• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BASHA: KONSENSUSI U THYE, TANI FJALEN E KANE QYTETARET

October 2, 2013 by dgreca

Opozita do të flasë tashmë me qytetarët. Në kushtet kur qeveria qëndroi indiferente ndaj thirrjes së opozitës për ligjin e statusit të nënpunësit civil, kryetari i PD Lulzim Basha, pas mbledhjes me parlamentarët demokratë dhe aleatet e PD, deklaroi se është koha që tani të flitet me qytetarët me fakte për mashtrimet elektorale dhe bëmat e kësaj qeverie. Kryetari i PD, Lulzim Basha la të kuptohej se qëndrimi i demokratëve në parlament do të jetë më shumë sesa një debat normal parlamentar mazhorancë-opozitë.

“Ne do flasim me qytetarët, me durim, fakte, argumente do tu tregojmë qytetarëve dhe partnerëve tanë të huaj bëmat që sapo kanë nisur të kësaj qeverie, të qeverisë së zhbërjes që ka mashtruar publikun për ti marrë votat me gjoja rilindje por ka ardhur për të zhbërë e sunduar. Ka ndodhur një ngjarje e paprecedentë parmbrëmë, ai i ka ngulur thikën konsensusit, një vlere që ndërkombëtarët dhe qytetarët e kërkojnë prej vitesh, erdhi ky dhe e zhbëri, nuk e dha konsensusin kur duhet ta jepte dhe vendi humbi satusin për kapriciot e tij, e dha pas pilafit, për ti bërë qejfin aleatit të ri dhe për ti hedhur hi syve publikut për votat” tha Basha.

Qëndrimi i qartë i opozitës pritet të shpaloset në seancën parlamentare të së enjtes.

“I them Ramës e Metës se legjitimiteti nuk mbrohet as me blerje e as me manipulime votash. Nesër në Kuvend ne do ta mbrojmë këtë të drejtë ashtu si i takon një opozite demokratike. Qëndrimi ynë për këtë çështje do të shpaloset ne Kuvendin e Shqipërisë” tha Basha.

Ditën e hënë qeveria mori vendimin për shtyrjen me 6 muaj të hyrjes në fuqi të Ligjit për Nëpunësin Civil, ligj i miratuar më 30 maj në Kuvend me konsensusin e të gjitha partive politike.

 

Fjala e plotë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha:

Rama nuk i dëgjoi thirrjet dhe paralajmërimet tona për të mos e vrarë konsensusin.

Vazhdoi në rrugën e tij, në aventurën e tij të anti-ligjit. Ne nuk kemi asnjë dyshim se kjo është  rruga që do ta çojë atë në greminë. Gjithë shqetësimi ynë si opozitë ka qenë dhe mbetet që ky njeri dhe tarafi i tij politik të mos marrë me vete, në humnerën për ku është nisur, aspiratat e shqiptarëve për integrim europian, qoftë edhe përkohësisht arritjet demokratike të vendit në 22 vite.

Rama zgjodhi të fliste me ne me gjuhën e arbitraritetit të skajshëm. Prej këtij momenti, ne do të flasim me qytetarët. Me durim, me qetësi, me fakte, me argumente do t’u tregojmë orë për orë e ditë për ditë qytetarëve të këtij vendi dhe partnerëve tanë  europianë e amerikanë gjithashtu bëmat që sapo kanë nisur të kësaj qeverie, bëmat e qeverisë së Zhbërjes, që  shihet qartë se ka mashtruar publikun për ti marrë votat me gjoja për Rilindje, por ka ardhur vetëm për të zhbërë, vetëm për të sunduar. Me durim dhe respekt do ti shpjegojmë sërish sot qytetarëve shqiptarë. Ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë dhe e pareçedentë parmbrëmë.

Rama i ka ngulur thikën konsensusit

I ka ngulur thikën një vlere që publiku shqiptar dhe bashkësia ndërkombëtare e kërkojnë  prej vitesh nga partitë dhe politikanët shqiptarë.

Mezi e arritëm.

Erdhi ky dhe e zhbëri.

Nuk e dha konsensusin kur duhet ta jepte, në vjeshtë e vitit 2012 dhe Shqipëria humbi statusin për kapriçion e tij.

E dha pas pilafit, siç thotë populli, në maj të këtij viti, për ti bërë qejfin aleatit të tij të ri, apo për ti hedhur të dy hi syve publikut për vota, në kuadrin e mashtrimeve elektorale gjigandeske, që ne i kemi evidentuar dhe po i bëjmë transparente çdo ditë para qytetarëve.

Por tani, që menduan se e kaluan lumin dhe janë në majë të kalit, duan ta ekzekutojnë. Shikoni me vëmendje:  Asnjëherë  nuk e kanë  parë konsensusin në funksion të integrimit, në funksion të një klime pozitive, në funksion të politikës si interes publik për qytetarët, në funksion të nevojave të vendit, por në funksion të interesave të çastit, të interesave vetjake, meskine e deri diabolike si kjo e pushtimit të administratës publike.

Kjo që  po bëjnë me konsensusin është  padyshim një pabesi burracakësh. Demokratët dhe mbarë opozitarët janë të indinjuar me këtë pabesi. Janë të indinjuar me mesazhin që po përcjell përditë qeverisja e mëngjesit të keq dhe e provokimeve të përditshme të Edi Ramës, i cili po u thotë demokratëve dhe opozitarëve: ne nuk mjaftohemi të qeverisim pa ju! Ne jemi këtu të qeverisim kundër jush. Ka zgjedhur të provokojë.  Ka zgjedhur përplasjen me Kushtetutën dhe Ligjin. Po zgjedh përplasjen me opozitën sot dhe me publikun e gjerë nesër.

Ne i kemi të gjitha potencialet politike, intelektuale dhe njerëzore për të përballuar në çdo moment këtë  etje për përplasje dhe këtë revansh të paparë të Edi Ramës dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tij.

Ne i kemi të gjithë potencialet për t’i treguar vendit,  revanshit dhe antiligjit, këtyre vjetërsirave që po kërkon të riciklojë në Shqipërinë e re zoti Rama. Demokratët dhe opozitarët janë në këmbë me ne.

Sot duam ti themi zotit Rama dhe zotit Meta diçka që shpresoj ta ngulisin mirë në mendje: Legjitimiteti nuk mbështetet as në vjedhje votash, as në blerje votash, as në trafik votash. Legjitimiteti është kurdoherë e drejta e popullit Sovran dhe nesër në Kuvend ne do ta mbrojmë këtë të drejtë ashtu siç i takon një opozite dinjitoze dhe demokratike.

 

Filed Under: Politike Tagged With: fjalen e kane qyttetaret, konsensusi u thye, Lulzim Basha

POPULLI SHQIPTAR NUK KA BËRË KURRFARË MËKATI NË BASHKËSINË NDËRKOMBËTARE, QË TË JETË I DËNUAR TË JETOJË I NDARË

October 2, 2013 by dgreca

Shkruan: Isuf B. Bajrami/

“Shteti më së shumti është shtet në gjendje lufte. Shteti monist është shtet në shkallën më të lartë, sepse është shtet në luftë me nënshtetasit e vet!”- – Makiaveli/

Për aparatin shtetëror monist nuk janë të rëndësishëm njerëzit, sepse për të është i rëndësishëm sistemi i sundimit, për të s’është e rëndësishme jeta, sepse për të është e rëndësishme ideologjia.Serbia “shtet” që nuk mund të jetë i stabilizuar, sepse nuk është i siguruar me lirinë e nënshtetasve të vet. Ai është “shtet” i ndjekjeve ideologjike, politike dhe policore, i burgjeve, i kampeve dhe i pushkatimeve, i masakrave dhe dëbimeve masovike.”Shtet” që filozofi politike ka dhunën, metodë – manipulimin e rezultat – frikën e përgjithshme të qytetarëve.

“Shtet” që në emër të “demokracisë” mbrohet prej mendimeve të qytetarëve: që me kundërshtarët e vet politikë flet nëpër grykën e pushkës që prej mendimit të lirë dhe prej kritikës, mbrohet si prej armikut.”Shtet” që nuk donë të kuptojë se ligjet dhe normat shtetërore dhe shoqërore, teoritë politike, letrare dhe artistike, njësoj, janë sot që të mund të tejkalohen nesër prej ligjesh, normash, teorish më të reja, prandaj edhe më tëdrejta; është që thotë se gjatë historisë çdo gjë ka ndryshuar, por vetë mendon se është i pandryshueshëm dhe i përjetshëm.”Shtet” që kudo dhe kurdo e krijon dhe e kërkon të njëjtën, njëjtësinë, që, për këto arsye, le shkretëtirë në shpirtin e njerëzve. Pasojë e kësaj filozofie politike është kriza e rëndë shpirtërore dhe morale që përjetojmë sot dhe që përjetojnë të gjithë nesër. Është domosdoshmëri psikologjike dhe historike dalja prej këtij pellgu – diktaturë dhe prej këtij “shteti” – kamp.Të gjithë këto janë një e djeshme, por një e djeshme që i sjellë përvojë të hidhur të sotmes dhe të nesërmes.

Po jetojmë në një kohë historike kur vendoset për fatin e këtij trolli, të çlirohet apo të mos çlirohet?!

Gjendemi në udhëkryq historik: ta kemi fatin e rëndë të gjertanishëm, apo të kemi fat më të mirë.

Brezat e sotëm janë të tendosur mendërisht, fizikisht dhe moralisht: po përpiqen që ta ndërrojnë gjendjen e trashëguar aq të hidhur.

Çështja shqiptare është ndërkombëtarizuar, por nuk guxojmë të harrojmë se ndërkombëtarizimi nuk është bërë drejt.

Brezat e sotëm po bëjnë shumë, por kush e sheh realisht gjendjen në të cilën jemi.

Po jetojmë në kohën kur në hapësirat e perandorive të fundit në kontinentin evropian po krijohen shtete të reja kombëtare. Ngjarjet ecin me një ritëm të shpejtuar, por nuk munden të mos vërehen se ne ecim me vonesa, me turr dhe improvizime, kurse para institucioneve dhe forumeve ndërkombëtare dalim si grup etnik e jo si Komb.

Çështjen shqiptare nuk e kemi shtruar si çështje të pozitës së Kombit shqiptar në tërësi, në Ballkan, prej zgjidhjes të së cilës varet se do të ketë, a jo rend drejtësie, humanizmi dhe paqe në Ballkan.

Është një kohë, ku si pasojë e shpërbërjes së Jugosllavisë titiste, bëhet rikomponimi politik dhe shtetëror i Ballkanit,e neve krijimi i shteteve të reja kombëtare në hapësirën e ish Jugosllavisë titiste, na zë pa e vendosur se çka duhet të kërkojmë.

Po krijohet një rend i ri botëror, i cili i ka disa parime të cilave u përmbahet, e ne nuk e dimë qartë se cili mund të jetë vendi ynë në atë rend.

Vendoset për ardhmërinë e gjysmës së Kombit shqiptar, e kjo më në fund, domethënë për ardhmërinë e krejt Kombit shqiptar.

Ne, megjithatë, ballafaqohemi me disa vështirësi të brendshme në jetën politike dhe morale me të cilat janë ballafaquar edhe paraardhësit tanë.

Ne jemi i vetmi Komb në kontinentin evropian, që mbi gjysma e popullit dhe territorit është nën sovranitet të huaj.

Në qoftë se deri dje synohej për mbrojtjen e tërësisë së tokave shqiptare, sot duhet të synohet bashkimi i popullit të ndarë.

Kjo është një rrugë e drejtë, drejt idealit shtetëror, domethënë drejt bashkimit, për popullin shqiptar më në fund është rrugë drejt mundësisë, që të jetë i barabartë me popujt e tjerë ballkanikë dhe evropianë, është rrugë drejt përparimit, mirëqenies dhe lumturisë.

E them kështu sepse duke synuar barazinë e popullit shqiptar me popujt e tjerë ballkanikë, synohet rend e drejtësi, humanizëm e paqe në Ballkan.

Vend i Lekës, 27 shtator 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Isuf Bajrami, mekati, shqiptaret, te denuar, te jetojne et dnare

Moisiu i rremë apo Juda i vërtetë

October 2, 2013 by dgreca

Nga Fatmir Lamaj/ i burgosur Politik/

 Faraoni kishte kohë që kishte vdekur dhe zëvendësuesi i tij mezi po e mbante në këmbë Perandorinë nga pasoja shkatërruese të sundimit të gjatë dhe të egër të Faraonit të madh. Njerëzit e uritur dhe të shtypur çdo ditë po bëheshin një kërcënim real për përmbysjen e pushtetit faraonik. Pjesa më e egërsuar mbeteshin Hebrenjtë që tradicionalisht në historinë e gjatë të pushtetit faraonik kishin qënë më të persekutuarit dhe më rebelët në përplasje të vazhdueshme  që kishte pasur Faraoni i madh me këtë rracë të pandreqshme të cilët për hir të së vërtetës ai kishte mundur me egërsinë e pushtetit të tij. Por përsëri ata ishin bartësit e një rreziku të madh ndaj atij pushteti që gjithmonë kullonte gjak dhe lot. Për ta dhe ndaj tyre duhej gjetur patjetër një zgjidhje me sa më pak pasoja që të ishte e mundur dhe këtë zgjidhje e impononin rrethanat e vështira në të cilat po kalonte perandoria. Rreth kufinjve të perandorisë popujt e tjerë e kishin fituar me kohë lirinë dhe flakët e kryengritjes vazhdonin çdo ditë të ngriheshin rreth kufinjve aq të vogël dhe të pamat në qiellin deri në atë kohë të qetë të perandorisë. Dyhej patjetër të gjendej një zgjidhje, një zgjidhje që duhet ti shërbënte në kohë dhe vazhdimisht ëndrrës për pushtet dhe dëshirës për të mbijetuar… dhe befas një ditë mendja djallëzore e zv/Faraonit, pasi ishte këshillluar gjatë me 3 kastat e fuqishme të pushtetit të tij, me kasta e magjistarëve (sigurimi i shtetit), me kastën e priftërinjve (sekretarët e partisë së tij), dhe me kastën e ushtarakëve (hierarkinë e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes), ai vendosi të lëshojë pak pushtet nga pushteti i tij sa i frikshëe dhe aq i pakufijshëm. I njohur për djallëzitë dhe poshtërsitë si dhe lidhjet e shumta me familjen faraonike zv/Faraoni, kishte krijuar besimin e nevojshëm tek këto kasta të fuqishme të pushtetit absolut për të bërë ndryshimet e nevojshme për mbijetesën e tij dhe gjithë familjes faraonike. Në rradhë të parë duhëshin rregulluar mardhëniet tejet të acaruara nga shtypja e gjatë dhe e pamëshirë me hebrenjtë (armiqtë e popullit ose klasat e përmbysyra). Hebrenjtë donin lirinë e ëndërruar prej kohësh dhe në kushtet e krijuara ishte e pamundur tua mohoje… por atyre u duhej një udhëheqë që ti drejtonte në drejtimin e gabuarë (demokracisë dhe lirisë). Pasi morën në konsideratë të gjitha kandidaturat e mundshme u zgjodh ai më i përshtatshmi, Moisiu i rremë i cili do ti printe turmat e hebrenjve drejt një itinerari të paracaktuar nga zv/Faraoni , ku do të binin pa e kuptuar ata vetë në moçalin e madh të zhgënjimit nga ku kurrë nuk do mundeshin për të arritur në tokën e premtuar (lirisë demokracisë). Moisiu i rremë me devocionin pervers ndaj familjes faraonike do të zgjidhte gardën e tij pretoriane për të realizuar sa më suksesshëm detyrën  sa të vështire aq dhe delikate. Me ndihmën e pakursyer të zv/Faraonit i cili do interesohej dhe për uniformat e tyre (pardesyte e bardha dhe xhupat e zinj), për tu bërë të identifikueshëm në turmat e egërsuara duke ju garantuar paprekshmërinë nga ana e organeve të rendit, si dhe paratë e nevojshme për të shumta që kërkonin organizimi  i mitingjeve dhe lëvizjet e pandërprera në çdo cep të perandorisë për të realizuar misionin që u ishte ngarkuar. Moisiu i rremë me djallëzinë e tij karakteristike, shumë shpejt do të dilte në krye të turmave si një lider i gjithpranuar prej tyre duke shfrytëzuar ëndrrën që ata kishin për ti udhëhequr drejt tokës së premtuar. Pas një marshimi të shkurtër në shkretëtirën e asaj kohe Moisiu i rremë u thotë që e mundën të keqen, e përmbysëm zv/Faraonin dhe pushtetin e tij gjakatar dhe hebrenjtë e lumtur duke parë njëri tjetrin me habi filluan të pëshpërisnin midis tyre: si ndodhi kaq shpejt? Ata kishin dekada të tëra që luftonin për të drejtat e tyre të mohuara duke derdhur lumenj gjaku, burgosje e internime pafund dhe si tani papritmas toka e premtuar (liria dhe demokracia), paskan qënë kaq afër dhe ata se kishin parë. Gjithë lavdërimet Moisiut, por pa kaluar shumë kohë ata do ta kuptonin se gjithçka ishte thjesht një mashtrimi zv/Faraonit, I cili I kishte future në një kurth ku ata do ta kishin shumë të vështirë të dilnin pavarësisht nga përpjekjet e pareshtura të tyre. Zv/Faraoni ishte kujdesur shumë në instruktimin që i kishte bërë Moisiut të rremë duke ja mësuar të gjitha taktitkat korruptive dhe represive në ushtrimin e pushtetit. Moisiu i rremë me gardën e vet pretoriane  u mundua dhe ja doli pa shumë mundim të zgjedhe nga turma e Hebrenjve disa pseudopërfaqësues me një të kaluar të dyshimtë duke shfrytëzuar arkivin e zi të policisë sekrete dhe i vendosi ata në poste periferike të pushtetit të tij pamatë. Ai i joshi ata me disa prona nga pasuria i pakufij e perandorisë të cilën filloi ta shfrytëzonte sipas orekseve të tija duke mos i dhenë llogari kurkujt. Ndonjë “guximtari”, që tentonte të dilte nga rreshti dhe su bindej më urdhërave të tij, ai do ti kundërvihej egërsisht duke e dënuar dhe denigruar pamëshirë dhe moral. Shpejt e shpejt përfaqësuesit e hebrenjve do pakësoheshin deri në mosegzistencën e tyre në sferën e lartë të pushtetit dhe çuditërisht do pyesnin njëri tjetrin: si ndodhi kështu? Kjo ështe toka e premtuar për të cilën ne ëndërruam dhe sakrifikuam jetët tona? (liria dhe demokracia për të cilin ishin sakrifukuar breza të tërë). Imazhi I fitores së mohuar po tretej dalngadalë në horizontin e errët të një qielli ku kishte një Zot ablsolut Moisiun e rremë, I cili në dehjen e tij luciferiane kishte filluar talljen e pakursyer ndaj tyre. –Ja e shikoni, unë ju çova drejt tokës së premtuar , ju dhashë lirinë dhe demokracinë të cilën ju s’mund ta fitoni kurrë pa mua!- dhe ata në dyzimin e tyre të natyrshëm pyesnin –Po pronat tona kush I mori?- dhe për hebrenjtë e pabindur Moisiu i rremë ulërinte në çmendurinë e tij të pafund:-Pronat prisni se do ua japim, kur ti kemi marrë ne të tëra. Moisiu I rremë sipas mësimeve të kryeustait u kishte mohuar çdo të drejtë prone hebrenjve sepse dhënia e tyre jo se linte pa gje oborrin e tyre tashmë të fuqizuar po u jepte atyre mundësinë të shkëputeshin nga sundimi I tij duke krijuar pavarësinë e cila kthehej në kërcenim për pushtetin e tij të pakufijshëm dhe të pamerituar. Po të drejtat e tjera?… Çu duhet të drejtat sklevërve. Ata kaq meritojnë. Le të jetojnë në kufijtë e mbijetesës fizike që kurrë mos I kthejnë sytë nga karrikja ime e ngritur mbi gjakun dhe mundin e tyre. Koha në ecjen e vet pamëshirë dalngadalë I rrëzon mitet dhe gënjeshtrat dhe erërat që fryjnë po ja shqyejnë çdo ditë e më shumë mantelin rrëzëllitës. Hebrenjtë dalngadalë po dalin nga gjendja e hipnozës që ju injektoi ai, duke parë çdo ditë e mëqartë realitetin e lemerisshëm ku ndodhen. Çdo ditë që kalon dielli I së vërtetës po ndriçon fort dhe shndritshëm duke verbuar pandalje e mëshirë Moisiun e rremë, duke e lënë atë të zvarritet më kot kalldrëmit plot gropa të ditëve të tij të numëruara. Tani është shumë vonë për atë. Thërrasin në kohë hebrenjtë e zhgënjyer: ai paska qënën Juda i vërtetë dhe ndërshkimi ynë atë do ta ndjekë deri në frymarrjen e tij të fundit! Ç’rracë e keqe janë tradhëtarët? Në çdo gjuhë të botës kjo fjalë mbart mbi vete gjithë imoralitetin dhe turpin e kësaj bote.

 

Filed Under: Featured Tagged With: apo Juda, Fatmir Lamaj, Moisiu i rreme

KËNGË E HIDHUR PËR CACEN TONË VJERSHËMJALTOR

October 2, 2013 by dgreca

Me  rastin e 70 vjetorit të lindjes të qiririt të pashuar të letrave shqipe në Vlorë, Anastas K. Bita/

Nga Albert R. HABAZAJ/ kritik letrar/*

Si fluturuan 5 vjet pa Cacen, sikur të ishin një tufëz me re puplore, të cilat i rrëmben një  furtunë e parakohshme pranverake. Pesë vjet sa pesë minuta, sa pesë shekuj! Pa Cacen! Pa të mirin, floririn, dinjitozin, virtuozin, poetin fisnik, që e kemi me veprën magjike, që na mungon me jetën fizike. Kujtoj atë ditë që na iku e më dhemb dita e sotme…

Me një hidhërim të papërballueshëm, u ndamë nga fytyrëdiellori dhe shpirtfloriri ynë, Anastas Bita,vetëm fizikisht. Pas përpjekjeve të pafundme të së pamposhturës Elsa, të Nadës e Tirës, të Gimit e Gjergjit, të Lenos e Vasilit, të të afërmve të tij, që s’iu ndanë asnjë moment, të martën e parë të maji vlonjat 2008, rreth orës 14.00, mbylli sytë në shtëpinë e tij, në Vlorë, Cacja ynë i mrekullueshëm. Rreth orës 08. 30 – 09. 00 të mëngjesit, ai erdhi me traget nga Brindizi, për ta lënë edhe atë pesë përqind frymë që i kishte mbetur në Atdheun e tij, në Vlorën e tij, në shtëpinë e tij, duke na lënë ne, një plagë të tillë, që do të na dhembë sa të jemi në këmbë, me mendje, puls e frymë. Iku më i vogli i Kolos e Poliksenit, të prehet pranë tyre. Iku, edhe pse Vangjeli me Magon (vëllai e motra e madhe) nuk e donin kaq shpejt në botën e përtejme. Iku nga kjo botë me lule e furtunë, duke lënë në pikëllim motrën Lenë dhe Vasilin, vëllain e mesëm, të vetmit nga tre vëllezërit e dy motrat, që Perëndia u fali dikur në jetë prindërve të mirë Kolo e Polikseni Bita, atje në Zhej të Zagorisë, te Bukuria e Pafikur.

Iku, duke lënë të helmuar, me lot pelini, Elsën stoike ndaj dallgëve të jetës, si pisha Flamur; të heshtur e krenare. Iku…, duke lënë Nadën e Tirën, që s’i kishte vetëm vajza, por edhe djem e deli djem. Iku i bardhi CACE, për vete të tij, i palënduar në fëmijë, por duke lënë pas një kopësht të lulëzuar me trëndafila të bukur e të freskët, që do të shtohen në jetë. Sotira e Gjergji me dy çupa: Erën e Fjonën; Denada e Agimi, me dy çupa e një djalë: Sarën, Dean e Fadjonin, janë dinjiteti njerëzor, respekti qytetar i shkallës sipërore, janë stafeta më kuptimlote e domethënëse e plotmërisë familjare Elsa e Anastas Bita. Nada është pedagoge e anglishtes në universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, ndërsa Tira mjeke po në këtë qytet; të dyja kanë bashkëshortë, që nderojnë familjet përkatëse dhe kanë dritëruar ballin e Elsës e Caces, për ta mbajtur lart krahas familjarëve të tjerë të mirë të qytetit, që me modelet e tyre kontriubojnë në civilitetin moral, intelektual, në mpleksjen më harmonike të traditës me bashkëkohoren.

Për të pesë filizat e tij të gjelbër, Cacen do ta zhurit malli, por për Sarën, që e donte aq shumë, se e rriti vetë, e mori që të vogël fare dhe e seliti si një gonxhe të bukur, si do ta tresë dheu, Cacen tonë të paharruar?!

Iku Cacja. Iku shoku ynë i rrallë, miku i gjithë njerëzve të mirë, i pazvendësueshmi me asnjë tjetër për mua. E kisha vëlla të madh dhe ai asnjëherë nuk më fliste: Albert,  por: o vëllai im i vogël, ngaqë vetë qe i vogli i xha Kolos dhe teto Polit; apo ngaqë te mbiemri i tij Bita, që është i njëjtë me emrin e mëhallës time Bita, fshatformuese në Tërbaç të Labërisë nga Gjin Kriqi, gjeti qetësinë dhe sigurinë e gjakut të pahumbur nëpër shekujt e blinduar të kohës.

Dhe këtë enigmë, për të cilën patëm diskutuar me zjarr e entuziazëm, me

logjikë  e objektivitet, me dëshirë e pamundësi, me emocion dhe bulëza koherence, e more me vete, o Cace Vëllai!

Lindur në Zhej të Zagorisë, më 23 shtator 1943 (sipas shënimeve që më ka lënë me shkrimin e tij origjinal), Anastasi shkollën shtatë vjeçare e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në gjimnazin “Ali Demi” të Vlorës. Në vitet 1969 – 1973, kreu studimet e larta në Institutin Pedagogjik, dega Gjuhë – Letërsi. Ka punuar mësues në Memaliaj dhe në fshatra të tjerë të Tepelenës. Në Vlorë filloi si punëtor në fabrikën  e tullave dhe, më tej, për 30 vjet, punoi ekonomist në Bankën e Kursimeve të Vlorës, ku spikati për shpirtin e tij të lartë njerëzor, si një bulëz e mirësisë së Nënë Terezës, në kushtet e mundësitë konkrete të kohës e vendit tonë.

Krijimtarinë letrare e ka filluar qysh në vitet e rinisë. Në vitet ’60  të shek. XX, vërshojnë kthjelltësisht bukur, me mendime elegante, të qënësishme, të larta artistikisht dhe me një uniformë kombëtare për tu patur zili, poezitë, skicat e reportazhet me firmën Anastas Bita, që po konturohej me respekt të vijueshëm në horizontin e krijimit. Në vitet ’80,  iu hoq e drejta e botimit për një artikull jo të pëlqyeshëm nga elita e kohës, botuar në gazetën lokale “Zëri i Vlorës”.

Ka botuar më vitin 2002 vëllimin me poezi “Mos më kërko atje ku s’jam”, kushtuar prindërve, që u mirëprit mjaft mirë nga lexuesit dhe kritika. Më vitin 2004, botoi librin “Lavdi e kërcënuar”, poemë për Heroin Mustafa Matohiti, me nëntitullin: “Nënën dhe Atdheun njeriu i ka të vetëm”, duke u klasifikuar kështu, ndër ata poetë misionarë në shërbim të kombit me fjalën e latuar artistike, si një Dritëro i vogël apo një Agim Sheh baladash epike; fare qartësisht si Anastas Bita i duhur e i nevojshëm për sot. Merakshumi për Mirësi e Pikëllimmadhi për Shqipëri la pa botuar monografinë “Zhejotët  nëpër kohëra” dhe vëllimin poetik “Vargëzime të braktisura”, të cilat ne, njerëzit e tij, të penës e shpirtit, do t’ia botojmë, të jetojë tok me ne, me veprat e tij, me emrin e tij të vërtetë, të drejtëpërdrejtë dhe emblematik për ne, krijuesit vlonjatë e shqiptarë.

Libri me poezi “Mos më kërko atje ku s’jam”, botuar nga shtëpia botuese “Albin”, klasifikohet ndër botimet e vërteta, që për vlerat e pamohueshme që mbart, do të jetë përherë i freskët dhe seriozisht i veçantë për letërsinë vlonjate.

U shkrua për të në gazetën “Drita”, “Zagoria”, “Vlora Neës” etj. Edhe sot e nesër libri

do të vlerësohet për mesazhet humane, për ironinë shakatore të gjallë, përdorur  me mjeshtëri prej autorit. Gjatë leximit, të pëlqen vargu i Anastasit, sepse bën një letërsi artistike që nuk shfaqet dhe nuk është  vetëm thjeshtë një pasqyrim i drejtëpërdrejtë i jetës. Ç’ka prodhon pena e tij është edhe krijim estetik, sepse na krijon një realitet të ri estetik, vlera të reja estetike, të cilat sigurisht nuk mund t’i shpëtojnë  ndikimit të aktualitetit e bashkëkohësisë .

Ky vëllim, i tëri është një metaforë, brenda së cilës pulson shpirti i shqetësuar i poetit në një kohë të trazuar. E në këtë kohë, poeti nuk nxiton, por me pjekuri, me mall e brengë, me gaz e duf,  hedh në vargje përjetimet e tij të vrullshme dhe pasionante, me nerv e ngjyra poetike. Ky libër shënon një hap përpara në krijimtarinë tonë vlonjate. Malli i thellë për vendlindjen, dhembjet e jetës, vizatimi plot frymëmarrje i natyrës, janë tre motivet e gjalla, që e mbushin librin.

Ai e do poetin dhe bartësit e poezisë. Ai e do njeriun, se është njeri; ai e do mirësinë, se është i mirë; ai e do virtytin, se lufton vesin. Ai e do poetin, se është poet. Ai e do poetin të talentuar, të përkushtuar ndaj Atdheut e vjershërimit. S’ka kohë të merret me belbakët e artit, e do poetin simbol të nderit, e do që të ketë gjak në damarë, jo limonatë, sepse siç shkruan autori ynë:

“Kur rënkon koha e ti gërhet

pa zë të le e nesërmja.”

Në vëllim, njihemi me poetët e preferuar të autorit, që nga Pushkini, Esenini e Lermontovi, që nga Naimi, Çajupi e De Rada, që nga Lasgushi, Dritëroi e Koçi Petriti e deri te Nertesi Asllani apo ajo, poetja zagorite Eftimi Garo – Mila, që u rrit nëpër këngë  e u bë  një këngë  plot ëndërrime lastare.

“Anastasi ka shkruar herët dhe mirë, por tani botoi librin, s’ka të thotë , u shfaq denjësisht”-shkruante shtypi letrar i kohës.

Libri “Mos më kërko atje ku s’jam” është pasaporta poetike e autorit Anastas Bita, i cili ka hyrë me kohë natyrshësm, vërtetësisht  e me emrin e tij të përveçëm në Lumin e Krijimit Vlonjat, që rrjedh e rrjedh kthjelltësisht, që rrjedh e rrjedh pafundmërisht…

Poeti i fshatit e ka shtrydhur, si mushtin, folklorin e pasur zagorit, e ka përpunuar me mjeshtëri dhe ia jep kënaqësisht lexuesit, trajtuar nga këndvështrimi i tij origjinal artistik dhe estetik.

Ai e do shumë Zhejin, saqë e quan faltore, është bir i traditës, dokeve e zakoneve të tij. Ai është poet i miqve e mik i rakisë. Ai u thotë njerëzve: Tungjatjeta! Por, jo rrallë, ndihet keq:

“Po psherëtij, erdh’ kohë e keqe,

ankthin bluajmë me kafshatë,

kujt t’i japësh një përshëndetje?

kujt t’i flasësh buzagaz?”

Autori është poet i ndjenjës së hollë, i sinqertë në të shkruar. Të ngelet në mend vjersha për Sarën, Fjonën dhe Erën, për mjaltin e mjaltit, që ndrisi si vesa, sepse për gjyshin janë shpirtkëz, si këngë floriri në maj. Në s’më besoni lexojeni, lexues të dashur, vjershën për mbesat, që, Cacja ynë i paharruar, ka botuar te libri “Mos më kërko…”fq. 62 – 63, shoqëruar dhe me fotografitë e tre mbesave të para, që iu bëfshin tridhjetë, e shumë e më shumë!…

Kënga e saponisur për nënë Polisenin ka dalë vetë nga zemra dhe merr vlera të larta  përgjithësuese.

“Emërmadhja ra në gjumë

lodhur shumë…a ikur shpejt…

Nënëzo – ujvarë malli, përcillet dashuria për nënën, si stafetë brezave, më e  dhembshura, më e vërteta, më e shenjta.

Libri ka shumë lirika të freskëta, por unë dua të theksoj dhe vetëm dy fjalë për poezinë “Ti dhe motra ime”, ku jepet një nga plagët më të dhimbshme e më të ulta të kohës që kemi jetuar nja dy dhjetëvjeçarë e kusur, por, dashtë Zoti, mos e jetofshim  më tej: prostitucioni, në kontrast të fortë me ndershmërinë që ekziston, të femrës shqiptare. Llërën e bukur të vajzës tonë shqiptare vetëm dëllinja ia prek, kur gërxhit i shkon pranë, thotë autori dhe nënteksti është i qartë: kohërat venë e vinë, por nderi është flori e kaluar floririt; është drita e syrit, është gjëja më e shenjtë, është vetë jeta dhe vijimësia e rracës.

I mbushur me dufe, me ndjenja të fuqishme, por i papushtuar nga pasionet, me një logjikë të ftohtë, shprehet më në fund për bjondinën prostitutë:

“Unë s’kam arsye të kem dhembje

kur  prodhon kombi skarcitet…”

Anastas Bita është poet i dhimbjeve të mëdha  e i dashurive të mëdha, është poet i drejtëpërdrejtë, i vërtetë e jo fallco, si ato personazhet e Arben Dukës, jo tullumbace, jo kullaro, jo hipokrit.

A e dini, o njerëz të mirë, që ndiheshe me dinjitet, që ndiheshe mirë, edhe kur debatoje me të, sepse të shikonte në sy, të shprehej siç dhe ashtu të donte dhe ty e ashtu të besonte. Më duket se ai do të vijë prapë të diskutojmë së bashku për gjëra nga më të rëndësishmet deri te ato më kotet.

O njerëz të mirë! Mjeshtri i Madh Bardhosh Gaçe përgatiti antologjinë poetike për Vlorën: “Shtëpia e diellit dhe e detit”, titull ky i frymëzuar nga një poezi e Xhevahir Spahiut. Në këtë libër janë përfshirë perla të folklorit shqiptar e rreth 100 pena të dëgjuara, përfshi dhe Bajronin, romantikun e madh, Prometeun e shekullit XX, që vlerësoi aq shumë virtytet fisnike të himariotëve tanë.

Në këtë antologji të mrekullueshme, Anastas Bita është përfaqësuar vetëm me një poezi, të cilën e ka ndërtuar me vetëm dy strofa. Për lexuesin e respekuar të gazetës sonë të dashur “DIELLI” do të citoj vetëm strofën e dytë të vjershëzës së veçantë e shumë mbresëlënëse të Caces POET:

…Dhe ende s’ka bir, s’ka murg manastiri,

Që dorën ka puthur, si Vlorën unë puth!

                                       Vlora për kombin është qumësht gjiri,

                                      Kombi pa Vlorën do mbetej…Mamuth.

Nuk mund të bëj asnjë koment, se janë vargje që nuk harrohen dot, ngaqë e  kanë ngarkesën  e plotë emocionale, artistike, qytetare e atdhetare të krijuesit njeri. Anastas Bita e shfaq veten siç është, nuk është ai pjesë e asaj bote që nuk shfaqet. Pa u marrë tërësisht me analizën e veprës  së tij letrare, që më duket si një mikrokërleshje lasgusho – migjeniane, mund të shprehem që A.Bita, qoftë te poezia e prostitutës, dhembshurisht e vërtetë, qoftë tek gdhendja artistike për Vlorën, krenarisht e lartë, shfaq mendim qytetar, intelektual, familjar e atdhetar për t’u admiruar. Pse? Sepse ai të mëson me shembullin e tij, me fjalën e tij, me veprimet  e tij si Anastas – njeri, familjar, prind dhe veprimtar shoqëror  e kulturor. Me atë zonjë grua lindi, rriti, edukoi, arsimoi e martoi dy vajzat – floririn e shpirtit e gjakut të tyre, që familjarisht janë model sot në jetë e në punë, siç i njeh qyteti të nderuara e të repektuara personalisht e familjarisht të përkryera. E ç’do më tepër prindi nga fëmija! Është qetësisht krenar, kur fëmija e nderon, kur i bëhet i mirë, me punë të mirë, me familje të mirë, me emër të mirë. Të gjitha venë e vinë te njeriu, shiten e blihen, veç ai, emri, as shitet, as blihet dot, ai meritohet.

Nuk e besoj…, iu betohem, që s’e besoj se kemi nbjapesë vjet që e paskemi përcjellë për në banesën e përjetësisë Njeriun e Mesazheve Humane, një ndër poetët e klasit të parë në Vlorë, mjeshtrin e fjalës së kursyer artistike, që si ai, i këndoi nderit, dinjitetit, Vlorës e jetës, po me aq zjarr e mjalt sa vendlindjes.

Jo kujtdo poeti i shkruhet poezi nga poetë të tjerë që në ngjallje. Anastasit, kur ishte me ne, edhe fizikisht i kanë thurur vargje të bukura, përveç meje, edhe autorë të respektuar si Maku Pone, Ruzhdi Bajrami, Seit Seitaj, Brunilda Boçova, Nertesi Asllani, Astrit Hajdini, Bardhosh Xhelaj…Ndërsa Eqrem Canaj me elegjinë “Kurorë poetit ”realizoi atë element sa hyjnor, aq njerëzor, për ta patur Cacen afër nesh, por që herë pas here, ikën qiellit për të bleruar me shpirtin e tij të bukur universin. Me një dhembje të heshtur, për të lehtësuar sadopak hidhërimin e Elsës, dy vajzave e njerëzve të tyre, mbaj mend që morën pjesë në përcjelljen e atij njeriu të mirë e poeti qytetar, edhe miq të  shumtë të Caces, si poeti i fizikës Vaso Pata, Spiro Caushi e Jorgo Mandili, piktori Ilmi Bani e shkrimtarët Bardhosh Gaçe, Idajet Jahaj, Eqrem Canaj, Ruzhdi Bajrami, Hiqmet Mehmetaj, Mynyr Zyka, Myrteza Mara e Bedri Hyseni, që Bitajt  e Vlorës, Zagorisë e Sarandës do t’i regjistrojnë në Kujtesën e Respektit.

Neve, shkrimtarëve dhe artistëve të Vlorës do të na dhembë gjithmonë krahu që na theu, parakohe dhe padrejtësisht, Cacja ynë i paharruar.

Me atë profil të dallueshëm letrar, Anastas Bita do të ngelet një  pasaportë poetike e letërsisë vlonjate dhe e nderimit   qytetar, sepse e dinte që poezia është harmoni e ndjenjës dhe figurës, sepse pena e tij e florinjtë i shpërndante metaforat, ashtu siç shpërndahen sheqeri e arrat  në bakllava, (që s’hidhen vetëm në një thelë të saj, pasi atëhere do të na velnin)…

Po tani, këtë që bëre, çfarë e pate?

Pse ky metër vend më shkakton terror?

Sa më rëndon lopata e dheut tënd, o Cace!

I një këngë e hidhur për një vjershëmjaltor.

Nuk dua të të them kurrë Lamtumirë, o Cace Vëllai! Mirupafshim nëpër vargjet e tua brilante! T’u bëftë Dheu sheqer, o krijues!

*) Autori eshte  Drejtor i Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, Anastas K Bita, Vlore

Shpresa nën Hije

October 2, 2013 by dgreca

Opinion nga Kuqelim Dreshaj/

Të shkruash diçka krejt papritur,idetë,fjalët,dhe veprimet vijnë vrullshëm dhe nganjëherë janë të parreshtura.Kjo ndodh sepse tregon pakënaqësitë e një populli të vogël ku puna, djersa,vullneti dhe optimizmi sa vjen e shkon jeta,gjithnjë po mbesin shpresa nën hije kjo për shkak të qeverisë Thaçi dhe Partise Demokratike te Kosoves.Sepse ne jemi një  popull i vogël aty diku në Europe,me një traditë pune të shekullt dhe të mendosh që edhe sot pas 14 vitesh me një lufte te mbaruar, ai vullnet i pastërt kontrollohet dhe menaxhohet nga qeveria Thaçi dhe politikbërja  e Partise Demokratike te Kosoves më e keqe që mund të egzistonte në një vend demokratik siç ne po luftojmë te jemi.Të ndalesh dhe të mendohesh një minut të bën te qeshësh sepse në cdo vend demokratik politikat për punësim dhe zhvillim ekonomik propozohen dhe menaxhohen nga vet qeveritë, dhe partitë të cilat  krijojnë këto qeverisje mirëpo nga qeveri të mira dhe produktive në punën e tyre,gjë që fatkeqësisht në vendin tonë ne Kosove nuk po ndodh .Pavarësisht shkollimit , trajnimeve dhe përvojave afatshkurtëra në punë të ndryshme unë si njëri i vendit tim,me të gjitha vyrtytet dhe burimet e mjaftushme njerzore e humane që mund t’i ketë cdo moshatar i vendeve demokratike në botë fatkeqësisht unë nuk munda ta kem rastin e punës dhe punësimit sepse duhej të ishe pjesë e klaneve dhe rrjeteve korruptive te qeverisjes Thaçi  dhe medoemos duhej të ishe pjestar i partisë  demokratike te kosoves ne pushtet ,duke të privuar nga të drejtat bazë të njeriut,mendimin e lirë politik e social une nuk kam  dashur te aderoj ne kete parti (PDK) sepse  nuk eshte perputhur  me parime  e mia per lirine ,demokracine dhe shtetin ligjore. Edhe tash pas jam bere pjese e nje subjekti politike me vlera demokratike, Lidhja Demokratike e Dardanise, ku mua m’u dha mundësia të punoj  mbi bazen e punës dhe mirëqenijes së popullit tim edhe per njerzet e lire te venditi time ketu ne amerike .Një parti ku puna e saj është e bazuar ne vlera demokratike dhe ligjet e Kosovës të nxjerrura nga Kushtetuta e Kosovës nuk mundja të bëj atë qe une kam deshire dhe te plotseoj nevojate e sovranit ne te gjitha sferat por ajo çka mund te beje eshte kritika, kurre nuk do te pushoje se ndaluri  dhe s’do te hesht per keto dukuri qe e kane kapluar vendi tim.Kjo ndodh sepse nepotizmi ka kapluar edhe damarët më të hollë të kësaj qeverije ,korrupsioni që fillon nga instancat më të larta të qeverisë  Thaçi  edhe Partise Demokratike e deri tek nënpunësi më i thjesht administrativ.E gjithë kjo është si pasojë e  politikave të dobëta të kryeministrit Thaçi duke e bere afrimin ne strukturat shtetrore te mbeshtetsve te PDK-se ne menyre ekskluzive,qoftë ato politika të mbrendshme qoftë ato të jashtme,kjo përshkak të arritjes së qëllimeve personale të kryeministrit dhe antarve te parties demokratike  dhe njerëzve të tij,gjithashtu plani i dobët i zhvillimit ekonomik,arsim të pakontrolluar e të pa menagjuar nga stafe akademik edhe profesionale ,infrastrukturë të mangët dhe mbi te gjitha sisteme të dobëta dhe të pa baza te vlerave demokratike shoqërore,sociale duke filluar nga komunitet më të vogla e deri tek qendrat më urbane ku për të rinjët siç isha unë ishin e vetmja shpresë për një qasje më të kollajt në punësim dhe jetë sociale më të emancipuar, si duket kjo shpresë po ngelet nënhije .Unë si shkrues i këtyre ideve,mendimeve dhe mllefeve dhe si anetari I nje partie me vlera demokratike lidhjes demokratikt te dardanise, i ri i atij vendi nuk e pata të lehtë ti shkruaja këto fjalë sepse në jetën time unë kisha një ditë,një vit ,një motiv që ëndërroja se një shpresë e mirë po na vjen bashkë më këtë qeverisje dhe më këtë kryeminister Kryeminisrtin Thaçi dhe partia demokratike.Besonim të gjithë tek plani dhe programi i tij i punësimit dhe integrimit të kësaj rinije duke ngulitur një ftesë për kthim tek të rinjët mirë po kjo ëndërr u kthye në një ankth të keq të një nate të tmerrshme ajo që kurr nuk e besoja se do të më ndodhte mua edhe  nje numri te madhe te moshatarve te mi ,na erdhi radha ta braktisim vendin tone drejt një shteti tjetër për ta gjetur nje lirie që gjithmonë e besoja se do ta kisha në vendin tim  por qe eshte e pamundure kjo për shkak të një keq qeverisje te parties demokratike .Duke shpresuar në krijimin e qeverive dhe mundësive të reja kjo falë partisë opozitare dhe fale nje fryme Rugoviane e që e ka deshmuar ne kohën kur Kosova ka  kaluar kohë më te vështira të saj e që ishte lufta,ku qëllim dhe mjet I një zgjedhje sa më të shpejtë ishte dialogu dhe paqa ku problemet e Kosovës duhet të bisedohen dhe te zhvillohen ne menyren demokratike.E gjithë kjo eshtë shpresa jonë e vetme .

Kuqelim Dreshaj –Ekonomiste i Diplomuar ,Anetare i Lidhjes Demokratike te Dardanis ,Bronx New York 2013 ,kuqelimdreshaj@gmail.com

Filed Under: Opinion Tagged With: Kuqelim Dreshaj, opinion, shpresa nen hije

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5159
  • 5160
  • 5161
  • 5162
  • 5163
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT