• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RISHKRIMI I HISTORISE- ABAZ KUPI PERBALLE HISTORISE DHE HISTORIANEVE

February 2, 2015 by dgreca

-SI E KTHEU ENVER HOXHA NGA HERO NË TRADHËTAR ABAZ KUPIN…/
-Enver Hoxha:”….Në Durrës luftonte Abaz Kupi kundra mijëra e mijëra fashistëve që po zbarkonin. Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë. Major Bazi ishte kudo, në çdo pozicion dëgjohej zëri i tij: “Djema! Godisni armikun pa mëshirë, se kështu e lyp ndera e Atdheut!”/
Nga Dalip Greca/
Edhe në përkujtimin e 39-të të vdekjes së heroit të 7 Prillit, heroit kombëtar,(me 28 Nëntor 2014 u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani me Urdhërin”Gjergj Kastrioti Skënderbeu”),-u përmend sërish kthimi i eshtrave në Atdhe. Komandanti i qëndresës antifashiste me 7 prill të ’39-tës, e ka vendin atje pranë Mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogut. Por kush do ta kthejë? Qeveria s’ka gjasa, shqiptarët e Amerikës duhet t’i dalin për zot vetë këtij kthimi.Djemtë energjikë të Legalitetit duhet t’i drejtohen diasporës dhe t’i dalin për zot kthimit.Ndoshta ky kthim shërben edhe si model për kthimin e nacionalistëve të shumtë, eshtrat e të cilëve duhet të prehen në Atdhe. Është e pafalshme që politika shqiptare, për një cerek shekulli demokraci, nuk ka kthyer eshtrat e Mit’hat Fashërit dhe nacionalistëve të tjerë!
Le të kthehemi tek Abaz Kupi: Ka 39 vjet që shqiptarët e Amerikës, i përulen me nderim heroit kombëtar, por ende historishkruesit shqiptar, nuk duan t’i japin Abaz Kupit ç’ka është e tij.Paskal Milo kërkon për Enver Hoxhën,” Jepi Cezarit atë që i takon Cezarit”, por nuk e kërkon këtë për Abaz Kupin, për të cilin do të mjaftonte vetëm qëndresa e 7 prillit, për t’u vendosur me nderime në historinë e Shqipërisë.. Ende shkruhet nëpër gazeta se Abaz Kupi e tradhëtoi Lëvizjen për çlirim!
Në fakt Abaz Kupi nuk pranoi të hyjë në labirinthet e luftës, kur ajo mori drejtim vëllavrasës, orientuar nga jugosllavët së bashku me Partinë Komuniste. Historia dëshmon se Abaz Kupi ishte një ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit kryesorë të Konferencës së Pezës më 16 shtator 1942 dhe u zgjodh anëtar i KANÇ. Me idenë e zgjerimit dhe të forcimit të frontit të përbashkët të luftës kundër italianëve, ai u bë nismëtari i Konferencës së Mukjes mbajtur në 1-2 gusht 1943, për të arritur bashkëpunimin midis Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Marrëveshja e Mukjes u pagëzuar në zjarrin e armëve në betejën e përbashkët me 4 dhe 5 gusht 1943, dy ditë pas Kuvendit të Mukjes, në një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë-Shtamës, kundër ushtrisë italiane, që marshonte për në Mat. Çetat partizane dhe ato të Ballit Kombëtar, nën komandën e majorit Abaz Kupi e shpartalluan armikun, duke i shkaktuar humbje të rënda: 150 të vrarë, 40 të plagosur dhe 7 robër.Mirëpo komunsitët nën diktatin e jugosllavëve, e hodhën poshtë Mukjen. Në shtator të 1943,në Konferencën e Labinotit Enver Hoxha hodhi poshtë Marrëveshjen. Abaz Kupi u largua nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar.Enver Hoxha e shpalli tradhëtar dhe e dënoi me vdekje me një urdhër të posaçëm të komandës së Shtabit.

NGA HERO, ENVER HOXHA E SHPALLI TRADHTAR ABAZ KUPIN

Ende dëgjohen përrallat e Nexhmije Hoxhës, që vazhdon të shkruaj kujtimet e Enverit dhe kujtimet e saj,ku Abaz Kupi paraqitet me ngjyra të errta, si personazh negativ i letërsisë së realizmit socialist. Ajo harron se çfarë ka pasë shkruar vetë Enveri në Zëri i Popullit, 13 shkurt 1943, ku s’lë epitet, krahasim e metaforë, pa përdorur për të ngritë lartë trimëritë e Bazit të Canes. E risjellim pa koment të plotë fragmentin që i kushtohet Abaz Kupit, me shpresë se ithtarët e Enverit dhe të Nexhmijes do ta gjykojnë ndryshe heroin e 7 prillit:“Ditët e para të prillit 1939, populli shqiptar ishte në këmbë, me një zemër, me një parullë: Luftë invazorit! I madh e i vogël bërtiste, bërtiste: në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun. Në Durrës luftonte Abaz Kupi kundra mijëra e mijëra fashistëve që po zbarkonin. Bazi i Canes dhe djemtë e Shqipërisë të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun me të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun të kthehej në vapore e të linte në Molo me qindra të vrarë. Major Bazi ishte kudo, në çdo pozicion dëgjohej zëri i tij: “Djema! Godisni armikun pa mëshirë, se kështu e lyp ndera e Atdheut!” Nga çdo anë, nga çdo mur, derë, nga çdo penxhere e Durrësit gëlonte pushka. Bazi i Canes nuk po ja lëshonte vendin, megjithëse armiku përdori topa e aeroplanë, djemtë e Shqipërisë nuk trembeshin. Lufta vazhdoi me orë, armiku hidhte si në furrë me mijëra bersalierë dhe përpara kësaj hordhie të madhe të veshur me çelik, Bazi i Canes u tërhoq, por i pathyer, i papërkulur, me zemrën plotë dashuri për Atdheun dhe me urrejtje për okupatorin. Në emigracion këtij nuk i rrihej…prandaj çau malet me borë, çau bjeshkët e Veriut dhe u fut në Atdhe, atje ku e lyp detyra, ku e lyp ndera e Atdheut, u fut me forcat e tij, me atë të shokëve shqiptarë që ishin çu në këmbë. Fshatrat e Krujës zienin, fshatarët rrokën pushkët, pse era e hakmarrjes kish arritur, pse Bazi i Durrësit ishte kthyer me marrë pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar…Bazi i Canes që luftonte për një qëllim të shenjtë: Çlirimin e Atdheut nga zgjedha italiane, e ka kuptuar fare mirë se trimi i mirë me shokë shumë, se ky hall i madh ka mbuluar gjithë Shqipërinë dhe se një bashkim i fortë i gjithë shqiptarëve do të jetë shpëtimi i vendit tonë. Bazi i Canes nuk tutej por thoshte “Vallja vjen pas”. Patrioti i vërtetë nuk lufton me fjalë, por me vepra dhe Bazi i Canes mendimet e tij i realizonte në fushën e luftës dhe solidar deri në vdekje u hodh në luftën Nacionalçlirimtare… Bazi i Canes, Bazi i Krujës, Bazi i Pezës do ta vazhdojë luftën deri në fitore…”-Shkëputur nga artikulli i Enver Hoxhës, “Bazi i Canës, Myslym Peza dhe Babafaja Martaneshi”, Zëri i Popullit, 13 shkurt 1943
Pa koment…!

ABAZ KUPI PËRBALLË HISTORISË DHE HISTORIANËVE

Duket si lojë fjalësh ky nëntitull, por e vërteta duket sheshazi, ka një kontraditë mes historisë dhe historianëve rreth Abaz Kupit. Abaz Kupi përballë historisë është i dneruar, ai e ka kryer detyrën ndaj Kombit.Shumë kombe e shtete më të mëdhenj se Shqipëria dhe shqiptarët, e kanë ëndërruar një pushkë të shkrehur kundër pushtuesve,ndërsa shqiptarët organizuan qëndresë të armatosur, por historianët tanë nuk duan ta vlerësojnë.Një pjesë e tyre nuk duan ta ngisin Abaz Kupin në piedestalin që i takon për shkak se një pjesë e pidestaleve janë të zëna me heronjtë e rremë të krijuar nga historianët militantë,duke u nisë nga Enver Hoxha, që ende mbanë titullin Hero i popullit. Do të mjaftonte vetëm 7 prilli për t’ia ngritë monumentin Abaz Kupit….
Pra, problemi nuk është ai i Abaz Kupit me historinë, por i historianëve militantë me të.Ndërsa historianë si Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu,Uran Butka e të tjerë, e kanë trajtuar realisht këtë figurë,ende ka historianë të tipit Kotani, Milo,që pretendojnë se zotërojnë materiale sekrete të arikivave(të Nexhmijes), ndërkohë që anglezët e kanë ngritur në qiell Abaz Kupin.
Ende e kujtoj një shprehje të djalit të Abaz Kupit, Bardhit, qëndrestarit të burgjeve komuniste dhe kampeve të internimit:” …Anglezët e kanë veshur Abaz Kupin me ar’, shqiptarët me lecka…!”. S’ka nevojë për koment kjo shprehje.
Në këtë këtë shkrim do t’i referohem studiuesit, dr. Vangjel Kasapi, i cili në librin e tij”Yjet e Gjeneralëve” e vështron me objektivitet figurën e Abaz Kupit. Ai kërkon nga historianët e kohës së sotme, që ta vlerësojnë dhe studiojnë Abaz Kupin si shqiptar dhe si ushtarak, duke iu shmangur politizimeve e subjektivizmit, pasi s’mund të gjejmë portrete të përkryera, të marra jasht konteksteve historike.Abaz Kupi nën këndvështrimin e këtij studiuesi, si personalitet lufte, i përket periudhës së lavdërueshme të popullit shqiptar për pavarësi Kombëtare 1911-1922, si dhe etapës së luftës Antifashiste, me prolog 7 prillin 1939. Edhe pse nuk e kishte arsimin ushtarak, shquhej për zgjuarsi e prakticitet të rrallë pune e drejtimi në fushën e luftës.Nga natyra shfaqi dhunti ushtarake, si prirja për të pasur e për të përdorur armë, guximi për të vepruar, urrejtja për të huajin pushtues etj. Këta tregues të karakterit të tij nisën nga fundi i sundimit turk (1910) e vazhduan deri në fundin e Luftës së Dytë Botërore. Në një moshë fare të re, vetëm 15 vjeçar zgjidhet anëtar i këshillit Kombëtar të qytetit historik të Krujës. Ishte vetëm 17 vjeç, i ngarkuar nga ky komitet, kur egzekuton filoturkun Llan Hoxha, pse ai pat përbuzë Flamurin Kombëtar, duke e zëvendësuar me atë turk. Në ngjarjet e pavarësisë më 1912, Abaz Kupi ishte në krye të krahinës së tij, duke qëndruar si prijës pro Kuvendit Kombëtar dhe Qeverisë së Vlorës. Ai konfirmon me vepra se është armik i shovinizmit fqinj, duke u rreshtuar në radhën e nacionalistëve që luftonin për Shqipërinë Etnike. Në vitin 1922 serbo-malazezët rrezikojnë me hordhitë pushtuse territoret e Koplikut dhe të mbi Shkodrës. Në këtë front lufte Abaz Kupi shquhet si komandant me të dhëna të plota ushtarake, organizator e udhëheqës me talent ushtarak i një reparti me rreth 400 krutanë. Goditjet e tij mbi ushtritë sllave qenë rezultative duke i thyer ata e duke i detyruar të tërhiqeshin nga krahina veriperëndimore.
Në çastet e vështira që kalon shteti shqiptar ka dalë në pah shërbimi i përkushtuar i Abaz Kupit ndaj shtetit. Pas vitit 1925 ai është ithtar i vendosjes së rendit dhe qetësisë duke luftuar ashpërsisht anarkinë. Në atë kohë ishte një ndër drejtuesit e operacioneve ushtarake ndaj atyre që kundërshtonin shtetin. Zgjuarsinë ushtarake dhe aftësitë komanduse, guximin dhe vendosmërinë tradicionale të prijësve krahinorë si dhe krenarinë e familjes, ai i vuri në shërbim të shqiptarizmit.Kur Atdheut i troket në prag agresioni fashist, Abaz Kupi nxjerr në pah cilësitë më të spikatura të shqiptarizmës.Shteti shqiptar, disi i paralizuar me kapacitete të kufizuara ushtarake, duket i pamundur për t’u përballur me agresionin. 1 milionë kundër 40 milionëve, ç’mund të bëhej në këtë përballje të pabarabartë? Gjithësesi me vendim Parlamenti, major Abaz Kupi vihet në krye të komandës për rezistencën e 7 prillit.
Studiuesi Kasapi na jep këtë informacion: Sipas planit të orientuar nga komanda e përgjithshme e UKSH-së, Abaz Kupi është në komandë të 500 vetave të Zonës së Parë, për mbrojtjen e drejtimit më të rëndësishëm operativ të Shqipërisë, atë Durrës-Tiranë, posaçërisht të portit strategjik të Durrësit. Ai u përpoq të mabjë në det ushtrinë pushtuse në portin kryesor. Luftimet i drejtoi në brendësi, që ta pengonte përparimin e shpejtë të motorizatave italiane, gjë që ishte e pamundur, por ai e kreu me nder aktin e atdhetarit.Abaz Kupi largohet përkohësisht jashtë Shqipërisë, ndërkohë që familja i internohet në Himarë, e më pas në Itali. Italia e shndrroi Shqipërinë në një teatër lufte e trampolinë për në Lindje. Emri dhe kontributi i Abaz Kupit doli sërish në skenën e qëndresës shqiptare.
Studiuesi konstaton se: Një kapitull më vete në biografinë e personalitetit të Abaz kupit formon vija e tij në raport me fashizmin italian.Ai s’i fsheh opsionet e një rendi kushtetues monarkist me Ahmet Zogun si mbret. Por Shqipëria etnike e lirë qëndron mbi pikpamjet që lindën në truallin e pushtuar.Në atë kohë Abaz Kupin e gjejmë në krye të aksioneve, por tepër i zgjuar,afrohet dhe drejton përgatitjet e gjithanshme ushtarako-politike dhe mobilizimin e popullit për ditët e ardhshme. Viti 1942 bëhet i padurueshëm, kështu që detyrohet të emigrojë në Jugosllavinë e pushtuar nga nazi-fashizmi. Abaz Kupi duke u investuar me fonde nga jashtë, nisi të mbledhë rreth vetes emigrantë bashkatdhetarë edhe nga Kosova pro luftës për shqiptarizëm. Shpërngulet që andej me ideale e fuqi ushtarake me qëllim që t’i shërbejë çështjes kombëtare. Në Bogë (Shkodër) Abaz Kupi kryen një akt të lartë patriotizmi, ngre Flamurin Kombëtar, duke rishfaqur personalitetin e tij ushtarako-atdhetar.
Abaz Kupi ishte një personalitet në qendër të vëmendjes prandaj është në qendër të kërkesave për dialog, qoftë nga pushtuesit fashistë, qoftë edhe nga Fronti Nacional-Çlirimtar si dhe Balli Kombëtar. Nisur nga interesat më të larta të Kombit, si dhe nga kërkesat imperative, si ajo e luftës çlirimtare kundër nazi-fashizmit, ai përkon me platformën e bashkimit kombëtar e në përpjekjet për zgjidhjen e detyrës kapitale. Kupi pajtohet dhe jep ndihmesë me pjesmarrje në organizimin e mbledhjes të krerëve dhe përfaqësuesve të popullit, siç ishte Konferenca e Pezës, 16 shtator 1942. Kupi është në një front me nacionalistët por pranon bashkëpunim edhe me komunistët për çlirimin e atdheut. Mukja, ishte momenti, ku nacionalizmi i Kupit shfaqi cilësitë e tij prej atdhetari gjithëetnik, por komunstët, nën diktatin e Miladinit dhe Mugoshës, e revizionuan konferencën e bashkimit kombëtar.
Te personaliteti i Abaz Kupit spikati qëndrimi burrëror dhe lufta me armë kundër fashizmit deri në kapitullimin e Italisë. Periudha 4-vjeçare e nxjerr atë si prijës ushtarak që bashkëpunoi me faktorët e tjerë të interesuar. Ai ndërmori edhe aksione të përbashkëta me UNÇSH-në, duke drejtuar me po aq aftësi sa dhe komandantët e tjerë. Kryengritja popullore e Matit qe një provë e madhe edhe për Abaz Kupin. Luftimet në Mat dhe në Dibër ishin një tërësi veprimesh sulmuse kundër garnizoneve të Burrelit, të Shkronjanit e të Qafës së Buallit, që u bllokuan për ditë të tëra. Major Kupi e mori zonën me ngarkim duke manovruar nga njëri vend në tjetrin, bashkëorganizon pritë pas prite me mjeshtri, sidomos me çetat partizane në Qafë-Shtamë. Kjo pritë shpartalloi dhe shpërbëu regjimentin italian”Guida”. Po ashtu ai thyen operacionin italian, që vinte nga Dibra dhe nxjerrjen nga rrethimi i forcave shqiptare. Abaz Kupi shfaqet kamandues tipik në pritat mbrojtëse për gjatë rrugës për Burrel, Klos, Kurdari, e Suc. Italainët pësojnë humbje të ndjeshme.Asnjë historian nuk mund t’ia fshijë me një të rënë të lapsit këto kontribute Abaz Kupit.
Deklarata e tij konfirmon shqiptarizmën e kulluar:”Unë jam gati të bashkëpunoj me çdo shqiptar të ndershëm pa dallim feje, krahine apo ideje. Unë nuk kam gajle se ju jeni komunsitë.Unë jau respektoj çdo bindje politike, por me kusht që ju të jeni komunistë shqiptarë…”
Nënkuptohet se Abaz Kupi duke vënë theksin tek”komunsitë shqiptarë”, aludonte mos komandimin e tyre nga sllavo-komunsitët sepse pavarsisht nga ideologjia e re komuniste, sllavët kurdoherë e kanë lakmuar sundimin e Shqipërisë.
Deklarata e Abaz Kupit se “Unë nuk dua që të shpallemi parti politike në këtë lufte se partitë politike përçajnë popullin”- konfirmon pikëpamjen e tij kombetare perëndimore.
Kuvendi i parë pluralist mbarëkombëtar i Pezës e konfirmoi Abaz Kupin si prijës patriot me vizione lufte për liri, e dëshmoi si strateg popullor, ndërsa Mukja konfirmoi vizionin prej nacionalisti.Ndarja nga Fronti erdhi, kur ai u bind se Partia Komuniste i ktheu shpinën Kosovës dhe tradhëtia e Mukjes, ia përshpejtoi këtë vendim.

KRONIKA E PËRVJETORIT TË 39-TË TË VDEKJES

Përkujtimi i 39-të i ndarjes nga jeta të heroit Abaz Kupi u shënua nga Partia Lëvizja e Legalitetit për ShBA dhe nga familja Kupi, Dani e Çupi me 10 Janar 2015 në Kew Gardens, Queens, New York. Takimin e ka hapë nënkryetari i PLL, z. Ahmet Hoti. Pas përcjelljes me solemnitet të dy hymneve Kombëtare, Amerikan dhe Shqiptar, është mbajtë një minut heshtje-në kujtim të Abaz Kupit dhe të gjithë dëshmorëve të Kombit. Kryetari i PLL për SHBA, z. Hakik Mena, përmes një kumtese evokoi jetën prej heroi kombëtar të Gjeneral Abaz Kupit. Prof.dr. Muharrem Dezhgiu përcolli kumtesën “Rrethanat historike të vendosjes së Legalitetit në Shqipëri, 24 dhjetor 1924”.
Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës përshëndeti nënkryetari i saj, z. Asllan Bushati.
Veprimtari i komuniteti çam, Sali Bollati, ashtu si dhe vitet e tjerë ka përshëndetur duke vlerësuar kontributin kombëtar të Abaz Kupit.
Nga brezi i ri përshëndeti presidenti i “Rrënjët Shqiptare” Marko Kepi. Musli Mulosmanaj, veprimtar i hershëm i komunitetit shqiptar, vatran, në përshëndetjen e tij, bëri apel, që së bashku me gjeneral Abaz Kupin, të nderohen edhe nacionalistët e tjerë, të cilët prehen në të njëjtën varrezë me të.
Anëtari i kryesisë së PLL për SHBA, Tomor Selamani lexoi kumtesën e gazetarit Erald Capri”Mbreti Zog dhe tentativa për një triumf të dytë të Legalitetit”, ndërsa Ahmet Hoti, i cili ishte dhe udhëheqësi i veprimtarisë përkujtimore, lexoi fragmente nga libri i Julian Amery.
Në emër të familjes Kupi, Dani dhe Çupi, ka përshëndetur Sokol Kupi, nip i gjeneral Abaz Kupit, i cili falenderoi organizatorët dhe pjesmarrësit për nderimin që i bënë gjyshit të tij. Sokol Kupi bëri thirrje për organizim dhe bashkim të nacionalistëve të vërtetë, të cilët vetëm të bashkuar do ta shpëtojnë Shqipërinë e rrezikuar nga korrupsioni, ringjallja e komunizmit dhe pseudodemokratët. Për Sokol Kupin, kombi shqiptar nuk mund të shkojë në Europë kështu i dobsuar, inferior, i kërcënuar me shpërbërje në trojet e veta etnike, i shpërndarë në gjashtë shtete. Në Europë, tha duhet të shkojmë me dinjitet. Dhe dinjitetin Kombit ia kthejnë nacionalistët.
Takimi përkujtimor u mbyll me vizitë tek varri i heroit të 7 Prillit në “Maple Grove Cementry” në Kew Graden( Queens), ku u vendosën kurora me lule dhe u bënë fotografi.
Në këtë takim përkujtimor morën pjesë edhe vatranët:Asllan Bushati, Zef Balaj, Sejdi Hysenaj, Uk Gjonbalaj,Lek Përlleshi si dhe editori i Diellit.( Shkrimi u botua në Diellin e printuar, 27 Janar 2015)

Filed Under: Featured Tagged With: abaz kupi, dalip greca, perballe Historise, rishkrimi i Historise

SHUHET NJË FIGURË E RESPEKTUAR E GJERMANISË

February 2, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
“Të gjithë ne, fajtorë ose jo, të rinjë apo të vjetër, duhet ta pranojmë të kaluarën. Të gjithëve na prekin pasojat e sajë, që na kanë goditur. Të gjithë ata që mbyllin sytë para së kaluarës, janë të verbër në të tashmen”.- Ish-Presidenti i Gjermanisë, Richard von Weizsäcker
Zyra e presidentit të Gjermanisë, Z. Joachim Gauck njoftoi se të shtunën ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare ish-Presidenti i Gjermanisë Richard von Weizsäcker. Ai kishte shërbyer në detyrën e presidentit për një periudhë prej dhjetë vitesh, nga viti 1984 deri në 1994 dhe më përpara ai kishte shërbyer si kryetar i Bashkisë së Berlinit nga viti 1981 deri në vitin 1984. Ndonëse detyra e presidentit në Gjermani është më tepër një post ceremonial, megjithëkëtë ai dijti ta përdorte postin e lartë shtetëror për të inkurajuar diskutimin e çështjeve me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare — dhe për të nxitur debatin mbi rolin që duhet të luaj Gjermania në botë. Ish-presidenti gjerman konsiderohej si një udhëheqës i respektuar në fushën ndërkombëtare dhe si një figurë integruesedhe pajtuese brenda vendit të tij dhe me fqinjtë e Gjermanisë. Gjatë mandatit të Presidentit Richard von Weizsäcker dhe pas shëmbjes së Murit të Berlinit, Gjermania u ribashkua me 3 tetor, 1990.
Presidenti i tanishëm i Gjermanisë, Joachim Gauck në mesazhin e tij me rastin e vdekjes së para-ardhësit të tij tha se Presidenti Weizsacker, “Ishte simboli i integrimit të Gjermanisë në komunitetin e vendeve demokratike të botës dhe se ai dëshironte një Republikë Federale gjermane e cila do të përballej me të kaluarën e saj.” Ndërsa Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel e cilësoi shuarjen e Richard von Weizsäcker si, “Një humbje të madhe për Gjermaninë.”
Ndërkombëtarisht, Richard vonWeizsäckermori famë me fjalimin që ai mbajti në vitin 1985 drejtuar parlamentit të Gjermanisë Perëndimore në Bon, me rastin e 40-vjetorit të kapitullimit të Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Ai e cilësoi me atë rast ditën e fitores mbi nazizmin si një “ditë e çlirimit nga sistemi çnjerzor i tiranisë nacional-socialiste.” Ishte ky një fjalim, që sipas Kryetarit të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, “Ndikoi mbinjë gjeneratë të tërë dhe një fjalim që ka përcaktoi imazhin e Gjermanisë si një forcë integruese, në qëndër të kontinentit tonë.”
Në atë fjalim i ndjeri Weizsäcker u bëri thirrje të gjithë gjermanëve — të gjeneratës së tij dhe të brezit të ri që të përballen me historinë e tyre — që të pranojnë turpin e kombit të vet në të kaluarën, duke theksuar se kjo ishte e vetmja mënyrë për të realizuar një të ardhme paqësore dhe të për siguruar pajtimin me njëri tjetrin dhe midis gjermanëve dhe shumë popujve fqinjë të cilët kanë vuajtur nga nacizmi hitlerian. Me atë rast ai pohoi se, “Pothuajse çdo vend në historinë e vet mund të fajësohet për luftë dhe dhunë”, por sipas tij, si krim, “gjenocidi kundër hebrejve është i pakrahasueshëm në histori.” Gjatë atij fjalimi, që bëri shumë bujë në atë kohë, ai pat përcaktuar të ardhmen e gjermanëve me Perëndimin, deklaruar gjithashtu se Gjermania është përgjithmonë e lidhur me Komunitetin Europian dhe me Aleancën Perëndimore.
Si bir i një zyrtari të lartë të regjimit nazist, dhe si anëtar i regjimentit ushtarak që pushtoi Poloninë në vitin 1939, Richard von Weizsäcker mbante mbi supe barrën e historisëjo vetëm si një gjerman i thjeshtë, poredhe si udhëheqës i Gjermanisë demokratike, pasardhëse e një regjimi që shkaktoi aq vuajtje. I ngarkuar me barrën e historisë, ai ishte presidenti i parë gjerman që vizitoi Izraelin dhe e i pari udhëheqës gjerman i cili shënoi 50-vjetorin e invadimit të Polonisë nga forcat naziste me një letër që ai i kishte dërguar homologut të tij polak, me të cilën i shkruante se Gjermania nuk do të ketë kurrë pretendime mbi ish provincat perëndimore gjermane të Polonisë. Për më tepër, ai vizitoi Poloninë për herë të parë në vitin 1990, menjëherë pas shëmbjes së Murit të Berlinit, vizitë të cilën ai e ka quajtur si më të rëndësishmen e karierës së tij politike. Në vazhdën e përpjekjeve të tija për pajtim me fqinjtë europianë, Presidenti von Weizsäcker priti presidentin e parë demokratik çekosllovak, Vaclav Havel për një vizitë në Munich, aty ku Hitleri kishte siguruar nënshkrimin e marrveshjes për ndarjen e Çekosllovakisë, dhe disa javë më vonë — me rastin e 51-vjetorit të hyrjes së forcave pushtuese naziste në Pragë, të prira nga vet Hitleri — presidenti Weizsaker u gjënd në Pragë për të shënuar atë përvjetor në liri.
Në një koment të radios gjermane Deutsche Welle (DW) kushtuar jetës dhe veprimtarisë së ish-presidentit gjerman — duke e cilësuar atë si një “figurë morale të rëndësishme”, nënvijohet rëndësiaqë presidenti Weizsäcker i kushtoi gjatë mandatit 10-vjeçar të tij, pajtimit të Berlinit me vendet e Europës Lindore dhe me Izraelin. Ai ishte i bindur, thuhet në komentin e DW-së, se nuk mund të shënohej një fillim i ri në marrëdhënjet e Gjermanisë me këto vende duke fshehur të kaluarën, por donte që të rivendoste lidhje të reja integruese dhe pajtimi midis gjermanëve dhe popujve të tjerë, duke kujtuar dhe rikujtuar atë histori dhe duke diskutuar të kaluarën, sado e dhimshme që ishte, me qëllim për të mos e harruar kurrë.
Madje edhe pasi u largua nga posti i presidentit, Richard von Weizsäcker vazhdoi të luante rolin e tij integrues dhe pajtues në Europë midis vendit të tij dhe vendeve të Europës Lindore.Mendimet e tija kërkoheshin dhe këshillat e tija dëgjoheshin, pasi konsiderohej si mbështetës i vendosur i demokracisë, i lirisë dhe të drejtave të njeriut për të gjithë dhe kudo dhe si njëri që besonte se historia sado e keqe dhe e dhimbshme të ketë qenë duhej të shpalosej për brezat e ardhëshme në përpjekje që të mos përsëritet kurrë më.
Në një kryeartikull mbi Kosovën, botuar në gazetën amerikane Washington Post më 28 mars, 2007 me bashkautor ish-ministrin e mbrendshëm Italian, Giuliano Amato, i ndjeri ish-presidenti gjerman Richard von Weizsäckertregon interesimin e tij edhe për gjëndjen në Kosovë. Në atë artikull ai shprehte shqetësimet e tija mbi status quonë në Kosovë (më 2007) duke i bërë thirrje Bashkimit Europian për një angazhim më të madh dhe më të vendosur në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, duke shkruar se “E ardhmja e Bashkimit Europian nuk mund të ndahet nga e ardhmja e Ballkanit Perëndimor. Vendet e Ballkanit tani janë aq afër suksesit sa janë edhe afër dështimit. Luftërat kanë marrë fund, por profili i rajonit është një numër shtetesh të dobëta dhe protektorate ndërkombëtare të cilat shpresojnë të antarësohen në Bashkimin Europian, por nuk dinë se kur dhe si.”
Ata vazhdojnë artikullin duke theksuar se, “Ne europianët kemi një përgjegjësi të veçantë për çka ka ndodhë në Ballkan.” Dhe duke pranuar dështimet e politikës europiane ndaj Ballkanit gjatë 1990-ave, ata shkruajnënë gazetën Washington Post se, “Ne dështuam të parandalonim shpërthimin e luftërave në zemër të Europës, megjithëse tani, ndërhyrja jonë ushtarake dhe ekonomike, kryesisht, i ka dhënë formën gjëndjes së tanishme të kirjuar në atë rajon”, dhe theksonin se “shumica e forcave ushtarake sot në Kosovë janë europiane dhe se Europa ka kontribuar shumicën e fondeve në Kosovë gjatë dekadës së fundit”, nënvijojnë bashkautorët e artikullit mbi Kosovën. I ndjeri Richard von Weizsäcker, së bashku me kolegun e tij Italian, e përfundonte artikullin mbi Kosovën duke u bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të kenë një qëndrim të përbashkët për njohjen e Kosovës duke bërë thirrje që “Me çdo kusht, Europa duhet të mos lejojë që disa vende europaine të përkrahin njohjen e Kosovës e disa të tjera jo”, përfundonte artikulli i botuar në gazetën e kryeqytetit amerikan në vitin 2007.
Ish-presidenti i parë i Gjermanisë së ribashkuar, Richard vonWeizsäcker dhe figura që konsiderohet si “ndërgjegja morale e kombit” të vet, ndërroi jetë të shtunën që kaloi në moshën 94-vjeçare.

Filed Under: Analiza Tagged With: E RESPEKTUAR E GJERMANISË, Framk Shkreli, NJË FIGURË, shuhet

Super Bowl – New England Patriots, një skuadër e madhe

February 2, 2015 by dgreca

*Patriots fiton Super Bowl, ndiqet nga 110 milionë spektatorë/

*Tom Brady ishte më i miri në sfidën e madhe New England Patriots -Seattle Seahawks./
Finalja e këtij viti në futbollin amerikan ka shkuar në favor të New England Patriots. Ata mposhtën në një nga duelet sportive më spektakolare të planetit Seattle Seahawks me rezultatin 28-24, duke marrë titullin e parë që prej vitit 2004.
Në një finale ku emocionet ishin pushtuese deri në minutën e fundit, Patriots ishin në disavantazh prej 10 pikësh në fillim të pjesës së katërt, por Tom Brady realizoi përmbysjen dhe njëkohësisht regjistroi 12 “touchdoën” gjatë gjithë takimit, duke thyer kështu rekordin e Joe Montana. Pittsburgh Steelers është ekipi që ka më shumë trofe të Super Bowl, gjashtë të tillë.
Kjo sfidë u ndoq nga më shumë se 110 milionë telespektatorë. Secili nga lojtarët e New England Patriots kanë përfituar nga 97 mijë dollarë, ndërsa ata atë Seattle Seahawks nga 49 mijë. Reklamat këtë vit kanë kushtuar 4.5 milionë dollar për 30 sekonda, një rekord i ri.
Tom Brady ishte më i miri në sfidën e madhe New England Patriots -Seattle Seahawks. New England shënoi fitore me rezultat 28:24. Brady ishte lojtari i ndeshjes i Superbowl-it. Finalja numër 49-të e futbollit amerikan rezultoi një spektakël më vete, me New England Patriots që arriti të fitonte për herë të 4-t në histori trofeun Vince Lombardi duke mposhtur kampionët në fuqi të Seattle Seahawks. Tom Brady u shpreh i lumtur për triumfin e madh.
“Ishte me të vërtetë e pabesueshme ajo që bëri Malcolm Butler. Ne nuk dëshironim të merrnin pushim pavarësisht se loja po shkonte drejt fundit dhe për fat të mirë shënuam duke fituar sfidën. Malcolm u tregua thjeshtë i mrekullueshëm me lëvizjen e tij. Kjo ishte një ndeshje fantastike për ne, të gjithë djemtë dhanë maksimumin në fushë dhe unë jam jashtëzakonisht i lumtur për këtë sukses”, ka thënë Brady.
Një meritë të madhe për triumfin e 4-t në histori të New England, e ka pa dyshim trajneri dhe strategu i Patriots, Bill Belichick. “Ne të tre fazat e ndeshjes ne luajtëm në mënyrë fantastike. Sulmuam ne ashtu siç duhet dhe u mbrojtëm jashtëzakonisht mirë, me pak fjalë u treguam një ekip special. Të gjithë djemtë dhanë ndihmesën e tyre në këtë sukses dhe unë nuk mund të flas për emra të përveçëm.
Jemi një skuadër e madhe dhe ne kemi në ekip një grup të përbërë nga luftëtarë të jashtëzakonshëm. Edhe pse ishim në disavantazh asnjëherë nuk na shkoi në mendje se mund ta humbasim sfidën. Psikologjikisht dhe fizikisht ishim më i mirë se kundërshtari dhe kjo na ndihmoi për ta fituar Superbowl-in”, tha Belichick.

Filed Under: Sport Tagged With: një skuadër e madhe, Super Bowl - New England Patriots

SHQIPERIA E PERMBYTUR, JANE SHPETUAR 311 PERSONA

February 2, 2015 by dgreca

Shqiperia po kalon caste te evshtira. Jugu eshte nen uje. Agjencia Reuters ka pasqyruar situatën e rëndë në jug të vendit, me imazhe dhe informacione për fshatrat dhe zonat e prekura.
Reuters shkruan se pas daljes së lumit vjosa nga shtrati, uji pushtoi tokat, shtëpitë, biznezet dhe gjithcka të dielën. Fshatarët shqiptarë janë ende të bllokuar në shtëpitë e përmbytura teska shërbimet e shpëtimit dhe emergjencës me helikopterë të ushtrisë kanë evakuuar gra, njëra prej tyre shtazënë, fëmijë , barinj dhe punëtorë të një pularie.
Banorët e zonave përreth Vlorës dhë Fierit, në të cilat kalon Vjosa, kanë humbur bagëtitë e tyre si pula, dele dhe derra. Shumë familje kërcënohen gjithashtu nga lumi i Osumit në Berat dhe një pjesë e mirë e tyre janë evakuuar.
Të bllokuar nga ujërat e fuqishëm, shumë prej banorëve telefonuan televizione të ndryshme për ndihmë, përfshirë dy vëllezër, të cilët u strehuan në një bunker, i mbetur që nga koha e komunizmit.
Derdhjet e Vjosës përfshinë edhe brigjet e Përmetit, duke bllokuar rrugën nacionale. Sipas parashikimeve të ekspertëve të motit, edhe në ditët në vijim priten shira të rrëmyeshëm, përfundon Reuters.
Nga dita e djeshme, kur edhe filloi përmbytja në Shqipëri janë shpëtuar 311 persona në të gjitha zonat e rrezikuara. Shifra është dhënë nga Policia e Shtetit.
Numri më i madh i personave të shpëtuar është në qarkun e Fierit, 112 persona, ku aktualisht po vijon ende operacioni. Në qarkun e Vlorës janë shpëtuar 98 persona, vjon operacioni. Në qarkun e Gjirokastrës janë shpëtuar 7 persona. Në qarkun e Beratit janë evakuuar 90 persona dhe në qarkun e janë shpëtuar 4 persona.
Policia e Shtetit po ashtu i bën thirrje banorëve që të bashkëpunojnë për të telefonuar në numrin pa pagesë 129 për t’u ardhur në ndihmë.
Deklarata e Policisë së Shteti
Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë operacionet e evakuim–shpëtimit të banorëve në zonat e përmbytura nga dalja e lumenjve nga shtrati si pasojë e motit të keq.
Prej ditës së djeshme dhe deri në këto momente Strukturat e Policisë së Shtetit , konkretisht Forcat e Lëvizshme Operacionale , Delta Forcë dhe efektivat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, Vlorë, Berat, Gjirokastër dhe Elbasan kanë vakuuar dhe shpëtuar 311 persona dhe konkretisht:
Në Qarkun Fier janë evakuuar dhe shpëtuar 112 persona, ku aktualisht vijon operacioni për evakuimin edhe të disa banorëve të tjerë.
Gjatë paradites së sotme janë shpëtuar disa grupe barinjsh, dy të moshuar (çift) dhe dhjetra banorë të fshtrave Dazezë, Ferras, Hoxharë, Bishan, Rrefik, e Shtyllas, të cilët janë evakuuar me gomone nga FNSH e Delta Forcë.
Në Qarkun Vlorë janë evakuar dhe shpëtuar 98 persona, dhe vijon operacioni për të nxjerrë një bari i cili ka mbetur i bllokuar nga uji afër Bisht Malit.
Në qarkun Gjirokastër janë evakuar 7 persona . Aktualisht s’ka asnjë banorë të rrezikuar dhe të gjitha akset rrugore janë të kalueshme .
Në qarkun Berat:
Janë evakuuar nga Policia 90 persona. Aktualisht nuk ka asnjë telefonatë nga asnjë banor që të kërkojnë ndihmë . Të gjitha rrugët nacionale tashmë janë të kalueshme pasi niveli i ujit ka rënë.
Në Qarkun Elbasan mbrëmjen e djeshme janë evakuuar 4 persona.
Shtabi i emergjenës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit vijon të funksionojë dhe po rakordon veprimet me Shtabin e Emergjencave .
Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e banorëve duke sinjalizuar në Sallat Operative nëpërmejt numrin pa pagesë 129 me qëllim që policia t’ju shkojë në kohë në ndihmë.
Strukturat e Policisë do vijojnë të jenë në gadishmëri , deri në normalizimin e plotë të situatës.
Fieri, Vlora, Gjirokastra, Tepelena, Berati, Elbasani, jane ne emergjence.Në qytetin e Fierit , pas nje nate te frikshme, tashmë krejt zona është e kalueshme, pa prani të ujit, ndërsa niveli i lumit Gjanica ka pësuar rënie që nga mbrëmja e kaluar.
Rreshjet e shumta të ditëve të fundit sollën një rritje të nivelit të lumit Gjanicë dhe si pasojë daljen e tij nga shtrati.
Situata u parashikua dhe u njoftua nga shtabi i emergjencave civile në Bashkinë Fier qysh ditën e enjte, nëpërmjet mediave lokale dhe komunikimeve direkte me qytetarët.
Shtabi i emergjencave civile në bashkinë Fier, drejtuar nga Kryetari i Bashkisë në bashkëpunim dhe me FNSH-në ka qenë në gadishmëri të plotë në terren duke nisur nga dita e premte, deri në orët e para të ditës së hënë.
Nga prurjet e shumta të lumit Gjanicë uji ka depërtuar në katet e para të afro 50 banesave dhe 10 bizneseve në lagjet “1 Maji” dhe “Kongresi i Përmetit” të cilat janë nën nivelin e argjinaturës së lumit.
Gjatë gjithë kohës në gadishmëri së bashku me shtabin e emergjencave civile kanë qenë dhe forcat e FNSH-së me 3 varka shpëtimi në të dy anët e lumit. Situate ka qenë gjatë gjithë kohës nën kontroll të plotë.
Në orët e vona të ditës së dielë niveli i ujit të lumit nisi të pësojë rënie. Gjatë ditës së hënë pothuajse i gjithë uji është larguar nga banesat dhe bizneset dhe e gjithë zona tashmë është e kalueshme.
Fshatrat e komunës së Novoselës në Vlorë janë totalisht nën pushtetin e ujin, duke shënuar zonën më kritike në jug të vendit si pasojë e përmbytjeve nga moti i keq. Mijëra persona kanë lënë banesat e tyre, ndërsa dhjetëra të tjerë janë në pritje të evakuimit nga ekipet e shpëtimit, ku në disa raste është e detyrueshme ndërhyrja me helikopterë për shkak të terrenit të pakalueshëm nga toka. Policia, ushtria dhe Emergjencat Civile janë në terren për të shpëtuar banorët e izoluar në banesa apo biznese të përmbytura. Televizioni A1 Report i ka dhënë zë apelit të të përmbyturve drejt autoriteteve për t’i evakuuar në zonat nga ku ata ndodhen të rrezikuar.

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti tha për A1 Report se shkak për situatën kritike të përmbytjeve në jug të vendit janë bërë ndërtimet me leje dhe pa leje që janë dhënë për banesat e bizneset pranë lumenjve .
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani u kërkoi degëve lokale dhe të zgjedhurve vendorë të PD-së të mbajnë kontakte të vazhdueshme me banorët dhe të informohen për gjëndjen e tyre.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani vizitoi zonat e përmbytura të Fierit dhe Vlorës dhe takoi banorët e prekur nga kjo situatë e rënduar nga reshjet dhe me gjithë përpjekjet e shtabeve lokale, gjëndja është e rënduar dhe dhjetëra banorë rrezikojnë jetën dhe pronat.
Ristani u kërkoi degëve lokale dhe të zgjedhurve vendorë të PD të mbajnë kontakte të vazhdueshme me banorët dhe të informohen për gjëndjen e tyre si dhe kërkoi bashkëpunim të plotë me autoritetet për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në vështirësi, pasi jeta e tyre dhe prona është prioritet absolut. “Kushtet e rrethanat kërkojnë domosdoshmërisht shumëfishimin e përpjekjeve dhe resurseve qeveritare”, pohoi Ristani.
Ndërtimet pa kriter buzë lumenjve janë një tjetër shkak i përmbytjeve masive në fshatrat e komunës së Novoselës, Fierit, Memaliajt etj. Ndërtesat e banorëve të ndërtuara shumë pranë lumenjve, të cilat tashmë ndodhen në ujë, janë bërë në mënyrë të pa planifikuar.
Vetë ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, theksoi se shumë prej ndërtimeve që janë parë në fotografi të përmbytura nga uji, mund të jenë ndërtime pa leje, ose me leje, por të ndërtuara jashtë çdo kriteri dhe pa asnjë studim.
Panariti bëri me dije se këto ndërtime mund të kenë ndikuar në përkeqësimin e situatës së përmbytjeve, pasi kanë bllokuar kanalet e treta të kullimit, duke e bërë të pamundur tërheqjen e ujit që përmbyti jugun, si pasojë e daljes nga shtrati të lumenjve. Në këto foto shihet qartë që këto ndërtime janë bërë pa asnjë plan, buzë lumenjve.

Filed Under: Kronike Tagged With: 311 PERSONA, JANE SHPETUAR, SHQIPERIA E JUGUT E PERMBYTUR

MJAFT MË SE NA KENI SJELL SHPIRTIN NË MAJE TË HUNDËS!

February 2, 2015 by dgreca

Shkruan: Avdi Ibrahimi-Prizren/
Çfarë çmendurie! Më ka rastisur të dëgjoj e lexoj gati çdo ditë disa njerëz që janë të apasionuar pas liderit të tyre partiak sa konfuzioni i tyre moral, sikur na kujton atë trajtimin e mendimit apsurd, ku dita nuk mund të jetë assesi më e ngrohtë se nata, ku drita për ta assesi nuk është më e ndritshme se errësira, ku toka assesi nuk është më e thatë se deti, atëherë është mbase e qartë se njerëzit e tillë e kanë humbur aftësin për të shquar dallimin.
Qysh nga kohëra të lashta njerëzit që bënin biznes e pastaj disa edhe bëheshin “udhëheqës” që nëpërmjet parasë e mashtrimit, të atij apo këtij populli, tani të këtij apo atij shteti, kanë keqpërdorur emrin e “Udhëheqësit” për qëllime personale, kështu ata të mëparshmit, po edhe këta të sotshmit për të justifikuar të pajustifikueshmen.
Mbase besimi tek lideri partiak i takon kohës së re. Njerëzit, duke qenë inferior dhe te varur drejtëpërdrejtë nga lideri i tyre partiak, e ngritin në kult atë, duke i dhënë atributin e të paprekshmit… Të besosh në një lider nuk dëmton askënd dhe është tejet personale, por të jeshë i vetëmashtruar, e pastaj t’i mashtrosh të tjerët, është spekulim, është pandershmëri, është apsurde, është mbase edhe çmenduri! Është e kuptueshme se ka njerëz që kanë nevojë për një kult frike apo adhurimi, ka njerëz që besimin në liderin e tyre e ndjejnë si shpresë dhe forcë për të përballuar dhe realizuar qëllimet e të jetuarit.
Po ju kujtojmë këtyre servilëve të vetëmashtruar se, të luftosh pushtuesin e kombit shqiptar me penë e pushkë nuk është diktaturë, por edhe të jeshë kundër keqeverisjes së pushtetarëve të tanishëm nuk është antiatdhetarizëm, por përkundrazi është të jeshë i ditur dhe i kulturuar njëkohësisht të jeshë me ndjenja të larta atdhetare. Këtë ndjenjë të lart kulture dhe atdhetarie e tregun me vepra heronjtë e heroinat e Kombit Shqiptar nëpër shekujt e përflakur. Këtë ndjenjë të lartë atdhetarie dhe kulture e pati edhe Komandanti legjendar i UÇK-së Adem Jashari bashkë me luftëtarët e lirisë e natyrisht as kjo nuk quhet diktaturë.

Politika e rezistencës pasive nuk është asfarë shenje e qytetrimit evropian, nëse nuk e mbron dinjitetin kombëtar, por është dukuri e vetënënshtrimit dhe fyerje kombëtare. Por as politika e “nacionalizmit si kapital politik”, nuk është asfarë shenje e atdhedashurisë, por dukuri e nënshtrimit politik. Politika e “integrimeve” e “hapsirave demokratike”, e “kompromiseve”, e “qarkullimit të lirë të njerëzve”, nuk është asfarë premise politike, por mohim i dinjitetit kombëtar.

Jemi dëshmitar se sot, në Qeverinë e Kosovës të Isa Mustafës e Hashim Thaçit, ndodhet në bashkëqeverisje një Ministër për Kthim, nga Lista Sërbska, njëfar Aleksandri i quajti “egërsira” familjaret e të zhdukurve shqiptar nga Gjakova, që gjakuan për liri… që Shteti terrorist serb i Aleksandrit bëri gjenocit mbi popullin shqiptar, para disa viteve, ku ende kullojnë gjak plagët shqiptare.
Si qytetar shqiptar i Republikës Shqiptare të Kosovës, apeloj të reflektoj Qeveria e Kosovës, sa s’është bërë vonë, ti plotësoj këto tri kërkesa jetike të popullit:
1. Ta shkarkoj sa më parë Jabllanoviqin nga kabineti qeveritar i Isa Mustafës.
2. Trepça gjigandi ynë ekonomik të bëhet ndërmarrje publike.
3. Të ndaloj me të gjitha mjetet paqësore largimin e qytetarëve shqiptar nga Kosova.
Kjo është mbase detyrë mbi detyrat e Qeverisë së Ksovës, që kërkon situata aktuale, mos përfillja e këtyre kërkesave gjithpopullore na bënë të ju themi: Mjaftë më se na keni sjellë shpirtin në maje të hundës, nuk beson më asnjë qytetar i Kosovës në këta politikan idhuj pakrena, që vazhdimisht bënë kompromise politike në dëm të shqiptarëve të Kosovës, e durimit i ka ardhur fundi… Qeveria t’i kërkoj llogari Aleksandrit, e të bëjë largimin e menjëhershëm, nga pozitat e larta në Republikën Shqiptare të Kosovës, të këtij Aleksandri dhe gjithe aleksandrave që hanë bukën e Shtetit Shqiptar të Kosovës, por qe punojnë e veprojnë për Serbinë gjenocidiste!

Prizren, 2 shkurt 2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: Avdi Ibrahimi, MJAFT MË SE NA KENI SJELL SHPIRTIN, NË MAJE, TË HUNDËS!

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4125
  • 4126
  • 4127
  • 4128
  • 4129
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT