• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HËNA VERDHANE E BEN BLUSHIT

April 8, 2014 by dgreca

Nga Kolec TRABOINI/
 Ben Blushi nxorri një libër që u përcoll me pompë si çdo libër të pjellë nga kuintat e politikës që duke pasur paranë dinë si t’i bëjnë edhe menaxhimin produkteve të veta, anipse mund të jenë në nivelin e mediokritetit.  U mësuam tashmë. Në politikë gjithmonë mbarsen malet e pjellin minj. Një mi ishte edhe libri i Fevzos për diktatorin, nën sqetullat e një minidiktatori tjetër, po aq tinzar e i ethshëm për pushtet sa i mëparshmi. Plot minj politikë kemi parë e shohim nëpër skedat e librarive. Nuk ka nevojë t’i përmend se aty i keni në vitrina e me volume të mëdha e publicitet televiziv të marramendshëm. Madje edhe në Panairet qesharake të librave në çdo nëntor po ketë masakradë sheh, karnavalet e politikës. Kësisoj, pasi u bë zhurma tollumbacore për librin e Benit kësaj radhe i sajuar me shkrime gazetash e i arnuar me pakëz aktualitet  mercenarësh shqiptarë në Siri (1000 shkruan Beni në librin e vet), doli dhe ndonjë mendim pakëz kundër. Se mos vallë Beni qe ngutur në këtë prognozë hënore që përbëka ankthin e tij, por edhe të ca bisnesmenëve të medias që anipse janë mediokër, kanë mbirë si lule mbi bajga në Shqipëri. E kam fjalën jo vetëm ata që kanë ndërruar emrat për t’u bërë edhe më kontemporanë, por edhe për ata që nuk kanë ndërruar në asgjë nga asgjëja që më parë kanë qënë.
Dom Gjergj Meta bëri një reflektim të librit më të ri me qëndizma politike të Ben Blushit. E lexova shkrimin  Dom Gjergjit  dhe m’u duk më se i drejtë e i vërtetë. Ben Blushi me hënën e tij (e jo të Shqipërisë)  sheh ëndrra me sulltanë që i presin koka. Por Ben Blushi do ta kishte më të lehtë të bënte diçka për të ndaluar këtë dyndje të pseudokulturës otomane me sulltan sulejmanë e të tjerë para se të ngutej të tregonte prognoza të përgjakuara të së ardhmes. E ardhmja është ajo që gatuajmë sot e Ben Blushi është pjesë e asaj strukture parlamentare ku nuk të zgjedh populli, por lista e kryetarëve të partive. Për mua e keqja janë pikërisht këto soj njerëzish që vijnë në krye të katapultuar dhe kësisoj kemi një parlament impotent, të mbytur nga injoranca dhe produkti i soj-soj klanesh mafioze të cilët ia kanë zënë frymën shqiptarëve që nuk kanë punë e mezi e përballojnë jetesën. Ben Blushi mesa duket nuk do të dijë se populli do punë e kur nuk ka punë djemtë patjetër do të shkojnë mercenarë kudo ku del paraja, sepse këtë punë kanë bërë shqiptarët që 2000 vjet ndryshe nuk do të kishin mbijetuar. Beni është rritur mirë, nuk i ka munguar asgjë në jetë dhe e ka vështirë të dijë ëdo të thotë të varësh veten në litar se nuk ke bukë t’u japësh fëmijëve….Beni këto gjëra nuk i di, sepse për Benin populli është një turmë e destinuar në fatin e vet të mjerueshëm. Benit i tundohet mendimi politik se do të dalin partitë islamike e do t’i marrin pushtetin që e kanë(ai dhe të tjerë) që 23 vjet dhe e kanë katandisur këtë popull në gjendjen më të mjerueshme. Beni qan sot për pushtetin që do t’i marrin nesër, ata “islamikët”, kur sot populli nuk ka bukë të hajë dhe as e ka në axhendën e vet (pra nuk pjerdh fare) se kush do ta marrë pushtetin nesër.
Populli, me të cilin spekullojnë aq shumë, pyet, por askush nuk ka ndërment t’i përgjigjet, një pyetjeje si kjo: po mirë që shqetësohesh i nderuari deputet që me partinë tënde ke shumicën në parlamant, çfarë ju pengon ju të vendosni një ligj që në Shqipërinë laike, të ndalohen partitë me konotacione fetare. Por kjo ama nuk mund të bëhet vetëm për islamikët, kjo duhet të bëhet për të gjitha partitë që kanë qoftë dhe emërtimin fetar. Ta zëmë pse duhet të ketë parti kristiane dhe këto janë një tufë e jo një e vetme që na bëjnë edhe federata. Pse pra duhet të jenë këto parti fantazma dhe marioneta politike. Por jo të shkohet deri atje siç bën autori Ben Blushi në librin e tij “Hëna e Shqipërisë” ku shkruan as më pak e as më shumë por: “ Pyetja: “Duhet apo nuk duhet Kisha?”, është sot më e fortë se kurrë.”.
Vërtetë është e pamoralshme që në shtëpinë e të varurit të kujtohet litari, dhe harron kësisoj ky autor i librit në fjalë se sa krime të përbindëshme janë bërë kundër klerikëve të krishterë pikërisht nën një retorike të tillë vrastare  se “çfarë na duhet kisha”. Një kalvar i përgjakur ky,  ku u kryqëzua edhe e drejta e njeriut për të qënë i lirë në atë që beson. Ndaj them pa hezitim se këtu kemi një lajthitje të autorit.

Dhe e fundit, sa i bëjnë leksione me morale politike popullit me ca rrëfime të frikshme si në filmat horror të Hollivudit, më e dobishme do të qe  ngritja e zërit në parlament, duke kërkuar një komision miks parlamentar, duke propozuar  një projektligj për ndalimin e partive fetare e të mos rrinë në karrigen e deputetit veç për të ngritur dorën( a të kundërtën)  e marrë rrogën. Eshtë një luks i tepërt për këtë popull të varfër të mbajë me bukë deputetë që vegjetojnë në Parlamentin e mendjeve të Kombit,  ndërsa, ashtu si femijeve u tregohet gogoli për ti trëmbur, edhe këta u tregojnë shqiptarëve me gisht horizontin e murrëtyer ku  ju fanepsen fantazmat e të ardhmes. Nuk përjashtohet mundësia që e ardhmja mund të jetë me të papritura, por meqë flisni nga tempulli i sovranit popull e në emër të tij,  së pari duhet ti pergjigjeni një pyetje fare të thjeshtë:  Pse vallë e sotmja ekziston?!

Filed Under: Featured Tagged With: HËNA VERDHANE E BEN BLUSHIT, Kolec Traboini

QINDRA SHQIPTARË PROTESTUAN KUNDËR GJUKANOVICIT PARA SHTËPISË SË BARDHË DHE AMBASADES SË MALIT TË ZI

April 8, 2014 by dgreca

Ashtu sic ishte njoftuar, të Martën, 8 prill 2014, shoqatat shqiptare me origjinë nga Mali i Zi të mbështeyura edhe nga Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra”  dhe shoqata të tjera, organizuan një protestë masive para Shtëpisë së Bardhë. Demonstruesit kishin ardhë me autobuze dhe makina nga Nju Jorku, Nju Xhersi, Micigani, Kënektikat, Bostoni si dhe dega e Vatrës në Washington.

Kjo protestë mori shkas nga vizita e Kryeministrit Malzez Milo Gjukonovic, i cili u takua të martën me zv/presidentin amerikan Joe Biden. Protestuesit ishin nga të gjitha moshat, madje edhe fëmijë. Demosntrusit mbanin ndër duar flamujë Kombëtar Shqiptar dhe Amerikan si dhe shumë pankarta ku denoncohej politika gjenocidale e qeverisë së Kryeministrit Gjukanovic. Në njërën nga parullat i bëhej thirrje presidentit amerikan, Obama që t’i thotë ndal gjenocidit të qeverisë së Malit të Zi kundër shqiptarëve. Tubimin para Shtëpisë së bardhë e ka hapur Xhevat Kukaj, ku përmes një fjalimi të shkurtër ka shpalosur qëllimin e këtij demonstrimi ku morën pjesë qindra shqiptarë.

Më pas Esat Gjonbalaj, ka moderuar protestën dhe u ka dhënë fjalën folësve. Fillimisht e ka marrë fjalën ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj. Ndër të tjera z. Gjonaj tha para medias së pranishme : “Zemra ime është plot kur shikoj kaq shumë shqiptarë nga të gjitha territoret shqiptare të mbledhur bashkë, nga Kosova, nga Shqipëria, nga Mali i Zi, nga Çamëria, për të diskutuar çështjet e trajtimit të shqiptarëve në Mal të Zi, nuk ndjej veçse gëzim. Ky bashkim në vetvete dërgon një mesazh të fortë jo vetëm për qeverinë e Malit të Zi por për të gjithë udhëheqësit shqiptarë, se ne jemi ketu per ata, se do te jemi zëri për gjithë shqiptarët në Mal të Zi dhe në të gjitha territoret shqiptare.”

Nënkryetari i Vatrës, Asllan Bushati ka mbajtë një fjalim në përkrahje të kërkesave të protestuesëve për të drejtat e bashkadhetarëve tanë në Mal të Zi. Më pas ka folë edhe Emin Egriu që synon një vend në Kongresin amerikan. Ka fole edhe Nikolle Camaj, I ardhur psoacerisht nga Malesia. Protesta ka vijuar me folës të tjerë.

Protestussit kanë lënë Shtëpinë e Bardhë pas një ore protestë dhe janë drejtuar drejt Ambasadës së Malit të Zi në Washington, duke  marshuar për rreth 20 minuta deri atje. Rrugët e Washingtonit skuqnin nga flamujtë Kombëtar Shqiptare dhe amerikane. Edhe tek Ambasada Malazeze ka vijuar për më shumë se një orë demonstrimi, ku folës të shumtë kanë denoncuar politikën antishqiptare të Gjukanovicit, që ua mohon shqiptarëve të drejtat më elementare. Një peticion me kërkesat për të drejtat e Shqiptarëve në Mal të Zi u dorëzua në ambasadë, ndërsa një përfaqësi me në krye ansamblesitin Mark Gjonaj u takuan me kongresistin Eliot Engel dhe kongresisitë të tjerë për t’i bërë të njohur kërkesat e demonstruesëve.

Në demonstratë morën pjesë një grup vatranësh: Asllan Bushati me zonjën dhe vajzën, Marjan Cubi, Ramiz Mujaj, Mëhill Gjuraj, Ibrahim Kolari, Mëhill Velaj, Uka Gjonbalaj, Dalip Greca, Merita B McCormack, Edward Bucaj, Vasel Ujkaj e të tjerë.

 

FJALA E ZV/KRYETARIT TË VATRËS, Z.ASLLAN BUSHATI NË DEMONSTRATË

 

Te nderuar bashkeatdhetar,

Ne emer te Federates Pan-Shqiptaro-Amerikane Vatra, te Kryetarit te saj Dr. Gjon Bucaj, te forumeve drejtuese dhe te cdo vatrani ju pershendes per pjesemarrjen ne kete tubim demostrues shume te rendesishem. Vatranet kane qene e do te jene te pranishem kudo e kurdohere qe i therrasin problemet e medha te Kombit Shqipetar.

Per nje qellim madhor jemi mbledhur edhe sot ketu para Shtepise se Bardhe, shtepise se lirise e demokracise, shtepise sone amerikane nga ku rrezatohet drite e shprese jo vetem per ne shqiptaro amerikanet, por per gjithe njerezit perparimtare e liridashes te botes. Jemi mbjedhur per ti thene Milo Gjukanovicit te Mali te Zi (MZ), se para disa vitesh nuk do te shkeputeshe kurre nga Serbia pa deshiren e amerikaneve dhe vullnetin e voten e shqipetareve.

Po ashtu jemi mbledhur nga te gjitha anet e Sh.B.A-se, per t’ja kujtuar edhe nje here atij se vllezerve e motrave tona ne trojet e tyre mijera vjecare  ne M.Z. u kerkove  ndihem per mevetesine  e MZ  dhe ata  ndihmen ta dhame. Ju kerkove paqe e bashkejetese harmonike dhe ata ti dhane.Ju  kerkove ndihmese per ngritjen e funksionimin e strukturave te shtetit ne te gjithe piramiden e vet dhe ata  ti dhane. Ju  kerkove tatime e taksa dhe ata  i paguan. Pra me nje fjale cfare kerkove nga njerezit tane njekohesisht dhe shtetas te M.Z. ata  ti dhane. Por medalja ka dy ane Gjukanovic. Le ta shohim dhe anen tuaj.

U premtove  njerezve tane  liri e demokraci, respektimin e  lirive e te  drejtave  universale, njerezore  e  kombetare, u  premtove  pune e progres ekonomik dhe proporcionalitet ne  vendim marrje e qeverisje ne te gjitha sferat e jetes  se tyre. Por cfare ndodhi realisht me premtimet tuaja Gjukanovic? Koha tregon se Ju  bete te kunderten e atyre qe premtuat. Ju ndaluat perdorimin e simboleve  kombetare shqipetare sipas tradites sone ne dasma, gezime, festa  e ceremoni  te vecanta. Ju i derguat shqipetaret prapa dyerve te hekurta te burgjeve vecse ata  perdoruan flamurin e tyre kuq e zi. Ju tjetersuat ngjarje e fakte madhore te histories se Kombit Shqipetar, sepse ato hedhin drite  mbi ngjarjet ne rajon e me gjere dhe se ndriconin kontributet e asaje pjese te Kombit Shqipetar  qe fatkeqesisht jeton sot nen regjimin tuaj totalitar ne M.Z. Ju  nuk i lejoni  nxenesit  shqipetar  qe me plan programe  te mesojne gjuhen dhe historine e kombit te tyre sepse  keni  frike nga e verteta dhe e ardhmja me shqipetaret. Ju nuk  pranuat drejtshkrimin e emrave shqip ne dokumentat zyrtare ne qofte se ato nuk kane shtesen “vic” nga prapa. Ju tjetersuat emra krahinash, lagjesh, shkollash, objektesh etno kulturore e fetare etj. Po kujtojme ketu vetem nje fakt te thjeshte: Gjergj Balsha eshte nje prijes i madh shqipetar bashke kohes i Skenderbeut. Emri i tij i eshte vene nje kishe kotolike ne M.Z. qe pra me shume se kater shekujsh. Tashme kjo kishe eshte adoptuar ne ortodokese dhe Gjergj Balsha ne Xhorxh Balshovic.

Ne raporte me te  drejten e punes  ju i diskriminuat njerezit tane ne punedheni e punemarrje, ju bete e vazhdoni te beni diskriminime ekonomike ne fushen e shperndarjes dhe te ardhurave financiare. Ju i  konsideroni pronat e shqipetareve si mall pa zot duke u dhene serbve e malazeseve  per troje e biznes hapsira te pafundeta ne bregdet, zonat kodrinore, pyje, kullota, kojrie etj. Dhe nga ana tjeter kujtojme ketu se Tuzi megjithese ka permasat hapesinore, popullsine dhe gjeneralitetet e tjera per te qene Komune e pavarur ju prej shume vitesh ja keni mohuar kete te drejte vetem e vetem se eshte hapesire Shqiptare.

Keto e shume e shume te tjera si keto, tregojne se Gjukanovici jo vetem nuk ka bere asnje hap perpara ne drejtim te lirive e te drejtave njerezore e kombetare te shqiperareve ne M.Z. por  me totalitarizmin e seres se tij, ja ka kaluar edhe regjimit komunist.

Nisur nga sa me siper, ne i bejme thirrje Gjukanovicit, por ne te njejten kohe dhe Shtepise se Bardhe (per dijeni) se: ne qofte se M.Z. e do paqen e bashkejetesen normale me shqipetaret ne trojet e tyre mijra vjecare ,atehere autoritetet ne M.Z. ne cdo segment  te  respektojne  te drejtat dhe lirite themelore te njeriut, kushtetuten dhe ligjet e vendit te tyre, proporcionalitetin ne qeverisje, fonde, buxhet, ushtri, polici, shendetesi, arsim, drejtesi e kudo. Mos te luajne me dinjitetin, zakonet, traditat, fene e institucionet e saj, me tokat, pyjet, kullotat, vendet e shenjta e turistike, bregdetin e pasurite materjale e shpirterore te shqipetareve. Mos ti fryne zjarrit  nacionalizmave malazeso-serb ne dem te interesave te shqipetareve dhe mos bejne trysni politike deskriminues e mafioziste per asimilimin e shqipetareve. Kjo per ne eshte vija e kuqe dhe ne se Milo Gjukanovici dhe segmentet e tij nuk ndalen ne rrugen e tyre  ne shkeljet e te drejtave njerezore e kombetare te  shqipetareve, ne u themi se keni kaluar vijen e kuqe pertej se ciles eshte fushe e minuar. E ne se doni te  beni  ndonje marrezi  duke  shetitur  ne fushe te minuar, ato pelcasin dhe per kete se kane fajin shqipetaret. Fajin kerkojeni tek vetja dhe tek askush tjeter.

Vllezer e motra shqipetar ne  Sh.B.A e kudo qe te jeni, ne emer te Federates Pan-Shqiptare Vatra, ju bej thirrje te bashkohemi ne mendim e veprim per mbrojtjen e te drejtave te shqipetareve ne M.Z. Ju bej thirrje qe kapitalet tuaja ti investoni ne trojet  tona duke hapur vende pune e duke i prere rrugen keshtu emigracionit kesaj plage te madhe te hapur. Pas kesaj me Milon e Gjukanovicit e shoket e tij ne se nuk kthejne rruge, do te kemi pune te tjera.

(Në Diellin e printuar do të japim më shumë informacion rreth demonstratës)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ambasades Malzeze ne Washington, para Shtepise se Bardhe, proteste, shqiptaret

“Mbreti 1 milion”

April 8, 2014 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Më 9 prill 1961 – Në spitalin Foch, Sorensen, Paris, Francë, vdiq mbreti Zog, 65 vjeç – pas shumë vitesh vuajtje nga sëmundja, pa e parë vendin e tij që prej ikjes më 8 prill 1938. Shtypi në Shqipëri heshti plotësisht.Zogu ishte shtruar në spital më 4 prill, thuajse pa ndjenja nga dhimbjet e forta në stomak. Ai ishte dobësuar jashtzakonisht. Kur u përmend, pa pranë mbretëreshën Geraldinë dhe princ Lekën. Zogu i kërkoi Geradinës t’i silte një revole sepse nëse mjekët do t’i thonin se kishte kancer, ai nuk donte të jetonte më dhe do të vriste veten. E shoqja e kundërshtoi, më kot; pastaj solli armën (pa fishekë) dhe ia la pranë, por mbreti nuk kishte fuqi as për të zgjatur dorën.

Zogu kishte qenë monark absolut, i fortë, efikas dhe, i pamëshirshëm në rast nevoje. “Eshtë kollaj të jesh mbret i 400 milionë skllevërve e robërve, por është tepër e vështirë të jesh mbret i një milion mbretërve, siç jam unë”, ka thënë Zogu në një rast.

Historiani amerikan Raymond Hutchison do ta quante Zogun “personazhin shqiptar më të fuqishëm të shekullit XX ose gjatë shumë shekujve që nga vdekja e Skënderbeut të madh më 17 janar 1468” Leksografi i njohur Stuart Edward Mann, hartues i fjalorit historik Albanian-English, shkruante në paraqitjen e gramatikës së tij shqipe (1932), se “ardhja e Zogut në krye të vendit si president dhe pastaj si mbret, ishte një fillim i mbarë”.

Mbreti krijoi administratën dhe makinerinë e një shteti modern shqiptar; gjatë presidencies së tij, kodi i vjetëruar penal Osman u zevendësua me Kodin e Napoelonit; vendi përparoi në çdo fushë të rëndësishme; ai zhduki banditërinë e trashëguar; përkujdesje i kushtoi arsimit publik; qindra të rinj u dërguan me bursa jashtë shtetit në universitete evropiane (ironikisht mes tyre ishte edhe Enver Hoxha), dhe kur diplomoheshin, ata kthehesin në atdhe ku Zogu i vendoste në poste administrative.

Gjithashtu, gjatë mbretërimit të tij, mbreti Zog u rezistoi përpjekjeve nga Italia për vendosjen e fashizmit në Shqipëri, derisa Musolini u detyrua ta pushtonte, si dhe mbajti marrëdhënie të mira me vendet fqinje.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Ahmet Zogu, Astrit Lulushi, Mbreti 1 Milion

DEMONSTRATA NE WASHINGTON- THIRRJE NGA FORUMI SHQIPTAR

April 7, 2014 by dgreca

Më 8 prill 2014, ditën kur kryeministri kundërshqiptar i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, kryen një vizitë në Shtëpinë e Bardhë i ftuar nga Zëvendës Presidenti Amerikan Xhozef Biden, mijëra shqiptaro-amerikanë do të organizojnë një Demonstratë në Uashington D.C., kundër diskriminimit të egër e të gjithanshëm të shqiptarëve etnikë nën Malin e Zi (Ulqin, Plavë, Tuzi, Tivar, Guci, Podgoricë, Rozhajë, etj).Kjo Demonstratë, më e madhja në Historinë Shqiptare në mbrojtje të shqiptarëve etnik e trevave etnike shqiptare nën Malin e Zi, organizohet nga organizata e organizma të shoqërisë civile shqiptaro-amerikane në Neë York. Çikago, Detroit (të trevave shqiptare nën Malin e Zi): shoqata “Ana e Malit”, Fondacioni Plavë-Guci, shoqata “Dedë Gjon Luli”, Fondacioni “Don Simon Filipaj”, Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe”, Fondi Humanitar “Malësia”, Shoqata “Ulqini”, Shoqata Atdhetare “Kraja”, “Rrënjët Shqiptare”.

Kjo Demonstratë është përkrahur e mbështetur me pjesmarrje e fonde edhe nga shoqata, fondacione e organizma të tjera në Amerikë si: Federata Pan-Shqiptare “Vatra”, Këshilli Nacional Shqiptaro-Amerikan”(NAAC), Batalioni “Atlantiku”, shoqatat “Rugova”, “Kombi”, Albanian American Foundation, shoqatat e Kosovës Lindore (Preshevë, Medvegje, Bujanovc), etj.

Në përkrahje solidarizuese e sensibilizueze me këtë Demonstratë në Amerikë, iu ftojmë që në trevat shqiptare nën Malin e Zi, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kosovën Lindorë (Lugina e Preshevës), Çamëri (Greqi), Sanxhakun Shqiptar (Tregu i Ri) si dhe në diasporat shqiptare në botë: Uashington D.C. (SHBA), Bruksel (Belgjikë)- para selisë së BE e NATO-s, në të gjitha shtetet antare në BE e NATO, OSBE, Këshilli i Europës, etj. si dhe në vende të tjera të botës: Australi, Izrael, Afrikë e Jugut, Argjentinë, etj. iu Ftojmë me këtë Thirrje:

1.      8 Prillin e sivjetëm e të çdo viti kalendarik ta shpallim: “Dita e Shqiptarëve nën Malin e Zi”, ndryshe edhe: “Dita kundër Diskriminimit të Shqiptarëve nën Malin e Zi” apo “Dita e Solidaritetit me Shqiptarët nën Malin e Zi”.

2.      Më datën 8 Prill 2014 të ngrejmë dukshëm në çdo shtëpi shqiptare në Malin e Zi, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, etj. dhe kudo në botë Flamurin Kombëtar Shqiptar, Flamurin Amerikan si dhe Flamurin e Bashkimit Europian si shenjë solidariteti me shqiptarët nën Malin e Zi.

3.      Më datën 8 Prill 2014, në shenjë proteste kundër diskriminimit të shqiptarëve nën Malin e Zi, çdo shqiptar kudo në Botë, në ora 12.00 të mesditës (në ora lokale e çdo shteti) të ndërpresin punën për pak minuta, të thotë ndonjë fjalë në punë, universitete, rrugë e kudo tjetër kundër politikave të Malit të Zi ndaj shqiptarëve etnikë, etj.

4.      Më datën 8 Prill 2014, çdo shqiptar që është antar në rrjetin social në Facebook e Twiter të shkruajnë disa fjalë, një koment, një qëndrim kundër politikave diskriminuese e asimiluese të Qeverisë së Milo Gjukanoviçit ndaj shqiptarëve etnik nën Malin e Zi.

Ftojmë të gjitha organizmat e shoqërisë civile (shoqata, fondacione, qendra e institute të ndryshme, etj.) si dhe personalitete të kulturës, shkencës, politikës, etj. të nënshkruajnë këtë Thirrje apo ta publikojnë si të tyren e prej tyre në masmedia apo në faqe interneti kudo në botë.

FORUMI SHQIPTAR I KULTURËS,

EDUKIMIT E SHKENCËS

 

Tiranë, 7 prill 2014

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: DEMONSTRATA NE WASHINGTON- THIRRJE NGA FORUMI SHQIPTAR

SHOTA E DYTË, POETJA- LUFTËTARE NË TRI LUFTRA

April 7, 2014 by dgreca

Nga Prof. Murat Gecaj/

1.Gjatë një veprimtarie përuruese, në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar, takova për herë të parë shkrimtaren e re dibrane, Raimonda Maleçka. Me atë pamjen buzagase e dashmirëse të fytyrës, ajo shprehu kënaqësinë për njohjen tonë. Sigurisht, këtë gjë ia thashë dhe unë asaj.Kisha lexuar sadopak për Mondën, në faqe të ndryshme Interneti. Por ndryshe është, kur bisedon nga afër, me një poete a shkrimtare. Në këtë rast, ishte kënaqësi e veçantë për mua dhe tërësisht përputhej me interesimin, që të merrja të dhëna nga ajo, për një libër të pritshëm, me disa shkrime kushtuar femrave krijuese. Ishte rasti më i rrallë ose pothuejse i vetmi, që do të kisha autore, në tufën e shkrimeve për mjaft libra, jo vetëm një krijuese të talentuar, por dhe një luftëtare të paepur për lirinë dhe dinjitetin tonë kombëtar. Pra, ajo kishte mbajtur në duart e saj jo vetëm lapsin ose stilolapsin, por dhe pushkën e automatikun.

Bazuar në këto, që shkrova më lart, sigurisht edhe përmbajtja e librave të saj do ta kishte këtë tematikë. Së pari, për këtë gjë mora informacionin e duhur dhe u binda, duke parë skedarin online të Bibliotekës Kombëtare, në Tiranë. Aty mund t’i shohë secili i interesuar titujt e librave të Raimonda Maleçkës, Nuk di nëse ka ndonjë libër të paregjistruar aty, por numri i tyre është 13, pa përmendur librat, që ka redaktuar, me tematikë luftën e UÇK-së. Po, për këtë gjë, më tregoi edhe vetë kjo autore, gjatë një bisedë të posaçme me të.

2.

Ja, tani kam ndër duar dy libra të Mondës, të cilët ajo m’i dhuroi me shënimet e saj dashamirëse. I pari, e ka titullin “Safet Peci-Boletini, dy herë i pavdekshëm-Kujtesë”(Tiranë, 2013) dhe “Mbollën  gjak, mbijnë këngë-I”(Tiranë, 2013). Siç kuptohet lehtë, libri i parë flet për jetën heroike të një djaloshi. Në disa faqe përmban poezi, shumica me tematikë atdhetare. Të tilla janë ato me titujt: “Mëmëdheu”, “Ti, oj lule”,”Shqipëri”, “Kosovë” etj. Ndër vargjet e frymëzuar e kushtrim, për të gjithë bashkatdhetarët, janë dhe këta: “Ja do rrojmë, ja do vdesim,/ Shqipërisë nderin nuk ia shesim,/ s’do ia shesim kurrë për jetë,/ do ta ngremë si zonjë në truall’ të vet”( poezia “Betim”).

Në pjesën e dytë të këtij libri janë disa skica të frymëzuara, në të cilat flitet për traditat atdhetare, liridashëse e luftarake të fisit të Boletinëve, por dhe për një djalë trim të atij trualli, Safet Pecin-Boletini. Autorja dëshmon për të, se ai ka dy pavdekësi, pasi ishte poet dhe luftëtar i lirisë. Dhimbjen e madhe e kujtimin e përhershëm për birin shumë të dashur të tyre, si për nënën e babain, Zeqirin, për motrat e gjyshërit dhe tërë rrethin familjar, autorja e paraqet përmes fjalëve të saj, por dhe me mjaft fotografi familjare. Kudo, në qendër të tyre, është vendosur dëshmori i lirisë, Safet Peci i Boletinëve. Përmbledhurazi, Rajmonda shkruan edhe këto radhë për personazin kryesor të librit të saj:

“Safet Peci-Boletini është një dhimbje krenare, jo vetëm për familjen e tij, por për të gjithë të rinjtë e Kosovës dhe të brezit të poetëve të kohës së tij. I lindur për dy dashuri të mëdha, dy dashuri të shenjta, të cilat i ka provuar sa jeta historia njerëzore, I lindur me ndjesinë e njeriut me botë të madhe prej vjershëtori dhe me zemrën që rreh me zemrën e madhe të Atdheut. Dy dashuri, që nuk të lënë të vdesësh kurrë, dy dashuri, që plotësojnë dhe ushqejnë njëra-tjetrën”. Siç shprehet autorja e këtij libri, ai djalosh mbeti përherë aty, me shtatoren, në mes të Mitrovicës së Kosovës, me heroizmin dhe vargjet e tij poetike.

Siç është e kuptueshme, do të duheshin sa e sa faqe, për ta bërë paraqitjen e përmbajtjes së librit tjetër të kësaj autoreje, poete, shkrimtare e luftëtare. Ai u përurua në Skënderaj, me rastin e 6-vjetorit të shpalljes së Republikës së Kosovës.

Kërkoj mirëkuptimin e lexuesve, se po shënoj këtu vetëm që libri “Mbollën gjak, mbijnë këngë”-I (Trimëritë, kur këndohen, jetojnë gjatë…) ka 644 faqe dhe të gjitha janë në vargje. Në recensionin e tij, Dëfrim Cani e sintetizon tërë përmbajtjen e librit në fjalë, me këto radhë domethënëse: “Në treqind  “dedikime”, krijime artistike të llojit mes poezisë dhe baladës, Maleçka evokon veprën e të rënëve të Kosovës dhe trojeve  tona kombëtare, në një dimension tjetër,-ata nuk duhet të harrohen dhe praninë e tyre duhet ta kuptojmë…”.Dy faqet e para hapen                                                                                                   me vjershën kushtuar kryetrimit Adem Jashari dhe përfundojnë me atë për Zejnullah Rrahman Zenën. Tërë atyre, poetja u thurë vargjet: “Në gjithë kushtrimet për lirinë,/ në çdo shteg e në çdo prag,/ kur Kosova kishte dhimbje,/ ju u bëtë mehlem’ mbi plagë”. Prandaj  janë domethënëse dhe të kuptueshme fjalët, që ka shkruar një lexues, para përurimit të këtij libri, në Skënderaj të Kosovës: “Urime, mike e nderuar! Atë ditë do ta mbysim urrejtjen, do ta mbijmë këngën dhe do ta kthejme gjakun, mundin e sakrificën…”.

3.

Me pak fjalë, cila është poetja, shkrimtarja dhe luftëtarja trime për lirinë, Raimonda Bujar Maleçka? Ka lindur më 11 mars 1970 dhe shkollën 8-vjeçare, të mesme dhe të  lartën, për gjuhë-letërsi e gazetari, i mbaroi në Tiranë. Me pasionin për të thurur poezi, vëllimin e parë, “Ëndrra lozonjare”, e botoi në vitin 1998. Në atë periudhë, iu përkushtua me shpirt edhe luftës për çlirimin e trojeve tona amtare. Në një bisedë, të publikuar me të, dëshmohet se ajo ishte “luftëtare e disa njësiteve në çlirimin e Kosovës, Preshevës e Maqedonisë; e dënuar me 5 vjet burg nga drejtësia maqedonase, nën akuzën e “terrorizmit”, vetëm se ka përmbushur detyrën e gazetares, nëpërmjet dokumenteve e dëshmive të saj…duke përjetuar kalvarin e mundimshëm, që nga vënia në pranga, dhuna fizike, muajt në burgun e Shutkës dhe Idrizovës në Maqedoni, si dhe përpjekjet për pafajësi, deri në Gjykatën e Strasburgut”.

Prandaj, natyrshëm, i shkon bukur për shtat cilësimi, që i kanë bërë asaj, “Shota e dytë shqiptare”. Për meritat e shumta të saj, Rajmonda Maleçkës i kanë dhënë disa “Mirënjohje” dhe vlerësime të merituara, nga organizata e shoqata të ndryshme.

E përshendesim nga zemra këtë autore të talentuar, për shpirtin liridashës e poetik, guximin dhe përkushtimin e treguar, ndaj çështjes kombëtare shqiptare!

 

Filed Under: ESSE Tagged With: NË TRI LUFTRA, POETJA- LUFTËTARE, SHOTA E DYTË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4702
  • 4703
  • 4704
  • 4705
  • 4706
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT