Përgjigjja e kandidatit republikan për t’u nominuar në Presidencialet e 2016-s në SHBA, Donald Trump, kundrejt deklaratave të ashpra të ish-kandidatit për President, Mitt Romney, që e quajti atë “hipokrit dhe mashtrues”, nuk ka vonuar.
Edhe pse doli krah për krah me guvernatorin e Maine, Paul LePage, teksa ndalonte për fushatë në Portland këtë të enjte, fjalimi i Trumpit u ndërpre disa herë që në fillim prej protestuesve. Megjithatë, Trump nuk vonoi të kthente vëmendjen te tema e ditës: fjalimi i Romneyt. Një fjalim në të cilin, dy herë kandidati presidencial tha se “teatri i gradës së tretë” i Trumpit nuk vlen për Presidencën amerikane.
Trump e kritikoi ashpër mbështetësin e dikurshëm të tij, i cili – sipas manjatit të pasurive të paluajtshme, – i lutej dikur për të marrë miratimin e miliarderit.
“Kur më kërkoi miratimin, mund t’i kisha thënë ‘Mitt, ulu në gjunjë’ dhe padyshim që do ta kishte bërë menjëherë”, tha Trump. Më tej ai shtoi: “Mitt është një kandidat i dështuar. Ai dështoi dhe dështoi tmerrshëm madje”.
Megjithatë, Mitt Romney është një “artist asfiksues”, sipas Trump. “Ajo ishte një garë dhe unë duhej t’i thosha popullit se gara duhej fituar”.
Romney, nga ana e tij tha se, nëse Trumpi do të fliste me të njëjtin ton dhe me të njëjtën përmbajtje si tani, edhe në vitin 2012, ish-kandidati për president nuk do ta kishte pranuar kurrë miratimin e manjatit.
Edhe në fund të fjalimit, Trump iu rikthye asaj që e quajti si “kthesë” e Romneyt kundër tij.
“Askush nuk mund të ishte më i rrezikshëm sesa unë, në nxjerrjen e artistit asfiksues jashtë kandidimit”, tha miliarderi, duke ia faturuar vetes së tij meritat e mbajtjes së Romneyt jashtë garës presidenciale të 2016-s, për nominimin republikan.
Romney: Trump hipokrit, nuk është i përshtatshëm për president
I nominuari republikan i vitit 2012 për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mitt Romney tha sot se Donald Trump nuk është i përshtatshëm që të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.“Donald Trump është një hipokrit dhe mashtrues”, ka thënë Romney për kandidatin favorit të partisë së tij, duke shtuar se Trump nuk e ka as temperamentin e as gjykimin e duhur që të bëhet president.Më tutje ai e quajti Trumpin lakmitar, të pasinqertë dhe ngacmues.Këto deklarata të tij janë të pazakonta, pasi ai vjen nga Partia Republikane e cila thirret në frazën e njohur të Ronald Reganit se “Askush nuk duhet të flasë keq për bashkëpartiakun e tij republikan.”
Me akuza të forta nga fillimi e deri në fund ndaj Trumpit, Romney u bëri thirrje republikanëve ta refuzojnë kandidaturën e biznesmenit miliarder, në zgjedhjet që – sipas tij, – do të kenë pasoja të thella për Partinë Republikane dhe, mbi të gjitha, për vendin.
“Donald Trump është një njeri hipokrit, mashtrues”, tha Romney në fjalimin e mëngjesit të së enjtes në Institutin “Hinckley” të Politikës në Universitetin e Utah. “Premtimet e tij janë po aq të pavlefshme, sa një diplomë e Universitetit Trump. Ai po e konsideron publikun amerikan si persona të lehtë për t’u manipuluar. Me këtë ai synon të shtrojë rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë, ndërsa ajo që fitojmë ne është një kapelë e mbushur me morra”.
Romney, kandidat i republikanëve në zgjedhjet presidenciale të 2012-s, fillimisht njoftoi se do të garonte sërish, përpara se të shpallte në janar tërheqjen përfundimtare. Fjalimi i tij në Utah, ku ka edhe një shtëpi banimi, vjen në rrethana kritike për Partinë Republikane, teksa marshimi i Trumpit drejt nominimit ka ndezur alarmin mes udhëheqësve konservatorë, të cilët kanë frikë se ai do t’i humbasë zgjedhjet e përgjithshme dhe do të nxijë “markën” e partisë për një gjeneratë të tërë.
“E kuptoj irritimin që ndiejnë amerikanët sot, – tha Romney. – Në të kaluarën, presidentët tanë kanë ditur si ta kanalizojnë irritimin dhe ta farkëtojnë atë në vendosmëri, në durim, në prioritete dhe në dëshirën për të mposhtur armiqtë e lirisë. Irritimi ynë është transformuar në energji për të prodhuar të mira. Trump po e drejton irritimin tonë jo për qëllime fisnike”.
Romney ende nuk e ka shpallur zyrtarisht se cilin kandidat mbështet në garën presidenciale të 2016-s, ndërsa ndihmësit e tij thanë të mërkurën se nuk pritet ta bëjë këtë gjë në të ardhmen e afërt. Megjithatë, ai ka ruajtur lidhjet me dy kandidatë të tjerë, senatorin Marco Rubio të Floridës dhe guvernatorin e Ohios, John Kasich.
Sa u pëket kandidatëve të tjerë mes republikanëve, Romney tha: “Të vetmet propozime serioze politike, të cilat përballojnë gamën e gjerë të sfidave kombëtare me të cilat përballemi, vijnë nga Ted Cruz, Marco Rubio dhe John Kasich”. Në fjalimin e tij pati kohë edhe për kampin rival demokrat. “Një person i pabesueshëm dhe jo i ndershëm si Hillary Clinton nuk duhet të bëhet President i SHBA. Sigurisht, nëse nominohet Trump nga republikanët, thuajse i kemi dhuruar fitoren ”.
572 vjetori i Beslidhjes në Lezhë, thirrje për bashkim e bashkëpunim
Nga Ahmet ZANI/
Lezha ka përkujtuar 572-vjetorin e Besëlidhjes së princave shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut. Autoritete vendore, pëfaqsues të besimeve fetare dhe zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi iu bashkuan aktivitete të organizuara me këtë rast nga Bashkia e Lezhës. Ngritja e flamurit nga kryebashkiku Fran Frrokaj në memorialin kushtuar 2 marsit të vitit 1444 ka hapur edhe siparin e aktiviteteve. Ndërsa kanë patur mundësinë e fjales së tyre, politikanet e pranishem në Lezhë apelojne për unifikim të qendrimeve në shërbim të kombit Shqiptar. “Jemi pas 572 vitesh dhe ne duhet ti thërrasim të gjithë politikes Shqiptare dhe njëri tjterit kudo që jemi. Duhet të bashkëpunojmë dhe të bashkëqëversim Lezhën dhe Shqipërinë, pasi ky është vendi. Duhet të jemi larg politikes dhe të punojmë të gjithë për të miren e vendit tonë, pasi shqipëria është e të gjithëve” u shpreh Fran Frrokaj Kryetar i Bashkisë Lezhë Në të njejten linjë me kryebashkiakun e Lezhës ka qenë edhe zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi i cili ka përsëritur thirrjen për bashkim në të mirë të vendit tonë. “Kjo ditë është një ngjarje politike mjaft e rëndësihme që ka një mesazh edhe në ditet e sotme. Mesazhi është i qartë që për çështje me rëndësi kombëtare shqiptarët duhet të bashkohen pa dallim feje, krahine dhe ideje. Shembulli Skëndërbejan duhet të na ndjeke dhe të na udhëheqe edhe sot sidomos në lidërshipin politik por edhe në të tjerë faktor që kanë impakt në shoqërinë tonë” tha Petro Koçi Zvendësminister i Mbrojtjes. Aktivitet në nderim të kësaj ditë të shënuar për mbarë kombin shqiptar kanë vijuar me veprimtari artistike nga nxënësit e shkolles “Besëlidhja” dhe qendra kulturore e fëmijëve në këtë qytet. I pranishëm edhe deputeti “kauboji”.
Mustafa: USAID-i, rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës
Prishtinë, 3 mars 2016 -Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të enjten në takim ndihmës administratorin e USAID-it për Evropë dhe Euroazi, Thomas Melia, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.Në takim ishte i pranishëm dhe ambasadori i SHBA-ve Greg Delawie dhe drejtori i Misionit të USAID-t në Kosovë, James Hope.Kryeministri Isa Mustafa theksoi progresin e arritur në Kosovë, me përkrahje të fuqishme të USAID-it në zhvillimin ekonomik, ndërtimin e institucioneve demokratike, sundimin e rendit dhe ligjit dhe fusha të tjera.Duke folur për prioritetet e mëtejme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Mustafa veçoi fokusimin në fuqizimin e sektorit të energjisë, hapjen e vendeve të punës për gratë dhe të rinjtë.Duke shprehur mirënjohje të thellë për përkrahjen e pazëvendësueshme të SHBA-ve dhe të USAID-t, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e plotë për avancimin e mëtejmë të partneritetit dhe bashkëpunimit.Ndihmës administratori i USAID-it për Evropë dhe Euroazi, Thomas Melia, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkushtimin e USAID-it për vazhdimin e përkrahjes dhe avancimin e progresit.Ndihmës administratori Melia, po ashtu, tha se USAID-i do të mbetet i fokusuar për të ndihmuar Kosovën në zhvillimin ekonomik, duke qenë partneri më i mirë i Kosovës në këto procese.Gjatë takimit, është biseduar edhe për projektet konkrete të mbështetura nga USAID-i, të cilat po japin rezultate konkrete në zhvillimin e Kosovës si dhe përkrahjen e USAID-it për Kosovën në kuadër të MCC-së.