• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Veseli deklarohet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës

November 10, 2020 by dgreca

Ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli u deklarua i pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të konfirmuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Gjatë seancës së parë në Hagë, mbrojtja e Veselit tha se do të kërkojë lirimin e tij deri në nisjen e gjykimit.

“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë, se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Veseli kur u pyet nëse dëshiron të deklarohet i pafajshëm apo fajtor për aktakuzën.

Veseli dyshohet për vepra penale që kanë të bëjë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.

Sekretarja e Gjykatës, pasi lexoi dhjetë pikat e aktakuzës, tha se ekziston dyshimi i bazuar se Veseli është penalisht përgjegjës për këto krime.

Mbrojtja: Veseli u dorëzua vullnetarisht në Hagë

Veseli po mbrohet nga avokati Ben Emmerson, i cili në këtë seancë u lidh përmes video-linkut dhe Andrew Cayley, i cili ishte prezent në sallën e gjyqit.

Emmerson reagoi lidhur me arrestimin e Veselit, duke argumentuar se Veseli është paraqitur në Hagë vullnetarisht, në bazë të një marrëveshjeje me prokurorin.

“Dorëzimi i tij në mënyrë vullnetare është bërë përmes avokatit”, tha Emmerson.

Avokati Emmerson ka lexuar edhe një mesazh të Veselit, ku ai kërkon që të gjitha segmentet e shoqërisë “të përballen me këtë situatë me qetësi dhe dinjitet, të bindur se gjyqtarët do të japin një verdikt të drejt në fund të procesit”.

“Ky tribunal është pjesë e rrugëtimit të shtetëndërtimit të Kosovës, dhe ne duhet t’i shkojmë deri në fund”, tha Emmerson, teksa lexoi mesazhin e Veselit, ku rikujtohej se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë krijuar pas votimit në Kuvendin e Kosovës “për të shërbyer në emër të popullit”.

Gjatë kësaj paraqitjeje të parë të Veselit para gjykatës në Hagë, gjykatësi i procedurës paraprake po ashtu u konsultua me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe palën mbrojtëse lidhur me datën për mbajtjen e konferencën statutore.

Si datë për këtë konferencë u propozua 18 nëntori.

Në Rregullorën e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, rregulla 96 thuhet se “Gjykatësi i procedurës paraprake thirr një konferencë mbi ecurinë e çështjes sa më shpejt që të jetë e mundshme, pas paraqitjes së parë të të akuzuarit”.

Veseli, që gjatë luftës ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u dërgua në qendrën e paraburgimit në Hagë më 5 nëntor.

Dhomat e Specializuara konfirmuan aktakuzën ndaj Veselit më 26 tetor, por ajo u bë publike më 5 nëntor.

Veseli, ka një aktakuzë të përbashkët me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin dhe ish-shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Para Dhomave të Specializuara paraqitjen e parë të hënën, më 9 nëntor, e ka bërë ish-presidenti Thaçi, i cili është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Njëjtë është deklaruar edhe ish-kryeparlamentari Krasniqi, i cili e ka quajtur aktakuzën ndaj tij si “padrejtësi të madhe”.Të mërkurën para Dhomave të Specializuara do të dalë edhe Rexhep Selimi.

 

Çfarë thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore “dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.

Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë.

Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

Aktakuza pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi “kanë pasur synimin e njëjtë për kryerjen e të gjitha krimeve që janë në këtë aktakuzë, së bashku me anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në “kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve”.

Në aktakuzë thuhet se ka pasur qendra të ndalimit në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, etj.

Po ashtu përmendet edhe një rast, ku pretendohet se ka pasur një qendër të ndalimit në afërsi të Kleçkës, ku thuhet se Veseli, Selmi dhe Krasniqi “ishin të përshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit apo dhe lirimit të të ndaluarve, që mbaheshin në një qendër ndalimi afër Kleçkës”.

Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar aktakuzë për krime lufte edhe ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafës, i cili tashmë është deklaruar i pafajshëm për veprat që rëndojnë ndaj tij.

Në paraburgim, si të dyshuar nga Gjykata Speciale ndodhen edhe dy udhëheqës të organizatës së veteranëve të UÇK-së: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët dyshohen për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitareve dhe vepra të tjera që kanë të bëjnë me bërjen publike të disa dokumenteve sekrete të Gjykatës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Filed Under: Featured Tagged With: deklarahohet, i pafajshem ne Hage, Kadri Veseli

VOTIMET NË SHBA- HETIME PËR MASHTRIM

November 10, 2020 by dgreca

-Departamenti i Drejtësisë do të hetojë pretendimet për mashtrime me vota në SHBA-

Prokurori i Përgjithshëm, William Barr ka autorizuar prokurorët federalë në Shtetet e Bashkuara që të nisin hetime për parregullsitë në procesin e votimit, pavarësisht se nuk ka të dhëna për të mbështetur pretendimet e presidentit amerikan Trump se ai ka humbur zgjedhjet ndaj demokratit, Joe Biden për shkak të mashtrimeve të përhapura zgjedhore.

Si përgjigje ndaj kërkesës së Prokurorit Barr, mediat amerikane kanë raportuar se udhëheqësi i Degës për Krime Zgjedhore në Departamentin e Drejtësisë, ka njoftuar përmes një emaili se do të japë dorëheqje nga kjo pozitë, pasi ka lexuar “politikat e reja dhe degëzimet në lidhje me të”.

Barr, mbrojtës i ngushtë i Trumpit, është akuzuar nga demokratët për politizim të sistemit gjyqësor disa herë gjatë udhëheqësisë së tij.

Fushata e Bidenit ka thënë se Barr është duke nxitur sugjerime të paargumentuara të Trumpit për mashtrime.

“Këto janë ato lloj pretendimesh që presidenti dhe avokatët e tij janë duke i bërë në mënyrë të pasuksesshme çdo ditë, teksa paditë e tyre janë duke u dërguar nga një gjykatë në tjetrën”, ka thënë Bob Bauer, këshilltar i lartë i Bidenit.

Vendimi i Prokurorit Barr vjen teksa administrata Trump i ka bërë thirrje Departamentit të Drejtësisë që të hetojë pretendimet për mashtrime, në kohën kur ekipi i Trumpit ka nisur padi nëpër disa shtete.

Gjyqtarët kanë hedhur poshtë paditë në Miçigen dhe Xhorxhia, derisa ekspertët kanë thënë se përpjekjet ligjore të Trumpit kanë pak mundësi të ndryshojnë rezultatin zgjedhor.

Në letrën e tij dërguar prokurorëve federalë në gjithë Shtetet e Bashkuara, Barr ka theksuar se Departamenti i Drejtësisë jo domosdo ka të dhëna për rastet e mashtrimit në zgjedhjet e fituara nga Joe Biden, president I zgjedhur.

Mirëpo ai ka larguar kufizimet paraprake, që parandalonin prokurorët federalë nga nisja e hetimeve të tilla, të cilat normalisht kryhen nga shtetet.

“Marrë parasysh se votimi në zgjedhjet aktuale është kryer, unë ju autorizoj që të kërkoni rreth pretendimeve substanciale rreth votimeve dhe parregullsive me vota, para se të kryhet certifikimi i zgjedhjeve në juridiksionin tuaj në disa raste”, ka thënë Barr përmes një letre.

“Hetimet të tilla dhe rishikime mund të kryhen nëse ka pretendime të qarta, dhe në dukje të parë kredibile të parregullsive, të cilat në rast se vërtetohen, ka mundësi që të ndikojnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në ndonjë shtet individual”.

Politika e Departamentit të Drejtësisë ka qenë që të përmbahet nga përfshirja federale, derisa votat të certifikohen, rinumërimi të kompletohet dhe garat të përfundojnë.

Ky udhëzim ka pasur qëllim që t’iu mundësojë zyrtarëve lokalë dhe atyre shtetërorë, dhe jo atyre federalë që të menaxhojnë zgjedhjet.

Mirëpo Barr u ka thënë avokatët se politika aktuale “nuk ka qenë rregull i ashpër” dhe se nëse shohin diçka që mund të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, ata duhet ta ndjekin këtë gjë.

Ky ndryshim vjen teksa republikanët vazhdojnë të rrisin numrin e pretendimeve jopërmbajtësore për votime joligjore dhe mashtrime ne procesin e numerimit në disa shtete që do të mund të ndryshonin rezultatin.

Letra e Prokurorit Barr është bërë publike, pas takimit të tij me liderin e republikanëve në Senat, Mitch McConnell, i cili ka thënë më 9 nëntor se Trump ka të drejtë të hetojë pretendimet për “parregullsi” në zgjedhje.

Trump nuk e ka pranuar rezultatin zgjedhor, pavarësisht pse mediat amerikane kanë thënë se Biden ka fituar, dhe ka margjinë të madhe të votave popullore në të mirë të tij, çka i sigurojnë presidencën.

Përgatiti: Krenare Cubolli,RFL

Filed Under: Featured Tagged With: hetim per mashtrime, votat, William berre

Pavarësia e Kosovës po kërcënohet…

November 10, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/ Nuk kam ndërmend të shkruaj qoftë dhe një paragraf për lotët që derdha, ose çfarë trishtimi më dha kur pashë sot nga ekrani im në New York vëllezërit shqiptarë të Kosovës në bankën e të akuzuarve në gjyqin special të Hagës, sepse ne se je shqiptar patjetër që ke ndjerë trishtim dhe dhimbje, dhimbje gjer në asht nga gjyqi i turpit të shekullit 21. 

Former Kosovo President Hashim Thaci, who resigned and was taken into custody of a war crimes tribunal, appears for the first time before the Kosovo Specialist Chambers in The Hague, Netherlands November 9, 2020. Jerry Lampen/Pool via REUTERS

Une dua t’ju drejtohem bashkëkombasve të mi, shteteve dhe dy parlamenteve të Kosoves dhe të Shqipërisë për t’i drejtuar notë proteste Hagës dhe OKB-së që lejojnë këtë gjyq maskaradë kundër luftëtarëve të UÇK-së.  Dënimin kapital me çdo kusht që duan gjyqtarët për këta luftëtarë trima si për Presidentin e Kosovës, Hashim Thacin, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Salih Mustafa, ish-eprori i lartë i UÇK-së është se pas dënimit të tyre duan ta nxjerrin UÇK-në si organizatë terroriste.  

Gjykata speciala me seli në Hagë duan ta paraqesin luftën me Serbinë se ka qenë luftë fetare midis katolikëve dhe myslymanëve dhe jo luftë për të mbrojtur tokën tonë si autokton që kur ka lindur njerëzimi.  

Lojërat e ndyra të serbit dhe të grekut i ka ndjerë shekull pas shekulli mbi kurriz populli shqiptar.  

Sot F/B dhe gjithë rrjetet sociale, mediat duhet të zjenin nga protestat me shkrim dhe me gojë, kundër këtij gjyqi të paprecedent që ka ndërmend të dënojë vëllezërit tanë, për rrjedhoje dhe Kosovën.  

Diaspora shqiptare, shoqatat atdhetare duhet të ngrihen në këmbë për poshtërimin dhe mohimin e vlerave atdhetare që i bën kjo gjykatë speciale në Hagë, UÇK-së.  

Kjo gjykatë speciale qe ka të punësuar një ekip prej 170 personash dhe harxhon 44 milionë euro në vit duhet të nxirret jashtë lojës së ndyrë dhe ato 44 milionë euro t’i jepen dëmshpërblim nënave që rritën dhe po rrisin femijët jetima në fshatra dhe qytete të tëra.  

Nuk ka shqiptar dhe bir shqiptari të mos tronditet dhe krenohet, kur dëgjoi z.Hashim Thaci para trupit gjykues duke thënë se: “Deklaroj se jam i pafajshëm”, ndërsa z.Krasniqi tha:  “unë jam shqiptar as katolik as mysliman. Akuza juaj është fyese për mua edhe për vendin tim.

Pavarësia e Kosovës po kërcënohet dhe po vihet në rrezik.  Këtë lojë të drejtuar nga lobi serb dhe bashkëpunëtorët e tyre përfshi dhe tradhtarë të Kombit i duhet dhënë fund njëherë e përgjithmonë, pasi Kosova është e pavarur dhe askush s’ka të drejtë ta gjykojë dhe terrorizojë. 

11 Nëntor, 2020

New York 

Filed Under: Komente Tagged With: Haga, Keze Kozeta Zylo, ne Rrezik

Më 9 Nëntor u largua nga kjo jetë Rachel Koen Cikuli…

November 10, 2020 by dgreca

….ose Pediatrja Ëngjëll, që të paktën postum meriton një nderim shtetëror  /

Nga Elida Buçpapaj-

Më 9 nëntor u nda nga jeta Rashel Cikuli, një nga pediatret më të shquara në Shqipëri, e cila, në disa dekada, me dashuri e ndërgjegje të lartë, e vuri jetën dhe profesionin në shërbimin e fëmijëve.

Familja e Rachel Cikulit ishte edhe mike e familjes sime. Dhe ishte fat i madh që në kohë të vështira të kishe miq të tillë të mrekullueshëm.

Im atë, kur isha e vogël dhe kisha probleme me bajame më kishte çuar shpesh tek teta Rachel për të më vizituar. Kur lindi djali ynë i parë Prizreni, për çdo shqetësim shëndetësor, im atë do ta çonte tek Teta Rachel, edhe pse asaj kohe kishte dalë në pension. Gjithmonë e papërtuar, gjithmonë si Ëngjëll Mbrojtës për fëmijët shqiptarë.

Në karrierën e saj si mjeke Rachel Cikuli ka kaluar me mijra e mijë pacientë të vegjël, ndaj të cilëve tregonte përkushtim e dashuri të jashtëzakonshme.

Rachel Cikuli lindi ne 6 Mars 1926 ne Plovdiv te Bullgarisë. Ajo ishte me prejardhje hebreje. Aty mbaron Kolegjin Francez dhe vazhdon studimet e larta për Mjekësi si studente e shkelqyer. Ne Fakultet u njoh me Zisa Cikulin, studentin shqiptar që studionte dhe ai në të njëjtin kurs për Mjekësi. Fati i bashkoi, ata u dashuruan, patën të njëjtat ideale, që te jepnin sa më shumë në fushën e mjekësisë.

Pas studimeve, Zisa dhe Rachel erdhën në Shqipëri. Rachel ishte një vajzë e re që vinte në nga një vend tjetër, nga Bullgaria. Në Shqipëri e kishte sjellë dashuria dhe ajo e deshi fort Shqipërinë sepse aty krijoi familjen dhe bashkë me bashkëshortin e saj ndërtoi jetën.

Në gusht të vitit 1950, Zisa bashke me Rashel filluan punën në qytetin e Korçës. Rashel nuk e pati të lehtë në fillim. Ajo ishte mësuar ndryshe. Vinte nga një familje e ngritur intelektualësh, por nuk u ankua kurrë.

Në Korçë punoi në Sanatorium, në Shërbimin e Pneumo-Fizioatrisë për gati 3 vjet. Shumë shpejt fitoi zemrën e pacientëve që i trajtonte me aq kujdes e dashuri. Ra në sy për korrektësi, saktësi dhe punë të palodhur.

Viti 1953 ishte i rëndësishëm për çiftin Cikuli. Ata transferohen në Tiranë ku Rashel ngarkohet me një detyrë në Ministrinë e Shëndetësisë, në sektorin Nëna dhe Fëmija.

Ishin vite të vështira, duhej përpjekje e palodhur për organizim në shëndetësi. Ajo iu përvesh punës me mish e me shpirt dhe ia doli.

Rashel dallohej për inteligjencë, për thjeshtësi, këmbëngulje, të qenit e drejtpërdrejtë: çfarë kishte ta thoshte hapur dhe si e tillë fitoi zemrat e shumë nënave. Shumë kurajoze, e papërtuar dhe, me gjithë ngarkesat e mëdha, kishte kohe të merrej dhe me studime. Po të ecje me të rrugëve të Tiranës, dëgjoje gjithnjë dikë që ndalonte t’i thoshte: Doktoreshë, më ke shpëtuar fëmijën, nuk ta harroj kurrë! Këto fjalë ajo i dëgjonte shpesh dhe, me modestinë e saj, vazhdonte punën e pediatres me përkushtim. Kurrë nuk u tremb nga vështirësitë, punonte edhe në terren, i njihte shumë mirë fshatrat e Tiranës, hallet e njerëzve dhe mundohej, me sa kishte mundësi, që t’i zgjidhte ato.

U dallua dhe si drejtuese institucionesh ne Spitalin pediatrik si dhe Polikliniken e Lagjes 9.

Megjithese shume e zene me punet e klinikës, ajo mundohej te plotesonte dhe deshirat e 3 femijve te saj Maksimit, Emës dhe Suzit. Kur kthehej pas nje nate roje, femijet i luteshin te shplodhej, ata e kuptonin rraskapitjen e saj, por Rashel ishte shume e dhene edhe pas familjes. Ajo jetoi si nje bashkeshorte, nje nene, nje gjyshe dhe stergjyshe e lumtur qe ne jete gezoi tre femije, tre niper, dy mbesa dhe 6 sterniper e stërmbesa te cileve u fali veç miresi e dashuri.

Edhe pas daljes ne pension, nuk rreshti duke ndihmuar banoret e qytetit të Tiranës. Sa here kishin nevoje ata e dinin se Rashel nuk refuzonte kurre dhe se dera e saj ish e hapur gjithnje per te vizituar femijet.

Rashel meriton te merret si shembull per te gjithe brezat e rinj, ajo ishte një grua e gjithanshme, lexonte letërsi, ndiqte te rejat e shkences, kishte një kulturë të gjërë, por mbi të gjitha ishte njeri që i kushtoi jetën profesionit.

Per meritat e saj te veçanta ajo do te kujtohet nga shume e shume njerez te thjeshte qe i ka dashur e ndihmuar aq shumë.

Rachel Cikuli meritonte që të nderohej nga shteti shqiptar, nga Shqipëria që ajo e zgjodhi për të jetuar dhe e deshi shumë sepse në Shqipëri i rriti fëmijët, nipat, mbesat dhe stërnipat e stërmbesat. Kishin mundësi të jetonin në SHBA, Bullgari apo Izrael, por Rachel Coen Zikuli bashkë me familjen zgjodhën Shqipërinë si vendin e zemrës, megjithë sistemin dhe vështirësitë.

Rachel Cikuli u la trashëgim familjes një librin me kujtimet e saj të titulluar “Një histori e pambaruar”, që do të thotë se historinë e treguar prej saj do ta vazhdojnë ta tregojnë trashëgimtarët e familjes Cikuli-Coen brez pas brezi…

Në faqet e këtij libri unë lexoj me sy të përlotur medikamentin e lumturisë të kësaj familje të mrekullueshme: “Jeta jonë ka kaluar relativisht e qetë, jo se nuk kemi patur edhe divergjenca, por kemi zbatuar parimet që kishim caktuar përpara se të merrnim vendimin të bashkohemi: se jeta jonë do të bazohej në sinqeritetin, besnikërinë dhe dashurinë për punën dhe familjen. Mendoj se këto parime nuk i kemi shkelur dhe mosmarrëveshjet i kemi zgjidhur me tolerancë në biseda të qeta, pavarësisht nga dallimet në kombësinë, fenë dhe zakonet e ndryshme. Këto parime na kanë udhëhequr sidomos në kohën e monizmit, kur shumë familje, në veçanti ato me martesë të përzierë nuk i rezistuan situatës dhe u ndanë.”

Mjekët Zisa dhe Rachel Cikuli janë prindërit e Maks Cikulit, personalitet i shquar i mjekësisë shqiptare që u nda papritur nga jeta, pikëllim që e përjetoi shumë thellë Rachel Cikuli.

Rachel Cikuli u largua nga Bullgaria në moshën 24 vjeç dhe në Shqipëri jetoi plot 70 vjet. Shqipërisë i fali gjithçka, jetën, ëndërrat, energjitë, këtu ndërtoi jetën, këtu vuajti, këtu u lumturua duke parë sukseset e fëmijëve, pastaj lindjen e nipave, mbesave deri të sternipave e stërmbesave.

Në librin e saj të kujtimeve lexoj: “Jam hebreje, bijë e shtegtarëve të mjerë të përndjekur nëpër botë. Kam lindur në Bullgari, ku jam rritur dhe ku kam studjuar, kur paraardhësit e mi kanë jetuar shekuj me rradhë. Erdha në Shqipëri, e martuar me Zisa Cikulin nga Korça. Mësova gjuhën dhe traditat, të cilat i përvetësova. Në Shqipëri punova si mjeke për më shumë se 30 vjet. Me Zisën patëm tre fëmijë, që punojnë e jetojnë në vendin e tyre.”…Dhe më tutje Rechel vijon: “Në “Kujtimet” jam munduar të përshkruaj shkurt ambientin që më ka rrethuar, zhvillimet politiko-shoqërore në etapat e ndryshme të jetës sime. Si konkluzion, dua të shpreh mendimin se nuk janë njerëzit e thjeshtë fajtorë për ndjenjën dhe vuajtjen time si “e Huaj”, përkundrazi janë pikërisht ata që e kanë lehtësuar me sjelljen dhe respektin e tyre këtë peshë diskriminuese që ka rënë mbi shpatullat e mia, njëlloj si mbi shumë njerëz të tjerë. Për vete jam shumë e qartë se fajin kryesor e mban rendi politiko-shoqëror si dhe njerëzit që kanë drejtuar vendet ku kam jetuar….” Dhe në rreshtat përmbyllës shkruan: “Mund të dukem shumë optimiste, por uroj dhe shpresoj që në të ardhmen do të vijë dita kur asnjë njeri nuk do ta ndjejë veten “të Huaj”, por kudo që do të zgjedhë të jetojë, do të ndihet si “Qytetar i Botës së lirë dhe të Qytetëruar”. Kjo është zgjidhja e një padrejtësie universale që Albert Camus e ka shtjelluar në mënyrën më të jashtëzakonshme dhe të përkryer tek vepra “I huaji”. Ky është amaneti i Rachel Coen Cikuli, i kësaj mjekeje dhe vajze hebreje që ra në dashuri me një mjek djalosh nga Korça dhe vendosi ta ndërtojë jetën dhe në Shqipëri dhe të jetojë deri sa dha frymën e fundit. Rachel Coen Cikuli e kishte gjetur se mjeti më i mirë për t’i shëruar plagët e veta dhe për të shëruar plagët e të tjerëve ishte dashuria, prandaj ajo si mjeke dhe si njeri dha dashuri pafund dhe dashuria iu kthye e shumëfishuar me dashuri nga pacientët e vegjël si dhe nga prindërit dhe të gjithë ata që e njohën.

A meriton Rachel Coen Cikuli të nderohet nga shteti shqiptar për punën, përkushtimin dhe gjithçka që i dha Shqipërisë dhe shqiptarëve?
Patjetër që po!
Të paktën, postum!

Mjekët dhe bashkëshortët Zisa dhe Rachel Cikuli

Kur ishin mjekë të rinj Rachel dhe Zisa Cikuli

Rachel Coen Zikuli

Këtu janë çifti Cikuli me mikun e tyre, tim atë, poetin Vehbi Skënderi. Miqësia e tyre e pastër nisi prej rinisë të herëshme deri në fundin e jetës.

Filed Under: Sociale Tagged With: Elida Buçpapaj, Maksi Cikuli, Rachel Koen Cikuli, Zisa Zikuli

PARCELA KOMBËTARE E KUJTESËS- SOLIDARIZOHU!

November 10, 2020 by dgreca

Solidarizohu për ngritjen e Parcelës Kombëtare të Kujtesës në përjetësimin e 4500 të pushkatuarve që u zhdukën dhe kufomat diktatura enveriste….

NJOFTIM NGA UNIONI MBARËKOMBËTAR I TË BURGOSURËVE DHE TË  PËRNDJEKURËVE POLITIKË TË SHQIPËRISË

Kam nderin të ju njoftoi se Unioni Mbarëkombëtar i të Burgosurve dhe të Përndjekurëve Politikë të Shqipërisë ka marrë vendimin për të ndërtuar Parcelën Kombëtare të Kujtesës në Tiranë. Në nderim të 4500 shqiptarëve të vrarë nga diktatura enveriste, e cila iu ka zhdukur dhe kufomat e tyre. Ka 30 vite që kërkojmë eshtërat e të zhdukurve por, fatkeqësisht, një pjese të madhe të tyre i kanë marrë lumejtë, si fëmijtë e vegjël në kampin famëkeq të Tepelenës, apo zalli i Kirit në Shkodër. Qindëra të tjerë i ka baltos këneta e Vloçishtit dhe Bedenit, qindëra të tjerë janë zhdukur nën humnerat e galerive të Spaçit e të Qafës Barit e Bulqizës, ndërsa dhjetra të tjerë janë zhdukur në vijën kufitare të Shqipërisë.

Nisur nga zhdukja e tyre — për të i nderuar dhe mos me i harruar kurrë –vendosëm që në Kryeqytetin tonë Tiranë, të ndërtojmë Parcelën Kombëtare të Kujtesës me emrat e tyre, ashtuqë martirët të nderohen e të përkujtohen një lloj si hebrejtë në Berlin që u zhduken nga nazizmi. Ju jemi drejtuar personaliteteve të larta shqiptare kudo që janë të solidarizohen me vendimin tone për të detyruar organet shtetërore që të caktojnë një vedn në Tiranë, për Parcelën Kombëtare të Kujtesës, në nderim dhe kujtim të përjetëshëm të 4500 shqiptarëve të vrarë nga diktatura enveriste.

Me inisiativën dhe vendimin tonë kanë shprehur solidaritetin e tyre Shkrimtari i madh Ismail Kadareja me Elenën, ikona e antikomunizmit ish i burgosuri politik në Shqipëri dhe ish-Jugosllavi, Aktivist i të drejtave e lirive të njeriut, dhe mbrojtsi i çeshtjes shqiptare në Ballkan, Prof. Sami Repishti, ish Drejtori i Zërit të Amerikës dhe ish-Drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Fran Shkreli, Poetet e shquar Elida & Skender Buçpapa,Prof. Bujar Kapexhiu, Nderi i Kombit, Rektori i UET, Prof. Selami Xhepa, ish Presidentët e Republikës së Shqipërisë, Zotërinjtë Bamir Topi, Bujar Nishani e Sali Berisha, Institucioni i Avokatit të Popullit, si dhe shumë të tjerë që po i kontaktojmë. Ju lutemi dhe presim edhe solidarizimin tuaj me këtë nismë sa fisnike dhe humane, aq edhe atdhetare. Bëhu dhe ti kontribues me solidarizimin tënd në nderim dhe kujtim të shqiptarëve martirë, të cilëve ua zhduku madje edhe kufomat e tyre diktatura komuniste enveriste. Jemi në pritje të solidarizimit tuaj me nismën tonë, për të përkujtuar përjetësisht me një parcellë në kryeqytetin e shqiptarëve, në Tiranë, 4500 shqiptarët e vrarë nga diktatura enveriste. Jemi në pritje të përgjigjes suaj!

Ju mund ta dërgoni solidarizimin tuaj në adresën elektronike besimndregjoni@yahoo.com

Me shumë respekt e dashamirsi,

Besim Ndregjoni

Aktivist i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut

President i Unionit Mbarëkombëtar i të Burgosurve dhe i të Përndjekurëve Politikë të Shqipërisë.

Filed Under: Komente Tagged With: 4500 te pushkatuar nga diktatura komuniste, Besim Ndregjoni, Parclea e Kujteses

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 312
  • 313
  • 314
  • 315
  • 316
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT