• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JO,MENTOR QUKU! .. BURRA SI TI, NUK VDESIN KURRË !

June 2, 2014 by dgreca

Foto: MENTOR QUKU (1939 – 2014)/
Nga Fritz RADOVANI/
Shkodra ka humbë një qytetar dhe intelektual të mirfilltë, ndersa, Shqipnia, ka humbë modelin e një Atdhetari të Persosun! Shokët e Tij numroheshin me gishta…
Familja e vjeter shkodrane asht e vertetë se ka pasë dhe uroj të kenë Pinjollë me të cilët ka mese krenohet, po, Mentor Quku, ishte i rrallë në mjedisin e gjithë Shkodres.
I rij në Shpirtë, i pashëm, i qeshun gjithmonë, qyshë se e njoha në vitin 1953 në oborrin e shkollës Pedagogjike të Shkodres, po, mbi të gjitha i dashtun, joshës, dhe nder të veçantit Shqiptar që trashigoi Fisnikinë, Bujarin, Burrninë pa asnjë thermi fanatizmi, e këta janë një visar i çmueshem që Nana e Tij, i mkoi me qumshtin e vet si biluri…
Kam njohë në jetë Burra të vertetë në Shkoder, por nder moshatarët e mij, jo, per zakon se sot duhen thanë këto fjalë, po Shokët e Mentor Qukut, i vijnë rrallë Shkodres dhe gjithë Shqipnisë! E me plot gojë mund të them se Ajo Familje, 60 vjetë perpara kishte tri lule: Lalin, Mentorin e Lilin… Një nder’ i vertetë i Trojeve tona.
Provoi persekutimin e “heshtun”, tue iu privue e drejta me shkue në shkollen e mesme të gjimnazit bashkë me motrat, po gjithmonë kryenaltë se i perkiste asaj “klasë” që nuk pranonte privilegje me turp e faqe të zezë, gja të cilën, Qukët e kanë pague mjaft shtrenjtë nga persekucioni i pashpirtë komunist 47 vjeçar. Provuen burgjet, transferimet nder skajet ma të vështira të vendit, trajtimin antinjerzor komunist, po gjithmonë, dhe pa ma të voglen frikë krenarë dhe dashamirës ndaj shoqnisë së cilës, ua shperblyen me Besë dhe dashamirsi vuejtjen deri në vetflijim, po kurrë, me i sjellë një të keqe sado të vogël shokut dhe mikut nder të gjitha rrethanat e vështira të jetës. Ky ishte edhe Mentori!
Në vitin 1996 e takova rasësisht në rrugë tek Muzeu Popullor… Si gjithnjë, më foli dhe më tregoi se ishte angazhue per me krijue “Të Djathtën e Bashkueme Shkodrane”… Atyperaty…nuk isha optimist! Po, mbas një takimi me një grup qytetarësh tek shkolla Pyjore, ndryshova mendim dhe mora pjesë me qejfë në atë fushatë zgjedhjesh edhe pse asnjëherë nuk jam angazhue me parti politike, madje, ishte pikrisht Mentori dhe Nik Pavaci, që më propozuen si deputet perfaqsues i të Persekutuemëve Politik të Shkodres. Nuk u realizue kjo dëshirë e tyne, se ministria e mbrendshme më dha tri ditë ma vonë, dokumentin e pastertisë së figurës, atëherë, kur Prefekti i Shkodres z. Iljaz Vrioni, më tha: “Je i vonuar, se dje avioni u nis…”, dhe, unë iu pergjegja po me fjalët e tij, në një artikull në gazeten “Shkodra”… Megjithate, në saje të Mentor Qukut, Nikolin Pavacit, Nikolin Destanishtës, Ndrekë Bazhdarit etj., fitoria e së Djathtës së Bashkueme u arrijtë.
Ajo Fitore e Popullit të Shkodres ishte meritë kryesisht e Mentor Qukut, prandej edhe pothuej “askush” nuk e bani zemren gurë me ba një analizë objektive të saj, sepse Aty, ishte Ideali i Popullit të Shkodres, i Bashkuem si asnjëherë rreth një dashunisë Vllaznore, me të cilen, Ai do ti tregonte mbarë Shqipnisë, se vetem kështu ndertohet Demokracia! Asnjë prej Atyne Burrave që e organizuen dhe e arrijtën Fitoren e së Djathtës së Bashkueme Shkodrane, nuk u angazhuen nder poste shtetnore, dhe kjo ishte dëshmija e ndershmënisë së Tyne, gja që vertetonte një nga cilësitë e Tyne të Mëdha Shpirtnore: “Shkodra Antikomuniste asht e Bashkueme!”
Po, a u mjaftue me kaq “drejtori” i Muzeut Shkodres Prof. Mentor Quku?
Nuk besoj se ka njeri që mund të mohojë vleren e madhe të punës së palodhun të Mentorit, që në fillimet e para të luftës per Demokraci të Vertetë, e Ajo fillon atëherë kur qendra e Muzeut u kthye në Vater Pritje të Burrave të Nderuem Shqiptarë si: Profesorët e Pavdekshem Arshi Pipa, Gjon Sinishta, Zonja Camaj, Abaz Ermenji e madje, edhe nga personalitete të mëdha të Besimeve Fetare apo të kulturës Europjane…Pa zanë me gojë botimet dhe kumtesat e organizueme per Krenarinë e Shkodres Martire.

At Gjergj Fishta, Don Ndre Mjedja dhe Luigj Gurakuqi…

Këta Burra ishin frymzimi i Mentor Qukut…
Kjo veprimtari e Mentor Qukut e kishte domethanjen e vet!
Brumosja Shpirtnore dhe qytetare e Tij, në gjurmët e Kolosëve të Mëdhej si At Gjergj Fishta, Don Ndre Mjedja apo Luigj Gurakuqi, e thërrisnin dhe, pikrisht ishte Mentor Quku, që U asht pergjegjë me jeten dhe Veprat e veta, që me plot gojë Sot, mund të mbishkruhen mbi aktivitetin e Tij Atdhetar: “Idealist deri në vdekje per një Shkoder Antikomuniste të Bashkueme!”
Nuk e dojshe sot një lajm si ky per moshatarin tim Mentor Quku, edhe pse jam i sigurt se Ai asht pranë me Ata Burra! Jeta e njerzëve të Nderuem si Mentor Quku nuk mbyllet asnjëherë, se Veprat e Tij janë të Pavdekshme, janë udhë e sigurtë Vllaznimi dhe Bashkimi ashtusi, gjithmonë, Shkodra i ka lindë dy herë Ata: Si Kreatyra Njerzore dhe si Atdhetarë të Perkushtuem në rrugen Heroike të “Rozafës”…
***
Para pak kohe, pa dijtë se ishte tue u mjekue në Itali, i drejtova një pyetje per një nga personazhet e historisë sonë, fushë në të cilen kemi komunikue gjithnjë, dhe ashtu U përgjegjë, tue e mbyllë: “…Vllaznisht, Mentori.”
Një ditë do ta publikoj mendimin Tuej, i dashtun shok i vjeter, mik dhe Vlla, siç më ke konsiderue gjithmonë deri pak ditë perpara!…
Jam shumë larg i dashtun Mentor Quku, me dashtë me kenë këta çaste atje…
I therun thellë në zemer nga dhimbja per Ty, çova mendjen tek At Fishta, dhe mu kujtuen vargjet e Tija:
… “Dal në dritsore me kundrue shatorren,
Qi i Lumi t’ kthielltë ia vuni rruzullimit,
E kqyri hyjt, qi thue, se njaq sy Zotit
Flakojn mbi dhé –…
– e atë botë mendoj per ty.
E, ku t’ a shoh ma t’ flakshem tue xhixhillue
Nji hyll, aty selin un tham me vedi,
Ti do t’ a késh, e syt m’ atë hyll pa da
I nguli, e m’ bahet si me t’ pa. Me emen
Un t’ thrras atë botë n’ per terr. Nji vaj bylbylit,
Qi permallshem nder gemba rrin tue kja
Fatin e vet, a ndoshta, zojt e dashtun,
Jehonë m’i bahet t’ grishunit; e m’ duket
Se bisedoj me ty!… Nuk dekka i miri,
Jo kurr…”
“Nji lule vjeshtet” At Gjergj Fishta, Lirika.

Melbourne, 2 Qershor 2014.

Filed Under: ESSE Tagged With: Jo, MENTOR QUKU! .. BURRA SI TI, NUK VDESIN KURRË !

Vetëurrejtësit

June 2, 2014 by dgreca

Nga Uk Lushi/
Është viti 1994. Jam duke shkuar në një diskotekë në Stuttgart bashkë me një djalë as të bukur as të shëmtuar nga Gjilani. Para se të na vije radha të paguajmë biletat hyrëse, ai më flet me zë të ulët: “Mos thuaj që jemi shqiptarë brenda! Kur të pyesin nga jemi, thuaj që jemi italianë! Vetëm kështu mund të zëmë femra të bukura! Gjermanet nuk i duan shqiptarët!”
Është viti 2006. Jemi mbledhur në një restorant në Boston rreth njëzet punëtorë të dy firmave globale. Mësoj që në mesin e përfaqësuesve të kompanisë që kishte shtruar darkën ishte një shqiptare nga Tirana. I gëzuar filloj e bisedoj shqip me të. E trazuar, ajo më pëshpëritë: ”Unë u kam thënë kolegëve që jam nga Greqia. Ju lutem flisni anglisht dhe vetëm për tema profesionale!” Dy latino-amerikanë, njëri nga Argjentina dhe tjetri nga Venezuela, e kaluan gati tërë kohën duke folur në spanjisht.
Është viti 2008. Jam duke vizituar një shqiptaro-amerikan të lindur dhe rritur në Ulqin, menaxher i një rrokaqielli madhështor, në zyrën e tij në New York.Mbi tavolinën e punës vërej flamujt e Malit të Zi dhe Amerikës. I çuditur i drejtohem: “ Ti nuk ka ngjarje në komunitet që nuk luan patriotin e përunjur! Ku e ke flamurin shqiptar?!” Ma kthen në një anglishte të rëndë: “Nuk kam dëshirë që banorët e ndërtesës ta dinë që jam shqiptar! Ne shqiptarët nuk kemi nam të mirë!”
Është viti 2011. Jemi me pushime me nusen time në Pragë. Ditën e dytë futemi në një dyqan stolish që vizëllonte nga shndritja e smeraldeve, qelibarëve dhe garnetëve. Bisedojmë me pronarin që tregon që kishte 12 vite që prej se kishte ardhur në kryeqytetin çek. E pyesim prej nga. “Jam kroat.”— na kthen ai dhe vazhdon të provojë të na shesë gurët dhe kristalet e tij. Dy-tre minuta më vonë, nga mbrapa tezgave, shfaqet një fëmijë rreth dhjetë vjeçar, që thërret:“U ktheva! O bab’, u ktheva!” I shokuar e pyes zotin e dyqanit: “Ne jemi shqiptarë. Ju thatë që jeni kroat. Fëmija juaj foli shqip. A jeni shqiptar?!” Burri pa ju dridhur qerpiku u përgjigj: “Jemi nga Shkupi, por para se të vinim në Pragë kemi jetuar në Zagreb përmbi 30 vite. Të thuash je kroat është më mirë për biznesin!”
Këto anekdota të vërteta kanë vetëm qëllim ilustrues. Jam i bindur që ka edhe shqiptarë apo shqiptare tjera që kanë përjetuar raste të ngjashme si përvojat e mia më lartë kur bashkëkombës tonët projektojnë frustrimet, mungesat,inferioritetin apo mosplotësimin e ambicieve vetjake në kombin shqiptar. Sigurisht që shumica e madhe e shqiptarëve nuk i kanë këto komplekse dhe e duan me gjithë zemër popullin tonë, mirëpo athtësia e disave nga ne është aq acidike, sa nganjëherë është gati e pabesueshme. Anëtarët e një populli të cilët ndihen keq dhe e fshehin përkatësinë e tyre, që shprehin indinjatë, aversion dhe urrejtje ndaj kombit të tyre, gjenden edhe ndër popuj tjerë.Këta njerëz profesionistët e psikologjisë dhe psikiatrisë i quajnë vetëurrejtës.
I pari autor që përdori termin “vetëurrejtës” ishte filozofi hebrenjo-gjerman Theodore Lessing në librin e tij “Jüdischer Selbsthass” (“Vetëurrejtja hebrenje”), botuar në vitin 1930. Lessingu i kualifikoi si vetëurrejtës hebrenjtë të cilët zgjidhnin asimilimin dhe përpiqeshin të largoheshin nga rrënjët e tyre hebrenje. Nocioni i vetëurrejtjes hebrenje u popullarizua në Amerikë në vitet 1940 nga psikologu Kurt Lewin dhe sidomos në mesin e viteve1980 nga profesori Sander Gilman, sipas të cilit vetëurrejtja hebrenje haset në hapësirat mes asaj se si hebrenjtë kujtojnë që grupet tjera dominuese i shohin ata dhe si ata e projektojnë frikën e tyre se do të shikohen nga hebrenjtë tjerë si mishërim i statutit të ankthit të tyre kundrejt këtij shikimi.
Në përgjithësi vetëurrejtja konstatohet në të gjitha grupet njerëzore. P.sh. në Gjermani ajo shënoi një rritje sidomos para ribashkimit të popullit gjerman me 3 tetor 1990. Vetëurrejtësit gjermanë nuk donin t’ ja dinin që populli gjerman kishte vlera, kapacitete dhe aftësi të bënte vepra të mëdha. Vetëurrejtësit ndiejnë antipati të fortë për çdo gjë të popullit të tyre.Njëjtë sillen edhe vetëurrejtësit shqiptarë të cilët nuk duan të pranojnë asgjë të mirë, por vetëm të këqijat e kombit. Vetërrejtësit tonë përqendrohen vetëm në të metat dhe me logjikën e tyre edhe të mirat janë arritje të vogla dhe nuk ka rëndësi se sa i madh ka qenë disavantazhi para realizimit të së mirës. Sipas tyre popujt e tjerë janë superiorë dhe t’u takosh popujve tjerë, pavarësisht karakterit, aftësive dhe punës personale, automatikisht je më i mirë apo më e mirë. Sidoqoftë, vetëurrejtësit shqiptarë kanë një dallim kardinal nga vetëurrejtësit e popujve tjerë: k’ta urrejtësit e vetes shqiptare nuk urrejnë përfitimet që u vijnë në emër të popullit shqiptar dhe kur u jepet rasti për donacione, ndihma apo asistencë, i pranojnë ato duarhapur, paçka që, sapo t’ik enë ato në posedim, harrojnë popullin shqiptar dhe rinisin urrejtjen menjëherë dhe përsëri.
Populli shqiptar është një popull i vuajtur dhe i cili është goditur nga çdo anë. Ne padyshim kemi të bëjmë shumë dhe, ndërsa tjerët ndoshta kanë komoditetin të ecin, ne duhet të vrapojmë. Secili shqiptar apo shqiptare duhet të ndihet rehatshëm si pjesë e popullit shqiptar sepse nuk ka popuj më të mirë apo më të këqij, por ka individë që zgjedhin të jenë shqiptarofobë ose shqiptarofilë. Për pjesëtarët e popullit shqiptar ka një gjë që duhet bërë medoemos kur kryqëzohet rruga me vetëurrejtësit— ata dhe/ose ato duhet quajtur me emrin e vet. Vetëurrejtësit duhet ta dinë që dashuria gjithmonë fiton mbi urrejtjen sepse dashuria është lule e cila ujitet nga shpresa. Dashuria si ndjenja më e bukur dhe bujare njerëzore natyrisht që është e mbushur me rrezik për zhgënjim, por gjithsesi që është diçka që i jep kuptim të thellë dhe fisnik jetës. Prandaj nuk është mirë të urrehen as të tjerët, e as vetvetja.

Filed Under: Analiza Tagged With: Uk Lushi, Vetëurrejtësit

“KRIMI KOMUNIST I PADENUAR QE FLET!

June 2, 2014 by dgreca

Nga Prof. Sami Repishti/
Me inisiativen e Unionit Mbarkombetar te Integrimit te Burgosureve dhe te Perndjekureve Politike te Shqiperise, te Premten me 30 maj 2014, para dite u organizue nji tubim i veçante me qellim te vumjes ne dukje te faktit te pafalshem te “harreses” qeveritare per 23 vjet me rradhe te fatit te viktimave te komunizmit ne Shqiperi.
Me kete rast, u theksue gjithashtu edhe nevoja urgjente per dokumentimin e plote te krimit komunist ne Shqiperi, nji mungese qe ka lejue rilindjen e manifestimeve pro-komuniste dhe nji levizje qe synon rihabilitimin e terrorit komunist dhe te kryekriminelit Enver Hoxha dhe ndihmesve te tij, xhelate te popullit shqiptar.
Per kete qellim ishin ftue foles viktima te komunizmit. Per randesine e tij, Tubimi kishte ftue edhe Presidentin e Republikes Sh.T. Bujar Nishani, si dhe anetare te trupit diplomatic te akredituem ne Tirane.
Ne flete-lajmerimin e leshuem nga organizatoret –nenshkrue nga Presidenti Ii Unionit Z. Besim Ndregjoni- rreshtohen edhe perpjestimet e perbindeshme te komunizmit ne Shqiperi gjate sundimit te tyne 45 vjeçar. Aty lexojme se
-5.037 burra, dhe 450 gra jane ekzekutue me gjyq e pa gjyq per motive politike.
-21.788 burra dhe 7.360 gra jane denue me burg per motive politike
-48.217 burra dhe 10.792 gra jane internue per motive politike
– 11.536 familje jane debue nga qytetet dhe zonat kufitare per motive politike
-64 qytetare te huej jane pushkatue ose kane vdeke ne burgjet komuniste
-1.215 burra, dhe 38 gra te hueja jane burgose per motive politike
-95 shqiptare kosovare jane ekzekutue ne Shqiperine komuniste
-120 klerike katolike shqiptare jane ekzekutue
-83 klerike bektashiane jane ekzekutue
-60 klerike myslimane jane ekzekutue
-39 klerike orthodoks jane ekzekutue
-2.169 institucione fetare jane shkaterrue ose mbylle. (740 xhami, 608 kisha dhe monastire orthodokse, 157 kisha katolike, dhe 520 teqe bektashiane.
Ka pase burgje dhe kampe internimi ne : Tirane, Burrel, Shkoder, Peshkopi, Bulqize, Spaç, Qafe-Bari, Gjirokaster, Tepelene, Vlore, Korçe Berat, Elbasan, Durres etj.
-4,500 shqiptare te ekzekutuem, me gjyq e pa gjyq, nuk kane varreza, Per 23 vjet me rradhe familjet e tyne kerkojne vend-varrosjen pa sukses. Nderkaq, Qeveria mbetet ne heshtje…
***
Per arsye te moshes, nuk kam qene ne gjendje te marr pjese fizikisht ne kete tubim kuptimplote dhe shume emocional. Por me kerkesen e Kryesise se Unionit, kam pergatite nji Pershendetje, te cilen e bashkengjes ma poshte:

Sami Repishti, Ph.D.
“Regency” -638 Danbury Road # 49
Ridgefield, CT. 06877 USA
sdrepishti@att.net
30 maj 2014
I nderuemi Z. Kryetar,
Te dashtun bashkevuejtes, viktima te terrorit komunist,
Miq te dashtun,

Nga Amerika e larget, sot perulem para dhimbjes suej ne tubimin qe synon nji kauze te shenjte: dokumentimin e krimeve te padenueme komuniste ne Shqiperi.
Njizete e tre vite mbas levizjes studenteske te dhetorit 1990, – per liri e demokraci- Shqiperia ka levize. Gjendja ekonomike e shoqenore ka pesue permiresime, populli jeton pa friken e kerbaçit policor. Me gjithe vorfenine e te metat sociale qe e mundojne, Shqiperia ka avancue drejt anetarsimit ne Bashkimin Europian. Europa ashte shtepia e jone, ashte zgjidhja e jone e vetme, si shtet ma pare dhe si komb shqiptar ma vone!
Ne kete udhetim te gjate, vendi i jone ka deshmue dhe padrejtesi te medha, njena nga te cilat ashte keqtrajtimi i viktimave te komunizmit, ju vellazen e motra, sakrificat tueja, qendrimi i juej heroik qe nuk pranoi nenshtrimin ndaj “luftes se klasave” fenomeni ma negativ i shekullit 20-. Me fitoren tuej morale kunder shnjerezimit komunist, ju keni fitue te drejten me u quejte “kapitali moral i shoqenise shqiptare”.
Kete te drejte e konfirmon pafajesia e juej qe ashte edhe stigma ma pozitive e zhvillimit politik ne Shqiperi. Ju gjetet guximin me i thane “JO!” diktatures, jo pushtimit jugosllav, jo pushtimit sovjetik, jo marrezise kineze, jo krimineleve injorante te PKSH dhe PPSH-se. Sot ju keni te drejten me akuzue mosperfilljen e pushteteve qeveritare ne vendin tuej, sepse jeni te pafajshem. Pafajesia ashte thelbi i sakrificave tueja, i rezistences anti-komuniste ne Shqiperi!
Koncepti i qeverisjes ne kohen tone ashte nii sfide qe Shqiperia nuk e fitoi, fatkeqsisht. Mungesa e nji “pranevere shqiptare”, e zgjimit nga gjumi i rande i shqiptareve, tregon ekzistencen e te metave strukturale ne shoqenine tone, siç e tregojne grevat tueja qe perfunduen tragjikisht. Por e meta e madhe sot ashte humbja e frymes se bashkesise qytetare.
– Grindjet dhe perballimet nuk kane te ardhme.
– Trajtimi partizan i problemit nuk perfaqeson interesat legjitime te popullsise.
– Mashtrimi ne politike ashte genjeshter qe ka rrjedhime .
– Poshtrimi i kundershtarit politik nuk ashte fitore; ashte shkaterrimi i gjysmes shqiptare qe mendon ndryshe.
– Na, jemi per nji Shqiperi ma njerezore!
Pushteti ashte mjet ne demokraci; ashte qellim ne diktature! Qellimi i pushtetit ashte forcimi i kohezionit social shqiptar, e jo “lufta e klasave”. Ne rastin tone kohezioni social kerkon pastrimin e krimit dhe te kriminelit komunist, ne nji proces te mbeshtetun ne drejtesi; ashte rikthimi i plote ne liri dhe dinjitet per te gjithe, ashte mbrojtje nga “dora e shtetit” e nga“grushti i hijeve te zeza” ….
Nji shtet dhe shoqeni e ketill nuk mund te ndertohet mbi padrejtesi! Keshtu veproi Europa e qytetnueme e mbasluftes, qe dermoi diktaturen fashiste-naziste. Tek ne, edhe sot, mbas 23 viteve nuk ashte denue krimi komunist 45 vjeçar, me gjithe sjelljen tuej fisnike qe perbuzi hakmarrjen. Ju jeni breznia qe keputi zinxhirin e hakmarrjes, nji fitore historike e shpirtit shqiptar.
Megjithate, duhet denue PKSH dhe PPSH-ja si parti kriminale.
-Duhet dokumentue krimi per hir te breznive te reja qe te mos perseritet.
-Duhet hjedhe drite mbi erresinen 45 vjeçare qe te mos perseritet.
– Duhet informue breznia e re per te kaluemen tone tragjike, qe te mos perseritet.
Kjo ashte nji detyre primare per te gjithe, por sidomos per ju.
Dokumentimi i krimeve komuniste ne Shqiperi do te nxjerre ne drite genjeshtren, urrejtjen e dhunen qe kane karakterizue rregjimin e gjakut Flitni, shkrueni, organizoni veprimtari kulturore dhe politike qe synojne zbulimin e krimit komunist ne Shqiperi. Kerkoni perkujdesjen e viktimave qe i shpetuen krimit komunist dhe familjeve te tyne te abandonueme ne duer e fatit mosperfilles.
Sot, ne Shqiperi, viktima e komunizmit vuen per buken e gojes, per nji strehe mbi koke, per nji sherbim mjeksor – vuen per nji fjale te mire. Ashte mekat, ashte harrese, ashte vrasja e dyte e viktimes!
Vellazen, motra! Ju duhet te udhehiqni nji kryqzate qe do te shpetoje ju dhe Shqiperine tuej, Shqiperine e te gjithe shqiptareve.
Dhe mos harroni fjalet e nji te burgosuni spanjol: ”Mos e mbyllni librin e krimeve komuniste derisa çdo rresht, çdo faqe te lexohet nga te gjithe”.
Me nderimet ma te thella,
Sami Repishti
ish i burgosun politik ne Shqiperine komuniste (1946-56),
dhe ne Jugosllavine komuniste (959-1960)
—————————————————————————————————

Filed Under: Analiza Tagged With: “KRIMI KOMUNIST, I PADENUAR, QE FLET!, Sami repishti

O.J.Schmitt dhe “prapavija” e tij serbomadhe, racistoide, shqiptaro-mohuese!

June 2, 2014 by dgreca

Libri i tretë elektronik i Fahri Xharrës/
Shkruan: Elvi Sidheri , Tiranë/
Tanimë ka ardhur rradha që me “penën” (dhe mendjen) e Fahri Xharrës, të përballet njëherë e mirë edhe O.J.Schmitt, ky zvicerian i dyshimtë, personifikim i mirëfilltë i lobeve të njohura dhe përherë vepruese, antishqiptare.
Përse Fahriu të ndjente fundja papritmas nevojën për të shkruar e mbi të gjitha, për të kundërshtuar, duke i përkushtuar për më tepër, një libër të tërë me shkrime të zgjedhura O.J.Schmitt-it dhe “prapavijës” së tij serbomadhe, racistoide, shqiptaro-mohuese?!
Arsyet janë aq të qarta, sa nuk do të ishte nevoja fare që t’i përmendja, por gjithësesi mendoj se personazheve groteske, sharlatane, këtyre veglave, marionetave, kukllave që drejtohen drejtpërdrejt nga fijembajtësit e Akademisë së Shkencave të Beogradit (si i tashmë “ngordhuri” Dobrica Qosiç)…u do dhënë gjithnjë një përgjigje e vendosur, pa u lënë kohë që të përhapin helmin e tyre.
Një helm antishqiptar, një virus shqiptaro-mohues që tashmë ka nisur të marrë vendosmërisht trajtat e një epidemie, thënë më mirë, e një pandemie të rrezikshme, duke sulmuar me rradhë gjithë figurat e ndritura të Rilindjes sonë Kombëtare, duke vërshuar me llumin më të ndotur drejt lartësisë së emrit të Gjergj Kastriotit, drejt veprës së shenjtëruar të Nënë Terezës, drejt fshirjes fiktive të çdo lidhjeje mes së kaluarës sonë iliro-arbërore dhe shqiptarit të shekullit të 21…
Këtë helm pra, Fahri Xharra, ka kohë që e ka “nuhatur”!
E ka ndjerë në ajër dhe rreket prej kohësh që t’a luftojë me çfarë të mundet, me mjetet e tij të reduktuara në pamje të parë.
Ajo që atij i mbetet…është vetëm fjala…
Sepse e para edhe sipas librit të shenjtë, ishte pikërisht “FJALA”!
Këtë “bari dhish” zviceriane, këtë druvar të munguar, këtë person të fandaksur të cilin ndokush, falë një dhelpërie dinake, ka vendosur t’a përdori gjerësisht, për të dëmtuar aq sa të jetë e mundur, të tashmen, të kaluarën e mbi të gjitha…të ardhmen e popullit dhe historisë shqiptare.
Ju ftoj me ëndje dhe bindje, që të shkarkoni (falas) këtë libër të rrallë dhe të përhumbeni brenda faqeve të tij, duke kuptuar sesa e madhe është “pezhishka” (rrjeta e mermangës) që lobet e fuqishme antishqiptare, kanë thurur në vazhdimësi…
“Kundërhelmin” ndaj këtij virusi, Fahri Xharra ka nisur t’a prodhojë gjithësesi!
Libri shkarkohet falas ne kete link: http://www.librariaelektronike.com/lexo/101/fahri-xharra-une-dhe-o-j-schmitti
Elvi Sidheri

Filed Under: Kulture Tagged With: dhe “prapavija” e tij, O.J.Schmitt, racistoide, serbomadhe, shqiptaro-mohuese!

Ministrat e kulturës e shkretuan kulturën

June 2, 2014 by dgreca

Ministri fodull, M. Krasniqi, adoleshenti i vonuar, mblodhi rreth vetës një lukuni dështakësh të tjerë si veten, që i mori nga rruga, kafenetë e provinca për t’ua dhënë timonin e institucioneve të kulturës./
Nga Gani MEHMETAJ/
Mirela Kumbaro, një ish- përkthyese, luan me fatin e dinjitetin e artistëve shqiptarë, raportojnë mediet. Meqë artistët s’patën mundësi të komunikojnë më zyrtaren e lartë, nuk u mbeti armë tjetër përveç të kërkojnë mbrojtje nga presidenti. Ende nuk dihet si do të përfundojë lufta në mes ministres së kulturës dhe artistëve, por në shtetet e kapërcimeve të mëdha, ku pushteti ka frymë totalitare, pushtetarët gjithnjë fitojnë mbi artin.
Kolegu i saj në Prishtinë, ministri Memli Krasniqi, një ish-këngëtar rrugësh i pagdhendur, apo adoleshent i vonuar, sikurse e quajnë në qarqet intelektuale, që katër vjet tallet me artistët në mënyrën më të vrazhdë, sepse ashtu sikurse të gjithë dështakët vuan nga kompleksi i hiçit. Artistët tonë të paorganizuar s’patën kujt t’i shkruajnë, as nuk organizuan protesta e peticione, pos ndonjë reagimi individual.
Ministri fodull mblodhi rreth vetës një lukuni dështakësh të tjerë si veten, që i mori nga rruga, kafenetë e provinca për t’ua dhënë timonin e institucioneve të kulturës.
Kështu, njeriu i dytë i ministrisë së kulturës në Kosovë është njëfarë V. Firzi, i cili në krye të institucionit më të lartë erdhi nga kafexhiu i lagjes së kafehaneve të kryeqytetit. Më parë se menaxher në kulturë ai të jep përshtypjen e xhandarit të Serbisë, arrogant e primitiv me vartësit, servil më eprorët dhe, i paarsimuar për të udhëhequr çfarëdo posti. Ndërkaq, qeverisë më të gjitha institucionet më të rëndësishme të kulturës në vend! Në një shtet normal, ai do të mbetej kafexhi, që të mos e harroj zanatin.
Zyrtari tjetër i kësaj ministrie, drejtori i Departamentit të Kulturës, Kamuran Goranci, i ardhur nga provinca, jo me kot e portretizojnë me një barcaletë pikante: në vend të fuste rrobat në lavatriçe, ai futi kokën dhe, kur e nxori, uji ia kishte shpërlarë trurin. Mungesën e trurit e kompensoi me aftësi përshtatje që ia kalon çdo lloj kameleoni. S’ka qeveri që nuk e angazhoi për ndërmjetësime që kundërmojnë, ndërsa qeveria e tashmë ia besoi dy poste njëkohësisht: drejtor të Departamentit dhe drejtor të Teatrit Kombëtar të Kosovës, thua se kishin vdekur të gjithë artistët e vendit dhe ekspertët e kulturës.
Natyrisht nga kjo përbërje e Ministrisë së Kulturës, nuk mund të presësh asgjë, pos djerrinë në kulturë, mjerim e shkretëtirë në art dhe dështim në projekte ende pa filluar. Çdo vizitë të kësaj treshe apo të parit të tyre jashtë shtetit, e proklamonin sukses të jashtëzakonshëm të kulturës, ndërsa në fakt ai ose ata bënin vizita turistike në Berlin, Kanë apo gjetiu, duke shpenzuar mijëra euro dhe, duke mos bërë asnjë gjë, pos që dyshohej se ndonjëri prej tyre si puna e sekretarit, i ngjitej ansambleve të artisteve për motive të ulëta deri në Amerikën latine.
Asnjëherë kultura në Kosovë nuk ka qenë në nivel më të ulët e në gjendje më të mjerë. Asnjëherë kultura e arti nuk janë poshtëruar më keq se sa në katër vjetet e fundit. Asnjëherë artistët nuk e kanë ndjerë vetën më në siklet se sa tash, madje e kanë thënë publikisht disa herë, nuk ishin më në siklet e më të poshtëruar as në kohën e tmerrshme të Milosheviqit. Kjo është gjendja e kulturës, kjo është gjendja e institucioneve tona veç e veç. Paratë e taksapaguesve janë shpenzuar lum, por rezultate nuk ka. Paratë kanë qarkulluar në treshen-ministër-sekretar- drejtor me të përkëdhelurit e tyre, të cilëve u jepnin projekte, por nuk mbeteshin pa gjë për favoret e bëra, pra paratë kanë përfunduar nëpër xhepa. Një komision i pavarur duhet t’i hulumtoj shpenzimet e katër vjetëve të fundit, duke filluara nga kinse rinovimet e institucioneve që ishin rinovuar një vjet më parë e deri të udhëtimet kinse zyrtare që bëheshin vetëm për përfitime personale.
Qeverisja e kësaj lukunie talibanësh qoftë e shkuar, paudhësitë mos u harrofshin, por në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim s’bën të përsëritën.
Ndërkaq, Ministria e Kulturës edhe në të kaluarën është qeverisur nga ministra të paarsimuar e primitiv, dështak e gdhe, që s’ta kap mendja. Se ku i gjenin, askush nuk e sqaron dot, se çfarë shërbimesh u bënin atyre që i caktonin, kurrë nuk u mor vesh. Përzgjedhja e stafit, po ashtu në jo pak raste bëhej me ndërhyrje nga lartë, me lidhje familjare e hatër, kishte edhe arrogancë despotike.
Ministri i kulturës prandaj duhet të caktohet nga kolonia e artistëve, sepse askush më mirë se sa krijuesit nuk e kuptojnë artin e kulturën, ata dinë ta vlerësojnë artistin dhe projektin e artit, mund ti japin shpirt kulturës dhe ta ngjallin shpirtin krijuese që ka rënë në agoni në katër vjetet e fundit. Ata që bënë vepra të mira artistike dinë të udhëheqin edhe Ministrinë e Kulturës e të bëjnë përzgjedhjen e vlerave, të emërojnë njerëzit e duhur në vendet e duhura, pra edhe drejtorët e institucioneve. Ata që bënë emër në art, mund të bëjnë emër edhe në krye të Ministrisë së Kulturës, por kurrë s’mund ta bëjnë një gjë të këtillë ata që vlerat kulturore i kanë shikuar vetën kur i caktuan përgjegjës të kulturës, megjithëse gdhe mbetën edhe më vonë. Dështakët e pa profesion e të ashtuquajturit menaxher, të cilët nuk mbahen në mend për asgjë, pos që e zhvatën kulturën e u ranë në qafë artistëve, nuk mund të caktohen as ministra, as drejtorë të departamenteve, por as sekretar të përhershëm. Ai ose ajo kompensimet për shërbimet shefave duhet ti kërkojnë gjetiu e jo më poste ministrore, sidomos jo me postin e ministrit a ministres së kulturës.
Për fund: e nisa me ministren shqiptare Mirela Kumbaro, duke mos e kuptuar as sot, cili ishte shërbimi që i bëri ajo kryeministrit për postin më të lartë, ndërsa i pari i qeverisë shpërfilli qindra krijues (socialistë) shqiptarë më emër kumbues, të cilët do ta udhëhiqnin njëqind herë më mirë Ministrinë e Kulturës. Nuk e di as sot çfarë shërbimi i kreu ministri i kulturës në Kosovë shefit të vet për postin. Është e parëndësishme se çfarë shërbimesh do t’i kryejnë ministri apo ministrja e ardhshme e kulturës kryeministrit të ardhshëm, por nëse nuk caktohet ministri a ministrja me meritat artistike, po me shërbimet që s’kanë të bëjnë me kulturën, do të ishte vazhdim i nepotizmit të deritashëm, pra edhe vazhdim i agonisë në kulturë.
Dy shtetet shqiptare nuk bënë të vazhdojnë deri në pambarim me ministre a ministër që s’kanë ide ç’është arti, ndërsa e zhvatin dhe e shkretojnë kulturën mizorisht.

Filed Under: Opinion Tagged With: e kulturës e, Gani mehmetaj, Ministrat, shkretuan kulturën

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4578
  • 4579
  • 4580
  • 4581
  • 4582
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT