Ndryshe, disa qytetarë serbë të veriut të Kosovës, në shenjë proteste dhe kundërshtimi, kanë bllokuar për një kohë qarkullimin e automjeteve në rrugën që qon drejt vendkalimit kufitar në Jarinë.
Qytetarëve u ishin bashkuar edhe kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe Goran Rakiq, kryetar i Komunës së Mitrovicës së veriut, por edhe kryetarët e të ashtuquajturave komuna që funksionojnë në kuadër të Serbisë.
Ata kanë shprehur drojën se me zbatimin e vendimit të Qeverisë së Ksoovës, mund të vijë deri te një bllokim i madh i ekonomisë dhe ndërmarrjeve në veri të Kosovës dhe kanë shfaqur shpresën se kly vendim nuk do të zbatohet.
Gjithashtu, politikanët serb të veriut u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë që të jenë të qetë dhe se udhëheqësit e tyre, së bashku me popullin, do të vendosin për veprimet e ardhshme.
Ndryshe, autoritetet e Kosovës ende nuk kanë konfirmuar nëse vendimi i tyre ka hyrë në fuqi. Disa qytetarë serbë të veriut të Kosovës kanë kaluar sot pa ndonjë problem në vendkalimin kufitar, me letërnjoftime serbe.
Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, të premten ka deklaruar vendimin e autoriteteve të Kosovës, duke shtuar se për këtë e kanë lajmëruar edhe Bashkimin Evropian.
Ajo, po ashtu ka thënë se pas shumë përpjekjeve në dialog që të ndërpritet shfrytëzimi i këtyre dokumenteve, ende ekzistojnë raste të tilla. Në dhjetor të vitit 2015, Kosova e kishte shfuqizuar një masë të tillë, në mënyrë që t’i krijojë mundësi bashkimit Evropian që ta zgjidhë këtë çështje.(Bekim Bislimi)