• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Uashington: shqiptaro-amerkanët protestuan për ligjin e pronave

April 18, 2016 by dgreca

Nga Ilir IKONOMI/ Zeri i Amerikes/

Një grup shqiptarësh që banojnë në SHBA i bënë thirrje qeverisë dhe parlamentit të Shqipërisë të heqin dorë nga miratimi i ligjeve që, sipas tyre bien ndesh me të drejtën e qytetarëve për pronën. Ata u mblodhën dje në shenjë proteste përpara ambasadës së Shqipërisë në Uashington.

Janë vetëm 8 vetë pjesëmarrës në këtë protestë që zhvillohet me lejen e policisë përballë ambasadës shqiptare në Uashington. Protestuesit kanë ardhur nga Nju Jorku, Bostoni dhe rrethinat e kryeqytetit.

Agim Toro ka ardhur nga Bostoni.

“Vërtet ne jemi një numër i vogël këtu sot. Por janë mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë që jetojnë në SHBA dhe që kanë këtë problem.”

Një ligj i ri i miratuar në parlament vitin e kaluar pret shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese. Ligji i ri, përmban një formulë që ul ndjeshëm barrën e shtetit për të kryer kompensime.

Ndonëse problemi i pronave shihet si tejet i ndërlikuar, pasi e vë shtetin përballë një fature të madhe financiare, veprimtarë si Agim Toro nga Bostoni, që presin prej vitesh të marrin pronat, thonë se zgjidhja nuk është aq e vështirë:

“Njerëzit e korruptuar të goditen, t’u merren pronat që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme dhe t’u kthehen pronarëve. Vetëm kjo do ta ulte nivelin e kompensimit, sepse kështu do të pranoheshin për kompensim vetëm ato prona që i shërbejnë interesit publik.”

Lindita Çoku, kirurge nga Nju Jorku mban një pankartë ku shkruhet: Të respektohen të drejtat civile në Shqipëri; kundër standardeve të dyfishta:

“Problemi i standardeve të dyfishta është problem korrupsioni në Shqipëri, sepse dihet shumë mirë që ndërtesat e ndërtuara pa leje janë shembur në disa raste për arsye politike, sepse ndërtuesi ka qenë oponent politik i qeverisë. Nga ana tjetër, ndërtesat e ndërtuara pa leje në tokat e pronarëve, nuk mund të shëmben.”

Zonja Çoku përmend rastin e pronave të saj, që ajo thotë se i janë zaptuar:

“Ne kemi një rast të tillë, ku një sipërfaqe toke në qendër të Tiranës është zënë nga një grup familjar, të cilët kanë ndërtuar shtëpi. Është e pamundur që ne t’i nxjerrim këta pushtues, si mund ta them, megjithëse kemi dokumentin e saktë të pronës. Na kanë thënë: ne jemi të armatosur dhe nuk keni ç’të na bëni.”

 

Luljeta Karapici ka ardhur nga Nju Jorku.

“Ne si familje nuk biem dakord me çmimet të cilat janë vënë si kompensim të pronave tona. Tani të dëmshpërblehemi me një formë të tillë është qesharake dhe e papranueshme. Qeveria të mendohet edhe një herë, ta shikojë këtë ligj.”

“Nuk ka rëndësi se kush vjen në pushtet dhe gjithsecili mendon për veten e vet dhe jo për pronarët, të cilët janë pjesa e lënë pas dore nga të gjitha qeveritë që kanë qenë deri tani në pushtet. Unë jam një qytetar amerikan dhe mendoj që në Amerikë është krejt e kundërta: pronari është ai që ka të gjitha të drejtat legjitime.”“E kuptoj që është problem i vështirë, por le të veprojë edhe Shqipëria siç vepron gjithë Europa, ku çdo pushtet bazohet tek prona”, thotë Artan Guzja nga Virxhinia.

“Është e pamundur që të mos respektohet prona. Dështimi me pronën do të thotë dështim për të gjithë sistemin. Praktika e këtyre 25 vjetëve e ka treguar këtë, në Shqipëri nuk ka investime, ka korrupsion të pamasë dhe një tranzicion të tejzgjatur dhe të dhimbshëm qytetarët shqiptarë vazhdojnë të ikin dhe nuk ka punësim”, thotë Agim Toro i Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Boston.

Ervini ka ardhur nga Nju Jorku.

“Baza e çdo vendi të përparuar kapitalist është prona. Ajo është alfa e gjithçkaje. Po nuk u zbatua ligji i pronës dhe po nuk u ruajt prona, asnjë vend nuk mund të ketë dot zhvillim ekonomik.”

Dy nga protestuesit shkojnë në hyrjen e ambasadës për të dorëzuar peticionin. Është e dielë, siç duket një ditë pushimi për ambasadën, megjithëse protestuesit thonë se e kanë lajmëruar për protestën.

Por ata janë të vendosur ta vazhdojnë betejën dhe nuk pranojnë të quhen ish-pronarë.

Filed Under: Komente Tagged With: për ligjin e pronave, shqiptaro-amerkanët protestojnë

ZERI I AMERIKES ME DREJTORE TE RE

April 18, 2016 by dgreca

Bennett bën betimin si drejtore e re e VOA/

Amanda Bennett, fituese e Çmimit Pulitzer dhe autore librash, bëri sot betimin si drejtoreshë e re e Zërit të Amerikës.

Deri në vitin 2013, Bennett ka qenë redaktore ekzekutive e rrjetit Bloomberg News, ku ajo krijoi dhe drejtoi një ekip global gazetarësh hetues dhe redaktorësh.

Para kësaj, ajo ka qenë redaktore e gazetës The Philadelphia Inquirer. Bennett ka punuar gjithashtu si redaktore dhe reportere për gazetën The Wall Street Journal, ku ajo dhe disa kolegë të saj u nderuan bashkarisht me Çmimin Pulitzer për një raportim të zgjeruar mbi SIDA-n, ku tregohej se si zyrtarët e shëndetit publik keqinterpretonin të dhënat për SIDA-n për të  marrë më shumë fonde publike dhe mbështetje financiare.

Bennett është autore e gjashtë librave. Kohët e fundit ajo ka shkruar edhe për gazetën Washington Post si opinioniste. Me bashkëshortin e saj, Donald Graham, ajo themeloi programin Dream.US, i cili ofron bursa për fëmijët e emigrantëve pa dokumenta.(Zeri i Amerikes)

Filed Under: Komente Tagged With: bën betimin, Bennett, e re e VOA, si drejtore

Pasuria “modeste” e Putinit

April 18, 2016 by dgreca

Kundërshtarët e Kremlinit dhe zyrtarët perëndimorë që një kohë të gjatë e akuzojnë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, se ai e përdorë pozitën e tij të fuqishme për të rritur pasurinë dhe shtuar patundshmërinë luksoze, përfshirë një pronë të madhe përgjatë Detit të Zi, të njohur edhe si “Pallati i Putinit”.

Zyrtarish, sigurisht, xhepat e liderit rus janë më të cekët. Bazuar në dëshmitë e publikuara për të ardhurat e tij, të lëshuara nga Kremlini më 15 prill, tregohet se Putini ka fituar rreth 134 mijë dollarë në vitin 2015, pak më shumë se vitin paraprak, kur u raportua se ai kishte fituar 115 mijë dollarë.

Askund nuk u përmend rezidenca që thuhet se u ndërtua nga ai në qytetin jugor të Gelendzhikut, për të cilën Kremlini ka mohuar çfarëdo lidhje. Ndërkohë, Putini ka deklaruar se është pronar i një banese prej 77 metrash katrorë, pastaj një copë toke prej 1,500 metrash katrorë, si dhe një garazhe prej 18 metrash katrorë. Deklarimi i pasurisë së Putinit gjithashtu tregon se ai ka në përdorim edhe një banesë tjetër prej 153 metrash katrorë.

Putini nuk deklaroi asnjë veturë luksoze të huaj, që zakonisht hyn në preferencat e elitës poltike dhe financiare të Rusisë.

Zbulimi i të ardhurave të tij tregon se ai është pronar i dy veturave të rralla sovjetike; një Lada Niva ruse, dhe i një barke. Por, askund nuk u përmend se ai është pronar i një anije, pavarësisht se një raport i vitit 2012 i politikanit opozitar, Boris Nemtsov [i cili u vra në afërsi të Kremlinit vitin e kaluar], thoshte se Putini ka qasje në një flotë prej katër jahtesh.

Raporti i ri tregon të ardhura të ngjashme të Putinit sikurse vitet e kaluara. Ky raport i fundit i pasurisë së tij vjen në kohën kur ai po përflitet në “Letrat e Panamasë”, të cilat tregojnë se miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë kanë kryer marrëveshje financiare marramendëse jashtë vendit.

Hetimet, bazuar në këto “Letra”, tregojnë se miku i tij i ngushtë, Sergei Roldugin, është pronar i një firme sekrete jashtë vendit, përmes së cilës kanë lëvizur rreth 2 milardë dollarë.

Putini nuk është përmendur në këto dokumente, por kritikët e Kremlinit pohojnë se ai mund të jetë përfitues i këtyre shumave jashtë vendit, akuza që në vazhdimësi mohohen nga Putini dhe Kremlini.

Departamenti amerikan i Thesarit ka thënë se Putini “ka kapital të investuar” në Gunvor, një kompani e zotëruar nga bashkëpunëtori i tij, një miliarder rus, Gennady Timchenko, dhe se presidenti rus mund të ketë ‘qasje në fondet e Gunvorit.” Sigurisht, Gunvor dhe Kremlin i mohojnë këto akuza.

Sidoqoftë, sado modeste të duket pasuria zyrtare e Putinit, ai duket se ka të afërm shumë të pasur. Versioni rus i revistës ‘Forbes’ raportoi para disa ditësh se Kirill Shamalov, që thuhet se është dhëndëri i Putinit, është miliarderi më i ri i Rusisë, në moshën 34 vjeçare.

Përgatiti: Valjeta Kosumi

Filed Under: Komente Tagged With: “modeste” e Putinit, pasuria

Serbët tërhiqen nga bllokimi i rrugës në Jarinë

April 18, 2016 by dgreca

Foto nga protesta/Qytetarët serb të veriut të Kosovës, të cilët të hënën kishin bllokuar qarkullimin në rrugën para vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinë, kanë liruar rrugën dhe janë tërhequr nga aty.Kjo ka ndodhur pasi që u është thënë se autoriteteve të Kosovës, në vendkalim, nuk u ka shkuar asnjë vendim zyrtarë nga Prishtina lidhur me ndalimin e kalimit të kufirit për personat që posedojnë “dokumente identitetit jolegale, të cilat i kanë lëshuar strukturat paralele të Serbisë në Kosovë”.

Ndryshe, disa qytetarë serbë të veriut të Kosovës, në shenjë proteste dhe kundërshtimi, kanë bllokuar për një kohë qarkullimin e automjeteve në rrugën që qon drejt vendkalimit kufitar në Jarinë.

Qytetarëve u ishin bashkuar edhe kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe Goran Rakiq, kryetar i Komunës së Mitrovicës së veriut, por edhe kryetarët e të ashtuquajturave komuna që funksionojnë në kuadër të Serbisë.

Ata kanë shprehur drojën se me zbatimin e vendimit të Qeverisë së Ksoovës, mund të vijë deri te një bllokim i madh i ekonomisë dhe ndërmarrjeve në veri të Kosovës dhe kanë shfaqur shpresën se kly vendim nuk do të zbatohet.

Gjithashtu, politikanët serb të veriut u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë që të jenë të qetë dhe se udhëheqësit e tyre, së bashku me popullin, do të vendosin për veprimet e ardhshme.

Ndryshe, autoritetet e Kosovës ende nuk kanë konfirmuar nëse vendimi i tyre ka hyrë në fuqi. Disa qytetarë serbë të veriut të Kosovës kanë kaluar sot pa ndonjë problem në vendkalimin kufitar, me letërnjoftime serbe.

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, të premten ka deklaruar vendimin e autoriteteve të Kosovës, duke shtuar se për këtë e kanë lajmëruar edhe Bashkimin Evropian.

Ajo, po ashtu ka thënë se pas shumë përpjekjeve në dialog që të ndërpritet shfrytëzimi i këtyre dokumenteve, ende ekzistojnë raste të tilla. Në dhjetor të vitit 2015, Kosova e kishte shfuqizuar një masë të tillë, në mënyrë që t’i krijojë mundësi bashkimit Evropian që ta zgjidhë këtë çështje.(Bekim Bislimi)

Filed Under: Rajon Tagged With: Jarina, Sebet terhiqen

LETER RAMES DHE BERISHES: MOS GUXONI TA PREKNI VALBONËN TONË!

April 18, 2016 by dgreca

Nga Dr. Islam LAUKA*/

Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama,/

Ish – Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Sali Berisha,/

  1. Rama,

Ka dy muaj që Tropoja po zien për shkak të njoftimeve se në Luginën e Valbonës do të fillojë ndërtimi i 11 hidrocentraleve, të cilët, do të shfrytëzojnë ujin e Valbonës, si dhe të përrenjve e të përroskave, që derdhen në të, duke dëmtuar rëndë aortën, venat dhe kapilarët e kësaj lugine të mrekullueshme.

Shqetësimi për rrezikun që paraqet kjo masakër mjedisore ka çuar në organizimin e protestave në Bajram Curr, Tiranë dhe në New York (dhe nga emigrantët tanë atje), si dhe në dërgimin, në adresën tuaj, të disa letrave nga ata që preken drejtpërsëdrejti nga kjo masakër–banorët e saj dhe shoqëritë turistike vendore dhe të huaja.

Megjithatë, deri tani, nuk ka patur asnjë reagim zyrtar, nga ana juaj, nga Ministria e Mjedisit, apo nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe as nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e cila e ka në tagrin e saj ruajtjen dhe kthimin në identitet të këtyre zonave.Në të vërtetë, ky vendim nuk i prek vetëm banoret e Luginës së Valbonës apo shoqatat turistike. Ai më prek edhe mua, si tropojan, por edhe fëmijët e mi që janë rritur me dashurinë për Valbonën, e cila çdo vit, na pret e na përcjell, siç di vetëm ajo. Ai vendim, në të vërtetë ju prek edhe ju  z. Kryeministër dhe çdo shqiptar, sepse Lugina e Valbonës është pjesë e së mires sonë të përbashkët, siç është ajri dhe dielli.

Pas shpalljes së saj si “Park Kombëtar”, në vitin 1996, u mendua se shteti do të ndërhynte me politika zhvillimore dhe vendime që do të ishin në përshtatje me natyrën e Alpeve dhe interesat e njerëzve që banojnë aty,  si për shembull investime për projekte infrastrukturore e turistike; miratimi, nga KKRRT dhe zbatimi rigoroz i një plani urbanistik për fshatin Valbonë; disiplinimi i gjuetisë dhe mbrojtja e shtimi i pyjeve, pra politika që do të mundësonin mbrojtjen dhe zhvillimin e luginës. Kanë kaluar 20 vjet, por politika dhe vendime të kësaj natyre nuk u panë. Përkundrazi, sot ne po ballafaqohemi me një vendim, i cili, duket se është krejtësisht i gabuar dhe i dëmshëm.

Së pari, ai nuk respekton legjislacionin vendor dhe atë ndërkombëtar për ruajtjen e specieve të rrezikuara të faunës dhe florës së egër, nuk mbron biodiversitetin dhe ekosistemin, pra natyrën; nuk merr në konsideratë, përkundrazi, nëpërkëmb vlerat historike, kulturore e shpirtërore të njerëzve që jetojnë aty.

Së dyti, nuk merr në konsideratë, përkundrazi e injoron të drejtën e sanksionuar nga ligjet e brendshme, nga konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare të grupeve të interesit dhe të popullsisë vendore për të marrë pjesë në vendimmarrjen mjedisore.

Së treti, nuk merr në konsideratë potencialet turistike të zonës, por as interesin, mundësitë dhe përvojat e deritanishme të banorëve të saj për zhvillimin e turizmit.

Së fundi, qeveritë e përgjegjshme në vendet e civilizuara, kur bëhet fjalë për vendimmarrje mjedisore, respektojnë një parim që njihet si parimi i barazisë midis brezave. Brezi ynë nuk e ka të drejtën e tjetërsimit të Luginës së Valbonës, për të cilën, të parët tanë, për ta mbrotjur nga fqinjët lakmitarë, e kanë larë atë me gjak. Ashtu siç nuk kemi të drejtë që brezave të ardhshem t’ua lëmë Valbonën të pranguar me 11 palë pranga.

  1. Berisha,

Sipas njoftimeve të shtypit, rezulton se për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve në Luginën e Valbonës ekziston një VKM, me numër 680, datë 16.08.2013, i firmosur nga ju. Si ish-Kryeministër, por edhe si intelektual dhe si tropojan që e njeh mire dhe e dashuron Valbonën, mendoj se është në nderin dhe dinjitetin tuaj që, ta pranoni se keni gabuar, duke e miratuar atë vendim. Gjithashtu, mendoj se pikërisht ju duhet të merrni guximin e t’i kërkoni kësaj qeverie të shfuqizojë vendimin tuaj. Nuk është turp të pranosh gabimin e të kërkosh korrigjimin e tij. Turp është  të mbyllësh sytë para kësaj masakre mjedisore, për të cilën jeni përgjegjës edhe ju.

  1. Rama,

Për të dalë nga kjo situatë e rëndë, mendoj se ka dy rrugë: të shfuqizohet VKM-ja nr. 680 për ndërtimin e hidrocentraleve në Luginën e Valbonës, që do të ishte rruga më e drejtë dhe më e shkurtër. Ose, para se të fillojë zbatimi i tij, të merret medoemos parasysh vullneti i popullit,  i shprehur nëpërmjet një referendum lokal në Komunën e Tropojës. Besoj që ideja e referendumit nuk është e huaj për ju, aq më tepër që, kohët e fundit, e keni shfrytëzuar atë edhe për një “kauzë” personale. Ndërkohë që Valbona përbën një kauzë kombëtare.

Si politikan që nuk ju mungon përvoja, shpresoj se e dini që problemet e mjedisit, nëse nuk menaxhohen mirë, çojnë në konflikte shoqërore, shpesh, me pasoja të paparashikuara. Kjo është arsyeja që e drejta e brendshme dhe ajo ndërkombëtare i kushtojnë rëndësi të veçantë marrëveshjes e mirëkuptimit me komunitetet e interesuara. Historikisht, ishin vojvodët serbë e malazezë që, në kundërshtim me vullnetin e popullit, donin ta bënin të tyren Luginën e Valbonës. Shumë prej tyre i lanë këtu rrashtat e tyre, pa ia arritur qëllimit.

Nëse shteti ynë ka vendosur të sillet si cub me shtetasit e vet, atëherë ne na lind e drejta që ta mbrojmë Valbonën tonë nga cubat dhe vojvodët shqipfolës.

Besoj se ju z. Kryeministër e dini që Lugina e Valbonës nuk është Parku Artificial i Tiranës, i krijuar nga dora e njeriut, midis rrafshit. Ajo është dhuratë e Zotit apo natyrës, midis Bjeshkëve të Bekuara. Ajo fillon me “të shtrenjtit” (ngushticën) e Valbonës në Shoshan dhe vazhdon me “të shtrenjtit” e saj deri në Qafën e Valbonës. Kush guxon e futet në të pa marrëveshje me të zotët e saj, ngushtë do ta ketë e shtrenjtë do ta paguajë. Mos guxoni ta prekni Valbonën tonë se prekni të zezën tuaj.

______

Dr. Islam Lauka, i lindur në Tropojë; diplomat i njohur kariere, studiues, pedagog; ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë; i shpallur “Qytetar Nderi” i komunës së Bytyçit (2010) dhe i bashkisë së qytetit Bajramcurri (2015), president i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, autor i disa veprave shkencore, etj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Islam Lauka, LETER RAMES DHE BERISHES: MOS GUXONI TA PREKNI, VALBONËN TONË!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2887
  • 2888
  • 2889
  • 2890
  • 2891
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT