• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lamtumirë Gentian Demaliaj, lideri i “Djemve të Detit”

January 27, 2015 by dgreca

TIRANË, 27 Janar/-Është ndarë nga jeta në moshën 40-vjeçare këngëtari i njohurGent Demaliaj. Vokalisti i grupit të famshëm të viteve 90-të, “Djemtë e Detit“, prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë.
Në vitin 2013, me një vendim të Këshillit të Ministrave, Qeveria shqiptare i dha atij një shumë prej 35 milionë lekësh për t’u kuruar jashtë vendit. Në vitin 2013, ai u diagnostikua me kancer dhe që atëherë, ai bënte vazhdimisht kimioterapi në Tiranë dhe Itali.
Demaliaj është i martuar dhe ka një vajzë, Edean, këngëtare, e cila ka fituar në Festivalin e Shkodrës çmimin “Zërat më të mirë”, ndërsa në Festivalin e Tiranës u vlerësua me çmimin “Interpretuesja më e mirë”.
Gentian Demaliaj mbahet mend për interpretimin brilant të këngëve “Mos Qaj”, “Jo tani”, “Jakup Ferri”, që tashmë janë pjesë e artë e fonotekës shqiptare.
Homazhet në nder të tij do të bëhen nesër ,e Merkure, në orën 12:30 në ambientet e RTSH, ndërsa ceremonia mortore do të zhvillohet në orën 14:00.

Filed Under: Kronike Tagged With: Lamtumirë Gentian Demaliaj, lideri i “Djemve të Detit”

FBI zbulon rrjetin e spiunëve rusë ne Nju Jork!

January 27, 2015 by dgreca

Duket si lajm nga vitet e Luftës së Ftohtë, por ka ndodhur vetëm një ditë më parë! FBI ka akuzuar tre vetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si spiunë të Rusisë. Prokurori i çështjes tha në gjykatë se Evgeni Burjakov, 39 vjeç, ka qenë pjesë e një grupi spiunësh që përveç dërgimit të informacioneve në Rusi, përpiqej edhe të rekrutonte shtetas amerikanë si spiunë. Dy bashkëpunëtorët e Burjakovit, Igor Sporjshev dhe Viktor Podobni, janë gjithashtu të akuzuar, por nuk gjenden më në SHBA.
Burjakov, i cili ka punuar në një bankë ruse në Manhatan, akuzohet se është përpjekur të marrë informacione mbi sanksionet që mund të vendoste Amerika ndaj Rusisë pas kresjes së marrëdhënieve për çështjen e Ukrainës. Gjithashtu ai është përpjekur të rekrutojë si spiunë disa amerikanë që punonin në kompani të mëdha amerikane si dhe student në një universitet të rëndësishëm të Nju Jorkut.
Ndërsa dy të tjerët, kanë qenë zyrtarë të qeverisë ruse në SHBA dhe kanë bashkëpunuar me Burjakov që prej vitit 2012. Edhe në 2010-n qeveria amerikane 10 vetë me akuzën se spiunonin për llogari të Rusisë në Shtetet e Bashkuara.

Filed Under: Kronike Tagged With: FBI zbulon, rrjetin e spiunëve, rusë!

Bashkim Shehu: Dosja ime duhet të jetë zhdukur…

January 27, 2015 by dgreca

… nuk bëj pjesë të persekutorët por tek të persekutuarit…/
Shkrimtari Bashkim Shehu me librin e tij më të fundit “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve” edhe këtë herë është në qendër të vëmendjes. I ndodhur këto ditë në Tiranë, edhe dje gjatë promovimit të librit të tij më të fundit, shkrimtari Bashkim Shehu theksoi në fjalën e tij se lexuesi ta shikojë librin duke e parë si një vepër letrare dhe jo duke e parë si një reality-shoë. Në lidhje me dosjet, shkrimtari Bashkim Shehu mes të tjerave pohon se romanin e ka shkruar në mënyrë të tillë që të mos kishte nevojë që të njihte dosjet, sipas tij dosjet janë pretekst për të bërë roman. I pyetur mbi qëndrimin e tij mbi debatet e fundit për hapjen e dosjeve, shkrimtari pohon se është absurde që të vazhdohet që të mos hapen, edhe pse pranon se kjo nuk mund të sjellë ndonjë gjë të madhe. Në këtë libër botim nga “Toena”, të shkruar në formë fjalori, lexuesit i paraqitet një galeri personazhesh e situatash: një ish-punonjës i çmendur i Arkivit sekret, një gazetar investigativ, një sozi i Enver Hoxhës dhe Pasardhësi i Enver Hoxhës, një projekti për ndërtimin e Bllokut të nëndheshëm, një biznesmen i çuditshëm nga Moska që vjen në Shqipëri për të kërkuar një baba të panjohur, një linjë ndërkombëtare korrupsioni, dy krime seksuale identike dhe të njëkohshme që shoqërojnë zhurmën për këtë linjë korrupsioni, një teori konspirative për një zyrë të fshehtë, reale ose imagjinare, për të cilën thuhet se lëviz çdo fije të ngjarjeve në Shqipëri. Të gjitha këto, ndërthurur me motive mitologjike nga më të ndryshmet, lidhen me njëra-tjetrën si shtigjet e një labirinti, në qendrën e të cilit është misteri i dosjeve, shprehje të marrëzisë së kontrollit totalitar.
Libri juaj më i fundit “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve” ka marrë shumë vëmendje. Çfarë mund të na thoni për këtë? Njerëzit mund ta marrin sikur është ngjarje reale, edhe mund të zbulojnë disa gjëra sensacionale, si ato që japin në tërësi, apo që janë të prirur të japin disa gazeta. Dëshira ime është që lexuesi ta shikojë, duke e parë si një vepër letrare, edhe jo duke e parë si një reality-show, si pornografi politike.
Po dosjet?
Romanin e kam shkruar në mënyrë të tillë që të mos kisha nevojë që ti njihja dosjet, dosjet janë pretekst për të bërë roman. Unë nuk mund të shkruaja romanin sikur i njihja dosjet, pra të shkruaja diçka që unë nuk e njoh. Ndaj unë e kam bërë në mënyrë të tillë romanin që të mos kisha nevojë ti njihja dosjet, por nuk thashë që njerëzit nuk kanë nevojë ti njohin dosjet.
Përse “Shtëpinë e Gjethit”, e keni quajtur “Bukuroshja e fjetur”, pasi ju jeni dhe kurator i projektit të muzeut?
Ajo përrallë me “Bukuroshen e fjetur” është vënë për efekt kontrasti me atë tmerr, që ishte brenda.
Çfarë nënkupton “Bukuroshja e fjetur”?
“Bukuroshja e Fjetur”, atë ndjesi që i jep çdo lexuesi… Atje ishte vendi ku bëheshin vrasjet, atje ishte vendi ku përgatitej përgjimi. Bëhej përgjim dhe përgatitej përgjim. Është simbolizuar shtëpia “Bukuroshja e fjetur”, sepse ka qenë e fjetur, por ajo që ka qenë e fjetur në këtë kohë që nuk dihet është ai tmerr, ato gjëra që bëheshin atje, që ishte përgjimi i njerëzve. A keni dijeni nëse ju keni një dosje? Jo nuk kam dijeni, duhet të kem pasur dikur, por nuk e di a ekziston. Dhe kjo nuk ka shumë rëndësi për mua.
Babai juaj Mehmet Shehu, a ka pasur ndonjë arkiv që ju mund ta keni shfrytëzuar, ose keni një ide nëse është bazuar romani juaj si procedurë për hapjen e dosjeve?
Nëse ka pasur arkiv, arkivin ia kanë marrë. Pra dokumentet që ai ka pasur ia kanë marrë njerëzit e regjimit, njerëzit e Komitetit Qendror, nëse ka pasur arkiv. Unë ju them se nuk e di, sepse ato nuk janë gjëra shtëpie, që do ti bisedonte me mua. Dhe ana tjetër, unë këtë gjë nuk e kam përgatitur duke kërkuar në arkiva. Ajo që unë shpjegova më parë për librin, është që ky është fiction nuk është gjë dokumentare.
A ka ndonjë bazë reale se si procedohet apo sugjeroni për hapjen e dosjeve?
Libri është fiction, është roman.
Jeni një shkrimtar, intelektual, mund të keni një qëndrim politik se si mund të kryhet një proces për hapjen e dosjeve? Qëndrim politik? Qëndrimi im është që dosjet të hapen, pastaj procedura, apo gjëra të tjera i diskutojnë njerëzit që janë kompetentë për ligjin dhe specialistë në këtë fushë. Nga diskutimet që po ndodhin në rrjetet sociale apo në mjedise të ndryshme, ju implikon emri juaj me të qenit i biri i ish diktatorit numër dy të regjimit komunist në përfshirjen në këtë debat për hapjen e dosjeve? Unë për çështjen e tim eti kam folur, madje kam folur shumë herë dhe nuk dua të flas më. Nuk dua të përsëris gjëra që kam thënë. Dhe pse duhet të më implikojë kjo mua?
Për shkak se njerëzit janë akoma shumë të ndjeshëm me idenë se persekutorët janë akoma në gjykata, etj? Pse jam unë i implikuar në këtë gjë? Pse persekutorët janë atje, çfarë pune kam unë? Unë i kam vënë persekutorët atje? Unë kam qenë i persekutuar.
Çfarë ju shtyn që ju të jeni aktiv në këtë periudhë, edhe si kurator i muzeut të propozuar për t’u hapur “Shtëpia e Gjetheve”, si dhe ky libër të vijë në këtë moment?
Kjo është vetëm një koinçidencë. Unë librin e kam filluar ta shkruaj që në vitin 2013, ndërsa çështja e muzeut është goxha më vonë, ndaj është vetëm koinçidencë.
Ju vetë nëse ju ftojnë për tu përfshirë në një debat politik për hapjen e dosjeve, sa do të jeni i përfshirë? Nuk e di sepse nuk më ka ftuar njeri, por mendimin tim pak a shumë e kam thënë.
Cili është mendimi juaj për këtë?
Mendimi im është që nuk ka arsye që të mos hapen, që është absurde që të vazhdohet. Por nuk pres që të ketë ndonjë gjë të madhe nga kjo, siç thuhet, jo katarsis, jo shkëputje nga e kaluara, etj, por mirë është që të hapen. Do të vazhdojë spektaklin politika me dosjen në kurriz të viktimave? Nuk e di, shpresoj që jo.
Ju thatë gjatë këtij promovimi që kur botuesja Irena ju uroi që të mos shkruani më romane të tilla për atë periudhë, s’e mbajtët premtimin? Kështu është krijimtaria, nuk mund të parashikohet.
Kjo vepër ka bërë shumë jehonë, ka marrë shumë vëmendje, por ka një pikë si zanafillë që mund të na tregoni se pse nisi romani?
Autori asnjëherë nuk e di. Të vjen menjëherë. Më erdhi një ide dhe më pëlqeu, m’u duk e bukur nga ana letrare, dhe e shkruajta.
Ju pohoni në libër se ndoshta dikush mendon se do të ketë apokalips, por në fund të fundit nuk ndodh asgjë.
Ju vetë a keni kuriozitetin që të shikoni dosjen tuaj?
Jo nuk kam kuriozitet, edhe mund ta shikoj, por nuk kam ndonjë kuriozitet të madh, sepse unë e di shumë mirë se çfarë më ka ndodhur.
U shprehët gjatë promovimit të librit, se ky roman nuk është pornografi politike. Çfarë mund të na thoni për këtë?
Është ajo që përmenda, që është sensacionet e ditës për gjëra të vogla, që shndërrohen në reality show.
Personazhet që hasim në libër, a mund ti keni hasur dhe në jetë. Ka një bazë të vërtete përshembull tek personazhi Naun Gjika, etj? Janë personazhe në libër. Unë nuk jam nisur në një person konkret në asnjë rast. Janë personazhe.
Ashtu siç e thatë në botimin e këtij libri, ju nuk e patët menduar se do të vini me një botim të këtij lloji, por erdhi papritur për ju dhe lexuesit. Por ju përmendët se është një nga librat tuaj që ju jeni ndjerë mjaft mirë ndërsa e keni shkruar?
Po është e vërtetë. Uroj që dhe lexuesi të ndjejë kënaqësi duke lexuar një vepër artistike.
Në romanin tuaj, a ka një reale? Është e përgjithshmja, që është sistemi totalitar dhe kontroll totalitar. Pastaj romani ka botën e vet dhe gjërat lëvizin brenda kësaj bote.
Tek ju si individ, çfarë ka mbetur nga ai kontroll totalitar, pasi dhe ju keni qenë i përfshirë në atë kontroll?
Kam qenë domosdo, sepse kam qenë tetë vjet në burg. Kanë mbetur vetëm kujtimet.
Mendoni se botimet tuaja do të vazhdojnë në këtë lloj natyre edhe për kohë të tjera, do të kenë të tillë tematikë? Me sa kam në plan këtë moment, jo. Më vonë mundet, por nuk e di. Intervistoi: Julia Vrapi
Tuesday, January 27, 2015

Filed Under: Interviste Tagged With: Bashkim Shehu, dosjet, persekutoret

ZGJEDHJET NË GREQI: ÇIPRAS KRYEMINISTËTR…DHE PASTAJ?

January 27, 2015 by dgreca

NGA KRISTO ZHARKALLIU /ATHINË/
Për zgjedhjet e parakohëshme në Greqi,gjatë këtyre pak ditëve paraelektorale, u bë shumë zhurmë. Të gjitha agjensitë e lajmeve në botë, shtypi dhe mjetet elektronike,jipnin përditë lajme nga Athina, komentuesit dhe opinionistët botonin mendimet dhe parashikimet e tyre (në të shumtat e herës të zymta) se çfarë do të ndodhte në Athinë pas zgjedhjeve, madje shumica e tyre shpresonte dhe uronte që të mos fitonte “e majta Syriza” e Aleksi Çiprasit! Në vend ishte krijuar një atmosferë e rëndë frike dhe tmerri, si nga premtimet tejet të tepërta të Çipras, por, kryesisht nga propaganda e shfrenuar e qeverisë konservatore të Andonis Samaras. Kjo qeveri që para tre viteve mori pushtetin duke rrëzuar qeverinë e ligjëshme të Papandreut të asaj kohe kishte premtuar se do të nxirte vendin nga kriza në mënyre magjike, veçse koha kalonte dhe vendi zhytej për here e më thellë në krizën ekonomike. Megjithatë, si ish kryeministri (Samaras) ashtu dhe zëvendes kryeministri (kryetari I PASOK-ut të mbetur Venizellosi) deklaronin për ditë se kriza po kalohej se së shpejti borxhet do të jenë nën kontroll, mirreshin vazhdimisht masa të rrepta shtrrënguese ndaj nëpunësve dhe pensionistëve, papunësia nuk thoshte kurrsesi të ulej, kurse tregëtia e cila ishte shtylla kurrizore e ekonomisë greke, po falimentonte në mënyrë marramëndëse, sektori i ndërtimit ka pushuar të ekzistojë duke lënë papunë me dhjetra e qindra mijra punëtorë,shumë ndërtes kanë mbetur pa mbaruar se nuk ka blerës kurse me mijra apartamente kanë mbetur bosh gjë që ka ndikuar edhe largimi e shumë familjeve të emigrantëve, jo vetëm shqiptarë. Qeveria e Samarasit- Venizellosit kishin gjetur mjetin e vetëm për të shtuar të ardhurat e shtetit: taksat e rënda dhe të papërballueshme nga populli, kurse për shlyerjen e kësteve të borxhit, merrnin borxhe të reja. Kësisoj, ndërsa në vitin 2010 borxhi arrinte shifrën 125% të të ardhurave kombëtare, në vitin 2014 arriti shifrën marramëndëse 175%! Me fjalë të tjera, megjithë masat e marra Greqia nuk mundi të zvogëlojë borxhin, si kishte premtuar qeveria në largim, por të kundërtën e rriti në mënyrë të rrezikëshme. Në këto kushte pra nuk kishte mundësi të lehtësonte taksat që të përmirësonte jetesën e popullit, nuk mundte të mos keqësohershin shërbimet shëndetësore, arsimore e të tjera. Sigurisht për këtë nuk mundim të akuzojmë qeverinë Samaras- Venizellos se borxhin nuk e krijuan ata, por e gjetën nga qeveritë e mëparëshme, prandaj nuk duhej t’i premtonte popullit se do ta nxirrnin nga kriza dhe se gjoja akoma dhe pak kohë u duhej që kriza ekonomike të kalohej… Pas shumë premtimesh, populli nuk u zinte më besë fjalëve dhe premtimeve të kota të tyre, prandaj filluan të braktisin radhët e Dermokracisë së re, kurse përkrahësit e Pasokut e braktisën partinë e tyre masivisht…
Në këto rrethana pra doli në “mbrojtje” të popullit SYRYZA që drejtohet nga politikani dyzevjeçar Aleksi Çipras. Para katër viteve partia e tij “e majtë” me zor kalonte 3% që të hynte në Parlament, kur papritur, pas shthurrjes të PASOK-ut, nisi të ngjitet e të smadhohet deri sa në zgjedhjet për Patrlamentin Europjan u bë partia e pare në vend, duke ja kaluar dhe Demokracisë së re. Në këto kushte pra “demokratët” dhe “pasokxhinjtë” e mbetur, duke pare rrezikun që po u kanosej në pushtet nisën luftën e egër politike kundër kësaj force të re politike. Akuzat dhe sharjet e tyre kalonte çdo kufi. E qunin parti anarkistësh, komunistësh, madje nuk ngurronin ta lidhnin akoma dhe me terroristët. Sigurisht Çipras nuk trëmbej, mbrohej nga këto akuza të imagjinuara, duke folur përherë për vuajtjet e popullit, duke mbrojtur të papunët dhe shtresat e varfëra gjë që e bënte më shpresëdhënëse për ata që vuanin nga papunësia dhe nga taksat rënda. Nuk do mend se kur nuk je në pushtet nuk të kushton gjë të mbrosh të dobëtit dhe t’u premtosh se ti do t’u përmirësosh jetesën. Këtë e dinte mire madje e bëri shumë mire Çipras dhe shokët e tij dhe brënda dy viteve, pothuajse të gjithë votuesit e Pasokut, dëndësuan radhët e Syrizas. Kjo parti pra dukej se kishte fituar përkrahjen e pjesës më të madhe të popullit, prandaj, kur qeveria u përpoq të zgjidhte Ptresidentin e ri të Republikës (Papuljas u plak por mbushi dhe të dy mandtet që i lejohen) Syriza me përkrahjen e partisë së djathtë ANEL, nuk i dhanë Samarait shumicën e duhur (180) të votive që të zgjidhej presidenti i ri gjë që detyroi qeverinë Samara-Venizellos të shpallinin zgjedhjet e reja më 25 janar.
Fushata e lektorale ishte shumë e egër. Qeveria konservatore (bashkë me ish socialistët) akuzuan në mënyrë të paturpëshme partinë e opozitës me gjëra të tmerrëshme. Thoshin s epo të fitojë Syriza vendi do të dëbohet nga Bashkimi Europjan,. do të braktisë euron dhe do të kthehet përsëri npë drahmes, madje parashikonin dhe paralajmëronin votuesit se vendi do të shpallte menjiherë falimentimin duke mos paguar më as rrogat e punonjësve as dhe pensionet, vendi nuk do të ketë drita dhe ujë dhe taksat do të jenë kaq të egra sa njerëzit do të braktisin dhe shtëpitë e tyre. Me fjalë të tjera me ardhjen e Syriza katastrofa ekonomike shoqërore ishte a pashmangëshme, na thoshin. Frika po na hynte në palcë, por nga ana tjetër kishim dhe pëtrgjigja e Syrizas me premtime të tepërta që me zor bëheshin të besueshme. Por dihet se premtimet paraelektorale janë të zakonëshme dhe shumë pak nga ato mund të plotësohen. Megjithatë populli nuk kishte asgjë të priste nga Samaras- Venizellosi. Varfëria dhe papunësia nuk ka pse të trembet nga falimentimi i vendit, kur varfëria dhe papunësia po mbyt masa të gjëra popullore. Ç’gjë më të keqe mund të porisnin ata nga Syriza që teklefundit u premtonte…një parajsë të re mbitokësore? Këtë faktor nuk mori parasysh qeveria në ikje me tmerrin dhe frikën që donte t’i kallte popullit. Aparati propagandistik i qeverisë që kontrollonte të gjitha kanalet televizive dhe shtypin, dështoi në mënyrë të turpëshme. Populli ja dha votën Çipras i cili po përgatitet të betohet Kryeministër i ri i vendit!
Dhe tani? Sigurisht asnjë katastrofë nuk ngjau as do të ngjasë në vend. Europjanët që vetëm para disa njëzetekatërorësh kërcënonin dhe paralajmëronin dëbimin e Greqisë nga BE në se do të zgjidhej Çjpras, ndërruan avaz menjëherë dhe nisën t’i buzëqeshin kryeministrit të ri madje paturpësisht kanë filluar ta lavdërojnë! Duket qartë se Europa konservatore, ka filluar të kuptojë se nuk mund të vazhdohet politika e egër antipopullore që po zhveshin popujt nga të gjitha privilegjet dhe të drejtat që kishin fituar me luftë ose nga frika komuniste, vite më pare. U përpoqën të rikrijojnë një kapitalizëm të egër, duke dashur të harrojnë të kaluarën, përderisa armiku i tyre kryesor, komunizmi, u vetrvarros nga mëkatat e tij të tmerrëshme. Por popujt nuk do të qëndrojnë duarkryq dhe nuk do të lejojë të humbasin ato të drejta që kanë fituar me gjak. Sigurisht kapitalizmi mburret, me të drejtë, me demokracinë dhe lirine e popujve, por këto nuk duhet të cënohen… Dhe këtë, edhe njëherë, po e tregon populli grek me votën e tij të lire…
Sigurisht zgjedhjet e lira nuk do të thotë se do të plotësohen të gjitha premtimet e Çipras,madje as populli i beson këto. Patjetër ama njëfarë pëmirësimi do të ketë. Rëndësi ka se populli grek po bëhet shëmbull për shumë popuj europjanë të Jugut dhe se kapitalistët e egër të vendeve të pasura si janë GJermania e disa të tjera, do të zbrapsen pak që edhe populli grek të marrë pak frymë lirisht..Unë nuk besoj se do të vertetohen Kasandrat e së keqes. Gënjehen ata që besojnë se Europa do të braktisë Greqinë, ose do të lejojë që vendi të falimentojë ose të dëbohet nga Bashkimi I Europës dhe nga euro. Sa here është gjendur në rrezik vendi i Helenëve (dhe ka ndodhur shumë here gjatë historisë afro dyqindvjeçaresë vendit (të Greqisë së re)) europjanët dhe amerikanët I kanë hedhur dorën dhe e kanë shpëtuar…Nuk mund të lihet Greqia e Demokracisë së pare njerëzore, Greqia e kultures madhështore të lashtësisë, që të mbytet se ka ca si…shumë borxhe. Prandaj, do të pajtohen edhe me Çipras, megjithse edhe ai nuk do të mundë të plotësojë të gjitha premtimet e dhëna por do të “përpiqet të bëjë sa ka mundësi” Vendi i Helenëve do të mbetet në gjirin e Europës i përkëdhelur akoma dhe nga supërfuqia e përtej Atllantikut… Sigurisht që edhe Çipras do të bëhet “djalë i mirë” dhe do të harrojë gradualisht shpalljet “revolucionare” të rinisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kristo Zhakaliu, ZGJEDHJET NË GREQI: ÇIPRAS KRYEMINISTËTR…DHE PASTAJ?

At Shtjefen Gjeçovi – dëshmues i fazës arketipale të psikologjisë etnike të popullit tonë

January 27, 2015 by dgreca

Nga Anton Çefa/
At Gjeçovi lavroi në disa fusha të dijes e të artit, por kur na përmendet në kujtesë emri i tij, si një lapidar shkëqimtar na përfytyrohet Kanuni, vepra monumentale e kulturës sonë popullore. Merita e tij në kodifikimin e Kanunit qëndron në faktin se ai ka rregjistruar jo vetëm ligjet e së drejtës zakonore, por edhe “ligjet” e etikës; duke na vijëzuar një hise të dorës së parë të psikës sonë etnike, strukturën morale të shoqërisë kanunore, e cila në të njëjtën kohë është struktura më e hershme e etikës morale të popullit tonë. Tek ajo pasqyrohet gjithashtu qenia dhe qenësia e një ideali të fisëm etik. Duke na dhënë kodin e hershëm juridik dhe ngjizur me të kodin etik të frymëzuar nga ideali etik, Gjeçovi na paraqiti para botës jo vetëm si një popull i lashtë e fisnik, po edhe i qytetëruar. Në primitivizmin e vet jetësor, populli ynë vuri ligje për të rregulluar jetën e vet shoqërore, dhe një populli që krijon ligje dhe që ushqen një ideal etik është vërtet i qytetëruar.
(Marr leje të bëj një “ndërkllapa”. Atë që bëri Gjeçovi në fushën e së drejtës zakonore, e bënë më vonë në fushën e artit folklorik mbledhësit dhe botuesit e parë të këngëve të kreshnikëve, At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti, të cilët i “kodifikuan” ato, duke i dhënë formën e plotë të një eposi. Ky monument i dytë madhor dhe madhështor i kulturës sonë popullore mbas Kanunit pasqyroi në fushën e artit psikologjinë etnike të popullit tonë, atë psikologji që kishte pasqyruar Gjeçovi tek Kanuni.)
“Ligjësia” psikologjike në veprën e Gjeçovit është fryma, shpirti, virtyti, ndërsa kanunësia e së drejtës është lënda, trupi, ligji. Nga virtyti lind ligji, virtyti është fryma që i jep jetë ligjit. Ligji pasqyron karakterin, virtyti e dëshmon atë. Kështu, nga Gjeçovi ne mësojmë përbërës me vlerë të psikologjisë sonë etnike drejtpërdrejt dhe tërthorazi; drejtpërdrejt nëpërmjet parashtrimit të tij të lëndës dhe tërthorazi nëpërmjet ligjeve kanunore.
Ndryshimi mes ligjit kanunor dhe normës morale qëndron në pasojat e tyre. Pasojë e shkeljes së ligjeve të së drejtës është gjyqi, dënimi; ndërsa shkelja e “ligjeve” të virtytit, mosrespektimi i tyre nuk ka gjyq, ndëshkim, por ka thjesht dënimin moral: turpin. Gjeçovi në KLD e ka sqaruar këtë çështje, duke e cilësuar shkeljen e virtyteve si shnjerëzim ose duke folur për “të falmen”, kur thotë: “Je i lirë me mbajtë burrninë tande, je i lirë me u shburrnue”.
Për ta sqaruar më mirë këtë çështje, po marrim si shembull besën, ku duket i qartë dallimi mes ligjit kanunor dhe normës morale. Gjuhësisht, leksema besë është një fjalë homonimike; ajo emërton dy dukuri krejt të ndryshme nga njëra-tjetra: besën si zakon i së drejtës kanunore dhe besën si normë morale.
Si normë e së drejtës, “besa asht një vade (periudhë kohe) lirije e sigurimi qi shpija e të vramit i ep dorërasit të tij, tuj mos i ndjekë për gjak perkohsisht e mje (deri) në vade të caktueme” . Ndërsa si virtyt ajo është thjesht mbajtja e fjalës së dhënë.
Besa si doke kanunore nuk funksionon vetëm, ajo kërkon të shoqërohet me benë. “Beja asht nji sjellje besimtare, per mjet së cillës nieri, tue dashtë me dalë së keq prej nji zhgarkimi të dhunshem, do të përkasë me dorë nji shej besimi, tuj e grishë emnin e Perendis në dishmi të së vertetës.”. Ndërsa si fjalë e dhënë, ajo është e vetëmjaftueshme; nuk ka nevojë për benë e as për ndonjë kusht tjetër. Me fjalë të tjera, për ngrënien e fjalës së dhënë nuk fajësohet e ndiqet tjetri penalisht. Pasojat janë vetëm shpirtërore: turpi a koria, a në mënyrë metaforike: faqja e zezë.
*
Përballë Çabejt, Konicës, Anton Harapit, që kanë bërë objekt të veçantë studimi psikologjinë etnike të popullit tonë; Barletit, Bardhit, Bogdanit dhe pothuajse të gjithë shkrimtarëve e publicistëve të Rilindjes dhe të Pavarësisë, dhe mjaft të huajve, prej të cilëve po përmend Valentinin, Cordignano-n, studiuesin dhe përkthyesin në anglisht të Kanunit, Leonard Fox, studiuesin japonez Kazuhiko Yamamoto, studiuesin amerikan George Fred Williams, e ndonjë tjetër që kanë dhënë mendime në këtë lëmë studimore, Gjeçovi zë një vend të veçantë, si dëshmues i strukturës etike të popullit tonë në fazën e saj arketipale, në një hapësirë të gjerë kuptimore, dhe duke u bërë kështu refernca e parë dhe më e rëndësishme për këtë fushë shkencore.
Kjo strukturë etike arketipale përfshin virtyte të tilla si burrëria, nderi, besa, ndorja, falja, mikpritja, dhe, për rreth kësaj bërthame, një varg tiparesh humane të tjera si ndjenjat e ngrohta e të pastra familjare, kulti i prindërve dhe, përgjithësisht, i të parëve, bujaria, nderimi i veçantë për të vdekurit, dashuria e pakufishme për vendin, ndjenja e mosnënshtrimit ndaj të huajit, armikut, një dëshirë e etshme për të jetuar të lirë, gatishmëria deri në vetmohim për t’i mbrojtur trojet dhe lirinë prej të huajve, karakteri luftarak, trimëria, heroizmi, nderimi dhe një ndjenjë e veçantë për armën, qëndresa në sprova të vështira përballë armikut, krenaria kombëtare, individualizmi, konservatorizmi, që profilizojnë identitetin shpirtëror të popullit tonë.
Natyrën arketipale të strukturës sonë etike e kanë vëvë në dukje edhe shumë studiues të huaj. Leonard Fox ka shkruar: “Shumica e ligjeve të pasqyruara në Kanunin e Lekë Dukagjinit janë në fakt arketipe legale, që janë ruajtur nga periudha ekstremisht arkaike të qytetërimit njerëzor”. Ai e ka vlerësuar Kanunin si “shprehja dhe pasqyrimi i karakterit shqiptar, karakter që mishëron një moral të pakompromis të bazuar në drejtësi, nder, dhe respekt për veten dhe për të tjerët”. Ndërsa studiuesi japonez Kazuhiko Yamamoto, i pari studiues nga kontinenti aziatik që ka bërë objekt studimi të drejtën zakonore shqiptare dhe i pari që, duke e shqyrtuar në rrafsh krahasues me traditën mitologjike japoneze dhe me strukturën etike të shoqërisë homerike, të pasqyruar tek “Iliada” dhe “Odisea” dhe tek tragjeditë e Eskilit e të Sofokliut, e ka trajtuar atë si sistem vlerash etike të një shoqërie pagane transhendentale dhe, duke polemizuar me hipotezat e mëparshme për problemin e zanafillës së etikës në shoqërinë njerëzore, e ka cilësuar atë si fazën fillestare të organizimit shoqëror të një shoqërie ku mungon shteti.
Lashtësinë e sistemit të vlerave etike të Kanunit tonë, natyrën e tyre arketipale, Yamamoto e ka çuar deri në pragun zanafillor. Mbasi ka kritikuar teoritë e Hobbes-it, Rusoit, Niçes dhe Gerardit për origjinën e rendit shoqëror, dhe, lidhur me të, për stadin më të hershëm të psikologjisë njerëzore, ai ka shtruar hipotezën që struktura etike shqiptare e pasqyruar në Kanunin e Lekë Dukagjinit përbën fazën e parë të etikës njerëzore.
*
Ku qëndron vlera aktuale e trajtimit të strukturës etiko-morale arketipale të shoqërisë së hershme shqiptare nga Gjeçovi? Ndërsa kanunësia e së drejtës ndryshon me ndryshimin e rrethanave shoqërore, kështu që sot nuk mund të bëhet fjalë për zbatimin e së drejtës kanunore, gjë që perëndoi që në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, psika e pasqyruar tek kanuni dhe sidomos ajo hise e saj që ne e quajmë strukturë etike është më e qëndrueshme, më konservative. Sado e dobësuar nga rrethanat historike të pavolitshme, ajo është ruajtur në vetëdijen dhe nënvetëdijen tonë.
Historikisht ka qenë kjo traditë që e ka mbrojtur shqiptarin nga tëhuajsimi, ky synim i përgjithmonshëm dhe kjo përpjekje e vazhdueshme e pushtuesve të huaj, dhe do të jetë sot e kësaj dite fondi shpirtëror me të cilin do t’i rezistojmë rreziqeve që paraqesin tendencat globaliste të kohës së sotme.
Në mënyrë të veçantë, në periudhën e regjimit komunist, me imponimin e ideologjisë komuniste, kjo trashëgimi e vyer u sulmua nga diktatura me të gjitha format e mundshme, jo vetëm me plane e programe të planifikueme, pleniume e kongrese të bujshme, por edhe me dhunë. Siç ka shkruar Sami Repishti: “Pushkatohej ai që shtëpinë e konsideronte të Zotit dhe të mikut, burgosej e vritej ai që ruante nderin më shumë se jetën,torturohej mizorisht ai që burrnisht nuk pranonte me shpifë për shokun ose të panjohurin, internohej shqiptari që mbajti besën e dhënë ose bashkëshorti, sidomos gruaja, që nuk tradhëtonte burrin.”
Është në natyrën e shqiptarit që ta ndjejë veten më të lirë, më të plotësuar, më të realizuar, në gjirin e këtij tradicionalizmi instinktiv e njëheri gjallërues që priret gjithnjë nga e reja, drejt një perspektive premtuese të së ardhmes.
Sot e kësaj dite, është kjo traditë sa e fisme aq origjinale që na jep mundësinë të paraqitemi denjësisht para popujve të tjerë. “Pohimi ‘Jam shqiptar!’, ka shkruar Koliqi, mbetet pa veshtrim kur nuk mbështetet themelisht në pasuni të dokeve jetike. Po nuk lidhem krenín e emnit shqiptar me besë, nderë, burrní, mikpritje, d.m.th. me trashigim stërgjyshuer, sa për vetina tjera, cilado qofshin, na radhitemi në bisht të kombeve t’Europës. Në qe se në historín e qytetnimit europjan kemi shkrue ndonji kapitull, ndoshta të shkurtë e të zbetë, por që dishka vlen, kjo i detyrohet atyne vetive gojdhanore.”
Problemi i njohjes, i ripërtritjes dhe i kultivimit të vlerave pozitive të traditës dhe i shmangies së tipareve negative është faktor i nevojshëm dhe i domosdoshëm në zhvillimet e jetës shpirtërore dhe po aq një mjet i rëndësishëm në strukturimin e jetës politike, ekonomike, shoqërore, arsimore, kulturore, artistike, etj., të një populli. Njohja e substancës etike përbën një vlerë imperative. Njohja e kodit etik popullor dhe, në rastin tone, ripërtritja e tij është parakusht për ndërtimin e një filozofie të jetës kombëtare, të një edukate kombëtare të breznive të reja dhe, po ashtu, një parakusht për t’i vënë themele të sigurta ligjshmërisë shtetërore.
Në rrethanat tona të sotme, është e nevojshme dhe e domosdoshme të synojmë dhe të përpiqemi për një ripërtritje shpirtërore të popullit, në funksion të vetëdijësimit të tij lidhur me detyrat për ndërtimin e një jete qytetare të qëllimshme të frymëzuar nga idealet e larta atdhetare e shoqërore, dhe sidomos të një demokracie të shëndoshë, të cilën klasa politike nuk ka arritur dhe nuk ka dashur ta vërë në jetë. Pa këtë ripërtritje, pa këtë vetëdijësim, nuk mund të bëhet fjalë për një integrim në qytetërimin perëndimor, për t’i bërë tonat ato vlera të shëndosha që e karakterizojnë atë dhe që konsistojnë në ndërgjegjësimin e çdo qytetari për përgjegjësinë ndaj vetes, shoqërisë dhe atdheut, për çdo gjë që ndodh me të dhe rreth vetes së tij.
Është detyrë e ditës që në gjithë veprimtarinë tonë shoqërore e kombëtare të shkëlqejë gjithnjë ideali etik i etnosit tonë i mbrujtur ndër shekuj. Sepse ideali etik është atributi shpirtëror qenësor, njësia që e ushqen dhe i jep formën e njëmendtë idealit kombëtar; ai nuk është thjesht jehonë e një realiteti të dikurshëm, e një të kaluare historike, por, dhe kjo është kryesore, ai është e duhet të jetë një synim i dorës së parë për të ardhmen, një ideal që duhet të vezullojë gjithnjë mbi hapësirën shpirtërore shqiptare dhe, sidomos, mbi atë ngastër të saj të shenjtë që ne e quajmë shkurt ndërgjegje kombëtare dhe që është aspiratë dhe njëheri krenari, vetëmohim dhe njëheri heroizëm për secilin prej nesh. Kur misionari aktiv i Foreign Office-s, Edmund Spencer, që vizitoi Shqipërinë në vitin 1847, shprehej:“Shqiptarët tregojnë çdo virtyt social që dallon banorët e vendeve më të qytetëruara” ose kur F. S. Douglas që, si shoqërues i lordit anglez Frederik North, vizitoi Ali Pashë Tepelenën , më 1811, shkruante: “Shqiptarët i kanë të gjitha cilësitë që përgjithësisht përbëjnë embrionin e një kombi të madh”, ata sigurisht kishin parasysh ndërtesën fisnike shpirtërore të popullit tonë dhe, në vijë të parë, atë ideal që i jep dritë asaj ndërtese, idealin e lartë etik të popullit tonë, si faktor parësor për ekzistencën e një kombi, njëmendësinë shpirtërore që përbën njësinë e matjes, etalonin që formëson dhe përcakton dimensionet e një kombi. Një popull që e humb atë shkon drejt shkombëtarizimit; dhe, në ditët tona, e përpin globalizmi ndërkombëtar. “Shpirti dhe gjenia kombëtare, ka shkruar Noli, janë ato që e ndajnë (dallojnë) një komb nga tjetri, dhe këto duhen mësuar dhe lëruar, në qoftë se një komb s’do vdesë. Orën që i humbi, është i vdekur”, sepse “pas vdekjes morale, vjen vdekja fizike.” Prandaj, problemi i strukturës morale etnike, i idealit etik që e përshkon atë, si përbërës i qenësishëm i një ndërgjegjeje të shëndoshë kombëtare, është i lidhur ngusht me fatet e popullit dhe të atdheut.
Duhet të pranojmë që populli ynë sot po përjeton një krizë të thellë morale tepër të rrezikshme për të sotmen dhe sidomos për të radhmen. Nuk mund të çlirohemi prej saj, nëse nuk përpiqemi të përtrijmë atë çka ka mbetur prej tharmeve shpirtërore të së kaluares, të ripërtrijmë ato çka janë venitur apo shuar krejt dhe të hedhim sytë drejt së ardhmes, duke u përpjekur për fisnikërimin e njeriu tonë.
Megjithëse edhe në këtë periudhë që po futet në histori me etiketën e një tranzicioni deshtak drejt një demokracie të vërtetë, shoqëria shqiptare nuk arriti të jetësojë një ripërtëritje aq të dëshiruar të traditave të vyera shpirtërore, populli ynë, që i ka bërë ballë përpjekjeve shekullore asimiluese të të huajve shumë më të fuqishëm se ai; ky popull që ka ruajtur gjuhë e zakone, ky popull që ka plazmuar një individualitet etnik original, duke u kapur me xhelozi pas traditave, ky popull është i aftë për një zgjim shpirtëror të tillë që, duke bërë të veten atë çka të mirë na ofron qytetërimi perëndimor, i filtruar gjithnjë në filtrën e psikës sonë, të ripërtërijë atë substancë etike të fisme të trashëguar prej të parëve dhe të dëshmuar nga Gjeçovi. Është pikërisht kjo traditë e qenësishme shpirtërore kushti ekzistencial i mbijetesës dhe i afirmimit tonë me dinjitet në gjirin e kombeve të tjera.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, at Shtjefen Gjecovi, dëshmues i fazës arketipale, të popullit tonë, të psikologjisë etnike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4139
  • 4140
  • 4141
  • 4142
  • 4143
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT