PRISHTINË, 5 Shkurt /- Një kontigjent i Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC), të Forcës së Sigurisë së Kosovës u nis sot për në Republikën e Shqipërisë, për të ndihmuar në përballimin e situatës së krijuar nga përmbytjet në disa rrethe.
Dërgimi i kontigjentit të FSK-së u bë pas vendimit të ministrit Haki Demolli dhe me urdhër të Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, të cilët iu përgjigjën ftesës së qeverisë të Republikës së Shqipërisë, përkatësisht ministrisë së Mbrojtjes.
Komandanti i FSK-së, gjeneral Kastrati ka angazhuar Regjimentin e Mbrojtjes Civile, që së pari si ndihmë fillestare të dërgojë një kontingjent në mbështetje të Ushtrisë Shqiptare për përballimin e situatës së krijuar pas vërshimeve në disa rrethe të Shqipërisë së mesme dhe të jugut.
Njësiti i FSK-së përbëhet nga pjesëtarë të specializuar dhe të stërvitur në mënyrë të shkëlqyer për Kërkim shpëtim në ujëra, si dhe të pajisur me mjete dhe teknikë speciale për t’u përballur me situata të tilla.
Në Ministrinë kosovare theksohet se ushtria shqiptare ka marrë të gjitha masat për pritjen e kontingjentit të FSK-së në pikëkalimin në Vërmicë-Morinë. “Kontingjenti ynë do t’i bashkohet operacionit në fshatin Merkuras të rrethit të Kavajës dhe aty ku e kërkon nevoja sipas vlerësimeve të ekspertëve ushtarakë të ushtrisë shqiptare”, bën të ditur Ministria FSK-së.
Kjo është përgjigja fillestare e FSK-së në ndihmë autoriteteve shqiptare, gjithashtu FSK-ja shpreh gatishmërinë që të mbështesë edhe më tutje me kontingjente të tjera të nevojshme, nëse kjo kërkohet nga qeveria Republikës së Shqipërisë.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme duke vlerësuar gjendjen emergjente në Republikën e Shqipërisë, pas vërshimeve të ditëve të fundit, aprovoi vendimin për dërgimin e një Kontingjenti të Forcës së Sigurisë për operacione humanitare në Republikën e Shqipërisë. Vendimi i është dërguar Presidentes së Kosovës për autorizim të operacionit sipas ligjit.
Ndërsa, ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi, do të mbajë nesër një takim në Prishtinë me donatorë të ndryshëm për të siguruar ndihma për zonat e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit në Shqipëri.
KUSH PO PASUROHET NGA PERMBYTJET NE SHQIPERI?
Reshjet e ditëve të fundit kanë krijuar një situatë dramatike në zonat jugore të Shqipërisë, pasi vërshimi i ujërave të lumenjve ka detyruar qindra familje të braktisin shtëpitë e tyre të përmbytura. Dëmet materiale të shkaktuara nga përmbytjet janë të konsiderueshme, me fshatra të tërë nën ujë, qindra krerë bagëti të mbytura dhe fusha me të mbjella të shkatërruara. Megjithatë, shirat e dendur kanë dhe një aspekt pozitiv. Reshjet kanë përmirësuar situatën hidrike në digat e hidrocentraleve të Korporatës Elektroenergjitke Shqiptare, KESH, duke rritur mundësinë e saj për gjenerimin e energjisë elektrike.
Por duket se taksapaguesi shqiptar, përfshirë edhe familjet e përmbytura, nuk do të përfitojnë të shumë nga rritja e prodhimit në hidrocentrale. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare KESH, e cila menaxhon prodhimin e hidrocentraleve nën pronësi publike, ka vendosur që energjinë e tepërt ta shesë me tender. Ndërkohë, kompania OSHEE, e cila gjithashtu është nën pronësi publike, ndryshe nga KESH, nuk ka tepricë energjie por deficit. Asaj i duhet të blejë energji, gjithashtu me tender. Problemi është se në tenderat e fundit të zhvilluara nga dy kompanitë publike, kanë marrë pjesë të njëjtat kompani private, të cilat, nga njëra anë kanë blerë energjinë e prodhuar shtesë nga KESH dhe nga ana tjetër i kanë shitur energjinë e munguar OSHEE-së. Vetëm se mes dy tenderëve ka një diferencë jo të vogël në çmim.
Në tenderin e mbajtur të hënën me 2 shkurt, KESH sh.a ka nxjerrë në shitje 127,620 MWh elektricitet, për periudhën 4-28 shkurt 2015, i cili i është shitur në dy lote gjashtë kompanive, kur përfshihen GEN-I Beograd dhe GEN-I Athens, GSA Sh.p.k, Axpo d.o.o Beograd, EFT A.G dhe Danske Commodities Albania sh.p.k. Çmimi i shitjes së energjisë për MWh ka variuar nga 36.93 euro në 43. 39 euro, për një vlerë totale prej 4,88 milionë euro. Çmimi mesatar për MWh i shitjes ka qenë 38.47 euro.
Pak ditë para se KESH të shitste, për të njëjtën periudhë kohore, OSHEE ka blerë 188,160 MWh, nga kompanitë AXPO d.o.o Beograd, ANTIX sh.p.k, GEN-I Tirana sh.p.k; GSA shpk dhe EFT AG, për një vlerë totale prej 10,75 milionë euro. Çmimi mesatar i importit të OSHEE ka qenë 57.12 euro, ose 18.65 euro më i shtrenjte se çmimi i eksportit të KESH sh.a.(Koha jone)
“Beu” i Surrelit dhe përmbytja
Nga Sali BERISHA/
Rama sillet si beu i Surrelit për të shmangur detyrimet ndaj të përmbyturve. Nuk shpall gjendjen e emergjencës! Qeveria nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme, në një kohë kur prej pesë ditësh gjendja në Komunën Novoselë të Vlorës dhe Darzezë të Fierit mbetet shumë e rëndë. Ishte fat i madh që nuk pati humbje në jetë njerëzish dhe për këtë meritojnë falënderim dhe mirënjohje të gjithë ata që shpëtuan qytetarë në rrezik për jetën. Mendoj se mos shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, së paku në qarqet Vlorë dhe Fier, është një papërgjegjshmëri e jashtëzakonshme e qeverisë!
Përmasat e përmbytjes, rrezikshmëria e pasojave të saj, dëmet e mëdha të shkaktuara, justifikonin dhe justifikojnë edhe sot shpallje e gjendjes së emergjencës së paku në qarqet Fier dhe Vlorë. Por Edi Rama dhe qeveria e tij, në kohën kur Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Fieri dhe Vlora ishin në mëshirën e Vjosës dhe tërbimit të saj, zhgërryheshin në orgjitë e weekendit të radhës apo siç del tani kishin marrë çiften dhe gjuanin derra dhe lepuj.
Për gjendjet e fatkeqësive natyrore shteti ka një ligj që detyron Kryeministrin të caktojë fondet dhe të mobilizojë të gjitha burimet si dhe të ngrejë me shpejtësi të gjithë infrastrukturën e shpëtim kërkimit, evakuimit, sistemimit, sanifikimit, vlerësimit të dëmit dhe zhdëmtimit të tij.
Sigurisht që ata që paguhen për përballimin e këtyre situatave e dinë mirë dhe kanë njoftuar edhe Ramën për ekzistencën e këtij ligji. Por gjendja e emergjencës nuk u shpall, sepse duhej kaluar pa shqetësim weekendi dhe se zhdëmtimi i të përmbyturve nuk duhet të bëhet sipas ligjit.
Me këtë rast i them Ramës se Gjirokastra, Novosela, Darzeza etj., nuk janë lagjja e rezidencës tënde në Surrel ku ti sillesh si beu i Surrelit dhe ne së bashku me banorët e përmbytur do të detyrojmë të zhdëmtosh, në përputhje me ligjin që ti shmangë, të gjitha dëmet që kanë pësuar ata!!.
Ndihmat e urgjencës për përmbytjet në Shkodër, por dhe në Novoselë apo Maliq gjatë qeverisjes së PD kanë qenë miliona dollarë në çdo përmbytje. Sikundër të gjitha përmbytjet kudo që kanë ndodhur, janë kompensuar në përputhje me dëmet e inventarizuara dhe vlerësuara nga ekipet përkatëse. Në Shkodër kompesimi është bërë në çdo rast përveç rastit të fundit, në përputhje me ligjin e digave nga përmbytësi. Për rastin e fundit, KESH ishte në gjendje financiare jo të mirë, ndaj dhe kompensimin e filloi me një vit vonesë, pra në pranverën e vitit 2013 dhe qeveria aktuale duhet të detyrojë KESH të shlyejë detyrimin ndaj banorëve të përmbytur të Shkodrës dhe NënShkodrës!!
SHQIPËRIA NËN UJË, POLITIKA “MBYTET” NË KUVEND
Reshjet e shiut të rëna gjatë ditës së djeshme kanë bërë që lumi Vjosë të dalë sërish nga shtrati, duke zgjeruar hartën e zonave të përmbytura. Në qytetin e Fierit janë përmbytur disa fshatra. Për të parë nga afër situatën, kryeministri Rama ndodhet sot në Vlorë. Ai ka inspektuar argjinaturën e Selevecit dhe deklaroi se kjo situatë është një betejë me natyrën dhe me të shkuarën.
-Ne do të vazhdojmë me të gjitha forcat të përballojmë situatën”, -u zotua Kryeministri.
Ndërkaq nga të dhënat mësohet se niveli i lumit Vjosë është rritur me 1.5 metra duke dalë nga shtrati dhe 3 familje në lagjen Fitore, janë sërish të përmbytura. Ndërkohë problem mbetet baza ushqimore për bagëtitë. Forcat e Ushtrisë do të nisin menjëherë shpërndarjen e ushqimeve për banorët dhe bagëtitë. Deri më tani nga burimet e ministrisë së Brendshme janë përmbytur rreth 17 mijë hektarë tokë, ku përfshihen tokë bujqësore dhe zona të banuara kanë qenë nën ujë. Rreth 5 mijë hektarë tokë, ku përfshihen vetëm shtëpi dhe zona të banuara, dhe ku janë përqendruar operacionet e ndihmës për banorët janë nën ujë. Ndërsa mbi 600 familje janë evakuuar nga banesat e tyre për shkak të përmbytjeve.
POLITIKA :MBYTET” NE REPLIKA
***
Nderkohe qe Shqiperia eshte nen pushtetin e ujerave,politika, sic do te njete, mbytet ne replica ne Kuvend. Kryetari i grupit parlamentar te PD-se, Edi Paloka, akuzoi sot në Kuvend qeverinë dhe kryeministrin Rama se nuk po merren seriozisht me situatën në zonat e përmbytura. Ai ka kërkuar që Kryeministri duhet të japë shpjegime për situatën dhe të mos bëjë shoë mediatik. “Rama nuk po merret me situatën, por po bën shoë mediatik, sepse nuk guxon të përballet me realitetin. Prandaj e përsëris, të dalë këtu e të japë llogari për situatën dhe të informojë, pasi është detyra e tij kryesore të japë llogari. Çfarë masash mori për situatën në zonat e përmbytura? Çfarë masash mori përveç asaj që paska njoftuar disa fshatarë se po përmbyteni!? Çfarë masash mori pas përmbytjes? Sa tokë është e përmbytur, sa është numri i familjeve të përmbytura? Çfarë masash janë marrë për t’u strehuar këto familje”, -janë pyetje që Paloka i ka bërë në sallën e Kuvendit, kryeministrit Rama.
Sipas deputetit të PD-së, shkaku se përse qeveria nuk vendos gjendjen e emergjencës është sepse nuk do që të paguajë paratë e dëmeve të shkaktuara nga përmbytja. Nëse vendoset një gjë e tillë, shteti duhet të paguajë në masën 100% dëmin e shkaktuar. “ Nëse shpallet emergjenca civile, Rama duhet të paguajë në masën 100% banorët e prekur nga përmbytja, por ai nuk do të japë asnjë kacidhe. Ai pretendon se ka kërkuar ndihma nga Europa, por nuk mund të kërkosh ndihmë pa shpallur gjendjen e emergjencës dhe kjo nuk është zgjidhje”, vijoi Paloka.
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi tha se akuzuat e ngritura nga PD, nuk qëndrojnë sepse të gjitha strukturat e qeverisë janë të angazhuara që prej ditës së parë të katastrofës natyrore. Si mjaft pozitive në këtë situatë ai ka vlerësuar faktin që nuk pati humbje jete. “Kryeministri Rama ndodhet jo për herë të parë në terren pranë zonave të përmbytura dhe nuk është vetëm për të bërë atë që bën kreu i opozitës, shoë me çizme në ujë, por janë të gjitha strukturat e angazhuara të qeverisë shqiptare, që prej ditës së parë, por edhe para se përmbytja të ndodhte, në gjendje gatishmërie e pune pranë të gjithë qytetarëve. Përmbytja nuk mund të shmangej totalisht, pasi i kalonte mundësitë e strukturave të shtetit, por një lajm të mirë e kemi sot, që është rezultat i ndërhyrjes energjike të gjithë strukturave të emergjencës, se nuk kemi asnjë jetë njeriu të humbur. Sot sigurisht prioritet i prioriteteve të qeverisë shqiptare është shpëtimi i jetës së njerëzve, i pasurisë së banorëve të përmbytur”,- tha Peleshi.
PSE NUK SHPALLET GJENDJA E JASHTZAKONSHME?
irane- Pse nuk shpallet gjendja e emergjencës civile?” ka qenë temë e debatit dhe replikave mes maxhorancës dhe opozitës në seancën e sotme parlamentare.
Debati u zhvillua mes numrit dy të qeverisë dhe kreut të grupit të PD Edi Paloka por edhe mes ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe deputetit të PD-së, ish zv/ministrit të Brendshëm Arben Ristani.
Sipas zv.kryeministrit Peleshi qeveria nuk e shpalli gjendjen e emergjencës për të mos bllokuar veprimtarinë në qark për shkak të një zone të përmbytur, por sipas PD-se, qeveria i ka braktisur banorët e zonave të përmbytura dhe nuk do të shmangë dëmshpërblimin e banorëve të përmbytur. Maxhoranca thotë se opozita aktuale nuk ka të drejtë të flasë pasi kur ishte ajo në qeveri, dhe ndodhi përmbytja në Shkodër nuk kompensoi banorët e dëmtuar.
Niko Peleshi: Është spekullim me shpalljen e statusit të emergjencës. Qytetarit nuk i interson statusi në letër por çfarë bën qeveria në terren. Nuk kemi lënë asgjë pa bërë. Gjithashtu ka një argument teknik që nuk i intereson qytetarit: Mos shpallja e gjëndjes së jashtëzakonshme është bërë për të mos paralizuar jetën e veprimtarinë në të gjithë qarkun për shkak të një zone ttë përmbytur pavarësisht se situata atje ka qenë dramatike.
Për qytetarët menaxhimi i një situate të tillë pa e vendosur në një menaxhim emergjence do të ishte i preferuar jo kundërshtuar. Vlerësimi I drejtë dhe real dhe kompensimi I cdo dëmi sapo të kemi kaluar emergjencën e përmbytjes. Ky është prioritet.
Edi Paloka: Nuk na e tha sa km argjinaturë mund të ishin bërë me këto paratë që hidhen në vrimat e muzeut të Ramës apo kullat e Ramës. Ata që shpëtuan nuk besoj se shëptuan prej jush, pasi në media dëgjonim se dolëm me not. Por ata thonë se vetë janë në mëshirë të fatit por sat ë jenë me Ramën do të jenë edhe më zi. Paska vajtur të bëjë cirkun mediatik.
Arben Ristani: “Nuk duan tju dëmshpërbjenë. Prandaj nuk e shpallin gjëndjen e emergjencës. Gënjeshtra ka fytyrën e atij që nuk është këtu (flet për Edi Ramën). Nuk marrin dot asnjë ndihmë nga Brukseli nëse nuk shpallin gjëndjen e emergjencës civile
Saimir Tahiri: Mëso termin se ke qenë zv. Ministër i Brendshëm. Nuk mund të paralizonim jetesën e një qarku të tërë, vetëm se në disa zona ishte përmbytje. Forcat operacionale ishin në gadishmëri të plotë. Ju nuk i dëmshpërblyet banorët e Shkodrës dhe i latë 37 milionë euro borxh. Përmbytu, hajt se ti kam …Ju nuk ishit fare të interesuar.. kur ishit në krye të qeverisë bënit vetëm fjalë..
Paloka: Rama të vijë në Kuvend të informojë. Meta: Ndodhet në zonat e prekura
Kryetari i grupit të PD-së Edi Paloka kërkoi që kryeministri Edi Rama të vinte në Parlament për të dhënë informacion në lidhje me situatën.
Kryetari i parlamentit informoi se Rama po inspekton zonat e përmbytura ndërkohë që zv/kryeministri dha informacionin mbi situatën e përmbytjeve.
Edi Paloka: “Nuk ka asnjë informacion zyrtar mbi situatën e përmbytjeve. Informacionin e kemi marrë nga deputetë të opozitës, medias. Prandaj kërkojmë që kryeministri të vijë e të raportojë me detaje për cdo gjë që lidhet me këtë situatë, deputetët duhet të informohen dhe të informojë për situatën.
Rama të vinte në Kuvend e të raportonte mbi situatën.
Ilir Meta: Rama ndodhet në zonat e përmbytura.
Niko Peleshi: Ky është spekullim. Rama ndodhet në terren dhe nuk është të bëjë shoë me cizme si Basha por është në gjëndje gadishmëri e në cështje pune. Përmbytja nuk mund të shmangej totalisht pasi i kalonte strukturat shtetërore. Por pozitive është se nuk kemi asnjë jetë të humbur. Prioritet është shpëtimi i jetës së njerëzve dhe pasurisë së qytetarëve
DEBATI
Me akuza dhe batuta është shoqëruar seanca e kësaj të enjte midis ish kryeministrit Berisha dhe numrit dy të qeverisë. Sipas Berishës, Peleshi ka lënë në harresë korçarët. Numrit dy i qeverisë ka ftuar ish kryeministrin ti cojë akuzat që ka në prokurori ndërkohë që në debat është përfshirë për të qetësuar situatën kryetari i parlamentit Ilir Meta.
Sali Berisha: “Sa ka kushtuar unaza e Korçës, sa kanë kushtuar pallatet të cilat i janë dhënë zotërisë kryetar bashkie për t’ja dhënë romëve dhe ia dha militantëve socialistë, këtë që lumturuan xhepat e veta dhe përvetësojnë troje dhe vinë këtu na thonë se është bërë sa 20 vjet. Nuk është normale kjo, duan ta përdorin platformën për të na mashtruar se Korça i dëgjon të gjithë.”
Niko Peleshi: “Si politikan i rafinuar në 40 vjet dini t’i rregulloni fjalët për të mos u përballur me Prokurorinë dhe thoni jeni akuzuar nga qytetarët. Nëse dikush nesër do gjejë kohë të merret me ju do thoni: “Prokurori unë thashë qytetarët”. Në atë kohë keni thënë dicka…pikturat e Vangjush Mios etj…ju kam dhënë nëse i dini…dhe keni folur nga vendi pa mikrofon. Keni thënë se i di unë ku janë, diku në Selanik dhe përrallat tuaja. Ju kam ftuar të shkoni në Prokurori vendin në Selanik apo ku e dini ju dhe të bëheni njëherë serioz pas kaq shumë vitesh në politikë”
Niko Peleshi: “Më vjen keq për shoqen time të klasës për të cilën kam një konsiderate dhe ruaj në memorie kujtime shumë të mira të gjimnazit”
Sali Berisha: “Përsa i përket fatkeqësisë së zonjës Qirici që ka pas në klasë atë (e ka fjalën për Peleshin), kjo nuk është përgjegjësi e zonjës Qirici, se në klasë nuk i zgjedh dot njerëzit”
Ilir Meta: “Jo jo….Ju kur keni qenë kryeministër keni pasur bashkëpunim me zotin Pleshi. Tani vetëm se keni ndërruar pozicionin nuk ja vlen ta prishni këtë miqësi”
Eleina Qirici: “Lakohet e lakohet shoqe klase po kemi qenë matura më e mirë, por jo shoqe klase, kemi qenë klasë paralele. Shokët e klasës i ke marrë në qeveri.
Një Ditë Shqiptare Në Shkollën Amerikane Në Nju Xhersi
Drejtori amerikan i priste nxënësit me kostumin kombëtar shqiptar/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Shqipëria u ul një ditë të tërë mësimi këmbëkryq në një shkollë amerikane në New Jersey. Ndonëse më parë shumë prej nxënësve amerikanë nuk e dinin ku binte Shqipëria, ose më e keqja nuk e bënin fare pjesë të hartës europiane, por e çonin tutje nëpër stepa. Sot gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht, të paktën po flas për Amerikën vendin ku kam pothuajse 18 vjet që jetoj dhe punoj me dinjitet. Por jo vetëm nxënësit, por dhe mësues apo gjyshërit e tyre amerikanë, shumë shumë na thoshnin se ne kishin dëgjuar që është një vend krejtesisht i varfër dhe shumë probleme të tjera që ndjen sëmbim në zemër në se i përmend.
Një ditë shkolle në fund të muajit Janar shumë nxënës shqiptare që jetojnë në shtetin kufi të Nju Jorkut në New Jersey organizuan një ditë shqiptare në shkollën publike në Washington School Rutherford. Herët në mëngjes drejtori amerikan veshur me kostum kombëtar shqiptar iu uronte nxënësve të shumtë të tij mirëseardhjen, me një mirësjellje dhe mirësi çka dhe është karakteristikë e tij do të shpreheshin prindërit amerikanë dhe shqiptarë që sjellin fëmijet e tyre në këtë shkollë publike amerikane. Në se nuk do ta dije më parë se ishte drejtori amerikan, pa asnjë dyshim që ai dukej komplet si prind shqiptar ngase kishte veshur kostum kombëtar shqiptar.
Mjediset e shkollës ishin zbukuruar me dekorime të ndryshme nga trevat e Shqipërisë. Nënat e nxënësve zonja të vërteta ku disa prej tyre kam fatin që t’i njoh i kishin kushtuar një kujdes të jashtëzakonshëm si amvisa plot kulturë dhe finesë që të bënin të ndiheshe krenare. Binin në sy tavolina të ndryshme me zbukurime dhe punime nga duarartat shqiptare, ku mjaft gra amerikane të magjepsuara ndaluan pranë punë doreve me grep, shtiza, gjilpërë, jastëqeve zbukuruese etj. Dominuese ishin dhe veglat muzikore që janë përdorur qysh në lashtësi nga shqiptarët si lahuta, mandolina, çiftelia etj… Ajo që do të më bënte më shumë përshtypje ishte sofra e bukur shqiptare, shtruar me një mbulesë të bardhë të punuar me dorë, pecetat e bardha, pjatat e ndryshme ku të parët tanë uleshin rreth sofrës për të ngrënë bukë.
Nxënësit shqiptarë kishin përgatitur një program të bukur artistik me këngë dhe valle shqiptare. Programi u hap me ardhjen e dy fëmijëve duke mbajtur dy flamujt shqiptar dhe amerikan dhe duke i valëvitur në ajër çka i çuan të gjithë pjesëmarrësit në këmbë për të nderuar simbolet e dy shteteve përkatësisht të Shqipërisë dhe Amerikës. Hymni amerikan u këndua nga Emeli dhe Aida Feza, Florian Çirra. Hymni shqiptar u interpretua nga Adea dhe Donart Balidemaj, me të cilët ndjej krenari të ligjshme pasi ata kanë qenë nxënës të shkollës shqipe në Staten Island. Prindërit e tyre të nderuar patriotë të flaktë Bashkim dhe Vjollca Balidemaj shprehën mirënjohjen pasi thanë se hymnin kombëtar e mësuan prej shkollës shqipe ne Staten Island. Nxënësit bën betimin një ritual i përditshëm në të gjitha shkollat amerikane të cilët betohen para Flamurit dhe se përpara ligjit janë të gjithë të barabartë. Gjithmonë në mëngjes më bënte shumë përshtypje sidomos në fillim kur fillova punë në shkollë publike se në se lajmëroheshe nga qendra e zërit për betimin çdo njeri ku të ishte në korridor, në klasë, do të ktheheshin me fytyrë nga Flamuri amerikan dhe do të betoheshin, si shqiptare më shkonte mendja për Himnin e Flamurit tonë që është për të ardhur keq që ka shumë që nuk e dinë, dhe për dekada të tëra nuk u vendos që të këndohej me ligj ndër shkolla.
Nxënësit e talentuar Erza Balidemaj, Briana Bresa paraqitën plot kulturë para publikut amerikan historinë e Shqipërisë, si një nga popujt më të vjeter në botë, personalitete te shquara qe njihen botërisht si Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, James dhe John Belushi, Aleksandri i madh, Ismail Kadare, Tony Dovolani, Rita Ora etj… Me lahutë interpretoi mjeshtërisht z.Bali Balidemaj. Interesante ishte dhe loja e kapuçave që fëmijët e realizuan aq bukur. Ndërkohë që valëvitej Flamuri shqiptar Erza Balidemaj interpretoi vargjet aq të njohura nga poeti kombëtar Naim Frasheri si: Ti Shqipëri me ep nder, me ep emrin shqiptar, zemrën ti ma gatove plot me dashuri dhe zjarr.
Nxënësja simpatike Fjolla Balidemaj udhëhoqi vallen: “Vallja e Rugovës” dhe Moj e mira e Diasporës valle që u mirëpritën me plot duartrokitje. Fjolla dukej si nje shtojzovalle me veshjen kombëtare në skenë duke kërcyer si artiste me motive shqiptare. Në këtë program morën pjesë këta nxënës shqiptare: Donart, Erza dhe Adea Balidemaj, Fjolla, Arnesa, Arion Balidemaj. Erxhan, Florian, Xhuliana, Siana, Amin dhe Jasin Cirra. Aida, Emil Feza, Briana Bresa, Melina Muriqi, Christopher Kasperan dhe Thomas Kasperan. Fjala e Drejtorit të Shkollës publike amerikane ishte shumë frymëzuese, veshja e tij kombëtare me plisin e bardhë në kokë e bënte të ndihej si shqiptar për atë ditë. Ai tha se të njohesh kulturën dhe traditën shqiptare është pasuri për shkollën dhe sot e quaj një ditë të veçantë sepse të gjithë së bashku respektuam historinë shqiptare dhe kjo traditë ka kohë që ka filluar dhe do të vazhdojë gjithmonë dhe me kulturat e tjera në botë.
Ishte një ditë e bukur kuq e zi që do të ngelet gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve dhe të nxënësve të shkollës amerikane, ata u larguan nëpër shtëpiat e tyre të ngarkuar me historinë shqiptare.
Shkurt, 2015
New Jersey