës duhet të mos lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe duke qenë kështu në nivel të përgjegjësisë shtetërore dhe kombëtare, dhe duke mbrojtur kështu si interesat shtetërore, ashtu edhe ato kombëtare të popullit shqiptar.

Lëvizja për Bashkim,
Prishtinë, 23 prill 2016

 

Filed Under: Komente Tagged With: Kosovë-Serbë me dyshtetësi, votojnë edhe sot

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2871
  • 2872
  • 2873
  • 2874
  • 2875
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT