• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOMBËTARJA- Flet traineri Reja:”Objektivi ynë është për të fituar dhe t’u kualifikuar”

November 9, 2020 by dgreca

Përgatiti:Albano Kolonjari-

Kombëtarja kuqezi do të luajë tre ndeshje gjatë muajit nëntor në Shqipëri. Me Kosovën miqësore më (11/11) në stadiumin “Elbasan Arena”. Dhe dy ndeshje zyrtare të vlevshme pëe Ligën e Kombeve kundër Kazakistanit (11/15) dhe Bjellorusisë (11/18) në stadiumin kombëtar “Air Albania” në Tiranë. Por për teknikun Reja dhe Kombëtaren kuqezi, telashet nuk kanë të sosur. 10-të lojtarë nuk do të jenë të pranishëm për këto tre takime, dhe pritet që kjo listë të zgjerohet për shkak të situatës të krijuar nga Covid-19. Portieri Strakosha është “izoluar” nga ekipi i Lacios (së bashku me Immobile dhe Leiv ) pasi konfuzionit të krijuar gjatë testit për Covid-19, kur një herë dolën pozitiv dhe një herë negativ. Në listën e atyre që nuk mund ti bashkohen Kombëtares janë edhe Mihaj, Dermaku, Roshi, Lenjani, Kamberi, Çekiçi, Mersinaj, dhe Bare për shkak dëmtimesh ose rregullve të krijuara nga klubet dhe vendet në të cilat ata luajnë.  Në pikëpytje është edhe Trashi për shkak të rregullave të shtetit të Kuëaitit për Covid 19. Tekniku Reja ka thirrur në kombëtare Ledian Memushaj për të “dirixhuar” mesfushën dhe Sokol Çikalleshi në sulm. Kombëtares Shqipëtare për të siguruar kualifikimin në Ligëen e Kombeve do ti duhet të fitojë të dyja ndeshjet me Kazakistanit dhe Bjellorusisë. Në Ligën C në grupin e katërt udhëheq Bjellorusia me shtatë pikë, ndërsa Shqipëria dhe Lituania kanë nga pesë pikë. 

– Mister, ju shqetëson fakti që një pjesë e lojtarëve kryesisht që luajnë në repartin ofensiv, nuk kanë minuta? A keni një diskutim me klubet nëse do të kemi situatë si muajin e kaluar ku një pjesë e lojtarëve nuk iu bashkuan kombëtares për shkak të rregullave të vendosura prej pandemisë?

– Sigurisht që jam i shqetësuar për këtë situatë dhe për problemet që kemi me klubet. Është e vërtetë, sidomos klubet italiane që kanë rregulla të veçanta dhe mund të na nxjerrin probleme. Dhe pikërisht aty kemi edhe disa lojtarë që luajnë, të repartit të mbrojtjes. Ne kemi pasur kontakte vazhdimisht gjatë këtyre ditëve, edhe Federata ka kontaktuar nga ana e saj, edhe unë, edhe Presidenti është angazhuar për zgjidhjen e këtyre problemeve, por është një problem i përgjithshëm që e kanë të gjitha vendet dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Kemi tre ndeshje, përpara kemi ndeshjen me Kosovën që është një miqësore por pastaj kemi ndeshjet me Kazakistanin dhe Bjellorusinë që janë ndeshje zyrtare. Janë ndeshje shumë të rëndësishme.

Sigurisht, unë dua të kem të gjithë lojtarët më të mirë të gatshëm për këto ndeshje, por patjetër që kam dyshime sa i përket listës, për mundësitë që do të kenë të gjithë lojtarët për të ardhur për t’u grumbulluar me ekipin. Uroj të mos kemi, thashë që kemi probleme në aspektin mbrojtës, pra lojtarët që mund të mos vijnë, mund të bllokohen nga klubet.

Dhe do të presim, kam besim që deri të martën, te kem një panoramë të qartë siç e thashë të lojtarëve që do kem në dispozicion. Sigurisht do kem shumë pak kohë për të përgatitur ndeshjen miqësore me Kosovën. Por shpresoj dhe kam besim që do kemi lojtarët më të mirë në grumbullim.

– Janë dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve. Në qoftë se nuk arrihet objektivi për të dalë të parët, a mund të cilësohet si një dështim dhe si e komentoni përgjigjen e qeverisë, e cila nuk lejoi rikthimin e tifozëve për këto tre ndeshje?

– Lidhur me objektivat që ka kombëtarja, dy ndeshjet e fundit që ne patëm në Nations League, objektivi ishte për të marrë katër pikë por morëm dy pikë. Në ndeshjen e parë bëmë një paraqitje diskrete ndërsa në ndeshjen e dytë bëmë një paraqitje më të mirë. Patëm shumë raste për shënim, por nuk arritëm të finalizonim, gjë që na penalizoi.

Sa i përket dy ndeshjeve të ardhshme zyrtare, janë dy ndeshje që ne duhet t’i fitojmë. Pra objektivi ynë është për të fituar, pavarësisht problemeve që kemi me lojtarët. Sigurisht, objektivi ynë ka qenë vendi i parë dhe mbetet akoma ai objektiv që ne të arrijmë në vend të parë. Kemi mundësi të marrim pikët e duhura që na sigurojnë këtë vend. Do të japim maksimumin për të arritur këtë objektiv deri në fund.

Sa i përket tifozëve, unë kam parë edhe në Itali, duken ndonjëherë sikur shikojmë ndeshje miqësore kohët e fundit, për shkak se nuk ka tifozë në shkallët e stadiumit. Sigurisht, nuk është një futboll natyral pa publik. Më vjen shumë keq, për shkak se në ndeshjet në shtëpi ndihet shumë mungesa e tifozëve. Por ky është realiteti, është një problem i përgjithshëm dhe duhet të mësohemi me këtë situatë. E rëndësishme për ne është të luajmë futboll. Është një futboll ndryshe por tani jemi mësuar dhe shpresoj që të mos na krijojë probleme mungesa e tifozëve.

– Mister, në këto ndeshje, do të jetë një sulm i ri apo një sulm me përvojë duke qenë se në listë kanë ardhur Cikalleshi dhe Balaj?

– Ne në ndeshjet e fundit kemi pasur mundësi të bëjmë disa testime, disa prova sa i përket sulmit. Kemi parë Brojën, i kemi dhënë mundësi, e kemi parë në fushë, në ndeshje, ka bërë një paraqitje të mirë. Dhe me klubin po bën shumë mirë. Pastaj, kemi provuar edhe Kallakun, të cilin më në fund arrita ta shoh në aksion. Por ndeshja me Kosovën do të më shërbejë për të bërë disa vlerësime për situatën e grupit dhe për lojtarët e rinj sigurisht. Por ndeshjet vendimtare për ne janë ndeshjet me Kazakistanin dhe Bjellorusinë. Absolutisht nuk e nënvlerësojmë Kosovën, është një ekip shumë kompetitiv, do jetë një ndeshje vëllazërore. Kjo ndeshje ka rëndësinë e vet, sidomos për disa lojtarë që nuk kanë luajtur shumë në ndeshjet e fundit dhe është një mundësi e mirë për mua që të shoh prapë lojtarë të rinj, të bëj disa prova. Gjithsesi shqetësimi im siç e thashë është të shoh të gjithë lojtarët që do të kem në dispozicion. Të hënën do kem thuajse të gjithë grupin dhe do të kem vetëm një ditë për të përgatitur këtë ndeshje kështu që shpresoj të marrim maksimumin.

– Historinë e lidhjes së Shqipërisë me Kosovën, trajneri e ka të qartë. Gjithsesi, nuk e di nëse e ka të qartë që në vitin 2018, pas miqësores me Kosovën, filloi të shkërmoqet edhe projekti i Panuçit. Pra, përpos dy ndeshjeve të fundit dhe detyrimit për të fituar Ligën e Kombeve, a mendon se dhe kjo miqësore përballë Kosovës mund të ndikojë te projekti që trajneri Reja ka me kombëtaren shqiptare?

– Nuk e shoh me vend krahasimin me atë që ndodhi pas ndeshjes me Kosovën dy vjet më parë. Sigurisht, Kosova ka rëndësinë e saj si takim. Shqetësimi im kryesor është të kem të gjithë lojtarët në dispozicion, të kem të gjithë grupin dhe siç e theksova, dy ndeshjet zyrtare për mua kanë rëndësi më të madhe, sigurisht pa i hequr rëndësinë miqësores me Kosovën. Unë e shoh realitetin në sy, pra duke parë situatën në të cilën jetojmë, me pandeminë, me dëmtimet etj., punoj me të rinjtë, por sigurisht që projekti vazhdon. Duam që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë, sigurisht sa herë zbresim në fushë, objektivi ynë është që të fitojmë. Këto tre ndeshje kanë ardhur, sërish në një moment shumë të vështirë për të gjithë. Jemi Shqipëria! Shqipëria gjithmonë luan për të fituar dhe unë jam i bindur që lojtarët që do zbresin në fushë në ndeshjet e radhës do japin maksimumin dhe të marrim prapë maksimumin në të tria ndeshjet.

-Mister, në listë ka 7 sulmues dhe vetëm 4 qendërmbrojtës, duke mos e harruar edhe Çepelen që bëhet i pesti. Mos ndoshta do jeni i shtrënguar që të ndryshoni skemën në dy ndeshjet zyrtare?

– Po, sigurisht që skema mund të ndryshojë. Skema bëhet në varësi të lojtarëve që ne kemi në dispozicion. Sigurisht, nëse disa nga lojtarët e mbrojtjes që i përmendëm pak më parë, nuk do kenë mundësi të bashkohen me skuadrën, për shkak se mund të bllokohen nga klubet, do të na duhet të gjejmë një zgjidhje tjetër. Deri tani mund të them që Veseli, Ismajli dhe Gjimshiti kanë dhënë ok për të ardhur. Trashi është akoma në pikëpyetje, Hysaj e kemi llogaritur, por gjithçka mund të ndodhë deri në momentin e fundit. Sigurisht nëse do kemi mungesa të tjera, unë do ta rishikoj skemën nuk diskutohet. Gjasula mund të vijë të martën ose të mërkurën në mëngjes, kështu që mund të mos e llogaris për ndeshjen me Kosovën, pra është gjithmonë me pikëpyetje, por sigurisht do jetë për dy ndeshjet e tjera. Mund të bëj ndonjë provë, mund të provojmë skemën 4-3-1-2.

Skema bëhet nga trajneri, por varet nga lojtarët që kemi në dispozicion. Moduli i lojës që kemi përdorur deri tani, na ka dhënë garanci, edhe në ndeshjet e fundit, skema ka funksionuar por thjesht nuk kemi pasur fat përpara portës. Unë dua që mesfushorët dhe krahët të shtyjnë shumë përpara dhe të kemi 5-6 lojtarë që janë të pozicionuar në fazën mbrojtje, por sigurisht ta mbështesin, ta shtyjnë ekipin përpara. Patjetër, mund të ketë ndryshime të skemës.

Sigurisht, unë në karrierën time kam përdorur shumë skema, nuk është se jam i fiksuar pas njërës skemë, por për ndryshimin e një skeme duhet kohë, duhen testuar lojtarët, duhen provuar në ndeshje etj. Ajo që mund t’ju them është që lojtarët janë përshtatur me këtë skemë, ndihen të sigurt. Nuk është se unë kam vendosur këtë skemë dhe ekipi nuk është përgjigjur. Jo, ekipi është përgjigjur mirë, por janë situata që do t’i shohim në vazhdimësi. Për skemat jam i hapur, por varet nga lojtarët.

Lista e plotë

Etrit Berisha

Alban Hoxha

Marko Molla

Elseid Hysaj

Ardian Ismajli

Berat Gjimshiti

Marash Kumbulla

Frederik Veseli

Rramen Cepele

Albi Doka

Lorenc Trashi

Hysen Memolla

Ledian Memushaj

Klaus Gjasula

Enis Cokaj

Amir Abrashi

Lindon Selahi

Qazim Laci

Sherif Kallaku

Ylber Ramadani

Bekim Balaj

Xhakomo Vrioni

Armando Broja

Taulant Seferi

Sokol Cikalleshi

Rei Manaj

Myrto Uzuni

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, Flet Reja

Vllaznia në krye, Kukësi në fund,”Tërmet” në Laç

November 9, 2020 by dgreca

Dielli Sport- Kategoria Superiore-Shqiperi-

Vllaznia në krye, Kukësi në fund, “Tërmet” në Laç-

Nga Alban Kolonjari-

Vllaznia e drejtuar nga trajneri gjerman Thomas Brdariç, është e vetmja skuadër që ka realizuar dy fitore në dy javët e para të Kategorisë Superiore. Një start mbresëlënës i skuadrës shkodrane që ka befasuar me rezultatet e arritura (Vllaznia-Apolonia 2-0, Skënderbeu-Vllaznia 0-2). “Ne dhamë maksimumin dhe jemi të  kënaqur me paraqitjen e skuadrës në këtë ndeshje. Ne nuk i kemi vënë objektiva vetes, por do ti  marrim ndeshjet me radhë dhe të shpresojmë të ecim kështu”, u shpreh gjermani Thomas Brdariç. Dilaver në të 33′ dhe Da Silva në të 42′ ishin autorët e golave për kuqeblutë të cilët e dominun lojën. Vllaznia duket se e ka gjetur “bomberin” e saj. Pesë gola në tre ndeshje për sulmuesin Haris Dilaver (3 në Kupë dhe 2 në kampionat). “Alarm bardhekuq”, për Skënderbeun. Skuadra e drejtuar nga  Julian Ahmataj nuk bindi në lojë dhe nga specialistët shikohet si një skuadër “kandidate” që do të luftojë për të qëndruar në Kategorinë Superiore. Këmbanat e alarmit kanë rënë edhe për skuadrën e Kukësit. Skuadra që këtë sezon drejtohet nga Skënder Gega është ndërtuar për të synuar titullin kampion. Kuksianët janë e vetmja skuadër që nuk kanë shijuar asnjë pikë dhe nuk kanë shënuar asnjë gol këtë fillim kampionati. Në javën e parë kuksianët humbën 2-0, përballë kampiones në fuqi Tiranës, ndërsa në javën e dytë sërisht 0-2 por përballë Partizanit. “Besoja se mund të merrnim një rezultat pozitiv, por nuk ia dolëm. Janë dy humbje në dy javët e para, që natyrisht djegin, por unë punoj me skuadrën dhe ia njoh cilësitë, ndaj besoj se mund të rikuperojmë në sfidat e tjera”, u shpreh tranjeri Gega pas ndeshjes. Legjenda e kuqe, Partizani që këtë sezon drejtohet nga Ilir Daja realizoi fitoren e parë, përbllë rivalëve kuksianë. “E nisëm shumë keq ndeshjen. Në pjesën e dytë luajti mirë i gjithë ekipi,  veçanërisht pjesa e sipërme e skuadrës, pasi edhe Bardhi e Mala kishin detyra që të mbronin duke bërë presing lart. Kemi problem me organizimin e lojës, por këta lojtarë kemi në dispozicion duke qenë se merkatoja ka qenë e bllokuar”, u shpreh tranjeri Daja. Teuta duket se ja ka marrë dorën Tiranës. Djemt e detit fituan 0-1 përblla kampioneve. Takimi Tirana-Teuta 0-1 () u zhvullua në qytetin e Pogradecit pasi stadiumi “Selman Stërmasi” po rregullon fushën e blertë. Teuta i bërri presing lart Tiranës, duke mos lejuar bardheblutë të dalin në lojën e tyre. Pas pësimit të golit, Tirana mori kontrollin e lojës luajti me tre mbrojtës duke i dhënë përparësi mesfushë dhe sulmit  por nuk arriti të shënonte.” Duhet të mësojmë shumë nga kjo humbje.  Pësuam gol në goditje standarde, dhe nuk ishim shumë të përqendruar. Ka edhe 34 ndeshje për t’u luajtur, ndaj nuk ka vend për alarm, por mendoj se do të jetë një kampionat shumë i fortë”, u shpreh tekniku kampion në fuqi Egbo. Por a është Teuta një “mace e zezë” për Tiranën? Në pesë ndeshjet e fundit durrsakët kanë fituar kundër Tiranës duke i rrëmbyer jo vetëm fitoren por Kupën dhe Super Kupën e Shqipërisë. Tekniku i Teutës Edi Marti shprehet:” Kemi në skuadër lojtarë që mund të synojnë titullin dhe jemi gati të bëjmë maksimumin për këtë objektiv. Kemi ruajtur boshtin e skuadrës së sezonit të kaluar dhe kemi sjellë edhe futbollistë të tjerë cilësorë, duke shtuar alternativat, dhe rivalitetin në grup”. “Tërmet” tek Laçi pas barazimit 1-1 me Kastriotin në fushën e kurbinasve. Skuadra e Laçit ishte duke udhëhequr 1-0 deri në minutën e 92, kur sulmuesi më përvojë i Kastriotit Sebio Plaku barazon 1-1.  Krutanët luajtën me 10 lojtarë për afro 30 minuta, pas daljes me karton të kuq të Rezit. Rezulati 1-1 (por edhe barazimi i dytë në dy javët e para) duket se nuk i ka pëlqyer presidentin Laska, që mësohet se ka debatuar fort me teknikun shkodran të Laçit Armando Cungu që është larguar nga stadiumi pa dhënë asnjë intevistë për gazetarët e parnishëm. Kjo “krisje” mendohet se ka sjellur edhe fundin e bashkëpunimit midis tranjerit Cungut dhe presidentit Laska. Pas përfaqësimit  dinjitoz në eliminatoret e Europa Leagë, shpalli kandidaturën për fitimin titullin kampion, duke u bazuar edhe në merkaton e zhvilluar. Por sezoni 2020-2021 nuk ka nisur aspak mirë për kurbinasit që kanë arritur dy barazime 2-2 në Ballsh dhe 1-1 në fushën e tyre me krutanët. Në derbin e Mallakastrës Apolonia barazoi 2-2 me Bylisin. Firakët ishin në avantazh 2-0 por nuk arritën të siguroinin fitoren. 

Kukësi-Partizani 0-2 

Tirana-Teuta 0-1

Skënderbeu-Vllaznia 0-2

Apolonia-Bylis 2-2

Laçi-Kastrioti 1-1

Vllaznia 6 pikë

Kastrioti 4

Teuta 4 

Partizani 3

Tirana 3

Bylis 2

Laçi 2

Apolonia 1

Skënderbeu 1

Kukësi 0

Filed Under: Sport Tagged With: "Tërmet" në Laç, albano kolonjari

Mos e vrit veten motër!

November 8, 2020 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

1) Njëra nga gratë e grevës në Ballsh, tentoi të presë damarët. Mos e vrit veten motër. Jetën ta ka dhënë Zoti dhe duaje. Ju plotësuat burrat. Ndërkohë u kërkuat grave të kuvendit një solidarizim. Ndofta i kujtoni si vetja. Por nuk janë të tilla. Janë lodra duarsh. Dhe me duart bëhen shumë gjëra. Janë të përdoruara si makinat. Ndërkohë edhe shoqërisë. Edhe ajo ishte apatike. Një lloj mendësie sociale e jona që na ka lidhur pas hurit. A një emri. Dhe kjo na ka kërrusur. Shumë kanë frikë. Sepse pushteti tek ne është dhunë psiqike. Të ikën buka e gojës. Shumë as që duan t’ia dinë edhe pse nesër mund të ndërroni vendet. Ne kujtohemi për njëri tjetrin veçse në hall. Nuk e keni vënë re, kur ikën tjetri kujtojmë ta duam. Duam një fantazmë, duam një krijesë që kaloi gardhin e nuk do na kthehet më. U ka ardhur shpirti në majë të hundës. Nuk keni faj. Megjithëse punoni ( me një fjalë burrat tuaj) në një minierë ari të zi, jeni më të varfër se vet varfëria. Mos e vrit veten grua, se të presin në shtëpi. Lufta ka vërtetë viktima por ka edhe triumfator. Radhitu tek kjo anë e mbarë.

2) Sot qeveriu nuk ka pak që njoftoi se ju e hapët krahun. Parimi i tij ishte që nuk ka bisedime pa ndaluar grevën. Nuk e di nëse është i drejtë vendimi juaj. Koha do e tregojë. Megjithatë ai është i lumtur dhe zakonisht lumturia e njëshave është pak mjalt në krye, se më tutje kavanozi ka vetëm farmak. Unë uroj me shpirt të merrni ato që u takojnë, punën e pa paguar prej dy vitesh. Dhe jo vetëm kaq, por dinjitetin e punëtorit të arit të zi. Të punëtorit perëndimor, me të gjitha tagret e duhura, si vjetërsia e siguracioni. Madje të jeni vendimarrës në fatet e uzinës. Puna nuk bëhet me harabela, por me frymën tuaj. Për më tepër që aty përreth jetoni, aty gëzoheni, martoheni e trashëgoheni. A janë këto të arritshme. Absolutisht që po. Mjafton të zhduket kanceri i ekonomisë sonë, informaliteti. Mjafton që uzina juaj të mos jetë laborator në pastrimin e valutës, me ato transaksionet e firmave fantazmë që mbijnë sot e zhduken nesër. Ujku është i lumtur dhe deklaroi lumturisht se do vi tek ju nesër. Por shikoni se çfarë mendje kishte dikur për grevën, protestën dhe qeverinë. Janë nga koha kur ishte një opozitar.

3) ”Sali Berisha del dhe thotë sikur të ishte duke i dhënë popullit një lajm të mirë, nuk ka draft, nuk ka marrëveshje, nuk ka zgjidhje, nuk ka gjë në tavolinën time. Po atëherë çfarë bën zotrote në atë tavolinë në rast se nuk ke zgjidhje për këtë krizë që po e rrënon ekonominë , për këtë krizë që po rrënon demokracinë, shtetin e së drejtës, ekonominë? Çfarë bën zotrote në atë tavolinë kur nuk je në gjendje të bësh detyrën minimale? Dhe detyra jote minimale është ti japësh zgjidhje kësaj krize e cila i ka rrënjët tek kutitë e mbyllura të zgjedhjeve të shkuara.” 

4) Këto janë fjalët e Edi Ramës. Ose ca syresh. Nga ato lëçitjet e tia në majin e 2010-ës. Atë kohë ai ishte opozitar. I donte grevistët, i donte protestuesit. Bënte grevë urie për kutitë e votimit. Një grevë që do mbahet mend për formën beduine. Që i bashkangjitej strategjive radikale të bojkotit, thirrjeve për rrëzimin me dhunë të qeverisë, grevë urie nga militantët a funksionarë që kishin braktisur Kuvendin. Një grevë ku ai vet nuk u bë pjesë sikur edhe një orë. Dhe që sipas kabllograve nga Wikileaks, rezultoi që e bënte për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, izoluar qeverinë, për rrjedhoj edhe anëtarësimin në Europë. Të gjitha këto me paratë e fondacionit Shoqëria e hapur apo siç e njohin shqiptarët, fondacioni Soros. Prandaj kijini parasysh se me kë do flisni.

5) Sa të vërteta janë këto, e pohon vet Rama kur thotë, ”ka prej tyre që arrin të thonë se protesta jonë dëmton demokracinë dhe integrimin. Këta janë përgjithësisht një pakicë e cila vetë jeton më mirë se shqiptarët, ata që sot s’kanë asnjë rrugë tjetër përveçse të protestojnë.”  Edi Rama, muaji maj 2010. Por kur erdhi në pushtet, protestat e opozitës i cilësoi si shkaktaret kryesore që po dëmtonin imazhin dhe integrimin e vendit. Sot siç e dini Shqipëria që ishte tek dera e zyrës së integrimit, e kanë nxjerrë nga radha fare.

6) Ka edhe kësi pohime: ”Sot kam pasur një diskutim me një qytetar i cili më tha, se si plotë të tjerë, ishte dakord me çka ne kërkojmë, ishte plotësisht dakord se kutitë duhet të hapen, ishte plotësisht dakord se transparenca duhet të jetë parimi i funksionimit të institucioneve shtetërore, të parlamentit, të qeverisë e kështu me radhë. Ishte plotësisht dakord se liria e medias duhet garantuar, por nuk ishte dakord me formën e protestës sonë dhe as me grevën e urisë. Atij qytetari dhe të gjithë atyre që mendojnë si ai u them, në rast se jeni dakord me gjithçka që ne kërkojmë, por nuk jeni dakord me formën se si ne protestojmë, atëherë protestoni në formën tuaj, por mos rrini duke bërë sehir, mos rrini duarkryq, mos rrini larg.”

I tha Edi këto, jo unë. I drejtohej shoqërisë civile. Unë vetëm se po i kujtoj. Dhe kur i kujtoj, ramistët më ngërdheshen.

7) Sa për dijeninë tuaj, ky Edi Rama në kohën e grevave, protestave, për karriken e tij, jo për ekonominë tuaj, jo për fatin e Shqipërisë në Europë, bojkotoi rreth shtaqind e ca ditë Kuvendin. E kam thënë gjithmonë po si opinionist modest që jam nuk para m’i marrin seriozisht llogaritë. Shtaqind e ca ditë bojkot, plot dy vjet, por rroga nuk iu ndërpre asnjë kuvendari të rilindjes. Nuk ja ndërpreu Jozefina. Kokërr më kokërr pa qënë në punë. Kurse ju, burrat tuaj punonin e nuk paguheshin. Ec e gjeje tani. Ec e uluni të bisedoni me ujkun. Babain e absurdit, të informalitetit, të propogandës. Atij që shëmb teatro dhe kthen në muzeume shtëpitë me gjethe, ose strofkullën e spiunëve.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Mos e vrit veten, Moter

FITON AMERIKA!

November 8, 2020 by dgreca

-“Ne mund të jemi kundërshtarë, por nuk jemi armiq”, siguroi amerikanët Presidenti i zgjedhur Joe Biden, në një fjalim drejtuar Kombit të Shtunën me 7 nëntor 2020.

Nga Frank Shkreli/

Ja, më në fund edhe zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara u mbajtën.  Votat u numëruan, ish-Zëvendës Presidenti Joe Biden i Partisë Demokrate u shpall fitues i zgjedhjeve, ndërkohë që Presidenti Donald Trump ende konteston në gjykata numërimin e votave, në disa shtete të Amerikës.  Megjithë këto kundërshtime dhe disa sfidave ligjore – të cilat nuk janë të parat – dhe besoj as do të jenë të fundit në historinë e zgjedhjeve në Amerikë – me 20 Janar, 2021 transferimi i pushtetit do të ndodh ashtu si gjithmonë dhe sipas Kushtetutës, pikërisht siç ka ndodhur për më shumë se dy shekuj më parë.  Një ceremoni, vërtetë unike në botë, por që ne, këtu në Amerikë, e konsiderojmë krejt normale, pas një fushate politike dhe debatesh shpesh të ashpra, për të zgjedhur kandidatin që mendohet se do të jetë më i mirë për Amerikën, në katër vitet në vijim.  

Pa dashur të largohem shumë nga tema e këtij shkrimi të shkurtër e modest, do dëshiroja që me këtë rast të transferimit të pushtetit në Shtetet e Bashkuara, t’i këshilloja – nëqoftse më lejohet — udhëheqsit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, që të frenohen nga deklarata të papërgjegjëshme, siç ka ndodhur herë të tjera, në lidhje me njërin apo tjetrin kandidat për president të Amerikës.  Amerika nuk është as Trumpi as Biden, por është populli amerikan, i cili, për mirë ose për keq, i voton ata me një shumicë votash.  Ashtu siç kam shkruar edhe katër vite më parë  — marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe kombit amerikan janë tepër të rëndësishme për tu përgojuar me paragjykime ndaj njërit ose tjetrit kandidat të veçant për president. 

Duhej të ishte e qartë tanimë se marrëdhëniet midis dy popujve tanë duhet të zhvillohen bazuar në miqësinë dhe mbështetjen historike të Amerikës për Kombin shqiptar, si dhe në vlerat dhe interesat e përbashkëta aktuale dhe jo në paragjykime mbi njërin ose tjetrin kandidat, bazuar në konsiderata ideologjike. Në fund të fundit, duhet të respektohet vendimi i votës së shumicës së amerikanëve, pasi ata janë zgjedhësit të cilët votojnë kandidatin që ata konsiderojnë si më të mirin për president dhe për të ardhmen e tyre.  Marrëdhëniet e shqiptarëve në Ballkan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë due nuk duhet të jenë të lidhura me ndonjë udhëheqës të veçant amerikan ose shqiptar, por janë të lidhura, përjetësisht, midis dy popujve tanë dhe si të tilla duhet të trajtohen, me përgjegjësi kombëtare, si nga Tirana ashtu dhe nga Prishtina zyrtare.  Vura re debatet e nxehta, sidomos në studiot e Tiranës – sikur Shqipëria nuk ka probleme tët jera – në lidhje me zgjedhjet në Amerikë.  Pyetja kryesorja ishte ç’bëri Trumpi për Shqipërinë dhe çdo bejë Bideni për Shqipërinë???  Askush nuk bëri  pyetjen se si shqiptarët duhej të punonin së bashku me Amerikën — aleatin e tyre të fortë – në mbështetje të lirisë, demokracisë due sigurisë së vërtetë në Shqipëri dhe në Kosovë, pa marrë parasyshë se kush është në Shtëpinë e Bardhë. 

Nuk ka dyshim se shpeshëherë demokracia mund të duket si një sistem një vazhdimisht në rrëmujë. Uinston Çurçilli ka thenë se, “Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, me përjashtim të të gjitha të tjerave”.  Nuk ka dyshim, se zgjedhjet e këtij viti këtu në Amerikë provuan, se siç ka thenë edhe Çurçilli, ndoshta për disa, demokracia nuk është një shembull i mirë qeverisjeje. Por, kur konsideron alternativat e tjera, sistemi demokratik – megjithëse jo i përsosur – mbetet, mbi të gjithë të tjerët,  ende sistemi në të cilin triumfojnë dinjiteti dhe të drejtat bazë të njeriut.  Gjatë katër viteve të kaluara, Shtetet e Bashkuara dhe bota u përballen me sfida të mëdha, përfshirë pandeminë Covid-19 dhe jam i bindur se edhe katër vitet e ardhëshme, nuk do të jenë të lehta as për Amerikën dhe as për botën, ndonëse do të përballen me problemet e pazgjidhura aktuale, por edhe me sfida të reja. Zgjedhjet kanë pasoja, zgjedhjet sjellin ndryshime.  Ndryshimet në qeverisje, jo vetëm që janë pozitive por edhe të doemosdoshme. Nuk duhet të kemi frikë as të shqetësohemi nga ndryshimet, sado të dhimbshme qofshin ato për mbështetsit e njërës apo tjetrës palë.  “Ndryshimi është ligj i jetës. Dhe ata të cilët shikojnë vetëm të kaluarën dhe të tashmen, kanë gjasa të humbasin të ardhmen”, ka thënë ish-presidenti amerikan, Xhon Kenedi.

Atyre të cilët, gjatë katër viteve të fundit, kanë parashikuar dhe që ndoshta edhe dëshirojnë fundin e Amerikës dhe të demokracisë si sistem qeverisjeje në SHBA, u them qetësohuni, mos u shqetësoni! Megjithë fushatën e ashpër për president midis dy palëve dhe megjithë sfidat aktuale të brendëshme dhe ndërkombëtare, si dhe problemet me të cilat do përballet, në të ardhmen, Amerika, “Amerikanët, ashtu si edhe në të kaluarën, kanë kapacitetet të bëjnë gjithçka që duhet bërë për të ruajtur këtë bastion (Amerikën) të fundit dhe të madh të lirisë”, është shprehur dikur ish-Presidenti amerikan, Ronald Reagan. Ndërsa, fjalët e një tjetri president të Amerikës, Xhon Kenedi, në inaugurimin e tij, pikërisht 60-vjet më parë, në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë amerikane, ende tingëllojnë aktuale për shumë amerikanë, e të cilat gjithnjë pasqyrojnë përkushtimin e këtij vendi në mbështetje dhe mbrojtje të lirisë, jo vetëm në këtë vend, por kudo. “Le ta dijë çdo komb, nëse na dëshiron të mirën apo të keqen, se ne do të paguajmë çdo çmim, do mbajmë cilëndo barrë të rëndë, do përballemi me çdo vështirësi, do mbështesim çdo mik dhe do kundërshtojmë çdo armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.

Në zgjedhjet e këtij viti, ashtu si edhe në të kaluarën, votuesit amerikanë përpiqen që, ndërgjegjëshmërisht, të hedhin votën e tyre duke pasur parsysh të metat dhe problemet e këtij vendi, por duke qenë, njëkohësisht, edhe krenarë për vlerat dhe demokracinë e këtij vendi, si dhe mundësitë që ofron demokracia e vërtetë, duke qenë të vetdijshëm se me votën e tyre të lirë, pa marrë parasysh se cili kandidat fiton – më në fund fiton, Amerika.  

Megjithë ndarjet aktuale politike që, tani për tani, mund të duken të thella në politikën amerikane dhe si rrjedhim edhe në radhët e publikut amerikan, Shtetet e Bashkuara kanë fuqinë dhe përvojën historike që politika amerikane dhe amerikanët në përgjithësi -në dialog dhe bashkpunim me njëri tjetrin – t’i kapërcejnë ndasitë me sukses dhe si gjithmonë në interes të Amerikës.  “Ne mund të jemi kundërshtarë, por nuk jemi armiq”, siguroi mbrëmë amerikanët Presidenti i zgjedhur Joe Biden, në një fjalim drejtuar Kombit.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Fiton Amerika, Frank shkreli

Amerika, dhe ekuacion i vështirë, i zgjedhjeve,

November 8, 2020 by dgreca

Shkruan: Alfons Grishaj/

Ëndrra e të gjithë të shtypurve në botë ka qenë dhe është  Amerika.  Modeli i demokracisë dhe i kapitalizmit ku paguhet djersa dhe rritet oportuniteti. Çdonjeri ka mundësinë të ndriçojë dhe përparojë, veçanërisht të lindurit në këtë vend. Ata mund të bëhen milionerë, Kongresmenë,  Senatorë, biles dhe Presidentë, siç u bë  Obama etj. 

Por, çfarë po ndodh tani? Konglomerati i dobët po fiton terren. Raportet  e demokracisë amerikane po dobësohen  deri në atë shkallë sa krijuesit e USA, baballarët e Kombit të diskutohen të  denjë apo të padenjë. 

Ballafaqimi i Amerikës me një “kulturë” tjetër… atë të botës se tretë është më i dhimbshmi. Ky shtet gjigand…, ku pasqyrohet në mënyrë perfekte regresi dhe progresi, e drejta dhe detyra, pasuria dhe varfëria, shteti ligjor dhe demokracia, dëshira dhe vullneti, oportuniteti dhe dekandenca,  ekzistencializmi dhe imperializmi, novacioni dhe politika, lakuriqësia dhe ekscentrizmi etj…, nuk është ballafaquar ndonjëherë me fenomenin e vjedhjes së votës në mënyrë masive, siç theksova më lart, fenomen i përhapur në botën e tretë. Në Michigan ndriti një softwere ku ndryshoi njëherësh 6000 mijë vota në favor të Biden dhe po ky softwere është përdorur  në 47 County të tjerë  në Michigan. Ky softwere a thua është përdorur dhe në shtetet e tjera të Amerikës? Një fenomen tjetër i pangjarë më parë, pala demokrate maskon dritaret dhe nuk lejon oponentët të marrin pjesë në numërimin e votave. Këto fenomene kanë ndodhur dhe ndodhin ende në botën e tretë dhe fatkeqësisht dhe në Shqipërinë tonë, por nuk e kisha menduar asnjëherë se do e përjetoja një dramë të tillë në Amerikë. 

Brezat patriotë që e ndritën Partinë Demokratike të Amerikës po shuhen. JF Kennedy (Demokrat) dhe vëllai i tij Bob Kennedy,  akuzuan lëvizjen sindikale të Xhimmi Hoffa (president i (IBT), si komuniste, duke e burgosur Xhimin. Çifti Rosenberg u vu në karrige si agjentë të komunizmit… 

Tani  lëvizja “Antifa” shkatërron…,  demokratët pranojnë para prej komunistëve kinezë etj. dhe  askush nuk i vë në karrige elektrike. Financojnë Iranin (gjoja në bazë të marrveshjes…) askush nuk i quan tradhëtarë. Udhëheqësit e PD flasin për Socializëm dhe flamuri amerikan shkelet nga laskarë me bluza të Çhe Guevara-s, dhe  askush nuk i thotë gjë, biles, media liberale i bën jehonë… Osana!  Ndryshe me Trump , ku që nga dita që erdhi në pushtet e deri më sot, çfarë nuk u sajua nga media e majtë, teori  konspirative deri në tradhëti. 

Partia Demokratike që njihej si luftëtare e klasës së mesme dhe të varfër, e lirisë dhe të drejtave të njeriut ka vdekur. Tani është një parti tjetër… globaliste, e cila nuk e ka për asgjë që ta rreshtojë Amerikën në listën inferiore të shkollës globale, ku njeriu do të kontrollohet nga  çobanët e klanit, mbase nesër… dhe me një chip në qafë, shpatull apo gjetkë… alarm i dhënë dhe nga Arqipeshkëvi  Carlo MariaVigano …

   Kurse Republikanët, me ardhjen e Trump, pësuan një ndryshim thelbësor: kjo parti ndërroi vendet me PD-në  e Amerikës, pra PR u bë më e afërt me klasën e mesme dhe të varfërit duke përfshirë dhe pakicat legjitime. Nacionalizmi amerikan u bë imperativ çka ndryshoi dhe prishi rregullat e ngurta të diplomacisë botërore. Tasi magjik i globalizmit (praktikë e Obamës dhe klanit të tij)  pothuajse u boshatis. Zoti u riftua në tryezat e çdo besimi, duke fituar lavdinë e vet. Familja u vendos në plan të parë, duke denoncuar foshnjet e vrara nga frymëzimi liberal se nënat mund të bëjnë çdo gjë me barkun e vet, duke harruar se ato u lindën po nga nënat dhe jo nga makina e propagandës së djallit. Ekonomia u rrit në mënyrë galopante. Amerikanët (përveç pederave të klasës liberale, Sorosianëve, klasës tradicionale demokrate që ende nuk e kuptojnë shkarjen e partisë tyre,  Bushëve e rrushëve),  ishin të lumtur deri në momentin e Kovid 19, një virus i zgjuar që ndëshkon pamëshirë. Faji i Kovid  iu faturua Presidentit Trump, si i paaftë për t’a vënë situatën nën kontroll. Një turp i paparë! Në të gjithë botën Kovid 19, bëri atë që bëri dhe në Amerikë. Sipas statistikave në Amerikë, ndërrojnë jetë mbi 200, 000 mijë persona nga flu season  dhe  askush nuk e bën të madhe, pse duhet pompuar Kovid 19 kaq shumë, kur e keqja e një virusi më të rrezikshëm do t’i trokasë botës… dhe mbase do  fshijë nga faqja e dheut një të tretën e popullsisë në botë?! Spanish flu vrau mbi 50 milionë njërëz dhe askush nuk u gjykua, sepse  “shuplaka e Zotit” nuk gjykohet! Në raste të tilla, njerëzit  pa karakter, dhe nëse nuk ka faj dhe fajtorë… e ndërtojnë atë! Natyrën dhe Zotin e bëjnë njeri dhe sëmundjen produkt të qëllimit. 

Fitorja  i “buzëqeshi” (me forcën e manipulimit , but not yet!)  Biden, dhe ky një mik i shqiptarëve, por i tjetërsuar…, mbase nga mosha, mbase nga etja për t’u bërë President, mbase nga klani global? Pas kësaj (qofsha i gabuar në parashikimin tim), Amerika dhe amerikanët do të pësojnë një goditje të gjithanshme: gazi dhe nafta do të rritet në 4-6 dollarë. Ushqimet do bëhen më të shtrenjta, bursat do të pësojnë rënie, dollari amerikan do të zhvleftësohet, politika do të pësojë një impakt, mbase dhe inferior. Mbase Dardania  dhe udhëheqësit e saj do lundrojnë në ujëra të turbullta. Përkrahja ndaj kauzës do  fillojë të zbehet. Shqipëria si gjithnjë do mbijetojë  falë shpirtit luftarak dhe oportunizmit klasik, por bota dhe Amerika nuk do jenë kurrë më të njëjtë! Realiteti dhe zhgënjimi do e zhvleftësojë shpejt entuziazmin frenetik.

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj, amerika, dhe ekuacion i vështirë, i zgjedhjeve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 315
  • 316
  • 317
  • 318
  • 319
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT