• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AMERIKA ËSHTË NË TUZ, PO TUZI NUK ËSHTË AMERIKË

April 16, 2014 by dgreca

Statusi komunar i Malësisë-Tuzi u suprimua nga Tito, u ndalua nga Millosheviçi , nuk po jepet nga Gjukanoviçi
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Prapë, në fill prilli 2014, isha shkurtas në Tuzi-Malësi, një nga trevat shqiptare ma amerikandashëse në shek. XXI. Prej knejna, nga visi i Shipshanikut e kam prejardhjen e kahershme të fisit tim të Shipshanit të Malësisë së Gjakovës.Ndjej krenari se në Malësi-Tuzi kanë rrënjë e lartësi malet-fiset-bajrakët-krahinat historike emblematike të kombit: Hoti e Gruda, Triepshi e Koja (degë e Kuçit) që kanë hy edhe në anale të diplomacisë botërore si luftëtarë qëndrestarë në mbrojtje të trojeve të veta etnike. Njëherash ndjej dhimbje palcnore se kufini i padrejtë (1913) ra si gurë mes dy syve edhe në këtë trevë etnike shqiptare, e ndau thiktë më dysh Hotin: bajraku Traboini mbeti nën Malin e Zi e bajraku Rapsha në Shqipëri. Po u ngjite tek kulla e Dedë Gjon Lulit e po dredhe nëpër Leqet e Hotit e sheh e ndjen ma fort këtë padrejtësi të pandrequn mbishekullore. Patjetër, e ndjen një siguri ende të lartë se këto vise do të mbeten etnike shqiptare. Tuzi-Malësi, e para për nga popullsia e besimit katolik (në numër e përqindje) në Malin e Zi, është edhe një nga shembujt e pëlqyer të bashkëjetësës e harmonisë fetare në mes feve të ndryshme: katolikë, muslimanë, ortodoksë, si edhe në mes etnive të ndryshme: shqiptarë, malazezë, boshnjakë, serbë, etj.
Mali i Zi, anipse në kushtet e Rendit të Ri Botëror e vend kandidat për në BE e NATO, anipse Gjukanoviçi e vetdeklaron mburrtas “kampion i demokracisë në Ballkan”, ende nuk po i jep Tuzi-Malësisë një nga të drejtat demokratike, elementare, themeltare: të drejtën e vetorganizmit qeverisës e zhvillimit ekonomiko-kulturor si komunë e plotë, e pavarur, më vete, si 23 komunat e tjera.
Malësia në kohën e Jugosllavisë Avnjoiste nga pesë komuna u reduktua për dy vjet (1955-’57) në dy komuna: Tuzi e Stjepoh (Triepshi) dhe prej v. 1957 katër krahinat etno-historike të saj u keqfutën nën komunën e Podgoricës për t’i pasë nën kontroll sipëror, përditsor e gjithanshmërisht për përvuajtje, asimilim e shpërngulje të shqiptarëve etnik.
Statusi komunar i Malësisë-Tuzi u suprimua nga Tito, u ndalua nga Millosheviçi (!) Po pse nuk jepet ky status nga Gjukanoviçi, i cili mund ta kryente kaherë kit’ akt zyrtar demokratik e meritor, pasi ka 23 vite në mazhorancë me një mandat si president e shtatë mandate si kryeministër i Malit të Zi. E, përveç kësaj,Tuzi-Malësinë e ka skej vilës e zyrës së tij të ekzekutivit e partisë DPS në pushtet.

2.
Shteti, Kishat Ortodokse Sllave, Akademitë e Shkencave në trekëndshin Rusi-Serbi-Mali i Zi hartuan e zbatojnë platforma kundërshqiptare nga koha e Krajl Nikolla I e deri tek “krajli i ri” Millo Gjukanoviçi, pjesë genocidiale sllave e të cilave është edhe Malësi-Tuzi nën komunën e Podgoricës.
Dinastia Petroviç-Njegosh e pinjolli i tyre Krajl Nikolla i Malit të Zi i bani dy shekuj luftë edhe me Malësi-Tuzi (me katër fiset e saj) prej se nga koha e Bushatllinjve, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, e mujtën me ardhë deri tek dera e Podgoricës iliro-arbnore vetëm me ndore të padrejtë të Fuqive të Mëdha, vetëm pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër, 1913. Presidenti i “Jugosllavisë së Dytë”, Josif B. Tito, e ktheu Podgoricën në kryeqytet të dytë të Malit të Zi dhe ia vnoi emnin e vet, Titograd. Millosheviçi i “Jugosllavisë së Tretë”, e miku i tij, Gjukanoviçi i Malit të Zi, tashma shtet i pavarur, u sollën ndaj shqiptarëve etnik njësoj si paraardhësit e vet: pushtues, aneksues, diskriminues, genocidial.
Krejt Malësia-Tuzi ka votue më 2006 me e shpall Malin e Zi shtet i pavarur e sovran nga vartësia 88 vjeçare e Serbisë e jo mos me ia dhanë të drejtën ligjitime për me votue e me e pas komunën e vet të pavarur, jo nën komunën e Podgoricës, jo me shpik gjukanovisht terma (anti)juridik e provokativ si “komunë urbane” apo kjo ma e fundit “Komunë e kryeqytetit”(!)
Liderit malazez Milo Gjukanoviç nuk po i kërkon kurrkush me ia dhanë Malësi-Tuzit statusin që ia dhanë krajlët kundërshqiptarë të Jugosllavisë së Parë (Pjetri I, Aleksandri I, Pjetri II) të cilët asokohe e ndanë në pesë komuna: Tuzi (Tuzi), Triepshi (Stjepoh), Hoti (Skorraq), Gruda (Priftën), Kuçi i Poshtëm (Ubla). Nuk po i fjalathemi Gjukanoviçit t’i respektoj vendimet e mbretërve karagjorgjeviç të Serbisë, të cilët ishin dhëndur, nipa e stërnipa të Krajl Nikollës së Malit të Zi, pasi çika e madhe e tij, Zorka (Ljubica), e shkolluar në Rusi, ishte nuse e krajl Pjetrit I, e Aleksandri ishte djali i saj, e Pjetri II ishte nipi i saj.
Liderit malazez Milo Gjukanoviç nuk po i kërkon kurrkush me ia dhanë Malësi-Tuzit, statusin e nivelit të lartë: “Nënprefektura e Tuzit” në vartësi të Prefekturës së Shkodrës, sikurse ia dha në “Koha e Shqypnisë” (1941-1943) Viktor Emanueli III i Italisë, dhandrri i Krajl Nikolla I, i martuar me mjeke Helenën, e cila kësokohe mbante edhe titullin fronësor “Mbretëreshë e Shqipërisë”(!)
Liderit malazez Milo Gjukanoviç nuk po i kërkon kurrkush me ia dhanë Malësi-Tuzit statusin e dhjetëvjetëshit të parë të Titos (1945-1955) që e ndau në pesë komuna miniaturale tue shpërfill edhe identitetin fisnor të krahinës: Tuzi (Tuzi), Vuksan-Lekaj me seli në Vuksanlekaj (në vend të asaj Hoti, në Skorraq), Ubla (Ubla), Dinosha me seli në Dinoshë (në vend të asaj Gruda, Priftën) e Stjepoh (Triepshi). Askush nuk po i thotë Gjukanoviçit të aplikojnë këtë status të Titos, megjithëse ishte idealist besnik i tij, pasi ende pa i mbush 18 vjeç (1979) hyri në të vetmen parti të shtetit federal, në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë (LKJ) të Titos e pa kalue një dekadë arriti të jetë sekretar i saj për Republikën e Malit të Zi, derisa u krijue partia e tij, Partia Demokrate e Socialistëve (DPS), parti në pushtet tash 23 vjet.
Shqiptarët kombëtar e ndërkombëtarët euro-atlantik po i kërkojnë kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviç, njëherash lider i mazhorancës qeverisëse, që t’iu rrijnë në kambë premtimeve të tij kokrrane të kohëpaskohshme. Pra, po i kërkojmë çka ka thanë vet, si më 23 shtator 2012 në QIK Malësia në Tuzi, ku sipas gazetës “Vijesti” e Radio Televizionit të Malit të Zi, deklaroi: “…kemi obligim që të respektojmë edhe të drejtën e vullnetin tuaj se në çfarë komune dëshironi të jetoni duke pasë parasysh interesat tuaja…” dhe i porosit që të mos shqetësohen aspak, pasi ai, qeveria e partia (DPS) e tij “…do të jetë garant, se vullneti i tyre do të respektohet…”. Fjalaflitet shpeshtas për kryerjen e Referendumit, etj.
Çështja e statusit të komunës Tuzi-Malësi, kësaj pranvere 2014, mbetet e hapur ma fort, ma shumë e ma mirë se astenjëherë tjetër: E para: me e mbajt Gjukanoviçi statusin komunë urbane ka me u rrëzue në thonin e vet. E dyta: me e mbrojt politika shqiptare e Malësisë, etj. statusin “komunë e kryeqytetit” kena me ra në klucen e Gjukanoviçit, bile ai po i hedh do troha dhe po rri sy hapët e hakrryeshëm me e hjeksue spangon e klucimit…
Protesta shqiptare e 6 prillit 2014 në Tuzi (Malësi) dhe veçmas demonstrata e shqiptaro-amerikanëve në Uashington D.C. më 8 prill 2014 dhe lëvizjet diplomatike amerikane e ato kombëtare politike shqiptare në ditët e vizitës së Gjukanoviçit në Uashington kishin një kërkesë të vetme për Tuzi-Malësi dhe presin një zgjidhje të vetme: komunë të plotë, të pavarur, më vete, si dy komunat e reja alpine: Petnjica (28 maj 2013) e Gucia (25 maj 2014).

3.
Ende në prill 2014 në Malësi, në visin e Grudës, tek vendbanimi Dheu i Zi (Shtëpitë Rakiq) ritmonte vrullshëm ngritja e një lagjeje urbane model me boshnjakë të ardhun nga veriu i Malit të Zi, nga brigje të degëve të Limit. Joshja për të ardhurit-kolonë është e madhe, pasi aty kanë infrastrukturë arsimore, mjekësore, etj. të re, i kanë magazinat 25 kompani biznesi, etj. Kjo është pjesë shovene e strategjisë të pambyllun për ndryshimin e strukturës etnike të Malësisë dhe çdo shtyrje e statusit të komunës të plotë të Tuzi-Malësi kërkon e jep kohë për realizimin e tij përshpejtues. Përveçse lojrave e kërcenimeve politike të PDS, partia kryesore në Mali i Zi, po ndikon ngeativisht me turravrapin oreksal shoven edhe Partia Boshnjake, aleancore në pushtetin malazez e me degë edhe në Tuzi-Malësi.
Në demonstratën e Uashingtonit të 8 prillit 2014 ceket edhe një fakt i tillë: në vitin 1993 Malësia, në tokën e saj etnike, kishte 93 për qind të popullsisë së saj shqiptarë etnikë, ndërsa në vitin 2003 pati një rënie deri në 80 për qind, kurse vjet, më 2013, arriti në 65 për qind (!) Ky është një “genocid modern” i Qeverisë së Malit të Zi e i komunës së Podgoricës me politikat e tyre të moszhvillimit, mospunësimit, mosfunksionimit të shërbimeve jetësore, të shpërnguljes , etj. ndaj shqiptarëve etnik në Tuzi-Malësi.
“Gjukanoviçi i dytë” apo ndryshe: Miomir Mugosha, “kopja e keqe e Gjukanoviçit”, ministri ma jetëgjatë në Malin e Zi (1990-2000), i zgjedhur në tri dekada në kryesi të DPS, kryebashkiaku i Podgoricës prej vitit 2000, është fati i keq i shqiptarëve të Malësi-Tuzit, i cili e ka pengue ma së forti e ma së tepërti statusin e komunës së plotë. Ai rrgallet me gjithato akrobacina politike e juridike për statusin, kryen pengesa artificiale për vijën kufitare, për elaboratin e komunës nga një firmë e posaçme, etj., ban akte, tarafe, barrikada vote me këshilltarë e etnitë e tjera ndaj shqiptarëve, shfaqet me kërcenime force publike edhe ndaj mediave, etj. Ai është doktor në profesionin e tij, po vet ka një sëmundje të pashërueshme “antishqiptarizmin”, të cilin ka me e manifestue me ortakëritë e tij edhe pas moskandidimit të sivjetëm për kryebashkiak i Podgoricës.
Tuzi-Malësi ka rreth 13 mijë banorë dhe siguron rreth 2.6 milionë euro të ardhura në vit, të mundshme për qëndrueshmëri ekonomiko-financiare të komunës së plotë. Diçka dihet e duket qartë: Gjukanoviç, Mugosha e Co, po e duan Tuzin-Malësi pa shqiptarë në tokën e vet etnike e në institucionet e ngritura në territoret e saj. Një dukuri të tillë shovene e hasa edhe në ecje rrugëtare pas një qëndrimi disaorësh “bllokim”(!) në Pikëkalimin Kufitar e Doganën e Hanit të Hotit, e cila ndodhet në territorin e Tuzit, ku nuk ishte asnjë shqiptar në detyrë tek dyert e trari i saj (!)
4.
Para disa ditësh, kam lexue në lajme të agjensisë “MINA” në Mali i Zi se Malësia (Tuzi) cilësohet si “Amerikë”.Diçka duhet me pasë parasysh: Amerika është kudo, po jo kudo është Amerikë. Po, realisht: Amerika është në Tuzi dhe Tuzi është në Amerikë. Po, fatkeqësisht: Tuzi nuk është Amërikë!
Tuzi-Malësi, sikurse edhe Plavë-Gucia janë dy krahina etno-historike shqiptare në Ballkan (Iliri) që e kanë ma të madhe diasporen e vet në Amerikë se sa popullsinë shqiptare në vendlindjet e veta. Vetëm në shtetin e Miçigenit (Detroit) numri i malësorëve është i barbartë (në mos ma i madh) me numrin e atyre që jetojnë në Malësi-Tuzi.
Shqiptaro-amerikanët e Malësi-Tuzit në Detroit, Nju Jork e afrinat (treshtetëshin), Boston, etj. janë lobues të mëdhenj, aktiv, të frytshëm, tejet qëndrestarë për të mbajt rrënjas në jetë identitetin shqiptar të vendlindjes dhe për të luftue për të drejtat e liritë e mohuara nga regjimi antishqiptar i Gjukanoviçit. Në përpjekjet e tyre përngjasin me hebrejtë. Ata janë kombëtarë të ëmdhenj e qytetarë të thjeshtë. Mos ua harroni Nderen, lartësojuni Emrin. Në qëndrimet e veprimet e tyre në Diasporë mbeten shqiptar gjithëkohor, si bashkatdhetarët e vet në vendlidnje, si motit, edhe sodit. Ata i kanë sytë, mendjen e zemren në vendlindje. Ata e mbajnë dorën në xhhep e në çek për vendlindjen. Edhe malësorët e viseve të Tuzit që kanë ndrrue jetë në Amerikë e kanë shpirtin në Malësi.
Malësorët e Tuzit në Amerikë ishin në lartësi kombëtare qytetare edhe në demonstratën e 8 prillit 2014 në Uashington, si nga pjesmarrja dhe toni e ritmi i saj. Aty kishte disa parulla edhe për Malësinë. Event piedestal i shqiptaro-amerikanëve të Detroitit nga vise të Tuzit ishte leximi i mesazh-përdhendetjes të kongresmenit amerikan Gary Piters nga Miçigeni, ardhja e fjala e Don Fran Kolaj, famulltar i Kishës së Shën Palit në Detroit, fjala e zjarrtë e veprimtarëve kombëtar Luigj Gjokaj e Pashko Gjokaj nga Miçigeni dhe e politikanit Nikoll Camaj i ardhun enkas nga Tuzi, etj.
Tejet madhor në këtë demonstratë panshqiptare kundër politikave antishqiptare të Gjukanoviçit është fakti emblematik se aty në Uashington, para Shtëpisë së Bardhë e Ambasadës së Malit të Zi, folën shqiptarisht e mrekullisht: asambleisti i Nju Jorkut, Mark Gjonaj nga Reçi i Ulqinit (kryefjalës i demonstratës), Esad Gjonbalaj, president i Fondacionit Plavë-Guci e koordinator i shoqatave shqiptare me origjinë nga trevat shqiptare nën Malin e Zi e me seli në Amerikë; anamalasi Xheladin Zeneli, ish deputet shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi i cili lexoi Peticionin me kërkesat për të drejtat e liritë e mohuara të Shqiptarëve nën Malin e Zi; atdhetari i përkushtuar, Xhevat Kukaj, moderatori i zëshëm e meritor i zhvillimit të kësaj demonstrate; kandidati i sfidës për në Kongresin Amerikan, Emin Eddie Egriu që garon fortmirë në Distrikti 20 të Nju Jorkut; kryetari aktiv i shoqatës “Ana e Malit”, Ismet Kurti; nënkryetari i Shoqatës Pan-Shqiptare “Vatra”, z. Asllan Bushati i cili foli në emër të kryetarit të saj fisnik, dr. Gjon Buçaj; kryetari i shoqatës “Kombi”, Artur Vrekaj – penë zemërflaktë e Shqiptarisë; presidenti organizator i organizatës “Rrënjët Shqiptare”, z. Maro Kepi; veprimtari atdhetar Naim Balidemaj, e të tjerë.
Një nga kulmet e demonstratës ishte edhe takimi i një përfaqësie të demonstruesve me kryesues të përzgjedhur e nderimtar, asambleistin Mark Gjonaj, të cilët u takuan në mbrëmjen e 8 prillit 2014, pas demonstratës, me kongresmenin Eliot Engel e kongresmenë të tjerë, ku iu banë të njohura kërkesat e shqiptarëve, ndër të cilat edhe çështja e statusit të komunës së Tuzit. Këto iu përcollën edhe nga shqiptarët, zyrtarisht e ballas, edhe kryeministrit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, gjatë vizitës së tij në Amerikë (8-10 prill 2014). Në koft se nuk i kujtohen mirë patjetër që do t’i vijnë në mendje shpejt.
Zoti e Shqiptarët e Malësisë në Trojet e veta etnike dhe në Amerikë, si edhe në Europë, e kanë ruajt Tuzin etnik shqiptar: i kanë mbajt genet e pastra shqiptare e nuk i kanë lëshue për krejt vendbanimet në relievin e saj gjeo-strategjik. Para do ditësh i ndjeva malësorët në Bardhaj të Hotit të Dedë Gjo Lulit tue u dvet ndërveti: A je te kulla e moçme apo ke ra në Tuz? Pra, ende në kullat shqiptare del tym, çprushen kujtime, çelin ëndrra, bashkëjetojnë eposi i kreshnikëve dhe epoka euro-atlantike.
Komuna e plotë Tuzit (Tuzi-Malësi) vërtetë është barometër për Demokracinë euro-atlantike e mburojë për Malësinë etnike shqiptare ndaj diskriminimit, asimilimit e shpërnguljes së shqiptarëve të saj, po nuk është zgjidhja e vetme e as e fundit, po as Malësi-Tuzi nuk është e vetme në mbijetesën e saj, në vetqeverisjen e saj plotore, në mangësi, vështirësi e arritje të sotme e të nesërme të saj.
Amerika është në Tuzi e Tuzi është në Amerikë.

Filed Under: Analiza Tagged With: AMERIKA ËSHTË NË TUZ, PO TUZI NUK ËSHTË AMERIKË, Ramiz Lushaj

KRIJOHET DEGA E VATRES NE HARTFORD, CT

April 15, 2014 by dgreca

Me dt. 13 Prill 2014, mes enthusiazmit, optimizmit dhe idealizmit patriotik e atdhetar, komuniteti shqiptaro-amerikan i Hartfordit Connecticut, me madheshtine e shqiptarise e krenarise kombetare, beri realitet hapjen e Deges e Vatres ne Hartford, Connecticut, qytet i njohur ne tere Ameriken si “qyteti simbol i Parqeve, i luleve dhe hortikultures” dhe shteti i Connecticut si shteti i themelimit te Kushtetutes Amerikane. Me ket’rast, ne kete tubim nga organizatoret u be edhe promovimi i librit publicistik “Mbaj me nder emrin shqiptar”, te shkrimtarit, patriotit, atdhetarit dhe vatranit, Andon Rrumbullaku.Te deleguar nga Federata e Vatres, ishin Kryetari FEDERATES PANSHQIPTARE TE AMERIKES” VATRA” dr..Gjon Bucaj dhe Kyetari Deges se VATRA-Florida,Jacksonville dhe anetar i Keshillit te Federates, Z. Adriatik Spahiu.
Kryetari I Federates Vatra, dr. Gjon Bucaj, prezantoi qendrimet e Vatres, veprimtarite e saj Kombetare, rregullsine e respektimit te Kanunores(Kushtetutes se Vatres)etj.
Gjate kesaj Mbledhje u zgjodh kryesia e Shoqates Vatra Dega Hartford CT

-Kryetar ILAM PECI
-NENKRYETAR ARBEN ZEQIRAJ
-SEKRETAR ILIR KOLA GJOMARKAJ
-ANETAR KRYESIE

RAIMONDA MOISIU

NESIM MUCOLLARI

ARTAN MARTINAJ

ALFRED RRUMBULLAKU(RM)

Filed Under: Vatra Tagged With: Dega e Vtares, hartford, Raimonda Moisiu

JAHO MARGJEKA, FENOMEN LETRAR I HESHTUR

April 15, 2014 by dgreca

NGA Ramiz LUSHAJ/
1.
Në agun e Demokracisë poeti Jaho Margjeka ia dërgon Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë vëllimin e parë poetik “Nesër do të agojë”, prej së cilës në vitin 1990 i vjen përgjigjia: “Pasqyrim i ftohtë i realitetit”. Kur e pata lexuar atë letër Jaho më tha ato fjalë që s’i harroj asnjëherë: “Këta të Naim Frashërit sipas kësaj letre të çojnë në burg…” Po vet Koha e burgosur e me një kambë në varr po kërkonte Lirinë… Jaho nuk kishte astenjë poezi të vetme për lidershipin e partinë-shtet, për njeriun e ri të sistemit të huajtun nga stepat e Rusisë. Ekspertat e letërsisë politike të asaj kohe ia kishin gjuejt në shenjë. Jahon, njeri i mirë në gene e fytyrë e i lindur e rritur si poet i vërtetë, realisht nuk e ngrohte koha e atëherit, ai,“dimri i madh”, si e simbolizon shkrimtari klasik universal, Ismail Kadare.
Poeti Jaho Margjeka, megjithëse i lindur kah fund marsi i pranverës, prej vitesh pena e tij e ka një luftë të pambyllun me dimrin:“I ftohtë ky dimër, edhe pse pa borë. / Muret e zemrës hèje akulli ngrirë. / Minutat çalojnë, ditënata s’ka orë./ Rrëknyer shpirti në numbëtirë. / I pashpirtë ky dimër, edhe pse i butë./ Pa cicërima e zogj nën çati…/ …I pabesë ky dimër plak, i pabesë./ Tutje pëlcet e kërcet një gosti. / Gdhihet e ngryset njeriu i urtë, / Ftohur e ngrohur me frymën e tijë. (Poezia “Ky dimër”). Edhe kryetitullin ballinës së librit me tregime margjekiane ia ka vnue “Letra nga planeti i borës” (Tiranë, Morava, 2005, redaktor Besnik Mustafaj).
Jaho Margjeka, si qytetar dardan modern dhe në poezitë e tij margjekiane bashkëkohore, ndjen dhimbje prej vakive kur dimri i egër, i pabesë, i pa shpirtë i cegmë deri në akullnim shumanësh “shpirtfisnikët e urtë”. Si poet i palctë e i kocktë, me inde e vena poetike, me detyrë misionare prej vetëvetës e me fytyrë të pastër prej të vërtetës, prej metropolit shqiptar, nga selia e RTSH, i dhemb një pemë në vendlindjen e tij breg Valbonës, në Mollën e Kuqe. Ajo pemë është e vetme në arën e madhe e ngado t’i sillesh asaj i sheh tana anët e horizontit tw Lugut tw Malwsisw sw Gjakovws. Kit’ “pemë të poetit” e kam pa edhe në FB më 21 janar 2014 me një thanie shenjtërie: “Dimër. Edhe kjo pemë ndjen ftohtë”.

2.
Fenomeni i heshtur letrar, Jaho Margjeka, ka botuar disa libra: vëllimet poetike margjekiane: Lojë në pasqyrë (1998), Ëndrra midis (2000), Edhe pak qiell për dashuri (2004), me tregime diamantore “Letra nga planeti i borës” (2005) e, diku fjalathotë, se e ka dorëshkrimor edhe një tjetër vëllim poetik “Pak dëborë e diell”, një monografi për kryetrimin luftëtar Ibish Osman Margjeka, stërgjyshi i tij, një vëllim me intervista përgjatë kohëpunës me kulmime si gazetar i mediave të shkruara e i Radio Tirana.
Mbi të gjitha poeti, prozatori e gazetari i njohur Jaho Margjeka është një njeri dinjitar i përkushtuar e ndihet krenar pa kufi për rrënjët e genet e vllaznisë e fisit të tij: … Jam bërë sa herë therorë miku im ! / Për këtë vehtes lavde s’i këndoj./ Në shkollën e qenërisë / S’u bëra dot kurrë nxënës i mirë,/ Pse e përmend s’po lavdërohem: është rrënja e fisit!/.
Poeti Jaho Margjeka e ka kullën e lindjes aty ku Valbona bigohet me lumin Bushtrica, bash në Mollë të Kuqe të Bujanit, veç 240 metra lartësi mbidetare. Në arat e tij janë disa kodra të vogla me varre ilire apo si njihen në histori e arkeologji “Tumat e Bujanit”. Në afri gjendet qyteti i fortifikuar ilir i Rosujës, sot i populluem nga dy vllazni të të njëjtit trung, nga Margjekaj e Dozhlan. Dymijë vjet para Krishtit, biles nga shek. IV i kësaj periudhe historike u kthye në qëndra ma e randësishme zejtare-tregtare dhe administrative e krahinës. Në rrënoja të saj janë gjet monedha ilire të Shkodres, Durrësit, Apollonisë, etj. As dy km. Larg kullës së tij ngrihej dikur qyteti i madh antik ilir në rrafshinën e gjanë e të gjatë të Cerrnicës së sotme, me argjilën e së cilës u ngrit dhe digat ma të mëdha në Europë, ajo e hidrocentralit të Fierzës. Ipeshkvi, shkrimtari e etnografi Frang Bardhi, një nga katër “B”-të e Letërsisë së Vjetër Shqipe, e përmend në udhëpërshkrimet e tij të shek. XVII, ndërsa albanologu i shquar Milan Shuflaj rrënojat e kalasë të Dizdarit (Cerrnicë-Zomaj) i lidhnon me qytetin mesjetar të Sapës.
Jo fort larg nga Molla e Kuqe e poetit Jaho Margjeka, në kishën e Selimajve (Geghysen) në rrethina të kalasë të princit Leka Spani, është ngritë një nga shkollat ma të vjetra në historinë e arsimit shqiptar, krahas atyne në Stubëll (1584), Himarë (1627), Kurbin të Krujës (1632), Vuno e Palasë të Himarës (1632), Korçë (1637), etj. Në këtë shkollë mësohej shqip, aritmetikë, etj. dhe, sipas kritereve të asaj kohe, vlerësohej si shkollë e mesme. Aty kanë dhanë mësim edhe personalitete të shquara kombëtare shqiptare si Frang Bardhi (1638), Pjetër Bogdani (1651) e, ky i fundit, edhe tek shkolla bash tek kisha me kullë e Grisë.
Valbona ujëkaltër e ndan kullën e kahershme të Jahos me tri kulla të historisë kombëtare shqiptare: Kulla e Mic Sokolit, Hero i Popullit, që i vuni gjoksin topit otoman; kulla e Sali Manit, e njoftun si “Kulla e Konferencës së Bujanit”, që firmosi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë; kulla e prijesit popullor të Lidhjes së Prizrenit, Binak Alia i Mulosmanëve, “njeriu universitet popullor i urtive”, ”gjykatë supreme popullore” në Shqipwrinw e Veriut. Në mbi tre shekuj nw kwto tri kulla ishte selia e Bajrakut të fisit të Krasniqes, të fisit me histori e kulturë të Jaho Margjekës.
Këto janë “rrënjët e fisit” krenari e Jaho Margjekës, të cilat, njëherash e pandamun, e kanë krenari të tyre edhe Jaho Margjekën, si njeri qytetar, si poet, prozator e gazetar, si figurë publike e letrave shqipe. Këto rrënjë i mbajnë fort e mirë degët e fjalëve në pemët poetike të tij, që e kanë brumue, lumnue e hijeshue palcë e kockë Jaho Margjekën si një fuqi poetike e kohës.

3.
Jaho është poet e prozator me profilin e tij të mirënjohur, interpretues i talentuar i fjalës artistike, publicist me kontribute të vyera në media (ndër)kombëtare e lokale dhe në RTSH, i dhanun prej kryeherit edhe pas sporteve nga noti në Valbonë e deri tek futbolli në “Livadhin e Turkut”. Ai ka sakrifikuar jo pak në udhët e jetës së tij dinjitare, në udhën e tij si poet, prozator, publicist në shtegtimet e dijes nga shkolla e mesme në Kuçovë deri në Universitetin e Shkodrës, e mësues në Llugaj e me detyra profesionale në kulturë e media në qytetin e alpeve. I ka kapërcyer dy dekada jetë në Radio-Televizionin Shqiptar, pothuaj gjysmen e jetës, ku duket se pasionet e tij të mëdha për gazetarinë radiofonike e kanë gjetur vetëveten.
Jaho Margjeka nëpër biseda s’lenë pa përmendur me mirënjohje ndihmen e atyre që e ndihmuan për të studiuar Gjuhë-Letërsi shqipe,e ndër ta Dritëro Agollin,..
Poeti, gazetari e prozatori Jaho Margjeka në çdo hap e fjalë është vetëvetja, sikurse në ditët me diell edhe në ato me ngrica; sikur flet në Radio Tirana edhe në kafe me miq ose me kundërshtarë të vargut ose hapit; sikur shkruan një poezi, një tregim apo shkrim radiofonik, edhe kur flet në telefon celular apo kur ecë trupdrejtë e hapapeshë në dy rrugët e tij me blina: në vendlindje, nga Molla e Kuqe në qytetin alpin të Bajram Currit dhe tek puna në Tiranë, nga selia e RTSH tek banesa e vet në afri të Qytetit të Studentëve:Nuk po gjejë qetësi miku im! / Se shpirti im nuk qënka si i gjithkujt ! / Vehten s’e genjej se jam më i mirë / se të tjerët, po të tjerët qënkan më / të zgjuar, më hileqarë,…domethënë !/ Për këtë i penduar nuk jam miku im, / Se jam pjellë e tim’ eti e s’kam nga t’ia mbajë/.
Dy prindërit e tij, Salihi – baba engjëllor (që iku i nderuar nga kjo jetë) e Bora – nana hyjnore e tij, kanë për emër e mbiemër në gojën e kohës e në genet e brezave vetëm dy fjalë medalion: “njerëz të mirë”. Këta mirërritën gjashtë fëmijët. Dy iu banë poetë: Jaho që erdhi në Tiranë e Ismeti, që punoi në televizione si Shijak TV e gazeta si “Emigranti Shqiptar” gjersa shkoi emigrant politik e ekonomik në Francë, në vendin ku emigronin me seli e pushtetet e tyre edhe Ismail Qemali, edhe Ahmet Zogu.
Se mos vetëm djemtë e Salih Ramës të Margjekajve, nipat e Ram Binakut të Mollës së Kuqe të Bujanit, shkruajnë poezi për kohnat e realitetet e tyre nga Prehistoria deri tek Rendi i ri Botëror. Edhe Populli ka ngrit kangë për Derën e Margjekajve, edhe për stërgjyshin e Jahos, për brezin e shtatë të tij, për Ibish Osmanin: Dirgjet Hamza per dugaj / Po i pervet do sheherjanè / As ma paté Ibish Osmané,../.
Kah fillimi i shek. XIX, Ibish Osman Margjeka i Mollës së Kuqe vet i katërt, sëbashku me djalin e tij Daut Ibishin dhe me kushëririn e vet, Rexhë Mehmet Margjeka i Rosujës, ky i fundit, me nanën e tij-bijë Kosove, me armë brezit, ranë në tregun e Gjakovës. Këta e thyen urdhërin e Brahim Pashës për “mos me hy në shehrin e Gjakovës me armë…”. Bimbashi (majori) me zabitët (ushtarët, rojet) e tij iu dolën para në rrugë për me i çarmatos trimat e Margjekajve. Krisi pushka. N’atë përleshje u vra bimbashi me të tjerë, po mbeti shehit edhe Rexhë Mehmet Margjeka, se e kishin ba betimin: …S’ja jap turkit armët e babës / Pa ia djeg sarajet Pashës…/ Ibish Osman Margjeka, Rexhë Mehmet Margjeka, Daut Ibish Margjeka (pas vdekjes) janë shpallur “Nderi i Komunës” Bujan.
Jaho Margjeka, si stërgjyshi i tij, Ibish Osman Margjeka. Askush, astenjiherë e në asnjë kohë, nuk ka me mujt me ia hjek armën e tij, pendën si poet, si prozator, si gazetar. Krijuesit nuk kanë shumë shpenzime për vete: një stilolaps e një letër, po japin shumë për kohën e të tjerët me krijimet e tyre dhe marrin pak prej tyre.

4.
Ky emri Jaho e ka kuptimin në shqip: Jeto. E vërtetë Jaho jeton në poezi e për poezinë. Duket sikur të dy kanë lindur për njëri-tjetrin. Gurrat poetike të Jahos në mbi 30 vite krijimtari e kanë krijue tashma lumin e vet në detin e poezisë shqipe në shekuj. Është lumi poetik Margjeka, janë poezitë e tij margjekiane, janë tregimet e tij margjekiane.
Disa herë ka fitue edhe çmime (ndër)kombëtare e lokale me poezitë e tij, qyshse në vitet e rinisë studentore me çmim vjetor në revista “Nëntori” (1988). Në kit’ vargavijë stimujsh përveçon edhe Çmimi “Pjetër Budi” nga Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës (2005). Është vlerësuar edhe Çmimin e parë “Konstandin Kristoforidhi” në Festivalin Mbarëkombëtare “Ditët poetike të verës”- Elbasan, 2006 dhe Çmimi i parë në Festivalin Mbarëkombëtar “Pranvera poetike durrsake”- Maj, 2013. Gjithashtu ka marrë çmime e mirënjohje edhe në veprimtari të tjera. Poezia e Jaho Margjekës është botuar gjithandej në hapësirat shqiptare në Ballkan por edhe më gjerë, edhe e përkthyer në anglisht në SHBA apo në rumanisht nga revista “Hemus” në Bukuresht, etj.
Ky, Jaho ynë i sotëm, poeti i përjetshëm, ka ecë me vargun e hapin poetik si të gjithë poetët e piedestalit, prej atëherit kur në shkollë të mesme në Kuçovë botonte të parat cikle me poezi në “Zëri i Rinisë” (shkurt, 1981) apo në “Nëntori” (1988) kur ishte student i gjuhë-letërsisë shqipe në Shkodër, apo mësues në Llugaj të Lugut të Malësisë së Gjakovës, e në të gjitha kohët, është në kërkim të pranverës… Po, para së gjithash, sipas këndvështrimit tim, poeti margjekian lëshon kumtin e tij: “Na duhet të jemi gjallë lum’ miku!” I dashuruar në vetvehte s’qesh’ kurrë miku im, / Se pak kohë më lanë për të lakmuar vetvehten./ Po ta shkruaj / Në rrasë të gurit këtë kumt’ miku im ! / Nëse andej të bie udha ti gjegjen po ma kthen ! / Se në ditën e amshueme / njësoj të dy do të jemi, / E deri atëherë…/ Po na duhet të jemi gjallë lum’ miku !/.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: FENOMEN LETRAR I HESHTUR, JAHO MARGJEKA

NGA BRUKSELI NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

April 15, 2014 by dgreca

Bajame Hoxha-Çeliku, Bruksel/

DASHURISË SË PAVDEKSHME/

O hënë!/
Gjithnjë/
Gjej tek ty sekretet e mia…/
Netët e bukura lozonjare/
Të mbushura me lot pranvere./
O hënë!/
Gjithnjë/
Gjej tek ty bekimin e dashurisë/
Livadhet, lulet, puthjet/
Aromën dehëse/
Ku rrinin shtrirë mes lulesh,/
Dy të dashuruar…/

DASHURISË SË PAVDEKSHME

U ndamë duke u puthur
Atë ditë dhjetori…
Atë mëngjes të bukur kur dole
Si në ditët e para të dashurisë
U puthëm plot afsh,
Plot shpresë,
Plot mall,
Plot dashuri,
Për t’u takuar përsëri
Pas disa orësh.
Unë edhe ti
Kishim një buzëqeshje në sy,
Kishim kohën e dashurisë së madhe
Fjalën e ëmbël mbi buzë e kishim
Që s’e kursyem për njëri tjetrin,
Dhe dimri qe kthyer për të dy
Pranverë.
Eh, pranverë e akullt, do ta quaj
Mashtrimin,
Zhgënjimin,
Dhjetorin
E vitit 2012.

DASHURISË SË PAVDEKSHME

Të urrej!
O stinë e egër e dimrit!
Acar i zemrës sime
Ti mbete, përjetësisht!
Oh, ç’dhimbje!
Më rrëmbeve dashurinë,
Duke më goditur mua
Në zemër, me plumb!
E rrëmbeve ti
Forcërisht nga gjiri im,
E shkule!
E shkule!
Me egërsi nga një shpirt kaq i ngrohtë
Dhe s’e ktheve më,
Kurrë!

DASHURISË SË PAVDEKSME

Më mbylle në guaskë
O dashuria ime!
Po unë,
Jam e fortë si shkëmbi!
Dua të dal tashmë
E të zë
Gjelbërimin e bukur
Poetik.

Filed Under: Featured Tagged With: Bajame Hoxha, ne sofren poetike, te Diellit

PRANVERË 2014

April 15, 2014 by dgreca

PRANVERË 2014/
Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Pranverës/
iu qepa/
me ngulm/
si kërkuese ari/
që kalon në sitë/
gjithë guriçkat/
e zallin/
e lumenjve/
të orëve/
me shpresë/
se do të fitojë/
llotarinë/
e artë /
të fatit/

pranverës
iu përgjërova
me zërin e heshtjes
që murmërin
si bletët
nga shumëngjyrshmëria
e luleve-kurora
në procesionet e
thithjes
së nektarit

pranverës
i renda
si vagonët
e mbushur
përplot
me qymyrin
e mallit
pas çufçufeve
të lokomotivës
së marsit

kambanat
e mimozave
bien
kotnasikoti
derisa marsi
ia beh me
bylezikë
ylberi
prej psherëtimave
diellore
të luledeleve

sepse
pranvera vjen
pa u ndjerë
nga portikët
e padukshëm
të ajrit
me hapin
e heshtur
të thëngjijve
të shuar
prej epshit
të natës

bari e ndjen
i pari
dhe shpeshton
frymëmarrjen
e i ngjitet pas trupit
si fëmija
pas fustanit
të nënës
sepse
e di më mirë
se kushdo
se pranvera vjen
e ikën ngutshëm
si në garat
e maratonës
ku koha
me fytyrat
tona
vrapon
më shpejt
se
blicet
e vetëtimave
….

Pranverë,2014

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Elida Buçpapaj, Pranvere 2014

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4686
  • 4687
  • 4688
  • 4689
  • 4690
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT