• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjak në dëborë

April 10, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti, USA*/
Oficerët domosdoshmërish të posedojnë katër fusha me rëndësi jetike: intelektuale, fizike, ushtarake dhe morale-etike. Kodi themelor i etikës së ushtarakut është: Detyra, Nderi, Atdheu. Një oficer nuk do të gënjej, mashtroj, vjedh ose toleroj ata që e bëjnë këtë.
***
Kaluan 16 vjet nga thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar në Koshare dhe nga ndërhyrja e NATO-s me 24 mars 1999. Mjerisht, gjatë këtyre vjetëve, qeveria amatore, analfabete, e korruptuar, antikombëtare e Kosovës, nuk bëni një kërkesë me shkrim që përmban Padinë e ngritur kundër Serbisë për gjenocidin ndaj shqiptarëve që ai shtet terrorist, fashist, nazist, ortodoks-fundamentalist e realizoi në vitet 1998-99. Është gjakatarja, Serbia që ka ngritur Aktpadi kundër UÇK-së; duke luajtur rolin e viktimës.
***
Listat e veteranëve të UÇK-së janë false sepse:
1.Në to nuk janë përfshirë të gjithë luftëtarët e vërtetë (vëllezërit e mi të fushëbetejës)
2.Ndërkaq, në ato lista figurojnë edhe ”luftëtarët” e rrejshëm të cilët në kohën e luftës ishin fshehur nën fustanet e grave. Dhe, numri i atyre shakaxhinjve mafioz është 6 herë më i madh se numri i luftëtarëve të vërtetë.
***
Me këtë version të shkurtuar të një historie lufte (ndokund në Evropë), nga përvoja ime personale, dëshiroj të përcjellë mesazhe të caktuara tek brezat e rinj, sidomos tek oficerët:(fragmente nga Ditari im luftarak: “Dera e pestë e ferrit” …nëntor 1995)
Afër 3 javë luftojmë nën rrethim. Sot u vra komandanti i batalionit të cilit i nënshtrohemi. Jam pas tij dhe para tjerëve në rang ushtarak, kapiten, e zëvendësoj. Eprorët e njësive mblidhen në llogoret me të afërme. U sqaroj situatën e re, lypset të përpilohet “Urdhri luftarak i batalionit të rrethuar gjatë shpërthimit të rrethimit.”
U shpjegoj:
“Ushtarë, te lufta nën rrethim do të ndodhemi në rast të depërtimit të shpejt të njësive armike në krahët dhe prapa shpinës të pozicioneve tona dhe nëse ata do të përdorin njësi desant nga ajri, si dhe përdorimin e njësiteve të forta në njërën anë të krahëve tonë. Prandaj, i gjithë batalioni prej 480 ushtarëve, ose njëra prej katër çetave do të marr detyrën të luftojë nën rrethim ashtu që për një kohë të caktuar të lidh pas veti forca të mëdha të armikut; që të fitojmë kohën e duhur për t`u lidhur me forcat tona të cilat gjenden në kundërsulm.
Që të pengojmë rrethimin total urdhëroj: observimin e pandërprerë në krahë dhe pas shpine; sigurimin e pikave të caktuara; mbrojtjen këmbëngulëse të objekteve kryesore; manovrimin e armeve të zjarrit dhe pengimin plotësues; kundërsulme të shpejta dhe guximshme në armikun që stabilizohet në pika strategjike ose bën inspektimin e rajoneve tona të mbrojtjes; tërheqjen në kohën e duhur të njësiteve prej rajoneve të rrethuara, nëse kjo nuk është në kundërshtim me detyrën e batalionit.
Nëse rrethimi total është i pashmangshëm, duhet me kohë të evakuohen luftëtarët e plagosur rëndë dhe të sëmurët, të bëhet rigrupimi i të plagosurve lehtë të cilët do të luftojnë s`bashku me forcat rezerve, njësitet me kohë të pajisen me materialin e domosdoshëm luftarak si dhe me mjetet tjera teknike në dispozicion, të rritet numri i kanaleve për lidhje me komandantin e brigadës që i nënshtrohemi dhe fqinjët, si dhe renditjet luftarake të përshtaten për luftë nën rrethim.
Lufta nën rrethim do të zhvillohet duke mbrojtur me trimëri dhe këmbëngulësi objektet strategjike të territorit të rrethuar të ndihmuar nga veprimet aktive të njësive tona jashtë rrethimit. Nuk guxojmë të lejojmë që armiku me depërtime të befasishme të ndaj forcat tona, gjithashtu nuk duhet lejuar renditjen e armikut në pozita të volitshme që do t`iu mundësonte përdorimin e armëve kimike kundër nesh. Me ruajtjen kompakte të terrenit nën rrethim krijohen kushtet për manovrime në drejtimet e rrezikuara.
Urdhri për depërtim prej rrethimit do të jepet nga komandanti i batalionit ose me vetiniciativën e juaj, parimisht natën.
Urdhri luftarak (order of battle) për depërtim nga rrethimi përbëhet nga: njësitë për depërtim, njësitet mbrojtëse dhe rezervës.
Njësia për depërtim përbëhet më së paku nga gjysma e forcave (me përforcime), detyra e tyre është të thyejnë rrethimin e armikut dhe me depërtime të shpejta nga skajet të krijojnë kushtet për tërheqjen e forcave tjera. Forcat mbrojtëse formohen prej pjesëve tjera dhe mbesin në pozicione të caktuara me detyrë të mbyllin drejtime të caktuara, duke siguruar manovrimet e paracaktuara për njësitë e depërtimit.
Rezerva mund të jetë e përmasës një e treta e forcave dhe lëvizë pas njësive të depërtimit me detyrë të përhapë suksesin e saj.
Kur depërtimi bëhet natën, njësia ndërmerr sulme të befasishme – hapën zjarr prej distancave të afërta. Pjesa më e madhe e mjeteve për mbështetje është nën kontrollin e forcave të njësive për depërtim për arsye të mbështetjes së afërme. Nëse depërtimi zbatohet ditën, atëherë i paraprinë përgatitja e shkurtër dhe e befasishme gjuajtjeje artilerie që pason me sulm të fuqishëm për të thyer unazën. Rendi i lëvizjes (tërheqjes) së njësive nga rrethimi (unaza) është kësisoj: njësia për depërtime, njësitë logjistike me të plagosurit (nëse nuk është bërë evakuimi), artileria e cila nuk është pjesë e njësive për depërtim, dhe rezerva (e cila mund të lëvizë para ose mbas artilerisë). Pas kryerjes së depërtimit nga rrethimi, pjesa kryesore e ushtrisë lëvizë me urdhër marshimi ose urdhër luftarak, me sigurime, deri atëherë kur të ndahet nga armiku – e pastaj vepron sipas detyrave të marra dhe situatave konkrete…Paçi jetën e gjatë…Sukses…”
***
Ne sapo u zgjuam. Ora është gjashtë e mëngjesit. Papritmas u sulmuam prej katër aeroplanëve. Napalm bombat ranë afër. Pas pak kohe dëgjuam zërin e helikopterëve. Pesë nga to u ulën në fushën e misrit të mbuluar me borën e parë, dhe me dhjetëra ushtarë të armikut dalën me hov prej tyre. Ata zbuluan pozitat tona dhe na gjuajtën me pushkë automatike. Disa prej tyre vrapuan në drejtimin tonë, por ne i ndaluam me breshëri të koordinuara, precize dhe të fuqishme. Grupi tjetër u mundua të na ndajë në dysh, të krijojë urë mbrojtëse dhe parakushte për ushtarët tjerë e pastaj të na asgjësojë më lehtë, por ne me sukses organizuam një rezistencë të fortë. Provuan të kthehen prapa te helikopterët, por shumica e tyre u vra gjatë përpjekjes së dështuar. Sërish thirrën në ndihmë aeroplanët bombardues, nuk patëm kohë të kërkojmë strehim në llogore, patëm të vdekur dhe të plagosur. Për momentin është armiku që ka iniciativën. Si frikacak që janë thirrin në ndihmë aeroplanë bombardues pas çdo disfate tokësore. Pas pak u sulmuam nga tanke dhe forca këmbësorie të brigadës famëkeqe…e cila depërtoi pasi theu një vijë të efektivave tona. U përgjigjemi me minahedhëse 120 milimetër, me topa mali, mitraloza të rëndë, bazuka dhe bomba dore. Kaluan 4 orë luftimesh të rrepta prej largësisë së afërt, askush nuk përparon, por radhët tona lëkunden. Kemi humbje të mëdha, armiku gjithashtu. Me këtë përparësi që kanë këta kriminel nuk na frikojnë, na motivojnë t`i urrejmë edhe më tepër.
Situata është më se kritike… Telefonisti më lajmëroi se para disa minutash, për hakmarrje, këta terroristë bombarduan fshatin më të afërt dhe vranë 73 civil të pafajshëm, shumicë e tyre fëmijë, gra dhe pleq. Krimet e këtyre barbarëve nuk zvogëluan moralin luftarak të batalionit tim të përzier nga ushtarë vendas dhe legjionarë të huaj idealist, përkundrazi, zemrat tona morën hov dhe u trimëruan edhe më tepër. Befasishëm, me forca speciale, patëm sukses të depërtojmë brenda formacioneve të tyre dhe t`i ndajmë në disa grupime të veçuara në xhepa larg mundësisë të koordinojnë operacionet. Ne ndërmorëm një kundërsulm masiv dhe me ndihmën e minahedhësve dore, pushkëve automatike dhe mitralozave të lehtë i përgjysmuam këto grupime të cilat me sukses i rrethuam hermetikisht në terrenin tonë të rrethuar…
Pas 7 orësh beteje të pandërprerë dhe pamëshirshme me humbje të mëdha nga të dy palët, derisa me disa oficer dhe 8 ushtarë special gjendesha për konsultim të shkurtër në njërin prej llogoreve të gjuajtjes, u sulmuam nga njësia speciale e armikut (24 ushtarë) që hodhi bomba dore para se me kërcyer brenda llogoreve tona. Isha duke biseduar me eprorin e logjistikës, kam në dorë hartën – Urdhrin luftarak për depërtim – të cilin sapo e kisha skicuar/përpiluar), mitralozin e kam afër meje por nuk kam kohë të gjuaj. U hodha mbi ushtarin më të afërt të armikut, e rroka për fyti, ia grabita kallashnikovin nga dora, përpiqet të më godas me thikë, e pengoj, filloi përleshja për jetë o vdekje, shajmë, secili në gjuhën e vetë, nuk jam mësuar shumë me borën, më rrëshqasin këmbët, bie poshtë, hidhet mbi mua, rrokullisemi, mundohem të nxjerr revolverin “357 Magnum Colt Python” që e barti të varur në anën e djathtë të kofshës…e boshatisi në te. Ngrihem në këmbë. Shoku i tij mjekrosh, përpiqet të hakmerret, më vërsulet me bajonetën e vendosur në tytën e pushkës tehu i së cilës është vetëm disa centimetra nga gjoksi im, jam i rraskapitur, marr frymë me vështirësi, unë me dorën e majtë e largoj bajonetën nga gjoksi, me të djathtën ia mbështes revolverin në ballë, shtypi këmbëzën ama klikoj në të thatë, nuk kam fishek në te. Por, mrekulli,nuk jam unë ai që do vdes at moment, mjekroshi papritmas rrokulliset në tokë duke lëshuar zëre të tmerrshme nga dhembja, pas tij shikoj një luftëtar timin kallashnikovi i të cilit akoma tymon derisa gjaku i rrjedh fytyrës; “Zotëri komandant, kështu zgjidhet problemi,” – më buzëqeshën shkurtër dhe përleshet me një mjekrosh tjetër nga i cili u sulmua befasisht nga shpina. E rroka mitralozin, plumbat ngecin brenda, e kapa për tyte, e ngre lartë si bariu shkopin dhe i mëshoj fuqishëm në krye mjekroshit, lëkundet por nuk bie, e mbron helmeta, i mëshoj sërish, tash shumë më fuqishëm, helmeta shkatërrohet tërësisht …”Nuk ka mëshirë, o do qaje nëna ime o do qaje nëna e tij” – i them ushtarit tim. Të dyja palët përdorim pushkët, revolverët, bajonetat, lopatat luftarake për gërmihje llogoresh beteje, por edhe grushtet, thonjtë, dhëmbët. Përleshja e tmerrshme gjoks më gjoks brenda llogoreve betejash, 2 m të ngushta, 1m 60 cm të thella zgjati vetëm disa minuta por në ato momente kisha përshtypjen se ky ankth nuk ka mbarim. Isha në trans, dëgjoja vetëm gjuajtjet për së afërmi pjesëmarrës i së cilës jam vet, sharjet në shumë gjuhë dhe klithjet nga dhimbja masive e atyre që jepnin shpirt dhe të plagosurve…
Me të vërtetë njeriu për njeriun qenka ujk. Mes gjithë gjitarëve, njeriu është i vetmi sadist dhe vrasës në shkallë të gjerë. Shumë kafshë luftojnë pjesëtarët e species së vet, por në një mënyrë “jo-shfarosëse”, ndërsa njeriu në rrjedhat e historisë, me paramendim, e ka sos njëri-tjetrin. Por, agresioni në robëri i një populli të okupuar dhe kolonizuar është legjitim dhe i domosdoshëm kundër atyre që me agresion ia mohojnë lirinë…
Jepet “Urdhri luftarak për depërtim”. Për një moment më kaplon nostalgjia dhe malli për familjen atje diku larg, përtej oqeaneve, më kaplon frika dhe dyshimi. Ndoshta do të shpërthejmë rrethimin para se të zbardhë mëngjesi, ndoshta do të vritemi të gjithë. Dje pata ditëlindjen, ndoshta do të vritem në këtë moshë 19 vjeçare, në dhe të huaj, i dua më shumë se veten prindërit e mi, vëllain, motrën time të vogël…
…Gjendem në radhët e para të njësisë për depërtim të cilën do ta udhëheq direkt. I porosis shkurtër:
“Luftëtarë, për të siguruar forcën e ndikimit fillestar, duhet të sigurojmë vërsuljet e njëkohshme të të gjitha njësive në pikat e para të mbrojtjes së armikut. Zonën prej pozitës së sulmit deri në pikat e përparme të mbrojtjes së armikut (150-200 m) njësitë do ta kalojnë me lëvizje të përshpejtuar dhe vrapim. Luftëtarë, kryeni detyrën me nder e trimëri, zbatoni urdhrat e eprorëve të juaj, ruani veten dhe mbroni njëri-tjetrin…Është më mirë të vdesësh më këmbë sesa të jetosh më gjunjë… Le tu prijë e mbara. Komandantë, dërgoni njësitë në pozicionet e sulmit.”
…Vërsulemi fuqishëm…Shikoj, para meje lëvizin siluetat e luftëtarëve të mi, janë të moshave 18-23 vjeçare, veprojnë të disiplinuar, manovrojnë shpejt, me shkathtësi, efikasitet, burrëri, krenohem me ta, u bashkohem. Kaluan afër 3 orë luftimesh të përgjakshme, të vrarët nuk numëroheshin më. Bora është ngjyer me bojë të kuqe gjaku. Akoma nuk kemi shpërthyer unazën.
Avancojmë…
Dëgjoj zërat shurdhuese të armëve, ndjej erën e tharët të barutit, shikoj zjarrin dhe tymin nga pëlcitjet masive të granatave të gjuajtura nga armë artilerie për mbështetje që pastrojnë rrugën para nesh…Të plagosurit barten prapa…Shpërthejmë…
* ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: ESSE Tagged With: Aurel Dasareti, Gjak ne debore

BASHKIMI ME KOSOVEN-AMBASADA AMERIKANE NE TIRANE: SHQIPERIA E KOSOVA TE LUFTOJNE PER ASPIRATEN EUROPIANE

April 10, 2015 by dgreca

Deklaratë e Ambasadës së SHBA, datë 9 prill:-“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështesin fort aspiratat për në BE/
Ambasada amerikane në Tiranë reagoi dje për VOA lidhur me deklarimet e kryeministrit Edi Rama për bashkimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian dhe qasjen që duhet të ketë BE-ja ndaj këtij bashkimi. I pyetur nga “Zëri i Amerikës” se cili është qëndrimi i SHBA-ve, pas deklaratave të forta të Serbisë për komentet e kryeministrit Rama në intervistën me “Klan Kosova”, të cilat janë interpretuar se nënkuptojnë një bashkim të dëshiruar politik midis Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe duke pasur parasysh deklaratën e djeshme të Bashkimit Europian për këtë cështje, një zëdhënës i ambasadës u përgjigj:-“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështesin fort aspiratat për në BE, të të gjitha vendeve në Ballkanin Perendimor dhe mirëpresin riafirmimin nga BE se këto vende ndajnë një perspektivë të qartë europiane. SHBA besojnë se të gjitha vendet që punojnë për anëtarësim në BE duhet të qëndrojnë larg nga gjuha që nuk e çon përpara këtë synim të përbashkët dhe duhet të vazhdojnë të punojnë drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal. SHBA mirëpret garancitë që ka marrë nga qeveria e Shqipërisë se deklaratat në fjalë synonin vetëm të theksonin rëndësinë që ka integrimi në BE për shumë vende të Ballkanit”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ambasada amerikane, bashkimi, Shqipëria e Kosova

Të fuqishmit mbi ligjin dhe mbi shtetin!

April 10, 2015 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/
Edhe pse po rrezikohet popullata nga sëmundjet e rrezikshme të kancerit dhe leukemisë, e që po preken sidomos fëmijët e vegjël, deri më tash nuk kemi parë që Ministria e Bujqësisë ka ndërmarrë diçka, lidhur me shpërthimin e skandalit, rreth importimit të grurit të myktë, që në Serbi dhe vende të tjera përdoret për ushqim kafshësh, kurse ky miell shërben për t’u gatuar në sofrat shqiptare, në të dy anët e kufirit! Vetë qeveria e Shqipërisë dhe Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ishte ai që ndezi alarmin për krundet e kafshëve, kur tha që Kosova po i shet Shqipërisë krunde të kafshëve! Por, ishte i njëjti ministër që erdhi në Prishtinë, dhe sigurisht nga presioni i oligarkëve të biznesit dhe politikës, në Kosovë dhe Shqipëri, e demantoi vetveten dhe tha që mielli është në rregull! E ky skandal i krundeve nga AVUK-u u mbyll me pretendimin se krundet janë në nivel dhe në përputhje me standartet evropiane! Madje AVUK-u ato krunde i cilësoj edhe më cilësore sesa në vendet e Bashkimit Evropian! Prandaj nuk besoj që Ministria e Bujqësisë do të bëj diçka për parandalimin e këtij gruri – dhe as për qumështin me pluhur që po importohet nga vendet e kontaminuara, sepse importuesit janë të lidhur ngushtë me politikën, në të dy anët e kufirit, shkaku i interesave të tyre biznesore, prandaj edhe çdo skandal mbulohet nga ana e tyre dhe në fund sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë, e populli në fund dorëzohet dhe hesht, edhe pse është në pyetje shëndeti dhe jeta e tyre, e posaqërisht e fëmijëve të tyre!

Ligji nuk është i njëjtë për të gjithë!

Në Kosovë ligji nuk është i njëjtë për të gjithë! Për popullin e shkretë ligji zbatohet në përpikmëri, kurse për njerëzit e fuqishëm as që vije në shprehje, pavarësisht se çfarë krimi dhe vepra penale bëjnë ata! Në Kosovën e paluftës, të gjithë jemi dëshmitar për këtë gjë, në qindra e mijëra raste!E, mosfunksionimi i ligjit, e sidomos për njerëzit e fuqishëm të politikës dhe bizneset e lidhura ngushtë me ata, apo më mirë të themi bizneset e tyre por që janë në emrin e biznesmenëve, që i kanë krijuar vetë peshqit e mëdhenjë të politikës, kanë bërë që populli të ha çdo gjë: edhe krunde të kafshëve, edhe qumësht pluhur, ushqime të dyshimta dhe të kontaminuara, me afat të skaduar etj, sepse këta oligarkë të politikës dhe biznesit i kanë mekanizmat e tyre si AVUK-un, prokuroritë e gjykatat, që i mbrojnë prapa çdo pisllëku dhe skandali!
Deri sa nuk ekziston shteti ligjor, këto skandale që po rrezikojnë seriozisht jetën e qytetarëve, e që nga paslufta janë bërë të shpeshta sëmundjet nga kanceri dhe leukemia tek fëmijët, do të vazhdojnë akoma, sepse mungesa e shtetit ligjor krijon trekëndëshin kriminal, politikë-biznes-mafi!

Institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa!

Heshtja e institucioneve përgjegjëse, rreth këtyre skandaleve është shumë e rrezikshme, e turpshme dhe e papranueshme, sepse po rrezikohet seriozisht shëndeti dhe jeta e qytetarëve, e në veçanti po lozet me jetën e fëmijëve të vegjël dhe të porsalindurve!
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet përgjegjëse duhet të mirren seriozisht me këtë punë, dhe të bëjnë parandalimin e importimit të këtyre ushqimeve të rrezikshme, sepse me konsumimin e këtyre ushqimeve të dyshimta, të mykta, të kontaminuara dhe me afate të skaduara, tek popullata janë shpeshtuar sëmundjet e kancerit dhe leukemia tek fëmijët!

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, te fortet

UDHETIM MBI VETETIMA POETIKE

April 10, 2015 by dgreca

nga MSC Albert HABAZAJ/
Emri i autorit Idajet Jahaj është i dëgjuar nëpërmjet botimeve, qysh nga vitet 1975 e në vijim, në mënyrë ritmike deri më sot, si punëtor i palodhur i penës. Idajeti jep kontributin e vetë në pesë fusha të dijes: në letërsi, në gjuhësi, në biografi, në arsim dhe në gazetari, dhe ky kontribut shfaqet në horizontin e botës sonë si pesë gishtat e dorës, që kur i hap më ngjajnë si konstelacion yjor, si yll me pesë cepe e kur i mbledh bëhen një grusht, një bosht i diturisë dhe i kulturës në tërësi. Mësues në profesion, një jetë mik i krijimit, ndryshe nga kolegët e tij të penës, Idajet Jahaj operon në raportin krahasimtar ndërdisiplinor, sidomos në masën e krijimt letrar me prodhimin historik.
Profili krijues i shkrimtarit dhe studiuesit të njohur Idajet Jahaj dritëron edhe në punën kërkimore shkencore, ku harmonizohet fisnikërisht bukur fakti historik me rrafshin letrar. Ndër punimet historiko – letrare (me portrete, meditime etj.) të autorit Jahaj, sidomos me monografinë e veçantë historiko – kulturore “Flakadanët e historisë” për 15 figurat e ndritura të historisë së Lumit të Vlorës, me fokus gjeografik trekëndëshin Kuç – Velçë – Gjorm, në segmentin e stuhishëm kohor 1847 – 1920, kumbon qartë tingulli vetëtimtar i filozofisë historike (apo historisë filozofike), si thelb nga universi i emocionit historik. Trimat e kryengritjeve popullore nga Lumi i Vlorës me emër të rëndë në Historinë Shqiptare, me Gjolekën e Kuçit në ballë, me Lulo Habaz Mehmetin e Tërbaçit, me Cane Miftarin e Smokthinës, me Selam Hasanin e Velçës, me Mete Çobon, me Dule Zoton, me Shako Xhakën, me shtatë Leskodukajt e Bolenës, me Miro Tërbaçen legjendare, me Sali Vranishtin, Zigur Lelon, Selman Hysenin, Halim Xhelon e heronjtë e Luftës së Njëzetës me bijtë e tjerë të shpatës shqiptare të Lumit të Bardhë, pena e Idajet Jahos i shndërroi në monumente kombëtarë në lëvizje. Ata ploptësojnë portretin epik lab, himariot e vlonjat në rrjedhat e kohës, sikurse Çelo Picari Rrapo Hekali, Tafil Buzi, Sokrat Leka, Jani Rexho, Idriz Guri, Dervish Ali Dukati, Hodo Nivica, Maro (Mete) Kondi, Numan Bala, Kanan Maze, Sado Koshena, Avni Rustemi, Osman Haxhi Nuri, me ballin e yjeve Ismail Qemalin, që shkëlqejnë në qiellin e ndezur të lavdisë historike të kombit, krahas trimave dhe trimëreshave të tjera shqiptare, që kanë dalë e kanë bërë emër të lartë nga të gjitha krahinat e banuara me Shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve të sotëm të Shqipërisë, që janë dhe e ndjejnë veten Shqiptarë, nga Çamëria në Kosovë, nga Ulqini në Shkup, nga Sazani në Dibër, nga Mitrovica në Prevezë, nga Janina në Tuz, nga Manastiri në Shkrel. Pena me firmën Idajet Jahaj i ka rrokur vezullueshëm këto treva shqiptare me kontribute për historinë, kulturën dhe arsimin kombëtar, ndërsa personazhet historikë, që lartpërmenda, qarkullojnë në trupin e tij me gjakun e tij, janë në palcën e tij kombëtare, janë musht i ndjenjës poetike dhe i forcojnë koherencën studimore.
Profili krijues i Idajetit shfaqet në katër drejtime. Së pari, si poet (me 8 libra poetikë të botuar plus 6 të tjera në proces) klasifikohet në poezinë e vargut të lirë, ku spikat simbolizmi metaforik. Në larminë tematike sundon motivi filozofik. Së dyti, në krijimtarinë e tij dallon mendimi letrar dhe tregimi i shkurtër, sidomos tek vëllimet “Në qiejt e këngëve”, “Kur çelin lulet e para” etj., ku larmia e motiveve, aspektet jetësore, dramat vetiake e sociale jepen të gjalla, me ngjyra artistike e lëng estetik. Së treti, punimet historiko – letrare (portrete, meditime etj.) vijnë për lexuesin në tingullin e historisë filozofike si universe të emocionit historik. Së katërti, proza e shkurtër “Loti i Diellit dhe hënëzat e limonit” lëvron një gjini të palëvruar gjer më sot, të paktën në Vlorë, me subsatncë liriko- filozofike – poetike (larg gjigandomanisë romaneske të sotme, që të gufos, sidomos nga shkëlqimi mediatik verbues, i ngritur mbi paterica tarafesh, miqësish të vogla në kurriz të shijes së qytetarit, që nuk i sjellin asnjë dobi lexuesit) krijimtaria e Idajet Jahos na jep mesazhin që të shikosh ylberin e lotit në qelizë, jo në paraqitjen e madhështisë e malicitetit, nga moli në mol.

Filed Under: ESSE Tagged With: Idajet Jahaj, MBI VETETIMA POETIKE, UDHËTIM

Për më shumë respekt për mësuesin

April 10, 2015 by dgreca

Nga ARTUR AJAZI/
Mësuesit si njerëz, dhe profesioni mësuesit, qysh në shekullin e 18 unifikoheshin thjesht me një fjalë shumë filizofike, “edukonjës për të nxënë”. Dhjetra shekuj më parë, mbretërit dhe princërit, pajtonin mësues (edukonjës) për fëmijët e tyre, i përzgjidhnin ata mes më të zgjuarve madje duke i dhënë një status dhe trajtim të veçantë në oborret e tyre. Profesioni i mësuesit ka lindur nga nevoja për të mësuar, për tu bërë të ditur, për tu shkolluar, dhe për të perfeksionuar dijen në disa fusha. Mësues është një fjalë e madhe, e ëmbël, e dashur, me shumë kuptim dhe botë të pasur, dhe kjo nis e ngulitet për seicilin nga ne, nga fëmijëria dhe mbetet pas derisa ti bëhesh plak, duke ruajtur për njeriun që të ka mësuar shkrimin dhe këndimin, respekt e dashuri të veçantë. Mësuesit në Shqipëri kanë lindur herët, kanë lindur mes luftrash dhe përpjekjesh për liri e pavarsi, mes shtypjes pushtimit dhe vuajtjeve, fukarallëkut dhe nevojës. Mësuesit gjithmonë kanë patur një status të veçantë, pasi kanë qenë të veçantë, të butë, të ëmbël, të dashur dhe të ditur. Nuk bëheshe kollaj mësues më parë, duhej të kishe disa cilësi të veçanta – më tha njëherë miku im Mësuesi i Popullit Jani Sotiri, (sot nuk jeton ) dalë nga dare dhe oxhak i rilindasve që shkrinë jetën dhe pasurinë për mësuesinë në Kolonjë. Në Shqipëri mësuesia ka lindur si nevojë, si kurajo dhe guxim i një brezi që aspironte për pavdeksinë, trashëgiminë dhe lartësimin e gjuhës amëtare. Do të ishte pas Korçës në 1887, Elbasani, që në 1909 do të ngrinte me fondet e pasanikëve vendas, shkollë e mesme e njohur si Normalja, “bima” që hodhi farën e saj në gjithë vendin, duke nxjerrë mësues jo vetëm për Shqiperinë, por edhe Kosovën, dhe viset e tjera shqiptare. Nga Normalja, dolën mësuesit e parë, akademikët e parë, shkencëtarët e parë të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Tradita vazhdoi, u thellua, u zgjerua, u modernizua, dhe mësuesia u bë fushë më vehte për studime të mëtejshme. Bashkë me vitet, do të vinte edhe Universiteti i parë në Tiranë, ku do të dilnin breza të tërë mësuesish të talentuar, dhe që do të merrnin edhe grada shkencore. Shqipërisë kurrë nuk i kanë munguar mësuesit, kurrë nuk ka munguar dashuria dhe respekti për mësuesit. Gjatë 50 viteve të shkuara, ose më mirë të themi prej vitit 1945 deri 1990, Shqipëria numuronte 5 universitete, ku jepnin mësim ish-mësues që kishin marrë “gradën” e pedagogut, dhe që pergatitën mijëra mësues për brezat e rinj. Mësuesia ishte dhe mbeti një profesion i dashur i kërkuar nga maturantët e asaj kohe, dhe kjo duket në statistikat e studentëve që mbaronin këtë degë. Çdo vit universitetet tona deri para viteve 1990, nxirrnin mesatarisht 6 deri 8 mijë mësues të rinj për të gjitha ciklet dhe lëndët mësimore, ndërkohë që mosha mesatare e daljes ë tyre në pension ishte 50 vjeç për gratë dhe 55 vjeç për burrat. Kjo për faktin se mësuesit kishin dhe u vlerësohej roli, por dhe vështirësia në profesionin e tyre fisnik. Mësues kishte qyteti, por kishte edhe fshati më i largët malor, ndërkohë që kishte raste kur mësuesi nga Tirana emërohej në Has apo Vithkuq, Skrapar apo Mokër, dhe qëndronte atje për një periudhë të caktuar. Nuk mund të bëheshe nëndrejtor apo më lart akoma drejtor shkolle, në rast se ti nuk kishe e pakta 5 vjet pune si mësues, ndërkohë që kaloje nëpër disa “filtra” që lidheshin edhe me profesionin. Por vitet kaluan dhe ndryshimet politike në Shqipëri, natyrisht do të preknin edhe mësuesinë, pasi u prekën shkollat, universitetet, proceset mësimore në shkolla, nisën reformat rradikale, duke përfshirë edhe librin shkollor. Sot pas afro 25 vitesh, kemi një transformim rrënjësor të mësuesisë, fatkeqsisht të bërë jo nga specialistët e fushës, por nga aktorët e politikës, që shpesh nuk kanë patur lidhje fare me mësuesinë, dhe me arsimin. Në 25 vjet në sistemin tonë arsimor, janë kryer dhe implementuar, janë eksperimentuar dhe tjetërsuar, reforma të huazuara nga sistemi arsimor francez, italian, anglez, amerikan, gjerman, madje dhe kinez. Në procesin e reformimit të arsimit shqiptar, nuk ka mbetur pa futur “hundën” e tij asnjë kryeministër, duke referuar dhe porositur sikur të ishte “Zeusi” e duke lënë në hije specialistët . Gjithmonë në këto 25 vjet, çdo qeveri dhe çdo kryeministër, është marrë përgjatë gjithë mandatit, veçanarisht me arsimin. Duke gjetur rastin për të sulmuar paraardhësin e tij politik, gjithmonë ka gjetur një pretekst dhe është marrë me arsimin, me mësuesit. Sot figura e mësuesit është degraduar, mësuesi sot nuk ka rreputacionin dhe rëndësinë e dikurshme. Ai është lehtësisht i thyer, i fyer, i tallur nga nxënësi i tij, i cili ka një status të veçantë sot. Ministria e Arsimit, çdo 4 vjet nxjerr urdhëra, udhëzime dhe vendime të reja, që i japin dinjitet dhe respekt vetëm nxënësit, i japin prioritet vetëm nxënësit, tolerojnë vetëm nxënësin, dhe ndëshkojnë mësuesin. Mësuesit sot po shihen nga nxënësit si njerëzit që e kanë detyrim ligjor dhe institucional, të shpjegojnë mësimin, të durojnë maksimalisht fishkëllimën e nxënësit, celularin e tij, fjalët e tij banale, fyerjet dhe jo rrallë edhe ndonjë dorë të ngritur ndaj tij. Mësuesi pas këtyre situatave ( gjithmonë bazuar mbi udhëzimet e MAS viti 2012-2013) ka detyrimin ta qortojë, ta marrë pranë vehtes dhe ta afrojë e edukojë, ti kërkojë arsyen e sjelles së keqe në klasë, dhe kurrë të mos e ndëshkojë apo nxjerrë nga klasa. Në rast se kjo gjë hyn tek “edukimi nxënësit” dhe lartësimi dinjitetit të mësuesit, dakort. Por realiteti flet ndryshe. Sot në shkollat tona ka një shthurje pa kthim të nxënësve, një eufori të shfrenuar të tyre duke nisur nga klasat e ciklit të ulët, ku shpesh mësuesit i përmenden “të drejtat e fëmijëve, ankesa tek drejtori arsimit, dhe denoncimi në polici për fyerje”. Dy vjet më parë mësuesit u kthyen në dordolecër, pasi ata u pajisën me kartela dyngjyrëshe, nga njëra anë e verdhë, dhe nga ana tjetër e kuqe. Ideja ishte se kur nxënësi të prish mësimin ti nxirri kartelën e verdhë, kur vazhdon nxirri kartelën e kuqe, por vazhdo mbaje në klasë. Shpikje të tilla zyrtarët e MASH asokohe thanë se i parë gjatë vizitës në Danimarkë e vende të tjera nordike. Sa diletantë aq edhe të paditur. Por pavarsisht atyre që janë bërë me mësuesit, që duke i detyruar të japin mësimin pothuajse çdo ditë me nerva të tendosura, specialistët dhe profesionistët e arsimit duhet të hartojnë sa nuk është vonë një rregullore të veçantë që mbron dhe jo degradon mësuesit. Sondikata e Mësuesve pothuajse është inekzistente, anemike, dhe e keqpërdorur, gjë e cila me kohë ka krijuar mendimin tek mësuesit se “është shtojcë e çdo qeverie, dhe nuk mbron asnjëherë të drejtat tona”. Mësuesit duhet të rimarrin vendin që u takon, duhet të ringrejnë imazhin dhe dinjitetin, duhet të shihen si pasuri e çmuar, por edhe të selektohen nga të paaftët dhe abuzantët. Në dy dekadat e fundit, universitetet tona po nxjerrin mësues të dobët, dhe kjo verifikohet dhe konstatohet në shkollat ku ata gjejnë vendin e punës. Kjo është pasojë e defekteve të trashëguara nga fakultetet, ku shpesh student provimin e merr me lekë, ndoshta pa vajtur asnjë ditë edhe në leksione, por ky mbetet një problem që kërkon një vëmëndje të veçantë nga strukturat e tjera të MAS dhe shtetit. Duke u rikthyer tek mësuesit, mendoj se deri sot asgjë nuk është realizuar asnjë pikë e programit politik të asnjë partie që ka qeverisur këtë vend. Pavarsisht se kanë premtuar shumë për rolin dhe vendin e mësuesit, politika i ka përdorur mësuesit për fushatat elektorale, për tu marrë votat, dhe për ti vënë të parët pastaj në hanxharin e “reformave dhe largimeve nga puna”. Duke i dhënë dinjitet mësuesit i kemi dhënë më shumë dije nxënësit, më shumë partneritet dhe bashkëpunim mes tyre, ndërsa e kundërta do të sjellë jo larg një bilanc brezash me mungesë dijesh, pa dëshirën për tu shkolluar.

Filed Under: ESSE Tagged With: Artr Aiazi, Për më shumë, respekt për mësuesin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3950
  • 3951
  • 3952
  • 3953
  • 3954
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT