Takim i përzemërt i Komunitetit Shqiptar me ambasadorin e R. së Kosovës në Zelandën e Re Dr. Sabri Kiqmarin/
Shkruan: Sabit Abdyli, Auckland, Zelandë e Re/
Pas një vizite në kryeqytetin e Zelandës së Re, ku ambasadori ka pasur takim me Guvernatorin e shtetit, ambasadorët e akredituar në Zelandë të Re dhe pjesëmarrjes në festën nacionale Waitangi Day, ditës kur u nënshkrua Trakti mes popullsisë vendëse dhe përfaqësuesit të mbretëreshës Viktoria të Britanisë së Madhe para 175 vjetëve. Ambasadori gjithë pasdreken sot, më 7 shkurt 2015, e kaloi në mesin e mërgimtarëve zelandezo- shqiptar me banim në qytetin e Auckland-it. Në orët e pasdites u mblodhën mërgimtarë të të gjitha moshave, me origjinë nga gjitha tokat shqiptare për t’i uruar mirëseardhje ambasadorit. Ambasadori në fjalën e tij para të pranishmëve të shumtë në sallë foli për vizitën e tij në Wellington, marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes shteteve tona dhe mundësitë për zgjerimin e këtyre marrëdhënieve me interes të përbashkët. U gëzova, vazhdoi ambasadori, kur guvernatori i shtetit më tha se shqiptarët njihen për sjelljet të mira, si punëtor të vyeshëm dhe inkuadrimin e tyre me sukses në shoqërinë zelandeze. Më pas Dr. Kiqmari foli për mundësitë e shtetit të Kosovës në ndihmën e hapjes së shkollës shqipe, furnizimit me tekste shkollore për fëmijët tanë, gjetjen e mënyrave në ruajtjen e traditave dhe të gjuhës. Në vazhdim ambasadori u përgjigj në pyetjet e mërgimtarëve. Gjatë drekës me gatimet tradicionale shqiptare që zgjati deri në orët a mbrëmjes, ambasadori shtruar, pa përtesë shtrëngoi duart, u fotografua dhe bisedoi me të gjithë.
Sabit Abdyli, Auckland, Zelandë e Re
TA KEMI BESIMIN PËR TË JETUAR NË VENDIN TONË
NGA HARRY BAJRAKTARI/
Skenat e përditshme të ikjes së qytetarëve nga Kosova janë shqetësuese dhe si të tilla po e dëmtojnë imazhin e vendit tonë në Evropë dhe botë. Migrimi ilegal i këtyre ditëve ka marrë formën e një fushate të pakontrolluar. Duke mos mohuar arsyet dhe kushtet ekonomike të tyre,
papunësinë dhe problemet tjera jetësore që kanë, një formë e tillë e ikjes masive, e pa kontrolluar dhe paditur se çfarë do të jetë fati i tyre në ato vende ku pretendojnë të gjejnë strehim, është e keqja tjetër dhe vendim i ngutshëm, i pasigurt dhe e jo rracional. Ikja me
tërë familjen, duke lënë shtëpitë e zbrazëta, është përsëritur shumë herë në Kosovë, por në rrethana krejt tjera historike e politike. Rasti i tashëm i zbrazjes është një fenomen që ndoshta do një shpjegim më të thellë, sesa ajo që është thënë e shkruar deri tash. Liria e lëvizjes është një e drejtë e patjetërsueshme e njeriut, e kodifikuar me normat ndërkombëtare, por ajo duhet të orientohet brenda zyazave legale, jo në mënyrë të pa rregullt e të pakontrolluar, duke rrezikuar
jetën e familjes dhe të vetvetes në kapërcimin e kufirit ilegal nëpër malet e Hungarisë. Është vështirë të mendosh se nga kjo rrugë e migrimit mund të përfitohet dicka ngaqë vendet e BE-së nuk strehojnë më azilantë.Të gjithë këta qytetarë të Kosovës që pretendojnë vendqëndrim nuk plotësojnë asnjërin nga kriteret e azilantit politik. Këtu fitues dalin vetëm kontrabandistët që janë serbë e shqiptarë. Kosova ka bërë shumë sakrifica dhe nuk do të duhej të braktiset në këtë formë nga qytetarët e saj. Kjo sakrificë dhe ky investim ka qenë i të gjithëve dhe s’ duhet harruar. Të kemi besim të jetojmë në vendin tonë dhe këtë besim ta materializojmë në forma të ndryshme duke krijuar të mira materiale dhe shpirtërore. Nga shpallja e pavarësisë e deri më tani institucionet e Kosovës nuk kanë pasur një qasje të mjaftueshme dhe zerioze për të hapur vende të reja pune, zhvillim ekonomik dhe krijimin e një perspektive të qartë për qytetarët e saj. Kjo ka bërë që qytetarët sot të ndjehen të pasigurt dhe të kenë një dozë frustrimi. Si rezultat i saj del edhe ikja nga Kosova, por mos të harrojmë se në këtë kaos të krijuar ka edhe mashtrim dhe shumë iluzione.Populli ynë ka bërë shumë sakrifica për lirinë e tij, e tash duhet të bëjë sakrificë edhe për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit. Qytetarët e Kosovës duhet të kërkojnë përgjegjësi ndaj atyre që ua dhënë votën, e jo të ikin. Mendoj se Kosova është vonuar lidhur me disa projekte të zhvillimit dhe të punësimit. Qeveria, politika dhe të zgjedhurit e popullit, më
herët dhe tash, nuk mund të amnestohen nga kjo që po ndodh. Këto pamje që po e përshkojnë Evropën, nuk mund të kalojnë pa pasoja për Kosovën dhe imazhin e saj. Në këto momente është jetike se si të veprohet dhe si të ndalet ky migrim i popullatës dhe të mos shohim skena të tilla nëpër kufij dhe në kampet kolektive të strehimit pa kurrfarë kushtesh! Pra, çështje është si të ndryshohet kjo situata? Kuvendi i Kosovës miratoi një Rezolutë për pengimin ilegal të migrimit të qytetarëve të saj. Kjo nuk do të mjaftojë që të ndryshohet gjendja e tashme nëse nuk ka një zotim të prerë në tejkalimin e vështirësive të grumbulluara dhe në krijimin e kushteve për një jetë stabile ekonomike të qytetarëve në vendin tonë. Këto skena janë një alarmi më shumë për institucionet e Kosovës. Qeveria të jetë e përshpejtuar që sistematikisht të krijojë kushte për hapjen e vendeve të reja të punës duke zhvilluar sektorët më vital të ekonomisë, e sidomos sektorin e bujqësisë ku ekzistojnë mundësi më të mëdha punësimi, të ketë stimulim për bizneset private, të vogla dhe të mesme, krijimin e lehtësimeve doganore dhe rritjen e cilësisë së prodhimeve vendore në konkurencë me ato të importuara.Qeveria të punojë më shumë për të fituar besimin e qytetarëve, i cili shihet i luhatshëm pas këtyre skenave të largimit. Institucionet e Kosovës duhet ta fitojnë betejën mbi korrupcionin dhe krimin e organizuar. Pa fitimin e kësaj beteje nuk do të ketë as fitim të besimit nga qytetarët. Liberalizimi i vizave është një faktor shumë i rëndësishëm për Kosovën. Me këtë qytetarët tanë do të realizonin një të drejtë të tyre si të gjithë qytetarët e vendeve tjera. Integrimi në Bashkësinë Evropiane, në NATO dhe në strukturat e tjera, është një mundësi e madhe për perspektivën e Kosovës dhe për stabilizimin e saj edhe në aspektin e sigurisë dhe të zhvillimit ekonomik. Kosova është vendi ynë për të cilin kemi investuar aq shumë, duhet ta duam edhe kur s’ jemi të kënaqur.
*Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro- amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.
Kënga puth qiejt…
Esse- rreth ceremonisë martesore të artistes shqiptare, në Amerikë, Aida Dyrrah/
Shkruar nga Raimonda MOISIU/
Këngëtarja shqiptaro-amerikane Aida Esther Dahan e njohur ndryshe në botën e Artit e të Muzikës shqiptare me emrin artistik Aida Ndoci Dyrrah po përjeton momentet më të bukura e të lumtura të jetës, për gati pesë vjet me të dashurin e saj me kombësi isrealite Eyal Dahan, dashuri të cilën e kurorëzoi në martesë në fundvitin e kaluar. Dashuria e artistes shqiptare me Eyal lindi me shikim të parë në avionin Lufthansa, i cili u shëndrrua në qiellin e dashurisë për dy të rinjtë, që fati ju kishte rënë të kishin sediljet ngjitur dhe udhëtonin drejt Amerikës. Gjatë bashkëjetesës Aida & Eyal sollën në jetë vajzën e tyre Nathel, fryti i asaj dashurie të bukur, që lindi në lartësitë qiellore, dhe me të drejtë Aida shprehet se: “Love is in the Air”! Nuk ka asnjë lloj pasurie apo pushteti që mund ta zëvendësojë dashurinë për gjysmën time, Eyalin.”-thotë artistja. Ajo është gjithmonë e dashuruar me princin që i fali gjënë më të bukur në jetë, Baby Girl-Nathel-që në shqip do të thotë “Dhuratë e Zotit”. Dhe për këtë artistja falenderon Zotin.
Aida Esther Dyrrah është një nga këngëtaret më të preferuara e kërkuara në Diasporë, ku jep maksimumin e talentit të saj dhe rrëmben nga publiku artdashës duartrokitjet, mirënjohjen dhe admirimin e tyre. Gjurmët, përpjekjet, ëndrrat e sfidat e karrierës së saj artistike muzikore janë vlerësuar me cmime kombëtare, si fituese e Festivalit të 45-ë të Këngës në RTSH, me “Balada e Gurit”, e cila u kualifikua edhe për në Eurovizion, 2007-ë, Helsinki, dhe me cmime mirënjohje ndërkombëtare në Diasporë.
Aida Esther Dyrrah & Eyal Dahan kurorëzuan në martesë, bashkëjetesën e tyre prej disa vitesh në një ceremoni tradicionale dhe epike hebraike në Temple of Mashadi, Jeëish Center me adresë 48 North Rd, Great Neck,11024, Long Island Neë York, në mesin e dhjetorit të vitit që kaloi, një javë para Krishlindjeve. Ceremonia ishte private, modeste, e mahnitëshme, dhe me të vërtetë e këndshme dhe mbresëlënëse, që buron nga pasuria tradicionale e ritualit martesor dhe shenjtërimit të dashurisë, mirëfilli klasike, realiste e tradicionale mes dy kulturave, hebraike dhe shqiptare. Rituali martesor në Temple of Mashadi u krye dhe u bekua mjeshtërisht nga Rabbi Abraham Tash. Në sytë e Aidës dalloje lehtë kristalet e lotëve dhe dridhjen e supeve, jo vetëm për shkak të sezonit dimëror me temperatura të ulëta, por ishte gjendja emocionale e nuses. Rrezet e diellit dimëror dolën nga retë e bardha dhe disi të trishta, vetëm në momentin e duhur gjatë ceremonisë, depërtuan përtej emocioneve të ciftit martesor, duke i ngrohur me idenë se ishin më të lumtur se kurrë, po jetonin momentin me solid të vetëbesimit mes tyre –lidhjen martesore – dashurinë e jetës. Dashuria është frymë. Ajo të con në lumturinë shpirtërore, kur ajo është dashuri e vërtetë. Në pamje të parë cifti dukej i qetë mes vedit. Ata kanë pasur mjaft kohë të rrinë sëbashku e ta njohin më mirë njëri tjetrit, derisa erdhën në altarin e dashurisë, të lidhin përjetësisht martesën. Artistja shqiptare dukej si një hyjneshë me fustanin e bardhë të nusërisë, të stolisur me perlat e bardha. Vellua derdhej magjishëm në shtatin e saj të bukur dhe dielli vezullonte perlat e vellos sikur të ishin, ylbere të argjënda. Ylbere që ngjasonin me shiun e imët, dhe nuk ishin gjë tjetër vecse lotë gëzimi. Dhëndërri i qëndronte përballë. Vetëm e vështronte, me buzëqeshje e adhurim. Supet e kolme e të brishta të Aidës dridheshin, ndërsa buzëqeshja e saj, dhuronte ëmbëlsinë dhe ngrohtësinë tek të pranishmit, që për një çast kishin ngulur sytë e tyre te bukurija përrrallore e ciftit. Aida & Eyal dëshironin që ai cast të mos mbaronte kurrë. Vështrimin rrëzëllitës me sytë e ngrohtë e të qeshur nuk ia ndanin njëri tjetrit dhe duart shtrënguar, edhe në castin kur Eyal-i i tha: “Ndjehem i bekuar që erdhe në jetën time, Aida! Mbas mbarimit të ritualit në Temple of Mashadi, Jeëish Center, cifti dhe pjesëmarrësit e dasmës, familja e Aidës dhe Eyalit, miq shokë e të afërm nga të dyja palët, u zhvendosën në kështjellën hebraike të ciftit Faye & Michael Doomchin, një bujtinë mikpritëse, ku brenda saj gjithcka ishte dizenjuar sipas traditës hebraike dhe shqiptare, me flamurin hebraik dhe shqiptar. Më duhet të theksoj se cifti Faye & Michael Doomchin ishin jo vetëm mikriptësit, të cilët hapën dyert e kështjellës së tyre, por ishin edhe menaxhuesit e ceremonisë martesore nga fillimi deri në fund. Ndërsa Kathy Cekaj, mike e ngushtë e artistes shqiptare, ishte shoqëruesja kryesore e nuses (bridemaid). Gjithashtu zonjusha Kathy ishte kujdesur për tualetin dhe fustanin e nusërisë të Aidës. Ndërsa Myer Zaibel dhe Russell Ëinner ishin shoqëruesit kryesorë (bestmen) të dhëndërrit, Eyal. Kjo përzierje e traditave të dy kulturave ishte sa modeste, po dhe aq magjike, e këndshme dhe mbresëlënëse për dashurinë, e cila lindi në qiell me shikimin e parë, mori frymë lirisht në rrugën e bashkëjetesës dhe deri në ditën simbolike të martesës. Ditët e ftohta të dhjetorit i shtuan ciftit dhe së bashku me të edhe pjesmarësve, kënaqësinë e të qënit ngrohtë në ceremoninë martesore, për nga harmonia dhe dashuria, ashtu si vetë jeta, që është e bukur plot dashuri dhe mirësi, në të përditshmen njerëzore. Përzierja e traditave të dy kulturave asaj shqiptare dhe hebraike ishte shumë domethënëse, tunduese, prekëse, emocionale dhe tejet mbresëlënëse. Një nga momentet më kulminante ishte ura e Jamakëve sipas traditës hebraike. Secili dasmor si ai hebraik dhe shqiptar kishin vënë në kokë Jamakën* dhe prisnin nusen e dhëndërrin të zbriste nga makina. Në sytë e Aidës kishte lot gëzimi dhe të qeshura, teksa vështronte nënën e saj e të afërmit e tjerë. Dukej sikur u thoshte: Bobo edhe këtë jau bëra, ju vura Jamakën në kokë! Kënga e parë në gjuhën angleze “Forever and Alëays” u këndua nga vetë artistja shqiptare, të cilën ja kushtonte gjysmës më të mirë të jetës së saj, të dashurit Eyal dhe frytit të tyre të dashurisë, Nathel. Më pas muzika dhe vallëzimi do të gjallëronin dasmën dhe pritja festive e dasmorëve ishte argëtuese me muzikë dhe vallëzim deri në orët e vona të mbrëmjes. Të gjithë dasmorët, kërcenin, qeshnin, trokisnin gotat e ngrinin dollitë nën tingujt e muzikës popullore shqiptare, hebraishte dhe angleze, mes haresë e gëzimit të pafund. Moment mbresëlënës ishte edhe prerja e tortës ku binte në sy mbishkrimi “Love is in the air”, si për t’ju treguar të gjithëve se ishte pikërisht qielli ai që lidhi këtë dashuri, dhe betimin për të qenë bashkë gjithë jetën. Babai i Aidës me jamakën në kokë priti bijën e tij kur zbriti nga makina dhe e shoqëroi për në Hupa (Chupa*), ndërsa vjehrra e bekoi Aidën sipas traditës hebraishte, duke pirë verë nga e njëjta gotë me nusen e ardhshme të djalit, që simbolizonte mirëkuptimin dhe respektin reciprok nuse & vjehrrë. Aida këndoi serenatat e Korcës dhe këngën popullore të jugut nga është origjina e prindërve të saj, këngët popullore të Shqipërisë së mesme të zonës së Durrësit, aty ku artistja është lindur, rritur e kënduar për herë të parë, që i dha asaj edhe emrin artistik Aida Dyrrah. Serenatat korcare si; ‘C’është ajo që po zbret nga mali”, “Të dinja të vogël”, “Bëmë Zot dhëndërr ëëëë “, “Kur nata Korcën e mbulon”, “Më mirë me ty dhe fukara” , do të ndiznin dasmën dhe u pëlqyen shumë nga të afërmit e dhëndërrit të cilët do të vallzonin deri vonë nën tingujt e muzikës. Është kënaqësi të marësh pjesë në ceremoni të tilla, po dhe aq sa vështirë të përshkruash një skenë të tillë që edhe pse nuk ka regjizor, vetë momentet e përjetuar vijojnë sikur të qe një filëm i ndërtuar me dhjetra skena e dublime. E gjithë dasma ngjante si një përrallë e kohës moderne.
Të trashëgohesh Aida!
*Jamaka-Kapelja e vogël karakteristikë e kombësisë hebraike që vendosin meshkujt në kokë.]
*Hupa(Chupa shkruhet hebraisht e shqiptohet Hupa, në shqip është Tenda e Shenjtë, e ngritur apostafat për të bërë bekimin e ciftit)
Shkruar nga Raimonda MOISIU
Shkurt, 2015
.
Në ditëlindjen e 74-t të “Mjeshtrit të Madh”, Ferdinant Deda
“I dashur Baba! Sot do ishe 74 vjec. Jetove shpejt, ike shpejt. Na le pas një mal me muzikë dhe kujtime. Ta gëzosh ditëlindjen. Yt bir” shkruan edhe Elton Deda Muzikanti i njohur dhe i famshëm, si një status në adresën e tij zyrtare në rrejtin social facebook.
“Mjeshtrit të Madh” Ferdinant Deda lindi në Peqin, 5 shkurt të vitit 1941. Pasi mbaroi liceun artistik në Tiranë në vitin 1960 studioi në konservatorin e muzikës së Pragës për dirigjim.
Pas një viti detyrohet të ndërpresë studimet dhe t’i vazhdojë në 1962 në konservatorin e Tiranës. Që kur ishte student udhëhiqte orkestrën e RTSH dhe pas studimeve u emërua në këtë orkestër. Në vitet 1991-1992 u specializua në Itali.
Prej viti 1964 ka realizuar mbi 300 koncerte brenda dhe jashtë vendit si në Itali, Turqi, Greqi. Me orkestrën simfonike të RTSH ka kompozuar muzikën e shumë filmave. Deda është shquar edhe si kompozitor, ai ka kompozuar 3 valle simfonike “meditim 1-2-3″, ka kompozuar gjithashtu edhe katër skica për piano, trio për violinë, violonçel dhe piano, prelud të kënduar, impropt për piano dhe orkestër harqesh, fantazi për ksilofon dhe orkestër, koncertino për korn dhe orkestër, koncert për klarinetë dhe orkestër, rapsodi me tema poullore për orkestër, koncertino për fagot, klarinetë dhe flaut, muzikë filmi etj..
Është shquar edhe në gjininë e këngës së lehtë për fëmijë. Vepra e tij është vlerësuar me çmime, Ferdinant Deda është themelues i koncerteve pranverore në RTVSH. Më 1997 u shpall fitues i “diskut të artë” është nderuar me titullin “Artist i merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”.
Lulet kanë ulur kokën në ballkonin e Vaçe Zelës
Nga Flora NIKOLLA/
Vaçe Zela, artistja e madhe e popullit, nuk e kishte menduar asnjëherë se të kënduarit e këngës shqipe do ta përfshinin në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë.
Në Paris, e krahasonin me këngëtaren e madhe franceze, Edit Piaf, ndërsa në Itali me të madhen Mina, ndërsa poeti, Visar Zhiti, do e quante zërin e Vaçes një pjesë të lirisë së munguar.
E lindur në Lushnje, më 7 prill 1939, ajo do të këndonte që e vogël në aktivitetet e ndryshme që organizoheshin në qytetin e saj, ku u zbulua si talent për të qenë pas kësaj pjesë integrale e të gjitha festivaleve të muzikës në Radio dhe më vonë në Radio- Televizion, prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 deri në vitin 1981 kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë. Por ajo pati një kontribut të rëndësishëm dhe në muzikën e filmit, në të cilin ka interpretuar shumë këngë, pjesë e muzikës së filmave.
Për yllin e muzikës shqiptare do të vinin njëri pas tjetrit çmime të shumta. Këngët “Çelu si mimoza”, “Djaloshi dhe shiu”, “E dua vendin tim”, “Ëndrra ime”, “Lemza”, “Nënave shqiptare”, “O diell i ri”, “Sot mbusha 20 vjet”, “Të lumtur të dua” e shumë të tjera do të mbeteshin në fondin e artë.
Ndërsa çmimet që do të shkonin për këngëtaren janë të panumërta. “Artiste e Merituar” në ’73-in, “Artiste e Popullit” në ’77-ën, “Mjeshtre e madhe e punës”, “Qytetare nderi e Lushnjes”, po në qytetin e lindjes.
Kinoteatrit iu vu emri i saj dhe u ngrit një bust, presidenti Alfred Moisiu i akordoi “Nderi i Kombit”, ndërsa u shpall edhe “Qytetare Nderi e Qarkut të Fierit.
Çmime të tjera ka marrë edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Ajo ka marrë Diskun e Artë nga Amerika, për kontribut në shoqëri në vitin ’97, është zgjedhur gruaja e vitit ’97-98 në Kembrixh të Anglisë, “Mikrofoni i Artë”, nga Ministria e Kulturës e Kosovës, “Çmimi i karrierës” e shumë të tjera. Ndërsa Instituti Biografik Amerikan e rreshton në botimin e tij ndër 500 njerëzit më me influencë.
Viti 1991 do të shënonte ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje.
Prej kohësh Vaçe Zela, për shkak të sëmundjes së saj mungoi fizikisht në aktivitetin muzikor, teksa mbetet “Zëri” i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare. Ajo gjithnje do te kujtohet me adhurim nga publiku që ruan ende sot për këngëtaren e madhe.
Ndonëse e larguar prej 13 vitesh në Zvicër, e lumturonte fakti që njerëzit e kujtonin , që ata nuk e kishin harruar këngët e bukura që ajo i përcillte nga skena e festivaleve. E ndërsa të gjithë shqiptarët do t’i shprehnin në këtë ditë, urimin për një jetë të gjatë.
Vaçe Zela jetonte me bashkëshortin e saj, Pjetër Rodiqi dhe vajzën, Irma, studenteja e shkëlqyer të ekonomikut dhe më pas pedagoge në këtë fakultet dhe që tashmë punon në Institutin e Statistikave në Zvicër. Por rikthimi në Shqipëri, mbeti dëshira më e madhe për Vaçen. E kujt si kishte rënë në sy ballkoni me lule në qendër të Tiranës, pranë Sheshit “Avni Rustemi” në Tiranë. Sepse ajo nuk ishte vetëm këngëtare, por edhe “gruaja e luleve”. Për to kujdesej motra e saj, sigurisht me shpresën se një ditë ajo do t’i prekte sërish .
Ajo ndërroi jetë në Zvicër në moshën 75 vjeçare me 6 janar 2014 rreth orës 01:20 duke u gdhirë nje e enjte e cila ngjalli shume trishtim tek te gjkithe shqiptaret. Karafila të bardhë mori Vaçja diten e nderimit të saj për në banesën e fundit. Me duartrokitje dhe me lot në sy, u përcoll trupi pajetë i këngëtares së madhe shqiptare në banesën e fundit e shoqëruar nga tingujt e këngës së Whitney Houston, “I always love you”.