• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HOTI: NORMALIZIMI I MARRËDHËNIEVE KOSOVË-SERBI VJEN VETËM PAS NJOHJES RECIPROKE

July 12, 2020 by dgreca

 -Kosova dhe Serbia rifilluan dialogun në Bruksel, sot përmes një videokonference dhe e vijojnë të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian/

-Kryeministri Hoti: Sot kemi arritur pajtueshmëri në parim që të kemi takimin e radhës në Bruksel, të enjten që vjen, që është takimi i parë pas 20 muajsh prejse është ndërprerë procesi i dialogut/

PRISHTINË, 12 Korrik 2020 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi vjen vetëm pas njohjes reciproke, tha sot në Prishtinë kryeministri kosovar, Avdullah Hoti. Ai ka folur gjatë një konference për shtyp për takimin e nivelit të lartë që është mbajtur sot nëpërmjet video-konferencës në mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ky takim ka ndodhur pas Samitit të Parisit, me ç’rast unë dëshiroj të falënderoj Presidentin Macron dhe Kancelaren Merkel për gatishmërinë e tyre që të ndërmjetësojnë që të fillojë procesi i dialogut pas një periudhe të gjatë”, tha Hoti.

 Ashtu siç e kemi thënë vazhdimisht si qeveri, vijoi kryeministri,  qëndrojmë prapa asaj se dialogu nuk ka alternativë dhe se vetëm përmes dialogut ne mund t’i zgjidhim çështjet që i kemi me Serbinë.

“Në të gjitha takimet që i kemi pasur deri më tash unë kam prezantuar në emër të Qeverisë së Kosovës, në bazë të kompetencave të mia kushtetuese, platformën e shtetit të Kosovës për procesin e dialogut që ne në këtë proces hyjmë për vetëm një qëllim, që është njohja reciproke dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, theksoi kryeministri Hoti.

Ai shtoi se, sot kemi arritur pajtueshmëri në parim që të kemi takimin e radhës në Bruksel, të enjten që vjen, që është takimi i parë pas 20 muajsh prejse është ndërprerë procesi i dialogut.

“Është vlerësuar edhe nga ndërmjetësit e këtij procesi që takimi ka qenë konstruktiv, duke qenë se kemi prezantuar qëndrimin tonë shtetëror dhe jemi të gatshëm të ulemi në çdo tavolinë të dialogut për të mbrojtur shtetësinë e Kosovës dhe për të kërkuar plotësisht normalizim të marrëdhënieve, i cili vjen vetëm pas njohjes reciproke në mes të dy vendeve”, tha kryeministri Hoti.

 Kosova dhe Serbia rifilluan dialogun në Bruksel, sot përmes një videokonference dhe e vijojnë të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Para zhvillimit të sotëm, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në konferencën virtuale – Samitin e Parisit, në 10 korrik, të organizuar nga Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në këtë video-konferencë, Bashkimi Evropian përfaqësohet nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, kurse Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiç.

 Kryeministri i Kosovës, Hoti  në 7 Korrik në Paris takoi Presidentin e Francës Macron, i cili në 9 korrik takoi edhe presidentin e Serbisë Vuçiç.

 Ishte paralajmëruar që të dielën në 12 korrik në Bruksel të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në rifillimin e dialogut midis dy vendeve drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, ky takim është shtyrë për të enjten javës së  ardhshme – 16 korrik, ndërsa sot takimi ishte virtual.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kryeminsitri Hoti, normalizimi, pas njohjes

KOSOVA DHE SERBIA RIFILLOJNË DIALOGUN NË BRUKSEL

July 12, 2020 by dgreca

SPECIALE E GAZETES”DIELLI”: KOSOVA DHE SERBIA RIFILLOJNË DIALOGUN NË BRUKSEL/

-Dialogu rifilloi sot, në 12 korrik, përmes një videokonference dhe të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian/

Beograd, 12. jula 2020. – Predsednik Republike Srbije Aleksandar Vucic ucestvuje na video-konferenciji Dijalog Beograda i Pristine pod pokroviteljstvom Evropske unije, kojom predsedava visoki predstavnik Evropske unije za spoljne poslove i bezbednosnu politiku Zozep Borel. FOTO TANJUG/ INSTAGRAM “BUDUCNOSTSRBIJEAV”/ an, fotografija niske rezolucije

-Takimi i fundit-i kaluar Prishtinë-Beograd në Bruksel, është zhvilluar në 8 nëntor  2018/

-Datat e të gjitha takimeve të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Bruksel/

-Kosova ka tre parime për dialogun me Serbinë dhe nën një është Integriteti territorial i panegociueshëm, si dhe pesë objektiva – i pari: Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 12 Korrik 2020/ Kosova dhe Serbia rifillojnë dialogun në Bruksel, sot përmes njëvideokonference dhe të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, pas takimit virtual sotka bërë të ditur se palët janë pajtuar edhe për axhendën e takimit të radhës të enjten e javës së ardhëshme në Bruksel.

 “Ne sapo përfunduam takimin virtual mes presidentit Vuçiç dhe kryeministrit Hoti. Kam kënaqësinë të them se pas Samitit të Parisit dhe takimit të sotëm dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës është kthyer në binarë pas 20 muajsh”, ka thënë Lajçak.

Ai ka shtuar se, “si rezultat i takimi të sotëm jemi pajtuar për elementet kryesore të procesit”.

“Jemi pajtuar poashtu për axhendën e takimit të radhës i cili do të zhvillohet në Bruksel të enjten që vjen me pjesëmarrjen personale. Dua të falënderoj të dyja palët për angazhimin e tyre konstruktiv sot”, ka thënë Lajçak, citon Koha në raportimin e korrespondentit në Bruksel.

Korrespondenti i Gazetës DIELLI në Kosovë në vazhdimësi ka raportuar për procesin e dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel, nga raundi në raund, që nga fillimi:

Takimi i fundit-i kaluar Prishtinë-Beograd në Bruksel, është zhvilluar në 8 nëntor  2018, i cili, siç u deklarua atëherë  ishte i treti presidencial i fazës finale në dialogun Kosovë- Serbi, i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, në procesin drejt normalizimit të marrëdhenieve, kryesuar nga Bashkimi Evropian – Shefja e  Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

I pari takim presidencial Thaçi-Vuçiç në Bruksel i fazës finale të dialogut  është mbajtur në 24 qershor, ndërsa i dyti në 18 korrik 2018. I treti takim ishte paralajmëruar për të premtën e 7 shtatorit 2018, por  sipas deklaratave nga delegacioni i Beogradit, presidenti i Serbisë, Vuçiç nuk ka pranuar të takojë presidentin e Kosovës, Thaçi. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Mogherini  ka takuar ndaras presidentët, të cilët i kishte ftuar për të vijuar dialogun.

Në këtë proces të dialogut Kosovë-Serbi, që ka hyrë në fazën finale, Prishtina angazhohet për një marrëveshje përfundimtare që do përfshinte edhe njohjen nga vendi i vetëm fqinj që ende nuk e ka njohur pavarësinë e shpallur në 17 shkurt 2008.

Takimi i 8 nëntorit  2018 ishte i teti  i presidentëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel.  Në dialogun në Bruksel Kosovë-Serbi për presidentin Thaçi, të inauguruar në muajin prill 2016, dhe presidentin Vuçiç, të inauguruar në qershor 2017, takimi i 8 nëntorit  2018 ishte i gjashti, pas të pestit në 18 korrik e të katërtit në 24 qershor, të tretë të fazës finale, të vitit 2018.

Ndërsa takimi i 23 marsit 2018 ishte i treti, pas të parit në 3 korrik e të dytit në 31 gusht 2017, ku në fokus ishte një fazë e re e dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve drejt normalizimit të marrëdhënieve.

 Në 2017-tën kishte edhe dy takime të tjera në Bruksel në nivelin e lartë. Në 1 shkurt Kosova dhe Serbia zhvilluan takimin e dytë brenda një jave, në vazhdimësi të takimit të 24 janarit, me pjesëmarrje të presidentëve bashkë me krerët e qeverive pas 30 raundeve kryeministore të procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.

Në këto dy raunde presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u takua me atëherë presidentin e Serbisë Tomislav Nikoliç. Realizimi i marrëveshjeve dhe dhënja fund situatave tensionuese e retorikave ishte në fokus të ketyre dy takimeve që u zhvilluan ndërkohë që kishte kaluar një vit pa asnjë raund të nivelit të lartë, që nga takimi i 30-të kryeministor, por i vetmi në 2016-tën i zhvilluar në 27 janar dhe i fundit që nga i pari në 19 tetor 2012.

Para më shumë se shtatë vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,   të ndërmjetësuesuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton, kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. 

Në 30 raundet kryeministrore, 23 takimet Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave atëherë Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.

Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 Mars 2011, poashtu në Bruksel.

DATAT E TË GJITHA TAKIMEVE TË NIVELIT TË LARTË KOSOVË-SERBI NË BRUKSEL:

30 RAUNDET KRYEMINISTRORE

Thaçi-Daçiç:

Viti 2012:

Raundi 1 – në 19 tetor
Raundi 2 – në 7 nëntor
Raundi 3 – në 4 dhjetor

Viti 2013:

Raundi 4 – në 17 janar
Raundi 5 – në 19-20 shkurt
Raundi 6 – në 4 mars
Raundi 7 – në 20 mars
Raundi 8 – në 2 prill
Raundi 9 – në 17 prill
Raundi 10 – në 19 prill
Raundi 11 – në 21 maj
Raundi 12 – në 20-21 qershor
Raundi 13 – në 8 korrik
Raundi 14 – në 24 korrik
Raundi 15 – në 27 gusht
Raundi 16 – në 8 shtator
Raundi 17 – në 7 tetor
Raundi 18 – në 6 nëntor
Raundi 19 – në 5 dhjetor

Raundi 20 – në 13 dhjetor

Viti 2014:

Raundi 21 – në 27 janar
Raundi 22 – në 12 shkurt
Raundi 23 – në 31 mars

Mustafa-Vuçiç:

Viti 2015:

Raundi 24 – në 9-10 shkurt

Raundi 25 – në 21 prill

Raundi 26 – në 23 qershor

Raundi 27 – në 29 qershor

Raundi 28 –  në 25 gusht

Raundi 29 – në 13 tetor

Viti 2016:

Raundi 30 – në 27 janar

TAKIMET E PRESIDENTËVE

Viti 2017:

Thaçi – Nikoliç -2 takime

-1 shkurt

-24 janar

Thaçi – Vuçiç

-3 korrik

-31 gusht

Viti 2018:

-23 mars

-24 qershor

-18 korrik 

-7 shtator  (vetëm takime të ndara me Mogherinin)

-8 nëntor 

Viti 2020:

Hoti -Vuçiç

12 korrik (takim virtual)

16 korrik (pritet takimi në Bruksel)

KOSOVA, NË DIALOG PËR NNJOHJE NGA SERBIA – TRE PARIME E PESË OBJEKTIVA

Kosova ka tre parime për dialogun me Serbinë dhe nën një është Integriteti territorial i panegociueshëm, si dhe pesë objektiva – i pari: Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të çojë në njohje të ndërsjellë.

Këto theksoshen në fjalimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti të mbajtur në10 korrik 2020 në konferencën virtuale të Samitit të Parisit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në konferencën virtuale – Samitin e Parisit, në10 korrik nga ora 10:30, të organizuar nga Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në këtë video-konferencë, Bashkimi Evropian përfaqësohet nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, kurse Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiç.

 Kryeministri i Kosovës, Hoti  në 7 Korrik në Paris takoi Presidentin e Francës Macron, i cili në 9 korrik takoi edhe presidentin e Serbisë Vuçiç.

 Ishte paralajmëruar që të dielën në 12 korrik në Bruksel të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në rifillimin e dialogut midis dy vendeve drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, ky takim është shtyrë për të enjten javës së  ardhshme – 16 korrik, ndërsa sot takimi ishte virtual.

“Për ne njohja reciproke është i vetmi qëllim i dialogut me Serbinë, normalisht edhe normalizimi i marrëdhënieve në mes të dy vendeve që duhet të jetë derivat i njohjes reciproke”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Hoti në një konferencë shtypi këtë javë në Prishtinë.

PRESIDENTI THAÇI TË HËNËN DO TË UDHËTOJË PËR NË HAGË I FTUAR NGA SPECIALJA PËR INTERVISTIM

 Në 8 korrik 2020 Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi se të hënën e 13 Korrikut 2020 do të udhëtojë për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.

Duke njoftuar këtë Presidenti Thaçi shkruante:

“Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,

Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.

Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.

Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.

Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!

Zoti e bekoftë Kosovën!”.

Presidenti Thaçi ndodhej në Vjenë kur në 24 Qershor 2020 Presidenca  kumtoi se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas njoftimit të bërë publik nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me inicimin e ngritjes së aktakuzës, ka ndërprerë udhëtimin zyrtar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishte ftuar të merrte pjesë në një takim në Shtëpinë e Bardhë në 27 Qershor në kudër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në mbrëmjen e 29 Qershorit 2020 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka paralajmëruar mundësinë e dorëheqjes derisa nga Zyra e tij mbajti një fjalim – adresim për qytetarë, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte publikuar njoftimin se u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës  një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku  përfshihen edhe presidenti Hashim Thaçi dhe lideri i PDK-së,  Kadri Veseli.

 “Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, deklaroi mes tjerash Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Filed Under: Politike Tagged With: dialogu ne Bruksel, Hoti, Kosove-Serbi, Lajcek

KRIJOHET DEGA E RE E VATRËS NË MANHATTAN

July 11, 2020 by dgreca

Të shtunën, 11 Korrik 2020, në mesditë, në selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, u organizua ceremonia e themelimit të degës së re të Manhattanit.Një pjesë e anëtarëve, punojnë ose jetojnë në Manhattan, ishin të pranishëm në sallë. Shumica ishin të rinj në moshë dhe vinin nga shtresa e të përndjekurëve politik.

Të pranishmit i përshëndeti Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA z. Elmi Berisha. Ai i përgëzoi organizatorët e themelimit të degës, grupin nismëtar me në krye z. Agustin Mirakaj(anëtar i Kryesisë së Federatës), i ndihmuar dhe nga nënkryetari Ervin Dine. Z. Berisha tha se kjo ishte mbledhja e parë në mjediset e Vatrës pas 4 muaj izolim për shkak të Pandemisë së Koronavirusit dhe ishte një ditë e rëndësishme.Krijimi i degës, tha ai, ishte paralajmëruar prej kohësh pas Kuvendit të 19 Janarit 2020 dhe sot u bë fakt i kryer. Degë të tilla ne do të ngremë sapo të normalizohet situata e daljes nga Pandemia edhe në Teksas e shtete të tjera. Kryetari Berisha u uroi mirëseardhjen vatranëve të rinj.

-Ne do të vazhdojmë edhe në ardhmen procesin e krijimit të degëve të reja, por në përshtatje me Kushtetutën e VATRËS. Asnjëherë nuk do të lejojmë që individë të pa autorizuar, të veprojnë në kundërshtim me Kushtetutën e Vatrës dhe me ligjet e vendit ku jetojmë-,tha Berisha.

 Më pas ka përshëndetur dhe Presidenti i nderit i Vatrës z. Agim Rexhaj, i cili pasi uroi organizatorët e krijimit të degës, e cilësoi 11 Korrikun 2020, si një ditë historike për Vatrën, e cila rikthehet në Manhattan pas tri dekadash, kur zyrat e Vatrës me kryetar të ndjerin Arshi Pipa ishin vendosur në ndërtesën ku punonte arkëtari i sotshëm i Vatrës, anëtari i Kryesisë Marjan Cubi,i cili përballoi me shpenzimet e veta dhe qeranë e zyrës.

Z. Rexhaj e falenderoi z. Agustin Mirakaj për nismën dhe i uroi  vatranët e degës së re.

Krijuesi i degës, anëtari i Kryesisë së Vatrës z. Agustin Mirakaj, ka përshëndetur pjesmarrësit dhe mbështetësit dhe të gjithë ata që iu përgjigjën nismës së tij. Në fjalën përshëndetse Mirakaj ndër të tjera tha: Dallimi midis së kaluarës dhe së ardhmes nuk është gjë tjetër veçse një iluzion. Asgjë nuk është e shkëputur. Dje, sot dhe nesër nuk janë rastësi, ato janë të lidhura në një rreth pa mbarim. Gjithçka është e lidhur. Ne jemi vazhdimësia.Mendoj, tha ai, se ne që e duam Shqipërinë jemi shumë. Ne e krijojmë degën sepse duam Shqipërinë, duam Kombin dhe u shërbejmë atyre,ashtu si paraadhësit tanë. Detyra e degës më të re : VATRA MANHATTAN BRANCH është të çoi Misionin e Vatrës përpara, ashtu si e kërkon ajo, me dinjitet dhe përkushtim….Anija nuk rri në vend , ecën vetëm përpara. Detyra është të shkojë në destinacion. Në këtë pozicion jemi dhe ne, të gjithë bashkë, për ta çuar VATRËN përpara duke ndjekur vijën e saj të palëkundshme në mbrojtje të Shqipërisë Demokratike….Sot gjithçka ka të bëjë me angazhimin e të rinjve me potencial për ndryshimin. Për të shkuar përpara është e domosdoshme që udhëheqësit dhe stafi të përshtaten dhe të përfaqësohen në mënyrë të barabartë dhe efikase me një brez të ri profesionistësh dhe motivues. Kemi kohë që e kemi nisë procesin-po e bëjmë realitet ditën e sotme pas shumë pune e mundimesh.

 Teknologjia është e ardhmja, ne mund ta përdorim atë me afikasitet për të ndërtuar të ardhmen e Vatrës.

Mirakaj raportoi: Një detyrë e rëndësishme e vënë nga Kryesia dhe Kryetari Elmi Berisha është hapja e website të Vatrës www.federatavatra.org

Ky website afron realitetin dhe përshpejton aftësinë për komunikim të drejtpërdrejt me vatranët dhe shqiptarët kudo ku jetojnë.

Ai e mbylli fjalimin e vet përshëndetës me fjalët: Dita po vjen, VATRA do të lulëzojë!

Z. Mirakaj u duartrokit dhe u përshëndet gjatë nga pjesmarrësit.

Në emër të kryesisë së re përshëndeti Viktor Vorfi, i cili tha se VATRA është e shenjtët për shqiptarët dhe krijimi i degës së re sot është vazhdimësi e punës së paraardhëse dhe çuarja më tej e saj prej nesh. Ai kërkoi duartrokitje për secilin të propozuar për në kryesinë e degës.

U duartrokitën: Agustin Mirakaj-Kryetar i degës; Eduard Aranitasi-Nënkryetar; Ilirjan Blloshmi-Sekretar, Viktor Vorfi –anëtar i Kryesisë, Muharrem Bajraktari-anëtar i Kryesisë, Mikel Ndoci-anëtar i Kryesisë, Damian Previzi-anëtar i Kryesisë, avokat Hasan Metuku-anëtar i Kryesisë.

Dega e nisi funksionimin me 26 anëtarë, me pikësyimimi që së shpejti do të regjistrohen edhe anëtarë të rinj, me synimin që brenda vitit numri i të anëtarësuarve ta kalojë shifrën 60.

Kryesia e re propozoi që z. Agim Rexhaj, të jetë anëtar Nderi i saj. Propozimi u miratua me duartrokitje.

Në emër të kryesisë të sapo miratuar përshëndeti sekretari Ilirjan Blloshmi.

Kryetari Elmi Berisha, duke përshëndetur kryesinë e re të degës tha: Kjo degë e re paralajmëron shtimin e degëve të tjera në hartën e Vatrës.Unë mendoj se Ju do na sillni në Vatër risi të reja, ide të reja, duke ruajtur të shenjtë Frymën Kombëtare të VATRËS.

Z. Berisha, edhe njëherë tërhoqi vëmendjen për inisiativën antiligjore të një grupi të vogël ish vatranësh, që pretendojën se kanë ngritur një degë në Staten Island. Askush nuk mund të ngrejë degë pa marrë autorizimin e Kryetarit dhe kryesisë së Vatrës. Dega e njoftuar në facebook është jashtë çdo baze ligjore, duke e shqyrtuar aktin në përballje me Kushtetutën e VATRËS dhe me Ligjet e këtij vendi.

Presidenti i Nderit z. Agim Rexhaj kërkoi një qëndrim të ashpër ndaj shkelsëve të Kushtetutës së Vatrës. Edhe z. Ibrahim Kolari,anëtar i Kryesisë, kërkoi qëndrim ndaj këtij veprimi.

Sekretarja e Vatrës znj. Nazo Veliu uroi degën e re, kryesinë e saj dhe shprehu besimin se askush nuk do të ketë sukses në përçarjen e Federatës VATRA apo në tentativën e një grupi të jashtligjshëm që synon shkatërrimin e saj.

Kryeredaktori i Diellit, pasi uroi krijimin e  degës dhe kryesinë e re, informoi për përpjekjet maksimale të redaksisë së Diellit në kohën e Pandemisë, që Dielli online, Dielli fb të funksiononin pa ndërprerje. Ai evidentoi punën e mrekullushme, të palodhur dhe profesioniste të gazetarit Sokol Paja,i cili gjatë këtyre katër muajëve të Pandemisë, ka bashkuar rreth DIELLIT mendjet e mençura shqiptare të shpërndara në Botë, mjekëve,infermiereve,studiuesve,shkencëtarëve, gati në të gjithë kontinentet. Sjellja e tyre në faqet e Dillit ka rritur praninë e Vatrës dhe të vetë Diellit në shumë shtete. Pjesmarrësit e shpërblyen me duartrokitje gazetarin Sokol Paja.

 Nënkryetari i Vatrës Ervin Dine pasi uroi degën e re, kryetarin Mirakaj dhe kryesinë e sapozgjedhur, falenderoi të gjithë të anëtarësuarit në degën e re.

Sipas Kushtetutës së Vatrës, dega e re u pajis me librin e protokollit dhe blloqet e pagesave. Veprimtaria u filmua nag Radio Televizioni 21 nga gazetari Halil Mula.

Takimin e ka mbyllë kryetari Berisha.(Dielli)

Filed Under: Featured Tagged With: Agustin Mirakaj, Dega ne Manhattan

Ndryshimin nuk vjen me Jozefinën, Gencin, Ridvanin…

July 11, 2020 by dgreca

…Opozitarizmi duhet t’i tregoj vendit parametrat shëndetësor realë të demokracisë perëndimore. Sepse edhe për pak do jemi përfundimisht një republikë e varur Perandorisë Otomane të Erdoganit.

NGA ILIR LEVONJA/

Në këto shtatë vjet opozitarizmi nuk ka patur asnjë afrim nga gjaku i ri. Nuk ka patur si prurje asnjë emër të ri, asnjë djalë a vajzë të re. Asnjë maturant a student të sapo diplomuar. Të gjithë kanë firuar. Kështu i bie deri sa konceptin e hapjes e përmbushim me lutjen për afrimin e Jozefina Topallit a Genc Rulit, Ridvanit etj. Mbase edhe me një kandidim të ri të Sali Berishës. Asnjë intelektual nuk ka qenë i ashpër me pushtetin. Të gjithë kanë që pro regresit kolektiv të ekonomisë shqiptare. Të gjithë kanë qenë pro degradimit deri aty sa shifra e borxhit publik kapi tanimë plot 80% të prodhimit të brendshëm. Pa dyshim që fatura e fundit prej 100 milion eurosh që shteti i shqiptar i detyrohet një biznesmeni të huaj, ndikoi në kolaudimin e shifrës. Dhe si gjithmonë gjykatat e vendit nuk do kenë asnjë emër për dëmin financiar të shkaktuar shqiptarëve. Asnjë forum opozitar nuk ka funksionuar në evidentimin e prurjeve kësisoj duhet t’i lutemi Jozefinës se kjo quhet edhe hapje. Duhet t’i lutemi madje edhe ndonjë tjetri që ashtu si Jozefina nuk shikonin asgjë tjetër por veç protokollin e partisë në opozitë. Ndofta është nga rekordet më iluminate që në 7 vjetë qeverisje skandaloze të Edi Ramës, Jozefina shikonte dhe gjurmonte vetëm Lulin. Kështu edhe plot prej tyre. Kësisoj i takon të ofrohet e madje t’i japim edhe mundësinë e kandidimit, ta bëjmë deputete, a kryetare kuvendi. Pasi gjatë 8 viteve të saja nuk bëri asgjë tjetër veç rregulloi tarafin e vet. Arriti atë sukses madhështor të së djathtës sa në dimrin e 2012 emëroi të dashurin e vajzës në ambasadën shqiptare në Paris. Po ja që sot erdhi koha që pozitarizmit i duhet Jozefina dhe ndonjë tjetër. Megjithëse opozitarë të thekur të opozitarizmit, jo të qeverisë, prapë ata duhen. Nuk ka këmbë rioshi apo riosheje që t’i zëvendësoj. Eshtë tragjike të mendosh kështu. Kërkush tjetër veçse këtyre emrave nuk e ka detyrim t’i përgjigjet të djathtës sot, veç me votë ama, se, këta. Kërkush? Këta e kanë rrjepur dhe për më tepër kanë gatuar kulturën e të pa zëvendësueshmit, të pa riciklueshmit. Atë kulturë që kur jam unë në krye gjithçka është normale, kurse kur nuk jam unë, çdo gjë është e zezë. Po u them opozitarëve se do jeni më të fituar pa ata se me ata. Sot dështimi shqiptar u vulos që ke konflikti i fundit mes kryeministrit me ambasadat e huaja në lidhje me sistemin zgjedhor. Dhe ajo që është më e habitshmja është vrulli i propagandës së majtë për dashurinë e papritur të Edi Ramës mbi listat e hapura. Një lider që deklaron publikisht, para kamerave, para anëtarëve të partisë se, kush nuk voton si them unë përjashtohet nga partia, nuk ka se si të jetë për listat e hapura. Eshtë një qasje e pa sinqertë, sa për të futur në amulli shoqërinë. Ky konflikt dëshmoi edhe faktin tjetër, atë që Edi Rama nuk e do as reformën në drejtësi. Ai luajti ashtu për t’u hedhur hi syve ambasadave, pasi është po aq kontingjent i drejtësisë sa edhe ata që ai akuzon. Kjo ka domethënien që janë orët e fundit të Ramës, kësisoj hapja duhet të jetë jo për fitoren, pasi ajo është vulosur, por për demokratizimin real, konkurrencën e vlerave etj. Nuk mund t’i lutesh një llapallapaje kur vendi ka nevojë për energji të reja se sa emra të kalçifikuar në gjoja meritokracinë demokrate. Eshtë ajo kohë që edhe kunguj të varësh në gardhet e votuesve, karshi Ramës, kungujt do të fitojnë. Por opozitarizmi duhet t’i tregoj vendit parametrat shëndetësor realë të demokracisë perëndimore. Sepse edhe për pak do jemi përfundimisht një republikë e varur Perandorisë Otomane të Erdoganit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, nuk vjen me Jozefinen, opozitarizmi

Pastërti

July 11, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Supozojmë që njeriu nuk është kafshë, vetëm sepse flet e arsyeton. Por ai është i vetëdijshëm se një kafshë brenda tij jeton, e cila zgjohet e rritet në përpjestim me shkallët që ngjit, sa më lartë aq më kafshë bëhet, dhe nuk mund të dëbohet tërësisht. Ndodh si me mikrobet, të cila, edhe kur njeriu është i shëndetshëm, ato pushtojnë trupin tij; njeriu mund të gëzojë shëndet të mirë, por jo të pastër. Kush e di se çfarë jete do të rezultonte nëse do të ishim të pastër? Ndoshta jeta nuk do ishte as më e mirë, as më e keqe, ose nuk do të quhej me emrin që e thërrasim.

Dëlirësia është tjetër gjë; është lulëzimi i njeriut; dhe ata që quhen Gjeninj, Heronj, Shenjt dhe të tjerë të ngjashëm, nuk janë veçse lulet që ia dalin mbanë të bëhen fruta. Nëse njeriu është mishërim i Krijuesit, atëherë, kafsha brenda vetes vdes dita ditës; për shkak të natyrës inferiore dhe brutale, vetë kafsha tërhiqet, por lë pas gjurmë vesesh, si në rastet kur vetë jeta bëhet turpi.

Sa i lumtur është njeriu që u ka treguar vendin bishave që shkurajojnë mendjen; ai mund të përdorë një kafshë, por nuk është gomar për të gjithë të tjerët. Njeriu tjetër bëhet pjesë e turmës që ka kafshën brenda dhe nxitet me tërbim të përkeqësuar. E gjithë ndjenja është një, megjithëse merr shumë forma. Është e njëjta gjë me një njeri i cili ha, pi, bashkëjeton, ose fle për të jetuar. Ai ka vetëm një oreks, dhe i duhet të shohë një person tjetër të bëjë ndonjë nga këto gjëra për të ditur se sa e madhe është ndjenja e tij.

Papastërtia as qëndron e as nuk ulet së bashku me pastërtinë. Kur kafsha sulmohet në njërën anë, ajo e tregon veten në anën tjetër. Nëse njeriu do të ishte i dëlirë, duhet të jetë i butë i sjellshëm. Kemi dëgjuar për këtë virtyt, por nuk e dimë se çfarë është. Ne flasim konform me thashethemet që kemi dëgjuar. Nga ushtrimi i mendjes vijnë mençuria dhe pastërtia; nga plogështia vijnë padituria dhe papastërtia, zakon i mendjes së ngadaltë a të përgjumur. Një person i papastër është në përgjithësi përtac, që ulet të pushojë pa qenë i lodhur, dhe përpiqet të pengojë sa më shumë të tjerët që mendojnë se Natyra është e vështirë për tu kapërcyer, por ajo duhet të tejkalohet duke hyrë nëpër ‘të.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Pastërti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 479
  • 480
  • 481
  • 482
  • 483
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT