Nga Beqir SINA, New York/
At Arthur E. Liolin ka thënë se : “Emri i tij do të qëndrojë përgjithmonë në panteonin e atyre burrështetësve të rrallë që iu përgjigjen të keqes me të mirë. Shqiptarët kudo vajtojnë humbjen e atij që bëri aq shumë për çështjen e tyre të drejtë, të arritjes së pavarësisë mëse të merituar të popullit të tij. Ishte një nder dhe një bekim që e njoha”
BENSONHURST – BROKLYN, NY: Presidentit të Parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, ka qenë ndër të vetmit lider shqiptar – i cili sa herë vizitojë SHBA- në takimet me shqiptarët e Amerikës në një krah mbante hoxhën dhe në një krah priftin. Kur vinte Rugova në SHBA, merrnin pjesë pjesë lider fetar të të gjitha besimeve, tona , të krishter, ortodoks, mysliman dhe bektashllinjët.
Ndërkohë, që vazhdimisht e kujtojnë shqiptarët e Amerikës, me ta bashkohen edhe udhëheqësit e tyre fetar, mbasi që Rugova, ishte ai që tregojë me sjelljen e tij dhe veprimin e Tij fisnik se ishte një mik i shumë shqiptarëve në Amerikë, ishte një mik i mirë i Kishës dhe i Xhamisë! mik i myslimanëve dhe të krishterve.
Ai ishte mik i mirë dhe u pritë sa herë që erdhi në SHBA me respekt dhe nderime të larta si prej udhëheqësve fetar dhe besimtarëve të shumtë myslimanë, ashtu edhe i katolikëve, i ortodoksve dhe i bektashinjëve. Ai ishte i vetmi udhëheqës politik shqiptarë, që kreu më shumë se cildo politikanë shqiptarë në vizitat e tij në SHBA-s, vizita në ranjget më të larta – duke ia hapur dyert Uashingtoni dhe Nju Jorku.
Ai ishte i vetmi politikanë shqiptarë, që u pritë zyrtarisht nga presidenti i SHBA-s, në Shtëpinë e Bardhë, duke u pritur me nderimet më të larta deri në shtrimin e “qilimit të kuq”. Ai zhvilloi për 16 vjet në SHBA-s, mbi 20 e ca – udhetime zyrtare, duke u takuar me personalitete më të larta të shtetit Amerikan, deri tek katër presidentët e fundit .
Vdekjen e parakohshme të Presidentit Rugova, shqiptarët e Amerikës e kan përjetuar shumë rëndë. Mbasi i ndjeri Rugova është parë nga shqiptarët e Amerikës, si një strateg, që diti të bashkojë shqiptarët në këto vizita – për mirësi, për mirëqënie dhe për bashkëpunim. Ai u la shqiptarëve të Amerikës, shumë miq të mëdhenj, të cilët, më pasë e vlerësuan shumë angazhimin e tij paqësor për një Kosovë të pavarur e sovrane, e cila, tani afro një dekad pasi mbylli syt një herë e përgjithmon Rugova, me ndihmën e SHBA-s, dhe luftës për çlirimin e Kosovës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe natyrisht edhe të faktorit ndërkombetarë, në anën diplomatike, do të realizonte edhe ëndrrën e kahmotëshme të popullit të Kosovës- Pavarësinë e Kosovës. Pavarësi kjo e cila vitin e ardhshëm shënon 8-të vjetorin e shpalljes së saj dhe e njohur deri tash nga 111 shtete, përfshirë edhe mikun tonë të përjetshëm si thoshte vetë Rugova – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai është i vetmi udhëheqës politik shqiptare, që ka vizituar , ashtu si Kishën Katolike shqiptare në Amerikë në Detroit dhe Nju Jork, Kishën Ortodokse Shën Gjergji në Boston, Teqen Bektashiane në Detroit, ose Xhamitë Islamike shqiptare në Amerikë, në Nju Jork dhe Nju Xhersi. Ai ka qenë i ngrohtë dhe i nderuar e i respektuar, kudo ku hynte në takimet si me Baba Rexhepin, si me Hirësinë e Tij Imam Vehbi Ismailin, me Imam Isa Hoxhën, me kancelarin e Kishës Ortodokse At Arthur Liolinin, me At Rrok Mirditën, Dom Nue Gjergjin, dom Anton Kçirën, dhe në Nju Jork me dom Pjeter Popajn.
Rugova, u prit dhe e gjeti derën hapur me bujarinë dhe dashurinë e Kishës shqiptare në Amerikë, gjatë vizitave që i bëri nga Dom Pjeter Popaj, në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodres”- “Our Lady of Shkodra” ne Hartsdale, New York, në kishën “Our Lady Of The Albanians” Albanian Catholic Church në Bevelry Hills, MIchingan nga Dom Ndue Gjergji, nga Kisha Katolike “Shën Pali” St. Paul’s Albanian Catholic Church në Rochester, Michingan nga Dom Anton Kçira. Nga Kryepeshkopata Ortodokse Shqiptare në Amerikë në South Boston, Massachusstes .
Por, edhe nga Katedralja Ortodokse Shqiptare e Shën Gjergjit Saint George Albanian Orthodox Cathedral ne South Boston, Massachusstes nga Very Reverend Arthur E. Liolin. Nga Chancellor,St. Peter and St. Paul Albanian Orthodox Church në Philadelphia, Pansilvenia nga Reverend Stephen Siniari . Ashtu siç u pritë edhe me bujarin e dashurinë shqiptare nga Albanian American Islamic Center Qendra Islamike Shqiptaro- Amerikane Albermarle Road ne Brooklyn New York kur ishte gjallë Imam Isa Hoxha ,deri tek Teqeja Bektashiane në North Line Rd Taylor, Michingan dhe nga Hirësia e Tij Imam Vehbi Ismaili sa ishte gjallë.
Ai ishte si më thënë ajo shëmbëlltyra dhe simbolika i thënejes së Vaso Pashë Shkodranit: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”! Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thonë vazhdimisht se përher ishin krenar që patën në mesin tyre gjatë gjithë vizitave në SHBA-s, një udhëheqës të tillë, shqiptarë, i cili me mençuri, largëpamësi dhe urtësi, diti t’a udhëheqi edhe në periudhën më të vështirë të historisë tonë, popullin shqiptarë.
Personaliteti i Tij dhe respekti ndaj Tij në të gjithë botën, ka qenë dhe do të mbetet gjallë:” Vizioni i Tij për një Kosovë të lirë, demokratike e të pavarur, ishte dhe do të mbetet udhërrëfim për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut të tyre.”
Ndoshta edhe kjo ka qenë arsyeja e nje nder amaneteve të fundit te Presidentit te ndjere te Kosves, Dr. Ibrahim Rugova. “Nder kerkesat e fundit te tij ka shkruar shtypi shqiptaro amerikan ka qene edhe derguarja e nje arkivoli nga Amerika- per ta percjelle atë nga kjo bote. Kjo kerkese eshte mesuar ne çastet e pasvdekjes dhe eshte percjelle nga presidenca e Kosoves per ne Amerike. Amaneti i dr. Rugoves i ishte besuar miqeve te tij ketu ne Nju Jork, familjes te vellezerve Gojçaj – Lekë dhe Pashkë”.
Apo edhe nëse ekujtojmë edhe ngushëllimin që dërgojë në vdekjen e tij “Për Nder dhe Kujtim të Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugovës” nga At Arthur E. Liolin Kancelar i Kishës Orthodokes Shqipatre në SHBA.
At Arthur E. Liolin, ka thënë se :” Presidenti Ibrahim Rugova ishte një studjues dhe fisnik mëndjendritur, që i vuri aftesinë dhe talentet e tija në shërbim të popullit të tij: shqiptarëve të Kosovës. Ai mishëroi të gjitha ato cilësi të cilat karakterizojnë qenjen e denjë njerëzore që udhehiqet nga parime zemërgjerë në fshirjen e padrejtësive për këdo që vuan prej tyre. Ai e pa këtë mision si një thirrje dhe detyrë të posaçme dhe e kreu me dinjitet, fuqi, ndjeshmëri dhe mençuri.
Ai u përpoq që me gjithë zemër t’i bënte thirrje natyrës me fisnike të qenieve njerëzore, në një përpjekje për të zgjidhur dilemat tmerruese të një rajoni të turbullt. Emri i tij do të qëndrojë përgjithmonë në panteonin e atyre burreshtetësve të rrallë që iu përgjigjen të keqes me të mirë. Shqiptarët kudo do ta vajtojnë humbjen e Atij që bëri aq shumë për çështjen e tyre të drejtë, të arritjes së pavarësisë mëse të merituar të popullit të Tij.Ishte një nder dhe një bekim që e njoha Rugovën” ka shkruar shtatë vjetë më parë në mesazhin e vdekjes se Rugovës, At Arthur E. Liolin Kancelar i Kishës Orthodokes Shqipatre në SHBA.
Nëna mbetet nënë….
Jeta kërkon nënën dhe familjen…Nuk ka te ardhme pa nene dhe pa familje/
Nga Prof. Hazbi Shehu-Nju Jork/
Po shkruaj për femrat që martohen, krijojnë familje, lindin fëmijë, i edukojnë për të ardhmen dhe ata i thërrasin “Nënë” dhe jo për femrat, që mbeten rrugëve, pa familje e fëmijë. Ato kurrë nuk do ta dëgjojnë fjalën “Nënë”.
Kur shqiptoj fjalën “Nënë” ndjej gëzim, sepse më duket sikur e mbështes kokën tek gjiri i saj, por dhe hidhërim, se kujtoj vuajtjet e familjes dhe në veçanti të nenës time e rritur jetime. Në asnje shkrim nuk e kam lexuar shprehjen “Sa e do nena fëmijën?!”. Një thenie e tillë do të godiste rendë dhe ato nena që duke qenë në gjendje jo normale; kanë braktisur fëmijët e tyre. Ndjenja e dashurisë për fëmijët është e fortë dhe e dhimshme tek prindërit, por veçanërisht shumë tronditëse është për nenën. Njeriu ndonjëherë kur humbet llogjikën kryen dhe lëvizje negative karshi fëmijve. Në kafshët, tek zogjtë etj., kjo nuk ndodh, sepse tek ata veprojnë vetëm ndjenjat prindërore.
Dashuria e nenës për fëmijën, nuk le shteg për diskutim. Për të mbrojtur fëmijën, asaj plumbi i duket më i ëmbël se jeta. Fjala nenë, shpreh ndjenjat e sinqerta, të çdo njeriu, por veçanërisht kur ai ndodhet në vështirësi?! Kolegu im i punës Ing. Koço Plaku; para skuadrës pushkatimit; ju kujtua thenia e nenës “Bir, kujdes me qeverinë se ajo të gropos.” Ai nuk arriti të përfundonte shprehjen: “Ah! Moj nëna ime…” se plumbat ja prenë mendimin dhe nuk e lanë ta përshëndeste për herë të fundit nenën që e lindi.
Sa po lind foshnja fillon të qajë. Mos vallë qarja shpreh vuajtjet, që e presin ate në jetë?! Apo ndoshta gëzimin e të ardhmes së tij?! Familja e pret me gëzim lindjen e fëmijës. Ç’farë është jeta gëzim apo hidhërim?! Historia e njerzimit i ka provuar të dyja.
**
Tre studente
Dy vajza duke u nxituar, për t’u regjistruar në fakultet u përplasën në korridor dhe ranë në tokë. “Sorry”, i thanë njera tjetrës dhe vazhduan të ecnin së bashku. “Më quajnë Elsa; vij nga Shqipëria dhe dëshiroj të filloj studimet në Fakultetin e Mjekësisë.” “Lena,” u përgjigj tjetra, “kam lindur këtu në New York. Çuditërisht do të jemi në të njejtin fakultet se dhe mua më pëlqen mjekësia. Me ke jetoni?” e pyeti Lena Elsën. “Me prindërit,” ju përgjigj ajo, “besoj se dhe ju me pridërit jeni.” “Jo,” u përgjigj Lena. “Unë jetoj në një apartament me një shoqen time.” “Po pse,” vazhdoi pyetjen Elsa. “Tani jam e rritur dhe dua të jetoj jetën time. Prindërit ndërhyjnë shumë në jetën personale dhe hera herës bëhen të mërzitshëm; përveç kësaj përplasja me jetën të mëson shumë.” “Ashtu është, por dhe mund të digjesh,” ju përgjigj Elsa. Duke bashkëbiseduar arritën në zyrën e sekretares së Fakultetit. Ato paraqitën dokumentat dhe u regjistruan. Sekretarja, me kërkesën e tyre; i pranoi në të njejtën klasë dhe i njoftoi se mësimet fillojnë më nje Shtator. Të dy vajzat shkuan tek stacioni i autobuzave u përqafuan dhe u ndane, për të shkuar në shtëpitë e tyre.
Nje Shtator, dita e parë e mësimit. Vajzat u përqafuan dhe u ulën afer njëra tjetrës. Në këtë kohë u dëgjua nje zë “A mund të ulem dhe unë në bankën tuaj?” “Me kënaqësi”, u përgjigjën vajzat. “Ju faleminderit”, ju përgjigj vajza dhe u prezantua “Më quajnë Lida; jam Ruse dhe kam ardhur për të kryer studimet e larta në New York”. “Ne quhemi Elsa dhe Lena”, u përgjigjën ato. Në pushimin e gjatë të treja vajzat u ulën në një tavolinë për të ngrenë. E para diskutimin e filloi Elsa “Nje vit më parë më vdiq nena. Tani jetoj me babanë, motrën dhe vëllanë. Kur kujtoj nënën time, më mbushen sytë me lot. Jo ,pse vdiq! Se vdekja është ligji natyrës, por të mbysin kujtimet. Truri freskohet sa herë që kujtoj nenën, por sytë lotojnë. Lotët shprehin dhembjen që fëmija ndjen për nënën. Dashuria e nënës për fëmijën është e paarritshme nga të tjerët. Nena kërkon të jetë gjithmonë dhe kudo pranë fëmijës. Ajo mendon se e ruan nga goditjet. Kërkon të qendrojë si hije nga pas dhe ta mbrojë duke sakrifikuar dhe veten. Nëna e konsideron ate pjesë të trupit të saj. Kur pret gishtin fëmija, ajo qan sepse e ndjen shumë dhembjen që ndoshta dhe vetë fëmija nuk arrin ta ndjejë. Fëmija mundohet të qetësojë nenen dhe jo veten. Dikush pyeti nje nenë për fëmijën e saj të vrarë. Përse kërkon të vrasësh veten? Çfarëdo që të besh ti, fëmija nuk ringjallet! Nena e pyeti: A keni fëmijë ju? Jo, u përgjigj ai. Atëhere ajo i tha: Më fal zotni, por nuk mund të diskutoj me ju.”
Në diskutim ndërhyri Lena “Tek ne kur vajza arrin moshën 18 vjeç, ju thotë prindërve: Unë tani do të bej jetën time dhe largohet nga familja”. Lida, që po e ndiqte me vëmendje diskutimin, ju drejtua Lenës “Nëna të mbajti 9 muaj në barkun e saj, të lindi, të ushqeu me qumeshtin e gjirit, të rriti, të edukoi, të përkedheli, kurse ti e braktis?! Ky qenka shpërblimi? Po sikur nëna jote të braktiste ty, sapo të kishe lindur, çdo të mendoje ti për të?” “Nuk di si të përgjigjem”, tha Lena. “Është e qartë”, vazhdoi Lida, “se ti nuk ke si ta kuptosh po nuk linde fëmijët e tu. Ti mendon se në këtë moshë nuk ke nevojë për kujdesin e prindërve?! Tek ty, si dhe tek ne, shpërthejnë ndjenjat e brendshme të rinisë. Duke qenë pa përvojën e kësaj jete, mund të bjemë me kokë në pus. Pikërisht, kjo është mosha që njerëzit e këqinj e shfrytëzojnë për t’u pasuruar në kurrizin tonë. Eshtë fjala, kenga dhe muzika e familjes ajo që të orienton drejt jetës së lumtur! Bota është plot me gjemba dhe po nuk e njohe atë do të shpohesh sapo të hedhësh hapin e parë. Njerëzit jashtë familjes dhe kur të përkëdhelin ose të falin diçka duhet ta dish se brënda ndodhet interesi, ndoshta dhe djallëzia. Populli shprehet “Vetëm mos qoftë as hasmi”. Vetmia është tmerr! Je si një zog, që të gjithë kërkojnë ta kenë në duart e tyre! Ose dikujt i pëlqen dhe të vrasi, për të kaluar nje drekë të këndshme.
Po flas, për nenën se vetë natyra e ka lidhur ate më shumë me fëmijen. Sa herë që jemi në vështirësi thërrasim “O Zot, o nënë!” Prindërit kërkojnë me çdo kusht ta martojnë fëmijën, por në çastin e largimit, nëna qan dhe derdh lotë. Ato lotë shprehin gëzimin për martesën, por dhe hidhërimin e ndarjes sepse shkëputet një pjesë e trupit nga familja që e lindi, e rriti dhe i dha edukimin e jetës. Duhet studjuar mirë partneri me të cilin do kalosh jetën, sepse ka raste që gjarpëri të duket si pëllumb, por kur jeton me ate, të pickon dhe të helmon.”
Ra zilja, mbaroi pushimi dhe filloi mësimi. Në pushimin e gjatë të një dite tjetër, vajzat e mbledhura për të pirë çaj vazhduan diskutimin. Lena “Ju po më sulmoni mua sikur nuk e dua nënën! Absurde! Unë mendoj se nëna e do fëmijën jo vetëm, se e lindi dhe vuajti për ta rritur, por e do se është egoiste, duke u shprehur: Linda fëmijë dhe kërkon të paraqitet krenare para botës. “Mama” thërret fëmija, deri sa i hapen dyert e jetës. Thërret “Mama”, jo nga dashuria për ate, sepse ai akoma nuk e kupton se ç’është dashuria, por sepse ajo e ushqen dhe e mbron. Në turmën e shoqërisë njerëzore, fëmijës i çelen sytë dhe fillon ta njohi jetën, njerëzit dhe të përcaktojë pozicionin e nënës në shoqëri. Fëmija kalon tani në një fazë të re. Ngacmimet e shoqërisë veprojnë në trurin e tij të njomë. Ai fillon të njohi vetveten, të krijojë personalitetin e vetë në raport me njerëzit që e rrethojnë dhe të diferencojë shokët, shoqet dhe familjen.” “Më fal e dashura Lena, por jeta është shumë komplekse dhe e vështirë, sidomos kur je vetëm dhe larg familjes”, u shpreh, Elsa.
Ra zilja për fillimin e mësimit. Diskutimi u ndërpre.
Më 10 Tetor, Lida kishte ditëlindjen dhe ftoi në një mbrëmje shoqet e saj. Ajo duke ngritur gotën i falenderoi ato për pjesëmarrjen duke u shprehur “Jeta është jetë, njëherë vjen dhe duhet ta jetosh! Ju faleminderit shumë që erdhët se më gjallëruat. Më falni, por do të ngre dhe një dolli për familjen time që më lindi, rriti dhe më edukojë për një jetë normale.” Menjëherë u ngrit Elsa duke u shprehur “Të urojmë ditëlindjen, shëndet, lumturi dhe suksese në mësime”. Të gjitha shoqet ngritën gotat dhe e uruan. Pas Elsës e mori fjalën Lena “Të uroj nga zemra ditëlindjen, shëndet, lumturi dhe gëzime në familjen tnde. Të dashura shoqe, njeriu nuk pyetet kur lind; ai nuk e di as se kur do të vdes; por, ajo që varet nga ai është: Të jetojë jetën që ja dhuroi natyra. Këtë të fundit ai e ka vetë në dorë! Duhet të shfrytëzojë përvojën njerëzore. Duhen kaluar me gjakftohtësi, si e mira dhe e keqja në jetë. Duhet luftuar e keqja dhe asnjëherë nuk duhet të dorëzohesh sado të vështira të jenë kushtet e jetesës! Dorëzimi është dobësi!”
Më vonë, u ngrit Lida duke thenë “Dëshiroj tju njoh shkurt me biografinë e familjes sime. Babai im është me origjinë Shqiptare. Në vitin 1952, ai erdhi në Moskë për të vazhduar sudimet e larta në degën e Inxhinerisë. Gjatë kohës së shkollës, në një nga mbremjet e vallëzimit u njoh me nënën time. Ata u dashuruan. Në përfundim të shkollës u martuan dhe shkuan për të jetuar, në Shqipëri. Atje linda unë si dhe motra ime. Rreth vitit 1960 lindën kontradiktat politike midis Shqipërisë dhe Rusisë. Kjo situatë e detyroi nënën të kthehej në vendin e saj në Rusi. Pas disa vjetësh babin tim e arrestuan si armik i popullit dhe i Partisë dhe e dënuan me 25 vjet burg. Ai kreu vetëm 18 vjet në burg, sepse me ardhjen e demokracisë në vitin 1990-’91 u liruan të gjithë të burgosurit politikë. Nëna ime nuk u martua. Ajo priti burrin ligjor dhe e thirri te jetonin bashkë me fëmijët në Moske. Që nga ardhja e babait e deri tani ne jetojmë të lumtur të gjithë bashkë.” Të treja shoqet e kaluan ditlindjen e Lidës të gëzuara, me përqafime dhe me kengë.
Në vitin 2008 vajzat perfunduan Fakultetin, me nota të shkëlqyera dhe u diplomuan mjeke. Elsa u kthye në Shqipëri, ku punon në spitalin Amerikan. Lida shkoi në Rusi dhe atje punon në një nga spitalet e njohura të Moskës ndërsa Lena punon në spitalin Mount Sinai në New York. Pas një viti Elsa dhe Lida u martuan dhe krijuan familjet e tyre; ndërsa Lena bashkëjeton me një boyfriend. Të treja vazhdojnë lidhjet me telefon, me e-mail, etj.
***
Rajmonda
Rajmonda ishte një vajzë e thjeshtë, punëtore, e dashur dhe e bukur. U dashurua dhe u martua me një djalë të lagjes së saj. Çifti i ri lindi dy vajza dhe një djalë. Këtë martesë e përshëndeti e gjithë lagja, me fjalë të ngrohta dhe dashamirëse. Bashkëshortët, kudo shkonin bashke; ata dukeshin të lumtur. Të dy punonin. Për fëmijët kujdesoheshin prindërit. Të gjithë, këtë martesë e tregonin si shembull në lagje. Por, në vitin 1997, në një natë të zymtë me shi, burri vjen i dehur në shtëpi dhe i bërtiste të shoqes aq rendë sa shkaktonte të qara dhe tek fëmijët e vegjël.
“Ç’ka ngjarë i dashur” i foli Rajmonda. “Të gjitha paratë e rrogës i humba në kumar. Jam i dehur dhe nuk dua të më dalë njeri përpara.” “Çdo gjë mund të ndodhi”, i tha Rajmonda. “Tani shko shtriu dhe fli, nesër do jesh i qetë dhe do të bisedojmë”. Burri i saj, që e kishte marrë me dashuri, asnjë ditë nuk pranoi të diskutonte me të shoqen. Ai çdo natë vinte i dehur dhe vazhdonte ta shqetësonte familjen. Fëmijët trembeshin nga britmat e babait të tyre. Në këto kushte kur i shoqi nuk jepte asnjë lekë për të ushqyer familjen, Rajmonda u detyrua të punonte akoma më shumë. Si rrjedhojë i punës dhe shqetësimeve, që i shkaktonte i shoqi u sëmur. Në këto kushte ajo pergatiti kërkesën për të fituar llotarinë Amerikane dhe mori përgjigje pozitive. Garancinë ja pergatiti një shoqja e saj e ngushte që kishin punuar bashkë në Durrës. Rajmonda bashkë me tre fëmijët dhe burrin u nisën për në Florida, ku jetonte mikesha e saj. Shoqja i siguroi shtëpi dhe punë për të dy. Këtu Rajmonda duke vazhduar punën filloi të kurohej. Fëmijët vazhdonin shkollën dhe i shoqi punonte.
Pas disa vjetësh, relativisht të qeta në një natë shiu me shtrëngatë, i shoqi hyn në shtëpi i inatosur dhe sapo pa Raimondën i shprehet “Unë jam i ri, ndërsa ti je e sëmurë; pra nuk mund të jetojë me ty. Dua të bej jetën time, prandaj do ndahemi”. Rajmonda ju përgjigj “Kur u martuam, u betuam se do të qëndronim besnik përjetë”. Ai nuk ju përgjigj. Të nesërmen pruri avokatin, përgatiti dokumentat për divorc dhe u ndanë.
Jeta e familjare e saj u rëndua shumë. Rajmonda mbeti vetëm dhe ju desh të punonte në dy deri tre punë, për të ushqyer fëmijët. Shoqja e saj e ngushte që jetonte në të njejtën ndërtesë e këshillonte të mos mërzitej, se ajo do ta ndihmonte. Rajmonda vazhdoi të vuante deri sa fëmijët i mbaruan shkollën e lartë. Ata filluan punë dhe dukej se po rregullohej situata në familje. Por, pas rreth një viti, fëmijët u martuan dhe u larguan nga nëna e tyre. Rajmonda i tha djalit “Mirë se ato janë vajza e do shkojnë në shtëpinë e burrit, po ti ku do shkosh kur shtëpinë e ke këtu? Nëna sakrifikoi jetën për ju.” “Dua të bej jetën time, moj nenë”, i tha djali. “Ti më rrite, se e kishe për detyrë” dhe u largua. Kështu Rajmonda mbeti vetëm me shoqen e saj të ngushtë. Kudo shkonin bashkë. Si pensioniste shëtisnin dhe pushonin nëpër parqe. Kaluan 5 vjet. Asnjë nga fëmijët nuk kishte ardhur jo për ta ndihmuar, por as për ta parë, madje nuk kishin pyetur as me telefon për shëdetin e nenës së tyre.
Në një ditë të freskët, të dy shoqet pas një pushimi në park, po ktheheshin për në shtëpi. Luçiana, shoqja e Raimondës, propozoi të blinin nga një biletë llotarie. “Edhe sikur të fitoj, ku ti çoj ato para”, ju përgjigj Rajmonda, “unë nuk kam njeri, kujt t’ja lë?” “Ta provojmë fatin”, ju përgjigj Luçiana, “dhe biletat do ti ble unë”. “Jo”, tha Rajmonda, “se fati nuk provohet me lekët e tjetrit. Po meqë ti po ngul kembë, le të blejmë secila nga një”. Kishin kaluar shumë muaj, kur një ditë gazeta New Times njoftonte se Rajmonda Kurti kishte fituar llotarinë Amerikane në shumën prej dyqind milion dollarë. Këtë lajm, ja pruri Raimondës, shoqja e saj Luçiana. Rajmondës nuk i bëri përshtypje. “Si”, tha Luçiana, “nuk po gëzohesh?!” “Unë e kam pensionin që më ushqen dhe më tepron; ku ti çoj paratë e llotarisë?! Ato do të më sjellin vetëm telashe dhe jo gëzim. Dëgjo Luçiana unë kam dëshirë që ti jap ty ato para. Jo pse ti propozove për biletat. Jo pse jemi shoqe të ngushta dhe jo pse më ke ndihmuar. Por, sepse ke një zemër të madhe. E qeshura jote e sinqerte të ben për vete. Kur jam pranë teje më duket vetja njeri. Nuk mund të ketë njeri si ti në botë ose janë shumë të rrallë! Unë pa ty do isha çmendur. Prandaj ty ta dedikoj gjithçka. Ti për mua je një engjëll.”
Kishin kaluar vetëm katër ditë nga shpallja zyrtare në gazetë të emrit që kishte fituar llotarinë Amerikane, kur troket dera. Rajmonda shkon dhe e hap. Para saj paraqitet ish burri i saj. “Çfarë kërkon, pse…” Ai nuk e la të flasi atë, duke u shprehur “E dashura ime e shtrenjtë, sa më ka marre malli” dhe tentoi ta përqafonte. “Largohu”, i tha Rajmonda, “se e kam shumë të qarte dashurinë tende!” Ai vazhdoi të flasi “Kemi bërë shumë gabim që u ndamë; ti ke qenë dhe mbetesh engjëll për mua!” “Lëri këto, se dhe ti vetë e kupton që nuk të shkojnë tek unë. Këto lajka shko e shprehja dashnoreve të tua, po më thuaj përse erdhe?” “Të shkojmë bashke dhe të tërheqim dollarët e llotarisë”, u përgjigj ai. “Çfarë dollarësh, të kujt llotarie?” “Dëgjo Rajmonda, mos na vono, po merr biletën dhe të shkojmë të marrim paratë”. “Nuk kam biletë unë”, ju përgjigj Rajmonda. Ish burri i saj, nga fjalët e bukura për dashurinë, shpërtheu në britma dhe e kapi prej gryke duke i thenë “Nxirr biletën se të vrava”. Këto të bërtitura i dëgjoi shoqja e saj dhe hyn menjëherë në dhomë duke i thenë atij “Çfarë kërkon?” “Nuk kam punë me ty, por me gruan time”, ju përgjigj ai. Menjëherë Luçiana i telefonoi policisë. Brenda disa minutave arrin policia dhe pyet se çfarë po ndodh. Luçiana shpjegoi gjëndjen dhe ata e lidhën dhe e çuan në polici të shoqin.
Të nesërmen troket përsëri dera. Rajmonda shkon dhe e hap. Të dyja çupat e saj i hidhen menjëherë në qafë duke i thenë “Ku je moj nëna jonë e dashur!” “U kujtuat që paskeni nenë?” i pyeti Rajmonda. “Na fal o nënë e dashur, se bëhen dhe gabime, por gjaku nuk bëhet ujë”. “Ashtu është”, ju përgjigj e ëma, “por kur uji lidhet me interesin bëhet dhe gjak”. “Nuk po na fton të hyjmë”, pyetën vajzat. “Posi”, ju përgjigj e ëma duke i thenë “urdhëroni”. Ato sapo u ulën kur në çast hyri Luçiana duke u shprehur “Të paskan ardhur miq?” “Ne nuk jemi miq, por gjaku i familjes”, u përgjigjën ato menjëherë. “Ne kemi ardhur të shohim nënën tonë të dashur”. “Po këto, ç’janë”, pyeti Rajmonda. “Dhurata për ty”, ju përgjigjën ato menjëherë. “Si?! Ju keni pesë vjet që nuk keni pyetur për mua, as me telefon. Ndërsa, tani vini me këto dhurata kaq të shtrenjta! Nuk di si ta shpjegoj”, u shpreh e shkreta nënë. “Nuk ka për se të çuditeni. Ne për nënën japim dhe jetën”, u përgjigjën vajzat. “Mos vallë paraja ju afroi bashke për të kujtuar nënën e braktisur”, pyeti Rajmonda. “A ka fuqi në botë që të na ndaj ne nga nëna jonë e dashur”, vazhduan ato të shpreheshin. “Kush ju ka përgatitur të shpreheni me fraza romanesh? Sigurisht”, vazhdoi Rajmonda, “burrat tuaj, për të më joshur mua”. Ndërkohë, Luçiana kishte pergatitur kafetë dhe ja serviri përpara. Pikërisht në këto çaste troket dera përsëri. Luçiana shkon dhe e hap duke i thenë Rajmondës “Eshtë djali juaj”. Ai menjëherë i ra në gjunjë nënës së vetë duke u shprehur “Më fal moj nenë, unë nuk e meritoj të më flasësh, por të më rrahësh sepse në çastet më kritike ju braktisa! Mi morrën mendtë gruaja, shoqëria dhe jeta rinore. Erdha që të më gjykosh dhe të më dënosh!”
“Jo bir jo, ti nuk erdhe këtu për tu gjykuar, por për paratë e llotarisë Amerikane, ashtu siç kanë ardhur motrat e tua dhe ish burri im. Ju të gjithë keni gabuar. Llotaria Amerikane nuk i ka rënë nënës suaj, por Rajmondës së braktisur nga burri dhe fëmijët e saj. Ish burrin tim e lidhën dhe e çuan në polici, sepse përdori forcën dhe donte të më vriste për të më marrë biletën e llotarisë. Fjalët tuaja mua më fusin të gjallë në dhe se më kujtojnë vuajtjet, dhimbjet që ndjenja kur nuk plotësoja ushqimet për ju. Ato më kujtojnë të bërtiturat e ish burrit të dehur. Unë kam vuajtur jo vetëm fizikisht por dhe shpirtërisht, si në kohën kur ju ishit të vegjël, por dhe tani që ju më braktisët. Vetëm një njeri më ndejti pranë. Shoqja ime e ngushte që beri dhe garancinë për mua, për familjen tonë. Gjatë gjithë kohës kritike për mua, kjo femër, jo vetëm më ndihmonte me sa mundej, por më këshillonte të mos dorëzohesha se do ta kisha gjithmonë atë pranë. Zemra e asaj është kaq e madhe dhe kaq e dashur saqë të gjitha paratë e llotarisë do tja fal, por nuk do të arrij ta shpërblej. Nuk është paraja, por zemra dhe sjellja që e karakterizojnë njeriun e vërtetë në këtë botë! Unë falenderoj të Madhin Zot, që me anë të parasë ju kujtoi juve se keni një nënë gjallë, të braktisur dhe që duhet ta vizitoni. Gjithçka që ju thashë e shpreha me zemër në dorë dhe me sinqeritetin e nenës. Ju e kuptoni dhe vetë se nuk i meritoni këto para. Unë ju falenderoj për vizitën, gëzohem që jeni mirë me shëndet dhe tani jeni të lirë të shkoni.”
Të tre fëmijët u ngritën, përqafuan nenën e tyre dhe Luçianën, por filluan të qajnë. “Përse qani”, i pyeti Rajmonda. “Qajmë për poshtërsitë tona. Qajmë se akoma nuk i kemi kuptuar dhe si ndjejmë vuajtjet e nënës që na lindi, na rriti, na edukoi dhe na dha shkollën. Ajo u mundua të na bënte njerëz, por ne nuk e meritojmë të quhemi njerëz të vërtetë sepse dhe kafshët nuk i braktisin kurrë nënat e tyre, siç bemë ne.”
Kur fëmijët u larguan Luçiana pyeti Rajmondën “Çfarë do të bësh?” “As vetë nuk e di”, ju përgjigj ajo, “por mua ky takim më ringjalli plagët e vjetra. Po shprehem kështu, sepse ti e njeh mirë situatën e familjes aime. Po shprehem kështu, sepse dhe ti je nenë dhe më kupton shumë mirë. Errërat e forta të dimrit të ftohtë dhe të egër, të nxehtit përvëlues të verës së zjarrtë, sëmundjen time dhe gjithçka tjetër do ta përballoja, por jo ndarjen nga fëmijët se më duket vdekjeprurëse. Duhet ta theksoj mendimin tim se përveç teje që më je bërë gjak mbi gjak dhe fëmijët e mi nuk mundem ti harroj ose ti mallkoj. Ata janë dhe do të mbeten gjaku dhe mishi im. Ajo çka është e imja do të jetë dhe e atyre. Vetëm kështu, duke besuar tek ndihma e të madhit Zot, mendoj se ata do ti kuptojnë gabimet e tyre dhe do të gabojnë më pak në jetë. Mbase sjellja ime do ti kthej ata në rrugën e drejtë për të ardhmen e familjeve të tyre. I kam dhenë gji, i kam dhenë jetën time dhe tani mos tu jap paratë që i Madhi Zot mi dhurojë?! Luçiana e dashur, si do që të jetë, çfarëdo që të ndodhi në familje, Nëna mbetet nënë!”
Hirësia e tij Baba Rexhebi në 20 vjetorin e ndërrimit jetë të tij
Nga Mërgim Korça*/
Mund ta pohoj pa as më të voglën lëkundje se si fillimisht njohjen, e pastaj në vazhdim edhe miqësimin me Hirësin’e Tij Baba Rexhebin,tamam që i konsideroj një fat të madh timin në jetë ! Jam shprehur dëndur rreth filozofísë Tij, doemos për aq sa kisha unë mundësi t’a ndiqja e gjithashtu edhe t’i kuptoja pikëpamjet e Tija. Ndërsa sot, duke e kujtuar me një gjëndje shpirtërore tejet të mallëngjyer, e lidhur kjo pse jo edhe me gjëndjen atmosferike sikur t’ishim përgjatë një dite vjeshte të shtyrë e me shiun që i godet me furí dritaret e shtëpisë, jam i prirur t’ia përshkruaj lexuesit q’e kanjohur dhe ka qenë edhe i afërt i Baba Rexheb-it, duke ia kujtuar thënjet madhore të Tijat, (të cilat vet’i kishin dëgjuar dëndur të dala nga goja e Tij). Ndërsa pjesës tjetër të lexuesve, atyre që nuk e kanë njohur por vetëm kanë dëgjuar rreth Tij, doemos që e ndjej detyrë timen parësore edhe t’ua përshkruaj filozofínë e cila përcillej nga Baba Rexhebi në vijim t’atyre thënjeve madhore të Tija !
Parimisht Bektashizma vé në dukje se si egoizma është vënja në dukje e vetvetes ! Kurse Baba Rexhebi theksonte se si ky ves i keq, (egoizma), ngrihet si një mal i lartë përpara syve të njerëzimit duke mos u lejuar të shikojnë Zotin e Madh e të udhëhiqen nga mësimet e Tij ! E këtë çfaqje Ai e krahasonte me … hallkánë vendosur në hundën e ariut, e cila e tërheq atë, (ariun), sipas dëshirës së epsheve ! E me këtë rast dua t’ua kujtoj ish miqve të Baba Rexheb-itse si Ai ua sillte me këtë rast kujtimin se si kur Shejh Saadeddin Hameviu i hipur në kalin e tij nuk e kapërxente dot një përrua të vogël me ujë se kali u ngul dhe nuk bënte përpara nga që … shikonte në ujë të reflektuar pamjen e tij, (të kalit), e cila e tërhiqte shumë. E me këtë rast, I Madhi Baba Rexheb, shtonte “ … Ndjekësi i rrugës shpirtërore duhet të zhvishet fare nga fjalët E IMJA, E JOTJA, etj. dhe të jet’i pastruar nga çdo gjë, sepse vetëm atëhere pasurohet me dashurinë e Zotit dhe ia mbërrin së vërtetës, që ësht’edhe pikësynimi i tij. Përgjatë këtij konteksti Baba Rexhebi shtonte se si, kur e kishin pyetur një herë Haxhi Bektash Velinë se ç’ishte misticizma, Ai kishte thënë : “ Misticizma si edhe mirëgjëndja nuk mund të mblidhen bashkë pse baza e misticizmës është shkatërrim i çdo gjëje, veç Zotit. Pse ajo e hedh poshtë çdo gjë veç Atij.”
Dhe krejtë natyrshëm më vjen ndërmënd e doemos dua t’ua vé në dukje lexuesve të këtyre radhëve, duke kujtuar mësimet e baba Rexheb-it rreth atij vési që quhet egoizma e njeriut, se sa aktual edhe fuqíshëm tingëllon ky mësim tek ndjekim zhvillimet e vëndit tonë mbas shkërmoqjes së diktaturës ! E me këtë rast të gjith’atyre që jo vetëm e kanë pasë fatin të njiheshin me Baba Rexheb-in por edhe të ishin të afërmit e Tij, patjetër që u kujtohet se si Baba Rexhebi theksonte se : “ Ajo q’e ndan Zotin nga njeriu nuk është as qielli dhe as botët. Ajo q’e ndan me të vërtetë është UNË-ja si edhe TI-ja ! ”
Vazhdojmë tashti me disa nga thënjet e Baba Rexheb-it që Ai i kishte më për zemër e që dëndur i sillte në qëndër të vëmëndjes me bashkëbiseduesit. Njera nga këto e cila të bën të mendohesh thellë edhe sa i takon filozofísë që mbart me vete, është pohimi : “ Të mbahesh gji-thënjë me shpresë për të mirat që ke bërë dhe për dhuratat që ke dhënë, është tregëtí. E Baba Rexhebi shtonte se … Me Zotin veç tregëtí nuk bëhet ! “
Rrij e mendohem dhe më duket sikur jam përbrinjë Baba Rexheb-it edhe Ai ashtu qetë-qetë më flet lidhur me mësimet e Hynqar Haxhi Bektashit rreth këndvështrimit me të cilin duhet shikuar Mistika Bektashjane, nga njera anë, si edhe rregullat e Fesë Islame, nga ana tjetër ku, mësimi i nxjerrë nga Baba Rexhebi si ndjekës i rrugës së Mistikës Bektashjane është t’ua përcjellë besimtarëve mësimin themelor se si për të dyja palët në themel qëndrojnë rregullat e Fesë Islame e pastaj mistiku, mbasi t’i ndjek’e t’i zbatojë të gjitha detyrimet Islame, t’u shtojë këtyre të veçantat e kërkesave që ka Bektashizma ! Përmbledhtas, Baba Rexhebi mbasi e zbatonte agjërimin gjatë muajit të Ramazanit si çdo besimtar musliman, por ama si bektashi Ai mbante edhe Matemin, i cili mbahet dhjetë ditët e para të muajit hënor Muharrem në kujtim të të masakruarve me në krye Imam Hysejnin dhe familjen e Tij në Qerbelánë Irakéne. Ose se si p.sh. Baba Rexhebi u thoshte besimtarëve të Tij se si duhej të zbatonin faljen e të pesë vakteve, ky detyrim si besimtarë muslimanë fillimisht e pastaj edhe si bektashinj. Ose fakti që Baba Rexhebi, në Teqén’e themeluar prej Tij në Detroit, nuk lejonte të futeshin pije alkoolike !
Përgjatë kësaj hullíje, p.sh. Baba Rexhebi ngulte këmbë dhe theksonte “ Atë që s’e shikon dhe nuk e zbaton në veten tënde mos ia urdhëro tjetrit ! “ Vërtetë kjo porosí nuk përbën asnjë radhë të plotë, vetëm pesëmbëdhjetë caqe gjuhësorë e përbëjnë, por ç’mësim u trashëgonte bashkëkohësve atëbotë e sa i vyer është po ai mësim edhe sot e kësaj dite për bashkëkohësit !
Baba Rexhebi përgjatë hullísë filozofísë së Tij Mistike Bektashjane, ngulte këmbë edhe theksonte një moment tejet delikat nga pikëpamja ngushtë fetare, por ama skajshëm bindës i shikuar nga këndvështrimi filozofik, gjë që figurën e Tij na bën ta shikojmë tamam si të një Mendimtari të Madh, në themelin e mësimeve të të cilit zinte vënd pohimi i Tij madhor se si :“… Të gjithë monotheistët që besojnë një Zot të Vetëm edhe Atij dhe i luten, nuk ka asnjë kuptim të jenë të ndarë në besime të ndryshëme fetare! Ata duhet të jenë të integruar në një besim fetar të vetëm !“Dhe këtu pastaj i ndjeri Baba Rexheb-i sillte si shëmbull Henrikun e VIII-të të Anglisë i cili donte t’ishte jo vetëm mbret i Anglisë por edhe udhëheqës i gjithë të Krishterëve dhe egoizmi i tij e shtyu t’i ndante të Krishterët Anglezë nga Vatikani dhe sot e kësaj dite, falë atij egoizmi, britanikët janë të besimit Anglikan !
Pa hyrë fare në diskutime pa lé në krahasime mendësíshë fetare karakteri filozofik,nuk mundemi mos të vemë në dukje se sa gjithëpërfshirës është mendimi si edhe këndvështrimi filozofiko – fetar i të ndjerit Baba Rexheb-it ! E kjo, duke krahasuar dy personalitete të shquara fetare lidhur me gjerësín’e këndvështrimeve të tyre të ndërsjellë : njeri sa i takon vetëm një besimi fetar të të gjithë monoteistëve an’e mbanë botës,kurse tjetri,(pozicionimi i Imzot Frendo-s ndaj emërimit potencial të shkrimtarit tonë të madh Visar Zhitit si ambasador pranë Selisë së Shënjtë në Vatikan), si përzgjedhje jo të përshtatëshme.E kësisoji secili lexues objektiv e bën dallimin themelor ndërmjet të Madhit Baba Rexheb i cili kishte një këndvështrim tejet ekumenik, i krahasuar ky me këndvështrimin skajshëm të fetarit tjetër të reduktuar në të gjykuarët e vetëm një personi.
E doemosdo me këtë rast, para se t’i mbyll këto radhë, nuk kam se si mos t’i vendos përballë njeritjetrit edhe pozicionimet e Hirësísë Tij Baba Rexheb-it, një udhërrëfyes fetár tejet ekumenik, me t’ashtuquajturit luftëtarë të Islamit q’e kanë shpallur veten e tyre si luftëtarë të Shtetit Islamik të Irak-ut si edhe të Sirisë e që po e terrorizojnë Lindjen e Mesme me krime nga më të shëmtuarit pikërisht nën kushtrimin e Fésë Islame !
Prandaj edhe i jap fund këtij fluturimi krejtësisht sipërfaqësor rreth mendimeve filozofike që ishin edhe themelet e besimit të Baba Rexheb-it me të cilin Ai mbështeste Haxhi Bektash Veliun edhe pohonte se për të qenë njeri i madh në kuptimin mistik të fjalës :
“ I madh është ai që sjelljet e dukëshme i ka si të gjithë të tjerët dhe të padukëshmet i ka si të njerëzve të shquar të Zotit ! … E jashtmja e tyre është plot moral dhe të padukëshmen e kanë shëmbëlltyrë të moralitetit ! “ (*Minerva)
PUNA E PENDIMIT
Nga Fritz RADOVANI/*
O Zoti im,/
po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam ba./
Se kam bjerrë Parrizin dhe kam meritue ferrin./
Por më fort se të kam fye Ty, o E Mira e pambarueme,që kaq fort më ke dashtë./
Mëshirë, o Zot!/
Më fal, o Zot!/
Po të jap fjalën, me ndihmën Tande, që mos me Të fye ma kurrë!/
Ashtu kjoftë!/
Ne Foto: “DY RRUGËT E JETËS” Pikturë nga Kolë IDROMENO/
HAPNI DOSJET !
Po filloj maparë me “ata” që e kuptojnë ma mirë se të tjerët këte veper të Kolë Idromeno!
Artistët tanë që pak frika e ma shumë karrierizmi i detyroi me ndjekë rrugen e “dytë”, që i zbriti poshtë…dhe po e vazhdojnë disa prej tyne edhe sot, asht mirë të Pendohen…
HAPNI DOSJET !
Shikoni pak rrugen e “dytë” që keni zgjedhë atëherë kur keni votue në sallen e Kuvendit Popullor ligjët e interrnimit fëmijëve, apo pushkatimet e varjet e Atdhetarëve tanë, dhe të “shokve” tuej…vetem se kanë dashtë me gjithë zemer Atdheun dhe Lirinë e Tij…
HAPNI DOSJET !
Shikoni firmat tua… Dhe, mendoni mirë per ke keni punue! Veprat e perkthyeme të jueja janë helmi i Tiranit, që ju i keni shpernda mbarë Botës! Ju ishit thimci i Stalinit, Enverit, marksizmit, diktaturës, terrorit, masakrave, torturave, pushkatimeve dhe varjeve…ju keni
çue fëmijët prej gjiut me vdekë nder kampet e shfarosjes… ju keni zhytë pleqët në baltë!
HAPNI DOSJET ! Këtheni nga rruga që jeni tue vazhdue! Pendohuni! Jeni vrasës!
Bani Punen e Pendimit, sa nuk ju asht fikë ora e zezë e jetës suej! PENDOHUNI !..
Melbourne, Gusht 2015.
*Nga rubrika:Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…
Kostë Çekrezi: Debati në SHBA me të dërguarit e Enverit
Nga Kostë Çekrezi*/
I lënë për një kohë të gjatë në harresë, gazetari dhe diplomati Kostë Çekrezi vjen për lexuesin shqiptar brenda një kohe të shkurtër me dy vepra të tij, botuar nga shtëpia botuese “Naimi”. Pas librit historik “Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja”, vjen një tjetër libër i Çekrezit, “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë”. Në fokusin e këtij libri vendosen raportet e Shqipërisë me Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Libri ngërthen ngjarje mes viteve 1920-1950, ku spikasin figura historike si Ahmet Zogu, Fan Noli, Faik Konica, por dhe pushtetarë të regjimit të ri komunist. Këto figura vijnë me dritëhijet e tyre, me metamorfozat nga njëri pushtet në tjetrin. Gjithashtu, Kostë Çekrezi rrëfen diplomacinë dhe luftën mes Tiranës dhe Uashingtonit, duke sjellë personazhet dhe emisarët e secilës palë, deri në vendosjen e “perdes së hekurt” midis Lindjes dhe Perëndimit. “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë” mund të konsiderohet vazhdim i librit të mëparshëm të Çekrezit: “Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja”, botuar për herë të parë në anglisht në SHBA, në vitin 1919. “Ndryshe nga libri i parë, që është konceptuar nga autori si një libër historie, “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë” kombinon historinë me dokumentet dhe kujtimet e vetë autorit, një protagonist dhe dëshmitar në shumë ngjarje politike që lidhen me veprimtarinë e A. Zogut gjatë mbretërimit dhe më pas në mërgim si edhe politikën E. Hoxhës ndaj Perëndimit dhe SHBA-ve”, thotë botuesi dhe redaktori i librit, Naim Zoto. Në vitin 1946, Çekrezi priti delegacionin e kryesuar nga Tuk Jakova dhe disa delegacione të tjera, duke sugjeruar që qeveria e re shqiptare të gjente patjetër rrugën për t’u lidhur me fuqitë e Perëndimit, sidomos me SHBA-të. Në vitin 1951, Kosta Çekrezi botoi në Uashington analizën politike “Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë”, ku ndër të tjera tregon edhe takimin me Tuk Jakovën dhe debatin e tyre mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Titon dhe ngjashmërinë e politikave të pushtetit komunist me ato të Mbretit Zog.
Në shtator të vitit 1946 arriti në Nju Jork i pari delegacion i qeverisë së Tiranës pranë Kombeve të Bashkuara. Delegacioni kryesohej nga Tuk Jakova, një ish-zdrukthëtar nga Shkodra. Se qysh një marangoz pa mësime dhe pa eksperiencë në degën e diplomacisë, si dhe pa dijeni të ndonjë gjuhe ndërkombëtare, mund të dërgohet përjashta dhe, sidomos, në një mbledhje të përbërë nga njerëzit më të shkëlqyer në fushën e diturisë botërore, kjo është një fazë e posaçme e “Pushtetit të Popullit”. Natyrisht, edhe kjo ka shpjegimin e saj dhe shpjegimi është se regjimi i Enver Hoxhës ka besim vetëm në njerëzit e qarkut të tij të ngushtë dhe qëndron larg nga çdo përdorim i intelektualëve të vendit, të cilët i ka flakur në burgje dhe bodrume, ose thjesht i ka përjashtuar nga çdo shërbim i shtetit. Dhe është e vërtetë që një nga dogmat e komunizmit është zhdukja e krejt intelektualëve të kohës së shkuar, mbasi ata konsiderohen si “fara e keqe” e mbjellë nga regjimet nacionaliste dhe kapitaliste. Në vend të tyre, çdo regjim komunist po mundohet të krijojë një klasë të re intelektuale të ushqyer mendërisht vetëm me doktrinën e Karl Marksit dhe të interpretuar prej Leninit dhe Stalinit.
Me Tuk Jakovën pata një bisedim të gjatë në hotel “New Yorker”. Kur, në fjalim e sipër, u prek çështja e marrëdhënieve të qeverisë së Hoxhës me Marshallin Tito të Jugosllavisë, i thashë bashkëfolësit tim se isha në frikë se qeveria e Tiranës po binte thellë e më thellë nën influencën, në mos nën kontrollin e Beogradit. “Shpesh kini me mbarue, i thashë kolonelit, tue zbritun Shqipnin në shkallën e një krahine të Jugosllavisë, ose përndryshe kini me u prish krejt me Titon”.
“Marrëzi! -u përgjigj me njëfarë rreptësie oratorike. -Të dy qeveritë tona janë tuj bashkëpunue mbi bazën e barazisë. Na kena qëndrue me Titon dhe ai me na derisa të realizohet programi ynë i përbashkët”. Nuk e pyeta Kolonelin se cili ishte programi i përbashkët i dy qeverive, se tani ishte një gjë e njohur prej kohësh. Posaçërisht në atë periudhë Tirana dhe Beogradi ishin lidhur fort ngushtë si edhe më Sofjen, në luftën e dështuar që i kishin hapur Greqisë në Maqedoni me çetat partizane.
“Ashtu ju duket juve në këtë kohë, -shtova unë, -por jam krejt i bindur se ajo që i ndodhi Zogut ka për të ndodhë edhe me ju. Edhe ai filloi të luajë lojëra me Jugosllavinë në 1924-n, për me u hudh në krahët e Italisë fashiste në 1926-n”.
I kallëzova atëherë Tukut se në pjekjen time të parë me Ahmet Zogun, pas kthimit tim në Shqipëri nga Amerika, i kisha thënë Zogut se “marrëveshja e ngushtë e tij me Beogradin e kishte bërë Shqipërinë si një provincë të Jugosllavisë, duke i shtuar kërkesat e qeverisë së Beogradit dita-ditës”.
“Ajo s’është e vërtetë!, -protestoi Ahmet Beu. –Marrëveshja ime me Beogradin mbështetet mbi baza bashkëpunimi të sinqertë”.
“Sesa të sinqerta janë ato baza, kjo do të provohet shpejt”, – i thashë Zogut, i cili ndërroi temën e bisedimit.
“Ajo që i ndodhi Zogut nuk mundet ndodh tek na, – më deklaroi Tuk Jakova me një të qeshur sardonike. –Zogu ishte fashist dhe tradhtar dhe kujdesej vetëm për interesat e veta, ndërsa ne dhe qeveria e shokut Tito, jemi tue veprue së bashku për interesat ma t’mira të popujve tanë. Një çartje si ajo që përshkruani ju është e pamundshme, krejt e pamundshme”.
Siç dihet, ajo që iu duk Tuk Jakovës si krejt e pamundshme në shtator të 1946-s u bë, në fakt, tamam në dy vjet (aq kohë sa i kishte marrë edhe Zogut për t’u prishur me Jugosllavinë). Në fund të qershorit 1948, Kominformi (Komunist Information), që zuri vendin e Kominternit të shpërndarë, e fshiu Titon dhe Partinë Komuniste të Jugosllavisë nga lista e pjesëtarëve të tij. Pa humbur fare kohë dhe ndofta pa u menduar mirë, qeveria e Tiranës preu çdo marrëdhënie më “shokun” Tito, të cilin e akuzoi se ishte munduar ta bënte Shqipërinë një krahinë të Jugosllavisë.
Bisedimi me Tukun kaloi nga ajo pikë në çështjen më të rëndësishme dhe më të ngutshme të njohjes së qeverisë së Tiranës nga ana e Amerikës dhe të pranimit të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara.
Në formë të prerë i thashë kolonelit se çdo përpjekje për realizimin e dy dëshirave të përgjithshme ishte e kotë dhe pa asnjë dobi, sa kohë që qeveria e Tiranës ngulte këmbë në vendimin e saj të mospranimit të traktateve të vjetra më Amerikën.
“Po ato traktate i kanë lidhun regjimet e kaluem, – u hodh koloneli. –Përse t’i pranojmë na tani?”
“Se ashtu lypin rregullat e së Drejtës Ndërkombëtare, sipas të cilave një qeveri nuk mund të hedhë poshtë një traktat pa pëlqimin e anës tjetër. A e dini se shoku juaj Tito i ka pranuar të gjitha traktatet e kohës së kaluar?”
“Gjithë të tjerët, me sa jam fjalosun, –vijoi Tuku, –më kanë thanë se na kemi të drejtë dhe jo qeveria amerikane”.
“Nuk e di se cilët janë ata të tjerët, – i thashë, – por sigurisht nuk mund të jenë njerëz të stërvitur në ligjin e kombeve dhe në rregullat diplomatike. Po të them kolonel, se këtë çështje e kam biseduar shpesh me miqtë tanë amerikanë, zyrtarë ose jo. Pasi e rrahëm çdo pikë nga të gjitha anët, unë arrita në një përfundim të cilin ia bëra të njohur gjeneral Enver Hoxhës me radiogram. Përfundimi është ky: qeveria juaj të deklarojë se i pranon traktatet në parim, por rezervon të drejtën që të kërkojë ndryshim ose zëvendësimin e tyre me traktate të reja. Jam në pozitë, pra, që të të them konfidencialisht se kjo është formula e fundit që mund të pranojë qeveria amerikane si konditë të njohjes së qeverisë suaj. Nga ana tjetër, pranimi i traktateve në formën e mësipërme është edhe konditë për pranimin ë Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, në kartën e të cilave thuhet çiltazi se do të pranohen si pjesëtare të asaj organizate ato kombe që respektojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare. Kallëzoja këto sende Enverit kur të kthehesh në Tiranë dhe mos e lini veten që të gënjeheni nga të tjerët, që ju paskan këshilluar se i keni punët mirë”.
Tuk Jakova, të cilin nuk e pashë më, qëndroi në mendim disa minuta dhe më në fund vendosi të mos e çelte gojën.
Pas Tukut erdhën një sërë delegatësh të tjerë dhe në çdo rast që pata të takohem me ta, ua tingëllova në vesh ato argumente, si edhe të tjera qe i përkisnin politikës së jashtme të Shqipërisë, ndonëse isha i bindur në këtë mes se çdo bisedim ishte i kotë. Dukej sheshazi se qeveria e Tiranës kishte vendosur të mos luajë nga pozita e saj ekstremiste, “të pëlqyer” 100 për qind nga “Vatra” dhe “Shqipëria e Lirë”.
Por, bashkëfjalimet e mia më të nxehta u bënë me delegacionin e kryesuar nga Mihal Prifti, ndihmësministër i Punëve të Jashtme dhe nga të gjitha shenjat, njeriu më i besuar i Enver Hoxhës për politikën e jashtme.
Me atë lab të zgjuar, por fanatik në besimet e tij komuniste, u takova në hotelin “Governor Clinton” (Vjeshtë 1950); herën e parë në prezencën e të dy shokëve të tij, Behar Shtylla dhe Vilson Progri, dhe herën e dytë vetëm ne të dy…
Marrë nga libri
“Plani i tretë për copëtimin
e Shqipërisë”
* Cekrezi ishte editori i Diellit, qe e ktheu Gazeten ne nje te perditshme te suksesshme