NGA HISTORIA E KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN/
Nga Frank Shkreli*
Ishte 12 prilli i vitit 1970, dita kur u hap zyrtarisht Kisha dhe Qëndra Katolike Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pikërisht në lagjen Bronks të New Yorkut. Ishte ky një rast historik, në të cilin — ndonëse komuniteti shqiptar në New York ishte shumë i vogël në krahasim me sot –morën pjesë sipas burimeve të medias së atëhershme mbi 600-veta, përfaqsues të tre besimeve fetare dhe nga të gjitha trojet shqiptare, si dhe përfaqsues të të gjitha organizatave politike dhe kombëtare të kohës. Gazeta e njohur amerikane, The New York Times, njoftonte lexuesit e saj për këtë ngjarje të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan– me një artikull të gjatë me fotografi nga Qëndra e re Katolike Shqiptare, të titulluar, “Kisha e Parë Katolike Shqiptare në Hemisferën Perëndimore” — “Për një qëndër fetare që sot është zemëra e një komuniteti ndër më të jashtzakonshmit që ka lindë në këtë qytet ndër vitet e fundit”, shkrunate gazeta New York Times prillin e vitit 1970.
Hapjen e kishës së parë katolike shqiptare në New York e përshëndeti edhe media shqiptare në mërgim, si revista Shëjzat, gazeta Shqiptari i Lirë, gazeta Dielli e të tjera. Revista Shëjzat drejtonte urimet e veta nga Europa me shprehjen se, duke u nisur thjeshtë nga “Pikpamja shqiptare dëshirojmë të theksojmë këtu vlerën e një orgnanizimi i cili në flakë e në dritë të fesë… synon të mbajë gjallë zakone e doke thjesht kombëtare, dmth të ruaj në vend të huaj pasuninë etnike të trashigueme nga të parët, pasuni që na lejon me u quajtë Shqiptarë në botë.”Duke i njohur meritat Mons Zef Oroshit për këtë realizim, Shëjzat shprehen se bashkë me qendrat simotra fetare myslimane dhe ortodokse të krijuara në Amerikë, edhe kjo qendër katolike shpresojmë se do të japi fryt për bashkarinë tonë aty të selitun, thekshet në shkrimin e revistës Shëjzat.
Ndërkaq, gazeta Shqiptari i Lirë, organ i Komitetit Shipëria e Lirë, komentonte se,“Kjo ngjarje kaq me rëndësi për bashkësinë shqiptare në këtë vend u bë e mundur së pari nga ardhja e mijëra katolikëve shqiptarë, të cilët të detyruar të braktisnin Atdheun nga terrori i kuq dhe pas vuajtjeve të gjata në vende të huaja, më në fund, patën fatin të vendosen në Amerikë ku me punë të ndershsme siguruan për vete një mirëqenje të plotë në liri dhe në paqë.” Shqiptari i Lirë shkruante se një faktor tjetër për realizimin e këtij qëllimi ishte ardhja meshtarit të njohur Dr. Zef Oroshi i cili i përkrahur nga një grup i ngusht idealistësh energjetikë dhe mbas përpjekjeve prej shumë vitesh, më në fund ia dolën dhe ndërtuan qendrën dhe kishën e parë katolike në Perëndim.
Duke përshëndetur të pranishmit në darkën madhështore që ishte shtruar me atë rast, Monsinjor Dr. Zef Oroshi tha se në kohë normale kur Shqipëria do të gëzonte lirinë, inaugurimi i kësaj kishe nuk do të ishte ndonjë gjë e jashtzakonshme, do të konsiderohej vetëm si hapje e një qëndre të rëndomt, nga një grup etnik në Shtetet e Bashkuara, i cili dëshiron të ruaj trashëgiminë e tij etnike, fetare dhe shoqërore. Por kjo nuk është një kohë normale për shqiptarët, tha Mons Zef Oroshi, duke shtuar se, “Pikërisht 25 vjetë më parë në Shqipëri, klerikët janë burgosur ose ekzektuar në masë, të gjitha kishat janë shkatërruar, janë mbyllur ose janë shtetëzuar dhe ata klerikë që ende janë gjallë, detyrohen të jetojnë në kampe pune.” Si rrjedhim i kësaj situate në Shqipëri, theksoi Mons Oroshi, “Kjo qëndër dhe kishë modeste është për katolikët shqiptarë si edhe për pjesëtarët e dy feve të tjera të shqiptarëve, një simbol i lirisë fetare dhe civile. Në këtë qëndër, gërshetohen dimensionet e idelave të një kombi, nderohen të gjithë ata të cilët dhanë jetën për ideale të tilladhe njëkohsisht shprehë falënderimet më të përzemërta ndaj vendit që na ka pranuar – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë për bazë bekimet e lirisë.” Prandaj, udhëheqsi i atëhershëm i katolikëve shqiptarë në Amerikë, Dr. Zef Oroshi premtoi me rastin e inuagurimit të Qëndrës dhe Kishës së parë Katolike Shqiptare, “Zoja e Këshillit të Mirë”,para 45 vjetëve në New York,se ajo qëndër do të “shërbejë për të gjithë si një simbol i lirisë së humbur në vendin tonë.”
Duhet theksuar se ishte kjo një periudhë kur lufta dhe krimet kundër Kishës Katolike në Shqipëri kishin arritur kulmin. Dhe jo vetëm mbrenda kufijve të Shqipërisë. Lufta e regjimit komunist të Enver Hoxhës kundër Kishës Katolike kishte arritur një absurditet pëmasash botërore. Inaugurimi i Kishës së parë katolike shqiptare në New York u realizua në një dekadë kur edhe Misioni i Shqipërisë komuniste pranë Organizatës së Bombeve të Bashkuara, i kryesuar në atë kohë nga Halim Budua, e kishte venë vehtes detyrën e kryezëdhënsit të urrejtjeve dhe shpifjeve ndaj Kishës Katolike, madje edhe nga podiumi OKB-ës. Ishte i vetmi delegacion që u largua nga salla e Asamablesë së OKB-ës kur për herë të parë foli para kësaj organizate një udhëheqës i Kishës Katolike, në personin e Papa Palit të VI. Prandaj është në këtë atmosferë që duhet shikuar rëndësia e inagurimit të kësaj kishe në atë kohë.
Përveç qindra pjesëmarrsve katolikë shqiptarë dhe të feve të tjera, në inaugurim morën pjesë vëllazërisht edhe udhëheqsit e komunitetit mysliman dhe ortodoks të shqiptarëve në Amerikë. Ndër të tjerë, Peshkopi Stephen Lasko dhe Imam Isa Hoxha, si dhe udhëheqsit e komunitetit të asaj kohe, Kryetari i organizatës Vatra Peter Chicos, Anthony Athanas, Abaz Kupi, Kryetari Komitetit Shqipëria e Lirë, Dr. Rexhep Krasniqi, Ago Agaj dhe udhëheqës të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan.Imam Isa Hoxha , në emër të Komunitetit mysliman shqiptar në Amerikë shfaqi urimet e tija më të përzemërta për atë që ai e cilësoi si këtë “Vepër të Shënjtë që i bëtë Atdheut, një vepër kjo që i takon çdo besimtari dhe atdhetari të mirë.”
Ndërsa Kryetari Vatrës, Peter Chicos përshëndeti inaugurimin e Qëndrës dhe të Kishës Katolike Shqiptare duke shprehur kënaqësinë që po merrte pjesë në hapjen e një qendre të re shqiptare në Amerikë, për më tepër në themelimin e Qëndrës së parë të shqiptarëve katolikë në Shtetet e Bashkuara. Ai tha me atë rast se, “Ju tani kini hedhur hapin e parë si grup, por pjesmarrja duhet të jetë si individë. Këtu të gjithë ne jemi shqiptarë në Amerikë. Si të tillë, është përgjegjësia jonë të punojmë, të kujdesemi për familjet tona, të pranojmë Amerikën si vendin tonë të ri, të bëhemi shtetas, të ruajmë dhe të kujdesemi për institucionet tona dhe të jemi të ndershëm duke qenë të denjë të vetes sonë si individë.” Ish-Kryetari i Vatrës u tha të pranishmëve se,secili prej nesh dhe kudo që jemi, duhet të jemi përgjegjës që të kultivojmë kulturën tonëkëtu në Amerikë dhe të luajmë rolin tonë në historinë e Shteteve të Bashkuara.”
Një udhëheqës tjetër i komunitetit shqiptaro-amerikan, Dr. Halim Begeja në fjalën e tij me atë rast, pasi vuri në dukje se regjimi komunist i Enver Hoxhës kishte prishur kisha dhe xhamia dhe se kishte shpallur Shqipërinë si vendi i parë ateist në botë, u shpreh se, “Sot këtu si shqiptarë me në krye vëllëzrit tonë katolikë, po i dëshmojmë botës mbarë se nuk është populli shqiptar ai që ka zgjedhë rrugën e ateizmit, por është një klikë komuniste, e cila me pushkë dhe me çdo torturë çnjerëzore është vërsulur kundër popullit shqiptar, me qëllim që ta xhveshi atë nga çdo besim dhe nga çdo traditë të bukur e të ndershme.”Duke thënë se hapja e qëndrës dhe kishës së re katolike në New York, — përveç rëndësisë fetare, kishte edhe një rëndësi tepër të madhe kombëtare — Dr. Halim Begeja iu drejtua me atë rast komunitetit katolik shqiptar në Amerikë duke theksuar rolin e këtij komuniteti në historinë e kombit shqiptar: “Prandaj motra dhe vëllëzer katolikë, ju zëni vendin e shkëlqyeshëm të historisë së Shqipërisë. Ju jeni bijat dhe bijtë e atyre që janë bërë fli për Atdhe e Fe: ju jeni bijtë dhe bijat e atyre që i kanë dhënë dritë e lulëzim Shqipërisë, e ju vet sot jeni po ata bija e ata bijtë që keni sakrifikuar gjithshkafen për të ruajtur lirinë e vërtetë të popullit shqiptar.”Dr. Halim Begeja vazhdoi duke thënë se, “Përpjekjet e katolikëve shqiptarë për lulëzim dhe përparim të racës sonë janë të lashta” duke shtuar se, “Mos harroni jo vetëm ju, por të mos harrojmë të gjithnë ne se shkollat e para shqipe janë nga ana e katolikëve shqiptarë….”, theksoi ndër të tjera Dr. Halim Begeja në fjalimin e tij.
Sipas Revistës së Qëndrës Katolike Shqiptare, “Jeta Katolike”, Qershor, 1970, ku u botuan shumica e fjalimeve dhe kronika me rastin e inuagurimit, thuhet se fjalime të shkurtëra me këtë rast mbajtën edhe Hirsija e Tij Peshkop Lasko, Z. Anthony Athanas, i cili thotë revista, ç’prej fillimit kishte qenë inkurajuesi dhe bamirësi më i mirë i qëndrës katolike shqiptare. Dr. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, që cilësohet nga revista katolike shqiptare gjithashtu si përkrahës dhe ndihmës i çdo nisme të mirë. Dr. Athanas Gegaj, i cili gjithnjë sipas revistes Jeta Katolike, ka përkrah me zell në faqet e gazetës Dielli nismën për qëndrën e parë katolike shqiptare në Perëndim. Siç duket pra nga pjesëmarrsit në këtë inauagurim dhe nga deklaratat e figurave më të dalluara të komunitetit shqiptaro-amerikan nga të gjitha trojet – ndërtimi i parë i Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë ishte gati si të thuash një prioritet kombëtar për komunitetin shqiptaro-amerikan pa dallim.
Ndërsa, i fundit foli aktivisti i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe anëtar i Këshillit të Kishës Zoja e Kshillit të Mirë, Zef Pashko Dedambi historikun dhe përpjekjet e komunitetit prej shumë vitesh, të cilat më në fund sollën realizimin e inuagurimit të Qendrës dhe të Kishës së parë Katolike Shqiptare në Amerikë, përfundoi duke thënë se, “Nëqoftse ndonjë herë do të shkruhet historia e Shqipërisë, ose më mirë e Diasporës Shqiptare, kjo çka po inuagurojmë sonte këtu, vëllëzër e motra, do të jetë pa dyshim një kapitull me rëndësi i asaj historie. Dhe i Përndershmi At Dr. Zef Oroshi — të cilit i kërkoj ndjesë nëqoftse për hir të së vërtetës mu desht ta përmend shumë herë në këtë fjalim — do të jetë figura qëndrore e atij kapitulli, duke e shquajtur edhe si apostullin e të mërguarve shqiptarë katolikë të shekullit të 20-tët”, përfundoi ai.
Ish-Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi ka dekoruarMons Dr. ZefOroshin (post mortum), me Urdhërin e Lartë “GjergjKastrioti – Skëndërbeu”.
Mons Zef Oroshi citohet të ketë thënë se, “Jemi një shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do të bëhemi dritë e madhe me shëndrit edhe vatrat tona të errësuara në Atdhe.” Kjo ishte një profeci që u realizua sepse ishte Dom Rrok Mirdita, pasardhës i Mons Zef Oroshit, i cilime tëarriturnëAmerikë, meenergjinëdhe meentuziazmin e tijsollinjëbashkpunimtëzellëshëm e tëfrutshëm. Ngaaifillim modest 45 vjetëmëparë,Dom RrokMirdita (aktualishtArkipeshkëviTiranësdheDurrësit)ikadhënënjëhovtëri jo vetëmveprimtarisësëQëndrësdheKishëssëparëKatolikenëAmerikë, veprimtariqëçoinëndërtimin e kishëssë re tani e quajtur, KishaZoja e Shkodrësdhe Qëndra Nënë Tereza. Kisha dhe QëndraKatolike Shqiptare në New York tani drejtohet nga Dom Pjetër Popaji cili me veprimtarinë e tij frymëzuese dhe të palodhur dhe duke u bazuar në binomin “Fe e Atdhe me Përparim”, trashëguar nga paraadhësit e tij – në këtë 45-vjetor të inaugurimit vazhdon të jetë qendër jo vetëm evleravefetareporedhevatër e promovimit tëpatriotizmit tëpastërshqiptar, të kulturës arbërore dhe të tolerancës ndërfetare këtu në Amerikë dhe në të gjithatrojet tona shqiptare në Ballkan.
*Për hir të së vërtetës duhet shënuar se autori ka shërbyer si Sekretari Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane dhe ka qenë anëtar i grupit redaktues të revistës ‘’Jeta Katolike Shqiptare’’, për periudhën 1971-1974.
NGA POLEMIKAT E KOLOSEVE – NOLI: LUFTEN NUK E HAPA UNE, POR FAIKU
NGA IDRIZ LAMAJ*/
Kush e hapi luftën?/
Faik Konitza bën një shaka pa kripë kur thotë që unë e paskam provokuar dhe ia paskam hapur luftën.. Ja faktet: Ay nisi me anën e Diellit një fushatë diskriminimi që në Janar të motit 1925 kundër shokëve të mi e kundër meje. Unë u-përgjegja në Shtator të motit 1925, domethënë tetë muaj pastaj.
Qellimi i Faik Konitzës
Lufta për diskriminimin e nacionalëve kishte një qellim të çkoqur: Të gatitë udhën për një fushatë të hapur në favor të tradhëtorëve. Tani Faik Konitza lot me kartëra të hapura: Çpifje dhe sharje kundër Nacionalëve të mundur, lëvdata të paturpëshme për tradhëtorët mundës.
Shakaja m’e bukur
Pas mendjes së Faik Konitzës, e paskemi tradhëtuar Shqipërinë aq sa dhe Ahmet Zogu, dhe Vatra s’kishte veç të zgjidhte midis dy grupesh prej tradhëtorësh. Natyrisht pra Vatra zgjodhi grupin e tradhëtorëve mundës S”kishte tjetër udhë! Mezallah! Cili ësht ai budalla që munt të thotë se Vatra munt të lëftonte që të dy grupet e tradhëtorëve, ose të hiqej me një anë dhe të mos kishte punë as me njërin grup as me tjetrin.
Katilë !
“Katilë këtej, katilë andej” bërtet Faiku, dhe konkludon që duhen përkrahur katilët mundës, që kanë fuqinë në dorë. S’ka udhë tjatër për Vatrën! Mëzallah! Cili ësht ai budalla që munt të thotë që Vatra s’ka asnjë punë me asnjë grup katilësh?
Një çap më tutje
Po Faik Konitza vete edhe një çap më tutje: I gjen të drejta të gjitha vrasjet që kanë bërë gjer die dhe që kanë për të bërë nesër tradhëtorët bashibuzukë. Të shkretët! Kanë të drejtë të mprojnë vetëveten pastaj kanë detyrë të mprojnë memëdhenë nga gjakderdhësit dhe prishësit e shtetit. Kështu, nesër kur të bëhet ndonjë vrasje e re, Faik Konitza do të na thotë që Ahmet Zogu kish të drejtë.
Rroftë Ahmet Zogu !
Pse jo? Ahmet Zogu pas mendjes së Faik Konitzës, ësht i zoti të na vrasë, na ka në dorë të na spastronjë kur t’ia dojë qefi, dhe me gjithë këtë na falë jetën nga shpirtma- dhësia. Pra, rroftë katili që s’na vret!
Ndofta për ekonomi
Po ndofta Ahmet Zogu bën ekonomi nga shkaku i krizës dhe nga që s’i teprojnë plumba për hiçër dhe për dordolecë. Faik Konitza vetë qan me lot për tre plumba të çmuar u-harxhuan më kot për një Ballkanik të humbur si Gurakuqi!
Një mënyrë që s’kushtonte
Puna munt t’ishte mbaruar pa harxhe pas mënyrës së Lynchit, ndjesë pastë kur ishim në Vlorë. Ah! sa do t’ish gëzuar zëmra e ëmbël dhe ëngjëllore e Faik Konitzës, sikur të kishin përfituar nga kjo rasje Vlonjatët! Po këta kanë qenë dhe janë të poshtër që nga kaikçiu m’i vogël gjer të Syreja be Vlora, sikundër ua ka thënë Faiku, dhe s’kanë zotësi për gjera, të cilat janë edhe të larta, edhe të bukura, edhe krejt të lira! Jazëk u qoftë, dhe më qafë e patshin mëmëdhen!
Ja një provë!
Puna e Vlonjatëve më kujton Gurakuqin, të cilin s’do kalorësi fisnik Faik Konitza t’a lërë të qetë as në varr, se s’ka gjë më bujare se sa të lëftosh kundër një kufome. Në një artikull të mëparëshëm kam thënë që Gurakuqi ka qenë më pak Italofil se Faik Konitza. Dhe ja një provë midis tjerash: Në kohën e Luftës së Vlorës, Faik Konitza s’ka lënë gjë pa thënë kundër Vlonjatëve në gazetat Italiane, kur Gurakuqi heshti dhe as u-dëgjua fare. Cili nga të dy kanë qenë më Italofil?
Gjakderdhës dhe tradhëtorë!
Më që erdhi fjala, duhet të shtojmë këtu që Faik Konitza ahere i shante dhe i fëlliqte botërisht luftëtarët Vlonjatë si gjakderdhës, si tradhëtorë dhe si prishës të mëmdheut, pikërisht ashtu si shan e fëlliq sot kumandarin e tyre me famë Qazim Kocullin!
Hiç e hiç
Po Qazim Koculli, sot i mundur, s’është hiç, pas standardeve të vendosura prej Zullulandit dhe të imponuara mi botën e qytetëruar. Gjithashtu s’është hiç, e hiç gjësendi dhe ay kolegu im, që i paska shkruar një letër të zemëruar Faik Konitzës. Natyrisht, njerës me vlerë, njerës të mëdhenj janë dallkaukët, rajenjët, larot dhe zaptitë. Dhe po t’i shtudiojmë punët me kritere historiani t’Afrikës, do të shohim që Faik Konitza ka plotërisht të drejtë.
Karamanjolla
Ky kolegu im, që s’dimë cili është, sikur t’a kish fuqinë në dorë, do t’i dërgonte në Karamanjollë të gjithë Shqiptarët! Pa fjalë, pa dyshim!. S’munt të ketë në Shqipëri njeri më të egër dhe më gjakpirës se ay, i cili goditë në një letër më të bukurin e më të bardhin ëngjëll të mirësisë dhe të butësisë, qe ka dërguar Qielli në këtë botë, – Faik Konitzën.
Hiç e gjakdherës!
Faik Konitza s’munt të më përjashtonte shumë kohë nga lista e hiçërve dhe gjakderdhësve. Po ky mjerimë nukë më ka mallëngjyer shumë. Përkundër, është një lumëri, se kështu s’ndodhem në rezik të identifikohem me ata që quan sot Faik Konitza, zemërmirë dhe shpërtimtarë të mëmëdheut!
Mosmirënjohës?
Qenkam jo vetëm hiç e gjakderdhës, po dhe mosmirënjohës. S’ia paskam njohur të mirat Ahmet Zogut! Për ca të mira që më paska bërë, kam patur rasjen të flas më parë dhe të tregonjë kujtve ua detyronj me të vërtetë. Më poshtë po flas për ato që më nëmëron tani Faik Konitza.
Deputet
S’ia detyronj aspak Ahmet Zogut që jam qasur si deputet i Vatrës në Parlament më 1921! Ja faktet e thata që munt t’i kontrollonjë cilido në rekordet e Parlamentit: U-qasa si deputet i Vatrës në Parlament me një zë, kur shumica e deputetëve ishin kundërshtarë t’Ahmet Zogut, dhe në mos lajthitëm, nj’a dy a tre deputetë vetëm abstenuan nga votimi.
Pension?
Pensionin m’a votuan shumica e deputetëve të shoqëruar me të quajturën “klikë” dhe disa nga kundë- rshtarët e Ahmed Zogut, kur një pjesë e madhe e Ahmedi-stëve votuan kundër. Pensioni nukë do të kishte fituar shumicën, sikur të mos kishin votuar në favor disa nga kundërshtarët e aherëshëm. Kjo gjë ngjau kur Ahmed Zogu kishte një shumicë Parlamentare shtypëse. Tani të shohim ç’është ky pension. Pas rekordeve të Parlamentit, këtë pension munt t’a mar kur të mos jem as në shërbim të shtetit as në shërbim të Kishës, domethënë pasi të vdes!
Ministër
S’kam patur, as kam, ambicje për fushën politike, në të cilën jam zvarnisur gjithnjë me pahir a me gjysmë zemër i shtërnguar prej Vatrës, prej shokëve dhe nga ndjenja e detyrës. Në Lidhjen e Kombeve kam vajtur gjithnjë, i shtyrë pothua me një zë prej shokëve dhe kundërshtarëve. Kam akseptuar keyeministrinë, se s’muntnja të hiqesha nga vallja me nderë e pa dezertuar shokët. Kam refuzuar: 1) Kryesin’ e përfaqësisë në Paris, që m’a proponoj Mehmet Konitza më 1920; 2) Përfaqësin’ e Londrës dhe të Parisit, që m’i proponoj Ilias Vrioni me 1921; 3) Ministrin’ e Punëve të Jashtme, që m’a proponoj prap Ilias Vrioni më 1921; 4) Gjith atë Ministri kur m’a proponoj Hasan Prishtina me 1921.
Kam qenë në shërbim të Vatrës, si delegat, tre vjet e nj’a dy muaj, që në prill 1921, gjer në Korrik 1924, dhe dy vjet si kryetar i saj me 1915-1916 dhe më 1917-1918. Si kryetar i Federatës s’munt të thuhet që mernja rogë, se kjo rogë s’ishte veç një indemnitet për rogën që humbisja nga Kisha. Kam marë pra rogë vetëm si delegat, sa nuk munt të numërohen si rogë parat që na vuri në dispozitë Vatra për fushatën elektorale, a për fushatën e Kishës Prishtina më1921. – Refuzova prapë gjith’ atë Ministri, kur m’a proponoj Xhafer Ypi në emër të Klikës, jo të Ahmed Zogut; e akseptova vetëm pas më ranë në qafë shokët, veçanërisht Mehmet Konitza, dhe pasi e mbajta nj’a dyzet ditë, dhash dorëheqjen. Tani kam vetëm një ambici të gjallë, ambicien të shërbenj në fushën letrare.
Vatra dhe unë
Pas mëndjes së Faik Konitzës, i paskam qenë mos-mirënjohës dhe Vatrës, e cila më përkrahu me fonde, makar me “pasurira të vërteta”, të vëna në dispozitën t’ime. Nga ana tjatër, qenkam tallur me Vatrën, se s’kam realizuar asnjë nga idealet e saj dhe s’i kam dërguar letra veç për të kërkuar para dhe para. Do t’i mar me radhë këto të gjitha. Do të bënj një përqasje midis Faik Konitzës dhe meje, me qenë se kemi qenë në shërbim të federatës po thua me një cilësi, po thua me ato mjete, dhe do të shohim a ka të drejtë, të paktën Faik Konitza, të më kritikonjë sa për këto pika.
“Pasurit’ e vërteta” kombëtare. Faik Konica ka qenë delegat i Vatrës përpara dhe pas luftës për një kohë pothua më të gjatë se unë me rogë, dhe katër pesë vjet; kryetar i saj me rogë. Le t’a bëjnë pakëz hesapin dhe letë shoh cili prej të dyve ka marrë më tepër rogë nga Vatra. Në qoftë se Faik Konica insiston të nëmëronjë në hesapin tim dhe subve -ncionet e Vatrës për fushatën elektorale dhe për Kishën kombëtare, ahere jamë i shtërnguar t’a ftonj të bëhet deputet dhe Myfti, të marrë nga Vatra ato subvencione që kam marrë unë, të vejë në Shqipëri të lëftonjë në Parlament e në zgjedhjet, të dërsinjë për të themeluar një Xhami kombëtare dhe pastaj të më thotë a i pëlqen ky sport dhe a është punë qefi të marësh një subvencion për të hyrë në dy fole prej grerzash të ndryshëm.
Ç’kemi bërë ?
Me paratë që më ka vënë në dispozitën Vatra – dhe këto do të bënte mirë t’i nëmëronte Faiku – nukë mburrem aspak që diç kam bërë. E vërteta është që s’kam bërë hiç, ose më mirë kam bërë një vërë në ujë. Po nukë besonj që Faik Konitza të mburret që ka bërë më tepër se unë në shërbim të Vatrës. Mburrem ve vetëm që jam përpjekur diç të bënj dhe ketë s’munt t’a mohonjë askush, se përpjekjet e mia janë tani kaptina të historisë kombëtare dhe s’munt t’i nxjerë s’andejmi as poshtërsia, as çpifja, as mosmirënjohja, as lehjet e zbrazëta të larove. Nukë besonj që Faik Konitza të mburret që përpjekjet e tij si delegat e kryetar i Vatrës, kapërcejnë të miat. Këtu pra jemi barabar.
Raporte
E vetëma punë që kemi bërë, si Faiku si unë, kur ishim delegatë, ishte të shkruarit e raporteve. Këto ndodhen në arshivat e Vatrës. Le t’i nëmëronjë Faik Konitza, lë t’i peshonjë raportet e tija nga njëra anë dhe të mijat nga ana tjetër, dhe pastaj lë të më thotë cili prej nesh e ka mbajtur Vatrën të informuar më rregullisht e më hollësisht.
Jo Faik Konitza
Ka ca patriotë, të gjallë a të vdekur, që kanë punuar dhe janë përpjekur, pa subvencion të veçantë nga Vatra, brënda, në Shqipëri shumë më gjatë se unë, në kondita më të zorshime. Ata që janë të gjallë munt të kenë të drejtë të më kritikojnë që s’kam lëftuar tamam, aqë sa duhej pas xhepaneve që më dha Vatra. Po jo Faik Konitza, i cili ka patur gjithato xhepanera dhe i cili s’munt të më provonjë fairly që ka çpuar një vërë në ujë më të madhe se timen.
Çkatërrimi i Vatrës
Vatra një herë ka qenë me tre mijë gjer katër mijë anëtarë; po nën administratën e Faik Konitzës ka zbritur në ca qindëra të paka, dhe puna s’ka për të qëndruar as këtu. Nga këto të paka qindëra anëtarësh Faik Konitza tani paska ndër mënt të nxjerë jashtë, të pakën gjysmët dhe t’a qëronj Federatën nga të gjithë gjëmbat. Kështu të mbeten vetëm të saktët dhe besnikët! Sa për buxhetin dhe të ardhurat, për këto s’e ha mëllefi fare dhe ka të drejtë. Posa Vatra u bë një agjenci e hyqymetit dhe Dielli një organ dallkauk i Mydyrit të Pashiqit, e do e drejta që harxhet t’i heq të gjitha hyqymeti, i cili s’kursen para për zyrat e propagandës, për spiunët e për larot. Po aherë Vatra është e vdekur si një shoqëri independente, dhe çudia është që paska në Amerikë ca vatranë të lumtur që s’e kanë kuptuar akoma. Jazëk, jazëk!.
Lufta fetare
Fanatizëm fetare të vërtetë në Shqipëri s’ka. Këtë gjë e kanë dëshmuar të gjithë të huajtë që na njohin mirë. Këtë gjë e kemi parë dhe vetë me sy. Po të huajtë që s’na njohin mirë nukë mundin të kuptojnë qysh munt të bashkohet kombi shqiptar, i ndar në fe të ndryshme dhe këtë argument e përdorin armiqtë tanë për të mprojtur thezën e copëtimit të Shqipërisë. Lufta fetare pra që ka hapur Faik Konitza me anën e “Diellit” munt të sherbenjë vetëm për këtë qellim: Të provonjë me gojën e Shqipëtarëve që armiqtë tanë kanë të drejtë.
Gogoli bolshevik
Në Shqipëri s’ka asnjë lëvizje bolshevike a probolshevike, se s’ka asnjë komunist a bolshevik për dërman. Po armiqëve të Shqipërisë u jep dorë të thonë që ka, dhe kështu me ndihmën e gogolit bolshevik të arrijnë qëllimin e tyre satanik për të copëtuar Shqipërinë, gjoja për të shiguruar paqën në Ballkan. Faik Konitza, dyke çpifur që ka Shqipëtarë bolshevikë e pro-bolshevikë, i bënë Pashiqit sherbimin më të çmuar dhe forcon thezën e armiqëve tanë për copëtimin e Shqipërisë.
Triumfi i Legalitetit
Pas mëndjes së Faik Konitzës tani, çdo tradhësi e zezë munt të zbardhet me robën e pseudo-legalitetit. Në këtë mënyrë psudo-legale u-shit Shën Naumi; me këtë mënyrë psudo-legale u-shitnë pasurit’ e Shtetit për dhjamë qeni; me këtë mënyrë psudo-legale plaçkitet arka e shtetit dhe populli; me këtë mënyrë psudo-legale një mydir i Pashiqit bëhet sot president i Republikës arnaute, dhe më këtë mënyrë pseudo-legale copëtohet nesër Shqipëria. Çudia është që Faik Konitza, në protestën e Vatrës për çështjen e Shën Naumit çfaqte një pikëpamje krejt të ndryshme.
Sulltan Hamidi
Faik Konitza na thotë që Ahmed Zogu është m’i mirë se Sulltan Hamidi, se qenka Shqiptar, sikur Myfid Libohova nuk është shqiptar nga raca. Po ç’ka të bënjë gjaku shqiptar, kur mungon ndjenja kombëtare e patriotike? Pashiqi, kur bërtisnin disa deputetë serbë kundër krijimit të një shteti shqiptar independent, u-përgjeq fare bukur: “Mos u-mërzini, se Shqipërinë independente do t’a prishin vetë Shqiptarët”. Die Esadi, Sot Ahmed Zogu! Sa për gjuhën shqipe, që përdoret si gjuhë zyrtare, gëzohemi, po jemi të shtërnguar t’i vëmë fre enthusiazmës sonë, se fryma e asaj gjuhe ësht’ e huaj. Dhe “Dielli” botohet shqip, dhe në një shqipe më të mirë, po fryma ësht’ e Belgradit.
Gazetës “Imigranti”, 27 Shkurt, 1926.
Shenim: Në gazetën “Imigranti” u botua në vazhdime një shkrim i gjatë i Nolit me titull: Përgjegje “Diellit”; Nga ai shkrim sollëm vetëm disa fragmente të zgjedhura.
* * *
Gazeta “Imigranti”
Numri i parë i gazetës “Imigranti” doli në qarkullim me 26 shtator të vitit 1926 dhe përfundoi me 31 korrik 1926. Gjithëseit u botuan 41 numra. Kryeredaktor ishte Petro Kolonja dhe editor Qerim Panariti. Programi i gazetës ishte ky:
“Do të përpiqet që të jetë, për së pari, një gazetë e lirë e Shqipëtarëve të Amerikës dhe prej Shqipëtarëve të Amerikës”. Kjo gazetë kishte edhe një Pleqësi që kryesohej nga Kristaq Polena, arkëtar Ilo Pano, sekretar Rexhep Koburi, dhe disa zyrtarë të tjerë. Që në fillim kuptohet se pas kësaj gazete ishte një grup i fortë vatranësh pronolist, i cili me anë e këtij organi filloi fushatën e ashpër kundër Faik Konicës dhe pasuesëve të tij në gjirin e “Vatrës”. “Imigranti” e mbrojti Nolin dhe kauzën e tij politike deri në fund. Aty, redaktorët botuan shkrime të ashpra kundër Konicës dhe qeverisë së Zogut. Në mars të vitit 1926, Panariti, kritik i rrebtë kundër Konicës, kthehet me “Vatrën” dhe fillon të shkruaj për gazetën “Dielli”. Në atë rast, Konica shkruan për Panaritin:
“Z. Qerim Panariti është një student që ka shkrojtur shumë herë kundër meje; po sikur dy herë më tepër të kishte shkrojtur, unë i quaj gjëra për të harruar, nga shkaku i sherbimit që po i bën publikut shqipëtar duke zbuluar qellimet e vërteta të asaj flete. Kundërshtar imi, po jo kundërshtar i Shtetit, z. Qerim Panariti u-hoq nga ay grup posa kuptoj se mendimi i fshehtë i lëvizjes ish për dëm të Shqipërisë… ”. ( “ Dielli ” , 23 mars, 1926 ).
Kryetari i “Vatrës”, Konica, kërcnon përkrahsit e Nolit dhe këshillon Konsullatën e Shqipërisë në Boston të njoftoj autoritetet policore shqiptare mbi rrezikëshmërinë e tyre. Sipas themeluesit të “Imigrantit”, z. Kolonja, gazeta u mbyll “për arsye të lëkundjes politike të shokëve që financonin gazetën”.
Polemikat e ashpra të kësaj gazete me “Vatrën” e Konicën u shfrytëzuan me mjeshtri nga propaganda e rregjimit komunist pas ardhejs në pushtet. Nga ato polemika fillon ç’përfytyrimi i realitetit historik, krijohet figura e “antikombëtare” e Faik Konicës dhe figura “revolucionare” e tipit bolesheviko-komunist e Nolit.
50 vjet më vonë, drejtusi i gazetës “Imigranti”, që drejtoi polemikat më të ashpra kundër Konicës shkruan: “…Na u duk se Faiku na tradhëtoj’ Peshkop Nolin e i u bëmë kundërshtar. Po duke vazhduar punët, mua mu mbush mendja se ishim në gabime. Faiku shkrojti në Diellin shpjegimet bujare dhe të larta për Nolin dhe veprimet e tij në Shqipëri dhe fajet ja u-ngrakoj shokëvet e jo Peshkpoit – dhe i foli haptazi demokratikisht kur tha:”…Zogu na mundi… dhe tani le të vërejmë për të ardhmen”. – Me vijin nër- mënt kablogramet urimesh që i dërgoj Zogut që shpetoj nga ate- ntatet që iu bënë me gjithqë ishte kundërshtari më i rreptë i tij. Këto e të tjera vërejtje me bintnë një herë e përgjithmonë që Faiku i rreptë lëftonte me kalem e jo me pushkë, provonte që ishte me të vërtetë demokrati më i shquar që pat Shqipëria…”. (Faik Konica 1876-1976, Seminar studimesh, New York, 1997, fq. 54 ). Kolonja shkruan gjithashtu: “ Faiku na bëri qesharak për dallaveret që i bëmë ”.
*Marrë nga Libri i Idriz Lamajt” Për Vatrën dhe Vatranët”, New York, 2014. Nuk lejohet kpojimi pa lejen e autorit.
Pse VATRA kërkoi mandatin amerikan në Konferecën e Paqes më 1919?
Nga Prof. Dr. Abdullah Karjagdiu*/
Para më se nëntëdhjetë e katër vjetësh, në Konferencën e Paqes në Paris dhe pas saj, si diplomatët shqiptarë ashtu edhe emigrantët shqiptarë në Amerikës, i hynë një fushate të rrallë për të siguruar mandatin amerikan mbi Shqipërinë. Arsyet e tyre ishin të qarta: pas Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915, pas vendosjes së pushtimit italian në Vlorë, akuzave e kërcënimeve të fqinjëve, Luftës së Parë Botërore dhe pas disa lajmeve “jo zyrtare” për reduktimin e mëtejmë të territorit të Shqipërisë londineze, shqiptarët e brengosur shihnin te Amerika dhe te presidentit i saj Uilson, shpresën e vetme për një lloj garanti për pavarësi.
Ç`është e vërteta, kërkesat e përpjekjet e shqiptarëve për të siguruar interesimin, vëmendjen, ndihmën dhe angazhimin amerikan për çështjen shqiptare, kishin filluar që në dhjetëvjetëshin e parë të shekullit të 20-të, në të përkohshmet e shqiptarëve të Amerikës, si “Kombi”, “Dielli”, “Trumpeta e Krujës” dhe disa të përkohshme të tjera në gjuhën shqipe, anglishte apo në të dy gjuhët. Ndërkaq, kur doli në dritë e përkoshmja “The Adriatic Review” (Revista e Adriatikut), më 1918, ishte njëra ndër fazat më të ndieshme të vendosjes së ardhmërisë së Shqipërisë. Në numrin e parë të revistës, në hyrjen e saj vihet në pah se revista në anglishte synon të paraqesë çështjen e shqiptarëve të Amerikës. Qëllimi i revistës, shkruan në vëzhgimin hyrës, është, “ta bëjë të njohur çështjen tonë në botën amerikane dhe evropiane, veçanërisht në një kohë kur armiqtë tanë shpifin dhe shfryjnë në të katër anët kundër nesh”. Brenda një kohe të shkurtër, “Revista e Adriatikut”, u bë përnjëmend organi më efikas i kërkesave, aspiratave dhe idealeve të shqiptarëve të Amerikës.
Në numrin e shtatorit (1918), të revistës në fjalë, delegati i Vatrës në Londër, Mehmet Konica, boton apelin në anglishte “Një thirrje miqve amerikanë”, në të cilën pasi përmend padrejtësinë dhe hilen e parë që ua bëri Evropa shqiptarëve në Kongresin e Berlinit, kur me qëllim që ta dobësonte Turqinë, i dha trojet shqiptare si peshqesh Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë, pasi e stigmatizon mëkatin tjetër të Evropës, kur ajo, si thotë “e sakatoi” Shqipërinë më 1912, ai rikujton përkrahjen morale të Amerikës që ajo ua dha shqiptarëve në vitet e shkuara. Mehmet Konica e shfaq mirënjohjen e tij ndaj amerikanëve për hapjen e shkollave për shqiptarët, pa ndërhyrje të propagandës, ai pohon se “shqiptari, është demokrat në zemër sepse ka një mirëkuptim demokratik, meqë ai beson se njeriun, para se gjithash, duhet respektuar dhe trajtuar si të barabartë, pa marrë parasysh pozitën e tij shoqërore”. Më pas, ai paraqitet me propozimin se Shqipërisë i nevojitet një mandat protektorati për ta konsoliduar pavarësinë e saj. Por, shkruan ai, prorektorati mbi Shqipërinë nga çdo fuqi që ka interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri, është, “kolonizim, cënim i të drejtave kombëtare dhe shfrytëzim ekonomik”. Sipas mendimit të tij, vetëm protektorati amerikan mund t`i ndihmojë Shqipërisë “Sido që të jetë”, përfundon ai apelin: “Është dëshirë unanime e shqiptarëve, që t`i drejtohen Amerikës për ndihmë dhe ta lusin atë për të vënë mandatin mbi Shqipërinë për një periudhë pesëvjeçare, në mënyrë që vendi të ketë kohë për t`i aktivizuar të gjitha fuqitë e tij organizative”.
Pastaj, më 4 janar të vitit 1919, Federata Panshqiptare Vatra, në një mbledhje të saj të jashtëzakonshme, miratoi një rezolutë me të cilën i bëri apel SHBA-së që të angazhohet për ruajtjen e shtetit të pavarur shqiptar dhe të dislokohen ushtarët amerikanë në ato troje, ku popullsia shqiptare është në shumicë, në mënyrë që me kalimin e kohës, të organizohet një referendum i lirë me qëllim që banorët të vendosin se në cilin shtet duan të jetojnë. Kjo rezolutë dërguar Robert Lansingut, shefit të Stejt Departamentit mbase mund të merret fillim i fushatës për mandatin amerikan mbi Shqipërinë. Si shkruan B. Meta, në studimin e tij “Federata Panshqiptare Vatra”, Telford Eriksoni, delegati i nderit i Vatrës, e paraqiti në konferencën e paqës variantin më të plotë për mandatin amerikan. Duke e mbrojtur të drejtën e Shqipërisë për pavarësi dhe për të drejtën e saj për përzgjedhjen e mandatorit, ai më parë e quajti të padrejtë imponimin e kufijve të padrejtë Shqipërisë më 1913, më pas e sulmoi dhe e denoncoi Traktatin e fshehtë të Londrës, të nënshkruar nga katër fuqitë e Antantës më 1914, ndërsa njëherësh pushtimin e Vlorës nga Italia dhe përpjekjet e Italisë për t`u bërë mandator mbi Shqipërinë, i quajti si kërcënim për paqen. “Për shkak të këtyre proçkave”, deklaroi Eriksoni, shqiptarët kanë humbur besimin si tek evropianët e Antantës ashtu edhe te fqinjët e tyre. “Shqiptarët, do të bëhen pararoja e propagandës gjermano-austriake. Ata do të bashkohen, shkruan B. Meta me të gjitha forcat që luftojnë me shpresën për të rifituar pak nga pak atë që iu është marrë me forcë padrejtësisht. Ose më keq, si Samsoni i verbër, ata do të kërkojnë të përmbysin gjithë godinën ballkanike.”
Me miratimin e draftit të Konventës së Lidhjes së Kombëve për të drejtën e shteteve për t`u bërë mandator, Shqipëria u bë vendi i parë të cilit i nevojitej mandati amerikan. Me kërkesën e tij drejtuar kryesuesit të Lidhjes së Kombeve, Zh. Klemansos, delegacioni shqiptar, në krye të të cilit atëherë ishte Turhan Pasha, në fillim të marsit të vitit 1919, i vetëdijshëm se ka jo vetëm pëlqimin e Dërgatës shqiptare të Turqisë, të Shoqërisë Shqiptare të Bukureshtit, të Komitetit të Lozanës, po edhe përkrahjen e qarqeve të tjera patriotike, i drejtohet SHBA-së me kërkesën që të bëhet mandatore e Shqipërisë, duke deklaruar se: “Vetëm një komb mund të bëjë një vepër kaq fisnike në Ballkan: SHBA. Nën mbikëqyrjen dhe përkujdesjen e Amerikës, Shqipëria, pika e dobët e Ballkanit, duhet të shndërrohet në një element të fortë të paqes dhe të stabilitetit, në saje të mbikëqyrjes morale. Afria dhe prania e Amerikës do të jetë një mjet i sigurt për jetësimin e idealeve të reja në zemrat e helmuara të popujve të Ballkanit që i bëjnë rrëmujë në luftërat e pandërprera.” Në kërkesën për mandat, më tutje vihet në dukje se Amerika, me kompetencën e mandatores së Shqipërisë, do të jetë në gjendje të ushtrojë një ndikim shumë të madh arsimues, kulturor, politik, shoqëror dhe ekonomik në shtetet e Ballkanit. “Po kështu”, theksohet në kërkesë, “emri i Amerikës do të jetë garant. Nën mbikëqyrjen amerikane, begatitë e mëdha të Shqipërisë, do të zhvillohen plotësisht, kurse shpirti luftarak, do të shndërrohet në një shpirt plot zellë për veprimtari si të fillojë Amerika të nxisë zhvillimin tregëtar, industrial dhe ekonomik të Shqipërisë”. Veç kësaj, me propozimin e kryetarit, të delegacionit shqiptar Turhan Pashës, kërkohet që mandati amerikan të përfshijë si Çamërinë e okupuar nga ushtria greke, ashtu edhe trojet shqiptare të Veriut e të Lindjes, të aneksuara nga serbët dhe malazezët. Gjatë mandatit amerikan, popullata e këtyre trojeve, do të ketë të drejtë të organizojë plebishit. Me këtë rast, thuhet se Amerika, s`do të ketë nevojë për të bërë shpenzime për mbrojtjen e Shqipërisë, sepse mbrojtjen do ta organizojnë shqiptarët. “Mirëpo”, shkruan në kërkesë, “ajo që i nevojitet Shqipërisë, janë udhëzimet dhe këshillat e dobishme, nga një anë, dhe organizimi e përparimi i shoqërisë shqiptare, nga ana tjetër. Neve s`na merr mendja se ka ndonjë komb tjetër që do të mund të kryente këtë emision më mirë se SHBA-të”.
Ndërkaq, me “Kërkesën e përsëritur për mandatin amerikan” të botuar në “Revistën e Adriatikut”, në prill të vitit 1919, delegacioni shqiptar kërkon, së pari, që ndërhyrja italiane në Shqipëri të ndërpritet sa më parë; së dyti, kërkon organizimin më të mirë të Shqipërisë; së treti, kërkon këshillat amerikane për rindërtimin demokratik të vendit; së katërti, delegacioni shqiptar kërkon që të ketë këshilltarë në çdo dikaster të qeverisë; së pesti, kërkon që Amerika të ndërtojë një avanpostë në Shqipëri, prej nga, në tërë Ballkanin do të përhapen vullneti i mirë, sinqeriteti dhe idealet e reja, me qëllim të çrrënjosjes dhe shkatërrimit të tendencave të dëmshme dhe të prapambetura, dhe, në vend të tyre, të përhapen miqësia e re, respekti i ndërsjell dhe pajtimi mes ballkanasve. Në kërkesën e delgacionit shqiptar, shtrohen edhe disa mëdyshje në formë pyetjesh të këtilla: “A do t`i shmangët Amerika këtij misioni fisnik? A do të pranojë ajo që Ballkani të mbetet përherë vend i konflikteve të përhershme raciale dhe kështu të jetë një rrezik konstant për paqen në Evropë?” Në kërkesë përmendet fakti se kombet e Ballkanit deri në atë kohë ishin kridhur në përleshje të përgjakshme vëllazërore. “Dikush duhet t`ua mësojë atyre”, shkruan në kërkesë, se “mirëqenia dhe prosperiteti i një kombi nuk mund të lartësohet nga fama e kotë e luftës, po nga arritjet dhe sukseset e lavdishme në paqe. Cili vend është më kompetent për këtë mision se SHBA?”
Njëherësh, në kërkesën e delegacionit shqiptar refuzohet mandati italian mbi Shqipërinë, me gjithë interesimin e Italisë për këtë mision. “Populli shqiptar”, përfundon kërkesa, “mendon njësoj se ky mandat duhet t`i jepet SHBA-së për një periudhë të shkurtër. Është mëse e qartë se SHBA-ja do ta kryejë këtë mision vetëm me autoritetin e saj moral, pa shkaktuar konflikte mes shteteve ballkanase”. Nëse Amerika e refuzon kërkesën, atëherë Konferenca e Paqes mund t`ia japë këtë emision vetëm asaj Fuqie e cila s`ka interesa të drejtëpërdrejta në Shqipëri.” Mirëpo, redaksia e revistës “Revista e Adriatikut”, nuk është dakord me delegacioin shqiptar lidhur me qëndrimin e tij ndaj Italisë, prandaj, duke dhënë disa vërejtje pohon se në kohën kur Shqipërinë e injoruan si fuqitë e mëdha ashtu edhe Konferenca e Paqes, vetëm Italia i ndihmoi Shqipërisë; veç kësaj, ajo ia njohu Shqipërisë “të drejtën për vetëvendosje, duke i lejuar kuvendit të saj kombëtar që të shpreh lirisht vullnetin dhe aspiratat e popullit shqiptar. Italia është i vetmi vend në Konferencën e Paqes, që e mbrojti rikrijimin e Shqipërisë me kufijtë e saj etnikë e jo me kufijtë artificialë të Konferencës së Londrës të vitit 1913. Sidoqoftë, ajo që u nevojitet shqiptarëve, thuhet në komentin e revistës, është fryma e re dhe idealet e reja të popujve ballkanas. “Por, vetëm Amerika mund të marr përsipër misionin e mbjelljes së farës të epokës së re në Ballkan. Vallë a do të marrë ajo përsipër këtë misioni?”
Veç kësaj, edhe disa amerikanë, tanimë të njohur si miq të popullit shqiptar, jo vetëm që treguan interesim për çështjen shqiptare, po edhe i përkrahën kërkesat shqiptare si në sensibilizimin e çështjes shqiptare ashtu edhe kërkesat e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Kështu, në mitingun e madh të shqiptarëve të Amerikës në Nju Inglend, në janar të vitit 1919, ish ambasadori amerikan në Greqi (i cili e kishte mbrojtur kauzën shqiptare që më parë), duke marrë fjalën në miting tha se SHBA do të përkrahë kërkesat e shqiptarëve në Konferencën e Paqes dhe në Lidhjen e Kombeve. Në mitingun e organizuar nga shqiptarët e Amerikës, në shkurt të vitit 1919, e mori fjalën Xh. Boulldvin, mik i sprovuar i shqiptarëve, i cili e mbrojti çështjen shqiptare duke i mbështetur kërkesat e tyre. Më 1919, V. Hauell, sekretar i Fondit për Ndihmë Shqipërisë dhe dashamir i shqiptarëve, botoi në revistën “Veprimtaria e krishterë” vëzhgimin me titull “Një Republikë Amerikane në Evropë”. Duke treguar një simpati të veçantë ndaj shqiptarëve, ky autor doli me këto propozime të adresuara presidentit Uilson: 1. Pikë së pari, presidenti Uilson, duke u marrë vesh me aleatët e SHBA është e udhës të shpallë Republikën e Shqipërisë; pastaj, Amerika, lypset t`i japë Shqipërisë të njëjtat garanci dhe ndihma që i ka dhënë më parë Kubës dhe Filipinës; së fundi, duhet të formohet një qeveri vendore shqiptare, përfaqësuesit e së cilës është me vend të përzgjidhen brenda mundësive nga shqiptarët e Amerikës. Nga ana e tij, Kost Çekrezi, përfaqësues i “Vatrës” në SHBA, u përpoq të aktualizonte kërkesën e shqiptarëve të Amerikës për të siguruar mandatin amerikan mbi Shqipërinë. Ai pati një bisedë të gjatë edhe rreth kësaj çështjeje me zëvendës-sekretarin amerikan për Punët e Jashtme, Xh. Filips, i cili i premtoi Çerkrezit se Amerika do të mbajë një qëndrim miqësor ndaj kërkesave aktuale të Shqipërisë. Me këtë rast, kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme i Senatit, senatori Hiçkok, e vuri në dijeni K. Çerkezin se kërkesa e shqiptarëve të Amerikës për mandatin amerikan, do të shqyrtohet patjetër në Senat.
Mirëpo, ndër të gjithë amerikanët që e përkrahën çështjen shqiptare, Telford Eriksoni e paraqiti propozimin më të mirë rreth mandatit amerikan. Memorandumi i tij mban titullin: “Gjashtë arsye për të cilat Amerika duhet të bëhet mandatore e Shqipërisë” (Paris 1919). Do thënë menjëherë se arsyet e Eriksonit ishin jo vetëm të argumentuara por edhe logjike dhe bindëse. Arsyeja e parë e tij është fakti se Amerika hyri në Luftën e Parë Botërore për hir të parimeve morale. Një ndër parimet morale i mbron popujt e vegjël dhe të pambrojtur nga agresori i fuqishëm. E pikërisht për hir të këtij parimi mund ta mbrojë Shqipërinë Amerika, “në mënyrë që ta shpëtojë popullin, i cili u kishte bërë ballë rrebeshëve historike për më se 2 mijë vjet”. Arsyeja e dytë ishte se Serbia dhe Greqia mbanin nën pushtimin e tyre trojet me popullatë 90% deri 100% shqiptare. Së këndejmi, vetëm Amerika do të kryente obligimin e Konferencës së Paqes si për mbrojtjen e të drejtave kombëtare ashtu edhe zhvendosjen e kufijve mbi baza etnike. Arsyeja e tretë ishte se Amerika kishte për obligim t`i dalë zot e t`i ndihmojë popullit shqiptar të kanosur e të rrezikuar, se përndryshe ishte rrezik që ky popull të shfaroset nga fqinjët. Arsyeja e katërt ishte se Europa ende besonte se amerikanët janë një popull materialist dhe interesaxhinj, i cili mund të përfitojë nga ky rast për të vendosur superioritetin ekonomik në botë “si fuqi mandatore në Ballkan”, ku Europa e kishte ngatërruar lëmshin aq shumë saqë kishte shkaktuar ndasi, përqarje, urrejtje, mjerim dhe gjakderdhje. Prandaj, mandati amerikan, me rastin e Shqipërisë, jo vetëm që do t`i ndihmonte pavarësisë së saj, por do të nxjerrte këtë komb nga varëfëria dhe prapambeturia dhe do t`ia siguronte një standard dhe prosperitet të veçantë, duke e pajisur atë me vlerat më fisnike të jetës. Njëkohësisht, Amerika, me bekimin e gjithë botës, “do të vendosë miqësinë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkan”. Arsyeja e pestë ishte se Amerika mund të bënte në Shqipëri një investim të sigurt dhe të dobishëm. Shqipërisë nuk i nevojiteshin flota e garnizone amerikane. Ajo kishte nevojë për një numër të vogël apo një duzinë vullnetarësh amerikan, të cilët do të stërvitnin ekspertët dhe kuadrot shqiptare, si për administratën ashtu edhe për institucionet shqiptare. Shqipërisë do t`i nevojitet një hua prej disa miliona dollarësh. Guvernator do të ishte një amerikan, i cili duhet të jetë jo vetëm ekspert energjik, por edhe mik i popullit shqiptar. Greqia, Serbia, Mali i Zi dhe Italia do t`ia besonin Amerikës zgjidhjen e problemeve territoriale, meqë ajo si mandatore në Shqipëri do të mund të luante rolin e mikes së negociatave dhe të pajtimit. Në arsyen e gjashtë, Eriksoni figurativisht e krahason kombin shqiptar me një “bonjak të gjorë” midis kombeve, për të cilin nuk ka mëshirë askush dhe të cilit asnjëri s`ia qan hallin. Prandaj, përfundon ai, “ky komb i lënë dhe i nëpërkambur ka të ngjarë të shfaroset nga të tjerët. Mirëpo, me përkushtimin, përkujdesjen, miqësinë dhe bujarinë amerikane, sipas tij, ky komb do të mëkëmbët e ringjallet dhe do të arrijë shkallën e zhvillimit të kombëve të tjerë, “sepse, sipas Eriksonit “kemi të bëjmë me një racë jashtëzakonisht vitale, të bashkuar, të zgjuar, të dashur dhe tejet besnike”.
Pas shpalljes së këtij memorandumi, variantin pak a shumë të ndryshuar të mandatit amerikan të propozuar nga “Vatra” e paraqiti në Konferencën e Paqes, përsëri delegati i saj, Eriksoni. Duke u mburrur me nderin që ia kishin bërë shqiptarët, para diplomatëve, Eriksoni bën këtë deklaratë: “Delegacionet e tjera janë më të fuqishme dhe përkrahen prej pasurive, prej shtypit të blerë, prej aleancave politike, prej interesave egoiste, po nuk e besoj që në Paris gjendet ndonjë delegacion tjetër, i cili do të ketë pas një trup aq të shëndosh, aq popullor, aq energjik, zemra aq besnike, gati të sakrifikojnë të gjitha sa kanë dhe vetën e tyre në e do nevoja, siç kemi neve”. Sipas memorandumit të “Vatrës” të paraqitur nga Eriksoni në Konferencën e Paqës, mandati amerikan duhet të vendoset edhe në trojet shqiptare të pushtuara nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia. Në të thuhej se Amerika, ashtu si iu kushtua luftës dhe u ndihmoi aleatëve në Evropë, tani duhej t`i kushtohej paqes në Ballkan, “ku situata është më kritike dhe problemi më akut”. Në këtë memorandum parashikohej një lloj amerikanizimi i Ballkanit, nëpërmjet vlerave, parimeve dhe idealeve amerikane. Amerika duhej të lozte tani rolin e vendit mik që angazhohej për pajtim, mirëkuptim, miqësi progres, dhe bashkëpunim mes ballkanasve. Eriksoni kërkonte nga Italia që të largohej nga Vlora, nga një anë, ndërsa nga ana tjetër, ai shpresonte se me zhvillimin e marrëdhënieve miqësore në Ballkan, do të bëhej e mundur të bëhej ricaktimi i kufijve në bazë të vullnetit të lirë të popullit me baza etnike. Në Shqipëri do të zgjedhej një qeveri stabile, nën flamurin e Lidhjes së Kombeve, por duke patur si tutor dhe garant SHBA. Vetëm në këtë mënyrë, Shqipëria do të bëhej një shtet neutral, stabil dhe me një prosperitet ekonomik.
Në gushtin e vitit 1919, Luigj Bumçi, kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, paraqet një ankesë dhe i dërgon një apel presidentit të SHBA-së, Uilsonit, duke kërkuar intervenimin amerikan për t’u mbrojtur nga politika imperialiste dhe ekspansioniste e Greqisë, Serbisë dhe Italisë. “Në këtë periudhë kritike të historisë së Shqipërisë” thuhet në apel, “delegacioni shqiptar i drejtohet ndjenjës së drejtësisë që ekziston në senatin amerikan, duke kërkuar mbështetjen e fuqishme nga ai për t’i mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar”. Shqipërisë, shkruan në këtë apel, pasi iu rrëmbyen gjysma e territoreve nga fqinjët, me 1913, ajo u bë shtet neutral dhe i pavarur. Por, gjatë luftës fuqitë e huaja e shkelën pavarësinë e saj, e shndërruan atë në fushëbetejë dhe i sollën pasoja të tmershme. “ Me shpalljen e së drejtës për vetvendosje nga Amerika”, thuhet në apel, “shqiptarët i rrokën armët për të luftuar për të drejtat e tyre për ta shpëtuar vendin e tyre”. Me këtë rast, sipas apelit, shqiptarët kishin shpresë se do të korrigjoheshin padrejtësitë e bëra kundër tyre; por, fatkeqësisht si shqiptarët e pushtuar nga Greqia ashtu edhe ata të pushtuar nga serbët, u keqtrajtuan, u masakruan dhe u shfarosën nga ushtritë e tyre pushtuese. “ Delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes- vazhdon apeli “kërkoi disa herë të drejtën për plebishit nën garantin e trupave të SHBA-së; por, më kot. “Apeli përmbyllet me këto fjalë: “ Shqiptarët e kanë varur shpresën vetëm te Amerika, prej saj përsëri e presin shpëtimin. Të gjithë shqiptarët parapëlqejnë ndihmën amerikane që t’u prijë në politikë. Në emër të popullit të martirizuar, delegacioni shqiptar ju lut që ta ngritni zërin për ta shpëtuar vendin nga katastrofa dhe për ta siguruar pavarësinë. A do ta injorojë Amerika këtë kërkesë urgjente?”.
Në dosjen e presidentit Uilson, është një letër e Adhamudhit (1919) udhëheqësit të mërgatës shqiptare, (i cili më parë kishte biseduar me profesor Xh. Heronin për mundësit e marrjes së SHBA të mandatit mbi Shqipërinë) në të cilin është ky rekomandim: “Shqiptarët nga natyra janë krenarë dhe të pavarur, kurse etnikisht kanë rrënjë të përbashkëta me skocezët, prandaj kanë dëshirë të pranojnë si udhëheqës funksionarët anglezë dhe amerikanë, pasi janë të bindur në sinqeritetin e tyre, sepse e dinë se janë superiorë në raport me kombet e tjera dhe se amerikanët nuk kërkojnë të sundojnë”.
Si reaguan diplomatët dhe Stejt Departamenti amerikan ndaj këtyre propozimeve, kërkesave, lutjeve për ndihmë, ndërhyrje, mbrojtje, përkrahje dhe për mandat disavjeçarë? Reagimet ishin të ndryshme, që nga mirëkuptimi deri te heshtja. Sa u përket miqëve amerikanë të shqiptarëve të Amerikës, në të shumtën e rasteve ata tregonin një simpati, solidaritet dhe përkrahje. S’do mend se përpjekjet dhe impenjimet e shqiptarëve të Amerikës për sensibilizimin, aktualizimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, kanë hasur dendur në mirëkuptim si në publikun amerikan ashtu edhe në disa qarqe gjysmëzyrtare, intelektuale dhe kulturore amerikane. Ndërkaq, entuziazmi dhe glorifikimi i programit të presidentit të SHBA, Uilsonit, për të drejtën e vetvendosjes, si e drejtë e pamohueshme e çdo populli të shtypur, i nxiti dhe i entuziazmoi më tepër shqiptarët e Amerikës në veprimtarinë e tyre patriotike. Pikërisht këso kohe, lind edhe idea për të kërkuar mandatin amerikan mbi Shqipërinë, më parë nga përfaqësuesit e “Vatrës” dhe Eriksoni, pastaj edhe të tjerët. Ja disa reagime karakteristike të palës amerikane:
Telegramet, apelet, kërkesat për solidaritet, mirëkuptim, miqësi, mbrojtje dhe mbështetje të shqiptarëve të Amerikës, me gjasë, u pritën me interesime dhe dashamirësi të ndryshme nga opinioni publik amerikan. Edhe çështja e kërkimit të mandatit amerikan mbi Shqipërinë u prit mjaft mirë në fillim. Në nëntorin e vitit 1918, në Stejt Departamentin amerikan, qarkullonte dokumenti me titullin: “Rekomandime të shkurtëra për Shqipërinë”. Këto rekomandime kërkonin që Amerika ta përkrahte Shqipërinë. Në të SHBA rekomandohej si e vetmja fuqi e cila u përgjigjej idealeve të shqiptarëve, prandaj, duhej ta pranonte mandatin mbi Shqipërinë. Në prillin e vitit 1919, Xhozef Haven, konsull i SHBA në Torino, i dërgoi Stejt Departamentit një raport special ku, ndër të tjera thuhej: “Në Shqipëri ekziston kërkesa e vetme dhe e përgjithshme që Shqipëria të vihet nën administrimin amerikan”. Veç kësaj, anëtarët e delegacionit amerikan në Paris, ishin të informuar më mirë se të tjerët për kërkesat e shqiptarëve për mandatin amerikan. Një anëtar i këtij delegacioni, tregoi interesim të veçantë për mandatin amrikan. Ai mendonte se ky mandat do të jetë i dobishëm jo vetëm për Shqipërinë por edhe për tërë Ballkanin. Sipas këtij diplomati, kufijtë e Shqipërisë duhej të ndryshonin dhe Shqipëria duhej të përbëhej prej trojeve ku jetojnë kryesisht shqiptarët. Në pranverën e vitit 1920, Robert Hamond, vice-konsulli amerikan në Romë, i cili qe dërguar në një mision të posaçëm hulumtues në Shqipëri, në raportin e tij dërguar Stejt Departamentit, shkruan si vijon: “Shqipëria është një vend i shkëlqyeshëm për zhvillim, sepse ka pasuri natyrore. Shqiptarët në tërësi e duan dhe e admirojnë SHBA-në; ata i çmojnë lartë idealet amerikane. Këto i kam dëgjuar nga përfaqësuesit e të gjitha shtresave të vendit…Ata kërkojnë mandatin amerikan mbi Shqipërinë”.
Në një memorandum në Arkivin Kombëtarë Amerikan të vitit 1919, bëhet fjalë për një varg kushtesh që duhet të përmbushen për të siguruar mandatin e kërkuar amerikan nga delegacioni shqiptar në Paris. Ndër to si kusht janë kohëzgjatja e mandatit, kredibiliteti financiar i shqiptarëve veriorë për t’u bashkuar me Shqipërinë, gjendja e pakicave fetare dhe ruajtja e rendit dhe e paqes. Në njërën ndër rekomandimet theksohet se Shqipërsisë gjatë mandatit lypset t’i rikthehen trojet e aneksuara nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, duke i përfshirë edhe trojet shqiptare nga Ohri e drejt veriut, përgjatë Vardarit, e duke përfshirë edhe Kosovën; ndërsa, një rekomandim tjetër kërkonte që Vlora të mbetej nën sundimin, Italian, kurse Himara dhe Gjirokastra t’i jipen Greqisë.
Në Dosjen e presidentit Uilson, gjendet një raport i vitit 1919 lidhur me situatën në Shqipëri. Në të vihet në dukje se gjendja politike në Shqipëri ishte e rëndë, po në të njejtën kohë, jipen disa kritika për kufijtë e vitit 1913, të caktuara në Firencë, meqë me ata kufij ishin ndarë fiset, familjet, kusherinjtë, shtëpitë, arat, livadhet, kullosat, tregu dhe rrugët, prandaj, nga një anë, rekomandohej që shqiptarët në veri, brenda kufijve të vitit 1913, të bashkohen me vëllezërit e tyre në Jugosllavi, ndësa kjo të siguronte mandatin mbi shqiptarët e veriut nga Lidhja e Kombeve. Nga ana tjetër Jugosllavia do ta aneksonte edhe liqenin e Shkodrës me rrethin si dhe Bunën, duke e gjymtuar e rrudhur kështu edhe më tepër Shqipërinë. Mirëpo, bashkangjitur me këtë raport është edhe vërejtja se kjo punë është një punë që s’bëhet, duke i pasur parasysh marrëdhëniet tepër të acaruara midis shqiptarëve dhe serbërve e malazezëve. Ka të ngjarë se mund të ketë patur edhe ndonjë variant tjetër rreth mandatit mbi Shqipërinë. Studiuesi i mirëfilltë i raporteve shqiptaro-amerikane të kësaj periudhe Haris Sillajxhiq, shënon se diplomacia amerikane tregoi edhe në disa raste interesim për Shqipërinë dhe fatin e mandatit mbi Shqipërin deri në vitin 1920, por pas luftës, SHBA-ja, duke rimarrë rolin e shtetit neutral (1918), vendosi që të mos krijonte sfera interesi në Evropën e asaj periudhe.
* (Kumtese e mbajtur me rastin e 90 vjetorit te Vatres. Autori në atë kohe ishte profesor i letërsisë angleze dhe amerikane në Univesitetin e Prishtinës dhe kryetar i Shoqatës për Miqësi dhe Kulturë KOSOVË-SHBA)
Gurët kilometrikë të Oltsen Gripshit
Nga Flora Nikolla/*.- Historia e Oltsen Gripshit me pikturën është një histori e kahershme, e cila përngjan me historinë e dashurisë mes Zeusit dhe Dianës, i cili iu desh të ndryshohej në mjellmë, dhe gjithë çfarë lloj forme dhe pamje, vetëm për të joshur hyjninë e bukurisë. Kështu dhe Oltseni si Zeusi me pasionin e tij, që në vogëli kur zhgarraviste dhe krijonte në mënyrë të pavetëdijshme forma antropomorfe, ka patur pikturën. Dhe i është dashur shumë punë e përgatitje për shumë vite për ta joshur atë. Ai mendon se piktura, arti në tërësi është një ndër dhuratat më të bukura që perëndia i dhuron njerëzimit dhe si e atillë ajo lind e rritet me ne. Vajtja për studime në Itali, kishte qenë gjithmonë një ëndërr në sirtar, për Gripshin. Pritshmëria ishte e madhe, se çfarë do të gjente atje, si do shihej e pritej nga vendasit, a po edhe në se kishte bërë zgjedhjen e duhur… ishin këto pyetjet,që i drejtonte vetes ditët e para në Verona. Rezultati i pas disa muajve i konfirmoi që Italia kishte qenë një zgjedhje shumë e mirë. Pas studimeve universitare për pikturë në Verona, në vitin 2009 mbrojti titullin Master Post Laurem në estetikë dhe kritikë arti në Universitetin e Padovës. Eksperienca në Padova ka qenë një eksperiencë që do ta kujtojë gjatë si nga këndvështrimi profesional ashtu dhe ai njerëzor. Mbrojtja e Masterit në Padova e plotësoi nga aspekti teorik i përgatitjen e tij mbi studimin për artin figurativ. Ai tashmë nuk ishte thjesht një artist, pra një krijues nëpërmjet pikturës, por edhe interpretues e shpjegues i gjuhës universale të artit nëpërmjet leximit estetiko-ikonografik. Diskutimi i tezës mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në pikturën evropiane ka qenë një ndër momentet më emocionuese për Oltsen Gripshin në Itali, sepse me këtë tezë arriti të përfundojë shkëlqyeshëm studimet e tij e për më tepër të sillte një pjesëz të vogël të vendit të tij në Akademinë e Veronës. Ai tregon për veshjen e tij ditën kur prezantoi tezën përpara një komisioni prej gjashtë profesorësh. Mes tyre ishin rektori i akademisë së arteve Prof. Dr. M. Valdinoci, udhëheqësi shkencor Prof. Dr. D. Arich, korrelatori i tezës Prof. F. Ronzon, dekani Prof. Dr. D. Nalin dhe dy profesorë vëzhgues, të cilët mbetën të mrekulluar nga kostumi origjinal popullor i Shqipërisë së jugut (fustanella, plisi, jeleku i qendisur në ar dhe stolitë e tij. Gjatë viteve të studimeve në Verona, një eksperiencë shumë e bukur ka qenë edhe pozicioni i Oltsenit në restaurimin e librave dhe kodeve antike si dhe katalogimin e vëllimeve të reja pranë Bibliotekës Shtetërore të Veronës. Një eksperiencë pune, e cila i ka mësuar shumë si në aspektin profesional ashtu edhe në raportin njerzor me kolegët italianë dhe me lexuesit e të gjitha moshave e kombësive. Për të sekreti i shumë çmimeve që ka marrë është shumë i thjeshtë . Ai thotë se është talenti dhe shumë përkushtim e punë. Oltseni thotë se shkon ai tek çmimet dhe mendon se marrja pjesë në konkurse të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare të bën të kuptosh se sa je rritur profesionalisht e artistikisht. Në një mënyrë i shikon si gurë kilometrik për rritjen e tij si artist.
F.N: Ju keni kaluar fëmijerinë tuaj në qytetin e Durrësit, si do ta përshkruanit ju këtë fëmijëri në raport me qytetin bregdetar, qytetin historik dhe qytetin port?
O.G:- Në fakt, në qytetin e themeluar nga Herkuli, Epidamni, Dyrrachium dhe që sot e njohim me emrin Durrësi, kam kaluar një fëmijëri të pjesshme, sepse unë kam lindur në një tjetër qytet historik të themeluar nga romakët, Klaudina (Peqini i sotëm), ku dhe kam kaluar pjesën e parë të jetës time. Fëmijëria ime në qytetin e Durrësit ka qenë shumë dinamike, e gjallë, plot ëndrra dhe e ndarë pikërisht mes këtyre tre elementeve detit, i cili më jepte ndjenjën e lirisë, historisë, e cila më ka ngacmuar e joshur gjithmonë për të njohur të kaluarën dhe porti, i cili më injektonte idenë e një qyteti udhëkryq, të një porte të hapur që shikonte nga perëndimi ku ëndërroja një ditë të studjoja.
F.N: Cila është historia juaj me pikturën, lindi brenda jush, apo lindi me rritjen tuaj?
O.G:- Pyetje shumë e bukur po aq e bukur sa vetë historia mes meje dhe pikturës. Historia ime me pikturën është një histori e kahershme, e cila përngjan me historinë e dashurisë mes Zeusit dhe Dianës, i cili iu desh të ndryshohej/transformohej në mjellmë, dhe gjithë çfarë lloji forme dhe pamje vetëm e vetëm për të joshur hyjninë e bukurisë. Kështu dhe unë si Zeusi, pasionin tim që në vogëli kur zhgarravisja dhe krijoja në mënyrë të pavetëdijshme forma antropomorfe, kam patur pikturën. Dhe më është dashur shumë punë e përgatitje gjatë gjithë këtyre viteve për ta joshur atë, për ta bërë pjesë të pandashme të jetës time. Piktura, arti në tërësi mendoj që është një ndër dhuratat më të bukura që perëndia na dhuron dhe si e atillë ajo lind e rritet me ne.
F.N: Gjithësesi si do ta tregonit ju shkollimin tuaj ne përiudhën kur jetonit në Durrës?
O.G:- Në fakt unë vitet e para të shkollimit tim (filloren) i kam kryer në qytetin e Peqinit sikurse e përmenda dhe më lart, sepse rrënjët e mia rrjedhin nga një familje aristokrate autoktoke peqinase Gripshi .Në moshën dhjetë vjeçare bashkë me familjen time transferohemi në qytetin e Durrësit. Ndoshta vitet e shkollimit tim në Liceun Artistik Jan Kukuzeli të Durrësit kanë qenë jo vetëm vendimtare për artin tim, por dhe vite ku kureshtja për të njohur, studiuar dhe eksploruar gjëra gjithmonë të reja ka qenë e madhe. Më kujtohet kur bashkë me dy miq të mitë dilnim çdo pasdite dhe pikturonim peizazhe të ndryshme nga Durrësi, bënim skica dhe vizatime studimore për gjithçka na rrethonte, nga rrugicat e lagjeve të vjetra, anijet e ankoruara në port e deri tek rrënojat arkeologjike të amfiteatrit etj. Vendi ynë i preferuar për të pikturuar ka qenë kodra e vilës së mbretit Zog. Ishte një vend, i cili të ofronte gjithçka nga shumëllojshmëria e pemëve dhe bimëve deri tek pamjet mbresëlënëse të detit nga lart. Gati-gati ajo kodër më
ngjante si kopshti mitologjik i Edenit.
F.N: Pse dhe si ju u larguat nga Shqipëria?
O.G:- Largimi im nga Shqipëria ndodhi trembëdhjetë vite më parë, fill pas mbarimit të Liceut Artistik. Periudha e Liceut ishte një periudhë e mbushur plot dashuri, pasion dhe ego për artin, kështu që realizimi i kësaj ëndrre ishte ndjekja e studimeve të larta jashte vendit. Vendi më ideal për sa i përket artit ishte Italia. Pas shumë përpjekjeve fitova bursën për të studiuar në Akademinë e Arteve të Veronës ku dhe do të diplomohesha shkëlqyer në vitin 2006.
F.N: Cili ishte mjedisi që ju përballët kur shkuat në Itali, si e perceptuat dhe si u integruat ju në një mjedis të ri?
O.G:- Vajtja për të studiuar në Itali kishte qenë gjithmonë një ëndërr në sirtar, sigurisht që dhe pritshmëria ishte e madhe, se çfarë do të gjeja atje, si do shihesha e pritesha nga vendasit, a kisha bërë zgjedhjen e duhur e shumë e shumë pyetje, të cilat unë i drejtoja vetes ditët e para në Verona. Rezultati i pas disa muajve më konfirmoi që Italia kishte qenë një zgjedhje shumë e mirë. Italianët në përgjithësi janë një popull i butë i dashur dhe mikpritës, sigurisht që gjatë rrugëtimit tim kam hasur edhe elemente raciste, por shumë sporadike. Shqiptarët në Itali nuk janë shumë të parapëlqyer nga vendasit, për motive të ndryshme që një pjesë e bashkëkombasve tanë kanë arritur të zbehin imazhin e Shqipërisë dhe shkëlqimin e popullit të saj. Gjithësesi unë jam i idesë që jemi ne ato që me sjelljen, imazhin dhe përgatitjen tonë kulturore imponojmë respekt tek të tjerët.
F.N: Në vitin 2009 ju morrët titullin Master Profesional Post Lauream në “Illustrimi për të rinjë estetikë dhe kritikë arti, për një pedagogji në leximin e ikonave” pranë Universitetit të Padovës në Fakultetin e Shkencave të Formimit, pas diplomimit në Pikturë pranë Akademisë së Arteve të Bukura G. B. Cignaroli, me tezë “Shqipëria dhe shqiptarët në pikturën evropiane”…
O.G:- Po, pas studimeve universitare për pikturë në Verona, në vitin 2009 mbrojta titullin Master Post Laurem në estetikë dhe kritikë arti në universitetin e Padovës. Eksperienca në Padova ka qenë një eksperiencë që do ta kujtoj gjatë si nga këndvështrimi profesional ashtu dhe ai njerzor. Mbrojtja e Masterit në Padova më plotësoi akoma më tepër dhe nga aspekti teorik i përgatitjes time mbi studimin për artin figurativ, që do të thotë tanimë nuk isha thjesht një artist, pra një krijues nëpërmjet pikturës, por edhe interpretues e shpjegues i gjuhës universale të artit nëpërmjet leximit estetiko-ikonografik. Diskutimi i tezës mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në pikturën evropiane ka qenë një ndër momentet më emocionuese për mua në Itali, për vetë faktin sepse me këtë tezë arrita të përfundoja shkëlqyeshëm studimet e mia kaq të ëndërruara e për më tepër të sillja një pjesëz të vogël të vendit tim në akademinë e Veronës. Veçantia që do të dëshiroja të përmendja është dhe veshja ime e asaj dite kur unë prezantova tezën përpara një komisioni prej gjashtë profesorësh. Mes tyre ishin rektori i akademisë së arteve Prof. Dr. M. Valdinoci, udhëheqësi shkencor Prof. Dr. D. Arich, korrelatori i tezës Prof. F. Ronzon, dekani Prof. Dr. D. Nalin dhe dy profesorë vëzhgues, të cilët mbetën të mrekulluar nga kostumi origjinal popullor i Shqipërisë së jugut (fustanella, plisi, jeleku i qendisur në ar dhe stolitë e tij), që tanimë bën pjesë e koleksionit tim të veshjeve origjinale popullore nga të gjitha trevat e Shqipërisë.
F.N: Keni punuar edhe në Bibliotekën Shtetërore të Veronës, si do ta përcaktoni këtë eksperiencë?
O.G:- Gjatë viteve të studimeve në Verona, një eksperiencë shumë e bukur ka qenë edhe pozicioni im në restaurimin e librave dhe kodeve antike si dhe katalogimin e vëllimeve të reja pranë Bibliotekës Shtetërore të Veronës. Një eksperiencë pune, e cila më ka mësuar shumë si në aspektin profesional ashtu edhe në raportin njerzor me kolegët italian dhe me lexuesit e të gjitha moshave e kombësive, sepse sikurse e citova pak më sipër jemi ne ata që bëjmë miq dhe armiq. Verona me kryerjen e studimeve të mia, bashkë me këtë eksperiencë pune në bibliotekën e saj më ka dhënë gjithçka. Verona është shtëpia ime e dytë. Eksperienca në bibliotekën e Veronës për post gjithçkaje do të ishte dhe ishulli ku unë çdo ditë do të izolohesha për të hulumtuar e shkruajtur librin tim të parë në gjuhën italiane “Emilio Salgari e i suoi romanzi illustrati da Alberto Della Valle”, i cili në brendi të tij përmbanë dy tregime për Shqipërinë të shkruara nga shkrimtari veronez Emilio Salgari.
F.N: Pse u kthyet në Shqipëri?
O.G:- Pse u ktheva në Shqipëri…?! Rikthimi në Shqipëri për mua nuk ka qenë aspak dramatik siç mund të ketë qenë për disa të tjerë apo që mendojnë se rikthimi në Shqipëri është një gabim tragjik. Jo, aspak, në fakt largimi nga Shqipëria për mua nuk ka ndodhur asnjëherë, sepse sado që fizikisht isha në Verona me shpirt dhe mendje isha në Shqipëri. Është interesante se si kjo tokë të tërheq vazhdimisht me fuqinë e saj të gravitetit. Në fakt në Verona kisha arritur të kisha gjithçka dhe asgjë. Çfarë dua të them me këtë?! Dua të themë që sado që nuk më mungonte asgjë puna, miqtë, më mungonte toka ku kisha shkelur në vogëli, me mungonte që të flisja shqip të isha me familjen time. Shprehja popullore guri i rëndë peshon në vendin e vet, për rikthimin tim në Shqipëri do të tingëllonte shumë origjinale dhe koherente me mendimet e mia kur u largova jashtë me studime, që një ditë do të rikthehem në vendin tim me një tjetër eksperiencë dhe bagazh kulturor. Rikthimin e shoh si një mundësi të madhe për të kontribuar me gjithçka kam studiuar, arritur dhe huazuar jasht vendit për ta aplikuar këtu në Shqipëri.
F.N: Dhe si e gjeni ju sot Shqipërinë?
O.G:- Shqipëria ka ndryshuar, por duhet akoma shumë punë për të arritur aty ku vendi i shqiponjave meriton të jetë. Ajo çka vërej sot në Shqipërinë bashkëkohore është se ka një zhvillim të diferencuar, pra jo gjithçka shkon dhe rritet me të njejtin ritëm. Për shembull arti dhe kultura mbeten përsëri nën hije, nuk i jepet rëndësia e merituar. Nëse do të flisja se si unë e perceptoj zhvillimin e qyteteve shqiptare do të ishte se: ndërtimet vend e pa vend dhe pa kritere të qarta arkitektonike gjatë viteve të fundit, kanë shkatarruar estetikën e fasadave të qyteteve, por mbi të gjitha zhdukjen njëherë e përgjithmonë të thesareve arkeologjike me të cilat Shqipëria krenohet për historinë e lavdishme të saj. Mungesa e restaurimit të monumenteve të kulturës, mungesa e teatrove, kinemave, si dhe e skulpturës së lulishteve e kanë varfëruar akoma më tepër imazhin e qyteteve shqiptare. Mos harrojmë që arti është sot në vendet e zhvilluara ambasadori më i shkëlqyer për imazhin e një vendi në arenën ndërkombëtare.
F.N: Çfarë do të donit të ndryshonit Ju në Shqipëri?
O.G:-Çfarë do të doja unë të ndryshonte në Shqipëri? Pyetje e vështirë. Së pari do dëshiroja t’i jepej një rëndësi thelbësore zhvillimit e kultivimit të arteve në tërësi, duke filluar nga ekspozitat e artit figurative, koncerteve, letërsia, ndërtimi i teatrove të reja me standarte të larta ku aktorët, artistët e operas dhe të baletit të shpreheshin më së miri me talentin e tyre. Dhe këtu do të përmendja dy aforizma atë të shkrimtarit të madh Oscar Wilde, i cili thotë mund të ekzistosh pa artin, por pa atë nuk mund të jetosh dhe përshkrimi që një tjetër shkrimtar anglez Edward Gibbon do t’i bënte peizazhit shqiptar në shek. XVIII Shqipëria, një mrekulli e natyrës, tibeti i Evropës, e cila shikohet në horizont nga Italia si një tokë më misterioze sesa vetë brendësia e afrikës qendrore. Pra arti dhe kultura janë shpirti i një kombi.
F.N: Sot Jeni mësues i Historisë së Artit, Teorisë së Ngjyrave, Filozofisë së Artit dhe Edukimit Figurativ, njëkohësisht dhe Titullar i Departamentit të Arteve pranë Institutit Arsimor “Woodrow Wilson”…
O.G:- Po, shumë e vërtetë. Nëse do të më kishit pyetur cili është pasioni im i dytë, pa hezitim do të tu përgjigja se është mësimdhënia. Një tjetër ëndërr e bërë realitet. Trasmetimi i dijeve e gjithçka që unë kam akumuluar gjatë studimeve të mia ndër vite tek nxënësit, është një kënaqësi e madhe. Madje kontakti me të rinjtë, të qenurit mes tyre dhe në botën e tyre është një emocion që vetëm mësimdhënia ta dhuron.
F.N: Sa të interesuar e shihni ju sot brezin që po rritet me mësim marrjen?
O.G:- Interesat e të rinjve sot kanë ndryshuar nga ç’ka kanë qenë të tonat më parë. Zhvillimi i teknologjisë ka bërë që informacionet të merren në kohë reale. Kjo do të thotë që një i ri në një vend të caktuar të botës përjeton të njejtat gjëra që përjeton një i ri në një tjetër vend të botës njëkohësisht. Teknologjia me të rejat e saj ka ndryshuar padyshim faqen e njerzimit të mijëvjeçarit të tretë, por nëse do të analizonim dukuritë negative, do të theksoja që ka laguar pamasë kryesisht të rinjtë nga lexim i librave të ndryshëm, qofshin ata shkollorë apo jo! Mos leximi rregullisht prodhon më pas sigurisht dhe mungesë elokuence komunikimi, drejtëshkrimi etj…
F.N: Duke lexuar CV Tuaj, ve re se keni nivel organizativ shumëplanësh në disa sektorë si: Kurator ekspozitash, workshop, seminaresh dhe konferecash shkencore bashkëkohore.
O.G:- – Kjo aftësi organizative është falë një pune dhe përkushtimi sistematik për të mësuar e kuptuar gjithçka që më rrethon në profesionin tim. Nuk do të më pëlqente asnjëherë të kufizohesha vetëm në një drejtim, thjesht artist. Më pëlqen e reja, e panjohura dhe aplikimi i aftësive të mia në gjithçka që i përket profesionit tim. Për shembull puna kuratorjale më pëlqen shumë, është e drejtëpërdrejt, dinamike dhe përbashkuese, sepse organizon një ekspozitë apo një workshop dhe aty ti bashkon vlera artistike, kulturore dhe antropologjike. Seminaret apo konferencat janë gjithashtu një sfidë për mua, por njëkohësisht një kontribut i madh në shtjellimin dhe studimin e temave konkrete mbi artin shqiptar e jo vetëm. Nëse do të bënim një herarki të pasioneve të mia kuratori, organizimi i workshop-eve, seminareve dhe konferencave do të ishte në vendin e tretë.
F.N: Cili është sekreti i kaq shumë çmimeve që Ju keni marrë. Shkoni ju tek cmimet apo vijnë ato tek ju?
O.G:- Sekreti i shumë çmimeve të rëndësishme është shumë i thjeshtë… Talenti (mendoj) dhe shumë përkushtim e punë. Për sa i përket marrëdhënies time me çmimet, jam unë që shkoj tek ata. Mendoj që marrja pjesë në konkurse të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare të bënë të kuptosh se sa ti je rritur profesionalisht e artistikisht. Në një mënyrë e shikoj si një gurë kilometrik për rritjen time si artist.
F.N: Cilat janë disa nga çmimet që për Ju kanë më shumë rëndësi dhe pse?
O.G:- Çmimet më të rëndësishme që unë kam fituar janë të gjitha jashtë Shqipërisë. Çmimet që do të përmendja janë: Çmimi Ndërkombëtar “RAFFAELLO SANZIO 2014” si artisti i vitit nga Shoqata Kombëtare e Kulturës Italiane, Çmimi i Parë Ndërkombëtar “MIKELANXHELO I ARTË” nga Revista OverArt, Çmimi Ndërkombëtar “LE LOUVRE” nga Revista Effetto Arte, Çmimi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut “NELSON MANDELA 2014” si artist ambasador i paqes në botë, i cili me artin e tij ka kontribuar fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të njeriut, Artist i merituar nderi i qytetit Sogliano Cavour 2013. Këto çmime janë të rëndësishëm për mua në dy këndvështrime; së pari hapja e portave të reja ku unë mund të përcjell artin tim dhe së dyti me to nuk kam ngritur lart vetëm emrin tim, por edhe atë të Shqipërisë tonë të shtrenjtë.
F.N: Në fakt në vetvete, çfarë është një çmim?
O.G:- Një çmim është një kënaqësi, një vlerësim, një konfirmim për gjithë atë punë që ke bërë deri në atë moment dhe një shtysë e fuqishme për të dhenë akoma më tepër me artin tënd.
F.N: Po për artistin çfarë vlerë ka ai?
O.G:- Për artistin ka një vlerë të shumëfishtë. Vlerësimi i artistit nëpërmjet një çmimi i dhuron atij kënaqësi, motivim dhe fantazi për të arritur nivele të reja artistike në krijimtarinë e tij. Vlerësimi për artistin, medoj është oksigjen, sepse vlerësimi në vetvete nënkupton pëlqimin e gjuhës së tij artistike, më të cilën ai është shprehur, duke e bërë të pavdekshme një ndjenj të caktuar mbi telajo.
F.N: Si do ta përcaktoni ju një artist dhe sipas jush cilat janë pikat e tij më të forta?
O.G:- Një tjetër pyetje shumë interesante, Artistin do ta përcaktoja si një enciklopedi që ecën. Artisti, qoftë ky piktor, aktor, balerin, këngëtar apo shkrimtar e jeton botën me ngjyra dhe ato ngjyra mundohet t’i përcjellë nëpërmjet veprave të tij tek të tjerët. Artisti bluan brenda tij një botë konfliktuale, një botë plot kundërshtime, një botë të vetmuar, sepse vetëm nëpërmjet këtyre kalimeve të ndjenjave dhe kësaj bote të pasur shpitërore ai fillon të krijoi veprat e tij. Pikat e forta të artistit në përgjithësi sipas mendimit tim janë dy: ndjenjat dhe reagimi që ai i shpreh me gjuhën e tij univresale, Artin.
F.N: Cilat janë disa nga plane tuaja më të afërta?
O.G:- Planet më të afërta për mua janë; së pari hapja e një ekspozite me veprat e mia më të fundit në zhanrin e pikturës dhe mbrojtja e titullit doktor i shkencave në histori arti pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike. Botimi i librit tim të dytë shkencor mbi artin figurativ “Historia e portretit në artin e Rilindjes evropiane shek. XIV – XVI”. Jam duke punuar shumë për themelimin e një çmimi ndërkombëtar të artit bashkëkohor që së shpejti do ta bëj publik, i cili të jetë gjithëpërfshirës ku mund të konkurojnë artistë pa dallim gjinie dhe kombësie. Gjithashtu me shumë entuziazëm po pres pjesëmarrjen time në qershor 2015 në Bienalen Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Firence, ku dhe jam emëruar për çmimin prestigjoz të karrierës Lorenzo de Medici 2015.
* ATSH
Demonstratat e vitit 1981-it zëri i parë i rrënimit komunist në Evropë!
Reagim kundër deklaratave dhe tezave të pa qëndrueshme të Azem Vllasit për këto ngjarje,revolucionare dhe kombëtare. Rrënimi i Jugosllavisë filloj me këto ngjarje,jo me ide të komunistëve nga Tirana as nga Beogradi qe gjithmonë ishin si andaj si këndej kufijve ndër shqiptar në interesat e Serbo-Sllavisë. Po ashtu tezat marksiste-leniniste janë nga vet ideologjitë jugosllave qe i mbollën dhe i çelikosen ma se tepërmi në trungun e komunizmit tek shqiptarët komunist siç ishte z.Azem Vllasi dhe komunist tjerë që akoma artikulojnë teza antikombëtare duke mbetur nën kornizat e frymës komuniste qe populli shqiptar e pagoi haraçin e kësaj ideologjie ma shumë se çdo popull tjetër në botë!?… /
Nga Asllan Dibrani/
Reagim kundër deklaratave dhe tezave të pa qëndrueshme të Azem Vllasit!
Këto ditë në vend që të bëhen unik të gjithë së bashku t’i përkujtojmë vlerat e demonstratave të përgjakshme te vitit 1981,akoma dalin zëra komunistesh që t’i zbehin dhe t’i etiketojnë më epitete të ndryshme sipas kutit të shteti gjakpirës të Serbo-Jugosllavisë artificiale .Në vend se të ndërgjegjësohen dhe t’i kërkojnë falje popullit për kasaphanën që u zhvilluar kundër tyre, dalin akoma me deklarata të frymës ish komuniste jugosllave, që edhe vet sllavët e prishen duke synuar secili në shtëpinë e vet.Komunistët tanë akoma përpiqen që ta ruajnë ideologjinë komuniste që për fat të keq nuk ka pak ,por si shkas i indinjatës sime ma të veçantë,po e marr deklaratën e z.Azem Vllasit gjatë një debati televiziv me çka thotë,se (organizatorët e demonstratave të vitit 1981 nuk kanë kërkuar përmirësimin e kushteve të shqiptarëve të Kosovës, por kanë synuar që komunizmin jugosllav ta zëvendësojnë më atë stalinist)!. Ai më tutje shton se në vitin 1981, shqiptarët kanë protestuar mbi baza ideologjike,të sistemit të atëhershëm të Shqipërisë,në krye me diktatorin Enver Hoxha,si dhe atyre staliniste e marksiste. Vllasi këmbëngulë që demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve nuk ishin për “Kosovën Republikë”kur dihet se me mijëra student,intelektual,profesor dhe punëtorë ishim protagonist i atyre ngjarjeve dhe ish të burgosur si viktimë e atij regjimi të egër kundër shqiptarëve të Kosovës, nga i cili edhe unë isha ish i burgosur politik nga ai regjim pjesë e së cilës ishe edhe ti z.Azem Vllasi,prandaj reagoj kundër deklaratave dhe qëndrimeve tua në emrin tim personal,po edhe në emrin e shumë ish të burgosurve politik që u dergjëm në burgjet jugosllave për “Republikën e Kosovës,e jo për marksizëm leninizmin,as për komunizmin jugosllav as të atij nga Tirana. I indinjuar,i shqetësuar,i revoltuar dhe i obligim nga ndjena kombëtare dhe njerëzore e ndiej nevojën që mos t’i mbes borxh atdheut dhe popullit shqiptar,po që nuk reagoj si ma poshtë:
Demonstratat e 81-it paraqesin fillimin e fundit të Jugosllavisë dhe nga Shqipëria s’ka asgjë të keqe që përmes saj gjuha serbe në Kosovë u zëvendësuar me atë shqipe!
Demonstratat e vitit 1981,parasëgjithash,kanë qenë demonstrata kombëtare dhe paraqesin fillimin e fundit të Jugosllavisë artificiale dhe titiste. A kanë pas ngjyrë të kuqe,të zezë ,blu apo të verdhë,shoku Azem,është fare pak e rëndësishme. Çfarë të keqe ka në këtë rast, rinia studentore,klasa punëtore dhe gjithë populli liridashës ka qenë i “indoktrinuar”nga shteti amë që edhe mësoj,shkrim e lexim, po edhe pati literaturë shkencore,historike dhe gjuhësore qe zëvendësoj gjuhën serbe!. Zoti Vllasi edhe vet je protagonist i asaj periudhe,që vetëm serbisht keni mësuar në mungesën e shkollave shqipe. Pushteti e ndalonte!?. Në gjeneratën tënde dhe para teje, pos mësimi në mejtepet në gjuhen arabe që i hapte Serbia dhe i financonte, mësimi u ndjek ne gjuhen serbe. Shkollat shqipe nuk i ka lejuar deri në vitin 1968. Hapja e universitetit u përgjak me demonstrata, qe pati edhe të vrarë.
Ne nuk kishim atdhe tjetër,përveç Shqipërisë!
Ne nuk kishim atdhe tjetër,përveç Shqipërisë. E ti dhe ata si ti kishit edhe një atdhe rezervë,ish Jugosllavinë. Ende janë të freskëta gjurmët e të këqijave qe ke bërë nën indoktrinimin e Marksizëm-Leninizmin dhe komunizmit jugosllav. Aty e kemi pas një mbështetje në aspektin informativ dhe propagandistik nga Shqipëria e mire e keqe ajo qe ja kemi bërë shërbimin, ka qene dhe është edhe sot . Nëse pyesim se sa dha Shqipëria për neve në atë kohë?.Rezultati është “Dha aq sa e fuqizuam,e ndërtuam dhe e rritëm Shqipërinë”.Zoti Vllasi kur mbeti Shqipëria e coptuar në 6 shtete ballkanike ti s’je fajtor, po ishin baballarët tanë, që edhe atëherë ishin të përçarë sikurse ne sot!Andaj të jemi të bashkuar do të jemi ma me vlera , do të jemi ma të fuqishëm. Eja zoti Vllasi bashkoju popullit tënd, se ne qe ishim si viktimë e atij regjimi dimë të falim njerëzit qe kthehen dhe i bashkohen popullit drejt realizmit në betejat e së drejtës sonë në aspiratat tona të bashkimit.Zoti,Vllasi unë personalisht njerëzit që mi keni lëshuar në shpinë në kohë zgjatjen e hetuesisë mese 8 muaj, ma shumë kam hëngër kërbaç, tortura se sa bukë,nga inspektorët shqiptar qe ishin në shërbimin e ish Jugosllavisë dhe në mbrojtjen e saj nga ne siç na quajshi irredentist ,kundërrevolucionar,seperatrist,armiq dhe antijugosllav. Unë edhe se kam pshurr ma shumë gjak se sa qe kam pi ujë,prapë kam qenë në gjendje t’i falë gjatë kohës së çlirimit të Kosovës,edhe ashtu kam vepruar me disa qe janë penduar dhe na u bashkuan në luftën kundër Serbisë.
Krenohem që kam qenë pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981 Krenohem qe u burgosa për Republikën e Kosove dhe krenohem që këtë luftë do ta vazhdoj deri në Bashkimin Kombëtar!
I mbyturi mundohet te të mbytë andaj , hiqeni këtë dogmë nga vetja juaj e komunizmit dhe çliroje shpirtin tuaj ndaj çështjes kombëtare. Unë krenohem që kam qenë pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981. Krenohem që jam biri i familjes që babe babadën nuk e ndalem pushkën kundër Serbisë. Krenohem qe rrjedh nga fshati Dabishec që pushkën e parë në luftën e dytë botërore në shtetet ballkanike, krisi në fshatin tim nga fshatarët tanë. Krenohem qe u burgosa për Republikën e Kosove dhe krenohem që këtë luftë do ta vazhdoj deri në bashkimin kombëtar. Jam shume krenar qe skam të bëjë asgjë me ju dhe ata qe mendojnë si ju zoti Vllasi. Jam krenar qe nuk kam të bëjë asgjë me (komunistët e Titosas as të Enverit. Jam shume i lumtur qe nuk ju ndava popullit dhe nuk isha kundër kërkesave që i kishte populli im në çdo kohë. E ndiej veten krenar për veten time dhe për ish të burgosurit politik që nuk ju përulem kërkesave të komunisteve shqiptaro- jugosllav,që ta mbyllim gojën për të drejtat tona në ish Jugosllavi.Përforcimin e ish Jugosllavisë e ndihmuan komunistet shqiptar me atë dite qe u ndanë nga Shaban Polluzha dhe na u vranë mbi 5000 luftëtarë ma të mirë edhe me dirigjimin e komunisteve shqiptarë në krye me Fadil Hoxhën Ali Shukrija ,Sinan Hasani etj.
Zoti Vllasi dhe ju tjerët mendimtar si Vllasi me deklaratat e fundi,po e dëshmon se ende ëndërroni “vëllazërim-bashkimin” e Titos . Kur flitet për ato demonstrata ,për vlerat e tyre Azem Vllasi dhe Azemat tjerë më të paktën që mund ta bëni duhet t’i kërkojnë falje publike popullit shqiptar për të gjitha të zezat që ia keni sjellë me politikën e juaj antikombëtare të asaj kohe, po edhe të tanishmen. Mosni, ju lutem, se çdo vlerësim i juaj i gabuar bëni mëkate dhe i lëvizni eshterat e djemve dhe vashave ma të mira që flijuan jetën për lirinë e kombit tonë dhe për Republikën e Kosovës!
Demonstrata të vitit 1981 kanë qenë në vijimësinë e përpjekjeve të popullit tonë për krijimin e “Republikës së Kosovës”,por edhe “Bashkim Kombëtar”
Pra kërkesat dhe Platforma e demonstratave te vitit 1981 edhe shkencërisht edhe historikisht ishin artikuluese të aspiratës në vijimësi të popullit shqiptar për një shtet kombëtar. Të gjitha teoritë e juaja z.Vllasi janë të pathemelta dhe antidemokratike.Thjeshtë bëni zhurmë sipas diktateve komuniste në Beograd. Ju zoti Azem nuk jeni pajtuar kurrë edhe dje edhe sot që Tirana të jetë epiqendra e shqiptarëve. -Prandaj tezat e juaja bien poshtë,ngase pikërisht këto demonstrata të vitit 1981 kanë qenë në vijimësinë e përpjekjeve të popullit tonë për krijimin e “Republikës së Kosovës” ,por edhe bashkim kombëtar. Ishin tërësisht demonstrata me platformë dhe themel kombëtar. Kjo deklarate e juaja dhe jo vetëm e juaja është një e pavërtete e stilit propagandistik komunist “hajt se mbas 34 vjetëve janë harruar gjërat”dhe i hamë karamelet .
Po të ishte i mirë “Marksizmi dhe leninizmin” e kishin ndal për vete Rusia dhe Evropa! Legenët e sotshëm politik në pushtet nga naiviteti dhe kaja do të shpallin edhe “veteran të UÇK-së!!!
-Demonstruesit kanë kërkuar vetëvendosje dhe Republikë ndërsa . “Marksizmi dhe leninizmin” si parullë e kanë përmend një grup i cili ka vepruar ilegalisht në atë kohë sikurse ne tjerët nga i cili grup prej 10 vetash nuk mund t’a njollosni esencën dhe vleren e atyre demonstratave tamam kombëtare ,nacionale dhe patriotike . Se, ne po flasim për demonstratat me karakter politik për Republikën e Kosovës e jo për “Marksizëm Leninizmin,që as një metalik vlerë nuk kanë pas kurrë për shqiptarët, as atëherë as sot, por nuk do të ketë as nesër .Po të ishte i mirë e kishin ndal për vete Rusia dhe Evropa dhe s’ju kish rëne hise shqiptarëve të përçahen për Marksizëm-Leninizmin që ma së shumti shqiptarët ranë viktimë e asaj ideologjie. Ajo që përmendeni ju ka qenë një mbulesë me qe ishte populli i rrethuar me sistemin komunist fatkeqësisht edhe Shqipëria ishte si e tillë.
Ti “shoku” Vllasti ke qene shqipfolësi ma i tërbuar kundër ne “irredentistëve dhe armiqve të Jugosllavisë”. Më kujtohet si sot kur thoshe: “Armikut duhet me ja ngushu hapësirën e veprimit”.Ju edhe në prag të shkatërrimit të Jugosllavisë u përpoqët të mbeteni si “mizë në bythën e kalit”. Prandaj këta legenët e sotshëm politik në pushtet nga naiviteti dhe kaja do të shpallin edhe “veteran të UÇK-së ,këshilltar,analist,avokat dhe ma në fund do të rezervojnë ndonjë pozicion gjyqtari me shkop në dorë, si në ish komunizëm ,por edhe në Republikën e Kosovës që nuk le gjë pa e bëre kundër saj.
Vetëm një qëllim ishte për”Kosovën- Republikë” që na ka takuar para sllovenëve,kroateve,malazezeve,boshnjakëve dhe maqedonëve etj!.
Zoti Vllasi demonstratat e Studentëve,Profesorëve,dhe të gjithë shqiptarëve të Kosovës kanë pasur vetëm një qëllim “Kosovën- Republikë që na ka takuar para sllovenëve,kroateve,malazezeve,boshnjakëve dhe maqedonëve etjJo qe nuk ju takuan republikat para nesh por ata si ardhacak okupuan tokat “Etnike-Pellazgo-Ilire dhe neve si pasardhës të tyre .Për neve armiqtë e Jugosllavisë nxorët platforma ani irredentiste kundër nacionalizimit shqiptar me diferencime dhe ndëshkime të llojeve të ndryshme ndaj njerëzve ma të mirë të kombit duke filluar nga akademiket siç ishte rasti i Ali Hadrit të ndjerë.
Kosova nuk ka qenë e pavarur apo shtet në veti sipas kushtetutës së ’74-it që theksoni ju. Ajo ka qenë martesë me zor,mes Serbisë Kosovës dhe Vojvodina!
Zoti Vllasi,Kosova nuk ka qenë e pavarur apo shtet në veti sipas kushtetutës së ’74-it që theksoni ju. Ajo ka qenë martesë me zor,mes Serbisë Kosovës dhe Vojvodinës. As edhe një lugë më e vogël nuk ka mund as të hyjnë Kosovë pa u vet Serbia!
Ju thatë se në vitin 1981, shqiptarët kanë protestuar mbi baza ideologjike, të sistemit të atëhershëm të Shqipërisë, në krye me diktatorin Enver Hoxha, si dhe atyre staliniste e marksistedhe komuniste.
Zoti Vllasi nëse paskemi luftuar ne shqiptarët apo separatistët nacionalist shqiptar në ngjarjet e vitit 1981 për ideologjinë komuniste, atëherë pse ishe kundër tyre kur ju Azem Vllasi ishit baba i komunizmit dhe përfaqësues i komunizmit për Kosovën sipas platëforemes marksiste-leniniste qe si lende ne universitetin e Kosovës e keni fut ju ,e jo Enver Hoxha, duke i detyruar profesorët të thyejnë edhe plan programet metodike duke ndërhyrë me teza ma të keqet duke i gjykuar si demonstrata armiqësore kundër Jugosllavisë .
Vllasi përmend se Kosova ka qenë e zhvilluar me një ekonomi te ngjashme sikur republikat tjera gjë që bien në lajthitje me atë që u ekzekutonte në praktikë.
Zoti Vllasi krenohet që Trepça atëherë ka pasur afër 25 mije punëtorë Është e vërtet se ka punuar, por lind pyetja se për kenë ka punua, për Kosovën apo për Beogradin. Faktet dhe dëshmitë janë dhe ekzistojnë se Kosova e ka kryer punën fizike ,ndërsa ari , dhe xehet tjera u përcollën përmes vagonëve në Beograd këtë e dinë ma së miri Ali Shukria.
Zhvillimi i Kosovës ka qenë i barabartë sipas parullës “Kosova puno Beogradi ndërto”
Në kohën e Vllasit, Kosova ka qene rajoni me i pazhvilluar ne Evropë. Asnjë metër katror rruge të asfaltuar nuk ka pasur në fshatrat tona.. Asnjë metër gjatësi gyp të ujësjellësit po ashtu nuk ka pasur. Të punësuar ka pasur çdo i 10-ti banor , andaj lind pyetja se nga e nxori Vllasi këtë rezultat se Kosova ka qene e barabartë me republikat tjera në ish Jugosllavi.Për fund krejt kërkoj nga zoti Vllasi që ka diçka kundër, kur të duan dalim në debat publike dhe i sheshisim këto teza të pa qëndrueshme të tij.Koha është të punojmë për të tashmen dhe të ardhmen e atdheut ,ta lemë të kaluarën se akoma në gjysmë të rrugës jemi!?.