• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fajtor jo vetëm klasa politike, por edhe servilët dhe të heshturit!

February 11, 2015 by dgreca

Nga Faik KRASNIQI/
Kush janë servilët? Frikacakët, të padinjitetët, të pangopurit, të paditurit! Ata që kanë frikë për vendin e punës! Ata që synojnë të fitojnë më shumë se sa u përket! Atyre që u ka ngelur pak karakter në deje! Kush janë puthadorët? Puthadorët duhet ta mbajnë disi pozicionin që kanë arritur nga sakrificat puthadorëse. Ata krijojnë rrjeta puthadorësh tjerë, që duartrokasin me injorancë apo me besnikëri puthadorësh, puthadorasin më të lartë. Përderisa ky puthadorasi lartë, i puth dorën dikujt tjetër më lartë se pozicioni i tij, këta të tjerët luftojnë për postin e tij dhe fillon lufta e puthadorjes në konkurrencë, kur i puthin dorën e dijnë se kanë konkurrencën tjetër të rrjetit puthadorësh dhe sa më shumë i puthin dorën dhe kur ai më lartë buzëqesh i duket se i ka lëpirë dorën më së miri, nëse e sheh ndonjë tjetër që i buzëqesh si atij, mund të ndodh që është gati t’i lëpij edhe mendern për të hipur më lartë në dispozicion se tjetri. Kështu bën edhe ky më lartë, sepse e di se është në të njëjtën pozitë si puthadorasit përfundi tij dhe në një mënyrë i gjithë sistemi i krijuar kështu me lëpirje përfitojnë nga eksperiencat e lëpirjeve poshtë e lartë sistemit lëpirës.
……
Prej që shpërtheu eksodi masiv i qytetarëve të Kosovës drejt shteteve të perëndimit, po dëgjojmë lloj-lloj akuza, por deri më tash nuk e dëgjuam asnjë lider apo politikan të thotë se ne jemi fajtorët kryesor për ikjen masive, zhgënjimin qytetar dhe gjendjen e rëndë në të cilën po kalon Kosova!
Por për këtë gjendje të rëndë në të cilën jemi, nuk e fajësoj njëqind për qind vetëm klasën politike, por shumë më shumë edhe servilët, puthadorasit, zvarranikët, të heshturit dhe të dëgjueshmit, anëtar, aktivistë, simpatizantë dhe militantë të të gjitha partive, sepse gjatë këtyre gjashtëmbëdhjetë viteve partitë, liderët dhe bashkëpartiakët e tyre kurrë nuk i kanë kritikuar për gabimet e tyre, por i kanë duartrokitur për çdo gjë! Faj të madh kanë edhe akademikët dhe intelektualët e heshtur, të cilët kurrë nuk e ngritën zërin kundër të keqes! Prandaj edhe këta të lartëpërmendur janë bashkëfajtor bashkë me këtë klasë politike, të cilët kanë pasur pozita të rëndësishme qeveritare dhe partiake! Shumë të tillë i pashë gjatë këtij muaji, kur eksodi masiv drejt perëndimit ka marrë përmasa shqetësuese, e të njëjtit që i përmenda më lart flisnin me gjuhën e liderëve dhe politikanëve të tyre, duke i fajësuar dhe akuzuar rëndë me lloj-lloj etiketimi si ”avanturista, turista, gomarë, idiotë, të papërgjegjshëm ” etj…… njerëzit e zhgënjyer dhe të pashpresë! Shumë prej jush po harroni që edhe ju jeni prindër dhe keni fëmijë! Çdo njeri edhe nëse është pjesë e një partie, kur është në pyetje shteti dhe kombi, duhet të dal mbi partitë dhe liderët, sepse liderët dhe partitë shkojnë e vijnë, e shteti dhe populli ngelet! Por ju u treguat me qindra fytyra – duke imituar gjuhën e njëjtë me ata që e kanë sjellur popullin në këtë derexhe! Edhe unë jam pjesë e një partie ( LDK-së), por të zezës nuk mund t’i them të bardhë, dhe të bardhës të zezë!

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe të heshturit!, faik Krasniqi, Fajtor jo vetëm klasa politike, por edhe servilët

A MOS DËGJUAT NDONJË PYETJE NGA TË ZHDUKURIT …

February 11, 2015 by dgreca

….PËR GJATË SHKELJES SË TERRITORIT TË SERBISË?!/
Nga Ramadan Bozhlani/
Shpresa e mëshirës kaloj nga një fytyrë tek një fytyrë tjetër dhe nga një vit tek një vit tjetër deri sa u ligështua nga forca morale dhe u dergj nga lëngata.
Moralistët hiqën dorë me keqardhje dhe dëshprim nga teorit e tyre, atdhetarët u zhgënjyen ndërsa vetëm ata që këmbëngulen në përndezjen e fantazisë luksoze në kushte mjerane siç janë politikanët kryelart mbetën të poshtruar karshi atyre që me dhimbje vendosën të shpërgulen nga trualli arbëror i ushqyer me gjakun fisnik.
Shtëpit e arnuara nga plagët e luftës sot po ndrrojn titullar, e disa të tjera po e perjetojnë aktin fatal mbylljen e dyerve me shtat dryna.
Pytjeve të trishta të mësimdhënësve: kush mungon sot?
Ju përgjigjen me zë të përvajshëm nxënësat: ata më të zellshmit që i shikojshim si e ardhmja e vendit, kanë marr rrugën për emigrim!
Familje, shkolla, lagje, qytete dhe vendlindje lamtumirë se shpresa po na zhvendos në toka të tjera përmes udhëve të torturushme.
Ndarjet e këtilla tepër të vështira po e ujitin me lotët e dhimbjes tokën për të cilën u flijuan në emër të lirisë.
Shtat vjeteori i pavarësis do t’i gjen nëpër përrenj, nëpër male dhe nëpër rrugë të dërrmuar, të lagur, të baltosur, të frikësuar, të tmerruar dhe me ankthe mu në shtetin e atyre që qenien tonë kombëtare e torturuan, e dhunuan, e masakruan, e pushkatuan dhe u munduan me të gjitha forcat akademike, diplomatike, politike dhe ushtarake te çbanojn nga trualli amnor e me kënaqësi edhe nga ky planet, por, motivet e ikjes janë edhe më tragjike: kafshata e bukës, shërimi i sëmundjeve dhe e ardhmja e fëmijëve.
Edhe familjarët e të zhdukurve udhëtojn për të njëtat arsyje nëpër ato rrugë dhe mund të shkelin mbi eshtrat e familjarëve të tyre sepse ai shtet mban peng eshtrat e afërsisht dy mijë të zhdukurve.
A ka gjë më të rënd nën këtë qiell se sa familja të shkel mbi eshtrat e antarit të tyre të zhdukur që nga lufta, dhe ai atje nën tokë të klith nga gëzimi se familja e tij mbi tokë erdhi për t’ia kthyer eshtrat në vendlindje, por ata mbi tokë i preokupojn edhe një mijë brenga të tjera dhe nxitimthi mundohen ta kalojn territorin e atij shteti që ju ka hap plag të pashërushme.
Klithja në formë të pytjes e nxjerrur nga eshtrat e të zhdukurve nga nën toka e Serbis e çan dheun dhe i ndjek pas: kush po ju detyron ta braktisni atdheun, për të cilin ne u flijuam ?!
“Kafshatë që s’kapërdihet është or vëlla mjerimi, kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi”, Migjeni përmes kësaj fraze shtrin fuqin e fjalës poetike për ta kapur dramaticitetin e mjerimit të njeriut shqiptar edhe në vitin 2015-të.
Vetëm për një çast të mundohemi t’i ndjejm shumë prindër kur fëmijët e tyre kanë nevoj për shërim dhe parat për kontrolle mjeksore dhe barna duhet t’i sigurojn duke trokitur nëpër porta të shumta. A nuk është ky një terror emocional për çdo nënë e baba?! E ka edhe shumë situata të tjera të ngjethura që zemrën njerëzore e coptojn në mijra pjesë.
Preokupimet e larmishme dhe të pandashme prej shumë vitesh shumicën e popullit e orientuan drejt një vendimi të tillë fatal, dhe përball këtij vendimi kushdo e në veqanti ata që ishin përgjegjës për mirëqenien e tyre privohen nga e drejta morale për ta vën para përgjegjësisë këtë karavan njërzish të rrënuar moralisht.
Ky fenomen po i trondit edhe eshtrat nën varre por siç duket shqiptarët po kërkojn me vendosmëri prespektiv, i kanë mbyllur veshët e stërlodhur nga broçkullat dhe s’ka njeri që i spraps dhe t’i rikthehen në botën e tyre të çveshur nga shpresa dhe ëndrrat, nëpër sofrat e tyre ku kryepjata është e mbushur me lëng dhe nëpër ambientet e tyre ku më shumë zotron terri se sa drita.
Gjysma e qeverisë së sotshme mbart mallkimin dhe përgjegjësin për këta lotë të derdhur të dhimbjes sepsa ajo ishte ne krye të tyre përgjat tetë viteve, le te merr inciativen fisnike për të ja konfiskuar pasurin atyre që u pasuruan në korriz të popullit dhe për t’i rehabilituar këta njerzë që do të kthehen me varfanjak se sa ishin.
Ndërsa kryeministri le të merr një inciativ tjetër fisnike duke jav kërkuar pagat e gjashtë mujorshit të paralizës institucionale deputetëve si dhe uljen e rrogave të tyre në emër të rehabilitimit të këtyre të mjerëve.
Shpresa kthehet me plane konkrete që kanë synim fonde për mirëqenien e tyre, e jo deklarat të thata dhe foshnjore se tek e fundit ju do të mbartni mallkimin historik për humbjen e dinjitetit të këtij populli fisnik.

Filed Under: Opinion Tagged With: PËR GJATË SHKELJES, Ramadan Bozhlani, SË TERRITORIT TË SERBISË?!, Te zhdukurit

RESMIE BEQIRI – PINJOLLJA E FUNDIT E DINEJVE TË ÇAMËRISË

February 11, 2015 by dgreca

Shkruan: MSc. Albert HABAZAJ* /
Nga historia dimë, që krahas burrave të mëdhenj të Flamurit Kombëtar, Ismail Qemalit, Isa Boletinit e Luigj Gurakuqit me trima të mençur ka qenë po aq vigan edhe Rasih bej Dino. Edhe ata njerëz ishin, si gjithë të tjerët dhe fizikisht të vdekshëm. Është vepra në shërbim të dinjitetit dhe përparimit të Atdheut, që i bën ata të pavdekshëm, përjetësisht ikona nderimi ndër shqiptarë. Kam patur fatin e veçantë, që kam njohur mbesën e Rasih Dinos, fisniken e paharruar Resmie Muharrem Mane (Beqiri) dhe për mbi 35 vjet kam patur e ruaj miqësi familjare me çiftin ideal të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare dhe ndershmërisë profesionale të Resmie e Skënder Beqirit, nga të cilët ke ç’mëson. Resmien, tani e tutje, nuk e kemi më. Na mungon fizikisht. Të gjithë jemi të ikshëm nga kjo jetë. Ajo qe zonjë. Në tërë kuptimin pozitiv të kësaj fjale. La emër, la respekt, la fëmijë, të mirë, të edukuar, shembullorë, la burrin, që do t’i përmbushë amanetin, si ai i përkushtuar. La një libër të përvëluar me mall e ëndrra lirie për Çamërinë, që dhe fryma i dhemb. Resmia ishte pinjollja e fundit e Dinejve të mëdhenj. Ajo lindi më 15 Maj 1935, në sarajet e Dinejve në Lops të Çamërisë. Mbylli sytë në Vlorë, të dielën e 7 Dhjetorit 2014, në 7 e 12 minuta të mëngjesit. Mëma e saj ishte Myrveti nga Dinejt, e bija e Safet bej Dinos, mbesë e Alizot Pashë Dinos, i cili njihej si luftëtar dhe atdhetar me kontribute konkrete. (Qe një nga shtatë pashallarët e kohës së Ali Pashë Tepelenës; ka qenë me suljotët dhe Ali Pashën. Dhe krushqitë i bënin brendapërbrenda, si gjirokastritët. Për të ruajtur pasurinë e kapitalin, për të mos prishur gjakun e fisin, në atë kohë, martohej kushëriri i parë me kushërirën e parë.) Skënder Beqiri rrëfen me lot të nxehtë në sytë që i xixëllojnë: Të paktën, nga sot, 250 vjet më parë, deri ku nga shkon me emër pema gjenealogjike, Dinejt e parë ishin tre vëllezër. Të tre banonin në Lops, në sarajet e tyre të njohura. Zenel Abedin Dino, babai i Abedin pashë Dinos me emër vajti në Prevezë. Vëllai tjetër, gjyshi i Nuri Dinos dhe Mazar Dinos, u vendos në Paramithi. Në Lops, në sarajet e Dinejve, te guri i themelit, sipas traditës e zakonit të të parëve, qëndroi vëllai i vogël, Alizot pasha Dino . Atje lindi e la tre djem. Njëri, Mehmeti u vra në luftë kundër osmanëve, ndërsa Safet Bej Dinon, gjyshin e Resmies, babain e nënës, Myrvetit, e rrëmbyen në shtëpi pabesisht dhe e hodhën në lumin e Kalamajt (Thíamis). Safeti qe intelektual i formuar i kohës, personalitet me peshë, që i dëgjohej zëri, që truri, shpirti e zemra e tij rrihte për dituri e për Çamëri. Shovenët grekë i hodhën trupin pabesisht në lumë, por jo idealin, sepse ideali i tij kishte lidhur besë me kombin, me qytetërimin mbarëshqiptar, për ta bërë mëmën Çamëri Nuse Bregdeti në Mesdhe. Myrvetit dhe Muharrem Manes, prindërve të Resmies, u lindën 5 fëmijë, 3 djem e 2 vajza, (sipas radhës): Resmia, Haxhiu (vëllai i madh, pas Resmies), Ruiser (motra tjetër, emër gjerman), Rustemi e Safeti (në kujtim të emrit të gjyshit). Resmia kishte ardhur në Durrës, më 1944, kur të gjithë çamët u endën muhaxhirë e një pjesë e tyre u kthye në trungun amë, në Shqipëri, të diktuar e të përzënë nga terrori shovinist grek. Rezistuan sa rezistuan, por s’mund të mbaheshin më 8 milionë egërsira me 25 mijë njerëz të pafajshëm, të pambrojtur. Për t’i shpëtuar masakrave dhe shfarosjes masive, rifilloi shpërngulja biblike e pupullsisë came. Katër a pesë mijë çamë u vranë rrugës. Të tjerët, që mbijetuan, gjetën strehë ca në Sarandë, ca në Vlorë, ca në Fier, ca në Durrës, Tiranë, Rrogozhinë, Elbasan, etj. Skënderi u vendos në Vlorë, një muaj pas çlirimit të qytetit, më nëntor 1943. Babai i tij, Damin Beqiri e ka shkruar historinë e tij me nder, qysh më Trembëdhejtën, në Janinë, krahas luftëtarëve të tjerë shqiptarë. Damini qe nacionalist idealist, anëtar i Këshillit Kombëtar për Bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë. Duke shfletuar edhe nëpër faqet e Historisë së Çamërisë, vërejmë se vëllezërit Dino kanë qenë njerëz me infuncë dhe, më tej, lexojmë këtë paragraf : “Edhe pse Marrëveshja e Mukjes (gusht 1943) ishte denoncuar nga PKSH në mënyrë të njëanshme, nacionalistët çamë i referoheshin asaj si e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjen kombëtare shqiptare. Për këtë ata bënë disa herë thirrje për të shmangur luftën vëllavrasëse dhe për bashkimin e të gjitha forcave për mbrojtjen e çështjes kombëtare, në këtë kuadër dhe atë të Çamërisë. Në një letër që Nuri Dino i dërgonte më 21 shkurt 1944 Sh. Peçit, konstatonte se në Greqi po bëheshin përpjekje për bashkimin e dy forcave kryesore politike të EAM-it dhe EDES-it me synimin që “grekët të shkatërrojnë Shqipërinë edhe nën maskën komuniste…”. Dhe më tej shkruan se “mjaft gjak shqiptari vaditi tokën tonë, mjaft larg u dëgjua afshi i popullit tonë për liri dhe kjo mjafton për të nesërmen, por e nesërmja duhet të na gjejë të bashkuar më shumë se kurrë”. Thelbin e kësaj letre e përbënte kërkesa këmbëngulëse për bashkim “për hir të gjakut që na bashkon dhe të zakonit që s’mund të na ndajë”. Ai kërkonte mendimin për bazat e bashkimit, por me “kusht që të mos preken parimet tona dhe karakteri kombëtar”. Mbas çlirimit, Skënderi u rrit dhe u edukua kombëtarisht nëpër aksionet e rindërtimit të Atdheut, nëpër hekurudhat e para, për hapjen e rrugëve të reja në malësitë shqiptare të Veriut, mbaroi dhe shkollën e mesme teknike (Teknikumin e Ndërtimit, si quhej atëherë, që u hap në Shijak). Bashkë me prof. Ibrahim Zejnon etj., gjithë kohës, ka marrë pjesë në aksionet e rinisë, ndërsa, më tej, për 40 vjet është marrë me fotografinë. Skënder Beqiri dhe fotografia në Vlorë u bënë simonime të njëri- tjetrit. Ai njihet si kryemjeshtri i fotografisë në qytet. Nga ana tjetër, Resmia rritej e zbukurohej me dinjitet. Mbaroi shkollën e mesme “Ali Demi”, gjimnazit të mbarënjohur shqiptarisht, që mban emrin e heroit çam, me të cilin ajo krenohej se e kishte patriot, bashkëkrahinar, që gjakun i fali lirisë si lule ylli. Ajo punoi me korrektesë qytetare dhe ndershmëri profesionale në institucione të ndryshme të Vlorës. Skënderi u fejua me Resmien në vitin 1953 dhe, një vit më von, në Vlorë, në korrik 1954 u martua e lidhi jetë me pinjollen e vetme të fisit të madh shqiptar të Dinejve në Vlorë. Shembullorë në familje në fis, në mëhallë, në lagje, në qytet. Një jetë të tërë – model i pastër i familjes tradicionale shqiptare. U lindën 3 fëmijë, 2 vajza e 1 djalë: Vjollca, Erenata dhe Arjani. Vjollca është ekonomiste e lartë, menaxhere, martuar më 1991 në Çamëri, ka dy djem: Gerhart dhe Dinaj. Janë shumë domethënëse këto doke (zakone) edhe në Çamëri, që, për të përngjallur gjyshin e tyre, e kujtojnë brezash në emrat e fëmijëve. Djali i parë është në universitet, i vogli maturant. Erenata është me të mesme, punon rrobaqepse, jeton në Itali, martuar më 1989 me Namik Nurin, tregtar çam (e kanë vrarë më 15.11. 1998 e s’dihet ende kush). Erenata ka dy fëmijë, një djalë e një vajzë. Djali quhet Arnold dhe është në vit të fundit në universitet, studion për elektronikë. Vajza është në Universitetin e Tiranës , në vit të dytë për stomatologji. Arjani, drita e syrit për Skënderin dhe Resmien, është me arsim të lartë për mësuesi, por sot ushtron një biznes të vogël privat si ndërtues. Është martuar në 2004 me Arkidën nga Isufajt e Çamërisë, (mësuese anglishteje në Vlorë) Kanë tre fëmijë, tre djem. Ata quhen Damian, Dilan dhe Bijan, janë të vegjël. Damiani (i kanë vënë emrin t’i afrohet babait të gjyshit) është në klasë të tretë fillore, Dilani në klasë të parë dhe Bijani në kopësht. Të rregullt, të pastër, korrekt, në gjurmët e prindërve dhe të gjyshërve. Vazhdimisht, unë kam shkruar e kam botuar në gazetë shkrime për Çështjen Çame dhe etnokulturën e Çamërisë; kam shkruar e botuar edhe për veprimtarinë e dalluar atdhetare të Skënderit dhe të zonjës Resmie, dritë bëftë atje ku prehet. Resmia ka botuar edhe një libër me mall e dhembje, titulluar “Lot i brengosur”. Edhe për të kam shkruar një artikull. Ajo e la frymën në moshën e bardhë 80 vjeçare, se e bardhë qe, si bora e malit që shndrit nga dielli i kthjellët qiellor. E la frymën mbi një fletore të shtrenjtë, me kujtimet e jetës së saj, me fjalët e nënës dhe të babës, me rrëfimet e gjyshes dhe të të parëve të saj, që kanë ardhur gojë më gojë nga kujtesa familjare e memoria sociale, ku ajo u rrit e u edukua si pinjolle e një fisi emërmadh në historinë e Çamërisë e të mbarë shqiptarisë. Vetë ia vuri emrinasaj fletoreje të madhe: “Çamëri, lot’ i brengosur”. Do t’ja botojë Skënderi me vajzat edhe djalin, me nipërit dhe mbesat, që lulëzojnë si shpresa të gjelbra. Skënderi po tretet si qiriri dhe s’ka për t’u fikur, sepse ka ende detyra për të kryer. Po përmbush amanetet e gruas, të asaj fisnikje të ndritur; sepse po përmbush, aq sa mundet maksimalisht, amanetet Çamërisë, krahut të plagosur të shqiponjës në fluturim. Ja kështu, Resmia dritëruese, mikeshë e nderuar e Nermin Vlora Falaschit, po shkon e qetë në paharrim.
*) Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”
Universiteti”Ismail Qemali”, Vlorë,

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Habazaj, RESMIE BEQIRI – PINJOLLJA E FUNDIT E DINEJVE, TË ÇAMËRISË

Kush ma rrëmbeu djalin?

February 11, 2015 by dgreca

Në kuadër të një përvjetori/
Nga Reshat Kripa/
Kjo ngjarje tragjike më doli parasysh këto ditë në kuadrin e njëzetvjetorit të saj. Ishte shkurti i vitit 1995. Isha ulur në zyrën time të punës në Vlorë dhe po punoja. Isha zhytur aq thellë në shkresat sa nuk e dëgjova trokitjen e portës. Vetëm kur ajo u përsërit, ngrita kryet dhe fola me zë të lartë:
– Hyni!
Në zyrë hyri një burrë i moshuar, rreth të shtatëdhjetepesave Fytyra e tij kishte një pamje të çuditshme. Dukej sikur prej saj kishte kohë që kishte ikur gëzimi. Ajo fytyrë tregonte një dhimbje të madhe. I porsaardhuri mbylli me kujdes derën dhe u ndal pas saj.
– Urdhëroni! Urdhëroni! – i thashë.
I panjohuri u afrua me ngadalë. I zgjata dorën, të cilën ai ma kapi me të dy duart.
– Falemnderit, mor bir! – foli – Quhem Milto Neranxi dhe jam nga Himara. Kam ardhur te ju për t’ju treguar historinë time ose më mirë të djalit tim të zhdukur nëpër labirintet e diktaturës
– Uluni, uluni! – e ftova i shtyrë nga kureshtja që më shkaktuan fjalët e tij..
Fjalët e plakut më kishin ngacmuar ndërgjegjen, më kishin shtuar interesin për të mësuar më tepër. Plaku u ul. I rash ziles. Në zyrë hyri sekretarja. Porosita dy kafe e dy raki dhe iu drejtova të porsa ardhurit:
– Jam gati t’ju dëgjoj.
– Ngjarja për të cilën do t’ju flas, – filloi ai – është aktakuza ime ndaj diktaturës së përmbysur dhe disa individëve që u bën vegla të saj. Ata individë janë edhe sot dhe jetojnë me fytyra anonime. Këtë aktakuzë e bëj unë plaku tetëdhjetëvjeçar, i rënduar nga humbja e tim biri. E bën shpirti i një nëne që u nda nga kjo botë pasi nuk mundi të duronte humbjen e djalit. E bën një grua njëzetepesë vjeçare që humbi burrin dhe jetën e saj. E bëjnë dy fëmijë që një dorë gjakatare i detyroi të rriten pa përkëdheljen e babait të tyre. Së fundi këtë e bën edhe çdo njeri i ndershëm që dëgjon për bëmat e përbindshme të zhdukjes enigmatike të sa e sa personave si im bir.
Plaku mori frymë thellë duke lëshuar një psheretimë të zgjatur. Ndërkohë mbërritën kafet.
– Gëzuar! – i thashë duke ngritur gotën, – për të mira!
– Gëzuar, or bir…
Plaku e ktheu gotën me ngadalë, duke pëshpëritur një urim të cilin nuk arrita ta kuptoja. Po e shikoja me vëmendje në fytyrë duke pritur vazhdimin e tregimit. Plaku drodhi një cigare nga kutia e tij dhe më drodhi edhe një mua.
– Falemnderit, nuk e pi, – i thashë.
Po e shikoja me vëmendje në fytyrë duke pritur vazhdimin e tregimit. Duhej të ishte një histori shumë interesante. Megjithatë nuk i fola por prisja që ai të fillonte vetë. Por plaku vazhdonte të pinte pa folur. Edhe unë vazhdoja gjithashtu të pija pa folur. Së fundi, si e mbaroi të gjithë, ai filloi:
– Leandro Neranxi, ose Levisi si e thërrisnin shokët e tij, ishte biri im. Ishte vetem tridhjetedy vjeç. Punonte në fabrikën e lëkurëve. Nuk do ta harroj kurrë natën e 15 shkurtit të vitit 1988. Shkoi në punë në ndërresën e dytë dhe nuk u kthye më kurrë. E pritëm me ankth kthimin e tij. Ishte një pritje e tmerrshme. Sidomos unë që dija disa gjëra për të, isha shumë i shqetësuar. Pas mesit të natës u ngrita dhe shkova në fabrikë. Atje pyeta për të, por më thanë se nuk ishte paraqitur fare. Ç’të bëja? U ktheva në shtëpi. Gruas dhe nuses u thashë se do të punonte dy ndërresa për të zëvendësuar një shokun e tij. Ajo ishte nata më e gjatë e jetës sime.
Kështu në ankth kaloi dhe dita e nesërme. Djali nuk po bëhej i gjallë. Ku të ishte vallë? Mendja më shkonte në lloj-lloj rrethanash misterioze e të frikshme. – Mos është ndonjë femër në mes, or burrë? – pyeti gruaja që kishte filluar të shqetesohej edhe ajo.
– Jo moj grua jo! – iu përgjigja unë, i bindur për ato që thoja.
Një gjë e tillë nuk ishte e mundur. E njihja karakterin e tim biri. Ai nuk do të pranonte kurrë të braktiste gruan dhe fëmijët për këdo tjetër.
Të nesërmen shkova në polici dhe u thashë për djalin. Ata u hoqën sikur nuk dinin gjë. Operativ Agimi më sugjeroi që të pyesja njerëzit e mi në Tiranë, Fier dhe Lukovë. I mora që atë ditë të gjithë në telefon, por asgjë.
Në këtë kohë plaku nxori përsëri kutinë e duhanit dhe drodhi cigaren e dytë. Si e thithi tri katër herë, vazhdoi:
– Pas dy ditësh në mbrëmje në shtëpi vjen operativ Agimi, i shoqëruar nga Spirua, kryetari i këshillit të bashkuar dhe disa policë të tjerë. Kontrolluan dhe bastisën gjithçka. Së fundi Agimi më pyeti se ku ndodhej fotografia e gjyshit. Ishte nje fotografi e madhe e vjetër e vendosur në kornizë. Ia tregova. E mori, e nxori nga korniza dhe prapa saj gjeti një letër të cilën e futi në xhep.
– Ç’është ajo letër – e pyeta unë.
Nuk më ktheu pergjigje. Si kontrolluan edhe pak dhe nuk gjetën gjë u larguan pa folur.
Pas disa ditësh më njoftuan se duhej të paraqitesha te operativ Agimi. Shkova dhe më futën në zyrën e tij.
– Djali yt ka tradhtuar atdheun, – më tha – dhe është arratisur në Greqi.
U largova duke mos besuar në variantin e ri që më serviri. Sa do të doja të kishte qënë e vërtetë një gjë e tillë. Por zemra më ndillte se kjo nuk ishte kështu. Im bir nuk mund të bente një gjë të tillë. Ai më kishte treguar shumë gjëra të tjera dhe, po ta kishte ndër mend këtë, me siguri do të ma thoshte. Një e dridhur më përshkoi trupin. Për herë të parë më lindi mendimi se djalin ma kishin vrarë dhe shpikën alibinë e arratisjes, për të mbuluar gjurmët.
Plaku drodhi cigaren e tretë dhe përsëri më ofroi edhe mua. Kësaj here nuk e refuzova dhe e ndeza. Porosita edhe dy kafe të tjera. Kafet erdhën dhe filluam t’i pimë me ngadalë. Pastaj plaku vazhdoi:
– Megjithatë doja të sigurohesha. Shkova në Vlorë dhe në Tiranë. U interesova në degën e punëve të brëndshme dhe në ministri. Por kudo mora të njëjtën pergjigje. Telat ishin rakorduar kudo njëlloj. Kur isha në Tiranë i shkrova një letër një kushëririt tim që jetonte në Greqi. Ai u interesua dhe pas një farë kohe më ktheu përgjigjen. Djalit nuk i gjendej asnjë shenjë. Atëherë m’u forcua bindja se djalin ma kishin zhdukur. Një gjë të tillë ma forconte më tepër edhe një episod që ma kishte treguar djali para ca kohe.
Plaku heshti dhe po mendohej. Në këtë kohe hyri në zyrë sekretarja që më solli një shkresë për ta nënshkruar. E nënshkrova pa e patur mendjen dhe i bëra shenjë që të largohej. Pas
një heshtje të gjatë plaku vazhdoi:
– Një ditë e thirri Agimi dhe i propozoi të bëhej bashkëpuntor i Sigurimit. Djali nuk pranoi. Tradita familjare nuk e lejonte të ushtronte atë profesion të ndyrë. E mbajtën katër orë nën presion të vazhdueshëm. Në fund e lanë të lirë, duke e këshilluar që të mos i tregonte kujt për sa kishte ndodhur. Pas disa ditësh e morën përsëri dhe e çuan në njërën nga dhomat e hotel Turizmit. Atje Pirrua, nënkryetari i deges, i kërkoi që t’i dilte dëshmitar Lea Dhimojanit, një shokut të tij që ishte arrestuar disa muaj më parë. Djali nuk pranoi. Atëhere filluan ta torturojnë. E mbajtën dy ditë. Kur u kthye në shtëpi dukej i shfytyruar. U trondita shumë kur e pashë në atë gjendje. E pyeta se çfarë i kishte ndodhur. M’i tregoi të gjitha.
– Të lumtë, more bir! Nuk më paske turpëruar. – i thashë me krenari duke e përqafuar.
Që atë ditë nuk e thirrën më. Mendova se e kishin harruar. Por u gabova. Pas dy muajsh ata e morën për të mos e kthyer më. Një gjë të tillë ma forcoi fakti i letrës që gjeti Agimi në fotografinë e gjyshit. Kush i kishte thënë atij që aty kishte një letër, ku as unë nuk e dija një gjë te tillë? Me siguri ka qenë im bir, i shtrënguar nga torturat çnjerëzore, që i ka treguar. Jam i sigurtë se djali im ka rënë viktimë e torturave që i morën edhe jetën.
Pas një viti na ndodhi edhe fatkeqësia tjetër. Ime shoqe nuk e duroi dot dhimbjen dhe mbylli sytë.
Kjo është e gjithë historia për të cilën kam ardhur te ju. Dua vetëm një gjë. Kam dëgjuar që ju shkruani nëpër gazeta. Hidhini në letër këto dhe botojini ku ta shihni të arsyeshme. Nëqoftëse nuk munda të zbuloj gjë, të paktën njerëzia të mësojnë tmerret e asaj periudhe.
I premtova se do t’ia plotësoja dëshirën. Gjithashtu i premtova se do ta ndiqja çështjen edhe në komisariatin e policisë.
– Nuk ka mbetur asnjë gjurmë. – tha plaku – U interesova. Takova edhe kryetarin. Ishte një burrë i mirë. Kërkoi gjithandej, por nuk gjeti asgjë. Ata i kishin zhdukur të gjitha dokumentët. Ndërsa shkaktarët e këtij krimi, Pirrua, Agimi dhe Spirua kanë fluturuar në Greqi, ku një djall e di se me çfarë merren. U mundova edhe deri atje, por përsëri nuk gjeta gjë.
U ngritëm dhe dolëm përjashta. Iu luta të qëndronte atë natë. Nuk pranoi. E përcolla deri te autobuzi i linjës. U përqafuam dhe u ndamë. Kur u nis autobuzi e përshëndeta me dorë. Që nga ajo ditë nuk e pashë më. Pas një viti mësova se kishte ndërruar jetë me brengën për djalin e zhdukur.
Me këtë subjekt bëri një shkrim. E botova në gazetën “Albania” dhe në atë vendore “Zëri i Vlorës”. Më dukej sikur e kisha kryer amanetin e tij.

Filed Under: ESSE Tagged With: djalin?, Kush ma rrëmbeu, reshat kripa

Gjykata i heq të drejtën mbi pronën Kishës së Shën Piu X në Elbasan

February 11, 2015 by dgreca

ELBASAN – Që prej vjetësh, terreni në të cilin ngrihen kisha e Shën Piut X dhe Qendra baritore e Elbasanit, për të cilat kujdesen orioninët, kanë probleme gjyqësore për shkak të pronësisë së tokës. Gjithçka dukej se do të zgjidhej me anë të Komisionit të përbashkët ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Kishës Katolike, siç parashikohet nga Marrëveshja me Selinë e Shenjtë, ndërkaq, një trupë e Gjykatës së Lartë në Tiranë, e mbledhur më 5 shkurt, mori vendim përfundimtar, duke hedhur poshtë pretendimet e Kishës Katolike dhe të Avokaturës së Shtetit për çështjen. Vendimi, në çastin që bëhet zbatues, e detyron Kishën të lirojë terrenin nga ndërtimet, duke shkatërruar kështu kishën Shën Piu X dhe Qendrën baritore, për t’ia kthyer të zotit. Sipas komunikatës së Veprës së don Orionit, terreni i është shitur Kishës Katolike para 20 vjetësh nga shteti shqiptar. Kisha dhe Qendra u ndërtuan pas marrjes së lejes së ndërtimit nga organet kompetente lokale. Përurimi i tyre u bë në vitin 1997. Në vitin 2007, një qytetar shqiptar kërkoi kthimin e pronës së vjetër të familjes së tij e Gjykata ia njohu. Kisha e shën Piut X është e vetmja famulli katolike në një zonë prej 125 mijë banorësh e tani rrezikon të shkatërrohet, – denoncojnë orioninët.
Në foto: Kisha Katolike në Elbasan

Filed Under: Kronike Tagged With: Gjykata, i heq të drejtën, mbi pronën Kishës, ne Elbasan, së Shën Piu X

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4101
  • 4102
  • 4103
  • 4104
  • 4105
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT