Nga Frank Shkreli/
Të martën me 27 Janar,Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Vctoria Nuland mbajti një fjalim në Qëndrën e Marrëdhënjeve Amerikano-Europiane pranë Institutit Brookings në Washington, gjatë të cilit ajo shqyrtoi ngjarjet e vitit të kaluar në marrëdhënjet me Europën, të cilat sipas saj, farkëtuan një frymë të re në marrëdhënjet transatlantike në fushën politike, ushtarake dhe ekonomike. Ajo u tha të pranishmëve, shumica e të cilëve ishin ekspertë të marrëdhënjeve amerikano-europiane dhe amerikano-ruse se asnjëri prej nesh nuk mund të parashikonte që agresioni rus në Ukrainë do të vente në sprovë lidhjet transatlantike si dhe punën që është bërë gjatë 25 vjetëve të të fundit drejtë objektivit për krijimin e një “Europe të tërë, të lirë dhe në paqë”. Ajo shtoi se agresioni rus në Ukrainë dhe sulmet terroriste të grupit ISIL dhe degëve të kësaj lëvizjeje, kanë sfiduar dhe “kanë rrezikuar çdo gjë që ne konsiderojmë si të shënjtë, përfshirë demokracinë, lirinë e individit, sigurinë kolektive, tolerancën dhe begatinë, duke filluar nga Vankuveri deri në Valdivostok”, pohoi Yonja Nuland.
Në fjalimin e saj, diplomatja amerikane e cila është përgjegjëse pranë Departmentit Amerikan të Shtetit për marrëdhënjet e Amerikës me 50- shtetet europiane dhe euroaziatike, me NATO-n, me Bashkimin Europian dhe me OSBE-në, theksoi vendosmërinë e përbashkët që nxitë përpjekjet e përbashkëta për realizimin e misionit transatlantik, për një “Europë, të tërë, të lirë dhe në paqe”. Diplomatja e lartë amerikane i përqëndroi komentet e saja në Institutin Brookings, kryesisht mbi konfliktin në Ukrainë — ku sipas OKB-së deri tani kanë humbur jetën rreth 5000 veta — duke thënë se konflikti në Ukrainën Lindore është këthyer tani në një betejë për një Europë të tërë, të lirë, dhe në paqe, duke theksuar se , “Të gjithë ne e dimë se Europa e tërë, e lirë dhe në paqe bie ose ngrihet me Ukrainën”, tha ajo.
Sanksionet e forta ekonomike nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Europa kundër Rusisë, si kundër veprim ndaj mbështetjes ushtarake që ajo u jep separatistëve rusë të cilët luftojnë në Ukrainën lindore, nuk kanë ndaluar as nuk e kan penguar Moskën që të vazhdojë t’u dërgojë atyre ndihma dhe mbështetje morale dhe materiale. Përveç sanksioneve ekonomike, Z. Nuland vuri në dukje se Aleanca Perëndimore NATO, si përfundim i keqësimit të konfliktit në Ukrainë, ka vendosur forcat e saja tokësore, detare dhe ajrore në disa vende anëtare të aleancës të cilat gjeografikisht ndodhen afër Rusisë, siç janë Polonia, Bullgaria, Rumania dhe vendet baltike. “Aleanca e NATO-s”, tha ajo, “është një aleancë me karakter mbrojtës, qëllimi i së cilës është të çkurajojë agresionin. Por nëqoftse dështon një gjë e tillë, atëherë “Ne duhet të jemi gati”, theksoi diplomatja amerikane, Viktoria Nuland.
Duke thënë se sfidat dhe kërcënimet ndaj sigurisë së përbashkët me të cilat u përballem vitin e kaluar, jo vetëm që nuk tronditën unitetin transatlantik, por ato në fakt, shtoi Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, “na bënë më të fortë, më të vendosur dhe si rrjedhim jemi në një gjëndje më të mirë për të mbrojtur dhe për të zgjëruar komunitetin e vendeve të cilat besojnë në vlerat e përgjithshme universale njerëzore që na përcaktojnë se kush jemi ne.”
Ndërsa ajo foli për arritjet dhe bashkpunimin transatlantik në fushën e mbrojtjes, të sigurisë së përbashkët dhe në marrëdhënjet ekonomike, diplomatja amerikane theksoi gjithashtu edhe punën e përbashkët që është bërë dhe po bëhet në luftën kundër korrupsionit, fenomen ky të cilin ajo e cilësoi si një, “murtajë e shoqërive dhe e ekonomive tona”. Në vazhdim ajo, nënvijoi, “Angazhimin tonë ndaj tolerancës, lirisë së fjalës dhe lirisë personale si e drejtë e çdo individi dhe të çdo kombi, për të zgjedhur vetë rrugën që dëshiron të ndjeki”. Diplomatja e lartë amerikane tha se duhet të shpejtohen investimet për një begati të përbashkët., ndërsa ajo foli për korrupsionin duke thënë se, “Korrupsioni nuk është vetëm një vrasës i demokracisë”, por “Korrupsioni”, shtoi ajo, është një fenomen që “i jep hapësirë infuencave të këqia nga jashtë, në fushën politike dhe ekonomike. Si rezultat, Victoria Nuland, premtoi në fjalimin e saj ndihmën amerikane, duke thënë se këtë vit, “Anë e mbanë Europës Lindore e Qëndrore si edhe në mbarë Ballkanin, do të shikoni një dyfishim të përpjekjeve me aleatët dhe partnerët tanë për të forcuar sistemin gjyqësor, për të luftuar korrupsionin dhe shtim të përpjekjeve për të promovuar një qeverisje transaprente në sistemin e tenderave publike.” Ajo bëri thirrje edhe për investime në lëmin e energjisë, si një mjet që do të çlironte disa vende nga varësia energjetike, duke thënë se duhen krijuar alternativa tjera për vendet e Europës Qëndrore dhe vendeve të Ballkanit në këtë fushë.
Duke nënvijuar planet për vitin 2015, Viktoria Nuland tha se gjatë këtij viti duhet të jemi besnikë ndaj partnerve tanë lindorë, dëshira e vetme e të cilëve është që të jetojnë në paqë, tha ajo. Diplomatja amerikane, Nuland tha në fjalimin e saj se viti 2015 duhet të jetë gjithashtu një vit progresi në përpjekjet tona prej 20-vitesh tanimë, “për të siguruar paqën, pajtimin, reformat e nevojshme politike dhe ekonomike si dhe qeverisjen e mirë, në vendet e Ballkanit.”
Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Nuland e përfundoi fjalimin e saj duke bërë thirrje për një renesancë në marrëdhënjet transtalantike, duke nënvijuar se rilindjen e këtyre marrëdhënjeve, “duhet ta bëjmë për veten tonë, për fëmijtë tanë, por edhe për botën në përgjithësi e cila pret prej nesh që të jetojmë sipas këtyre vlerave dhe ti mbrojmë ato, duke përcaktuar një standart që bazohet në mbështetje të ligjit ndërkombëtar, të paqës dhe sigurisë, të tregëtisë së lirë dhe të të drejtave universale të njeriut”, përfundoi diplomatja e lartë amerikane fjalimin e saj të marten, në Institutin Brookings në Washington.
E VETMJA KRYETARE PARTIE FEMËR NDËR SHQIPTARË, DORËHIQET NGA PRESIONI I BURRAVE DHE….
…PSE NUK VJEN NGA KUZHINAT E UDB/
Kur prezantoi kryetaren e PPD-së zgjedhur nga Kongresi i VI-të i saj, zonjën Tetuta Llalla, gazeta Dielli ne SHBA, e vuri theksin posacërisht në faktin se për të parën herë një parti mashkullore shqiptare e delegoi udhëheqjen tek një femër, patriote, e perkushtuar ndaj Kombit, ishte luftetare e UCK, mesuese, nje personalitete pa cene. Vecanërisht në Maqedoni, kjo ishte një arritje historike që përcillte kumtin e zbutjes së politikës dhe mund të shërbente si model edhe ndër shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Luginën e Preshevës etj. Mirëpo pa ia nisur mirë veprimtarisë, zonja Llalla dha dorëheqjen. Përse? Duket se u trembën dirigjentët e politikës shqiptare në sinoret ku ka vepruar UDB-ja, e cila duket se ende ka mbipushtet tek faktori politik shqiptar ose servilet e maqedonasve, moren urdher te kundervepronin.
Ata burra që posedojnë pasaporta diplomatike, duket se paguajnë harac tek ustallarët e tyre, kështu që presioni i tyre e thyen kryetaren e parë të një partie burrash shiptarë, dhe emri i saj do te sherbeje vetem per statistike te perkohshme se dikur, pak kohe, na ishte nje kryetare partie femer ne trojet mashkullore te politikes!. Jo vetëm kaq, por burrat e PPD, që janë kujdesur që kjo parti të mos ngrejë krye, bllokuan edhe listat edhe vulat. Ja pra pse u thye gruaja që desh të zbusë politikën e burrave të PPD, por jo vetëm kësaj partie. Për të mësuar arsyet e plota të dorëheqjes, ndiqeni të plotë deklaratën e kryetares së dorëhequr Teuta Llalla.
D E K L A R A T Ë
Të nderuar delegat dhe kuvendar të Kongresit të VI të PPD, mbajtur më 17 Janar 2015!
Suksesi i Kongresit të VI dhe zgjedhja në krye të PPD një grua, një nënë, një ish-ushtare e UÇK, që rrjedh nga një familje kombëtare, kalli shqetësim të thellë në strukturat shtetërore sepse u zgjodh një njeri që nuk vjen nga guzhinat e UDB së vjetër jugosllave por nga bagazhi patriotik kombëtar.
Prej disa ditësh u shantazhova nga njerëz të caktuar që njihen si ish komunistët të cilët bredhin me pasaportë diplomatike që duhet të zgjidhen në mënyrë diktatoriale komuniste dhe jo me votë demokratike, Sekretari i Përgjithshëm dhe Kryetari i Kuvendit të PPD-s. Për 8 ditë unë nuk pranova që këto gjëra të ndodhin sepse nuk jam zgjedhur me vërtetim të dalë nga dera e shtëpisë sime, kryetare e PPD, por u zgjodha në mënyrë demokratike, me vota të lira, dhe për zgjedhjen time kanë qenë dëshmitarë qindra sy dhe dhjetëra media.
Prej disa ditësh kërkova listën e Kuvendarëve të votuar në Kongres, por ajo listë nuk mu dha asnjëherë, sepse nëntoka e strukturave shtetërore kishte ndryshuar emrat e Kuvendarëve. Kjo parti prej dy vitesh udhëhiqej nga një treshe të cilët kishin role të ndara: njëri përdorte diplomacinë, tjetri arrogancën dhe i fundit luante rolin e naivit. Këta të tre pas Kongresit bllokuan vulat e partisë, proces-verbalin e Kongresit të VI dhe të gjithë materialet që duheshin të dërgohen në Gjykatën e Tetovës që juridikisht të marr mandatin zyrtar si Kryetare e PPD.
Të respektuar delegat dhe Kuvendar të Kongresit VI të PPD që më votuat për një dëshirë, për ëndrrën e rikthimit me nder të PPD në skenën politike, që më mbështetët në kohët e vështira dhe që më besuat postin e kryetarit të PPD, ju premtova atë ditë në sy se nuk do t’ju tradhtoja, nuk do t’ju braktisja kurrë për asnjë interes e asnjë çmim dhe asnjëherë për ndonjë përfitim personal. Nuk do të bëja pas shpinës suaj asgjë që do të cënonte jetën, dinjitetin, të ardhmen dhe shpresën tuaj. Nuk do të merrja asnjë vendim pa e ndarë me ju, pa u këshilluar me ata që më besuan dhe votuan, sepse nuk do të gjeja paqe në shpirtin tim për shkak të trazimit të besimit dhe shpirtit tuaj.
Unë nuk mund të pranoja të bëhesha pjesë e marrëveshjeve nëntokësore në dëm të interesit të popullit tim, unë nuk mund të pranoja që duke u keqpërdorur vula e partisë të mblidhen fonde për larjen e borxheve të firmave të falimentuar.
Që nga themelimi i PPD-s në vitet 1990, ka ekzistuar një luftë e brendshme midis UDB Jugosllave komuniste dhe patriotëve shqiptar, por për fatin e keq gjithnjë ka fituar grupacioni i kuzhinës së UDB. Kjo tregon se, Logës, Emrit dhe Zgjimit të PPD i trembet shumë ky shtet.
Fjalët e mia janë të sinqerta, ato vijnë nga thellësia e shpirtit të pastër familjar, sepse unë jam Teuta Kamberi- Llalla,që nuk mund të shkeli mbi Betim Kombëtar.
Prandaj unë sot jam dorëheqjen e pakthyeshme nga posti i kryetares së PPD të sapo zgjedhur më 17 Janar 2015, me vota demokratike.
Dorëheqja ime dëshmon se ka disa interesa madhore që nuk mund të shkelen për asnjë interes personal. Përpara asaj që mu servua, unë zgjodha dorëheqjen me nder dhe nuk pranova të notoj në ujërat e ndotura.
Faleminderit të gjithëve dhe mirupafshim në Betejat e Ardhshme
Tetovë, 28 Janar, 2015
Teuta Kamberi Llalla
SHQIPTARËT “TAKSIRATLI“ I VARDISEN EVROPËS PLAKË!?
“Më mirë të kesh një armik të mençur, sesa një mik anarkist dhe budalla!”./
Nga Fadil LUSHI-Tetove/
Kur disa muaj më parë “doktori im personal ma mori të drejtën e të shkruarit”, në hapësirat e Gadishullit Ilirik u hetuan një varg meselesh a vakish politike. Teksa unë isha “jashtë” këtyre rrjedhave, ishin shfaqur ca “furgona” mendimesh, disa prej tyre qenë personale, disa kolektive, disa përfaqësonin qëndrimet e institucioneve të pushtetit, ndërsa do të tjera qenë “mendime me qira dhe të dala nga fiqire të sëmura”.
Ne, në këtë shkrim a opinion të radhës, nuk do të bëjmë diferencën e këtij shkrimi me të tjerë të tillë si ky, andaj për këtë arsye besojmë se ky shkrim, nuk do të mbetet pa identitet…, njëkohësisht nuk do të lejojmë që ky vështrim të shndërrohet në një “ekzemplar bezdisës!?”. Këtë nuk do t’ua dedikojmë “trimave” të çartur e të azdisur nga pasuria e…, as atyre që njihen me mendjemadhësinë dhe me atë nacionalizmin folklorik dhe provincial, nuk do t’ia kushtojmë as “dembelit”, i cili sa herë do të flas përgjumshëm, aq herë do t’ia qan hallin kalorësit se i varen këmbët, as filantropëve të rremë, as miqve tanë të mirë e të mençur, as atyre që janë të “trashë nga mendja”, as anarkistëve, por as edhe armiqve tanë “fiktivë”. Nuk do të shkruajmë as për “patriotët tanë jashtë atdheut”, sepse për të qenë i tillë duhet të jesh pranë vatanit…, duhet të jesh pronar i vulës së mëmëdhetarisë, nuk do të shkruajmë as për politikanin shqiptar qoftë ai nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e mërgata…, sepse të jesh politikan nuk do të thotë se je “pronar i myhyrit të politikëbërjes së mirëfilltë!?” Nuk do të shkruajmë as për atdhetarinë e çiltër të Albinit, as për “pisllëqet politike të N.N.”…, as për shpresat e fukarenjve, as për rënkimet e nënave kosovare, as për ushtarakun me paterica, i cili nuk troket dot më në dyert e blinduara dhe të mbyllura të pushtetarëve të Prishtinës…, as për xhamat e thyer të qeverisë së Kosovës, as për korrupsionin që ashtu pamëshirshëm e ka kapur për fyti shoqërinë shqiptare…, as për atë krimb fekalesh serbe, gjegjësisht për ministrin Aleksandar Jabllanoviq, i cili kohë më parë në një lagje të Gjakovës ofendoi nënat gjakovare (çuditërisht kryeministri i Kosovës ia fali “gabimin”, kinse deklaratën e tij e kishin “keqinterpretuar”)…, nuk do të shkruajmë as për “shqiptarin” i cili në stadiumin e “Partizanit” në Beograd “bëri Shqipërinë natyrale”…, duke e harruar atë “londinezen”…, nuk do të shkruajmë as për të rinjtë shqiptarë, të cilët (udhë e pa udhë) ia mësyjnë kontinentit të vjetër për një kafshatë bukë…, nuk do të shkruajmë as për atë foton simbolike të lapsave disangjyrësh për lirinë e shprehjes dhe fjalës…, as për “Marshimin e Bardhë”…, as për kryeministrin Edi Rama, i cili bashkë me komunitetet fetare (shqiptare) zhvilloi homazhe pranë redaksisë së revistës satirike “Charlie Hedbo” në Paris…, nuk do të shkruajmë as për aksidentin automobilistik të lidershipit Ali Ahmeti, i cili nga gojëkëqijtë shqiptarë u paragjykua në mënyrën më të ulët…, një paragjykim që mbase nuk është dhe nuk mund të jetë në natyrën e shqiptarit…, nuk do të shkruajmë as për hilet që na i bëjnë kundërshtarët tanë (ca prej të cilëve janë të imagjinuar)…, nuk do të shkruajmë as për shqiptarët që parapëlqejnë të jenë nacionalistë dhe trima, por ama, kur duhet ta vërtetojnë këtë, dalin frikacakë…, nuk do të shkruajmë as për zhurmaxhijtë dhe “çallëmxhijtë”, as për ata që premtojnë dhe gënjejnë, për ata që në “aksham të martojnë e në sabah të harrojnë”, as për njerëzit me a pa “kusure(!?)”, thjeshtë do të shkruajmë për ca politikanë shqiptarë “taksiratli” që i vardisen Evropës plakë duke ia bërë “qejfin me e pa arsye” për ata të cilët kur takohen me diplomatë të huaj fyejnë edhe nënën edhe motrën edhe atdheun…, politikanë të cilët sot e gjithë ditën e Perëndisë, rrugëtojnë në drejtime a kahe të panjohura…, në veçanti për ata shqiptarë me fjalor të shthurur të cilët, kur do të përfundojnë a konsumojnë të sharat dedikuar njëri-tjetrit, atëherë do të fyejnë grekun, serbin, maqedonasin e të tjerë. Do të shkruajmë për njerëzit të cilët dikur në disa “kuzhina politike të dyshimta, qofshin ato orientale a oksidentale”, kishin konsumuar çorbë të prishur të cilën po e vjellin madje sot e gjithë ditën(!?)…, do të “shkarravisim” për njerëzit të cilët dikur ia kthyen shpinën partisë amë…, për ca politikanë të cilët mëtojnë të bëjnë marrëveshje të ulët, pazarllëk të turpshëm e të njëanshëm me armik serbin duke e përdorur logjikën dhe monedhën e popullit (një dialog të cilit i mungon dëgjimi reciprok, një dialog politik që është i njëanshëm dhe i papërfillshëm…, bisedë johumane…, jocivilizuese, ku të merret fryma e fjala e radhës dhe, në instancë të fundit, nuk arrin dot të zbërthesh mendimin a dertin që ke)…, do të shkruajmë për politikanët që fshihen nën kostumin apo nën “ferexhenë” e tolerancës së sajuar dhe gjuhës së tyre brutale dhe provinciale…, për njerëzit emotivisht të boshatisur…, njerëz të cilët harruan të vërtetën rreth partisë politike e cila mbetet një ndër rrëfimet tona më të çiltra, mbetet kryeshtylla a kryefjala e gjuhës sonë politike, mbetet pasthirrma jonë urdhërore, mbetet udhërrëfyesi ynë evropian, mbetet shprehja jonë unike që lakon a shpjegon filozofinë e politikës së moderuar.
Paçka se unë (nuk) shkrova për “meseletë” e vjetra e të koklavitura kur nuk më dëgjon dot njeri. Mbase politikan Albin Kurti ka të drejtë.
P. S. Malësorët kanë një shprehje proverbiale që tingëllon pak a shumë kështu: “Më mirë të kesh një armik të mençur, sesa një mik anarkist dhe budalla!”.
Freedom House: Shqipëria dhe Kosova pjesërisht të lira
Nga Keida Kostreci/
Në një vit kur gjendja e lirisë në botë pësoi rënie për të nëntin vit me radhë, Shqipëria dhe Kosova vazhduan të përfshihen në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira. Në raportin vjetor të organizatës Freedom House, vlerësimi për Shqipërinë nuk ka ndryshuar, ndërsa Kosova ka shënuar përparim, duke u përfshirë për herë të parë mes vendeve me demokraci elektorale.
Gjendja e lirisë në Shqipëri
Shqipëria vazhdon të ketë të njëjtën shkallë vlerësimi, duke marrë 3 pikë për gjendjen e lirisë në përgjithësi, në një sistem matës me një shkallë nga 1 në 7, ku 1-shi përfaqëson liritë më të mëdha dhe 7-ta mungesën më të madhe të lirive.
Freedom House ia atribuon mosndryshimin e vlerësimit kombinimit të problemeve të rrënjosura institucionale dhe reformave pozitive por që janë ende në fazat e para.
“Sigurisht që ne do të preferonim që Shqipëria të kishte shënuar më shumë përparim”, thotë Arch Puddington, zv/president për kërkimet tek kjo organizatë.
Ai ia atribuon mungesën e përparimit, historisë së shtypjes së regjimit totalitar të Enver Hoxhës, që ai thotë ishte më i rëndë sesa vendet e tjera të Evropës Lindore.
“Mendoj se vendi ende po përpiqet të dalë nga ajo errësirë ku ishin zhytur nën regjimin Hoxha. Prandaj mund t’u duhet pak më shumë kohë. Ata kanë shënuar përparime të rëndësishme”.
Raporti nënvizon se qeveria e kryeministrit Edi Rama siguroi në vitin 2014, statusin e vendit kandidat pas tre shtyrjeve të mëparshme dhe është vlerësuar për masat ndaj krimit të organizuar, ligjit të ri për lirinë e informacionit dhe ligjit për proceset e konsultimit për hartimin e legjislacionit dhe strategjive të rëndësishme për politikat.
Megjithatë, vazhdon Freedom House, vendi vazhdoi të vuante pasojat e mosmarrëveshjeve politike, përfshirë bojkotimin e parlamentit nga opozita, mosndëshkimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion dhe një trashëgimi emërimesh politike në postet e gjyqtarëve. Zoti Puddington thotë se nëse do që të anëtarësohet në BE, Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet.
“Por një nga gjërat që kemi mësuar është se kur një vend anëtarësohet në BE, ka prirjen t’i respektojë standardet demokratike në mënyrë të qëndrueshme, kështuqë ne shpresojmë që Shqipëria ta arrijë atë synim”.
Kosova, mes demokracive elektorale
Kosova konsiderohet si një nga vendet me përparim më të madh për zhvillimet e vitit të kaluar. Ajo për herë të parë është futur mes vendeve të konsideruara “demokraci elektorale” falë vlerësimeve për procesin zgjedhor dhe të drejtave politike.
Të drejtat politike kanë marrë notën 4 nga 5 për vitin e kaluar, falë zgjedhjeve relativisht të suksesshme të qershorit dhe marrëveshjes politike për qeverinë e koalicionit. Për liritë civile, vlerësimi ka qenë i pandryshyar në 4.
Freedom House thotë se 2014-a shënoi një kulminim të prirjeve pozitive dhe se përveç zgjedhjeve organizata vërejti edhe përmirësimin në pluralizmin politik, marrëdhëniet partiake dhe përgjegjshmërisë së qeverisë. Freedom House thotë se vlerëson faktin që PDK-ja bashkëpunoi, që udhëheqësi i opozitës u bë kryeministër dhe që qeveria po e shton transparencën ndaj publikut.
Zoti Puddington thotë se shumë vende si Kosova kanë pasur arritje që janë ende të reja në drejtim të demokracisë.
“Nëse një vend arrin përmirësim, ne e njohim atë përmirësim. Nëse vitin që vjen, gjërat lëvizin në drejtim të gabuar, nëse ka një rënie të shkallës së lirisë, ne do ta nënvizojmë atë”, thotë zoti Puddington.
Duke folur për ngjarjet e ditëve të fundit që u shoqëruan me dhunë, ai thotë se synimi i Freedom House nuk është të gjykohet nëse ndryshimet që janë realizuar do të vazhdojnë nga një vit në tjetrin.
“Pra ne e kuptojmë që ka një element brishtësie në demokracinë e Kosovës sot. Korrupsioni ka qenë gjithmonë problem madhor. Përsa i takon këtij akti të dhunshëm ditët e fundit, një pjesë e madhe e saj ka të bëjë me tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës”.
Zoti Puddington thotë se tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve janë diçka me të cilën zyrtarët e vendit duhet të përballen. Në fakt megjithë përmirësimin e kohëve të fundit, në raport thuhet se kushtet e serbëve retorika islamofobike ishin shqetësime për vitin 2014. Mes incidenteve shqetësuese përmenden arrestimi i imamëve të Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës dhe dëmet e varrezave ortodokse serbe.
Rënie e lirisë në shkallë globale
Në shkallë globale, Freedom House vlerëson se në vitin 2014 liria ka rënë për të 9-in vit me radhë, për shkak të taktikave agresive nga regjimet aurtoritare dhe shtimit të sulmeve terroriste. Raporti i Freedom House shqyrton gjendjen e të drejtave politike dhe lirive civile. Zoti Puddington, thotë se pranimi i demokracisë si forma mbizotëruese e qeverisjes dhe e një sistemi ndërkombëtar ngritur mbi idealet demokratike, është nën kërcënimin më të madh që prej 25 vjetësh.
Raporti citon ndërhyrjen ruse në Ukrainë, dhe zhvillimet në Egjipt, Turqi dhe Kinë si shembuj.
Por Freedom House tërheq vëmendjen se demokracitë shpesh presin deri kur prirjet autoritare të kthehen në katastrofë ndërkombëtare para se të ndërhyjnë dhe kjo sipas kësaj organizate është për të ardhur keq sepse edhe regjimet më shtypëse kanë treguar se përgjigjen para presionit të popullit të tye dhe atij nga jashtë.(Zeri I Amerikes)
Si duhet të sillemi me ariun Putin?
Nga/ John Peet – The Economist-
shefi i rubrikës Europë/
Pikërisht shkrimet më të mira të kësaj përmbledhjeje ju do t’i gjeni, duke filluar që tani tek “Lapsi.al”: “Si do të sillet Obama gjatë këtij viti (shkrimi i parë i botuar pak dite me pare shiko poshte)? Si po bëhet Gjermania një superfuqi (shkrimi i dytë)? Kush mund ta ndalojë Kinën ? Mësimet që duhen nxjerrë nga epidemia e Ebolas, shpikjet e reja të smartfonëve dhe Luvri që zbarkon në Abu Dabi këto janë disa nga temat e « The Economist » që do ti sjellë në shqip, Lapsi.al. Ne do të postojmë nga një artikull të ri, për të rrijuar një ide më të qartë se si do të jetë bota në ditët që do të vijne. Shkrimi i tretë i The Economist i takon Rusisë së Putinit dhe dilemës se si duhet të sillet Europa me të. Kërcënimi i Vladimir Putin do të ketë pasur si efekt shtyrjen e europianëve drejt bashkimit për të ashpërsuar tonin kundër Moskës..
Që prej krizës financiare, drejtuesit europianë kanë parë më shumë brenda sesa jashtë. Ata ishin shumë të zënë për të ndaluar rënien ekonomike dhe për të ruajtur monedhën e përbashkët. Por sot problemet e jashtme janë në krye të prioriteteve të BE -së. Arsyeja: Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe aneksimi i Ukrainës. Ka tre elementë të rëndësishëm në 2015.
Së pari, emergjenca e një kërcënimi tjetër rus do t’i nxisë vendet europiane të rrisin shpenzimet për çështjen e mbrojtjes, pas disa vitesh me probleme në ekonomi.
Së dyti, ata do të impenjohen për të diversifikuar burimet e energjisë së Bashkimit Europian, për të kufizuar varësinë nga gazi rus, dhe më përgjithësisht, për t’u bërë më pak të varur ekonomikisht nga Rusia.
Së treti, sanksionet kundër Rusisë duhen vazhduar, ndoshta edhe duhen shtuar, edhe nëse ata nuk kanë efekte të dëmshme vetëm për Rusinë, por edhe mbi ekonominë europiane ende të brishtë.
Për sa thamë më sipër ka shumë gjëra që të surprizojnë. Putin prej kohësh ka përçarë mjaftueshëm për të mbretëruar në Europë. Për të lehtësuar armiqësinë me Poloninë dhe vendet baltike në veçanti, ai po luan kartën e miqësisë me Gjermaninë dhe Italinë. Hungaria, Qipro dhe Bullgaria janë tradicionalisht pro -ruse. Shumë ndërmarrje europiane kanë bërë tregti dhe kanë investuar në Rusi. Dhe Franca ka ndërtuar për Moskën shumë anije të transportit ushtarak.
Ndryshimi i klimës
Kjo kohë ka kaluar. Agresioni në Ukrainë nuk i solli Putinit vetëm sanksione: ai i bëri të humbasë shumë miq në Europë. Franca e shtyu për më vonë dorëzimin e anijeve të transportit ushtarak. Por shembulli më i mirë i ndryshimit të kësaj klime është Gjermania, partneri më i madh i Rusisë dhe burimi i investimeve. Elitat gjermane kanë treguar prej kohësh “mirëkuptim” ndaj Rusisë, duke mbyllur sytë përballë karakterit autokratik dhe kleptokratik që dominon në regjimin e Putinit, me qëllim që të vazhdojë marrëdhëniet me Rusinë. Ngjarjet e vitit 2014 i dhanë fund këtij kompromisi. Kancelarja Angela Merkel është tashmë një nga zërat perëndimorë më kritikë ndaj Putinit.
Dikur partner tregtar i bezdisshëm, Vladimir Putin është kthyer dalëngadalë, por sigurisht, fqinji më armiqësor i ditëve të sotme. Por qëkur ai u kthye në Kremlin për të zëvendësuar Dimitri Medvedevin, si president i Rusisë, në mars të vitit 2012, qëndrimi i tij anti-perëndimor është përforcuar.
Prej disa kohësh duket qartë se Putin e sheh NATO -n si kërcënim. Por ai nuk kishte lënë të kuptohet se do të ishte po kaq armiqësor ndaj zgjerimit të Bashkimit Europian drejt lindjes. Për këtë, si katalizator shërbeu Ukraina. Putin, i cili e cilësoi shkrirjen e Bashkimit Sovjetik si “katastrofë gjeopolitike”, gjithmonë ka qenë pak i prirur për të pranuar që Ukraina, djepi i mesjetar i Rusisë së Kievit të ishte një vend me të vërtetë i pavarur. Revolucioni portokalli ishte një nga kthesat më të rëndësishme të mandatit të tij të parë presidencial dhe ai u shfaq i kënaqur kur prorusi Viktor Janukoviç u bë president i Ukrainës, në 2010. Në këtë kontekst Bashkimi Europian nënshkroi marrëveshjen për tregtinë e lirë me Janukoviçin.
Unioni Euroaziatik
Putin ishte shumë armiqësor ndaj kësaj marrëveshjeje, sepse ajo mund të shërbente si një hap i parë drejt anëtarësimit të Ukrainës në BE. Veç të tjerash ai ka shumë nevojë që Ukraina, e cila numëron 45 milionë banorë, të hyjë në Unionin Euroaziatik. Prandaj, në fund të vitit 2013 ai ushtroi presione mjaft të forta mbi Janukoviçin që ta prishë marrëveshjen me BE -në. Kjo nxiti një kryengritje të re të ukrainasve, shumë të zemëruar pasi po shikonin që aspiratat europiane të vendit të tyre po shkonin në zero. Dhe kjo solli largimin e Janukoviçit dhe zëvendësimin e tij me Petro Poroshenkon. Putin përfitoi nga kaosi për të pushtuar dhe aneksuar Krimenë. Pastaj rusët nxitën një revoltë kundër Kievit, në zonën ukrainase të Donbasit, duke dërguar në mënyrë të fshehtë trupat e tyre ushtarake në anën tjetër të kufirit. Putin lëshoi një doktrinë të re, sipas të cilës ai i jepte vetes të drejtën për të mbrojtur të gjithë rusë-folësit kudo që ndodhen. Për vendet si Letonia dhe Estonia që kanë minoritete të rëndësishme rusë -folësish dhe që nuk e kanë harruar pushtimin sovjetik, kjo doktrinë paraqet një kërcënim shqetësues. Edhe pse luftimet në Ukrainën lindore janë qetësuar, ato e vunë Putinin dhe BE -në një përballje që do të zgjasë edhe në 2015 -ën. Putin nuk do të heqë dorë nga Krimeja dhe nuk do t’i braktisë rebelët prorusë të Donbasit, zona që do të fitojë një autonomi më të madhe. Bashkimi Europian dhe Ukraina kanë nënshkruar një marrëveshje të re tregtare, por për të shmangur provokimin e Rusisë ato e kanë shtyrë aplikimin e saj përtej 2015 -ës. Europianët, duke mos qenë të gatshëm që të luftojnë për Ukrainën, kanë si opsion të vetëm sanksionet kundër personaliteteve dhe sipërmarrjeve ruse që janë afër Putinit (ndonëse sanksionet perëndimore dëmtojnë ekonominë ruse, e cila ishte në stanjacion në 2014 -ën dhe që pritet të ngrihet me vështirësi në 2015 -ën. Rusët u përgjigjën me bllokimin e produkteve europiane dhe kërcënojnë se do të ndërpresin gazin. Dyshimi i reciprok tani ka zënë vend.
Prej shumë vitesh, shumë njerëz, më shumë brenda se jashtë BE -së, janë ankuar për paaftësinë e BE -së për të udhëhequr një politikë të jashtme të unifikuar, duke përmendur qëndrimet e ndryshme (të vendeve të BE) kundrejt Rusisë, si shembullin më të dukshëm. Në mënyrë paradoksale, në 2015 -ën Bashkimi Europian do të jetë më shumë se kurrë pranë arritjes së këtij qëllimi. Dhe e gjithë kjo falë një njeriu të vetëm: Putinit, dora vetë.( The Economist)