• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA, urë e bashkëpunimit shqiptaro-amerikan

October 6, 2020 by dgreca

TIRANË, 6 tetor /ATSH/ – Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot Kryetarin e Federatës VATRA, Elmi Berisha. Në takim mori pjesë edhe kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

“VATRA është ndër organizatat më të vjetra të Diasporës shqiptare dhe ka një moshë me shtetin shqiptar. Diaspora shqiptare në SHBA është më e rëndësishmja dhe më e shquara për kontributet dhe prurjet e vazhdueshme në thesarin e kombit shqiptar si edhe ka shërbyer e shërben si një urë e bashkëpunimit shqiptaro-amerikan. Vëmendja e Kuvendit dhe e Qeverisë së Shqipërisë ndaj Diasporës është në rritje dhe për këtë dëshmojnë edhe politikat, legjislacioni, masat dhe institucionet e reja që janë krijuar. Diaspora, si një faktor dhe burim i nxitjes së zhvillimit të Shqipërisë.  Ne vlerësojmë në mënyrë të veçantë mbështetjen dhe kontributin e VATRËS për pavarësinë e Kosovës, njohjen dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Kryetari i Federatës VATRA, Elmi Berisha, falenderoi Kryetarin e Kuvendit për vlerësimin e kontributit të Federatës dhe nënvizoi se VATRA, si një institucion i fuqishëm moral i shqiptarëve, do të jetë gjithmonë në mbështetje të Shqipërisë dhe Kosovës si edhe institucioneve të tyre, për fuqizimin e bashkëpunimit me ShBA, rritjen e kontributit të Diasporës shqiptare në zhvillimin e Shqipërisë dhe Kosovës si edhe përshpejtimin e integrimit europian.

Filed Under: Kronike Tagged With: Elmi Berisha- Gramoz ruci, Takimi

Çmimi i mosmirënjohjes

October 6, 2020 by dgreca

Shkruan:Prof. dr. Eshref Ymeri–

Në gjuhën shqipe ka shumë shprehje për mosmirënjohjen. Meqenëse kam gati një gjysmë shekulli (që prej vitit 1972) që merrem me pasurinë frazeologjike të gjuhës shqipe, në ballafaqim me anglishten, frëngjishten, italishten dhe rusishten (bashkë me një koleg, në vitin 2007 kemi botuar Fjalorin frazeologjik italisht-shqip, me mbi 15 mijë shprehje frazeologjike, në vitet 2015 dhe 2019 kam botuar, respektivisht, Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip, me më shumë se 25 mijë shprehje frazeologjike, dhe Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip, po me mbi 25 mijë shprehje frazeologjike), kam vënë re se në gjuhë shqipe hasen kaq shumë shprehje frazeologjike, në të cilat fshikullohet paq mosmirënjohja, çka nuk vihet re në gjuhët e mësipërme për nga sasia e tyre. Nuk jam në gjendje ta shpjegoj një dukuri të tillë. Prandaj i kam pasë shtruar vetes dy pyetjet në vijim:

Shprehje të tilla kanë lindur në gjuhën shqipe, meqenëse ne, si popull, kemi mbajtur qëndrim të prerë kundër mosmirënjohjes, apo dukuria e mosmirënjohjes ka pasë qenë kaq e pranishme në jetën tonë gjatë shekujve, saqë ka lënë mjaft truall për krijimin e tyre?

Mos vallë si truall i përshtatshëm për krijimin e shumë shprehjeve për mosmirënjohjen ka shërbyer përçarja tragjikje ndëshqiptare, për shkak të së cilës trojet tona etnike në mbarë Gadishullin Ilirik na u katandisën si kokoshi një thelë?

Në vijim po rendis disa shprehje për mosmirënjohjen:

bëri mirë e gjeti keq

është bukëshkalë

ha bukën e përmbys kupën

hedh hallin dhe thotë ku të kam parë

hedh lumin dhe të pështyn kalin

këtej të pi verën, andej të shan derën

këtej të puth këmbët, andej të nxjerr dhëmbët

mbaron punë dhe të kthen kurrizin

shkel bukën me këmbë

të ha shalqirin e të rreh me lëkurë

të ha (të pret) në besë

Në një letërkëmbim që kam pasur kohët e fundit me mikeshën time nga Tirana, zonjushën Miranda Kapllani, administratore biznesi, patëm shkëmbyer mendime edhe për mosmirënjohjen. Në njërin nga ato letërkëmbime, ajo më shkruan:

“Pena Juaj më kujtoi gjyshin tim, Hilmi Belul Beluli (Salillari), i përndjekur politik. Kam qënë shumë e vogël, por mbaj mend që thoshte: 

“Këtij vendi e keqja do t’i vijë nga vetja dhe nga serbi. Shqipëria vend i bekuar dhe popull i mallkuar”.

Pasi gjyshi ndërroi jetë dhe unë u rrita pak më shumë, pyes gjyshen se çfarë donte të thoshte gjyshi im me këto fjalë? Dhe gjyshja ime, e mënçur dhe e mirë, më pa dhe më tha: 

Dëgjo, e mira ime. Ishte dikur në rrëzë të një mali një shtëpizë, ku jetonte një grua e moshuar që e thërrisnin Fatma. Ajo ishte shëronjëse, por gjindja e thërrisnin magjistare. Të gjithë shkonin dhe kërkonin ndihmë te Fatma, dhe Fatma ju falte shërim. Një ditë, në një prej shtëpive të një fshati, sëmuret i vogli i familjes dhe e ëma i thotë burrit të saj, babait të fëmijës, të shkonte te Fatma, por ai i thotë “jo”, se ajo ishte shtrigë. I vogli po përkeqësohej dhe ishte në grahmat e fundit të jetës, dhe babai vendosi të shkonte te Fatma. Sapo mbërriti te dera e shtëpisë së saj, i del përpara Fatma dhe i thotë të kthehej në shtëpi, pasi e priste i biri për të luajtur. I çuditur, babai i fëmijës, pasi mërmëriti disa sharje për këtë shtrigë, kthehet nga kishte ardhur dhe shtanget në vend kur sheh të birin të vraponte drejt tij dhe se donte të luante. 

Në atë periudhë, Sulltani, në marrëveshje me qeverinë franceze të asaj kohe, kishte dërguar njerëzit e tij të gjenin shtrigën me emrin Fatma. Kudo që pyesnin, merrnin të njëjtën përgjigje: s’e njihte asnjë.  Të gjithë e mbronin dhe e ruanin Fatmën. Një ditë, njerëzit e Sulltanit mbërrijnë në shtëpinë e vogëlushit që i shpëtoi vdekjes, pyesin mamanë e tij dhe marrin të njëjtën përgjigje. Ndërkohë, vjen nga ara babai, e pyetën dhe atë, dhe ai, pa iu dridhur qerpiku, tha se e njihte dhe i shoqëroi për te shtëpia e Fatmës. Fatma e dinte ç’e priste dhe qëndronte e qetë në kasollen e saj. Dhe Fatma përfundoi në Francë, ku u gjykua si shtrigë dhe magjistare dhe u dënua me djegie në turrën e druve. Përpara se t’i vinin zjarrin turrës së druve, i thanë nëse kishte ndonjë dëshirë të fundit. Fatma kërkoi të dinte se kush e tradhtoi. Pasi xhelati artikuloi emrin e babait të vogëlushit të rikthyer në jetë, Fatma tha dëshirën e saj të fundit: 

“Shqipëria (Iliria, Arbëria) do të ishte një vend me një tokë, klimë, pasuri të bekuar, por populli i saj për 5 shekuj do të ishte i mallkuar”. 

E pash e çuditur gjyshen time, s’kuptova asgjë nga ç’dëgjova. Më pas, kur u rrita dhe gjyshja ime s’ishte më me mua, kuptova domethënien e tregimit të saj. Gjyshja ime quhej Fatma. Dhe ne jemi akoma nën ndikimin e mallkimit të Fatmës”.

Shkrimtari francez La Roshfuko ( François VI, duc de La Rochefoucauld – 1613-1680), autor veprash të karakterit filozofiko-moralizues, ka thënë:

“Nuk është ndonjë e keqe e madhe t’i bësh nder një mosmirënjohësi, por është fatkeqësi e madhe të pranosh të të bëjë nder një njeri i padenjë”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Çmimi i mosmirënjohjes, Prof.dr.Eshref Ymeri

SHQIPTARËT E ZVICRËS- SHKOLLAT SHQIPE DHE IDENTITETI KOMBËTAR

October 6, 2020 by dgreca

-RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR PËRMES MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË ZVICËR

Dr. Vaxhid Sejdiu mësues dhe veprimtar shumëvjeçar i L.A.P.Sh.-së në Zvicër dhe koordinator i Shkollave Shqipe në Zvicër, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës shqiptare në Zvicër nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Dr. Vaxhid Sejdiu është mësuesi që e ngriti lart flamurin e shkollës shqipe në Zvicër. Gjithmonë dëshmoi se me punë dhe angazhim klasat e shkollave shqipe janë plot me nxënës, sepse gjuha shqipe është ajo, e cila ruan identitetin kombëtar. Ai dha një kontribut të çmueshëm në organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe dhe në organizimin e aktiviteteve me bashkatdhetarë. Për nga numri i klasave edhe nxënësve me të cilat punoi dhe punon më se dy dekada, mund të merret si model i  mësuesisë në mërgatën shqiptare. Me Dr. Vaxhid Sejdiun bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

SOKOL PAJA-

ORGANIZIMI I MËSIMIT NË “SHKOLLAT SHQIPE” NË ZVICËR

Gjatë vitit shkollor 2019/20 nga pamundësia për t`i hap shkollat shqipe në kuadër të LAPSh-së (sepse Kryesia e tanishme nuk na lejonte t`i  hapim këto shkolla) vendosëm t`i hapim si shkolla shqipe të pavarura. Nga angazhimi dhe puna e përditshme me veprimtarët, mësuesit dhe prindërit arritëm të hapim nga gusht 2019- deri në fillim të pandemisë mars 2020, tridhjetë e tri (33) shkolla. Edhe sivjet kemi filluar me të njëjtin intensitet, kemi hapur dhjetëra shkolla dhe vazhdojmë t`i hapim njëra pas tjetrës, edhe shkollat tjera, të cilat, sot përbëjnë rrjetin e shkollave shqipe në Zvicër. Në këtë rrugëtim vlen të përmendet se kemi një ndihmesë të madhe nga Ambasadat e dy shteteve tona Shqipëri dhe Kosovë, por veçanërisht një ndihmesë të vazhdueshme nga Ambasada e R. së Shqipërisë në Bernë.  

QYTETET KU MËSOHET SHQIP, NXËNËSIT, MËSUESIT DHE KURRIKULA MËSIMORE 

Tani, shkollat shqipe në Zvicër kanë filluar të hapen që nga viti 1990 dhe deri në ditët e sotme. Ato, funksionojnë diku më mirë dhe diku kanë pushuar së ekzistuari. Aty, ku ka veprimtarë, prindër dhe mësues të cilët punojnë dhe veprojnë edhe shkolla shqipe funksionon më mirë dhe në mënyrë më të rregullt. Shkollat shqipe funksionojnë më mirë në kantonin e Cyrihut, të St. Gallenit, të Argaut, por në shumë kantone nuk kemi asnjë klasë. Kemi punuar dhe punojmë me tekste shkollore, të cilat na kanë ardhur në ndihmë nga Ministria e Arsimit të R. së Kosovës dhe të Ministrisë së Arsimit të R. së Shqipërisë. Kohëve të fundit na kanë ardhur tekste shkollore dhe veçanërisht tekste plotësuese nga QBD-ë , nga Tirana, të cilat tekste janë më të përshtatshme, nga ato që kemi marrë deri më tani. Punojmë në bazë të kurrikulës së përbashkët Shqipëri – Kosovë. Siç thashë tani, aty ku punohet ka edhe klasa të reja, ka edhe nxënës të rijë, angazhohen edhe më shumë mësues dhe në këtë mënyrë sensibilizohen më shumë prindërit shqiptarë për rëndësinë e gjuhës amtare dhe i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe. Aty ku veprimtarët apo mësuesit kanë pushuar aktivitetin për arsye të ndryshme nuk kemi asnjë klasë.    

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR

Jo, njëherë, por mijëra herë  e kam thënë dhe e them se gjuha është elementi i parë që dëshmon identitetin kombëtar. Nuk mjafton të thuash “jam shqiptar” dhe të fillosh të flasësh në një gjuhë tjetër. Pastaj edhe pse larg atdheut të mos e ruash gjuhën amtare – gjuhën e nënës nuk është në rregull. Emrat e bukur të fëmijëve shqiptarë: Kastrioti, Gëzimi, Dardani, Teuta, Agroni, Ilirida, Shqiprina, Shqipe, Besa, Fitore, Albulena, Valmira, Saranda,

ROLI DHE PESHA E SHQIPTARËVE NË ZVICËR

Shqiptarët janë të vlerësuar si komunitet në shoqërinë zvicerane. Por, ne nuk duhet të kënaqemi me kaq, ne duhet të vazhdojmë dhe më tutje sepse në shoqërinë zvicerane mundësit janë shumë të mëdha veçanërisht për të rinjtë. Ne, si mësues vazhdimisht i informojmë nxënësit e shkollave shqipe, posaçërisht ata të ciklit të lartë, që të kenë kujdes, të vazhdojnë shkollimin e tyre, t`i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë sepse e ardhmja është në përpjekjet e tyre. Shkollimi është ai, i cili iu jep një vend më të lartë në shoqëri.  

SI PRITET NË ZVICËR MËSIMI I GJUHËS SHQIPE, SI REAGON SHOQËRIA ATJE 

Varësisht nga aktiviteti ynë. Në momentin që bashkëbisedojmë me prindërit, ua sqarojmë organizimin  e shkollës shqipe, mundësitë dhe përparësitë që ofron mësimi në gjuhën amtare suksesi nuk mungon. Por thjeshtë nevojitet më shumë punë, më shumë angazhim me prindërit, veçanërisht me prindërit e gjeneratës së dytë apo të gjeneratës së tretë. Në anën tjetër institucionet zvicerane na ndihmojnë shumë veçanërisht në shfrytëzimin  e klasave. Pra mësimi zhvillohet pasditeve nëpër klasat e mësimit të rregullt të shkollave zvicerane.  

MESAZHI  PATRIOTIK PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA   

Mërgata shqiptare është  njëjtë. Qoftë në ShBA, në Zvicër, në Gjermani… Shqiptarët janë pothuajse ata, të cilët kanë qenë dhe janë në vendlindje. Ata e duan shumë atdheun pavarësisht se nga vinë dhe ku janë vendosur, ata kanë sakrifikuar dhe sakrifikojnë shumë për atdheun. Tani është koha që të investojnë më shumë për fëmijët e tyre. Prandaj unë kam këtë mesazh për të gjithë mërgimtarët, që para se të jetë mesazh patriotik është mesazh njerëzor. Gjuha është shenjë e identitetit kombëtar. Pa njohjen e gjuhës amtare nipat dhe mbesat, që po lindin dhe po rritën larg atdheut nuk munden të merren vesh në gjuhën e nënës me Atdheun. A ka më keq si një shqiptar të mos mundet me u marrë vesh në gjuhën amtare me gjyshin, me gjyshen apo me farë e fisin. Dikur gjuhën shqipe e ruanim para syve të armikut, tani nuk kemi kurrfarë arsye për ta humbur.  Kjo plagë, e cila po përhapet me shpejtësi nga dita – ditës është shumë e rëndë. Ata të cilët humbin gjuhën amtare, e pranuam sot apo e pranojmë nesër do ta harrojnë edhe atdheun. Dhe një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë sepse ne që jetojmë në shtetet demokratike si në ShBA apo në Zvicër i kemi të gjitha mundësitë për ta ruajtur dhe mësuar gjuhën e nënës- gjuhën shqipe.  

VAXHID SEJDIU DHE KONTRIBUTI I TIJ PATRIOTIK PËR HAPJEN E SHKOLLAVE SHQIPE NË ZVICËR

Nuk e kam kursyer veten në këtë drejtim. Që nga ditët e para të formimit të shkollave të para shqipe jam munduar të jap ndihmesën time. Por, më konkretisht, më 1999 u zgjodha kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” për Kantonin e St. Gallenit. Që nga viti 2003 dhe deri me sot jam kryetar i Këshillit të Arsimtarëve të LAPSH-it “Naim Frashëri” për Kantonin e St. Gallenit. Kam punuar më se dy dekada në shkollat shqipe të Buchs-it, Sevelen-it, Unterterzen-it, Mels-it, Flumsit, Ëalenstadt-it, në pikat shkollore të kantonit të Glarusit: në Niederurnen, Mitlödi, Netstal dhe  Glarus, dhe në pikat shkollore të Birr-it, Neuenhof-it dhe të Spreitenbach-ut të kantonit të Argaut. Gjatë vitit shkollor 2019-2020 kam punuar dhe punoj në pikat shkollore në Flums, Neuenhof, Spreitenbach, si dhe në Uster,në Regensdorf, në Volketsëil dhe në Rüti, të Kantonit të Cyrihut. Gjatë vitit shkollor 2019-2020 dhe po me këtë intensitet edhe në këtë vit shkollor 2020/21, së bashku me mësuesit dhe veprimtarët e Shkollës Shqipe arritëm të hapim dhjetëra shkolla me mësim në gjuhën shqipe, në kantonin e Cyrihut, Luzernit, Schaffhausen-it etj., duke themeluar një rrjet të suksesshëm të shkollave shqipe në Zvicër.  

Filed Under: Featured Tagged With: Dr.Vaxhid Sejdiu, Sokol Paja, zvicer

Turpi në radhët e të paturpshëmve

October 6, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli-

 – “Për 30-vjet , se në Shqipëri nuk ka pasur, nuk ka dhe siç duket as vitin që vjen nuk do të ketë, zgjedhje të lira,  me standarde ndërkombëtare,  e si rrjedhim nuk ka, as nuk do të ketë, as demokraci të mirëfilltë në atë vend…”

– “Në qoftë se ndërkombëtarët nuk mund të ndihmojnë gjendjen, atëherë do i këshilloja që të paktën mos ta ndërlikojnë edhe më keq se ç’është, me deklaratat e tyre ose gjysmë deklarata, të cilat nuk pasqyrojnë realitetin e gjendjes në Shqipëri! Më mirë heshtni fare!…”

 

(kortezi-Panorama)

Ja dhe turpi i radhës në Shqipëri.  Ndodhi prapë “Turpi në radhët e të paturpshëmve”. (Në të vërtetë ky është titulli i një libri anglisht (Shame among the shameless) që jam duke lexuar tani e që mund të jetë subjekt i një shkrimi tjetër më vonë, libër që ka të bëjë me krimet e komunizmit në Shqipëri), por titulli është aq i përshtatshëm edhe për situatën aktuale politike në lidhje me miratimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në parlamentin shqiptar. Se, ai turpi i qershorit të vitit të kaluar nuk mjaftonte, as për politikanët shqiptarë as për ndërkombëtarët, siç duket.  Ka të ngjarë që qershorin e vitit të kaluar, nuk e kishte marrë vesh e gjithë bota se si,  në të vërtetë, organizohen dhe si mbahen zgjedhjet në Shqipëri. Por, ja do shikoni tani se si, me ligjin e ri, do të mbahen zgjedhjet e vitit që vjen në atë vend.  Sot, Kuvendi i Shqipërisë me shumicë socialiste miratoi, njëanshëm, ndryshimet e Kodit Zgjedhor për listat dhe koalicionet zgjedhore, ndërsa opozita jashtë parlamentit e quajti këtë një akt antikushtetues, që shkatërroi marrëveshjen e 5 qershorit, ndërkohë që “opozita” brenda parlamentit i dha shumicën e votave mocionit të shumicës socialiste. Nëqoftëse jeni të konfuzuar, prisni se nuk kini parë gjë ende.

“Zgjedhjet e 30-qershorit: Një poshtërsi për qeverinë shqiptare, një dështim për opozitën, një turp për ndërkombëtarët dhe një fatkeqësi për kombin shqiptar! Se, ai turpi i qershorit të vitit të kaluar nuk mjaftonte, as për politikanët shqiptarë as për ndërkombëtarët, siç duket.  Ka të ngjarë që qershorin e vitit të kaluar, nuk e kishte marrë vesh e gjithë bota se si,  në të vërtetë, organizohen dhe si mbahen zgjedhjet në Shqipëri…”

Shoh se po bëhen komente dhe po shfaqen reagime mbi miratimin e këtij ligji në parlamentin shqiptar, nga burime të brendshme dhe të jashtme.  Unë nuk kam ndonjë reagim të ri, pasi nuk ka asgjë të re për të thënë, për diçka që jemi mësuar tanimë për 30-vjet , se në Shqipëri nuk ka pasur, nuk ka dhe siç duket as vitin që vjen nuk do të ketë, zgjedhje të lira,  me standarde ndërkombëtare,  e si rrjedhim nuk ka, as nuk do të ketë, as demokraci të mirëfilltë në atë vend.

Por, po i ofroj lexuesëve, atyre që nuk i kanë lexuar fillimisht, reagimet e mia pas zgjedhjeve vendore të qershorit të vitit 2019  në shkrimin  i cili, kryesisht, përmbledh pak a shumë ndjenjat e mia edhe në lidhje me zhvillimet e sotme në parlamentin shqiptar.  Titulli i shkrimit ishte:  Zgjedhjet e 30-qershorit: Një poshtërsi për qeverinë shqiptare, një dështim për opozitën, një turp për ndërkombëtarët dhe një fatkeqësi për kombin shqiptar!

Natyrisht, se disa të dhëna pasqyrojnë zhvillimet me rastin e zgjedhjeve vendore të vitit 2019 dhe janë jashtë afatit, por parimet dhe përfundimi janë të njëjtë: Shqipëria nuk ka marrëveshje të gjitha forcave politike për “rregullat e lojës”, për të mbajtur zgjedhje të lira të drejta dhe gjithpërfshirëse dhe as të ndershme. Është vështirë të flitet për nder dhe ndershmëri, kur kemi të bëjmë me turpin që gjithnjë pasqyron e gjithmonë shoqëron organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri.  Duke u bazuar në zhvillimet e deritanishme për përgatitjen e zgjedhjeve të vitit që vjen, as shqiptarët, as ndërkombëtarët të mos presin një proces të ndershëm, as zgjedhje me  standarde ndërkombëtare !

Filed Under: Politike Tagged With: e të paturpshëmve, Frank shkreli, në radhët, turpi

VATRA, TAKIM ME KRYETARIN E OPOZITES

October 5, 2020 by dgreca

KRYETARI I VATRËS U TAKUA ME KRYETARIN E OPOZITËS LULZIM BASHA DHE PROF. DR.SALI BERISHËN-MESAZHI I PROF.DR.SALI BERISHA:Në darkë shfrytëzova rastin për të shprehur mirënjohjen time të pakufishme për kryesine e Vatrës dhe të gjithë Vatranët si dhe diasporën shqiptare në SHBA në tërësi për rolin e tyre të pazëvendësueshëm që kanë luajtur me mbështetjen, lobimin e tyre për Shqipërinë dhe Kosovën dhe Kombin shqiptar në tërësi.

    Mbrëmjen e së hënës, 5 tetor 2020, Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”, u takua me kryetarin e opozitës Shqiptare, z Lulzim Basha dhe Prof. Dr. Sali Berishën, lideri historik i Shqipërisë Demokratike, president dhe Kryeministër.

I pyetur në linjë telefonike nga gazeta Dielli rreth takimit, Kryetari i Vatrës, tha se ishte një takim i perzemert. Ai komentoi se kaluan së bashku një darkë miqësore. Kryetari i Vatrës shtoi se gjatë darkës u bisedua rreth Vatrës dhe proceseve Demokratike në Shqipëri dhe problematikën e vështirë të tranzicionit të tejzgjatur.U revokuan punët e përbashkëta për tre dekada për demokratizimin e Shqiperisë dhe për Pavarsinë e Kosoves. U soll në kujtesë bashkëpunimi 30 vjecar i demokratëve me Vatrën.

Prof.Dr.Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, kreu i Opozitës së Bashkuar, z. Lulzim Basha,e përgëzuan kryetarin e Vatrës z.Elmi Berisha për udhëhqejen e Vatrës në mënyrë te dinjitetshme!

Biseduesit së bashku u pajtuan për një bashkëpunim të ndërsjellt në te gjitha proceset kombëtare!

Ishte nje takim shumë emocional dhe me plot vlera për të mirën e përgjithshme të cështjes shqiptare.

Kryetari i Vatrës shoqërohej nga z. Naim Dedushaj.

Se bashku me nje album fotografish ne statusin e tij ne rrjetet sociale Prof. Dr. Sali berisha percolli kete mesazh:

MESAZHI I PROF.DR.BERISHËS
Album nga një darkë e shtruar nga Kryetari i PDSH Lulzim Basha për nder të z Elmi Berisha, personalitet i njohur i diasporës dhe Kryetar i Vatrës, Organizatës Shqiptaro-Amerikane më të vjetër në SHBA dhe anëtarit të kryesisë së kësaj organizate dhe sekretarit të Këshillit të Shoqatës së Biznesit të Diasporës, Naim Dedushaj.
Në darkë shfrytëzova rastin për të shprehur mirënjohjen time të pakufishme për kryesine e Vatrës dhe të gjithë Vatranët si dhe diasporën shqiptare në SHBA në tërësi për rolin e tyre të pazëvendësueshëm që kanë luajtur me mbështetjen, lobimin e tyre për Shqipërinë dhe Kosovën dhe Kombin shqiptar në tërësi.
Një mirënjohje të veçantë shpreha për bashkëpunimin tradicional dhe ndihmën tejet të çmuar e në çdo kohë që Vatra i ka dhënë Partisë Demokratike si dhe shpreha urimin tim që ky bashkëpunim i PD me Vatrën të vazhdoje pandërprerë. sb


Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Lulzim Basha, Prof. Sali Berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 355
  • 356
  • 357
  • 358
  • 359
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT