• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHTËPIA E BARDHË: Veprimet e Moskës në Krime krijojnë një situatë tejet të rrezikshme

March 19, 2014 by dgreca

* KRIME – SHBA-ja shqyrton mundësinë për trupa ushtarake në vendet balltike/

SHBA-ja dënoi sot veprimet e Moskës në Krime, për të cilat u shpreh se ”po krijonin një situatë tejet të rrezikshme për të gjithë rajonin dhe më gjerë”.“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dënonjë veprimet që Rusia po ndërmerr për të marrë kontrollin në bazat ushtarake ukrainase në Krime, përmes të cilave po krijohet një situatë tejet e rrezikshme për rajonin dhe më gjerë”, deklaroi gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë zëdhënësi i presidencës amerikane, Jay Carney.

KRIME – SHBA-ja shqyrton mundësinë për trupa ushtarake në vendet balltike

VILNIUS – SHBA-ja mund të dërgojë trupa ushtarake në vendet balltike për të mbështetur dhe theksuar sigurinë për ish-republikat sovjetike, tepër të shqetësuara si pasojë e aneksimit të Krimesë nga Russia, sipas një deklarate të numri dy të Shtëpisë së Bardhë.

”SHBA po shqyrton dërgimin e trupave në vendet balltike për të mbështetur dhe theksuar sigurinë e vendeve të rajonit, të cilat janë të shqetësuara pas aneksimit të Krimesë nga Rusia”, deklaroi zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden në Vilnius, gjatë një konference shtypi me presidenten lituaneze, Dalia Gribauskaite dhe homologun e tij letonez, Andris Berzins.

 

 

 

Filed Under: Rajon Tagged With: Krimeja, Shtepaia e Bardhe, vendet Balltike

THIRRJE:Bashkohuni në protestën e 8 prillit në Washington!

March 19, 2014 by dgreca

Është koha kur shtetit të Malit të Zi t’i thuhet “ STOP “ aplikimit të politikave të dyfishta ndaj shqiptarëve/

Shoqatat shqiptare me origjinë nga trojet tona etnike nën Mal të Zi, me veprimtari në SHBA-së,të bashkuar si asnjëherë tjetër më pare,ju bëjnë thirrje që të merrni pjese në demonstratën,që do të organizohet në Washington DC me datën 8 Prill 2014, me rastin e vizitës të kryeministrit malazez Gjukanoviq në Washington DC. Demonstrata do të mbahet para Shtëpisë së Bardhë dhe Ambasadës së Malit te Zi .

1. Shoqata “ Ana e Malit “ – New York
2. Shoqata “ Dedë Gjon Luli “ – New York
3. Fondacioni “ Dom Simon Filipaj “ – New York
4. Fondacioni “ Plavë-Guci “ – Nmew York
5.Fondi Humanitar “ Malësia “ – New York
6. Shoqata Atdhetare “ Malësia e madhe “ – Detroit
7. Shoqata Atdhetare “ Kraja “ – New York
8. Shoqata “ Ulqini “ – Chikago
9. Rrënjët Shqiptare

I bëjmë thirrje komunitetit shqiptar në SHBA-së,Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Këshillit Shqiptaro-Amerikan,Organizatës Panshqiptare “ Vatra “ Shoqates Rugova dhe gjithë shoqatave me origjinë nga trojet tona shqiptare me veprimtari në SHBA-së,që ta përkrahin këtë demonstratë, të marrin pjesë masive dhe të solidarizohen me vëllëzërit tanë që gjenden nën Malin e Zi !
Kjo demonstratë organizohet për të ngritur zërin e protestës kundër politikës diskriminuese të cilën, aparati shtetëror malazez ushtron vazhdimisht kundër bashkëkombasve tanë në vendlindje.
Është koha që të parandalojmë integrimet e Malit të Zi në botën demokratike, është koha që ne shqiptarët autoktonë nën Mal të Zi të kërkojmë me forcën e arsyes, që t’i gëzojmë të gjitha të drejtat, sipas konventave të botës demokratike.
Është koha kur shtetit të Malit të Zi t’i thuhet “ STOP “ aplikimit të politikave të dyfishta ndaj shqiptarëve. Nisja behet ne mënyrë te organizuar me autobus ,ne Bronx, Arthur ave para lokalit te Gjergj Dedvukaj “Giovanni” dhe ne Brooklyn kryqezimin Church dhe McDonald, ditën e Merkure me daten 8 Prill 2014, ne ora 4:30AM

Apelojmë tek te gjithë te interesuarit qe t’i bëjnë rezervimet për udhëtime me autobus sa me shpejt.
New York – Për rezervimin e vendeve ne autobus ju lutem telefononi: per Bronx, Agim Rugova 917 291 0138 dhe Fahredin Kukaj 201 304 1113, Brooklyn, Mustaf Ahmetaj 917 548 6273
Detroit- Nisja behet ne mënyrë te organizuar me autobus , nga oborri i Kishës së Shën Palit në Rochester Hills, ditën e Hënë, me 7 Prill, 2014, në ora 8 të mbrëmjes.
Për rezervimin e vendeve ju lutemi telefononi: 586-530-0373 dhe 586-929-9062

Filed Under: Komunitet Tagged With: Bashkohuni me ne, me 8 prill, Proteste ne washington, Tirrje

Nuk ka tokë që t’i pranojë krimet e komunizmit

March 19, 2014 by dgreca

*“E lajnë dot ujërat e mbitokës gjakun e të deklasuarëve që skuqi tokën amë për 50 vite?!/

*Ç’medikament duhet të shpikë shkenca që të shërojë plagët që shkaktoi diktatura komuniste të cilat ende rrjedhin?!/

*E kanë pyetur ndërgjegjen “rrëfimtarët apasioannt” të vuajtjeve se kundër kujt u bë lufta e klasave?!/

*Luani me jetën e cilitdo, shndrrohuni në klloun mesjetar, për t’i thurur elozhe që ta vini në piedestal historik çdo lloj krimineli apo xhelati, shkaktar të luftës së klasave, por mos i rivrisni viktimat!/

*Nuk gjendet baltë mbi globin tokësor që t’i pranojë si të drejta krimet e komunizmit…!”  /

*Nuk ka vend mbi tokë që t’i pranojë si të drejta krimet e komunizmit/

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj/

 

Si pikënisje e këtij shkrimi më shërbeu nxitja që bëjnë disa media vizive apo të shkruara, të cilat në dukje dënojnë krimet e komunizmit, por në fakt u thurin lavde, i bëjnë të pavdekshëm ata që u bënë vegla të Diktatorit, të atyre të pafeve e burracakëve që përçuan në këtë komb vital idetë komuniste të huajtura nga sllavët e Moskës dhe Beogradit, ide, që s’ kishin asgjë të përbashkët me shqiptarizmin. Në shumë raste disa fenomene tragjike të ndodhura në diktaturë i sfumojnë, kurse disa të tjera i zmadhojnë duke i marrë si etalon, apo si shembull i vuajtjes e dhembjes së shkaktuar atë kohë.

Jo vetëm mua, por gjithë atyre që gjykojnë me objektivitet, duke qenë realist, u ka rënë në sy dhe kanë konstatuar se disa media, apo analistë të cilët japin opinione të njëanshme lidhur me luftën e klasave, gabojnë rëndë.

Nuk di se ku e kanë qëllimin, ku synojnë të dalin këta “rrëfimtarë të apasionuar” të kolerës komuniste. Gati sa s’u bije zali, duke u shkumëzuar si epileptik, kur flasin për atë sistem kriminal që shkaktoi te gjysma e shqiptarëve vuajtjet e pashembullta antinjerëzore dhe solli armiqësinë mes tyre. Të jesh i njëanshëm me një pushtet që kishte mohuar atë shtresë ndaj së cilës u bë lufta e vërtetë e klasave, duke e zhytur në skamje, varfëri e mjerim të tejskajshëm, është krim. Për shtresën, së ciës diktatura komuniste i dhuroi me të tepërt vuajtje çnjerëzore dhe në të njëjtën kohë e mohoi, e vrau, e burgosi, e internoi, e zhveshi nga çdo lloj mjet jetese, duke i zhvatur mizorisht e kafshërisht pasurinë e tundshme dhe të patundshme, pa asnjë lloj norme humane, duhet thënë e vërteta. Si në asnjë vend tjetër të botës, madje as në Rumaninë e Çausheskut, që u dënua për krimet ndaj rumunëve, nuk ndodhi ajo padrejtësi sociale si në Shqipëri. Tek ne u zhduk prona private dhe u shpërdorua dinjiteti human, u bë një luftë e egër, që e gjeti shprehjen telufta antinjeri.Vetëm në vendin tonë të begatë, fisnikërisë i mohuan jetën, profesionin, të drejtën e arsimimit. E denigruan, e degdisën si një plaçkë pa vlerë dhe jo si njerëz, nëpër këneta, kanale e mes malesh, larg qytetërimit e megjithatë kjo shtresë i mbijetoi dhunës së diktaturës më të egër që ka njohur mbarë njerëzimi. Vetëm në Shqipëri u bë genocid brenda llojit të një race, të një gjaku e të një gjuhe. Natyrisht pa viktimat shteti policor e humbte fuqinë e tij, do të zbehte madhështinë e fanarit ndriçues. Pastaj do të dilnin të paaftë, të papunë kriminelët e dhomave të hetuesisë, ku torturat brenda tyre do të zilepsinin inkuizitorët e mesjetës.

Duke u paraqitur në ekran si Klloun Cirku, Bufonapo Lolo të Oborreve Mbretërore të Mesjetës,sharlatanët që i përshtaten çdo kohe, që ndërrojnë flamur sipas drejtimit të flugerit, e ngrehin në piedestal luftën që është zhvilluar brenda gjirit të Partisë së Punës, brenda administratës së lartë shtetërore, e cila nisi vonë në Shqipëri. Askush nuk e mohon, por…

E kanë pyetur ndërgjegjen”rrëfimtarët apasionant” të vujatjeve pafund e çnjerëzore se kundër kujt u bë lufta e klasave?!

Shpikja më e madhe e P. K. Shqiptare qysh në fillimet e saj, krahas luftës ndaj të huajit programoi dhe propagandoi Luftën e Klasave. Menjëherë pas çlirimit të vendit, synimi i saj ishte luftë pa kompromis kundër klasës fisnike, bejlerëve dhe agallarëve, kundër familjeve të pasura e të mesme, ku hynin çifligarët, tregtarët, borgjezia e vogël e qytetit dhe intelektualët e diplomuar në Universitet më në zë të Evropës. Për ata dhe fëmijët e tyre askund nuk dukej se kishte më dritë jeshile, por vetëm drita e kuqe si sinjali i semaforit(ndalim qarkullimi). Nga do që të hidhnin shikimin, me sy të shqyer lexonin “SOS“, pra koha e tyre kishte mbaruar. Tashmë e kishin mëse të qartë se risku i tyre ishte burgu, internimi apo kthetrat e vdekjes që i prisnin në qelitë e ftohta për t’i kallur më pas hendeqeve kufomat e tyre, si pa atdhe e pa familje, që shërbyen ushqim për korbat dhe insektet, apo kërma për hienat.

Edhe ajo copë tokë, nëse do të kishin mirësinë t’i varrosnin për humanizëm, ku ndoshta do të denjonin t’u shkruanin emrin e tyre, vetëm mendimin se ata treteshin aty, u kallte tmerrin idhtarëve të komunizmit. Idealistët e verbër ndërgjegjësisht e kishin mëse të qartë se, nëse nuk do të kishte viktima, atëherë kriminelët dhe xhelatët e kohës do të ngeleshin të papunë.

Si mund të jesh atdhetar i mirë e i besës, kur ti bën genocid shfarosës, brenda llojit të së njëjtës racë, që ka një gjak dhe një gjuhë me ty?!

Lufta e klasave u bë me etapa. Edhe pse e pashpallur, e padokumentuar si përparësi apo si program, u muarën masa për forcimin e Partisë mëmë. Lufta për përmbysjen e klasave, nisi qysh gjatë luftës, ku vriteshin pa gjyq apo pas krahëve bijtë dhe bijat e të pasurve apo intelektualët, si rrezik për pushtetin e ri popullor për të cilin po përgatitej terreni. Kurse vëllavrasja në masë filloi pas konferencës së Mukjes. Ende pa u çliruar vendi, nisën të pushkatojnë e të burgosin në emër të popullit me akuzë si kriminelë lufte,krime që kryheshin me urdhër të emisarëve të Beogradit.

Qysh gjatë luftës ,P.K Sh. futi përçarjen brenda familjeve të piketuara për shfarosje. Njërin vëlla e bëri Prokuror, Drejtor banke, Ministër, kurse vëllanë tjetër, arsimuar në Kembrixh, e pushkatoi. Çfarë shqiptari është ai që e gëlltit krimin, e pranon si të drejtë vrasjen e vëllait dhe më pas i qëndron besnik Partisë, dora vrastare e së cilës e la pa krahë?

Ishte ai sistem që ndau babanë nga djali,vëllanë nga vëllai, gruan nga burri…Atëherë ku qëndronte humanizmi i partisë- shtet, për të cilin njeriu ishte thesar i paçmuar? Nëse shkatërron familjen, shtetin e ka marrë lumi, sepse familja si qelizë e shoqërisë është pasqyra e shëndetit të një kombi. Duke qenë vegla të verbëra të të tjerëve, apo duar të tyre për të kapur kokën e gjarpërit, ata kishin harruar se shtresa e mesme dhe intelektualët ishin Palca dhe Truri Kombit. Kur zhduken këto, kombi ngelet në hapësirë boshe, pa themele, pa frymëmarrje dhe pa të ardhme.

Lind pyetja: “E lajnë dot vallë ujërat e mbitokës gjakun e të deklasuarëve të pafajshëm që skuqi tokën amë për 50 vite?!”

Është e drejta juaj të luani me jetën e cilitdo. Po të doni shndrrohuni në klloun mesjetar apo aktor skene, për t’i thurur elozhe që ta vini në piedestal historik çdo lloj krimineli apo xhelati, ose shkaktar të luftës së klasave, por mos i rivrisni viktimat! Kjo për arsyet që thamë më sipër e që po vijojnë…

Kur burgjet mbusheshin me bijtë e të deklasuarëve dhe me intelektualë, kurse kampet e internimit tejngopeshin me familjet e fisin e tyre, ndërkohë fëmijët e atyre që zbatonin luftën e egër të klasave shkuan me studime në B.S, në Poloni, Çekosllovaki, Hungari, Rumani, Bullgari, Kinë, pse jo dhe në Francë, Beograd etje… Fëmijëve që studjonin jashtë vendit, Partia dhe Sigurimi i Shtetit u dhanë udhëzime familjarizimi, përzjerje gjaku dhe race. Kështu lidhën krushqi Tirana me Moskën, Beogradin, Varshavën, Bukureshtin, Pragën, Sofjen e Budapestin. Natyrisht familjet dykombëshe më pas u vendosën në Shqipëri dhe u emëruan nëpër fole pëllumbash.

Në të njëjtën kohë që këta të rinj të saporikthyer nga studimet, punonin në administratën e lartë shtetërore, fshatari i mesëm u damkos me titullin e Kulakut, që në kundërshtim me sqarimin e konceptit në fjalor( kulak=fshatar i pasur me shumë tokë), ai quhej kulak, kur kishte ngelur me gisht në gojë. Pa të ardhurat e mjaftueshme, e rënduan me taksat e jashtëzakonshme. Për gjendjen në të cilën ndodhej, ai nuk i përballonte dot. Përsëri e burgosën në emër të popullit si armik klase dhe familja internohej. Pa llogaritur gjithë vendin, vetëm Vlora ka pasur 40 000 të persekutuar.

Po flas si dëshmitare okulare.

Nuk ka ndodhur në kohë paqeje në asnjë vend të botës, që shteti të dënonte në një ditë të vetme 70 apo 80 burra njëherësh duke e quajtur “Gjyqi i kulakëve”.  

Nuk ka diskriminim racial më të madh se ai që u është bërë këtyre burrave në mars 1952. Para se t’i çonin në kinema” Ali Demi “Vlorë , ku do të bëhej gjyqi, i shëtitën nëpër qytet me këmbë dhe duar të prangosura si skllevër dhe në qafë u kishin varur dy tabela. Njëra në kraharor, ku shkruhej: “Këtë meriton armiku i klasës “dhe tjetra në shpinë, ku shkruhej: “Kriminelët në litar!”

Në viteve 1952-1955, ishte faza e dytë e luftës së klasave, e cila përfundoi me Konferencën e Tiranës, ku u burgësën e u internuan njerëzit e rrezikshëm për PPSH, natyrisht me prejardhje nga shtresat e pasura.

Ndërkohë nisën të acarohen marrëdhëniet me Rusinë dhe me kampin socialist. Prishja e miqësisë me BS dhe kthimi i studentëve në Shqipëri ende pa u diplomuar, solli rritjen e luftës së klasave, nga frika e rënies së pushtetit komunist . Një rrezik për pushtetin e pathemeltë ishte feja. Në vitet 1965-1967 lufta e klasave arriti kulmin. Vetëm në Vlorë më 16 gusht 1966 u pushuan 165 intelektualë të fushave të ndryshme që i përkisnin familjeve të deklasuara, pa asnjë motivacion.

U mbyllën të gjitha kultet fetare, muslimane, ortodokse dhe katolike. Lufta më e madhe u bë ndaj besimtarëve dhe priftërinjëve katolikë, meqë ishin direkt në vartësi të Vatikanit. U burgosën me dhjetëra priftërinjë të besimit katolik, që vdiqën burgjeve por kurrë nuk e humbën besimin te Zoti.

Më 1967 i përndoqën nga qyteti, barbarisht si pa atdhe, i interniuan të gjitha familjet e deklasuara. Nuk iu thanë se pse ishin të padëshirueshëm, por shkonte kamioni te dera dhe policët i hidhnin plaçkat sikur ishin plehra. I syrgjynosnin atje ku ata s’ kishin as shtëpi dhe as pronë. Një internim i ri, ku e rinisën jetën nga zero.

U strehuan në hangaret e duhanit, në kotecet e pulave të kooperativës apo në rrënojat e varreve të pashallarëve. Iu mohuan jetën, të drejtën e punës, iu mohuan profesionin, duke iu ofruar një të ardhme të zezë, pa të nesërme…

Jeton akoma një ish i dënuar politik i tetorit të vitit 1944, i cili u fejua në burg. Një vajzë e re , vetëm 16 vjeçe e priti të dashurin sa doli nga burgu. A nuk shërben si shembull besnikërie dhe qëndrese për mediat? Apo vetëm të huajat ishin të virtytshme?

Është gjallë një vajzë që e priti babanë në burgun e Bulqizës 28 orë që të dilte bashkë me shokët të ngelur brenda në minierën e shembur. Prisnin në ankth e nuk dinin nëse do të dilnin gjallë apo jo. Është ende dëshmitarja e një krimi makabër kur priste të takohej me të atin, në burgun e Bulqizës. Në të aguar skuadra e pushkatimit gajasej teksa kthehej nga ekzekutimi i 14 burrave, 14 bijë nënash.

Sa nëna, motra, gra jetojnë për të treguar se si i kanë kthyer për vendi, duke udhëtuar në shi e baltë, në diell e të ftohtë për t’u çuar ushqime burrave apo djemve të tyre dhe kanë ikur pa u takuar me ta, pa ua dhënë ushqimet. Sa ish të burgosur jetojnë për të treguar tmerret gjatë hetimit, biseda të llahtarshme me vdekjen në qelitë e izolimit, varja në një trung si Krishti i gozhduar, futja nën tendën e izoluar nën djellin e korrikut e gushtit, pa lenë t’i afrohet askush, pa ujë pa ushqim 24 orë. Ose varrosja për së gjalli në tokë nga mëngjesi në mbrëmje, duke u lënë vetëm kokën jashtë pa ujë, pa bukë në vapë apo dëborë… Kjo ka qenë taktika e burgut të Bedenit(Kavajë). Njoh edhe të burgosur të Bedenit që mund të tregojë se jo të gjithë u rezistonin torturave. Kishte edhe nga ata që prenë me briskë a me lugë, venat dhe barkun, duke u dhënë fund torturave. Ka dëshmitarë që në Kënetën e Maliqit Profesorin shkodran e varrosi polici të gjallë se nga pafuqia, jo vetëm s’bënte normën, por nuk rrinte dot në këmbë. I gjori profesor, u rrëzua dhe gjeti vdekjen nga shkelmimet e policit.

Nuk jam në kundërshtim që të tregohen të gjitha vuajtjet qofshin vendas apo burgosja e të huajave. Duhet pasur parasysh se lufta kundër tyre apo në gjirin e Partisë nisi kur të përndjekurve ua kishin prerë llampën e zërit dhe frymëmarrjen, i kishin katandisur në atë gjendje, sa që mendonin vetëm për bukën e gojës dhe për asgjë tjetër 30 vite para tyre.

Dhuna ngelet dhunë. Padrejtësia është e papranueshme për cilindo. Do të më pëlqente të kishte më tepër realitet nga media, historianët. Në media thirren gjithmonë ish pushtetarë të diktaturës apo fëmijët dhe nipat e tyre. Mos vallë vetëm ata i rezistuan vuajtjes? Në fund të fundit lufta ndaj tyre kishte karakter tjetër, jo klasor.

Lufta e klasave nisi me shtresat e pasura dhe të mesme, të cilat i kaluan 70 vjet që janë denigruar dhe vazhdojnë të mohohen. Kur filloi pastrimi në administratën e diktaturës komuniste, të deklasuarit ishin njerëz të vdekur . Lufta e klasave ndaj tyre vazhdoi edhe pas viteve 1970 dhe vazhdon edhe sot, kur ende fëmijët e tyre nuk e kanë gjetur veten.

Në vendin tonë historia nis e shkruhet nga “A”-ja pas çdo ndryshimi politik apo social, duke mbrojtur interesat e klasës apo Partisë politike në fuqi. Me këtë mënyrë kurrë nuk do të kemi një histori të vërtetë. Të deklasuarit do të ngelen ish pronar, ish të përndjekur, ish të burgosur… Është kjo arsyeja që nuk ka medikament të mjekojë plagët e të deklasuarve që ende vazhdojnë të rrjedhin edhe sot. Nuk ka ujë mjaftueshëm të lajë gjakun e tyre të pafajshëm që skuqi trojet arbërore.

Janë tre nga kushtet që duhen plotësuar për pranimin e Shqipërisë në BE: *Dëmshpërblimi i të përndjekurve, *Kthimi i pronës te pronari legjitim, e cila plotëson kushtin e tretë; *Integrimin e të përndjekurve politikë.

Media të nderuara, ka plot të përndjekur që ndihen të integruar, por për fat të keq nuk janë pjesë as e Sigurimit të Shtetit as e spiunazhiut të huaj dhe as nga ata të përkëdhelurit e diktaturës. Vetëm kur peshorja e realitetit nuk do të anojë nga asnjë anë, atëherë do të vendoset se ndaj kujt shtrese u bë lufta e klasave, një luftë e vërtetë antinjerëzore.

 Ndaj me të drejtë pohoj se, nuk ka tokë në rruzullin tokësor që t’i pranojë si të drejta krimet e komunizmit, ndaj plagët që kanë shkaktuar kanë ngelur të freskëta dhe dhembin si atëherë. Sepse janë aq të rënda ,sa nuk ka medikament që t’i shërojë.

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: krimet e komunizmit, Vilhelme Haxiraj Vranari

Tridhjetë e shtatë Marse pa djemtë e Marsit

March 19, 2014 by dgreca

Nga Bedri BLLOSHMI/Ditët, javët, muajt, vitet dhe shekujt kalojnë. Ne lindim, rritemi, marrim frymë, nganjëherë edhe buzëqeshim. Më pas vdesim ose nga Zoti ose nga dora e xhelatëve komunistë.Në fshatin Bërzeshtë të Librazhdit, në vitin 1941, më 23 mars do të lindte poeti e mësuesi Genc Leka nga prindërit Bardho (Feim) dhe Nergjize Leka. Ndërsa më 18 mars 1948 në një familje tjetër patriote do të lindte Vilson Blloshmi nga prindërit Sami dhe Nadire Blloshmi. Sot Genc Leka do të ishte 73 vjeç ndërsa kushëriri i tij, shoku i tij, zemra e tij, oksigjeni i tij, Vilsoni do të ishte plot 64 vjeç. Po ku janë këta dy djem? Ҫ’u bënë? Kanë vdekur? Pse?

Jo, ata i vranë me një akuzë të stisur më 17 korrik 1977 në një përrua të thellë, të thatë e të fshehtë të quajtur me një emër po aq të çuditshëm “Përroi i Firarit”. Por kur kishte ndodhur ndjekja apo survejimi i Gencit dhe i Vilsonit nga sigurimi famëkeq i bandës komuniste?!

Në vitin 1950 Bardho Leka, ky luftëtar i paepur kundër pushtuesit, e kuptoi se komunistët po ia mblidhnin lakun pas qafe, arratiset dhe vendoset në Prizren të Shqipërisë (por të grabitur nga fuqitë e asokohe në 1913-tën). Genci u rrit herë me bukë e herë pa bukë dhe vazhdimisht zbathur bashkë me dy motrat e tij, Gjiskën e degdisën në shkretëtirën e Tepelenës. Me shumë sakrifica Genci mbaroi Pedagogjiken në Elbasan i jashtëm, duke e strehuar një mik i vjetër i familjes. Në vitin 1959 Gencit i hapën kartelën dhe e ndiqnin këmba – këmbës. Unë e kam “shtrydhur” arkivin e Sigurimit, e kam gjetur dhe e kam botuar në një libër “Dosjen operative” të Gencit, e cila ka brenda të gjitha plehrat e sigurimit bashkë me minjtë e gjerizeve. Janë me emra dhe të zbardhur si bashkëpunëtorë. Kjo dosje ka vazhduar deri më datën 31 gusht 1976 kur Genc Lekës i hodhën prangat për të mos ia hequr më kurrë.

Ndërsa familja jonë ka tjetër tragjedi, por po e rishpjegoj. Në vitin 1946 filloi grabitja e pasurisë së tundshme e të patundshme nga grabitqarët komunistë, të cilët gjatë luftës civile ‘43-‘44 vranë sa deshën nga fisi atdhetar i Blloshmëve. Në vitin 1950, një nga dajët tanë, Sabri Debrova arratiset bashkë me Bardho Lekën. Në qershorin e vitit 1952 në familjen tonë ia mbërrin Sigurimi famëkeq. Arrestojnë xhaxhanë tonë, Hasan Blloshmin me akuzën “takim me diversantët” (me dajën e tij Bardho Leka) dhe e dënojnë me 22 vjet heqje lirie dhe sekuestrim të pasurisë. Në këtë kohë ishim cilësuar si ‘kulakë”. Në vitin 1963 mbërrin prapë Sigurimi. Këtë radhë kishin arrestuar babanë në Qukës. Bënë kontroll e rrëmujë nëpër shtëpi. Ata na kërcënonin duke na thënë se ne të gjithë e kishim vendin në burg sapo të rriteshim, ndërsa ne duke qarë e të uritur dridheshim nga frika në cepin e dhomës, ku na kishte ngjeshur Sigurimi. Vilsoni ishte në shkollë në Elbasan, edhe kyi i strehuar tek një mik i familjes, vazhdonte si i jashtëm, si Genci. Vili e kishte marrë vesh se na kishin arrestuar babanë, vjen në shtëpi i përlotur dhe thotë: “Unë do e lë shkollën xhaxha Bukurosh, sepse nuk kemi mundësi, u bënë dy në burg”. Xhaxhai e “kërcënoi” Vilsonin: “Ti vazhdo shkollën, ke për detyrë të na zbardhësh faqen e familjes, vetëm mëso! Dëgjove? Të tjerat i dimë ne”.

Gjatë kërkimit nëpër arkiv, gjeta dhe “Dosjen operative” të Vilsonit, tek e cila ndjekja kishte filluar qysh në vitin 1963, kur vazhdonte shkollën në Elbasan deri më datën 5 gusht, kur i hodhën prangat tek ura e Librazhdit. I hedhin hekurat, e mbulojnë me një batanije ku herë pas here e zbulonin, i vendosin një palë syze dielli e mbas disa orësh e plasin në birucën Nr. 20 tek “Mine Peza”, në Tiranë. Mbas shumë kohe tortururash nga disa hetues (emrat janë në librin “Terrori Komunist”), por dhe personalisht nga xhelati Kadri Hazbiu e kthejnë në birucat e Librazhdit, me një krah të gjymtuar.

Torturë pas torture, më 17 shkurt 1977 na dhanë akt-akuzën të formuluar siç deshën ata bashkë me Dhimitër Beshiri, i cili vinte nga Tirana pothuajse përditë. Prisnim siç pret mali nën dëborë të na nxjerrin në gjyq dhe një ditë na thërresin një e nga një, na morën akt-akuzat dhe Vilsonit i shtuan veç nenit 73/I dhe nenin e “Sabotimit” parashikuar nga neni 72-12 të Kodit Penal. Çdo gjë ishte bërë gati, salla, parullat, populli ishte “sqaruar” dhe sipas planit të Sekretarit të Parë, Sotir Koçollari dhe kryetarit të Degës, Merdar Hasa, prokurorit Qani Lavdari, gjykatësit Subi Sulçe, një muaj e gjysëm më parë ishte marrë vendimi se si do të dënoheshin.

Unë po citoj fjalë për fjalë siç është shkruar në f.9, gërma ”g”dhe gj  nga Subi Sulçe:

G : – Mbi jehonën që ka bërë ky gjyq në gjithë rrethin e Librazhdit dhe pjekuria politike dhe ideologjike që manifestuan pjesëmarrësit në gjyq.

Gj : – Mbi diskutimet e pjesëmarrësve në gjyq për dënimin kapital të dy të pandehurve; Vilson Blloshmi e Genc Leka. Plani i masave për gjykimin e çështjes penale në ngarkim të pandehurve, datë 28.4.1977. Po të njëjtën datë ka dhe protokolli i Sekretarit të Parë Sotir Koçollari.Koçollari thotë ata kanë në mendjen e tyre plane imagjinare, Vilsoni është më i zgjuar dhe nuk e pranon krimin se e di që e pret plumbi.

Ne kemi dalë në gjyq më datë 6 qershor deri më 12 qershor 1977, gjyqi ishte formal se vendimi ishte marrë në Komitetin e Partisë. Ishte vendosur që Genc Leka dhe Vilson Blloshmi nuk duhet të jetonin më. Edhe Gjykata e Lartë me kriminelin Aranit Çela, ishin dakort që të pushkatoheshin. Po ashtu dhe trutharët e Presidiumit të Kuvendit Popullor nuk e ndryshuan vendimin, e lanë në fuqi.

Edhe pas tridhjetepesë ditësh, të lidhur kokë e këmbë në qeli, nën vapën përvëluese të korrikut, një tjetër xhelat urdhëron dhe firmos se me datë 17 korrik, në orën 00.00 duhet të ekzekutohen Genc Leka dhe Vilson Blloshmi në vendin e caktuar.

Ja marsi i vitit 2014! Janë plot tridhjeteshtatë vjet që Genc Leka me Vilson Blloshmi nuk janë më. Duhet thënë se gjithë kriminelët e sigurimit dhe terroristët komunistë, gëzojnë shëndet të plotë dhe përkrahje politike dhe ekonomike. Të gjithë atyre që e realizuan këtë skenar askush nuk u kërkon llogari. Gjithashtu të gjitha krimet që janë kryer në Shqipëri, janë pa autor se nuk i detyron askush të japin llogari.

Genci dhe Vilson, jua kam thënë dhe herë të tjera se të gjithë hartuesit e kësaj tragjedie janë shëndoshë e mirë sepse i ka përkrahur dhe pasuruar partia debatikase e udhëhequr nga një sekretar partie, i zgjedhuri dhe i besuari i Sekretarit të Parë, Ramiz Alia, të cilin edhe kur ndali frymëmarrjen partia debatikase, e ka përcjellë në shtratin e topit, në banesën e fundit. Tani po përfundoj o Genci e Coni, është vonë, do ju kujtoj gjithmonë dhe kurrë s’kam për t’ju harruar.

19 Mars,2014, ora 01.00

 

Filed Under: ESSE Tagged With: 37 marse, Bedri Blloshmi, pa djemte e Marsit

Shqipëria do të bëhet sepse është siguruar

March 19, 2014 by dgreca

Duke e përmbledhur problemin shqiptar sot, po që se kthehemi mbrapa dhe shikojmë momentin të cilin Rilindasit e ruajtën dhe organizuan këtë koncept të Shtetit , deomos duhet ta kuptojnë se ai ishte për ta ruajtur substancën e Identitetit tonë kombëtar , pra edhe politik , nga shfarosja dhe gllabërimi i atëhershëm nga shtetet fqinje . Shkurt idea për ta ruajtur tërësinë në projektin e Shqipërise së kohës ndërsa sot faktori politik shqiptar nuk po dëshiron të ndalet në momentin në të cilin gjendet vetë çështja shqiptare, ajo që është sot duhet të shtronë dronë se mund të jetë , po ajo , nesër . Sa herë që kthehemi  prapa e kuptojnë se ku jemi tani , dhe në vazhdimësi në gjendjen e njejtë duke mos mundur të dalim nga rrethi i vetëkrijuar , bindemi çdo ditë e më shumë se sikur na “mjafton”vetja , në shumë sfera sociale.

Potenciali politik , këndej dhe andej kufirit shqiptaro-shqiptar duhet ta bënë më të gjallë vetë ekzistimin e krijimit të klimës për opinion publik më kombëtar , një vetëdijesim për çështjen e çështjes, atë të Shqipërise etnike . Pasi që ekziston koncepti për të, duhet të jenë shkaqet dhe mundësitë për ta jetësuar dhe besuar vetë projektin . Po , projekti duhet të ketë Historinë, gjeneratën dhe mbështetjen e miqëve Amerikanë ,për ta jetësuar atë , gjithë këtë përfaqësim mund ta mbajë në përgjegjësi ata të cilët gjithë jetën ecën Vertiaklisht dhe koha u dha të drejtë.

Problemet jetike të shqiptarëve kudo në hapsirën e tyre etnike, shpesh kanë një impuls andaj edhe reagimi duhet të jetë po nga e njejta qendër , e kemi vërejtur se kur në Kosovë kemi problem mundësinë e administrimit, apo çështjeve me potencial kombëtar shpesh na dalin probleme në rajon , të cilat e bëjnë të pa efektshëm reagimin që populli e kupton si politik,por nuk e matë edhe peshën që ka nga sfera e mardhënieve ndërkombëtare. A ka norma e ligje të cilat janë unike të njohura ndërkombëtarisht dhe në raport me të drejtat dhe liritë e njeriut ,po ,atëherë pse nuk insistojmë që problemin historik të çështjes shqiptare ta trajtojmë me Ligjet të cilat bota u bë me Paqe dhe tani më fletë për Lirinë. Ndryshimet në rajonin politik fqinjësor për nga kuptimi i ruajtjes së paqes, në vazhdimësi do të prodhojnë problem të cilat e kanë qëllimin e njejtë pra atë të mos stabilizmit dhe qartësimit politik tek ne, sepse po të kemi qartësi politike shumica e partive tona shqiptare nuk  do të guxonin të luanin me “kartën” kombëtare sa për të kaluar një fazë të pushtetit pa shtet .

Një klimë më e vetëdijeshme për rrethanat politike dhe pengesat apo modelet e rrugëve për arritjen e bashkimit kombëtar  si dhe disa probleme të së drejtë ndërkombëtare do të pasqyronin me bindshëm atë të drejtë të cilën na takon si popull shqiptar dhe e cila po na shkilet .

Në parimin paqësor mund të realizohet qëllimi sublime I bashkimit kombëtar,këtu do të përfshinin kryesisht mjetet diplomatike, si mjete parësore ,shikuar edhe në kontekstin ndërkombëtar politico-juridik . E drejta ndërkombëtare po bëhet gjithnjë e më shumë një instrument vendimtar i politikës së jashtme të diplomacies botërore .

Disa nga instrumentet juridiko-diplomatike me rendësi thelbësore mund të shënohen :

1 Karta e Kombeve të bashkuara(1945)

2 Rezoluta 1514 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-Së (1960)

3 Konventa Ndërkombëtare për të Drejta Civile dhe Politike (1966)

4 Rezoluta 2625 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (1970),e njohur edhe si Deklarata e Mardhënieve Miqësore

5 Akti Final I Helsinkit 1975

Është instrument themelor në kuadrin e Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Evropian(OSBE). Parimi VIII i këtij Akti ,shpall se “të gjithë popujt  gjithmonë kanë të drejtën që,në liri të plotë,dhe në kohën dhe në mënyrën që ata dëshirojnë,të përcaktojnë statusin e tyre politik të brendshëm dhe të jashtëm”.

6 Karta e Parisit për një Evropë të Re (1990).

Nga shumica e këtyre instrumenteve dhe normave ndërkombëtare duhet shfrytëzua diplomacia kombëtare duke patur parasysh edhe Aleancat përkatëse të cilat e mbështesin zgjidhjen e çështjes shqiptare , duke nënkuptuar në Shtetet e Baashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj .

E kemi përsëritur se Rusia mirret edhe me çështjen e shqiptarëve dhe se aleatët tanë ndërkombëtar kur probemi ka karakter më të gjerë kanë konsultimin edhe të saj, mirëpo situate politike e prodhuar nga vetë Rusia kohën e fundit e dëshmon “vdekjen “e diplomacies dhe supermacisë ushtarake që kishte dikur . Edhe pse që nga vitet e 60-ta e deri më 70-ta ,vetë Rusia kishte financuar dhe mbështetut kudo në botë grupet, alenacat dhe shtetet që ishin kundër demokracisë që SHBA-të e përcillin dhe mundoheshin të vendosnin rendin e ri botëror.  Sot , bota ka probleme të cilat i diskuton shpesh në suaza të së drejtës historike dhe politike, neve duhet të kërkojmë që aspekti ynë historic I rrugëtimit tone të pamëshirshëm të kthehet në përgjegjësine e miqve Amerikanë, të cilët e bënë që këto marrëveshje të jenë në dobi të të drejtave të njeriut dhe paqes në Botë.(Kastriot Bushi)

Filed Under: Analiza Tagged With: sepse është, Shqipëria do të bëhet, siguruar

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4759
  • 4760
  • 4761
  • 4762
  • 4763
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT