• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DITËT E NAIMIT E HAPËN SIPARIN NË TETOVË DHE E MBYLLËN NË TIRANË

October 19, 2020 by dgreca

– Përfundoi Edicioni i XXIV i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”

Prej 15–18 tetor 2020, në Tetovë u mbajt Edicioni i XXIV i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Përgjatë tri ditëve u mbajtën aktivitetete të shumta letrare, artistike, shkencore dhe kulturore. Në te morrën pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës si: Lidija Dimkovska (Maqedoni e Veriut). Bardhyl Maliqi (Shqipëri), Craig Czury (SHBA), Xhuzepe Napolitano (Itali), Diti Ronen (Izrael), Francoise Roy (Kanada/Meksikë), Nikole Kazhë Florentini (Martinike), Puntorie Muça (Maqedoni e Veriut), Krystina Lenkovska (Poloni), Dalila Hiaoui (Maroko), Olimbi Velaj (Shqipëri), Poul Dabaard (Danimarkë), Elena Prenxhova (Maqedoni e Veriut), Ida di Iani (Itali), Mitko Gogov (Maqedoni e Veriut), Ioana Gruia (Spanjë), Ana Bageriana (Ukrainë), Zosi Zografidu (Greqi), Dimitar Hristov (Bullgari), Daim Miftari (Maqedoni e Veriut), Sofia Skleida (GreqI), Arlind Farizi (Maqedoni e Veriut), Bujar Plloshtani (Maqedoni e Veriut).

Hapja festive e Edicionit të XXIV të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u bë me anë të ndezjes së fishekzjarreve dhe flakadanëve që bartnin të rinjtë me veshje kombëtare shqiptare, para Qendrës së Kulturës, në Tetovë. Ndërkaq, buqete lulesh u vendosën para shtatores së poetit tonë kombëtar Naim Frashëri dhe një minute heshtje, në 120 vjetorin e vdekjes, iu dha poetit kombëtar Naim Frashëri. 

Edicionin e XXIV të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” e hapi drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, i cili në mes tjerash, theksoi se, ‘Ky është viti i errët për njerëzimin. Pandemia ka përmbysur sistemin dhe kodin e të jetuarit. Ka rritur paqartësinë e të tashmes dhe të ardhmes. Jeta është privuar në masë të madhe nga bukuria e saj. Shoqëria jonë ka momentet e saj më të këqia stresive e depresive. 

Një fotografi e tillë është frikësuese. Ajo ka nevojë për vepra, të cilat do ta ndriçojnë njerëzimin, do ta fisnikërojnë dhe plotësojnë ate. Andaj, duhet besuar se, poezia (dhe artet tjera), duhet të flasin çdo ditë, që të mund të rruhet mendja e shpirti ynë. 

Edhe “Ditët e Naimit”, si operator shumdimensional kulturor e letrar, po provojnë në kushte pandemie të jenë pjesë e këtij kontributi për të mundur të keqen dhe për të sjellë normalitetin. Duhet të besojmë fort se, “Jeta është e bukur”, dhe se, ne me anë të poezisë qëndrojmë më pranë perendisë. 

Në orën e madhe letrare ‘Globi poetik’, poetët lexuan poezitë e tyre (poetët e huaj në mënyrë virtuale). Ndërkaq, Laureatja e Festivalit, poetja maqedone Lidija Dimkovska, për shkak të pandemisë nuk arriti të jetë në Tetovë. Ajo ajo të pranishmëve përmes videos i drejtua me fjalët se “Asnjëherë deri më tani, nuk kam qenë njëkohësisht aq e lumtur dhe e pikëlluar, në botën e poezisë. Jam e lumtur që sivjet pikërisht poezia ime është zgjedhur të shpërblehet me çmimin e lartë ndërkombëtar poetik që e mban emrin e poetit të madh shqiptar, Naim Frashëri, dhe jam e pikëlluar njëherazi , që për shkak të situatës momentale me virusin e COVID-19 nuk munda të vijë nga Lubjana e Sllovenisë ku jetoj në Tetovë, që të jem me ju. Gjithë këtë kohë kam shpresuar se kjo do të jetë e mundshme dhe i jam gëzuar Festivalit, por tani jam e detyruar të jem prezente vetëm në këtë video mënyrë. Por, megjithatë, edhe kjo është më mirë se mungesa e tërësishme nga kjo ngjarje e mrekullueshme.

Për mua paraqet një nder të vecantë që në 24 vjetorin e ekzitencës së çmimit dhe të vetë festivalit  poetik, “Ditët e  Naimit”, jam fituesja e  parë maqedonase e çmimit. Ndjej nevojën që çmimin në mënyrë simbolike ta ndaj dhe t’jua përkushtoj të gjithë atyre poetëve dhe poeteve maqedonase që kanë mundur ta fitojnë, por ja që ky çmim më priti mua. Ne jemi bashkëkohës të fjalës, ndërsa pa fjalë nuk ka poezi.

Çmimi Naim Frashëri për mua paraqet konfirmim se, besimi im ndaj multikulturalizmit, në të tanishmen e përbashkët të të gjithë popujve, në bashkëjetesë, në respektimin e të drejtave të njeriut, në mundësinë që popujt të mos jetojnë njëri përskaj tetrit në botë paralele, por së bashku në botë të gërshetimeve kulturore, dhe para së gjithash  besimin tim në poezi dhe kulturë si vlerë universale dhe pasuri e gjithëmbarshme botërore, është tërësisht në rrugë të drejtë. Edhe sot, vargjet e Naim Frashërit e zgjerojnë dhe përhapin të njëjtin mesazh humanist, se fanari i përbashkët duhet të jenë respekti i ndërsjellë dhe mirëkuptimi.

Edhe pse çmimin e fitoj në kohën e një tjetërsimi të imponuar për shkak të koronavirusit, që  të jemi dhe mbetemi të afërt, ne parasëgjithash na nevojitet arti, poezia, për shkak se vetëm ajo i shëron të gjitha plagët e botës në të cilën jetojmë.

Edhe një herë ju faliminderit për këtë çmim të jashtëzakonshëm. Jam e sigurt  se Naim Frashëri nga hapësirat e amshimit na përcjell mesazhin poetik dhe jetësor në të cilin edhe vetë besoj “ duani jetën , duani punën dhe njëri tjetrin”.

Jurinë e Festivalit e përbënin, Prof. dr. Ymer Çiraku (kryetar), poeti dhe kritiku Remzi Salihu (anëtar) dhe Mr. Ndue Ukaj, anëtar).   

Në natën e hapjes së Festivalit, titulli Anëtar Nderi i Festivalit i akordua poetes Puntorie Muça Ziba, ndërkaq çmimi letrar “Ditët e Naimit” iu dha poetit shqiptar Bardhl Maliqi.

Në ditën e dytë të Programit, në sallën e Kuvendit Komunal të Tetovës me rastin e 120 vjetorit të vdekjes së poetit Naim Frashëri, u mbajt konferenca shkencore ,,Naim Frashëri dhe Atdheu”, ku studjues dhe poetë shqiptarë e të huaj lexuan/depozituan kumtesat e tyre, si Prof.dr. Ymer Çiraku, Prof.dr. Olimbi Velaj, Prof.dr. Belfjore Qose, Prof. Dr. Bardhyl Maliqi, Prof. Dr. Dije Demiri Frangu, Pierfranko Bruni dhe Xhuzepe Napolitano (Itali) Prof dr. Dalila Haioui (Maroko), Prof. Dr. Neli Naço, Dr. Haxhi Shabani, Mr. Ndue Ukaj, Prof. Dr Izmit Durmishi, Prof. Dr. Arlind Farizi, Mr. Daim Miftari, Prof. Arjan Kallço, Prof. Xhelal Zejneli, kritikët dhe poetet Remzi Salihu, Bujar Plloshtani, Puntorie Muça Ziba, etj.

Sipas programit, në ditën e tretë u bë hapja e ekspozitës “Pelikani” me piktura të piktores shqiptare Flutura Maçi, si dhe u bë përururimi librave të Sh. B. “Ditët e Naimit” si, “Shpella e Dantes” i Fiona Sampson, “Hëna e gjelbërt” e Tua Forstrom, “Ëndrrat e vogla” i Mohamed Rabie,”Dritë/Luminance” i Belfjore Qoses, “Troja e kalit” i Shaip Emërllahu dhe Antologjia e Festivalit. Për këto vepra poetike folën kritikët letrar Remzi Salihu, Xhelal Zejneli, Remzi Salihu, Elena Prenxhova dhe Mitko Gogov.

Në natën e tretë u mbajt ora e madhe letrare “Meridiane Poetike” u lexuan poezi dhe u ndanë çmimet e tjera letrare të Festivalit. Kështu, çmimi që jepet për vlera të veçanta poetike ‘Menada’ iu dha poetes shqiptare Olimbi Velaj, çmimi letrar ‘Oaeneumi’ që jepet për ciklin më të mirë poetik iu dha poetes nga Spanja, Ioana Gruia, çmimi letrar ‘Qiriu i Naimit’ që jepet për poezi më të mirë mori poeti Daim Miftari dhe çmimin letrar “Silke/Liria që jepet për shprehjen poetike iu dha poetit Arlind Farizi.

Festivalin e udhëhoqi moderatorja Narta Emërllahu, ndërsa poezitë i lexoi në gjuhën shqipe aktori i njohur Arsim Kaleci. Nga një pikë muzikore ekzekutuan violinisti Shkëlzen Pajaziti, me flautë dhe kitaristi përcolli leximin e poezive të poetëve. 

Festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë, Komuna e Tetovës, restorant “Parajsa e Sharrit” dhe restorant “Kurtishi”.

Si hapja e Festivalit, ashtu edhe mbyllja e Festivalit, është transmetuar drejtëpërdrejtë (Live Stream) në FB.(D. Hadri)

Filed Under: LETERSI Tagged With: DITËT E NAIMIT, Tetove-Tirane

Negociatat Kosove-Serbi,as andej,as këndej

October 19, 2020 by dgreca

Pavarësia dhe tërësia teritoriale e Kosovës janë të pa negociushme-

NGA SADIK ELSHANI*- PHILADELPHIA- Kohëve të fundit janë shtuar përpjekjet për ta vazhduar procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë. Një ngjarje e rëndësishme ishte marrëveshja e 4 shtatorit që u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë në Uoshington. Është shkruar mjaft për këtë marrëveshje, prandaj nuk ka nevojë që të thellohemi më tepër në këte shkrim. Dikush e cilësoi si historike e dikush tjetër si tradhti. Kjo marrëveshje, që më tepër ishte një nënshkrim i një dokumenti të parapërgatitur nga Shtëpia e Bardhe dhe jo si një rrjedhojë e një procesi negociator në mes të dy palëve, nuk ishte as historik dhe as tradhti. Historike do të ishte kur Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës, Vuciqi vjen në Kosovë dhe në Prekaz përkulet përpara viktimave, ashtu siç bëri Vili Brandti në Varshavë; Serbia kërkon falje për krimet dhe shkatërrimet e bëra dhe zotohet që t’i kryejë te gjitha detyrimet e saj, e në radhë të parë të angazhohet për gjetjen e më shumë se 1600 shqiptarëve të zhdukur. Por, siç duket nga ky hap jemi shumë larg dhe ndoshta nuk do të ndodhë kurrë.

Ata, qofshin qeveritarë, politikanë e gazetarë që deklarojnë se njohja reciproke Kosovë – Serbi do të vijë së shpejti gabohen rëndë. Serbia kurrë nuk do ta njehë Kosovën pa ia futur dikush asaj te dyja këmbët në një këpucë ose pa u ballafaquar me një gjendje të rëndë, izolim të përgjithshëm nga bashkësia ndërkombëtare – dilemë hamletiane: Të jeshë apo të mos jeshë. Do te jeshë nëse e pranon pavarësinë e Kosovës, ose përndryshe nuk do të jeshë. Derisa Serbia e gëzon përkrahjen e Rusisë dhe Kinës dhe deri diku përkëdheljen e BE-së, ajo kurrë nuk do të ngutet që ta njohë Kosovën. Kush mendon ndryshe e gënjen veten dhe popullin e Kosovës. Është me rëndësi që Serbia ta njehë shtetin e Kosovës, sepse do ta mundësonte njohjen edhe nga shumë vende si dhe anëtarësimin në organizatat botërore, OKB, etj. Por, në ndërkohë Kosova nuk duhet të mbetet peng i këtij procesi, akti të munguar. Ne duhet të përqëndrohemi që ta ndërtojmë shtetin e Kosovës sikur Serbia të mos ekzistonte fare dhe të përgatitemi, të jemi gjithmonë të gatshëm që të ballafaqohemi me të në çdo çast e cdo rrethanë.Tekefundit, kemi të bëjmë me një shtet që nuk na ka njohur kurrë, madje gjithmonë është munduar që të na zhdukë nga faqja e dheut.Të mos e krijojmë dhe të mos bëhemi të varur nga një Sindrom i Serbisë, sikur nuk mundemi pa Serbinë. Të mos e lidhim fatin tonë me Serbinë. Mirë do të ishte që armiqtë shekullorë të pajtohen, por për këtë ka një proces që u cek pak më lart. Pa e njohur Serbia Kosovën nuk mund të ketë as “Mni Schengen”, sepse ky koncept ngërthen në vete, nënkupton marrëdhëniet e mira në mes të dy vendeve dhe jo vendeve që nuk e njohin njëri – tjetrin.

Kosova në mes të Shillës dhe Haribdës

Në këtë proces të negociatave secila palë, Serbia, SHBA-të, BE-ja, po mundohet që ta hedhë vallen e vet, por ne duhet ta hedhim vallen tonë nën ritmin e daulleve tona dhe të mos lejojmë që askush të hedhë valle në kurrizin tonë. Gjer më tani vetëm SHBA-të janë treguar si partner, përkrahës e dorëzan serioz të Kosovës, ndërsa nga BE-ja vetëm Gjermania e deri diku edhe Anglia. Ndaj udhëheqjes së Kosovës është duke u ushtruar një trysni e vazhdueshme dhe e pakuptimtë që të bëjnë lëshime në dobi të Serbisë. Prandaj, faktori politik i Kosovës duhet të jetë i bashkuar dhe jo i përcarë siç është tani. Ndërtimi i një shteti ligjor me institucione demokratike e funkcionale është mënyra më e mirë për t’ua mbyllur gojën kundërshtarëve tanë. Ne u jemi mirenjohes perjete te gjithe miqve tane qe na perkrahen ne ditet me te veshtira, por sot disa nga ata nuk jane duke u sjellur si miq te vertete. Atij që i është bërë një e mirë duhet ta vlerësojë atë, por edhe ai që e ka bërë atë të mirë nuk duhet ta keqpërdoë atë. Miku i mire, miku i vërtetë nuk të vë në pozitë të vështirë. Kërkesat e ndërkombëtarëve për krijimin e Associacionit të Komunave Serbe në formën e tanishme janë të papranueshme. Nuk e di a ka asociacione të tilla komunash të pakicave kombëtare në ndonjë shtet të BE-se, si p. sh. në Sllovakinë e z. Lajçak. Madje, një shtet anëtar i BE-së, Greqia, as që e njeh ekzistencën e shqiptarëve në shtetin e saj. Shqiptarët në Greqi nuk gëzojnë kurrëfar të drejta: u mohohet kombësia, gjuha, nuk kanë shkolla, gazeta në gjuhën shqipe, etj. Udhëheqësit e Kosovës duhet t’i ngulin këmbët dhe t’i mbrojnë interesat e Kosovës. Ne i dimë më mirë problemet tona sesa ndërkombëtarët, ata nuk do të jetojnë në Kosovë, ne do të jetojmë dhe do të ballafaqohemi me këto probleme tërë jetën. “Mikun prite mirë, nderoje, por zot shtëpie mos e bëj” – thotë një fjalë e urtë shqipe. Ne duhet të këshillohemi, t’i dëgjojmë kur e kanë me vend, por vendimet duhet t’i marrim vetë. E di që ky është një process delikat dhe i ndieshëm, por siç ka thënë poeti dhe prozatori gjermano – amerikan, Charles Bukoëski (1920 – 1994): “Ajo që ka rëndësi më tepër, është menyra sesi ecën përmes zjarrit”. Qeveria e Kosovës nuk e ka luksin që të ballafaqohet me BE-në dhe përfaqësuesit e saj të ngarkuar në proceset e dialogut Kosovë – Serbi. Këtë më së miri mund ta bëjnë shqiptarët përmes lidhjeve të tyre në vendet përkatëse të BE-së dhe në vetë selinë e BE-së. Duhet bërë një lobim duke shfrytëzuar të gjitha mënyrat: kontakte me politikanë, gazetarë e publicistë që gëzojnë autoritet në profesionin e tyre dhe që kanë ndikim të fortë në qeveritë e vendeve përkatëse, si dhe te publiku i gjërë.

Asociacioni – kurtha, Kali i Trojës i Serbisë

Kërkesa e BE-së për krijimin e asociacionit sipas orekseve të Serbisë është një kërkesë paradoksale. Europa e bashkuar që hoqi barrierat, kufijtë në pjesën dërmuese të teritorit të saj, tani kërkon nga një shtet i ri me 10 mijë kilometra katrore që të krijojë një shoqëri, shtet të stilit, modelit “Apartheid” në gjirin e saj. Përmes krijimit të këtij asociacioni Serbia është duke u munduar që ta fusë përsëri Kosovën nën kthetrat e saj. Vështirë shuhen ëndrrat dhe lakmitë shekullore të Serbisë për tokat shqiptare. Serbët dhe të gjitha pakicat tjera kombëtare, grupet etnike në Kosovë i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e vendit. Ata gëzojnë më shumë të drejta se shumë pakica kombëtare që jetojnë në shtetet anëtare të BE-së. Rastin ekstrem (të tejskajshëm) të Greqisë e cekëm pak më lart. Ndërsa shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës e Sanxhak gëzojnë shumë më pak të drejta sesa serbët që jetojnë në Kosovë. Por, për këtë BE-ja nuk e çanë fare kokën.  BE-ja nuk kërkon nga pesë shtetet anëtare të saj që ta njohin Kosovën, ndër këto është edhe Sllovakia e z. Lajçak. Ne shqiptarët si pjesë përbërëse e kontinentit europian që nga lashtësia e gher në ditën esotme, duhet t’i përqafojmë idealet europiane, t’i mishërojmë vlerat europiane, perendimore. Është për t’u habitur se i dërguari i BE-së për Kosovën, z. Lajçak, komisioneri Borrell dhe para tij komisionerja Mogherini, me sjelljet, veprimet e tyre mospërfillëse ndaj shtetit të Kosovë tregojnë qartë se janë pikërisht ata që snuk i mishërojnë këto vlera, këto ideale. Vlen të thekësohet këtu se edhe vendi prej nga vjen z. Borrell, Spanja, ende nuk e ka njohur Kosovën.

Deklaratat joserioze, skandaloze të z. Lajçak

Zoti Lajçak deklaroi se Kosova duhet ta ndryshojë kushtetutën e saj për ta formuar asociacionin sipas kërkesave të papranueshme të Serbisë, kërkesa të cilat i përkrahë edhe z. Lajçak.Është Serbia ajo që duhet ta ndryshojë kushtetutën e saj në të cilën Kosova ende figuron si pjesë përbërëse e saj. Z. Lajcak dhe BE-ja duhet ta ndryshojnë qasjen, qëndrimin e tyre për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, për t’i dhënë fund konfliktit Kosovë – Serbi, duke përfunduar me njohje reciproke. Z. Lajcak pastaj deklaroi se për të marrë diçka duhet dhënë diçka, domethënë, për të arritur një kompromis, Kosova duhet të japë diçka. Duhet t’ia bëjmë të ditur z. Lajcak se Kosova ka dhënë shumë, ka sakrifikuar shumë ndër shekuj për lirinë dhe pavarësinë e saj: mijëra shqiptarë të burgosur, të vrarë, gra të dhunuara, shtëpi dhe objekte industriale, shkollore, kulturore të shkatërruara. Lista e vuajtjeve të shqiptarëve nga dhuna serbe është shumë e gjatë dhe shqiptarët do të bëjnë cdo gjë që kurrë më të mos kthehen nën sundimin serb. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë, miqtë dhe armiqtë tanë. Qëndrimet e z. Lajçak nuk janë në të njejtat valë me vendet kryesore të BE-së të cilat e kanë njohur pavarësinë e shtetit të Kosovës me kufijtë ekzistues. Ka mjaft tema, ceshtje që duhen diskutuar me Serbinë, por jo pavarësia dhe tërësia teritoriale e shtetit të Kosovës. Kosova ka dhënë mjaft, ndërsa Serbia nuk është ndëshkuar fare për krimet e saj të kryera në tërë teritorin e ish Jugosllavisë.

Philadelphia, 18 tetor, 2020

*Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: negociatat-Serbi-Kosove, Sadik Elshani

Lumturimi i Nënës Tereze, në ceremoni Presidenti historik Rugova

October 19, 2020 by dgreca

Para 17 viteve, 19 Tetorin 2003 të lumturimit të Nënës Terezes, në Vatikan, nga Papa Gjon Pali i dytë, -Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e vlerësonte ditë historike për shqiptarët dhe botën/

-Ishte viti 1995, kur në 7 Dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, Rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës takohet për hërë të parë e të vetme me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen në Aeroportin e Romës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 19 Tetor 2020/  Para 17 vitesh, më 19 Tetor 2003, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në Vatikan, mori pjesë në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, misionares shqiptare Gonxhe Bojaxhiu me origjinë nga Kosova, lindur në Shkup. Para më se gjysmë milioni njerëzve, në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, Papa Gjon Pali i dytë ka lumturuar Nënë Terezën.

Presidenti historik Rugova, pas kthimit nga pjesëmarrja në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, e vlerësoi këtë akt si ditë historike për Kosovën dhe popullin shqiptar.

 “Po kthehem nga Roma, ku ishim në ditën e beatifikimit të Nënës Tereze, që është një ditë e madhe për Kosovën, për popullin shqiptar.

 Mund të themi se është një ditë historike dhe një ditë e madhe për gjithë botën, sepse ajo është Nënë shqiptare dhe poashtu Nënë e gjithë botës”, theksoi Presidenti Rugova në një deklaratë para mediave në Aeroportin e Prishtinës, në 22 Tetor 2003.


Gjithashtu Presidentti Rugova shprehu kënaqësinë që në ceremoninë e lumturimit të Nënës Tereze morën pjesë me mijëra shqiptarë nga Kosova, viset shqiptare dhe nga bota.

Me këtë rast, Presidenti Rugova falenderonte Papa Gjon Pali II për lumturimin e Nënës Tereze dhe organizimin e ceremonisë madhështore që hapi rrugën për shenjtërimin e Nënës Tereze.

Në 17 Tetor 2003, para ceremonisë së lumturimit, Vatikani publikoi një biografi të Nënës Tereze. Teksti fillonte pikërisht me një deklarim të Nënë Tërezes në vitin 1995, ku ajo theksonte prejardhjen dhe besimin e saj me këto fjalë: “Me gjak jam shqiptare, me shtetësi jam indiane dhe me zemër i përkas Jezu Krishtit”.

 Rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka takuar tëLumen Nënë Tereza, nobelisten – nënën tipike shqiptare, që është edhe e gjithë botës, siç është shprehur ai.

Ishte viti 1995, kur në 7 DhjetorPresidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, takohet për hërë të parë e të vetme me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen.  “Do të lutem për popullin e Kosovës”, tha Nëna Tereze gjatë këtij takimi me Presidentin Rugova.  Takimi u zhvillua në Aeroportin e Romës, gjatë rrugës së Presidenti Rugova për në Uashington. “Unë e kam takuar vetëm një herë Nënën Tereze në Aeroportin e Romës, rastësisht, por veprën e saj e njoh shumë, shumë mirë…Ato pak çaste që kemi kaluar, kur iu prezantova si President i Kosovës i rodhën lotët, ishte në vitin 1995…dhe dëshiroi sukses dhe punë dhe e ndinte në zemër popullin e Kosovës dhe popullin shqiptar që e ka dëshmuar edhe me vepër”, ka treguar Presidenti Rugova…

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, Lumturimi i Nënës Tereze

Arsyet pse shqiptaro amerikanët rivotojnë me 3 nëntor 2020 arritjet e administratës së Presidentit Trump

October 19, 2020 by dgreca

Nga Klajd Kapinova/New York/

Ringritja e shpejtë ekonomike/

Për 47 muaj patriotët amerikanë, kanë parë nën drejtimin e Presidentit Donald J. Trump arritje rekord në fushën ekonomike dhe politikën e jashtme, duke rritur prestigjin e shtetit amerikan.

Falë mbështetjes së madhe popullore, që ai gëzon në të gjithë shtetet e Amerikës, duke pëfshirë edhe shtetet që votojnë tradicionalisht për socialistët, vala e madhe e kuqe me elefantë do të përfshijë të gjithë SHBA.

 Kështu shteti iMinesotës, sipas sondazheve të pavarur do të votojnë për Presidentin Trump, sepse ai ka rihapur atje minierat e qymyrgurit dhe uzinat e shkrrjes sëçelikut, të cilat ishin mbyllyr me arrogance nga ish Presidenti Barok Hysen Obama dhe Sleepy Joe Biden. Sipas analistëve thuhet se adminstrata Obama-Biden ishte radikalisht socialiste dheantiamerikane si më e keqja në tw gjithë historinë 45-vjeçare presidenciale të SHBA-së.

Në një reportazh të transmetuar para disa ditësh në kanalin televiziv MaxNews TV sipas intervistave të punëtorëve të minierave dhe shkrirjes sëçelikut ata masivisht shprehen se do të votojnë për Presidentin Trump. Kështu 9 major (kryetar bashkie) socialistë të shtetit të Minesotës, janë shprehur hapur në mbështetje të Presidentit Trump, duke e kthyer këtë shtet me ngjyrë të kuqe, valë e cila fatmirësisht ka përfshirë të gjithë SHBA.

Sipas sondazheve të pavaruara mbi 30-40% e popullsisë me ngjyrë afrikano amerikanë (që përbën 13% të popullisë së gjithë SHBA-së), do të mbështesin republikanin Donald J. Trump.

Sipas shifrave federale amerikane popullsia ispanike (kryesisht nga Amerika Latine, Mexico dhe Amerika Qendrore) këtu përbën 34% të numërit të përgjithshëm të popullsisë së SHBA.Pothuajse se gjysma e tyre mendohet se do të votojnë për Trump. Për herë të parë e gjithë komuniteti armeno – amerikanë, që ndodhet me shumicë në shtetin e Californisë, janë shprehur hapur në mbështetje të Presidentit Trump, duke sjellë shqetësimë tepër serioze tek Sleepy Joe Biden në këtë shtet tradicionalisht të mbushur me gomarë blu.

Minesota, qysh nga viti 1972, ka votuar tradicionalisht për partinë “demokratike” amerikane.Trump, po ndryshon historinë për të mirën e popullit amerikan.

Edhe në pjesën perëndimore të SHBA-së, ka shumë gjasa që edhe California dhe New York të votojnë për presidentin Trump edhe pse tradicionalisht ata janë shtete socialiste. Këto dy shtete janë të mbushur me njerëz të varfër dhe taksat më të larta në të gjithë SHBA.

Kështu NYPD (Departamenti i Policisë së shtetit të Neë York), unionet e mëdha të policisë së shtetit metropolitan, për herë të parë në të gjithë historinë e shtetit dhe SHBA-së,do të mbështetin një kandidat politik në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit 2020.

Të gjithë shtetet e SHBA, duke përfshirë edhe organizatat e mëdha të policisë së SHBA-së, kanë mbështetur hapur Presidentin Donald J. Trump, në rizgjedhje si president i SHBA. Trump, mbeshtet fuqishëm policinë amerikane, është kundër Policisë dhe pro organizatave terroriste dhe anarkiste marksiste Antifa dhe BLM…

Rritjen e ekonomisë amerikane bisnesmeni i suksesshëm TRUMP, do ta bëj përsëri pas rizgjedhjes për herë të dytë në postin e Presidentit të SHBA-së, pas 3 nëntorit 2020.

Edhe pse prej 7 muajsh vazhdon luftra me pandeminë globale të Cocid 19, sërisht për 4 muaj Trump, ka ulur papunësinë dhe ka hapur vende të reja pune me mbi 11,5 milion, bursa apo stak marketi gjithnjëështë në shifrat e larta record,çka tregon se ekonomia amerikane po rimkëmbet me shpejtësi.

Shifra dhe faktet e administratës Trump

Media ultra e majtë marksiste, anarkiste Fake “News” në SHBA, gjithnjë në kor papagalesh vazhdojnë të gënjejnë dhe mashtrojnë ditën për diell shikuesit dhe lexuesit amerikanë dhe ndërkombëtarë mbi Presidentin Trump dhe injorojnë korrupsionin dhe krimin federal te familjes Biden…

Rikthimi i Rritjes së Madhe Amerikane, është në proces dhe Presidenti Donald J. Trump, është njeriu që po e realizon atë me sukses për 47 muaj dhe do ta drejtojë me një ringritje të re ekonominë e vendit edhe në të ardhen mbas fitores së mandatit të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Këto ditë pritet shifra e lartë e GDP, që mendohet se do të jetë një tregues se ekonomia amerikane është në rrugë të mbarë.

Në muajin janar 2021 shifrat e rritjes so të jenë record, sipas analistëve dhe ekonomistëve amerikanë.

Për fat të keq edhe media në Kosovë dhe Shqipëri vazhdojnë t’i shpërlajnë trurin bashkatdhetarëve të tyre, duke përhapur lajme dhe“analiza” të mbushur me rrena, të marra të gatshme nga mediat anarkiste, si: CNN, ABC “News”, Boston Glob, The New York Times, Washington Post, Daily News, TIME, etj. Në youtube pothuajse cdo ditë ndjeku me kujdes lajmet nga vendlindja në lidhje më zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Para publikut kampione të gënjeshtrave janësot mediat e “pavarura” të majta si RTVSH, Top Channel, Tv Klan, Vizion Plus etj., të cilat përkthejnë “lajme” të rreme propagandisatike, të marrë nga zyrat propagandistike shterpe të partisë demokratikë në SHBA.

Kështu në muajin gusht 2020, u hapen 1.4 milion vende pune të reja, dhe në shtator 661.579 vende të reja pune, të cilat iu shtuan përsëri ekonomisë amerikane, të prekur rëndë nga pandemia botërore e Covid 19.

Sipas statistikave të pavaruara amerikane, që tregojnë sesi po ecën ekonomia e prekur rëndë nga korona virusi, niveli i papunësisë ra sërisht për SHBA, ku, muaji i nxehtë i gushtit shënoi rritjen e katërt më të madh të hapjes së vendeve të punës në historinë amerikane.

Në 4 muajt e fundit, 11.6 milion vende pune janë shtuar në ekonominë e vendit., ku 45,000 punë prodhuese u shtuan sërisht, kurse industria me pakicë arriti të shtoi 249,000 vende të reja pune.

Në sektorin e industrisë u hapën edhe 174,000 vende pune. Shkalla e papunësisë ra 1.8 pikë në shkallë kombëtare, kurse shkalla e papunësisë së grave u ul me 2%. Po ashtu niveli i papunësisë në komunitetin me ngjyrë afrikano amerikanë ra në nivelin 1.6% dhe për komunitetin e madh amerikano-hispanik ra në nivelin 2.4%. Po ashtu ra shkalla e papunësisë për komunitetin aziatiko-amerikane në nivelin 1.3%…

Nën drejtimin e administratës së Presidentit Trump, 5.6 milion njerëz kanë dalë nga pulla ushqimore (asistenca sociale) dhe qysh kur ai mori detyrën në Shtëpinë e Bardhë mbi 2.4 milion amerikanë janë hequr nga varfëria, sikurse 1.4 milion fëmijë amerikanë janë larguar nga niveli i varfërisë.

Po ashtu bursa e aksioneve ka arritur nivele rritjeje record.Kongresi miratoi ulje historike të taksave dhe lehtësime, për amerikanët që punojnë shumë.Akti i shkurtimeve dhe vendeve të punës të taksave,historikisht është reforma e parë e madhe tatimore e nënshkruar në 30 vjet dhe paketa më e madhe e reformës tatimore në histori.

Rritja ekonomike vazhdon

Si rezultat i shkurtimeve historike të taksave në vitin 2019, gati 9,000 Zona të Mundësive u krijuan në të 50 shtetet, DC dhe 5 territore. Zonat e Mundësive nxitën 100 miliard dollarë në investime private të kapitalit dhe ndikojn në afro 35 milion amerikanë.

Akti i shkurtimit të taksave dhe punësimit dyfishoi kredinë për taksën e fëmijëve. Në vitin tatimor 2019, gati 40 milion familje përfituan nga kredia e taksës së fëmijëve (CTC), duke marrë një përfitim mesatar prej 2,200 dollarë gjithsej kreditë prej 88 miliardë dollarësh.

Në vitin tatimor 2019, gati 6 milion familje përfituan nga kredia e taksave për fëmijën dhe kujdesin e varur (CDCTC), duke marrë një përfitim mesatar prej 551 dollarë me kreditë totale prej $3 miliardë.

Politika patriotike America First e Presidentit Trump, ka rikthyer rregulloret e panevojshme për vrasjen e vendeve të punës me një ritëm historik.

Sasia e vendeve të punës të shtuara në ekonominë amerikane gjatë 4 muajve të fundit, ka tejkaluar pritjet me një kombinim prej 12.2 milion vendeve të punës.

Administrata ka eleminuar gati 8 rregullore për çdo rregull të ri. Ky tejkalon shumë premtimin e bërë për të shkurtuar 2 rregullore për çdo 1 rregulloreshtuar.

Kostot rregullatore janë zvogëluar me gati 50 miliardë dollarë dhe i kanë kursyertatimpaguesit me 220 miliardë dollarë, ku janë zbatuar plotësisht veprimet.

Përpjekjet për heqjen e rregullave do të kursejnë familjeve amerikane rreth 3,100 dollarë në vit, kur Presidenti Trump ndërmori veprim, për të rritur transparencën në agjencitë federale dhembrojnë amerikanët nga abuzimi me administratën.

Administrata formoi Nismën e Guvernatorëve për Inovacionin Rregullatore cila synon të harmonizojë më mirë përpjekjet shtetërore dhe Federale, për të ulur rregulloret dhe kostot shtesë të panevojshme.

Masat e administratës Trump kundra koronavirusit

Përgjigja e Administratës së Presidentit Trump filloi herët. Në 31 janar 2020, Trump shpalli koronavirusin një emergjencë të shëndetit publik dhe pezulloi hyrjen në SHBA nga Kina dhe shtetet e Europëspër të ndihmuar në ndalimin e përhapjes.

Kështu Presidenti Trump, CDC dhe Task Force Coronavirus i Shtëpisë së Bardhë, të kryesuar nga Zëvendës Presidenti Mike Pence, lëshuan udhëzime për të ndjekur të gjithë amerikanët.

Më 13 mars, Presidenti Trump deklaroi një emergjencë kombëtare e cila i dha akses 42 miliardë dollarë, për të luftuar koronavirusin.

Për herë të parë, Presidenti Trump deklaroi se një katastrofë e madhe ekzistonte brenda të 50 shteteve në të njëjtën kohë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Trump dhuroi pagën e tij të katërt për të luftuar koronavirusin.

Më 27 mars, ai nënshkroi ligjin bipartizan me 2 trilion dollarë ndihma, Ndihma dhe Siguria Ekonomike e Koronavirusit (CARES). Nga ana e tjetër, Akti Cares, siguroi lehtësimin e nevojshëm për bizneset dhe punëtorët e shtresës së mesme dhe ndihmoi në stabilizimin e ekonomisë.

Pikat kryesore

Ndihma e drejtpërdrejtë për familjet dhe punëtorët, përmes kontrolleve të rimëkëmbjes. Individët, kishin të drejtë për çeqe deri në 1,200 dollarë dhe çiftet e martuara kanë të drejtë për çeqe deri në 2,400 dollarë, me 500 dollarë shtesë për çdo fëmijë.

Ligji CARES,gjithashtu forcon dhe zgjeron sigurimin e papunësisë, për amerikanët, që nuk mund të punonin për shkak të pandemisë.

I përfshirë në Aktin Cares ishte Programi i Mbrojtjes së Paycheck (PPP), një program me miliarda dollarë, që ofron 8 javë ndihmë për bizneset e vogla.

Financim shtesë në Aktin CARES: 17 miliardë dollarë lehtësim të borxhit të biznesit të vogël dhe 45 miliardë dollarë për fondin e ndihmës nga katastrofat FEMA.

Trump dhe Task Forca e Shtëpisë së Bardhë

Presidenti Trump dhe Task Forca e Shtëpisë së Bardhë për Coronavirus po udhëheqin një të paparë, qasje gjithëpërfshirëse dhe agresive e gjithë Amerikës, për të ngadalësuar përhapjen e virusit vdekjeprurës.

Mbi 159 milion amerikanë morën Pagesë të Ndikimit Ekonomik çeqe. Programi i Mbrojtjes së Paycheck (PPP) e cila fatmirësisht shpëtoi 51 milion vende pune dhe mbi 5.2 milion hua arritën në mbi 525 miliard dollarë.

Rikthimi i shpejtë amerikan

Administra Trump dha mbi 19 miliardë dollarë për Departamentin e Çështjeve të Veteranëve për të mbështetur veteranët tanë, mbi 100 miliardë dollarë për spitalet dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor, 16 miliardë dollarë për pajisjet e mbrojtjes personale (PPE), ventilatorët dhe pajisjet mjekësore, 4.3 miliardë dollarë për CDC.

Në muajin gusht, Presidenti Trump ndërmori veprime shtesë, për t’u siguruar familjeve mbështetje nga pandemia.

Veprimet përfshijnë:

Lehtësim i përkohshëm i taksës së pagave, përfitimet e papunësisë në 400 dollarë në javë, për ata që kanë humbur punën e tyre, për shkak të pandemisë. Relieffromresidentialeialeviction ose para mbylljes, lehtësim i huasë studentore.

Media e majtë Fake “news” sistematikisht mundohen të fshehin informacionet zyrtare, se sot Shtetet e Bashkuara janë lider botëror në testime.

Mbi 100 milion teste janë përfunduar, shumë më tepër se çdo vend tjetër, ku 94% e pacientëve po marrin rezultatet e tyre të provës brenda vetëm 3 ditësh.

Presidenti Trump shkatërroi burokracinë dhe nisi “Operacionin Shpejtësia e prishjes”, për të prodhuar një vaksinë sa më shpejt të jetë e mundur.

FDA, ka autorizuar më shumë se 185 teste, nën autoritetet e urgjencës përfshirë teste molekulare dhe antitrupash, ku mbi 270 prova klinike janë aktualisht në proces për trajtime me koronavirus.

Presidenti Trump, ka udhëhequr mobilizimin më të madh kombëtar, që nga Lufta e Dytë Botërore, për të dhënë Pajisjet Mbrojtëse Personale (PPE) dhe furnizimet, më shumë se 200 milion maska 855 milion maska kirurgjikale 36 milion mburoja fytyre, 364 milion fustane dhe mbulesë edhe 21 miliardë doreza.

Kështu asnjë amerikan, që i është dashur një ventilator i është afruar menjëherë. Trupat e Inxhinierëve të Ushtrisë, në një kohë të shkurtër ndërtuan spitale të përkohshme në terren, duke përfshirë një nëJavits Center në New York City. Ata gjithashtu ndërtuan vende alternative të kujdesit nështetet në të gjithë vendin.

Gjithashtu Flota Amerikane vendosi anijet spitalore USNS Comfort dhe USNS Mercy dhe mbi 100 fluturime të Project Airbridge mbërritën në SHBA, duke transportuar gati 750 milioncopa PPE dhe pajisje të tjera mjekësore.

Për më tepër, duke iu përgjigjur thirrjes së Presidentit Trump, kompanitë e sektorit privat përfshirë FordMotor Company, Apple, Ralph Lauren, Brooks Brothers, 3M dhe të tjerët shkelënderi në prodhimin e PPE dhe furnizimeve mjekësore.

Presidenti Trump përdori Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes 33 herë për të siguruar pacientët në gjendje kritike.

 Aadministrata Trump, ka trefishuar numrin e maskave në më shumë se 40 milion, sikurse trefishoi numrin e fustaneve (pelerinave) në 15 milion, katërfishoi numrin e ventilatorëve në gati 70,000 ndihmojnë në ndalimin e virusit, forcuar rezervat strategjike kombëtare për çdo sfidë.

Administrata Trump shpërndau mbi 12 miliardë dollarë nga Fondi i Ndihmës së Sigurisë

Për t’i ardhur në ndihmë shërbimit shëndetsor amerikanë, u bënë pagesa për 395 spitale në të gjithë vendin.

Presidenti Trump, ka ndërmarrë hapa për të mbrojtur të moshuarit amerikanë dhe më së shumti administrata ngriti standardet e mbrotjes nga sëmundjet infektive në shtëpitë e pleqve dhe furnizimet me ndihma kritike vazhdojnë të shpërndahen tek të moshuarit në SHBA.HHS njoftoi gati 1 miliard dollarë grante, për të ndihmuar të moshuarit, duke siguruar shërbimet e nevojshme.

Sërisht USDA punoi për të shpërndarë 1 milion vakte (ushqim) në javë për fëmijët rurale jashtë shkollës.

Departamenti i Shtetit i kryesuar nga Sekretari i Shtetit Mike Pompei, solli në shtëpi më shumë se 50,000 amerikanë të bllokuar jashtë shtetit si rezultat i kufizimeve të udhëtimit të koronavirusit, në një kohë që shumë shtete të botës nuk kanë mundur të bëjnë një gjë të tillë.

Presidenti Trump, urdhëroi Departamentin e Energjisë të blinte naftë për rezervën strategjike të naftës.

Zyra e Shkencës dhe Teknologjisë e Shtëpisë së Bardhë, njoftoi një konsorcium publik-privat, për të avancuar hulumtimin e koronavirusit dhe për të siguruar hyrje në teknologjinë informatike për studiuesit.

SHBA largohet Organizata Botërore e Shëndetësisë

Vazhdimisht, administrata Trump, mori masa të rëndësishme për të siguruar kufirin dhe për të mbajtur SHBA-në e sigurtë.Ai lëshoi shpejt një njoftim udhëtimi për Kinën dhe rriti kontrollimin e aeroportit, para se të kishte ndonjë rast të koronavirusit në ShBA.

Kështu Trump, siguroi kufirin dhe lëshoi kufizime kritike të udhëtimit, të cilat ngadalësuan përhapjen, ku njoftoi se SHBA po vendos një pauzë 60 ditore për imigracionin në mënyrë që punëtorët amerikanë të mbrohen.

Kështu 2 miliard dollarë janë investuar në qendrat shëndetësore të komunitetit si dhe Presidenti Trump dorëzoi 1 miliard dollarë në Kolegjet dhe Universitetet e komunitetit afrikano amerikanë, institucionet hispanike, që shërbejnë dhe pakica të tjera që shërbejnë në institucionet e ndikuara nga koronavirusi.

Një fakt pozitiv historik ëshë, se Presidenti Trump njoftoi se SHBA do të tërhiqej nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke i kritikuar ata si përgjegjës për keqmenaxhimin e koronavirusit dhe Presidenti me Task Forcën e Koronavirusit në Shtëpinë, lëshuan udhëzime përkatëse për të mbrojtur amerkanët nga sëmundja pandemike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Arsyet pse shqiptaro amerikanët, Klajd Kapinova, rivotojnë, Trump

Odiseja dhe paradoksi me dosjet e komunizmit

October 19, 2020 by dgreca

Përgatiti: Eneida Jaçaj-New York/

   Pas rrëzimit të sistemit më të egër komunist në Europën Lindore,  ku vendi u udhëhoq nga një dorë e hekurt gjakatare prej 45 vitesh, pritej që të hapeshin dosjet e bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit. Por, kjo nuk ndodhi asnjëherë! Ishte detyrë e Partisë Demokratike Shqiptare, të nxiste procesin e shumëpritur për hapjen e dosjeve të spiunëve të komunizmit, ish-funksionarëve që kanë mbajtur deryra drejuese në kohën e Partisë së Punës, për të dënuar sistemin diktatorial totalitar dhe, akoma më e rëndësishme, pastrimin e administratës publike, partive politike dhe instancave më të larta shtetërore, nga bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit, sistem i cili përndoqi e internoi qindra familje shqiptare, burgosi e pushkatoi pa gjyq mijëra persona me urdhër nga lart, vetëm sepse mendonin ndryshe. Ndryshe nga Gjermania, që zhvilloi një sërë procesesh gjyqësore në Nuremberg, ku u dënuan udhëheqës politikë, ushtarakë, gjyqtarë etj, që morën pjesë në krime gjatë pushtetit nazist, në Shqipëri ende nuk ka asnjë të dënuar apo të përjashtuar nga administrata, që kanë marrë pjesë në rrjetin e spiunazhit dhe krimeve të shumta gjatë sistemit diktatorial të Enver Hoxhës, apo kanë mbajtur detyra të larta gjatë asaj periudhe.

      Kryeministri Edi Rama, në vitin 2016, u mburr se do të ishte e para qeveri dhe legjislaturë në historinë e Shqipërisë, që do të hapte dosjet e komunizmit. Në 2016 u ngrit Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, që ka si objekt mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to. Por ky institucion nuk bën lustracionin, pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike. Pra, Autoriteti  nuk hap dosjet e atyre që kanë bërë krime apo i kanë shërbyer shtetit komunsit duke mbajtur detyra të larta publike, ku një pjesë e tyre mbajnë ende detyra drejtuese edhe sot. Ky është paradoksi dhe mashtrimi më i madh që bëhet me dosjet e komunizmit! 

Ende Shqipëria nuk është ndarë nga e kaluara komuniste, pasi partitë politke në këto 30 vite demokraci, kanë penguar procesin për dënimin e krimeve të sistemit më të egër totalitar dhe pastrimin e administratës dhe gjithë aparatit shtetëror, nga spiunët dhe ish-funksionarët e shtetit komunist. Autoriteti pranon kërkesa nga ata individë që janë kuriozë për të mësuar se kush i spiunonte (komshiu), por nuk pranon hapjen e dosjeve të zyrtarëve të lartë të shtetit komunist dhe bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit. Autoriteti merret me gjëra shumë të vogla, të papërfillshme, vetëm për t’u hedhur hi syve shqiptarëve, se po hapin dosjet!! Madje, një nga ish-anëtarët e Autoritetit, Daut Gumeni, dha doreheqjen, sepse, sipas tij:  “Autoriteti nuk ka bërë asnjë verifikim të atyre që dëmtuan vendin dhe vazhdojnë të mbajnë funksione…Na kanë vënë për të mos zbuluar gjë”. Ka patur dy nisma për miratimin e ligjit për lustracionin, por kanë mbetur pezull. Lustracioni apo pastërtia e figurës, ka si qëllim konkretisht përjashtimin nga emërimi, zgjedhja në organe drejtuese dhe punësimi në funksione publike, shtetërore dhe politike të ish-funksionarëve dhe nëpunësve që kanë mbajtur detyra drejtuese nga periudha 28.11.1944 e deri me 8.12.1990.

Bllokimi i komisioneve “Mezini dhe Bezhani”

Kush ka interes të pengojë moshapjen e dosjeve të ish-zyrtarëve dhe spiunëve të ish-Sigurimit, duke marrë pjesë në krime të rënda ndaj individëve dhe internimit të familjeve shqiptare? Sigurisht, ata që kanë qenë pjesë e aparatit të dhunës shtetërore, të cilët kanë marrë peng shtetin edhe sot. Spiunët fshihen si te PD dhe PS, mbajnë detyra të larta drejtuese shtetëtore dhe politike, dhe sigurisht nuk do u interesonte hapja e dosjeve. Madje, në këto parti janë të anëtarësuar edhe pinjollët e nomenklaturës komuniste, duke mbajtur peng të ardhmen e vendit. Odiseja me dosjet e komunizmit është një proces i gjatë, gjithashtu në të shumtën e rasteve është përdorur si “gjuetia e shtrigave” mes kundershtarëve politikë. Në 2004 u ngritën dy komisione “Mezini” dhe “Bezhani”. Komisioni “Mezini” pengoi kandidimin e disa figurave të opozitës së asaj kohe, por që më vonë fituan pafajësinë. Komisioni “Bezhani” tentoi pastrimin e politikës duke bërë lustracion, por që më pas ky komision u bllokua nga politika. Madje, dyshohet se spiunët më famëkeq të Sigurimit, detyruan këto komisione që t’i pajisnin me certifikatë të pastërtisë së figurës. Edhe nëse Autoriteti do t’i hetonte, ata do të dilnin të pacënueshëm. Pra, dosjet e ish-zyrtarëve dhe të spiunëve të regjimit komunist nuk do të hapen asnjëherë, ndërsa Autoriteti po bën një punë farse. Edhe për disa vite, Shqipëria do të mbetet peng i së kaluarës komuniste, me një demokraci të brishtë dhe të pakonsoliduar!

Filed Under: Analiza Tagged With: dosjet e komunizmit, Eneida Jacaj, Odiseja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 339
  • 340
  • 341
  • 342
  • 343
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT