• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOLONEL RAUF FRATARI, PERSONALITET I SPIKATUR I NACIONALIZMIT SHQIPTAR

October 11, 2013 by dgreca

 Shkruan:Eugen SHEHU/

  Fratari,ai vend i thyer në cep të Mallakastrës së egër,ka bërë emër jo vetëm në jug,por në krejt viset e shtetit amë.Burrat e atij vendi ishin mbështetja e parë e Rrapo Heklait,i cili ngase kundërshtoi trimërisht Portën e Lartë në mesin e shekullit të 19-të,u dënua me vdekje.Nga Fratari janë me dhjetar burra që u qëndruan trimërisht tufanave të kohës.Dhe në mesin e këtyre burrave,qëndron nacionalisti i shquar,ai që e deshi atdheun dhe monarkinë njësoj si shtëpinë e vet, Rauf Fratari.Lindi në Fratar,në vitin 1908,në Mallakastër ku kishin nisur të frynin erërat e autonomisë shqiptare.Nënë Sabires,asaj gruaje trime nga dera e shquar e Frashërllinjëve të Përmetit,i shkuan plot miq e dashamirës për ta uruar.I mungonte vetëm i shoqi Hajredini.Po kush ishte Hajredin Fratari?

I diplomuar në Stamboll në universitetin e Hylqies,Hjaredini ende 24 vjeçar dërgohet në Janinë.Aty mëson nga administrimi praktikisht dhe pas disa provimesh të tjera në Stamboll,në vitin 1906, dërgohet nga Porta e Lartë me detyrën e nënprefektit,në një prej nënprefekturat e Mamisit,të Vilajetit të Izmirit në Turqi.Aty ndonëse punon deri në vitin 1910 ka qenë i lidhur ngushtë me krerët kryesorë të lëvizjes autonomiste shqiptare.Është ndër nismëtarët e Komitetit Shqiptar të Beratit,të cilët mbështetën fuqimishtë Ismail Qemalin,Shahin Kolonjën dhe Hasan Prishtinën për të ngritur zërin në parllamentin turk,lidhur me alfabetin dhe gjuhën shqipe.Në fillim të vitit 1912,Hajredin Fratari e braktis përfundimisht karierën e lartë në administratën turke.Ai shkon në Mallakastër e berat dhe duke mos kursyer as forcat e mendjes dhe as pasurinë e tij,viret në ballë të lëvizjes për pavarsinë e trojeve shqiptare.Natyrisht një personalitet si Hajredin Fratari e kishte të qartë se Pavarsia e Shqipërisë mund të arrihej vetëm në saje të bashkimit të ideve dhe forcave të krejt shqiptarëve,drejt qëllimit të përbashkët,për këtë qëllim ai merr pjesë në Kuvendin e Junikut,më 25 maj 1912 si përfaqsues i popullit të Mallakastrës dhe beratit.Fjala e tij do të dëgjohej plot me respekt në mes të 250 burrave të mbledhur në Junik,të cilët përfaqsonin krejt vilajetet shqiptare. Nisur nga aktiviteti i madh patriotik,nga mençuria dhe guximi i tij,populli i Mallakastrës e zgjedh Hajredin Fratarin si delegatë të saj në Kuvendin historik të Vlorës,në nëntorin e vitit 1912.Në këtë mënyrë,burri i Mallakastrës u radhit ndër 33 firmëtarët që shpallën me aktin e tyre,pavarsinë e trojeve amtare.Në vitet 1912-1914,Hajredin Fratari do të punonte si nënprefekt i Skraparit.Si do të vinte në jetë njohurit e tij,duke dashur të çojë sa më parë idetë dhe punën e madhe të qeverisë së parë shqiptare,dalë nga Kuvendi i Vlorës.Pas mijëra halleve që kishin shqiptarët e asaj kohe,Hajredin Fratarit iu desh të përballej edhe me elementë anadollakë të cilët ende shpresonin se e ardhmja e Shqipërisë,ishte Stambolli.Edhe kur në Shqipëri shkoi Princ Vidi,ndonëse pati shumë kërcënime,Hajredini nuk e la detyrën.Por me largimin e tij atëherë kur Shqipëria e mesme dhe ajo e Jugut po binin në duart e Esat Pashë Toptanit dhe Haxhi Qamilit,atëherë burri i Mallakastrës shkon në shtëpinë e vet,në Fratar dhe për tri-katër muaj merret me ndërtimin e shkollës së parë shqipe në Fratar.Por qëndrimin e Hajredinit nuk mund ta harronin rebelët mallakastriotë që në mënyrë të verbër,shkonin pas Haxhi Qamilit,kësj figure të urryer të shqiptarëve në ato vise.Në ditët e para të prillit 1915,ata shkojnë në Fratar dhe e arrestojnë Hajredinin,në shtëpinë tij.Katër ditë më pas kinse ai donte t’u largohej rojeve është qëlluar dhe vrarë prapa krahëve.Gjithsesi në telegramin për këtë vrasje thuhej : “Berat 15 prill,ora 8 e ditës.Drejtur kryesisë së Komitetit Elbasan,Tiranë,Krujë. Zoti Hajredin Fratari tue qenë nga nënprefektët e administratës së Turqisë,është mbështetës i personit të Ismail Qemalit dhe u bë nënprefekt i Skraparit.Mbas ngjarjeve të bamë së voni është burgosur në burgun e Beratit dhe mbasi nuk u pa e pëlqyeshme mbajtja e tij në burg, e pamë të udhës transferimin e tij në burgun e Kavajës.Për dijeni ju njoftohet se sot,ku po përcillesh për në Kavajë nën vërejtjen e një detashmenti… u muar vesh se rrugës ka tentuar me u arratis dhe mbasi nuk iu bind urdhërit “ndal” të dhanun dy-tri herë prej detashmentit,asht vramë nga të qitunat e pushkëve të bame nga ana e detashmentit”.(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë.Fondi 245,dosja 26,fleta 118).

Raufi 7 vjeçar do të shkonte të fillonte mësimet në shkollën e Fratarit,të cilën e pati ngritur që nga themelet i jati,Hajredini,madje edhe mësuesit e parë të kësaj shkolle ishin paguar nga burri i shquar i Mallakastrës.Së bashku me vëllanë më të vogël Skënderin,ata do t’i rriste me dashurinë e saj nënë Sabirja.Pas mbarimit të shkollës fillore në Fratar,Raufi shkon në Gjirokastër ku mbaron dy klasa të tjera.Më pas në vitet 1923-1927 ai shkon në Modena të Italisë dhe me ndihmën e pakursyer të familjes,mbaron me rezulltate të shkëlqyera,studimet në shkollën e mesme ushtarake,Tejet autoritar,me ambicie të vazhdueshme për t’u thelluar në studimet ushtarake,Rauf Fratari do të këmbëngulte për të vazhduar akademinë e lartë ushtarke.Për fat të tij në nëndorin e vitit 1928,mbretëria shqiptare e spalli të jatin Hajredinin “Dëshmor të Kombit” me ç’rast të birit Raufit i ofrojnë studime të larta në Itali.Në këtë mënyrë së bashku edhe me studentë të tjerë shqiptarë,në vitet 1929-1933,Rauf Fratari vazhdon studimet në Akademinë Mbretërore të Romës,në degën e Kavalerisë.Autoritetit dhe pretsigjit që gëzon ndër shokë do t’i shkonte shumë kjo degë e për më tej, Raufi do t’u futej studimeve të thella për rolin e madh të kavalerisë në betejat që kishin zhvilluar në shekuj me radhë bashkëkombasit e vet,ndërkaq ai nuk do të qëndronte indiferent edhe ndaj politikave italiane për fashistizimin e jetës së studentëve shqiptarë në krejt Italinë.Kundërshton me forcë nderrimin alla romane dhe në bisedat me miqtë e vet shprehet hapur se studentët shqiptarë duhet të ruajnë nderimet ushtarake që bëheshin në atdhe dhe asesi nuk duheshin harruar zakonet e mrekullueshme shqiptare.

Në vjeshtën e vitit 1933 pasi mbaroi me rezulltate të larta Akademinë Mbretërore në Romë,Rauf Fratari me detyrën e nëntogerit emërohet në Gardën Mbretërore Shqiptare.Për gjashtë vjet me radhë ai do të shërbente në këtë Gardë me përkushtim dhe devocionin më të lartë.Veçanërisht në këto vite,duhet pranuar se italianët nuk lanë gur pa përdorur,për ta kthyer Mbretin Zog në instrument të politikave kolonizuese të tyre.Kur e panë se në këtë drejtim karakteri i Mbretit të Shqiptarëve ishte i papërkulur,ata u përpoqën me anë të mercenarëve shqiptarë të kërcënonin deri fizikisht jetën e tij. Rauf Fratari,në çdo moment u gjend kurdoherë në situatën më të vështirë,duke shmangur në kohë çdo rrezik.Betimi si oficer besnik i Gardës Mbretërore,do të ishte për birin e Mallakastrës jo vetëm një udhëheqje por edhe thirrje për të sakrifikuar gjithshka vetëm që nderi i Gardës Mbretërore dhe i vetë Mbretit Zog të mos cenohej,është kjo arsyeja që brenda gjashtë vjetëve të detyrës së tij në atë vend,Rauf Fratari arriti të marrë gradën e majorit të Gardës Mbretërore.

Ndërkaq 7 prilli 1939 do të shënonte ditën e zisë kombëtare shqiptare.”Raufi ishte ndër ata qindra oficerë të Monarkisë së Zogut i cili e priti me indinjatë të madhe pushtimin fashist të vendit dhe në shenjë proteste ai grisi flamurin italian.Pas atij xhesti ndoshta simbolik,por që shprehte gjendjen e tij shpirtërore dhe indinjatën e madhe të një shqiptari të vërtetë,autoritetet italine e arrestuan Raufin dhe  embajtën për disa kohë në burgun e Tiranës”(Gazeta Shqiptare,Tiranë,10janar2003)

Ka qenë pikërisht ndërhyrja e Fejzi bej Alizotit ( gruaja e të cilit ishte motër me gruan e Raufit) që ky i fundit të lirohet nga burgu.Meqenëse autoritetet italiane i njihnin aftësitë ushtarke të Raufit,në kuadrin e thirrjes për t’u kthyer të gjithë oficerët shqiptarë në detyrat e tyre,ky shkon në garnizonin  e Kuçovës.Disa muaj më pas,në fund të vitit 1940,Rauf Fratari thirret në komandën e lartë të ushtrisë italiane dhe i bëhet thirrje të grumbollojë sa më shumë vullnetarë nga vendlindja e tij,Mallakastra për të luftuar në frontin italo-grek që niste nga Saranda.Sidoqë nën parrullat se do luftohej për Shqipërinë Etnike,Raufi e kuptoi se kjo gjakderdhje e shiptarëve sish gjë tjetër,pos zbatimit të planeve strategjike për territore të reja të pushtuara nga fshistët.Ka qenë kjo arsyeja që Rauf Fratari nuk pranoi të luajë këtë rol,me ç’rast u arrestua përsëri dhe u dërgua në burgun e Gjirokastrës.Edhe aty nuk munguan presionet,ndërsa burri i Mallakastrës me një italishte të kulluar i kumtonte karabinierëve italianë se shqiptarët një fjalë kanë.Edhe këtë radhë me ndërhyrjen e Fejzi bej Alizotit autoritetet italiane detyrohen ta lirojnë nga burgu duke e porositur që të shkoj në shtëpi ndryshe e priste internimi.Në vitet 1941-1943,Rauf Fratari akademist i shkëlqyer i Romës dhe mbretëror i sprovuar,bashkëpunon ngushtë me nacionalistët shqiptarë.Ai bie në kontakt me Hysni Lepenicën,Ismail Golemin,Tefik Cfirin dhe sidomos me Abaz Kupin,heroin e rezistencës shqiptare të 7 prillit 1939.Dihet se në fillimet e veta lëvizja nacionaliste shqiptare lindi si nevojë imperative e luftës kundër fashizmit italian,i cili kishte robëruar vendin.Rreth 70-80 burra  të Mallakastrës së Epërme,në janarin e vitit 1943 lidhin besën so do të luftonin nën komandën e Rauf Fratarit.Brenda dy-tri muajve radhët u shtuan dhe kjo njësi luftarake u pagëzua batalioni “Hajredin Fratari”.Në mars të vitit 1943,do të vinte aksioni i parë i madh i këtij batalioni,kundër forcave italiane që lëviznin në autokolonën prej Fieri në Tepelenë.Në vendin e quajtur kthesa e Greshicës,Rauf Fratari ndërton një pritë model duke iu përshtatur terrenit,si edhe aftësive luftarake të batalionit që udhëhiqte.Duke shfrytëzuar befasinë vullnetarët nacionalistë,hapin një zjarrë të fuqishëm në drejtim të autokolonës italine dhe brenda dy orë luftimesh lënë dhjetra të vrarë dhe të plagosur.Komanda e qarkut të Fierit, lajmëronte Tiranën për “dërgimin e trupave të tjerë pasi prita ka qenë e befasishme dhe shiqptarët nuk përmbahen në sulmin e tyre”.(A.Q i shtetit-Tiranë,Fondi Mëkëmbësia,dosja.47,fleta 233 ).

Mbas këtij aksioni i cili bëri jehonë në krejt Shqipërinë e Jugut,forcat ushtarake italine ndërmuarën një operacion të gjërë,në Mallakastër duke djegur qindra shtëpi,duke vrarë e burgosur shqiptarë të pafajshëm.Nuk mundet kursesi të jetë rastësi që e para shtëpi e djegur prej italinëve ishte ajo e Hajredin Fratarit.Pas djegjes së parë që i bënë shtëpisë së madhe forcat e Haxhi Qamilit,në vitin 1915,kjo ishte e dyta e cila rrënoi deri murat e lashta prej guri.Raufi me ndihmën e miqve të vet mundi ta largojë familjen dhe në krye të batalionit u hodh në aksion luftarak akoma më të rreptë,kundër pushtuesit italian.Tashmë emri i tij përcillej me respekt në çdo vatër mallakastriote.Sigurisht ka qenë kjo arsyeja që Qarkori Komunist i Mallakastrës,ngarkoi Mehmet Shehun të bisedonte me Raufin,me qëllim që ky të rreshtohej në batalionin e vet,në radhët e nacionalçlirimtarëve.Sipas kujtimeve të bashkëkohësve të tij,takimi ishte kryer në vendin e quajtur Poçen disa ditë përpara se aty,të mblidhej populli e të jepte besën për të luftuar okupatorin italian.Rauf Fratari me horizontin e gjërë dhe personalitetin që zotëronte,i tha Mehmet Shehut se nuk mund të virej asesi në komandën e komunistëve,e para,sepse ajo doktrinë nuk përshtatej Shqipërisë dhe se e dyta,sepse komunistët shqiptarë të rangjeve të larta,pothuaj të gjithë merrnin urdhëra nga Beogradi.Kjo bisedë e çiltër do t’i kushtonte shumë shtrenjtë Rauf Fratarit,dhe se prej atij momenti ai u shpall armik i partisë komuniste e cila udhëhiqej nga motoja bolshevike “O me ne ,O kundra nesh”.Sidoqoftë as premtimet dhe as presionit nuk do të mund t’a përkulnin burrin e Mallakastrës.Ai do të ndërmerrte një varg aksionesh të tjera kundër italainëve,pa i ndërprerë kontaktet,veçanërisht me heroin Abaz Kupi.Madje me insistimin e këtij të fundit,çeta e Raufit do të kordinonte veprimet luftarake me çetat e Ismail Golemit dhe Tafik Cfirit.Më pas po në shoqërinë e ngushtë të Abaz Kupit,burri i Fratarit do të njihej nga afër edhe me Mit’hat Frashërin,i cili me urtësinë e vet do të thellonte më tej ndjenjat antikomuniste të birit të Mallakastrës.Falë urtësisë dhe veprimit energjik luftarak kundër fashistëve italianë,Rauf Fratari do të ftohej nga Mit’hat Frashëri dhe Abaz Kupi për të marrë pjesë në kuvendin historik të Mukjes.Dihet tanimë se delegacioni i nacionalistëve shqiptarë,përbëhej nga figurat e shquara si ;”Mid’hat Frahsëri,Hasan Dosti,Thoma Orollogaj,Skënder Muço,Hysni Lepenica,Isuf Luzaj,Kadri Cakrani,Rauf Fratari,Xhevat Peshkëpia  ,Halil Mëniku,Vasil Andoni dhe Ismail Petrela”.(A.Q.i shtetit-Tiranë.Fondi 40,dos.173.fle.19-20).

Ndonëse i ri në moshë,Rauf Fratari do të dëgjohej plot respekt në Kuvendin  e Mukjes,në mënyrë të Veçantë ai do të këmbëngulte për të vendosur në nenin dy të Proklamatës,luftën pa asnjë kusht për zbatimin e parimeve të garantuara nga Karta e Atllantikut,për vendosjen e kombeve,ç’ka nënkuptonte bashkimin e trojeve të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare me shtetin amë,si edhe të drejtat e Shqipërisë Etnike.Por dihet tanimë nga të gjithë shqiptarët se si u tradhëtua Mukja.Për turp të historiografisë komuniste,kjo tradhëti u kërkua t’i transplatohej veprimeve të nacionalistëve,por balta e hedhur mbi ta një ditë u pastrua.Ajo baltë në vetvehte ka dashur të mbulojë lumenjtë e gjakut që komunistët e Tiranës dhe të Beogradit provokuar ndaj mijëra shqiptarëve të pafajshëm,duke i hedhur ata në vëllavrasje,dhe ç’prej këtij momenti Rauf Fratari shkon në Mallakastër dhe dërgon tek miqtë e vet gruan Ganimetin,me të birin,Hajredinin një vjeçar.Tashmë nuk ishin okupatorët ato që mund të hakmerreshin kundër tij dhe familjes,por forcat e verbërta të nacionalçlirimtarëve shqiptarë.Pas kësaj ai iu bashkangjit njësive luftarake të Abaz Kupit duke udhëhequr çetën e vet sa në luftë kundër italianëve po aq edhe kundër gjermanëve.Heroizmi dhe mjeshtëria e vet luftarake do të shkëlqente sa në Mat edhe në Krujë,sa në Zallher aq edhe në Prezë.Ai ishte i bindur deri në fund se fatet e Shqipërisë,e ardhmja e saj ishte lidhur ngushtë me autoritetin e padiskutueshëm të Mbretit Zog,i cili ashtu sikundër pati udhëhequr 15 vjet me radhë popullin e vet,do të dinte ta mbronte atë sa prej okupatorëve të huaj aq edhe prej mortajës komuniste.Mirëpo,me uzurpimin e pushtetit nga bollshevikët e shtetit amë,Rauf Fratari e parndjen tragjedinë që po pllakoste atdheun e vet.Ai largohet plot dhimbje nga Shqipëria,duke lënë aty jo vetëm historinë e ndritur të familjes së tij,por edhe nënën,gruan,dhe djalin dy vjeçar të cilin e kishte quajtur Hajredin,në kujtim të atit të vet.Duke iu drejtuar brigjeve të Italisë,së bashku me dhjetra nacionalistë të tjerë,ai ishte i ndërgjegjshëm se kudo të ndodhej do të luftonte me mish e me shpirt,për të shpëtuar kombin nga tragjedia e shekullit,komunizmi.Të shtatë vitet e qëndrimit të tij në Itali,Raufi do t’i kalonte duke u përballur me vështirësitë e shumta të jetës dhe privacioneve të mërgimit.Ai do të ishte kurdoherë përkrahë kulmeve të nacionalizmit shqiptar si Mid’hat Frashëri, Hasan Dosti,Zef Pali,Abaz Kupi,madje do të mbante lidhje edhe me Mbertin Zog.Në këto lidhje ai do të shihte kurdoherë mundësinë e organizimit të forcave antikomuniste shqiptare,pa dallim partie.Ai ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së vet fatos i bashkimit të gjitha forcave politike,vetëm e vetëm për të shembur muret e komunizmit të përdhosur,ato mure që ndan për pesë decenie me radhë kombin shqiptar,prej kombeve të tjera të qytetëruara.

Në vitin 1951 pas disa kërkesave të herpashershme Rauf Fratari thirret në zyrën e Refugjatëve,në Romë dhe i jepet e drejta të mërgojë në SHBA.Atje fillimisht në shtëpinë e një mikut të vet,Hiqmet Delvinës (ish krytar i parlamentit në kohën e monarkisë) në shtetin e Nju Xhersit.Më pas filloi veprimtarinë ekonomike private,por duke ndjekur me vëmendje të madhe gjithë zhvillimet në Shqipëri.Malli për të afërmit në vendlindje  e kapllon,sidomos kur mëson se ata keqtrajtohen nga qeveria komuniste e Tiranës.Merr pjesë në veprimtarinë e Komitetit “Shqipëria e Lirë” duke dalë në mbrojtje jo vetëm të bashkëkombasve të vet në shtetin amë por edhe për ata në Kosovë e Maqedoninë shqiptare.Ka qenë kjo arsyeja që në fund janar 1973,sapo del nga shtëpia e vet,Rauf Fratarin e qëllojnë për vdekje dy vrasës me pagesë.Dora gjakatare e sigurimit të shtetit shqiptar të asaj kohe,ishte shtrirë deri në Nju-Xhersin e largët,ajo dorë shtrinte përdhe burrin dhe nacionalistin e shquar,por asesi idenë dhe shpresën e tij,për një Shqipëri të çliruar nga mortaja komuniste, për një Shqipëri Etnike.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Featured Tagged With: Eugen Shehu, Rauf Fratari

Vizitë në “Portën Europiane” të Shqipërisë, Katedralia Shën Pali në Tiranë

October 11, 2013 by dgreca

Reportazh nga trojet shqiptare- Nëna Terese : ” Virgjëresha, dëshiron katedrale që do të ndërtohet këtu, në këtë vend të bukur ”  , kur ajo më shumë se 23 vjet më pare pati vizituar  qendrën e Tiranës , kryeqyteti i vendit të saj të lindjes/

Nga Tirana Beqir Sina/

TIRANE : “Rrno vetëm për me tregue” një vepër monumental e një prifti shqiptar, që 23 vjetë më parë përjetojë “ikuzicionin” komunist, nuk më hiqet nga mendja në udhëtimin tim të gjatë dhe shumë të bukur nëpër trojet shqiptare. Kudo që të shkelësh këtë tokë të bekuar, më bren pyetja ngashëruese “ah bre!” “Përse nuk u bë Zvicër – vendi i im kur Zvicera e cila ka shumë më pak resuerse natyrore se sa vendi i im?!”

Shqipëria, e cila konsiderohet si vendi që kaloi regjimin më të egër komunist, një vend ky që “burgosi” një popull të tërë, duke e rrethuar me tela me gjemba dhe izoluar totalisht nga bota.

Aqsa edhe u bë vendi i pa fe, ku kleri katolik mbetet të ishte ai që u përndoq dhe u presekutua më shumë se kushdo tjetër.

Dhe këtë më së miri e gjejmë sot tek ao që na la pas At Zef  Pllumi, ku lexuesit e tij thonë se :”A do ta hiqte rrobën e priftit, ai për t’u bërë revolucionar, apo do të zinte sërish një qosh për të vijuar misionin e tij, atë të të jetuarit vetëm për të treguar, me shpresë se dikush do të frymëzohet një ditë dhe do t’i thotë ndal mosndëshkimit të krimeve të Enver Hoxhës dhe bijëve të tij që udhëheqin vendin sot”

Titulli i veprës lapidar të At Zef Pllumit, “Rrno vetëm për me tregue”, gjithmonë më ka bërë përshtypje, në kto reportazhe pa arritur t’a kuptoj, atë, si duhet, megjithëse edhe vetë, natyrisht jo si ai prifti i përndjekur dhe, atë të pushkatuar pa gjyqe, të përndjekur, të burgosur dhe të interrnuar, por si njeri prej atyre mijëra bashkëvuajtësve të mi, i cili ka kaluar kalvarin e vuajtjeve të atij rregjimi, qysh në bark të nënës.

Nuk e kuptoj edhe sot, që po vizitojë vendin tim të dashur, se pse At Zef Pëllumbi zgjodhi këtë titull, e cila vjen si një thirrje solmne, si një betim, ose si një fjalë e fundit para pushkatimit,  deklaratë apo një misioni sublim, pikërisht i këtij prifti që nuk jeton më, dhe e kaloi gjithë jetën e tij i burgosur në qelin e burgut të Spaçit dhe Burrelit, duhej të ekzistonte ende në Shqipërinë  23 viteve të demokracisë.

Një vend ky ndoshta unik në Europën Juglindore,në  ish kampin socialist,(kupto komunist) që nuk ka bërë pothuajse  “kurrëgjë”!, për të gjithë ato familje të ish të pushkatuarve, pa gjyqe, pra të ish burgosurve politik, ish të përndjekurve dhe ineternnuarve.

Dëmshpërblimi, tashmë një shpresë financiare, që do të “ngrohte” sado pak “xhepat e shpuara” të këtyre njerëzve, dhe intergimi i tyre, tashmë është kthyer në një “mission impossibly”, një makth, pa përmendur këtu “Ligjin e Lustracionit” i cili pas 23 Qershorit, është kthyer në “Ligjin e Desertacionit” ose  Ligjin e Tezës së mbrojutur, nga ish bijtë e Bllokut, për tu rikthyer në pushtet.

Mirëpo, megjithë atë sa shkrujata më lart,  një temë tjetër edhe më e gjerë,  e cila kërkon një analizë tjetër, kësaj rradhe po i dedikohem në shkrimin tim “Reportazh nga Trojet Shqiptare”, kryeqyteti të vendit tim Tiranës, metropolit shqiptar, ku po qëndrojë këto ditë vjeshte.

Do të nënëvizoja gjithmonë sipas opinionit tim, se :” Nuk mundet të vizitosh Tiranën, pa vizituar objektet fetare, të cilat sot janë simbolet e presekutimit komunist.Kisha katolike dhe vetë kleri katolik, janë nga më të presekutuarat, në Shqipëri,ashtu si nuk mundet të vizitosh New Yorkun, pa vizituar Katedralen San Patrick në zemër të Manhattanit”.

Andaj, edhe unë vizitën e parë në Tiranë e fillova për shumë arsye në Katedralen Shën Pali në qendër të Tiranës, sepse ajo lidhet edhe me emrin e priftit shqiptaro amerikan – prej nga vijë edhe vetë, të Dom Rrok Kola Mirdita (i lindur më 28 shtator 1939 , Klezna , Mali i Zi ) i cili sot është Arqipeshkvi katolik i Durrës- Tiranë ,primat e Shqipërisë, dhe një amaneti të Nëna Tereses e cila ka thënë se :”Aty duhej ndërtuar një Katedrale”.

Dom Rrok Mirëdita, u shugurua prift më 2 korrik , 1965, në moshën 25 vjeç , dhe shërbeu në famullin etnike shqiptare në Bronx dhe Westchester qarqet e Nju Jorkut, një nga më të mëdhat dhe më të njohurat kisha shqiptare në Amerikë, e cila sot është e pagëzuar me emrin Kisha Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, që aktualisht udhëhiqet nga një prift i përkushtuar ndaj fesë dhe kombit të tij Dom Pjetër Popaj.

Më 25 dhjetor , 1992, të moshës 53 vejç , Dom Rrok Kol Mirëdita u emërua kryepeshkop i Kryedioqeza katolike romake e Tiranë- Durrës dhe shugurua më 25 prill , 1993 nga Papa Gjon Pali II dhe Cardinals Camillo Ruini dhe Jozef Tomko , së bashku me tre peshkopëve të tjerë ( Zef Simoni , Frano Illia dhe Robert Ashta ) gjatë vizitës baritore e Papës në Shqipëri . Mirdita është Presidenti i Konferencës së Peshkopëve shqiptar dhe Kryetari i Caritas-it Shqiptar.Me iniciativën e tij, dhe amanetin e të lumnueshmes Nëna Terese, Noblesites shqiptare, është ndërtuar në Tiranë katedralia e Shën Palit me një Arkitekturë të saj si trekëndësh , sipas idesë së arqipeshkvit , e cila thotë ai “simbolizon bashkëjetesën e Islamit , Krishtërimi Orthodhoks dhe katolicizmin në Shqipëri” . Mesha e parë e Shenjtë në katedralen e re u kremtua nga kardinali Anxhelo Sodano , Sekretar i Vatikanit i Shtetit dhe Kryepeshkopi Rrok Mirdita më 27 janar, 2002.

Dom Rrok Mirdita është Qytetar Nderi i Tiranës , Shqipëri .

Në një distancë të shkurtër në këmbë nga shetitoria kryesorë i kryeqytetit “Bulevardi Dëshmorët e Kombit” dhe parkut më të madh dhe më të bukur Rinia, ngrihet madhshtore  Katedralja e Shën Palit, e cila  është një ndërtesë massive  fetare , që ngjason nga vendosja e saj me Katedarlen e Shën Patrick në New York, ose me katedralet e famëshme në mes të kryeqyteteve të Europës, Romës, Parsit, Londrës, Bonit, Amsterdamit, Brukselit, apo Madridit .

Tipari më interesant I Katedrales së  Shën Palit  në metropolin shqiptar , veçanërisht, është se menjëherë të  shfaqen dy figurat emblematike të kohës moderrne të krishtëzimit, ajo e Papa Gjon Palin II dhe Nënë Terezës, e cila ndodhet  në të majtë të portës së  përparme, në hyrjen e Katedrales .

Katedralja e Shën Palit, e cila i takon të jetë Kryedioqeza katolike romake e Tiranë- Durrës, vizitohet çdo ditë nga qindra turistë të huaj shumica e tyre nga Europa perendimore, dhe mund të konsiderohet si “Porta Europiane” për të hyrë në Shqipëri.

Kjo katedarle e cila thirret ndryshe dhe Katedralja Shqiptare , është inauguruar më 27 janar 2002, në një  ceremoni të kryesuar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit Anxhelo Sadano. Ndërkohë, që punimet e saj kishin filluar në vitin 1998.  kur  mijëra besimtarë  katolikë të Tiranës, morën  pjesë në festimin e fillimit të punimeve dhe bekimin e punimeve.

Katedralja e Shën Palit në zemër të kryeqytetit të vendit Tiranës,, e cila është projektuar nga arkitekti nga Dortmundi – Gjermani,  Hinz  Winfried , u financua nga Caritas , konferenca të shumta peshkopale , dhe ndihma për të Kishës në Nevojë , e cila ka ndarë më shumë se  600.000 dollarë  për  Dioqezën  Tiranë Durrës.

Sipas një shënimi të ruajtur me kujdes brenda katedrales shkruet se :” Virgjëresha dëshiron katedrale që do të ndërtohet këtu,në këtë vend të bukur “ka  thënë  Nënë Tereza , kur ajo më shumë se 23 vjet më pare pati vizituar  qendrën e Tiranës , kryeqyteti i vendit të saj të lindjes .

Katedralja e Shën Palit me përurimin  zyrtar , në një ceremoni të përurimit qe bër e kryesuar nga kardinali Anxhelo Sodano , sekretar i shtetit të Vatikanit, i cili  mori pjesë si përfaqësues papnor një ditë më pas ka mbajtur aty edhe meshën e parë .

Në këtë meshë  e cila u krye nga Kryepeshkopi i Durrës – Tiranës, Dom Rrrok Mirdita, morën pjesë përveç delegacionit të Vatikanit , edhe Angelo Massafra Arqipeshkëv i Shkodrës, Presidenti i Konferencës Episkopale shqiptare; peshkopët e vendit; dhe priftërinjtë të cilët administrojnë dioqezat në Kosovë dhe Mali i Zi , ku katolikët shqiptarë banojnë, më së shumti.

Në mesin e atyre të cilët në masë të madhe morën pjesë  në këtë moment historik për të krishterët shqiptarë  ishte pjesmarrja edhe  At Segundo Teyado , nga Spanja,  i cili ka punuar në Gadishullin e Ballkanit për 10 vitet e fundit të rënjes së komunizimit .

Vetëm  në 8 vitet e fundit , Katedralja e Shën Palit në Tiranë, nga qeveria e ish Kryeministrit Berisha, për herë të parë u fut në guidën turistike të vendit, dhe u vizitua nga qindramijëra njerëz, kryesisht turistë të huaj të cilët e kanë vizituar kryeqytetin e Shqipërisë – Tiranën, duke hyrë në Shqipëri, pikërisht nëpërmjet “Portës Europiane”. Në këtë katedrale, gjithashtu janë falur dhe kan percjellur lutjet e tyre edhe personalitete të ndryshme nga mbarë bota, që kan vizituar metropolin shqiptarë, si dhe ambasadorët perendimorë,  të cilët kanë pasur  mundësinë e një jete më të denjë këtu ,në Katedralen shqiptare Shën Palin ë Tiranë  .

Shqipëria, ky vend prej 3.5 milion që për 45 vjet ka përjetuar vështirësi të mëdha politike dhe ekonomike , një nga vendet ish komunsite që përjetojë një nga rregjimet më të egra komuniste,  pavarësisht, këto dhe gjenjden e saj në të cilin ajo u gjend në luftën e Kosovës, pothujase çdo shtëpi shqiptari, me atë të pasurën e thejshtë ua hapi dyert dhe zemëren vëllëzërve dhe motarve shqiptar nga Kosova, duke ua lehtësuar atyre sado pak atë dhemibjen e tmerrshme, që kaluan afro 1 milion të larguar me forcë, me pritjen që ju bën në ato moment aq të vështira në Shqipëri.

Kështuqë, pas vështërsive  të shkaktuar nga lufta e vitit 1999 në Kosovë, dhe ardhjen e tyre  në Shqipëri, të afro një milion kosovarve në Shqipëri, rreth  400,000 kosovarë , thuhet se morën ndihmën dhe u vendosën nën kujdesin e drejpërdrejt të Kishës Katolike Shqiptare, dhe organeve ndërkombëtare të krishtera si Karitasi e të tjera që e bënë të mundur më vonë  që  shumica e tyre të kthehen në shtëpit e tyre , në Kosovë.

Ndërkohë, gjatë këtyre 23 vjetëve duhet theksuar se Kisha Katolike Shqiptare, ka luajtur një rolë historik në rikthmin e besimit ndaj Zotit, në Shqipëri, mbas atij presekutimi të pashoqë në të gjithë botën nga regjimi i Enver Hoxhës.

“Sot kudo besimtarët  janë të frymëzuar të fillojnë përsëri për të rindërtuar një strukturë shoqërore shkatërruar nga 45 vitet e komunizmit, në të cilin duhet theksuar se katolikët kan vuajtur persekutimin më  të dhimbëshm, kleri katolik ishte më i presekutuari nga rregjimi komunist në Shqipëri” .

Thuhet sipas At Segundo Teyado , nga Spanja,  i cili ka punuar në Gadishullin e Ballkanit për 10 vitet e fundit të rënjes së komunizimit,dhe ka deklaruar se  ” Dekadat e diktaturës kanë zbrazur këta njerëz në të gjithë përmbajtjen fetare , çmontimin e tyre nga vlerat mbi të cilat është bazuar kultura e tyre , ” ka then  prifti spanjoll , duke shtuar, se gjithashtu ,ardhja e sekteve të shumta fetare, në këtë vend që 45 vjet ishte i “pa fe” i ka hutuar njerëzit dhe çororditur ata pa kutim”.

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Beqir Sina, Katedralja, Tirane

Autoktonia e shqiptarëve dhe si kundërshtohet ajo

October 10, 2013 by dgreca

Nga NELSON ÇABEJ*/

Autoktonia e shqiptarëve është një koncept historik që rezultoi nga përpjekjet e dijetarëve të shumë fushave për të kuptuar prejardhjen e popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe. Autoktonia e shqiptarëve sot përfaqëson një teori të plotë koherente dhe të mbështetur  mbi një bazë të gjerë e solide të dhënash multidisiplinore, historike, gjuhësore, arkeologjike, etnografike, folklorike, mitologjike, etj. Megjithë kontributin e madh të shkencave albanologjike shqiptare, autoktonia nuk është një teori thjesht shqiptare por vepër kolektive e një numri të madh dijetarësh të rangut më të lartë europian e botëror, që u morën seriozisht me studimin e historisë, gjuhës dhe kulturës së shqiptarëve (Thunmann, Niebuhr, Malte-Brun, Bopp, Mommsen, Fallmereyer, Kretschmer, Ëilamoëitz, Schuhardt, Pokorny, Lambertz, Çabej, Katičić, etj.).

Në këtë shkrim autoktonia e shqiptarëve do të shqyrtohet në kuptimin e ngushtë, siç u përcaktua nga historiani suedez, Johann Thunmann (1746-1778), më shumë se dy shekuj më parë1, që i sheh ata si fqinjë të grekëve dhe romakëve në trojet e tyre të sotme, e jo në kuptimin e historianit gjerman Jakob Philipp Fallmerayer (1790-1861), si banorë të këtyre trojeve qysh në prehistori2. Autoktonia është një koncept relativ dhe, në kuptimin që përdoret këtu, autoktonia e shqiptarëve nënkupton prejardhjen ilire të tyre, ndërkohë që kushtet e shtegtimeve të popujve në lashtësi dhe në mesjetë mund të kenë shpurë edhe në asimilimin nga etnosi iliro-arbëror të ndonjë grupimi ose fisi të popujve fqinj të lashtësisë, ashtu siç janë asimiluar edhe fise ilire në veri të Danubit ose në Greqinë e lashtë, në të vërtetë, siç ka ndodhur edhe me çdo popull autokton në botë. Në këtë kuptim relativ, autoktonia e shqiptarëve është një realitet historik.

 

 

Autoktonia e shqiptarëve ka marrë vlerën e një fakti historik

 

Hamëndje rreth prejardhjes së shqiptarëve janë shprehur edhe më parë, por i pari që arriti në përfundimin shkencor se gjuha shqipe ishte pasardhëse e ilirishtes, që është folur në pjesën perëndimore të Ballkanit të lashtë është Ëilhelm Gotfried von Leibniz (1646-1716), mëndja më universale (filozof, matematikan, inxhinier, gjuhëtar, etj.) e kohës, i njohur ndryshe si Aristoteli i kohëve moderne. Në ato që tanimë njihen si tre letrat shqiptare të Leibniz-it, nga analiza që i bëri fjalorit të Frang Bardhit dhe një vepre (mbase Doktrina e Krishterë) të Pjetër Budit, me kërkesë të bibliotekarit të Bibliotekës mbretërore të Berlinit, ai arriti në përfundimin shkencor se gjuha shqipe “ishte gjuha e ilirëve të lashtë”3. I dyti punim serioz lidhur me prejardhjen e shqiptarëve doli nga pena e Thunmann-it në veprën “Kërkime në Historinë e Vëndeve të Europës Lindore”. Duke u mbështetur në të dhëna gjuhësore dhe historike, ai arriti në përfundimin se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve: “Në historinë e tyre nuk kam gjetur gjurmë të ndonjë imigrimi dhe gjuha e tyre ka dhënë dëshmi të tilla të fatit të këtij populli, që unë nuk mund të mos shoh në ta fqinjët e lashtë të grekëve dhe shtetasit e Romës. Por të dyja këto mua më tregojnë ilirët” 1.

Përpjekja më e gjithanshme dhe më e suksesshme për argumentimin e autoktonisë së shqiptarëve u bë nga studiuesi gjerman Johan Georg von Hahn (1811-1869) në veprën fundamentale të albanologjisë “Albanesische Studien”. Duke njohur mirë jo vetëm burimet e shkruara të lashtësisë dhe ato moderne, por edhe gjuhën shqipe, natyrën, psikologjinë dhe kulturën popullore shqiptare dhe trojet shqiptare, ai arriti të bënte një analizë dhe sintezë të madhe të të dhënave voluminoze mbi historinë, gjuhën, zakonet dhe mitet e shqiptarëve, të cilat e shpunë në përfundimin se “shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e banorëve origjinalë parasllavë të vëndit”4.

Nga fundi i shekullit XIX  u zbuluan lidhje interesante midis mesapishtes dhe ilirishtes në emrat e fiseve (fisi i konëve dhe kaonëve, fisi japigëve dhe japodëve, etj.), emrat e njerëzve (Dasius  dhe Dasimius, Trosius  dhe Trosantius,  Artus dhe Artorius), si dhe disa emra vendesh (Brindisi me bri etj.) dhe fjalë të veçanta, që mund të shpjegoheshin me anën e shqipes (p.sh. bilia për bijë, etj.). Këto fakte gjuhësore, krahas disa të dhënave historike dhe arkeologjike kanë bërë që qysh nga ajo kohë të pranohet përgjithësisht se fiset mesape mërguan nga trojet e Ilirisë së jugut në siujdhesën italike rreth shekullit X p.e.s.

Në kryeveprën ende të patejkaluar të historiografisë perëndimore “Historia e Romës”, Teodor Mommsen (1817-1903) i quajti shqiptarët e sotëm “pasardhësit e pastër më të fundit të ilirëve” 5 dhe epirotët “shqiptarë të lashtësisë”. Ai shkruante: “epirotët trima, këta shqiptarë të lashtësisë, e ndoqën (Piron – N.R.Ç.) me besnikërinë e trashëguar dhe me entusiazëm të përtëritur djaloshin e guximshëm, ‘shqiponjën’, siç e quanin ata.”6

Paul Kretschmeri, njeri nga helenistët më të mëdhenj të të gjitha kohëve, ka shkruar: “Pohimi se gjuha shqipe është faza më e re e ilirishtes së lashtë ose, siç është shprehur me të drejtë dhe me kujdes G. Meyeri, përfaqëson një nga dialektet e lashta  ilire, sipas gjithë të dhënave, është aq probable dhe e arsyeshme sa që për ta kundërshtuar duhen sjellë argumenta me shumë peshë”7  (Te plote do ta lexoni ne Diellin e Printuar)

Filed Under: Kulture Tagged With: autoktonia e shqiptareve, Nelson Cabej, si kundershtohet ajo

Nëpërkëmbja e gjakut të dëshmorëve nuk është traditë e shqiptarit

October 10, 2013 by dgreca

Shkruan: Teuta Kamberi-Llalla/Tetove/

Deri më sot siç dihet publikisht asgjë nuk është bërë për statutin e familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës së 2001 edhe pse në Marrëveshjen e Ohrit është paraparë që brenda vitit 2004 të zgjidheshin këto çështje si shumë çështje të tjera të dala nga ky dokument i garantuar nga Ndërkombëtarët.

Partia shqiptare, ajo që thirret në emër të Luftës së 2001 bart një lloj përgjegjësie për realizimin e statutit të dëshmorëve dhe të familjeve të tyre sepse gjatë çdo fushate parazgjedhore politikanët e tyre bërtasin për zgjidhjen e kësaj çështje. Por edhe pse ka vite në qeveri nuk e ve këtë ujë në zjarr, i harrojnë premtimet dhe kështu çdo gjë mbetet në vend, pa lëvizur, pa u realizuar. Gjatë qeverisjes 2008-2011, një ministër shqiptar çirrej në media se janë ngritur grupet e punës midis BDI dhe VMRO-DPMNE dhe shumë shpejtë problemi i statutit të familjeve të dëshmorëve do të zgjidhet, por që nga 2011, kanë kaluar dy vite dhe çdo gjë është heshtur, është harruar. Familjarët e dëshmorëve, invalidët dhe të dëmtuarit e 2001 i ka kapur pesimizmi dhe nuk u besojnë më premtimeve boshe për zgjidhjen e çështjeve në fjalë. Pra, ka humbur shpresat tek këta njerëz.

Angazhimi i partive politike shqiptare i deritanishëm rreth kësaj çështje nuk ka qenë në nivelin e duhur, prandaj ekziston një pikëpyetje e madhe se me çfarë parrulle do ti kërkojë votat partia që çirret në emër të luftës së 2001 në zgjedhjet e ardhshme.

Mjerimit të tejskajshëm të familjeve të dëshmorëve i shtohet edhe përvetësimi i ndihmave që japin emigrantët tanë në Perëndim, ndihma të cilat në shumicën e rasteve nuk mbërrijnë në destinacionin e duhur, por në xhepat e atyre që bëjnë tregti me gjakun e dëshmorëve.

Nga viti 2005 e deri 2009 ish-kryetari i Komunës së Tetovës z.Hazbi Lika në heshtje ishte munduar t’ju lidhje një lloj pensioni mujor familjeve të dëshmorëve në shumën rreth 4.000 denar, por pas mbarimit të mandatit të tij për këtë çështje më nuk kujtohet askush.

Tallja me gjakun e dëshmorëve fillon që nga drejtuesit e shoqatave që thirren në emër të vlerave të luftës së 2001, dhe në veçanti nga kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës UÇK Fazlli Veliu i cili me rastin e çdo Bajrami u dërgon Fitrat në shumën e rreth 6.000 denar familjeve të dëshmorëve të luftës së 2001. Kjo lloj mënyre për të ndihmuar familjet dëshmorëve është nënçmim, përbuzje dhe qesharake sepse ata djem që dhanë gjakun në emër të çlirimit kombëtar nuk u radhitën në radhët e UÇK për Fitra, por për çlirim, demokraci dhe mirëqenie më të mirë për shqiptarët në Maqedoni. Tallja me gjakun e dëshmorëve dhe me figurën e tyre arrin kulmin kur kjo shoqatë që e drejton pensionisti politik Fazlli Veliu i shpall dëshmorët pa kritere ose edhe me baza ideologjie politike duke krijuar përçarje midis familjeve të dëshmorëve. Ne e lusim z.Veliu mos na i përçaj dëshmorët ashtu siç keni bërë përçarjen e ushtarëve të UÇK prej kaq vitesh.

Ka rreth 10 vite që një profesoreshë e universitetit të New Jorkit Vasiliki N., është marë me çështjen e shpalljes së dëshmorëve pa kriter nga Fazlli Veliu dhe është për të ardhur keq kur do të lexojmë librin e kësaj profesoreshe universitare se Fazlli Veliu ka shpall dëshmorë për interesat e veta edhe ata njerëz që kurrë nuk kanë qenë ushtarë të UÇK, me uniformë dhe betim solemn, por janë vrarë nga ndonjë plumb qorr apo edhe në aksidente automobilistike.

Në përfundim dua ti parashtroj disa pyetje zotit Fazlli Veliu si kryetar i shoqatës së Veteranëve të Luftës-SHVL: Përse një shoqatë e veteranëve të luftës së 2001, ai e identifikon me një parti politike kur dihet botërisht se UÇK ishte jopartiake?

Përse shoqata që drejton e ka zyrën në selinë një partie politike?

Çfarë u bë me të hollat që në vitet 2002-2003 ishin futur në Bankën greke ALPHA dhe disa muaj familjet e dëshmorëve i merrnin ndihmat me karta bankare rregullisht?

Kur do të gëzojnë ish-ushtarët e UÇK dhe familjarët e tyre të drejtat të barabarta me Branitellat?

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: neperkembja e gjakut, te deshmoreve, Tetove, Teuta Llalla

STOP FRIKËSIMIT DHE KËRCËNIMIT NDAJ SHTYPIT TË PAVARUR

October 10, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Dje gazeta e Tiranës, Telegraf në faqen e parë njofton se policia e shtetit shqiptar bllokoi shpërndarjen e shtypit, pikërisht të gazetës Telegraf, “ndërkohë që, ministri i Brendshëm SaimirTahiri po firmoste në Tiranë emërimet e reja në strukturat më të larta të Policisë së Shtetit.”   Sipas gazetës, “Një grup punonjësish të policisë me uniformën e shtetit kishin bllokuar rrugën dalëse nga Pogradeci për në Korçë….Në orën 12:20 minuta, patrulla e vendosur në postbllok në dalje të Pogradecit ndalon automjetin që shpërndante gazetën “Telegraf”.  Ata i kërkojnë shoferit dhe shoqëruesit të shpërndarjes së gazetës që të paraqisnin dokumentacionin”.

Gjithçka në rregull deri këtu, normal.  Por ajo që pasoi, sipas gazetës, nuk kishte të bënte as me rrregullat as me normalitetin.  Me pretekstin se makina e gazetës Telegraf kishte dy gjoba të papaguara,  policët, detyra e të cilëve është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike si dhe  siguria e qytetarëve dhe e pronave të tyre, bllokojnë makinën e gazetës Telegraf dhe si rrjedhim ndëpresin shpërndarjen e gazetës Telegraf. Ndërkaq, mbështetsit e rendit, njëkohësisht refuzuan të komunikonin me drejtuesit e gazetës në Tiranë, me qëllim të sqarimit të situatës.  Sipas gazetës Telegraf, shoferi dhe shpërndarsi i gazetës përfundojnë në Komisiariatin e Policisë, në Pogradec.  Mirëpo, gjithnjë sipas gazetës Telegraf, pas hetimeve, në vendin e ngjarjes dhe në zyrat përkatëse të zonës, rezultoi se makina e gazetës Telegraf e kishte të gjithë dokumentacionin në rregull dhe se nuk kishte asnjë gjobë të papaguar në emër të saj.

Në pritje të sqarimeve të mëtejshme nga policia vendore dhe nga organet përkatëse të Ministrisë së Mbrendshme në Tiranë, lindë pyetja se pse u bllokua pardje shpërndarja e gazetës Telegraf në pjesën jug-lindore të vendit.  A mund të ishte këjo një përpjekje për të  kërcënuar dhe për të frikësuar gazetën Telegraf që të qëndrojë larg shkrimeve kritike dhe të heqë dorë nga gazetaria e pavarur?  A po,  mund te ishte një gomarllëk mungese profesionalizmi nga ana e policëve vendorë që kërkonin ndonjë lekë, apo ndoshta ishte diçka më tepër në këtë mes.  Cilado qofshin qenë arsyet e këtij bllokimi të turpshëm të shpërndarjes së gazetës Telegraf, përpjekjet e policisë së shtetit për të shtypur ose për të bllokuar përhapjen e fjalës së lirë, janë  nje shënjë e keqe, ogurzezë, në fillim të qeverisë së re të Kryeministrit Rama.   Gazeta Telegraf  thotë se, pas krijimit të kësaj situate skandaloze nga policia e shtetit shqiptar, drejtuesit e saj janë në kontakt me Ministrin e ri të Punëve të Mbrendshme, Z. Saimir Tahiri, i cili u ka premtuar atyre  se organi që ai drejton do të angazhohet maksimalisht për zbardhjen e situatës.  Shohim!
Liria e shtypit  dhe shpërndarja e pa penguar e fjalës së lirë është oksigjen i demokracisë.  Liria e fjalës dhe e medias në përgjithësi është jetike për zhvillimin e shoqërisë dhe është pjesë e pandarë e qeverisjes së mirë.  Pa një media të lirë e të pavarur, qytetari i thjeshtë është i pafuqishëm dhe njëkohësisht demokracia dhe mirëqenja ekonomike vihen në rrezik.  Njerëzit duhet të informohen në mënyrë të lirë e të pavarur, nëqoftse pritet që ata të luajnë një rol aktiv në jetën dhe zhvillimin ekonomik të vendit.  Në të vërtetë, disa studime të kohëve të fundit nga Banka Botërore, theksojnë se media e lirë dhe e pavarur është jetike edhe për një zhvillim të suksesshëm ekonomik, në vendet në zhvillim siç është Shqipëria.  Për më tepër, kur kërcënohet liria e shtypit, të gjitha të drejtat e tjera themelore të njeriut rrezikohen gjithashtu dhe keq-qeverisja e korrupcioni mbretërojnë dhe lulëzojnë të pa kontrolluar në të gjitha aspektet e jetës.  Ata që bëjnë kërcënime dhe bllokime të shpërndarjes së gazetave, siç ndohdi me gazetën Telegraf në aksin Pogradec-Korçë për çfardo arsye qoftë, duhet të ekspozohen dhe të dënohen në bazë të ligjit — po se po — por edhe në arenën e opinionit publik shqiptar.
Rëndësia e rolit që duhet të luaj shtypi i lirë në një shoqëri të lirë e demokratike, në krahasim me rolin e qeverisë dhe të organeve shtetërore, është thekësuar  ndoshta më së miri nga Tomas Xhefersoni, babai i fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit, i cili ka thënë se, “Po të ishte në dorën time për të vendosur nëse ne duhet të kishim një qeveri pa gazeta, apo gazeta pa qeveri, unë nuk do të hesitoja asnjë moment për  të preferuar këtë të fundit”.   Xhefersoni donte që gazetat të ishin plot informacione që do t’i përdornin qytetarët e një shoqërie demokratike dhe  një shtyp  që do të shërbente për të kontrolluar dhe për të balancuar pushtetin qeveritar dhe shtetëror, në interes të publikut.

Lufta për lirinë e fjalës dhe të shtypit nuk mbaron kurrë. Ajo është një përpjekje e vazhdueshme që duhet të mbrohet si pjesë e pandarë e sigurimit dhe të respektimit  të të gjitha të drejtave të tjera bazë të njeriut.  Këjo është një përgjegjësi kyçe e çdo qeverie që pretendon të jetë demokratike dhe përfaqsuese e popullit.  Është detyrë jetësore e çdo qeverie që të mbrojë lirinë e të shprehurit dhe të shtypit, madje edhe atëherë kurë shtypi është kritik ndaj saj.  Për më tepër, sipas filozofit francez dhe mbështetsit të lirisë së fjalës, Volterit, i cili ka thënë se, megjithëse ”Unë nuk jam aspak dakort me ato që thua, unë mbrojë deri në vdekje të drejtën tënde të lirisë së fjalës për të thënë atë që mendon.”  Këjo është detyra edhe e çdo shteti dhe ky është parimi, i pranuar gjerësisht i lirisë së fjalës.   Edhe fillozofi i shekullit 20-të, Noam Çomski ka thënë në lidhje me lirinë e të shprehurit, se “Nëqoftse me të vërtetë beson në lirinë e fjalës, atëherë ti beson në lirinë e fjalës madje edhe për ata që shprehin pikëpamje që nuk të pëlqejnë.”  Ai ka thënë gjithashtu se edhe diktatorët komunistë dhe nazistë të shekullit të kaluar ishin në favor të fjalës së lirë, por vetëm për pikëpamjet e veta. Çomski vazhdon duke thënë se, “nëqoftse je në favor të lirisë së fjalës, këjo do të thotë se je në favor të shprehurit dhe tolerant edhe ndaj pikëpamjeve që ti me të vërtetë i përbuzë si ide dhe mendime armiqësore”, për ndryshe nuk beson në lirinë e fjalës as në shtypin e lirë e të pavarur, sipas tij.

Kjo është sfida e çdo qeverie.  Për të mbrojtur dhe për të mbështetur një atmosferë tolerance ku media të zhvillohet e lirë dhe e pavarur.  Është gjithmonë një veprimtari e vazhdueshme e plotë sfida, por është një aktivitet jetësor për zhvillimin normal të çdo shoqërie, pasi siç ka thënë edhe Xhefersoni, “E vetmja siguri mbi të gjitha është shtypi i lirë”.

Bllokimi i pa precedencë i shpërndarjes dje të gazetës Telegraf duhet të shërbejë si një alarm për qeverinë e re në Tiranë që të angazhohet seriozisht që episode të tilla të mos përsëriten më duke deklaruar publikisht  se nuk do të tolerojë bllokime dhe manipulime  të tilla dhe as ndërhyrje me shpërndarjen e fjalës së lirë nepërmjet gazetave si Telegraf, dhe se kryersit e këtij akti do të jenë përgjegjës para organeve përkatëse.  Është gjithashtu një rast për t’i kujtuar qeverisë dhe organeve të tjera shtetërore të Shqipërisë, përfshirë  edhe policinë, mbi angazhimet ndërkombëtare, por mbi të gjitha detyrimet që qeveria ka ndaj vet popullit të vet, ndaj taksa-paguesve shqiptarë, për të respektuar dhe për të zbatuar angazhimet që ajo ka ndaj lirisë së fjalës dhe të shtypit të lirë e të pavarur.

Ajo që ndodhi pardje në një postbllok në dalje të Pogradecit nuk duhet të ndodhë në Shqipërinë e vitit 2013!

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5142
  • 5143
  • 5144
  • 5145
  • 5146
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT