• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ditët e Memories: në Londër nderohet Besa shqiptare

January 21, 2014 by dgreca

Në mbrëmjen e 16 janarit 2014 në Pinner Sinagogë, në një nga zonat me numrin më të madh të banorëve hebrej në Londër, u organizua shfaqja e filmit BESA – THE PROMISE – vepër e regjisorit Jason Williams me kontribut të veçantë të fotografit Norman Gershman.Tanimë është bërë një traditë shumë e mirë që Ambasada Shqiptare në Londër në bashkëpunim me bashkësitë hebraike të organizojnë veprimtari të ndryshme në nderim të veprës së shqiptarëve në mbrojtje të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më shumë se katërqind pjesmarrës, prej të cilëve edhe një numër i mirë shqiptarësh me banim në këtë qytet, ndoqën me vemëndje, respekt dhe emocion këtë veprimtari e cila u hap me fjalën e zonjës Gaby Glassman, Kryetare e Këshillit Organizativ të Sinagogës Pinner. Ajo  nëvizoi fisnikërinë dhe virtytet e larta të shqiptarëve të cilat bënë që asnjë hebre në atë vend të mos dorëzohej tek nazistët.Më pas ajo i dha fjalën ambasadorit të RSH në Mbretërinë e Bashkuar z. Mal Berisha.

Në fjalën e tij ambasadori foli me krenari për këtë episod të historisë së lavdishme të shqiptarëve duke u ndalur tek BESA si një fenomen shqiptar që nuk është atribut i feve por një vlerë morale e popullit shqiptar.

Pas shfaqjes së filmit zonja Glassman, në emër të bashkësisë hebraike të Pinner Sinagoge i dorëzoi Ambasadorit shqiptar një çertifikatë në të cilën thuhej:

“Një pemë e mbjellur në Jeruzalem simbolizon mirënjohjen e jashtëzakonshme ndaj veprës trimërore të popullit shqiptar për strehimin dhe shpëtimin e refugjatëve hebrej nga Hollokausti”.

Në lutjet e Sabathit të së djelës, 19 janar 2014, Rabini Bergson i kushtoi tërë psallmet e Sabathit një diskutimi mbi BESËN shqiptare si një mesazh i rëndësishëm për antarët e kongrecacionit të tij në jetën e përditshme.

Veprimtari të tilla do të vazhdojnë të organizohen edhe në të ardhmen. Më poshtë fjala e rastit e ambasadorit shqiptar:

Mirëmbrëma!

Të nderuar zonja dhe zotërinj pjesëmarrës!

Është një nder dhe privilegj i madh për mua të marr pjesë në këtë ngjarje të shënuar që flet për një histori ende të pathënë plotësisht të marrëdhënieve Shqiptaro – Hebraike gjatë kohës më të vështirë, kohën e Hollokaustit.

Fatkeqësisht historia që do të shohim në këtë film ka qenë e mbyllur në sirtar për thuajse pesëdhjetë vjet të izolimit komunist të Shqipërisë. Kjo histori doli në dritën e diellit kur një hebre i famshëm hungarez, një politikan amerikan, antar i Kongresit, i ndjeri Tom Lantosh dhe miku i tij, Jozef DioGuardi, një tjetër anëtar i Kongresit me rrënjë shqiptare, vizituan Shqipërinë për herë të parë në vitin 1990.

Vetëm pak vite më vonë u botua një libër me titull “Shpëtimi në Shqipëri” i shkruar nga një hebre tjetër i quajtur Harvey Sarner i cili i hoqi perden përpara botës një historie të jashtëzakonshme të mardhënieve të veçanta midis shqiptarëve dhe hebrejve në rrjedhë të historisë dhe veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sot, ne do të shohim filmin BESA – THE PROMISE. Filmi pasqyron një histori të rrallë të solidaritetit të jashtëzakonshëm ndaj hebrejve gjatë Hollokaustit. Ne mund të flasim për këtë histori pa mbarim. Megjithatë, në pikpamjen time, gjëja më e rëndësishme dhe ajo që e bën atë të tillë është:

Qoftë edhe një jetë e vetme hebre nuk ka humbur në Shqipëri përkundër faktit që vendi ishte vetë i pushtuar prej Italisë Fashiste dhe Gjermanisë Naziste. Kjo nuk ka ndodhur as më parë në tërë historinë tonë. Në Shqipëri nuk gjendet qoftë edhe shenja më e vogël e anti – semitizmit dhe asnjëherë shqiptarët nuk kanë kryer pogrome në shekujt e bashkë-ekzistencës së tyre.

Ia vlen të përmendim këtë mbrëmje se gjatë kohës së Hollokaustit, si Mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu, ashtu edhe autoritetet vendore, misioinet konsullore të Shqipërisë jashtë vendit dhe më pas kur Shqipëria u pushtua prej fashistëve dhe nazistëve njerëzit e zakonshëm, banorë të qyteteve dhe të fshatrave, vetë qeveria kukull shqiptare, të gjithë njësoj, e nderuan Kodin Moral të Shqiptarëve, Besën e tyre.

BESA është fjalëkalimi që na jep çelësin e spjegimit se përse kur hebrejtë po vriteshin anë e mbanë Europës, një komb i vogël u kujdes për ta; pse njerëz të zakonshëm të një vendi të pushtuar morën tërë atë rrezik mbi vete duke strehuar hebrejtë të cilët vinin nga Europa, falë vizave të lëshuara nga misionet konsullore shqiptare, duke e trefishuar praninë e tyre në vend? Përse familjet më të zakonshme anë e mbanë vendit i mbrojtën jo vetëm hebrejtë shqiptarë të cilët ishin me qindra në atë kohë në qytetet shqiptare por edhe mijëra të tjerë të cilët zgjodhën Shqipërinë si një vend shpëtimi, si vend mbrojtjeje?

Ka vetëm një spjegim dhe kjo është BESA SHQIPTARE.

Këtë më mirë se kushdo do ta spjegonte Profesor Scarlett Epstein e përzënë nga Vjena nga nazistët e me pas nga Jugosllavia bashkë me familjen, e paisur me vizë nga misioni shqiptar konsullor në Zagreb e cila u strehua dhe jetoi në Durrës deri sa arriti të udhëtonte e sigurtë në Mbretërinë e Bashkuar.

Me lejoni të spjegoj shkurtimisht se çfarë është ky virtyt i quajtur BESA.

Është e vështirë ta përkthejmë këtë fjalë në mënyrë të drejpërdrejtë. BESA është një vityt i fortë shqiptar me një origjinë të lashtë i cili shkon përtej kohërave të mesjetës  kur rregullonte jetën në shoqërinë shqiptare. Këto norma janë transmetuar në mënyrë gojore brez pas brezi deri në shekullin e XV kur ato u kodifikuan prej Lek Dukagjinit në të quajturin Kanuni i Lekës. Është interesante të theksojmë se BESA është gjithashtu e lidhur nga ana semantike me fjalën “Fe” në gjuhën shqipe BESIMI.

Në Shqipëri, bashkëjetojnë tre fe të ndryshme, – Feja Katolike, Ortodokse dhe ajo Muslimane. Ekziston gjithashtu edhe një formë e islamit e quajtur Bektashi. Në historinë tonë të hershme dhe as të vonë nuk kemi përjetuar kurrë ndonjë konflikt fetar. Urrejtja në këtë aspekt nuk ekziston. Dhe kjo është arsyeja se përse hebrejtë nuk përbëjnë ndonjë përjashtim në këtë drejtim.

BESA në fakt tek shqiptarët ekzistonte përpara feve dhe është konceptualisht e ndarë nga ato deri në atë pikë sa të përbëjë bazën morale të tolerancës fetare në shoqërinë tonë. Duke qenë një normë e fortë etike ajo është një “fe” në vetvete që mbizotëron mbi çdo gjë tjetër në kohërat e krizave të rënda morale siç ishte ajo e Hollokaustit.

Si shqiptar jam krenar për atë që kombi im ka bërë për hebrejtë. Në pozitën e ambasadorit jam i nderuar që kam mundësinë të jem bashkë me ju dhe të shohim të skenuar këtë histori të treguar në këtë film.

Ndjehem gjithashtu i lumtur që një histori e tillë e patreguar nuk është më e tillë. Dua të shpreh respektin tim të thellë për fotografin Norman Gershman, të cilin e kam njohur personalisht, për punën e mrekullueshme që ka bërë. Ai i ka frymëzuar artistët dhe personazhet jetësore ta zbulojnë, ta bëjnë publike këtë histori. E kam takuar atë në Long Island, në New York, në familjen kavajase Myrtaj, një ndër 69 shqiptarët fisnikë midis kombeve të gdhendur në pllakën e Yad Vashemit. Po ashtu dua të shpreh respektin tim për Jason Williams, regjisorin e filmit me të cilin ka fituar një numër çmimesh të para në shumë festivale të filmit hebraik në botë. Më së fundi, më lejoni tju falenderoj të gjithëve për vemendjen dhe t’ju uroj një mbrëmje të këndshme, me emocionet e forta që shkakton ky film.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: ambasador, besa Shqiptare, derohet ne Londer, Ditet e Memories, Mal berisah

Rrëfehet Mbretëresha e Këngës Vlonjate, Kleopatra Skarco-Dokle….

January 21, 2014 by dgreca

Kleopatra Skarco-Dokle ka lindur buzë Jonit, në Vlorë. Me durimin e maturinë e vajzës  së  valëve pranë e larg Jonit,  plot talent, muzë e passion, me  zërin e saj, ajo do të bëhej shumë shpejt një nga këngëtarët më të admiruarat dhe më populloret,   jo vetëm brenda Shqipërisë, por në tërë trojet shqiptare. Paradokohe ajo ishte personazh i emisionit “Arratia e Peshkut të Kuq” i gazetares Rezarta Reci në Neës 24, një emision mbresëlënës që përcjell vlera me prirje të forta qytetarie, intelektuale e krijuese. Aty në atë emision do të shihja po atë Kleopatra energjike dhe të talentuar, me interpretimin  emocional dhe fuqinë e tingujve të gurrës popullore vlonjate, ashtu sikundër e shihnim në skenë dhe në evente të ndryshme artistike e muzikore ndër vite. E kanë quajtur Mbretëresha e Këngës Vlonjate dhe  vlerësuar me Cmime kombëtare  dhe ndërkombëtare. Me atë delikatesë e pasion, talent dhe emocion ajo do të këndonte edhe këngët lumjane të Kukësit,  aty ku zë fill familja e saj e mrekullueshme –dashuria e jetës. Artistja e Shquar ka mëse dy dekada që bën një jetë mes Shqipërisë e Bullgarisë. Ka disa muaj që ajo ndodhet në Neë York, pranë familjes së vajzës së saj. Në një takim mikesh mundëm t’i shkëputim këtë intervistë Artistes vlonjate. Në këtë bisedë të ngrohtë e miqësore, Mbretëresha e këngës Vlonjate, Kleopatra Skarco-Dokle gdhend me kujdes, qetësi e buzëqeshje staturën dhe imazhin, natyrën femërore, virtytet, atributet, pjekurinë artistike e muzikore të saj. Kontributin dhe energjitë e saj me dinjitet, krenari e modesti vajza e valëve joniane dhe nusja e këngëve lumjane të Kukësit,  i ka vënë në shërbim të integrimit të vlerave shqiptare, duke u shëndrruar kështu një vlerë e cmuar kombëtare dhe historike e Artit dhe kulturës shqiptare. Ju lutem ndiqni bisedën.

Bisedoi:Raimonda MOISIU

Përshendetje znj. Kleopatra, jeni me një karrierë të gjatë në artin e muzikës, e njohur si këngëtare e gurrës popullore. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj? Si jeni ndjerë kur keni kënduar për herë të parë dhe cila është kënga e parë? Cfarë viti?

Aktiviteti im muzikor i parë publik fillon me Ansamblin Popullor të Nartës në vitin 1966,  nën udhëheqjen artistike të Themistokli Mones dhe të koreografit Jani Gjergji. Pikërisht në këtë aktivitet  këndova këngën time të parë “Një Bahce me Portokalle” me tekst të Flamur Laros dhe muzikë të Themistokli Mones.  Emocionet kanë qenë gati të papërmbajtshme e të papërshkrueshme, por akoma më e madhe ka qenë kënaqësia e suksesit të përballjes së parë me publikun, pasi u prita me brohoritje. Në ato vite lëvizja artistike amatore kishte marrë një hov shumë të madh, dhe në Festivalin Kombëtar të Ansambleve Amatore të atij viti,  ansambli ynë fitoi flamurin e festivalit. Pritja e mrekullueshme e artdashësve të atij ansambli përcaktoi  karrierën time të mëvonshme e deri në ditët e sotme. Në atë vit ky sukses më dha mundësine që me Ansamblin Shtetëror të Valleve dhe Këngëve Popullore, të marr pjesë në turneun prej 2 muajsh e gjysëm në Republikën Popullore të Kinës. Ovacionet e një publiku gjigand në numër siç duket rikonfirmuan pritjen e mrekullueshme që do më shoqëronte gjatë gjithë jetës në skenë. Pas kësaj, me artistët më të zgjedhur të Ansamblit të Shtetit shkuam në turne në Rumani ku krahas artistëve të shquar si Vaçe Zela, Bik Ndoja, Luçije Miloti e Hysen Kocia, isha edhe unë. Në të njejtën kohë morra pjesë në Festivalet Kombëtare të Radiotelevizionit Shqipëtar me këngët hit për kohën si; “Festë në Malësi”, “Nënë dhe Shoqe”, “Ne të Dy”, “Interesant” etj, ku gjithmonë jam vlerësuar me çmime të dyta dhe të treta. Sukseset dhe konfirmimi im si këngëtare në vitet 70-ë vazhdoi me turrneun në Kosovë në vitin 1969-ë, me Ansamblin e Vlorës  ku përsëri nderohemi me çmimin e parë dhe kjo bëri që në atë vit të emërohesha si këngëtare profesioniste në estradën e Vlorës.Aty momentet e mia të eksperiencës artistike si dhe në vazhdim me lëvizjet e mia, janë të shumta dhe të mbushura me jetë. Emoconiet nuk më janë ndarë asnjëherë, por po ashtu nuk më është ndarë edhe sodisfaksioni.

–Të kënduarit ka qënë një pasion i hershëm i juaji, apo talent i lindur? -Kush ka ndikuar më së shumti në zhvillimet tuaja muzikore? ? Cfarë iu shtyhu të bëheshit këngëtare dhe pse?

Dashuria për këngën më është rrënjosur e kultivuar nga të dy prindërit e mi, të cilët këndonin shumë bukur, gjë që është trashëguar  dhe mbajtur gjallë jo vetëm nga unë por edhe nga motrat e vellezërit e mi. Kënga për ne ka qenë dhe është ushqim i përditshëm. Dëshira për ta cuar më tej talentin  dhe pasionin tim,  më udhëhoqi e më drejtoi në gjithë rrugëtimin tim si këngëtare. Kënga u bë pjesë e pandarë e imja, me të cilën do të jemi “një”deri në fund të jetës.

-Ju jeni e njohur kryesisht për të kënduar këngë lirike, të lehta, balada, me iso të muzikës popullore dhe si një adhuruese e hershëme e juaja, kam vënë re se ju kini një mirëkuptim mes dinamikës së muzikës, të kënduarit dhe interpretimit emocional, e cila u jep fuqinë e tingujve, melodisë së këngës popullore por edhe asaj të trevave të ndryshme shqiptare në përgjithësi. Na tregoni dicka per karrieren tuaj të larmishme? A keni pasur ndonjë trajnim apo eksperiencë në këto gjini?

Në repertorin tim, krahas muzikës së lehtë të festivaleve apo në Estradën e Vlorës kam kënduar këngë jo vetëm ëVlorës sime por edhe të Gjirokastrës, Fierit, Shkodrës, Korçës pastaj për vite me rradhë edhe këngët e bukura lirike kuksiane. Kjo larmi e ka perfeksionuar procesin tim krijues. Në sajë të bashkëpunimit me shumë muzikantë, që nga Themistokli Mone, Reshat Osmani, Mishel Lako,  Haxhi Dalipi, Aleksandër Lalo, Alfred Kaçinari, Ardian Hila, Shpëtim Saraçi si dhe i ndjeri Luan Borova e shumë të tjerë, më është krijuar mundësia të përfitoj më të mirën nga eksperienca e tyre dhe t’ja transmetoj atë publikut. Trajnimi ka ardhur spontan e i natyrshëm, i pandarë në krejt rrjedhën e karrierës time, kjo lidhur jo vetëm me dëshirën për të provuar veten apo për ta cuar më tej talentin por edhe me atë që unë kam qenë në lëvizje. Duke jetuar në vende të ndryshme i jam bashkuar gjithmonë jetës artistike të vendit ku kam jetuar, packa se unë gjithnjë kam pasur bazën time artistike dhe kudo kam ardhur me repertorin tim si këngëtare.

Natyrisht, bashin e vendit e zë Kënga Popullore Vlonjate dhe gjithmonë jam ndjerë e përkëdhelur nga vlerësime të ndryshme si në shtyp ashtu edhe në mediat, si “Mbretëresha e Këngës Vlonjate”.

 -A keni shkruar ndonjë tekst këngësh?

Jo, tekst të mirëfilltë këngësh nuk kam shkruar, por natyrisht kam kontribuar dhe bashkëpunuar me ide lidhur me materialet që janë shkruar e kompozuar enkas për mua, kjo për efekt përshtatjeje me mënyrën e të kënduarit dhe vijës melodike.

-Në televizione të ndryshme e rrjete sociale qarkulloni me këngë dhe filmime tuajat të arkivave, por edhe të viteve të fundit, si dhe keni një album me këngë të zgjedhura tuajat. Gjithashtu keni dhënë shumë koncerte  brenda e jashtë atdheut .C’mund të na thoni për këtë? Cfarë mund të presin adhuruesit nga ju?

Vitet e fundit jam marrë më pak me këngën, kryesisht si e ftuar në emisione televizive, koncerte apo evenimente festive të ndryshme. Por ndërkohë kam marrë pjesë në Festivalin Ballkanik të zhvilluar në Bullgari ku kam përfaqësuar Shqipërinë, si dhe në Festivalin e Ansambleve në Jaltë në përbërje të Ansamblit “Skënderbeu” të Korçës. Gjithashtu gjatë kësaj kohe kam marrë pjesë në koncerte në Rimini të Italisë, dhe Selanik të Greqisë. Shumë ftesave edhe nuk kam mundur t’u pergjigjem me pjesëmarrjen time, pasi kam qenë në lëvizje me familjen. Albumin me këngët e zgjedhura e realizuam si projekt bashkë me bashkëshortin tim  Zehrudin Dokle, i cili ka qenë dhe regjizori im përmbi 15 vjet, si dhe në bashkëpunim me muzikantët e mirënjohur, Shpëtim Saraci, Alfred Kacinari dhe Edmond Zhulali, për orkestacionin. Ishte një dëshirë e imja që ta bëja jo vetëm për kënaqësinë time por edhe për fëmijët e mi, por duhet të them se pati shumë sukses dhe kopjet qarkulluan me shumë shpejtësi, aq sa ndoshta nuk arrita të ngop kërkesat për të, ndaj dhe kjo mbetet projekt në vazhdim.

Për adhuruesit e mi planifikoj të realizoj së shpejti një koncert recital, të shumë kërkuar nga vete ata, e të shumëpritur tashmë, ndaj me shumë kënaqësi po punoj drejt tij.

-Jetoni në Bullgari. Cfarë ju lidh me Vlorën? Po me Kukësin dhe Shkodrën?

Vlora është mëma ime, Vlora jam unë, Vlora është kënga ime.

Në Kukës u martova me bashkëshortin tim, dhe aty zë fill familja ime e mrekullueshme me dy vajzat e para, ku kam kaluar mrekullisht mund të them, dhe jam pritur plot dashuri, e respektuar në maksimum nga të afërmit , jo vetëm si nuse që shkoja nga Vlora në Kukës, por edhe  nga kolegët e mbarë bashkëqytetarët kuksianë. Në Shkodër rrita fëmijët, aty  linda djalin e vogël. Shkodrën e kam shumë të dashur jo vetëm për këtë fakt, por sepse kemi kaluar shumë bukur e jam trajtuar me shumë admirim dhe respekt, si në ambientet familjare ashtu edhe ato artistike të punës time të përditëshme. Lidhjet e mija me të treja këto treva  janë shumë të gjalla edhe sot. Dhe  të tilla do të jenë gjithmonë, dhe vizitat janë të shpeshta, është jeta ime dhe e familjes time.Sot jetoj në Sofje të Bullgarisë, një rastësi jete. Dy vajzat e mija studionin në Sofie, e madhja Olta në Universitetin e Sofjes për drejtësi dhe e dyta Borjana në Liceun e Muzikës për violinë. Një verë, pasi mbaroi shkollën djali i vogël,  u nisëm për të vizituar vajzat në Sofje. Aty,  djali si shumë çapkën, duke luajtur theu këmbën në një vend shumë delikat. Menjëherë ju nënshtrua një ndërhyrjeje ortopedike, dhe kirurgët e mrekullueshëm dhe të përkushtuar, pasi e operuan me shumë sukses, na këshilluan për një regjim shumë rigoroz, për një minimum prej 9 muajsh. Kjo u bë shkak që ne të vendoseshim në Sofje familjarisht në fillim përkohësisht deri sa të kalonte çdo gjë sipas këshillave të mjekëve e më vonë qëndruam përfundimisht.Përshtatja jonë në Sofje ishte fare e lehtë dhe e këndshme, atje populli është mikpritës dhe i çliruar nga komplekset nacionaliste. Në Bullgari nuk ka emigrantë shqipëtarë. Jemi gjithsej rreth 10 familje shqiptare, të integruara me dinjitet,  të stabilizuara shumë mirë ekonomikisht, e me femijë të shkolluar në universitetet më prestigjioze të Bullgarisë. Atë mungesë të jetës artistike në Sofje ma plotësonte vajza e dytë e cila si violiniste dha  disa koncerte recital aty, ku gjithashtu u ftua edhe nga Presidenti i Bullgarisë në ate kohë në Residencën Presidenciale,  për të luajtur një pjesë nga Paganini, me Kuartetin e Harqeve të Filarmonisë të Sofjes.  Më pas ajo filloi të merrej me këngën, ku formoi grupin e saj Dokle & Greesh, me të cilin ka videoklipe, pjesëmarrje në koncerte televizive, si dhe morri Çmimin Special në festivalin e 42-të të këngës në Bullgari e plot të tjera aktivitete të sajat. Këtë mangësi akoma me shumë ma plotësoi në vijim edhe djali i cili mbaroi Akademin e Arteve me rezultate të shkëlqyera për aktor teatri, ku është aktivizuar në shfaqje të ndryshme teatrale e në disa filma televizivë. Ndërsa vajza e madhe ma përmbush këtë kënaqësi nëpërmjet duarve të saja dhe krijimtarisë së saj në artet pamore dhe figurative. Gjithnjë në lëvizje, të shpërndarë, të gjithanshëm, por me një trung fort të lidhur familjar ku bashkohemi, për këtë jam më shumë krenare se gjithcka tjetër, për familjen time.

-Në opinionin tuaj si Artiste me prirje të forta qytetarie, intelektuale e talenti, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe në marrëdhëniet mes kulturave të tjera ballkanike e europiane, përsa i përket muzikës?

Nuk do t’më pëlqente të flas për konfuzion lidhur me këtë temë po për larmi. Larmia ballkanike është e njohur kudo dhe arsyet tek unë qëndrojnë lidhur me marrëdhëniet e ndërthurrura historike që në lashtësi e në vazhdim. Por duhet theksuar se Shqipëria ka motive të vetat evidente, të formuara, e të pjekura, ato të muzikës së lehtë, qytetare dhe popullore, dhe cfarë nuk do të ngurroja të thosha për këtë është se ruajtja dhe zhvillimi i tyre vjen duke ruajtur bazën e mirëfilltë, nuk duhet të neglizhohet e aq më keq të shkrihet me të tjera tendenca apo të evitohet në tërësi.

-Si nënë, bashkëshorte intelektuale dhe Artiste e Kombit si ndiheni kur dëgjoni për krimin në familje, apo veset e tjera që kanë përfshirë një pjesë të komunitetit, sikundër droga e krimi? Dhunën ndaj gruas?Si mund të reflektojë shoqëria shqiptare për lehtësimin e këtyre plagëve?

Duke ngritur zërin për sensibilizim, duke gjetur forcën përtej frikës e paditurisë, forcën e pastër njerëzore, atë instiktiven. I dënoj dhe me dhëmbin shumë këto dukuri.

-Me cilin këngëtar të shquar shqiptar dhe të huaj, do dëshiroje të këndoje? Preferencat tuaja për ta?

(Qesh) Dikur doja shumë të këndoja me Gaqo Cakon nga këngëtarët shqiptar dhe Domenico Modugno nga ata të huaj, me të dy pasi i adhuroja si këngëtarë si në përformim ashtu edhe prezencë skenike.

-Kë dëshiron të falenderosh për realizimin e ëndrrës tuaj si këngëtare?

Endërra e vërtetë filloi me mua, por mbështetja është faktor lëvizës. E kur flitet për mbështetje i pari që zë vend në mëndjen time është babai im. Gjithë familjen time të madhe prej 6 motrash e 3 vëllezërish dhe nënën i kam pasur ne krah, por babai në vecanti më dha besim dhe shtytje që në momentin e parë, e kisha shok të mirë.

-Gjërat janë duke ndryshuar në rrjedhën e muzikës komerciale. Cfarë mendimi kini për këtë?

 Koha është dhe gjithmonë do të jetë faktor dhe jo vetëm për tregun muzikor e atë të artit në përgjithësi. Gjithsesi arti i mirëfilltë ka pjedestalin e vet e i qëndron cdo kohe, kështu edhe me muzikën dhe këngën ndërkohë qëkurse përdoret fjala pazar apo treg muzikor, detyrimisht do të kërkohet dhe ngopja e tyre. Por në Bullgari, ku unë jetoj thonë një fjalë të urtë: “Për cdo tren do ketë pasagjerë!”

-Cili është instrumenti muzikor i preferuar i juaji? A mund të luani me të?

Ka qenë dhe mbetet kitarra. Luaj pak, me raste dhe në ambiente më të ngushta.

-Çfarë mëkati i njihni vetes si këngëtare që i përket dy kohëve, para dhe pas ’90-s ?

Mëkat do të ishte nëse do të zhgënjeja publikun tim, admiruesit e mi si këngëtare, si para ashtu edhe mbrapa 90-s, por besoj asnjëherë se kam bërë. Ndoshta mëkat bëri koha si para ashtu edhe pas 90-s, në fillim me ndrydhjen e imponuar, pastaj me tranzicionet e trazirat tronditëse duke vazhduar me trysninë e të resë dhe shpejtësinë e kërkesave të saj.

-Kush është Kleopatra Skarco Dokle? Cfarë është dashuria për ju?Kur e ndjen një grua se është e dashuruar? A keni shkruar ndonjë poezi dashurie?

Kleopatra Skarco Dokle është bijë, motër dhe shoqe, një grua e fortë dhe e ndjeshme, amvisë dhe e thjeshtë, një nënë e përkushtuar e tre femijëve dhe gjyshe e dy mbesave dhe një nipi, është artiste, është kengetarja bijë e Vlorës, dhe e skenës shqiptare.

Dashuria për mua është të ikësh nga Vlora për t’u martuar në skajin tjetër, në Kukës,për dashurinë e jetës,  pa ditur gati asgjë për atë trevë të mrekullueshme lumjane. Kur vendime të mëdha bëhen të lehta pendë për t’u marrë, e ndjen dhe e di një grua se është e dashuruar. Poezi nuk i kam shkruar dashurisë, por i kam kënduar dashurisë pa rreshtur.

-Kur shprehemi “brezi i mëparshëm”, kë keni ndërmend sipas jush? Cilët janë këngëtarët tuaj më të preferuar, shqiptarë e të huaj?

Do të përmend emra të preferuar, e kështu do të kuptohet edhe cfarë kuptojmë me brez të mëparshëm: Lucije Miloti, Fitnete Rexha, Marije Kraja, Mentor Xhemali, Ramiz Kovaci, Avni Mula, Gaqo Cako e Vace Zela, fat e privilegj i artit e kulturës sonë shqiptare të patjetërsueshëm e të pavdekshëm, ndërsa të huaj do të vecoja italianët pasi ata kam ndjekur atëhere: Mina, Rita Pavone, Marcela, Domenico Modugno, e plot të tjerë nga c’kemi pasur mundësi të ndjekim në ato kohë.

-Cilat janë aftësitë profesionale që këngëtaret e reja kanë nevojë sot? Ndonjë këshillë për ata/ato që aspirojnë të bëhen këngëtarë?

Një talent, shumë punë.

-Projektet tuaja në të ardhmen? Cfarë iu ka mbetur peng?

Asnjë peng. Cdo projekt i ardhshëm do të jetë një kënaqësi, një emocion më shumë i dhënë e i marrë.

-Mesazhi tuaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot….

Mos të përqëndrohemi vetëm tek përfitimi por edhe tek kontributi.

Ju faleminderit!   

 

Filed Under: Featured Tagged With: mbreteresha e kenges vlonjate, Raimonda Moisiu, rrefehet Kleopatra Skarco-Dokle

FALENDERIM PER AVOKATIN YLBER A DAUTI

January 21, 2014 by dgreca

Kur të rriten dy fëmijët e mi do ta kuptojnë se secili prej tyre është multimilioner në saj të aftësive të një avokatit shqiptaro-amerikan,Ylber Dauti. Faleminderit avokat!/

Gazetës :”Dielli” në New York/

I nderuar Z. Editor

Dëshiroj të publikoj një falenderim për avokatin tim Ylber Dauti. Ju lutem publikoni si më poshtë:

“Dëshiroj të falenderoj përzemërsisht Avokatin Ylber Dauti për punën e përkryer dhe rezultatin e shkëlqyer që ai arriti në çështjen gjyqësore për dy fëmijët e mi. Unë u mahnita dhe u krenova kur dëgjova gjykatësen e çështjes Znj. Sharon Aarons të thoshte se ajo “kurrë nuk kishte parë apo dëgjuar që një shumë kaq e madhe dëmshpërblimi të jepej për një çështje të tillë.”

Ishte vërtet krenari për mua pasi kjo gjë u arrit nga një avokat shqiptar. Në fillim ne kishim kontaktuar një avokat tjetër i cili na këshilloi që vlera e çështjes mund të ishte rreth tridhjetë mijë dollarë! Natyrish nuk mund të ishim në një mendje me avokatin dhe kërkuam një tjetër avokat. Ishim me fat që gjetëm avokatin shqiptar Ylber Dauti.

Si pasojë e punës dhe aftësive profesionale të  Avokatit Dauti – dy fëmijët e mi kur të rriten do ta kuptojnë që secili prej tyre është multi-milioner – dhe për këtë ne do t’ i jemi gjithmonë mirënjohës avokatit shqipëtar, Z. Dauti.

Gjithashtu përgëzojmë Av. Dauti për këtë fitore e cila është shpallur nga New York Law Journal /Verdict Search e datës 23 Dhjetor 2013, si shuma më e madhe e dëmshpërblimit e fituar në shtetin e Nju-Jorkut për vitin 2013 në kategorinë e premises liability.”

Të bashkëngjitur keni çekun për botimin e këtij falenderimi në gazetën”Dielli”.

PS:Po patët ndonjë pyetje, ju lutem me kontaktoni në këtë numër telefoni….

Me respekt,
A Berisha

Janar 17, 2014

Filed Under: Featured Tagged With: A Berisha, falenderim publik, femijet e mi, multimilionere, Ylber Dauti

Zërat e korbave të zinj

January 21, 2014 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA/

 Kur isha në moshën e fëminisë historinë e Shqipërisë e njihja siç ma kishte mësuar historiografia totalitare që studiohej në shkollat tona. Sipas saj, çdo luftëtar nacionalist më shfaqej si Sali Protopapa i filmit “I teti në Bronx” apo si ballistët e filmit “Kur zbardhte një ditë”. Por pata fatin, e theksoj pata fatin, që Zoti i Madh dhe i Madhërueshëm më mori mendjen dhe u ngrita kundër atij sistemi duke shpërndarë trakte në rrugët e qytetit tim. U arrestova dhe u dënova. Në burg pata fatin të takoja ata burra të rrallë që , në ato kondita kur karakteri im nuk ishte formuar ende, të më tregonin të vërtetën e këtij vëndi dhe rrugën nëpër të cilën duhej të ecja. Ndaj them se pata fatin, pasi atje mësova të vërtetën historike dhe këtë të vërtetë e regjistrova në memorien dhe ndërgjegjen time për të mos e harruar kurrë.

Më falni për këtë hyrje pak të gjatë, pasi ndonjërit mund të mos i interesojë. Por u detyrova pasi dëgjova për disa inisiativa të shfaqura nga një personalitet i klanit në pushtet.Më është bërë zakon të hap faqen e internetit dhe të lexoj lajme të ndryshme. Midis tyre lexoj një lajm të publikuar  ku shkruhet:

Propozime për 70-vjetorin e Çlirimit

Dërguar më 12/01/2014-09:03

 Duke marrë indicie nga prononcimi i (këtu përmendet emri i një personaliteti, që mua më vjen rëndë ta përmend, pasi për moshën që ka, nuk e besoja se do të ishte kaq i indoktrinuar nga e kaluara e përmbysur) lidhur me kremtimin e  70 vjetorit të çlirimit të atdheut nga okupatorët nazi-fashistë dhe bashkëpuntorët e tyre, si qytetar i këtij vendi me ndjesi liridashëse dhe njëkohësisht si pasardhës i një luftëtari antifashist, parashtroj propozimet e mia konkrete për çka duhet bërë për këtë jubile, në nderim të kontributit të dhënë dhe gjakut të derdhur gjatë Luftës Antifashiste, nga e cila populli ynë u rradhit përkrah fitimtarëve të koalicionit anglo-sovjeto amerikan

  Dhe më poshte vijojnë propozimet e tij. Nuk dua t’i përmend pikat e këtij propozimi, pasi më neverisin. Ato janë gjithsej 17, por mua më duket se edhe vetë diktatori Enver Hoxha nuk do të guxonte të publikonte propozime të tilla, po të ishte gjallë. Nuk do t’i publikonte pasi ishte ai vetë që i eliminoi ish shokët e tij më të ngushtë. Një miku im i vjetër më thotë:   Ne kot e dënojmë Enver Hoxhën, pasi ishte ai që na i mori hakën. Ai i vrau të gjithë ata që na vranë ne.Para syve të mi dalin shumë figura të shquara të lëvizjes antifashiste të zhdukura nga skena politike ende pa u restauruar pushteti totalitar dhe më vonë, pas vendosjes së tij. Më dalin parasysh figurat e Hysni Xhindit, Fejzo Gjomemës, Mustafa Gjinishit, Ramize Gjebresë, Shefqet Bejës, Liri Gegës, Dali Ndreut, Beqir Ballukut, Hito Çakos, Petrit Dumes, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut. A nuk ishin këta që vranë njerëzit tanë? Shoh këto figura dhe i jap të drejtë mikut tim. Kuçedra pasi u ngop me gjakun e nacionalistëve filloi të hante edhe bijtë e vetë.

Gjithmonë në faqet e internetit lexoj një deklaratë të një personaliteti tjetër të majtë, një ish ministër i qeverisë së djathtë, të rrëzuar më 23 qershor, tani një funksionar i së majtës, (me falni por, me padijeninë time,  nuk e kuptoj se si një individ me bindje të djathë apo të majte, papritur dhe pakujtuar të kthehet në kahun e kundërt. Një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm një sharlatan). Ky individ, pjesmarrës në kremtimin e përvjetorit të një prej brigadave partizane, deklaron se Lufta Nacionalçlirimtare na paska qenë farkëtimi i miqësisë me demokracitë perëndimore. Nuk e kuptoj se për cilën miqësi e ka fjalën zotëria. Mos vallë për atë “miqësi” që, pas marrjes në pushtet u kthye në armiqësi? A nuk ishte imperializmi anglo-amerikan armiku më i egër i “pushtetit popullor” të vendosur në Shqipëri? Kjo nuk është një shprehje e imja, është e paraardhësve të tij si dhe atyre vetë, që iu zunë duart kallo nga duartrokitjet frenetike në mbrojtje të atij sistemi.

Ndaj dua t’ju them: Heshtni! Çlirohuni nga indoktrinimi i një ideologjie të përmbysur, në rast se doni të mbeteni në historinë e këtij vendi. Sot jeni në pushtet dhe marrëzia e këtij populli ju dha shumicën absolute. Mos e shfrytëzoni këtë fakt për të hymnizuar një periudhë të cilën po ky popull e rrëzoi në fundin e vitit 1990. Shpesh herë dëgjojmë udhëheqësit tuaj të thonë se këtë të drejtë jua paska dhënë populli me votën e tij. Dëgjoni anekdotën e mëposhtme dhe gjykoni:

Diktatori Neron dogji Romën. Populli u ngrit në revoltë dhe rrethoi pallatin perandorak. Perandori, i trembur, thirri këshilltarin e tij Senekën dhe e pyeti:

–          Si do t’ia bëjmë?

Seneka iu përgjigj:

–          Hidhua fajin të krishterëve

Në atë kohë krishterimi kishte fare pak kohë  që kishte lindur.

–          Por, a do të më besojnë?- pyeti Neroni.

Dhe Seneka i ktheu përgjigjen lapidar:

–          Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret!

Mos  e  harroni   këtë   përgjigje,   të   nderuar   zotërinj!   Populli   vërtet   sot   u   dha  këtë përgjigje por nuk e di nëse do ta keni nesër apo jo. Unë kam bindjen se, pas largimit nga kjo jetë të brezit tonë dhe bijve tanë, nipërit dhe mbesat tona do të kenë në ndërgjegjen e tyre një botëkuptim tjetër të historisë, një botëkuptim në përputhje me të vërtetën historike të vendit. Por do të ishte në nderin tonë që ky botëkuptim të mbizotëronte sot, pas njëzetetre vjetësh nga rivendosja e sistemit demokratik. Ndaj mjaft më me përralla për ditën e çlirimit dhe përkujtimin e saj. Ajo nuk është dita e çlirimit. Ajo është dita e skllavërimit të këtij populli.  Është dita e mbi 6.000 të vrarëve pa faj, mbi 17.000 të burgosurve politikë, mbi 30.000 familjeve të internuara politikisht, mbi 400.000 të përndjekurve politikë. Atëherë, për çfarë çlirimi bëni fjalë? Për atë “çlirim që vrau, burgosi, internoi dhe përndoqi mijra qytetarë shqiptarë? Për atë “çlirim” që e ndau Kosovën dhe trojet e vjetra shqiptare, nga toka mëmë? Për atë “çlirim” që na ndau nga bota demokratike? Për atë “çlirim” që hëngri edhe bijtë e vetë? Për atë “çlirim” që varfëroi deri në palcë një popull të tërë? Kjo është ajo dita e “çlirimit” që ju kërkoni ta ngrini në qiell.

Në mbyllje, më lejoni të citoj disa vargje lapidar të të pavdekshmit Ali Asllani, shkruar mbi 70 vjet më parë:

Koha dridhet e përdridhet,do vij’dita që do zgjidhet/

   Dhe nga trasta pem’e kalbur, doemos që jasht’do hidhet!/

                        Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë

                        Nuk do mbetet gjë në dorë veçse vul’e zez’në ballë!

  Po mundët, këtë mos e harroni!

*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: reshat kripa, zerat e korbave

Albania to Impose Hunting Moratorium

January 20, 2014 by dgreca

Albanian environment minister Lefter Koka announced that the government plans to ban hunting for two years after a significant fall in the numbers of wild animals./

By Besart LIKMETA/

This is a drastic measure but necessary in order to stop the further degradation of  wildlife, which is now at a critical minimum, and to impose controls on hunting activities that have been lacking for the last two decades,” Koka said on Sunday.

According to the minister, independent studies and data collected by the department of biodiversity at the environment ministry show that over the past decade there has been a steep decline in Albania’s wildlife population.

Koka said that there had been a decline of between 30 to 50 per cent in species that are allowed to be hunted, such as wild rabbits, foxes and mountain quail, but also in the population of species that are protected.

The minister blamed illegal hunting, the large number of registered hunting riffles and the government’s inability to collect fines.

“There are 75,000 registered hunting rifles in Albania, as well as a large number of illegal automatic weapons,” Koka said.

According to Koka, another factor that has aggravated the situation is the large number of “foreign citizens who hunt illegally in Albania”.

“Although the legal framework for the protection of wildlife has been improved over the last few years, the data unveils a situation that can only be restored through an emergency moratorium on hunting,” he concluded.(BIN)

Filed Under: Featured Tagged With: albania, Hunting Moratorium

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4927
  • 4928
  • 4929
  • 4930
  • 4931
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT