• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Liria! Çfare Lirie? Liria e Kujt?

July 2, 2014 by dgreca

Nga Aida Dismondy /
Kosova i mbushi 15 vjet liri në Qershor, Amerika i mbush në 4 Korrik dyqindeca vjet liri. Të dyja shtete të lira, të dala nga sundimi i një shteti tjetër. Të dyja dolën prej dëshirës për të qenë të mosvarur. Po i sjellim këto dy përqasje për të pasur një tablo ku qëndron koncepti i lirisë në këto dy shtete për të treguar sesi koncepti i lirisë të pasurit apo të mos pasurit e tij ndikon në drejtimin që merr një shtet. Çfarë lirie qëndron në to? Dhe e kujt është ajo?
SHBA u bë kjo që është sot jo nga rastësia, por ngaqë u udhëhoq prej vizionit të baballarëve të SHBA-së, njohës në plan shpirtëror të Providencës (Krijuesit). Bazuar nga ajo njohje ata përkufizuan lirinë dhe të drejtat që vijnë me të në Deklaratën e Pavarësisë, një nga dokumentat më të rëndësishëm të historisë së SHBA-së. Deklarata hapet me pohimin se në rrjedhën e historisë qëllon që kombe të lidhur me njeri-tjetrin vjen momenti që shpërbejnë lidhjet politike. Kurse shpirti i Deklaratës qëndron në pohimin se “njerëzit janë krijuar të barabartë” dhe se “Krijuesi iu ka dhënë të Drejta të patjetërsueshme, ndërmes tyre janë e drejta e Jetës, Lirisë, dhe kërkimi i Lumturisë”, se qeveritë janë përgjegjëse për t’i siguruar këto të drejta dhe se kur këto qeveri nuk përmbushin dëtyrën atëherë është e ”Drejta e Popullit për ta ndryshuar apo hequr atë, dhe të formojë një Qeveri të Re”. Qysh prej atij momenti fatlum te vitit 1776 Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë udhëhequr nga ai koncept i lirisë. Nuk ka qenë e lehtë të përmbushet, por vizioni e koncepti i Lirisë së përkufizuar prej tyre ka qëndruar e qëndron udhëheqës për të gjithë ata që marrin përsipër drejtimin e shtetit si dhe për të gjithë shtetasit amerikanë se si qenie njerëzore jemi krijuar njësoj me të drejta të patjetërsueshme.

Tani ta lëmë Amerikën dhe të udhëtojmë mbi 7000 milje përtej oqeanit, në Kosovë, në shtetin më të ri në botë, në tokën e lashtë sa Europa plakë, me liri veç 15 vjeç. Paçka se Kosova nuk pati Deklaratë të shkruar të Pavarësisë, por ajo është shkruar ka shekuj: nga Skënderbeu, tek Rilindasit, e tek çdo shqiptar që i dha vendit. Me të drejtë i jemi gëzu lirisë që fituam duhet t’i gëzohemi. Veç zhvillimet e këtyre viteve tregojnë se askush s’po e merr përgjegjësinë të formojë një vizion udhëheqës për lirinë. Çfarë përkufizimi po i japim lirisë? Kush po e formon konceptin tonë të lirisë si shtet? Politikanët që zihen apo internacionalet që përveç këshillave që japin po e mjelin Kosovën si lopën?
Liria ështe trazovaçe e duan të gjithë. Diktatorët e duan lirinë që të pushtojnë, skllavërojnë, sundojnë, dhe kontrollojnë popullatën, terroristët e duan lirinë të terrorizojnë këdo e kërkënd e të përmbysin demokracinë, serbët në veri duan lirinë e tyre të mos iu nënshtrohen ligjeve të shtetit të Kosovës, Presidentja e do lirinë të mendojë si kofini pas të vjelit të qartësohet për rolin që Kushtetuta i ka dhënë për të na dhënë ne lirinë të presim, partitë e duan lirinë për të mos u marrë vesh mes vete, mafia e të bëjë punët e pista, politikanët duan lirinë t’u tregojnë grave e vajzave të dhunuara se nuk mund të njihen si viktima të luftës, të shkolluarit e duan lirinë të diplomohen pa lexuar, unë e ti e duam lirinë tonë të bëjmë diçka të mire. Ju thamë liria është trazovaçe e nga sa përshkruam liria tek ne ka krijuar konfuzion, kaos.

Mbase në këto vite liri akoma po mësohemi të jemi të lirë, mbase kjo vjen ngaqë u mësuam kaq shumë kohë me mungesën e saj sa dinim të silleshim kur na mungonte por s’po dimë të sillemi tash që e kemi. Baballarët e kombit na kanë vdekur, kemi mbet jetimë, paçka se ata na lanë principet e lirisë të bazuara dhe ato në Providencë sikurse themeluesit e SHBA-së. Këta të sotmit janë udhëheqes pa princip, pa vizion për lirinë e kombit. Ata e kanë plasteruar vizionin e tyre të lirisë në paftyrësinë e premtimeve boshe, në korrupsionin e nepotizmin, në punesimin e kuç e maçeve të pakualifikuar në ndonjë qoshe zyre. Mbase këta e kishin një ëndërr për lirinë që donin se helbete dhe ata ishin pjesëmarrës e pjesëtarë të luftës që ra mbi Kosovë, por duket se endrra e tyre për liri vdiq ditën që morën “ofiqin”. Vizioni i tyre për lirine është kaq i qartë sa vendi po shkon turbull si i dehuri në qorrsokak.
Të mos biem në pesimizëm edhe populli është i lirë. Ai zgjohet çdo ditë i lirë duke vëzhguar lirinë e abuzuar dhe të imponuar të politikanëve e të çdokujt tjetër që përpiqet të drejtojë këtë apo atë gjë në Kosovë. Populli e merr lirinë e vet në kafene ku lirshëm shprehet se s’ka punë, se s’di a do këtë pune; ku lirshëm mendon për të shku në emigrim diku tjetër; ku lirshëm ëndërron për ditën kur të jetë i lirë me udhëtu nëpër Europë me paret që do t’i ketë fitu prej vendeve të punës së misioneve “impossible”; kur lirshëm ndonjëhere do mendojë dhe mos me e gëzu të drejtën kushtetucionale të jetes, por me ushtru lirinë me e marr atë jetë pasi s’do me u perballë përditë me femijët e uritur, që dhe ata po ushtrojnë lirinë e mbajtjes së barkut me dorë. Ky është rezultati i vizionit të lirisë së atyre në pushtet. Kaq liri ishte dhe në kohë të diktaturës. Kemi shijuar lirinë e çdokujt veç tonës si shtet s’po ia gjejmë fillin.
Çfarë lirie? Ajo që ëndërruam qëndron qartë e paketuar diku në ëndërrat tona e lidhur me shpresën si fjongo. Diku lexova se demokracia është një mënyrë jetese, është një armë në duart e atyre që kanë kurajon dhe aftësinë për ta përdorur, përndryshe në duart e çdo të paafti është veç një copë ndryshku, bërllok. Kështu dhe Liria si demokracia varet shumë nëse ata që e drejtojnë atë dinë ta manovrojnë, dinë të vlerësojnë delikatesen e saj, por dhe vlerën e saj në mënyrë që shteti të prosperojë. Vizioni i lirisë që Kosova meriton mbetet akoma për t’u shkruar ai Amerikan ishte i sukseshëm pasi njeh të vërtetën universale për çdo njeri të këtij planeti se: më së pari jemi njerëz, krijuar njësoj, e Krijuesi na ka dhënë të drejtat e patjetërsueshme të jetës, lirisë, dhe të lumturisë. Rilindit tanë i njihnin këto të vërteta e na lanë një pikënisje. Mbase duhet t’u kthehemi atyre principeve, këtyre të vërtetave universale që të shënojmë vizionin udhëheqës të shtetit të lirë.

© Aida Dismondy 29 Qershor, 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Aida Dismondy, Liria e kujt

KËTË HERË PËRKUJTIMI FILLOI NGA PRISHTINA, KU NJË RRUGË MORI EMRIN ”ÇAMËRIA”

July 2, 2014 by dgreca

E veçanta e Javës së Kulturës Çame 23-28 Qershor 2014/
Nga Arben LLALLA/
Me rastin e 70 vjetorit të Gjenocidit grek kundër popullsisë shqiptare nga Çamëria sivjet ky manifestim ishte më ndryshe se herët e tjera sepse e filloj rrugëtimin e tij më 23 qershor nga Prishtina ku njëra nga rrugët kryesore të saj mori emrin ÇAMËRIA. Në emërtimin e njërës prej rrugëve në Prishtinë me emrin Çamëria ishin të pranishëm të pestë deputetët e partisë PDIU, kryetari Shpëtim Idrizi, Tahir Muhedini, Dashamir Tahiri, Aqif Rakipi dhe Omer Mamo si dhe kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, kryetari i Lëvizjes Vetvendosjes, deputeti Albin Kurti etj. Pas këtij aktiviteti karvani i Javës së Kulturës Çame udhëtojë për në Tiranë ku në mbrëmje kryetari i shtetit Bujar Nishani dekoroj dy figura të njohura çame Abedin Dinon pas vdekjes ju dha dekorata “Nderi i Kombit” dhe historianin Ibrahim hoxhën “Naim Frashëri”. Më 24 qershor u hap ekspozita për kulturën çame. Në këtë aktivitet për herë të parë ishin të pranishëm drejtuesit kryesorë të shtetit shqiptar si kryeministri Edi Rama, kryetari i PD, Lulzim Basha, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kryetari i Partisë Republikane, deputeti Fatmir Meidiu, Ministri i Shtetit për Çështje Vendor, Bledi Çuçi, Kryeprokurori i Shqipërisë, Adriatik Llalla, deputetët Paloka, Doda, Kruja, Frroku etj.
Më tej aktivitetet për Javën e Kulturës Çame vazhduan me promovimet e dy librave “Epiri i Jugut, Çamëria” i hartuar nga një grup profesorësh ndër më të mirët në vend si dhe shoqata “Hafiz Ibrahim Dalliu” promovoi librin mbi veprën dhe jetën e shqiptarit nga Ninati i Çamërisë, Hoxhë Hasan Tahsinit.
Më 27 qershor në bulevardin Dëshmorët e Kombit u mbajt tubimi qendror ku fjalën e morën kryetari i PDIU, deputetët Shpëtim Idrizi, Aqif Rakipi, Orem Mamo, Dashamir Tahiri, Tahir Muhedini si dhe kryetari i Lëvizjes Vetvendosjes Albin Kurti i ardhur enkas për këtë aktivitet, kryetari i shoqatës Çamëria, Ardian Tana, kryetari i shoqatës Çamëria në Izmir, Izet Shimshek.
. Mbrëmja vazhdoj me këngë dhe valle çame deri në mesnatë.
Java e Kulturës Çame përfundoj me vendosjen e kurorave me lule në Kllogjer të Konispolit, aty ku gjendet varret e rreth 2.500 çamëve që vdiqën gjatë rrugës për në Shqipëri pasi forcat greke të Napolon Servës i përzunë me dhunë nga trojet e tyre. Në këtë ceremoni përkujtimore u vunë kurora me lule dhe u mbajtën fjalime nga deputetët e PDIU, Tahir Muhedini dhe Omer Mamo, kryetari i shoqatës Çamëria, Ardian Tana si dhe kryetari i shoqatës Çamëria në Izmir, Izet Shimshek. Aktiviteti përfundoj me një koncert madhështor në qytetin e Sarandës.
Java e Kulturës Çame me rastin e 70 vjetorit të Gjenocidit grek kundër popullsisë shqiptare nga Çamëria këtë herë kishte shumë gjëra të veçanta dhe të rëndësishme ku u për herë të parë jashtë shtetit shqiptar u vendoset emri një rruge me emrin Çamëria në Prishtinë, për herë të parë në një aktivitet të tillë morri pjesë kryeministri i Shqipërisë dhe shumë drejtues të shtetit, gjë që i jep rëndësi të veçante kësaj çështje kombëtare e cila pikon ende gjak. Një tjetër veçanti ishte pjesëmarrja e çamëve nga Izmiri të cilët janë përzënë nga Çamëria në vitet 1920, dhe pas shumë vitesh ata u takuan me të afërmit e tyre në Shqipëri të cilët u përzunë në vitin 1944. Isha dëshmitar i takimeve të njerëzve të një familje që nuk njiheshin, nuk ishin takuar kurrë, lot dhe mallëngjime, burrat qanin si fëmijë, kjo ngjarje ishte sa prekëse dhe tragjike. Kështu, për një javë u përkujtua 70 vjetori i Gjenocidit grek kundër popullsisë shqiptare nga Çamëria.

Filed Under: ESSE Tagged With: arben llalla, java came

KUJTESË PËR HASHIM THAÇIN

July 2, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Sapo Koalicioni LDK-AAK-NISMA bashkë me VV shprehu qartë pozicionin e vet – nga një segment ekstremist brenda PDK-së – ka filluar një agresion i hapur me kërcënime. Them brenda PDK-së. Sepse në emër të tyre kërcënojnë.
Nga ana tjetër, një segment ekstremist që mban krahun e Fatmir Sejdiut dhe klanit të Llapit, klan që ka bashkëqeverisur me Hashim Thaçin, që kanë qenë e mbetur probatina pushteti e prosperiteti, kështu thuhet në Kosovë, ka nxjerrë kokën me sulme kundër Isa Mustafës. Ata Isa Mustafën e kishin pasë aty gjithmonë, por janë kujtuar pikërisht tash, kur kanë pësuar një grusht turinjve nga rezultatet e zgjedhjeve.
Niveli i sulmeve është shumë i ulët, nga njerëz shumë të ulët dhe që nuk ia prishin drejtimin e tymit as Koalicionit dhe as Isës, veç Hashim Thaçit.
Pra dëmtojnë Hashim Thaçin. Prandaj këtë shkrim po e shkruaj si një kujtesë për të, pa asnjë dashakeqësi, si analiste.
Qeverisja shtatëvjeçare e Thaçit ka koinciduar me kosto të hidhur për shumë politikanë të Kosovës, kundërshtarë politikë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Thaçit. Përmendim këtu Haradinajn dhe Limajn, të cilët, pas një procesi të gjatë gjyqësor, kanë dalë të pafajshëm si nga Gjykata e Hagës ashtu edhe nga drejtësia në Kosovë.
Ndërkohë të tjerë bashkëpunëtorë të Thaçit, të enturazhit të tij më të ngushtë gjenden sot prapa hekurave, me akuza të rënda dhe ata logjikisht do të duan me çdo kusht që Hashim Thaçi të jetë kryeministër i Kosovës, të paktën edhe për një mandat të tretë.
Por kjo dëshirë e tyre është një impossible mission për Hashim Thaçin, sepse rezultati i zgjedhjeve nuk mund të ndryshohet.
Çfarë i mbetet Thaçit?
Të gëzojë rolin si lider i opozitës dhe ta luajë këtë rol në mënyrë sa më fair.
Thaçi nuk mund të ketë një mandat të tretë, por ai ka qenë kryeministër i Kosovës për dy mandate shumë të rëndësishme. Është kryeministër i Pavarësisë të Kosovës. Dhe për këtë do të mbetet në histori.
Thaçi ka imituar Ibrahim Rugovën në raport me SHBA, në formë, sepse natyrisht si format janë larg, por prapë është diçka shumë pozitive.
Ndërkohë Kosova ka mbetur si një Lager në zemër të Evropës. Kosova ish-viktimë e një konflikti – tani penalizohet dhe është i vetmi vend në Ballkan që nuk gëzon liberalizimin e vizave, me një varfëri drastike dhe papunësi që shkon në 70%, ndërsa korrupsioni nga keqqeverisja e ka bërë Kosovën të jetë në top listat e statistikave të organizmave ndërkombëtare. Po ashtu njohja e Kosovës nga bota është stopuar që në fillimshkurtin që shkoi. Këtë vit Kosovën deri tash e kanë njohur vetëm dy shtete, ndërsa më 2013 vetëm shtatë syresh. Pra Kosova ka ecur me hapa as të breshkës.
Në këtu kushte, Hashim Thaçi nuk mund të imponohet me asnjë sukese për një mandat të tretë. Ai duhet të dalë sa më shpejt publikisht e të distancohet nga vala e kërcënimeve që lëshohen në emër të tij.
Kundërshtarët politikë dhe ish-bashkpunëtorët e Thaçit që tashmë janë pjesë e Aleancës së shumicës pas eksperiencave të tyre me drejtësinë, ata tani detyrimisht duhet të jenë kthyer në bodyguardë të standardeve demokratike. Sepse nuk ia lejojnë vetes të kthehen atje ku kanë qenë. Aq më tepër kur tash janë fitues.
Në këtë kontekst Thaçi ka mbetur zbuluar për çdo akt dhune që segmente të ndryshme paralajmërojnë kur ai do të kalojë në opozitë. Sepse do t’i kthehet në boomerang vetë Hashim Thaçit.
Edhe sikur në Kushtetutën e Kosovës të kishte hapësira ligjore, për ta çuar vendin në zgjedhje të reja, Thaçi nuk do të kishte asnjë shans – përkundrazi, nëse Kosova do të kalonte në zgjedhje të reja, pikërisht aty Thaçi do të merrte goditjen përfundimtare, sepse humbja do të ishte shterruese për të, çka do ta detyronte të jepte dorëheqjen nga kreu i PDK-së.
Por s’ka arsye që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja, dhe kjo tingëllon si fatmirësi për Hashim Thaçin, i cili duhet të startojë punën për të përmirësuar sa më shpejt imazhin e tij nga përshtypja skandaloze që ka shkaktuar libri i Veton Surroit dhe sidomos nga pakënaqësitë e atyre që votuan kundër tij në zgjedhjet e 8 qershorit.
Nga pozita shumë komode, ai duhet të mos e vonojë më legjitimimin e institucioneve të reja të Kosovës, sikur bëri Presidentja me kërkesa infantile Gjykatës Kushtetuese, kur Kushtetuta e Kosovës flet në mënyrën eksplicite.
Sepse të gjitha vonesat e shkaktuara nga kapriçiot e Thaçit kanë kosto për popullin e Kosovës, i cili ka nevojë për një qeverisje të ndershme dhe energjike, për t’u ringjallur sa më shpejt. Kosova i ka të gjitha burimet natyrore, njerëzore dhe institucionale për t’u integruar sa më shpejt në kontinentin europian, atje ku jetojmë dhe vazhdojmë të mbetemi të ekskomunikuar për faj të politikanëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Kujtese, PËR HASHIM, THAÇIN

Zeqir Berisha, “njeriu Flamur”

July 2, 2014 by dgreca

Zeqir Berisha ka thënë një zyrtar i lart i këtij qyteti – zoti Joe Geary, drejtor operacionet për qytetin e Waterbury, “është si një ikonë ndërkombëtare për patriotizëm”. “Ziggy është e njohur në të gjithë vendin tonë,” ka thënë Geary , “Unëdo të doja të falënderoj atë për të demostruar në sheshet e rrugëve në Waterbury – për të festuar dhe treguar dashurinë e tij ndaj Amerikës.”
Nga BEQIR SINA, New York/
NEW YORK : Katër Korriku është të premten dhe në të gjithë Amerikën kemi për të parë ritualet e përvitëshme të festimit të amerikanëve të cilat kan për të nisur premten në mëngjes. Për disa, amerikan kjo është një festë që kan dëshirë vetëm t’a shijojnë me mënyrat që ata kan zgjedhur. Për të tjerët, kjo është një datë që i “obligon” të dalin në rrugë për të festuar me mënyrën e tij që tërheq edhe vëmendjen e qytetarëve të tjerë.
Dita e Pavarësisë është e lidhur si zakonisht me hedhjen e qiellin e Edorados të miljona tonaletave fishekzjarre, qindra paradave, miliona organizimeve shplodhëse nëpër parqe, paradave të karnavaleve, panaireve, pikniqe, koncerte, lojërave të ndryshme sportive, bashkime familjare në plazhe, liqene, vizita turistike, fjalime politike dhe ceremonitë me ngjarje nga më të ndryshmet të gjitha në vende publike dhe private. Njëri prej tyre, i cili është i dalluar për mënyrën e të festuarit festat Amerikane, dhe ka tërhequr vëmndjen e publikut amerikan dhe gazetarëve amerikan – është pikërishtë një emigrant shqiptar nga Kosova, Zeqir Berisha, quhet. I cili, tashmë është bër protogonistë i disa nga festat e tri ngjyrave – kuq, bardh -blu. Ose, i disa protestave me motive kombëtare …. Simbas, shtypit lokal thuhet se :”Në gati çdo 4 Korrik, për më shumë se 4 dekada, Berisha, ka qëndruar në sheshet e rrugëve, në New Haven, Waterbury, New York dhe Washington i veshur me një kosutm sportiv me të gjitha ngjyrat dhe simbolet e flamurit Amerikan – duke valëvitur një flamur të madh Amerikan – duke vallëzuar, e tërhequr vëmendjen e amerikanë në njgyrat e tyre kombëtare të kuqe, të bardhë dhe blu. Pra, duke i ftuar edhe ata të marrin pjesë në festë – edhe fituar admirimin e shumicës së njerëzve
Një gazete lokale, më e lexuara në Waterbury, shkruante vite më parë :se” Zeqir – ose “Ziggy” si ai është i njohur “affectionately” prej atyre që tashmë e njofin mirë atë – nuk është i arsimuar – por, është veçanërisht elokuent. Një herë, flet me theksin e tij të trashë ballkans dhe më pas me një anglishte të papërsosur, që të bënë shumë të vështirë për të kuptuar atë”. Megjithatë, shkruan gazeta “The Republican-American”, ai është një njeri që flet të vërteta të thjeshta pa lustrim rreth tmerreve, që ka parë në të kaluarën e tij në Kosovë, gjatë sundimit sllavo – komunist dhe tani shpreh kudo dashurinë e tij për Amerikën.
Në fytyrë, në veshje, në sjelljen e tij, në të folur, “kokë e këmbë” ai kullon patriotizmin e tij amerikan: këmishë, pantallona e tij dhe një mantel i palosur tek xhepi i xhaketës, janë të shtypura me simbolet e flamurit amerikane. Makina e tij është zbukrurua me simbolet patriotike amerikane, në të kuqe, të bardhë dhe blu dhe është e stolisur me stickers në parakolp të cilat deklarojnë mbështetjen për ushtarët amerikanë kudo që ata luftojnë.
Për Zeqirin thuhet se pasi kreu në ish-Jugosllavi shërbimin e detyruar në ushtri për dy vjet, Berisha u arratisë duke kërkuar azil politik në fillim në vitin 1964 në Austri, dhe duke lënë familjen e tij pas në Kosovë. Disa vjet më vonë, në moshën 27 vjeçare, Berisha, pati aplikuar për një kartë jeshile dhe erdhi në Amerikë. Ai ka punuar në punët më të vështira duke filluar prej nga larja e enëve nëpër kuzhina, dhe ka punuar në fabrika. Ai vendos në Waterbury, ku jetonte një komunitet i vjetër shqiptarësh, aty ku u takua me një vajzë, e cila tani është gruaja e tij dhe kan fëmijë, së bashku, natyrishtë, të rritur tani.
Duke punuar në ndërtim pjesën më të madhe të jetës së tij, Berisha nuk është një njeri i pasur. Por disi, ai ndjen një lidhje me një vend që ai ka lindur dhe më një vend ku ai jeton tanio. Kjo lidhje është mjaft e fortë në mënyrë që ai është i sigurtë se do të mbaj gjithmonë flamurin amerikan pranë atij të kuq e zi.
Zeqir Berisha, Zeqir – ose “Ziggy” si ai është i njohur ” këtu në Kenektikët – Connecticut ka emigrante nga Kosova, dhe ka dy fëmijë që kan shërbyer si marinsa në ushtrinë Amerikane.
Zeqir Berisha, i njohur më së mirë në qytetin Waterbury si “Ziggy”, ka qenë i pranishëm në çdo festim në këtë qytet për të nderuar pavarësinë e Kosovës, Berisha ka thënë një zyrtar i lart i këtij qyteti – zoti Joe Geary, drejtor operacionet për qytetin e Waterbury, “është si një ikonë ndërkombëtare për patriotizëm”. “Ziggy është e njohur në të gjithë vendin tonë,” ka thënë Geary , “Unë do të doja të falënderoj atë për të demostruar në sheshet e rrugëve në Waterbury – për të festuar dhe treguar dashurinë e tij ndaj Amerikës.”
Ai ka qenë një nga mbështetësit më të fuqishëm të luftës kundra terrorismit në Irak dhe Afganistan në kohën e administratës së Presidentit Bush, dhe përkrahjes dhe mbështetjes amerikane për Kosovën. “Këtë vend e ka parë Zoti – është vend i bekuar” therriste ai më të madhe, në mes të turmave së protestuseve, një dekadë më parë, të cilët, kish dalë të mbeshtetnin athëhere presidentin Bush kur SHBA sulmuan Irakun dhe rrëzuan Sadam Huseinin .
“Çdo të mirë e kam parë nga ky vend – unë dhe gruaja ime “, thërriste ai ndërsa gazetarët i ndiqnin veprimet e tija në atë protestë, 11 vjetë më parë. Ai u tregonte gazetarve se kur ishte nën “Ish Jugosllavi” e cila nuk egzistone më, pasi ajo u shkërmoq, atij çdo gjë i ishte mohuar, dhe se ka jetuar nën frikën dhe presekucionin policor, vetëm e vetëm se ai ishte shqiptarë. Çka dhe e detyrojë atë dhe familjen e tij të emigrojë – vjet më parë, në SHBA-së.
Mirëpo, mund të thuhet se ky nuk është rasti i parë, që shqiptarët të tregohen se kanë një dashuri të madhe për Amerikën, dhe se janë populli më pro amerikanë i botës. Siç është shprehur dhe ish Presidenti i Kosovës Rugova : “….. në miqësi të përhershme me SHBA-të”.
Një gazetari i huaj i akredituar në Departamentin Amerikan të Shtetit, thuhet se i ka thënë, zëdhënsit të shtetit Amerikan se SHBA-së i konsiderojnë: “Shqiptarët, si ‘populli i zgjedhur‘ i SHBA-së.” Ndërsa, pro amerikanizmin e popullit shqiptarë, e ka shprehur edhe vetë Presidenti Bush, senatorë, kongresmen dhe zyrtarë të lart amerikan.
Me 8 janar 1918, Presidenti amerikan Thomas Woodrow Wilson, publikoi një deklaratë mbi qëllimet e Luftës, e përbërë prej 14 pikash. Deklarata e Presidentit amerikan u dha kurajo mbarë patriotëve shqiptarë në Amerikë të : “Thërrisni rroftë Amerika / Madhëria e Tij Wilsoni / Me katërmëdhjetë pika / I thotë Evropës ndaloni”, do shkruante rilindasi i madh Fan Noli në ato vite.

Filed Under: Komunitet Tagged With: “njeriu Flamur”, Zeqir Berisha

Popullimi i territorit të sotëm të Kosovës u rrit shumë në periudhën neolitike

July 2, 2014 by dgreca

Nga GËZIM LLOJDIA/
1.Kosova është një vend ku potenciali arkeologjik është i pambarimtë. Dhjetra lokalitete arkeologjike nga rreth 400 gjithsej të evidentuara në territorin e Kosovës deri më tani dhe të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme të Republikës së Kosovës janëtë fokusuara në një guid të Kosovës e cila tregon edhe seriozitetin e punës duke bërë jo vetëm identifikimin, por edhe përcaktimin e vendodhjes si dhe të dhëna të tjera shkencore për zbulimet e territoreve arkeologjike, që ka brendia nëntoka e mbitoka e saj dhe krejt toka e Kosovës.
2.Edi Shukriu duke folur në një intervistë për pasurit arkeologjike, që mbanë nëntoka e Kosovës, ajo shprehet se: Një varg i lokaliteteve dhe i objekteve arkeologjike e meritojnë të përmenden me këtë rast, sepse Kosova ka thesar të vlefshëm arkeologjik dhe mjaft atraktiv, madje edhe për syrin e një vizitori. Sot dimë për shumë qendra dhe zona arkeologjike, peizazhe arkeologjike dhe monumente të luajtshme, për disa prej të cilave duhen jo shumë investime për t’i bërë atraktive për vizitorë. I tillë është kompleksi trashëgimor i Artanës/Novo Bërdës, Ulpianës, Vendenisit te Gllamniku, Municipiumit DD te Soçanica, Gradina e Llapushnikut, e Vlashnjës e shumë të tjera, përfshirë dhe komplekset e trashëgimisë ortodokse, që sot, mjerisht, mbahen të izoluara dhe që, pos që janë trashëgimi arkitektonike mesjetare, përmbajnë edhe trashëgimi arkeologjike. Nga objektet e luajtshme arkeologjik,e që kanë vlera shumëdimensionale shkencore e kulturore do të veçoja Monumentin epigrafik të Hyjneshës dardane nga Smira me labyrinthin rrethor unik, pikturimin shkëmbor parahistorik të Vlashnjës me drerin dhe shumësinë e spiraleve, hyjneshat neolitike që nga ato të Tjerrtores së Prishtinës, Bardhoshit, Varoshit, Mitrovicës e të tjera, si dhe Monumentin mortor nga Dardana/Kamenica, si monument guror unik dhe i rrallë, që i takon kohës së ekzistimit të shtetit dardan dhe që përmban tradita etnologjike para pushtimeve romake.
3.
Dr. Jusuf Osmani shkruan:”Gjurmët e para të banimit në Kosovë datojnë nga neoliti i hershëm (6000 vjetë para e.r.). Këto gjurmë janë verifikuar dhe dokumentuar me gjetje nga hulumtimet sistematike arkeologjike. Rezultatet e fituara dëshmojnë për një civilizim të lartë të periudhës së neolitit.
Koha e neolitit sipas studiuesve të kësaj kohe: përfaqëson etapën e fundit dhe njëkohësisht më të zhvilluarën të epokës së gurit. Ai përfshin një kohë që fillon nga mijëvjeçari i shtatë dhe mbaron nga fundi i mijëvjeçarit të katërt p.e.sonë. Arkeologjikisht neoliti ndahet në tri periudha të mëdha: e hershme, e mesme dhe e vonë.
4.
Popullimi i territorit të sotëm të Kosovës u rrit shumë në periudhën neolitike
Trualli i banuar sot nga shqiptarët, ku bën pjesë edhe territori i sotëm i Kosovës, shkruan guida turistike , filloi të popullohej shumë herët, që në epokën e paleolitit (gurit të vjetër), mbi 100 000 vjet më parë. Janë të njohura një numër i madh vendbanimesh të tilla në territorin e sotëm të Kosovës, siç janë shpellat e Radacit dhe Karamakazit, si dhe shpella të tjera më të vogla.
Popullimi i territorit të sotëm të Kosovës u rrit shumë në periudhën neolitike. Njerëzit filluan të braktisin shpellat dhe të përqendroheshin në vende të hapura. Banorët neolitike pëlqenin më shumë të ndërtonin kasollet e tyre në fusha dhe në tarraca lumore qëndrueshme, me ekonomi kryesisht bujësore.
5.
Piktura shkëmbore e Vlashnjes, Duke analizuar gjetjet dhe vendet arkeologjike të kësaj periudhe të rëndësishme thuhet se Territori i Vlashnjes gjendet në sipërfaqen e sheshtë të një tarrace shkëmbore (335 metra lartësi mbidetare) në krahun e djathtë të rrugës Prizren-Zhur, rreth 6 km në perëndim të Prizrenit. Në po këtë material theksohet se edhe vazhdimësia e jetës gjatë disa periudhave kohore si neolit i hershëm (kultura e Starçevës), neolit i vonë dhe i mesëm (kultura e Vinçës), eneolit (periudha e bakrit), periudha e bronzit, epoka e hekurit, periudha helenistike si dhe periudhat e antikitetit të vonë dhe të mesjetës së hershme. Materiali arkeologjik i zbuluar në këtë lokalitet hulumtuar në disa sezone që pas viteve dy mijë të mileniumit tonë, nxori në pah fragmente të shumta të enëve nga argjila e pjekur, vegla pune nga guri, stralli dhe kocka, si dhe zbutu Vlashnje. Fragmente të ndryshme të qeramikës me pikturim me vija gjeometrike janë dëshmuar këtu. Po ashtu edhe thika stralli, këto të epokës së neolitit, gjegjësisht të Kulturës së Starçevës, mileniumi i gjashtë, p.e.s.Figurina të ndryshme antropomorfe janë zbuluara gjatë gërmimeve të dekadës së parë të mijëvjeçarit të dytë (2002-2010), nga të cilat spikatet një figurinë antropomorfe, një ekzemplarë tipik për Kulturën e Starçevës. Periudha e Neolitit të Hershëm. Mileniumi i gjashtë p.e.s.
Prof Dr Muzafer Korkuti :Piktura shkëmbore e Vlashnjes, Në kuadrin e projektit të përbashkët midis Institutit Arkeologjik Tiranë e Institutit Arkeologjik Prishtinë, gjatë tri viteve të fundit po bëhen gërmime me karakter shpëtimi në vendbanimin prehistorik të Vlashnjës, që ndodhet 6 km në perëndim të Prizrenit (Kosovë). Drejtuesit e projektit, A.Bunguri e Sh.Gashi, më krijuan mundësinë për të parë pikturën dhe më vunë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm grafik e fotografik për pikturën shkëmboretë Vlashnjës.Piktura e Vlashnjës ndodhet 1,5 km në perëndim të vendbanimit, pranë vendit ku lumi i Prizrenit bashkohet me Drinin e Bardhë. Në një lartësi rreth 30 metra nga niveli i lumit, mbaron pyllime shkurre e lartësohen tri masive shkëmbore, të cilat me kontrastin që krijojnë me ambientin kanë një bukuri të veçantë. Pikërisht në strehën që formon njëri nga masivet shkëmbore, mendja dhe dora e njeriut neolitik ka ngulitur në faqen e shkëmbit pjesë të botës mistiko-religjioze të jetës së tyre. Piktura është realizuar në tri plane, dy plane vertikale dhe një plan horizontal (në tavan). Faqja e shkëmbit është në formë brezash-pllakash, gjë që ka kushtëzuar edhe realizimin e pikturës në tri pjesë në një sipërfaqe prej 16 m². Në tavanin e strehës janë vizatuar 8 spirale të bëra me vija të trasha me bojë të kuqe okër. Katër spiralet e para janë vendosur në grup në një distancë 20-40 cm larg nga njëra tjetra. Spiralet që janë ruajtur të plota e kanë diametrin maksimal 34 cm. Në të djathtë të grupit të parë, me largësi 70 cm është vizatuar një spirale dyshe, me diametrin e madh 80 cm dhe të voglin 37 cm. Në planin e parë (vertikal), në një sipërfaqe prej2,10m x 0,50m, janë vizatuar një kaproll dhe dy spirale. Kaprolli është dhënë në profil, në gjendje qetësie me bojë uniforme që mbulon gjithë trupin. Figura ka përmasat 30 x 28 cm. Në planin e tretë, pjesa më e poshtme e faqes së shkëmbit, në një sipërfaqe prej 2m², është vizatuar
me një spirale dyshe që nga përmasat është më e madhja, me diametër
maksimal 78cm dhe diametër minimal 38cm.Trashësia e vijave të spirales
është 2,5-3cm.Piktura e Vlashnjës ka në qendër simbolin e spirales të bërë në tërë sipërfaqen e përshtatshme për pikturim, e të përsëritur në 12 raste. Spiralet janë teke dhe në dy raste janë spirale të tipit gjyslykore.. Në pikturën e Vlashnjës kemi të realizuar edhe figurën e një dreri, kulti i të cilit
është i pranishëm edhe në pikturën e Trenit (Korçë) dhe në pikturën e
Zhlijebit (Bosnjë).Piktura e Vlashnjës është vepër e banorëve prehistorikë të këtij vendbanimi
6.
Disa lokalitete nolitike.Për Guvën e Mrrizit me simbolin e pikturuar të spirales thuhet se: paraqet një vepër të botës artistike shpirtërore të banorëve prehistorikë të këtij lokaliteti (vend kulti). Guva shkëmbore e këtij pikturimi ndodhet rreth 1,5 km në perëndim të vendbanimit të Vlashnjes në fshatin fqinj Kobaj.Nga shumë gjetje të periudhave të ndryshme historike zbuluar në Vlashnje, spikat një monedhë argjendi e emetuar në vitin 55 p.e.s. Monedha ka një peshë prej 3.72 gramë dhe ishte vënë në qarkullim për nder të edilit të Kretës, Gnaeus Plancius.
Lokaliteti neolitik i Runikut.Lokaliteti neolitik i Runikut ndodhet në komunën e Skenderajt, në fshatin Runik, e pozicionuar në pllajën e Drenicës, rreth 25 km në jugperëndim të Mitrovicës dhe rreth 10 km në veriperëndim të Skenderajtdhe gjendet në aksin rrugor që lidh Skenderajn me Istogun. Këtuështë dëshmuar një nga vendbanimet më të hershme neolitike të Kosovës,që i takon Kulturës së Starçevës, përkatësisht mileniumit të gjashtë p.e.s. dhe pasqyron një qytetërim të zhvilluar të kohës së gurit të ri..Ky lokalitet arkeologjik është hulumtuar gjatë viteve 1966-68,dhe sërish në vitin 1984. Hulumtime këto me karakter sondazhi të shtrira në rreth 35 parcela private të lagjes Dardania, me ç’rast u zbuluan mbetje dhe fragmente të shumta qeramike të periudhës neolitike (6500-3500 p.e.s.) gjegjësisht u dëshmuan kultura e Starçevës dhe ajo e Vinçës
Lokaliteti neolitik i identifikuar i Varoshit.Lokaliteti neolitik i identifikuar i Varoshit ndodhet në komunën e Ferizajt, gjegjësisht vetëm 2 km në jug, juglindje të këtij qyteti, në fshatin me po të njëjtin emër.Lokaliteti neolitik i Zhitkocit ndodhet në komunën e Zveçanit, gjegjësisht rreth 3 km në veri të qytezës së Zveçanit, në një rrafshinë afërstacionit të trenit të Zhitkocit. Këtu gjatë disa sondazheve të zhvilluara arkeologjike të vitit 1958, fare pranë brigjeve të lumit Ibër, janë dëshmuargjurmët e një vendbanimi tipik neolitik të të dy kulturave, si asaj më të hershme të Starçevës dhe më të vonshme të Vinçës.Fshati Vallaç gjendet në veri të Zhitkocit- Karagaçit dhe fare pranë grykërrjedhjes së lumit Ibër, e pozicionuar mbi një ngritje të njohur si Kërshi i Vallaçit. Është hulumtuar pjesërisht në vitet 1955 dhe1957. Në shtresën kulturore të trashë 1.8 metër janë zbuluar gjurmë të vendbanimit me kasolle banimi të thurura dhe të mbrojtura me hendeqe përreth.Nga materiali i shumëllojtë arkeologjik zbuluar këtu, veçohen një sasi e konsiderueshme e figurinave antropomorfe dhe zoomorfe, tëpunuara dhe te formësuar me aftësi dhe imagjinatë të bujshme, këtokarakteristike për periudhën e vonë të Kulturës së Vinçës, e njohur si Vinça C.
Reshtani është një vendbanim neolitik i pozicionuar në prapatokën e Suharekës.
Lokaliteti neolitik i Barilevës gjendet në fshatin me po të njëjtin emër, e pozicionuar në arealin e njohur si Arat Kovaçe, tokë punuese e cilësisë së lartë.Bardhoshi gjendet në veri, në dalje të Prishtinës, në krahun e majtë të rrugës për Podujevë. Lokaliteti neolitik (Koha e Vinçës) i Bardhoshit është identifikuar rastësisht në vitin 2002, me rastin e hapjes së themeleve për ndërtimin e një shtëpie banimi dhe anekseve shoqëruese.Lokaliteti neolitik i njohur me emrin Tjerrtorja është zbuluar rastësisht, me rastin e ndërtimit të fabrikës së përpunimit dhe të produkteve tekstile Tjerrtorja,gjatë viteve ’50, andaj dhe është emërtuar me këtë emërtim, pra në bazë të vendgjetjes.Ky lokalitet gjendet brenda arealit të qytetit të Prishtinës, në lagjen Kalabria (Emshir). Gjurmët e vendbanimit neolitik të evidentuar këtu, materiali i pasur dhe i shumëllojtë neolitik si dhe duke u bazuar nga disa nga gjetjet e figurinave,statujave dhe kokave antropomorfe të terrakotave (të punuara nga argjila e pjekur), të zbuluar në këtë areal të Prishtinës, e që i takojnë periudhës së neolitit të vonë gjegjësisht kultura e Vinçës, prezantojnë dy tipare të mrekullueshme: atë të artit dhe simbolizmit parahistorik.
Lokaliteti arkeologjik i njohur me emrin Fafos gjendet në periferi të Mitrovicës, në arealin e fabrikës së dikurshme të fosfateve.
Lokaliteti i identifikuar neolitik i Surkishit gjendet e pozicionuar vetëm pak kilometra në jug-jugperëndim të qytezës së Podujevës(Besianës), në fshatin me po të njëjtin emër, në parcelën e njohur me toponimin Gumurishtë.I gjithë ky potencial arkeologjik gjendet në tokën e Kosovës duke sjell dëshmi nga kohët e largëta dhe të humbura të njerëzimit është një dëshmi konkrete për ekzistencën e banorëve autoktonë por edhe për shkallën e kulturës. Piktura e Vlashnjës shquhet për një vazhdimësi të gjatë banimi, që fillon nga neoliti i hershëm deri në periudhën e vonë antike dhe atë te hershme mesjetare cituan burimet nga autorët e gërmimit në prill të 2007 në vendbanimin prehistorik të Vlashnjes.
Matëriali bazuar në të dhëna të Dr.Prof M.Korkuti si dhe autorëve nga Kosova si : Edi Shukriu, Dr. Jusuf Osmani dhe Guidë arkeologjike e Kosovës.

Filed Under: Histori Tagged With: Gezim Llojdia, neoliti, popullsia e Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4524
  • 4525
  • 4526
  • 4527
  • 4528
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT