• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Femrat dhe rekrutimi ushtarak në SHBA

February 18, 2016 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/

Shtetet e Bashkuara nuk kanë patur rekrutim ushtarak të shërbimit të detyrueshëm që nga viti 1973, por të gjithë meshkujt e moshës 18 deri 25 vjeç, duhet të regjistrohen në Sistemin e Shërbimit Selektiv tek Agjencia që merret me rekrutimin në raste urgjente. Së shpejti, edhe femrave mund t’u kërkohet të regjistrohen në ushtri. Komandantë të lartë të këmbësorisë dhe marinës raportuan kohët e fundit në Senat, ku thanë se edhe femrat duhen të regjistrohen në ushtri. Ndërkohë Kongresit i është dërguar një projektligj, i cili kërkon që femrat, të cilat plotësojnë kushtet, të regjistrohen për t’u rekrutuar në ushtri. Kjo çështje ka shkaktuar mosmarrëveshje: Më tepër se 200 mijë femra janë aktualisht në shërbim aktiv ushtarak. Vitin e kaluar Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter njoftoi se femrat tani mund të shërbejnë në të gjitha rolet luftarake. Që nga viti 2001, rreth 150 femra ushtarake janë vrarë në krye të detyrës në konflikte, kryesisht nga pajisje shpërthyese, ose nga rrëzimi i avionit. Tani, komandantë të lartë ushtarakë janë duke i bërë thirrje të gjitha femrave të moshës 18 deri 25 vjeçare të regjistohen për t’u rekrutuar në ushtri. Ruth Ben-Ghiat jep mësim lëndën e historisë së ushtrisë në Universitetin e Nju Jorkut. “Projekti reflekton pjesërisht se ku po shkojmë ne si shoqëri përmes një integrimi të plotë në aspektin gjinor të forcave të armatosura. Unë po ashtu mendoj se kjo është pjesë e ngushtimit të hendekut mes ushtarakëve dhe civilëve. Kështu, në se femrat duan të drejta të barabarta, tani do t’i kemi ato.” Por së pari, projektligji duhet të miratohet nga Kongresi. Shumica e kandidatëve politikë të këtij viti thonë se nuk janë kundër tij, me përjashtim të kandidatit republikan Ted Cruz: “Ideja se qeveria federale do t’i rekrutonte me forcë vajzat tona dhe do t’u jepte role luftarake, si psh në pozicione zjarri, për të luftuar me xhihadistët, kjo nuk është diçka normale.” tha zoti Kruz. Edhe femrat e reja aktiviste janë bërë pjesë e nismës për t’u rekrutuar në ushtri. Studentja Elizabeth Kyle-LaBell në vitin 2013 ngriti padi për diskriminim ndaj Sistemit të Shërbimit Selektiv. “Në se është e pamoralshme që femrat të luftojnë si burrat, atëhere nuk duhet të luftojnë as burrat, pra nuk duhet të kemi ushtri. Femrat janë të afta të bëjnë gjithshka që mund të bëjnë burrat.” Kjo është qendra e famshme e rekrutimit në Shtetet e Bashkuara, në Times Square të Nju Jorkut. Shumica e vullnetarëve vijnë këtu pa caktuar më parë takim, shumë prej tyre femra. Këto të tra vajza do të fillojnë së shpejti shërbimin: “Gra të tjera janë përpjekur më parë për të arritur këtu ku jemi, meqëllimqë ne të kemi mundësinë të shkojmë në ushtri; në se do të rekrutohemi, do të jemi gati për t’u bërë pjesë e forcave të armatosura, për të mbrojtur vendin tonë.” thotë Emily. “Mendoj se është një ide e shkëlqyer”, – shton Nicole.  “Gratë kanë të njëjtin kapacitet mendor dhe fizik si edhe burrat, për të luftuar për vendin tonë.” Por…​“Unë kam një mendim tjetër: burrat dhe gratë duhet të kenë mundësi të njëjta, por shërbimi ushtarak nuk duhet t’u kërkohet grave me detyrim”, thotë Danielle. Mbetet që të bëhen anketa lidhur me reagimin që do të kenë gratë e rekrutuara në ushtri. NOW, Organizata Kombëtare e Grave, që në vitin 1980 ishte kundër një projekligji për këtë çështje, por tani në se do të ketë një rekrutim të organizuar, ajo mbështet përfshirjen e grave mbi të njëjtat baza si edhe burrat.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Femrat dhe, ne SHBA, rekrutimi ushtarak, Shefqet Kercelli

Kosovë-Festa te Newborn

February 18, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli-Behlul Jashari: Te Newborn, në Prishtinë, 17 Shkurt 2016/

-Pas festimeve në ditë pranvere në dimër, reshje shiu dhe rënie temperaturash/

 PRISHTINË, 18 Shkurt 2016/ Gjatë gjithë ditës së djeshme, të 17 Shkurtit, të festimeve të 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, tradicionalisht edhe rreth simbolit të shtetit të ri evropian Newborn, në Prishtinë ishte pranverë në dimër. Festimet në Prishtinë dhe qytete tjera të Kosovës kanë vazhduar deri natën vonë. Në Kosovë sot nisin reshje shiu, pas ditëve pranverore me temperature deri 19 gradë celcius, siç parashikonte Instituti Hidrometeorologjik. Rigat e para të shiut të ditës së sotme në keyeqytet nisën në mëngjes.“Nga dita e enjëte do të ketë vranësira të dendura, pasdite  vende-vende reshje shiu, të cilat do të vazhdojnë edhe të premten. Era do ta ndërroj kahun nga jugperendimi në drejtim të veriut dhe verilindjes dhe do ndikojë edhe në uljen e temperaturave”, theksohet në parashikimin e motit./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Kosovë-Festa, te Newborn

SEJDIU: NE NUK KEMI FRIKË NGA E ARDHMJA

February 18, 2016 by dgreca

Foto: Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në 17 Shkurt 2008 pak para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, me drejtorin e përgjithshëm të ATSH në atë kohë, Artur Kopani, dhe korrespondentin në Kosovë, Behlul Jashari/

 17 Shkurt 2008: PRESIDENTI SEJDIU: NE NUK KEMI FRIKË NGA E ARDHMJA/

-Presidenti i Republikës së Kosovës flet ekskluzivisht për ATSH-në pak minuta para se Kuvendi të miratonte shpalljen e pavarësisë-/

PRISHTINË, 17 Shkurt/ATSH-Artur Kopani/- Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një intervistë ekskluzive dhënë për ATSH-në, pak para se 109 deputetë të pranishëm në Kuvend të votonin në unanimitet shpalljen e pavarësisë së shtetit të ri të Kosovës, deklaroi se “ne nuk kemi frikë nga e ardhmja”./

Zoti President, faleminderit që na pritet në këtë orë historike për Kosovën dhe pranuat intervistën me Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Fillimisht, si po ecet me axhendën e Pavarësisë së Kosovës?

Presidenti Fatmir Sejdiu: Janë bërë të gjitha përgatitjet institucionale dhe pak me parë mbaruam një seancë të kryesisë së parlamentit, ku ishin dhe shefat e grupeve parlamentare. Ishte një iniciativë e përbashkët e imja dhe e Kryeministrit Thaçi që të thirret seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit. Ishte miratim i rendit të ditës që e kishim propozuar si ide dhe do të procedojmë më vonë me seancën solemne që do të jetë seancë historike për Kosovën, që natyrisht ndan një kufi shumë të qartë me të kaluarën që ka qenë e dhimbshme, e vështirësive të shumta dhe hapjes së një kapitulli të ri të zhvillimit tonë dhe ecjes së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, të mbështetjes së Kosovës edhe nga miqtë e saj të mëdhenj që ka patur në këtë proces të madh që kemi kapërcyer për të përmbushur ambicjen tonë dhe natyrisht udhëtimin tonë suksesshëm, besoj me qasje të përbashkëta dhe ndihmë po kështu drejt procesit të integrimeve euroatlantike. Ajo është po ashtu synimi jonë që Kosova, bashkë me vendet e tjera të rajonit, shumë shpejt të jetë në kulmin e këtyre integrimeve.

A keni marrë një konfirmim sa vende do të jenë në valën  e parë që do ta njohin pavarësinë e Kosovës?

Unë them se do të jenë shumë vende. Unë që mbrëmë edhe sot kam punuar gjithë ditën që të bëjë letrat me nënshkrimet, ku do t’ju adresoj shteteve, udhëheqësve të shteteve, të qeverive të tyre, në një pjesë të nënshkruara bashkë me Kryeministrin Thaçi, po një pjesë nga unë, natyrisht sipas protokolleve që duhet respektuar. Dhe, mendoj se do të jetë një fluks i madh pozitiv i vendeve që do të na mbështesin. Eshtë shumë e rëndësishme që do të jenë në radhë të parë gjithë këto vende që kanë qenë prijetare në proceset e mëdha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kyçe të Bashkimit Evropian. Po edhe shumë vende të botës demokratike s’do të mungojnë në këtë qasje dhe kujtoj ndonjë prej vendeve që ka pasur ndonjë hezitim të deritashëm do të jetë në kuadër të kompozicionit të përbashkët. Vlerësoj shumë lart rolin e Shqipërisë për pavarësinë e Kosovës

     A jeni në kontakt me autoritetet shqiptare dhe çfarë ndihme po ju ofrojnë ata në këto momente?

      Këto janë kontakte shumë korrekte, shumë të thella. Unë dëshiroj edhe një herë të vlerësoj shumë lart qasjen që ka patur Shqipëria, institucionet e saj, presidenti, kryeministri, parlamenti, pozitë dhe opozitë dhe në të gjitha kohërat. Që nga koha kur Kosova ka hyrë në një rrugë dinamike të zhvillimeve, që nga fundi i viteve ’80 të një procesi institucional, por edhe të rezistencës. Dhe mendoj një përkujdes i natyrshëm për të dhënë ndihma të veçanta edhe në rrjetin diplomatik, për të ndihmuar çështjen e Kosovës, për të arsyetuar ato argumenta që i kemi shtruar dhe janë të natyrshme, që janë pasqyruar gjithashtu edhe nga rrjeti diplomatik, por edhe në mënyra të tjera me angazhimet e drejtëpërdrejta që ka patur qoftë përmes kryeministrit, presidentit, kryetarit të parlamentit, si edhe drejtuesve të tjerë në pozitë dhe opozitë, përmes rezolutave të rëndësishme që ka mirtatuar Kuvendi i Shqipërisë.

      Çfarë dimensioni ka për ju pavarësia e Kosovës, parë në rrafshin kombëtar?

Unë mendoj se është përmbushje e një ambicje të madhe që shqiptarët në Kosovë, si shumicë, të jetojnë të lirë, të kenë respekt ndaj pakicave që i kemi brenda, si një larmi etnike. Është shumë e rëndësishme se ne do të shpejtojmë hapin tonë në ndihmë reciproke për të ecur në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe NATO, për të dhënë një shembull të jashtëzakonshëm të asaj që shquhet në identitetin tonë, të respektit të të drejtave dhe lirive njerëzore, të raporteve të mira që duhet t’i kemi me fqinjët, po ashtu edhe në një ndihmë të mirë të përvojave që kanë kapërcyer Shqipëria, por edhe vendet e tjera të rajonit për të shpejtuar edhe Kosova hapin e saj drejt integrimit dhe zhvillimit.
Prandaj unë me këtë rast dëshiroj të përgëzoj njëherësh të gjithë mbështetësit e Kosovës, gjithë Shqipërinë, që ka qenë në të gjitha kohërat ndihmë e veçantë për ecjen tonë, që është edhe ambicja e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për të patur këtë ditë për Kosovën dhe të bëhet gjithashtu edhe pjesë e përkushtimit edhe e vendeve të tjera që nuk na janë ndarë edhe në kohët më të vështira.

A ka Presidenti i Kosovës ndonjë frikë sot?

      Jo unë kam një gërshet emocionesh, siç është tek çdo qytetar i Kosovës në këtë ditë historike. Ne nuk kemi frikë nga e ardhmja. Kemi punuar për të hyrë në këtë kapitull të jetës. Të gjithë sëbashku kemi një krenari të veçuar për të mbajtur me nderim edhe në vertikale ecjen tonë, dhe po ashtu një respekt të vecantë për të gjithë ata njerëz që kanë sakrifikuar veten e tyre për Kosovën, edhe në luftën e armatosur, edhe në lëvizjen e fuqishme politike, që është bërë  dhe ka qenë një kombinim i mirë në ecjen në kohë të vështira, në orët e liga që kemi patur.
Natyrisht dua të çmoj në veçanti këtë pjekuri, këtë maturi, durim dhe kulturë politike dhe shtetformuese që kanë qytetarët e Kosovës. Ndaj, kjo na bën të fortë, na bën që të besojmë në perspektivën tonë, kjo na bën që të reflektojmë me urti edhe me serbët dhe komunitetet e tjera që i kemi në Kosovë, si edhe për ata që mund të kenë një drojë të veçantë rreth këtyre proceseve në këtë kapitull të ri ku po hyjmë. Kosova do të jetë e qytetarëve të saj. Kosova do të shprehë identitetin e vet shtetëror në këtë ecje të suksesshme në trendet e reja që do të ecë dhe shansin e madh e ka. Nga kjo ditë do të jetë një Kosovë e bekuar. Flas edhe në kuptimin ndërkombëtar, sepse vetë populli i Kosovës e ka bekuar me vullnetin e vet të lirë.

Në këtë ditë mungojnë shumë nga ata që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën. Mungon Ibrahim Rugova dhe luftëtarë të shumtë që kanë dhënë edhe jetën e tyre?

      Janë të shumtë ata që mungojnë. Na mungon Presidenti Rugova, na mungon Adem Jashari, gjithë plejada e luftëtarëve të lirisë, që siç thashë edhe më herët, kanë patur një gërshet të fuqishëm të ambicjes politike, për ecjen politike, por edhe të rezistencës, për të qëndruar në kohët e vështira që kemi patur. Gjithashtu na mungojnë edhe shumë e shumë breza që kanë dhënë edhe veten e tyre për Kosovën. Ideja e pavarësisë dhe lirisë së Kosovës nuk ka qenë asnjëherë ide e tëhujësuar, apo jashtë genit, jashtë shpirtit, jashtë idesë themelore të artikuluar, që ka patur një kontinuitet për të patur këtë ditë. Pra, një kontinuitet të organizimeve politike. Ka shumë njerëz që kanë shkuar me syçelë për të parë Kosovën e lirë. Eshtë fat i kësaj gjenerate, pavarësisht moshës, fati i këtyre njerëzve që ta gëzojnë këtë që mbështetet në tabanin e gjithë kësaj të kaluare të lavdishme dhe njëkohësisht që të japë një garanci për të patur një Kosovë të mirë, një Kosovë europiane, një Kosovë që vjen në djepin e vet, pjesë e civilizimit antik të një Dardanie që ka qenë thellësisht e njohur me vlerat e saj. Dhe kjo gjakon në ecjen tonë, në shpirtin tonë.

Rreth muajit qershor është lajmëruar mbajtja e një konference ndërkombëtare të donatorëve. A janë të përgatitura institucionet e Kosovës për të prezantuar projektet e tyre të zhvillimit dhe për të orientuar mbështetjen financiare ndërkombëtare?

Ka një projekt që është bërë më parë nga qeveria paraardhëse. Mendoj se në kontinuitet është marrë hapi që të përfundohet me ekipin aktual të qeverisjes së Kosovës, në një bashkëpunim shumë të thellë me Bankën Botërore dhe me mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë. Ne mendojmë se do të jetë një përkushtim i veçantë i vendeve në këtë konferencë për të ndihmuar me një inxheksion të parë Kosovën, por në të njëjtën kohë e kemi thënë se do të jemi të përkushtuar që këto mjete, këto para që do t’i jepen Kosovës nuk do të harxhohen kot së koti, por do të jenë mjete që do të investohen në projekte kapitale për të nxjerrë ciklin e rëndësishëm të zhvillimeve tona. Prandaj ne e besojmë këtë konferencë, e besojmë ndihmën e shumë vendeve që edhe ashtu Kosovës i janë gjendur pranë, pa ndërpreje ne projekte të shumta.
Po ashtu, besojmë se do të kemi edhe shumë qasje të tjera paralele, se Kosova do të ketë një mundësi shumë më të madhe të operimit të saj, si vend i njohur ndërkombëtarisht, që të hyjë në fondacione monetare ndërkombëtare, që të hapë portën e investimeve të guximshme dhe me garanci në Kosovë për investitorët e huaj dhe për diasporën shqiptare, që të jetë shfytëzuese me prioritet e pasurive të shumta që i ka falë zoti. Një basen, apo shumë basene të pashtershme të mineraleve që i ka, të një toke të plleshme dhe të bukur, në kuptimin e bonitetit të saj, sepse nevojiten investime për teknologji moderne për të pasur artikujt ushqimorë të industrisë ushqimore, të agrikulturave që Kosova mund t’i ketë brenda vetvetes dhe të gjejë një shtrat të fuqishëm të veprimit dhe të inkorporimit të kësaj popullsie të re që është një begati e jona. Ne kemi rreth 60 përqind të popullsisë të Kosovës nën moshën 30 vjeçare. Ata njerëz kërkojnë punë, sepse ka një shkallë të papunësisë mbi 40 përqind. Ata njerëz duhet ta kenë shansin e vet.

Ndërkohë që Serbia ka paralajmëruar një bllokadë, a mendoni se Kosova është pak e vonuar në investimet për rrugën Prishtinë-Morinë, ndërsa qeveria e Tiranës ka angazhuar shumë fonde dhe mjete për të ndërtuar këtë rrugë në një kohë rekord?

      Unë mund të them se nuk mund të ketë bllokadë ndaj shtetit të Kosovës. Mund të ketë në kuptimin e një presioni politik, sepse fundja edhe ata që duan të bëjnë bllokadë, sigurisht bëjnë bllokadë edhe ndaj vetvetes.
Së dyti, ne kemi një raport ekzistues, të shkëlqyeshëm të marrëdhënieve të mira me Maqedoninë, me Shqipërinë dhe Malin e Zi, por edhe me vendet e tjera të rajonit dhe do të lëvizim fuqishëm.
Së treti, që është shumë e rëndësishme, mendoj se rruga ka marrë kahun e vet dinamik të përfundimit. Ne na kujtohet Presidenti Rugova kur ka pas dhënë idenë e parë, që të ringjallim këtë rrugë të komunitetit, prej antikitetit, dhe të marrë fuqinë e vet të investimeve dhe është shumë mirë që qeveria shqiptare ka bërë këto veprime kaq të rëndësishme, që kushtojnë, por që nuk kanë aspak peshën e asaj dobie të madhe që do të ketë bota shqiptare, që do të ketë Shqipëria, që do të ketë Kosova me komunkime të tilla. Mendoj se nga ana e Kosovës do të punohet shumë shpejt. Është një rrugë që megjithatë mund të lëvizet mirë, sepse nuk ka ndonjë problematikë të posaçme, sepse është rrugë e kalueshme, që nuk ka probleme të mëdha për të investuar, për të patur magjistralen e re dhe do të bëhet shumë shpejt.

Shumë faleminderit, zoti President dhe urime!

Ju përshëndes dhe urime edhe ju!/klod/s.s./

Filed Under: Interviste Tagged With: 17 Shkurt 2008: PRESIDENTI SEJDIU:, Behlul Jashari, NE NUK KEMI FRIKË, NGA E ARDHMJA

Kryeministrat e Greqisë bashkëpunëtorë të nazistëve,Shqiptarët e Çamërisë, të vetmit që u masakruan

February 18, 2016 by dgreca

Shkruan: Arben LLALLA*/

Shqiptarët e Çamërisë ishin të vetmit që u masakruan, u përdhunuan, ju rrëmbye pasuria, u përzunë nga shtëpitë e tyre nën akuzën se ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve. Kjo akuzë kolektive për herë të parë në historinë e re të botës i ndodh një populli që të përbuzet kaq rëndë vetëm e vetëm se disa individë që i përkisnin etnisë së saj ishin spiunë apo bashkëpunëtorë të pushtuesit paqësor të Greqisë. Gjermanët u pritën me paqe dhe nderime nga politikanët, kisha greke dhe populli i saj. Pra, gjermanët mund të quhen me të drejtë pushtues paqësor të Greqisë. Me gjermanët bashkëpunuan mijëra grekë, vlleh, sllavo-maqedonas, bullgarë, romë, etj., shtetas të Greqisë, por familjet e këtyre bashkëpunëtorëve nuk u dënuan asnjëherë, nuk ju sekuestrua pasuria, por nga familjet e bashkëpunëtorëve të gjermanëve dolën kryeministra, ministra, deputet, figura të shquara të jetës shoqërore të Greqisë pa u persekutuar asnjëherë.

Më poshtë do sjellim fakte që bashkëpunëtorët e gjermanëve u bënë deputet, ministra, kryeministra dhe kryetar shteti të Greqisë të pas viteve 1945. Lista e politikanëve grek që rrjedhin nga familje që kanë qenë bashkëpunëtor të italianëve dhe gjermanëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore mund të jetë edhe më e madhe, por ne po sjellim emrat e disave që janë botuar në gazetar, revistat dhe librat e autorëve grek.

Bashkëpunim me gjermanët ka patur Gjeorgjio Merkuri, kryetari i partisë Nacional Socialiste Greke, i cili është gjyshi i ish-ministres dhe deputetes së ndjerë Melina Merkuri.

Gjeorgjio Simitis është babai i ish-kryeministrit të Greqisë Kosta Gjeorgjios Simitis, 1996-2004, ministër 1985-1990. Gjeorgjio Simitis gjatë kohës së pushtimit gjerman u emëruar Sekretar i Përgjithshëm i Bankave të Greqisë, një post i lartë shtetëror. Por në vitin 1944, Gjeorgjio Simitis duke nuhatur se gjermanët po e humbnin luftën ju bashkua në male grupeve të rezistencës. Ai u akuzua për zhdukjen e 8.000 paund që kishin dërguar aleatët si ndihmë.

Konstandin G. Karamanlis (1907-1998), ishte një nga politikanët e njohur të Greqisë. Sipas disa dokumentet e fundit të botuar del se ai ka qenë bashkëpunëtor i gjermanëve në Selanik gjatë periudhës 1941-1945. Në dokumentin e CIA-as, 16 shtator 1962, thuhet se emri i Konstandin Karmanlis është i përfshirë në listat e bashkëpunëtorëve të gjermanëve të Merten për përzënien e hebrenjve.

Pas pak kohësh pritet të dali në qarkullim libri i Mitch Fatouros, një greko-amerikan i cili do sjelli të dhëna nga dokumentet e CIA-as, fotografi për bashkëpunimin e Konstandin Karamanlisit me pseudonimin “Kryepeshkopi”.

Gjatë periudhës së pushtim gjerman Konstandin Kramanlis shoqëroje me një femër e quajtur Lili Mak me origjinë ruse e cila ishte agjende e Gestapos gjermane. Në vitin 1942 italianët e arrestojnë Lili Mak dhe gjyqi e dënon me burg, por me ndërhyrjen e gjermanëve ajo u liriu. Në vitin 1946 Lili Mak bashkë me nënën e saj Elenin dolën përpara gjykatës greke në Athinë me akuzën si bashkëpunëtor të gjermanëve. Ato u mbrojtën në gjyq nga avokati dhe deputeti Konstandin Karamanlis i cili e fitoj gjyqin dhe nuk u dënuan.

Konstandin G. Karamanlisi që nga viti 1946 ka qenë deputet, ministër dhe katër herë kryeministër i Greqisë nga viti 1955-1963, 1974-1980. Në vitin 1980-1985, ishte Kryetar i Republikës Demokratike të Greqisë, gjithashtu edhe më 1990-1995 ishte Kryetar i Greqisë.

Konstandin Karamalisi është xhaxhai i ish-kryetarit të partisë Demokracia e Re, Kosta Aleksandër Karamanlis i cili ishte kryeministër më 2004-2009. Nga viti 1989 e deri më sot është deputet i Demokracisë së Re në Kuvendin e Greqisë.

Gjeorgjios Joanis Rallis (1918-2006), është djali i kryeministrit të Greqisë 1943-1944, Joani Rallis i cili ishte bashkëpunëtor i gjermanëve dhe vdiq në burg. Gjeorgjios Rallis në vitin 1950 u zgjodh deputet në Kuvendin e Greqisë. Ka qenë ministër i disa ministrive nga vitet 1950-1958, 1961-1963, 1967, 1974-1980. Në vitin 1980-1981, ishte kryetar i partisë Demokracia e Re dhe kryeministër i Greqisë. Dha dorëheqje si deputet dhe u tërhoq nga jeta politike në vitin 1993.

Konstandinos Micotaqis (1918-), është njeri nga politikanët e fortë të Greqisë. Micotaqi është nipi i ish-kryeministrit Elefteros Venizellos. Konstandin Micotaqi u zgjodh për herë të parë deputet në vitin 1946, më 2004 dha dorëheqjen si deputet dhe nga politika. Ka qenë ministër i disa ministrive më 1965-1966, 1978-1981. Në vitin 1984 u zgjodh kryetar i partisë Demokracia e Re, dhe më 1990-1993, ishte kryeministër i Greqisë. Është babai i dy deputetëve Dora Bakojani dhe Qiriako Micotaqis.

Gazeta greke AVRIANI e qershorit të vitit 1985, botoj një fotografi ku shihet Konstandin Micotaqi në mes të dy ushtarëve gjermanë. Në vitin 1989 pas rënies së murit të Berlinit, dy ish-agjentët e STAZIT të Gjermanisë Lindore deklaruan në një emision televiziv se kishin marrë porosi që të gjenin materiale ku të vërtetohet bashkëpunimi i Micotaqit me nazistët gjermanë. Ata kishin gjetur fotografinë në fjalë dhe ua dhanë porositësve. Pas disa vitesh gazeta AVRIANI, botoj një shkrim ku deklaronte se fotografinë ku shihet Micotaqi me dy ushtar gjermanë ua kishte dhënë drejtuesi i lartë i PASOK-ut, Kosta Lalioti.

Sido që të jetë e vërteta ka bashkëpunuar apo jo me gjermanët ish-kryeministri Micotaqi, as gazeta AVRIANI, as Lalioti që u përfol se e ka siguruar këtë foto, dhe asnjë individë që e botoj ndër vite, familja Micotaqi nuk ngriti padi penale për shpifje ndaj tyre. Kjo le të nënkuptosh se fotografia kishte qenë origjinale.

Kosta A. Karamanlis (1956- ), është djali i vëllait të Konstandin G. Karamanlisit i cili është akuzuar kohëve të fundit si bashkëpunëtor i gjermanëve dhe ka patur të dashur në periudhën e pushtimit gjerman një agjende të Gestapos Lili Mak. Kosta Karamanlis, u zgjodh për herë të parë deputet më 1989 me partinë Demokracia e Re. Në vitin 1997 u zgjodh kryetar i partisë së djathtë Demokracia e Re dhe nga viti 2004-2009 ishte kryeministër i Greqisë. Vazhdon të jetë deputet i partisë Demokracia e Re. Pra, Kosta Karamanlisi u përket atyre familjeve që kanë bashkëpunuar me gjermanët gjatë viteve 1941-1944.

Evangjelios Meimaraqis (1953-), kryetar i partisë Demokracia e Re, ish-ministër 2006-2009, ish-kryetar i Kuvendit të Greqisë 2012-2015, deputet që nga viti 1989 rrjedh nga një familje që është akuzuar se ka përkrahur dhe bashkëpunuar me gjermanët në ishullin e Kretës. Familja Meimaraqis për herë të pari nxori deputet në vitin 1915, Vasileos Meimaraqis, i cili dënoj sulmet e kretasve kundër ushtrisë gjermane dhe përkrahu qeverinë e Gjeorgjio Çolakoglu. Gjyshi i tij me të njëjtin emër avokati Evangjelos Meimaraqis përkrahu ushtrinë gjermane dhe dënonte sulmet e guerrilasve kundër tyre. Gazeta AKROPOLI, 4 qershor, 1941 shkruan për vizitën e Vasili Meimaraqit në kampin e trajtimit të oficerëve të qeverisë Çolakoglu dhe dënoj krimet e kretasve kundër gjermanëve.

Më 27 prill 1944, britanikët dhe forcat e rezistencës në Kretë rrëmbyen gjeneralin gjerman Heinrich Kraipe. Emri i avokat Evangjelos Meimaraqis figuron në peticionin e intelektualëve të Kretës që dënonin sulmin dhe rrëmbimin e gjeneralit gjerman Kraipe.

*Historian

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, bashkepunetore te nazizmit, Kryeministrat e Greqise

Angjelina Nika, shtojzovallja Tropojane

February 18, 2016 by dgreca

*Balerina e bukur shtojzovallja Tropojane fluturon magjishëm në kercimet e saj tradicionale shqiptare ne Amerike- Angjelina Nika/

Bisedoi per Gazeten DIELLI ne SHBA, Dr. Liliana PERE/

*Angjelina Nika e lindur në qytetin e bukur të Tropojës, ne vitin 1966 në Shqipëri, nis vallëzimin në moshën 6 vjet dhe ajo nuk ka për të ndaluar se po shkon drejt perfeksionit dhe fluturimit magjik.Kur themi Bajram Curri nuk mund të mos pëmëndim luginën dhe lumin Valbona, e cila nuk është thjesht një destinacion natyror i Shqipërisë, por një kompleksitet dukurish interesante, si e gjithë pjesa tjetër e Alpeve Shqiptare, që mbart të gjitha kuptimet e së bukurës.Valbona tregon madhështinë e saj përmes maleve hijerënda, thellësinë e saj përmes pyjeve e humnerave, pastërtinë e saj përmes ujit të kristaltë ku vallëzojnë troftat e arta, mikpritjen e saj përmes njerëzve të mrekullueshëm që ka, bukurinë e saj përmes veshjeve shumëngjyrëshe të zones, dhe karakteristikave trime e bujare.

Aktiviteti i Angjelina Nikës ne diasporën Shqiptaro-Amerikane pasuron diversitetin kulturor në New York. Me perlat e tradites kulturore Shqiptare, vallet e mrekullueshme nga alpet e veriut deri ne pjeset jugore te vendit. Angjelina përcjell me shume dinjitet kulturën e lashtë Ilire të Ballkanit, dhe është mjaft e pëlqyer në publikun Amerikan.

Vallëzimet popullore dhe koreografia shqiptare janë më shumë një përvojë shpirtërore dhe kulturore me rrënjë të rëndësishme historike.Vallja dhe Koreografia e Angjelines besojmë që do të bëhet një rreze drite e kulturës dhe traditës shqiptare ne perëndim, ajo është nje një model për të gjitha gratë që duan të arrijnë përsosmëri. Amerika eshte vendi i mikpritjes, krijimtarisë dhe kulturës ku të gjithë ndjehen të frymëzuar, të motivuar, të angazhuar dhe krijues, një vendi i quajtur shtëpi për të gjitha gratë që kërkojnë ta takojnë.

Angjelina luan vallen me nje koreografi te bukur , brilante dhe bën lëvizje te bukura rritmike, te shpejta, harmonike, magjepëse që frymëzojnë gjeneratën e ardhshme. Ruajtja e traditave muzikore dhe te valles tradicionale Tropojane të historisë shqiptare ngelet për Angjelinën nje virtyt i vazhdueshëm, për gjeneratën e ardhshme, Amerika u jep mundesi dhe shumë posibilitete grave te shpalosin talentet e tyre.

Ka studiuar dhe është diplomuar ne Koreografi ne kolegj ne Shqiperi .

Gjithashtu ka nje diplomim te dyte ne vitin 2003 ne Criminal Justice ne City University of New York-John Jay College.

Ajo tashmë jeton në   Greater New York City Area bashke me familjen e vet.

Angjelina punon nga viti 2005 e ne vazhdim Choreographer Rozafati Lady of Shkodra Church

Medical Interpreter -February 1999 – 2010 (11 years)New York, New York (CPLI)

Ne vitin 2006-2007- 2008 – 2009 koreografia me e mirë ne festivalin që organizohet çdo vit ne Lehman College Bronx .

Ne 2010 ne festivalin e Bostonit diplomohet si koreografia me e mire.

Angjelina luan vallen popullore që tregon stade te ndryshme te historisë,me passion se e do vallen dhe koreografinë , e do shumë vendin e vet, kjo është arësyeja pse Angjelina Nika i kushton vëmendje punë, me orë te tëra, koreografise dhe valles, plot përkushtim, e palodhur me nje zhdërvjelltësi te jashtëzakonshme për të qënë nje profesioniste e vërtetë, dhe për të patur sukses. Sezon pas sezonit, vit pas viti, ajo ideon , krijon, praktikon koreografi të re.

Vajzat dhe gratë shqiptare ne Amerikë ndihen te lira dhe familjet shqiptare mund të marrin pjesë plotësisht në të gjitha aspektet e jetës, duke u bërë më të forta, dhe më elastike, në tejkalimin e vështiresive, tradita të cilat kanë shtyrë tek ato te kërkojnë nje jetë me te mire përtej marxhinave te shoqërisë.

Ajo u bë një figurë popullore në shoqërinë shqiptare kur ajo u martua me këngëtarin shqiptar Gezim Nika. Ata u takuan gjatë Ansamblit Dardania në Tropojë.

Të dy jane emigruar në Shtetet e Bashkuara me familjen e tyre dhe jetojnë në New York qysh prej vitit 1997 duke ndjekur karrierën e tyre muzikore.

Prej shtatë vitesh Angjelina jep mësime koreografike per Grupin Rozafati, pjesë e Kishes Katolike Zoja e Shkodres.

Ajo me perkushtim te larte profesional dhe dashuri u mëson mbi njëqind artisteve të rinj të diasporës të moshes 4-22 vjec vallet Shqiptare te krahinave te ndryshme.

Angjelina eshte vleresuar:

Ne vitin 2010 ” Gruaja e Vitit ng a Motrat Qiriazi .

Ne vitin 2015 nominuar ne Librin ” Albanian American Success story “

Me këto valltare Angjelina Nika ka prezantuar kulturën Shqiptare në një tërësi aktivitetesh. Grupi i valleve Rozafati nën drejtimin e koreografes është tashmë i njohur me prezëncën e tij në New York, New Jersey, Connecticut, Detroit, Boston e Europë.

* Ju lutem ndjekim bashkëbisedimin:

***

-E dashur Angjelina. Bukuria juaj dhe shkathtësia flasin vet per origjinën tuaj, se ai terren me male te lartë dhe ujë të kulluar, me klimë te paster rrit vajza te bukura, dhe shumë te zhdërvjellëta. Tregoni për njohje te mëtejshme për lexuesit , per femijërinë tuaj, familjen ? Qytetin ku jeni lindur, ku kini ëndëruar pa fund? Cili do të ishte komenti për qytetin tuaj, nga këndvështrimi social-kulturor?

***

-Kam pasur nje femijëri te bukur,te veshtirë por te mbushur me plot gjëra qe kur i kujtoj sot me bëjnë ti mendoj me mall.Në familjen tone kemi qënë disa femije,kemi pasur nje jete me plot halle,nuk kemi qënë te pasur ekonomikisht por kishim pasurine më te madhe ne botë dashurinë e pakursyer te prindërve te mi.Nuk na kane munguar kurrë, prindërit kanë qënë përherë aty për ne,sakrifikonin gjithshka qe ne te ndiqnim shkollën,te mësonim,te ndiqnim aktivitetet kulturore e sportive, etj.

– Une kam lindur ne qytetin Bajram Curri.Emrin original e ka pasur Kolgecaj dhe pak kohë para se te lindja une u shpall qytet me emrin e Heroit te Kombit tone,Baces Bajram Curri.Ne njëfarë kuptimi une jam rritur përnjeheresh me qytetin e ri ,qe sic thashe ishte shpallur qytet po ato vite.Si qytet i ri kishte karakteristikat e moshës rinore,kishte gjallëri,plot dinamizëm,plot optimizëm, shume besim në te ardhmen. Ai qytet kishte per banorë njerëz te mrekullueshëm,njerez shume qytetarë ne cdo drejtim qe me qytetarinë e tyre ja ngritën emrin qytetit ne mbarë vendin.Ka qënë nje qytet shume I dashur dhe te gjithë ata qe kanë jetuar atë kohë e kujtojnë me mall!Jo vetem tropojanet por edhe te tjerët qe vinin nga rrethet tjera me shërbim e gjenin veten si ne shtëpi falë mikpritjes malësore.

-Familja jone e dashur përbëhet prej meje Angjelina e Gezim Nika dhe tre femije, dy vajza dhe nje djalë, qe janë gjithashtu te dashuruar me kulturen Shqiptare. Eliverta, vajza e madhe, ka mbaruar universitetin për shkenca politike, Vajza e dyte Daniela e ka mbaruar shkollën e larre per Psikologe , dhe djali eshte ne vit te trete fakultet per Shkence .

***

– Si do ta pershkruanit rrugën e suksesit, te koreografisë , te qënit një shqiponjë shqiptare? Passionin dhe culturën për koreografinë ‘’Betim’’ se nuk do të largohej asnjehëre prej saj? Apo dhe ure lidhëse me te gjithë bashkatdhetarët në raste gëzimesh e festash?

***

Prej shtatë vitesh jap mesime koreografike per Grupin Rozafati, pjese e Kishes Katolike Zoja e Shkodres. Me perpjekje dhe me përkushtim te lartëe profesional dhe dashuri u mëson mbi njeqind artisteve te rinj te diasporës te moshës 4-22 vjec vallet Shqiptare te krahinave te ndryshme. Me keto valltare Angjelina Nika ka prezantuar kulturën Shqiptare në nje tërësi aktivitetesh. Grupi i valleve Rozafati nen drejtimin e koreografes eshte tashmë i njohur me prezencen e tij ne New York, New Jersey, Connecticut, Detroit, Boston e Europe. Ne fushën e kercimit, ne salla koncertesh, deputon përcejell emocione te mëdha , flet me gjuhen e trupit shoqeruar me ndjenjë   ne mënyre perfekte,.

***

-E dashur Angjelina. Ju jeni nje familje artistësh , keni bashkëshort artistin e madh Gëzim Nika, se bashku transmetoni kulturen e bukur Shqiptare te valles e kënges të të gjitha trevave, ështe për ju edhe nje udhërrefyes dhe inkurajues suksesi, ose me mire te themi suksesi juaj ndahet ne mes ?

***

Per publikun Shqiptar, Angjelina Nika, u bë e njohur me artistin e madh Gezim Nika, bashkeshortin e saj, pikërisht me ansamblin Dardania. Si pjesetare e grupit mori pjese ne shume festivale ne Shqiperi, Europë dhe Amerikë ku u nderua me shume cmime. Dashuria e publikut per interpretimin e artistes koreografe është e madhe edhe ne New York ku ajo jeton që në vitin 1997 se bashku me familjen e saj. Prej shtate vitesh Angjelina jep mesime koreografike per Grupin Rozafati, pjese e Kishes Katolike Zoja e Shkodres.

***

– E dashur Angjelina. Me cfarë pasioni e mjeshtëri bëni këte koreografi? Sa e vështirë është kjo pune per ju ? Puna juaj për kercimin dhe koreografinë eshtë në nivelin superlativ.Bukuria juaj fizike, shpirtërore shqiptare mahnit sa e sa spektatorë, Si tansmetohet kjo teknikë valle, kjo culturë në komunitetin ku jeton?.

***

Angjelina Nika jam lindur ne Tropojë ne Shqiperi ne qershor te vitit 1966. Arti koreografik është pasioni im i jetes artistike, nje aktivitet i filluar heret. Per publikun Shqiptar, Angjelina Nika, u be e njohur me artistin e madh Gezim Nika, bashkeshortin e saj, pikerisht me ansamblin Dardania. Si pjesetare e grupit mori pjesë ne shume festivale ne Shqiperi, Europe dhe Amerike ku u nderua me shume cmime. Dashuria e publikut per interpretimin e artistes koreografe eshte e madhe edhe ne New York ku ajo jeton qe ne vitin 1997 se bashku me familjen e saj. Prej shtatë vitesh Angjelina jep mesime koreografike per Grupin Rozafati, pjese e Kishes Katolike Zoja e Shkodres. Perkushtimi im dhe dashuria ime per koreografine Shqiptare me bën te punoj shumë dhe me nje nivel te larte professional.Me dashuri u mesoj mbi njeqind artisteve te rinj te diaspores te moshes 4-22 vjec vallet Shqiptare te krahinave te ndryshme. Me keto valltare prezantoj kulturen Shqiptare ne nje teresi aktivitetesh. Grupi i valleve Rozafati nen drejtimin e koreografes eshte tashme i njohur me prezencen e tij ne New York, New Jersey, Connecticut, Detroit, Boston e Europe

***

– E dashur Angjelina. Gjithsesi unë jam e interesuar per opinionin tuaj për pozicionin shoqëror dhe filozofik të viteve te shkura ne lidhje me të qënit grua e emancipuar ne shqipëri dhe evolucionin. Jepni nje mesazh per boten e gruas shqiptare ju lutem ..

***

-“Po te kemi parasysh se ne cfare niveli gjendej femra shqiptare ne periudhën mbas luftës se dytë botërore mund te thuhet se shume gjera kane ndryshuar per mire,gjithnje krahasuar me ate kohe!Por pot e krahasojme me nivelin e vendeve perëndimore diferenca eshte e madhe.Jo vetëm ne rolin e gruas ne shoqëri por edhe ne drejtime tjera si shoqëri shqiptare pasi emancimipi demokratik eshte nje process I gjatë dhe kërkon kohe.Mangësite ne emancipimin e shoqerise ndikojne edhe ne emancipimin e femrës ne Shqiperi.Kur them emancipim nuk është fjala per një emancipim siperfaqësor,me elemente si veshjen, modën anen sipërfaqesore te jetes,fjala eshte për emancipimin ku femra te shpalosë aftësite e saj si e barabartë ne shoqeëi.Ne këtë drejtim mbetet shumë per tu bërë dhe “Bota e gruas shqiptare” ka rolin e vet qe duhet peshëndetur pasi po jep kontribut dhe po bëhet nje zë i fortë shprehës per aspiratat e grave shqiptare.

Në këtë botë, pavarësisht nga gjinia, raca, kombi apo feja gratë meritojnë një mundësi të barabartë në jetë … Ekziston nevoja për të dhënë një zë të grave të reja shqiptare dhe të rinjve dhe për të dëgjuar dhe të mësojnë në lidhje me luftërat e tyre dhe idetë e tyre për një të ardhme më të mirë. “një kulturë të paqes”, gjatë integrimit të tyre në shoqërinë amerikane

***

Faleminderit Liliana per e bashkebisedimin e ngrohte qytetar dhe miqesor qe patëm, punen e dukshme te prekshme, na ke bere   të ndjehemi më prane atdheut.Ngrihet dhe lartësohet figura e gruas nga ju ne te gjithe boten…. dhe ndjehemi mjaft mire për emancipimin e saj, pasi ai fillon nga te qënit nënë e mire dhe grua profesionalisht e afte. Falenderime gjithashtu org. qe drejtoni per promovivim e vlerave te gruas shqiptare. Balancat tregojne se une jam realizuar në keto drejtime.

***

Ju faleminderit e dashur Angjelina Nika, shtojzavallja Shqiptare, per bashkebisedimin dinamik. Jeni një model percues , i culturës shqiptare ne bote, nje profesioniste e shkelqyer, keni bukurinë e kërcimit dhe finesën e shprehjes të vlerave te gruas shqiptare nëpermjet koreografisë se valles dhe gjuhës së trupit. Kjo është një vlerë e shtuar per ju, sepse ruhet dhe percillet kultura shqiptare ne brezat e ardhshëm ne te gjithë botën. Ju uroj shume suksese nga zemra.

Dr.Liliana PERE

Ing Informatik

President: International Organization.

” Albanian Woman in the World

Peace Missionary & Honorary Advisor of DMPP

 

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Angjelina Nika, Balerina e bukur, Liliana Pere, shtojzovallja Tropojane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3076
  • 3077
  • 3078
  • 3079
  • 3080
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT