• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria në lotët e një femre…”

June 23, 2014 by dgreca

Nga Zaim Kuçi/
Nënë, motër, grua, bashkëshorte, vajzë, shoqe, të gjitha keni një emër gjinor: Femër – pak rëndësi ka statusi i juaj, po ju kujtoj një thënie që e meritoni vetëm ju, si një kërkesë e shoqërisë shqiptare e cila ka nevojë për të ndryshuar atë, që ne ndjehemi keq dhe ju e keni vajtuar në vite: « Zoti nuk mund të ishte kudo dhe për këtë ka krijuar nënën».
Brodha historinë e popullit tim në vite dhe them, më shumë se kudo në këtë rruzull tokësor, ju femrat shqiptare për nga gjerësia e vuajtjeve tuaja jeni hyjnesha, ju jeni paksa ndryshe nga femrat e tjera të botës, ky është këndvështrimi im për këtë emër të shtrenjtë.
Unë i kthehem historisë së shkuar dhe sot duke sjellë si fakt se, të dyja mpleksen dhe kanë shumë të përbashkëta që do desha t’i vektorizoja në një të vetme: dhimbje.
Vite më parë ishin ato nëna dhe gjyshe, të ulura si në këtë foto varfërie, që nisnin në kurbet me lot në sy ndoshta për herë të fundit të dashurit e tyre. Ato i përcillnin dhe nuk e dinin se ku shkonin, veçse meditonin dhe ëndërronin natë e ditë, të mirën dhe të keqen – duke thënë: ata shkuan larg, shumë larg, – ardhshi shëndoshë. Të ulur në këtë prag varfërie, ato shkruan me lotët e tyre kaq shumë histori dhe kaq shumë poezi të dhimbshme.
Dukej se ky prag ishte kthyer në një skenë drame, ku muajt e vitet rropasnin dhëmbshërisht zemrat e tyre nga pritjet e gjata që përfundonin, herë me gëzime dhe herë me hidhërime.
Sa shumë vargje u thurën nga zemrat e lënduara të pritjeve të gjata dhe sa shumë këngë u kënduan për kurbetin e flamosur. Ato janë dëshmitare të së kaluarës së keqe, janë kujtesa për t’u mos harruar më, janë kujtesa që e ardhmja të mos i ngjajë më së shkuarës. Por nuk ndodhi ashtu. Ne i harruam sepse nuk ndryshuam, ato u rrokullisën për të na sjellë të tjera vargje, të tjera ngarkesa dhe të tjera lodhje- mbetëm në mërgim- mbetëm në halle.
Vuajtjet e këtij populli nuk kanë kufi, nuk kanë kohë dhe epokë: ato kanë vijimësi të mirërregulluar nga vet ne, prandaj duken se janë të përjetshme. Edhe nënat në këngët e tyre vetëm i ndërruan emrin nga kurbet në emigracion, ndërsa dhimbjet u shtuan, mbetën po ato lotë akoma të njomë, që nuk u shteruan për ndarjet nga të dashurit e tyre si në atë kohë qameti, ato rrjedhin nga një mal hallesh të tjera të shoqërisë shqiptare.
Këngët dhe vargjet u shtuan aq sa poetët dhe muzikantët duket se gjetën treg pune në ekonomine e tregut shqiptar; ato morën lehtësisht rrugët e vendit tim që ecën nuk e di se ku, si një zog i plagosur, herë bie këtu e herë bie atje.
Vitet u rrokullisën por kohrat nuk ndryshuan, rituali çudi është për të gjithë i njëjtë: « bir po rri tek dera sa të mos shoh më nga sytë ».
Me dhimbje i përcollën dikur nga ky prag, duke i ndjekur me sy deri te fundi i rrugës që e ndante ai gardh i oborrit të shtëpisë. Kohrat ndryshuan vetëm në mënyrën moderne të përcjelljes, sot ato i ndjekin deri tek ai mjet modern, qoftë ai : veture, anije legale a ilegale, tek ngritja e zhurmës së avionit, deri sa të zhduken në horizont me një pikëllim pëshpëritës “bir i nënës, rruga t’u bëftë dritë, ik, ndoshta nuk më gjen më”. Prapë, udhëtarët e rrugëve të largëta kthenin kokën dhe me siguri nuk mendonin atë që të dashurit e tyre thoshnin me zemër të ngrirë.
Ata ktheheshin të harruar pas shumë e shumë vitesh. Ktheheshin me kujtimin e asaj dite përcjellje, por çfarë gjenin? ….vetëm dhimbje duke kërkuar vendin ku prehej një qeskë kockash me një emër të gdhëndur në gurin e përjetësisë dhe një mal kujtimesh që mbeteshin si brengë jete.
Edhe sot në kohën e qytetërimit, është po ai ritual përcjellje dhe ajo pritje; asgjë në këtë botë nuk ka qenë më e vuajtur, më e dhimbshme se sa zemra e një gruaje shqiptare shekuj më parë; sot, ndoshta jo për mot.
Sa dhimbje mban përjetësisht kjo foto e kësaj anije të turpshme, ngarkuar me njerëz si mizat e dheut. Sa jetë shqiptarësht ka përpirë ai det i mallkuar, sa herë komshinjtë kanë mbytur gomonet-varkë të mbushura me femijë, gra dhe burra….nuk dihen se ku, duke lënë gjithmonë tek të dashurit shpresën se një ditë do të kthehen; duke fantazuar me kohën që kalon lloj lloj portretesh e lloj lloj alibish…i lamë pa varr. Por, sa herë ne, shtetformuesit kemi analizuar këtë fenomen si një ligësi përbindëshe të vendit? Asnjëherë!
Mbetën zemra të ndrydhura, si dikur vite e vite më pare, duke pritur me orë, dite, muaj, vite të tëra tek pragu i derës së tyre. Erdhëm së fundmi në një “risi” të përbashkët, atë që çdo derë shqiptare zor se i ka shpëtuar të keqes për të mbijetuar, botës të së keqes dhe botës së largët të emigracionit.
Është shkruar nga shkrimtarë dhe nga zemra nënash se pritja është e dhimbshme, edhe kur pret një mal të mirash nga ai vend i huaj si mërgimtar, ajo prapë për një zemër nëne është dhimbje. Por dhimbjet e kësaj gjinie nuk ndalen këtu, ato kanë marrë dhe forma të tjera, në shumë raste të pabesueshme.
Edhe pse jemi futur në një shekull modern, tek ne, prapë lotët e qënies njerëzore – femër nuk gjejnë ndalesë, më keq se kaq lotëve u është shtuar një fenomen tjetër aq sa i turpshëm për t’u sjellë si ndodhi; u kemi ngarkuar sjelljen kafshërore të gjinisë tjetër, e cila sa vjen e rritet, herë me fjalë dhe herë me forcë, herë me thikë e herë me pushkë.
Të mirët e këtij vendi do të shtonin pa hezitim të tjera akuza për ata që ndërtuan dhe prodhuan pandershmërinë, për ata që mbollën drogë e trafiqe të qënies njerëzore, që pluhurosën hartën e vendit, që bënë largimin e shumë e shumë bijave dhe bijve shqiptarë të ditëve të sotme për një jetë ndryshe, për të mbijetuar, nuk e di se ku, edhe në botën e punës skllave.
Jetojmë në një shoqëri dekadente, interesi dhe të pashpresë të udhëhequr nga ju politikanë, fatkeqësisht pjellë e këtyre nënave që ju i dhuruat këtë shoqëri të pashpresë. Përballë kësaj katastrofe të sajuar, sot edhe ne burrat jemi kthyer me zemër nënë, për ç’ka ndodh dhe për ata që vijnë dhe ikin nga diku larg.
Le të themi se ka një fillese shprese, ka një dritë e cila për të mos u shuar kërkon gjithpërfshirje, dhe forca e juaj do të jetë sulmi vendimtar për të fshirë pluhurin e zi të hedhur nga ne, të keqqeverisurit. Me forcën e një nëne ndryshimin kërkojeni tek familja e juaj, tek ata që na drejtojnë, qofshi në pushtet e pa pushtet, janë bijtë tuaj ata që prodhojnë atë që ju kurrë nuk e dëshironi.
Ju keni zemrën me medaljen altruizëm, armë që dominon burrat. Përtej detyrës, altruizëm dhe forcë tregoi dhe pilotja amerikane Nicole Malachowski e cila e hipur në avionin supersonik filloi gjunjëzimin e diktatorit serb dhe u bë heroina e luftës në krah të vëllezërve kosovarë.
Ju e dini mirë se Shteti fillon në familje dhe se ndryshimin e kërkuar e keni ju në dorë, ju që sillni jetë, dritë, bukuri, lumturi; ju që bëni gjithçka në këtë botë mizore; pa “lazarat” e pa prostitucion, me drejtësi dhe pa korrupsion, atë të kthimit në atdhe të atyre që na mungojnë përherë.
Shtetet ndërrojnë sisteme, ndërrojnë regjime, ndërrojnë qëndrime dhe pasurojnë shpirtra, ndërsa ne thurim, a na thurin fjalime me premtime të zellshme ata të kostumeve të bukura, ata që kanë privilegjin të na drejtojnë duke na zbrazur qënien dhe ftohur zemrat. Në demokracinë e shumëpritur, vrullshëm afruam përsëri largimin masiv të bijve tanë që nuk dihen se ku. Shumë shpejt krijuam misionin « njerëz të humbur » me plot histori që trembin dhe fëmijët në barkun e nënës.
Ne ndërruan emrin e kurbetit duke e modernizuar atë, e quajtën Emigracion legal dhe ilegal; pak e rëndësishme është statusi, e rëndësishme është që i larguam bijtë dhe bijat dhe prapë e dëshirueshmja mbetet, të largohemi sa më shumë nga ky vend, këtë e kërkon çdo shqiptar, i ndershëm dhe i pandershëm, këtë e kërkoj edhe unë që kam një dozë të fortë atdhetari. Këtë e kërkon varfëria.
Pranojmë se duam akoma dhe 10 vite që t’i afrohemi europës dhe 70 vite të tjera që të jemi si ata, po kush Ne, autoktonët e europës, ne që kemi hapësirën detare, ajrore e tokësore më të mirë se shtetet elite të europës.
Po përse? Përgjigjia ime do ti shkonte duke marrë pozicionin e kritikut (për t’ua hedhur të huajve) atyre që shkruan në kohë të ndryshme keq për vendin tim: strategut Albert Bushnell Hart në shkrimin “E ardhmja e Shqipërisë së pavarur”; Julian Amery, në librin e tij “Bijte e Shqipes” shkrimit te “The New York Times” në më shumë se 100 vite më parë (v.1911) ku etiketohemi me definicione të cuditshme që nuk do të dëshiroja t’i shkruaja në këtë artikull.
Për gjatë viteve nuk i vlerësuam këto definicione dashamirëse apo keqëdashëse, por, ne gjithmonë nga podiumet e injorancës brohorasim, le t’i quajmë, horrat në fushë betejën e tyre të vjedhjeve dhe shkatërrimeve; ata lozin me ne dhe ne heshtim…ky është rituali në vite i shqiptarëve. Udhëheqës të mirë dhe ju barbarë të vendit tim, a do ta shëroni nga këto epitete “disi të vërteta” vendin tonë? … edhe pse akuza për shkallën e pamjaftueshmërisë të qytetërimit të popullit tonë nuk mund të thuhet më?
Një vend i bukur dhe një popull i mrekullueshëm por pa nerv, me drejtues … dashakeqës të programuar në kohë e në vite, ata fillojnë nga Komandant Skuadre (mundësisht) e deri President Republike.
Shumë piktorë e shkrimtarë janë përpjekur të formonin portretin tend, moj nënë, por mijra e mijra portrete e vargje nuk mundën ta personalizonin atë. Nëna është quajtur diell, se pa lindjen e tij nuk ka jetë mbi tokë dhe pa lindjen e saj nuk nis jeta…! -Lule -, po cila lule nuk mban dhe ka emrin tend? Të gjithë, tek kjo lule çelim petalet, nis dhe zbukurohet jeta… por edhe ky emër i bukur nuk e plotësoka atë gjenialitet që të afron emri nënë, dhe kështu nuk gjetëm akoma definicionin tend moj nënë. Sa shumë e shumë vlerësime dhe histori vërtiten rreth jush, prandaj ju e keni levën e Arkimedit për të ndryshuar ritualin shqiptar- të atyre që na drejtojnë qofshin ne familjen tuaj apo rreth saj.
Atëherë, ne të gjinisë tjetër kemi çfarë të ndryshojmë (unë)…, dua dhe uroj një tjetër sjellje, ku në duar ne meshkujt të gjithë të mbajmë tufa me lule dhe të përulemi në gjunjë para kësaj mrekullie që na ka falur zoti apo natyra, me kusht që nëse ju mundeni të ndryshoni ata që na drejtojnë, të çfarëdolloj statusi qofshin.

Sfidat e jetës janë ndër më të vështirat dhe më të papriturat dhe përballë tyre shpesh herë ndjehemi të lodhur dhe të pashpresë sa një forcë kapitulluese dominon dhe të bën të tërhiqesh. Në fakt edhe tërheqja është e vështirë përballë gjendjes së padëshirueshme, të së shkuarës dhe të sotmes, e cila të bëhet pjesë emocionale e pandashme dhe të hyn lirshëm në ditën tënde, kjo është arsye edhe pse ndoshta ne nuk jemi të aftë aq sa duhet për ta rregulluar atë, ndërgjegjësisht nuk heqim dorë prej saj…
Qershor 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Shqipëria në lotët e një femre…”, Zaim Kuci

Mësues, gazetar, luftëtar, i burgosur politik

June 23, 2014 by dgreca

Tri dekada në shërbim të arsimit e edukimit të brezave të rinj.-Në ditët e para të organizimit të luftës në Rekën e Keqe, Jahë Sadria ishte në grupin e parë që solli arme nga Shqipëria Amë.- U arrestua dhe u burgos nga policia serbe dhe përkundër një terrori të paparë që u shkarkua mbi trupin e këtij personaliteti të pendës e të pushkës ai nuk u thye për asnjë moment/
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Vdekja është e ftohtë. Po aq e ftohtë sa edhe dheu që pamëshirshëm mbulon kufomën. Vdekja është e frikshme, e tmerrshme, e dhimbshme… E dhimbshme, shumë e dhimbshme ishte edhe vdekja e këtoditëshme e Jahë Sadriut nga Ponosheci i Gjakovës. Lajmi për vdekjen e këtij njeriu në moshën 57 vjeçare jehoj pikëllueshem në zemrat e gjithë popullatës se Rekës së Keqe, Komunës së Gjakovës dhe të të gjithë atyre që e njohën në shumë pjesë të Republikës së Kosovës, por edhe në Shqipërinë nënë. Se sa shumë ishte i vlerësuar dhe sa shumë kishin lënë gjurmë veprat e tij, dëshmoi pjesëmarrja e mijëra qytetarëve në varrimin e këtij personaliteti. Fshati Ponoshec ishte tërësisht i bllokuar nga ato turma të mëdha që kishin ardhë në këtë fshat për t’ia dhënë lamtumirën e fundit Jahë Sadriut. Dhe me të drejtë kishte pyetur një kalimtar i rastit që kishte ardhur për të kryer një punë në këtë fshat se mos ndoshta paska vdekur “ Presidenti”. Po kush ishte në të vërtetë Jahë Sadriu?
Arsimi i gjeneratave të reja prioritet i prioriteteve
Jahë Sadriu lindi në vitin 1957 në Fshatin Ponoshec të Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në fshat, gjimnazin në Gjakovë, ndërsa Fakultetin- Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë. Duke ndier nevojën për kuadro të reja e kualitative, Jahë Sadriu pa i përfunduar provimet e fundit të fakultetit nisi punën në shkollën e fshatit duke dhënë një kontribut të madh në edukimin e fëmijëve jo vetëm të këtij Ponoshecit por edhe të fshatrave përreth. Duke u shquar për një organizim të mirë në procesin mësimor ai arrin që të bëhet edhe drejtor i kësaj shkolle, në mandatin e të cilit u korrën suksese të jashtëzakonshme jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në aktivitete tjera të lira shkollore. Një kohë të gjatë këtë arsimdashës e brengoste dhe e shqetësonte shumë mos vazhdimi i shkollimit të mesëm të vajzave të kësaj pjese të Komunës së Gjakovës për shkak të kushteve të vështira ekonomike, por edhe për shkak të largësisë për të udhëtuar deri në qendrën komunale. Shi për këtë, ai mori iniciativën për të hapur paralelet e gjimnazit në Ponoshec, iniciativë kjo që u realizua shumë shpejt. Këtë fazë të shkollimit në Rekë të Keqe e udhëhoqi me sukses deri sa u pensionua para kohe për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. Tri dekada me ditar në dorë përhapi dituri, edukoi e arsimoi aq shumë gjenerata. Nxënësit e tij të dikurshëm, shumë sish, kanë arritur të fitojnë edhe grada të larta shkencore në shumë lëmi e të mos flasim për të tjerë që kanë diplomuar në fakultetin juridik, ekonomik, të mjekësisë, teknik, filozofik etj. Afërsia me nxënësit e kishte bërë që ai të jetë i dashur e i respektuar nga ata, por edhe nga kolegët, prindërit dhe nga të gjithë ata me të cilët takohej. Në çdo tubim, ndeje dhe takim me njerëz të ndryshëm linte një përshtypje të një njeriu të mençur, të një njeriu që fjala e tij kishte peshë, që fjala e tij dëgjohej me vëmendje. Puna aktiviteti dhe angazhimi i pashoq që bëri në fushën e arsimit është një shembull që pa dyshim duhet ta ndjekin edhe kolegët e tij të tashëm e të ardhshëm. Për punën e tij të dobishme që kishte dhënë në fushën e arsimit Jahë Sadriu u dekorua me mirënjohje e dekorata nga institucione shkollore.
.
Kushtrimit për çlirimin e tokës dardane iu përgjigjë në ditët e para të luftës
Zullumi serb mbi popullatën shqiptare sa vinte e shtohej. Aksionet e shpeshta ndëshkuese policore- ushtarake lënin pasoja të rënda në çdo familje shqiptare. Pos që torturonin njerëz të pafajshëm dhe arrestonin për ditë djem e vajza, falangat serbe filluan edhe të vrasin qytetarë të pafajshëm. Populli nuk kishte kah t’ia mbante. Ishte kjo tokë dardane stërgjyshore dhe këtë ose duhet mbrojtur ose duhet nënshtruar atij okupatori barbar. Jo kjo nuk do të lejohej asesi nga burrat e këtij trualli sepse ata mjaft duruan këta fashist, këtë farë të keqe që erdhi nga Karpatet dhe që po terrorizojnë çdo fshat e qytet. Kushtrimi për t’i dalë zot atdheut trokiste në ndërgjegjen e secilit shqiptar.
Dhe Jahë Sadriu ishte ndër të parët që iu bashkua celulave të para të fshatit, të cilat filluan mobilizimin e luftëtarëve si dhe armatosjen e të gjithë atyre që ishin përcaktuar për të çliruar Kosovën me pushkë në dorë. Gjashtëdhjetë automatikët e parë që arritën nga Shqipëria ishin vendosur në shtëpinë e Jahës. Se sa ishte i përcjellur qysh më herët ky njeri i brymosur me ideale patriotike, dëshmon fakti se vetëm fati e deshi që ato armë të largohen nga shtëpia vetëm një orë para se të vinin forca të mëdha policore dhe paramilitare serbe që e rrethuan këtë shtëpi e bastisen dhe pasi nuk gjetën asgjë pa një pa dy ia futën flakën dhe e dogjën me themel. Nisur nga fakti se dritarët e informacionit në Kosovë ishin të mbyllura për shqiptarët, shokët e luftës e lutën Jahë Sadriun që të filloi luftën me pendë në dorë, përkatësisht që të vazhdoi dërgimin e lajmeve për zërin e Amerikës. Edhe pse i rrezikuar në çdo hap se ai mund të arrestohet Jaha me shkrimet e tij kishte tmerruar armikun, i cili kishte aktivizuar aparatin e tij për ta zënë e arrestuar këtë njeri shumë të rrezikshëm për ta. Nuk kaloi kohë e gjatë dhe Jahë Sadriu u kap nga sigurimi serb vetëm pesë minuta pasi e kishte dërguar një informatë për Zërin e Amerikës ku bënte fjalë për tmerrin që po shkakton okupatori serb në fshatrat e Rekës së Keqe. Kjo ndodhi me 24 prill 1998. Nga kjo ditë e deri me lirimin e tij dy vjet pasi Kosova fitoi lirinë Jahë Sadriu kishte përjetuar tërë arsenalin e tmerreve të torturës që di t’i përdorë një regjim sikurse që ishte ai fashist serb. E kishin rrahur deri sa ishte alivanosur, pastaj i kanë hedhur ujë për të ardhur pak në vete dhe për të vazhduar sërish me goditjet e tyre të pamëshirshme me shqelma, grushta, shkopinjë druri e gome. As natën e as ditën nuk e kishin lënë që të bëj më shumë se dy orë gjumë, duke kërkuar nga ai që të tregoj se me cilët ushtarak të SHBA-ve ishte në kontakt deri në ditën e burgosjes. Këto maltretime e veprime çnjerëzore Jahë Sadriu i përjetoj një kohë në Gjakovë, pastaj në Prizren, Pejë si dhe në Burgun e Dubravës. Në Dubravë sikuse edhe të burgosurit tjerë shqiptarë përjetoj egërsinë e policëve serb pas bombardimit të NATO-së, që ia bëri pavioneve të këtij institucioni që në atë kohë ishte shndërruar në grumbullimin e shqiptarëve nga të gjitha anët e Kosovës për të shërbyer, në rend të parë, si mburojë e caqeve të Aleancës Veriatlantike e më pastaj për të shprazur tërë urrejtjen patologjike që kanë kundër shqiptarëve. I plagosur në bark, Jahë Sadriu kishte parë me sytë e tij kasaphanën që kishte krijuar policia serbe duke vrarë e plagosur qindra njerëz të robëruar. Punëtorët e sigurimit i kishin thënë se ai kurrë nuk do të lirohet nga burgu deri sa atyre t’iu mbushet mendja për ta vrarë. Dhuna e shfrenuar çetnike nuk mundën në asnjë moment të thejnë shpirtërisht këtë njeri me zemër të madhe.
Jahë Sadriu nga ne u nda vetëm fizikisht sepse vepra e tij e madhe do të mbetët e pranishme për jetë e mot.

Filed Under: ESSE Tagged With: gazetar, i burgosur politik, LUFTETAR, mesues, Xhavit Citaku

Të lindet një njeri që e shkruan të vërtetën!

June 23, 2014 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
“Të gjithë kombet po dehen n’epopea të veta,/
flakë e zjarrmit të tyne na i përzhiti ftyrat/
dhe nëpër to një nga një po shtohen rrudhat,/
e nën kambë e mbi krye tinzë po na ik jeta..”… si mendojnë turqit e sotit që ashtu të dehur që janë në epopea t`veta ,të na ndërrojnë mendjen , bindjen dhe të shkruarën si me libra ashtu edhe me jetën tonë, ta ndërrojmë dhe të kërcejmë në vallën e tyre të lavdisë mbi ne? – Periudha e Perandorisë otomane ka qenë pushtim, nga fillimi e deri në fund. Ky është qëndrimi i historianëve shqiptarë. Drejtori i Institutit të Historisë në Tiranë, Beqir Meta, dhe historiani Romeo Gurakuqi, i kanë kundërshtuar historianët turq, me argumente dhe fakte që dëshmojnë se shqiptarët kanë qenë vazhdimisht të shtypur dhe të detyruar që të bëjnë luftëra të përgjakshme, 500 vjet radhazi.
“Liri! – Po, liri dhe gaforrja gëzon,
por gaforre asht…
Liri, ku plogsi ndërgjegje gjallon,
jo, liri nuk asht!”… . “Turqit në Shqipëri dhe Ballkan kanë ardhur si pushtues. Shqiptarët kanë bërë luftërat më të përgjakshme, me kostot më të larta në historinë e tyre, si popull. Nuk mund të justifikohet pozitivisht fakti që disa nëpunës të Perandorisë paskan qenë shqiptarë, sepse ata ishin një pakicë e vogël. Ata nuk përfaqësonin interesat e kombit shqiptar, por ishin thjesht nëpunës otomanë. Turqit, sigurisht që kanë qenë timoni drejtues, forca dhe pesha e kësaj perandorie. Këtë nuk e vë në dyshim askush”, Ajo kohë ishte sipas Migjenit – liri e gaforrës !
Të lindet një njeri
i madh si madhni
dhe ndërgjegjet tona t’i ndezi në dashni
për një ide të re, ideal bujar,
për një agim të lum e të drejtë kombtar……. “Qeveria turke nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në historiografinë e një vendi tjetër. Kanë gjithë të drejtën e zotit që të debatojnë me të gjitha termat e parametrat. Pastaj, sa të sakta dhe sa të pasakta janë ato, do të del nga rezultatet e këtij debati”, tha Meta. Ndërsa Gurakuqi tha se e vetmja ndërhyrje që mund të jetë e pranueshme, është zbatimi i kritereve shkencore.
Të dali një njeri!
Të mkambi një Kohë të Re!
Të krijojë një Epope!
Ndër lahuta tona të këndohet Jeta e Re… e jo të zhveshë nga uni dhe identiteti ynë , e jo të na lind mjë komb të ri , një incest , një përbindësh të vetvetës që me kalimin e kohës ka për të përpirë tërë të kaluarën tonë. Nuk ka komb Kosovar e as gjuhë Kosovare. Nuk ka pjella të reja të rritura në inkubatorët e atyre që nuk munden me shekuj të na zhbënin , por që nuk ndalin së fabrikuari shiftarë , arbanas dhe tani kosovarë.
Historianët komentojnë se qeveria turke nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyj në historinë e një shteti tjetër, me qëllim zbutjen ngjarjeve që zgjatën 5 shekuj. Por , edhe të dalë një njeri që i thot boll marrëzinave shmitiane dhe nexhmedinspahiane.

Të lindet një njeri!
Me hyll në ball dhe që me fjalë të pushton,
që të rrëmben qetsin e ban gjakun të të vlojë rrkajë… dhe të tregoj se : Osmanët kanë qenë pushtues. Beteja me shqiptarët ka qenë e përgjakshme ,dhe të na lerë të qetë në ardhmërinë tonë që na gëdhiu ashtu si nuk e kemi besuar kurr por punuar dhe ëndërruar gjithmonë. . Boll mo! “Shqipëria ka qenë për pesë shekuj e pushtuar nga perandoria osmane. Gjëja e parë që e kemi bërë ishte ndarja e një shteti të së kaluarës me një shtet aktual ,sepse për atëherë bëhet fjalë për një pushtim të mirëfilltë,”

Të lindet një njeri
nga gjin’ i dheut tonë të rim me lot të vakët,
nga thalb’ i shpirtit tonë që shkrihet në dëshirë të flakët
për një gen të ri, … për një vazhdimësi historike ashtu si na ka hije , ashtu si e kemi përjetuar dhe ashtu si do ta kapim të ardhmën si vendas mijëra vjeçar , ashtu si do ta mbjellim farën tonë të re në gjuhën shqipe me një gjuhë që edhe perënditë flisnin.

“Shqipëria dhe të gjitha tokat shqiptare kanë qenë për pesë shekuj të pushtuara nga perandoria osmane. Gjëja e parë që duhet bërë është ndarja e një shteti të së kaluarës me një shtet aktual. Bëhet fjalë për një pushtim të mirëfilltë,” …. Të lindet një njeri që na e mbushë mendjen së pari neve.

( Migjenit dhe lajmeve të reja tronditëse ; falëmnderit për këtë që e shkrova)

Fahri Xharra
21.06.14, Gjakovë

Filed Under: Opinion Tagged With: e shkruan, Fahri Xharra, Të lindet një njeri që, të vërtetën!

HASHIMI DO TE LESHOJE PE’

June 23, 2014 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/Prishtine/
Me gjithë respektin për baroneshën Ashton, por Qeveria e ardhshme s’mund t’i vazhdojë bisedimet me Serbinë në këtë mënyrë. Nënshkrimet e marrëveshjeve me Serbinë nga Qeveria Thaçi pa u implementuar asnjëra në praktikë, ka lënë pasoja të mëdha. Këto pasoja u panë gjatës protestës në Mitrovicë, ku mbetën të lënduar me dhjetëra policë dhe qytetarë të Kosovës. Qeveria e Serbisë deri më tash nuk e ka zbatuar asnjë marrëveshje që ka arritur me Qeverine e Kosovës, e për këtë është fajtore qeveria Thaçi që ka nënshkruar çdo marrëveshje pa e analizuar mirë dhe hyrja në bisedime pa asnjë kusht, kurse Serbia edhe pse ishte agresori, u futë në bisedime me qindra kushte. Është dashur që pas çdo marrëveshje të zbatohet në praktikë, e pastaj të bisedohet për marrëveshjet e tjera. Qeveria e ardhshme që do të udhëhiqet nga koalicioni LDK-AAK-NISMA, mundësisht edhe VV-ja, do t’i harmonizojë marrëveshjet, e jo të nënshkruaj çdo marrëveshje siç bënte Qeveria në largim, sepse mosimplentimi i tyre në praktikë do të jenë shumë të dëmshme për të ardhmen e Kosovës dhe sovranitetin e saj. Koalicioni LDK-AAK-NISMA do t’i vazhdojë bisedimet, por s’do ti bëj këto gabime siç ka bërë qeveria në ikje e kryeministrit në ikje, Hashim Thaçi.

Koalicioni me PDK nuk është i shëndoshë!

Me gjithë respektin zonja Pack, por nëse ia do të mirën Kosovës, për një milion arsye koalicioni me PDK-në nuk është në të mirë të Kosovës! Nuk mund të jetë koalicion i shëndoshë dhe i mirë për Kosovën, me një parti si PDK–ja që gjatë dy mandateve e solli vendin në këtë gjendje të rëndë.
Me një parti që e degradoi Kosovën. Me një parti që iu dha hapësirë gangsterëve të partisë të bëjnë çfarë të duan me të. Me një parti që prodhoi me qindra-mijëra skandale kombëtare dhe diplomatike. Me një parti që vodhi dhe shkatërroi çdo gjë. Me një parti që e trajtoi qytetarin e saj si skllav, e veten si skllavopronarë. Me një parti që ia humbi dinjitetin qytetarit të saj. Me një parti që e bëri pushtetin pronë të saj. Me një parti që mbizotëroi familjarizmi.

Thaçi duhet të hapë rrugë!

Thaçi dhe PDK s’mund të ngulin këmbë se kanë dalë partia e parë në zgjedhje dhe vetëm atyre iu takon ta bëjnë Qeverinë, e në këtë mënyrë përmes Gjykatës Kushtetuese të mundohen ta bllokojnë formimin e Qeverisë duke tentuar ta dërgojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme ( gjë që s’do të ndodhë), me shprehjen ”O ne o askush”!
Edhe Pepe Grillo me partinë e tij vitin e kaluar dolën në vendin e parë duke fituar rreth 26% të votave, por meqë asnjë parti nuk donte të futej në koalicion me të dhe partinë e tij, ai nuk arriti ta formonte Qeverinë dhe pasi i kaloi afati prej 15 ditëve sipas ligjit kushtetues, Italia nuk shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme, por iu hap rruga partive tjera për ta formuar Qeverinë. Edhe me Thaçin dhe PDK-në asnjë parti nuk po dëshiron të futet në koalicion për ta bërë Qeverinë, kështu që koalicioni LDK-AAK-NISMA pasi që tashmë veç i kanë bërë numrat për ta formuar Qeverinë, vendi nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Thaçit nuk ka i ka mbetur zgjidhje tjetër, veçse t’i hap rrugën koalicionit LDK-AAK-NISMA për formimin e Qeverisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, HASHIMI DO TE LESHOJE PE'

RIKTHIM TEK”PRILLI I THYER” I KADARES

June 23, 2014 by dgreca

“Mysafiri i paftuar”,(1985) film i Kujtim Çashkut, sipas skenarit të Ismail Kadaresë (prodhuar nga kinostudioja “Shqipëria e re”), dhe “ Abril Despedaçado” (Behind the sun) (2001) , film brazilian, në regji të Ualter Salles (Walter Salles), producent Artur Kohen (Arthur Cohn)./
Nga Gani MEHMETAJ/
Ismail Kadare ka dy romane të cilat janë ekranizuar tri herë: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dhe “Prilli i thyer”. Adaptimi i parë i romanit “Prilli i thyer” është bërë nga Kujtim Çashku me titull “Të paftuarit”(1985). Adaptimi i dytë është realizuar nga regjisorja franceze me prejardhje shqiptare Liri Begeja, “Avril Brise, (1987), me skenar të Olivier Assayas dhe Liri Begesë, xhiruar në Korsikë, fitues i Grand prix të publikut në Festivalin Ndërkombëtar të Lokarnos (1987). Ekranizimi i tretë është ai i regjisorit Ualter Salles, “Abril despedaçado”, i shfaqur në Festivalin e Venecias me 2001, i distribuuar nga studioja e Holivudit me titull “Behind dhe sun” (Prapa diellit) me disa çmime prestigjioze ndërkombëtare. Secili nga këta filma ka qasje të veçantë, përshtatje të ndryshme dhe frymën e vet artistike.
Derisa dy filmat e parë “Mysafiri i paftuar” i Çashkut, (ku skenarin e shkroi Kadare) dhe “Prilli i thyer” i Begesë, përpiqen ta ruajnë ngjyrimin lokal, por edhe gjeografinë e veprimit, kohën, personazhet, fabulën, filmi i Salles ka shmangie të mëdha nga teksti i frymëzuar. “Behind the sun” është film që meriton të analizohet për disa arsye, pavarësisht shmangieve, pavarësisht ndryshimeve e ndërhyrjeve, ai diku në brendësi megjithatë e ka rrymimin e romanit, por nga një kënd “autokton’ brazilian. Hijet e alpeve shqiptare zëvendësohen me djerrinat braziliane, Gjorgu i dëgjueshëm, të cilit asnjëherë nuk i shkon nëpër mend ta kundërshtoj Kanunin, Tonho i Salesit rebelohet kundër hakmarrjes.
Përderisa ngjarja e romanit “Prilli i thyer” zhvillohet në veriun e Shqipërisë londineze, në mes të dy luftërave botërore, në filmin brazilian ngjarja e filmit shtjellohet në një krahinë të humbur të Brazilit. Dy filmat evropianë e kanë respektuar linjën dramaturgjike, e kanë respektuar edhe zhvillimin e personazheve, ndërkaq, filmi latino amerikan vetëm motivet i merr nga “Prilli i thyer”, sepse koha, hapësira, personazhet, situatat, mënyra e shtjellimit, ashtu sikurse edhe vijat karakteristike të personazheve ndryshojnë.
Të tre filmat të përbashkët e kanë dimensionin e dhimbjes, vetminë, pafuqinë që t’i kundërvihen ritualit të marrjes e dhënies së gjakut, pastaj fundin tragjikë, frikën e personazheve, e cila të regjisori shqiptarë ndrydhet ndjeshëm, ndërsa të regjisori brazilian shpërthen më intensitet të madh. Janë skenat e dendësisë së fuqishme emocionale të ikjes në panik të vrasësit nëpër kallamishte, me frikën që shpërthen në fushat a kallamit, pamje që rrallë shihet në ekran.
Por ajo që e bënë ndryshe filmin brazilian janë ngjyrat- pikturë, është e arta që mbizotëron, krahas ngjyrës së argjend hënore, në një ambient gjysmë tropikal, gjysmë hënor. Pra, krahas zbërthimit psikologjik që e bartë pjesën më të madhe të dramës, janë peizazhet herë-herë syreale ato që e bëjnë filmin të veçantë e të pazakonshëm. Adaptimi brazilian ka shmangie të dukshme në kohë e hapësirë, mirëpo secili shikues, i cili e ka lexuar romanin do ta hetojë se aty është fryma e romanit, mbase ndonjëherë e vënë në pah me rubin e zi rreth dorës, që bëhet fatalë për njërin nga personazhet kryesor, apo nga këmisha e përgjakur e të vrarit, ndërsa me zvetënimin e ngjyrës jepet shenj se hakmarrja po vonon.
Sidomos është e përbashkët hija e vdekjes ajo që e ndjekë familjen braziliane dhe familjen shqiptare. E para nuk e përballon dot këtë barrë të madhe, prandaj shpërthejnë konfliktet në mes të anëtarëve të familjes. Ndërkaq, babai i Gjorgut, është gjakftohtë, më dinjitoz, më i përmbajtur. Ai vdekjen e pranon si diçka të pashmangshme. Ai bashkëjeton më të birin, e kupton dhe i dhimbset, por prapë kanuni është më i fortë. Filmi i Çashkut e ka peizazhin ambiental të realizuar me mjeshtri, ashtu sikurse i portretizon bindshëm personazhet “të mirët dhe të këqijtë ”.
Mark Ukaçjerra është ndër personazhet me të realizuar e më karakteristik të filmit e të romanit, gjë që këtë figurë filmi brazilian nuk e ka fare.
Të romani i Kadaresë, Gjorg Berisha, personazhi kryesor, i cili është figurë tragjike, pranon të bëhet vrasës nga presioni i kanunit; në filmin brazilian, Tonho, figura qendrore ka karakter tjetër, ai e pranon nënshtrimin ndaj babai diktator, jo pse e respekton këtë ritual, por sepse s’ka si bën ndryshe. Çashku e ve heroin tragjik-Gjorgun nën zgjedhën e kanunit. Personazhi i Sallesit për dallim nga Gjorgu rebelohet, e braktis vendlindjen. Gjorgut të Çashkut nuk i shkon nëpër mend një mendim i tillë, e vetmja dëshirë intime e tij është ta takoj edhe një herë gruan e bukur që përfton nëpër Rrafsh. Vijat e karaktereve janë krejtësisht të ndryshme.
Në filmin “Mysafiri i paftuar” Çashku protagonist e ka shkrimtarin Besian Vorpsi, me gruan e bukur-Diana, që ngjiten në Malësi në muajin e mjaltit. Përmes shkrimtarit shpaloset drama e malësorëve dhe e Gjorgut, figurë tragjike që shkëlqen si meteorit për t’u shuar në një udhëkryq po aq shpejt, pa dramë, pa ofshama. Në filmin e Çashkut dalin edhe probleme të tjera: politike, sociale, intriga lokale dhe zemërimi i ngulfatur që pret të shpërthejë…
Shmangja nga romani hetohet edhe këtu. Në mes të Ismail Kadaresë skenarist dhe Kadaresë shkrimtar, regjisori më shumë e pranon të parin. Në këtë segment “Mysafiri i paftuar” i afrohet herë-herë filmit italian “ Krishti u ndal në Eboli” të Françesko Rosit.
Ndërkaq, filmi i Sallesit “ Behind the sun”, qëndron më afër filmit “ Padre, padrone” të vëllezërve Taviani si me vijëzimin e personazheve, babait diktator e hakmarrjes braziliane e cila është më afër hakmarrjes mesdhetare të Sardenjës, ku zhvillohet filmi “Padre, padrone” se sa frymës së romanit apo hakmarrjes shqiptare mjaftë e veçantë nga hakmarrjet e pellgut të Mesdheut.
Salles ka një qasje të veçantë ndaj Pakos, vëllait të vogël, i cili përfundon tragjikisht, sepse me vetëdije flijohet për vëllanë e madh, i cili derisa gjakësi është në kërkim të tij, bënë dashuri me vajzën e cirkut shëtitës. Çashku ka qasje të ngrohtë ndaj të motrës së Gjorgut, por ajo është personazh episodike. Nuk është personazh kryesor as Gjorgu. Filmi nis me rrugëtimin e Besian Vorpsit, kurse romani me pritën e Gjorgut. Romani e portretizon më shumë dhe më ngjyra të larmishme Gjorgun, kurse filmi përqendrohet në portretin e shkrimtarit Vorpsi, duke rrëshqitur në disa momente sociale e politike, me elemente paksa të sforcuara të patriotizmi (të vjela nga një motiv i “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”). Aeroplani që endet kërcënueshëm në qiell është segment tjetër që s’ka përngjasime me romanin.
Dallimet në mes të Gjorgut të Kadaresë dhe Tonhos së Sallesit janë të dukshme. Gjorgu është më i qetë, nuk bënë asnjë përpjekje ta kundërshtoj, edhe më pak i shkon nëpër mend që të mos e zbatoj Kanunin, përderisa Tonho nuk pajtohet me ligjin e hakmarrjes, nuk pajtohet as më qëndrimin e ashpër të babait. Veprimet e brazilianit janë po aq të pavullnetshme sa edhe veprimet e Gjorgut, mirëpo përderisa ai vepron sepse nuk e përballon dot presionin e babait të egër, Gjorgu vepron sepse nuk i shkon nëpër mend se mund të bëjë ndryshe. Gjorgu është i vetmuar, Tonho ka një vëlla që bashkëjeton me fatkeqësinë e tij. Gjorgu heshtazi i kryen veprimet në mënyrë të pavullnetshme, por me përpikëri, ai nuk e përjeton mujshar as babanë, as mjedisin. Ashtu e thotë kanuni, ashtu duhet vepruar. Dhe kjo është punë e kryer për ç’gjë ai nuk e lodh kokën, as nuk mendon më gjatë.
Subjekti i filmit ‘Bihand dhe sun” në pjesën më të madhe ta kujton filmin “Padre, padrone” të Tavianit, ta kujtoin jetesën në ishullin e Sardenjës, ashtu sikurse ta kujton hakmarrjen mesdhetare, por paksa të zvetënuar me skenat natyraliste në moçalet e Brazilit. ‘Prilli i thyer’, është vetëm motivi, fryma, por jo romani, sepse pos shmangieve të dukshme dramaturgjike, ndryshimit të ambientit, gjeografisë e të kohës se veprimit të ngjarjes, ka edhe degëzime të tjera, të cilat janë ndryshe nga frymëzimi bazë- romani i Kadaresë.
Megjithatë disa nga veprimet paralele sikur të zgjojnë asociacione me romanin: personazhi kryesor takohet me një grua akrobate cirku, në të cilën dashurohet, Gjorgu dashurohet në shikim të parë në Dianen, vetëm në përftim, mirëpo ai përftim bëhet fatkeqësia e tij, sepse ai nis kërkimin e saj nëpër të gjitha rrugët e Rrafshit. Kështu, përfundon në një rrugë të madhe, mu si viktima e tij një muaj më parë.
Fundi i filmit ‘Bihand… ‘ është ndryshe nga romani. Djaloshi i rebeluar me t’u vrarë gabimisht vëllai i vogël në vend të tij, e braktisë familjen. As fundi i filmit ‘Mysafiri i paftuar” nuk është i njëjtë më romanin.
*
Sipas Eriona Vyshkes nga filmi “ Mysafiri i paftuar” janë hequr disa skena me peshë, të cilat janë ri xhiruar, sidomos nga ajo që e përshkruan në punimin e saj sekuenca e shkëputjes së shpirtit nga trupi i Gjorgut, sikur të lihej do ta fuqizonte filmin, duke i dhënë imazhe që nuk ishin parë deri me atëherë në filmin shqiptar. Janë edhe disa sekuenca të tjera që janë censuruar. Në praktikën e Holivudit, Çashku do ta bënte remiksin, duke futur skena që janë hequr nga censura. Këtë e ka bërë Frensis Ford Kopla në filmin ‘Apokalipsa tash”. Njëzetë e ca vjet më vonë ai fut 45 minuta sekuenca të censuruara. Fatkeqësisht sekuencat e censuruara të filmit të Çashkut, nuk janë ruajtur, janë djegur, kështu që nuk mund të bëhet si në praktikën e Holivudit.
Sidoqoftë filmi është adaptim, ri lexim interesant i romanit të Kadaresë, pavarësisht shtrëngesave të kohës.

Filed Under: ESSE Tagged With: Gani mehmetaj, Kadare, Prilli i Thyer, rikthim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4541
  • 4542
  • 4543
  • 4544
  • 4545
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT