• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Manifestim i shkëlqyer në 2 vjetorin e krijimit të “Illyrian Society of Law Enforcement”

November 6, 2015 by dgreca

Nga Beqir SINA/
BROOKLYN, NY: Në kuadrin e aktiviteteve të nëntorit – në komunitetin shqiptarë, mbrëm në qytetin e Brooklynit – Nju Jork, Shoqata Amerikane Shqiptare e Policisë Iliriane, me punonjësit shqiptaro-amerikanë të ruajtjes së rendit, në uniformat blu të NYPD – ka shënuar dy vjetorin e themelimit të saj.
Kjo, shoqatë, e cila deri tani ka mbledhur rreth vetes më shumë se 100 oficerë policie, shqiptaro – amerikanë, funksionon në bazë ligjeve njujorkeze për shoqatat dhe organizatat jo qeveritare dhe jo përfituese. Me djem dhe vajza në radhët e uniformave blu të NYPD – të cilët shërbejnë çdo ditë e natë me profesionalizëm dhe përkushtim në organet e policisë federale, shtetërore, si edhe në strukturat e tjera që merren me ruajtjen e rendit dhe sigurisë, në nivele lokale, në shtetin e New York-ut, dhe federale në SHBA.
Numri i shqiptarëve të punësuar në fushat e zbatimit të Ligjit, ruajtjes së rendit dhe mbrojtjes së qytetarit, këtu në Amerikë, në dy dekadat e fundit ka ardhur duke u rritur, sidomos dy dekadat e fundit.
Në mesin e tyre, sot ka edhe disa gra e vajza, të cilët janë edhe veterane të policisë së New Yorkut, por edhe nga ato me origjinë Arbereshe, emigruar në SHBA, dhjetra dekada më parë, por që sot pohojnë se janë krenare se janë me gjak shqiptare.
Madje, janë edhe anëtarë të shoqatës “Illyrian Society of Law Enforcement” dhe u nderuan mbrëm me medaljet përkatëse të kësaj shoqate, siç ishte rasti i Zëvendës Komisioneres së NYPD Cathleen S. Perez, e cila pohojë se ka gjak shqiptari nga prejardhja e saj – nga Arbereshët e Italisë.
Mbrëmja e uniformave blu, u mbajt në lokalin luksoz “Russo’s On The Bay” në Howard Beach -një zonë bregdetare në mes Brooklynit dhe Queensit në New York, dhe morën pjesë rreth 500 vetë, përfshirë anëtarë të familjeve të këtyre policëve, miq dhe shok të tyre, mbështetës të uniformave blu .
Festimin e përvjetorit të dytë të themelimit të Shoqatës Amerikane Shqiptare të oficerëve të policisë “Illyrian Society of Law Enforcement”, e udhëhoqi si moderator zëvendës Shef i Prokurorit të Qarkut, Joseph A. Piraino.

Mbrëmja u çel me këndimin e hymnve kombëtare të SHBA dhe Shqipërisë nga këngëtaria e mirënjohur Merita Halili dhe vetëm me muzikë hymni Kosovës, luajtur të tre në fizarmonikë nga mjeshtri Raif Hyseni.

Pjesëmarrësit, mbajtën një minutë zi, për të gjithë ata punonjës të uniformave blu të NYPD, të cilët kan humbur jetën në krye të detyrës, në kohë e rrethana të ndryshme.

Në mbrëmjen festive të uniformave blu – policëve shqiptaro- amerikanë, morën pjesë gjithashtu edhe përfaqësuesit e shtetit shqiptar, diplomatët nga Kosova dhe Shqipëria, Asambleisti i parë shqiptar ne Kuvendin e New Yorkt, z Mark Gjonaj, biznesmeni i suksesshëm Sal Rusi, Preisdenti i Brooklynit Erik L. Adams, mysafirë të lart nga Shqipëria, dhe Kosova, Shpend Maxhuni Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, si dhe zyrtar të Policisë së Shtetit, nga Tirana.

Mbrëmjen e përvjetorit të dytë, e hapi Kryetari i sapo zgjedhur i kësaj shoqate, oficeri i policisë Ylli Dautaj, me gradën Lejtnant në NYPD .

Shoqata Amerikane Shqiptare të Policisë Iliriane me punonjësit shqiptaro-amerikanë të ruajtjes së rendit, në uniformat blu të NYPD, me këtë rast ka nderuar me nga një pllakë mirënjohje Shefin e Departamentit nga NYPD – James P. O’Neill – Zëvendës Komisioneren e NYPD Cathleen S. Perez – Shpend Maxhuni – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shefi i NYPD James Secreto, Shefi NYPD Jeffrey Maddrey, dhe disa oficerët shqiptaro amerikan nga rradhët e NYPD.
Kurse, më një çmim të veçantë mirënjohe, është nderuar veterani i policisë së NYPD, me gradën Kapiten, shqiptaro amerikani Flamur Cani, i cili ka punuar për më tepër se 25 – vjet në rradhët e uniformave blu të NYPD (Departmenti i Policisë së New York-ut).

Një nderim i veçantë, iu bë me këtë rast në emër të shoqatës “Illyrian Society of Law Enforcement”, edhe Qendres Islamike – Xhamisë shqiptare në Staten Island, Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, si edhe veprimtarin e dalluar, biznesmenit e suksesshëm zotin Harry Bajraktari ish botues i gazetës shqiptaro amerikane Illyria.

Ylli Dautaj, me gradën lejtnant në NYPD, i cili pas luftës së Kosovës, shkoi atje nga Amerika me mision për të ndihmuar, në fillim të fjalës së tij- gjeti rastin të falënderoj ish-presidentin e Shoqërisë ilire, të policëve shqiptaro amerikan kapiten Flamur Cani, duke shprehur një kënaqësi , që ai ka punuar me atë gjatë këtyre viteve të fundit , duke u bërë pjesë e kësaj shoqëria ilire, në atë që është sot.

Kreu i shoqërisë Illiriane të uniformave blu – kujtojë atë që bëri në Kosovë gjatë luftës së saj. “Në vitin 1998, tha ai unë i kontaktuar nga NYPD në emër të Departamentit të Shtetit, shkova për të marrë pjesë në Misionin Verifikues të OSBE-së në Kosovë, sepse kam pasur njohuri të dorës së parë rreth Kosovës, dhe kam kërkuar për të ndihmuar popullin shqiptar të Kosovës.”

Me tej ai u shpreh se në të njëjtin vit, aleatët e NATO-s bombarduan Jugosllavinë, gjatë një lufte 78 ditore dhe Kosova kaloi në një mision paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara të ngarkuar edhe me themelimin e departamentit të policisë dhe ruajtjes së rendit dhe ligjit, ku unë mbërrita përsëri shkova në Kosovë, së bashku me amerikanët e tjerë, për të ndihmuar policinë dhe gjetur ndërtesat që mund të konvertoheshin në stacionet policore.

“Ne, gjithashtu, tha Dautaj, gjatë asaj periudhe në Kosovë, filluam një fushatë me zyrtarët e pushtetit lokalë, dhe qytetarët kosovar, shumica e të cilëve ishin shqiptarë, për t’u bashkuar me një forcë policore, e sapo krijuar , duke njoftuar ata përmes posterave reklamave dhe takimeve në fshatra dhe qytete të ndryshme të Kosovës . Ne kemi pasur sukses në krijimin e një force të re, të departamentit të policisë, plotësisht funksionale për Kosovën. Një forcë policore ajo e ngritur në bazë të parimeve të ndershmërisë, integritetit dhe guximit, të respektuar nga populli për t’i shërbyer atij”.
Duke folur për Shoqatën Amerikane Shqiptare të Policisë Iliriane me punonjësit shqiptaro-amerikanë të ruajtjes së rendit, në uniformat blu të NYPD, kreu i tyre, tha se Shoqëria ilire e policive shqiptaro amerikan – u formua për të krijuar një frymë të vëllazërisë midis anëtarëve të saj dhe pjestarëve të tjerë të uniformave blu njujorkeze – “promovimin, e një atmosfere të besimit, respektit dhe mirëkuptimit, në mes ruajtëseve dhe zbatuese të ligjit, dhe komuniteteve, që ne i shërbejmë për të siguruar të gjitha komunitetet – ditën e natën”.
Andaj, “Unë jam shumë krenar, tha ai se kjo shoqëri, është rritur dhe është krenare për tu përfaqësuar në uniformat blu. Gjatë këty dy viteve Shoqëria ilire, është rritur nga vetëm një pjesë të vogël të anëtarëve në disa qindra anëtarë. Të cilët janë sot të përfshirë në radhët e uniformave blu- dhe janë individë jo vetëm nga NYPD, por ka nga ata që jan zyrtarë të Policisë, dhe nga departamentet e tjera në Shtetet e Bashkuara dhe në departamente të ndryshme nga e gjithë bota, sa që disa prej këtyre anëtarëve, janë edhe të rangut të lartë, dhe pozicionet prestigjioze”.
Përvjetori i dytë i themelimit të shoqatës “Illyrian Society of Law Enforcement”, u mbyll në një mjedis festiv me këngë e valle shqiptare nga të gjitha trevat. Këngëtarët Merita Halili dhe Agim Gerbeshi – krijuan një atmosferë të mrekullueshme, me këngët e tyre, nën drejtimin e orkestrës së Raif Hysenit.

Filed Under: Komunitet Tagged With: “Illyrian Society of law enforcement”, 2 vjetori, Beqir Sina, Ylli Dauti

AMERIKË,E PARA “DITË E PLISIT” NË DIASPORËN SHQIPTARE

November 6, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Dinastia e vllaznëve Selimaj të Nokshiqit të krahinës të Plavë-Gucisë, me jetnim disa dekador dhe në Amerikë, nuk e dinte se me aktin e tyre patriotik e human të 25 nëntorit 2012 do të hynin në historinë kombëtare shqiptare për organizimin dinjitar për herë të parë në Diasporë të veprimtarisë elitare “Dita e Plisit”.
Për ma tepër e ma mirë ishte dhe jubileu i madh i 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorën e Ismail Qemalit, ku parathënia e saj ishte “Lufta e Nokshiqit” (4 dhjetor 1879-11 janar 1880); një Luftë Panshqiptare e me jehonë ndërkombëtare kundër vendimeve të tetë krajlive të Kongresit të Berlinit; një Luftë në të cilën u ngrit për herë të parë në histori në ballë të një beteje frontale shqiptare Flamuri i Skënderbeut, një luftë në të cilën kontribuan dhe vllaznia Selimaj me nokshiqasit e atyhit, krejt Plavë-Gucia e Shqiptaria.
Gjithçka nisi nga mendimi i mirë, shpirti i bardhë, vullneti i vyer i tyre; i Bruno Selimaj – pronar i Çlub A Steakhouse në Manhattan të Neë Yorkut dhe vllait të tij, Alex Selimaj, president i Fondacionit Plavë-Guci (FPG) në Amerikë.
Bruno Selimaj, ma i madhi ndër dhjetë fëmijët e Bajram Mujë Selimaj, është një veprimtar i shquar kombëtar, një lobues e kontributor i rrallë për lirinë e pavarësinë e Kosovës, njeri bajemirë, i bukës së pastër e i fjalës së ambël, që ia njohin meritat në heshtje e ia kursejnë mirënjohjen zyrtare në Kosovë e Shqipëri. Bruno, prej fillimit, në 23 vite, është i lidhur fort me FPG si antar e veprimtar ndër ma të parët, aq sa e cilësojnë dhe “ambasadorin” e tyre.
Alex Selimaj është vllai ma i vogël i Brunos e, për të dyten herë, i pari i Fondacionit Plavë-Guci (2011-2013 e 2015 e në vazhdimësi), është një nga mjeshtrit shqiptar ma të mirë të fotografisë artistike në shek. XXI, i cili ka hapë disa ekspozita e fotot e tij kanë zanë vend në gazeta e revista amerikane të kohës së sodit.
Kur fola për Dinastinë Selimaj kisha parasysh dhe të dytin vlla të tyne, Nino që ka një restorant në Nju Jork me emnin e tij e të njoftun si ginestar me picën 1.000 USD të 13 qershorit 2012, i cili ka klient të mëdhenj: Tom Jones, Cindy Craëford, Brooke Shields, Regis Philbin, guvernatorin e shtetit të Nju Jorkut – George Pataki, Chelsea Clinton e të tjerë.
Biznesmeni atdhetar Bruno Selimaj i porositi e solli 400 flamuj kuqezi dhe 400 plisa të bardhë në Festën tradicionale të Flamurit, organizuar nga FPG në Royal Regency Hotel në Yoankers të Nju Jorkut, me pjesmarrjen e madhe e të paparashikuar kryeherit – me mbi 600 plavë-gucias e të ftuar.
Në Amerikë, ndryshe nga çdo herë tjetër, sëbashku me Ditën e Flamurit, u festua e shenjua dhe “Dita e Plisit”, për herë të parë në Diasporën Shqiptare në botë. E, kjo risi e rrallë kontributive në traditën e historinë shqiptare, është meritë e çmuar e vllaznëve Selimaj – e Brunos dhe e Alex-it, e gjithë Fondacionit Plavë-Guci, e krejt komunitetit plavë-gucias në Amerikë.
2.Në Festën e Flamurit e Ditën e Plisit, salla e madhe mrekullonte nga këto dy evente shqiptare në 100 Vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, në Amerikën e Vlerave të Lirisë e Demokracisë, në Amerikën e Uashingtonit, të Uillsonit…të Bushëve, Klintonëve e Obamës. Si asnjëherë tjetër. Si rrallëkund tjetër.
Kjo Ditë e Plisit në jubileun e Flamurit ishte e përmasave, vlerave e mesazheve kombëtare.
Këtë veprimtari e përshendeti kryeministri i Shqipërisë, prof. dr. Sali Berisha me një letër postare drejtue sekretarit të përgjithshëm të FPG, Esad Gjonbalajt, e cila u publikue mbasandejna dhe në ëebsajtin e Fondacionit e masmediat e ditës.
Aty, përmes një video, përshendeti veprimtarinë e bashkvendasit e vet me zë e figurë dhe akademiku vuthjan e panshqiptar, Rexhep Qosja, tue evidentue historinë, kulturën, traditat e Plavë-Gucisë e të Kombis Shqiptar.
Aty jehoi kanga majekrahu e vuthjanit Hysen Ulaj me të birin Leartin, kangët për Flamurin Kombëtar e Plisin e bardhë, për figurat historike e luftërat e Plavë-Gucisë në zërin e Liridonës – çikë e Dedushajve e nuse tek Selimajt e Valbonës (Plavë); në zërin e nipit të Gucisë, Ylli Demaj, etj. Aty ishin dhe personalitete shqiptare të botës politike e diplomatike, akademike e kulturore nga Shqipëria e Kosova, nga trevat shqiptare nën Malin e Zi – të cilët janë me jetnim e veprimtarim në Amerikë, si asambleisti i Nju Jorkut–Mark Gjonaj; konsulli i Kosovës në Amerikë–Fatmir Zajmi; kryetarë të shoqatave shqiptaro-amerikane; prof. dr. Shinasi Rama, etj.
Aty, nga mjeshtri i fotografisë artistike Alex Selimaj u banë një galeri me foto, ku veçohen ato kolektivet me plis të bardhë të fëmijëve e të burrave plavë-gucias, të pjesmarrësve në këtë Festë të Flamurit e Ditë të Plisit.
3.“Dita e Plisit” po ecë drejt shenjimit e shenjtërimit si një festë mbarëkombëtare shqiptare.
E dëshmojnë veprimtaritë gjithkund në Troje Etnike Shqiptare: për të dyten herë në Klinë të Kosovës në përcjellje të tetorit të sivjetëm; në malin e Dajtit në Tiranë nga Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”- të dielën e fundit të gushtit; në Shkup në Maqedoni – sipas traditës – nga Lëvizja “Zgjohu” në 17 shkurt – përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës; etj.
Masivitet e lartësime ka marrë në ndeshjet e fundit të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, ku mijëra tifozë me plisa të bardhë kanë mbushur shkallët e stadiumeve në Shqipëri e në Europë. “Dita e Plisit” shqiptar pritet të ketë kulmim eifelian në qershorin e vitit tjetër, në Euro–2016 në Francë.
Tani Shqiptarëve në Ballkan e në Botë iu ka mbetë si detyrë historike që të përcaktojnë zyrtarisht me një kuvendim kombëtar të personaliteteve e shoqatave shqiptare “Ditën e Plisit’, pasi shembujt janë të shumtë e më një gjeografi nga Shkupi shqiptar i Vardarit deri në Diasporën Shqiptare të Nju Jorkut përtej Atlantikut.
Plavë-Gucia ka dhe një vlerë ma shumë në historinë e saj, pasi mbetet e para në në Diasporën Shqiptare dhe ndër të parat në krejt botën e hapësirat etnike shqiptare, në organizimin e veprimtarisë kombëtare “Dita e Plisit” në Amerikë, në Nju Jork, në nëntorin e jubileut të 100 Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare Shqiptare.

Tiranë, 3 nëntor 2015

Filed Under: Komunitet, Reportazh Tagged With: Amerike, Dita e Plisit, Ramiz Lushaj

FITIM LALA, ME FONDET E VETA 10 KM RRUGE NE KURBIN

November 6, 2015 by dgreca

Nga Ahmet Zani/
Me investimin nga fondet e tija Fitimtar Lala është duke pëfunduar rrugën prej afro 10 km në kasin më problematik të malësisë së Kurbinit. Investimi i tij kap shifrën orej 60 mijë dollarë duke zgjidhur problemin e lëvizjes së banorëve të fshtrave në zonën e malësisë së Kurbinit prej një viti të izoluar nga shembja e urës si dhe rruga e vetme tërësisht e dëmtuar nga amortizimi dhe mungesa e investimeve. Ndërsa banorët e pesë fshatrave janë duke përgatitur propozimin për të nderuar nga strukturat qeverisëse Fitimtar Lalën me titull ” Qyteter Nderi i Kurbinit”. Ky njeri ndonëse jeton dhe ka aktivitetin e tij në SHBA do të përkujdeset për vendlinjden e tij Kurbin. Një tjetër investim Fitimtar Lala ka kryer në ndërtimin e HEC-it pranw zonës ku prej dy vitesh po furnizon jo vetëm Kurbinin por dhe më gjërë duke përmirsuar ndjeshëm sistemin dhe furnizimin me energji elekrike.
Jo vetëm duke investuar në hsërbim të komunitetit të zonës në infrastrukturë ” heroi” Fitimtar Lala ka arritur të punësojë rreth 30 banorë pej tre muajsh punojnë me mjetet e tij në rrugën e cila është drejt përfundimit, duke zbutur sado pak dhe krizën e papunësisë të zonës, ndihmesë me mjaft vlera dukem ju shërbyer banorëve të zonës së tij.
Janë kryer disa proçese në rikostruksionin e rrugës e cila vjen e gatshme për t’u asfaltuar dhuratë dhe për qeverinë, në uljen e shpenzimeve.
Janë pesë fshtara të cilët po administrojë kërkesën në propozimin në dhënjen e titullit Fitimtar lala në shërbim të komunitetit. A
Atë që strukturat qeverisëse nuk e kanë realizuar për afro 25 vite me premtimet e politikanëve kjo zonë ishte lënë në harresë prej çerek shekulli. Falë ndjenjës njerëzore dhe përgjegjësisë morale Fitimitar Lala po dhuron investimin në rrugë jo vetëm banorëve por dhe tërë Kurbinit.
Tom Lala babaij i Fitimtarit ndjehet mjaft entuziast për kontributin në shërbim të zonës. Kjo rrugë e cila ishte makth ndër vite madje këtu kanë humbur jetën njerëz nga shembja e urave ndërsa tani lëvizja kryhet thuajse me parametra dhe më e rëndësishme larg frikës nga rreziku i amortizimit të urave dhe në afat kohor.
Fitimtar Lala meriton titullin e nderit dhe banorët presin sa më parë akordimin nga qeveria.

Filed Under: Komunitet Tagged With: 10 km rruge, Ahmet Zani, Fitim Lala, Kurb

TRADITË QË PO HUMB

November 6, 2015 by dgreca

Nga Pëllumb Gorica/

Martesat me shkuesi shpesh lulëzojnë dhe kthehen në përkushtim të sinqertë. Sandra Gulland/
Në tendencën drejt rendjes globaliste,përpjekja për të ruajtur elementët e traditës, për të gjithë ne është një domosdoshmëri jetike.
Në krahinën e Sulovës , që shtrihet në kufirin ndarës të Shqipërisë së Mesme dhe asaj Jugore, banorët shquhen për shpirtin bujar dhe respektues të traditave, të rrënjosura në gëzimet dhe hidhërimet, dhe të rëndësishme në vargun e gjatë të shekujve. Në këtë trevë dhe të tjera si këto jeta është rregulluar nga norma të pashkruara, e të trashëguara brez pas brezi në ndërgjegjen e banorëve. Një numër prej tyre që kanë të bëjnë me familjen, duke u shprehur në një formë të përgjithshme kanë mbijetuar. Njeriu në jetë ka tre moment kryesore; lindjen, dasmën dhe vdekjen, për të cilat ka një angazhim serioz ku gjithmonë sipas kushteve dhe mundësive kryhen ceremoniale me rite interesante. Martesa thith një angazhim moral e material, për t’i dhuruar çiftit përgjegjësitë për jetën. Fejesa është akti i parë nga më të bukurit në fillesën e lidhjes për të kaluar tek dasma, si gëzimi më i madh i jetës bashkëshortore. Është trashëguar kjo traditë e veçantë e krijimit të familjes si një ritual përsëritës i jetës thuajse tërësisht e natyrisht me elementë të shumtë, thellësisht shpirtëror dhe me ndjesi të mëdha gëzimi. Thuajse në të gjithë kohërat, lidhjet martesore ishin krijuar nga një institucioni i veçantë ai i lajmësit (mblesë, ndërmjetës, etj). Kjo përbën një vlerë, që koha e ka njohur, trashëguar dhe respektuar. Riti i fejesës është simbol i krijimit të familjes dhe shpesh këtë rol e luanin njerëz të zotë, që me gjuhën e tyre të komunikimit bindnin krushqit për lidhjen e re. Natyrisht, kjo nuk vinte vetvetiu, por duhej ndërhyrja e tij. Fejesa me normat e saj të detyrueshme, norma, që dikur zbatoheshin me përpikmëri, padyshim rrezatonte virtytet më të mira. Për të është shkruar fare pak.
Me dëshirën për të sjellë një studim të mirëfilltë për traditën e fejesës dhe institucionin e lajmësit, në të cilën do të shprehemi me këtë studim, është respektimi, gjë që e ka bërë ato të shquhen. Të trajtosh fejesën dhe normat e institucionin e lajmësit, kaq me rëndësi në krijimin e familjes për kohën e shkuar kërkon patjetër të hulumtosh thellë. Pa e nëpërkëmbur rolin e lajmësit si dukuri zakonore tradicionale, për vetë anën arkaike, duhet të theksojmë se për të shpjeguar atë nuk kërkohet zbërthim, por pasqyrim të tij në kohëra dhe vlerat. Kjo dukuri e së kaluarës për shkak të ndryshimeve të kohëve moderne ka pësuar zbehje. Sot kanë ndryshuar shumë gjëra, brezat po ashtu janë ndërruar e mbi të gjitha edhe shumë nga ata që i kanë zbatuar nuk jetojnë. Studimet në këtë drejtim janë shumë të pakta, përveç disa studiuesve, që falë vullnetit dhe ambicieve për vlerat tradicionale të familjes dhe traditave të krahinës së tyre, në përputhje me norma e rregulla të pashkruara janë munduar të thonë diçka.
Në përgjithësi kur fëmijët, djali apo vajza i afroheshin moshës për t’u fejuar fillonin përpjekjet për të gjetur njeriun e duhur. Riti i fejesës kalonte nëpër disa faza deri në përfundim, sepse si familja e vajzës edhe ajo e djalit ishin të interesuara t’i fejonin fëmijët e tyre, siç thuhej në xhis të mirë. Në fejesë lajmësi kishte një detyrë të rëndësishme. Për këtë caktohej një njeri i pjekur me përvojë në këto punë dhe i njohur nga të dy familjet. Ata kanë luajtur rol të madh në krijimin e familjes dhe ishin të vendosur e të sigurt në lidhjet që krijonin. Zotësia e disa prej atyre që e kryenin këtë gjë për të bashkuar çiftet e krushqitë ishte proverbiale. Lajmësi mund të ishte i afërm, vëllazëri ose mik i familjes së djalit dhe, që i zinte vend fjala. Ai dërgohej gjithmonë nga familja e djalit. Këtë detyrë mund ta merrte kushdo përsipër, që dinte të shquhej për oratorinë apo fjalën e urtë, të lëvdonte me doza cilësitë e vajzës, e natyrisht edhe të djalit. Përpjekjet, takimet, bisedat janë të lodhshme, sepse kur bëhet marrëveshja e krushqisë dhe shpallet fejesa nevojitet njohje e hollësishme. Kjo patjetër kërkonte kohë të mjaftueshme dhe zotësi komunikimi e vetëkuptohet që kishte vështirësi duke përdorur njohjet, miqësitë. Njohja ishte edhe domosdoshmëri e detyrueshme. Gjithsesi në lidhjet e brendshme e të thella familjare fejesa e lidhja e miqësisë nuk bëhej pa pëlqimin e dy familjeve dhe rrethit miqësor e kjo detyrë i takonte padyshim lajmësit. Me fjalë të tjera përpiqej të krijonte një miqësi të re, duke marrë përsipër të lidhte çiftin dhe familjet në krushqi, me ecejaket e tij të shpejta në të dyja familjet vajtje- ardhje, sa te njëra te tjetra. U fliste për familjen që do lidheshin, autoritetin që gëzonin, pasurinë, zotësinë, miqësinë që kishin. Në rastin më të parë ai u hedh fjalën dhe këmbëngulte tek propozimi. Atëherë ishin edhe kohëra kur mundësitë për t’u njohur të rinjtë ishin të rralla, sepse vajzat pa mbushur 15 vjeç mbylleshin brenda. Për fejesë sulovarët gjithnjë kanë preferuar një djalë, a vajzë nga familje të mira, të ndershme. Nga vajza për nuse kërkohej bukuri dhe zotësi në punë, nga djali dhe familja e tij veç gjendjes së jetesës, kërkohej të ishin punëtorë e të pushkës. Ishin kërkesa këto që përcaktonin cilësitë e djalit, që do të martohej. Familja e djalit pyeste më shumë për vajzën, pyeste për shtëpinë, që ajo të ishte bujare mikpritëse, si dhe për cilësitë e vajzës në sjellje, pamje, vetëm pasi bindeshin për këto cilësi vinte koha për të kërkuar vajzën. Familja e vajzës zakonisht nuk e jepte pëlqimin menjëhershëm, kështu që lajmësi duhej të shkonte 3-4 herë e nëse vendosej jepej fjala. Ishte tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur të gjendej një diçka që të kënaqte ndonjëherë edhe tekat e palës së nuses, kur kërkonin haraç për këtë lidhje. Ndonjëherë fejesat ishin edhe interes ndërmjet familjeve, por edhe rregullim i miqësive të prishura në kohëra. Në shumicën e rasteve deri në mes të shekullit të kaluar, fejesat bëheshin në moshë të re, mosha e zakonshme në të cilën ata e kryenin fejesën ishte 16 vjeç për vajzën dhe 18-20 për djemtë. Kanë ndodhur fejesa edhe në djep, që ishte një fenomen i trashëguar në shekuj. Kishte raste, që dy familje jepnin fjalën njëri-tjetrit, që po të lindnin djalë e tjetra vajzë do të bënin krushqi. Edhe pse ndonjë mund të dilte budalla apo çalaman. Të vjetrit tregojnë raste të lidhjeve të fejesave që në bark të nënës, por ajo që duhet theksuar ishte se femrat nuk pyeteshin për fejesë. Ajo nuk e njihte burrin. Këtë e kishin në dorë prindërit, sepse qoftë djali e sidomos vajza nuk kishte të drejtë as të jepte mendim me dëshirën e tyre për fejesë e martesë. Zakonet i ndrydhnin shpirtin e i mpinin të rinjtë.
Lajmësi e quante të përfunduar detyrën e tij, kur dy të rinjtë martoheshin dhe lidhnin kurorë me njëri-tjetrin. Por, dua të vë në dukje detajin e rëndësishëm. Lodhja e lajmësit merrte rrugëzgjidhje dhe kjo ka arsyet e veta. Që këtej ka rrjedhur edhe shakaja e lezetshme e cila në atë kohë përmendej shpesh në Sulovë: I paguam këpucët. Familja e djalit për mundimin që bënte i jepte si shpërblim të holla. Kjo ishte një dhuratë respekti, por edhe një rregull i trashëguar, sepse ishte personi që është lodhur e në këtë mënyrë ka krijuar krushqinë. Roli i lajmësit ishte i pazëvendësueshëm dhe nuk mund të mohohej. Ai ishte ndërlidhës mes miqve dhe ata nuk mund të bënin asnjë veprim pa pyetur më parë atë. Ky zakon sado i tillë kishte edhe detyrime të tjera për lajmësin deri në ditën e martesës së çiftit. Bashkimi i çifteve kishte edhe të keqen se ata nuk njiheshin më parë dhe duke mos e njohur as karakterin e njëri-tjetrit kishte edhe prishje të fejesës. Mendohej gjithmonë ana e keqe se si djali apo më tepër vajza mund të ishte e shëmtuar apo moshë e madhe, por edhe me arsyetimin e thjeshtë se femrës i duhej gjetur një burrë ndodhte të lidhej me ndonjë që mund të ishte leshko, çalaman. Pasi i shpleksin muhabetet me ndërhyrje sqaruese në kohën e duhur me vajtjet dhe ardhjet e tij për të saktësuar gjërat e prishnin miqësinë, që ndodhte rrallë, por më shpesh i martonin shpejt e shpejt. Por, kur çdo gjë shkonte mirë gëzimi nga të dyja palët ishte i madh, sidomos nga ana e vajzës që tregonte shumë, e më kryesorja asaj i gjendej burrë për të mos u bërë barrë në shtëpi. Lajmësi ishte më i suksesshëm kur çiftet martoheshin, e më pas krijonin familje dhe jetë në harmoni. Kjo ishte edhe fillimi i një jete të re të çiftit, duke arritur në përfundimin e bukur se krijimi i familjes kishte edhe vlerë të madhe. Është interesante dhe një psikologji karakteristike që fejesat me lajmës në Sulovë kanë qenë të qëndrueshme.
Duke pasur koncepte të rrepta për martesën brenda gjakut, që sipas traditës ka pasur një stërgjysh të përbashkët, në këtë krahinë kanë qenë të ndaluara fejesat apo krushqitë brenda farefisit e lidhjeve të gjakut, megjithëse duhet thënë që në kohërat e sotme kjo ka filluar të lëshojë pe, e me raste të veçuara. Para se të lidhej një krushqi e re pyetej mirë për lidhjen fisnore të djalit apo dhe vajzës dhe vetëm pas kësaj jepej fjala. Pyetej me rrënjë e me degë, për të mos bërë, siç thonë në Sulovë ilaka. Ndikonte në zgjedhjen e krushqisë besimi, gjendja social-ekonomike dhe këtu e gjente shprehjen e vet diferencimi klasor. Djali e vajza duhej t’i përkisnin të njëjtës shtresë sociale. Një i varfër nuk merrte guximin të kërkonte për djalin, vajzën e një të pasuri, apo i pasuri të merrte për djalin vajzën e një të varfëri. Ky rregull rrallë prishej. Janë vënë re, dy lloj martesash: dhënia e dy motrave në një derë dhe ato me këmbim, pra duke dhënë vajzën në një derë e duke marrë prej asaj dere vajzën e tyre. Me shumicë dërmuese është preferuar vajza që shkon te djali, ndërsa e kundërta ka ndodhur rrallë, pasi personat që e bëjnë këtë gjë shihen me përçmim nga rrethi shoqëror, madje përbuzen. Fejesat dikur në përgjithësi bëheshin jashtë vendbanimit, por brenda krahinës, dhe rrotull Sulovës: Shpat, Dumre, Vërçë, Myzeqe, Nahije të Beratit, që thuajse traditat i kanë të njëjta. Sulova me dëshirë i martonte vajzat e saj në Myzeqe, Nahije të Beratit që të kishin miq e mbështetje në ato krahina, apo edhe në Elbasan, Berat, Tiranë, që ato të jetonin mirë. Më pak i martonte në Vërçë, Shpat i Sipërm, Tomorricë ngaqë në këto krahina ishin malore e të varfra, që me dëshirë i kërkonin vajzat e Sulovës, se ishin punëtore e të fisme, kurse sulovarët trima, mikpritës e bujarë.
Prej shekujsh fejesa ishte një rit i zakonshëm, edhe pse stuhia e çuditshme në vitin 1967 tronditi jetën e mentaliteteve dhe traditat e patraiakalizmit. Qeveria e partia në pushtet kërkonte me ngulëm prishjen e fejesave në djep me një propagandë gati histerike për këtë traditë të vjetër, me lëvizjen në emër të luftës kundër fesë e zakoneve të rënda të së shkuarës. Por, megjithë presionin e egër të regjimit ateist, institucioni i lajmësit nuk u zhduk, ai mbijetoi, edhe pse shndërrimet sociale rolin e tij e zbehën. Në mjediset e reja të krijuara, shkollat, ndërmarrjet prodhuese, aksionet, të rinjtë njiheshin dhe dashuroheshin e kjo solli një stepje të traditës së fejesës që në djep e ndërvarur nga rrethanat. Femra mori disa të drejta, ndonëse ajo mbeti thjesht në marrëdhënie shoqërore, edhe pse në krahinën e Sulovës zakonet ishin më të buta në krahasim me krahina të tjera. Zhvillimet e reja, krijuan kushte të tilla që të rinjtë të vendosin për fejesë e shumë herë pa anën e prindërve apo të afërmve. Ishte koha kur pjesa më përparimtare e shoqërisë krijoi një hap të madh në krahasim me të kaluarën, kur çiftet atëherë nuk njiheshin dhe nuk ishin parë kurrë. Lajmësi përsëri vazhdonte të kryente rolin si protagonist në takimet, që atëherë quhej parje. Me këtë parje, nëse të rinjtë ishin në një mëndje, vendosej për fejesë. Një kohë kjo gjë u bë traditë ku vajza dhe djali së bashku me të afërmit, e me një numër të caktuar pjesëmarrësish nga të dy familjet dhe lajmësin në krye pinin kafetë e shkëmbenin nishanet në të cilën futeshin ora, këpucë, unazë etj. Ndodhte që vajza apo edhe djali merrnin vendime për ta prishur fejesën d.m.th pendoheshin për këtë lidhje, duke rënë dakord pas fjalës së dhënë. Mjafton të ndalemi në një aspekt tjetër që martesa pa pëlqimin e prindërve ishte një veprim i rëndë. Për këtë ka tregime.
Në përputhje me të gjitha rregullat e sipas zakonit fejesa bëhej në shtëpi. Zakonisht ajo shpallej thjesht dhe pa bujë. Fejesa bëhej të shtunën. Gjithnjë bëhej në fillin në familjen e vajzës e shndërrohej në një festë të gëzueshme. Në bufenë e fejesës 7-9 vetë nga familja e djalit, në disa raste edhe më shumë shkojnë në familjen e vajzës. Ja si mund ta përshkruajmë në pak fjalë gostinë e fejesës, për të paraqitur sadopak karakterin e gëzueshëm të këtyre çasteve e riteve të gëzueshme. Të lumtur për zgjedhjen që kishin bërë dhe miqësinë, miqtë priteshin me nderime rrethuar nga dashamirësia dhe hareja. Kënga, vallja e muhabeti ka lezet. Në këto raste shkëmbeheshin disa herë duart, gotat tokeshin gjithë gëzim dhe në sofër shtrohen të gjithë të mirat me meze, mish e raki pikë e parë, se Sulova është një krahinë e njohur për dollinë e rakinë! Kënga me bejte për mirëseardhjen e miqve. Miqësi e nder. Miqtë, lajmësi hyjnë sipas sërës brenda në konak me shtrëngime duarsh. Burrat ulen dhe rrethojnë qoshen e oxhakut. Graria, vajzat, djemtë terë kureshtje rrinë në këmbë te dera e konakut, korridori, shkallët e deri në oborr. Më pas ndizet muhabeti në konak, që plekset me shakara, hidh njëri e tjetri prit. Më plaku që ishte në qoshe të oxhakut pyeste.
– Nga udhë e mbarë o miq?
I pari i qoshes tjetër, pra pala e miqve, përgjigjej:
-Ndoqëm gjurmët e një thëllëze, që u fut këtu.
-Rrini rehat e bëni muhabet se këtu është!- ia kthente ai që pyeste. Dhe, me këto shakara e të tjera, për të ndezur edhe më shumë bisedën, niste qerasja e miqve me raki, kafe e llokum sipas zakonit të fejesës duke uruar: “Me trashëgime e këmbë të mbarë!”. Shpallej kështu fejesa me një miqësi të përjetshme, lidhje midis dy familjeve që forconte me tepër edhe të farefisit. Pastaj tregohen nishanet. Në ritin e ndërrimit të nishaneve bënin pjesë: fustane ose copë për fustan, këmishë nate, vathë, gjerdanë, unazë, kuti tualeti, këpucë, etj dhe dorovë për pjesëtarët e familjes së vajzës, prindërit, motrat, vëllezërit, për gjyshërit, dajat e xhaxhallarët, hallat, tezet. Pastaj vazhdohej me të ngrëna e të pira. Sofrat shtrohen plot me meze e raki. Dollia ngrihej me shëndete e urime të bukura: “Me trashëgime, në dasmë, me miqësi të pandarë, me bukë të ëmbël!.’’ Fjala merr zjarr e kënga ndizej. Secila anë përshëndet me këngë në mes të dollisë e detyruar sipas zakonit. Çaste me të vërtetë gëzimi e lumturie që nguliten për të mos u harruar kurrë. Pas një jave a dy pala e vajzës kthen vizitën në familjen e djalit, si rregull me dy më shumë se sa numri i atyre që shkoi nga familja e djalit. Një ceremoni e vogël kjo për të shkëmbyer edhe bukën, siç thuhej në mënyrë simbolike dikur në Sulovë. Me këtë rast bëhej edhe shkëmbimi i nishaneve, që ishte i ligjëruar si zakon. Ato kurrë nuk kanë qenë të caktuara në mënyrë të prerë, por në tërësi sipas gjendjes nga të dyja palët dhe periudhat historike. Pas fejesës familjet e ndjenin nevojën shpirtërore të kësaj lidhje.
Kohë e re, mundësi të reja. Fenomeni institucional i lajmësit dhe fejesat me mblesëri në përgjithësi janë të rralla dhe lajmësit po ashtu. Ai që e praktikon, sidomos në zonat rurale ka përvetësuar një kulturë demokratike, duke iu përshtatur riteve të botës moderne. Më kryesorja, tashmë të rinjtë lidhen ose me njohje direkte ose nëpërmjet elektronikës dhe e kërkojnë vetë fjalën për fejesë në familje. Vitet kalojnë, vlerat në krijimin e familjes kanë rëndësi e më së shumti janë pasuri e pazëvendësueshme e traditave të mrekullueshme dhe trashëgimi për brezat.

Filed Under: Komente Tagged With: Pellumb Gorica, qe po humb, Tradite

AVOKATI PËRKUSHTUAR I DIASPORËS SHQIPTARE SABRI (SAM ) GJONI

November 6, 2015 by dgreca

Nga Qatip Mara/
Në Manhattan, në godinën shumëkatëshe 401 Broadway # 1111, New York 10013, është zyra e avokatit të mirënjohur Sabri Sam Gjoni,e intelektualit të talentuar nga Ulqini që jeton prej afro tre dekadash në SHBA,por asnjëherë nuk harron Atdheun duke e shprehur me krenari se është biri i Kombit Shqiptar. Me sy të qeshur të çiltër,të sinqertë e shpirt atdhedashurie avokati mirëpret me shumë dashamirësi emigrantët duke u ofruar mundësitë juridike ligjore për pasisjen me dokumeta të rregullta amerikane.
Në paradhomën e zyrës së tij shërbejnë me shumë kulturë komunikimi dy specialiste që regjistrojnë kërkesat e emigrantëve për takim me avokatin e formatojnë platformën e proçedurës së paisjes me dokumetnta të rregullta amerikane. Kjo platformë në ndihmë të emigrantëve realizohet nga aftësitë e talentuara të avokatit Sabri Sam Gjoni ,i cili nuk ka njohur humbje në çështjet gjyqësore për pasijen e emigrantëve me leje qëndrimi të përhershme në SHBA. Seroziteti i tij në përgjegjësinë e kryerjes së detyrës juridike të avokatit ka fituar besimin e institucioneve të drejtësisë amerikane,të cilat i kanë miratuar e i miratojnë në vazhdimësi kërkesat e argumetuara për paisjen me dokumenta të rregullta amerikane për emigrantët. Sejcili që ka aplikuar në zyrën e avokatit Sabri Sam Gjoni ka fituar të drejtën qëndrimit të ligjshëm në këtë vend të bekuar ku respektohet e garantohet liria e individit me hapësirat për të jetuar vetëm me punë e vetëm me punë korrekte e të ndershme.
Janë të shumta vlerësimet e falnderimet e emigrantëve për punën e përkushtuar e të sukseseshme të avokatit në paisjen e tyre me dokumeta të rregullta amerikane. Me mirënjohje ata e shprehin kënaqësinë e shërbimit të devotshëm të avokatit në shumë çështje legjislacioni, si në immigracion, në përfaqësime gjyqësore, në lëndime personale e në patundshmëri duke i realizuar proçedurat në aftatin e caktuar e me rezultate pozitive.
Në medien virtuale janë publikuar shkrime për punën cilësore të avokatit Sabri Sam Gjoni, të cilin e vlerësojnë për performancën solide të karakterit të tij dashamirës në ndihmë të bashkëkombësave shqiptarë,të cilët pas zhgënjimeve të herëpasëhershme të jetës në vendlindjen e tyre, kishin nisur rrugën e vështirë të integrimit në jetën amerikane duke gjetur dritën jeshile e të shpresës edhe tek zyra juridike e avokatit të mirënjohur,intelektualit të talentuar Ulqinas Sabri Sam Gjoni.
Ndoshta zakonisht shprehet mendimi se në përgjithësi puna e avokatëve matet me sasinë e parave që fitojnë në proçeset gjyqësore,por avokati Sabri Sam Gjoni në punën e tij udhëhiqet nga ndjenja e lartë atdhetare që të ndihmojë emigrantët të pasisen me dokumeta të rregullta për një jetë normale. Këtë e dëshmonë edhe një bashkëkombas që jeton e punon prej vitesh në SHBA, Naser Nika, i njohur si pronar i kompanisë së liçensuar “Albis partys “ , i cili me fakte tregon ngjarjen e fundit ku nipi tij u pais me dokumenta amerikane. Naser Nika shprehet se :
– “Nën mbikqyrjen e avokatit të njohur me origjinë nga Ulqini Sabri Sam Gjoni shumë nipër e mbesa të mi kanë fituar dokumetat e rregullta amerikane. Ftoj dhe sugjeroj të gjithë bashkëatdhetarët që dëshirojnë të paisen me dokumeta të rregullta amerikane, se porta e sigurtë është avokati Sabri Sam Gjoni. Askush nuk ka dalë nga zyra e tij i zhgënjyer dhe është i përkushtuar që ndihmon realisht shqiptarët që jetojnë atje. Në çdo rast që ka marrë në dorë,rezultati ka qënë 100 % i sukseshëm, i garantuar “.
Avokat Sabri Sam Gjoni,është jeta e një intelektuali shqiptar nga Ulqini në SHBA që ka ecur mes vështirësive për tu integruar denjësisht në jetën konkuruese të vlerave njerëzore të shoqërisë e shtetit ligjor amerikan. Në moshën e rinisë kur sapo kishte kryer studimet universitare ëndërronte të punonte me dashuri e përkushtim në vendlindje.Përkrahu lëvizjen studentore të vitit 1981 dhe shprehu publikisht idetë për liri e demokraci të trevave shqiptare në ish jugosllavi. Pas demonstratave të marsit të vitit 1981 pushteti shovenist serbosllav ushtroi dhunë e terror mbi intelektualët shqiptarë. Në kushte të vështira për mbijetesë intelektuali i guximshëm Sabri Sam Gjoni nisi rrugën e mundimshme të emigracionit duke kapërxyer oqeanin për një jetë më të mirë e të sigurtë. Me inisiativën e vet, me këmbëngulje e vullnet të hekurt ,pa mbështetje të askujt konvertoi diplomën universitare europiane duke filluar studimet amerikane në profesionin e avokaturës në New York. Me talentin e tij konkuroi midis studentëve më të mirë duke realizuar objektivin e tij ,integrimin si intelektual i aftë në elitën e inteligjencës juridike amerikane.
Avokati Sabri Sam Gjoni ka 14 vjetë që drejton me suksese zyrën e tij të avokatisë në qëndrën e madhe botërore Manhattan, duke konkuruar me zotësi në tregun juridik amerikan dhe me aftësi e intuitën e arsyetimit deduktiv –induktiv analizon e argumentonë proçeset gjyqësore e të drejtës të piasjes së emigrantëve me dokumenta të ligjshme amerikane, duke zbuluar me fakte,atje ku e drejta mund të jetë gjykuar gabim nga gjyqtari . Ai është shumë i vemendshëm në bashkëpunim me emigrantët për të siguruar prej tyre dokumentacionin më të hollësishëm të çështjeve që paraqiten në organet gjyqësore apo prokurorisë. Me këmbëngulje qartëson çdo emigrantë që paraqet kërkesën për ndihmë juridike në zyrën e tij. Ai zbaton me korrektësi filozofinë : “ Mate shtatë herë e pri një herë “ !
Në një intervistë mediatike televizive avokati mirënjohur Sabri Sam Gjoni shprehet : “
-Të punosh si avokat në SHBA është një punë jashtëzakonisht e vështirë për arsye se konkurenca është shumë e madhe. Duhet të bësh “luftë” të vërtetë që të mund të bësh emër. Doktori -mjeku po gaboi me pacientin e tij në përcaktimin e sëmundjes edhe mund ti ndërroj ilaçet dhe e korigjon gabimin e tij, por avokati duhet të përcaktoi qartë fjalën argumentuese sepse e humbet të drejtën e emigrantit për tu pasiur me dokumente,apo edhe çështje të tjera. Jeta e intelektualit shqiptar në SHBA është shumë e vështirë sepse duhet të integrohesh si në jetën ekonomike, ashtu edhe në jetën politike. Gjithashtu duhet t’i përshtatesh edhe shkollimit sepse ai ka një dallim të madh me shkollimin tonë.”
Perfomanca e avokatit Sabri Sam Gjoni karakterizohet edhe nga ndjenjat e tij kombëtare. Zemra e tij ushqen dashuri e mall për vendlindjen, atdheun e kombin shqiptar. Është një veprimtar aktivë i çështjes sonë Kombëtare. Ai shprehet në intervistë se:
“ – Lëvizja “Atdheu na Bashkon” është një organizatë mjaft e re, por ka qëllime dhe një program afatgjatë, që nëse realizohet do të jetë një gjë shumë pozitive për diasporën shqiptare. Lëvizja ka dëshirë t`i bashkojë të gjitha forcat intelektuale, por edhe afaristët shqiptarë, nën një ombrellë, që t`u përkushtohen problemeve në atdhe.Lëvizja nuk është krijuar për të na ndihmuar neve në SHBA, por ajo është krijuar me qëllimin që të ketë kontakte më të shpeshta me vëllezërit tonë. Nëse Lëvizja ia arrin qëllimit të vet do të bëjë shumë sepse nëse bashkëpunojmë me subjektet si ekonomike, ashtu edhe politike në atdhe, duke gjetur mirëkuptim, atëherë mund ta çojmë interesin kombëtar shumë lart.”
Avokatin e mirënjohur Sabri Sam Gjoni e kam njohur në vitin 2009 në një cermoni familjare –martese në New York. Kishte kulturë komunikimi të ëmbël duke rrezatuar buzëqeshje e mëqësi të sinqertë. Vallet shqiptare .muzika e larmishme shqiptare na miqësuan shpejtë. Bashkë me ne vallzonin edhe intelektualë nga kontitentet e tjera të integruar në jetën amerikane. Kur familjarisht shkuam për vizitë në familjen e tij, nuk u befasova nga bukuria e lagjes që banon në New York, sepse Amerika është e bukur kudo e qëndisur me kujdes e disiplinë të rreptë ligjore urbanistike. Familjarisht u mrekulluam kur hymë brenda në shtëpinë e tij. Të gjithë në familje flisnin bukur gjuhën tonë të ëmbël shqipe, gjuhën mjaltë të të mëdhenjëve Naimi-Fishta. Edhe dhomat kishin zbukurime me motive etno-kulturore shqiptare. Nga komunikimi i ngrohtë vllazëror “harruam” se ishim në dheun e huaj, por na dukej sikur ishim në atdheun tonë të shtrenjtë. Edhe muret e shtëpisë na dukeshin sikur na buzëqeshnin që bisedonim shqip. Fëmijtë e tij, tre djem e një vajzë na takuam me shumë respekt e dashamirësi. Emrat e tyre ishin me origjinë të lashtë Ilire.Avokati Sabri Sam Gjoni i kishte edukuar fëmijtë e tij me dashurinë për gjuhën shqipe, djali i vogël edhe pse kishte lindur e rritur në New York fliste rrjedhshëm gjuhën e nënës tonë Shqipëri.
Këto ditët e para të nëntorit shkova në zyrën e avokatit Sabri Sam Gjoni për ta takuar e dhuruar librin tim “Vlora Djepi I Pavarësisë. Bashkëbiseduam me shumë dashamirësi. Në zyrën e tij fiksuam edhe këtë foto që shoqëron shkrimin që dëshiroj të publikohet në medien virtuale shqiptare për vlerat intelektuale të Ulqinasit shqiptarë Sabri Gjoni që rrezaton kulturë juridike e shpirtë të lartë atdhedashurie. Në ato pak minuta të takimit tonë biseduam miqësisht e vllazërisht me mall si shqiptarë të larguar nga atdheu vetëm fizikisht sepse shpirtërisht edhe në gjumë të shoqërojnë kujtimet e vendlindjes që nuk harrohen kurrë.
Ai është në lidhje të vazhdueshme me vendlindjen e tij duke bashkëpunuar e ndihmuar në angazhimin për shpalosjen e folklorit dhe të kulturës së trevës Ana e Malit. Sipas portualit Ulqini-online, thuhet se “avokati mirënjohur nga Ana e Malit, ka dhuruar 5000 dollarë për SH.A. “Tradita” për kulturën në vendlindje”
Avokat Sabri Sam Gjoni është veprimtarë aktivë i diasporës shqiptare në New York edhe për ruajtjen e traditave etno-kulturore të kombit shqiptarë duke ua trasmetuar me edukatë të kualifikuar fëmijve shqiptarë që jetojnë në SHBA. Hapjen e shkollës shqipe në Bronx e kishte mirëpritur me shumë gëzim atdhetar.Ai ishte zgjedhur në Bordin drejtues të shkollës shqipe në Bronx. Duke vlerësuar shkollën shqipe në Bronx,në një intervistë televizive në emisjonin “ Alba Life “ New York me gazetaren,poeten, intelektualen e talentuar të disporës shqiptare në New York Kozeta Zylo,avokati shprehej :
“ – Hapja e shkollës shqipe për diasporën shqiptare në SHBA është një punë shumë e bukur. Unë i përgëzojë ,ata, që hapën shkollën shqipe me përkushtimpër mësimin e gjuhës shqipe,sepse nëpërmet gjuhës shqipe,muzikës shqiptare,folklorit shqiptar do ti edukojmë fëmijtë tanë këtu në Amerikë me traditat më të mira të popullit shqiptar.të cilat janë një thesar i kulturës sonë kombëtare. Fëmijtë tanë duke njohur folklorin shqiptar do të dinë ta krahasojnë atë me kulturën amerikane e do të ruajnë në vazhdimësi traditat e familjes shqiptare. Familja është baza e lumturisë së jetës së çdo individi. Po qe se ke familje të shëndoshë,të konsoliduar me traditat tona atdhetare do të ruhen e respektohen edhe nga trashëgimtarët- fëmijtë tanë.
Kur avokati mirënjohur Sabri Sam Gjoni preku me dorë librin që i dhurova , meditoi me sy të ndriçuar duke thënë me emocione se :
“ –Shekulli XXI që po jetojmë është shekulli i popullit shqiptar.Sot kur Kosova është shtet i lirë dhe shteti shqiptar është demokratik,jam optimist se këto nuk do të mbeten më, si pjesë të ndara pa nënë, por do të realizohet ideja kombëtare e Shqipërisë Etnike që do të bashkojë popullin shqiptar në të gjitha trevat ku banojnë në truallin tonë të lashtë. Ai shqiptar që nuk ndjen dhimbje për Çamërinë, për luginën e Preshevës,për qytetin e Manastirit,për trevat shqiptare në Malin e Zi e Maqedoni, duhet të ndërgjegjësohet se është koha për bashkimin e popullit shqiptar. Edhe Fuqitë e Mëdha, Britania e Madhe, SHBA etj tashmë e kanë kuptuar padrejtësinë që i është bërë popullit shqiptarë duke u copëtuar në pesë shtete dhe nuk do ketë qetësi në Ballkan pa u bashkuar të gjitha trevat shqiptare.. Realizimi i bashkimit kombëtar do bëhet i natyrshëm, sepse tokat shqiptare dikur ishin të bashkuara e do të bashkohen përsëri sepse tani Republika e Kosovës po konsolidohet,Republika e Shqipërisë po bënë hapa demokratike.Komuniteti i diasporës shqiptare ka zhvilluar e po zhvillon veprimtari të dobishme për çështjen kombëtare, duke siguruar miqë në arenën ndërkombëtare,ka krijuar ura komunikimi midis shqiptarëve duke mbjellë farën e bashkimit kombëtar edhe tek brezi i ri që janë shpresa jonë kombëtare…”.
Kur takon jashtë atdheut bashkëkombas të devotshëm me performancë të admirueshme si është avokati Sabri Sam Gjoni ndjehesh i gëzuar e krenar për emrin shqiptar.Sigurisht në diasporën shqiptare ka intelektual të shumtë e të shquar,të cilët janë një pasuri e madhe kombëtare me vizione të qarta për çështjen kombëtare dhe me atdhedashuri të lartë kombëtare u digjet shpirti nga malli për mëmëdhenë,por që edhe u qanë zemra kur vendlindja keqëqeveriset duke i varfëruar shqiptarët me korrupsionin e pangopur të politikanve të pandërgjegjshëm. Ndërgjegja e ulët shoqërore e çdo politikani e pengon konsolidimin e ndërgjegjes kombëtare. Ato janë një binom i pandarë që lulëzojnë kombin.
Duke u larguar nga zyra e avokatit të përkushtuar Sabri Sam Gjoni mësova se edhe djali tij Genti që është rritur në New York kishte kryer studimet juridike për avokaturë, dhe punonte me përkushtim si avokatë në një firmë në Manhattan.Duke arritur suksese në punën e tij ka lartësuar emrin shqiptarë në komunitetin shqiptaro-amerikan në New York.
Qatip Mara
Bayside New York 4 nëntor 2015

Filed Under: Komunitet Tagged With: Avokati Sam(Sabri) Gjoni, diaspore, perkushtim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3384
  • 3385
  • 3386
  • 3387
  • 3388
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT