• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Biblioteka Kombëtare e Kosovës feston 76 vjetorin

November 25, 2020 by dgreca

-Biblioteka Kombëtare e Kosovës është themeluar në Nëntor të vitit 1944 në Prizren, ndërtesa e saj në Prishtinë është inauguruar në vitin 1982. Këndi Amerikan është pjesë e ambienteve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës/ 

-Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës sot u hapën dy ekspozita për Profesor Anton Çettën, nesër përurohet kompleti i veprave të tij. Nëntori 2020 në Kosovë është Muaji i Anton Çettës, i shpallur nga Qeveria në 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e shuarjes, si dhe në 30 vjetorin e nisjes së aksionit të pajtimit mes shqiptarëve – pajtimit të gjaqeve, të cilit i printe/ 

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari 

PRISHTINË, 25 Nëntor 2020/ Biblioteka Kombëtare e Kosovës, e themeluar në Nëntor të vitit 1944, në Prizren, sot në Prishtinë shënoi  76 vjetorin me një ceremoni festive dhe hapjen e dy ekspozitave:  “Anton Çetta: 100 Vjetori i lindjes” me libra dhe artikuj dhe “Anton Çetta: 30 Vjetori i pajtimit të gjaqeve” me fotografi të publikuara për herë të parë. 

Në kuadër të ceremonisë u nënshkrua plani 5 vjeçar i ardhshëm i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe nga drejtori i saj Fazli Gajraku u prezantua historiku i punës së institucionit si dhe u organizuan dy ekspozitat për nder dhe kujtim të profesor Anton Çettës, shkrimtarit, patriotit, mbledhësit të folklorit dhe pajtuesit të gjaqeve. 

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, kryesuesi i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Osman Gashi dhe shumë personalitete tjera.  

Ministrja Dumoshi tha se sot është një datë e shënuar jo vetëm për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, sepse nëpërmjet kësaj dite po kujtohen gjithë brezat që kanë dhënë mundin e dijen për këtë institucion të rëndësishëm shtetëror që prej vitit 1944. 

“Sot gjendemi në një vend të veçantë, në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bodgani’, ky vend është tempull i dijës, ku kanë studiuar gjenerata të tëra intelektualësh të mëhershëm dhe të sotëm, të profileve e fushave të ndryshme të shkencës, kulturës dhe artit”, u shpreh ministrja Dumoshi, e cila tregoi edhe për rritjen e buxhetit të Këshillit të Librit për botimin dhe pasurimin e sa më shumë titujve të librave të rinj, e që ndërlidhet drejtpërsëdrejti me punën që Biblioteka bën. 

Ministrja Dumoshi tha se, për shkak të pandemisë kontakti i lexuesit me librin e bibliotekën ka qenë pothuajse i pamundur, prandaj i është dhënë përparësi digjitalizimit të materialeve dhe fondit bibliotekar ashtu që lexuesi të ketë qasje në materiale të digjitalizuara. 

Gjithashtu ministrja foli edhe për Muajin e Anton Çettës, që për nder të figurës së tij Qeveria e Kosovës Nëntorin 2020 e ka shpallur Muaji i Anton Çettës. “Biblioteka e Kosovës po organizon sot aktivitete për këtë figurë të madhe të kombit shqiptar, i njohur për ndikimin e tij si mbledhës i folklorit, përkthyes, shkrimtar, e si veprimtar e prijatar i pajtimit gjatë viteve 90-të”, tha ajo.  

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, foli për objektivat që ka Biblioteka në të ardhmen, ndonëse ky vit ka qenë shumë i vështirë, vlerësoi ai. “Në kuadër të bibliotekës digjitale tashmë kemi mijëra materiale digjitale dhe është duke u vazhduar digjitalizimi i njësive fizike duke e pasuruar kështu arkivin digjital”, theksoi drejtori kur foli për procesin e digjitalizimit të materialeve në bibliotekë. 

Osman Gashi kryesues i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare, foli për punën e këshillit dhe bashkëpunimin me menaxhmentin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe ka shtuar se biblioteka ka mbijetuar njëjtë ashtu siç ka mbijetuar Kosova, duke kujtuar dhe vlerësuar rëndësinë që ka luajtur ky institucion i kulturës në Kosovë. 

Ndërsa, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti ka thënë se Universiteti i Prishtinës dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës kanë një bashkëpunim të ngushtë i cili është jetik për institucionet e arsimit të lartë.  

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nesër në mesditë përurohet kompleti i veprave të Profesor Anton Çettës. 

Nëntori 2020 në Kosovë është Muaji i Anton Çettës, i shpallur nga Qeveria në 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e shuarjes, si dhe në 30 vjetorin e nisjes së aksionit të pajtimit mes shqiptarëve – pajtimit të gjaqeve, të cilit i printe. 

Ndërtesa në Prishtinë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës me dritare zenitale – 99 kupola të mëdha të bardha, të cilat e kanë simbolikën të veçantë arkitekturale, si plisat, është inauguruar në vitin 1982. Hapësira e brendshme përfshinë 16.500 m2 . Biblioteka ka sallat e leximit për përdorues me 600 vende – dy salla të mëdha, sallën e periodikut, si dhe sallat e leximit për punëtorë shkencorë. Në bibliotekë, gjithashtu, është edhe Amfiteatri i Madh – me 150 ulëse dhe Amfiteatri i Vogël me 75 ulëse, ku zhvillohen aktivitete dhe veprimtari me karakter informativ, kulturor e shkencor…  

Edhe Këndi Amerikan është pjesë e ambienteve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. “Këndi Amerikan është një vend për qytetarët e Kosovës të mësojnë mbi vlerat, traditat dhe kulturën amerikane”, është theksuar në një ceremoni përurimi të hapësirës së renovuar të Këndit Amerikan në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Janar 2020. 

Filed Under: Featured Tagged With: 76 Vjet, Behlul Jashari, Biblioteka e Prishtines

Lojtari i Kombetares Shqiptare Uzuni dhe Ronaldo

November 25, 2020 by dgreca

Nga Albano Kolonjari-

Si golashënuesi kryesor i të gjitha kohërave në historinë e Ligës së Kampionëve (UEFA), festa e Cristiano Ronaldos është pothuajse po aq e famshme sa vetë super ylli i Juventusit.

Lojtari i Kombetares Shqiptare Myrto Uzuni sigurisht që di gjithçka rreth Ronaldos. Anësori i Ferencvaros e tregoi atë pasi shënoi dhe i dha hungarezëve një epërsi të habitshme kundër Juventusit në gjysmën e parë të ndeshjes së Grupit G të Martën në stadiumin Allianz Stadium në  Itali.

Goli erdhi pas një kundërsulmi të shpejtë. Uzuni fitoi një goditje me kokë në mesfushë dhe pasoi përpara Tokmac Nguen. Nguen vrapoi në zonë dhe dha një pasim tek  Uzuni që gjuajti duke zhvlesuar bllokimi që u mundua të realizonte mbrojtësi i Juventusit Alex Sandro. Më pas, Uzuni lëshoi ​​veten në ajër dhe u rrotullua 180 gradë, duke imituar Ronaldon në shtëpinë e tij Allianz Stadium. 

Myrto Uzuni shkruajti  emrin e tij në Ligën e Kampioneve duke shënuar golin e jetës kundër një klubi me histori si Juventusi.

Ronaldos do ti duheshin vetëm 6-të minuta për të barazuar rezultatin në 1-1, me një goditje të mrekullueshme të tij, duke shënuar golin e 131 në Ligen e Kampioneve (Champions League). Alvaro Morata i dha Juventusit fitoren në minutën e 92-të të takimit duke kaluar italianët në raundin tjetër dhe zhvlerësuar golin e lojtarit të Kombëtares Shqiptare Myrto Uzuni. 

Filed Under: Featured Tagged With: albano kolonjari, Leonardo, Uzuni

Kryetari i një bashkie periferike

November 25, 2020 by dgreca

NGA ILIR LEVONJA/

Sot në webet shqiptare dominon indinjata e gazetarit Sokol Balla karshi kryetarit të një bashkie periferike, si Erseka. Bëhet fjalë për një festë private, datëlindje etj., mes aktorësh. Aty ka marrë pjesë edhe presidenti me familjen e tij duke shkelur urdhëresat a ligjet në lidhje me pandeminë. Shkurt gazetari i Ramës ka ngritur zërin dhe është i ”indinjuar” se përse kryeministri nuk e shkarkon nga detyra, këtë aktorin e bashkisë së Ersekës. Eshtë një nga ato rastet më flagrante për të kuptuar se sa demode është shtypi shqiptar. Ose më saktë këta që kanë zaptuar studiot dhe e kollondrisin opinionin publik shqiptar si t’u doje menderja. Ka një indinjatë fallco të një gjoja gazetari perëndimor por që në të vërtetë, është faqja e zezë e atij realiteti që në bashkëpunim me politikën kanë marr peng të gjithë shqiptarët. Janë edhe këta po aq mëkatarë sa edhe politikanët, megjithatë janë kanakarë sokakësh, pasi nëse nesër ndonjë politikan edhe mund të shkoj në burg, ata prapë aty, nga goja nuk të gjen gjë. Madje as nga morali bizarr, se siç edhe e dini nuk mbeti shqiptar pa e parë këtë sokolin e partisë, me ato video masturbimet që ta shpifnin. Ti i thua këtij çunaku që na neverite. Kurse ti jo na neverite, por nxorrëm zorrët. Megjithatë sot ke të drejtën e indinjatës publike, privilegjin sa t’i drejtohet kryeministrit gjoja i indinjuar për ta mbajtur gjindjen po ashtu, degraduese. Gjëja e parë që duhet theksuar është fakti që, gjeti kryetarin e Ersekës. Një qytet periferik, thuajse i harruar. Siç ndodh rëndom me ishujt. Një qytet që është bastion i majtë, pse jo akoma me partinë e punës. I cili edhe tabelat e diktaturës i ruajti deri vonë. Por pa i hequr edhe një presje se është trualli ku zë fill historia e dhimbshme e arsimit tonë. Gjithsesi një nga ato zona urbanistike që duan dyfish stimulime në investime për të mos firuar fare, pasi e kanë marrë rrugën e zbrazsjes me kohë. Gjeti pikërisht një kryetar i cili me siguri nuk ka asnjë klan droge, a hajdutë votash, një nga ata që nuk të kërcënon publikisht se nuk ka bir kurve që më prek mua. Dhe u indinjua sokoli i Edit. Sikur ta kishte bërë këtë me një nga ata më poshtë, më në kërthizën e vendit. Me një nga ata në Kavajë, Durrës, Vorë, Shkodër etj. Janë të gjithë kryetarë bashkish që rezultuan kontigjent i pastër i drejtësisë. Nuk i shkarkoi kryeministri, përkundrazi i mbron. Madje me atë të Durrësit i bëri karshillëk edhe Amerikës së madhe. Ky i Ersekës është cironkë e hedh në tigan se kujt po i prishet puna. Erseka një copë llapashke periferie është, për më tepër votat i kemi. Ngrije zërin për atë të Durrësit, po nuk e bën. Janë dy arsyet, a) ai u duhet dhe b) të dërrmon ai, e ka thënë publikisht nuk ka bir kurve që të më preki mua. Erseka raki kumbulle bën, ca stafille molle, gliko etj. Kurse Durrësi me kompani kanë arin e bardhë.

Sinqerisht është i neveritshëm ky stil prej figure e bërë pis.

Para pak ditësh kryeministri i Shqipërisë i postonte një futbollisti serb adhurimin antik. Por askush nuk u bë pis nga këta. Megjithëse është jo normale, për shkak të kostumit të institucionit të shqiptarëve, jo të tijit. Atij fakti që një nga motrat tona në Prishtinë e quajti një realitet të pa perceptueshëm nga ne kur vjen fjala në raportet me Serbinë. Mirëpo, këtë nuk e kuptojmë, nuk e dëgjojmë, nuk bëhemi pis. Një kryeministër që adhuron një futbollist i cili më 1999 manifestoi publikisht pro genocidit dhe reprazaljes së ushtrisë serbe karshi popullatës civile shqiptare. Pika shtetarin tonë, atë që që gjoja është indinjuar me një kasetë. Madje ka urdhëruar bajatët ku i ka të ndezim motorët double w kundër ”tradhtisë” së liderit të opozitës, karshi UÇK-ës. Sa bajate! Sa e pandershme. Sa pa profesionale. Thoni që është i mirë kur them unë. Thoni që është i keq kur e them unë. Mister bajat, nëse e do vendin tënd thuaji kryeministrit të dorëhiqet, ta çoj vedin në zgjedhje. Se e keqja e Shqipërisë nuk është kryetari i një bashkie periferike me fonde sa ato të një çerdheje në kryeqytet. Por ai i gjati që u ka futur edhe mbesat e nipojtë në borxh.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, kryetari i Bashkise, Periferike

LUFTA E KLASAVE NË SHËNDETËSINË E VITEVE 80

November 25, 2020 by dgreca

NJË  JETË  NË  DIKTATURË/

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

Shkruan: EUGJEN MERLIKA/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/

NDRE  MJEDA /

LUFTA E KLASAVE NË SHËNDETËSINË E VITEVE 80

Lirimin nga burgu para kohe Komisioni i internimeve e ktheu në shkurt 1984 në internim, pa asnjë farë motivacioni. Një komunikim i thjeshtë i një punonjësi të Degës, në praninë pompoze të kryetares së këshillit dhe të sekretarit të Partisë që vërtetonin aktin “human”, më fuste në një burg të dytë, por pa tela me gjemba. Ishte një modë e re n’atë kohë, një fushatë internimesh me karakter ordiner për të goditur shfaqjet e huaja me rrezikshmëri shoqërore si vjedhja, imoraliteti etj.. Në këtë fushë u përfshiva dhe unë së bashku me shumë të tjerë të liruar nga amnistia. A do të plotësonim numrin e planifikuar nga ministria e punëve të brendshme apo partia dhe shteti e shihnin me keqardhje aktin e tyre “zemërgjerë” të lirimit tonë nga burgu?

Interrnimi në ato vite kishte karakterin e një paraburgimi. Rregulla shumë të rrepta kushtëzonin jetën e përditshme e sillnin vështiresi të mëdha për lëvizjen e nevojat familjare. Të gjithë në shtëpi ishim të internuar e pasojat ndiheshin shumë, sidomos në çështjet e shëndetit. Këtu dua të tregoj  disa episode të dhimbshme. I pari ka lidhje me vajzën time të dytë, Elenën. Në moshën pesë vjeçe asaj iu shfaq një dhimbje e fortë barku që e mundonte pothuajse vazhdimisht. Mjeku i zonës dyshoi për parazitë për muaj të tërë; ajo piu gjithfarë barnash të farmacisë e të mjeksisë popullore, por pa rezultat. Vuajtjet e fëmijës së shkretë, që kalonte herë-herë dhe netë të

tëra pa gjumë në krahët tanë, na shqetësonin pa masë. Duke parë gjendjen e fëmijës dhe rezultatin jo të kënaqshëm të mjekimeve, mjeku vendosi t’a shtrojë atë në spitalin e Lushnjës. Deshëm ta çonim të nesërmen në qytet, e kërkuam lejen përkatëse nga personi që na bënte apelin e që ishte sekretar i këshillit. Por ky person, sigurisht në marrëveshje me Degën e Punëve të Brendshme e manipuloi mjekun deri në atë shkallë, sa që ky i fundit të nesërmen doli me mendimin se fëmija nuk ka nevojë për t’u shtruar në spital. Kjo ndodhte sepse unë nuk kisha të drejtë të shkoja deri në qytet për të çuar fëmijën. Le ta gjykojë vetë lexuesi gjendjen shpirtërore të një prindi në të tilla kushte. Si pasojë e pamundësisë për ta çuar vajzën tek specialistët, asaj iu bë kronike një sëmundje veshkash, të cilën e zbuloi mbas një viti doktor Polikron Çela. Atij mjeku i jam shumë mirënjohës për kujdesin dhe humanizmin e tij të spikatur në kryerjen e detyrës. Para disa kohësh lexova në gazetë se dikush e kishte qëlluar këtë mjek të shquar duke i thyer krahun. Nuk di se kush ka qenë, por jam i bindur se do të jetë shok ideali i atyre që nuk deshën të shërohej fëmija ime, më erdhi shumë keq, diçka më theri në shpirt…

Nëna ime vuan nga një koleksion sëmundjesh; vetë kushtet e jetës së saj e kanë stimuluar shfaqjen e tyre. Në kohën që ishte e internuar në Grabjan është detyruar të shtrohet dy herë në spital, në gradë të fundit, nga veshkat dhe nga zemra. Radhën e parë mjeku nefrolog Fatmir Dabulla e kishte në patronazh. Kisha patur të bëj me të për çështjen e vajzës, ai më kishte rekomanduar vizitën e saj tek Dr.Polikroni në Tiranë dhe herë mbas here e kontrollonte vetë. Nëna ishte me një krizë të rëndë pielonefriti, gati të kalonte në azotemi. Mjeku e vizitoi me kujdes, dërgonte infermieren të bënte analizën e duhur, e pastaj me seriozitet profesional më shpjegoi gjendjen e rëndë të nënës. Nuk kishim ndonjë konfidencë të madhe, ai më mbante mend një çerek shekulli më parë në shkollë, megjithëse kishte qenë disa vjet prapa meje. I shpjegova gjendjen time aktuale, se si nuk kisha mundësi t’i gjendesha nënës pranë, veçse kur të më jepte leje Dega e Punëve të Brendshme për të shkuar në qytet. Nuk reagoi me fjalë, u bë shumë serioz dhe më siguroi se do të përdorte të gjitha mjekimet e duhura e për rreth dy javë do ta stabilizonte gjendjen e saj shëndetësore… Kështu u ndava me të me besim në fjalët e tij. Por mbas rreth dhjetë ditësh më lajmëruan të shkoj të marr nënën. Si ka mundësi të jetë shëruar kaq shpejt? Më jepet leja e shkoj së bashku me një miken tonë që nuk ishte më e interrnuar. Takoj Fatmirin dhe e pyes si qëndron çështja. Ai i vrenjtur në fytyrë shtypet në vetvete e s’është në gjendje të më japë përgjigje. Po unë atë e lexoj vetë në fytyrën e tij, në atë fytyrë që para pak ditësh kishte qenë e mbushur plot besim se do t’ia dilte në krye një pune të tillë të vështirë, shërimit të një njeriu. Tani lexoja në të zhgënjimin, keqardhjen për pacienten, për mua e sigurisht dhe keqardhje për veten e tij… Ai si mjek duhej t’i shikonte ndryshe pacientët e tij, duhej t’u shërbente sipas pozitës shoqërore e politike, sipas përkatësisë “kllasore”, duhej të shkelte mbi nenin e parë të librit të madh të botës së mjekësisë, mbi parimin e Hipokratit “Të jesh mjek, së pari duhet të jesh njeri”. Më dha recetën për gentamicinën, një antibiotik i fuqishëm, të cilin ai kishte filluar t’ia injektonte nënës, por që mbas dy ditësh një tjetër mjek jo i specialitetit kishte dhënë urdhër t’i ndërpritej.

Ç’ishte ky “mjek” apo më mirë të themi kasap që e kishte dhënë urdhrin t’i ndërpritej mjekimi pa dalë nga spitali? Nuk dua t’i përmend emrin, emra të tillë e ndyjnë shkrimin, ata nuk duhet të ekzistojnë as në kujtesën e njerëzve. Ai ishte anëtar i PPSH, ishte shef pavioni, një farë polici i institucionit mjekësor, i shkolluar në sajë të farefisnisë me një zonjë të madhe të regjimit, dhe ishte i ngarkuar në spital të zhvillonte “luftën e klasave” jashtë çdo parimi njerëzor që i njeh dhe të dënuarit me vdekje të drejtën e mjekimit apo shërbimit para ekzekutimit. Çfarë përshtypje do t’i kishte bërë Marksit një fakt i tillë? Kjo shoqëri e projektuar prej tij, për të “ndrequr” padrejtësitë e botës së kapitalit, sa bukur do të përkonte me dukuri të tilla që ilustronin “humanizmin” socialist të saj në prag të vitit 2000!!!

Unë e mora nënën për krahu, me zor e çuam deri tek një makinë që për fat ishte afër spitalit dhe shkonte në Grabian. Më erdhi shumë keq për të që ishte në një gjendje të rëndë, më erdhi shumë keq edhe për veten por m’u dhimbs mjeku. Ai njeri i mirë, që mundohej të kryente detyrën me aq përkushtim e njerëzi ishte i detyruar t’u bindej tekave të një krimineli injorant, të diplomuar në armatën e të paaftëve, por që në sajë të vetëm një triske të kuqe në xhep bënte ligjin. “Socializmi është një luftë ndërmjet të aftëve dhe të paaftëve. Fatkeqësisht në këtë luftë më të shumtën fitojnë të fundit”. Këto fjalë të Ismail Kadaresë u vërtetuan pothuajse në çdo hap të shoqërisë që na rriti e na gjymtoi.

Merret me mend gjëndja shpirtërore e tij, personaliteti i vrarë, dinjiteti i çuar në pikën zero. Në një rast tjetër më vonë ai mjek, ishte qortuar deri në komitetin e partisë, sepse kishte vizituar në Pluk një të sëmurë me azotemi që i kishte ditët e numëruara. Ishte zgjatur pak në këtë vizitë, duke u munduar të kryente detyrën e tij më shumë si njeri se sa si mjek duke i dhënë kurajo pacientes për ta mbajtur të gjallë shpirtërisht me shpresën se shkenca do të bënte mrekullinë e saj. Ishte një vepër tejet humanitare: t’i largonte sadopak imazhin e tmerrshëm të vdekjes një gruaje në moshën dyzetepesë vjeçare që nuk kishte njohur në jetën e saj veçse vuajtje. Për këtë mori vërejtje në komitetin e partisë, sepse kishte shkelur në shtëpinë e të deklasuarve, nuk kishte respektuar kodin famëkeq të ndarjes së klasave. Sa turp, si do të na dënojnë brezat e ardhshëm sepse poshtërsinë dhe antihumanizmin i vumë në institucion e në piedistal…

Por megjithatë Fatmiri nuk u thye; ai vazhdoi t’i shërbejë profesionit të tij, me gjithë vërejtjet, qortimet, padrejtësitë që ndeshi në çdo çap të punës së tij, e kjo vërtetohet në qindra e qindra raste të cilat çdo ditë jeta i vu përpara si prova. Ai më pret mua dhe të tjerë si unë si njerëz, si

gjithë të tjerët, na jep këshillat mjeksore, interesohet për të sëmurët, pavarësisht se dikujt ndofta ende nuk i pëlqen ky qëndrim. Ai ka respekt për vuajtjen, për dhimbjen njerëzore, por jo thjesht si mjek, por dhe si njeri, si qytetar, si shqiptar. Dhëntë Zoti që njerëz të tillë të ketë mjaft, sepse janë kusht i domosdoshëm për ringjalljen shpirtërore të këtij kombi të sëmurë rëndë.

Herën e dytë nënën e çuan në urgjencën e spitalit, gjithmonë me lejen e këshillit popullor me një krizë të rëndë në zemër. Mjeku specialist nuk ishte aty dhe e sëmura qëndroi gjithë ditën pa u shtruar në pavion, e vetëm në mbrëmje, një mjek që e njihja mori përgjegjësinë për ta sistemuar përkohësisht në të. Unë u ktheva natën në këmbë, gjithsej 18 km udhë, mbasi firmosa fletë-lejen në degë, për t’ia dorëzuar këtu personit të ngarkuar me detyrën e policit. Mbas dy ditësh përsëri thirrem për ta nxjerrë nënën nga spitali. Nuk jam mjek, nuk kam njohuri të thella në mjekësi, por besoj se nuk do të kishte mjek në botë që të pranonte të nxirrte nga spitali mbas shtatëdhjetedy orësh një të sëmurë me parainfarkt. Këtu, në këtë proçedurë nuk respektoheshin ligjet e mjekësisë por urdhrat e Sigurimit, që njerëz të molepsur me dogmën e luftës klasore, i përçonin nëpërmjet kanaleve deri në pavionet e spitaleve, për t’u zbatuar nga homologët e tyre me bluza të bardha.

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Analiza Tagged With: E VITEVE 80, Eugjen Merlika, Jete en diktature, LUFTA E KLASAVE, NË SHËNDETËSINË

Vaksina – fillimi i fundit të Pandemisë Covid-19

November 25, 2020 by dgreca

Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik */

Përkundër asaj që ka bërë shkenca, për të zbutur dhe shpjeguar botën tonë biologjike, ka akoma shumë gjëra që mbeten jashtë sferës së njohurive dhe të kuptuarit tonë. Përhapja e korona-virusit që u shfaq në Kinë, gjatë muajve të fundit të vitit 2019, ishte një kujtesë alarmuese, në një farë mënyre, se sa gjëra janë ende të pashpjegueshme për ne dhe për shkencën. Virusi i ri pushtoi nikoqirin e padashur – trupin e njeriut – për t’u përhapur më pas si një zjarr, në të gjithë globin. Edhe kur shkenca filloi të zbulojë shumë prej mistereve të virusit, se si përhapet, si mashtron hyrjen a vetë në qeliza, dhe si vret, një pyetje themelore, se si ta ndalojmë këtë virus, u bë britmë në çdo cep të botës. Gara kundër kohës filloi, ndërsa fati ynë njerëzor varej nga përgjigja në një pyetje kolektive: a mund të krijojmë një vaksinë që do të ndalojë korona-virusin? Më pak se një vit më vonë, ne kemi një përgjigje – një PO të bindshme! Lajmet nga Pfizer dhe Moderna, në Shtetet e Bashkuara, se ata kanë lëshuar veçmas të dhëna paraprake që tregojnë se vaksinat e tyre janë 90-95 për qind efektive, që është shumë më tepër sesa shumë shkencëtarë prisnin, siguroi një arsye për një psherëtimë kolektive lehtësimi, që bota ka pritur.  Ditëve të fundit, AstraZeneca në Britaninë e Madhe ka raportuar se vaksina e tyre mund të jetë efektive deri në 90 për qind. Këtu në Shtetet e Bashkuara, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA), ka filluar të vëzhgojë vaksinat, pasi shpresojmë për rishikim të shpejtë dhe miratim për autorizimin e përdorimit emergjent. Nëse gjithçka shkon sipas planit, miliona doza do të jenë në dispozicion në fillim të dhjetorit.

Mrekulli shkencore e vaksinave të mARN-së

Shpikja e vaksinave kundër një virusi të identifikuar vetëm 10 muaj më parë është një arritje e jashtëzakonshme shkencore. Këto janë vaksinat më të shpejta të zhvilluara ndonjëherë, me një diferencë prej shumë vitesh. Nga praktikisht ditën kur sekuenca gjenetike e një korona-virusi të ri u vu në dispozicion, studiuesit filluan të hartonin vaksina që mund të trajnonin sistemin imunitar, për të njohur virusin dhe për ta shkatërruar atë para se ai të na dëmtojë. Fillimisht, studiuesit kishin nevojë për të identifikuar një pjesë të përshtatshme të virusit për t’u kthyer në një vaksinë, dhe një objektiv premtues ishin proteinat në formë gjembash që dekorojnë lëvozhgën e jashtme të virusit. Të dy, vaksinat, e Pfizer dhe e Moderna, mbështeten në proteinën gjembash, ashtu si edhe disa kandidatë për vaksina që janë ende në zhvillim. Një teknologji e re që përdor lajmëtarin Acid-Ribonukleik (mARN), në vaksinat e tyre ofron një udhë më të që vaksinat konvencionale nuk e kanë. Këto suksese fillestare sugjerojnë që kjo strategji ishte një sukses i madh dhe disa vaksina të tjera Covid-19, së shpejti mund të vihen në disponim.

Këto nuk janë vaksinat konvencionale

Sistemi imunitar i njeriut është i jashtëzakonshëm në fuqinë e tij, por ka nevojë për një ‘trajnim’ për të përgatitur ‘ushtarët’ (antitrupat) tanë, për të na mbrojtur kundër mikroorganizmave pushtuese dhe, shpeshherë, të dëmshëm. Atë detyrë e bëjnë vaksinat. Ato paraqesin një fotografi të armikut (patogjenit) që ia tregon sistemit imunitar, ashtu që ai të njohë virusin e vërtetë, kur jemi të ekspozuar ndaj tij. Tradicionalisht, vaksinat konvencionale e siguruan këtë fotografi në formën e një virusi të dobësuar ose të një pa-aktivizuar ose të një pjese (molekule) të veçantë nga virusi. Por për këto qasje kërkohej që hulumtuesit e vaksinave të prodhonin dhe të rritnin viruse ose molekula të tyre, gjë që merr shumë kohë, shpeshherë shumë vite. Siç e dimë, kur korona-virusi na infekton, ai rrëmben makineritë tona qelizore, duke i kthyer qelizat tona në fabrika që prodhojnë miliona dhe miliarda viruse infektive. Vaksina mARN e kthen këtë dobësi në një avantazh. Në fakt, ato “mashtrojnë” qelizat tona duke e bërë vetëm një pjesë të padëmshme, edhe pse shumë të njohur, të një proteine ​​virale, e cila gjendet në gjembat e korona-virusit. Bazuar në udhëzimet e koduara që mARN dërgon, qelizat tona fillojnë të bëjnë atë proteinë të saktë, duke imituar hapat e infeksionit më mirë se disa vaksina konvencionale. Proteinat gjemba të sapo prodhuara tani do të qarkullojnë në sistemin tonë dhe do të kenë përgatit trupin tonë për të prodhuar antitrupa, veçanërisht kundër asaj proteine. Kurë expozohemi, dhe një virus po me ato gjemba, i bërë nga e njëjta proteinë të na pushtojë, trupi ynë do të jetë gati për të një përgjigje imune që do të ndalojë virusin të vdekur në gjurmët e tij!

Dritë në fund të tunelit

Lajmi i shkëlqyeshëm për vaksinën në vetvete nuk mund të ngadalësojë trajektoren e rrezikshme të shtrimeve në spital nga Covid-19, që pritet të vazhdojnë këtë vjeshtë dhe në muajt e ftohtë të dimrit, ose shpëtojmë shumë njerëz që mund të vdesin. Por kjo na jep shpresë se pandemia do të marrë fund. Çdo infeksion që ne parandalojmë tani – përmes përdorimit të maskave dhe distancës sociale – është një infeksion që, përfundimisht, mund të parandalohet përgjithmonë, përmes vaksinave të sigurta dhe efektive. Qëllimi tani nuk është më që të mësojmë të jetojmë me virusin. Qëllimi është që sa më pak njerëz të bëhen të sëmurë dhe mbajtja e niveleve sa më të ulët, të mundshëm,  të infeksioneve, sepse, pasi të kemi vaksinën në dorë, kjo do të na lejojë të kontrollojmë përfundimisht virusin. Planet janë që gjatë muajit dhjetor të fillohet me fazën e pare të vaksinimit të miliona njerëzve, duke përfshirë ata që janë në vijat e para të pandemisë, në spitale dhe institucione të mbrojtjes të shëndetit, dhe më pas, ata që janë në kategori me rrezik më të lartë. Në fazën e dytë, do bëhet vaksinimi i popullsisë më të gjerë, dhe deri në pranverë, ne do të prodhojmë imunitetin e ‘tufës’ që na nevojitet, kështu që në fillim të verës ne do të fillojmë të shohim fundin e kësaj pandemie globale, njëherë e përgjithmonë!

* Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës -VATRA

Filed Under: Opinion Tagged With: - fillimi i fundit, dr. Pashko Camaj, të Pandemisë, Vaksina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 296
  • 297
  • 298
  • 299
  • 300
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT