• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prioritet i institucioneve është zhvillimi ekonomik e jo dialogu me Beogradin

December 2, 2014 by dgreca

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës duhet t’ia tërheq vërejtjen përfaqësuesit serb në Prishtinë se ai nuk mund të sillet si të dojë e të përzihet edhe në punët e brendshme të vendit tonë/
Opinion XHAVIT ÇITAKU/
Udhëheqësin e listës serbe të Parlamentit të Republikës së Kosovës, Jablanoviq, e ka kapur aq shumë për “ bark” formimi i asosacionit të komunave serbe se sa që ka interesim për t’u organizuar mbledhja e këtij organi më të lartë legjislativ, e cila pritet të mbahet gjatë kësaj jave, në të cilën do të funksionalizohet puna e tij dhe pritet që të formohet edhe qeveria e re. Bile në deklaratat e tij ky politikan i ri serb shkon aq larg sa që humb durimin e pritjes për të “ diktuar” edhe rendin e ditës në atë mbledhje, ku në pikën e dytë, sipas tij, duhet të jetë formimi i asosacionit serb pa pasur kurrfarë përgatitje dhe një dokument të duhur e të qartë se si do të duket në praktik funksioni i këtij organizmi. Jablanoviq shkon edhe më tej duke i dhënë vetës të drejt të thotë se ky organizem, që ka për qëllim një formë të bashkëpunimit të komunave të populluara me pakicën serbe, do të këtë autorizime të mëdha qeverisëse, apo më mirë më thënë një organ “ ekzekutiv” paralel kundruall organeve qendrore të vendit. Këto deklarata sikur i vërtetoj edhe drejtori i zyrës ndërlidhëse të Serbisë i vendosur në Kryeqendrën tonë, Gjokiq, i cili tha se pas formimit të asosacionit të komunave serbe, dialogu i institucioneve të Prishtinës nuk do të zhvillohet më me Beogradin, por me përfaqësuesit e këtij organizmi, duke lënë të kuptohet se, sipas tij, veç është vendosur për t’i dhënë një formë të “ autonomisë” veriut të Kosovës. Edhe pse këto deklarata, sidomos ajo politike e përfaqësuesit të Serbisë, janë të patolerueshme dhe përzierje direkte në punë të brendshme të Republikës së Kosovës, çuditërisht në asnjë rast nuk dëgjuam nga Ministria e Punëve të Jashtme, as nga pozita e as nga opozita një reagim të ashpër. Kjo nuk është vetëm përzierje në punët e brendshme të vendit tonë, por edhe një formë e rrezikimit të integritetit të vendit dhe dhënies së sinjalit të qartë se Serbia nuk ka heq dhe as që ka ndërmend të heq dorë nga pretendimet e saj territoriale ndaj vendit tonë. Së këndejmi, institucionet tona përkatëse por edhe qeveria duhet të kundërshtojnë tash dhe në të ardhmen që këto deklarata e synime për të ndarë pjesë të territorit të Kosovës të mos ndodhin më dhe t’ua tërheq vërejtjen këtyre “ lakmitarëve” të tokës dardane dhe atyre që kryejnë punë diplomatike në Prishtinë se kështu nuk mund të sillën e të veprojnë në një shtet sovran e të pavarur të pranuar nga 108 shtete të botës.
Asosacion e bazuar në ligj dhe Kushtetutë
Duhet t’ia përkujtojmë Jablanoviqit dhe të tjerëve se jo që në seancë nuk do të jetë në rend të ditës aktual formimi i asosacionit serb por as që do të këtë autorizime ashtu siç fantazoni ju në kokën tuaj. Me nguti e pa detaje të qarta nuk mund të kryhet asnjë punë e lëre më një çështje që është e lidhur drejtpërsëdrejti më sovranitetin e vendit. Pra, asosacioni, siç ka thënë Edita Tahiri, do të formohet bazuar në ligjet dhe aktin më të lartë juridik- Kushtetutën, apo thënë më mirë identik me atë organizem që ka qenë në legjislaturën e kaluar të Parlamentit të Kosovës. Në një shtet të vogël, siç është Kosova, formimi i një organizmi politik qeverisës, ashtu siç pretendon ky politikan serb, do të thotë barazi me dhënien e një autonomie për serbët e veriut dhe afrimin e saj edhe më shumë me Beogradin pa dhënë asnjë herë llogari tek organet qendrore të Kosovës. Ndaj, nuk e besoj se delegatët e Kosovës do të lejojnë dhe votojnë një gjë të tillë dhe këto kërkesa absurde që bien ndesh me Kushtetutën. Delegatët dhe institucionet, por edhe populli shumicë tash dhe në të ardhmen do të punojnë e do të dëshmojnë për integrimin e pakicës serbe në çdo pore të jetës e punës dhe për pjesëmarrje të barabartë me të gjithë të tjerët sipas forcës e votës në të gjitha organet e institucionet e Republikës së Kosovës, por jo për me shumë të drejta se sa të tjerët, ashtu siç kërkon Jablanoviq, se ose do të përfaqësohen me shtatë për qind në çdo formë të qeverisjes ose serbët dot bojkotojnë pjesëmarrjen e tyre. Me kërcenime e kërkesa të pambështetura në fakte nuk mund të ndërtohet e zhvillohet jetë e përbashkët. Edhe vetë ky përfaqësues i listës serbe e di dhe është i bindur se shtatë përqind është shumë dhe nuk përkon me numrin e pakicës serbe që jetojnë në Kosovë. Duhet nisur nga realiteti i krijuar dhe nga e drejta e patjetërsueshme që populli shqiptar kishte në ish- Jugosllavi, si popull i tretë për nga numri i banorëve, si element konstituiv, që të vendos për fatin e vetë pas shkatërrimit të asaj krijese artificiale.
Për fqinjësi të mirë edhe me Serbinë- si dy shtete të barabarta
Krijimi i raporteve të mira me fqinjë sigurisht se është një gjë e mirë dhe që konsiderohet si një standard i lartë i ndërtuar më shumë sakrifica sidomos nga lufta e dytë botërore e këndej. Tashmë bëhet pak fjalë për ndërrim kufijsh e apetitesh tjera gllabëruese të tokave të huaja, pos Rusisë, por edhe Serbisë. Ndërkaq, duke pasur fqinj Serbinë, Kosova dhe institucionet e saja janë të përcaktuara se përkundër gjithë atyre tmerreve që i ka shkaktuar ky shtet popullit shqiptar, të angazhohet për krijimin e kushteve për një fqinjësi të mirë edhe me këtë shtet. Mirëpo, edhe Serbia duhet ta heq nga “ koka” njëherë e përgjithmonë synimin e saj për të përvetësuar ndonjë pjesë të Kosovës në dobi të saj, sepse nga shpallja e pavarësisë çdo gjë ka marrë fund. Pra, gjithnjë tash dhe në të ardhmen shteti serb duhet të niset dhe të bindet se Kosova është e humbur dhe më kurrë kthim prapa nuk ka. Në çdo nismë, marrëveshje dhe çështje tjera me interes, të dyja palët janë të barabarta, si dy shtete të pavarura e sovrane. Vetëm kështu dhe pa ndërskamaza mund të ndërtohet një fqinjësi e mirë, që do të ndikoj edhe në integrimin më të shpejt të serbëve të Kosovës në të gjitha instancat shtetndërtuese të vendit, por edhe të integrimit të këtyre dy vendeve në Bashkimin Evropian.
Delegatët e Parlamentit kanë përgjegjësi të madhe për votën e tyre rreth asosacionit
Megjithatë, me duken pak të habitshme deklaratat e pafundme nga personalitete të ndryshme të BE-së, por edhe të diplomatëve të akredituar në vendin tonë se ndër prioritet kryesore të faktorit politik të Kosovës është vazhdimi i dialogut me Beogradin, deklarata këto sikur i kanë “ rebeluar” përfaqësuesit e serbëve shtetas të Kosovës. Krijohet bindja se këto personalitete dhe shtetet që ata i përfaqësojnë me shumë janë të orientuara në këtë drejtim se sa zgjidhja e problemeve madhore që ka hëpërhë vendi ynë e sidomos me shkallën jashtëzakonisht të ulët ët zhvillimit ekonomik, ku për çdo ditë e më shumë po krijohen rreshta të gjatë të pritjes për një vend pune. Ndaj, edhe do të ishte e udhës që këta diplomatë të akredituar në vendin tonë, por edhe qeveritë e shteteve të zhvilluara ekonomike evropiane dhe SHBA-të më shumë të angazhohen për të joshur investitorë në mënyrë që të ndërtojnë kapacitete të reja prodhuese dhe kështu të hapen vende të reja pune si dhe të ndërpritet sado pak ikja e të rinjve për një jetë më të mirë pikërisht në këto vende që aq shumë i japin prioritet këtij dialogu.
Pa dyshim se nisja e bisedimeve me Beogradin duhet të vazhdoi dhe një ditë edhe të përfundoi, por nuk është e udhës që gjithnjë t’iu “ rrihet” mbi kokë institucioneve kosovare se ky dialog na qenka aq shumë i rëndësishëm kundruall shumë telasheve të tjera me të cilat po ballafaqohet Kosova nga pas lufta e këndej. Institucioneve të reja duhet t’iu japim kuroja dhe ato të kenë guxim e forcë për të përballuar çdo trysni, pa marrë parasysh se prej kujt, që të vendosin drejt e bazuar në Kushtetutë për secilën çështje që do të hynë në rend dite gjatë qeverisjes katërvjeçare. Posaçërisht delegatët e Kosovës kanë përgjegjësi të madhe që të mos lejojnë në asnjë mënyrë që të luhet me fatin, përkatësisht me integritetin territorial të vendit, duke hedhur poshtë çdo kërkesë që është në kundërshtim më ligjet pozitive në fuqi .
Dhe krejt në fund. Prioritet i prioritete është zhvillimi ekonomik dhe hapja e perspektivës për qytetarët e vendit tonë e jo dialogu me Beogradin.

Filed Under: Featured Tagged With: ministri Serb, Xhavit Citaku

MIRO TËRBAÇI ME HISTORI NË KËNGË DHE LEGJENDA

December 2, 2014 by dgreca

Shkruan: MSc. Albert HABAZAJ */
Roli i gruas në historinë botërore, europiane, rajonale e, rrjedhimisht, patjetër e aq më tepër edhe në historinë e Shqipërisë përgjatë shekujve, është evidentuar si me pikatore; jo pak herë edhe me shikim miopik e me vlerësim mikroskopik. Në rrjedhat e kohës, fakti historik dhe e vërteta historike i ka regjistruar ato si burrat, të barabarta me ta dhe shpesh herë kanë sfiduar historinë me heroikën burrërore. Një nga ato të fillimit është edhe Trimëresha e Tërbaçit, Legjenda Miro Tërbaçi. Ç’dimë nga historia për Miron? Si ka ardhur historia e saj në kujtesën sociale? Po kënga ç’gjurmë folklorike ka lënë brezave, që na vjen me tingëllimë kaq të bukur, të pranueshme dhe të pëlqyeshme dhe sot e kësaj dite? Gjykojmë se, sikurse popujt e tjerë, krahas burrave, kanë patur edhe gra (vajza e nëna) me emër në histori, si përshembëll, Franca Zhan D’Arkën, Shqipëria, në rrjedhat e kohës, ka patur edhe një Miro Tërbaçe. Në luftërat e vazhdueshme për liri, pavarësi e drejtësi shoqërore, krahas trimave kordhëtarë të kryengritjeve popullore, bij të shpatës shqipëtare, kanë luftuar edhe gratë, trashëgimi kjo e përcjellë nga gruaja ilire, që, siç thotë historiografia shqiptare, ajo ”shkonte me burrin jo vetëm në punë e gosti, por edhe në luftë, ku tregonte heroizma, madje të pashembullt” .
Po shtrydh substancën e kumtimit tim: Banorët e Tërbaçit, sikurse dhe banorët e tjerë të kraninës së Lumit të Vlorës, nuk pranonin të paguanin taksa për ahengje e në funksion të interesave të ulta të osmanlinjve. Tërbaçiotët u shfaqën dhe u evidentuan më rrebelët dhe, sipas sanxhaktarit të Vlorës, duheshin ndërmarrë ekspedita ndëshkimore ndaj këtij shpirti rebel në buzë të lumit e në gjoks të malit. Mytesarifi i Vlorës nisi një dërgatë me taborë të armatosur e kasnecë të Osmanllisë. Kur ekspedita arriti në fushën e Tërbaçit, aty takuan të parin Skëndo Stratin dhe, për të parë pulsin e gjendjes, përdorën një nga nëpunësit e mytesarifit, që siç thonë, me logjikën e legjendës, “ i kërkuan ujë për të pirë dhe ky si zot vendi e me respekt, plotësoi kërkesën, u solli një bucelë me ujë për të shuar etjen” . Në këtë moment, administratori osman doli tek qëllimi, e pyeti Skëndon: “Pse nuk paguajnë tërbeçët taksat, por tregohen kokëfortë e të pabindur ndaj ligjeve të perandorisë?”. Skëndua, me gjakftohtësi e çiltërsi, por me një burrëri të prerë ia kthen: “A a a, për këtë paskeni ardhur?! Ju, bej mundoheni kot nga këto anë. Ne jemi fukarenj, ushqehemi me lakra dhe nuk mund të paguajmë haraçet që kërkoni. Ne kurdoherë presim miq dhe jo njerëzit që na rrjepin lëkurën!”. Funksionari u revoltua nga ky qëndrim burrëror i këtij djali tërbaçiot, sepse as nuk e mendonte dhe as e imagjinonte që t’i jepej kjo përgjigje e paparashikuar. I inatosur, jashtë çdo kodi etik, u largua pa e përshëndetur sipas zakonit dhe përdori një formë tinzare: iu hakërrua barbarisht, u bëri shenjë që ta vrisnin njerëzve të tij të armatosur, të cilët qenë fshehur mbrapa shkurreve, bezgave rrotull. Ata e qëlluan tinëzisht dhe u larguan si hafije e me hafijet, ashtu siç ishin. Skëndua nuk vdiq në moment, por plaga qe e rëndë. Nuk pati dot shërim për jetën. Urrejtja për sunduesit arriti kulmin, nuk durohej më. Ngjarjet e mëtejshme i transmenton në mënyrë lakonike shumë saktë kënga. Mexhit Kokalari shkruan: “Thuhet për Miron se shquhej në mbarë krahinën si një këngëtare e këngëve të bukura labe. Miros i pëlqenin shumë këngët e hershme popullore, që bukurinë e stolinë e vajzës shqiptare nuk e krahasonin me lulen, por me pallën me gajtanë dhe me pisqollën e larë . Këtë fakt e pohon edhe Tofik Deda në librin e tij “Tërbaçi – realitete vlerash historike” . Ajo, Miro kënga u bë Miro zeza…Miro Zeza, sepse i qenë shuar krejt meshkujt e familjes. Nderi i shtëpisë, i gjakut, i fshatit mikpritës por jo gjunjëulur, i kërkoi të shndërrohej në Miro Legjenda. Legjenda Miro Tërbaçja është heroinë popullore, që doli nga gjiri i Labërisë, u vesh si djalë, u ngjesh me jatagan si burrat, i hipi kalit të bardhë, dhe vrau mytesarifin e Vlorës, atje ku qe strukur te Pashai në Berat, sepse, mbeti e vetme në familje, pa nënë, pa baba, pa vëlla. Babai i saj Kostë Strati u vra nizam në hapësirat e shkreta të Perandorisë Osmane, ndërsa vëllain, Skëndon ia vranë në Bramyshnjë të Tërbaçit administratorët shërbëtorë të Perandorisë së Murme Osmane. Vajza u betua se do të mirrte hakë, të çonte nderin e familjes në vend. Kjo bijë nga Tërbaçi i Vlorës fluturon si këngë epike në krahët e legjendës për bëmat e saj trimërore.
Vajza e thjeshtë e guximtare labe, (lindur në Tërbaç; si vitlindje mendohet viti1803 dhe si vitvdekje 1869 – a, në moshën 66 vjeçe, te dajallarët e saj, në Dhemblan, Tepelenë), nga person u kthye në personazh epik, në faqet e historisë dhe në gjirin e këngës epike, të epikës historike. Ajo tregoi një akt të lartë në shërbim të atdhetarizmit. Mirua u betua se do të merrte hak. Preu flokët si djalë, hodhi pallën e argjendtë mbi supe, e veshur si burrë, u vu në ndjekje të gjurmëve të vetë sundimtarit, hipur mbi kalin e saj të shpejtë si era e vetë vetëtimë mbi të, e shoqëruar me kalorës të tjerë tërbeç. Në Vlorë s’e gjeti. U hodh në Mallarastër, kaptoi qafën e Sinjës e zbriti në sarajet e rënda, e ballëpërballë me pallatin e Pashait, ky qe strukur sanxaktari i Vlorës. Rrufeshëm këtu funksionoi intuita e Miros Kapedane. U kërkoi rojave të sigurisë një takim me sundimtarin e Vlorës, mbasi do t’i dorëzonte një letër shumë sekrete dhe koha nuk priste. Ata e hëngrën (e besuan). Sundimtari po zbriste. Dy plumba në ballë i nisi Mirua dhe ai ra në vend i vdekur. Kjo shqiponjë mali i shoqëroi krismat e kobures me fjalët: “Po të kthejmë borxhin, o sanxhaktar, se shumë ta kemi vonuar!”. Dhe u kthye si suferinë, bashkë me trimat e saj për në Labëri. Në Dhemblan ndodhet varri i kësaj atdhetarje. Në Tërbaç, Flamur Lushaj, si një nga pinjollët e sotëm të mëhallës së Strate, ka mundësuar ngritjen e një shtatorje të Miros në sheshin qendror, në ballkon të fshatit, si dhe ka bërë një varr simbolik me dhè, marrë atje ku mendohet se prehet Mirua, në varret e fisit Meçaj, te dajorit e saj, në Dhemblan.
Emri i saj përmendet në botimet e nivelit akademik, si “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, botim i Akademisë së Shkencave, viti 1985, nga ku po citoj: “Tërbaçi është fshat me tradita patriotike. Banorët kanë marrë pjesë gjallërisht në kryengritjet kundër Tanzimatit, ku u shqua Lulo Abazi dhe Miro Tërbaçi” . Ky fakt” historik përmendet edhe në botimin më të ri të nivelit më të lartë shkencor “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, i vitit 2009 . Emri i Miros është i nderuar në “Historikun e Tërbaçit”, në monografitë e shkrimet e Mexhit Kokalarit, Llazar Siliqit, Bardhosh Gaçes, Zenepe Lukës, Halo Abazit, Selim Beqirit, Tofik Dedës, në poemat e Odhise Kristo Grillos, në poezitë e Eqerem Canajt e Ruzhdi Bajramit, etj. Si gjithë të tjerët, edhe fshatarët e Tërbaçit u ngritën në revolta kundër taksave (haraçeve) të tagrambledhësve, i kundërshtuan dhe u përleshën me ta. Kjo ndodhte, sepse, nëpërmjet dhjetarëve, osmanët kërkonin taksa e detyrime arbitrare kundrejt fshatarësisë . Përballë shtypjes së egër të osmanëve, u ngritën e luftuan fshatërët e Tërbaçit. “Në përleshje me nëpunësit turq, – shkruan Prof. Gaçe, – u vra Skëndo Kosta Strati, vëllai i luftëtares Miro Tërbaçi. Kjo ka ndodhur aty nga viti 1850, kur pashai i Beratit Mehmet Pashë Qytabiu lëshoi urdhër që krahina e Lumit të Vlorës të paguante taksa të larta. Pasi u dha ujë për të pirë, Skëndo Strati nuk pranoi t’u paguante taksa osmanëve. Ata pabesisht e vranë” . Akretipi i këngëve për Miron i shfaq gjurmët, aty nga fundi i gjysmës së parë të shek. XIX, kur bashkëkohësit e bashkëfshatarët e saj, si Sinan Abazi me Mico Skëndaj, Hyso Salati etj., që u bëri përshtypje të lartë akti i saj historik, i kënduan këngë bëmave të trimreshës Miro. Këta këngëtarë luftëtarë shënojnë dhe fillesën krijuese individuale të këtij krijimi folklorik, që është përfshirë në qarkullim folklorik të bashkësisë së caktuar (Tërbaç, Vranisht, Dukat, Mesaplik, Dhemblan). Kënga bëhet bartëse e historisë, si një histori e kënduar, sepse operon me ndërgjegjen poetike historike. Një variant i këngës është: “O Miro, qajmë, mirë,/ qaj për mua derëzinë,/ që të ngrërë si fëmijë,/ u dhashë ujë për të pirë,/ më dhanë plumbin në brinjë”. Nga kjo këngë kaq prekëse marrim informacionin se si ndodhi ngjarja, momentet se si u shfaq pabesia, por njëkohësisht edhe faktin se tërbaçioti, labi, shqiptari, kur jep jetën për një çështje me interesa të shquara, nuk shpreh dhimbje apo pakënaqësi se vdiq, por jep mesazhe të mos cenohet rruga e nderit. Mexhit Kokalari ka regjistruar këtë variant: “E shkreta Miro Tërbaçi,/ Qaj Miro qaje mirë,/ Vlla e babë derëzinë,/ Moj e rritura bonjake,/ me lakëra burdullake” . Kënga e ka përjetësuar veprën e saj në shërbim të Atdheut: “Do të vë dyyfek e kamë,/ do marr hakë për vëllanë,/ për vëllan’ e për babanë,/ do shtie mbi pashallarë,/ do t’i vras se m’i kan’ vrarë” . Një tjetër variant i këngës së Tërbaçit këndohet: “E zeza Miro Tërbaçe,/ moj Miro, qajmë mirë!/ Moj e rritura bonjake,/ me lakëra burdullake, /nëpër dyer të Tërbaçe;/ ike, te berberi vajte:/ “O berber, o sha vëllamë,/ premi çepetë si djalë,/ se do vë dyfek e kamë, / do marr hakë për babanë,/ për baban’ e për vëllanë! / dhe për kushurin’ e parë,/ për të gjithë shqipëtarë./ Qëllove mbi pashallarë,/ Tërbaçit se ç’i le namë”. Këtë variant, i cili është botuar edhe në vëllimin “Këngë popullore historike”, të vitit 1956, (botim i nivelit akademik, klasifikuar te cikli “Këngë kundër shfrytëzimit”, në të cilin mungojnë tre vargjet e fundit që cituam), e gjejmë të regjistruar në Tërbaç, nga punonjësit e Institutit të Shkencave të Tiranës. Edhe në botimin e Akademisë së Shkencave “Epika Historike”, vëll. 2, gjendet e klasifikuar tek kapitulli II me “Këngë kundër shfrytëzimit ekonomik shoqëror”, pikërisht kjo këngë e Miro Tërbaçes , pa asnjë ndryshim, si duket, sepse është regjistrim i vitit 1952 (sipas shënimit poshtë tekstit). Aty është edhe ky sqarim për këtë vajzë nga Tërbaçi: “Sipas kujtimeve që ruhen në popull, bejlerët e Vlorës i kishin vrarë të jatin dhe të vëllanë” . Kënga e Miro Tërbaçit është e llojit të epikës historike, dhe ky grup këngësh i epikës historike, sipas Prof. Xhagollit, klasifikohet në “Këngë të pushtimit Osman” , të cilat, për “nga struktura e tyre, mjetet shprehëse, figuracioni, ndërtimi artistik etj., janë në shtratin e mirëfilltë folkorik dhe nuk lejojnë hapësirë diskutimesh rreth autenticitetit të tyre folklorik në përgjithësi” .
Kujtesa sociale na sjell të dhëna se vrasja e djalit të pafajshëm e mirëpritës tërbaçiot, zemëroi popullin e gjithë krahinës. Sipas vargjeve të këngës dhe shumë gojëdhënave popullore, Miro Tërbaçja e shprehu urrejtjen e saj duke vrarë mytesafirin e Beratit (kështu quhej Kryetar i administratës së një sanxhaku në kohën e perandorisë osmane). Kështu, Trimëresha e Tërbaçit, si labëreshë vetëtimë, u fut në histori, fluturon në krahët e legjendës, duke u bërë një simbol i femrës shqiptare në këngët e epikës historike.
Kohë pas kohe, kënga e ka përjetësuar dhe e përcjell gojë më gojë e brez pas brezi aktin e saj heroik. Ajo këndohet edhe sot në Tërbaç, në Labëri, edhe në muzikën e kultivuar shqiptare, nga Maja. Ja teksti origjinal i këngës që është kënduar, së pari nga grupi polifonik i Tërbaçit, në vitet ’70 të shek. XX dhe që është regjistruar më vitin 1978, me krijues Kujtim Micin dhe marrës Sinan Hoxha, kthyes Rexhep Abazi, hedhës Mejdi Skëndo e mbushës grupin e këngës, përbërë nga Mujo Gjondeda, Abaz Abazi, Qazim Çelo, Ago Beqiri, Qazim Abazi, Xhevit Gjini, Asllan Nika, Izet Skëndo e Rrapush Mehmeti. Kjo këngë pëlqehet, këndohet dhe ka përhapje edhe sot në fise, mëhallë e lagje e fshat. Është një këngë që këndohet në vendlindjen time, sipas këtij varianti: “Tërbeçtë haraçe s’dhanë,/ e shporrën Pashanë,/ i tund’jataganë,/ – Qërrohu – i thanë./ Miro, të vranë vëllanë/ turqit pashallarë/ se tërbeçt’ haraçet/ hasmit nuk ia dhanë./ Për Berat hipur mbi kale/ Mirua nis revan – ë,/ e stolisur djalë,/ ngjeshur – ë dogranë./ Mirua ormisi Pashanë/ dy dogra në ballë,/ trondit dynjanë/ tërbaçjotja vajzë./ Moj trimja Miro Tërbaçe,/ – Refreni – / O Miro, Trimja Mirë, / moj e rritura bonjake, / nëpër dyert e tërbaçe, / me lakëra burdullake, / i hipe kalit e vajte, / vrapin në Berat e mbajte…”, që vjen si një dukuri novatore e cilësuar e kohës. Poeti dhe studiuesi Llazar Siliqi ka shkruar: “Heronjtë parakalojnë përpara syve tanë të gjallë, konkretë. Ne marrin vesh për trupin e tyre e për veshjen e tyre, dëgjojmë fjalët e tyre kur hidhen në sulm e kur janë përpara vdekjes, i pyesim e kuvendojmë me ta: “Për Berat hipur mbi kalë/ Mirua nis revanë/ e stolisur djalë,/ ngjeshur dogranë” .
Në fshatrat e Labërisë, sidomos në krahinën e Mesapkilut nënat bënin një komunikim të këngëzuar me fëmijët e djepit edhe me ninulla për Donika Kastriotin apo Miro Tërbaçin, si psh; “Nina, moj Labikë, nina/ Mjalt i mjaltit nga Kanina/ të na bëhesh si Donika,/ Si Donika të na bëhesh/ trime në kala të gjendesh” apo “Suferinë në majë të kalit/ T’i ngjash Miros së Tërbaçit” , të cilat portretizojnë këto figura të shquara historike dhe nënat edukojnë me ringjalljen e imazheve trimërore të tyre nëpërmjet këngës për edukimin atdhetar të brezave në vijimësi.

Miro Tërbaçja është simbolika epike e gruas tërbaçiote e labe, e gruas vlonjate e beratase, asaj nga Mitrovica e nga Myzeqeja, nga Gjakova e nga Gjirokastra, nga Kukësi e nga Korça, nga Hoti e Gruda, nga Kelmendi e Prizreni, nga Tetova e Skrapari, nga Shkupi e Janina, nga Tuzi e Librazhdi, nga Elbasani e Mirdita, nga Dukagjini e Himara, nga Ulqini e Përmeti, nga Drenica e Mallakatra, nga Shkodra e Kolonja, nga Presheva e Diaspora, nga Kosova e Çamëria. Miro Tërbaçja është motër e Gjakut Kombëtar, e Shpirtit të Lirë dhe Përparimtar me Teutën e Donikën, me Norën e Kelmendit e Laskarina Bubulinën, me Maro (Mete) Kondin e Norën e Hotit, me Tringë Smajlin e Grudës e Shote Galicën, me Dora d’Istrian (Helena Gjikën) e Marigonë, me Sado Koshenën e Zonja Çurren, me Bulen e Persefonin, me Margarita Tutulanin e Qibrije Ciun, me Motrat Qirjazi e Katër Heroinat e Mirditës, me Musine Kokalarin e Ramize Gjebrenë, me Justina Shkupin e Lilo Laben (Ervehe Bazo Gorishtin), me Ganimet Tërbeshin e Fato Berberin, me Nënë Duzen e Hava Gjoliken, me Mine Pezën e Bije Vokshin, me Qeriba Derrin e Teferrinë e Vranishtit, me Lejla Malon e Nimete Progonatin, me Tazen e Anifenë; edhe me Nermin Vlora Falaschin e Agnes Gonxhe Bojaxhiun (Shenjtoren Nënë Tereza), me Andromaqi Gjergjin e Afërdita Onuzin, me Margarita Xhepën e Tinka Kurtin, me Jorgjie (Gjeorgjia) Trujën e Tefta Tashkon, me Marie Krajën e Lola Gjokën, me Xhuze (Gjyzepina) Kosturin e Dhora Lekën, me Vaçe Zelën e Nexhmije Pagarushën, me Vera Blloshmi Mellet e Motrat Tafaj, me Xhanfize Kekon e Fitnete Rexhën, me Alida Hiskun e Aurela Gaçen, me Drita Agollin e Liliana Cingun, me Kaliopi Naskën e Ana Lalaj, me Elisabeta Karabollin e Eva Alikaj, me Frida Idrizin e Drita Çomon, me Dhurata Bozdon e Flora Gjondedën, me Vojsava Nelon e Diana Çulin, me Luljeta Bozdon e Zana Guxhollin, me Shefkie Islamaj e Drita Statovci Halimin, me Myzafere Mustafën e Shpesa Siçecën, me Zenepe Lukën e Resmie Rrucin, me Vitori Stefa Lekën e Vllasova Mustën, me Migena Arllatin e Anila Bashën, me Zylfie Durakun e Sadbere Kamberin, me Eliona Licin e Çamërie Ceraja, me Marela Gugën e Lindita Gogajn, me Afërdita Stefanin e Sonila Sinajn, me Dezdemona Stefën e Vitore Sallakaun, me Drita Pelingun e Liza Laskën, me Violeta Manushin e Marie Logorecin, me Arbnora Dushin e Floresha Dadon, me Drita Agollin e Valentina Dukën, me Natasha Lakon e Violeta Allmuçën, me Tefta Buzon e Arjeta Sadikun, me Sadije Agollin e Helena Kadarenë, me Linditë Arapin e Mimoza Ahmetin, me Nevila Nikën e Farfuri Xhajën, me Luçie Milotin e Kleopatra Skarçon (Dokle), me Meliha Dodën e Shyhrete Behlulin, me Etleva Domin e Persida Asllanin, me Irini Qirjaqin e Roza Anagnostin, me Marjana Kondin e Yllka Mujon, me Kozeta Zavalanin e Pavlina Manin, me Marjeta Ljarjan e Elvira Diamantin, me Tefta Radin e Lumturi Blloshmin, me Edi Luarasin e Hatiqet Bendon, me Dhorkë Orgockën e Hajrie Rondon, me Mimika Lucën e Besa Imamin, me Xhuljeta Kullën e Lavdie Gjikën, me Matilda Makoçin e Shpresa Hoxhën, me Kozeta Vrushon dhe Elida Buçpapën, me Zana Shuteriqin e Miaser Dibrën, me Yllka Selimin e Takuina Adamin, me Melpomeni Çobanin dhe Enrieta Sinën, me Adelina Mamaqin e Zhuljana Jorganxhi, me Klara Kodrën e Vilhelme Vranari Haxhiraj, me Nina Mulën e Anika Taken; edhe me Shira Shimonin e Anna Kohen, edhe me zonjat Chen Zhili, Song Xiuyan e Mu Hong!
Nuk e quaj të gjykueshme, ta cilësoj Miro Tërbaçen Zhan d’Arkë Shqiptare apo Amazonë e Trimërisë. Kur kemi thënë Miro Tërbaçe, kuptojmë që Ajo është Sinonimi Trimëror i Femrës Shqiptare nëpër shekuj, si Mbrojtëse e Pragut, e Zjarrit të Ndezur, e Vatrës, e Tymit, e në se na lejohet të përdorim shprehjen jo thjeshtë metaforike të antropologut Nebi Bardhoshi, të “Gurit të Kufinit”, të Ujit Shqiptar të Pashkelur. Miro Tërbaçi është imazhi i Luftëtares për Lirinë e Atdheut. U shtuan, me trimëri e bujari, me zemër e kurajo, me dinjitet e deri me sakrificën më sublime “Miro Tërbaçet” e shekullit XX. Edhe në shekullin e XXI, si duket, shoqëria paska nevojë për “Miro Tërbaçe” e “Nermin Vlora” të reja… Për “Miro Tërbaçe” e “Nermin Vlora”, Shqipëria ka nevojë në çdo kohë!

*) Drejtor i Bibliotekës Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA.

Vlorë, 28 Nëntor 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Albet Habazaj, Miro Terbaci

GJENIU NIKOLLA TESLA ËSHTË SHQIPTAR

December 2, 2014 by dgreca

Një rast tjetër i grabitjes së kulturës dhe historisë shqiptare-arbërore prej serbëve dhe grekërve
Ne Foto: Nikolla Tesla me kostum popullor shqiptar, 1880./
Nga Fahri XHARRA/
Të dhënat që jepen për Nikolla Teslën sipas librit “John J. O’Neill, Prodigal Genius: The Life of Nikola Tesla, Book Trë, 2007 – Gjeniu pakufi: Jeta e Nikolla Teslës) janë: Ai lindi më 1856 në fshatin Smiljan të Kroacisë (atëhere pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze) dhe vdiq në Nju Jork të SHBA në vitin 1943. Ishte një zbulues dhe shkencëtar në Amerikë i përmasave fantastike në fushën e elektricitetit. Në Amerikë ai emigroi në vitin 1884. Tesla ishte me origjinë nga një familje serbe (?). Babai Milutin Tesla iu bë vonë prift ortodoks dhe nënën Gjuka Tesla e kishte të pa shkolluar por shumë të zgjuar. Prindërit e Nikolla Teslës ishin nga Serbia jugperendimore, afër Malit të Zi (kështu rrëfen propaganda serbe).
Nikolla Tesla e quanin të krishter ortodoks por më vonë në jetën e tij ai vetë nuk e pranonte veten si “besimtar në kuptimin ortodoks” dhe e kundërshtonte fanatizmin fetar. Domethënë botëkuptimet apo bindjet e tija fetare ishin të pasigurta në bazë të deklaratave që ai bënte për fenë (sipas libri i autorit J. J. O`Neil, 2007).
Ndërkaq në gazetën Vecernje Novosti – Lajmet e Mbrëmjes (ëëë.novosti.rs) të datës 4 Maj 2012 ku shkruhej për Nikolla Teslën jepet një pamje e Nikolla Teslës me veshje popullore; kjo fotografi gjendet lehtas edhe në internet. Sipas këtij shkrimi në gazetë, fotografia është pjesë e koleksioneve të vjetra të ruajtura nga Sllobodan Nikoliçi në Krushevc, i cili pranon se atë fotografi e ka marrë nga një kushëri i Nikolla Teslës. Pamja është e vitit 1880, domethënë 4 vjet para se Nikolla Tesla të emigronte në SHBA.
Kjo fotografi e Nikolla Teslës rrëzon tërë gënjështrën mbi origjinën e gjeniut Nikolla Tesla, sepse kostumi popullor që ai mban veshur është kostum popullor shqiptar i rajonit të Shqipërisë veriore. Vetë emri i tij nuk është serb. Meqenëse prindërit e Nikolla Teslës ishin nga Serbia jugperendimore afër Malit të Zi, kjo domethënë se ishin nga Sanxhaku, Dardania veriore. E megjithatë kurrkund në botimet për të nuk jepet vendi i saktë apo emri i fshtatit të asaj “Serbije Jugperendimore” nga ishin prindërit e tij, të cilët kishin mbartur me vete kostumin popullor kur u larguan për në fshatin e Kroacisë dhe e kishin ruajtur atë tërë kohën.
Edhe babai i tij nuk dinte as të shkruante e as të lexonte serbisht….deri sa u bë prift ortodoks (?!) dhe mëpastaj u largua familjarisht për në Kroaci. Pse u larguan dhe pse në një fshat të Kroacisë? Në vitin 1879 Nikolla Teslës i vdes babai dhe në vitin 1880 dy xhaxhallarët e tij bashkuan paratë dhe e nisën për studime universitare në Pragë të Çekisë, të cilat vetëm sa i ndoqi dhe nuk hyri në provime.
Pikërisht në atë vit 1880, para nisjes për në Ceki, është edhe pamja e tij me veshje kombëtare shqiptare. Familja dhe ai vetë që e ka veshur kanë përdorur një kostum që ato e kanë zgjedhur me vullnet të lirë, para se ai të largohej për në Çeki, të ruajtur si një gjë e shtrenjtë, në kujtim dhe respekt të origjinës së tyre. Nikolla Tesla nuk e përfillte fenë e krishterë ortodokse, nuk e ndjente si të vetën, si një rit me të cilën ai ishte rritur dhe edukuar në familje. Ashtu si me grekërit, Nikolla Tesla është një tjetër rast i grabitjes së kulturës shqiptare prej serbëve.
Në vitin 1881, Nikolla Tesla shkoi në Budapest të Hungarisë ku filloi të punojë tek një ndërmarrjje telegrafike. Më 1882, ai filloi të punojë në Paris të Francës në degën e ndërmarrjes amërikane të shpikësit amerikan Tomas Edison. Në vitin 1884, vetë Tomas Edisoni e merr Nikolla Teslën të punojë në Nju Jork të SHBA. Në vitin 1886, ai shkëputet nga Tomas Edisoni dhe vazhdoi të patentonte shpikjet eletrike. Tërë paratë e fituara ai i investonte për eksperimentet që kryente.
Për shkak të ideve dhe shpikjeve të tija gjeniale (disa edhe për kohën e sotme), xhelozia e shkëncëtarëve të tjerë dhe paradhënësve, bënë që ai të veçohej dhe të mospërfillej me qëllim. Më 7 Janar 1943, në moshën 86 vjeçare, Nikolla Tesla vdiq i vetëm në një dhomë hoteli në Nju Jork. Dy ditë më vonë Zyra Federale e Hetimeve (FBI) mori tërë dokumentat dhe shkrimet që ndodheshin në dhomën e Nikolla Teslës. Më 12 Janar 1943, pas shërbesave shtetërore dhe fetare në nderim të tij me praninë e mbi 2000 njerëzve, trupi i Nikolla Telsës u dogj. Enigma e gjeniut Nikolla Tesla, i cili ndriçoi dhe vuri në lëvizje botën, vazhdon edhe sot të hutojë shkencëtarët dhe njerëzit në përgjithësi.

Filed Under: Featured Tagged With: ËSHTË SHQIPTAR, Fahri Xharra, GJENIU NIKOLLA TESLA

TERRORISTËT THËRRASIN: “DUAM BABËN…DUAM..”!

December 2, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI*/
Ne Foto: TURPI I SHQIPNISË: Komunistët me fotot e Enverit, në Vlorë, Berat, Korçë etj.
(Foto asht marrë nga Gazeta “DIELLI” New York, 29 Nandor 2014)
■Terroristët e Popullit Shqiptar jo vetëm, që nuk pendohen, por rrezikojnë t’ ardhmen e Popullit dhe të Shtetit Shqiptar! Shikoni këte foto me kujdes, të gjithë pa përjashtim janë antishqiptarë, agjentë të të gjitha shteteve që kerkojnë shkatrrimin e Shqipnisë!
■Këta janë tradhëtarët ma të betuem të Atdheut dhe të Popullit! Janë vrasës, torturues, dhunues barbarë, kriminelë, gjakatarë, hetues shpifës, ateistë, amoralë, injorantë, egoistë, hajdutë, gjykatës e prokurorë, noterë, pederastë e pushtë, të tredhun, të pafëtyrë e të pakarakter, mashtrues e tiranë… se i tillë ishte edhe ai surrat që kanë ndër duer.
■Asnjeni nuk di me ké i ka e shoqja kopilët, që po qeverisin Shqipninë!!
■Të gjithë ishin bijtë e Titos, Stalinit, Mao Ce Dunit… Po, Shqiptarë… Asnjëni!
■Nga një drejtues shteti dylber pazari, u flliq gjithë Shqipnia me monstrat e tij…
■Kjo foto e ka vendin tek Pallati i Kulturës i Tiranës, mbasi aty filloi “dylberizmi”, mu tek dyqanet e Pazarit të Tiranës… Aty, ku u “dipllomuan” dhe këta pasues të tij.
■Këta plotsonin të gjitha kushtet per ti sherbye Enver Hoxhës! Ashtu si ai, të gjithë janë me prejardhje që nga stërgjyshët e vet të para sa shekujve “bijtë” e të gjithë pushtuesve, të të gjitha modeleve që ka pasë rrezik me u pushtue Shqipnia…“Me bisht’ e pa bisht”!
■Tue fillue nga Enveri, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Bedri Spahiu, Tuk Jakova, Beqir Balluku, Gogo Nushi, Hysni Kapo, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Spiro Koleka, Kadri Hazbiu, Petrit Dume, Mihallaq Zeqishti, Shuajp Panariti, Aranit Çela, Niko Çeta, Haxhi Lleshi, Zoi Thëmeli, e deri tek Ramiz Alia… per mos me vazhdue, se lista e tyne asht e pafund… janë pikrisht ata, që “ua kanë tha zemren” këtyne pasuesëve të tyne, që shihni me surratin e tiranit të Popullit Shqiptar. Një trashigimi vrastare e pashoqe!
■E cili nga presidentët që u betue për “demokracinë” mbas vitit 1992, nuk vazhdoi me përpikmeni rrugën e këtyne paraardhësve, që ua kanë gjymtue trunin halabakëve dhe aventurierëve kundrabandistë e mafiozë të Shqipnisë së “Re” të shek. XXI ?!
■Besoj se, vetem Shqiptarët “pranojnë me u sundue” nga debilë, të sëmurë psiqikë, me të meta mendore, sifilitikë, magallomanë, gënjeshtarë, somnambul, amfibë, anamedas analfabetë, shumica anormalë e antinjerzorë, arixhinjë, arqiomarksistë dhe asgjësues, kafshë aziatike, banditë barbarë, dallkaukë, atentatorë e vrasës të pabesë, borxhli dhe hajdutë, bylykbashë e gjithshka tjetër, që vërteton se janë Antishqiptarë! – Garancia!
■A ka kafshë tjera në Botë që mbas 100 vjetësh vazhdojnë me thirrë: “Duam Babën”?!
■Me këta tiranë bisha mendojnë Shqiptarët me shkue në Bashkimin Europjanë?!
■Shqiptarë, jeni tue provue se po vazhdoni me kenë “me bisht”…
*Nga cikli:Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…
Melbourne Dhjetor 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: duam baben, Fritz radovani, terroristet

SHQIPTARËT E NJU JORKUT I MBYLLËN FESTIMET E DITËS SË FLAMURIT ME NGRITJEN E DRONIT

December 1, 2014 by dgreca

Në festimin përmbyllës organizuar nga ansambëlmeni Mark Gjonaj të Dielën me 30 nëntor në Maestros u ngrit Droni me Flamurin kuq e Zi dhe Flamurin Amerikan./
Nga Dalip Greca/
Ndeshja e përfolur e futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë, përveçse një tensioni dramatik në kohëndodhjen mes dy kombeve, na la pas dhe një imazh simbolik kombëtar, gati e kishim harruar pikërisht simbolikën e shpalljes së Flamurit Kuq e Zi në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Realisht në Vlorë nuk u shpall ajo që ne e quajmë jo rrallë “Shqipëria Londineze”, jo, në Vlorë u shpall Shqipëria natyrale përderisa përfaqësuesit ishin nga të gjithë trojet. Në atë akt simbolik të ngritjes së Flamurit ishte e përfaqësuar e gjithë Shqipëria përderisa të gjitha trojet etnike kishin aty përfaqësuesit e vet: Shqipëria, Kosova, shqiptarët e Malit të Zi, ata të Maqedonisë dhe Çamëria.Kjo pjesmarrje tregon se me 28 Nëntor u shpall e pavarur e gjithë Shqipëria, pavarësisht okupimit apo uzurpimit të bërë me dekrete apo symbyllje Evrope. Simbolika shprehej edhe me praninë e dy figurave qëndrore Shqipëri-Kosovë; Ismail bej Qemali dhe Isa Boletini. Pikërisht këtë simbolikë, të njësimit të Shqipërisë Natyrale-Harta në mes- e rrethuar nga të dy anët prej atit të Pavarësisë Ismail Bej Qemali dhe Isa Boletini, përcolli Droni -enigmë i ngritur në Beograd gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, ç’ka Beogradi e konceptoi dhe e interpretoi si simbol të “Shqipërisë së Madhe”.
Tash këtë simbolikë e gjejmë gjithëandej, në iamzhe televizivë, fotografikë, në veshje-bluza, në tatauazhe, në etiketa, por ja që u bë dhe simbolikë përkëtej Oqeanit në festa. Gazeta më e vjetër e shqiptarëve të Amerikës “DIELLI” 105 vjeçar, zgjodhi si emblemë të festime në botimin e vet të 26 Nëntorit 2014, një botim me 108 Faqe, numër special kushtuar Pavarësisë, pikërisht simbolikën e atij imazhi që kishte Droni i ngritur mbi qiellin e Beogradit: Në një sfond të zi të faqes së parë, me hartën e Shqipërisë natyrale, e rrethuar anash nga portretet e Ismail bej Qemalit dhe Isa Boletinit. E punuar mjeshtrisht nga dizajneri prizrenas Hazer Hajrullaga, gazeta Dielli, ishte nga më të pëlqyerat në këtë edicion dhe më e kërkuar. Shumë porosi janë marrë për këtë edicion nga shqiptarët që nuk janë të abonuar si në Europë, Kanada e Australi.
***
…Por një befasi e këndshme ishte edhe momenti festiv i Ditës së Flamurit nga ansambleisti shqiptar në Ansamblenë e Shtëtit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, organizuar pasditen e së Dielës me 30 Nëntor në mjediset e restorantit Maestros.
Pas pjesës solemne të festimit, ku morën pjesë rreth 600 veta, të pranishmit po prisnin me padurim që të shfaqej enigma e paralajmëruar, por kurrësesi nuk ua rrokte mendja se ishte fjala për një Dron. Pas perdes së kuqe që ndante sallën nga vendi ku qëndronte i fshehur droni, nuk dukej asgjë, por pas 3-4 minutash, një zukatje e lehtë, heqja e perdes, dhe u shfaq Droni “magjik” ku në mënyrë horizontale ishin instaluar dy flamuj të vegjël, Flamuri Amerikan dhe ai Shqiptar. Pjesmarrësit e shumtë, shqiptarë dhe amerikanë brohorisnin dhe lëshonin thirrje entuziaste. Pasi e përshkoi të gjithë sipërfaqen gjatësore të Maestros, duke fluturuar në gjysëm lartësinë e sallës, droni u ul, duke krijuar një atmosferë kënaqësie. Një lojë e bukur dhe shumë e duartrokitur. Simbolikë e gjetur.
Po cila ishte kronika e këtij takimi festiv organizuar nga amerikano-shqiptari më i suksesshëm në politikën amerikane, Mark Gjonaj?
Ashtu siç ishte njoftuar nga rrjetet sociale si dhe media lokale, përfshi dhe TV 12 në Bronx, në orën 2 të pasmesditës restoranti Maestros nisi të mbushej me shqiptarë dhe amerikanë. Salla ishte e mbushur me simbolet tona kombëtare dhe flamuj amerikanë. E konceptuar si veprimtari festive, ku gërshetohej oratoria e folësve me shfaqjen artistike, në restorant u servirën edhe ushqime të bollshme dhe pije.
Për katër orë e gjysëm shqiptarët dhe amerikanët festuan së bashku dhe ndoqën fjalimet dhe programet artistike.
Festën e ka hapë e reja Iliriana Zeneli, e cila ka përshëndetur në shqip dhe anglisht:Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar!
Happy Albanian Flag Day!
Hymnet Kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë janë përcjellë me solemnitet.
Dom Pjetër Popaj, famullitari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” ka bekuar festën e Flamurit dhe Pavarësinë e Shqipërisë. Dom Popaj evokoi qëndresën dhe luftrat për liri të kombit shqiptar, që në kohën e Gjergj Kastriotit, që udhëhoqi luftën kundër Perandorisë Otomane; më pas përmendi luftën e malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve, luftë që u finalizua me ringritjen e Flamurit në Vlorë me 28 nëntor 1912. Famullitari Popaj falenderoi Amerikën për ndihmën e madhe që i ka dhënë Kombit shqiptar. Në qendër të fjalës së tij ishte dhe Nënë Tereza, si dhe vizita historike e Papa Françeskut më 21 shtator 2014 në Shqipëri.
Ansambleisti Mark Gjona e ka ngritur sallën në këmbë me fjalimin e tij, ku evokoi trimëritë dhe kontributet shqiptare përgjatë historisë. Jashtë vëmendjes së tij nuk u lanë marrdhëniet e hershme të shqiptarëve me Amerikën, vlerësimin amerikan për heronjët dhe kulturën e historinë shqiptare; ai përmendi edhe poemën e Gjergj Kastriotin të shkruar nga amerikani i madh i letrave, Longfellow, ndihmën e madhe që dha presidenti amerikan Wilson në mbrojtjen e pavrësisë së Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore-në konferencën e Paqes në Paris, apo presidenti Klinton gjatë luftës në Kosovë.
Në veprimatrinë festive kanë përshëndetur edhe Jeffrey Klein-senator i shtetit të Nju Jorkut, përfaqësues për Bronxin dhe Westchester Counties, Michael Benedetto, ansambëlmen i Distrikit 82 në Bronx, si dhe nga Unioni 32BJ SEIU, BJCC: Komunitetit Këshilli i hebre në Bronx etj.
Në përshëndetjen e tij ambasadori i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, Ferit Hoxha, nuk i ka kursyer komplimentet dhe vleresimet e larta për ansambleistin e shtetit të Nju Jorkut, shqiptarin e lindur në SHBA, Mark Gjonaj, tek e ka quajtur kampion, heroi, inspirus për shqiptarët. Ai ka falenderuar dhe amerikanët pjesmarrës ne kete feste madheshtore. Pas tij, Konsullja e përgjithshme e Kosovës, Vlora Çitaku ka uruar festën dhe ka përgëzuar z. Gjonaj.Ajo tha se 28 nëntori nuk ëshët vetëm i Gjegj Kastriotit Skënderbeu e Ismail Qemalit, por edhe Adem Jasharit! Po ashtu, diplomatja e Kosovës, ka falenderuar pjesmarrësit e shumtë, të cilëve u ka thënë: Edhe pse ju ndanë një Oqean me vendlindjen, ju vazhdoni ta doni, ta respektoni, t’i ruani zakonet e kombit tonë!
Më pas koncerti artistik i përgatitur nga fëmijët dhe drejtuesit e tyre kanë argëtuar pjesmarrësit. Fëmijët e Stamfordit-CT, të drejtuar nga Mhill Velaj,si dhe ata të Shkollave shqipe në Bronx dhe Shkollën Alba Life në Brooklyn dhe Staten Island, dhe Paterson, New Jersey, të veshur me kostume kombëtare nga vise të ndryshme të trojeve shqiptare, kanë kënduar e kanë kërcyer në ritmet e valleve janë përshfirë dhe të rriturit.
Meda, Arberie Hatergjonaj dhe kengetare te tjere kane performuar ne kete festim masiv.
Ishte një festim përmbyllës ky i shqiptarëve në Amerikë për 102 Vjetorin e Pavrësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit Kuq e Zi!
Në këtë festë ishin dhe shumë vatranë dhe familjet e tyre.
Faleminderit Mark Gjonaj!
(Fotografite i gjeni ne adresen tim ne facebook)

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, e Ditës, NGRITJEN E DRONIT, SË FLAMURIT ME, SHQIPTARËT E NJU JORKUT I MBYLLËN FESTIMET

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4256
  • 4257
  • 4258
  • 4259
  • 4260
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT