• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHËRBIMET FUNERALE DHE VARRIMI I ADRIOLA SPAHIU, KRYHEN TË SHTUNËN, 18 TETOR

October 15, 2014 by dgreca

Sic na njofton Familja e Adriatik dhe Lola Spahiu nga Florida,shërbimet funerale për vajzën e tyre të ndjerë, Adriola, që humbi jetën gjatë një aksidenti tragjik të Martën me 14 tetor, do të kryehen Ditën e Shtunë nga ora 11 a.m deri në orën 1.00 pm.
Shtëpia mortore PVV (Ponte Vedra Valley), ku do të kryehen shërbimet mortore, ndodhet në adresën:

4750 Palm Valley Road
Ponte Vedra Beach, FL 32082
Tel. 904-285-1130
Varrimi do të kryhet nga ora 1 p.m deri në 2 pm.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Adriatik e Lola Spahiu, Adriola Spahiu, e bija, sherbimet funerale

Shqiptarët e Amerikës demostrojnë me flamurin shqiptar që fluturoi në stadiumin e Beogradit

October 15, 2014 by dgreca

Fotografitë që po postohen në rrjetet sociale facebook- twitter tregojnë, atë; se futbollistat e kombëtares kuq e zi kanë marrë mbështetjen dhe përkrahjen e fuqishme nga shqiptarët nëpër botë. Ashtu siç tregon edhe kjo fotografi e cila flet më shumë se 1000 fjalë dhe, është duke na treguar me këtë rast se – sa sa është rritur krenaria kombëtare edhe tek shqiptarët e Amerikës/
Nga Beqir SINA – New York/
STATEN ISLAND NY:Siç shihet në një foto të publikuar, sot në rrjetin social facebook – një shqiptarë në Nju Jork, me anë të një stickers të madh – e vendosur në pjesën e xhamit të mbrapëm të një minivene ngjyrë të zezë, ka bërë të ditur se ai ka mbështetur flamurin shqiptarë, me mbi shkrimin Shqipëri Autoktone, dhe Jemi 1- i cili fluturoi në mes të Beogradit, në ndeshjen kualifikuese të Euro 2016, Serbi-Shqipëri – mbrëmë.
Bëhet fjalë për atë sesa krenar janë ndier shqiptarët e Amerikës – kur një drone e telekomanduar në mes të cilës ishte flamuri kombëtar shqiptar, i stolisur me një hartë të kuqe të Shqipërisë Etnike, dhe me mbishkrimin “autokton” (“autoktone”) dhe dy protretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit .
Kjo ndodh ndërkohë, që shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë, shqiptarët e Kosovës Lindore, në Mal të Zi, Maqedoni, Çamëri dhe diasporë mbrëmë nën një atmosferë jashtëzakonisht sportive, kanë përcjellë ndeshjen kualifikuese, e vlefëshme për Euro 2016 midis Serbisë dhe Shqipërisë.
Gjatë ndeshjes shqiptarët, këtu në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada – kanë krijuar një atmosferë, e cila ka qenë e paparë ndonjëherë, dhe për t’u mbajtur mend gjatë – të paktën kështu ka qenë këtu në Nju-Jork, dhe në vende të tjera – siç treguan fotografitë e postuara në rrjetin social facebook, nga shqiptarët.
Kudo në vendbanimet shqiptare në SHBA dhe Kanada – duket se është ndezur me të vërtet atmosfera e cila ka vazhduar jo vetëm dje në mbrëmje, por edhe pas ndeshjes, derisa sot kudo sheh shqiptarët e Amerikës të veshur me bluzat kuqezi dhe mbajnë në vende të dukshme të makinave të tyre flamurin kuqezi.
Në çdo klub e lokal shqiptarësh, por edhe në shtëpitë e tyre atmosfera e krjijuar, dje gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri, ka krijuar emocione të mëdha kombëtare.
Fotografitë, që po postohen në rrjetet sociale facebook- twitter, po tregojnë atë se futbollistat e kombëtares kuq e zi kanë marrë mbështetjen dhe përkrahjen e fuqishme nga shqiptarët nëpër botë. Ashtu, siç tregon edhe kjo fotografi e cila flet më shumë se 1000 fjalë dhe, është duke na treguar me këtë rast se – sa sa është rritur krenaria kombëtare edhe tek shqiptarët e Amerikës.

Filed Under: Komunitet Tagged With: demonstrojne, e Ismail Qemalit dhe Isa Buletinit, me Flamurin, Shqiptaret e Amerikes

PARA E PAS BEOGRADIT…

October 15, 2014 by dgreca

Ne Foto:Djegia e Flamurit te NATO-s ne Beograd/
Shkruan:Ramiz LUSHAJ/
1.Shqipëri-Serbi, sipas dy përçaktimeve profetike nga dr. Sali Berisha në pasditen e djeshme në fb, do të ishte një “ndeshje e historisë” dhe “ndeshje e ndeshjeve”. Një parashikim gjenial i një burrshtetasi. Sigurisht, ia tejkalonte edhe çdo skedine asosh të llotove, çdo komentatori sportiv.
Kjo ishte ndeshja e parë në histori në mes Shqipërisë Etnike e Serbisë së mbetur nga shpërbërja e Jugosllavisë së Tretë të Millosheviçit.
Një ndeshje e shumëfishtë.
Një ndeshje që bani histori…
2.Në kit’ ndeshje futbolli të pazakontë Serbi-Shqipëri ndodhi hyjnisht që Topi në fushë u kthye në Glob me Hartën e Shqipërisë Etnike, Natyrale, të Vërtetë.
Shqipja e Shqiptarëve i ka krahët e hapur. Në simbolikë është krahapur. Ndaj fluturoi kaq madhnisht pas Krujës e Vlorës në zemër të Beogradit, ish tokë etnike ilire e pushtuar e aneksuar nga serbët.
Edhe serbët kanë në flamurin e tyre shqiponjën. Po a e keni parë si është ajo?! Në simbolikë është me kthetra të mbyllura, gati për t’i ngul në toka shqiptare, mbi jetët shqiptare. Ajo nuk e harroi zakonin e vet të vjetër as në ndeshjen Shqipëri-Serbi.
Serbët, masmediat e tyre, kit’ ndeshje e çilësuan si “ndeshje e dy shqiponjave”(!) Po kjo shqiponja serbe është e huajtur nga shqiptarët e Pirros së Epirit, të Skënderbeut të Kastriotëve. Disi e tjetërsuar prej tyre.
Etimologjia e emrit shqiptar vjen nga vet fjala Shqipe. Po serbët? Krejt ndryshe. Perandori bizantin Konstandin Porfirogjeneti ka pas’ thanë atëherit: “Në gjuhën byzantine serbët quhen skllevër e në gjuhën e popullit quhen servilë”. Po a mundet serbi skllav i lidhur me pranga të urrejtjes mesjetare kundërshqiptare, serbi servil i përjetshëm i Moskës, të fluturojë mbi akujt e Luftës së Ftohtë e përtej Perdes së Hekurt, në klimën e Rendit të Ri Botëror, në oksigjenin euroatlantik, në marrëdhanie fqinjësie të mirë me shqiptarët etnik në Ballkan?! Jo. Serbët ardhaçak në Ballkan, si popull sllav u përkrahën nga të mëdhenjtë e kohnave për të ngrit shtetin e Serbisë e të tjerët në rajon dhe koha ka me e dëshmue se nuk janë aq të fortë për “Ndeshje mes dy shqiponjave”. Koha iu rezervoi sfidën panshqiptare: 14 Tetorin 2014.
3.Në kit’ ndeshje Serbi-Shqipëri nuk kishte asnjë “Merkel” shqiptar në tribunën e lidërve! As nga Shqipëria, as nga Kosova. Ata ishin në Tiranë e Prishtinë, në Vjenë e Amerikë. Kudo. Vetëm në Beograd jo. Ndoshta kjo ishte e vështirë.
Po pse të ndodhin kjo tjetra: një pjesë e klasës politike, një suitë e saj në pushtet, nuk fluturoi lart po u zvarrit poshtë. Mozomakeq. E lanë Kombëtaren me shkue në Beograd me fanellat “Digitalb” e jo me emrin e madh shqiptar “ALBANIA”. Ruajna Zot! Nuk dua ta besoj atë që po thuhet edhe zyrtarisht e publikisht: ky ishte një nga ato parakushtet për vizitën e pritshme të kryeministrit të Shqipërisë Londineze në Serbinë që don të krijojnë Jugosllavinë e Katërt (!)
Kjo që po iu kallxoj tashti më bind ma tepër për përulësinë e parë bio-politike. Ndryshe: paultësinë e sipër thanune. Dje, pikërisht dje, pak orë para ndeshjes Serbi-Shqipëri e lëshoi një “bombë” tymnajë e turpnajë klanpolitika në pushtet, në Tiranën zyrtare. Jo rastësisht u përzgjodh kjo ditë e bekuar për të sulmue Udhën e Kombit – Autostradën Durrës-Prishtinë, që e lidh shumëfish kombin shqiptar. Dhe sulmohet me të pavërteta, me sajesa, me dizinformime publike. Si edhe të tjera herë në motet 2008 e 2009. Të njëjtët njerëz. Të njejtat kulisa klanpolitike.Mazhorança don me sulmue kësisoj Opozitën e sotme, (i)ndirekt lidershipin e saj të djathtë. Edhe sikur këto rrena rrangalle të ishin të vërteta a nuk mujtën me prit edhe një ditë të nesërme apo të pasnesërme. Sado shtatanik të jenë njerëzit java i ka shtatë ditë.
Veçse po due me i thanë këtij ministrit të finançave të mazhorancës së majtë: Shkëlqim, errësimi yt i sorrtë e horror me të tilla veprime e kësofarë vepre nuk mundet me ia hjek sadopak shkëlqimin e fitores historike të Shqipeve më 14 tetor 2014 në Beograd.
Çdokush, si klanpolitikë apo suitë politike, nuk duhet me ua prek shenjtërinë ditëve të tilla të bekuara. Kit’ po se pati “vëth në vesh” do të vijnë një ditë e shpejtë e do ta kenë “pas veshit”. Kjo në kuptimin e përballtë të gjërave tek kutia e votimit dhe oda e kuvende: do të marrin ndëshkimin e Historisë, Demokraçisë, Shqiptarisë.
Si shumkush, sit ë gjithë, e (ri)lexova në fb e ndigjova në televizione, një urim të veçantë të liderit të demokratëve, Lulzim Basha. I shkurt, veç dy fjalë: Përpara Shqipe. Një mesazh i madh, me domethanie të madhe. Natyrisht për ata që kanë veshë për të dëgjuar apo dëgjue këmbanat e këtyre dy fjalëve po bien edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë…Kudo.
4.Diçka tjetër po due me thanë: Ndeshja Shqipëri-Serbi ende vazhdon…Mos ta harrojmë fitoren se nganjiherë po bahena me kujtesë të shkurtër e po na vijnë humbjet. S’po di pse e kahit na ka mbet ky zakon i dreqit.
Ne, shqiptaria kombëtare, dje tanë ditën e tanë natën kena ba Epos. Të gjitha i thamë. Gjithçka thamë. Gjithqysh thamë. Mirë bamë. Ky Epos na ka mbajt në kambë si Komb e na duhet prapë e prapë. Leni ç’ka thonë të tjerët: folklorizëm..e ku po di unë. Sigurisht dje me ditë e me natë kena shkrue një datë në histori, në mbajemendjen kombëtare shqiptare.
Sot është një Ditë e re. Edhe nesër e pasnesër një ditë tjetër. Shqiptaria atje në Beograd bani të veten. Çka duhet me ba ne, krejt Kombi Shqiptar, për Etnosin tonë, sepse jemi të ndamun në gjashtë shtete ballkanike: Shqipëri Londineze, Kosovë dardane, Mali i Zi, Maqedoni, Serbi e Greqi. Ai Flamur me Hartën e Shqipërisë Etnike nuk flutoroi kot mbi Beograd. I ka ardhë Ora Shqiptarisë…
Përndryshe, prej Sodit, edhe klasa politike në shtetet shqiptare e trevat shqiptare në Ballkan duhet ta dijnë se veç dje tanë ditën e tanë natën e kishim festë me sirena makinash e me fjalathanie e foto në Façebook. Tashti klasa politike shqiptare duhet me iu ra vet “sirenave” atje ku janë halle e ardhmëri shqiptare kombëtare. Po edhe me hy’ në “tokën e bukës” pa deklarata me të vu’ në gjumë e pa dizinformime me të lanë pa gjumë. Këto i shkojshin ma për shtat sistemit të djeshëm euro-lindor. Populli i ka votue qeveritë me i qeverisë e jo me telendis, me i lodh nga progresi i kërkesave përtej elementares, me u ushqye me vitamina të bollekut e jot ë farmaçisë. Nuk i duhen popullit vetëm liritë e Mendimit e të Besimit e të Veprimit Ekonomik, po edhe Liria e Sigurisë Ekonomike, Liria nga Frika e Shtetit…
Ndoshta është rasti i rrallë me dëshmue një qëndrueshmëri të lartë përballje për gjithçka ndodhi më 14 tetor 2014 në Beograd, jo vetëm nga politikanët e Fronit e të Ballkonit, po edhe nga Shoqëria Çivile Shqiptare në Ballkan e në diasporat shqiptare në botë. Kësaj here, si rrallë herë apo shpesh herë, duhet të jetë tekefundja një mal me deklarata publike, zyrtare, kombëtare.
Beogradi e ka domethanien e emrit: Qytet i Bardhë. Si ngahera në Histori, edhe kësaj dite, më 14 tetor 2014 në ndeshjen Serbi-Shqipëri i ritregoi botës Faqen e saj të Zezë. Pse jo, edhe prej djehit e sodit, klasa politike shqiptare në Ballkan e kudo në Botë duhet të dëshmojnë vetëveten, të jenë më Faqebardhë.
5.Serbët, qyshse në hershmëni e kanë pasë një zakon të vetin. Kur serbi e takonte serbin në tokat shqiptare të pushtuara e aneksuara e dvetshin njani-tjetrin: “Sa shqiptarë kie sundue”. E tye u rrok bashkë e rroknue fjalët serbët (sllavët) thanshin edhe ndryshe: “Sa krena shqiptarësh kie pre…”. Pra, serbët e Serbisë, Sllavët e Jugut, krajlitë e republikat sllave federale e të ndame, i shihnin e trajtonin shqiptarët sikur t’i kishin skllavë…Donin t’ua shkurtonin jetët e të ardhmen. Kjo ishte mendësi e praktikë sllave mesjetare. Edhe sot, në shek. XXI, shqiptarët e Luginës së Preshevës nën Serbi apo shqiptarët e viseve shqiptare të mbetura nën Malin e Zi e në Maqedoni përballen me neokolonializmin e vjetër e të ri sllav bash në zemër të Europës.
Ndryshe, krejt ndryshe, ne – shqiptarët kemi pasë një thanie të lashtë sa toka iliro-arbnore-shqiptare: Tungjatjeta ! Shqip e Shqiptarisht, kujdo, edhe sllavëve, iu kemi dhanë urimin tonë tradiçional me domethanien: “T’u zgjatë jeta” apo “Paç jetën e gjatë”. Kjo, se ne jemi me kulturë perëndimore, kemi rrezatue në shekuj kulturë, besë, miqësi me fqinjët. Edhe para Krishtit e Muhametit. Edhe para se të vinin Sllavët e Jugut në Ballkan. Edhe para e pas Beogradit të 14 tetorit 2014. Flamuri i Shqipeve kurrë nuk ka pri në luftna mësymëse ndaj të tjerëve, përtej trojeve të veta etnike. Po askush mbi tokë e në kit botë nuk ka mujt me ia ndal fluturimin Shqipes në Flamurin tonë Kombëtar, bashkë me Flamurin tonë Kombëtar, bashkë me Hartën e Shqipërisë Etnike, Natyrale, të Vërtetë, në të sotmen e të nesërmen kombëtare shqiptare.
Tungjatjeta, Serbi! Shqipet dinë të fluturojnë pa mujt me i ndal ndokush flutuimet e hapësirat! Ka ardh Ora e Shqypnisë…!
Sigurisht, Shqipja fluturoi edhe mbi Beograd, kryeqytetin e Serbisë, bashkë me Hartën e Trojeve Tona Etnike në Ballkan. E ngritën lart Shqiptarët kit’ Shqipe dhe po Shqipet e Kombëtares Shqiptare të Futbollit e mbrojtën Shqipen e Tyre, kit’ Simbol Kombëtar. U ngrit e u mbrojt me shpirt atdhetar shqiptar…
6.Sot, në kit’ mëngjez me gëzim të dielltë, m’u kujtue i madhi e i miri Sulejman Krasniqi, “Balzaku Shqiptar”, që po t’ia kishte mbrri kësaj dite të 14 tetorit 2014 kishte me fluturue prej lumturimit.
Kush ia ka germa kqyr horizontalisht veprën madhore “Dardanët” (1985) është mirë me ia mësue edhe një histori tipike mesjetare e sllavo-komuniste. Në faqet 32-33 të romanit të tij, tue iu referue historianit e perandorit bizantin Porfirogjeneti, që i quante në etimologji serbët si skllavë e servilë e trajtoi bukur fort kit’ çështje, dukuri, realitet. Ia ndalën veprën. O Zot, me ia çue për karton. Deshtën me i “djeg” veprën e autorin, qytetar i lindur i Kosovës e qytetar i rritur i Shqipërisë. U gjet zgjidhja. Romanit iu hoqën ato dy faqe ku flitej keq për serbët…(!) dhe doli në dritë për tek lexuesit shqiptar deri në Johanesburg të Afrikës së Jugut e do të hynte edhe në Bibliotekën e Kongresit Amerikan.
Shpesh herë gjatë historisë së gjatë ia kena shkurtue punët vedit, vendit, kombit tonë, tue i “ruejt” serbët, Sllavët e Jugut, për mos me i sharë edhe kur na kanë ba keq pambarimisht e përditë deri edhe së fundit më 14 tetor 2014 në Beograd. Eh, i kena “ruajt” për hatër të fqinjësisë, pushtetit politik, frikës autoçensurë se po na akuzojnë të tjerët, tutelës e tullatjeve nga Të Mëdhenjtë e kohnave 1878, 1913, 1919… Po tashti për ne – Shqiptarët, ka lind dielli andej kah perëndon. Jemi historikisht Perëndim, të Perëndimit. Tashti, në kapërcyell të Mijëvjeçarit të Tretë, ka riardh Ora e Shqypnisë…tek Flamuri Kombëtar Shqiptar, tek Shqipet në fole të Shqipeve.
Duket se pas 14 tetorit 2014 nuk ka me nga e me u nga kësisoj. Vet Papa Françesku I, e tha me gojë gjatë Vizitës së Tij Apostolike në Tiranë: “Shqiponja nuk e harron folenë kur fluturon lart. Shkoni fluturoni lart…” E bash njikështu ndodhi. Si në fjalët bekim e bagtim të Atit të Shenjtë. Si e kanë traditë shqiptarët. Krejt Shqiptarisht.
Tiranë, 15 tetor 2014

Filed Under: Analiza Tagged With: PARA E PAS BEOGRADIT..., Ramiz Lushaj

KONFERENCË KUSHTUAR SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI

October 15, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Nga një ftesë që më dërgoi Profesori Viktor Ivezaj i Universitetit Wayne State të shtetit Miçigan në Shtetet e Bashkuara, mësova për organizimin e konferencës së dytë ndërkombëtare, kushtuar shqiptarëve në Mal të Zi. Konferenca e parë mbi gjëndjen e shqiptarëve në shtetin malazez mbi “Historinë, Identitetin dhe Politikat e Pakicës në një Shtet të Ri”, ishte mbajtur në Universitetin e Nju Jorkut më 2012.Në ftesë thuhet se konferenca e këtij viti do të mbahet në sallën historike, “Meadow Brooke Mansion” të Universitetit Oakland në Roçester të Miçiganit, të shtunën me 1 Nëntor, 2014.
Në ftesën e nënshkruar nga profesor Viktor Ivezaj, por e dërguar në emër të bashkpuntorëve të tij, organizuesve të konferencës, profesorit Shinasi Rama i universitetit të Nju Jorkut dhe profesorit Paul Kubicek i universitetit Oakland, thuhet se mbajtja e kësaj konference, pikërisht në këtë moment, është një hap shumë i rëndësishëm për vlerësimin e përvojave shoqërore, politike, ekonomike dhe historike,të pakicës shqiptare në Mal të Zi.
Njoftohet gjithashtu se në këtë konferencë akademike prej prej një dite — e cila sponsorizohet nga Departmenti i Shkencave Politike dhe Enti i Studimeve Ndërkombëtare të Universitetit Oakland, së bashku me disa shoqata shqiptaro-amerikane nga Nju Jorku dhe nga Miçigani — do të paraqesin referatet e tyre akademikë dhe specialistë, jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara, por dhe ekspertë të ftuar nga trojet shqiptare në Ballkan dhe nga Europa.(Shikoni orogramin e bashkangjitur).Gjatë punimeve të konferencës, specialistë të fushave të ndryshme mbi gjëndjen e shqiptarëve në Mal të Zi, do të prekin, ndër të tjera, çështje siç janë arsimi, të drejtat e njeriut dhe të kulturës së shqiptarëve në trojet e veta autoktone nën Mal të Zi. Do të mbahen referate mbi subjekte siç janë qeverisja vendase, mbi aplikimin e ligjit ndërkombtar, por edhe rreth rolit që luan ose duhet tëluaj Bashkimi Europian në promovimin e të drejtave të pakicave kombëtare.
Tema e Konferencës së dytë të radhës në Universitetin amerikan Oakland, mbi shqiptarët në shtetin malazez është: “Shqiptarët në Mal të Zi: “Minoriteti — Përball Politikës së Shumicës në një Periudhë të Tranzicionit Demokratik”. Në paraqitjen e paralajmëruar të punimeve të seancave të konferencës, profesorët Viktor Ivezaj, Shinasi Rama dhe Paul Kubicek thonë se megjithëse Mali i Zi ka siguruar sovranitetin e tij si shtet i pavarur, e ardhmja e këtij shteti të vogël duket se do të jetë më e ndërlikuar se ç’mendohej më parë, ndërkohë që përpiqet të bëjë përparim drejt integrimit euro-atlantik, ndërsa në të njëjtën kohë mundohet të krijojë një identitet të ri, të themelojë institucione efektive të administratës qeveritare, të vendosë legjitimitetin politik dhe mbi të gjitha, të ruaj kohezionin shoqëror, gjë që gjatë 20-viteve të fundit, sipas organizuesve të konferencës, nuk ka dalur me shumë sukses. Ndonëse, pas pavarsisë nga Serbia, malazezëtjanë përpjekur të krijojnë identitein e vet si shtet europian me vlera dhe standarde europiane, organizuesit e konferencës thonë se politikanët dhe elitat politike të Malit të Zi, kanë dështuar të pranojnë dhe të merren me mosbarazitë, mospajtimet dhe shqetsimet e komunitetit shqiptar atje, përsa i përket pjesmarrjes së shqiptarëve në institucioneve shoqërore, politike dhe ekonomike të shtetit malazez.Si rrjedhim, ata me të drejtë theksojnë faktin, se gjëja shqetsuese në këtë mes, është vazhdimi i pothuaj të njëjtës politikë që qeveria malezeze ka ndjekur edhe në të kaluarën ndaj popullësisë shqiptare në trojet e veta autoktone, megjithëse shqiptarët në atë shtet kanë shprehur vazhdimisht ankesat dhe moskënaqsitë e tyre në të gjitha fushat e jetës shoqërore, ekonomike dhe politike të atij vendi.
Pritet që referuesit në këtë konferencë të përpiqën të venë në dukje politikën e përjashtimit që gjithnjë ndiqet nga Podgorica zyrtare ndaj shqiptarëve, politikë kjo e cila vazhdon të zhgënjejë komunitetin shqiptar në Mal të Zi.Ekspertë që ndjekin këtë situatë, thonë se gjëndja e shqiptarëve në Mal të Zi, në të vërtetë, nuk ka ndryshuar shumë ç’prej shpërbërjes së ish-Jugisllavisë.Në fakt, thonë ekspertët, shumë prej problemeve me të cilat u përballen shqiptarët e Kosovës para konflikteve të 1990-ave, në të njëjtat probleme po hasin edhe shqiptarët në periudhën e pas pavarësisë së Malit të Zi.Për të arsyetuar këtë qëndrim, ata venë në dukje se komuniteti shqiptar në Mal të Zi vazhdon të jetë viktimë e konfiskimit të tokave të tyre që i kanë pasur prona të veta gjysh pas gjyshi, ndërsa vazhdojnë presionet e asimilimit dhe të emigrimit të detyruar të shqiptarëve nga trojet e veta.Shqiptarët nën Mal të Zi ankohen gjithashtu për mundësi të kufizuara për ta në arsim dhe në punësim si dhe në fushën e zhvillimit ekonomik.Njëherazi, atatheksojnë gjithashtu edhe mungesën e programeve që promovojnë gjuhën shqipe, kulturën dhe trashëgiminë shekullore të shqiptarëve në ato troje.Siç është njoftuar kohët e fundit,si shembull i këtyre presioneve, mund të përmendet edhe shqetsimi për mundësinë e mbylljes së“Kohës Javore”, gazetës së vetme në gjuhën shqipe për shqiptarët në Mal të Zi.Nuk është e qartë nëse është vendosur endee ardhmja afat-gjatë i kësaj gazete të vetme për lexuesit shqiptarë në Mal të Zi.
Kështuqë, shqiptarët në Mal të Zi kanë arsye të jenë të shqetësuar për gjëndjen e tyre politike dhe ekonomike madje edhe ndërkohë që Podgorica përpiqet të adaptojë ligjet mbi mbrojtjen e pakicave në përputhje me standardet europiane, shqiptarët nuk kanë asnjë provë për t’i siguruar ata se — edhe nëqoftse Mali i Zi antarësohet në Bashkimin Europian, bazuar në përvojën e së kaluarës — situata e tyre nuk ka giasë se do të përmirësohet. Përkundrazi, shqiptarët me të drejtë kanë drojë se gjëndja e tyre madje edhe në të ashtuquajturin “bashkim” me Europën, nuk do të sjellë ndonjë përmirësim për ta në të ardhmen. Dhe se në vend të një statusi të përmirësuar për ta, bazuar në standardet europiane, gjëndja e tyre ka giasë se do të përkeqësohet dhe se programet e dyshimta të qeverisë, sa për sy e faqe për botën e jashtme, do të vazhdojnë të fshehin realitetin e gjëndjes jo të kënaqshme të shqiptarëve në shtetin malazez, përfshirë mohimin e lirive dhe të të drejtave të barabarta me malazezët, deri atëherë në një periudhë të ardhëshme, fatkeqsisht ndoshta jo shumë të largët — kur popullsia shqiptare nuk është më një faktor për Malin e Zi.
Organizuesit e kësaj konference, e cila sipas programit duket se do të vlerësojë pothuaj të gjitha aspektet e çështjes shqiptare në Mal të Zi, kanë për qëllim që të diskutojnë problemet të gjithë së bashku — ekspertët nga Shtetet e Bashkuara si edhe studiuesit nga trojet shqiptare në Balkan dhe më gjërë – dhe pastaj të rekomandojnë zgjidhje të mundëshme të këtyre problemeve me të cilat përballen shqiptarët atje, sepse sipas tyre, një shtet multi-etnik mund dhe duhet të veprojë dhe të punojë drejtë një objektivi të përbashkët për të mirën e të gjithëve, pa dallim. Ata shpresojnë që kjo konferencë të japë kontributin e vet duke ofruar zgjidhje nga eskpertë ndaj problemeve dhe ankesave me të cilat përballen shqiptarët në Mal të Zi dhe të japin ndihmën e tyre,nga kjo anë e Atlantikut, ndaj shqetsimeve të tyre, sidomos në lidhje me përfaqësimin e shqiptarëve në fushën politike, shoqërore dhe ekonomike të Malit të Zi. Pritet që referuesit të diskutojnë edhe faktin nëse qeveria malazeze po punon dhe vepron drejt një qeverisjeje më të mirë për të gjtihë, që më në fund, të çojë edhe në një jetë më të mirë edhe për shqiptarët autokton në trojet e veta në Mal të Zi dhe jo në përjashtimin e tyre.
Është kjo një konferencë pra, ku do të flasin ekspertë dhe akademikë të cilët në mënyrë të posaçme janë të interesuar për fatin e shqiptarëve nën Mal të Zi dhe për përmirësimin e jetës së tyre në atë vend. Është ky një rast ku akademikët do të paraqesin analizat e tyre me gjakftohësi, në mënyrë akdemike dhe pa pasione, me qëllim për të identifikuar problemet dhe ankesat reale të shqiptarëve në shtetin malazez dhe si rrjedhim ata me të njëjtën gjakftohësi do tëparaqitin rekomandimet e tyre për zgjidhjet e mundëshme dhe të paanshme, për autoritetet e malit të Zi, por edhe për entete ndërkombëtare të interesuara për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi.
Por në mos asgjë tjetër, atëherë kjo konferencë mund të jetë një rast i mirë për të nxitur një dialog të sinqert midis shqiptarëve dhe qeverisë malazeze, por edhe midis palëve të ndryshme të vetë politikës shqiptare në Mal të Zi, për të diskutuar zgjidhjen e ankesave, në një përpjekje për një të ardhme më të mirë për shqiptarët në Mal të Zi dhe për një trajtim të barabart me qytetarët e tjerë të shtetit malazez. Fundi i fundit, trajtimi i barabart i qytetarve është obligim që shteti i Malit të Zi, si shtet i pavarur ka ndaj shqiptarëve si shtetas të tij edhe në bazë të konventave ndërkombëtare dhe europiane.
Kjo konferencë përbën një hap të rëndësishëm drejtë zbardhjes së gjëndjes aktuale të shqiptarëve në mal të Zi, për të cilin organizatorët duhet të falenderohen, pasi nuk është e lehtë organizimi i një konference të tillë.Fati dhe ankesat aktuale tëshqiptarëve në Mal të Zi duhet t’i bëhen të njohura botës, por sidomos publikut amerikan. Besoj se kjo konferencë do të luaj rolin e vet në këtë drejtim. Me këtë nismë, Profesorët Shinasi Rama dhe Viktor Ivezaj po ndjekin gjurmët e dy profesorëve të mëdhej shqiptaro-amerikanë, Arshi Pipa dhe Sami Repishti, të cilët më 6 Nëntor, 1982 kishin organizuar një konferencë të njëjtë ndërkombëtare, por asaj herë kushtuar Kosovës: “Konferencën Ndërkombëtare mbi Kosovën”, mbajtur tek “University Graduate Center, City University of New York”, me një pjesëmarrje ekspertësh më të dalluar të çështjeve ballkanike të asaj kohe, amerikanë dhe shqiptarë, përfshirë, përveç profesorëve Pipa dhe Repishti, Martin Camaj, Peter Prifti dhe Anton Logoreci.Shpresojmë që konferenca ndërkombëtare e nëntorit në Michigan, mbi gjëndjen e shqiptarëve në Mal të Zi,të ketë të njëjtin sukses siç pati konferenca mbi Kosovën para më shumë se 30-vjetësh. Ajo konferencë pat shërbyer si hap i parë në tërheqjen e vëmendjes së Amerikës dhe më gjërë, mbi gjëndjen e shqiptarëve të Kosovës dhe njëkohësisht shënoi fillimin e asaj që më vonë u quajtë ndërkombëtarizimi i çështjesh së shqiptarëve në Ballkan.
Frank Shkreli

PROGRAMI I KONFERENCËS

Saturday November 1st
WELCOME:
8:30 – 9:00 a.m
.
Welcoming Remarks: Paul Kubicek
Oakland University
Introductory Remarks: Viktor N. Ivezaj,
Wayne State University

PANEL I: ALBANIAN IDENTITY AND MONTENEGRIN POLITICS
9:00 – 10:30 a.m.

Shinasi A. Rama, New York University
History and Identity: Albanians and Montenegrins
Viktor N. Ivezaj, Wayne State University
Human Rights and Ethnic Polarization Among the Albanians in Montenegro
Nail Draga, Cultural Center of Ulqin
Shqiptarët Në Mal Të Zi Në Regjistrimet E Popullsisë (1948-2011)
Chair: Agata Biernat, Nicolaus Copernicus University (Toruń, Poland)
Discussant: Angjell Gojcaj, University of Shkodra

PANEL II: ALBANIAN MINORITY POLITICS
10:30 – 12:00 noon

Agata Biernat, Nicolaus Copernicus University (Toruń, Poland)
The Albanian political activities in Montenegro and the question of Tuzi
Sabina Osmanovic, University of Shkodra
Analysis of the expectations preceding the referendum of the Albanians in Montenegro
compared to the present
Angjell Gojcaj, University of Shkodra
Discrimination of Albanians in Montenegro in Matter of Minorities Rights
Chair: Shinasi A. Rama, New York University
Discussant: Viktor N. Ivezaj, Wayne State University

CONFERENCE BREAK – 12:00 – 1:30 p.m.

PANEL III: EXTERNAL INFLUENCES
1:30 – 3:00 p.m.

Grid Rroji, City University of New York (CUNY)
Albanian Kin State(s) Foreign Policy Towards Albanians in Montenegro: The Failure of the
concept of integration as a definition of National Interest.
Paul Kubicek, Oakland University
The European Union and Minority Rights in Montenegro
Viktor Ivezaj and Shinasi Rama
The Albanian Diaspora and the Albanian Politics in Montenegro
Chair: Sabina Osmanovic, University of Shkodra
Discussant: Angjell Gojcaj, University of Shkodra

3:00 p.m.
CONCLUDING REMARKS: Viktor N. Ivezaj, Wayne State University

Filed Under: Komunitet Tagged With: Frank shkreli, KONFERENCË KUSHTUAR, ne Mal te zi, shqiptareve

Dhuna në Beograd, Serbia rrezikon humbjen në tavolinë 3-0 dhe disa ndeshje pa tifozë

October 15, 2014 by dgreca

Josef Blater ka dënuar ashpër dhunën e ndodhur mbrëmjen e djeshme në stadiumin e Partizanit të Beogradit gjatë ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë, të vlefshme për eliminatoret e Euro 2016./
Pas incidenteve të mbrëmjes së të martës në stadiumin e Partizanit të Beogradit, në ndeshjen Serbi – Shqipëri, ku tifozë serbë u futën në fushën e lojës duke goditur lojtarët shqiptarë, të gjithë sytë janë kthyer nga UEFA për të pritur vendimin e saj në lidhje me këtë ndeshje.
Sigurisht nga pala shqiptare pretendohet vendimi më i logjikshëm që është fitorja 3-0 në tavolinë për Shqipërinë dhe ndeshje pa tifozë deri në fund, të paktën të këtyre eleminatoreve, për Serbinë.
Ky besim vjen edhe nga precedentët e mëparshëm dhe nga vendimet që ka marrë UEFA në raste të ngjashëm.
Mjafton të kujtojmë ndeshjen e vitit 2010 në “Marassi” të Xhenoas, ku tifozët ultras serbë, me në krye Ivan Bogdanov (I quajtur në atë rast nga mediat italiane si “Ivani i Tmerrshëm”) arritën të bllokonin zhvillimin e ndeshjes vetëm 6 minuta pasi ajo kishte nisur. Bogdanov dogji flamurin shqiptar në atë takim si dhe nga tifozët serbë u hodhën fishekzjarre dhe tymuese në fushë, veprime që u panë edhe ndeshjen e mbrëmshme.
Kjo transfertë e dhunshme e tifozëve serbë bëri që UEFA pas një mbledhjeje 4 orëshe t’I jepte fitoren 3-0 në tavolinë ekipit të Italisë, i cili megjithëse ishte ekip pritës ishte i dëmtuar në atë rast nga dhuna e tifozerisë serbe.
Ndërsa federata serbe e futbollit u dënua me 120 mijë euro gjobë, me moslejim të marrjes së biletave për tifozët e saj në ndeshjet në transfertë për ato eleminatore si dhe me ndeshje pa tifozë për takimin e radhës (që ishte Serbi –Irlanda e Veriut) dhe një ndeshje nën vëzhgim për takimin me Ishujt Faroe të po atij viti. Ndërsa takimi I fundit i eleminatoreve të Europianit 2012 që ishte Serbi – Itali, u luajt pa tifozë në Beograd.
Por, ajo që e bën më të rëndë situatën për federatën serbe në këtë rast është se ishte vend organizator i takimit, pra nuk duhet të lejonte futjen e tifozëve në fushë dhe as prekjen apo cënimin e asnjë lojtari të skudrës udhëtuese.
Gjithashtu një tjetër rëndesë për Serbinë në këtë rast është shfaqja e ultrasit të dhunshëm Ivan Bogdanov në Beograd, i cili vuajti dënimin me 1 vit e 11 muaj burg, për incidentet e Xhenoas dhe u lirua në muajin prill të këtij viti. (ATSH-Gjergji Mima/)
Blater dënon dhunën në Beograd: Jo mesazhe politike në sport
. Kreu i Qeverisë botërore të futbollit (FIFA-s), Josef Blater përmes faqes së tij zyrtare twitter ka dënuar ashpër dhunën e ndodhur mbrëmjen e djeshme në stadiumin e Partizanit të Beogradit gjatë ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë, të vlefshme për eliminatoret e Euro 2016.
“Futbolli, shkruan Blater, nuk duhet në asnjë mënyrë të përdoret për mesazhe politike. Unë e dënojë ashpër atë çka ndiodhi mbrëmjen e djeshme në Beogradë”, vijon kreu i FIFA-s, organit më të lartë futbollistik botëror.
Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë ishte e vlefshme për turin e tretë të Gurpit I në eliminatoret e Eruopianit “Franc 2016”. Ndeshja u ndërpre në fillimin e numërimit të minutës së 43; të pjesës së parë. Shkak u bë hedhja e disa fishekzjarrëve në fushë nga ana e tifozëve vendas, ndërsa situata u përshkallëua pas valëvitjes së falmurit etnik shqiptarë në qiellin e Beogradit mbi stadiumin ku po zhvillohej takimi. Mbërthimi i flamurit nga lojtarët Serbë solli dhe përplajse fizike mes lojtarëve, si dhe hyrjen në fushën e blertë të tifozëve vendas të cilët goditën e kërcënuan lojtarët shqiptarë. Ndeshja u pezullua dhe pritet një vendim i UEFA-s mbi fatet e një takimi, që nuk duhej të kapërcente katërkëndëshin e gjelbër të stadiumit të Partizanit të Beogradit(Arbi Fortuzi)

Filed Under: Sport Tagged With: Dhuna në Beograd, disa ndeshje pa tifozë, humbjen në tavolinë 3-0 dhe, Serbia rrezikon

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4353
  • 4354
  • 4355
  • 4356
  • 4357
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT