Ministri i Jashtem Hyseni në Bruksel: Çështjet politike nuk mund të lënë Kosovën të izoluar
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Korrik 2015/ Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës gjatë qëndrimit në Bruksel, pasditën e djeshme ka takuar ministrin e Punëve të Brendshme të Mbretërisë së Belgjikës, Jan Jambon. Me homologun e tij belg, ministri Hyseni ka biseduar për një numër çëzhtjesh më rëndësi siç janë liberalizimi i vizave, ekstremizimi dhunshëm, krimi i organizuar, bashkëpunimi i shtuar policor midis Kosovës dhe Belgjikës, si dhe ka folur për rëndësinë e antarësimit të Kosovës në Interpol.
Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, ndërkohë që një mision vlerësues i Komisionit Evropian po qëndron këto ditë në Kosovë, ministri Hyseni theksoi nevojën e domosdoshme që qytetarët kosovarë të mund të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian duke qenë se Kosova është vendi i vetëm i rajonit që ka mbetur i izoluar. Për më tepër, “derisa qytetarët e vendeve të largëta, sikurse Timori Lindor, lëvizin pa viza brenda shteteve të Schengenit, nuk ka kuptim që qytetarët e Kosovës të mos lëvizin”, theksoi ministri Hyseni.
Ministri Jambon shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova e sidomos rëndësinë e bashkëpunimit për të luftuar krimin e organizuar në format e tij të shumta, thekson njoftimi i ministrisë kosovare dërguar nga Brukseli.
Të dy ministrat u pajtuan që të punohet në hartimin e një marrëveshje të bashkëpunimit policor midis të dyja vendeve dhe u dakorduan që kjo të finalizohet shumë shpejtë me nënshkrimin e marrëveshjes. Gjatë ditës së neserme Ministri Hyseni do të ketë disa takime me përfaqësues të Parlamentit belg dhe organizatave të huaja.
Bëhet e ditur edhe se, ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka vazhduar takimet me përfaqësues të shtetit belg gjatë qëndrimit të tij në Bruksel.
Sot, ai është takuar me anëtarë të Komisionit për Punë të Brendshme në Parlamentin belg me të cilët ka bashkëbiseduar për çështje të liberalizimit të vizave, bashkëpunimit policor si dhe ekstremizmit të dhunshëm e terrorizmit.
Njoftimi i Ministrisë dërguar nga Brukseli bën të ditur se, ministri Hyseni u është përgjigjur kureshtjes lidhur progresin që ka bërë Kosova në shumë këto rrafshe.
Ai ka kërkuar mbështetjen e Belgjikës në heqjen e regjimit të vizave për Kosovën tani kur misioni i Komisionit Evropian po bën vlerësimin e përmbushjes së kritereve. “Çështjet politike nuk mund të lënë Kosovën të izoluar, e sa i përket kritereve teknike Kosova tashmë i ka përmbushur ato”, theksoi ministri Hyseni gjatë takimit.
Gjithashtu, ai kërkoi përkrahjen në fushën e bashkëpunimit policor që do të ishte shumë më efikas për rajonin dhe më gjerë në rast se Kosova bëhet pjesë e Interpol-it.
Gjatë takimit më anëtarë të Komisionit u vlerësua lartë përkrahja e vazhdueshme e Belgjikës si dhe bashkëpunimi i ngushtë që të dyja vendet kanë pasur.
Kalendar Historik- Me 15 Korrik u shuan Çerciz Topulli dhe Muço Qulli
Në datën 15 korrik , shqiptarët përkujtojnë ditën e vrasjes të heroit kombëtar Çerciz Topulli dhe aktivistit kulturor dhe gazetarit Muço Qulli në Shkodër nga forcat malazeze të pushtimit, të denoncuar si patriotë shqiptarë nga konsulli grek që ua njihte shumë mirë aktivitetin patriotik në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Eshtrat e Çerciz Topullit u morën në vitin 1936 dhe u rivarrosën në Gjirokastër sëbashku me vëllain e tij Bajo Topullin në një kodër paksa jashtë qytetit, vend i cili u kthye në një vend peligranazhi për çdo shqiptar që vizitonte Gjirokastrën dhe e ndjente veten të lidhur me idenë kombëtare. Ja se c’shkruante e lexonte ne mes te Sheshit qendror te Shkodres ne 1936 Pater Anton Harapi me rastin e percjelljes se eshtrave te Cerciz Topullit dhe te Muco Qullit: “Ndaluni! Ku veni burra?! Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra Kreshnike, ktu në log të kuvendit para se të daheni. Do ta leni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së parit pat t’amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shndoshtë, gëzueshëm e rritët shtatin, atje prej kah Shqypnija u qiti dhe u ndriti!
…Veç, o burra, qi, dekun, flitni, të metun, njalleni, të hupun, sod ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqypnis, deh, lshonie nji za, at zanin t’uej kumbues si të luajve, diftoni djelmnis shqiptare shka u ushqeu idealin, shka u mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshëm.
….T’i diftojm, po, botës, se shqyptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedan e kristjan, e njiherit shqyptarë të njimendtë.
Zoti i vërtetë e atdheu le të na bashkojn, Zoti e atdheu të na mbajn, me Zot e me Atdhe të lumnojm!”
@ Dorian Koçi-Muzeu Kombetar
Shenim i Diellit:Ne Perkujtim dhe nderim te Heroit Cerciz Topulli,Shqiptaret e Amerikes iu pergjigjen thirrjes se gjirokastriteve per te kontribuar financiarisht per ndertimin e Shtatores se Heroit. Komisionit ne gjirokaster i printe publicisti Xhevat Kallajxhiu, asokohe drejtor i Gazetes Demokratia. Ne Gazeten Dielli eshte publikuar thirrja dhe kontributoret.Vatra i dha perkrahje kesaj inisiative.
NOLI ME 1932 në bordin e anijes S.S. New York
Nga Ilir IKONOMI/
Kjo është një fotografi e rrallë e Fan S. Nolit, udhëheqës i shqiptarëve të Amerikës. Është bërë nga një gazetar më 21 tetor 1932, në bordin e anijes S.S. New York, kur ajo po i afrohej brigjeve amerikane. E kisha parë këtë foto të botuar me dimensione fare të vogla në gazetën Hayward Daily Review, por më në fund gjeta origjinalin dhe tani e kemi me përmasa të plota.
Vini re tiparet karakteristike – vetullat e trasha e të harkuara, fytyrën vrarëlije dhe sidomos buzëqeshjen e zgjuar që ndriçon pamjen e përgjithshme të këtij njeriu të ditur.
Noli, ish-Kryeministër i Shqipërisë, vinte në Amerikë nga Hamburgu i Gjermanisë, por kaloi nëpër disa peripeci, për shkak se autoritetet amerikane dyshonin se ai ishte komunist. Noli u mbajt disa ditë në Ellis Island, ishulli nga ku aso kohe hynin imigrantët, shumë pranë ishullit tjetër Liberty, ku ndodhet Statuja e Lirisë.
Dy personalitete amerikane, miq të tij të dikurshëm të Harvardit, ndërhynë që Noli të lejohej të hynte në SHBA. Njëri prej tyre ishte kongresmeni Richard Wigglesworth, tjetri ishte Hamilton Holt, president i Kolegjit Rollins të Floridës. Holt i shkroi Sekretarit të Shtetit se Noli ishte një klerik i shquar dhe se ardhja e tij do t’i bënte një shërbim me vlerë Amerikës. Në Ellis Island u mblodh një komision i posaçëm për të shpejtuar procedurën e pranimit.
Megjithatë, Nolin e mbajtën në ishull plot pesë ditë. Thuhej se autoritetet kishin probleme me dokumentin e hyrjes, por më pas u mësua se ai ishte në rregull.
Fan Noli erdhi në Amerikë me premtimin se do të merrej vetëm me punët e kishës dhe jo me politikë. Ai mohoi se ishte komunist dhe menjëherë pas arritjes i deklaroi një gazete të Bostonit se dëshironte të bëhej shtetas amerikan. Noli e mori shtetësinë amerikane më 11 mars 1940.
Fan S. Noli kishte patur një jetë të pazakontë mes Evropës dhe Amerikës. Për herë të parë erdhi në SHBA në vitin 1906, u bë prift, themeloi kishën shqiptare dhe u diplomua nga Universiteti Harvard. U largua për në Evropë në fund të vitit 1912 dhe u kthye në Amerikë më 1915. Më 1920 shkoi përsëri në Shqipëri, ku u bë deputet dhe kryeministër. U rrëzua nga Ahmet Zogu në dhjetor 1924, u end nëpër Evropë 10 vjet me radhë, deri sa u vendos përfundimisht në SHBA. Vazhdoi të merrej me përkthime e me shkrime, të cilat i dhanë famë, ndoshta më shumë se sa punët e kishës dhe të politikës. Vdiq më 13 mars 1965.
Çfarë jete!(Ilir Ikonomi Facebook)
Presidenti i Nderit, Agim Karagjozi, mori pjesë në Mbledhjen e Këshillit të VATRËS
Të dielën me 12 Korrik në mesditë u mblodh Këshilli i ri i Vatrës, për të parën herë pas Kuvendit vjetor që i zhvilloi punimet e Jecksonville me 31 Maj 2015. Me duartrokitje u prit hyrja e Presidentit të Nderit të Vatrës, inxhinier Agim Karagjozi në sallën e mbledhjeve. Z. Karagjozi, që nga viti 2010, kur dha dorëheqjen, për shkak të shëndetit, nuk ka mundur që të jetë pjesë e veprimtarive të Vatrës, por kryesia e Vatrës, miqtë tij, nuk janë ndarë prej tij,kanë rujatë lidhjet, kanë shkuar dhe e kanë takuar në Shtëpi.
Duke i përshëndetur anëtarët e Këshillit dhe kryesinë, z. Karagjozi, që shoqërohej nga i biri Zyhdi Karagjozi,(anëtar i Këshillit të Vatrës), tha se ndjehej shumë i emocionuar që gjendej sërish mes tyre pas shumë kohësh. Gjithësesi, tha ai, nuk i kam shkëputur marrdhëniet me Vatrën përmes shokëve, kryesisë së Vatrës, përmes Gazetës Dielli, gazetës Illyria, i kam ndjekur me shumë interes zhvillimet në Vatër, veprimtaritë e saj, shtimin e anëtarësisë, krijimin e degëve të reja nëpër shtete të ndyshme të Amerikës, fushatave që keni bërë, dhe për të gjitha këto keni përgëzimet e mia.
Z. Karagjozi, që e drejtoi Vatrën për dy dekada, nuk ka kursyer asgjë për Vatrën. Ai shquhet jo vetëm për kontributet financiare, por edhe për frymën patriotike rilandase, që e ka karakterizuar. Në përkrahje të fushatës së Vatrës për ngritjen e arkivit historik të saj, sistemimit të bibliotekës, z. Karagjozi, dhuroi 300 dollarë, ndërsa i biri, z. Zyhdi Karagjozi,( që në vitin 1995, bëri Vatrën me Shtëpinë e saj, duke mos marrë asnjë përfitim për zyrën e tij), dhuroi 700 dollarë. Gjithësesi Vatra e ka Shtëpinë e saj trikatëshe sot sepse z. Agim Karagjozi, që drejtonte Komisionin e Fondit të Vatrës, i grumbulloi dhe i ruajti me fanatizëm fondet e Shtëpisë për dy dekada e më shumë.
Z. Agim Karagjozi mbanë tituj”Qytetar Nderi i Gjirokastrës”, Urdhërin e Artë të Shqiponjës, si dhe “Nderi i Kombit”. Ai vjen nga një familje nacionalsite, babai i tij ishte me Ballin Kombëtar dhe vetë z. Agim Karagjozi ishte i ri aktiv në radhët e Ballit, madje mori pjesë edhe në luftimet në Kosovë. Në fund të Luftës së Dytë Botërore bashkë me babanë u arratsiën në Itali, që andej në Turqi. Në Stamboll i riu Agim Karagjozi studioi në Robert College , duke u diplomuar për inxhinier. Në fund të viteve ’50, ai erdhi në SHBA dhe që në fillim u përfshi në gjirin e Vatrës, nga e cila nuk është ndarë as sot.(Fotografite i shihni ne Facebook.Më gjërësisht për mbledhjen e Këshillit do të lexoni në Diellin e Printuar)
Liga e Kampioneve- Skënderbeu fiton 4-1 ndaj irlandezëve të Crusaders
Nga Gjergji Mima/-Skënderbeu i Korçës arriti një fitore të thellë 4-1 në ndeshjen e parë të turit të dytë të eliminator të Champions League ndaj irlandezo-veriorëve të Crusaders, duke hedhur një hap të sigurt drejt fazës tjetër të këtij kompeticioni.Korçarët e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme ndeshjen, ku arritën të gjejnë golin e avantazhit në minutën e ’15- me Bakary Nimaga, i cili realizoi pas një krosimi nga krahu i majtë i sulmit.
Ishte minuta e 34-t kur Hamdi Salihi, lojtari i kombëtares sonë, dyfishoi shifrat, pasi një gabimi të portierit mik. Me këtë rezultat do të mbyllej pjesa e parë.
Vetëm 3 minuta pasi nisi pjesa e dytë, irlandezo-veriorët arritën të shkurtojnë diferencën në 2-1. Jordan Owens ishte autor i golit.
Më pas gjithçka foli për të besuarit e trajnerit Josa, të cilët shënuan edhe dy gola të tjerë. Në minutën e 76, Bernard Berisha e çoi rezultatin në 3-1, ndërsa ishte sërish Salihi në të 83-ën që vulosi rezultatin në 4-1.Tashmë Skënderbeu udhëton për në Irlandën e Veriut për ndeshjen 21 korrikut me një rezultat tejet komod për të arritur një kualifikim në fazën tjetër të Champions League.