• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PASHKET NE KOSOVE

March 27, 2016 by dgreca

Në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë u mbajt mesha për festën e Pashkëve. Duke i paraprirë fjalimit të imzot Dodë Gjergjit ceremonintë fetare të zakonshme për këtë festë, pjesëtarë të komunitetit katolik në vend dhe të huaj që aktualisht ndodhen në Kosovë, morën pjesë në meshën që shënon ringjalljen e Krishtit.

Në fjalimin e tij, imzot Dodë Gjergji tha se komuniteti katolik në Kosovë planifikon që vitin e ardhshëm ta shugurojë Kishën në Prishtinë në njëvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës nga Vatikani. Dhe për këtë ditë, ai tha se ka ftuar Papa Françeskon, të cilën vizitë shpreson se do ta pranojë.

Imzot Dodë Gjergji bëri thirrje për dashuri për të varfrit, për jetën, popullin, e madje edhe për armikun.

Gjergji: Ta duam edhe armikun

“Këtu, pra, ne, nxënësit e Zotit tonë Jezu Krishtit, nxisim njëri-tjetrin në dashuri për të afërmit, për të varfrit, dashuri për jetën dhe për popullin, por edhe për të gjithë njerëzit, deri te dashuria e skajshme për armikun tonë”, tha ai.

Më tej, Dodë Gjergji tha se në njëvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës shpreson të bëhet shugurimi i Kishës. Ai th a se në emër të besimtarëve e ka ftuar Papa Françeskon që të vijë në këtë shugurim.

Gjergji: Shpresoj që Papa Françesko do ta pranojë ftesën

“Shpresoj shumë, që vitin e ardhshëm, në njëvjetorin e shenjtërimit të Nenës Terezë ta shugurojmë këtë Kishë, të cilën ne e kemi ndërtuar në nder të nënës tonë dhe në emër të të gjithë botës. E në emrin tuaj e kam ftuar Papa Françeskon që të vijë në shugurimin e kësaj Kishe. Dhe shpresoj shumë që ai ta pranojë ftesën”, theksoi ai.

Duke folur për polarizimet brenda-fetare, Gjergji tha se këto mospajtime brenda grupeve dhe individëve me përgjegjësi kolektive, me theks të veçantë te aktet terroriste, shkaktojnë vdekje të njerëzve të pafajshëm, duke rritur dhimbjet dhe vuajtjet si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim.

Gjergji: Aktet terroriste po marrin jetë të pafajshme

“Mospajtimet brenda grupeve dhe individëve me përgjegjësi kolektive dhe shoqërore, e mbi të gjitha për aktin shqetësues të akteve terroriste, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Akte këto që po marrin jetën e pafajshme të njerëzve, të cilët tek popujt e shtypur e mbipeshojnë barrën e dhimbjes dhe mjerimit, kurse te popujt e lirë e mbjellin frikën dhe pasigurinë”, tha tutje Gjergji.

Imzot Gjergji bëri ftesë që të gjithë të kontribuojnë në shtetin laik dhe në shoqërinë multireligjioze, që të krijohet një ambient ku shteti nuk ka frikë nga qytetari besimtar, dhe ky i fundit të dallojë dhe dëgjojë virtytet e njerëzve për t’i vënë në shërbim të së mirës së parbashkët.

Gjergji: Të kontribuojmë në ndërtimin e shtetit laik

“…Që të kontribuojmë në ndërtimin e shtetit laik dhe të një shoqërie multireligjioze, ku shteti dhe shoqëria nuk kanë frikë nga qytetari besimtar, por e ndihmon dhe e ndihmon atë për të jetuar dhe për të zbatuar liritë që i takojnë, kurse besimtari nga ana e vetë do të dijë të dallojë dhe të dëgjojë virtytet e njëri-tjetrit dhe te të gjithë njerëzit dhe t’i vëj ato në shërbim të të gjithë njerëzve, në dobi të përbashkët:, theksoi ai.

Ne kemi pasur guximin në rrethana të errëta historike. Kemi guximin të shpresojmë edhe sot edhe nesër. Populli ynë është i shëndoshë.

Mes tjerash, Imzot Dodë Gjergji tha se populli kosovar ka pasur guxim edhe në periudhat më të errëta historike. Sipas tij, ky popull është i shëndoshë dhe ka guximin të shpresojë për një të nesërme më të mirë.

Filed Under: Komente Tagged With: Dode Gjergji, Ipeshkevi, Pashket ne Kosove

Papa: vende e popuj të martirizuar, në qendër të mesazhit të Pashkëve

March 27, 2016 by dgreca

Në mesazhin e Pashkëve Papa Françesku, pasi kryesoi, në Sheshin e Shën Pjetrit, Meshën Shenjte, kujtoi plagët e botës, plot me njerëz që vuajnë në korp e në shpirt. Ati i Shenjtë, që dha edhe bekimin Urbi et Orbi nga lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit, u ndalua edhe tek drama e krimeve mizore, që shpesh herë kryhen ndërmjet mureve shtëpiake si tek tragjedia e konflikteve të armatosura në shkallë të gjerë, që i detyrojnë popullsi të tëra të kalojnë prova të rënda. Mendimi i Papës shkoi posaçërisht tek popullsitë e viseve të martirizuara nga luftërat, tek viktimat e terrorizmit e tek emigrantët: “Jezu Krishti u ngjall! Dashuria – shkruan akoma Papa sot, në një tweet – e mundi urrejtjen, jeta fitoi mbi vdekjen, drita e dëboi errësirën!”.

Të dashur vëllezër e motra: gëzuar Pashkët!

Jezu Krishti, mishërim i mëshirës së Zotit, për dashuri vdiq në kryq e për dashuri edhe u ngjall. Prandaj sot shpallim: “Jezusi është Zoti!”.

Ngjallja e Tij përmbush plotësisht profecinë e Psalmit: mëshira e Zotit është e amshueshme, dashuria e tij është përgjithmonë e jetës, nuk vdes kurrë. Prej këndej, mund të besojmë plotësisht në Të e ta falënderojmë, sepse për ne zbriti deri në fund të honit.

Përballë greminave shpirtërore e materiale të njerëzimit, përballë golleve që hapen në zemra e që shkaktojnë urrejtje e vdekje, vetëm mëshira e pambaruar mund të sjellë shëlbimin. Vetëm Zoti mund t’i mbushë, me dashurinë e Tij, këto golle, këto hone, e të na ndihmojë të mos fundosemi, por të vijojmë të ecim së bashku kah Toka e lirisë dhe e jetës.

Lajmi i gëzuar i Pashkëve: Jezusi, i kryqëzuari, nuk është këtu, u ngjall!(krh Mt 28,5-6), na jep sigurinë ngushëlluese se humnera e vdekjes u kapërcye e, me të, u mposhtën zija, vaji e ankthi (krh Vap 21,4). Zoti , që pësoi braktisjen e dishepujve të vet, barrën e dënimit të padrejtë dhe turpin e vdekjes çnderuese, na bën tani pjesëtarë të jetës së Tij të pavdekshme e na jep sytë e Tij të dhimbshëm e të mëshirshëm, për t’i parë me ta të uriturit e të eturit, të huajtë e të burgosurit, të përjashtuarit e të  flakurit jashtë radhëve të shoqërisë, viktima të padrejtësisë e të dhunës. Bota është plot me njerëz që vuajnë në korp e në shpirt, ndërsa kronikat e përditshme mbushen me lajme krimesh mizore, që shpesh herë kryhen edhe brenda mureve shtëpiake, si dhe konfliktesh të armatosura, në shkallë të gjerë, që i detyrojnë popullsi të tëra t’i nënshtrohen provave të papërshkrueshme.

Krishti i ngjallur i tregoftë shtigjet e shpresës Sirisë, vendit të dërrmuar nga konflikti i gjatë, me zinxhirin e shkatërrimit, të vdekjes,  mospërfilljes të së drejtës humanitare dhe shthurjes së bashkëjetesës civile. Pushtetit të Zotit të ngjallur ia besojmë bisedimet, në vijim, që me vullnetin e mirë dhe bashkëpunimin e të gjithëve, të mund të mblidhen fryte paqeje e të fillojë ndërtimi i një shoqërie vëllazërore, që respekton dinjitetin dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve. Mesazhi i jetës, që jehoi me gojën e Engjëllit pranë gurit të rrokullisur të varrit, e mposhtët ngurtësimin e zemrave  dhe nxitët takimin e frytshëm të popujve e të kulturave në zona të tjera, si  pellgu i Mesdheut dhe Lindja e Mesme, posaçërisht në Irak,  Jemen e Libi. Shëmbëllimi i njeriut të ri, që shkëlqen mbi fytyrën e Krishtit, favorizoftë bashkëjetesën ndërmjet Izraelitëve e Palestinezëve në Tokën Shenjte, ashtu si dhe gatishmërinë durimtare e angazhimin e përditshëm në përpjekjen për të hedhur themelet e paqes së drejtë e të qëndrueshme përmes bisedimeve të drejtpërdrejta e të sinqerta. Zoti i jetës i shoqëroftë edhe përpjekjet, që synojnë arritjen në zgjidhjen përfundimtare të luftës në Ukrainë, duke i frymëzuar e duke i mbështetur edhe nismat e ndihmës humanitare, ndërmjet të cilave, lirimi i njerëzve të burgosur.

Zoti Jezus, paqja jonë (Ef 2,14), që duke u ngjallur, fitoi mbi vdekjen, e nxitët në këtë festë Pashkësh afërsinë tonë me viktimat e terrorizmit, formë e verbër dhe mizore e dhunës, që nuk pushon së derdhuri gjak të pafajshëm në anë të ndryshme të botës, siç ndodhi kohët e fundit në Belgjikë, Turqi, Nigeri, Çad, Kamerun e në Bregun e Fildishtë e në Irak; i shndërroftë në sukses tharmet e shpresës dhe perspektivat e paqes në Afrikë: mendoj posaçërisht për Burundin, Mozambikun, Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut, ku vijojnë tensionet politike e shoqërore.

Me armët e dashurisë, Zoti e mposhti egoizmin dhe vdekjen; Biri i Tij, Jezus është porta e mëshirës, e hapur në dy kanatat për të gjithë. Mesazhi i Tij i Pashkëve rrezatoftë gjithnjë më shumë mbi popullin e dashur venezuelan, në kushtet e vështira ndër të cilat jeton, si dhe mbi të gjithë ata, të cilët i kanë në dorë fatet e vendit, që të mund të punojnë për të mirën e përbashkët, duke kërkuar hapësira dialogu dhe bashkëpunimi me të gjithë. U bëfshin ngado përpjekje për të favorizuar kulturën e takimit, drejtësinë dhe respektin reciprok, sepse vetëm këto mund të garantojnë mirëqenien shpirtërore e materiale të qytetarëve.

Krishti i ngjallur, kumtim i jetës për mbarë njerëzimin, rrezaton dritën e Tij në shekuj e na fton të mos i harrojmë burrat e gratë që shtegtojnë në kërkim të një jete më të mirë, aradhe gjithnjë më të shumënumërta emigrantësh e refugjatësh – ndërmjet të cilëve, shumë fëmijë – në ikje nga luftërat, nga uria, nga varfëria e nga padrejtësia shoqërore, të cilët, gjatë rrugës ndeshen shpesh me vdekjen ose me refuzimin e atyre, që  mund t’u japin strehë e ndihmë. Takimi i ardhshëm humanitar botëror i rangut të lartë, mos e lëntë pa e vënë në qendër njeriun me dinjitetin e tij e pa hartuar politika të afta për t’i asistuar e për t’i mbrojtur viktimat e konflikteve e të emergjencave të tjera, posaçërisht njerëzit më të ligshtë dhe të gjithë ata, që persekutohen për shkaqe etnike dhe fetare.

Në këtë ditë lavdiplote, “të galdojë toka e përmbytur nga një shkëlqim kaq i madh”(krh Shpallja e Pashkëve), ndonëse e keqtrajtuar edhe e poshtëruar nga shfrytëzimi i etshëm për fitime, që e tjetërson ekuilibrin e natyrës. Kujtoj posaçërisht zonat e dëmtuara nga efektet e ndryshimeve klimaterike, të cilat gjithnjë më shpesh shkaktojnë thatësira ose përmbytje të mëdha, me pasojë, krizat ushqimore në disa vise të planetit.

Me vëllezërit e motrat tona, që persekutohen për fenë e për besnikërinë e tyre në emër të Krishtit e përballë së keqes, që duket sikur ngadhënjen mbi jetën e një mori njerëzish, ridëgjojmë fjalën ngushëlluese të Zotit: “Mos kini frikë! Unë e munda botën!”(Gjn 16,33). Sot është dita e shndritshme e kësaj fitoreje, sepse Krishti e vu nën thembër vdekjen e me ngjalljen e Tij bëri të shkëlqejë jeta e pavdekësia (krh 2Tim 1,10), “Ai na bëri të kalojmë nga skllavëria, në liri, nga trishtimi në gëzim, nga zija në festë, nga errësira në dritë, nga robëria në ringjallje. Prandaj të themi para Tij: Aleluja! (Melitone di Sardi, Homelia e Pashkëve).

Të gjithë atyre që, në shoqëritë tona, e kanë humbur çdo shpresë e deri shijen e të jetuarit, pleqve të dërrmuar që, në vetmi, ndjejnë t’u shuhen forcat, të rinjve, që u duket se u mungon ardhmëria, të gjithëve, u drejtoj edhe një herë fjalët e të Ngjallurit: “Ja, unë i bëj të reja të gjitha sendet… Atij, që ka etje, do t’i jap falas ujë nga burimi i jetës” (Zb 21,5-6).

Ky mesazh ngushëllues i Jezusit e ndihmoftë secilin nga ne të riniset plot guxim e shpresë për të ndërtuar udhë pajtimi me Zotin e me vëllezërit. Kemi shumë nevojë!

Për shumë vjet Pashkët! 

Filed Under: Komente Tagged With: e popuj të martirizuar, në qendër, Papa: vende, të mesazhit të Pashkëve

Kosovë-Festa e Pashkëve, me ndjenjën e bashkimit dhe solidaritetit

March 27, 2016 by dgreca

-Urimi  i Presidentes Jahjaga me rastin e Festës së Pashkëve/

PRISHTINË, 27 Mars 2016/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i dërgoi një mesazh urimi Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, dhe të gjithë besimtarët katolikë, me rastin e Festës së Pashkëve.

 “Me rastin e Festës së Pashkëve, më lejoni që në emrin tim personal por edhe në emër të Institucioneve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, Juve dhe të gjithë besimtarëve  t’iu urojë që këtë festë të ringjalljes së shpirtit njerëzor dhe ripërtëritjes së besimit te Zoti ta kremtoni në paqe, shëndet e harmoni”, thuhet në mesazh. Festat si kjo e Pashkëve,  vijon Jahjaga, kthejnë ndjenjën e bashkimit dhe të solidaritetit me të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetjen dhe për përkujdesjen institucionale.

“Andaj,  në frymën e respektit të ndërsjellë dhe të tolerancës së bashku të punojmë për mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallim dhe të lutemi për paqe, siguri dhe begati për gjithë njerëzimin”, shprehet Presidentja kosovare.

Ajo thekson se, urimet e përzemërta dua t’ua përcjelli edhe ambasadorëve, përfaqësuesve diplomatikë, komandantit dhe ushtarëve të KFOR-it,  si dhe të gjithë përfaqësuesve të  tjerë ndërkombëtarë, që do të festojnë Pashkët në vendin tonë.

“I nderuari Ipeshkëv Gjergji, ju uroj edhe një herë që Ju dhe të gjithë besimtarët,  këtë feste ta kaloni në paqe, gëzim, begati dhe mirëqenie shpirtërore”, përfundon mesazhin Presidentja e Kosovës.

***

Kryeministri Mustafa uron besimtarët për Festën e Pashkëve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë dhe krerët e komuniteteve fetare, të cilët kremtojnë sonte Festën e Pashkëve.Në urimin e kryeministrit Isa Mustafa, thuhet:

Me rastin e Festës së Pashkëve, iu shpreh urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve të krishterë, të cilët kremtojnë sonte këtë festë të madhe.

Me mesazhet e saj të shenjta, Festa e Pashkëve, mbush shpirtin dhe mendjen e njerëzve anekënd botës plotë me shpresë, gëzim dhe dashuri.Festa e Pashkëve, me vlerat dhe virtytet e panumërta që risjell në mendjet tona, na frymëzon dhe na e forcon besimin dhe optimizmin se e mira do të triumfojë gjithmonë mbi të keqen, dashuria mbi urrejtjen, paqja mbi luftën dhe dhunën shumëformëshe.Festa e Pashkëve sivjet, ka një vlerë dhe përjetim të posaçëm në Kosovë dhe vendet tjera me shqiptarë, sepse në shtator do të përjetojmë nderin dhe kënaqësinë e shenjtërimit të Nënës tonë Terezë, simbolit global të humanizmit, mirësisë dhe dashurisë vetëmohuese për njeriun.Ta festojmë me gëzim e me besim në të ardhmen këtë festë të shenjtë.

Për shumë mot Pashkët!

Isa Mustafa

Kryeministër i Republikës së Kosovës

Filed Under: Komente Tagged With: bashkimi, paqa, Pashket, Presidente Jajaga

Presidenti Nishani uroi Pashkët katolike nga Shkodra: Të rikthejmë besimin!

March 27, 2016 by dgreca

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani zhvilloi sot vizita në Katedralen e “Shën Shtjefnit”, e Shkodrës ku u prit në Qendrën Kulturore katolike “Kardinal Mikel Koliqi” nga Arqipeshkvi i Shkodër-Pultit Imzot Angelo Masafra si dhe në Kishën Katolike të Vaut të Dejës, ku u uroi personalisht Festën e Pashkëve klerikëve dhe besimtarëve katolikë.

Me këtë rast, pas vizitës në Katedralen e Shkodrës, Kreu i Shtetit theksoi: “Sot erdha në Shkodër për të uruar në emrin tim, por edhe në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë: Gëzuar Pashkët të gjithë besimtarëve katolikë shkodranë, shqiptarë kudo ku ndodhen, për të gjithë besimtarët katolikë të mbarë botës! Dita e sotme është një ditë e veçantë për Kishën Katolike, për besimtarët katolikë, por është një ditë e veçantë për të mbarë njerëzimin, sepse mesazhet që përcjellin Pashkët janë mesazhe për të cilat ka nevojë çdo njeri, pavarësisht besimit të cilit ai i takon. Është mesazhi i ripërtëritjes së shpresës, të besimit dhe i gjithçkaje që besohet se është më e mirë për jetën e individit, për jetën e shoqërisë, për jetën e një vendi e të një komuniteti. Dhe sot dua që t’i uroj në këtë kontekst të gjithë shqiptarëve: Ditë më të mira për të gjithë! Të ringjallim dhe ripërtërimë besimin për mundësitë e mëdha që ka gjithsecili prej nesh! Të ripërtërijmë shpresën për hapësira të mëdha të cilat janë përpara nesh dhe duhet të shfrytëzohen me punë, me guxim, me kurajë, me dinjitet, me ndershmëri, me integritet dhe me angazhim.

Pashkët e këtij viti janë të veçanta për shqiptarët, për Kishën Katolike shqiptare, por edhe për të gjithë besimtarët katolikë të mbarë botës, sepse përkojnë me një ngjarje madhore, historike, botërore siç është ajo e shenjtërimit të Nënë Terezës – simbolit të mirësisë, të shpresës dhe të mundësisë, – për më mirë, për të ndihmuar dhe për të besuar tek një e ardhme më e mirë.

Gjeta rastin që të falënderoj edhe njëherë Arqipeshkvin dhe në tërësi Kishën Katolike shqiptare për kontributin e jashtëzakonshëm që ajo ka dhënë në historinë e identitetit kombëtar, e identitetit kulturor shqiptar, të qëndresës për liri. Martirët e Kishës Katolike shqiptare do të mbeten përjetësisht në themelin e lirisë, të dinjitetit e të demokracisë së Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Përkimi gjithashtu në këtë kohë me procesin e vlerësimit të këtyre martirëve nga Selia e Shenjtë, nga Papa Françesku duhet të na frymëzojë që të gjithëve për të mos lëshuar asnjë moment angazhimin tonë përsa i takon ruajtjes së dimensionit të lirisë dhe vlerave të njerëzimit e të integritetit të tij.

Isha sot në Shkodër edhe për një arsye tjetër: Për faktin se Shkodra, qytetarët e kësaj treve përfaqësojnë midis shumë virtytesh pozitive, edhe dy dimensione. Së pari shkodranët, zonjat dhe zotërinj e nderuar të kësaj treve shquhen për besim të fortë te Zoti. Dhe nga ana tjetër shquhen për një bashkëjetesë, harmoni dhe respekt të veçantë të ndërsjellë mes bashkësive të ndryshme të besimeve fetare. Ndaj, kjo vlerë e trashëgimisë më të mirë që ne kemi merr dimension qytetarie, merr dimension civilizimi pikërisht në Shkodër. Kështu që përtej urimit të veçantë për Pashkët, gjej momentin për të transmetuar mirënjohjen, vlerësimin dhe përuljen time ndaj qytetarisë, civilizimit, rezistencës, integriteti të kësaj treve që i ka bërë vlerave më të mira të lirisë dhe të përparimit.

Edhe njëherë: gëzuar të gjithëve! Të gjithë besojmë te i njëjti Zot. Besojmë te liria dhe besojmë te vlerat e qytetërimit dhe të civilizimit!”

I pyetur në se kishte edhe një mesazh për klasën politike në këtë ditë, kur vendi ndodhet përpara sfidave të rëndësishme, Presidenti Nishani u shpreh: “Klasa politike dhe aktorët politikë kanë padyshim përgjegjësi të caktuara krahas angazhimeve dhe përgjegjësive të të gjithë aktorëve të tjerë të shoqërisë shqiptare. Në radhë të parë të gjithë aktorët e politikës shqiptare duhet të marrin përsipër përgjegjësitë që përfaqëson mandati i tyre, angazhimi i tyre dhe raporti që ata kanë me shoqërinë dhe institucionet e shtetit shqiptar. Duhet të jenë kontribuuesit kryesorë të ruajtjes me fanatizëm të dimensionit të lirisë. Duhet të jenë të përgjegjshëm. Duhet të jenë të angazhuar për të ruajtur shpresën te qytetarët shqiptarë. Të rikthejnë besimin! Të rikthejnë besimin se ky vend jo vetëm që i ka të gjitha potencialet, por me punën e gjithsecilit, me përgjegjësinë e gjithsecilit do të shkojë e do të bëhet shumë më mirë.

Por natyrisht që më e mira nuk vjen vetëm me fjalë, vetëm me retorikë, vetëm me deklarata. Më e mira vjen me angazhim, vjen me punë, duke dhënë shembullin politikanët të parët të integritetit, të punës, të ndershmërisë, të angazhimit, të qëndresës përballë çdo vështirësie dhe të gatshëm për të bërë të parët sakrificat që shoqëria kërkon në interes të së mirës dhe në interes të prosperitetit të vendit. Kështu që problematikat e mëdha që shfaq sot shoqëria shqiptare që nga humbja e besimit, problemet e mëdha ekonomike që kemi, problemet e ndryshme që kemi me shfaqjen dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilët janë një e keqe e madhe për çdo qytetar e për familjet tona, në radhë të parë përgjegjësia e ndeshjes me to është e klasës politike. Dhe unë pres të shoh angazhime reale të të gjithë aktorëve të angazhuar në institucionet e shtetit shqiptar.”

Ndërsa në Kishën Katolike të Vaut të Dejës, ku u mikprit nga Ipeshkvi Lucjan Avgustini i Dioqezës së Sapës,  Presidenti Nishani vlerësoi veç të tjerash, edhe kontributet dhe vlerat e Kishës Katolike dhe klerikëve të saj në drejtim të bashkëjetesës, harmonisë dhe respektit ndërfetar.

Filed Under: Komente Tagged With: presidenti Nishani, shkoder, uroi Pashket

Shqipëri- Besimtarët katolike kremtojnë Pashkët

March 27, 2016 by dgreca

TIRANE, 27 Mars /– Besimtarët katolikë kremtojnë Pashkët, që është momenti më i madh në kalendarin liturgjik të Kishës Katolike dhe kishave të tjera të krishtera. Pashkët shënojnë ringjalljen e Jezu Krishtit pas kryqëzimit, ringjallje që simbolizon besimin te Zoti, shpresën për të gjithë bësimtarët.Mijëra besimtarë janë mbledhur në kishën e “Shën Palit” në kryeqytet ku eshte mbajtur mesha e shenjtë e Pashkëve, duke u lutur për paqe, dashuri dhe lumturi.
Ceremonitë e kësaj dite të rëndësishme kulmojn me një seri ritesh dhe ceremonish fetare, që nga Kreshma, e më pas e Premtja e Zezë dhe Dita e Ringjalljes.

Festa e Pashkëve simbolizon ringjalljen e Krishtit, pas kryqëzimit të tij dhe është festa me e shenjtë për besimtarët e krishterë.Ky është viti kur shqiptarët do të përjetojnë Shenjtërimin e Nënë Terezës dhe shpalljen e Martirëve shqiptarë.

Presidenti i Konferencës Ipeshkvore Shqiptare  njëherësh edhe Arqipëshkëv Metropolit i Dioqezit Shkodër Pult, imzot Angelo Massafra, në mesazhin e tij tradicional të Pashkëve, apeloi për më shumë përkujdesje ndaj të varfërve.

“Të dashur miq të zgjedhur prej popullit për t’u kujdesur për të mirën e përbashkët prej zemrës po ju drejtoj thirrjen të bëni gjithçka është e mundur për të garantuar të drejtën për punë, krijimin e shanseve të reja për punësimin, t’u lejojnë të gjithëve të kenë një vend dinjitoz në shoqëri”, u shpreh ai.

Pashkët, Imzot Angelo Massafra: Të kujdesemi më shumë për të varfrit

TIRANE, 26 Mars/ATSH/- Presidenti i Konferencës Ipeshkvore Shqiptare  njëherësh edhe Arqipëshkëv Metropolit i Dioqezit Shkodër Pult imzot Angelo Massafra në mesazhin e tij tradicional të Pashkëve, apeloi për më shumë përkujdesje ndaj të varfërve.

“Të dashur miq të zgjedhur prej popullit për tu kujdesur për të mirën e përbashkët prej zemrës po ju drejtoj thirrjen të bëni gjithçka është e mundur për të garantuar të drejtën për punë, krijimin e shanseve të reja për punësimin, tu lejojnë të gjithëve të kenë një vend dinjitoz në shoqëri”, u shpreh ai.

Angelo Massafra tha më tej se “shikoni se sa ngjarje hiri Zoti është duke nxitur për popullin tonë në këtë vit Mëshire të vërtetë! Na garantohet falja, na jepet mundësia për të rifilluar vrapimin, por jo vetëm: si bashkësi”.12049650_985296018230230_739995428963939286_n

Në këtë mesazh urimi për katolikët, imzot Massafra nuk ka pa përmëndur edhe dy momente të rëndësishmë  siç është shenjtërimi i Nënë Terezës dhe kanonizimi i martirëve të fesë.

“ Së fundi, është duke na lejuar të shohim të lartësuar në nderet e altarëve nënën tonë të dashur Tereza dhe të shpallur të Lumë Martirët tanë. Ja, martirët tanë janë pikërisht shembulli më shprehës i asaj se si secili prej nesh mund të marrë pjesë në mundimet e Krishtit që pastaj të marrë pjesë edhe në lavdinë e tij. Ndoshta nuk na kërkohet të vdesim të qëlluar nga një plumb si ata, por sigurisht na kërkohet të vdesim për nga egoizmi ynë, që na bën të mbyllemi në vetvete për t’iu hapur dhurimit të vetvetes nëpërmjet veprave të mëshirshme,” nënvizoi Presidenti i Konferencës Ipeshkvore Shqiptare.

11204471_985296724896826_1105988372445514956_nGjatë ditës së sotme besimtarët katolik në mbarë vendin bën edhe bekimin e ushqimeve, të cilat konsumohen mëngjesin e të dielës së Pashkëve.

Ndërsa një natë më parë besimtarët katolikë në Shkodër, u bashkuan në “Udhën e Kryqit”, e cila këtë vit u zhvillua nga Katedralja e Shën Shtjefnit deri në Varrezat e Rrmajt duke kujtuar dy ngjarje te madhe, “Ngjitja e Krishtit” dhe “Rrugëtimi i Martirëve”.

Grupe të ndryshme të famullisë mbartën kryqin gjatë 14 Ndalesave, ndërsa besimtarët katolikë në mënyre simbolike mbanin në duar 38 kandila, që simbolizojnë martirët, të cilët priten të zyrtarizohen nga Vatikani.

10610622_986685338091298_1972187469173744913_n“Udha e Kryqit” është përshpirtëria që riskenon rrugën e Krishtit nga oborri i Pilatit drejt Golgotës, vendi ku Krishti u kryqëzua në të premten e zezë dhe që prej asaj dite do të quhej e “Premtja e Madhe”.

Basha: Gëzuar Pashkët nga Shkodra e martirizuar për besimin në Zot

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bën të ditur se është takuar sot me Arqipeshkvin e Dioqezës Shkodër-Pult, Imzot Anxhelo Masafra dhe Arqipeshkvin e Dioqezës së Sapës, Imzot Luçiano Agostini.

Kryetari i Partisë Demokratike, Basha, nëpërmjet një postimi në statusin e tij social pasditen e së dielës shprehet: “Gëzuar Pashkët nga Shkodra e martirizuar për besimin në Zot, nga Shkodra e martirizuar për liri dhe demokraci. Në këtë ditë të ringjalljes, këtë ditë të shpresës, dua të uroj të gjithë besimtarët katolikë të Ipeshkvisë së Shkodrës, të gjithë besimtarët katolikë shqiptarë, besimtarët e Zotit anembanë- Gëzuar Pashkët”.

“Kjo është ditë e ringjalljes së shpresës dhe e besimit dhe po këtu nga Shkodra kam besim të madh, e dua ta them se kjo është ditë dhe e ringjalljes për lirinë, për demokracinë, për zhvillimin. Gëzuar Pashkët!”, shkruan Basha

Filed Under: Komente Tagged With: katolike, kremtojnë Pashkët, Shqipëri- Besimtarët

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2964
  • 2965
  • 2966
  • 2967
  • 2968
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT