• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Deputetët e SHIK-ut – fundi i karrierës politike të Thaçit!?

June 29, 2014 by dgreca

Opinion Faik KRASNIQI/Prishtine/
Hashim Thaçi është në siklet të madh. Është shumë i lodhur. I katandisur. I trembur. I hutuar. Është shumë nervoz. Nuk është më “komod”. Është shumë i shqetësuar. Ka shumë arsye të jetë i shqetësuar. Është mëse i vetëdijshëm se nuk do ta ketë të lehtë ta formojë edhe njëherë Qeverinë, pasi numrat e nevojshme nuk i ka. Duke e parë dinakërinë e tij gjatë dy mandateve të tij si kryeministër, asnjë parti shqiptare nuk po ka dëshirë të futet në koalicion me të për ta krijuar Qeverinë. Të gjitha partitë shqiptare, atij dhe PDK-së i kanë vënë ”vija të kuqe”. Duke e parë se nuk po gjen asnjë partner koalicioni për ta krijuar Qeverinë, gjatë numërimit të votave që zgjatën gati tre javë, u mundua të bëj disa manovrime të paligjshme. Tentoi t’ia kalonte pragun në mënyrë klandenstine AKR-së, partnerit të saj në Qeverinë Thaçi 2, por nuk ia arriti qëllimit dhe dështoi. Tentoi t’i manipuloj zgjedhjet duke e fuqizuar Listën Serbe dhe për ta nxjerr jashtë loje Nismën për Kosovën, në mënyrë që asnjëra palë mos t’i ketë numrat e mjaftueshme për ta formuar Qeverinë dhe vendi të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme, por edhe kjo i dështoi. Në anën tjetër koalicioni LDK-AAK-NISMA ia ka vështirësuar shumë punët për ta bërë Qeverinë, edhe pse së bashku me pesë parti të tjera doli e para duke marrë 37 deputetë në parlamentin e Republikës së Kosovës.

Deputetët e SHIK-ut – fundi i karrierës politike të Thaçit!

Me gjithë ata deputetë nga rradhët e SHIK-ut në PDK, karriera politike e Hashim Thaçit është me të vërtetë në rrezik! Karriera politike e liderit të PDK-së, Hashim Thaçit, është seriozisht në rrezik. Koalicioni LDK-AAK-NISMA dhe deputetët e e PDK-së që vijnë nga strukturat e SHIK-ut me në krye (ish) -shefin e SHIK-ut, Kadri Veselin, që mban postin e zv-kryetarit në PDK, e kanë rrezikuar seriozisht karrierën politike të Hashim Thaçit. Partia Demokratike e Kosovës po përballet edhe me konflikte brenda partiake, duke akuzuar njëri- tjetrin për humbjen në këto zgjedhje.
Mbetja në opozitë e PDK-së do të jetë edhe fundi i karrierës politike të Hashim Thaçit, sepse këtë moment ka kohë që është duke e pritur dyshi i partisë Kadri Veseli, për të marrë timonin e partisë. Thaçi do të ngelet pa asnjërën. Lëre që s’do jetë më kryeministër, por s’do jetë as kryetar i partisë. Thaçi e ka nuhatur që karriera e tij politike po shkon drejt fundit. Duke e ditur rrezikun që i sjell mbetja në opozitë, ai përmes diplomatëve të huaj me çdo kusht po mundohet për krijimin e një Qeverie teknike, në mënyrë që ta shpëtoj karrierën e tij politike. Por as bashkësia ndërkombëtare nuk është e interesuar që ai të vazhdojë të jetë kryeministër. Goditjen përfundimtare do ta marrë kur koalicioni LDK-AAK-NISMA brenda disa javëve do ta formojnë Qeverinë, dhe ai bashkë me partinë e tij do të ngelen në opozitë.

Filed Under: Opinion Tagged With: deputetet, e SHIK-ut -, faik Krasniqi, fundi, i karrierës politike, të Thaçit!?

INTERVISTË E SUPERSTARIT RITA ORA TEK “20 FRIDAY” ZVICËR

June 29, 2014 by dgreca

Pas yjeve të futbollit Zviceran, Rita Ora është një personazh shumë i njohur në Zvicër, me përmasat e një ylli botëror të krahasueshëm me Mbretëreshën e Muzikës pop – vetë Madonën. Kësaj jave ajo kishte pushtuar kopertinën dhe faqet e revistës zvicerane më të lexuar në Konfederatën Helvetike – një suplement javor 20 Minuten, gazetës gratis që gjendet në çdo cep të Zvicrës.
RITA ORA NJË SUPERSTAR NGA KOSOVA – PAS ALBUMIT TË PARË ORA I CILI ISHTE NË MAJË TË ÇARTSEVE BRITANIKE – ASHTU SI EDHE ME SINGELIN AKTUAL « I Will Never Let You Down», NË SHTATOR VJEN ME ALBUMIN E DYTË
Me flokë të lyer në biond platin së bashku me Gwen Stefani, Michelle Williams, duke u cilësuar nga eksperti Eddine Belaid – si perfekte në look – Rita Ora e çmend rininë zvicerane me magjinë e saj – prandaj ajo është e kudogjendur në shtypin helvetik, gati për çdo ditë, ku lexuesi merr informacion për çdo të re që vjen prej Planetit Rita Ora. Lexuesit shqiptar po i sjellin pjesë nga intervista që ajo dha për redaktorin e Friday Marc-André Capeder.
SUPERSTAR-I RITA ORA ISHTE VETËM 1 VJEÇ KUR PRINDËRIT E SAJ U VENDOSËN NË LONDËR
Rita Ora sot 23 vjeç, ishte vetëm një vjeçare, më 1991, kur bashkë me familjen u vendos në Londër për shkak të konfliktit në ish-Jugosllavi. Më 2009 ajo nënshkroi një kontratë me Jay-Z, të cilin e konsideron mentorin e saj, që do t’i hapte asaj dyert e suksesit në të gjithë botën. Suksesi në muzikë i Rita Orës shoqërohet edhe me pamjen e saj fantastike, në look dhe veshje, duke e bërë që të jetë sa sfiduese aq e kërkuar nga bota e lartë e modës dhe firmave më të famshme të sportit – si Donna Karan, Met Gala, Rimmel DKNY, Adidas etj. Të gjitha dyert janë të hapura për të. Dhe ajo në çdo intervistë nuk harron të tregojë kurrë se vjen me prejardhje nga Kosova, fakt që e bën të ndihet krenare. Më poshtë po ju sjellim pjesë nga intervista që i dha redaktorit të 20 minuten Friday Marc-André Capeder.
«Asnjë pyetje për marrëshëniet e saj me Calvin Harris». Ky ishte mesazhi që mori gazetari nga Shtëpia diskografike e superyllit përpara se ai të vinte këmbën në dhomën ku do t’i merrte intervistë Rita Orës. Në fakt, gazetari i Friday dëshironte të mësonte nëse në vilën e saj, Rita kishte një dhomë të mbushur me albumet dhe fotot e Calvin Harris. Gjithësesi ajo u tregua shumë miqsore me gazetarin, ashtu si tregohen njerëzit me miqtë e tyre, duke i treguar foto nga celulari i saj ku ajo bënte grimasa dhe në fund duke i thënë se „Ajo është gjithmonë Rita ora – njëlloj si ka qenë dy vite më parë“. „Superylli britanik me rrënjë kosovare.“ Kështu shkruan gazetari zviceran.
INTERVISTA
Rita, ti je shumë kohë e ikur nga shtëpia me aktivitete, çfarë bën ti kur ke një pauzë?
Rita Ora: Qendroj gjithë ditën në krevat, duke parë Realityshows si «The Real Housewives of Atlanta». Në këto ditë nga krevati ngrihem vetëm kur më duhet të gatuaj e të ha.
Do të kesh ti një Realityshow?
Rita Ora: Kurrë. Nuk mund ta duroj, do të rraskapitesha krejt nëse rreth meje do të sillej një ekip me kamera.
Po më habit.
Rita Ora: Përse kështu?
Sepse ti je shumë ekstroverse, një person që dukesh se merr energji kur rrethohesh nga njerëzit. A nuk pozove ti për Terry Richardson (fotograf amerikan i famshëm) me BH thuajse transparente.
Rita Ora: Terry Richardson është një legjendë. Unë duhej patjetër të punoja me të…
Prandaj interpreton ti në filmin «50 Shades of Grey» (një romancë erotike) ?
Rita Ora: Po interpretoj këtu, por askush nuk më sheh të zhveshur. Luaj rolin e motrës të Christian Grey…
Ju tregoni shumë lehtë, diçka që ngjan rrallë tek yjet.
Rita Ora: Unë jam gjithnjë e çiltër në intervista. Por ne mund të flasim edhe për Albumin tim të ri apo jo.
Okay. Përse jo?
Rita Ora: Albumi përmban këngë dashurie – në kohën më të bukur të një raporti dashurie, të muajit të mjaltit, kur jemi të dashuruar marrëzisht dhe bota e gjithçka të duket me ngjyrë rozë. Ky Album del në shtatorin që vjen.
Ka Albumi diçka të veçantë?
Rita Ora: Po, Prince është në Album. Ndaj jam unë kaq krenare.
Ti i dhe fund shkollës në moshën 16 vjeçare për t’u bërë një Star. Cili ka qenë qëndrimi i prindërve të tu?
Rita Ora: Babait tim nuk i pëlqente kjo gjë. Ndërsa mamaja më ka mbështetur. Ajo më thoshte gjithmonë:«Rita, a ke ëndërruar ndonjëherë në gjumë, sikur ndodhesh përpara një turme prej 20’000 njerëzish, ku të gjithë ulërasin emrin tënd. Kjo ëndërr do të bëhet realitet.» Ajo kishte të drejtë.
Si je përfshirë me karrerën tënde?
Rita Ora: Tashmë kam themeluar Firmën time. Shumë shpejt do të dalin në treg produkte të Rita-Ora-Beautyprodukte. Motra ime Elena e drejton këtë firmë së bashku me prindërit. Dua të ndërtoj një Ora-Imperum të vogël.
Ke të një shtëpi edhe në Kosovë?
Rita Ora: Ende jo, por shpejt do të kem. Por tashmë kam investuar në një skuadër futbolli të Kosovës.
A mund të qarkullosh lehtë nëpër rrugë atje?
Rita Ora: Natyrisht, njerëzit atje janë kaq të natyrishëm. Kur jam në Prishtinë, njerëzit më thërrasin në rrugë «Hey Rita, ç‘kemi?». Unë jam si ata, njëra prej tyre.
Më 23 Korrik Rita Ora jep koncert live në Festivalin Blue Balls Festival në Luzernë.
(Shqipëroi dhe përgatiti për botim Elida Buçpapaj)

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, Interviste, Rita Ora, TEK, zvicer

PROMOVOHET TRASHGIMIA E JANKO PALIT, DHE TE BIRIT NË QYTETIN E FLAMURIT

June 28, 2014 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/
Klubi i shkrimtarëve”Petro Marko “ Vlorë, promovoi krijimtarin letrare si dhe botimin e fundit të shkrimtarit shqiptaro-amerikan Petraq Janko Pali.Në fillim u shfaq një dokumentar kushtuar kësaj krijimtarie pergatitur nga G.Llojdia dhe më pas Myrteza Mara,Kryetar i Klubit të shkrimtarëve “Petro Marko” në fjalën e hapjes në promovimin e veprës letrare të shkrimtarit Petraq Janko Pali nënvizoi se :Kam folur dhjetra herë në këtë podium, e në të tjera si kjo, për veprimtarit e shumta letrare, për diskutime e vlerësime që organizon Klubi ynë “Petro Marko”, vlerësuar nga Bashkia me titullin “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”, por sot ndihem më ndryshe sepse më duhet të them pak fjalë për mikun tim të respektuar, poetin e shkrimtarin Petraq Pali.Thashë pak dhe jo shumë, sepse për Petraqin kam të them një det me fjalë e mos të mbarohen. Kam një det me mall e kujtime të adoleshencës dhe vitet e mëvonshme e përsëri mos të mbarohen.Jemi miq të hershëm dhe e kemi ruajtur këtë miqësi të pastër, aq sa dhe vetë e kemi zili.Ishim nxënës në pedagogjike të Vlorës, me konvikt në Ujin e Ftohtë (shtatë pallatet) dhe shkollën tek është sot ajo mjeksore. Petraqin e mbajnë mend të gjithë shokët sepse ishte Petraqi-djali çapkën nga Qeparoi, biri një mësuesi të nderuar e të respektuar, por që nuk linte dy gurë bashkë. Drejtori ikonviktit, i ndjeri Safet Kofina, emrin e Petraqit e mësoi që ditën e parë, ashtu si edhe kujdestari Rushit Ismaili, Petraqin kishte si fishkëllima në buzë ngado shkonte.I dashur si Petraqi! I mirë si Petraqi! I dhembsur në shoqëri si Petraqi I pakursyer si Petraqi! Shpirtbardhë e buzagaz si Petraqi – rrallë ia gjeje shokun atëhere, më rrallë ia gjen edhe sot.Çdo mëngjes diçka nuk do shkonte nëpër dhomat tona të gjumit. Dikush kërkonte këpucët e tij sepse poshtë shtratit ishin një palë të tjera. Dikush tjetër shikone se çorapet nuk ishin njëlloj dhe kërkonte ndihmë nga shokët për të bërë shkëmbimet, por nëse nuk do ndodhnin nga këto fenomene, të cilat na mbushnin me gaz fëmijënor, atëhere kishte dy arsye: Ose Petraqi kishte ikur në fshat, ose do ishte pa qejf.Dhe të flasësh për pjesën tjetër të jetës së Petraq Palit do duhet të ligjërojnë më shumë ata që u rritën e punuan së toku, që udhëtuan me të nëpër shtigjet e ngushta të jetës dhe kohës. E megjithatë Petraq Pali, falë dhuntive dhe aftësive të veta, përherë ruajti boshtin e karakterit të tij human e paqësor në mardhënieve me njerëzit, shoqërinë, familjen.Por sot Petraq Pali na ka mbledhur si njeriu i letrave, si shkrimtar dhe poet. Dhe patjetër për këtë do flasin edhe të tjerë, për këtë edhe pret urime, kritika e vlerësime.Nëse do udhëtojmë nëpër trasenë e kohës, andej ku Petraqi ka shruar shinat e veprave të tij letrare do shikojmë se kemi një rrugë jo të lehtë, sepse nuk është pak të shkruash e botosh 24 libra në poezi e prozë si dhe të nxjerësh në dritë disa vepra nga i ati i tij, Mësuesi i Meritur Janko Pali. Dhe të gjitha këto në harkun kohor të 14 viteve.Petraq Pali dhe shumë të tjerë nga ne mund të quhen edhe “Shkrimtar pas rënies së murit të Berlinit”, por të gjithë kanë patur si motiv kryesor vrullin e pandalshëm për shprehur akumulimin shpirtro dhe per të kapur “kohën e humbur”.Aktiviteti i Petraqit është i pandërprerë. Me fillimet e tij në emigracion në Amerik ai përveshi mëngët seriozish. Kishtë shumë ujë diga e shpritit të tij krijues dhe patjetër duhej shpërndar nëpër turbina për të rrezatuar kulturë letrare dhe histori,Tani që unë them këtu se Petraq me inisiativën dhe financimin e tij hapi shkollë shqipe “Janko Pali” në Virxhinia, për fëmijët e emigrantëve shqiptar, duket si e pabesueshme, por ja që Petraqi e ka bërë, duke e udhëhequr i vetmi këtë akt bamirës e patriotik për dy vjet radhazi.Nëse unë them sot këtu se Petraq Pali të gjithë veprën e tij letrare, mbi 10.000 kopje e ka shpërndarë falas ndër lexues, madje duke vënë edhe shënimin përkatës në kopertinën e librit, pra edhe kjo do duket pak e besueshme, por ja që Petraqi edhe këtu është unik.Nëse unë do them tani se Petraq Pali është vlerësuar me “Pendën e Artë” në fushën e publicistikës nga shoqata e shkrimtarëve shqiptar të Amerikës, patjetër që këtë do e besoni. Po ashtu nga kjo shoqatë libri i tij “Zhdukja misterioze e Besnik Memës” është vlerësuar me çmimin e tretë.Petraq Pali mund të quhet edhe “shkrimtari dhe poeti i qejfit të qejfit të vetë”. Ai shkruan për jetën që ka jetuar, për impresionet e thella që janë rrënjëzuar ne ndërgjegjen e tij letrare. Fantazia artistike ndërthuret aq bukur me realitetin e ngjarjeve të shumta, me trillet e penës që e bëjnë veprën të shijshme dhe tunduese për ta rishjiuar.Herë-herë nëpër veprat e tij letrare ngatërrohesh fare lehtë me bëmat e heronjve dhe ato të Petraqit, aq sa në disa raste të duket sikur ke të bësh me autobiografi, por jo! Petraqi vesh lëkurën e heroit, ose futet në lëkurën e tij për t’i dhënë vërtetësi veprës, për ta afruar atë me të vërtetën.Të lexosh romanin “Gruaja me të zeza” ngërthehesh keq nga situatat, ngë dekori, nga ngjarjet me aq vërtetësi sidomos kur shikon se ngajrjet më dramatike ndodhin në një qytet rus. Po ashtu tek “Geku Kondo”, “Misteret e kosovares së bukur”, “Zhdukja misterioze e Besnik Memës”, etj.Dashuria për vendlindjen është si një fill i blertë, por i përlotur me lot malli e bese-është një tjetër veçori në krijimtartinë letrare të P Palit. Qeparoi i tij është “Olimpi” ku falen gjithë dashuritë e brezave dhe kjo e bën Petraq Palin edhe poet me vargje e me shpirt. 1.5 milion lekë (të vjetra) dha Petraqi për shkollën e fshatit. Po aq mbresëlënës është edhe gjesti human i tij në ndihmë të një ushtarë kosovar, i plagosur, por ishte në Itali dhe kishte nevojë për kontribute. Petraqi edhe këtu tregoi shpirtin e tij bujar.Nëpër gjurmët letrare të shkrimtarit Petraq Pali brezat do shikojnë djersën, mundin dhe talentin e njeriut punëtor që mbolli shpirtin e vet edhe nëpër libra.Sigurisht sot është promovim i veprës, por edhe kritika e ka thënë e do ta thotë fjalën e saj sepse pena e Petraqit nuk do rreshti kurrë së shkruari, nuk do pushoj asnjëherë së kënduar për jetën dhe dashurinë zemra e tij djaloshare.Duke i uruar mikun tonë shëndet e lumturi, krijimtari të suksesshme dhe jetë të gjatë, po e mbyll këtë fjalë me një thënie të Dr Isuf Luzaj:

“Ec pa qendruar se koha e hapsira janë relative dhe maten me punën që kryejmë, jo me vite e cila është absurde!”
Ndërkohë shkrimtari u vlerësua me titullin ;’Mirënjohje e Klubit të shkrimtarëve”Petro Marko “ Vlorë ,titul të cilin e dorëzoi Vangjel Pici,pedagog i shkrimtarit gjatë viteve të rinisë.
Shkrimtari Perparim Hysi ardhur nga Tiranë në këtë promovim tha :Ju përshëndes, o miq nga Vlora. Folsja, kur më dha fjalën tha se jam nga Tirana. Nuk jam nga Tirana (atje jam qeraxhi), jam nga Fieri, por më ka bërë vlonjat miku im Luan Çipi. Kam ardhur për mikun tim të shtrenjtë, Petraq Janko Pali që sot është “dhëndërri ” i këtij promovimi të bukur. Për Petraqin kam shumë për të folur, po para se të dalë në “stere”, dua të ndalem në një koregjim të asaj që lexoi profesori i nderuar Pellinxhi ( të më falë në s’e mbaj sakt mbiemrin), kur foli për miqësinë gjysëmshekullore të Petraq Palit e Myrteza Marës, midis tjerash tha:-…kanë qenë djem të gjallë e pak xhagajdurë. Profesori i nderuar, jo “kanë qenë”, po janë, ende, po ata “xhagajdurët” e dikurshëm kur, në se nuk zënë “botën me gurë”, si qëmoti, sot janë bërë njerëz me integritet dhe me emër në fushën e letrave. Ata, që të dy, kanë secili zërin e vet në prozë e poezi.Kur marr të flas për Petraq Palin, nuk di pse më kujtohet nobelsisti portugez, Fernando Pesoa që thoshte: “…deri më sot, nuk pashë as një BUdë dhe as një Krisht që të “qajë” për mua…”. Petraq Pali duke u marrë me krijimtarinë shumëplanëshe të babai të tij të nderuar, Janko Pali, për fat të mirë është pema që ra nën pemë. Sistemoi gjithë atë punë të tij ( Janko Pali, Mësues i Merituar) dhe “sinagogën” e Njeriut-Insitucion Janko Pali e nxori në dritë. Nuk mjafoti me kaq, ai iu vu krijjimtarisë artistike dhe sot është autor i 24 librave në prozë e poezi. Ai në gjithë zhanret që trajtonkrijon një auditor të çuditshëm. Trajton tema unike, siç janë ato me agjentë, zbulues dhe dedektivë dhe jo më kot unë e kam quajtur “Zhorzh Simenon”, pa komisarin Megre. Nuk ka punuar qoft dhe një ditë në” llagëmet ” e minstrisë së mbrëndshem se nuk ka qenë as Mark Dodan dhe as Apostol Nasi e të tjerë, por të jep prova të tilla si Besnik Mema apo Ana Mihajllova që nuk ke si nuk i heq kapelen.Nga ana tjetër, s’kam se si mos më vij ndërmend, nobelisti kilian Pablo Neruda që kur Kili qe në rrezik, lëshoi kushtrimin:”… dhe fshatari të shesë një copë të lëdninës së tij”. Petraq Pali e ka bërë këtë: hapi shkollën “Janko Pali” (me të gjitha shpenzimet e veta) për t’u mësuar shqip vlëglushëve shqiptarë atje, në Virxhinia të Amerikës. E sa për lehtësinë që ka në trajtimin në prozë e poezi, jo vetëm Petraqi, por dhe Luan Çipi, kanë të njëtën lehtësi,sa më kujtojnë vargjet që thotë Noli për Skënderbenë, kur përktheu Logefellovin: “… dhe i pushtoi me aq lehtësi/ sa zë burri veshnë e tij/. Petraqi tregon bukur dhe nuk shpik. Ndodh ajo që thotë Gorki: “Ngjarjet e vërteta janë përrallat më të bukura!”. Tej kësaj thënieje, nuk kam seç shtoj tjetër. I uroj dhe me llibra të tjera.P.S.Me që shkrimin po e shkruaj sot, jashtë fjalës sime, nuk kam se si mos qëndroj pa përshëndetur me këtë rast dhe ca dashamirë të mi në këtë takim: e kam fjalën për mikun tim Bardhyl Mezini, për Aktorin e madh, Albert Verria, Për “Ustanë e madh” të futbollit, Mexhit Haxhiu. Për mikune Petraqit e të LUan Çipit, të nderuarin, Ejup MIta, për të kundondodhurin dhe të gjendurin, Gëzim LLojdia, për Mjeshtërin e madh, Miho Gjini që kish ardhur me një frymë nga Athina. Një përshëndetje shumë prekse për zonjën e nderuar, Hanëme Çipi që së bashku me Luanin aq të mirë më ofruan miqësinë tyre të sinqertë për ta kaluar natën në shtëpinë e tyre.Për aq të mirën dhe aq altruiste, Laureta Petroshati, për Ed Pash Vlonjatin, për z.Agalliu; për zotrinë e nderuar Luan Toto dhe të mbesën Anila Toto. Për mikun tim të shtrenjtë, Spiro Naqon dhe, pa dyshim, për Çiftin e lumtur: Vasil Bifsha dhe zonjën e tij nga Dibra, që nuk se si t’ua shpërblej: duke më shërbyer me makinën e tyre jo vetëm i përshëndes,por ju them se jam borxhëli i mirë: di t’i shlyej borxhet. I përshëndes dhe të gjithë ata që, ndoshta, nuk më njihnin, le të më mbajnë mend, si bregas që janë me këngën e Kapedan Nases.
Shkrimtari Luanh Cipi në kumtesën kryesore midis të tjerave tha:Kam shkruar dhe komentuar shpesh për veprimtarinë letrare dhe publicistike të Petraq Janko Palit. Sa herë që lexoj librin e radhës, çuditem dhe mrekullohem nga rritja transformuese e tij. Kështu më ndodhi dhe me librin e tij të fundit, të titulluar “DASMËMORTI”.E kam njohur Petraqin djalë, shumë vjet më parë, kur punonte si teknik ndërtimi, në “Drejtorinë e Ujërave” në Vlorë. Një i ri simpatik plot energji, gjithnjë i qeshur dhe i gëzuar, që të falte me tepri sa e takoje, miqësi e dashuri. Ai, gjithë ditën lëvizte majë një motoçiklete, për të drejtuar e kontrolluar punimet e rrjetit të shpërndarjes së ujërave për vaditjen në sistemin e bujqësisë së Rrethit Vlorë. Mund të bëhej një inxhinier ndërtimi i shquar, tek e shihje midis skicash e projektesh, apo kur zgjidhte variantet optimale në zbatimin e punimeve ndërtuese, mirëmbajtëse, pastruese e bonifikuese, po kurrë nuk mund të mendoje se ai do bëhej një poet e prozator në zë. Kjo, ndofta se rutina e punëve të përditshme, po dhe dëshira për shoqëri e aheng, nuk i linin kohë të lirë, që të merrej me pasionin që e mbante thellë të ndrydhur në shpirt dhe që ia guduliste çdo ditë, babai i tij i pazakontë, mësuesi i merituar, patrioti Qeparotas, Janko Pali. Gjithnjë i çuditshëm dhe interesant. Gjithë jeta e tij, aventurë shëtitëse me plot ngjarje e mbresa. Lindi e ndenji pak kohë në Qeparo, po bredh pa u ndalur qytet e kryeqytet, shkollë më shkollë e shtet me shtet; mëson për mjekësi, ndërtim, pedagogji dhe se fundi në pleqëri, mandej më i moçëm edhe se i madh Teofan Noli, kryen Universitetin dhe bëhet jurist.Ndërkohë, kanë ardhur si të pa pritura vitet e erës demokratike, që e ndryshojnë krejtësisht jetën dhe mentalitetin e Petraq Palit. Mërgimi, në Korfuz të Greqisë dhe në Virxhinia të Amerikës, e ngërthen me mallin, patriotizmin në gjenezën Jankopaliane e Qeparotase dhe nga dashuria për vendin e vetë, Qeparoin dhe Vlorën e veprimtarisë djaloshare. Aty, i kujtohen me nostalgji ngjarjet që e zbuluan Petraqin çapkën, si ajkën e të rinjve të gëzueshëm, të zotë, të dashur dhe që e vuri në ballin e tyre, si nismëtar e organizator, me epiqendër djemtë e bregdetit, po dhe me shokë e miq nga të gjitha trevat shqiptare. Te gjitha këto, të akumuluara në një mendje të ndritur, origjinale dhe më tej, të përpunuara në art, shpërthyen atje larg në dhe të huaj, dhe u kthyen në mbresa të pashlyeshme në prozë e në poezi brilante. Këto mbresa Petraqi, i mban të freskëta dhe i përtërin, me ardhjen e herë pas hershme në Qeparo, ku fle e ndrojtura muza frymëzuese dhe ku mesa duket e me sa shohim, si lejlekët mërgimtarë, po e ndreq folenë sipas kërkesave të kohës, për të gjetur më së fundi, si dhe shumë bashkëfshatar të tij, qetësinë e dëshiruar.
Në promovimin e këtij autori e morrën fjalën kritiku Miho Gjini,Dr Lluka,poetja Laureta Petoshati lexoi përshëndetjen derguar nga Shoqata e shkrimtareve shqiptarë në Amerikë.Një intervistë e autorit në Tv dhe kenga sarandiote ishte epilogu i kësaj feste letrare në qytetin e Flamurit.

Filed Under: Kulture Tagged With: DHE TE BIRIT NË, e Janko Palit, Gezim Llojdia, Promovohet, QYTETIN E FLAMURIT, TRASHGIMIA

“KURR MË… NUREMBERG” !!..

June 28, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
Perdorej një shprehje nga të vjetrit në Shkoder: “Nuk janë do punë si do punë!..”
Atëherë, kur i ndigjuem emnin këtij Gjyqi na dukej se në Botë nuk ka ma “padrejtësi”!
Shtetet fituese të Luftës së Dytë Botnore nder këta tavolina do të zhduknin nga fletet e historisë së kohës së mbasluftes perfundimisht perdorimin dhe fjalen renqethëse “Gjenocid”, që deri atëherë kishte endè fjalor që nuk e kishin nder fletët e tyne… Viti 1945 ishte fillimi i Gjyqit.
Bota europjane dhe aziatike u “çlirue” nga ankthi i frikës nazi – fashiste…Sigurisht, u bane edhe ndryshime në perdorimin e terminologjisë juridike në gjithë Boten, deri në Australi, Brazil, Argjentinë e kudo ku mund të kishte vue kamben kjoftë edhe një nazi – fashist. Ndersa, nder shtetet e mëdha europjane fjala “diktaturë nazi – fashiste” u zevendsue me fjalen e re që do të perdorej me kuptimin e “mirë”; “diktatura e proletariatit”, e shpikun dhe e vume në jetë në Rusi “bolshevike”, që njihej me emnin Bashkimi Sovjetik, nga V.I.Lenin në 1917.
Né na i mësuen këto fjalë dy komunista jugosllav që “shoku” Tito” i solli në vitin 1941 tek “profesori” pashkollë i Korçës në Tiranë, “shoku” Enver Hoxha…që, ma vonë u instruktue per zbatimin e saj me “baben e vet” Stalin. Qendrat kryesore në Shqipni ishin nder të gjitha qytetet kinematë e tyne. Në Tiranë mbahet mend kinema “Kosova”, ndersa në Shkoder kinema “Rozafat”…Shumica e Atyne që u konsideruen “bashkpuntorë” të nazi – fashizmit nuk u muer mundimi me i çue nder kinema, mbasi partizanët “çlirimtarë” me “kengën e tyre në gojë” “bijtë e Stalinit jemi ne!” u jepnin nga një breshni automatiku dhe i hudhnin nder prroska, shpella ose lumej…Kështu u zhdukën edhe shumë intelektualë që u lidhën me vetë komunistët por që nuk kishin studjue nder shkolla ku ata kishin perfundue studimet fjalen “diktaturë e proletariatit” …Flitej “mirë” për një grup njerzish që ishin angazhue me disa “brigada ndjekje” që ndiqnin kamba-kambës “armiqt’ e popullit”, që jo, vetem i kapnin ata, po edhe i masakronin aqsa shumica e tyne ishin “mirnjohës” kur “shokët” e brigadave u jepnin plumbin dhe i pushkatonin pa i sjellë në “kinema”…
Ma vonë ky grup u quejt “sigurimi i shtetit komunist”, që kishte disa zyre nder qytete. Nuk mbahet mend kurrë që këta agjentë të këtij “sigurimi të shtetit” të jenë quejtë “sigurimi i popullit”…Të pakten unë nuk e kujtoj, se kur mora mend kam pa me sy kur njerzit ishin tue ecë në rrugen e re në Shkoder, ku ishte dega e punëve të mbrendshme apo “sigurimi i shtetit” për qytetin, aty secili ulej nga trotuari dhe ecte në asfaltin e rrugës së makinave, mbasi kalonte deren e “sigurimit” rreth 10 ml. ma andej hypte prap në trotuar, por ky veprim bahej instinktivisht dhe jo nga kujdesi…kjo do të thotë se “frika” u kishte hy qytetarëve shkodranë per palc, sa edhe ecnin pavetdije në rrugë të automjeteve. Nuk do të zgjatem me até që mund të ngjiste aty!
Shteti ma i vogel në Europen komuniste ishte RPS e Shqipnisë. Në vitin 1974 shifra e të vramëve, të mbytunëve nder hetuesi e burgje apo kampe pune dhe interrnimi, i ka kalue 50.000 vetë ndonse, edhe vetë të “burgosunit politik” flasin per një shifer që nuk dij ku asht gjetë!..
Shifra e popullsisë shqiptare që asht burgosë, dëbue, interrnue dhe asht perfshi në “luften e kllasave” i kalon 500.000 njerëz, kur popullsia nuk ishte gati as 2.000.000 njerëz…
Vetem shifra e Klerikëve Katolik Shqiptar të pushkatuem dhe të mbytun nder burgje e kampe të shfarosjes asht 61 klerikë, ndersa të burgosun me shumë vite i kalon 130 klerikët…kjo ngjante kur shifra e pergjthshme e Klerit Katolik Shqiptar ishte gati 200 klerikë.
Popullsia çifute në gjithë Gjermaninë e vitit 1933, ishte vetem 5% e së pergjithshmes.
Popullsia katolike në Shqipninë e vitit 1946 ishte 12%, kur gjithë popullsia ishte rreth 1.200.000 njerëz, nga rregjistrimi i atij viti. E megjithate tek ne, as ky nuk qyhet Gjenocid!..
Prof. Sami Repishti, ish Antar i Amnesty International në USA, bashkvuejtës i At Çiprian Nikës dhe Klerikëve të të gjitha besimeve të arrestuem, torturuem dhe pushkatuem në vitin 1946 e ma vonë në Shkoder, pak ditë ma parë shkruen: “Me çfarosjen fizike të klerit katolik shqiptar, krimi komunist ka ba edhe nji hap tjeter në zbritjen poshtë drejt ferrit: Gjenocidin! Teorikisht, ky Gjenocid asht planifikimi dhe ekzekutimi qellimisht në zhdukjen fizike të nji pakice të caktueme (këtu kleri katolik shqiptar) vetem sepse kanë qenë kundershtarë të vendosun të sistemit, jo thjeshtësisht si indidividë, por si nji grup shoqënor në vete, i cili kishte pranue vullnetarisht misionin e perhapjes dhe ruejtjes së fesë katolike në Shqipëri.” Dhe rikujton një nga vizitat ma të randsishme të bame në Shqipni, ku: “ Vetë Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së Tij në vitin 1993, deklaroi se ajo që ka ngja në Shqipëri nuk ka ngja në asnji vend të Europes, dhe Europa duhet ta dij këte!”
(Prof. S. Rrepishti, “Nji koment”, korrik 2012).
E Europa, tash 21 vjet shka bani!?..
***
Edhe pse dihet nga të gjithë se veprimtaria Atdhetare, fetare, gjuhsore, letrare artistike, ajo politike dhe shoqnore, per ndertimin e shtetit dhe të së Drejtes, ku nuk ka mungue asnjëherë rruga diplomatike dhe ajo etike mbi bazen e dialogut mes besimeve dhe krahinave, tue shkri dhe sakrifikue edhe jeten per “Atdhé dhe Fé”, e kryesisht, per formimin dhe mbarvajtjen e Shtetit të Pavarun dhe të Lirë Shqiptar, prapseprap në Shqipni, vazhdon me dominue e me dhunue ligjin e Gjenocidit shteti anadollak – komunist, kur edhe shtetet tjera “socialiste” e kanë dënue até.
Jam i sigurt se, sikur në vitin 1945 kur gjithë Bota dënoi Gjenocidin kunder Ebrejëve, të ishin kushtet politike dhe shoqnore të Europës së sotme të islamizueme, kurrë nuk do të dënohej Gjenocidi nazi – fashist, ashtu si sot, nuk dënohet Gjenocidi komunisto –anadollak i kryem tek né në Shqipni nga komunistët e Enver Hoxhes dhe Ramiz Alisë, që janë vetshpallë “vëllezërit e gjakut me turq”, kunder Katoliçizmit Shqiptar… e per ma teper sot, kur Shqipnia “socialiste” dhe “demokratike”, asht edhe tash 20 vjet antare e “Konferencës Islamike”…
Deklarata e Qeverisë Shqiptare sot do t’ishte: “Kurrmë Nuremberg!”
Tashti që u njohëm si vend kandidat i BE… A do të themi: “Kurr më Nuremberg”! ?

Melbourne 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: “KURR MË..., Fritz radovani, NUREMBERG” !!..

Burgjeve te diktatures – Kampi i internimit në Tepelenë “Auschwitzi” shqiptar

June 28, 2014 by dgreca

Nga Xhevahir Gradica/
Historia e dhimbshme e familjes së tregtarit të njohur Qamil Qyteza – Rrëfen 70-vjeçarja Fatrije, bashkëshortja e Skënder Qytezës, i cili e kaloi jetën burgjeve të diktaturës/
DURRES- Në “Katër Rrugët” e Shijakut, diku rreth 100 m në të djathtë të segmentit Durrës-Shijak, pas një bërryli të vogël rruge, jeton një grua, e cila ka aq vuajtje sa dhe mosha e saj 70-vjeçare. Quhet Fatrije Qyteza, vajza e patriotit të vrarë në burgjet komuniste, Ali Maliqi nga Dibra, e martuar me të birin e tregtarit korçar Qamil Qyteza. Ndërsa duart i dridhen sa nga vuajtjet, sa nga mosha apo emocionet e shkaktuara nga detyrimi për të risjellë në kujtesë ato vite vuajtje, sytë i flasin shumë. Edhe zërin e ka të fortë, ndërsa dëshmon se është vajzë e një oxhaku të fisëm dhe grua e një dere të dëgjuar korçare. Deri para viteve ‘90-‘92 burrat e djemtë e shtëpisë u degdisën në burgje e kampe, kurse në vitet e paskomunizimit shumë prej tyre morën mërgimin duke mos i dhënë asnjëherë kësaj gruaje të drejtën të gëzohet deri në kufijtë e një nëne.

Historitë e dy familjeve…
Tragjedia familjare e Qamil Qytezës me vëllezër dhe Ali Maliqit nisin shumë herët. Tregtari i madh korçar Qamili u shpëtoi plumbave të skuadrës së pushkatimit, por jo plumbit pas kokës të prokurorit. Shtatë vëllezërit Qyteza: Bektashi, Sadiku, Qamili, Nevruzi, Hazbiu, Haliti dhe Faiku në fillim të shekullit XX ikën nga fshati dhe një pjesë morën rrugën e Turqisë e të tjerë përfunduan në Amerikë. Ata u lindën në Qytezë, në Kolonjë, por fshati ishte aq i varfër sa pula hante gurë. Në Nju Jork e në Çikago nisën të punojnë fillimisht si çirakë, por pak vite më pas blenë lokalin e tyre të punës si dhe gjashtë dyqane të tjera. Djemtë e Zenel Qytezës u lidhën ngushtësisht me shoqërinë atdhetare e patriotike “Vatra” duke u ushqyer në këtë mënyrë nga ideale nacionaliste. Në Shqipëri lanë prindërit për të cilët i paguan një greku 5 000 dollarë asokohe me kusht që t’i bashkonte me djemtë. Tregtari grek u shpenzoi paratë, ndërsa prindërit jetuan të ndarë nga djemtë. Në kohën që në Amerikë nisi të shfaqej në mënyrë të hapur moda dhe vajzat dilnin në rrugë e shkonin në punë me funde shumë të shkurtra, djemtë vendosën të kthehen në Shqipëri. Qamili u ka treguar të bijve se shkaku kryesor ishte vendimi i djemve që të martoheshin me shqiptare. Shitën dyqanet dhe në vitet 1920 me paratë e grumbulluara blejnë në fshatin Rovë, afro 7 km larg Korçës 800 ha tokë buke, arë e pyje. Në Amerikë kishin parë plantacione dhe këtë bënë në Rovë, mbollën sipërfaqe të mëdha me mollë e dardha dhe nisën tregtinë. Plot 14 400 franga ari apo 86 kg florinj u ka kushtuar kjo tokë për të cilën edhe sot pasardhësit e vëllezërve Qyteza ruajnë tapitë e hershme. Më pas blejnë një shtëpi në Korçë, dyqane, magazina dhe nisin të merren me tregti lënde drusore dhe mallra të ndryshëm. Ata furnizonin italianët me lëndë drusore në vitet 1935-‘37 duke krijuar edhe miqësi, ndërsa si familje manifestonin mendime nacionaliste të mbartura nga lëvizja atdhetare e shoqërisë “Vatra”. Për të mos u mjaftuar me kaq ata blinin 2000-3000 krerë qengja me çerek leku dhe 23 muaj më pas ua shisnin ortodoksëve me 3-çerek leku duke nxjerrë fitime të mëdha. Qamili ka qenë tregtari i parë që kishte kamion për transport malli në Korçë si dhe autoveturë “Lance” italiane, ndërsa si klient i bankës “Di Napoli” kishte marrëdhënie tregtare me kompaninë amerikane “2 PON”. Në Korçë vëllezërit njiheshin si tregtarë të ndershëm dhe kjo u krijoi lidhje edhe me figura të njohura si Mit’hat Frashëri apo Safet Budka. Deri në Marrëveshjen e Mukjes Qytezët ishin të patrazuar nga komunistët, ndërkohë që Qamili mbante arkën e Ballit Kombëtar. Deri asokohe, ballistë e komunistë shkonin bashkë fshat më fshat. Pas kësaj ngjarjeje Skënder Qyteza u ka treguar të bijve se ngjarjet u rrokullisën. Edhe pse asnjë nga vëllezërit Qyteza nuk ka shkrehur asnjë herë pushkën dhe asnjëri prej tyre nuk ka vënë në sup armën, djemtë e Zenel Qytezës u cilësuar armiq, tradhtarë e bashkëpunëtorë me armikun. Para se të kapitullonte Italia, Qamilit dhe të birit të tij Skënderit iu ofruar mundësia për të ikur në Itali. Në rrëfimet e familjarëve mësohet se gjithçka erdhi në formën e një shpërblimi për tregtarët Qyteza, të cilët i falën detyrimet një tregtari italian ngase ai nuk kishte me se të shlyente detyrimin për mallin. Sapo u çlirua Korça, tregtarit i morën të gjitha çelësat e dyqaneve, kurse Qamili me të birin e tij Skënderin u arrestuan. Me vendim të Gjykatës Ushtarake numër 1 të datës 31.5.1945 Qamil Qyteza dënohet me vdekje, kurse i biri Skënder Qyteza vetëm 25 vjeç dënohet me 101 vjet burg. Vendimi për pushkatimin e Qamilit vjen pas presioneve që ka bërë Enver Hoxha, i cili nuk ishte pajtuar me dënimin e Qamilit me 101 vjet duke u shprehur se tregtari korçar kishte shumë influencë dhe duhej ekzekutuar. Hoxha njihte mirë këtë familje pasi në Liceun e Korçës kishte njohur Skënderin e Halitin. Pushkatimi nuk vonoi. Tek parku “Rinia” në Korçë u hap një gropë e madhe dhe aty u groposën 13 tregtarët e dënuar me vdekje. Në mesin e tyre edhe Qamil Qyteza, Xhevat Starova, Liço Panariti etj. Të gjithë tregtarë e nacionalistë. Ata u dënuan në akuzën se ishin kriminelë e armiq, por asnjëri nuk kishte shtënë qoftë një herë me armë. Kolonjari Qyteza ra në gropë i pavrarë nga skuadra e pushkatimit, por prokurori që ndiqte zbatimin e vendimit dha goditjen e vdekjes duke e mbuluar edhe atë në gjak. Para se të vdiste Qamili i kishte thënë të birit në qeli se ata që bënin gjykime politike dhe ata që urdhëronin këto gjykime do të përfundonin të shpërndarë një ditë si tespitë e këputur. Por kjo ditë do të ishte shumë e largët, më shumë se 45-vjeçare. Skënderi vuajti fillimisht dënimin në vitet 1945-1954 në Burrel. Më pas në Kuç të Vlorës, Savër, Gradisht, Elbasan, Sarandë. Në vitet e burgut njihet me atdhetarin Ali Maliqi nga Dibra i dënuar me 23 vjet. Miqësia e tyre u forcua me shprehjen e vullnetit nga Ali Maliqi për t’i dhënë vajzën Skënderit. Dibrani, sipas rrëfimit të së bijës, Fatrijes, u vra nga sigurimi i shtetit shqiptar në kampin e punës në Elbasan vetëm 3 muaj para se Ali Maliqi të përfundonte vuajtjen e dënimit në vitin 1967. Skënderi ishte shpallur nga shteti si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kavalieri i viteve ‘35-‘40 që paguante në lokale ahengu me flori kafet dhe muzikën e pëlqyer korçare e kolonjare, ishte bërë për regjimin person shumë i rrezikshëm.
Të dënuarit Qyteza
Hazbi Qyteza, intelektuali i arsimuar jashtë vendit, u dënua nga regjimi me 10 vjet burg. Hazbiu u detyrua të punonte në tharjen e kënetës në Maliq, Terbuf etj. Njëherësh u dënua edhe Halit Qyteza me 18 vjet burg nën akuzën e bashkëpunimit me amerikanët. Haliti kishte pasaportë si nënshtetas amerikan, por ai nuk pati asnjë mundësi të komunikonte pas viteve ‘44 me Amerikën. Edhe Medi Qyteza, i biri i Bektashit, dënohet me 7 vjet burg. Të gjithë të tjerët vuajnë dhjetëra vite në kampe përqendrimi. Por atdhetarët e fisit Qyteza, të njohur si elita patriotike dhe tregtare në Korçë, patën edhe dashamirë e bashkëvuajtës nga derë nacionalistësh. Kështu ata njohën në burgje dhe vajtën së bashku vitet e diktaturës me Sami Dangëllia, Hodo Sokoli, Ceno Qaushi, Xhevdet Kashtica, Sami Bitincka, Zihni Dërvishi, Arif Golja etj. Shtatë vëllezërit dhe nipërit Qyteza numërojnë me dhjetëra e dhjetëra vite burg e qindra të tjera vite internimi. Në kohën e afrimit të perëndimit të diktaturës komuniste pasardhësit e tyre u vendosën dikush në Durrës e Tiranë, të tjerë në Shijak, Lushnjë e Elbasan, ndërsa shumë Qytezë ikën në Amerikë. Pasuria e tyre e sekuestruar kap shifra në miliona lekë, ndërsa në 20 vjet demokraci ata nuk kanë përfituar thuajse asgjë. Ata mbeten ndër familjet që e vuajtën gjithë jetën diktaturën duke sakrifikuar për shkak të ndjenjave nacionaliste edhe jetën.
Dëmshpërblimi sot, vetëm 50 mijë lekë
Si u sekuestrua në ’46-n pasuria e madhe e familjes Qyteza
Me vendim numër 39, të datës 29 janar 1946, disa muaj pasi Qamil Qyteza ishte pushkatuar, pasuria e tyre përvetësohet nga shteti. Në një procesverbal të vitit të mësipërm, cilësohet lista e gjatë e sendeve dhe mallit të sekuestruar. Është e pamundur të rreshtohen të gjitha ngase lista është thuajse pambarim. Regjimi i konfiskoi 800 ha në fshatin Rove, 407 m2 tokë truall në Korçë, 245 m2 shtëpi në Korçë, 4670 e 39 për qind franga ari, 38 dele, 20 mijë tulla, 10 mijë kg. gëlqere karro e makinë barëlidhëse, automjet e kamion. Në të njëjtin procesverbal janë regjistruar të sekuestruar radio “Filips”, kolltukë, orë tryeze, mindere, shilte, qilim muri, krevat, jastëkë, jorgan, gardërobë, sunduqe, tenxhere bakri, tepsi bakri, gjyma bakri, tenxhere alumini, lugë alumini, broke uji, dollap ushqimi etj. Pas viteve ‘90 familja e vëllezërve Qyteza është cilësuar si familje e persekutuar rëndë nga regjimi komunist. Por në këto 20 vjet ata kanë marrë si dëmshpërblim 50 mijë lekë për Skënderin e dënuar me 101 vjet burg, asnjë qindarkë për të pushktuarin e të dënuarit e tjerë, asgjë për vitet e internimeve. Ndërkohë që bashkë me shumën e mësipërme kanë përfituar edhe letër me vlerën 32 milionë, e cila sot këmbehet me 07 për qind. Familjarët kanë vendosur të mbajnë në sirtar letrën me vlerë, ndërsa ata kanë vite që enden dyerve të gjykatës për të kërkuar kthimin e pronave si dhe dëmshpërblim për sendet dhe mallin e sekuestruar.
Kampi i internimit në Tepelenë kujton Fatrija
Nga torturat dhe vuajtjet vdisnin në ditë 20 fëmijë e pleq
Kampi i internimit në Tepelenë qe bërë tmerr për të gjitha familjet e persekutuara. Të rrethuar në tela, në një terren shumë të vështirë dhe në mjerim të plotë mbaheshin më shumë se 1200 vetë. Burrat e djemtë vuanin dënimet në burgje, kurse prindërit e moshuar, fëmijët, gratë dhe të porsalindurit mbikëqyreshin në këtë kamp të egër. Fatrijes i ka mbetur para syve një emision televiziv teksa një gazetare tregonte se si në kampet naziste kishte një stivë të tërë me këpucë të të persekutuarve. “Në Tepelenë asnjë nuk kishte as nallane dhe të gjithë ecnim në këmbë, të leckosur, të uritur dhe të përçmuar deri në palcë”,-tregon Fatrija. E martuar me “armikun e popullit” Skënder Qyteza, djalë i tregtarit dhe patriotit të madh të Korçës Qamil Qyteza, Fatrija dëshmon se vuajtjet e të gjithë të internuarve atje ishin të padurueshme. Gratë ecin zbathur në ditë me ngricë, akull, borë, shkëmbinj dhe nxirrnin dru në malet e Salarisë për furrën e kampit. Nuk i shqitet nga mendja një herë teksa nëna e saj Ilmie ndihmonte një grua të sëmurë duke ia marrë disa dru nga barra. Ushtari që i shoqëronte e ndali karvanin e grave dhe ngarkoi nënën e Fatrijes sa për dy dënga, ndërsa ajo në pamundësi për të mbajtur drutë ra përdhe. Mbi të ranë drutë, por asnjë grua nuk u lejua ta ndihmonte deri sa gruaja u gjakos dhe iu zu fryma. Kjo grua që sot ka mbushur të 76 vitet thotë se e gjithë Mirdita u internua në Tepelenë pas vrasjes së Bardhok Bibës duke ushtruar terror në popull. Kjo nënë është dëshmitare e rasteve pa mbarim teksa në të njëjtin varr futeshin 2 e 3 fëmijë që vdisnin nga uria. Por pas disa muajsh gropa hapej përsëri e mbi ta hidheshin fëmijët e tjerë edhe ata të vdekur nga sëmundjet e uria. “Ne të rriturit hanim bungur (grurë i shtypur) të përzier me gjethe qepe e të mbushur në krimba. Por këtë ushqim nuk e hanin dot bebet e fëmijët”,-tregon për vitet që ka hequr Fatrija në Tepelenë. Në këtë kamp gratë nuk kishin as qumësht gjiri e as ushqim për bebet dhe shifrat e vdekjes rriteshin nga viti në vit. “Me sytë tanë kemi parë se sa shumë vdisnin në Tepelenë, në këtë kamp të tmerrshëm. Nuk i kam numëruar, por them me siguri se në kamp vdisnin afro 20 vetë në ditë, më së shumti të moshuar, fëmijë e bebe”,-kujton Fatrija. Të gjitha familjet që ishin futur në këtë kamp ishin të dënuar të ndërgjegjes dhe për këtë arsye çdo lëvizje dhe grumbullim i tyre përgjohej. Nënë Fatrija e kaloi të gjithë jetën e rrethuar në tela, në varfëri e skamje. Por jo e vetme. Për të dhe familjen e saj burgu e ferri nisin në moshën 12-vjeçare duke i marrë rininë, ndërsa u shpëton torturave e vuajtjeve në moshë të plakur, me ardhjen e demokracisë, në vitin 1992.
Burgosja e dytë e Skënder Qytezës
“Pas torturave nuk e njoha bashkëshortin tim”
Në vitin 1959 Fatrije Agolli, vajza e Ali Maliqit, martohet me Skënder Qytezën. Ajo ishte asokohe 26 vjeçe dhe gjendej në kampin e internimit në Savër të Lushnjës. Në të njëjtin kamp internimi gjendej edhe burri i saj i ardhshëm, Skënderi. Fatrija ishte nga Dibra, kurse Skënderi nga Korça. Martesa është bërë me shkuesi me pëlqimin e babait të saj, i cili e kishte njohur Skënder Qytezën në burg. Të dy familjet njiheshin në zonat e tyre si familje atdhetare, patriotike, nacionaliste dhe kundër regjimit komunist. Kjo qe ana e fortë e bashkimit, ndërsa Fatrija tregon se dibranët e korçarët kanë edhe anë të tjera të përbashkëta. Për shembull: janë mikpritës, gatuajnë shumë mirë, gratë dhe shtëpitë janë pastërtore, kishin kulturë etj. Në ditën e dasmës Fatrija nuk kishte të atin, por dasmorët ishin të shumtë. Edhe ata të dënuar e të dëbuar nga viset e tyre. “Në ditën e martesës morën pjesë burra e gra të fisit Mërlika, A. Kupit, Mirakajt, Dostët, Kokonët, Kaloshët etj. “Të gjithë fiset më në zë të Shqipërisë ishin të dënuar e të internuar, të gjithë ata erdhën në dasmën tonë”,-kujton Fatrija. Nusja e re e shtëpisë së familjes Qyteza nuk kishte pajë. E gjithë pasuria e çiftit ishin një dhomë e vogël me kallama e dritare plastmasi, një krevat dërrase, një dyshek dhe një jorgan. Në thuajse të njëjtën kasolle ku u martuan, erdhën në jetë në Gradisht të Lushnjës dy djemtë e Skënderit, Arbeni e Arjani. Por gëzimi në këtë familje nuk do të vinte kurrë. Vuajtjet do i ndiqnin deri në shembje të diktaturës komuniste. Skënderin e arrestojnë në vitin 1979, në moshën 59-vjeçare, për të dytën herë. Dënimin e parë e merr në vitin 1944 së bashku me të atin e tij, Qamil Qytezën tregtarin e madh korçar që do të pushkatohet. Skënderit iu kërkua të fliste kundër ish-zëvendësministrit të Kulturës Matho Balës, i cili ishte akuzuar për moral, për një lidhje të padenjë me një këngëtare (S.Z). Ai nuk pranoi të fliste për ato që i kërkuan në hetuesi. Qëndrimi i tij nuk ishte i gjatë në qeli pasi e nxorën para gjyqit tre muaj pasi e kishin përpirë në birucë. Mosnënshtrimi i kushtoi rëndë. Në sallën e gjyqit ishin edhe gruaja e tij, Fatrija, djemtë dhe familjarë të tjerë. “Unë po shikoja nga dera duke pritur të shihja Skënderin. Në fillim u fut një njeri me duar të lidhura, por unë nuk e njoha. Pas pak dëgjova që më thërriti në emër dhe pasi drejtova sytë nga vinte zëri pashë Skënderin. E kishin torturuar aq shumë sa unë nuk e njoha. Në qeli katër herë mjekët kishin mundur ta rikthenin në jetë pas torturave”,-kujton ato vite gruaja e Skënderit. Fatrija tregon se trupi i Skënderit qe tretur, fytyra i qe zbehur dhe eshtrat që e mbanin në këmbë të krijonin bindjen se ai nuk mund të jetonte më shumë se 2ose 3 javë. Trupi gjykues e dënoi për agjitacion e propagandë kundër regjimit popullor, pasi nuk pranoi të pohonte atë që kërkuan hetuesit. Gjatë seancës gjyqësore është rrëzuar disa herë në karrige dhe është ngritur nga policët që i qëndronin aty pranë. I dënuari dërgohet në Ballsh, vendin ku si pasojë e helmeve të fabrikës kanë vdekur më shumë se 400 të burgosur. Nga Ballshi transferohet për në Zejmen të Lezhës, ndërsa në vitin 1986 deri në vitin 1988 vuan dënimin në Përparim të Sarandës, i sëmurë rëndë.

Tentativa e dështuar për t’u arratisur
“Kadri Hazbiu na shante e na qëllonte me shqelma”
Djemtë dhe vajza e Ali Maliqit kishin vendosur të arratiseshin pasi jetesa në fshatin Kërçisht, fshat pranë Maqellarës së Peshkopisë ishte bërë e padurueshme. Babai i djemve, Aliu, vuante dënimin me 23 vjet burg i cilësuar nga regjimi si armik i popullit. Ashtu si dhe vet i dënuari edhe familjarë e të afërm të tij e kishin shprehur mes tyre se Aliu nuk do të dilte i gjallë nga burgu. Në fshat si dhe në rastet kur fëmijët e Ali Maliqit binin në shehër për të blerë sende e ushqime jo vetëm që njerëzia nuk u fliste, por edhe i shikonin me cinizëm dhe lëshonin prapa krahëve një lum me akuza. Edhe ata pak persona që donin të përshëndeteshin e kishin të pamundur pasi djemtë, vëllezërit, nipërit dhe të afërm të familjes së Aliut përgjoheshin nga sytë e agjentëve të sigurimit. Jeta në fshat për ta ishte bërë tepër e vështirë. Askush nuk hynte e nuk dilte në kullën e Ali Maliqit. Varfëria kishte mbërthyer shtëpinë dhe për t’i shpëtuar vdekjes ata menduan të iknin të gjithë. Ishte vjeshta e vitit 1956. Avniu, Agimi e Jashari së bashku me motrën e tyre Fatrijen dhe vajzën e xhaxhait, u nisën drejt malit një nga një për t’u takuar në vendin e caktuar. Ecën më shumë gjunjazi dhe barkas sesa në këmbë që të mos shikoheshin nga fshatarët dhe ushtarët e kufirit. Nga Kërçishti dolën në Rekë të Dibrës. Rruga që shumë e mundimshme për Fatrijen, ndërsa Jashari ishte vetëm 13 vjeç dhe lodhja e tyre i vuri disa herë në rrezik djemtë e Ali Maliqit. “Më ther o vëlla që të mos bie e gjallë në dorë të rojeve dhe ikni se nuk kam më fuqi të eci”,-u është drejtuar Fatrija vëllait, Avniut, kujtime, të cilat Fatrija thotë se i ka të gjalla edhe sot pas 53 vitesh. Në të gdhirë të ditës, pasi kaluan në vende të thepisura, të uritur e të etur deri në vdekje familja e arratisur ndeshi në dy priftërinj. Ata i dërguan në fshatin Idrizovë të Shkupit, ku ndenjën dy javë në një repart ushtarak. Në kohën që menduan se vuajtjet e torturat e tyre përfunduan, vëllezërit, Fatrija dhe kushërira e saj u morën nga ushtarët serb dhe iu dorëzuan policisë dhe ushtrisë shqiptare në Bllatë. Pa asnjë ndalesë, të hipur në një mjet të ushtrisë, të lidhur në këmbë e në duar Avniu, Agimi, Jashari, Fatrija dhe vajza tjetër përfunduan në degën e brendshme në Peshkopi. “Na futen në një dhomë. Sapo hyra pashë një njeri që qëndronte në këmbë. E njoha. Ishte Kadri Hazbiu. Qe veshur me uniformë dhe në supe e në gjoks mbante disa grada. Fytyra e tij qe egërsuar. Kishte ardhur t’u fuste frikën dibranëve duke na bërë shembull torturash e burgosjesh ne, fëmijët e Ali Maliqit”,-tregon Fatrija. Ajo tregon se Kadriu kishte fjalor të rëndë, fyes e denigrues dhe se nuk ka kursyer duke qëlluar e kërcënuar jo vetëm të rriturit por edhe Jasharin 13 vjeç. Në degën e brendshme të Peshkopisë ata janë torturuar, kurse vet Kadri Hazbiu i ka qëlluar me shqelm edhe dy vajzat së bashku me fëmijën 13 vjeç. Avni Agolli u dënua me 15 vjet burg. Vëllai tjetër i Fatrijes, Agim Agolli vuajti 10 vjet burg, ndërsa si familje ata u internuan.

Filed Under: Histori Tagged With: - Kampi i internimit, "Auschwitzi", Burgjeve, në Tepelenë, shqiptar, te diktatures, Xhevair Gradica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4533
  • 4534
  • 4535
  • 4536
  • 4537
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT