• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË SHTET QË SYNON T’I MBYLLIN UNIVERSITETET KA MARRË RRUGËN E DJALLIT

April 27, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Prej disa ditësh 400 studentë të Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës (UNT) nuk futen në audioret e tij pasi është rrethatue me shenja të bllokimit tatimor. Ata shirita më ngjajnë si “rrezik vdekje” për Qeverinë e “Rilindjes”, e cila po aktkryen e aktron sulm të paprecedent politik e policor deri në mbyllje të veprimtarisë akademike ndaj këtij institucioni dinjitar të dijes.
Kësisoj, “rilindasit” e Tiranës po i kundërvihen edhe rilindasit të madh të kahershëm, poetit kombëtar Naim Frashëri, që iu apelonte brezave shqiptarë nën pushtimin ottoman: “Dritë e Diturisë përpara do na shpjerë” (!)
Për 40 milionë lekë (të reja) detyrime tatimore tejet të plancuara edhe nga gjoba e interesa kryqëzate dregëz e nyje, mbyllet 4 muaj para përfundimit të vitit akademik UNT e iu ndërpriten studimet 400 studentëve të tre viteve, ndaj me të drejtë prorektori i tij, prof dr Lisen Bashkurti, apelon në masmedia: “Autoritetet respektive të mos ngatërrojnë aspektet tatimore-fiskale me funksionimin e pandërprerë akademik të institucioneve universitare”.
2.
Kjo ofensivë fundekrye është cytje e hjeksi shtetërore-politike sa shtatanike e cinike. Një turrnajë sa e haparavtë edhe e grenztë me laryshi policësh të DPTT e të DPQT. Në bashkari, truç e truçkas, e shigjetuan e oktapodën Universitetin Ndërkombëtar të Tiranës, i vendndodhun diku në afri të zonës të thirrun popullorçe “vilat amerikane e gjermane”.
Diçka më trondit fort mue, plasarit kohën, hendekon të ardhmen: Prapë, në shek. XXI, në kushtet e ecuritë e demokracisë euro-atlantike, pas mbiemrit të universiteteve: “i Tiranës” etj. gërmohet në gjenezë të prejardhjes krahinore të emërorëve themelues e drejtues të tyre, nëse janë “të Tropojës” etj.(!) Prapë nuk paskan randësi as titujt e gradat shkencore të kryestafit të këtij universiteti me kryetar senati akademik Apollon Baçe, rektor prof dr Agron Lamaj, prorektor prof dr Lisen Bashkurti, president juristin Vladimir Mulaj e pedagogë nga ma të mirët, por paska fuqi magjike edhe përcaktori e cilësori nëse je “mik” apo “armik” i kryeministrit të sotëm Edi Rama apo i ndokujt tjetër nga (ish)shtetarët e lartë të djehit e të sodit.
Fakte të tilla i japin dritë deklaratës mediatike të kryetarit të senatit të UNT, akademik Apollon Baçe, teksa e përcakton mbylljen e Universitetit si “sulm të mirëfillta politik” e argumenton se “qeveria e majtë socialiste po konfirmon atë çka tha kryeministri Rama në një debate parlamentar kur kërcenoi…se nuk keni parë ende asgjë nga dhuna”.

3.
Ky sulm sa otoman e shoven, gjithësesi i pafytyrë e i mënxyrtë, i keqndodhur më 25 prillit 2005 çoi kryekëputas në ndërprerje të veprimtarisë akademike të UNT, me mbylljen e dyerve të tij të dijes.
Kjo më përngjan me Fermanin Perandorak të 31 majit 1779 të Sulltanit otoman Abdul Hamiti i Parë, ferman që e ndalonte përdorimin e gjuhës Shqipe dhe ngritjen e shkollave shqipe në sanxhakët e vilajetet shqiptare nga Janina në Nish dhe i lejonte ato në gjuhën greke (!)
A thue edhe në shek. XXI të integrimeve euro-atlantike e ku-ku/quajtuna “Rilindje” e kryeministrit Edi Rama me koalicionin qeverisës do të lejohet nga (ndër)kombëtarët të na demonstrojnë sjellje e veprime të tilla otomane orientaliste në zemër të Europës, në kryeqytetin e shqiptarëve të botës?!

4.
Rrethatimi ajzberig e kulisor i Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës prej 25prillit 2014 nga “policët” e kollarit e foltoreve të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”; nga policët e lapsit e shiritit tatimor e policët e fugonit e të shkopit afër Lanës e Liqenit Artificial të Tiranës, bie ndesh me modelin e përkryer të politikave e praktikave arsimore akademike të dy aleatëve ma strategjik të Shqipërisë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës të Obamës e të Gjermanisë të Merkelit.
Presidenti Barak Obama e ka shpallur prej kohësh një nga devizat e tij për Amerikën që të bahet “the most college-educated country in the world by 2020”. Përndryshe: të ketë përqindjen ma të lartë të popullsisë me arsim universitar.
Kancelaria Angela Merkel ka premtuar qyshse më 2008 se Gjermania do të bëhet një “republic of education”. Përndryshe: një republikë e njerëzve të arsimuar.
Krejt ndryshe nga këto dy supershtete euro-atlantike e botërore veprimtaron Qeveria e “Rilindjes”, e cila me turpin e dhelprës e luksin e gjelit i curravet e i rrgallet me ndërprerje aktiviteti akademik UNT, tue mbyll një portë, auditor, tempull të dijes universitare.

5.
Në shek. XXI nuk janë problem kryesor i botës as luftërat ndërkontinetale, as krizat fiskale në ekonomitë botërore, as mungesa e ujit, as ndryshimet e ndjeshme klimaterike, etj. po vet rinia e sotme, sidomos rinia universitare e pasuniversitare.
Sivjet, në vitin 2014, Shqipëria është i treti shtet (pas Turqisë e Kosovës) me moshën ma të re në Ballkan e në Europën Euro-Atlantike, pasi i ka 38.5 për qind të popullsisë së saj deri në moshën 25 vjeç. Përndryshe: një kuota lartësore rreth 12 për qind ma të lartë se mesatarja e Bashkimit Europian.
Një shtet që i mbyll dyert e universiteteve e ka rininë në Rrugën e Madhe. Studentët më 25 prill 2014 thirrën në protestën e tyre para universitetit të vet: “Duam mësim”, “Shtet policor”, etj. e tevona kanë me shkue edhe para selisë të Kryeministrisë, Parlamentit, Presidentit.
Akademiku Apollon Baçe, kryetar i senatit të Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës e shtron pyetjen para Qeverisë së Rilindjes, para Shtetit Shqiptar, natyrisht edhe para Bashkimit Europian e Amerikës: “Më thoni këtë gjë, këta që kanë studiuar dy vjet, tre vjet, çfarë do të bëjnë? A do hidhen në rrugë, do t’u këputet mësimi këtyre?”
Kur rinia mbetet në Rrugë të Madhe as qeveritarët feudalë nuk mund të rrijnë në zyra me kondicioner, në vila me ashensor, në makina me targa. Nuk është zgjidhje e zgjedhje kur Qeveria i nxjerr rininë në Rrugë të Madhe se vjen një cen e një cak që Rruga e Madhe e cakton “Qeverinë e Vet”. Mbasandejna nga ky kaçimak, prej një zallamahie e tollovie të tillë, edhe qytetarët e thjeshtë e hutin disi e përkohor rrugën në oborr.
Prandaj, Qeveria e “Rilindjes” nuk duhet të shkallojë kaq keq si me sulmin ekstrem e politik kundër Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës, po të obligohet aktivisht e cilësisht për t’i shkolluar këtë brez të ri në rritje siç po veprimtaron edhe Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës.

4.
Kjo qeverisje e “Rilindjes” po frymon e aplikon një “Luftë të Ftohtë” ndaj universiteteve në Shqipërinë Londineze?!
Kjo po tenderohet, trajekterohet e trenohet me mjete e praktika ekstreme e terrovinë mesjetare si këto ditë fundprilli 2014 ndaj Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës
Kjo po trajnohet e trajtohet keq nga Politika. Herë vegon e fekton si Luftë Politike. Herë shfaqet e trashet si Luftë Psikologjike. Herë viganet apo përrallet si Reformë. Herë ngërçet e këllçet si Konçesion…
Universitetet, studentët e pedagogët e tyre, nuk po ndihen të sigurtë prej Qeverisë së “Rilindjes”. Po cënohen dy nga shtyllat e Lirisë së përbotshme: Liria nga Frika dhe Liria e Sigurisë Ekonomike.
Studentët nuk dolën më 8 Dhjetor 1990 në Sheshin “Demokracia” për të pasë prapë edhe më 25 Prill 2014 refren demonstrate thirrjet “Duam mësim”, “Shtet policor”, etj.

5.
Qeveria e “Rilindjes” po kërkon medoemos që të ketë “viktimën” e saj të parë të “Luftës së Ftohtë” ndaj tempujve të dijes: Universitetin Ndërkombëtar të Tiranës.
Qeveria nuk mund të bajnë “Reformë të Madhe” duke sulmue së parit “Universitete të vegjël” si UNT me 400 studentë, po t’ia fillanisin edhe nga ato universitete me mbi 4.000 studentë?! Apo tjetra: Qeveria t’ia fillojnë kësisoj nga ndërmarrjet e saj shtetërore që i kanë milionë dollarë detyrime tatimore shtetit ndër vite?! Mbasandej t’i vnojnë në kërkesë e shtrengesë tatimore të këtilla universitetet publike private, po kurrsesi të mos ua ndërpresë kësisoj vitin akademik, të mos luaj me shenjtërinë e tyre dijetare, të mos i mbullin forcërisht ato.
Në koft se hapen letrat del se Qeveria i mbetet me mjaft detyrime qeverisjeje universiteteve publike private pasi investimet e saj janë tejet të ulëta, në përqindje të papërfillshme në GDP-në e Shqipërisë Londineze e të pakrahasuesshme me mesataren e Bashkimit Europian apo të Amerikës. Gjithashtu, Shqipëria jonë nuk ka ndonjë studim aktual apo perspektiv mbi nevojat për punësime në të gjitha hallkat e shtetit e biznesit të studentëve që i kryejnë studimet në këto universitete?!
Qeveria Rama duket se e ka shenjue keqas UNT, përndryshe mund të priste deri në vjeshtën e sivjetme 2014 e ta mos e lejonte kit’ universitet të fillonte rregjistrimet pa i shlye detyrimet tatimore të prapamebtura apo të tepërta, me ose pa gjoba e interesa, etj. e jo të ndërhynte egërsisht me ndërprerje të vitit akademik.
Hjekësia e egërsia qeveritare ndaj UNT duket edhe tek faktet e pohueme publikisht: Administratori i këtij universiteti, Admir Mulaj i shkolluar në Francë, rrëfen për masmediat se ka pasë marrëveshje paraprake me DPTT për të shlye fillimisht 30 për qind të detyrimit tatimor të akumuluar e pastaj pagimi në këste i shumës së mbetur. Thuhet publikisht se ky 30 përqindësh është pague një ditë para 25 prillit 2014. Atëherë: kujt i interesonte ma së tepërmi ndërprerja e vitit akademik, mbyllja e UNT?! Pikëpyetja bahet edhe ma e madhe kur vet presidenti i UNT, Vladimir Mulaj, një jurist e veprimtar i mirënjohur, deklaron: “Në vend që të negociojmë dhe të paguajmë, sipas ligjit tatimor, pjesën tjetër me këste, ku afati i kësaj pagese është deri në dhjetor të vitit 2015”. Rektori i UNT, prof. dr. Agron Lamaj e përforcon këtë fakt teksa i dijenon një gazete të përditshme: “Organi tatimor në mënyrë të njënashme ka ndërprerë negociatat”. Në media fjalaflitet se për një pjesë të detyrimeve tatimore ka kundërshti të kahershme e të argumentuara nga UNT.
Natyrisht Qeveria e Rilindjes duhet të bajnë kujdes partneriteti, të tregojnë durim qeverisjeje, sepse këto universitete publike private janë krejt të rinj në moshë, terren të vështirë e përvojë të pakët. Europa ka ngrit universitete qyshse në vitin 1088 në Bolonja të Italisë e në Shqipëri e kemi të parin universitet në vitin 1957, Universitetin Shtetëror të Tiranës.
Universiteti Ndërkombëtar i Tiranës është veçse pesëvjeçar, një prej tempujve të arsimit e shkencës panshqiptare, me studentë nga të gjitha trevat etnike shqiptare: Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni, Lugina e Preshevës, një universitet që e ka dëshmue vetëveten dhe premton për të nseërmen shqiptare.

6.
Shkrimtari e dramaturgu i madh i Rilindjes Europiane, Viktor Hygo (1802-1885), i njohur si “babai i Romantizmit”, i vlerësuar si një nga figurat dominuese të letërsisë franceze të shek. XIX, e ka një thanie aksiometrike, devizë të përbotshme: “Kush hap një shkollë, mbyll një burg”.
Krejt ndryshe po vepron Qeveria Rama, e cila ia ndërpret vitin akademik Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës, ia mbyll dyert e dijes. Po me të madhin Viktor Hygo të Rilindjes Europiane çka patën “rilindasit” e Tiranës, tue iu kundërvu më 25 prill 2014 devizës filozofike e biblike të tij?!
Universitetet janë shenjtëri e dijes për kohën e brezat. Një shtet që synon t’i mbyllin ato ka marrë rrugën e djallit.

Filed Under: Opinion Tagged With: mbylljen e Universitetit, Nje shtet, qe synon, rruga e djallit

QYTETI PA SHKRIMTARËT- I VDEKUR SIGURISHT

April 27, 2014 by dgreca

Vlora-është i vetmi qytet që ka një lulishte të bukur me emrin “Lulishtja e Shkrimtarëve”
Klubit të shkrimtarëve “Petro Marko”nderohet me titullin:”Mirënjohje e qytetit të Vlorës
NGA GËZIM LLOJDIA/
1.
Për çfarë shërben një shkrimtar?Nëse marrim një pikëvështrim teologjik, shkrimi mund të jetë ligj, sikur ka treguar Zoti kur ia ka dhënë Moisiut Dhjetë Urdhëresat të gdhendura në gur. Shkrimi gjithashtu mund të jetë profeci, sikurse është provuar kur Zoti ka shkruar në mur në oborrin e Darius, duke i hapur rrugë disidentëve dhe artistëve grafikë.Jezusi nga Nazareti i ka shtuar mundësitë e misterit duke shkarravitur në rërë në skenën e Testamentit të Ri me një femër të akuzuar për tradhti bashkëshortore. Origjinat e Kuranit dhe Librit të Mormonit, për shembull, tregojnë se shkrimi mund të jetë mjeti me të cilin zbulesa fillon rrugëtimin drejt besimit.
2.
Një qytet pa shkrimtarë c’ngjyrë do të kishte?I vdekur,sigurisht.Arsye e gdhendur thjeshtë:Citojë Ylli press që shkruan: George Orëell ka shkruar se njerëzit janë shtyrë të shkruajnë për katër arsye kryesore: për politikë, për të regjistruar ngjarjet historike, për të shprehur ngazëllim estetik, apo thjesht në mënyrë që egoja e tyre të mund të prehet në qendër të vëmendjes.Dhe cilët janë mardhëniet e shkrimtarët me pushtetin: “Shkrimtarët gjithmonë kanë pasur marrëdhënie të tensionuara me pushtetin, të vërtetën dhe realitetin…
Shqipëria është vend tipik,ku kanë ngjarë ndodhi, që kanë cënuar marëdhëniet mes shkrimtarëve dhe pushtetit:Censura, burgimi, mërgimi, vdekja: këto kanë qenë repertor i pandryshueshëm i ndëshkimeve për përmbysje të zgjuar.
3.
Është e pamundur ,të shpjegohet gjithë historia e një klubi të vecantë shkrimtarësh,që kanë një lulishte me emrin e tyre,kanë seli,promovojnë botime duke ndikuar drejtëpërdrejt në jetën kulturore të një qyteti.
Portreti i një Klubi Shkrimtarësh.Gjënden në katin e dytë të ndërtesë shumkatëshe të komfortit“Conadi”.Rreth 300m hapësirë.Në murre piktura,një bibliotekë me botime të shkrimtarëve dhe disa koleksione të piktorit dhe shkrimtarit Luan Toto.Myrteza Mara,kryetar i Klubit të shkrimtarëve “Petro Marko”,Vlorë zbulon historikun e thjeshtë të këtij klubi krijuesish.
“ Shoqata, (sot Klubi) e shkrimtarëve “Petro Marko” të qytetit të Vlorës është themeluar më 19 Qershor 1998, nga një grup nismëtarësh, poetë, shkrimtarë dhe intelektualë të pasionuar që menduan se ishte koha më e përshtatshme për të ngritur një “digë” të qëndrueshme për të grumbulluar prurjet e vrullshme letrare dhe ti kthente ato në dritë kulture. Ishte gjallë poeti i rrallë dhe i veçantë për fëmijë, Ferhat Çakërri, i cili me shkëndijat e syve dhe shpirtin të tij miratoi dhe mbështeti këtë nismë. Ishte Qerim Skënderaj, Myrteza Mara, Dr. Zeko Braho, Bardhosh Gaçe, Idajet Jahaj, Seit Seitaj, Anastas Bita, Xhemil Lato, etj., që hodhën themelet e para të kësaj “dige”.
Duke ndjekur traditën e figurave të shquara të letrave shqipe: Petro Markos (Nderi Kombit), Ali Asllani (Nderi i Kombit), Shevqet Musaraj, Odise Grillo, Aleks Çaçi, Andrea Varfi, Spiro Çomora, Fatos Arapit dhe brezave të mëvonë, poetët dhe shkrimtarët e qytetit të Vlorës kanë arshivuar vepra të arrira letrare.Kryetari i parë i shoqatës “Petro Marko”, deri në vitin 2000 ka qenë z. Qerim Skënderaj, që sot jeton në Itali.
Radhët e anëtarëve të klubit janë shtuar e shtohen jo vetëm nga krijuesit me stazh, si Petraq Truja-pedagog, Agron Dine-piktor, Arben Meksi-arkitekt, Petraq Kote-poet, Petraq Pali, Gudar Toto-pedagog, Fahri Shaskaj-historian, Luan Vrioni-piktor, Irfan Bregu-shkrimtar-gazetar, etj., por edhe talentet e reja, të cilët kanë gjetur përkrahje dhe mbështetje të vazhdueshme, si Edilberta Mitro, Evis Çelo, Simon Xanini, Eduard Frakulla, Elona Likaj, Lorela Veshaj, Evisa Maskaj, Meli Bocaj, etj. Në këtë Klub kanë shfaqur dëshirën dhe janë bërë anëtarë edhe shumë poetë e shkrimtarë shqiptarë që jetojnë në gjithë kontinentet, si Fatmir Terziu-Londër, Kozeta Zylo, Rajmonda Mojsiu, Dalan Luzaj-SHBA, Vasil Qesari-Francë, Silvana Bekri-Finlandë, Robert Martiko-Korfuz, Lediana Kapaj-Strasburg, Mimoza Hametaj, Simon Xanina dhe Teuta Gjata-Itali, Arqile Gjata-Athinë etj.
Në nëntor të vitit 2010, u vendos ndërrimi i emrit të shoqatës në Klub i Shkrimtarëve “Petro Marko”, me kryetar z. Myrteza Mara dhe sekretar Gëzim Llojdia. Sukseset e anëtarëve të Klubit “Petro Marko” në fushën e krijimtarisë janë të dukshme, të prekshme dhe shumë prej tyre të nivelit bashkëkohor. Vlerësime dhe opinione pozitive, brenda e jashtë vendit, për autorë e vepra të ndryshme, duke filluar nga prozatorja Vilhelme Vranari (Haxhiraj), Luan Toto, Myrteza Mara, Qerim Skënderaj, Idajet Jahaj, Leka Skëndaj, Enver Qama, Luto Memokondi, Albana Hodaj, Çlirim Hoxha, Sinan Elmazi, Pali Shtëmbari, Gëzim Llojdia, Pëllumb Velo, Albana Lulaj etj.
Veprimtaritë e Klubit “Petro Marko” janë të shumta e të larmishme, marrëdhëniet bashkëpunuese me klube dhe shoqata analoge si në Greqi-Klubi “Drita”, në ShBA-Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë, në Kosovë-dega e Lidhjes së shkrimtarëve Mitrovicë e Gjilan, në Fier, Lushnjë, Elbasan, Korçë, Durrës, Sarandë, etj. kanë dhënë e japin një frymë dhe kulturë të re jo vetëm në fushën e njohjes e shkëmbimit të përvojave, por edhe të emancipimit letrar e qytetar.
Vlen të përmendet organizimi dhe zhvillimi i simpoziumit për veprën e Prof. Dr. Isuf Luzaj, më 8 korrik 2011. Klubi Petro Marko e shpalli këtë personalitet me përmasa ndërkombëtare “NDERI I KLUBIT PETRO MARKO”. Ceremonia u zhvillua në sallën e Universitetit Pavarësia. E pranishme z/ministrja e kulturës Zana Turku, Prof Xhevat Beqaraj-referues, Bujar Leskaj dhe Dr. Prof. Gjergj Sinani. Po ashtu promovime të mirëorganizuara, për veprat letrare dhe ekspozita pikture, fotografike e karikature janë bërë e bëhen vazhdimisht nga Klubi “Petro Marko” dhe si gjithmonë, promotorët e gjithë kësaj lëvizje Myrteza Mara dhe i palodhuri Gëzim Llojdia.Mbresëlënëse ka qen vizita në shtëpinë e Petro Markos, nga z.Myrteza Mara, Fatime Kulli e Luan Toto, si dhe homazhi në varrin e Petro Markos në Dhërmi-27 dhjetor 2012. Në bashkëpunim me Klubin “Drita” u bë vizitë urimi në shtëpinë e Dritero Agollit, me rastin e 80 vjetorit të lindjes, po ashtu në saj të këtij bashkëpunimi klubi “Petro Marko” u bë mbështetësi kryesor gjatë kurorëzimit me titullin e lartë “Nderi i Kombit” i personalitetit të shquar të letrave dhe diplomacisë shqiptare, Ali Asllani.
Gjashtë pjesëtarë të klubit “Petro Marko” janë anëtar të Akademisë Europiane të Arteve, ndërsa tre shkrimtarë (M Mara, V Vranari, L Toto) janë nderuar me titullin “Mirënjohje e qytetit të Vlorës” nga Bashkia e qytetit. Po ashtu tituj nderi për anëtarët e klubit janë dhënë edhe nga Komuna e Novoselës për fabulistin Pëllumb Velo, nga Kanina për zonjën V. Vranari. Komuna Vllahinë ka vlerësuar me titullin e lartë “Qytetar Nderi” shkrimtarin Myrteza Mara. Por tituj nderi dhe stimuj të ndryshëm ndanë edhe Kryesia e klubit “Petro Marko”. Kështu, janë vlerësuar me titullin “Nderi i Klubit” Qerim Skënderaj, Liljana Gjika e Nase Jani, ndërsa është bërë traditë që në fund të çdo viti ndahen diploma për krijimtarinë më të mirë. Një bashkëpunim dhe mbështetje Klubi “Petro Marko” ka me Bashkinë, Bibliotekën e qytetit dhe me Insitutin e librit dhe të promocionit, “Toena”, si dhe me DAR Vlorë, duke zhvilluar konkurse dinjitoze midis shkollave të mesme. Është i vetmi qytet që ka një lulishte të bukur me emrin “Lulishtja e Shkrimtarëve”.
Nase Jani,Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”,shkruan:Kush shkon në klubin “Petro Marko”, që ndodhet në katin e dytë të Universitetit “Pavarësia”, do gjej përherë shkrimtarin dhe piktorin Luan Toto, këtë burrë me pamje fisnike dhe mikpritje po aq fisnike e miqësore, i cili ka vënë në dispozicion mjedisin aq modest dhe komod. Kontributi personal i z. Mara në pajisjen me tavolina, karrige dhe raft-bibliotekë i ka dhënë funksionin e duhur këtij mjedisi, i cili është vizituar edhe nga personalitete në fushën e letërsisë si dhe miq shkrimtarë nga Kosova dhe qytete të tjerë të vendit. Aty mblidhen herëpasëhere shkrimtarët, diskutojnë, promovojnë, recitojnë vargje, madje edhe këndohet kënga labçe. Aty janë të ekspozuara pikturat e Luanit, si dhe një koleksion mjaft interesant me mbi 400 çakmak të tipave të ndryshëm. Nga ky koleksion u dhurua Dritero Agollit edhe çakmaku-“Topi i Mato Grudës” dhe Luani mori dhuratë nga Driteroi një çakmak që e kërkonte por nuk e kishte në koleksion!
Portreti i klubit “Petro Marko” në Vlorë çdo ditë e më shumë merr dritë dhe lartësi sepse është gjetur dhe funksionon fryma e mirëkuptimit, e respektit dhe e dashurisë për letërsinë, për njeri-tjetrin. Sepse drejtohet nga njerëz pasjonantë dhe të pakursyer që e duan krijimtarinë letrare, e duan dhe nderojnë qytetin e tyre, Vlorën tone-poete, siç kam qejf ta quaj.Unë ndjehem i nderuar që jam anëtar i këtij Klubi që mban emrin e njeriut të shquar të letrave shqipe “Petro Marko”.
Klubit të shkrimtarëve “Petro Marko” Vlorë në ditën botërore të librit ju dha titulli:”Mirënjohje e qytetit të Vlorës”,nga Kryetari i bashkisë Vlorë.Me këtë titull u vlerësuan edhe krijuesit e klubi të shkrimtarëve : Vangjel Pici, shkrimtar, dramaturg,Gëzim Llojdia, shkrimtarë,publicist.
4.
-Përse shkruajmë,thotë në librin e tij shkrimtari Sulejman Mato: “Secili për një arsye të tij.-thotë Sartri,- Për ndonjërin arti është një mënyrë ikjeje, për një tjetër një mënyrë përvetësimi.” “Unë shkruaj për vete dhe për miqtë e mi, thotë Borges, -unë shkruaj për të bërë të durueshëm kalimin e kohës”Shkrimtari Vath Koreshi, duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje u shpreh: ” E shkruara është si kolla.” Përgjigja më interesante që unë kam dëgjuar është“ Sepse…”Sipas arsyetimit tim, shkrimi është një mënyrë shkarkimi i mbresave dhe emocioneve, i ngjarjeve dhe personazheve realë dhe imagjinarë. Ashtu si reja e mbushu me shi që kërkon të shkarkohet diku, edhe shkrimtari që zotëron aftësinë e të treguarit, zbraz poshtë në tokë, here pas here, me vetëtima dhe bubullima , gjithë ngarkesat emocionale.Dëshira për të shkruar fillimisht lind si një hobi, më pas shndërrohet në ves, në një moshë më të pjekur, ajo i në nshtrohet disa qëllimeve të tjera, më të larta. Të shprehurit ka lidhje me ndjenjën e qytetarisë së gjithsecilit. Të jesh qytetar i lirë dhe i pajisur nga natyra me një talent të veçantë, jo vetëm për sa i përket mënyrës së shprehjes, por edhe mesazheve që dëshiron t’u përcjellësh bashkëkohësve të tu”.
Prandaj kjo është arsyeja që një qytet do të ishte vdekur pa shkrimtarët e tij.

Filed Under: Kulture Tagged With: Gezim Llojdia, QYTETI PA SHKRIMTARËT- I VDEKUR, SIGURISHT

Shqiptarët votuan masivisht në Chicago, probleme me listat në New York

April 27, 2014 by dgreca

*Mbyllen kutitë e votimit – kualicioni i partive në pushtet VMRO-DPMNE i ka fituar 3 deputetë në diasporë, rezultatet zyrtare mund të mos dalin para ditës së hënë/
* Për shkak të parregullsive në lista, shqiptarët të kenë humbur mbi 600 votues në New York dhe rrethina/
NGA BEQIR SINA, New York/
NEW YORK CITY : Sipas informacioneve të para, jo zyrtare, ka indicie të mëdha se faktori politik shqiptarë në diasporë e humbi betejen e parë në zgjedhje, përballë elektoratit maqedonas në diasporë, edhe pse dihet zyrtarisht se të paktën në SHBA / Kanada dhe Europë, për nga numri është disa herë më i madh se sa ai maqedonas. Çka ia vlenë për t’u analizuar mbasi të kenë përfunduar këto zgjedhje, dhe shqiptarët e diasporës së bashku me partitë e tyre – të mësojnë nga gabimet të mos përseriten më.
Simbas analistëve të këtyre zgjedhjeve me humbjen, në Njesinë numër 8, që përfshinte diasporën e shtetasve te Maqedonisë, në SHBA, shqiptarët kanë humbur betejen elektorale edhe në dy Njësitë e tjera Europën dhe Australinë, që dihej se do të humbej. Që me fjalë të tjera do të thotë se faktori shqiptarë në këto zgjedhje kan humbur që të tre mandatet për deputet nga diaspora në të njëjtën kohë që dy prej tyre jan pritur të fitojnë.

Kështu, që kualicioni i partive në pushtet VMRO-DPMNE i ka fituar 3 deputetë në diasporë.
Dje në mbrëmje, në Njësinë numë 8 janë mbyllur votimet për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Maqedonisë. Dy nga qendrat kryesore në SHBA, New York dhe Chicago, ofrojnë dy pamje të ndryshme. Në Njësinë Zgjedhore numër 8 – duhet të votonin 3.337 shtetas të Maqedonisë. Kjo njësi zgjedhore përfshinte Amerikën Veriore dhe Amerikën Jugore, ku edhe shqiptarët e emigruara nga Maqedonia kan numërin më të madh të tyre, mbasi vetëm në zonën e Tri-Shtetshit, mendohet se jetojnë më shumë se 25 mijë shqiptarë të emigruar në vite e rrethana të ndryshme nga Maqedonia.

Në New York, në qendrën e votimit 40-53, e cila ndodhej në zyrat e Konsullatës së Përgjithshme të Maqedonisë, pjesëmarrja e shqiptarëve ka qenë mjaft e ulët. Në të kundërt, pjesëmarrja e maqedonasve ka qenë e madhe, ku ajo ka qenë e favorizuar shumë edhe nga organizimi i tyre, të cilët u sollën grupe votuesish me autobusë . Në këtë qendër votohej për njësinë zgjedhore numër 8 – e cila përfshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë.

Disa votues shqiptarë, e shpjeguan këtë mungesë në pjesëmarrje me problemin e mosgjetjes së emrave të tyre në listat e votuesve. Disa aktivistë shqiptarë dhe familjet e tyre, nuk gjetën emrat dhe u kthyen në grupe nga Njësia numër 8 qendra e votimit 40 – 53 në Konusllatën e Përgjithëshme në Nju Jork. Kurse, nga ana tjetër votuesit maqedonas, votuan pa problem deri në masën 99 përqind të tyre. Dyshohet se shumë prej tyre, të kenë votuar pa probleme, megjithëse, ata janë paraqitur edhe pasaportat e vjetra.

Mendohet që për shkak të parregullsive në lista, shqiptarët të kenë humbur mbi 600 votues në New York dhe rrethina.
Madje disa votues shqiptarë, ndonëse jetojnë në SHBA dhe janë regjistruar këtu, emri u ka mbetur ende në listat e votimit në vendbanimet e mëparshme, si në në Dibër të Madhe, Kërcovë, Strugë etj, thanë disa votues që kishin ardhur për të votuar – por në tabelat elektronike emrat e tyre figurojnë atje.
Krejt, ndryshe ka qenë situata në Chicago, Illinois, ku shumë shqiptarë të regjistruar, kanë dalë në votime masivisht. Megjithëse, edhe atje ka pasur disa probleme me listat, përsëri me ato të shqiptarëve,mirëpo, kjo nuk ka penguar votimin e tyre masiv – duke rritur shansin e fitores së kanidatit shqiptar Tefik Abdullai, në këtë qendër votimi i cili ka marrë 351 vota ndaj 191 të kandidatit maqedonas .
Rezultatet përfundimtare zyrtarisht priten të bëhen të ditura ditën e hënë. Mirëpo, nuk dihet se pse për një numër relativisht të vogël votuesisht, duhet pritur deri ditën e hënë për rezultatet zyrtare, kur dihet që të paktën në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada është votuar në këtë mënyrë :

Votat per zgjedhjet parlamentare Zona e 8 elektorale e cila përfishënë SHBA/Kanada:

BDI 475
VMRO – DPMNE 1,171
PDSH 3
LSDM 74
DOSTOINSTVO 43

Qendra e votimit në Chicago:

BDI 351
VMRO 191

(E përditësuar ) Natyrisht, që votova për Tefik Abdullain kandidatin shqiptarë për diasporën – SHBA dhe Kanada, thotë Xhevat Limani, regjisor dhe aktor i njohur shqiptaro amerikan.
Mirëpo, tha zoti Limani duke filluar qysh nga ana procedurale – nga Kushtetuta e Maqedonisë e cila është një gjenerator “krize” për shqiptarët në Maqedoni, e cila sipas tij ka shumë mangësi dhe të meta, duke filluar së pari nga kërkesa për pashaportat biometrike. duke zhvleftësuar pashaportat e vjetra menjëherë dhe e dyta që është edhe më keq “Komisoni qëndror në Maqedoni duke mos pasur ndonjë shqiptar që t’i dalë zot këtyre procedurave – ka bërë eleminimin e shumë votueseve shqiptarë – sidomos në diasporë këtu në Amerikën e Veriut, pra SHBA dhe Kanada ku më së shumti jetojn shqiptarët e emigruar nga Maqedonia.”
Numëri i votuesve nga New Yorku ka qënë mbi 126 veta të regjistruar nga këta kane mbetur vetëm 25 në listën zgjedhore, me pashaporta biometrike të zgjedhura nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Maqedoni. Pra vetëm në Nju Jork, janë fshirë nga listat 100 shqiptar duke bërë një diskriminim të madh në zonën e Tri-Shtetshit ku mendohet të jen hequr nga listat më shumë se 400-500 votues shqiptar nga Maqedonia. Një shkelje flagrante kjo prodecurale që ua mohojë shumë shqiptarëve të drejtën e votës në këto zgjedhje të përgjithëshme.
Limani thotë se është fakt se ka edhe një numër shqiptarësh që i kan pashaportat biometrike por që nuk dolën në votime. “Para dy javësh u krijua një “mosmarrëveshje’ kur dy a tre komunitete përfshirë ato të Patersonit, Ëaterburyt dhe një pjesë e Staten Island – Nju Jokut, nuk deshën të dalën në votime, siç i themi ne shqiptarët “për të shtyrë inate apo për të kruajtur brirët” në mes partive politike në një kohë që këtu në SHBA nuk ka nevojë fare të ketë përkatësi partiake”
Ai e quajti këtë një dëm të madh që shqiptarët duke mos mbështetur kandidatin shqiptar në mënyrë të tërthortë “ndihmojnë” kundërshtarin e tyre.
“Por unë ngaqë besojë se votimet janë të rregullta – dhe se janë të paktën 1200 shqiptarë për të votuar me pashaporta biomentrike, dhe ngaqë maqedonasit kan dal me tre kandidat të tyre, kandidati shqiptarë në Amerikë dhe Kanada, Tefik Abdullai do të ketë një shumicë votash për të qenë fitues në këto pal zgjedhje – por edhe nëse humb njëri apo tjetri çdo gjë do të jetë me një diferencë shumë të vogël pra 20 25 vota diferencë.

(E përditësuar ) Kështu, që kualicioni i partive në pushtet VMRO-DPMNE i ka fituar 3 deputetë në diasporë.

Shqiptarët në të gjitha shtetet e Evropës dhe vendet e tjera në diasporë për herë të parë në mënyrë masive dje iu përgjigjen thirrjes për votim në zgjedhjet parlamentare. Numër i madh mërgimtarësh kanë vërshuar në vend-votimet duke krijuar madje radhë të gjata para ambasadave të Maqedonisë në vendet e huaja, sidomos siç treguan pamjet filmike në Europë.
Partia më e madhe maqedonase, e cila është në pushtet kualicioni VMRO-DPMNE dhe ka përgatitur këtë proces nga duke parë se numri i shqiptarëve ishte madh që në mëngjes të dalin të votojnë në diasporë, deputetin shqiptarë, nisi të bëjë probleme gjithandej. Vetëm në Nju Jork humbën të drejtën e votimit më shumë se 600 votues me dokumenta të rregullta të regjistruara këta një muaj më parë por që kësaj rradhe nuke gjetën emërin e tyre në lista, duke bërë k•shtu që edhe një numër tjetër nga frika të mos vinine votonin dje.
Parregullsi të shumta raportohet të jenë regjistruar në Konsullatën e Përgjithëshme të Maqedonisë në Nju Jork, ku votuan shqiptarët nga Maqedonia dhe maqedonasit. Për kundrejt asaj që cekëm më lart për shqiptarët, maqedonasit votuan edhe me pashaportat e vjetra, ose me pashaporta të lëshuara mbas u mbyll afati i regjistrimit. Ndërsa, në kundërshtim me ligjin e zgjedhjeve Konsullata pagoi shpenzimet e transportit me autobusë nga shtetet për rreth tha një votues anonim.
Në Republikën e Maqedonisë sot do të mbahet raundi i dytë ;i zgjedhjeve të pesta presidenciale dhe zgjedhjet e tretat të parakohshme parlamentare. Në 3.480 qendra të votimit në vend të drejtën për të votuar në zgjedhjet presidenciale e kanë 1.779.572 votues, ndërsa në listën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare janë të regjistruar 1.780. 128 votues. Në vendvotime do të ketë dy certifikata nga lista zgjedhore, një për zgjedhjet parlamentare, ndërsa e dyta për zgjedhjet presidenciale.

Përfaqësuesit zgjidhen sipas modelit proporcional në Maqedoni, ndërsa sipas modelit të shumicës në diasporë.

Territori i Republikës së Maqedonisë është i ndarë në gjashtë njësi elektorale dhe në secilën zgjidhen nga 20 deputetë, ndërsa tre deputetë zgjidhen në diasporë – nga një deputet nga tre zonat zgjedhore: Evropë dhe Afrikë, Amerika e Veriut dhe e Jugut, Australi dhe Azi. Të drejtë për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare kanë 1.780.128 qytetarë.
Për të monitoruar zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare janë akredituar mbi 9.000 vëzhgues vendas dhe mbi 400 të huaj. Deri më tani janë mbajtur katër zgjedhje për president të Republikës së Maqedonisë, në vitin 1994, 1999, 2004 dhe 2009. Zgjedhjet e para për deputetë në Kuvend u mbajtën në vitin 1990, të dytat në vitin 1994, të tretat në vitin 1998, të katërtat në vitin 2002, të pestat në vitin 2006, ndërsa të gjashtat në vitin 2008 dhe të shtatat në vitin 2011.

Filed Under: Mergata Tagged With: masivisht en Cikago, probleme me listat ne Ny, shqiptaret votojne, Zgjedhjet ne diaspore

“RILINDJA” MBYLL KONSULLATEN E PERGJITHSHME NE NJU YORK E HAPUR QE NE VITET ’20 TE SHEKULLIT TE SHKUAR

April 27, 2014 by dgreca

MBYLLJA E KONSULLATËS SË PËRGJITHËSHME TË RSH NË NEW YORK IU BIE NDESH IDEALEVE KOMBËTARE TË RILINDJES – KRYEMINISTRI RAMA TA SHFUQIZOJË MENJËHERË VENDIMIN/
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
« Më mirë të mbylleshin 10 ambasada të tjera në vende të ndryshme se sa konsullata e New Yorkut. Ky është një veprim dritëshkurtër. Qofshi ju me këto budallallëqe…“
« O, u tremben diasporës në USA. Le të shkurtojnë fondet në Arabinë Saudite, por jo në NY, ku është qendra e botës. Përse e tremb USA Edi Ramën? Ku i ka qëllimet Edi Rama, drejt Lindjes? Shqiptarët duan Perëndimin. Duan USA jo Lindjen!”
« Këta të Tiranës janë më të paskrupullt me këtë veprim që kanë bërë! Më shumë se 400 mijë Shqiptarë jetojnë në 3 shtetshin NY+NJ+CT! Bushati e ka kthyer në kasolle Ministrinë e Jashtme!“
„Akt banal i qeverisë shqiptare, mbyll Konsullatën e Përgjithshme në qendrën e botes New York, turp!“
Ato që citoj më sipër, janë disa nga komentet e shprehura në Facebook pas botimit të lajmit se qeveria shqiptare vendosi të mbyllë Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në New York dhe funksionin e saj do ta kryejë një zyrë konsullore pranë misionit tonë në OKB.
Ky ishte një nga vendimet që Këshilli i Ministrave mori nën drejtimin e zv.kryeministrit Niko Peleshi, ndërsa kryeministri i Shqipërisë ndodhej për vizitë zyrtare në Vatikan dhe u prit nga Papa Françesku.
Siç shihet nga komentet, ku nuk përjashtohet as qëndrimi emocional, shqiptarët janë shumë më diplomatë se diplomacia shqiptare, e cila pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA, nuk i ka kushtuar asnjëherë rëndësinë e duhur përfaqësimit të shtetit shqiptar në shtetin që i ka mbrojtur interesat e shqiptarëve shumë më tepër se vetë qeveritë shqiptare.
Janë plot përfaqësi shqiptare në Europë dhe botë, të cilat vegjetojnë në letargji ose gjithë aktiviteti i tyre përmblidhet me festimet e 28 Nëntorit, një herë në vit, pa asnjë rol dhe asnjë ndikim, të cilat qeveria shqiptare nëse është në krizë ekonomike mund t’i mbyllë ose të gjejë zgjidhje, që interesat e Shqipërisë t’i mbulojnë përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe vice versa. Por kjo prapë nuk është zgjidhje e denjë për një shtet demokratik.
Ndërsa në metropolet e diplomacisë botërore dhe shtete të rëndësisë kardinale përsa i përket interesave kombëtare prania diplomatike shqiptare duhet të fuqizohet, të rrisi rolin dhe nivelin e përfaqësimit. Brenda këtij konteksti, SHBA janë kryemetropoli i diplomacisë botërore, aleati më i rëndësishëm strategjik dhe më i populluari prej shqiptarëve. Nuk i di këto qeveria e Shqipërisë?! Qytetarët e thjeshtë i dinë.
Le të kujtojmë kohën më të shkëlqyer për diplomacinë shqiptare në SHBA, atë të Faik Konicës, si një kulm i përfaqësimit të shtetit shqiptar. Megjithatë, edhe gjatë diktaturës, Enver Hoxha sillte në Misionin pranë OKB-së diplomatët që ai i konsideronte më të mirët dhe besnikët e tij. Të njëjtën gjë bënte edhe në vendet që i shihte me rëndësi për interesat e tij. Hysni Kapo, për shembull, që më vonë do të bëhej Nr.2 i shtetit komunist, ishte Ambasador i Shqipërisë komuniste në Beograd.
Niveli i përfaqësimit diplomatik të një vendi shpreh peshën e shtetit që përfaqëson. Le të marrim si shembull Zvicrën, e cila e konsideron diasporën e saj me rreth 700 mijë qytetarë zviceranë që jetojnë në gjithë botën si Zvicra e Pestë. Brenda kufijve të sovranitetit territorial ajo përbëhet nga Zvicra gjermanofone, frankofone, italiofone dhe retroromanish, por diplomacinë e zhvillon si artin dhe praktikën për të forcuar e fuqizuar marrëdhënie me shtetet mikritëse, në ekonomi, kulturë e kudo me qëllim përfitimin e të mirave për vendin. Zvicra për shembull në Francë ka 15 konsullata përfshi edhe ambasadën: Paris,Lyon, Strasbourg, Marseille, Ajaccio, Annecy, Besançon, Dijon, Le Havre, Lille, Montpellier, Mulhouse, Nantes, Nice, Toulouse; në Itali 14: Romë, Gjenovë,Milano, Bari, Bolonja, Kaliari, Katanja, Firence, Napoli, Padova, Rexhio Kalabria, Trieste, Torino, Venecia; në Greqi e Turqi ka ambasadë plus 4 konsullata për seicilin vend; në Rumani, Poloni, Bullgari,Çeki, Hungari etj. ka nga një përfaqësi diplomatike; në Rusi ka një përfaqësi diplomatike në Moskë dhe një konsullatë të përgjithshme në Shën Peterburg. Por shtrirjen më të gjërë me 26 konsullata përfshi Ambasadën e ka në SHBA: Washington D.C., Atlanta, Chicago, Los Angelos, San Francisco, Boston, Buffalo,Charlotle, Cleveland, Dallas, Honolulu, Houston, Indianopolis, Kansas City, Miami, Minneapolis, New Orleans, Orlando,Phoenix, Pittsburgh, Puerto Rico, Denver, Detroid, New York.
Edhe po t’i referohemi historisë së diplomacisë botërore: Thomas Jefferson, përpara se të zgjidhej president, përfaqësonte SHBA si Ministër në Francë; Presidenti George H.W. Bush, shërbeu më parë si Ambasador i SHBA në Kinë; Madeleine Albright, përpara se të emërohej Sekretare e Shtetit, shërbeu Ambasadore e SHBA në OKB. Yitzhak Rabin, kryeministër, ministër i mbrojtjes dhe fitues i Nobelit ka shërbyer si Ambasadori Izraelit në SHBA; Pablo Neruda, poet dhe fitues i çmimit Nobel shërbeu si Ambsador i Kilit në Francë, Giorgos Seferis, nobelist edhe ky, ishte Ambasador i Greqisë në Britaninë e Madhe, nobelisti tjetër meksikan, Oktavio Paz, ka shërbyer si Ambasador i Meksikës në Indi e shembuj të tillë ka plot.
Po Shqipëria çfarë bën. Në vend që t’i kthehet Rilindjes së Faik Konicës e Fan Nolit e të ndërtojë ura komunikimi të reja, i shemb edhe ato që i ka. Kësisoj diplomacia moderne shqiptare e pasdiktaturës, që nisi rimëkëmbjen më 1992 dhe me trazirat e 1997-ës reflektoi kaosin e katastrofës shtetërore, dergjet ende në stanjacion dhe qeveritë shqiptare, sa herë që ndërrohen, e përdorin atë në funksion të emërimeve nepotike dhe shpërblimeve politike, por jo në funksion të të mirës të vendit. I këtij niveli ka qenë edhe përfaqësimi i Shqipërisë në SHBA. Por ishin si ishin, të paktën ishin. Tani qeveria shqiptare, në vend të një strategjie kombëtare të zhvillimit të diplomacisë në një sistem demokratik, e mbyll Konsullatën e Përgjithshme të RSH në New York duke e kthyer situatën në të njëjtin nivel përfaqësimi si në kohën e diktaturës.
Ky akt është një skandal për qeverinë e kryeministrit Rama. Si rrufe në qiell të pastër. Në vend që qeveria e Shqipërisë të ndërmerrte veprime diplomatike për të neutralizuar krizën e „armëve kimike“ me SHBA, ajo bën një lëvizje tjetër bosh në dëm të imazhit të premierit, qeverisë së tij dhe interesave kombëtare të vendit.
Kryeministri Rama duhet ta shfuqizojë menjëherë vendimin që mori zëvendësit i tij, kur ai pritej nga Papa në Romë, sepse Rilindja e vendit lidhet me hapjen e Shqipërisë, me zhbunkerizimin e diplomacisë nga ngërçet dhe krizat e politikës shqiptare.
E si mund të kthehet Shqipëria një atraksion për investitorët e huaj, kur shteti shqiptar mbyll përfaqësitë diplomatike në botë, me qëllimin banal të kursimeve. Ndërsa pushtetarët shqiptarë jetojnë në luks, me vila në mal e det, duke marrë avionët për kapriçiot e tyre vulgare, e si mund të justifikohet mbyllja e Konsullatës të Përgjithëshme në New York, për arsye krize dhe kursimesh. Le të shtrëngojnë rripat qeveritarët e Shqipërisë, le t’i përgjysmojnë të ardhurat, sepse kur një pensionist në Shqipëri jeton me 100 Euro në muaj, një qeveritar mund të reduktojë fitimet që merr prej taksave të qytetarëve. Këtë të bëjë kryeministri Rama, por jo të mbyllin përfaqësitë diplomatike. Sepse ky është turp kombëtar!

Filed Under: Mergata Tagged With: Elida Buçpapaj, Konsullaten ne NY, Rlindja mbyll

Një vizitë e kërkuar si nostalgji për Beogradin

April 27, 2014 by dgreca

Shkruan: Enver Bytyçi/
Akademiku i Kosovës, shkrimtari Mehmet Kraja, shkruan diku se kur takoi më 1991-in Nexhmije Hoxhën, ajo nuk e kishte fshehur nostalgjinë e saj për Beogradin: „Ah Beogradi, një qytet magjepës, midis Danubit dhe Savës“. Ajo e kishte vizituar kryeqytetin serb në vitin 1946 duke shoqëruar bashkëshortin e saj, diktatorin shqiptar, Enver Hoxha, e ndoshta bukurisë së vizitës së parë i kishte shtuar dhe udhëtime të tjera më pas, derisa më 28 qershor 1948, pra në ditën e Shën Vodovdanit serb, bashkëpunimi, e për pasojë vizitat e kontaktet fizike, u ndërprenë.
Kjo nostalgji e shoqëroi venë e diktatorit deri në ditët e sotme. Por ditë për ditë po bëhet e ditur se nostalgjikët nuk i përkasin vetëm periudhës së miqësive të mëdha e „të pathyeshme“ të kohës së komunizmit. Lajmet që vijnë nga Presheva në Tiranë janë vërtetë sa të idhëta, edhe shqetësuese. Nostlagjik i Beogradit duket se është vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili prej gati pesë muajsh e ka bërë refren dëshirën e tij për ta vizituar kryeqytetin e Serbisë, madje në formën e një kërkese të pakthyeshme e të pakusht në negocime. Në janar të këtij viti mediat serbe dhe ato shqiptare u morën gjatë me një vizitë të parashikuar të zotit Rama për t´u bërë në Beograd brenda shkurtit. Më vonë marrim vesh se për këtë është bërë fjalë në dhjetorin e vitit të kaluar.
Ishte një lajm i pazakontë, po të kemi parasysh se të gjitha vizitat e zotit Rama janë bërë pa paralajmërime mediatike ose me paralajmërime disa ditë ose disa orë para tyre. Madje kështu ndodhi edhe me vizitën në Berlin, e cila u njoftua tri-katër ditë para nisjes së delegacionit shqiptar, gjë të cilën ai e shiti si „modesti“ të tij për të mos u mburrur me ftesa të tilla, qofshin ato edhe të kancelares gjermane, Angela Merkel. Ndërkaq mediat afër kryeministrit dërguan në Berlin reporterë e gazetarë specialë dhe sollën në vëmendje të opinionit publik kohën e vizitave të diktatorit shqiptar jashtë vendit ose të pritjes nga ana e tij të delegacioneve të vendeve mike, si në rastin e vizitës së Nikita Hrushovit ose të Çu En Lait në Tiranë. Aq shumë lavde, metafora, krahasime dhe imagjinatë lavdëruese u shfaq në reportazhet e Top Kanalit, sa nuk patën të krahasuar me reportazhet e vizitës së diktatorit në Kukës e Tropojë më 1970, apo në Gjirokastër më 1978-ën. Modestia shpesh herë na del kështu si farsë dhe përpjekje për të manipuluar publikun. E tillë ishte dhe vizita e fundit në Vatikan, për të cilën kryeministri njoftoi se kishte qëndruar në audiencë me Papën më shumë se një orë, kur Barak Onama pati shansin para disa javësh të qëndronte vetëm 20 minuta me kreun e Vatikanit.
Historia e kësaj vizite në Beograd, të paralajmëruar rreth katër muaj më parë, shkon çdo ditë duke u sqaruar më tej falë përpjekjeve të gazetarëve në Preshevë. Janë autoritetet e Beogradit ato që po na bëjnë me dije se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ka patur ftesë për të shkuar në Beograd, por ka kërkuar vetë të bëjë një vizitë të tillë zyrtare në Serbi. Në gazetën „Danas“ të Beogradit, ai, para një jave ka thënë se, „Më lejoni të theksoj se e kam mirëpritur ftesën e ardhur nga Qeveria e Beogradit….“ duke shtuar „Besoj se vizita do të realizohet në kohën e duhur, që uroj të jetë një kohë e shpejtë, gjithsesi pas përfundimit me sukses e në të mirën e popullit serb të procesit politik në vendin e tyre“. http://ëëë.shekulli.com.al/ëeb/p.php?id=45717&kat=87
Por gazetarët e agjensisë së lajmeve „Presheva jonë“ kanë investiguar më tej dhe korespondenti i saj në Nish ka zbuluar faktin se kryeministri i Shqipërisë nuk kishte asnjë ftesë prej homologut të tij për të bërë vizitën e shumpritur në Beograd. Ai thotë se për këtë vizitë kërkesa është bërë nga zoti Rama. Në të vërtetë këtë fakt e kishte pohuar vetë ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Mrkiç, kur thotë se “Kryemnistri shqiptar ka kerkuar të vijë në Beograd. Mbetemi me shprese se kjo vizitë do të realizohet kah pranvera, kah pjesa e dytë e muajit mars… » (“Albanski premijer tražio da dođe u Beograd!”). Edhe gazetës „Shqip“, Mrkiç thoshte shprehimisht „Rama është i mirëpritur në Serbi. Unë isha në Tiranë dhe e shijova mikpritjen e miqve tanë shqiptarë… ». Ai bën me dije se kjo vizitë ishte synuar të bëhej që në dhjetor të vitit të kaluar, dmth para pesë muajve. Dmth, „meqenëse Rama këmbngul të vijë ne Beograd, neve, qeverisë së Beogradit, nuk na mbetet tjetër, veçse ta mirëpresim“.
Zoti Rama e justifikon shtyerjen e vizitës në Beograd me zhvillimet politike në Serbi dhe mesa duket nuk ia ka ënda të shohë disa aspekte të tjera të procesit diplomatik e politik. Agjenda e Beogradit duket se nuk është t´i bëjë shërbimin e duhur mikut dhe mysafirit të rrallë nga Shqipëria, por se si ta kapitalizojë sa më shumë nga pikëpamja politike dhe nacionale këtë vizitë. Nëse vemë re botimet në Beograd dhe njoftimet e komentet rreth kësaj vizitë duket qartë një përpjekje për të barazvlerësuar vizitën e zotit Rama me vizitën e diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, të zhvilluar në vitin 1946. Paralelizmi midis këtyre dy vizitave mund të interpretohet thjesht si simbolikë, dmth, se pas ish-kryeministrit Enver Hoxha, i pari kryeministër shqiptar që viziton kryeqytetin serb është kryeministri aktual, Edi Rama. Por nuk duket që ky krahasim të jetë vetëm simbolikë. Dihet tashmë politika servile e udhëheqësit komunist, Hoxha, ndaj udhëheqësit komunist jugosllav, Tito. Edhe vizita e tij në Beograd njihet si një vizitë servile dhe nënshtruese, siç kanë qenë të gjitha vizitat, takimet e lidhjet e diktatorit me aleatët e tij të mëvonshëm, Bashkimin Sovjetik dhe Republikën Popullore të Kinës.
Një konotacion të tillë po merr tashmë vizita e zotit Rama. Fakti se në Beograd po e „tradhëtojnë „ hapur zotin Rama, duke i mëshuar shumë idesë se „Jo, ne nuk e thirrëm, ai dëshiron (për mua këmbngul) të vijë e vizitojë Beogradin“, dëshmon se ekziston një ngjashmëri e tillë me atë të vitit 1946. Dhe nëse shihen qoftë dhe pak prirje të tilla, gabimi politik e diplomatik i Tiranës zyrare do të ishte shumë herë më i dënueshëm sot, sesa para gati 70 viteve, qoftë dhe thjesht për shkak se pozita e shqiptarëve sot është e duhet të përceptohet krejt e ndryshme nga ajo e vitit 1946. Kryeministri i Shqipërisë shkon në Beograd si përfaqësues i një vendi me prestigj e autoritet të barabartë ose më të madh sesa prestigji i shtetit serb, ndërkohë që më 1946 Jugosllavia ishte caktuar në Jaltë si „kujdestare“ e Shqipërisë. Ky prestigj dhe autoritet në rritje i vendit tonë është produkt i paraardhësve të zotit Rama, rezultat të cilin ai nuk duhet të guxojë ta zhvleftësojë.
Nga ana tjetër, se zoti Rama këmbngul të vizitojë Beogradin, madje me insistim, duket qartë për shkak të injorimit prej tij të një rregulli diplomatik. Shkuarja e zotit Rama në Beograd, ende pa tentuar asnjë prej kryeministrave të Serbisë për ta vizituar Tiranën, injoron një realitet të hidhur dhjetravjeçar në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë. Si rregull në diplomaci ai që ndjehet më shumë fajtor shkon dhe „falet“ te pala tjetër. Vizita e zotit Rama ka simbolikën e shfajësimit për ato që kanë ndodhur në 100 vitet e shkuara midis të dy vendeve e dy popujve. Madje këtë ai e thekson në një farë mënyre edhe në intervistën që i ka dhënë gazetës së Serbisë „Danas“. Gazetari i drejtohet disi me provokim, kur pyet: – Si ndiheni në rolin e Kryeministrit shqiptar, i cili pas gati shtatëdhjetë viteve do të vizitojë Serbinë? Herën e fundit kur një kryeministër shqiptar ka qenë në Bograd, ka qenë vizita e Enver Hoxhës në vitin 1947, dhe atë si mysafir i Josip Broz Titos dhe i federatës të atëhershme jugosllave. Dhe zoti Rama përgjigjet: „Ndihem me fat që jam njëri prej Kryeministrave të asaj, që pas marrëveshjes Kosovë-Serbi, mund të quhet koha e re e rajonit. Ndjej mirënjohje për të gjithë punën e sakrificën e njerëzve, pa rëndësi kombësia a nacionaliteti, pa rëndësi profesioni apo krahu politik, që bënë të mundur këtë kohë. E di që ka shumë faktorë që bëjnë ndryshimin, që sot na vendos në një kontekst krejt të ri, dhe unë jam posaçërisht i gëzuar që më jepet shansi, përsa i përket përfaqësimit të Shqipërisë, që të ndryshojmë marrëdhëniet mes vendeve tona në këtë kontekst. Kemi humbur kohë. Por ajo që mendoj tani, nuk është sa vite kanë kaluar, çfarë nuk kemi bërë, por sa vite kemi përpara dhe sa shumë kemi për të bërë. Do të doja të sjell në vëmendje se 2014 është viti i parë pa konflikte të hapura në historinë e Ballkanit dhe përkimi i këtij viti me 100 vjetorin e Luftës së parë Botërore, që nisi pikërisht në Ballkan, është mjaft domethënës për të pasur idenë e plotë të ndryshimit historik që ka ndodhur me marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë“.
Kjo përgjigje nuk i dha drejtpërdrejt atë që priste gazetarit të „Danas“, por na sjell para faktit se kryeministri shqiptar ndjehet përgjegjës për atë që ka ndodhur në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në këto 100 vite. Në mos më shumë, së paku po aq sa edhe politika në Beograd. Ndërsa udhëtimi prej mbi 700 km nga Tirana në Beograd i bën de facto më shumë përgjegjës shqiptarët sesa serbët për atë që ka ndodhur në një shekull. Pikërisht këtë aspekt të qasjes në marrëdhëniet midis të dy vendeve janë përpjekur ta evitojnë në Beograd, duke mos dashur që kryeministri i Serbisë të ishte i pari mysafir në Tiranë e pas tij të shkonte atje kryeministri i Shqipërisë. Paraardhësi i Ramës, për të mos prishur këtë raport marrëdhëniesh refuzoi ta vizitonte Beogradin sa kohë që ai qëndroi në krye të ekzekutivit shqiptar.
Natyrisht që është një objektiv dhe qëllim madhor ndërtimi i një rajoni në paqe, në stabiltet, në liri, harmoni e të integruar. Por ndërsa qeveria jonë e kërkon këtë harmoni me Serbinë, nuk dëshmon as më të voglën përpjekje për të vendosur ekuilibrin politik brenda vendit që ajo qeveris. Dhe ajo çfarë është kryesore: Më shumë se Tirana, Beogradi duhet dhe ka nevojë të dëshmojë ekuilibrin e marrëdhënieve të tij me fqinjët dhe vendet e rajonit. Rama në kët rast i jep qeverisë së Serbisë një shans të shtuar në përpjekjet e saj për t´u shfaqur para partnerëve europianë si „viktimë e sjelljes së pahijshme të të tjerëve ndaj saj“, e si „vend dhe popull me koncepte e mentalitet protestan“, në marrëdhëniet e saj me Europën. Ndërkohë që Tirana zyrtare i shton shanset që të rriten dilemat në Europë, nëse „shqiptarët kanë gjë të përbashkët me protestanizmin e Martin Luterit, apo jo“, në kuptimin e qytetërimit perendimor.
Dikush mund të besojë se zoti Rama do ta shfrytëzojë vizitën e tij në Beograd për t´i dhënë Bashkimit Europian më shumë prova të politikës së tij stabilizuese, me qëllim marrjen në qershor të statusit kandidat për në BE. Po një investim në një piramidë të ndërtuar e të vlerësuar tashmë në të gjitha raportet perendimore e të të gjitha organizatave ndërkombëtare, besoj se është i pamenduar, i pabazuar, i pasukseshëm. Në vend të kësaj energjitë e kryeministrit duhen adresuar te marrëdhëniet e tij me opozitën, te heqja dorë nga uzurpimi i të gjitha pushteteve, te lufta kundër trafiqeve e korrupsionit brenda të tijëvë e jashtë partisë së tij, te konsensusi politik i sinqertë dhe pa dredhi me kundërshtarin e tij politik…. te…. gjithçka që ka të bëjë me konsolidimin e demokracisë liberale e finksionale në këtë vend.
Ndërkohë midis Tiranës dhe Beogradit qëndron Prishtina, pra Kosova. Më 1946 Tito ia “mori” me të mirë Hoxhës Kosovën. Në mënyrën e tij perfekte, se “nuk do të na kutojë Serbia”. Tani në Beograd thuhet se “Nuk e njohim Kosovën si shtet të pavarur, sepse nuk na kuptojnë serbët”, duke bërë një ndarje midis politikës dhe qytetarëve serbë. Se do të ndodhë kjo, duket edhe nga deklarimet e zotit Rama, deklarime të pavendosura dhe dyzuese. “Për ne Kosova është një shtet i barabartë me shtetet e tjera në rajon”, shprehet kryeministri shqiptar për gazetën “Danas”. Kushdo do të shtronte pyetjen: Pse për ne?! Pse jo dhe për të gjithë të tjerët, për vendet e BE-së, të NATO-s, të rajonit?! Pse jo dhe për vetë Serbinë?! Mos mes këtyre rrjeshtave Rama dëshiron të justifikojë politikën e bllokimit, të provokimit dhe të destabilizimit të Serbisë ndaj Kosovës, politikë e cila vijon edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së 19 prillit 2013 midis Prishtinës e Beogradit?! Mos ndoshta ai e justifikon mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga ana e shtetit të Serbisë?!
Në këtë kontekst vizita e kreut të ekzekutivit shqiptar në Beograd është më shumë se një vizitë e dështuar. Për më tepër është një vizitë, e cila ia heq mundësinë qeverisë serbe që të shfaqë ndjesë për krimet e mëdha kundër shqiptarëve. Eshtë një vizitë, e cila ndihëmon në vendosjen e paternalizmit të Beogradit mbi Prishtinën e forcimin e ndikimit të të tij në Tiranë. Eshtë një vizitë, e cila kapitalizon lidhjet e vjetra të Shqipërisë me lindjen, si dhe shton shanset për diversion të vazhdueshëm të lindjes në Shqipëri. Shumëkush do të thoshte se “Tashmë jemi një vend i NATO-s dhe kjo është e pamundur”. Por rasti i Greqisë, një vend anëtar I NATO-s që nga vitit 1952, dëshmon se kokën ajo e ka pasur e vazhdon ta ketë në lindje e trupin në Perendim. Ne nuk duam një vend të tillë. Shqiptarët duan një vend të merituar në dy komunitetet më të mëdha perendimore, në dy aleancat më demokratike të botës e njëkohësisht më të fuqishme të globit, në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Ndërkaq ka njerëz që thonë gjithashtu se “ Edhe Serbia është për integrimin në BE”. Por politika e saj është plotësisht e ngjashme me politikën greke, duke tentuar që kokën ta mbarë në Moskë dhe trupin në Bruksel. Madje duke u bërë urë lidhëse midis Moskës e Brukselit, sigurisht në ndihëmë të ambicieve të Kremlinit në Ballkan. Nëse zoti Rama përmend integrimin rajonal si kusht të integrimit europian, kjo maksimë vlen më shumë për Serbinë, të njohur tashmë si destabilizuese e raporteve ndërshtetërëore në rajon, sesa për Shqipërinë, e njohur dhe e çertifikuar si restauruese e politikave konstruktive në marrëdhëniet rajonale.
Përfundimisht mund të shkohet në përfundimin se një vizitë e kërkuar me ngulm për në Beograd, një vizitë nështruese dhe faljekërkuese pa bërë asnjë faj, është dhe mbetet një vizitë e motivuar nga nostlagjia për marrëdhëniet e vjetra midis të dy vendeve tona. Makiazhi i tregut të lirë, i lidhjeve të ngushta rajonale e të tjera si këto, janë thjesht produkti për tregun mediatik, për të prodhuar moderacion, nga një personalitet politik, i cili vetëm moderacion në sjelljet e tij me partnerët e brendshëm, duke filluar te partia qe drejton e përfunduar te opozita, nuk prodhon.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Një vizitë e kërkuar si nostalgji për Beogradin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4660
  • 4661
  • 4662
  • 4663
  • 4664
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT