• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ESHTRAT E SHENJTOREVE NUK SHITEN

September 16, 2014 by dgreca

Nga Rasim BEBO/
Edhe ketu ne Addison, si ne c’do vend tjeter, mblidhen shqiptaret ne fund jave per t’u takuar me atdheun. Me teper te kafeneja e te birit te shqiptarit patriot Prof. Aleko Iskalit. Kur hyne brenda ne lokal, te bie ne sy Flamuri Kombetar i shpalosur ne faqe te murit dhe nje kornize e madhe me xham te vendosur emrat e shqiptareve qe frekuentojne me shpesh lokalin. Ne te dy kthinat e lokalit qendrojne dy televizore me ekran te madh te hapur kurdohere te lidhur me atdheun. Kushdo qe vjen ketu, ndjehet se eshte ne shqiperi dhe biseda fillon dhe vazhdon per Atdhene me mall dhe lot ne sy kujtojme :
Se cili dicka do te thote nga gazeta “DIELLI” dhe “ILLYRIA”, nga internetet qe ka degjuar dhe pare edhe nga telefoni dores “kompjuter” qe lidhen per c’do kohe dhe ne moment me te dashuruit e tij ne Shqiperi. Sigurisht kapet aktualiteti per problemet e dites, si eshte fjala per avullimin e shume parave te bankes, per dekorimin e kupoles se katedrales ortodokse ne qender te Tiranes. Janullatosi, po pregatit nje skandal te ri, kerkon te ktheje shkollen Normale te Elbasanit, ne prone te kishes. Historiani dhe publicisti Arben Llalla denoncon publikisht Titullin “Qytetar Nderi” te dhene Anastas Janullatosit nga komuna e Alikos per meshen e dhene greqisht nga Janullatosi per nder te Shen Kozmait ne qershor te 2014, e cila simbas kushtetutes duhet ne gjuhen shqipe. Per festimin e ditelindjes se Shen Kozmait ne fshatin Kolkonda te Fierit, por kete Janullatosi e ka kryer nga viti i lindjes 1714, ne vitin e ekzekutimit me 24 gusht 1779. Nga gazeta “DITA” 15 gusht 2014. Flitet se do ti festohet me madheshti si asnjehere 300 vjetori i lindjes se Shen Kozmait, ne fshatin Kolkonda, pregatiten ftesat, nga Greqia do vijne “palikare” mbi 50 autobuza me greke te kendojne e te vallzojne. Janullatosi po ben nje pregatitje me fshetesi te plote dhe larg vemendjes se mediave. Shen Kozmai per greket eshte “apostuli i helenizmit”, kurse per shqiptaret njihet si nje antishqiptar qe mallkoi gjuhen shqipe. Pati protesta se Kozma Etoli eshte vrare si spiun dhe antishqiptar, me 24 gusht 1779 ne fashtin Kolkondas te Fierit. Nje grup intelektualesh shqiptar do te marrin se shpejti nisiativen te perkujtojne Marko Bocarin, nje kapiten suliot nga cameria, nje hero i rrevolucionit shqiptaro-grek. Per kete jane porositur kumtesat nga disa historiane. Do te flitet per fjalorin shqip-greqisht te Marko Bocarit, per kontributin ne lufte per pavarsi te shtetit mikes shqiptaro-grek qe u tradhetua nga greket e pabese qe i vrau me rradhe udheheqesit shqiptare. Do te kete koncerte dhe ekspozita fotografike. Shkurt, nje verprimtari historiko kulturore.
Zhvillohet nje kritike pa i nxjerre koken ne shesh, per Fullanomanine, nga Roland Gjoza/Nee York/. Bankierin Santo e vrane se s’ishte si Fullani, Fullanin e burgosen se s’ishte si Santo. Banka eshte shpirti i mekanizmit, motorri i makines shteterore. S’duhet nje Santo, por nje Fullan, qe te perdoret, prandaj i dyti s’u vra se ishte ne sherbim, ndersa i pari u vra se ka kundershtuar, ose ka tradhetuar klanin e zhytur ne krim. Gjerat s’do te dalin (“DIELLI”, 6-9-‘14).
Nga Elita Bucpapaj, “…protestojne perpara parlamentit te shqiperise me moton : “Nese nuk shkarkoni kryetarin e bordit te BSH, ma kthe voten qe te dhashe dhe largohu ti deputet, sepse ti nuk me perfaqson as mua as ata 12,000 firmetare te peticionit anti-Fullan” …duam shtetin e se drejtes, jo shtetin e kupoles, per femijet e kupoles, per partiaket e kupoles. …t’i paralajmerojme deputetet e keti parlamenti, o me popullin o me kupolen. …a nuk jane bijte dhe bijat, grate e burrat e deputeteve dhe ministrave te keti parlamenti ! po ne e rrezuam diktaturen qe te shpetojme nga Nexhmia dhe nomeklatura, jo qe te biem ne thonjte e nexhmijeve, fullaneve dhe nomeklatures se kupoles (“DIELLI” 1-9-2014)
“Gazeta 55”, me 28-4-2014 shkruan : Rama, deri tani, ka hedhur themelet e katastrofes. Ai premtoi se edhe ne kushtet e nje keq qeverisje ekstreme, ai do te mbijetoje ne pushtet permes formave te ndryshme te dhunes” (gazeta 55 28-4-2014)
Parate e firmave piramidale perfunduan ne Athine, po edhe milionat e kohes se fundit po ate rruge kane marre, per tek komisari grek Janullatos, i cili po e kthen Shqiperine ne ngjyren helenike, kjo eshte e vertete, qe stonojne ta thone trroc.
Muhabeti kalon ne te gjitha trevat shqiptare. Kujtohet ardhja e Anastas Janullatosit pas firmes se Ramiz Alise, qe i’u hap rruga dhe vjen ne Shqiperi ne korrik 1991 dhe pas mirseardhjes se ngrohte qe i beri kreu i politikes Shqiptare, Sabi Godo.
Janullatosi ne fillim i’u hodh manastirit te Ardenices, ku Skenderbeu kishte bere martesen me Donike Arianitasin dhe deklaroi se Skenderbeu e ka emrin Jorgo dhe eshte grek. Kerkon eshtrat e Shen Kozmait, biseda zgjerohet dhe i flasin kujteses. Njeri nga zoterinjte do te qendroje unanim : Janullatosi ngarkoi prifterinjte per te gjetur kockat e murgut Kozma. Mbas disa muajve te vizites ne manastir te Ardenices, Janullatosi dergoi atje tre prifterinj per te gjetur kockat e Kozmait. Musafiret ne manastir kerkuan gjithandej bashke me personelin e vendit dhe nuk dhane asnje drejtim. Ky shqesim i prifterinjve qe leviznin brenda dhe jashte manastirit, i ra ne sy plakut qe ngrohej ne diell ne ane te allise larg rreth tridhjete deri dyzet metra. Ai ngrihet dhe u thote prifterinjve dhe u thote se cfare i shqeteson, ata nuk ja varen plakut duke i thene : shko o xhaxho dhe ngrohu ne diell. Ate e di vete dhe nuk duhet te ma thoni ju u thote plaku. Por ju qe keni ardhur ketu cfare kerkoni se une jam me i vjetri ketu qe para se te vinte komunizmi dhe me vone, pas prishjes se manastirit qe u kthye ne magazine, stalle lopesh. Njeri nder prifterinjt i drejtoi pyetjen. A mund te na thuash se ku jane kockat e murgut Kozma te zhvarrosura ne kohen e katrahures qe u be. Po kete me thoni se u tregoj une : ketu ne manastir ka qene nje sherbetor i mire, kur u prishen faltoret dhe varrezat, ai hapi varrin e Kozmait dhe i vuri ne nje arke metalike, mbas disa kohe nuk kishte pune ketu per te dhe iku shkoi ne vendin e tij ne Permet, emrin e tij e them afersisht dhe atje mund ta gjeni me te pyetur.
Te tre prifterinjte u kthyen ne Tirane per ta vene ne dijeni Janullatusin. Ky u gezua per rrugen e zgjidhjes dhe i nisi per ne Permet te tre prifterinjte. Nuk e kishin te vershtire per te gjetur personin ne fjale. Ai kishte nje dyqan miks ne qytet, i martuar me dy djem te rritur. Prifterit trokasin te dera e dyqanit dhe pasi u prezantuan me te zotin e dyqanit i thone per qellimin e ardhjes. Tani neve duam arken e kockave te murgut Kozma. Permetari me buze ne gaz u thote : une me gjithe qejf u’a jap arken, por me pare paguani 250,000 dollare. Ne, i thone prifterit, para nuk kemi. Une arken nuk u’a jap, tha pronari i kockave te Kozmait. Ata kthehen te merzitur ne Tirane. Janullatosi, ne vend qe te merzitet qeshi dhe u thote prifterinjve ju edhe nje here do te shkoni ne Permet dhe ti thoni : “eshtrat e shenjtoreve nuk shiten, por dhurohen” se Zoti i denon ata qe shesin eshtrat e shenjtoreve. Keshtu prifterinjte u nisen prap per ne Permet. Ne nje kafe i priti Permetari i gezuar, se mendoi per parate qe do te mirrte. Kur po pinin kafe i pari i prifterinjve perseriti fjalet e peshkopit. Ne moment ndryshoi fytyren pronari eshtrave dhe me nje ton te prere u thote : “i thoni hiresise se tij, te me dergoje parate per te marre kockat” dhe i dha fund muhabetit. Po ti nuk ke frike se Zoti mund te denoje. Mua Zoti s’ka pse te me denoje per nje prift antishqiptar. Kur prifterinjte i’a treguan Janullatosit per mosbindjen e Permetarit dhe pergjigjet e tij. Peshkopi prap qeshi dhe u thote prifterinjve : mos u merzitni ai do i sjelle vete kockat e Kozmait, bile do te kerkoje falje. Kaluan afersisht dy muaj dhe dyqani u dogj dhe u be shkrumb e hi. Permetaret flisnin se e zuri mallkimi qe i dhane prifterinjt. Por ky mallkim nuk qendroi me kaq, pak me vone i’u vra djali i madh. Atehere permetari mendoi, se Zoti me te vertete e denoi per “eshtrat e shenjtoreve nuk shiten”.dhe prandaj u denova. Permetari mori arken ne duar dhe shkoi ne Tirane duke i’a dorezuar peshkop Janullatosit dhe kerkoi falje per mekatin qe kishte bere”.
Pr. Dr. Eshref Ymeri ndermjet te tjerave thote : Janullatosi eshte i plotpushtetshem ne Shqiperi. Keshtu ne vendin tone kemi edhe Zotin e dyte Janullatos qe ka ne dore jeten.
Rasim Bebo Addison Cikago shtator 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: ESHTRAT E SHENJTOREVE, NUK SHITEN, rasim bebo

PRESIDENTI OBAMA DHE SFIDAT NDAJ ISIS-IT

September 16, 2014 by dgreca

Nga Rafael Floqi/
“Gradualisht, amerikanët kuptuan se nuk po u pëlqente politika e jashtme , që ata vetë e kishin dashur. Tani ata duan një politikë të jashtme më të vendosur dhe më të suksesshme”
Presidenti Obama ka të drejtë ta identifikojë ISIS-in, si një forcë brutale të rrezikshme, terroriste, luftarake që kërcënon rajonin, Perëndimin, dhe Shtetet e Bashkuara. Ai ka të e drejtë të nxisë çdo përpjekje për ta “dërmuar dhe më në fund për ta shpartalluar ” atë grup. Ata janë të këqij, kasapë fanatikë, të cilët kuptojnë vetëm forcën, dhe ata duhet të ndalen. Obama deklaroi se ISIS nuk është as islam e as një shtet – por ata absolutisht veprojnë në emër të Islamit (siç bëjnë shumë grupe terroriste), dhe qëllimi i tyre është që të krijojnë dhe të zgjerojnë një shtet islamik, të njohur si kalifat. Në fakt,ata kanë qenë tmerrësisht të suksesshëm për të arritur qëllimin e tyre, duke kapur hapësira të gjera toke dhe qytetet e mëdha në Siri dhe Irak, me një popullsi prej gati 8 milionë banorësh, dhe duke grumbulluar më shumë para dhe burime të tjera, sesa çdo organizatë terroriste në botë .
Sipas Presidentit Obama, ISIS “nuk ka vizion tjetër, veç masakrimit të gjithë atyre që qëndrojnë në rrugën e vet “, por kjo nuk është e saktë. ISIS ka një vizion, dhe ata kanë arritur atë me brutalitetin e tmerrshëm dhe me shumë efikasitet. Kjo përhapje “kanceri”, për të marrë hua fjalët e presidentit, nuk ndodhi brenda natës. Ajo u ndërtua dhe u rrit vit pas viti, një fakt që administrata Obama e dinte dhe e nënvlerësoi e nuk bëri praktikisht asgjë për ta ndalur, derisa gazetarëve amerikanë iu pre koka para kamerave, dhe kjo bëri që erërat politike të ndryshonin drejtim. Të njëjtën gjë bënë dhe me vrasjen e punonjësit britanik të ndihmave. ISIS me djallëzi po përdor impaktin e mass-medias me këto vrasje kanibale mesjetare, duke joshur edhe Britaninë dhe Evropën të përfshihen në terren. Duket sikur ISIS po kërkon vetë praninë e ushtrisë amerikane në terren.
Obama paraqiti një plan me katër pjesë: me sulme ajrore sistematike (duke përfshirë ato në Siri),me rritjen e mbështetjes për forcat anti-ISIS në terren (në mënyrë eksplicite duke përjashtuar praninë e trupave luftarake amerikane në terren), me rritjen e fuqisë të zbulimit dhe të kundër-terrorizmit në përpjekjet për të penguar ISIS-in të cënonte Perëndimin (ai vuri në dukje se mijëra shtetas perëndimorë janë bashkuar në xhihad), dhe vazhdimin e ndihmave humanitare për popullsitë e dëmtuara dhe të zhvendosura nga dhuna e ISIS-it. Një klauzolë duhet hapur këtu për ne shqiptarët, për rolin e radikalëve myslimanë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia në Siri. Me gjithë tolerancën tradicionale fetare shqiptare, rreziku i infektimit radikal vehabist mbetet një risk. Është fakt që gjuha shqipe figuron në pesë gjuhët në dokumentin e krijimit të ISIS-it, sa libri i fundit i Ben Blushit, “Hëna e Shqipërisë” nga fantazi mund të shndërrohet në profeci.
Pak amerikanë kundërshtojnë artikujt një, tre dhe katër të fjalimit të presidentit , (edhe pse shumica nuk do të pajtohen me deklaratën e Obamës se ai posedon autoritet për një fushatë të zgjatur ajrore pa miratimin e Kongresit), por pjesa tjetër është shumë më e komplikuar. Armatosja dhe mbështetja e kurdëve në Irakun e veriut duket e arsyeshme, por Obama gjithashtu foli për “shtimin” e ndihmës ndaj opozitës siriane, dhe i bëri thirrje Kongresit për të siguruar autoritetin dhe burimet për “trajnimet dhe pajisjen” e këtyre forcave.
Por kush janë këta njerëz? Një nga shqetësimet legjitime rreth armatosjen të “rebelëve” të moderuar në të kaluarën, është se është shumë e vështirë për të ndare të mirin nga e keqi. Vetë Obama e pat venë në lojë këtë koncept ,si një “fantazi” më 8 gusht, të këtij viti. Por tani si ndodhi të shndërrohet në politikë zyrtare? Si ndodhi ky tranzicion të quajtur fillimisht ” një fantazi totale” në qëndrimin “që le ta bëjmë këtë” në katër javë?
Nga ana tjetër, shembujt e cituar si “sukses”nga Obama, nuk ngjallin shumë besim. Ndërsa është e vërtetë që amerikanët kanë përdorur goditjet me avionë pa pilot ( drones), për të vrarë udhëheqësit kryesorë të xhihadit në vende të tilla, si: Jemeni dhe Somalia, por a është ky sukses? Në fakt, kjo çështje e luhatshme u kritikua sa majtas-djathtas. Është gjithashtu mistifikues qëndrimi kur Obama e shpall politikën e tij te likuidimit te armëve kimike të Asadit si një sukses. Presidenti vërtet tërhoqi një vijë të kuqe, që Asadi e ka shkelur në mënyrë të përsëritur dhe Shtëpia e Bardhë ka bërë deklarata të paqarta. Pikërisht, një vit më parë, Obama ishte duke u përpjekur për të krijuar rastin për bombarduar Assadin, ndërsa tani ne jemi duke bombarduar armiqtë Asadit, dhe aksidentalisht plani Putin / Kerry për çarmatim s’dihet se ku ka mbetur. Përtej afateve të shumta të ultimatumeve të humbura, qeveria jonë po e akuzon regjimin sirian për mosdeklarimin dhe mos heqjen dorë nga të gjitha stoqet e saj të paligjshme të armëve kimike siç i kërkohej (dhe siç ishte parashikuar),nga shërbimet inteligjente duke zbuluar se qeveria e Asadit vazhdonte të hidhte gaz mbi njerëzit e pafajshëm, të paktën, gjer në këtë pranverë. Në fakt,politika e administratës ndaj Sirisë ka qenë jo decizive dhe e paqëndrueshme.
Nga ana tjetër, kemi një President Obama, i cili ishte kundër luftës, dhe ri-shkallëzimit të konfliktit në Irak dhe më gjerë, sepse situata në terren, sipas tij, “ishte një rrëmujë gjigande e përgjakshme.” Kështu pati mosangazhim, injorim dhe minimizim të kërcënimin në rritje nëpër vite. Ndërsa, tani ne dëgjojmë nga presidenti se ai dëshpërimisht donte të mbante një forcë ushtarake në Irak për të ndihmuar sigurimin e tranzicionit nga ndonjë kërcënim terrorist, sado i vogël (kjo ishte pozita e tij e deklaruar për një kohë, por kjo gjë ishte kundërshtuar nga irakianët. Pra, nuk kishte zgjidhje në kohë për problemin. “Nga ana tjetër, është një lajm i mirë, që ai e filloi fjalimin duke i kujtuar botës, se Amerika është duke lëvizur përpara me planin e tërheqjes nga Afganistani, ku talebanët mesi presin gati në pritë për largimin tonë . Çfarë mund të shkojnë më keq. Kur madje dhe në qëndrimin ndaj ISIS, paraqitet një president , hiper-politik që reagon me shumë vonesë, duke mos bërë (kryesisht) gjënë e duhur, duke mos u paraqitur se ka mësuar diçka nga gabimet e mëparshme”, thonë kritikët e tij.
Ndërkohë, që Kombet e Bashkuara pohojnë se gati gjysma e popullsisë së Sirisë është detyruar të largohet nga lufta civile, e cila është përkeqësuar edhe më, ndërsa ekstremistët e Shtetit Islamik morën më tepër territore. Sekretari amerikan i Shtetit Kerry ishte javën e kaluar në një udhëtim një-javor për të ndihmuar në ndërtimin e një koalicioni global për të luftuar grupin ekstremist, që ka tronditur botën me një fushatë brutale prerje kokash dhe vrasjesh sektare. Autoritetet amerikane të zbulimit thanë se Shteti Islamik është më i fuqishëm nga sa ata kishin vlerësuar fillimisht. Agjencia Qendrore e Zbulimit, CIA, tha se grupi ka rreth 20 deri në 31 mijë luftëtarë në terren, në Irak dhe Siri. Ky vlerësim është shumë më e lartë se ai i mëparshëm prej vetëm 10 mijë luftëtarësh.
Politika e jashtme tani po vepron në drejtimin e duhur dhe me motorë të ndezur. Gjatë bisedimeve të zotit Kerry, në Arabinë Saudite, një aleat si Turqia nuk pranoi të mbështesë një plan gjithëpërfshirës të udhëhequr nga SHBA-ja për të mundur grupin militant sunit. Turqia, e cila ka një kufi 900 kilometra të gjatë me Sirinë, ka hezituar të marrë një rol aktiv në koalicionin ndërkombëtar. Luftëtarët e Shtetit Islamik aktualisht mbajnë 49 shtetas turq, duke përfshirë disa diplomatë dhe familjet e tyre, të cilët u rrëmbyen nga një konsullatë në muajin qershor. Ndërkohë dhjetë vende arabe u bashkuan me aleancën,24 anëtarëshe duke premtuar të ndihmojnë SHBA-në për të shkatërruar Shtetin Islamik kudo që të jetë, duke përfshirë Irakun dhe Sirinë. Në një deklaratë thuhet se koalicioni ndërkombëtar do të ndalojë shtimin e luftëtarëve të huaj, do të bllokojë fondet drejt ISIS-it dhe do të sigurojë ndihmë për njerëzit e terrorizuar nga grupi, kur të jetë e përshtatshme. Këto duken si “aspekte të shumta të një fushate të koordinuar ushtarake. Dhe kjo duket rruga e duhur.”
Sondazhet tregojnë një mbështetje në rritje për një politikë më të guximshme kundër grupimit të njohur si Shteti Islamik. Në një sondazh i gazetës Wall Street Journal dhe rrjetit NBC tregon se 61% e amerikanëve janë në favor të sulmeve ajrore kundër ISIS. Kurse një sondazh i gazetës Washington Post dhe rrjetit ABC thotë se 71% janë dakord për sulmet ajrore në Irak. Ndërsa 65% janë në favor të sulmeve në Siri. Një tjetër sondazh i fundit nga firma Pew, tregon se 54% e amerikanëve mendojnë se politika e jashtme e vendit nuk është aq e ashpër sa duhet.
Udhëheqësit në të dyja dhomat kanë qenë kryesisht mbështetës të asaj që presidenti dëshiron, edhe pse nuk ka grindje në radhët mes të demokratëvet dhe republikanëvet. Dhe për një tjetër pushim Kongresit javën e ardhshme, ka pak kohë për administratën për të mbledhur më shumë mbështetje për autorizimin zoti Obama po kërkon, si dhe strategjinë e tij të përgjithshëme.
Kjo detyrë do t’i bjerë Sekretarit të Shtetit John Kerry dhe Sekretari të Mbrojtjes Chuck Hagel, që të shkojnë në Kapitol Hill këtë javë për t’iu përgjigjur pyetjeve të ligjvënësve për tre ditë para se të nisë debati i katër komisioneve të ndryshme të kongresit.
“Kerry duhet të na tregojë se çfarë janë qëllimet, çfarë janë planet, dhe pse kjo mund të punojnë edhe pa çizme në terren,” tha kongresmeni Eliot Engel, demokrati kryesor në komisionin për punë të jashtme Dhomës së Përfaqësuesve për CBS News. Unë mendoj se ka vetëm një skepticizëm i përgjithshëm se pse kjo do të punojnë, dhe pse kjo është ndryshe, se pse kjo nuk do të zvarritet. Misioni ku ne do të erës deri me çizme në terren. Ka arsye të mira për të për këtë. ” Por ai mendon për trupa tokësorë arabë ne terren janë një zgjidhje e pranueshme.
Presidenti Barak Obama e përfundoi fjalimin e tij me tone patriotike dhe morale duke thënë , “Ky pra, është roli që ne luajmë për një botë më të mirë, pasi edhe vet siguria jonë varet nga gatishmëria dhe vullneti ynë për të mbrojtur kombin tonë ,duke jetuar dhe duke zbatuar vlerat njerëzore në të cilat besojmë — ideale dhe vlera të përhershme këto, të cilat do të mbijetojnë edhe pasi të jenë zhdukur nga kjo tokë, ata që ofrojnë vetëm urrejtje dhe shkatërrim”. Por a mjafton vetëm kjo retorikë? Në fjalimin e tij, Presidenti Obama nënvizoi, gjithashtu edhe nevojën e mbështetjes së dy partive kryesore për strategjinë e tij, dhe fushatën ushtarake amerikane kundër grupit terrorist ISIL, duke mirëpritur mbështetjen e përfaqësuesve të Partisë Republikane në opozitë dhe të Partisë Demokrate në Kongresin amerikan, për t’i treguar botës, siç tha ai, se “Amerikanët janë të bashkuar përballë rrezikut që i kërcënon” .
Me gjithë sondazhet që tregojnë rënie, Presidenti gjeti përsëri mbështetje në rritje për një ndryshim në politikën e jashtme që, sipas Michael O’Hanlon të Institutit Brookings ka bërë, që “Gradualisht, amerikanët kuptuan se nuk po u pëlqente politika e jashtme , që ata vetë e kishin dashur. Tani ata duan një politikë të jashtme më të vendosur dhe më të suksesshme”. dhe zoti Obama po lëviz në atë drejtim.

Filed Under: Analiza Tagged With: DHE SFIDAT, NDAJ ISIS-IT, Presidenti Obama, Rafael Floqi

Nga Nju Jorku në Frasnitë, atje ku rron ende gjaku i Arbrit

September 16, 2014 by dgreca

Nga Sergio Sejdi Bitiçi/
Në mëngjesin e bukur të 26 nëntorit 2011, shoferi na solli nga Cosenza (Kozenca) në Frascineto, për një orë, duke kaluar nëpër fushat, luginat dhe malet piktoreske, të zbukuruara me shtëpi të arkitekturës mesjetare, me vreshta të gjëra përreth autostradës Cosenza- Sorrento dhe kodra të tëra të veshura me gështenja ose ullishte, të mbjellura me estetikë, si dhe fusha me limona e portokaj. Eshtë hera e parë që ndodhem mysafir në Calabrinë panoramike, që i përngjan aq shumë viseve të Shqipërisë.
Frascineto është një qytezë e hijshme, me një popullsi prej 30000 banorësh, rrëzë mali, matanë të cilit shtrihet krahina e Campanjës (La regione di Campagna), ku më 1430 janë dyndë kolonitë më të para të shqiptarëve. Nga maja e malit shihet Vlora, ndërsa shqiptarët në Frasnitë kanë ardhur më 1480, ku gjenden deri sot.
Po sa taksia hyri në qytet, dalluam shenjën e parë, tabelën, ku shkruhej: Frascineto (Frasnitë), më vonë pamë emrat e tjerë të shesheve (piazza) dhe rrugëve, të shkruara në gjuhën shqipe, apo arbëreshe, siç i thonë vendasit, madje edhe website i bashkisë është në dy gjuhë, italisht dhe shqip. Në hyrje të kishës treqindvjeçare arbëreshe, Shën Maria e Butë, grupi i madh muzikor, Banda di Doria, priste mysafirët me muzikë tradicionale.
Kisha ishte mbushur plot atë mëngjes, për ta celebruar 50 vjetorin e priftërimit të Papas Antonio Bellusci. Ishte një festë e përgatitur me kujdes në këtë kishë madhështore, që dukej se posa ishte restauruar për rastin në fjalë, me program të pasur, që zgjati tre orë. Mikpritësit na prijnë drejtë karrigeve të rezervuara dhe na ulën në dy vendet e para. Nuk vonoi shumë dhe Papas Antonio Bellusci erdhi plot mirësi, na përshëndeti duke na përqafuar me ngrohtësi, e duke na uruar mirëseardhjen. Mikëpritja bujare arbëreshe prekej gjithkund. Pas pak një burrë elegant i moshës mesatare, m’u afrua dhe me buzeqeshje m’u drejtua, me një theks të kulluar arbëresh:
– Bitiçi?
– Po, – i them.
– Tommaso Bellusci jam, u prezantua ai. Nuk jemi takuar ndonjëherë, por unë ju njoha menjëherë, sapo ju pashë, ju njoh nga fotografitë që na ka treguar Papas Bellusci.
U përqafuam si të njohur të vjetër.Na dëshiroi mirëseardhje.Ceremonia e festimit kishte një program të pasur fetar dhe kombëtar. Skena e mbushur plot, ofronte një spektakël me petkat klerikale dhe tradicionale, që gjithë kësaj ia shtonte bukurinë grupi i të rinjve dhe të rejave, veshur me kostume kombëtare të mbarë krahinave shqiptare. Kostumet kombëtare të femrave ishin të qendisura me flori.Më ra në sy bukuria fort e rrallë e kostumeve arbëreshe. Aty mësova se arbëreshët i paskan kostumet më të bukura në mbarë Italinë! Po ashtu këta janë i vetmi grup etnik, që kanë ruajtur doket, zakonet, ritet dhe traditat e origjinës shqiptare.
U njoha me Ipeshkvin Ercole Lupinacci, i cili sapo me takoi thirri hareshëm:
– Oh Vatra! Vatra ka bërë aktivitet të madh kombëtar me 1969, kur ishte 60 vjetori i gazetës “Dielli”.Kam qenë në Boston, shtoi më tutje.
Kryetari i Bashkisë së Frasnitës Francesco Pellicano më foli rrjedhshëm në gjuhën arbëreshe. Ndërsa ish-kryetari i Bashkisë Tommaso Ferrari, me profesion inxhinier, na shoqëroi deri në mbrëmje vonë, fliste kthjellët gjuhën arbëreshe. Duke ndjekur bisedat, vërejta se me Papas Antonio-n, të rinj e të vjetër flisnin vetëm në të folmen arbëreshe, si duket ishte standardi, që kishte vendosur vetë Bellusci. Tek Liturgjia solemne e Shenjtit Jani Krizostomit që u mbajt në Frasnitë të shtunën 26 nëntor 2011 morën pjesë episkopi arbëresh, Monsinjor Ercole Lupinacci, arbëresh nga katundi i Jul Varibobës (Mbuzati-S.Giorgio Albanese) bashkë me 35 priftërinj arbëreshë, të cilët kishin ardhur për të nderuar 50-vjetorin e priftërisë së Antonio Belluscin. Liturgjia e shenjtë u mbajt në ritin bizantin-grek dhe me këngët në gjuhën greqishte, sipas zakonit, dhe disa pjesë në gjuhën arbëreshe.Kori i kishës u drejtua nga prifti arbëresh Arcangelo Capparelli nga katundi Firmoza.Ishin të pranishëm gjithë banorët e katundit me kryetarin Francesco Pellicano. Kishin ardhur dhe nga Roma dhe nga Reggio Calabria shumë miq për të nderuar dy priftërinjtë A. Bellusci, famullitari i kishës së Shën Mërisë së Fjetjes në Frasnitë, dhe ish-famullitarin Vincenzo Scarvaglione. Episkopi E.Lupinacci, kryetari i Bashkisë Ngjisk Pellicani dhe të tjeret, krahas dhuratave, vunë në dukje rolin e madh të A.Belluscit, famullitar në Frasnitë, dhe priftit V.Scarvaglione, ish-famullitar, për ruajtjen dhe mbatjen gjallë të kulturës arbëreshe dhe të traditës kombëtare. Antonio Bellusci, famullitar i Frasnitës, duke marrë fjalën në fund të Liturgjisë falenderoi jo vetëm besimtarët e pranishëm, por edhe vëllaun shqiptar Sejdi Bitiçin, vëllezërit e tij, dhe gjithë shqiptarët në Amerikë dhe në Canada, të cilët, siç u shpreh ai, gjatë udhëtimëvet të shumta të Papas A. Belluscit për çështjen e Kosovës dhe për studime etnografike, e kanë ndihmuar dhe i kanë dhënë mikpritje të madhe në vatrat e tyre. Falenderoi edhe anëtarët e Vatrës historike në Boston dhe në New York.
Pas ceremonisë u shtrua një drekë për më shumë se njëqind mysafirë, në lokalin më të mirë të vendit.Moment emocional ishte surpriza që më ofroi Papas Antonio Bellusci, i cili solli priftërinjtë tek tavolina ime dhe ata kënduan në kor këngën e Vektores.Para se të largohemi nga salla, më sollën nga një tavolinë në tjetrën, ku këndoheshin këngë arbëreshe.Kush e ka provuar aromën e këngëve arbëreshe, e ka të lehtë të kuptojë emocionet e fuqishme që përjetuam ato çaste.Zonja Rina, motra e Antonios, i dinte tekstet e të gjitha këngëve dhe u printe në shumicën e rasteve. Në grup dallohej çifti i ri; Vincenzo Frascina dhe Silvana La Rocca, që kishin zëra të bukur dhe këndonin me ngazëllim. I dëgjoja me radhë të gjitha këngët dhe zemra më flladitej nga aroma arbëreshe. Me vete thashë: Gjaku i arbërit rron dhe nuk shprishet. E lashta, gjuhë e ëmbël arbërore, rron mes vëllezërve dhe motrave të gjakut tonë! Në bllokun tim të shënimeve shkrova titujt e këngëve që u kënduan: Skënderbeg; Lule,lule; Kopile, moj kopile; Vajzë, moj vajzë. Nga fundi për të ma plotësuar dëshirën kënduan këngën “Moj e bukura More”, për të cilën, dikush që kisha afër më tha, se i pëlqente më fort versioni modern, që e transmeton Radio Tirana. Unë duke menduar se e njohin i prina këngës “Moj Korçare sa e bukur je”, ku më përcollën bukur. Në pasditen e vonë vajtëm tek lagja e vjetër e Frasnitë, ku familja Bellusci jeton me breza të tërë, për të vizituar Bibliotekën Internacionale A. Bellusci, themeluar nga vetë ai.Kjo bibliotekë është një muze, monument i vërtetë i historisë dhe kulturës shqiptare, që gjindet në shtëpinë ku ka lindur i ati. Shtëpinë e ka rindërtuar me duart e tij i vëllai, Tommaso, me material tradicional, gurë e beton, duke i ruajtur trarët dhe dërrasat origjinale të shtëpisë. Biblioteka ka më se 10000 libra në dy tre katet e shtëpisë, që mbetet gjithmonë e hapur dhe është e vetmja bibliotekë që funksionon. Në njërën nga odat e shtëpisë janë të instaluar vegje antike, ku motra e tij Rina thur basma e pëlhura artizanale të cilësisë së lartë. Papas Antonio bashkoi gjithë familjen e tij duke përfshirë edhe nipat Danile, avokat në Romë dhe Alessandro, ekonomist në Milano, të cilët janë të përgatitur ta trashëgojnë këtë thesar. Papas Antonio filloi ceremoninë duke valëvitur flamurin kuq e zi, me fjalime të matura për rastin, të gjitha të vëna në dukje me video dhe foto. Si surprizë, në shenjë mirënjohje, për pritjen që i kemi bërë Sabit Bitiçi dhe unë me vëllezër e familje, disa herë qysh më 1989, për përkrahjen e ndihmën materiale në restorantet tona, në Manhattan: Minetta, Grand Ticino, Toscana dhe Chelsea Trattoria Italiana, ku unë isha bashkë pronar me Mustafën dhe Sabitin. Përmendi gjithë antarët e AACL (Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane të formacionit të vitit 1989, në krye me Joseph Dioguardin.) Zoti Antonio Bellusci, i rrethuar nga i vëllai Tommaso, nga e motra Rina dhe nga nipërit Alessandro e Daniele si edhe bashkëshortet e tyre Benedetta e Francesca, më nderoi me: “Urdhërin nderi Kulturor “Lidhja/L’Unione” për kontribut të shquar në zhvillimin të bashkëpunimit dhe të vëllazërimit të Diasporës shqiptare në SHBA me arbëreshët në Calabri, me këtë Bibliotekë Shqiptare dhe me revisten time “Lidhja”, për pavarësinë e Kosovës dhe për “Përparimin e Shqipërisë”, Frasnita më 26.XI.2011. Presidenti dhe themelluesi Antonio Bellusci, prift arbëresh me shtetësi shqiptare, gazetar shkrimtar etnolog”. Kjo ceremoni përfundoi me nënshkrimin tim të Librit të Biblotekës, ku pata nderin edhe unë të kem pjesëmarrje dhe pjesënë libër, që kanë nënshkruar intelektualët më të njohur të kombit, nga mbarë bota. Nënshkrimi im u shndërrua në koment e dedikim me hapsirë një faqe, ku shfaqa vetëm një pjesë të ndjenjave që kam për Belluscin si patriot dhe punëtor i zellshëm për kombin.Ndoshta ka qenë De Rada, por në jetën time kam njohur vetëm Tahir Kërrnajën, i cili po ashtu ka punuar vetëm për interes të kombit.Bellusci me dedikimet e veprat tij ka pasuruar kulturën e historisë tonë kombëtare. Ai më tregon me pasionin e studiuesit: arbëreshët që jetojnë në Calabri kanë ardhur nga gadishulli ballkanik në Calabri që në fund të shekullit XV pas vdekjes së Skënderbeut. Veçanërisht janë larguar nga jugu i Shqipërisë së sotme: Epiri, Himara, Dibra, dhe nga krahina të Helladhes, veçanerisht nga Peloponezi. Ne arbëreshët në Calabri, tha ai, nga e folmja, kostumi dhe mbiemrat, kemi prejardhje nga toskëria.Siç dihet toskëria, nga pikëpamja fetare, ishte ortodokse me ritin bizantin-grek dhe nën juridiksionin e Mitropolitit të Ohrit, i cili ishte nën juridiksionin e Patriarkut në Kostandinopojë. Papas Bellusci përdor të folmen arbëreshe, që i tingëllon bukur: “Kur Atrat tanë kanë emigruar këtu në Itali, – shton ai-, kishën priftrat si udhë-heqës e si kapedanë, të cilët i kanë mbajtur gjithmonë të bashkuar dhe kanë mbrojtur grupet e emigrantëve prej pushtetëve të vendit. Atrat tanë kanë gjetur strehë në vende të humbura dhe të shkatërruara, afër maleve, dhe atje ata për shekuj e shekuj kanë punuar dhe ripopulluar vendin. Dhe si besimtarë ata kanë mbajtur dhe ruajtur gjithmonë ritin bizantin-grek të Atravet të tyre si edhe gjuhën dhe zakonet e prindërve.Italianët të vendit ishin fetarë katolikë me ritin roman-latin, dhe ne arbëreshët ishëm fetarë katolikë me ritin bizantin-grek.Dhe kështu, duke luftuar shumë për ruajtje të identitetit tonë lindor, kemi mbajtur ritin bizantin, gjuhen dhe zakonet deri në ditën e sotme”, shpjegon ai.
Më pas ai më tregoi se “Papa Benedikti XV, në vitin 1919, ka themeluar dioqezën arbëreshe me ritin bizantin-grek në katundin Unger, italisht Lungro (Cosenza), dhe ka emëruar një episkop arbëresh, i cili sot ka juridiksion në disa katunde arbëreshe në Calabri dhe në Basilikata.Frasnita (Frascineto-Cosenza) është një nder ata katunde arbëreshë që ka mbajtur që nga viti 1490 (viti i themelimit) deri sot ritin bizantin-grek e Atravet tanë, gjuhën dhe zakonet arbëreshe. Afër Frasnites janë edhe këta katunde arbëreshë: Ejanina, Cifti, Shën Vasili, Ferma, Ungra, Firmoza.”
U larguam nga Biblioteka A. Bellusci me kujtimet më të prekshme dhe ai bashkë me vëllain Tommaso dhe tjetrin Tommaso Ferrari na përcollën me makinë, natën vonë. Tek Arbëreshët, në Calabria, përveç traditës, gjuhës e zakoneve ekziston edhe bujaria shqiptare, për të cilën jemi kryelartë.(Dielli-arkiv)

Filed Under: Reportazh Tagged With: atje ku, gjaku i Arbrit, Nga Nju Jorku në Frasnitë, Papas Antonio Bellusci, rron ende, sergio bitici

DARKË PËR PRESIDENTIN E SHQIPËRISË

September 16, 2014 by dgreca

VATRA DHE KOMUNITETI SHQIPTAR DO TË SHTROJNË DARKË PËR DELEGACIONIN E DREJTUAR NGA PRESIDENTI I SHQIPËRISË, Z. BUJAR NISHANI DHE DELEGACIONIN E KOSOVES/
Me rastin e vizitës së presidentit Bujar Nishani, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA në bashkëpunim me Komunitetin Shqiptar në New York,në mbrëmjen e 27 shtatorit, do të shtrojnë një darkë , ku janë të ftuar edhe klerikët e të gjithë besimeve fetare.
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe Komuniteti Shqiptar ftojnë shoqatat dhe fondacionet që të bëhen pjesë e darkës që do të shtrohet në nder të delegacionit shqiptar të kryesuar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bujar Nishani, i cili do të marrë pjesë në punimet e Sesionit të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, që mbahet gjatë muajit Shtator 2014.
Darka do të shtrohet Ditën e Shtunë, 27 Shtator 2014 në orën 7.00 të mbrëmjes në restorantin MAESTRO’S, që ndodhet në adresën:
1703 Bronxdale Ave, Bronx, NY 10462
Tel: (718) 792-8844
Vatranët dhe komuniteti janë të ftuar që të bëhen pjesë e kësaj darke.
Telefononi:
917-254-61-03, (718) 365-99-00, 917-848-3999, 914-316-0045; 917-669-2082, 917-355-1486, 914-772-2478, 973-819- 88-67; 914-76- 05-653
Për Shoqatën Camëria, rezervimet mund të bëhen përmes kryetarit Fuat Mamo në telefonin: 201-893-67-76, Për Legalistët rezervimet mund të bëhen përmes Ndrec Gjergji 718-347- 9472, për rezervime nga shoqatat e Malësisë mund të bëhen rezervimet tek koordinatori Esad Gjonbalaj në Tel: 914-4395798, për rezervime nga Shoqata Rugova mund të bëhen përmes telefonit të Shaban Lajcit 917- 445-4126,për rezervime nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane thirrni Agim Alickaj në tel:914-237-6400, për rezevime nga Bashkimi Kombëtar dhe Shkolla Shqipe telefononi tek Dede Gjonvukaj Tel- 718.933.4141 ose 718.933.4466, Për rezervime nga Shoqata e Shkrimtarëve telefononi Dede Elezaj në tel: 917-445-4126.
Mbremja eshte e hapur.

Filed Under: Vatra Tagged With: darke, komuniteti ne NY, presidenti Nishani, Vatra

Heroina e Beratit ndihmoi infermieret dhe personelin mjekësor amerikan t’u shpëtojnë nazistëve

September 16, 2014 by dgreca

Nga Timothy M. Gay/*
Emri i saj mund të mos hyjë në tekstet e historisë së Shqipërisë, por Eleni Stefa nga Berati, e cila ndërroi jetë kohët e fundit në moshën e respektuar 102-vjeçare, ndihmoi mjaft për mposhtjen e fashizmit në Luftën e Dytë Botërore. Gjatë pushtimit nga vendet e Boshtit (1939-1944), ajo rrezikoi jetën, duke strehuar njerëz në nevojë nga radhët e Aleatëve, duke ndihmuar miq dhe të afërm të shpëtonin pasuri e katandi. Ajo pa me sytë e saj se si Berati shkatërrohej nga tanket Panzer dhe bombarduesit Stuka. Ajo ishte atje kur bashkëshorti i saj u detyrua të largohet në mal dhe pastaj ndihmoi amerikanët, avioni i të cilëve ishte rrëzuar aksidentalisht në Shqipëri, që të mos binin në duar të nazistëve. Ajo i bëri të gjitha këto ndërsa i duhej të kujdesej për fëmijët dhe të jepte mësim në një shkollë fillore.
Eleni ishte ende në të njëzetat dhe bashkëshorte e re, kur diktatori fashist italian, Benito Mussolini, pushtoi Shqipërinë të Premten e Zezë të vitit 1939. Jeta e rehatshme që kishte ndërtuar Eleni me burrin e saj Kostaq ndryshoi papritur. Kostaqi, i cili fliste rrjedhshëm pesë gjuhë të huaja dhe ishte kryeinspektor arsimi në Berat, shpejt zuri pozita drejtuese në Lëvizjen Nacional Çlirimtare, që ishte një ndër elementët e ndryshëm të rezistencës ballkanike. Me mbështetjen e Qendrës së Operacioneve Speciale Britanike (SOE), LNÇ nuk e la të qetë ushtrinë pushtuese dhe shkatërroi objekte ushtarake italiane kudo në Shqipëri.
Pas kapitullimit të Italisë në shtator 1943, duke lënë dhjetëra ushtarë të endeshin nëpër kodra, në Shqipëri hyri Wehrmachti i Adolf Hitlerit. Makina e luftës e Rajhut të tretë mbështetej te kromi dhe burimet e tjera natyrore që gjendeshin në Ballkanin e jugut. Çdo shqiptar që guxonte të sfidonte autoritetin e Rajhut ose që dyshohej se ndihmonte LNÇ, rrihej ose masakrohej pa mëshirë.
Në nëntor 1943, Kostaqi, Eleni dhe pjesëtarë të tjerë të LNÇ në Berat, mësuan me tronditje se një aeroplan amerikan transporti me 13 infermiere, 13 ndihmësmjekë dhe një ekuipazh prej katër vetësh kishte bërë ulje të detyruar pranë lumit Shkumbin. Për fatin e mirë të amerikanëve, një grup i LNÇ, i drejtuar nga një zëvendës i Kostaqit, e kishte mundur armikun në vendin e rrëzimit. Partizanët i strehuan dhe i ushqyen amerikanët, pastaj i çuan në Berat, duke u ruajtur nga aeroplanët dhe patrullat e armikut.
Amerikanët arritën në Berat në këmbë, mesditën e së premtes, më 12 nëntor, vetëm pak minuta pasi aeroplanët aleatë kishin bombarduar bazën ajrore të armikut Berat-Kuçovë. Amerikanët dhe mbrojtësit e tyre shqiptarë brohoritën kur panë aeroplanët nga një shpat kodre aty pranë. Kur amerikanët hynë në qytet, ishte populli i Beratit që brohoriti. Mijëra njerëz qëndronin në të dy anët e rrugës, duke u ndierë të nderuar që po prisnin njerëz të Aleatëve, me shpresën se prania e tyre parathoshte çlirimin.
Kostaqi ndihmoi që amerikanët të parakalonin nëpër qytet. Ceremonia përfundoi në shkallët e një shkolle, ku ai përktheu fjalimet e mirëseardhjes. Atë mbrëmje Eleni u shërbeu supë dy infermiereve amerikane në shtëpinë e saj. I biri 10-vjeçar Alfredo luante rolin e kamarierit. Duke luajtur me letra me amerikanet, njerëzit e familjes Stefa u bënë shumë pyetje atyre për jetën në Amerikë dhe për ushtrinë. Çdo dy mbrëmje, Eleni dhe Kostaqi u hapnin dyert e shtëpisë infermiereve të tjera.
Në agimin e së hënës, 15 nëntor, ndodhi ajo që i frikësoheshin të gjithë në Berat. Trupat naziste sulmuan pa paralajmërim, duke e ndëshkuar qytetin për simpatinë ndaj partizanëve. Meqenëse komanda e LNÇ e kishte ngarkuar Kostaqin për të siguruar jetën e amerikanëve, atij iu desh t’i çonte ata në male. Për një muaj të tërë, ai i udhëhoqi amerikanët me guxim në dimrin e ashpër dhe në terrenin e vështirë deri sa ata hynë në lidhje me një mision të zbulimit britanik në Krushovë. U deshën tri javë të tjera marshim nëpër male, për t’iu shmangur trupave armike, që amerikanët më në fund të nxirreshin në bregdetin e Karaburunit dhe të shpëtoheshin me anije nga aleatët.
Pas luftës, Kostaqi u vu në shënjestër nga regjimi i diktatorit komunist Enver Hoxha. Ai u burgos në vitin 1947 për “bashkëpunim” të fshehtë me Shtetet e Bashkuara dhe u shpall “armik i popullit”. Vitin tjetër ai u ekzekutua mizorisht.
Eleni u mor në pyetje nga policia sekrete e Enver Hoxhës dhe u nxor nga shtëpia e saj në Berat bashkë me familjen, duke përfshirë edhe vajzën e saj të vogël. Eshtrat e bashkëshortit të saj, njeriut që ndihmoi amerikanët t’u shpëtonin nazistëve, u gjetën vetëm pas rënies së regjimit të Hoxhës 45 vjet më vonë.
Me kalimin e viteve, disa nga amerikanët që shpëtuan gjallë në Shqipëri, mësuan për kushtet e saj tragjike dhe i dërgonin asaj pak para. Por borxhi që Amerika i ka Eleni Stefës dhe popullit të Shqipërisë për trimërinë dhe sakrificën e tyre gjatë luftës kundër Hitlerit dhe Musolinit, nuk mund të shlyhet kurrë. Populli i Shqipërisë shpëtoi shumë më tepër se sa 30 jetë të reja amerikane. Ata ndihmuan të shpëtohej bota nga fashizmi.
# # #
Timothy M. Gay është autor i librit SAVAGE WILL: THE DARING ESCAPE OF AMERICANS TRAPPED BEHIND NAZI LINES (Random House-Penguin, 2013). — VULLNETI I ASHPËR: SHPËTIMI I GUXIMSHËM I AMERIKANËVE TË BLLOKUAR NË PRAPAVIJËN NAZISTE.

Filed Under: ESSE Tagged With: Eleni Stafa, Heroina e Beratit, Timothy M. Gay

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4402
  • 4403
  • 4404
  • 4405
  • 4406
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT