• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TRI DËSHIRA

April 6, 2014 by dgreca

Esse nga Vjollca PASKU/

Në strehën e gjumit trupi kërkon shplodhjen e ditës, ndërsa shpirti rendjen e lirë nëpër ëndrra. Në darkë më ishte bërë zakon, që nga dritarja të shikoja yjet dhe hënën. Duke u kotur mes mendimesh të përgjumura, hëna rrëshqiti si pëllumb drite i bardhë dhe u mbyll në kapakët e syve të mi. Ndërgjegjja, ajo mbretëri e vogël e pafjetur asnjëherë, vepron, përgjigjet edhe në botën e gjumit. Gjithmonë më brente pyetja:  -A janë dëshirat e fshehura thellë në ëndrrat e natës?   U gjenda papriturnë dridhjet e dritës që lëshonte bishti i bardhë gjigant i hënës.Fluturoja, por kënaqësia dhe ankthi njëkohësisht më përshkojnë. Në majën më të lartë në malin Demavend në Bagdat, pikërisht në një rrudhë vertikale, brenda një kornize guri, reflektonte dritë floriri një llambë e cila më përngjante me llambën e Aladinit. E mora e gëzuar në dorë dhe e lëmova instinktivisht për të pritur të shfaqej ajo krijesë gjigante, e cila do të plotësonte tri dëshirat e mia. Në antitezë me përfytyrimin tim, një krijesë e vogël fluturake, por e fuqishme, më foli Brenda qenies time:  -Thuaj dëshirën e parë!

-Të ndjej gjënë më të bukur në botë…- thashë unë.

-Ndje rrahjet e zemrës dhe kupto gjuhën e saj!-më tha. Ndjeva zemrën time që u hap në gjithë universin. Isha e pranishme njëkohësisht në çdo yll, në çdo planet, në çdo hapësirë. Më pas gjithçka zvogëlohej. Vargjet e yjeve hynin në qenien time. Këtë ndjesi e sjell vetëm dashuria, e cila është kaq e madhe dhe e nxënë në kraharorin e vogël njerëzor. E ruajtur më së miri në shpirtrat e pastër, njehësori I ndjenjës nuk kishte përmasa. Tashmë isha një ndjenjë kozmike e një thesari shpirtëror. Lotët e shenjtë të zemrës dëshmuan mrekullinë e ndjerë…

-Dëshira e parë e jotja u konsumua, thuaj të dytën dëgjova- zërin e xhindit..

-Të prek gjënë më të mrekullueshme në këtë botë…

Vizioni i ndjenjës më dërgoi në festën e lindjes së një fëmije. Kur dora ime preku lëkurën e mëndafshtë të fëmijës së porsalindur, preka gjithë planetin tokë, të mbështjellë nga drita e agimit, preka lotët e shiut të parë të pranverës dhe përkëdhela buzëqeshjen e ylbertë në ngjyrën e virgjër të krijimit. E mblodha me çarçafin e kënaqësisë këtë krijesë, të mrekulluar nga djepi i tokës, përkundur me palmat e kaltra të qiellit.

-Dëshira e tretë e jotja? – u dëgjua përsëri zëri i xhindit.

– Të shoh vazhdimësinë e brezave të mi-u përgjigja.

Vizioni më dërgoi me shpejtësinë e dritës, në vazhdimësinë e erërave kohore. Të gjithë brezat e rrjedhur nga rrënjët e mia, jepnin maksimumin për të dhënë më të mirën e vetes së tyre. Termi “vazhdimësi” do të thoshte luftë për të dritësuar djerrinat e errësirës tokësore. U ndjeva krenare dhe e lumtur…

Xhindi më tha:- Të tre dëshirat e tua u plotësuan, por më e çuditshmja,është se të gjithë njerëzit më kanë kërkuar, pasuri, mbretëri, pushtet,lavdi…Ndërsa ti, vetëm të ndjesh, të prekësh, të shohësh,përse?…

-Sepse nuk dua të marrë diell me kredi, ta paguajë zemra bosh pa dashuri. Nuk dua katet e larta të lavdisë, ti shoh njerëzit të zvogëluar. Nuk dua të ardhme vazhdimësie, pa kaluar në pikat e nxehta të vuajtjes në hartën e tokës. Nëse do t’i kisha si me magji të gjitha,shpirti im do vdiste dhe jeta ime nuk do të vegjetonte…- u gjegja unë.

-Atëherë ti nuk ke nevojë për mua. – tha xhindi i xhindosur dhe zhduk si hija nga drita e bardhë.    U zgjova me këto tinguj fjalësh, duke pyetur vetveten…

Filed Under: ESSE Tagged With: TRI DËSHIRA, Vjollca Pasku

DY SHEKUJ GENOCID MBI SHQIPTARËT

April 6, 2014 by dgreca

Lord Bajroni për shqiptarët: „ S’ka komb tjetër, të jetë marrë nëpër këmbë kaq pamëshirshëm, nga shtetet fqinjë”/

Nga Fatbardha DEMI/

I – Bombardimet e NATO-s mbi Kosovë dhe Serbi/

Më 24 mars 1999 nisi sulmi ajëror i organizmit më të fuqishëm ushtarak botëror, NATO (Organisation du traité de l’Atlantique Nord-OTAN), mbi forcat dhe objektet ushtarake serbo-malazeze. Që të vihej në lëvizje një organizëm i tillë ndërkombëtar i 28 shteteve evropiane, në radhët e cilëve kishte mbështetës historikë të Serbisë, do të thotë që ishin shkelur rëndë të gjitha normat e të drejtave të njeriut. Në kontinentin evropian, po zhvillohej genocidi më kriminal që kishte njohur shekulli i XX . Kjo zhurmë e avionëve të NATO-s tek shqiptarët risolli ndjenjat që përfshinë qytetarët evropianë para 54 viteve, kur nisi sulmi ushtarak kundër Aleancës fashiste që kishte zhdukur kuptimin e emrit NJERI.Ishte hera e parë, që pas shkëputjes nga Perandoria Osmane e Serbisë,  për veprimet kriminale kundër popullit shqiptar ky shtet dënohej ushtarakisht nga Fuqitë e Mëdha. Përballë kësaj mbështetje ndërkombëtare të luftës vet-mbrojtëse të Ushtrisë çlirimtare të shqiptarëve, makineria ushtarake e Milosheviçit u detyrua të pranojë “de facto” humbjen e Kosovës.Bombardimet e NATO-s përfunduan më 10 qershor 1999, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës dhe miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit te OKB-së (11.06.1999) dhe nisjes së  tërheqjes e forcave ushtarake jugosllave nga Kosova dhe ardhjen e 36 000 paqe-ruajtësve ndërkombëtarë .Por në historinë botërore, nuk ka ndodhur asnjëherë që një shtet i cili ka kryer të gjitha krimet e përfshira në Konventat Ndërkombëtare, të ndihet viktimë.Edhe ne ditet e sotme, në tekstet shkollore shpesh Serbia paraqitet si komb-viktimë e popujve që e rrethojnë, duke ushqyer rininë me urrejtje sidomos ndaj shqiptarëve. Sipas teksteve serbe të historisë :“ Krizën në Kosovë e kanë sjellë aksionet e grupeve terroriste të shqiptarëve (UÇK), rebelimi dhe konflikti me forcat e rendit  ( policinë dhe ushtrinë e Serbisë … se pas hyrjes së forcave të NATO-s janë shpërngulur 200.000 serbë dhe janë vrarë disa qindra të tjerë (Historia e kl 8 fq. 192).Edhe politikanë e analistë serbë si Milosha Knezevik (Miloša Kneževića), në librin „Rrëmbimi i Kosovës“ (Otmica Kosova) mohon genocidin duke e quajtur ndërhyrjen e Natos si “të nxitur nga Amerika, (e cila) në vitin 1999 kryen një agresion ushtarak kundër Serbisë  dhe Malit të Zi. Për rrjedhojë, „- ne –vijon autori- (dmth Serbija) nuk do ta pranojmë rrëmbimin e Kosovës“ (Kapitulli 7, f. 187-204). Mohimi i genocidit racist duke i shtrëmbëruar faktet historike, nga ana e shtetit serb, dhe cilësimi i nderhyrjes se NATO-s si „nje padrejtesi te madhe“ madje „agresion“ – sipas legjislacionit juridik të BE-së përbën një krim. (Konventa e Strasburgut 28.01.2003 Artikulli 6- Mohimi, minimizimi, aprovimi apo justifikimi i genocidit dhe krimeve kundra njerezimit.)

II – Serbia dhe shqiptarët, një problem dy shekullor

   Fundi i Perandorisë Osmane që kishte nisur të tatëpjetën në fillim të shekullit të 19, e ndau fatin e popujve të Ballkanit në „fitimtarë“ dhe „humbës“. Çuditërisht, humbëse doli popullsia më e lashtë, më luftarake dhe e madhe e saj- SHQIPTARËT.Ami Bue, botanist, gjeograf dhe gjeolog francez, në fillim të shekullit të 19, gjatë viteve 1836 –37 ndërmori një udhëtim në Ballkan. Në vitin 1840, studimin e tij mbi popujt e Ballkanit e botoi në katër vëllime. Akademiku Aleksandër Beliç pohonte: “Librat e Bue-s janë një enciklopedi e vërtetë, që nuk mund të krahasohen nga saktësia me asnjë botim tjetër të këtij lloji”.Sipas A.Bue-s, Serbia në gjysmën e parë të shekullit të 19 ka pasur më pak se 900 mijë banorë, kurse Shqiperia mbi 1 milionë e 600 mijë banorë. Në analizat e tij, Shqipëria etnikisht e pastër ka qenë një hapsirë me rreth 180 mijë kilometra katrorë. Në gadishull kishte shumë më tepër shqiptarë se sa grekë dhe së paku dy herë më shumë se sa serbë. Edhe pas Kongresit të Berlinit(1878), trevat dhe popullsia shqiptare ishte më e madhe se sa ajo e shteteve të krijuara në fillim – shekujt e 19 dhe 20-të si Serbia, Mal i Zi dhe Greqia,

Nr. Vendi Sipërfaqja Popullsia
1 Trevat shqiptare 75.000 km2 1.700.000 banorë
2 Serbia 54.800 km2 1.600.000 banorë
3 Greqia 51.300 km2 1.400.000 banorë
4 Mali i Zi 8400 km2 190.000 banorë

 

 

 

 

Në fillimin e shk. 19, kur e gjithë vëmendja e mbretërive evropiane qe përqendruar në hapësirat „e lira“ të pas Perandorisë Osmane, për rëndësinë e faktorit shqiptar në Ballkan shkruajnë analistët e kohës. Në gazetën  “Die Völker des Orients-Die Albanesen”, Feuilleton der „Debatte”, 27 mars 1869, Nr. 86. Viti VI, fq. 1) që botohej nën sponzorizimin e shoqerisë së famshme “Lloyd”, shkruhej: “Në kontekstin e “çështjes orientale”, ata (shqiptarët) marrin një peshë edhe më të madhe se sa malazezët dhe boshnjakët të marrë sëbashku dhe përballë armikut janë më të respektuar se sa grekët; jo vetëm ata të rajoneve në brendësi të vendit, por edhe ata të shtrirë buzë detit (…) Ata, jo vetëm që hasen në një numër të madh dhe të përhapur gjeografikisht, por paraqesin edhe një popull të fuqishëm dhe me rrënjë dhe formojnë njërin ndër faktorët më të rëndësishëm në dramën e fundit që pritet të luhet”. (…) Nuk do jenë grekët ata që do të arrijnë hegjemoninë në Jug, por shqiptarët, dhe jo vetëm në Maqedoni dhe Thesali, por edhe në vetë Greqinë, ata do të bëhen zotër dhe këtë do ta arrijnë në mënyrën më të lehtë të mundshme, pasi në Veri të vëndit, ata faktikisht janë shumicë “. (Koha e dëshmoi vërtetësinë e këtij parashikimi. Formimi i shtetit të parë të pavarur ballkanik i vitit 1821 (Helladës – Greqisë) ishte kryesisht kurorëzim i luftës së shqiptarëve.Në kohën kur Perandoria Osmane i kishte ditët e numëruara dhe ballkanasit po projektonin shtetet e tyre të ardhshme, në Perëndimin evropian bëheshin studime për rrugët e mundëshme për aritjen e sundimit botëror. Në këtë drejtim, rol të rëndësishëm luajti politikani britanik Halford John Mackinder (1861-1947),  një nga themeluesit e gjeo-politikës aktive.H. Mackinder, ndërmjet tezave të tjera, nënvizonte rëndësinë e zotërimit të detit nëpërmjet hapësirave tokësore bregdetare duke përsëritur shprehjen e lundërtarit të shquar anglez,Sir Walter Raleigh :  « Kush zotëron detin, zotëron tregtinë e botës; kush zotëron tregtinë, zotëron pasurinë e Botës, pra vetë Botën»Në këtë strategji që po hartohej nga Fuqitë e Mëdha, Gadishulli ballkanik ishte në qëndër të ngjarjeve të shekullit 19 dhe fillimit të shk. 20. Ballkani ishte porta hyrëse e Perëndimit drejt Lindjes dhe porta për të dalë në detin Mesdhe për Rusinë. Kjo e fundit, përqëndroi të gjithë vëprimtarinë e saj ushtarake, politike dhe diplomatike në „Çështjen e Lindjes“ dhe veçanërisht në Ballkan. Përfaqsuesi i saj, Benckendorff (Alexandër Konstantinovich Benckendorff ,1849 – 1917) kërkonte sakrifikimin e shqiptarëve, në emër të “së drejtës së kompensimit territorial” të aleatëve ballkanikë (Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi), si shtete fituese në luftën për dëbimin e Turqisë.Rusia dhe Fuqitë e Mëdha fshehën faktin historik, se në Ballkan ishin shqiptarët që kishin luftuar pa ulur armët gjatë gjithë kohës së sundimit të Perandorisë turke dhe kishin ngritur me sukses shtetin E PARË të lirë, më 1821 në jug të Evropës osmane.  Por siç shkruante gazeta “Die Völker des Orients-Die Albanesen”, Feuilleton der „Debatte”, 27 mars 1869, Nr. 86. Viti VI, fq. 1):

“ Çështja Orientale” po shkon gjithnjë e më shumë drejt një zgjidhje me kahje dhune; për një zgjidhje paqesore as që bëhet fjalë… (diplomatët tanë) duke qëndruar galiç mbi fuçinë e barutit që kërcënon të shpërthejë çdo çast,  këndojnë himnet e qetësisë dhe …ngushëllohen me fjalinë e moçme: “Après nous, le déluge” (Pas nesh, u bëftë qameti)“.Para se të mblidhej Kongresi i Berlinit (1878) dhe te merreshin vendimet, shqiptarët përjetuan tre shpërngulje të dhunshme në Shqiperinë Veri-Lindore. Shpërnguljet e para masive fillojnë ne vitet 1830, sidomos nga viti 1844, me programe shfarosëse, duke i ndjekur shqiptarët nga Beogradi, Nishi, Pllana e Madhe, krahina e Toplicës, Surdulicës, Maçkaticës, me fjalë tjera, nga Sanxhaku i Nishit drejt Kosovës aktuale.Më 1878, pushteti serb, me aksione të përgjakshme, çpërnguli popullsinë e mbi 780 fshatrave shqiptare, nga Sanxhaku i Nishit, Leskovcit, Kurshumlisë dhe Jabllanicës. Këto shpërngulje u bënë me një terror të egër dhe humbjen e shumë jetë njerëzish duke përfshirë edhe fëmijët në barkun e nënave.Në luftën serbo-turke (1876-1878), forcat e organizuara serbe filluan shfarosjen e shqiptarëve në viset e Moravës jugore, perëndimore dhe lindore. Sipas bashkëkohësve  numëroheshin  mbi 35 000 viktima shqiptare të çdo moshe e gjinie. Konsulli i Perandorisë Osmane në Nish njoftonte se nga një lagje e Nishit, prej 300 shtëpish shqiptare, vetëm 20 shpëtuan. Të tjerat u rrafshuan në tokë. Në kazanë e Leskovcit u shkatërruan 1228 shtëpi në 88 fshatra e u shpërngulën rreth 20 667 banorë; në rrethin e Perkupës, në 73 fshatra me 1771 shtëpi, shumica u dogj ose u shkatërruan…Ky genocid masiv mori hov sidomos pas vendimeve të Fuqive të Mëdha për coptimin e trevave shqiptare. Gazeta “Populli” e 25 shkurtit 1919 shkruante :“Mbas lajmeve të sakta qi arritën dje në Shkodër, komitat serbë e malazezë, mbas nji lufte të përgjakshme qi kan ba pesë ditë rresht me popullin shqiptar të atjeshëm, kan zaptue me përdhuni Plavën e Gusinjën tue shkaktue të djeguna e dame të mëdha me top, pos gjindes (njerëzve) qi kan mbetë dekun në kët të ndeshun. Katundi Vuthaj prej 200 shtëpish, gadi asht rrënue krejt nën zierm të topave. Po priten tufa muhaxhirash me ardhë në Shkodër.

Po kjo gazetë më datën 28 Shkurt 1919 :« Pardje, të hënën, filloi tufa e parë e muhaxhirëve të duket në Shkodër, e këtij populli fatkeq të Plavës e Gusinjës, n’at hall të përvajtuëshem e vargu nuk asht mbarue ende. Midis këtyre muhaxhirëve në vend të vet fytyronin (bënin pjesë-shen im) edhe njerëzia e Rugovës, pse edhe këtë krahinë e paskan djegë e shkretue jugosllavët…. Ky popull shqiptar i bamë me dalë muhaxhir, kapet (janë) deri më pesëmbëdhjetë mijë frymë, por një pjesë ka marrë anën e Malësisë së Gjakovës. Numri i atyne që kanë mbetë të dëkun nuk mund të dihet pse nuk po e njeh qeni të zotin, siç thonë.”Kënga e Asllan Krasniqit, i torturuar nga pushtuesit turq dhe pushtuesit e rinj serbë e bullgarë, këndohet edhe sot në lagjen e muhaxhirëve në Prishtinë. Këngën ia ka dhënë amanet, këngëtarit Demir Krasniqi, që ta ruajë e ta këndojë gjithandej trojeve dhe krahinave shqiptare.

O, nam po banë, o, qajo Sërbi-e,

O, poj çon para, o, më singi-e,

O, tanë tu i myt-e, o, tu i shpërthye,

O, keq maroj, o, kjo shqiptari-e !

O, po therrë fëmi, e , o po pret pleq-e,

O, kush s’ ka ba, o, n’ dynja  ma keq-e!

O, po prenë burra, o , po prenë gra-e,

O, ksi adaleti, o, kush n’ dynja s’ ka ba-e!

O, çka po banë,o , qajo Serbi-e,

O, n’ dynja, kush s’ka ba ma zi-e !

O, n’ dynja kush s’ ka pa më sy-e ,

O, nanave – fminë n’ bark ty ja shpërthy-e!

O, nanave n’ bark – o , fminë me jav  nxjerr-e,

O, veç Serbija e banë kit tmerr-e!

O, gjallë shqiptarët nuk don mej lan-e! …

Genocidi që zhduku qindra fshatra shqiptare bashkë më banorët e tyre, jo vetëm në veri-lindje nga sllavët por edhe në jug nga shteti hellen, nuk kaloi pa u vënë re në kancelaritë perëndimore. Por kjo gjakderdhje dhe ky spastrim etnik, nuk kishin asnjë rëndësi për shtetet kolonialiste të Evropës sepse genocidi ndaj popujve, në atë kohë nuk quhej krim por një e drejtë e ligjshme e çdo pushtuesi.Shqetësim për ta ishte zgjerimi i hapësirave tokësore të sllavëve me mbështetjen e Rusisë dhe ndeshjen e saj me interesat e Fuqive të Mëdha në Ballkan. U pa e nevojshme që krahas forcës, të përdoreshin forma të reja në marrëdhëniet ndërkombëtare.Britaniku H. Mackindër, sikurse edhe shumë analistë të fund-shekullit 19, u shpreh për zbatimin e politikës së „ekujlibrit“ midis Fuqive të Mëdha.Ky “ekuilibër” (i kthyer më vonë në emërtimin “paqe”) midis Fuqive të Mëdha, filloi të zbatohej në veprimtarinë politike dhe ushtarake evropiane, para dhe pas luftrave, edhe në shekujt e mëvonshëm.Më 12 gusht të vitit 1913 në Dhomën e Komuneve,  ministrit i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Sir Edward Grey, mbasi u copëtuan trevat shqiptare, pohoi :“ Jam i bindur se, kur të dihen të gjitha, ky vendim do të kritikohet me të drejtë nga shumë anë (…) por duhet të kemi parasysh se, në bisedimet rreth kufijve të Shqiperisë, qëllimi kryesor ishte që të mos hapej konflikt midis Fuqive të Mëdha. Prandaj, në qoftëse marrëveshja mbi Shqiperinë u arrit duke mbajtur harmoninë ndërmjet Fuqive të Mëdha, mund të themi së ka qënë një sukses i plotë për interesin jetësor të paqes n’Evropë !”

Në kujtimet e tij, themeluesi i shtetit shqiptar të 1912-ës, Ismail Qemali,  shprehet  me ironi :“qemë të ngushëlluar kur dëgjuam së duhej të sakrifikoheshim për interesat e përgjithshme të Evropës”….Nga 180 mijë km² dhe rreth 2 milionë banore shqiptarë, teritoret shqiptare në fund të shekullit të 19, kishin mbetur vetëm 80 mijë km².Në Konferencën e Ambasadorëve (dhjetor 1912 – gusht1913) diplomacia ruse dhe franceze arritën t’i shkëputin Shqiperisë krahinat më të pasura. Fuqitë e Mëdha evropiane aprovuan hartën ballkanike ku Serbia, që synonte të kthehej në një fuqi ballkanike, megjithëse kishte vetëm 900 mijë banorë, përsëri u rrit me 39.000 km² , duke i marrë Shqiperisë 1.290.000 banorë, ose 55% të banorevë të saj. Mali i Zi u rrit me 7.000 km² dhe mori 260.000 banorë, duke dyfishuar popullsinë e vet. Greqia u rrit më 51.300 km², duke marrë edhe 1.624.000 banorë.

Mbas shumë përpjekjeve për ta zhdukur nga harta e Evropës, ju la shqiptarëve 28.748 km² që përbëjnë sot hapësirën e Republikës së Shqiperisë. Kjo grabitje nga shtetet sllavo-hellene, u arrit vetëm duke shkelur mbi kufomat e banorëve autoktonë shqiptarë.“Më 25 shkurt 1914, në  Kuqar të Përmetit ushtria greke therri gjithë fëmijët, ndërsa burrat i mbylli në kishën e Kosinës, ku i vrau në mënyrë barbare… (kockat e tyre u pretenduan nga shteti hellen si të ushtarëve grekë). Në fshatin Peshtan, foshnjat ulërinin duke kërkuar prindërit. Ushtarët i mblodhën dhe i çuan në një shtëpi, ku ishtë një pus. I merrnin me radhë, u prisnin kokat dhe i hidhnin brënda. Ndërkohë, gratë pasi i përdhunuan, i vranë me bajoneta…

Në emër të palës shqiptare, amerikani  C.T.Erikson  në vitin 1919 përpara Komitetit të Marrdhënieve me Jashtë të ShBA-së, theksoi :

”Bota e qytetruar duhet të kërkojë falje për zhdukjet masive të fshatrave shqiptare, në prag të Luftës së I Botërore…Kjo u pasua me një propagandë të tmerrshme, e cila ka favorizuar diskriminimin e popullit shqiptar duke nxitur urrejtjen …” Etnia shqiptare në prag të shkatërrimit të Perandorisë së kalbur Osmane humbi krahina të tëra nga më pjelloret dhe strategjike, si Zona e Tivarit, e Hotit, e Grudës, e Pazarit të Ri, Sanxhakut (Novipazarit), Nishit, Rrethinat e Manastirit, krahinat e Janinës dhe të Çamërisë, të cilat u shpopulluan ose u asimiluan me force nga pronarët e rinj. Me këtë copëtim të trojeve shqiptare nga ana e Fuqive të Mëdha, nisi genocidi më i egër sllavo-hellen kundër popullit më të vjetër në Ballkan dhe Evropë.

Dëshmitare e krimeve të serbëve në vitin 1912-1913, ka qenë edhe një vajzë e vogël me emrin Gonxhe Bojaxhi, që bota sot e njeh me emrin e Nënë Terezës. Kriminelët serbë i helmuan të atin dhe familja e saj shpëtoi vetëm duke u arratisur në drejtim të Tiranës.“Paqja evropiane” me gjithë “ekuilibrin” për të plotësuar orekset e Fuqive të Mëdha dhe satelitëve të tyre, brënda një harku kohor prej afro 32 viteve, (1913-45) solli përfshirjen e Ballkanit në dy luftëra ballkanike dhe dy botërore.

  III- Genocidi dhe racizmi ballkanik kundër etnisë shqiptare

Janë disa ideollogji që u kanë dhënë emër periudhave në histori. ”Racizmi kundra çifutëve” ka emërtuar atë të Luftës II Botërore. Ky racizëm, që i dedikohet veprimtarisë së shtetit nazist të Hitlerit, në fakt ishte vetëm zbatim i ideologjisë së përpunuar mbi teza “pseudo-shkencore” të shumë intelektualëve, studiuesve të shkencave natyrore, analisteve të politikës dhe të shoqërisë moderne të shk. 19-20 nga vende të ndryshme perëndimore evropiane (Herbert Spencer, libri “Lufta e racave” (La lotta delle razze) e Ludwig Gumplowicz, Francis Galton e Ernst Haeckel, Halford J.Mackinder etj).Etnologu francez Georges Montandon, në nentor të 1940 botoi librin « Si ta njohim Çifutin ? » (Comment reconnaître le Juif ?) që shërbeu si bazë shkencore e propagandës anti-semite hitleriane. Kjo veprimtari intelektuale, që nuk ua nxiu faqen autorëve të saj (siç u damkos me të drejtë Hitleri), shërbeu si bazë për politikat e shteteve evropiane dhe më gjerë.Për genocidin kundër çifutëve është folur dhe flitet edhe në ditët tona. Janë kthyer në muze kampet e çfarosjes së tyre dhe janë realizuar shumë filma artistikë, dokumentarë, janë botuar libra historikë e kujtime. Por kanë mbetur në heshtje shumë genocide të natyrës raciste të përjetuara nga popujt e Evropës, të kryera para dhe pas Luftës II Botërore, që edhe sot trajtohen si të paprekshme.

Një prej këtyre krimeve, që ka qënë tipari themelor i ngjarjeve gjatë dy shekujve (19 -20) në Ballkan është RACIZMI KUNDËR SHQIPTARËVE.Ky racizëm, nuk u frymëzua nga tezat e “seleksionimit natyral” të darvinizmit dhe as të  “racës superiore” të studiuesve perëndimorë, por për fitimin e “hapëësirave jetësore” për kolonët e huaj.  Holokausti i parë në Evropë mbi baza raciale është planifikuar dhe zbatuar nga Programet qeveritare të sllavëve në veri-lindje dhe i shtetit të Helladës në jug, kundër popullit shqiptar.Në dallim nga genocidi kundër çifutëve dhe popujve të tjerë evropianë, genocidi racist kundra shqiptarëve është ushtruar në vijëmsi (në kohë lufte dhe paqje) deri në fund-shekullin e XX.Më 1913, pa shpërthyer akoma Lufta Ballkanike një shkrimtar izraelit, Leo Frojdlih botoi  librin “Golgota e Shqiptarëve”(“Albanienes Golgotha”, Wien, 1913) Në të, përfshihen dokumeta të cilat rrëfejnë barabarizmat masive të bëra nga serbët në krahinat shqiptare të veriut. Ay kishte ruajtur koleksionin e të gjitha gazetave të mëdha të kohës, që tregonin mbi shfarosjen e së paku një gjysëm milioni shqiptarëve nga serbët në vitet 1912-1913.

“Me qindra e mijëra kufoma të masakruara notonin në rrjedhat e lumenjve – shkruan Frojdlih për ngjarjet në Kosovë dhe Maqedoni -Ata që mundin t’u shpëtonin sëmundjeve, urisë, plumbave të pushkëve të këmbësorisë dhe gjyleve të artilerisë serbe, grumbulloheshin në vende të caktuara dhe u jepej nga një plumb kokës. Më zi e pësonin ata që fshiheshin në shtëpitë e tyre. Pas kontrolleve të imta që bëheshin për plaçkitje dhe florinj, gjëndeshin lehtë dhe therreshin si berrat. Torturat më të mëdha i pësonin gratë shqiptare, të cilat përdhunoheshin, lidheshin më pas, bëheshin kapicë, mbuloheshin me kashtë dhe digjeshin të gjalla. Në rast se ato ishin shtatzana, ju çahej barku me bajonetë dhe pasi u nxirrej fëmija nga barku, vendosej në majë të bajonetës apo të hunjve. Pas masakrimit, serbët pinin verë, këndonin dhe hidhnin valle. Kishte raste që ata gjatë therrjes mbildhnin gjakun në kupa dhe e hapnin gostinë me të”. Ditën e ngritjes së flamurit në Vlorë “më 28 nentor të 1912-ës, u masakruan në afërsi të Shkupit dhë Prizrenit 7000 shqiptarë. Shumë fshatra u dogjën dhe popullsia e tyre u vra. Në rrethin e Prishtinës vetëm gjatë përiudhës 18 tetor – 12 nentor 1912 u zhdukën nga tërrorizmi serb afro 5 000 shqiptarë. (Leo Freundlich, Albanienes Golgotha, Wien, 1913, f. 8-9) Edhe të dorëzuarit vriteshin si në “kasaphanë”. (Leo Freundlich, Albanienes Golgotha, Wien, 1913, f. 15-16). (17) Mis Edith Durham (1863-1944), tregon se kur ndodhej në Mal të Zi (tetor të vitit 1912) kërkoi që të vizitonte Prizrenin : “I pyeta malazezët se përse nuk më lejohej të shkoja atje. Ata qeshnin dhe më thanë: Nuk kemi lënë atje asnjë shqiptar me hundë të paprerë!”. Dhe vërtet, zonja Durham, gjatë udhëtimit të saj në viset veriore të Shqiperisë, pati rastin të shihte njerëz “me hundë e buzë të prera” .Gazetat kryesore si “Giornale d’Italia”, “Wiener Alge meine Zeitung”, “Neue Freie Press”, “The daily mail”, “Reichpost” etj. kishin dërguar reporterët e tyre të luftës ndërmjet të cilëve qe edhe Trocki. Në shkrimet e tij ay jep detaje tronditëse për krimet serbe mbi shqiptarët: ”Tre ushtarë kaluan pranë meje. Dëgjova bisedën e tyre: “As vetë s’e di sa shqiptarë kam vrarë’, tha njeri nga ata. Por tek asnjeri nuk gjeta asgjë të vlefshme. Vetëm kur e therra një grua, gjeta tek ajo dhjetë lira ari”.Fishta në Konferencën e Paqes 1919 shprehej :“Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë “Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant.” (“Sa ta kenë shkretnue vendin, do të venë mandej paqen »).Dokumentat arkivore të shtetit serb, dëshmojnë se gjatë 164 vjetëve, janë të njohura 24 programe serbe (me shumë pak ndryshime e modifikime nga njera-tjetra), që planifikonin në mënyrë të hollësishme shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare. Qeveritë serbe kanë vëpruar në mënyrë sistematike në dëbimin dhe spastrimin etnik të mbi 700 fshatrave etnike shqiptare të Sanxhakut të Nishit, të Toplicës e Kosaonicës (1876-1878).Mjafton të kujtohet “Naçertania” (1844) e Ilija Garashaninit, projektet e Jovan Cvijiçit (midis viteve 1912 dhe 1921) e përpunuar nga Vasa Çubrilloviçi (1937, 1944), projektet e Ivo Andriçit (1939) e të Stevan Moleviçit (1941) e deri te “Mëmorandumi” i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (1986) dhe projekti i Millosheviçit “Te gjithë serbët në një shtet të vetëm” (1990). Pothuajse secila parti serbe kishte nga një program “nacional”. Ato garonin me njera-tjetrën se cila do ta zgjidhte “më mirë” një herë e përgjithmonë çështjen e Kosovës.Dosja 58, ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit, në Fondin 410 (Prefekturat dhe komunat e Tokave të Liruara)Raporte dërguar nga Prefekturat për dhunën e vazhdueshme të serbëve të ushtruar ndaj shqiptarëve:“Pikë së pari, jugosllavët kërkuen dorëzimin e armëve dhe të çdo lande që ka lidhje me mjete lufte. Shqiptarët e këtushëm, mbas shumë e shumë vuejtjeve shtazore pa kurrfarë mëshire e njerëzie, banë dorëzimin që kërkohësh. Mbas disa kohë qeveria e bashkueme nën emnin “Jugosllavi” organizoi një bandë vullnetarësh më 2000-3000 serbë e malazezë dhe nën komandën e majorit Sav Llazari filloi të bajë shqiptarët me e ndërrue fenë e deriatëhershme dhe me besue orthodoksizmin e tyne… Shpesh herë me qindra e qindra burra shqiptarë lidheshin për gardhi t’oborrëvet, në mënyrë që këmbët e tyne të mos prekeshin në tokë, tue përdorë dru e kamxhik, lageshin me ujë të ftofët në kohën e dimnit vetëm e vetëm që ata nuk pranojshin me ndryshue besim.   Kur u pa se shqiptarët e pushtuem bjenë (sollën) gjithçka që u kishtë mbetë veç tokës, këta u kujtuan edhe këtë ta bajshin të tyne.Kështu në vitin 1929-1930 nxurrën në shesh agrarin e tyne mizor e shpirtlig dhe filloj vumje kufijsh përmidis tokash të trashëgueme prej të parëvet, njëkohësisht me vorfnue edhe mjerue mbarë vendasit shqiptarë të këtushëm. Ay i bani të huejat për zotnuesit e deri at’hershëm arat, livadhet, baçet, pyjet, kullosat dhe çdo tokë të vlefshme. Shqiptarët zun të varfënohen sa që dhe buka e përditshme me zor u sigurua, e nga kjo filluan të bëheshin çipçi të shkijeve në tokat e veta.

Agrari nuk u njoftonte menjëherë, por u duk herë mbas here e gjithnji tue rëndue kurrizin e shqiptarëvet të lodhun e tue shtue sipërfaqet e sekuestrimit sa që erdhi me zaptimin e oborreve të shtëpive deri në prag të derës.Kolonistat serbë e malazezë i ftojshin shqiptarët dhe veçanërisht myslimanët që vendi i tyne ashtë Turkija dhe do të jetë ma mirë të shkoni në kohë atje së sa të çfaroseni prej Qeverisë.Shpesh herë patrullat e xhandarmërisë së asaj kohe hyjshin ndër shtëpia dhe ndajshin me gisht të gjithë ata djelmosha shqiptar që njifeshin për zotësi personale e ma të zgjuar dhe, porsa u largojshin prej katundit, në ma të parin prrua o gropë që gjejshin ata, djelmoshat tanë pushkatoheshin në vend dhe hudheshin në gropa a prrua ku pushtuesat dëshirojshin.

Edhe ndër kazermat e ushtrisë shpeshherë oficerët serbë thirrshin me listë ushtarë shqiptarë dhe, mbasi i lidhshin, i vritshin me mitraloz në mënyrat ma të poshtra e ma tradhtare që mund të veprohej prej racave të këqija të njerzis”. … Ngjarje të tilla, si një praktikë për çdukjen e shqiptarëve, kanë vijuar ndër vite në ushtri. L I S T A e personave shqiptarë të mbytur prej vullnetarëve e ushtrisë jugosllave, me datë 11-15 prill 1941, në rajonin e komunës së Vogovës. (vijon Numri- Emri e mbiemri – Vendbanimi – Besimi – Data e mbytjes).

« Genocid mbi baza raciste » është i vetmi emërtim që përcakton saktësisht, marrëdhëniet historike, të shteteve që u krijuan pas shëmbjes së Perandorisë Osmane me shqiptarët. Copëtimi i trevave shqiptare nga ana e Fuqive të Mëdha, siguroi  vazhdimësinë e suksesshme të proçesit të çfarosjes dhe tjetërsimit të kësaj popullsie të madhe dhe autoktone në Ballkan.

Gjatë vitit 1944, kur popujt ishin të bindur se bashkë me nazizmin, po i vinte fundi dhe ideologjisë raciste dhe genocidit çfarosës, kur besimi se njohja e të drejtave të njeriut dhe e dënimit të krimeve do të triumfonte në Evropë, fqinjët veri-lindorë dhe jugorë të popullit shqiptar, iu rikthyen zbatimit të Programeve të tyre raciste të shekullit 19 (« Nacertanie » dhe « Megali Idea »).Në 14 maj 1944 me vendim të Shtabit Suprem të UNÇJ-së, nën drejtimin e Alëksandër Rankoviçit, u formua OZN’a (Odelenje za Zashtitu Naroda – Dega e Mbrojtjes Popullore), një forcë speciale e policisë sekrete e cila në janar 1946 u emërtua UDB (Uprava državne bezbednosti/sigurnosti/varnosti).Zbatuesit më të egër të shovenizmit serb – Aleksandër Rankoviçit, J.B.Tito  i kishte dhënë pushtet të plotë. Ai mbante detyrën e sekretarit të Komitetit Qëndror të LKJ-së, ministrit të Punëve të Brëndshme dhe të nënkryetarit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. OZNA/UDB-ja, kishte si detyrë zbatimin e Programit të shk. 19 “Nacertenia”, e cila me çdo mjet dhe dhunë, do të siguronte mbijetesën e Jugosllavisë së Madhe, në prag dhe mbas mbarimit të Luftës II Botërore.Që në shtator të 1944,  Miladin Popoviqi në një letër dërguar  të gjithë komisarëve politikë në Kosovë, në emër të PKJ-së shkruante: ”Edhe pse Kosovë – Metohia janë pa pushtues, ne nuk sundojmë në gjithë terrenin. Pengesë janë bandat e armatosura (patriotët shqiptarë – shën im) që përhapin shovinizëm. Tash kemi detyrë të patjetërsueshme për spastrimin e Kosovës dhe të Metohisë nga këto banda, të cilat duhen likuiduar energjikisht dhe pa mëshirë. Tokat e atyre që nuk dorëzohen deri në afatin e caktuar do të konsiderohen të shtetit, këtë do ta kryejnë shtabet (e UNÇJ).

Në fshatrat që kanë bërë rezistencë, organizatorët duhen dorëzuar gjyqit ushtarak…ndërsa fshatarët të çarmatosen…”. Brigadat e UNÇJ-së në Kosovë nisën çarmatosjen e popullsisë në emër të ”spastrimit të terenit nga bandat kriminale shqiptare”. Më 7 shkurt 1945, komandanti suprëm i UNÇJ-së, J.B.Tito në një takim me ushtarakët serb: Savo Derleviçin, Gjuro  Medenicën dhe Kersto Filipoviçin në Beograd, shtroi programin e tij për të ardhmen e Kosovës pas mbarimit të Luftës. Me urdhërin nr.31 ë 8 shkurtit 1945 u vendos administrimi ushtarak në Kosovë nën komandën e serbo-malazezëve, duke e bërë “fakt të kryer” pushtimin. Kjo makineri pushtuese ushtarake jugosllave, në emër të “spastrimit” të terrenit nga “mbeturinat e fashizmit” dhe “kundër-revolucionarët” vrau e masakroi mijëra shqiptarë anë e kënd Kosovës.Gjatë vitit 1944 deri në vitin 1947, sipas  Xheladin Hanës (anëtar i KNÇK, i vrarë më 15.12.1948 nga UDB-ja) forcat pushtuese ushtarake serbo-sllave të drejtuara nga Tito, kanë vrarë mizorisht rreth 86.000 shqiptarë.Menjëherë mbas 1945, në Jugosllavi u rishfrytëzuan kampet naziste të përqëndrimit apo u ndërtuan të reja,  si ay në Borovnica, Aidussina, Goli Otok, Maribor, Skofia Loka, Sveti Grgur. Një prej vuajtsve të këtyre fabrikave të vrasjes ka qenë edhe patrioti Adem Demaçi.

Sot nuk dihet numri i saktë i viktimave, sepse regjistrat e këtyre kampeve, me urdhër të Titos, u zhdukën dhe të vrarët apo të vdekurit nga tortura janë hedhur në humnera, në det apo në varrezat masive. Historiani Gjok Debaj duke sjellë në studimet e tij, krimet dy shekullore raciste ndaj  shqiptarëve, të serbo-sllavëve në veri dhe hellenëve në jug, shprehet: “Ky kalendari ynë, i martirëvet, nuk do të përkujtonte vetëm 1 martir në një ditë të caktuar, por secila nga datat tona do të bartte mbi shpinë me dhjetra, me qindra e, disa herë, me mijëra martirë, përjetësisht të pangushëllueshëm”.

IV Rruga e vdekjes

 Ky emërtim ju dha çvendosjeve masive të popullsive të ndryshme, në vitin e fundit dhe pas Luftës II Botërore, të kryera nga Jugosllavija e Titos dhe shtetet e tjëra në Evropë.“Rruga e vdekjes” e shqiptarëve u zbatua nga shteti titist në muajin mars-prillit të vitit 1945,  (Prizren – Kukës – Shkodër – Tivar), që në historinë tonë, njihet me emrin “Masakra e Tivarit”. (Masakra u pasqyrua nga studiusi Uran Butka ne librin “Masakra e Tivarit”).Mbasi vendosi regjimin ushtarak në Kosovë, duke vrarë “terroristët”shqiptarë , grabitur pasurinë e tyre, djegur fshatra të tëra dhe çarmatosur popullsinë, udhëheqia jugosllave shpalli mobilizimin e brigadave të “Kosmetit” për në Frontin e Sremit, në veri të Serbisë. Por duheshin larguar fillimisht forcat e armatosura partizane të shqiptarëve.Nga fillimi i janarit 1945 Shtabi Operativ i “Kosmetit”, urdhëroi Shtabin e Brigadës së Shaban Palluzhës, të lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës, ku duhet të bashkohej me Brigadën e VII të “Kosmetit”, për të vazhduar rrugën për në Serbi (Kurshumli – Banjë e Kurshumlisë – Prokuplë – Srem).  Largimi i burrave dhe i rinisë së armatosur nga Kosova dhe Maqedonia, në valën e dhunës së ushtrisë titiste , shkaktoi kundërshtimin e popullsisë shqiptare.Më 11.03.1945 në Gjakovë u organizua një dëmonstratë e grave, kundër mobilizimit me dhunë, të djemve, vëllezërve dhe burrave të tyre.  Shumë shqiptarë dhe formacione partizane, duke iu shmangur mobilizimit, iu bashkuan rradhëve të grupeve të rezistencës . Ata u quajtën “dezertorë” dhe “tradhëtarë”. Në prag të çlirimit nga nazizmi, ushtria jugosllave titiste nisi genocidin mbi  popullatën e pafajshme, me preteksin e ndjekjes së dezertorëve e të “spastrimit të terenit nga forcat reaksionare shqiptare “.Gjatë muajve janar – prill 1945, janë mobilizuar dhunshëm rreth 44.523 shqiptarë nga Kosova dhe viset e tjera etnike, për në frontet e ashtuquajtura të “Sremit” e të ”Adriatikut”. Të mobilizuarit me dhunë (mars-prill 1945) u grumbulluan në kazermat ushtarake të Prizrenit. Mbasi u çarmatosën, me arsyetimin se “armët do t’i merrnin në Kroaci e Slloveni !”, u  formuan tre kolona, tashmë si robër të luftës, për t’u nisur drejt rrugës Prizren – Kukës – Shkodër – Tivar – Dubrovnik – Rjekë. Shoqërimi i tyre ju ngarkua Brigadës së 27 e divizionit 46-të serb, e njohur për terrorizimin e popullit shqiptar gjatë muajve të kaluar. Grupi i parë prej 3.700 veta, u nis më 24. 03. 1945 dhe pas një udhëtimi 6 ditor me keqtrajtime shtazarake nga ana e shoqëruesve serbo-malazezë, mbriti në Tivar dhe iu dorëzua reparteve të Divizionit të 9-të jugosllav.Grupi i dytë i përbërë nga 4.700 veta i shoqëruar nga partizanë titistë të Brigadës 27-të, mbas dy ditësh nisi marshimin katër ditor në rrugën Prizrën – Zhur – Kukës – Pukë – Shkodër.Vrasjet e para ndodhën në mesnatën e 26/27 marsit gjatë një ndalese në Kukës.  Sipas planit të para-përcaktuar, në kohën që kolona e shqiptarëve ishte në gjumë, vriten mizorisht rreth 120 – 140 veta dhe kufomat e tyre hidhen në greminë. Në shënjestër u vunë komandantët shqiptarë të njesiteve që ishin grumbulluar në Prizren.
Shqiptarët e kuptuan se nuk po shkonin për luftë kundër ushtrisë naziste, por drejt vdekjes. Nën grykat e pushkëve, kolona natën e 28 / 29 marsit kaloi luginen pyjore në periferi të Pukës duke lënë rrugës trupat e shokëve që për shkak të torturave, helmimeve me ushqim dhe të ftohtit, mëngjesi i gjeti të vdekur.

Gjatë kalimit tek “Ura e Zogut” që ishte e shkatëruar, me një vagon – teleferik të sajuar, ranë në lumë rreth 50 veta, ku shumica prëj tyrë gjeti vdekjen.

Më 30 mars, ushtarët serbo-malazezë që i shoqëronin, nuk i lejuan shkodranët që kishin dalë me ushqime dhe ujë për vëllezërit e tyrë nga Kosova, po i çuan në kodrat e qytetit dhe në mesnatën e 31 marsit, pa e marrë veten nga rruga e gjatë dhe të uritur, i nisën në drejtim të Ulqinit.

Më të kaluar kufirin (afër Ulqinit), kolona është ndalur gjoja për të pushuar. Të gjithë të sëmurët dhe të plagosurit veçohen nga shokët, me shkakun “për të evituar ndonjë epidemi të mundshme” dhe se do të çoheshin në ndonjë spital të Malit të Zi.  Kurrë nuk u mësua gjë për fatin e tyre.Në mesditën e datës 1 prilli 1945 mbëritën në Tivar. Atë ditë të kobshme, rrugëve të qytetit shihej një mobilizim i ushtarëve serbo – malazezë, të cilët vështronin me përbuzje kolonën e gjatë të shqiptarëve.  Në qendër të qytetit u urdhërua të ndalej për të pushuar. Të raskapitur nga udhëtimi dhe të etur për ujë, katër shqiptarë iu afruan një burimi. Rojet shoqëruese i larguan duke i goditur me tytat e pushkëve dhe duke shkaktuar kundërshtimin e tyre ndaj këtij trajtimi çnjerëzor. Menjëhere ushtarët filluan të qëllojnë me breshëri plumbash mbi shqiptarët. Ky veprim i ushtarëve serbë, i përgatitur qëllimisht në mes të sheshit të qytetit, shërbeu si sinjal për fillimin e zjarrit me pushkë dhe mitralozë të vendosur në çdo qoshe të rrugëve, dritareve e tarracave të shtëpive përreth sheshit të qytetit të Tivarit dhe në kodrat përreth . Azem Hajdini, një nga të mbijetuarit tregon vijimin e masakrës: “Ne ishim në kolonë për 4, me gjatësi prej 5 – 6 km, dhe mundësia për një shfarosje masive ishte më e vogël. Na urdhëruan të ngrihemi në këmbë dhe me duar të lidhura mbas kokës të ecnim drejt një ndërtese të madhe 3 katëshe që ndodhej mës të kodrave shkëmbore. Oborri ishte i rrethuar me mure të larta hekuri që mbaronin me maja të mprehta. Ishte zgjedhur një vend i përshtatshëm për vrasje masive.

Duke hyrë në oborr 10 – 15 ushtarë më shufra hekuri na goditnin në kokë, në gjoks apo në shpinë duke lënë në tokë për vdekje afro 100 – 150 veta. Në ndërtesë arritën të futen 100 veta dhe 2200-2500 të tjerë mbetën në oborr. Rreth orës 14.00 filloi goditja me pushkë automatike, mitralozë, mortaja dhe bomba dore mbi rekrutët shqiptarë dhe brënda një ore, nuk mbeti njeri në këmbë. Sheshi i oborit u mbulua nga gjaku ndërsa ndërtesa u shndrua në gërmadhë, me qindra kufoma shqiptarësh brenda saj.

Xhelatët, për t’u siguruar se mos kish shpëtuar ndonje i gjallë nën trupat e pajetë të shokëve të tyre, në emër të “shtabit” bënë thirrjen:“ Informohen të gjithë ata që kanë mbetur gjallë ose të plagosur, se komandanti suprem i UNÇ, shoku Tito ka urdhëruar ndërprerjen e zjarrit dhe të gjithë i ka falur – pavarësisht prej gabimeve që kanë bërë !!! Të gjithë të plagosurve do t´u jepet ndihma mjekësore …Kërkojmë të brohorisni: ”Rroftë shoku Tito”, ”Rroftë bashkim-vëllazërimi”, ”Rroftë ushtria nacional-çlirimtare”… !!!
Duke i besuar thirrjes, shumica e të plagosurve u ngritën për të kërkuar ndihmë mjekësore. Por.. çka ndodhi…?! Ushtarët u vërsulën si bisha mbi ta dhe i masakruan pa mëshirë”.

Për të fshehur gjurmët e kësaj vepre mizore, u mobilizuan të gjitha njësitë ushtarake serbo – malazeze, qytetarë e punëtorë të këtij nacinaliteti dhe me kamionë, vagoneta, qerre etj, gjatë tërë natës i bartën kufomat dhe të plagosurit (bashkë!!!) në drejtim të Tivarit të vjetër, tek një greminë në mes shkëmbinjëve të bregdetit. Një pjesë e kufomave fillimish u dogjën e pastaj u hodhën në humnerë, ndërsa pjesa tjetër do të varrosej …!!! Aleksandër Rankoviçi dhe shteti titist, këtë ngjarje e cilësoi si të rëndë dhe të shkaktuar për faj të vetë shqiptarëve !! . Vetëm pas 51 viteve, më 20.9.1996, TV norvegjez njoftoi për zbulimin e një varreze masive afër Tivarit me 2 mijë viktima të shqiptarëve të vrarë më 1 prill 1945.

Grupi i tretë, më 2700 veta, nga Prizreni u nis më 27 mars 1945 dhe u shoqërua nga Brigada famëkeqe 27. Shumë shqiptarë gjatë rrugëtimit të gjatë e të mundimshëm, për mungesa të ushqimit e të higjienës u sëmurën me tifo dhe dhjetra prej tyre vdiqën rrugës. Në mbrëmjen e 2 prillit ky grup arriti në Tivar dhe iu dorëzua Divizionit të 9-të dalmat. Nga Tivari me anije u transportuan në Dubrovnik, ku u vendosën në disa objekte. Një grup prej 800 vetash që ishin vendosur në një depo baruti, u helmuan gjatë natës dhe në mëngjes u zgjuan të enjtur. Gjatë ditës vdiqën të gjithë sa ishin aty. Kjo politikë dy shekullore e sllavëve për çfarosjen raciste të shqiptarëve, pati kulmet e veta ( kur krimi përfshinte gjithë popullsinë), e fundit në rradhë ishtë ajo e Kosovës së 1998-99!

V Zgjidhja finale

Emërtimi “zgjidhje finale” (Endlösung der Judenfrage) u përdor nga nazistët në fund të vitit 1940, e planifikuar si hapi i fundit i programit racist për çfarosjen e hebrejve. Sot kjo veprimtari njihet me emrin  “holokaust” dhe u përdor gjërësisht edhe në Evropën e viteve të para, të mbas Luftës II Botërore. Qëllimi ishte zhdukja e popullsive etnike, jo si pasojë e luftimeve ushtarake, por vrasjeve të planifikuara me gjakftohtësi dhe në mënyre çnjerëzore. Genocidi etnik u dënua si veprimtari politike dhe pseudo-shkencore, me shpalljen në vitin 1950 nga UNESCO të “Deklaratës mbi racat”, por kjo nuk shënoi fundin e ideologjisë dhe veprimtarisë raciste. Politik-bërësit evropianë, me gjithë ngjarjet e zhvilluara, nuk duan ta pohojnë se kjo ideollogji kundër etnisë shqiptare, vijon të udhëheqë vemrimtarinë e disa shteteve ballkanike deri në ditët e sotme.Në memorandumin e famshëm të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Beogradit të 1986-ës, shkrimtari nacionalist serb Dorica Kosiç, President i « Jugosllavisë së Re » të Milosheviçit më 1992, deklaronte : « Spastrimi etnik është veprues për të krijuar Serbinë e Madhe (…), suksesi i një veprimi ushtarak varet nga zhdukja prej territorit, të popullsive të huaja » ( 24) Platforma antishqiptare për spastrimin etnik të Kosovës, është përgatitur nga “Komiteti Qëndror Atdhetar i Partisë Radikale Serbe” (SRS), i nënshkruar nga kryetari i saj,  Vojisllav Sheshel, zëvëndës/kryeministri i Serbisë dhe zëvëndës/kryetar i Partisë Tomisllav Nikoliq, Nikolla Poplashen, Maja Gojkoviq, Ranko Dujiq e Aqim Vishnjiq, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe, Aleksandër Vuçiç.

Kjo Platformë u botua në gazetën “Serbia e Madhe” (Velika Serbia), më 14 tetor 1995 në Beograd dhe më 1997 nga Qendra “Global Communicators” në Washington, D. C. Por si çdo strategji politiko-ushtarake, për t’u vënë në jetë, duheshin përgatitur edhe zbatuesit e saj dmth ushtarët dhe qytetarët jugosllavë. Historia e shk. 20 ka dëshmuar se racizmi etnik (si çdo lloj racizmi), është zbatuar paraprakisht, si ushqim shpirtëror i  frymëzuar në bangat e shkollës, në administratat shtetërore, ushtri, masmedia dhe në institucionet fetare. Urrejtja kundër kombit shqiptar është përfundim i këtij aktiviteti arsimor, kulturor, ushtarak dhe fetar i vendeve fqinj, që krijoi « bishat » të cilat vunë në jetë planet çfarosëse të aparatit ushtrak të Milosheviçit në Kosovë. Poezia epike heroike serbe, si ajo kushtuar Kraleviq Marko, për intelektualët e Akademisë serbe të Shkenacave, vlerësohet si një trashëgimi “shkencore” e traditës.  Ajo lartëson krimet makabre të heronjve, si: prerjet me gjakftohtësi me thikë, nxjerrja e syve, prerja e gjymtyrëve, djegia në zjarr, shkatërrimi i pasurisë së kundërshtarit dhe shfrytëzimi i tradhtisë për të mundur kundërshtarin dhe kultivoi ndjenjën e superioritetit mbi popujt te tjerë.

Anëtari i Akademisë serbe, Antonije Isakoviç, theksonte se: ”Mitet tona na bëjnë më të fortë, dhe ne duhet të jetojmë me to. Sa herë kemi qënë në mes vështirësish, vinim në Kosovë, te Karagjorgji tek poezia popullore…”.

 Vidovdan

Vështroj qiellin, shekujt që kalojnë

Kujtimet e lashta është i vetmi mjekim

Kudo që shkoj, tek ty kthehem sërisht

Sepse asnjeri nuk mund të ma shkul nga shpirti Kosovën

Si një zjarr i përjetshëm në zëmrat tona

Lufta e Kosovës mbetet qartësia e vetme…    

 (Vidovan është një këngë e epopesë serbe që këndohet në çdo 28 qershor, ditën e Shën Vidovanit kur përkujtohet humbja ndaj turqve në Fush-Kosovë , pranë Prishtinës më 1389)

Këngë të tilla u thurrën edhe për të kërkuarit nga Gjyqi i Hagës për krime lufte si Radovan Karagjiq, Mlladiç e shumë të tjerë. (26)

Keq-përdorimi i historisë per qëllime raciste dhe ushqimin e urrejtjes, shprehet edhe në tekstet e pas-luftës të historise, letërsisë, gjeografisë, arteve dhe njohurive shoqërore që nga klasa e parë fillore deri në arsimin e lartë, psh në tekstin e historisë së klasës së tetë  shkruhet:“Gjatë periudhës 1941-1944 janë likuiduar 10.000 serbë, ndërsa janë shpërngulur me dhunë rreth 100.000 nga terrori i shqiptarëve”. Ende përdoret si emërtim ofendues emri “shqiptari”, “arnauti” duke i paraqitur si “serbë të islamizuar”. (27)

Vasa Cubriloviç (ministër i Titos dhe këshilltar i Milosheviçit deri sa vdiq më 1991) , i cili në vitin 1937 kishte përpunuar manifestin “Zbimi i shqiptarëve” (Iscljavanje Arnauta)  rrjeshtonte në projektin e tij të spastrimit shkencor, mënyrat e arritjes së kushteve për një zbim masiv :« Asnjë veprim nuk kërkon kaq vëmendje dhe durim. Për të patur një largim masiv, kushti i parë është krijimi i një psikologjije të përshtatshme, që mund të ndikojë në shumë mënyra ».

Një nga këto “ psikologji të përshtatshme ” në strategjinë  e « luftës finale » kundër popullsisë shqiptare, ndoshta më e rëndësishmja, ishin krimet kundër femrës shqiptare.

Goditja më e rëndë ndaj femrës shqiptare ishte ajo e torturimit dhe vrasjes së fëmijëve.

Një “raport i brendshëm”, i cilësuar “tepër sekret”, i hartuar nga shërbimet sekrete të “Ushtrisë Jugosllavë”, në janar/shkurt të vitit 2000, jep një pamje të përmasave të krimeve të tmerrshme që kryen forcat ushtarake serbo-jugosllave gjatë pranverës së vitit 1999 në Kosovë. Raporti ishte perpiluar për IWPR-në, “Oficerë serbe tregojnë krimet”, i botuar më 4 prill 2000, nga gazetari Miroslav Filipoviq nga Kraleva : “Dëshmitë e përbashkëta të oficerëve në teren, tregojnë se njësitë e Ushtrisë Jugosllave kanë vrarë mizorisht të paktën 800 fëmijë shqiptarë nën moshën pesë vjeç.”

Dëshmia: “Një ushtar serb që e thërisnin “Crni” iu afrua një plaku, i cili mbantë në dorë një fëmijë rreth tre ose katër vjeç. Ia mori fëmijën nga duart dhe kërkoi nga plaku një pagesë prej 20 000 markash gjermane. Kur pa së shqiptari kishte vetëm 5 000 marka e mori fëmijën për flokësh, nxori një thikë nga brezi dhe i preu kokën. – “5 000 marka janë të mjaftueshme vetëm për trupin!”, tha dhe eci përpara fshatarëve të tjerë, duke mbajtur kokën e fëmijës nga flokët. E gjithë kjo ka ndodhur në sytë e dhjetra njerëzve, tregon Vladimiri. Ne ishim të gjithë në një gjëndje shoku: disa ushtarë vollën, ndërsa nëntogeri ynë i ri në moshë humbi ndjenjat para një pamjeje të tillë makabre të trupit pa kokë në tokë. “Crni” më pas u deklarua si i papërgjegjshëm mëndërisht, u shkarkua dhe u dërgua në shtëpi. Por ai është akoma i lirë, megjithëse ka kryer këtë krim të tmerrshëm.

Është i dyshimtë fakti së ata do të dalin ndonjëherë para drejtësisë. Shumë prej tyre përkundrazi, janë graduar dhe ngritur në pozita ».

Në strategjinë e « luftës finale » u përfshinë, krahas forcave ushtarake edhe popullsia civile serbe, e cila dha informata, grabiti dhe një pjesë e tyre mori pjesë aktive në zhdukjen e shqiptarëve.  Megjithëse për të mos u njohur nga komshinjtë ata përdorën maskat, emrat e tyre u bënë të njohura. Kjo është edhe arësyeja që shumë prej këtyre familjeve, sot nuk guxojnë të kthehen në Kosovë për të jetuar pranë viktimavë të tyre. Në të gjithë shekullin e 20, në historinë e Evropës, nuk mund të gjëndet asnjë shëmbull i ngjashëm me ato krime që përjetoi femra shqiptare e v.1998-99.

Dëshmia e R.N. nga Prishtina, e gjetur e lidhur në lokalin e Fakultetit Juridik , mbas tërheqjes së trupave serbo-malazeze: «Më thanë se do të më merrnin në pyetje; njëri pej tyre më urdhëroi që të zhvishesha siç kam lindur nga nëna. Unë refuzova. Një milic më ra me shuplakë dhe menjëherë më plasi gjaku nga buzët e shkrumuara. Tjetri vuri gishtin te buzët e mia, e ngjyu me gjak dhe tha: “Siç duket të gjithë shqiptaret e kanë gjakun e ëmbël dhe unë me këtë thikë do t’i shijoj të gjitha”.

Pasi mbaroi punë, bisha urdhëroi njërin prej kolegëve të tij t’i ndizte një cigare. Unë mezi mbaja pikat e fundit të fuqise që po më shteronin krejt. Me cigaren e ndezur m’u afrua dhe më tha:  “Unë, Nenad Stojanoviq, do të ta lë një kujtim për tërë jetën. Ndoshta ti, si e re dhe e bukur që je, don ta jetosh jetën, por unë do të të vras ngadalë-ngadalë ” dhe ma afroi cigaren te gjinjtë e mi dhe e fiku atje. Mbi një paketë ka shuar në trupin tim për disa orë.

Në asnjë film nuk kisha parë asi torture. Të nesërmen, sapo më zgjidhën duart, më kanë dhunuar që të gjithë me radhë. Nuk e di se sa burra kanë luajtur me trupin tim, kur kam ardhur në vete. Ende sot, kam në trupin tim me qindra plagë cigaresh dhe plagë thike, ku kanë gdhendur turli fjalësh në serbisht”.

Disa ditë më vonë e pashë veten në dhomën e panjohur të një fshati; më kishin marrë e më kishin mjekuar atje. Më kishin mjekuar plagët që më kishin bërë me thikë duke pikturuar me tehun e saj në lëkurën time”.

Organizata joqeveritare e Gruas “Jeta në Kastriot”, e drejtuar nga Luljeta Selimi, që ka nën përkujdesje 2016 femra shqiptare, të përdhunuara nga forcat serbo-malazeze dëshmon se 124 prej tyre kanë plagë të dukshme në trup (gjinj të prerë, gishtërinj të këputur, nëntë janë me nga një sy të nxjerrë dhe gjashtëmbëdhjetë më plagë të hapura në fytyrë). Ato janë në gjëndje të rëndë shëndetsore e psiqike.

Shaip Vrellaku, i cili ishtë zënë rob nga forcat serbe ndodhej në stacionin e trenit në Gllogoc: “Me sytë e mi pashë policin duke i djegur vajzat që i kishin dhunuar në stacionin e trenit të Gllogocit. Edhe sot i dëgjoj ato britma të tmerrshme dhe trishtuese të vajzave që digjeshin”. Sot, historianë dhe intelektualë kurajozë, po nxjerrin nga thellësitë e Arkivave dhe i bëjnë të njohura faktet mbi genocidin dhe racizmin mbi popujt e tyre, i cili shkaktoi  shumë viktima tek popullsia civile, si gjatë edhe pas Luftës II Botërore në Evropë. Ka shtete që e dënojnë këtë ideollogji dhe ruajnë dëshmitë e pasojave të saj për të treguar rrezikshmërinë e saj. Por nuk veprojnë të gjithë kështu…

 

Zhvillimet e sotme të politikës evropiane, dëshmojnë domosdoshmërinë e njohjes dhe dënimit të krimeve të “fshehura” edhe në Ballkan, siç është :  GENOCIDI RACIST DY SHEKULLOR KUNDËR SHQIPTARËVE

Ky akt duhet të bëhet, për hir të PAQES historike midis popujve ballkanikë dhe  evropianë (sepse racizmi nuk njeh kufij), në mënyrë që të dënohet ideologjia politike e shpërblimeve për hir të « ekuilibrit » midis Fuqive të Mëdha e shekullit 19 – 20, e cila vijon edhe sot të mbajë të ndezur fitilin e luftrave kriminale.

 

 

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fatbardha Demi

Preludi i Pavarësisë Kombëtare, Kryengritja e Malësisë

April 6, 2014 by dgreca

*Çudi! Përse ka heshtur dhe hesht politika për këtë ngjarje të madhe historike?! /

*Aty ku lindi besa dhe mirësia, po aty jeton atdhetarizmi, trimëria dhe shqiptaria./

* U mbushën 103 vjet nga ngritja e falmurit në Deçiç nga heroi legjendë Ded Gjo Luli/

 Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj/

 Përse qarqet politike shqiptare janë heshtur në 100 vjetorin dhe po heshtin për këtë ngjarje kaq të madhe, që ishte embrioni që lindi nga fara e hedhur gjatë shekujve, prej të cilit aty u mbollën rrënjët e lirisë, në krahinan e Mbi Shkodrës në vitet 11910- 1912. Ishte zanafilla e kushtrimit kundlër robërisë që çoi në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare nga Plaku i mençur Ismail Qemali. Kur vet shqiptari harron veten, kombin, historinë e tij, të shkruar me gjak, bëmat që i dhanë një emër, bota s’e ka për gjë që ta fshijë e ta mohojë nga /në harta gjeopolitike. Mbushen ekranet, faqet e gazetave dhe revistave shqiptare me budallallëqet qesharake se “X” yll kinemaje apo muzike, u nda për të dhjetën herë me bashkëshortin se ishte homoseksual, se e tradhtoi, apo gruaja e “Y” ishte biseksuale. Të njohësh kulturën botërore është pasuri, investim intelektual, por të mbushësh programet mediatike me jetën private të vipave dhe nuk flitet për një kryengritje kaq të madhe që tronditi nga themelet Portën e lartë, Diplomacinë evropiane apo Fuqitë e Mëdha, duke e bërë Shqipërinë faktor politik, etnokulturor dhe etnëhistorik në Ballkan dhe në Evropë, për mendimin tim është e pafalshme.

Ka vetëm 8 vite që Mali i Zi fitoi Pavarësinë kombëtare duke u shkëputur nga Serbia. Pikërisht brenda kësaj kohe kaq të shkurtër, shqiptarët që jetojnë aty në trojet e tyre, trojet që u kanë lënë të parët ilir, po mbajnë gjallë gjuhën shqipe, traditën, po zhvillojnë kulturën amtare me parametra bashkëkohor, gjithmonë mbështetur mbi tabanin kombëtar. Krenar për atë që janë dhe ç’trashëgojnë, ata mbajnë lart simbolete e Kombit, si flamurin e Skënderbeut, atë flamur të kuq me shkabën dykrenare, që ngriti në Bratilë të Deçiçit, më 6 prill 1911, heroi legjendë Ded Gjo’Luli. Edhe pse përbëjnë minoritet në shtetin e ri të Malit të Zi, gjuha e tyre në familje, në rrugë është ajo shqipe. Në shkolla flitet dhe mësohet gjuha e mëmës, gjuha e bukur shqipe. Kanë gazetën e tyre shqip “Koha Javore” dhe TV “Borana”, ku shkruhet dhe flitet vetëm shqip.

*Po sjell në kujtesë 100 vjetorin…

Edhe pse mungoi politika në 100 vjetorin e kryengritjes , aty kishin ardhur nga Shqipëria (nga  Muzeu historik ,Instituti i Historisë), nga Maqedonia dhe nga Kosova. Adem Jashari i kishte lënë amanet të nipit:“Murat, bir, mos e korit gjakun e 50 e ca Jasharëve dhe martirëve të Kosovës, ndaj kurrë mos mungo aty, ku të thërret zëri i tokës mëmë!”-dhe magjistri Murat Jashari, bashkë me ish deputetin Ramadan Gashi dhe miqtë e tyre, erdhën dhe nderuan kujtimin e kësaj kryengritjeje. Kleri katolik, si atëherë kur e përkrahu kryngritjen e 7 Bajrakëve, edhe kur kryengritja mbushi një shekull, nuk mungoi. Ishte i pranishëm në festë Dom Gjergj Simoni i Shkodrës, si dhe grupi artistik- filarmonia dhe baleti “Prenk Jakova”

  Mungoi media shqiptare, gjithsesi, dashamirësit nga të gjitha trevat shqiptare, apo ku banohet nga shqiptarë dhe flitet gjuha shqipe, shkuan në Tuz dhe ndoqën festimet që kishin filluar për vendasit, qysh më 25 mars dhe përfunduan në datën 6 prill.Nuk mungonin as shqiptarët me banim në Sh BA, si Kol Gojçaj me banim në Miçigan, Zoti Camaj nga Hoti, po në ShBA, z. Dod i cili kishte ardhur nga vendi i demokracisë për të rindërtuar kullën e të parëve, si dhe shumë të tjerë, të cilët jo vetëm ishin të pranishëm çdo ditë, në çdo aktivitet, por për nder të Kryengritjes së vitit 1911 kontribuan financiarisht në këto aktivitete. Për nder të pranishmëve aty u dha programi artistik nga  SHKA “Dedë Gjon Luli” dhe “Rapsha” nën drejtimin e Gjon Dushaj dhe Nikollë Berishaj.

 

Liria rrënjët i mbolli në Malësinë e Madhe dhe hodhi shtat në Vlorë më 28 Nëntor 1912.

 

Që të gjykojmë vlerat apo rëndësinë vendimtare të Kryengritjes së Malësisë së Madhe në përgatitjen e terrenit të vendit për Pavarësi Kombëtare, duhet më parë të dimë se në ç’rrethana lindi kryengritja e vitit 1911? Si e la kryengritja e vitit 1910 Malësinë? Cili ishte qëndrimi i Malit të Zi, Austro- Hungarisë dhe Serbisë ndaj kësaj treve shqiptare? A kishte mbështetje kjo kryengritje nga kleri katolik apo rrethet diplomatike brenda dhe jashtë vendit?

Pas pushtimit të gjatë osman gjysmë shekullor, u zgjua ndërgjegja kombëtare e shqiptarëve udhëhequr nga atdhetarët e Rilindjes Kombëtare në mërgim, e cila mori hov gradualisht . Pas kuvendesh të njëpasnjëshme krahinore, kombëtare apo ndërballkanine, u arrit në formimin e Lidhjes së Prizrenit, si formacioni i parë politik i organizuar, me atributet e Qeverisë së përkohshme. Pavarësisht nga jetëgjatësia e saj, Lidhja e Prizrenit që hodhi rrënjë në Janinë dhe u kurorëzua në Priyren, pati vlera të padiskutueshme për vendin dhe rajonin. Në këtë lëvizje mbarëkombëtare, e cila fillimisht e shkëputur apo sporadike, edhe pse zgjati 3 vjet, ishte një ngjarje që i tregoi politikës evropiane, pushtuesit dhe shqiptarëve se ne ishim në gjendje të vetëqeveriseshim dhe ta ndërton im shtetin në mënyrë të pavarur. Pra Lidhja e Prizrenit hapi perspektivën e së nesërmes, çeli rrugën e shpresës drejt Pavarësisë Kombëtare.

Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911, pas Lidhjes së Prizrenit, është një nga ngjarjet më kryesore të periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Kjo është zanafilla ku u mbollën rrënjët e lirisë sonë kombëtare. Me këtë kryengritje u arrit një kulm pjekurie politike për kohën, pasi ajo zë një pozicion kulmor në vijimësinë e ngjarjeve kohore që do të pasojnë këtë lëvizje. Ajo përmban karakteristikat e mirëfillta të një kryengritjeje me orientim kombëtar, sepse përfshiu në qellimet e veta, një plan të mirëfilltë mbarëshqiptar. Kjo kryengritje shpërtheu në një nga rajonet më të shtypura nga pushtuesi turk, ku kontradikta themelore ashpërsohej në një besim fetar krejtësisht të ndryshëm me atë të Perandorisë Osmane. Kryengritja e 1911 e ngriti për herë të parë seriozisht çështjen shqiptare, në nivelin e një çështjeje të mirëfilltë nacionale në tryezat e diplomacisë evropiane. Shqipëria u bë e njohur si një etnitet i veçantë nacional, kulturor dhe gjeopolitik, që do të diskutohet në skenën e diplomacisë evropiane dhe ballkanike.

Me këtë ngjarje Shqipëria filloi të bënte pjesë seriozisht në rajonin ballkanik, duke e bërë veten faktor të debatueshëm mes Fuqive të Mëdha që luftuan nga fillimi i shekullit XIX e në vazhdim, mbi një bazë tashmë nacionale, ndaj një pushtuesi aziatik, që i rrezikonte identitetin etno – kulturor dhe fetar, që shkatërroi vlerat qytetare të mesjetës dhe i vuri në dyshim ekzistencen “fizike” të kombit.

Pushtimi osman shkatërroi vlerat më të mira nacional – kulturore, që evolucioni historik shumë-shekullor autokton kishte krijuar në trevat tona. Shqipëria përbënte tanimë, një entitet të qartë dhe të dallueshem nga trevat e popujt e tjerë të rajonit. Fatmirësisht ky pushtim, edhe pse pesë shekuj, nuk i eliminoi treguesit themelorë që bëjnë të dallueshëm një komb. Ndër këto elemente, rezistenca kulturore është ndër më themeloret. Kultura dalluese e një kombi ka qenë përherë baza e mëvetësimit dhe ndërgjegjësimit kombëtar. Për kohën më e spikatura ishte Malësia e Madhe, si një vatër ndërgjegjësimi kombëtar. Kurse kryengritja ishte fakti më pozitiv, që tregon formimin nacionalist antiturk të Malësisë. Kjo veti dalluese, karakteristik për popujt me ndërgjegje kombtëare të formuar në Ballkan, ishte segment i rëndësishëm i shqiptarizmës. Kjo do të jetë prova e qartësisë politike të malësorit e shqiptarit mëmëdhetar. Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911, paraqitet si një shpërthim i zemëruar, i një popullsie rajonale me një pozitë politiko-nacionale, social – ekonomike dhe fetare të nënshtruar, kundër pushtuesit të atëhershëm në trevat shqiptare.

Duke nisur si një rezistencë e paorganizuar e popullatës në kushtet e dhunimeve të rënda të statusit vetqeverisës, pas ndërmarrjes luftarake të Turgut Pashës së vitit 1910, ajo do të merrte karakteristikat e një kryengritjeje të mirëfilltë me pikësynime të kristalizuara nacionale në periudhen mars-gusht 1911. Për ecjen përpara, Dedë Gjon Luli me 7 Lekët e Malësisë thirrën kuvendin e Greçës ku u drejtuan fuqive të mëdha Memorandumin e Greçës, me kërkesa të tilla që nuk u ndikuan dot as nga ndërhyrja e  Malit të Zi. Edhe pse me origjinë të hershme ilire, të lidhur me krushqi ndër breza me shqiptarët, Mali i Zi kishte nisur të sllavizohej. Kjo bëri që masat popullore të emigrojnë drejt Malit të Zi, si e vetmja rrugë shpëtimi. Nga ana tjetër, Mali i Zi, shteti i ri dhe i vogël, për të forcuar identitetin e vet, shfrytëzoi çastet historike për zgjërimin territorial.

Se e çfarë kategorie është kjo kryengritja, po paraqes disa të dhëna të kohës.

Këtë na e tregon letërkëmbimi i Edith Durham-it me konsullin anglez në Trieste, Spence, që tregon qëndrim realist dhe miqësor ndaj çështjes shqiptare. Nga ana tjetër, diplomatët anglezë, përkatësisht Akers-Douglas në Cetinjë, zëvendës-konsulli Suma në Shkodër, vetë ministri i jashtëm Edward Grey, ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë britanikë në Vjenë, Kostandinopojë, Romë, Beograd, Shën Petersburg, Berlin etj, mundësojnë të zgjerohet dhe të hidhet dritë e re, më e plotë, mbi kuadrin diplomatik të kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës së vitit 1911. Tashmë mund të thuhet pa frikë, ndryshoi mënyra e shqyrtimit dhe e trajtimit të çështjes shqiptare nga diplomacia ndërkombëtare. Nga ky moment çështja shqiptare do të mund të trajtohet realisht si çështje e veçantë e diplomacisë evropiane, me qëllime të qarta nacionaliste të kryengritësve malësorë, që e bënë të dallueshme Shqipërinë nga Turqia. Më me shumë* rëndësi ka madhështia e kryengritjes. Dokumentet arkivore dhe sidomos korrespondencat e gazetës “The Times” të kësaj kohe, nga Podgorica, Cetinja, Shkodra, Kostandinopoja dhe Vjena, kanë mundësuar studiuesit për të krijuar një tablo të epopesë së *Shtatë Lekëve të Malësisë, që në të vërtetë ka qenë në përmasat e një legjende. Rëndësi të veçantë kanë pasur *shkaqet e kryengritjes që nuk janë artificiale por reale, bazuar *jo në intrigat e Malit të Zi, por në *ashpërsimin e kontradiktës themelore në këtë rajon. Gjithashtu hidhet dritë e plotë mbi* rolin e madh nacionalist të klerit katolik, që u bashkua në masë me kryengritësit dhe luajti në momente të caktuara, rolin e mediatorit pro çështjes shqiptare. *Ismail Qemali, si figurë e madhe, u përfshi gjërësisht në përkrahje të Kryengritjes shqiptare të malësorëve, në orientimin e drejtë të kryengritjes, si dhe në njohjen e çështjes shqiptare nga diplomacia evropiane. *Kopja e origjinalit të Memorandumit të Greçës dhe bashkëngjitur me të, *letra drejtuar Edward Grey-it, shkruar në gjuhën frënge me dorë, dhe *vulosur me gishtërinjtë e vulat përkatëse të Ded Gjo’ Lulit e 19 krerëve të tjerë të kryengritjes, duket se është një fakt i ri, që i sillet dokumentacionit të historisë kombëtare tani vonë nga Instituti i Shkodrës, më 2002 .

Kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 është një nga ngjarjet më me rëndësi të historisë shqiptare dhe në veçanti, moment dallues i lëvizjes rilindëse në krahinën e Shkodrës.

*Shkaqet e kryengritjes ishin veprimet Turqve të Rinj në Shqipëri, që pati si pasojë pakënaqësi dhe lëvizje revolucionare në vend. Prirjet islamike dhe propaganda antikatolike e pushtuesit turk, si dhe qëndrimi jo i sinqertë i qeverisë së vilajetit të Shkodrës ndaj ngjarjeve të vitit 1910, i nxitën malësorët në një kryengritje me karakter kombëtar dhe në një lloj aleance me Malin e Zi. Të çarmatosje malësorët shqiptarë nënkuptoje afirmimin e nënshtrimit të tyre ndaj armikut shekullor, mbasi mbajtja e armëve pa iu nënshtruar kontrollit apo kufizimeve qeveritare ishte një lloj privilegji shumë i vjetër i zonave malore shqiptare. Megjithatë, mbledhja e armëve, përjashtimi nga taksat dhe nga shërbimi ushtarak i detyrueshëm, ishin vetëm shkaqe dytësore. Shkaku kryesor i kryengritjes shqiptare të vitit 1911 duhet kërkuar në bazen e  zhvillimeve të përgjithshme politike, ekonomike dhe shoqërore.Gjendja e krijuar në Shqipëri, në tërësi, zgjoi dëshirat dhe vullnetin e patriotëve shqiptarë  për t’i dhënë fund pushtimit osman. Kështu filluan përgatitjet për një kryengritje të përgjithshme në vitin 1911, e cila, ndryshe nga kryengritja zonale e vitit 1910, do të përfshinte të gjitha krahinat shqiptare. Krahina e Malësisë përfshihej në këtë kryengritje të përgjithshme për faktin e njohur të qënies si bërthamë ekzistente e qëndresës shqiptare, ashtu edhe për thellimin e kontradiktave themelore në këtë rajon, që nga gushti 1910, mbi bazën e një programi politik. Por organizimi mbarëkombëtar i kryengritjes së vitit 1911 ishte i një shkalle jo të kënaqshme. Nuk duhet të harrojmë shkallën e ulët kulturore-arsimore të të gjithë zonës.

Kryengritja antiosmane e vitit 1911, filloi para kohe dhe nuk mundi të përhapej në të gjithë Shqipërinë etnike.Gjithsesi ajo përbën një nga përpjekjet më të rëndësishme të shqiptarëve për të fituar autonominë.

Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 shpërtheu në ditët e para të pranverës, e ndihmuar me armatim nga Mali i Zi (apo prej disa segmenteve politiko-ushtarake të këtij shteti), pritej edhe një ndihmë e premtuar nga ana e gjeneralit italian, Ricciotti Garibaldi. Nga ana tjetër, ata shpresuan më kot ndërhyrjejen e Perandorisë Austro-Hungareze, në rastin e ndonjë ndërlikimi të situatës së tyre ushtarake. Mali i Zi e nxiti shpërthimin e kryengritjes një javë para kohës së vendosur nga udhëheqësit shqiptarë, për qellimet e veta.

Planeve shoviniste malazeze malësorët iu përgjigjen me ngritjen e flamurit shqiptar në majen e Bratilës (Deçiç). Udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, edhe pse kryengritja nisi para kohe, nuk qëndruan duarkryq. Ata u drejtuan nëpër Evropë për përkrahje dhe ndihmë, në mënyrë që kryengritja të përfundonte me sukses dhe Europa ta njihte autonominë e Shqipërinë dhe të drejtat e saj.

Kryengritja shpërtheu me 24 mars të vitit 1911, në Malësinë e Madhe,jo si rezultat i intrigave të Malit të Zi, por si rezultat i kontradiktës politike në Shqipëri. Kjo shënon fazën e parë që pati një zhvillim të kryengritjes në të gjitha vijat e frontit. Momenti kulminant që shënon  karakterin e kryengritjes është ngritja e flamurit shqiptar me 6 prill në Bratilë. Veprimet luftarake të shqiptarëve, tërhoqën vëmendjen e forcave nacionaliste shqiptare dhe të diplomacisë ndërkombëtare, e cila ishte tepër e interesuar në ruajtjen e status-quo-së politike të Perandorisë otomane. Pra mbronte  interesat e Turqisë.

Shpirti i kryengritjes së vitit 1911 ishte Dedë Gjo’ Luli, i njohur ndryshe edhe si “Heroi i Traboinit”, një burrë energjik, me karakter të fortë, që nuk bëri kurrë asnjë lëshim në kurriz të të drejtave të malësorëve dhe të shqiptarëve. Madje edhe atëherë kur iu nënshtrua kërcënimeve nga më të rënda. Për t’i zbutur malësorët iu ofruan shuma të konsiderueshme në të holla nga Turqia ashtu dhe nga Fuqitë e huaja, por ai nuk u mposht.

Operacione turke rifilluan në shkallë të gjërë më 14 maj, pasi u erdhën përforcime ushtarake. Këtu nis faza e dytë e Kryengritjes, që zgjati deri në prag të 23 qershorit 1911. Ushtria e huaj e madhe në numër, disa herë më e madhe , bëri që forcat kryengritëse të venë në zbatim planin strategjik ushtarak. Nisën qëndresën në rajonet e vështira , të papushtueshme nga armiku.Por gjendja e krijuar pati pasoja edhe në situaten politiko- diplomatike të Ballkanit, duke i detyruar Fuqitë më të interesuara, të ndërrmarrin lëvizjet e veta që ta veçojnë çështjen shqiptare si një nga problemet më të rëndësishme të kohës për Perandorinë Osmane.

Figurave të shquara nacionaliste shqiptare, si:Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Ismail Qemali dhe Nikoll Ivanaj hynë në shtabet kryesore të kryengritësve dhe refugjatëve shqiptarë, mbështetja e plotë e kryengritësve nga ana e qytetarëve shkodranë në mërgim, e klerit katolik,do të kurorëzohet në Memorandumin e Greçës më 23 qershor 1911 ose “Librin e Kuq”, ku u miratuan kërkesat për krijimin e një province autonome shqiptare, bashkimin e të katër vilajeteve në një të vetëm. Memorandumi i Greçës pati një rëndësi se doli nga gjiri i kryengritjes dhe pati karakter kombëtar. Kërkesa për një provincë autonome shqiptare ishte e moderuar, duke pasur parasysh se ekzistonte edhe paramendimi i një shteti autonom shqiptar, e cila ishte më e mundshme për t’u pranuar. Pati rëndësi se parandaloi në ndryshimin të status kuo-së, copëtimin e trojeve kompakte etnike shqiptare për atë kohë. Memorandumi i Greçës shndërroi dhe e zgjeroi çështjen shqiptare më 1911, nga një çështje e paqësimit të Malësorëve, në një çështje më të gjërë, kombëtare që lëvizja të shtrihej në të gjithë Shqipërinë. Qeveria turke, e frikësuar nga karakteri kombëtar i lëvizjes, nisi bisedimet me udhëheqësit e fiseve kryengritëse të Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit etj, duke u përpjekur që të shmangte fillimin e bisedimeve mbi bazen e Memorandumit të Greçës. Qeveria turke dhe Fuqitë e Mëdha, duke e kuptuar seriozitetin e lëvizjes dhe rëndimin e situatës vendosën të shpëtonin interesat e tyre në Ballkan, duke bërë  përpjekjet për ta shuar kryengritjen sa më parë që të ishte e mundur. Fuqitë e Mëdha, mbasi Turqia pranoi të modifikonte listen e lëshimeve, vendosën që të ftonin qeverinë malazeze të këshillonte malësorët refugjatë në territorin e saj që të ktheheshin në vatrat e tyre. Në këtë mënyrë arriheshin disa qëllime të shumëfishta: ruhej integriteti territorial i Perandorisë Osmane, nyja më e rëndësishme kjo për ruajtjen e status-quo-së; Fuqitë e Mëdha përfshiheshin drejtpërdrejtë në zgjidhjen e problemit dhe në garantimin e të drejtave të dhëna malësorëve kryengritës; garantohej dhe lidhej më mirë përgjegjshmëria e Malit të Zi në zhvillimet politiko-diplomatike ndërkombëtare. Kryengritja e vitit 1911 nuk u përhap në masën e duhur dhe mbeti e kufizuar në Malësinë e Madhe. Gjithsesi pati rëndësinë e madhe historike të pakundërshtueshme ,se shërbeu si shkak i lëvizjes së përgjithshme shqiptare.Aty nisën fillimet e Kryengritjes së përgjithshme 1912, e cila u manifestua me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare.

Në kryengritjen e Malësisë së Madhe hodhi rrënjë liria, kurse Pavarësia e shumëpritur shtatin e hodhi në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Le të shërbejë kjo festë e përvitshme e Malësisë së Madhe si një apel për historinë, politikën dhe kulturën tonë kombëtare.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Kombetare, Kryengritja e Malësisë, Preludi i Pavarësisë, Vilhelme Vranari

PSE RREZIKOHET(EDHE NJËHERË) BASHKIMI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE?

April 6, 2014 by dgreca

Opinion nga  Kristo Zharkalliu/ Athinë/

Kohët e fundit kam filluar të humbas besimin  ndaj vetvetes. Herë pas here pyes veten se në se është e mundur të kem dyshime ndaj besimeve  dhe shpresave të mia të së kaluarës. Madje shumë here duke ndryshuar opinion ndaj dukurive bashkëkohore por edhe ndaj  njerëzve të caktuar. Dy gjëra që më shqetësuan seriozisht për drejtpeshimin tim mendor janë se papritur e pakujtuar (jo saktësisht) më kanë pëlqyer shkrimet e dy  shqiptarëve të cilët deri dje i kisha kritikuar ashpër, duke besuar se me shkrimet e tyre këta dëmtonin “imazhin” e shqiptarit të së kaluarës dhe të sotëm. Fjala është për politikanin –shkrimtar socialist Ben Blushin, të cilin, qëkurse u përpoq të nënvleftësonte figurën madhështor të Gjergj Kastriotit-Skenderbeu, më ishte bërë halë në sy dhe nuk lija rast pa përmendur “marrëzitë” e tij duke e sjellë si shëmbull për t’iu shmangur përsa i përket së kaluarës dhe historisë së kombit arbëror. Nuk kam lexuar librat e tij- e pohoj- dhe komentet negative  që janë bërë nga unë kishin të bënin me intervistat dhe komentet që ai vetë bënte në mënyrë të papërgjegjëshme duke paraqitur  shkrimet e tija. Kohët e fundit pra po paraqet një libër të ri me titullin (më sa më kujtohet!) “Hëna e shqiptarëve” ku në përgjithësi (megjithëse socialist!) bën profeci për 100-200 vitet e ardhëshme për kombin shqiptar. Nga të gjitha ato që u thanë(mjaft marrëzira profetike) mua më bënë përshtypje ato që ai tha për fenë dhe për bashkimin kombëtar (se sa do të jetë e mundur një gjë e tillë!). Për çështjen e fesë  pajtohem plotësisht me të. Populli dhe kombi shqiptar duhet me çdo kusht të distancohet, ose më mire të heqë qafe besimet fetare. Ai ka të drejtë kur thotë se këto besime në të ardhmen mund të bëhen faktor denigrues dhe përçarës të popullit dhe të kombit. Nuk ka asnjë dallim  në se  besimi është i krishterë, ortodoks,katolik ose mysliman. Vitet e fundit pas shëmbjes së diktaturës, shumë të huaj u aktivizuan të “rimëkëmbnin” besimet dhe tempujt fetarë në Shqipëri, thua se të huajt i hante kaq shumë meraku për besimet fetare në Shqipëri. Mund të themi se më i “urtë” deri tani është treguar kleri dhe besimtarët katolikë, megjithë përpjekjet që janë bërë dhe po bëhen për “shënjtërimin” e këtij klerit, madje për këtë kanë aktivizuar dhe kryeminisrin më të korruptuar i Europës, Berluskonin (nuk e di se sa e bekon kisha katolike dhunën seksuale ndaj femrave të mitura që ka kryer  Silvoja me paratë e tij, por, megjithatë, dikush nga Shqipëria, don t’i dhurojë stilografin e një ish priftit të shënjtëruar shqiptar!) Sidoqoftë ky kler nuk ka pasur aktivitete antikombëtare si ngjet me të dy besimet e tjera si janë ai ortodoks dhe ai mysliman. Ben Blushi shqetësohet se si mund të krijohen parti përçarëse antikombëtare fetare dhe kjo është më se realiste po të kemi parasysh dukuritë ekstremiste të disa myslimanëve shqiptarë që e quajnë veten  talibanë. Këta kishin arritur të mobilizonin dhe të dërgonin në Siri besimtarë shqiptarë për të luftuar përkrah ekstremistëve myslimanë dhe kjo bëhej nën hundën e orgneve shtetërore të të dy shteteve shqiptare. Këto dukuri janë më të theksuara në Kosovë, madje, disa kalemxhinj shqiptarë nuk harrojnë të përmendin dhe përkatësinë fetare të kryeministrit shqiptar, pamvarësisht në se ai është besimtar ose jo. Kur kishte ndodhur më parë kjo pra? Pse disa harrojnë se kur bëhej lufta në Kosovë, kryeministër shqiptar ishte një “ortodoks” Pandeli Majko?(Edhe para 90 vjetëve kur u bë kryeministër një epishkop shqiptar, Fan Noli i pavdekëshëm, askush nuk guxoi ta akuzonte atë për përkatësinë fetare!) Apo e kanë harruar dhe në Kosovë…se kohët e fundit po shpallin disa here…Lulzim Bashën si qytetar nderi dhe kanë harruar Majkon? Me këto nuk dua të them kurrsesi se kisha ortodokse shqiptare ka treguar patriotizëm të pastër këto vitet e fundit dhe se nuk e ka dëmtuar bashkimin kombëtar të vendit, madje mund të themi se edhe këtu kemi pasur tedenca të theksuara përçarëse,por kjo nuk ka fuqinë as mbështetjen që mund të ketë besimi mysliman në  Kosovë dhe në trojet e tjera arbërore në ish Jugosllavinë.  Kam frikë se në Kosovë po ngre krye tedenca e rrezikëshme të “një kombit kosovar” çka u pëlqen shumë sërbomëdhenjve dhe kjo nuk është e veçuar nga përpjekja që po bëhet për  ndarjen e gjuhës në toskërishte e gegënishte nga disa pseudointelektualë. Lufta që i bëhet pra gjuhës së njësuar, ose standarte si quhet kohët e fundit, bën pjesë pikërisht në ndarjen e kombit në Veri-Jug dhe kjo ka qënë dhe mbetet doktrina përçarëse të shovinistëve fqinjë dhe të armiqve të tjerë të kombit shqiptar. (pas Arshi Pipës  teoria antikombëtare e  dy gjuhëve- dy dialekteve dhe ndarja në Veri- Jug, flamurin e kësaj teorie famëkeqe e ka marrë një intelektual nga  Australia i cili ka emrin e çuditëshëm Fritz Rodovan!) Nga këto ka frikë dhe Ben Blushi dhe këtu ai më gjen të pajtohem  me të se nuk është e mundur të kundërshtojmë njeri thjetrin në të gjitha drejtimet… Për të tjerat çka shkruan libri i tij do të kemi kohë më vonë ta analizojmë dhe, pse jo, ta kritikojmë… në se do të kemi fatin dhe durimin ta lexojmë.

FATOS Lubonjën nuk e kam përkëdhelur në shkrimet e mia. Sigurisht që disa here jam indinjuar me mendimet e tij “radikale” por me dy shkrimet e fundit  më bëjnë jo vetëm të pajtohem me “opinionin” e tij por edhe ta përgëzoj. Shkrimi i parë bënte fjalë për korrupsionin ose më mire për pasurimin e  shpejtë dhe të pajustifikueshëm të disa politikanëve shqiptarë në kurriz të popullit më të varfër të Europës.Konkretisht fliste për ditlindjen e një nga shtyllat e pushtetit shqiptar këta 23 vite. Asnjë qeveri nuk ka mundur të qëndronte më këmbë pa mbështetjen e tij dhe ai nuk ka munguar nga asnjë qeveri, e djathtë ose e majtë qoftë. Për këtë nuk mund ta akuzojë ose ta shajë askush. Duket se ka aftësi të çuditëshme që ky njeri që sapo mbushi 45 vjeç të ketë qënë,gjatë gjithë kësaj kohe dhe të jetë akoma faktor i rëndësishëm e atij që quhet akoma tranzicion shqiptar. Duke qënë i tillë pra me të drejtë të festonte ditlindjen e tij mes shokësh dhe miqsh nga të gjitha palët politike shqiptare. Kjo do të ishte lavdëruese, por,mjerisht, festa e  ditlindjes së tij na kujtoi festat madhështore të Shahut Pehlevi të Përsisë,(Iranit të sotëm!) në 1000 vjetorin e dinastisë së  familjes së tij. Kështu kishte ngritur dhe ai çadra dhe tenda madhështore për të ftuarit! Por këtu u duk historikisht se ai ishte shahu i fundit i dinastisë, se në mënyrë arrogante, bënte festa madhështore në kurriz të një popullit që vuante për bukë. Për këtë pra e kritikonte Fatosi politikanin shqiptar dhe unë  nuk mund të mos e përgëzoj për kurajon se , në fund të fundit, ai vetë jeton në Shqipëri. Në shkrimin e dytë ai  vëren se politikanët shqiptarë nuk bashkëbisedojnë si kërkon Europa se nuk u a ka shumë ënda të hyjnë në Europën e Bashkuar! Me të vërtetë  mendimi i tij më befasoi se deri tani besoja se të gjthë-akoma dhe klasa politike shqiptare- donin të bëheshin “Si Europa!”! Fatosi na thotë se nuk kanë aspak dëshirë të hyjnë në Bashkimin Europjan se kështu do të kontrollohet korrupsioni dhe pasurimi i paligjëshëm i politikanëve dhe rrezikojnë- shumë prej tyre- të detyrohen të japin llogari se si u pasuruan kaq shumë dhe kaq shpejt!

Ajo që brengos më shumë është se shqiptarët nuk kanë kuptuar çastet historike që përjetojnë. Është koha më e favorëshme që kombi shqiptar të tregohet i bashkuar se kështu do të fitojë të ardhmen. Përçarja ka qënë dhe mbetet mallkimi i këtij kombit. Sot po të bashkohet do të jetë kombi më i fuqishëm në Ballkan dhe e ardhmja e tij do të jetë e sigurtë, e mire e respektuar. Por ai akoma është i përçarë, më i përçarë se kurrë, se duket se nuk ka kuptuar se kombi më i favorizuar të pas shëmbjes së kampit Lindor, ka qënë ai shqiptar dhe se,për herë të pare në histori, e gjithë bota demokratike u bashkua për shpëtimin dhe çlirimin e gjysmës tjetët të këtij kombit, Kosovës. Është e dhimbëshme të shikosh se akoma dhe sot shqiptarët janë të përçarë…sa habitesh se si  në ish Maqedoninë jugosllave, shqiptarët, në vend që të jenë të bashkuar në një parti kombëtare për të treguar fuqinë e tyre në mbajtjen më këmbë të atij shtetit artificial, janë përçarë në disa parti duke u lënë dorë të lire sllavëve edhe njëherë t’i shtypin dhe t’i diskreditojnë. Por për këtë do të flasim në shkrim të ardhëshëm…

Kristo Zharkalli           Athinë 6 prill 2014

Filed Under: Opinion Tagged With: bashkimi i shqiptareve, KRISTO ZHARKALLIU, Pse rrezikohet

CAKRANIT DUHET T`I KTHEHET IDENTITETI I HARRUAR

April 6, 2014 by dgreca

Një kujtesë për ministrin e kulturës, për institucionet që merren me trashëgimninë, por dhe për ata që dëshirojnë të ndihmojnë në zbulimet arkeologjike/

Nga Halil Bregasi/*

Nisur nga programi elektoral i PS si dhe porositë e vazhdueshme të Kryeministrit z. Edi Rama, për trashëgimin kulturore, fjalët e tij në Berat dhe në Grupin Parlamentar, kanë bërë dhe vazhdojnë të na zgjuajn edhe neve, jo vetëm mua, por shumë intelektual cakranjot, për të bërë diçka, që ato porosi e premtime, të gjejnë zbatim në zonën e Cakranit.

Zona e Cakranit ka peshën dhe vendin e vet në historinë e Mallakastrës, por dhe në atë të Shqipërisë. Është një zonë me popullsi të dëndur qysh në kohët më të lashta dhe vazhdon të jetë e tillë. Ka qenë dhe është zona lidhëse midis qyteteve të: Beratit, Tepelenës, Fierit dhe Vlorës. Si e tillë ka përjetuar pushtimet dhe luftrat më të egra të zhvilluara qysh në kohët e vjetra, por që i ka rezistuar vazhdimisht  zhdukjes dhe largimit nga vendbanimi. Ka merituar emrin “Zonë Martire”, ku gjurmët e këtyre pushtimeve, megjithëse të zhdukura, ekzistojnë dhe mund të shikohen edhe sot, sidomos për periudhat deri në mesjetë.

Cakrani i qytetërimeve të hershme, me një vazhdimësi jete për mbi 6000 vjeçare, sot nuk njihet si i tillë, as nga vendasit, e jo më nga institucionet shtetërore, pa diskutuar këtu për turistët vendas e të huaj.

Jo vetëm unë, por të gjithë intelektualët cakranjotë, do ndjeheshin mirë, në se do të njihej kjo histori e Cakranit, sepse, ajo tregon autoktoninë e banorëve të vjetër, të sotëm dhe atyre që do të vijnë, tregon etnitetin prehistorik të tyre.

Pse Cakrani sot, nuk njihet si vendi i kulturës neolitike, i periudhës paraurbane, apo i qytetërimeve në periudha të ndryshme të historisë? Kush pengon dhe si duhet rregulluar kjo “padrejtësi”? A mundet të ndryshoi kjo situatë? Këto dhe shumë pyetje të tilla dalin, por pyetja që nuk do ketë përgjigje është: kujt i intereson që kjo histori të mos njihet?

Kush është historia e periudhave të vjetra të Cakranit?

Për të qenë më i qartë për këtë problem, po përsërisë më poshtë, disa të dhëna mbi zbulimet arkeologjike të bëra në shekullin e kaluar, duke u përpjekur të sqarojë çfarë duhet bërë, sa më shpejtë, që të ndryshoi kjo situatë.

Zona e Cakranit, gjithmonë sipas meje, më duket se është nga të paktat zona në trojet shqiptare, ku jeta ka vazhduar pa ndërprerje, të paktën që nga periudha e neolitit e deri më sot dhe që mund të kishte një park arkeologjik të kompletuar, ku kushdo mund të gjente një histori lashtësie të mjaftueshme, aq sa duhej të ndjehej krenar që ishte bir i kësaj zone kaq të vjetër e të re. Në se do ishte ruajtur ashtu siç duhej, sot do kishim një park arkeologjik shumë të vizituar nga  turistë vendas e të huaj, nga i cili do të nxirreshin përfitime ekonomike të mjaftueshme për të përballuar nevojat për mirëmbajtjen e objekteve, por dhe  diçka do të tepronte. Po saktësoi disa të dhëna sipas periudhave:

   I. – Periudha historike e neolitit:

Në vitet 1969 – 1970 u ndërmorën kërkime në vendbanimin e Cakranit, i cili është i pari stacion i neolitit të mesëm që zbulohet në territorin shqiptar.

Në Thikëz u zbuluan dy horizonte banesash. Horizonti i parë është në thellësinë 2 – 2.20 m. Dyshemeja ka një sipërfaqe 21 m. katrorë e në mesin e saj ndodhet një vatër me sipërfaqe 2.5 m. katrorë Horizonti i dytë, banesa, u gjet në thellësinë 1.60 m, me sipërfaqe 24 m. katrorë, dyshemeja e bërë me argjil të ngjeshur e të pjekur. Në mes vatra prej 3 m. katrorë.

Banesa e parë në jep të drejtën të mendojmë se ajo ka qenë e futur e gjitha në tokë dhe çatia ka qenë mbi sipërfaqen e tokës. Me kalimin e kohës muret e banesave kanë

qenë pjesërisht të futura në tokë dhe pjesërisht mbi sipërfaqen e tokës, siç është horizonti i dytë.

Veglat e punës

Në vendbanimin e Cakranit veglat fillestare të hershme të punës janë bërë prej guri, kocke, briri. Veglat prej stralli janë përfaqësuar me shumicë, pas tyre vijnë ato prej guri e më pak ato prej kocke e briri.

Në veglat e gjetura ka thika, shpuese, kruese, maja shigjetash të formave e madhësive të ndryshme.

Qeramika

Në përcaktimin e tipareve të kulturës në vendbanimin prehistorik të Cakranit, interes të madh paraqet qeramika, e cila përbën pjesën më të madhe dhe më të larmishme të kulturës materiale. Punimi duket që është bërë i tëri me dorë. Dallohen dhe mund të rindërtohen këto tipa enësh:

– Kupat. Që paraqiten në shumë variante dhe kanë patur përdorim të gjerë. Ato nuk janë shumë të thella, ndryshojnë midis tyre nga përmasat. Diametri i tyre lëviz nga 14 cm deri në 28 cm.

– Tasat, që hasen në dy variante. Tasa të thellë me trung konik, me diametër 14 – 19 cm, si dhe tasa të thellë me parete gjysmësferikë nga brenda. Këto forma ngjajnë me ato të Dalmacisë e të Etalesë në Greqi.Janë gjetur dhe disa enë të tjera, prej të cilave disa me vegje.

  Zbukurimet

Në qeramikën e Cakranit ka disa lloje zbukurimesh. Çdo lloj zbukurimi i hasur në enët e gjetura përbën tipar dallues të kulturës neolitike të Cakranit.

Në zbukurimet duhen përmendur dhe disa sende të bëra prej kocke e guacke, që janë përdorur si stoli, ndoshta tek gratë. Është një unazë prej kocke, një guackë e shpuar që të varet dhe më i bukuri një peshk, bishti i të cilit është modeluar shumë mirë.

Interesante është që me thika prej stralli, njeriu (artist) i asaj kohe, të arrijë të bëjë gjëra të tilla.

Po ku janë vallë këto zbukurime? A i dinë vendasit këto pasuri të tyre? A e njohin nxënësit e shkollave të zonës këtë histori të lashtësisë?.

Në Cakran sot nuk ka një muzeum, ku mund e duhej të ishin paraqitur këto vlera e shumë të tjera që do i themi më posht, apo që nuk do arrijmë t’i përmendim  këtu. Kishte dikur një muzeum, ndoshta i politizuar, por që  mund të përshtatej me kohën dhe të ekspozoheshin pasuritë materiale të zbulimeve arkeologjike të kryera e që po kryhen. Në vendbanimin e neolitit të mesëm, siç thotë Prof. Dr. Muzafer Korkuti në raportin e mbajtur në Konferencën e 2 arkeologjike shqiptare, u mblodhën 12 mijë copa qeramike, mbi 500 kocka që vërtetonin ekzistencën e kafshëve shtëpijake. Nga këto, mjaftonin 12 apo 14 copa qeramike, nga dy për çdo lloj zbukurimi, që të ekspozoheshin për t’i parë njerëzit. Por jo vetëm kaq. Ato dy horizonte banesash, (dy gropa), mund të ruheshin ashtu siç ishin të zbuluara nga arkeologët, të cilët u lodhën me muaj duke punuar nën diellin përvëlues të asaj toke të zezë, por arritën ti gjejnë themelet e autoktonisë së banorëve të kësaj zone, dhe sot të vizitoheshin, të paktën nga nxënësit e shkollave, pse jo dhe nga turistët që do të vijnë patjetër.

II -Periudha historike e bronxit:

Edhe në këtë periudhë historike, në zonën e Cakranit ka patur jetë. Dëshmi e saj, janë gjetjet e objekteve prej bronxi dhe dëshmive të tjera. Kështu në “Thikëz”, pra ne vendbanimin e neolitit të mesëm, janë gjetur thika prej bronxi, gjë që është një tregues i vazhdimsisë së jetën në atë vendbanim. Të kësaj periudhe janë edhe tumat (varrezat tumulare) si ajo e Gorishovës, shumë e dëmtuar kjo, tek çezma e korombretit në fushë, dhe ajo e Patosit, ku janë gjetur 76 varre, 62 prej të cilëve i takojnë periudhës së bronxit të vonë e të tjerët të më vonshëm.Por gjetja më interesante e kësaj periudhe është shpata dhe heshta prej bronxi. Ato u gjetën rastësisht, duke hapur një gropë për vendosjen e një shtylle elektrike, në lagjen Dalipaj të fshatit Varibop. Shpata e dëmtuar në majë, ku i mungon një pjesë, është ruajtur në gjatësinë 84 cm., është me dorezë në forëm briri, ose në trajtë kryqi, me gjatësi 9 cm e të gjerë 2 cm. Doreza dhe kurrizi që përshkon fletën janë ruajtur shumë mirë, kurse fleta ka vende të dëmtuara. Kurrizi i fletës është zbukuruar me tre vija të holla që e përshkojnë atë në tërë gjatësinë. Sipas përcaktimit të arkeologëve ajo është e tipit mikenase dhe i takon periudhës së bronxit të vonë, shek XII para Krishtit. Maja e heshtës, është e tipit fletëgjerë me tun prizmatik tetëfaqësh. Fleta ruhet në gjatësinë 8.2 cm dhe e gjerë 6.2 cm. Megjithëse armë prej bronxi janë gjetur në fshatrat e Lushnjes, Vlorës, Elbasanit, Gjirokastrës, por maja e heshtës së Varibopit përbën një variant të ri.

III.- Periudhat e mëvonshme

Në fshatin Cakran, janë edhe dy vendbanime ilire, por që sot për sot nuk vizitohen nga askush, pavarësisht të dhënave shumë të vlefshme që ato paraqesin për historinë e kësaj zone.

I pari është vendbanimi paraurban i Qytezës, në Mashkiezë. Siç duket dhe në foton që paraqesim, është një kodër në faqe të malit të Cakranit, maja e së cilës ka qenë e rrethuar me mure guri, në një sipërfaqe rreth 0.3 ha, brenda së cilës ka patur banesa, por qyteza ka qenë e vendosur jashtë kalasë, në pjerrësinë e kodrës, ku janë zbuluar banesa të vendosura në tarraca të hapura posaçërisht, deri në pjerrësinë 50 gradë.

Vendbanimi i rrethuar me mure guri, paraqet interes për faktin se aty, në fushën e ndërtimit, kemi tre periudha ndërtimore: periudha arkaike, ajo helenistike dhe periudha mesjetare. Është kjo një dëshmi e ekzistencës për një periudhë shumë shekullore të këtij vendbanimi. Po në fushën e ndërtimit, është si e veçantë edhe ndryshimi që ka ndodhur në zhvillimin e fortifikimeve ilire duke u shkëputur nga format planimetrike të ndërtimit dhe duke shkuar drejt zbatimit të  forma gjeometrike në planimetri, sidomos të kthesave me kënd të drejtë etj. Arkeologët që kanë punuar për zbulimin e këtij vendbanimi gjatë viteve 1970 e më vonë, kanë saktësuar se një trakt i murit rrethues në anën perëndimore të tij, me një gjatësi 57 m. e gjerësi mbi dy metra, është ndërtuar në shek.VII para Krishtit  Në vazhdim të tij, është muri me gjerësi rreth 1.80 m, që ka teknik ndërtimi më të përparuar dhe është klasifikuar si i shekujve V –II para erës së re. Ndërsa gjëndet aty edhe një pjesë muri e ndërtuar me gurë të vegjël e me llaç, që i takon periudhës së Mesjetës.

Qeramika e fazës protoqytetare e këtij vendbanimi zhvillohet në tre faza (nivele), që përkojnë me periudhat e ndërtimit.

Në qytezë u gjetën monedha e sasi të mëdha drithërash e frutash të karbonizuara që vërtetojnë ekzistencën dhe zhvillimin e kësaj qendre deri në mesjetë, në shek. XIII – XIV, kur mendohet se mund të jetë shkatërruar. Monedhat e gjetura janë prej argjendi, të prera nga Duka i Athinës, Gijom I Rosh, gjatë viteve 1280 – 1287, i Akesë në vitet 1297 – 1301 dhe i Bohemundit VII të Antiokisë gjatë sundimit të tij në kontenë e Triportit në vitet 1274 – 1287.

Ky vendbanim mendohet se mund të jetë shkatërruar në gjysmën e parë të shek. II p.e.r., që lidhet me luftrat iliro – romake. Në mesjetë ka gjallëruar përsëri, apo ka patur një zhvillim te tillë që është bërë e njohur dhe jashtë zonës së krahinës duke patur lidhje deri në Athinë. Kështu del se ky vendbanim ka qenë një qendër e madhe tregëtare e shkëmbimi.

Sot ky vendbanim i rëndësishëm po shkon drejt zhdukjes, si pasojë e indiferencës së pushtetit vendor të Cakranit. Muret prej guri janë dëmtuar duke u marrë për thermelet ose muret e shtëpive që ndërtohen. Vendbanimi ka patur një hyrje nga ana veriore, por që nuk duket, mbasi është mbuluar nga ferrat e shkurret e tjera. Dikur ishte vend pelegrinazhi për nxënësit e shkollës së Cakranit, por që mund të frekuentohej dhe nga nxënësit e shkollave të zonës.

Në vazhdim të jetës qytetare në Cakran, është qyteti në faqen e malit në lartësitë deri 520 m., ku mendohet se ka ekzistuar një qytet i rëndësishëm. Të dhënat e para për ekzistencën e tij i dha arkeologu austriak Camillo Praschniker, gjatë pushtimit austrohungarez të zonës në vitet 1915 – 1918. Më vonë, janë bërë ekspedita informative aty dhe ka të dhëna të bollshme që vërtetojnë ekzistencën e qytetit, por, për mungesë infrastrukture, gërmimet aty nuk filluan kurrë në shkallë të gjerë. Megjithse, në kohën e lulëzimit të kooperativës bujqësore të Cakranit, deri afër e përbri këtij qyteti, u arrit të bëhej një rrugë për qerret e tërhequra nga qetë, ku u zbulua dhe u mblodh një thesar monedhash deri mbi 3 mijë copë, por askush nuk mendoi që kjo rrugë të rregullohej që aty të shkonin mjete si makinat. Në vitin 2009, u ndërmorrë një iniciativë nga Instituti i Arkeologjisë Tiranë, me temën: “Rikthim në Gurëzezë”, dhe u bisedua për hapjen e rrugës automobilistike, përsëri, nga pushteti vendor nuk u realizua bërja e rrugës. Më në fund, erdhi një kryetar komune, djalë i Cakranit dhe arriti ta hapë rrugën për të shkuar deri në majë të malit të Cakranit, Vladimir Korçari quhet, dhe kjo qe si një frymëmarrje lehtësuese për arkeologët e studjuesit, por vetëm kaq. Është një rrugë që mund të shfrytëzohet vetëm në verë. U bënë disa gërmime gjatë një viti, dhe për mungesë fondesh nuk vazhdoi puna.  Qyteti është emërtuar “Gurëzezë”, mbasi në atë faqe mali, janë dy gur të mëdhenj që dalin si gjokset e një nëne e që janë formuar nga rërat bituminoze, pra janë të zes. Në fakt emri i qytetit nuk dihet.

Qysh nga zbulimet e para e deri më sot, atje dihen se ka patur rreth 20 furra qeramike e tjegullash, që sipas arkeologëve datojnë në shekujt IV – II p.e.r., ashtu siç dihet për ekzistencën e një bazilike, që u hulumtua në vitin 2010 dhe disa stera uji.

Është një qytet që në kulmin e zhvillimit të tij, ka qenë rrethuar me një mur 2100 m gjatësi e sipërfaqe rreth 23 ha. Mendohet se ka qenë rezidenca e mbretit Monun që sundoi  tokat nga Drini në Vjosë në vitet 280 – 290 p.e.r., një thesar monedhash me prerje të këtij mbreti janë gjetur në fshatin Kreshpan, bri fshatit Cakran

Zbulimi i këtij qyteti ka rëndësi edhe për faktin se, në këtë zonë kërkohen qyetet Bragul, Eugen, Domastion, të cilët lidhen me historinë e lashtë të ilirëve, por dhe ekzistencën e qytetërimeve para helene, gjatë kësaj periudhe deri në mesjetë. Këto qytete kanë qenë të lidhura me Bylisin, Apoloninë, por dhe me qytetërime të largëta deri në Athinë, Korinth etje. Me këto zbulime vërtetohet autoktonia e banorëve të kësaj zone dhe nuk u lihet shteg fjalëve për ekzistencën e popujve me kombësi të tjera të ardhur deri këtu.

Thirrje u bëjë edhe institucioneve përgjegjëse si dhe intelektualëve cakranjot, për të ndërmarrë hapat e duhura që aty të punohet për zbulimin e kësaj kulture historike. Por mbi të gjithë këta që përmenda, përgjegjësia duhet kërkuar tek institucioni kryesorë, që duhet të koordinojnë punën dhe fondet e duhura për këtë problem shumë të rëndësishëm për ne e për historinë tonë.

Normalisht shtrohet pyetja: sa lekë duhen që atje të vazhdojnë gërmimet e zbulimet? Unë nuk jam kopetent për këtë, por nga bisedat private të bëra me arkeologë shifra të habit! Le të merren specialistët me llogaritjet, por meqënëse afron përpilimi i buxhetit për vitin e ardhshëm, mendoj se diçka duhet parashikuar edhe për Cakranin. Me aq sa di unë, shuma nuk duhet të jetë e madhe.

Sa më shumë aq më mirë, por jo më pakë se 500 mijë lekë në vit deri një milionë lekë, në mënyrë që të punoj një grup i kompletuar gjatë periudhës së verës, ndoshta edhe po kaq për restaurimin e dëmtimeve, sidomos në Qyterzë.

A nuk është habi të thuhet se kaq lekë nuk gjënden nga Ministria e Kulturës, apo nga Akademia e Shkencave dhe institucione të tjera që merren me trashëgiminë.?

Po kështu edhe për ndërtimin e një muzeumi fillestar. Them fillestar, sepse ai mund të zgjerohet, zmadhohet, pasurohet, në të ardhmen, në vartësi të nevojave, por edhe fondet do të jenë më të mundëshme.

Rëndësi duhet t`i kushtohet dhe rregullimit të asaj rruge që të shpie në Gurëzezë. Ajo duhe zgjeruar, shtruar me çakëll, mundësisht dhe me rërë bituminoze

Këto fonde  mund të jepen nga Komuna, nga qendra arkeologjhike e Fierit, apo nga MK, ndoshta dhe nga donatorë privatë, por këto burime duhet që të jenë në qendër të vëmendjes së atij që është përfaqësues i popullit aty, i cili duhet t`i gjej e t`i ndjekë deri në harxhimin e tyre vetëm për destinacionin e caktuar, e jo të vidhen andej-këtej.

I bindur që diçka do të bëhet e do të gjëndet zgjidhja e duhur, shpreh respektin e konsideratat e mia maksimale, për të gjithë ata që do ndihmojnë në zgjidhjen e këtij problemi.

* Halil Bregasi/Redaktor i Revistës “Cakrani”

 

Filed Under: Kulture Tagged With: CAKRANIT DUHET T`I KTHEHET IDENTITETI, Halil Bregasi, I HARRUAR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4706
  • 4707
  • 4708
  • 4709
  • 4710
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT