• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË HIQET TERRI NGA REFORMA ADMINISTRATIVE TERRITORIALE

April 13, 2014 by dgreca

Opinion Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Cilësori “terrovinë” do i shkonte ma për shtat “Reformës Administrativës Territoriale të Shqipërisë”, e cila po kryhet disi nëpër labirinthe të politikës, larg traditës etno-historike e administrative, jashtë syve të publikut, po veprohet ndryshe nga disa shtete fqinjë, po ecën me kushtëzime (ndër)kombëtare e partiake.
Ndarja e Shqipërisë së vogël gjeografikisht në gjashtë rajone të mëdha do të sillte copëzime të panevojshme apo të parakoshme të territorit të saj, të cilat mund t’i shembullojmë me “principatat mesjetare” apo ndarjes në “kantone” moderne. Në koft se i hulmojmë politikë kisha me thanë se kemi të bajmë me jetësime të refleksioneve, të ideve të liderit të sotëm të PS të trajtuara në një botim të tij (me bashkautor) të vitit 1991. Kjo është një çështje që s’do i rikthehem në detaje, pasi kam shkruar dikur në shtyp, në vitet ’90.
Gjithësesi, me çka shoh në një hartë pune të publikueme në media të elektronikës e letrës në mars 2014, kisha me thanë se ndarjet (prerjet) administrative horizontale të rajoneve të Shkodrës në veri dhe të kaonëve në jug të Shqipërisë Londineze, pa u thellutë në histori të derisotme të pas Shpalljes së Pavarësisë (1912), janë si “gurë kilometrikë” të ëndrrës vorio-epiriote (grekëve) dhe sllavëve (serbëve e malazezëve). Në këto dy ekstreme të rajoneve në ndarjen administrative territoriale nuk duhet të ketë vetëm prerje horizontale, por edhe prerje vertikale, sikurse shfaqet tendenca me “Rajonin ELKO”.
Tue u pjekë demokracia shqiptare nga kushtet e rrethanat e kohës dhe nga shpirti ynë iliro-arbnor ndoshta ka me arritë dikur një ditë jo e mirë që këto rajone të kenë të drejtë kushtetuese referendumin e t’na djegin zemrën duke iu bashkue ndonjë shteti tjetër të afërt. Sot për sot në “Rajonin e Kaonëve” grekët kanë “ardhë” (fut kthetrat) në Gjirokastër e Këlcyrë me varreza greke e po kërkojnë kishë në Përmet, etj. Në “Rajonin e Shkodrës” në vitet 1912-1913 mbretëria e Malit të Zi dhe ajo e Serbisë ngatërroheshin ndërveti për Prizrenin e kufinin për gjatë rrjedhës së Drinit. Këto nuk janë gjana të pandigjueme, as nuk duhet të kemi bindje të tepruar se nuk do të ndodhin asgja në të ardhmen, asnjë përpjekje e tillë shovene nga fqinjët.
Aty në hartë shenjohet edhe “Rajoni i Arbrit”, që përfshin qarkun e Dibrës e të Durrësit, një pjesë të qarkut të Tiranës e rrethin e Kurbinit, ndërkohë që e përjashton Mirditën etj., e cila hynë në “Rajoni Shkodër”. Kjo nuk përkon me historinë shqiptare të Mesjetës. Principata e Arbrit, përndryshe – shteti i Arbrit 800 vjeçar, i kishte rrënjët e degët edhe në Mirditë, bile nuk mund të kuptohet plotërisht pa këtë krahinë etno-historike, pa Mirditën e Madhe.
2.
Terrovina me Reformen Administrative Territoriale bahet jo pak e pakuptimtë politikisht kur kemi parasysh faktin se Shqipëria Londineze e Tiranës zyrtare po e zvoglon numrin e bashkive (komunave), ndërkohë që Mali i Zi me kryeqytet Podgoricën, tokë etnike shqiptare, e Kosova Euro-Atlantike po e shtojnë numrin e komunave të tyre (!)
Mali i Zi në dy-tre vitet e fundit ka formue disa komuna të reja: Nga komuna e Beranës e shkëputi Petnjicen me shumicë boshnjake. E copëzoi Plavë-Gucinë shqiptare në dy komuna – në atë të Plavës e të Gucisë. Tani po ecën edhe drejt ndarjes të Plavës edhe në dy komuna të tjera: Murina e Brezovica. Pritet që komuna urbane e Tuzit të shpallet komunë më vete, me status të plotë komunar (Gjukanoviçi pritet ta publikoj “lajmin” këto ditë të paskthimit nga Amerika). Edhe komuna urbane e Zetës do të kthehet së shpejti në komunë të pavarur.
Kosova, vitet e fundit ka shtuar të paktën shtatë komuna të reja duke e çuar numrin e tyre në 37 komuna. Pritet shtimi me komuna të tjera të reja.
Shqipëria Londineze, sipas projektit të publikuar e të pa miratuar përfundimisht, e ka në plan të krijojnë 89 bashki në të gjithë territorin e saj. Pra, po ecën drejt uljes të numrit të tyre të derisotëm.
Shqipëria e ka relievin e saj gjeo-fizik ballkanik pothuaj të njëjtë me të dy shtetet fqinjë, Kosovën e Malin e Zi, ndërsa sipërfaqen territoriale mbi dy herë ma të madhe se këto dy shtete. Popullsia e Shqipërisë (sipas të dhanave të CIA-s, 2014) është mbi 1.1 milionë banorë më shumë se Kosova (1.9 milionë) dhe mbi 2.3 milionë banorë ma shumë se Mali i Zi (650 mijë).
Pra, këta tregues kërkojnë që Shqipëria në Reformën Adminitrative Territoriale të mos ketë terr’, Përkundrazi: të ecet me tepër kujdes, me konsensus politik, me mendim popull, me maturi demokratike e etno-historike, etj.
3.
Në krahasim me shtetin tjetër fqinjë, Maqedoninë me 25.713 km2 e 2.1 milionë banorë (sipas CIA-s, Libri i Fakteve, 2014) shihet se Shqipëria me 28.748 km2 e rreth 3.1 milionë banorë ka vetëm 18 komuna (bashki) ma shumë.
Në koft se përllogaritim disa tregues krahasimor si popullsia (Shqipëria po i jep randësi të tepërt këtij treguesi) etj., del se zvogëlimi i numrit të bashkive e komunave po kthehet qëllim në vetëvete nga mazhoranca qeverisëse. Aq ma keq, ma randë, i pafalshëm, pasi kjo është strategji politike elektorale, që nuk parasheh interesat e popullit po planifikon vota për zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2015.

4.
Prapë rreth territ të Reformës Administrative Territoriale një tjetër krahasim i Shqipërisë më Malin e Zi fqinjë.
Në ndarjen e pritshme territoriale të Shqipërisë Londineze, sipas gjasave aktuale, nuk ka asnjë komunë të madhe si Nikshiqi malazez me 2.065 km2 dhe asnjë komunë të vogël si Tivati me 46 km2 .
Shqipëria e ligjëron se nuk do të ketë asnjë bashki me më pak se 10 mijë banorë, ndërsa Mali i Zi i ka disa të tilla, gati një e treta e komunave të këtij shteti të vogël ballkanik si komuna Savnik me mbi 2 mijë banorë, Pluzhime me mbi 3 mijë, Zhabljak me rreth 4 mijë, Andrijevica me mbi 5 mijë, Petnjica me rreth 6 mijë, Herceg Novi me mbi 8 mijë, Mojkovci me 9 mijë banorë.
Në Shqipëri, kësaj dukurie pa cen e cak, duket se i përnget historia e ndërtimit të hekurudhës Shën Petërsburg-Moskë sipas asaj historisë të “gishtit tregues të Carit”, pasi specialistë e zyrtarë e deri tek Komisioni Parlamentar (vetëm pozitar, gjysmak, hakrrimtar) po punojnë me hapa e harta sipas “menysë politike” të bashkëkryetarëve të mazhorancës, në dy kulme të pushtetit ekzekutiv e legjislativ.
Si përfundim duhet aksiomue se vërtetë mazhoranca ka sot 85 vota për të vendos si shumicë e cilësuar në Kuvendin e Shqipërisë, po i duhet kujtuar se nuk është as 11 prillin e as në 16 tetorin 1985, por në mijëvjeçarin e tretë, me dekadën e tretë të demokracisë postkomuniste, një vend antar i NATO-s e në udhën drejt Bashkimit Europian.
Kjo Reformë Administrative Territoriale e terrtë po kryhet me dy kushte të pashmangshme: Kushti i parë: të kryhet para zgjedhjeve elektorale për Pushtetin Vendor më 2015. Kushti i dytë: ndikon në marrjen apo dhanien e Statusit Kandidat për në BE në qershorin e sivjetëm kur të piqen qershitë apo, ndryshe: kur të piqet rrushi i fabules të dhelprës. Tashti po del në skenë edhe një kushtëzim kërcenues tjetër ndaj opozitës: Do ta bëjmë “Reformën” edhe pa Opozitën. Dhe kjo ka tri përgjigje: Protesta në sheshe e rrugët e Shqipërisë Londineze. E dyta: mos pjesmarrje e Opozitës në Zgjedhjet Vendore të vitit 2015. E pashmangshmërisht, e treta, (Vet)Rënia e Qeverisë, e ndoshta, pse jo: ecje drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Filed Under: Opinion Tagged With: administrative, Ramiz Lushaj, Reforma territoriale

22 ditë liridalje nga “Burgu i fëmijëve”…

April 13, 2014 by dgreca

OH SA MIRË ME QENË FËMIJË I LIRË!
E mësuat lajmin e ditës?
“Sapo është dhënë urdhri zyrtar për qarkullimin e lirë të fëmijëve, lindur në Greqi, me pasaportë shqiptare, me toponimet (problematike) greke.
Qarkullimi i lirë është deri në 5 MAJ 2014, PA vula në pasaportë, me fletë të bardhë.”
Nuk po jua jap unë, e jep nga burime të sigurta gazeta më prestigjioze e mërgatës shqiptare në Greqi, PLUS GAZETA E ATHINËS, gazeta që më shumë se çdo gazetë tjetër që shkruan me të tridhjetegjashtë germat e alfabetit shqip më se njëshekullorë, e ka ngritur deri në protestën para Ambasadës Shqiptare në Athinë (shih foton), çështjen e toponimeve të shkruara analfabetikisht në pasaportat e fëmijëve shqiptarë, çështje që nuk e kuptoi as qeveria Berisha dhe nuk po e kupton as qeveria Rama.
Më ktheu dhjetë vjet të shkuara ky lajm, asokohe kur për shkak të administratës neglizhente greke deri në çmenduri me që nuk dilnin lejet e qëndrimit sipas ligjit, përligjej me vendimin si dy pika uji me hyrjen e vendimit që sapo lexuat… “Sapo është dhënë urdhri zyrtar për qarkullimin e lirë…” vajtje-ardhja në Shqipëri me rastin e festave zyrtare e fetare greke.
Këtë vit lejet nuk jepen më për të gjithë emigrantët por … për qarkullimin e lirë të fëmijëve, lindur në Greqi, me pasaportë shqiptare, me toponimet greke.
“Urdhri zyrtar…” jepet plot një javë përpara Pashkës Orthodhokse dhe ka fuqi deri më 5 maj 2014… plot për 22 ditë.
Kështu janë dhënë edhe para disa vitesh urdhërat me “veveos”, në prag të Pashkës, Krishtlindjes, Panagjisë së gushtit…
Nuk e di se si do ta përjetojë lexuesi i këtyre radhëve, por unë e përjetoj si liri me kusht nga burgu, liri që e përfitojnë me ligj e me të drejta ndërkombëtare të burgosurit në raste festash fetare apo familjare.
Për mua kjo është lëmoshë, lëmoshë e pastër kristjane, si ato lëmoshat që po jepen këto ditë pragpashke nga kisha orthodhokse greke për qytetarët e varfër.
Unë si qytetar shqiptar e ndjej kokën ulur para kësaj lëmoshe, që ma ka detyruar shteti shqiptar, i cili këtë problem kaq të egër ndaj fëmijëve të vegjël shqiptarë do ta kishte shuar thjesht me tërheqjen e pasaportave të fëmijëve dhe shkrimin e tyre nga e para, me paratë e fajtorëve, sipas rregullave drejtshkrimore të toponimeve vendosur nga OKB.
Nuk e di si e ndjeni Ju !
Nuk e di në se zërin e fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi tubimet shqiptare (shoqata e shoqatëza) do ta çojnë, jo para parlamentit grek, jo para ambasadës shqiptare por përpara Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.
Dera për fëmijët shqiptarë, për të qarkulluar në vendlindjen e prindërve, për të përqafuar gjyshet e gjyshët, është e mbyllur si nga shteti grek po ashtu edhe nga ai shqiptar.
Mbi kurrizin e njomë të fëmijëve shqiptarë po luhet në mënyrën më makabre të mundëshme.
Fëmijët shqiptarë përpara se të shqiptojnë fjalët e mallit dhe dashurisë së madhe njerëzore GJYSH E GJYSHE mësojnë të shqiptojnë fjalën e huaj TOPONIM…
Unikale. E pabesueshme për njerëz e vende me kulturë…
ABDURAHIM ASHIKU
Athinë, 13 prill 2014.

Filed Under: Mergata Tagged With: 22 ditë liridalje nga “Burgu i fëmijëve”..., Abdurrahim Ashiku

Monumenti i Nënë Terezës, së shpejti në qendër të Sarajevës

April 13, 2014 by dgreca

Qyteti Sarajevës, qytet i diversitetit i cili ka 310 mijë banorë, nga këta 180 mijë muslimanë thuhet se në tetor të këtij viti – do të ketë një monument të Lumes Nënë Tereza para Kishës së Shën Jozefit në lagjen Mary Dvor/
Nga BEQIR SINA, New York/
SARAJEVE BOSNJE : Iniciativa për miratim e vendit ku do të vendoset dhe kosotoja , kan përfunduar, njoftohet nga Sarajeva – duke iu referuar shtypit boshnjak sot, gazetës Oslobodjenje. Zëvendëskryetari i Këshillit të Bashkisë së Qytetit zoti Miro Lazoviç ka konfirmuar për axhensinë e lajmeve Anadolli Agency si ai është i vetëdijshëm se nisma filloi , dhe kjo është në proces për vënjen në jetë të saj .
” Letra me kërkesën për vendosjen e Momunmetit të Nënë Terezes në Sarajevë ka ardhur në emrin tim , dhe ndoshta anëtarëve të tjerë të këshillit të bashkisë . Procedura nënkupton se nisma ka nisur duke reflektuar në komisionet përkatëse, të cilat më pastaj do t’i referohen Këshillit të Bashkisë së Qytetit për të vendosur , ” tha Lazoviç .
Simbas shtypit vendas statuja e të Lumes Nëna Terezes, do të jetë identike me atë në Prishtinë . Këshilli i Bashkisë së Qytetit të Sarajevës, thuhet se ka udhëzuar Ambasadorin e Shqipërisë në Bosnje Flamur Gashi , së bashku me Presidentin e Shoqërisë kroate Progresi Kulturorë ( CCS ) prof . Franjo Topic, të kujdesen për ecurinë deri në vendosjen e statujës .
Mbështetje për iniciativën është ofruar edhe nga Kryedioqeza Vrhbosanska , si dhe kardinali i saj Vinko Puljiç , Kryepeshkopi dhe Mitropoliti i Vrhbosniakës .
Siambas Ambasadorit shqiptar, zotit Gashi, shkruan shtypi boshnjak, sot, duke e konfirmuar ekskluzivisht këtë lajm , thotë se :”Statuja e së Lumes Nënë Tereza – do të jet e lartë rreth dy metra dhe do të jetë dhuratë e tij personale për qytetarët e Sarajevës dhe Bosnje-Hercegovinës.”
Duke punuar kështu së bashku në frymën e bashkëjetesës dhe tolerancës që na la Nëna Tereze
” Çdo njeri do që të lënë diçka prapa , kur ata të shkojnë jashtë vendit të tyre. Në fund të majit , unë ka deklaruar ambasadori Gashi, do të lë katër vjet të mandatit tim dhe unë do të të dua që të ketë diçka në Bosnje Hercegnovin . Dhe, për këtë nuk ka gjë, për mua nuk më të madhe se sa Monumenti për Nënë Terezën Nënën – e madhe për mua, por, edhe për BiH dhe të gjithë njerëzit e mirë kudo në botë . Miliona atyre njerëzve që përulen përpara veprës dhe asaj që ka bërë në të mirë të njerëzimit Nënë Tereza , shton ai, vendosja e një monument në Sarajevë, është mesazhi më i mirë për të gjithë rajonin . Ajo ka lindur si një shqiptare , mirëpo ajo ishte pjesë e të gjithë njerëzimit, duke bërë vetëm mirë për të gjithë botën , ” ka thën ambasadori Gashi për Anadolli Axhenci.
Nënë Tereza për ambasadorin aktual të Shqipërisë në Bosnje-Hercegovinë, shkruan shtypi vendas ka një rëndësi të veçantë . Mbasi ai ka marrë pjesë në hapjen në Pejë, qytetin e tij të lindjes në Kosovë , madje edhe në vitin 1990, të hapjes së zyrës, ku ai ka punuar si president i Shoqërisë Humanitare ” Nënë Tereza ” ku ishin të përfshirë në punën e shoqërisë humanitare “Nënë Tereza” në Kosovë, dhe një prift katolik don Lorenc Nuiç, i ndjeri Imzot Mark Sopi, dhe Ajni Ramadani .
Qysh në atë kohë ” Takimet e kemi kryer në kishë dhe një xhami , dhe kjo ka qenë një tregues i qartë se si ishim duke punuar në frymën e bashkëjetesës dhe tolerancës . Ashtu , sikur na mësojë Nëna e gjithë botës, e thirrur Nënë Tereza . Monumentii Nana Terezes në Sarajevë , është për të treguar se kemi të bëjmë me një qytet të multietnicitetit dhe multikulturalizmit , i cili është idealë për këtë monument, ” përfundoi ambasadori Gashi .
Monumenti i të Lumes Nënë Tereza në Sarajevë do të jetë i 12-ti nëpër botë, përndryshe , ai është i ngritur nga misionarët dhe njerëzit humanitarë në botë . Monumente të ngjashme janë ngritur , ndër të tjera , në Nju Jork dhe Detroit në Shtetet e Bashkuara , në Tiranë , Kosovë, Mitrovicë dhe Prishtinë, Shkup , Tuzi ( Mali i Zi) e tjerë.

Lekë dhe Pashkë Gojçaj janë “bartësit” e shtatores së Nënë Terezes në Nju Jork, Prishtinë dhe Mitrovicë

Ishin dy bij të Trieshit historik, të Malcisë së Ded Gjo Lulit, e Prek Calit, e sa e sa figurave të këtyre malësorëve, ata që të parët e sollën në mërgatën shqiptare, në SHBA-së, idenë fisnike dhe bujarinë që të sponsorizonin lartësimin në statuja bronxi, rrugëve dhe shesheve të Amerikës, ikonën të kësaj bije shqiptare, që pasi e sponsorizuan në sheshet e Tuzit e të Prishtinës, pa pritur që të shejtërohet, duke u kujtuar e sjellë ndërmend mbarë njerëzimit që po përgjërohet për këtë Nënë të madhe, se ajo është bijë e popullit shqiptar, e vendosën statujën e saj në New York (Harstdale), në Prishtinë dhe Mitrovicë. Vëllezerit Lek e Pashk Gojçaj edhe pse biznesmene, kanë bërë investimin më të shkëlqyer në jetën e tyre në një fushë ku përfitimi është veçse moral, dinjitet e krenari kombëtare, e shumë më i çmuar e i pavdekshëm se çdo lloj kapitali tjetër.

Biografia e Nëna Terezes
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi), ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqë.
Gonxhja ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut (Nikollë Bojaxhiu) me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Lindi në Shkup, të Shqipërisë te pushtuar prej Perandorisë osmane, sot Republika e Maqedonisë, më datë 26 gusht 1910. Shkupi i merret Shqipërisë prej Maqedonisë me 1 Janar 1918 ne baze te traktatit te Versajes. Një ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i atëhershëm Dom Zef Ramaj. Kola dhe Drania kishin 5 fëmijë, dy u vdiqën në fëmijërinë e hershme. Frikë të madhe kishte nënë Drania mos Gonxhja i vdiste menjëherë pas lindjes, sepse me trup dhe shëndet dukej e dobët. Gonxhja kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai quhej Lazër Bojaxhiu dhe studioi në Grac të Austrisë në Akademinë Ushtarake, por për shkaqe politike emigroi qysh herët në Itali. Kurse motra quhej Age Bojaxhiu. Babai i saj merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpinë e tij artistë dhe patriotë shqiptarë. Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin, por në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin tre: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin “Tereza” e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë. Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlande. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë. Më 12 shtator 1928, Gonxhja kishte shkruar këtë letër drejtuar tezes së saj: “Shkup 12. 09. 28 E dashura Teze Lis! Më 26 te ketij muajit po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkruaj dy tri rreshta per juve. Lamtumire, e deshiroj qe Zoti t’ju jap gjithcka qe ju deshiron zemra. Dua t’ju fal gjerat më të përzemerta, Gonxhja”.
Ky ishte momenti kur ajo u nda përfundimisht me familjen dhe vetëm pas 30 vitesh, do të takohej me të vëllanë, Lazrin. Kurse nëna Drania dhe motra Age, shkuan në atdhe, në Shqipëri, qysh para Luftës së Dytë Botërore. Nënë Tereza u vendos në Kalkuta (Indi) ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhërin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës. Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Por Shqipëria nuk heshte. Republika Popullore Socialiste e Shqiperisë nuk i kishte dhënë vizë nobelistes së ardhshme as sa për të parë nënën e saj që jetonte në Tiranë, as për te marrë pjesë në varrimin e saj më 1974, as për të parë varrin. Madje këtë vizë nuk ia dhane as kur fama e saj kishte marrë dhenë në të katër anët e botës deri ne fillim të viteve ’90. Shqiptarja trupvogel ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80. Deri sa Nënë Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë.
Nënë Tereza nuk qe ndonjë perëndeshë dhe me të mund të fliste çdonjëri. Madje ajo kishte edhe adresë të saktë: një godinë ngjyrë hiri në Bose Road, të ndërtuar në një lagje të zhurmëshme dhe çjerrëse, të stërmbushur me njerëz, e cila vlonte nga çajbërësit, shitësit dhe tregtarë të tjerë të pjesëve më të ndryshme këmbyese si dhe lëngështrydhësit. Këtu, mu në qendër të Kalkutës shtrihej shtabi i përgjithshëm i Rregullit, “Shtëpia e Nënës”, pranë portës të së cilës qe vendosur një tabelë druri ku shkruante: “Mother Teresa.”. Shtëpinë e Nënë Terezës e kanë vizituar personalitete si: mbretëresha e Britanisë, ish presidentët e Shteteve të Bashkuara George Bush e Jimmy Carter, Yasser Arafati, princesha Diana e shumë të tjerë. Nënë Tereza ka qenë mjaft bujare, humane e zemërgjerë dhe këto janë karakteristikat që do ta bëjnë të jetojë përgjithmonë në zemrat e gjithë njerëzve, sidomos në zemrat e shqiptarëve.
Disa nga çmimet dhënë në vite Nënë Terezës:
Çmimi Damian Dutton
1962 – Çmimi Ramon Magsaysay
1973 – Çmimi Templeton
1978 – Çmimi Balzan
1979 – Çmimi Nobel për Paqe
1980 – Çmimi Bharat Ratna
1985 – Çmimi Medal of Freedom
1996 – Qytetare nderi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
1996 – Dekorata Qytetar Nderi i Kosovës
Në vitin 2003, Aeroportit të Tiranës, Shqiperi iu dha emri “Nënë Terezës”. Në hyrje të këtij aeroporti më 2007 u inagurua edhe busti i saj.
Medaljet Urdhri “Nënë Tereza”
Urdhri “Nënë Tereza” është një dekoratë nderi e Republikës së Shqipërisë që u jepet qytetarëve shqiptarë dhe të huaj për akte të shquara humanizmi ndaj kombit shqiptar dhe njerëzimit. Dekorata prej ari i jepet me dekret nga Presidenti i Shqipërisë.
Medalja humanitare “Nëna Terezë” është dekoratë shtetërore e Kosovës që u jepet qytetarëve të Kosovës e të huaj që kontribuojnë në fushën e humanizmit. Shprehja e mirënjohjes dhe nderimi i individëve me këtë dekoratë bëhet nga presidenti i Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: Beqir Sina, Monumenti i Nënë Terezës, në qendër të Sarajevës, së shpejti

Atentate nga Parisi në Tiranë

April 13, 2014 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Me 13 prill 1920 – Esad Pashë Toptani ndërmerr një përpjekje të re (të fundit) me dhunë për t’u bërë mbret i Shqipërisë së tij të mesme. Qeveria në Tiranë paralajmëroi popullatën kundër pjesmarrjes në veprimet e Esadit, duke thëne se ai financohej nga jugosllavët, të cilët kishin pretendime e tyre ndaj Shqipërisë veriore.
Lëvizja esadiste u shkatërrua nga forca të armatosura, të komanduara nga Bajram Curri, nën urdhërat e Ahmed Zogut si ministër i Brendshëm. 72 udhëheqës kryesorë esadistë – përfshi ish prefektët e Tiranës dhe Durrësit, shefin e xhandërmarisë së Shijakut, si dhe nipin e Esadit, Veli bej Kruja – dolën para një gjykate ushtarake dhe u dënuan në burgun e Kalasë, Gjirokastër.
Gjatë kësaj kohe Esad Pasha kishte shkuar në Paris, Francë, ku pas një muaji (13 qershor) do të vritej me atentat nga Avni Rustemi – student shqiptar – i cili “kishte ardhur në Paris për të vrarë një tradhëtar të kombit të vet”, do të shprehej avokati. Gjykata franceze e shpalli Avniun fajtor për vrasje politike dhe e dënoi atë me gjobë (1 frank).
Rustemi 24 vjeçar, pagoi gjobën, u lirua në sallën e gjyqit, dhe u kthye në Shqipëri ku u prit si hero; qeveria i lidhi pension; më pas u bë anëtar udhëheqës i Klubit Bashkimi, i Partisë Demokratike të Fan Nolit, dhe anëtar parlamenti. Edhe Rustemi me atentat u vra; u qëllua me plumba në Tiranë më 20 prill 1924, dhe vdiq në spital pas dy ditësh nga plagët e marra; vdekja e tij do të shfrytëzohej politikisht, dhe demokratë erdhën në pushtet duke përmbysur me dhunë një qeverie të zgjedhur.(Ne Foto:Esat Pasha ne Selanik)

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, Atentate nga Parisi në Tiranë

Sfida e Vatrës

April 13, 2014 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/
Kryetar i Deges se Pan Federates “Vatra” ne Detroit/
Institucioni i Vatrës i ka mbushur 102 vjet jetë dhe veprimtari të dendur në dobi të interesave të atdheut dhe çështjes kombëtare. Misioni historik i Vatrës fillon me themelimin e saj, me 31 Mars 1912. Faik Konica dhe Kristo Floqi punuan për hartimin e rregullores dhe Kanunores. Konica parashtroi dy emra për shoqërinë e re: “Parmenda” me kuptimin kultural, dhe “Vatra” me kuptimin patriotik, duke përcaktuar kësisoj edhe orientimin programor, por edhe mënyrën e funksionimit si një organizatë gjithëpërfshirëse që mbështetej tek parimi i solidarësisë, ashtu sikurse familja shqiptare përgjatë gjithë traditës së saj etnojuridike. Detyra themore që Vatra i ngarkoi vetes ishte shpëtimi i Shqipërisë nga aneksionizmi shovinist i fqinjëve të saj. Me 14 Korrik 1912, Vatra u mblodh ne Boston, nën drejtimin e Lambi Kreshpani, kryetar i degës së Massacusets. Në këtë takim, ku merrnin pjesë 14 degë, u zgjodh dhe Komisioni i parë i Vatrës, i cili zgjodhi Sekretar të Përgjithshëm dhe editor të “Diellit”, Faik Konicën (“Dielli” më parë qe organ i Shoqatës “Besa-Besë”). Ky personalitet do të ishte dhe Ambasadori i parë i Vatrës në Europe. Pas kongresit të Triestes (1913), Konica u prit prej personaliteteve ndërkombëtare me mjaft peshë si Konti Berchtold, ministër i punëve të jashtme të Austro-Hungarisë, dhe San Giuliano, ministër i punëve të jashtme të Italisë. Me këtë fakt shënohet nisma e parë e diplomatike e Federatës Pan Shqiptare Vatra, e cila do të ushtronte suksesshëm atë rol të cilin nuk mund ta kryente dot qeveria shqiptare, për shkak të mungesës së autoritetit si brenda vendit ashtu dhe në arenën ndërkombëtare në ato çaste tejet të vështira për fatin e kombit. Nuk mund të harrohet kontributi i gjithë atyre figurave kombëtare, anëtarë dhe ambasadorë të Vatrës në Europë, duke filluar nga Mehmet Konica deri tek Mit’hat Frasheri. I vetmi njeri me të cilin Vatra nuk mundi të gjejë gjuhën e përbashkët qe, Ismail Qemali (të cilin Vatra e kishte brohoritur për punën e vigane të bërë me ngritjen e flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë në Vlorë) dhe me këtë fakt lidhet dhe vetë përçarja e parë që pësoi Vatra. Kristo Dako, të cilit, i njihen meritat si Kryetar i parë i Vatrës dhe inisiativa për të bërë të njohur çështjen shqiptare tek Presidenti Ëilson, nëpërmjet mikut të tij, Charles Crane (më pas Noli do të takohej personalisht me Presidentin Ëilson) duke siguruar mbështetjen e shtetit më të fuqishëm të botës për moscoptimit të mëtejshëm të Shqipërisë, krijoi “Partinë Politike”, duke zgjedhur delegat në Europë Ismail Qemalin. Midis Vatrës dhe Ismail Qemalit u hap një hendek. Vatra e kundërshtoi këtë përçarje, dhe më e çuditshmja ishte se, mikja angleze e shqiptarve, Miss Edith Durham, do t’i shkruante zonjës Sevasti Dako, se po të zgjidhej Ismail Qemali delegat, ajo do të hiqte dorë nga çështja shqiptare.
Sipas Refat Gurazezit, në Vatër ndodhën tri përçarje, më 1917, më 1925, dhe 1936. Përçarjet, rrjedhojë e rrymave kontrastante të politikës së brendshme, i bënë dëm çështjes shqiptare në përgjithësi, duke pasur parasysh momentet delikate në të cilat ndodhej Shqipëria.
Misioni i Vatrës qe i vështirë dhe i sukseshëm. Sigurisht, Vatra pati baticat dhe zbaticat e veta deri në ditët e sotme. Ajo shfaqi një lloj përgjumjeje të justifikueshme në disa vite. Komunistët shqiptar u munduan ta futnin në dorë Vatrën, por falë një vote të Prof. Arshi Pipa, Vatra është ajo që është sot. Pas Kryetarit Agim Karagjozi, u emërua kryetar Dr. Gjon Bucaj. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij ndezën dritën e gjelbër për ringritjen e Vatrës si imperativ të kohës. Çështja e Kosovës e shkundi Vatrën, në kuadër të protokollit të shtetit Amerikan, para se të niste sulmi mbi Serbinë… E theksoj këtë për të treguar se Institucioni i Vatrës, ishte dhe është pjesë e protokollit të shtetit më të fuqishëm në botë, SHBA, dhe se shteti Amerikan, në vendimet e tij, për çdo rast që ka të bëjë me Shqipërinë apo Kosovën, bazohet edhe në konkluzionet e konsultimeve me Vatrën. Le të sjellim ndërmend pranimin e Shqipërisë në NATO. Vatra ishte e prezent, kur Presidenti Bush, do të nënshkruante aktin historik të rreshtimit të Shqipërisë si e barabartë midis të barabartëve në paktin ushtarak më të fuqishëm në botë…
Besoj mjaftojnë këta shembuj si përgjigje ndaj disa njerëzve që nuk e dinë ende se çfarë është Vatra…
Dega e Vatrës në Michigan, u riformua më 28 Janar 2012, me praninë e Kryetarit të Vatrës, Dr. Gjon Buçaj dhe anëtarit të Kryesisë, Zef Balaj, ky i fundit jo si i deleguar i Vatrës, por si veteran i saj, meqënëse ndodhej për arsye private në Michigan. I pranishëm qe dhe Genc Kortsha, një nga intelektualët më të kompletuar në Michigan, i cili vite më parë kishte djersitur mbi një kanunore bashkëkohore, por që ky punim kishte mbetur i harruar diku në zyrat e Vatrës. Në Komisionin e mandateve dhe të numërimit të votave ishin, Pjetër Jaku, Armando Shtiza dhe Paulin Palushi. Me shumicë votash u zgjodhën: Alfons Grishaj Kryetar, Pjetër Jaku Zv.Kryetar, Mondi Rakaj Sekretar. Officerët e bordit: Julian Çefa Arkëtar, Kujtim Qafa, Ilir Myftiu dhe Enita Hajdari. Vlen për t’u theksuar se ka pasur dhe dy tentative të tjera për riformimin e degës së Vatrës në Michigan, por për arsye të ndryshme nuk u realizuan. Dua të sqaroj se themeli i veprimtarisë së Vatrës është Statuti dhe Programi i saj. Zbatimi i Statutit dhe Programit është kusht i padiskutueshëm që duhet respektuar nga çdo anëtar. Nëse ndokush mendon se duhet shkelur Kanunorja dhe të bëjë si t’i dojë qejfi, duhet të dijë se nuk është e ligjshme por dhe as e ndershme asnjë sjellje që shkon përkundër standarteve të një organizimi që tashmë e ka kaluar një shekull veprimtari. Nëse ndonjë nga ne mendon se zgjedhjet bëhen pa votuar, gabon! Ligji themeltar i demokracisë është: vota e fshehtë bëhet legjitime, kur numërohet. Kjo për të spjeguar dhe ndonjë romuz “shoqëror” aty-këtu.
Çfarë bëri Dega e Vatrës në Michigan pas riformimit?
Menjëherë i hyri punës për të bashkëpunuar me Institucionet Fetare, duke pasur parasysh se shqiptarët në emigrim janë të mbledhur me tepër pranë institucioneve të besimit. Vatra, si institucioni më i vjetër shoqëror dhe politik në diasporë, vendosi bashkëpunimin me Ambasadën e Shqipërisë në Uashington,me Ambasadorin Gilbert Galanxhi dhe Kosullatën e Përgjithshme në Neë York, me Konsull Dritan Mishto. Me Institucionin e Konsullit të Nderit në Michigan, Ekrem Bardha dhe me të gjitha shoqatat në Michigan. Gjithashtu vendosi lidhje dhe me Kongresistë dhe nënpunës të lartë të shtetit Amerikan. Duke shfrytëzuar këto lidhje, dega jonë, u mundua të ndihmojë bashkatdhetarë me probleme në emigracion. Dega jonë i hyri punës për të krijuar degë të reja në Amerikë dhe Kanada, së shpejti dhe në Europë. Kjo, jo për t’i bërë konkurrencë qendrës, por për të bërë secili atë që është në gjendje të bëjë, si pjestarë të të njëjtit mision.
Për çdo lëvizje, ne, marrim aprovimin nga Kryesia në Neë York dhe pastaj veprojmë. Dega e Michiganit, ka dy anëtarë të Kryesisë së Përgjithshme në Neë York, Alfons Grishaj dhe Z.Kujtim Qafa, çfarë tregon se jemi të përfaqësuar si Degë.
Manifestimi i organizuar me rastin e Njëqind Vjetorit të Pavarësisë, tregoi forcën e bashkimit të komunitetit dhe rolin e Vatrës në këtë drejtim. Drejtimin e këtij takimi e kryen dy anëtarë të Vatrës, Franz Grishaj dhe Rafaela Kondi. Sigurisht një falenderim i veçantë, vjen nga Vatra për të gjitha shoqatat dhe krerët e tyre, gjithashtu për drejuesit e qendrave fetare, si Don Fran Kola, Dom Ndue Gjergji, dervish Elidon Pashaj dhe Konsullin e Nderit Ekrem Bardha. Një rol të fuqishëm ushtron gjithnjë Këshilli i Kishës së Shën Palit me kryetar Kolë Gjokaj, bashkëpunimi me të cilin është gjithmonë një sukses i garantuar.
Dega e Vatrës Michigan punoi intensivisht për Dekorimin e Institucioneve Fetare, sidomos për Kishën Katolike të Shën Palit, e cila ka pasur një potencial patriotik që i ka shërbyer me devocion çështjes kombëtare. Vatra kishte parasysh se duke nderuar këto Institucione, nderohej puna e çdo patrioti dhe atdhetari që punoi në vite për liri. Pjetër Jaku punoi me përkushtim në formulimin e këtyre dosjeve, që më pas iu dorezuan nëpërmjet Sekretarit të Vatrës Mondi Rakaj, Ambasadorit Galanxhi, dhe ky i fundit ia dorëzoi Presidentit të Republikes.
Për të nderuar këto qendra “Nderi i Kombit”, punoi Partia Demokratike dhe njerëzit e saj. Çdo spekulim tjetër është i turpshëm dhe i pavlerë.
Takimin madhështor me Presidentin Nishani, e organizuan Vatra së bashku me Konsullin Bardha dhe Don Fran Kola me Këshillin e Kishës së Shën Palit. Drejtuesi i këtij takimi ishte anëtari i Vatrës, atdhetari dhe intelektuali Nevruz Nazarko.
I vetmi që falenderoi Vatrën në këtë eveniment ishte Don Fran Kola, i cili e meritoi nderin që iu bë Institucionit dhe personalisht atij. Don Frani, qëkur i ka shkelur këmba në Michigan, ka rrezatuar vetëm mirësi dhe ka përkrahur pa rezerva si Vatren ashtu edhe të gjithë njerëzit besimtarë dhe atdhedashës!
Vatra, në bashkëpunim me Konsullin Bardha dhe Don Frane Kola, organizoi dhe një fushatë ndihmash për ambasadën në Uashington dhe më vonë për Kongresmenin Peters, i cili ka përkrahur dhe përkrah shqiptarët me një dëshirë të admirueshme, sikur të ishte shqiptar. Ne organizuam dy takime me shkrimtarin Prof. Nusret Pllana, në promovimin e librit dhe të dokumentarit “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët”

Sfidat Vatrës:

1-Të punohet pa u lodhur për finalizimin e bashkimit të trojeve Shqipetare.
2-Zgjerimi i Vatrës me anëtarë të rinj.
3-Nderimi i disa personaliteteve që kanë kontribuar në vite për çështjen kombëtare.
4-Hapja e Degeve të reja në Amerikë dhe në Europë.
5-Përditësimi i Statutit dhe Programit të Vatrës, në përputhje me kërkesat e kohës.
6-Thellimi i bashkëpunimit me shtetin Amerikan dhe miqtë e Shqipërisë, Senatorë, Kongresmenë dhe zyrtarë të lartë lokalë.

7-Dendësimi i bashkëpunimit midis Institucioneve, shoqatave dhe personaliteteve të pavarura që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për çështjen kombëtare.
8-Pregatitja e personaliteteve të Vatrës për t’u përfaqësuar në Atdhe. Kjo, në vijim të traditës së hershme të Vatrës së Nolit dhe Konicës. Sigurisht në bazë të një strategjie të mirëfilltë filozofike dhe pragmatiste.
9-Të ndihmojmë në bursat dhe shkollimin e të rinjve tanë.
10-Të ndihmojmë në çështjet e emigracionit njerëzit në nevojë.
11-Botimi i historikut të Degës së Vatrës Michigan.

Puna ime si kryetar, nuk e di si do të ishte pa kontributin e zotërinjve dhe zonjave të nderuara vatrane. Nuk mund te lë pa përmendur bashkëpuntorët e mi të ngushtë, Pjetër Jaku, Don Fran Kolaj, Kujtim Qafa, Ekrem Bardha, Nevrus Nazarko, Petrit Doda, Donika Bardha,Julian Cefa,Gjeto Ivezaj, Nikollë Vneshta, Vasel Ujka, Valentin Lumaj, Elinda Marku. Falenderoj gruan time Mirela Grishaj për mbështetjen dhe mirëkuptimin, e cila s’ka reshtur së qeni bashkëpuntore dhe këshilltare pothuajse prej njëzet vitesh. Përsonalisht falenderoj Z.Mond Rakaj ,që prej dy vjetëve financon herë pas here për Vatren dhe duke paguar kuotizacionin e disa prej shokëve të tij…
Nuk mund të lë gjithashtu pa falenderuar, aktivistët patriotë të Michiganit, si Gjergj Ivezaj, Zhozef Dedvuka, Rrok Juncaj, Taulant Kadia, Luigj Gjokaj, Lulash Palushaj, Imam Shuaip Gerguri, Ndue Ivanaj, Nikollë Hysa, Pal Rakaj, Arben Dervishi, Agustin Çupi, Prekë Gjokaj, Minyr Nazifi, Fran Gjokaj, Luigj Sterbyqi, Gjevalin Gega, të cilët kanë ndihmuar Vatren sa herë që u është kërkuar.
Falenderojmë dy televizionet, atë të Gani Vilës dhe Armando Shtizës, për pasqyrimin e punës së Vatrës në përgjithësi.
Falenderoj çdo anëtar të Vatrës, të vjetër dhe të ri, duke u kërkuar që ta ruajmë e ta kultivojmë frymën e identitetit kombëtar këtu në diasporë, si amanetin e shenjtë të të parëve. Kështu merr kuptim krenaria që jemi vatranë, vijues të asaj vepre që shpëtoi Shqipërinë!

Filed Under: Vatra Tagged With: Alfons Gishaj, Sfida e Vatrës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4692
  • 4693
  • 4694
  • 4695
  • 4696
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT