• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Histori: Çfarë ndodhi më 17 shtator?

September 17, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

1787 – Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara u nënshkrua nga delegatë të 12 shteteve në Konventën në Philadelphia të Pensilvanisë. Kushtetuta amerikane është Kushtetuta më e vjetër në botë ende në veprim.

1884 – Një gjykatës në Okland të Kalifornisë vendos një rekord te ri, duke zgjidhur 13 çështje kriminale brenda 6 minutave.

1934 – Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik shkëmbejnë nota diplomatike dhe vendosin lidhje në nivel konsullor. Mbreti Zog e pa këtë kontakt të ri me Moskën si hapje të mundshme të një rruge për të dalë nga vështirësitë financiare, tani që marrëdhëniet me Italinë ishin tensionuar dhe marrja e ndonjë huaje nga Roma dukej e pashpresë. Ky hap i Mbretit Zog, pa dashje, do t’i hapte udhën edhe shtimit te hyrjes së literaturës komuniste në vend.

1983 – Vanessa Williams, Mis Nju Jork, u kurorëzua Mis Amerika. Williams ishte gruaja e parë zezake në historinë 62-vjeçare të konkursit Mis Amerika që fitonte këtë titull. Williams e dorëzoi kurorën kur disa foto që e tregonin atë lakuriq u botuan në revistën Penthouse. Gjithësesi, Vanessa Williams vazhdoi të gëzojë popullaritet si këngëtare dhe aktore..

2011 – Në Tiranë del për herë të parë në kinema filmi “Falja e gjakut”, edhe pse filmi kishte muaj që shfaqej në Evropë, ku ishte nderuar me çmimin Ariu i Argjend në festivalin e Berlinit, për skenarin më të mirë. “Falja e Gjakut”, një bashkëpunim amerikano – shqiptar (Joshua Martson – Andamion Murataj), tërhoqi vemendjen jo vetëm për fenomenin shqetësues që trajton, por edhe sepse suksesi në Evropë ri-nxorri në dukje faktin se realizimi i tij nuk ishte përkrahur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqiperisë. Filmi “Falja e Gjakut” u propozua edhe per çmimin Oskar në kategorinë e filmave në gjuhë të huaj, por Akademia në Hollywood e hoqi nga lista pas disa ankesave se filmi nuk ishte prodhim shqiptar.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, cfare ndodhi, me 17 Shtator

EKSPOZITA E KRESHNIK XHIKUT NË ALEKSANDRIA DO TË JETË E HAPUR DERI NË 7 TETOR

September 17, 2013 by dgreca

Kreshnik Xhiku e sheh procesin e tij krijues si një vazhdimesi në ngritje, progres, ku çdo vepër ndikon tjetrën, duke i bërë ato pjesë të së njëjtës përpjekje. Si instruktor dhe profesor i vizatimit dhe skulpturës në shkollen e Lidhjes se Arteve në Aleksandria për më shumë se një dekadë, Xhiku ka ndarë përvojën dhe vizionin e tij krijues duke ndihmuar e frymëzuar shumë artistë të rinj./

Nga Astrit Lulushi/

Në Galerinë e Lidhjes së Arteve, në Aleksandria afër Washingtonit, u hap këto ditë ekspozita “Structural Elements”,e skulptorit të njohur shqiptar dhe amerikan, Kreshnik Xhiku. Ekspozita pritet të qendrojë e hapur deri më 7 tetor.

Arti i Kreshnik Xhikut i përket kryesisht rrymës abstrakte, që e bën vizitorin të mos pyesë se çfarë është, por t’a shijojë atë. Në këtë ekspozitë të re vetjake, Kreshnik Xhiku eksploron midis figuratives dhe abstraktes në kufijtë që i bashkojnë ato.

Duke përdorur drurin dhe metalin, here-herë edhe tekstile – shoqëruar me ngjyra – Xhiku krijon forma strukturore, ku duket qartë dora e artistit; druri, për skulptorin Xhiku, përfaqëson ngrohtësinë dhe shërben si kundër-peshë ndaj ftohtësisë së metalit. Druri, gjithashtu, është një element lidhës me vendlindjen e skulptorit, që ri-zgjon ndjenja që nga koha e fëmijërisë kur druri ishte elementi kryesor ngrohës.

Dhe kjo mënyrë të shprehuri e afron shikuesin, sjell rezultat – sepse krijon harmoni mes fantazisë dhe formës, pa humbur veçoritë e secilës. Me ketë, skulptori Xhiku tregon se shprehja është sa e qartë aq edhe e perhumbur dhe se për të shprehurit nuk ka mënyra fikse. Abstraktja i jep mundësi artistit të dalë jashtë standarteve kufizuese.

Në fillim të shekullit të XX, shumë skulptorë i shtynë kufijtë e mënyrës shprehese të artit te tyre. Ata “tradhëtuan” botën e dukshme në favor të abstraktes, duke argumentuar se thelbi i një forme a sendi është jo në sipërfaqe dhe se thelbi është e vërteta. Këta artistë u quajtën avangardë dhe i vunë vetes si qëllimim jo të riprodhonin botën siç e shihnin, por të eksperimentonin në formën e saj. Që nga ajo kohë, skulptura abstrakte ka ofruar truall për eksperimente të tilla në formë, përmasë, dhe teknikë, duke u shkëputur nga metodat tradicionale.

Xhiku e sheh procesin e tij krijues si një vazhdimesi në ngritje, progres, ku çdo vepër ndikon tjetrën, duke i bërë ato pjesë të së njëjtës përpjekje. Si instruktor dhe profesor i vizatimit dhe skulpturës në shkollen e Lidhjes se Arteve në Aleksandria për më shumë se një dekadë, Xhiku ka ndarë përvojën dhe vizionin e tij krijues duke ndihmuar e frymëzuar shumë artistë të rinj. Karrierën si artist, Kreshnik Xhiku e ka filluar që në Shqiperi, si i diplomuar e më pas profesor në Akademinë e Arteve ne Tirane.

Ambasadoi i Shqipërsië në SHBA, Gilbert Galanxhi, i pranishëm në ekspozitë, i tha Zërit të Amerikës se veprimtaria artistike e Kreshnik Xhikut i bën shqiptarët në Amerikëtë ndjehen krenarë me artin dhe kulturën e tyre. Ndërsa kolegu i skulptorit Xhiku, Vasil Rrokaj, kishte udhëtuar 6 orë me makinë nga shteti Kenektikat, për të parë këtë ekspozitë.

Në Amerikë, atë e thërrasin “Nik” Xhiku. Punimet e tij janë ekspozuar në shumë vende në Evropë e SHBA. Skulpturat e Kreshnikut zbukurojnë sot parqe e hapësira publike. Përveç skulpturës abstrakte, pasioni i Nik Xhikut është skulptura monumentale. Ndër veprat e tij përfshihen shtatorja e Skënderbeut mbi kalë në sheshin e kishës katolike shqiptare të Shën Palit në Michigan; ajo e Nënë Terezës në një park publik në Ohajo, shtatorja e Ahmet Zogut në Tiranë; apo busti i Skënderbeut në Londër. Dora e këtij skulptori shqiptar ka lënë gjurmët e veta edhe në Memorialin që Amerika ngriti para disa viteve për të rënët e saj në Luftën e Dytë Botërore.

Filed Under: Kulture Tagged With: Aleksandria, Astrit Lulushi, ekspozite, Kreshnik Xhiku

Lulzim Basha: PD, promotore e integrimit, por Rama të kthehet nga Brukseli me mend në kokë

September 17, 2013 by dgreca

Të heqë dorë nga urrejtja ndaj opozitës/

TIRANE- Kreu i PD-se, Lulzim Basha, duke garantuar Brukselin dhe qytetaret se forca qe drejton nuk do te jete kurre pengese per integrimin e vendit,  i ka bere apel kryeministrit Edi Rama te  kthehet me mend ne koke dhe te heqe dore nga urrejtja ndaj opozites.

Ne nje deklarate per mediat, Basha ka theksuar se PD ka qene e do te vazhdoje te jete promotore e integrimit dhe do votojë cdo ligj e akt qe lidhet me te.

“Sot PD kërkon nga Rama që ta lexojë drejt e të reflektojë pa humbur kohë mesazhin për fatin e vendit në be dhe rolin përbashkues që Tirana zyrtare duhet të luajë në marrëdhëniet me fqinjët në Kosovë, Maqedoni, si një këshillë ndihmuese dhe qortuese për startin plot qëndrime përcarëse dhe konfliktuale në detyrën e tij si KM”- tha Basha.

Në vijim deklarata e plotë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha

Kryeministri Rama mori në Bruksel, mesazhin e qartë për të bashkëpunuar ngushtë me opozitën e vendit të tij.

Në emër të Partisë Demokratike dua të falenderoj miqtë dhe partnerët e Shqipërisë në Bashkimin Europian për këtë mesazh kuptimplotë dhe për vendosmërinë e tyre konstante në mbështetje të aspiratave europiane të popullit shqiptar.

Me këtë rast dua të siguroj përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian në Bruksel, sikurse kemi siguruar qytetarët dhe Kuvendin e Shqipërisë këto ditë, se opozita e re shqiptare nuk do të jetë në asnjë moment pengesa dhe problemi i integrimit të vendit në BE, se do të jemi promotorë, siç kemi qenë në qeveri, se do të votojmë çdo ligj dhe akt shkon në përmbushje të kritereve të integrimit.

Ndërkaq sot, Partia Demokratike kërkon nga zoti Rama që ai ta lexojë drejt  dhe të  reflektojë pa humbur kohë  rreth  këtij mesazhi thelbësor për fatin e  integrimit të  Shqipërisë  në Europë  dhe për rolin përbashkues që duhet të luajë Tirana zyrtare në  marrëdhëniet me faktoret politikë shqiptarë në Kosovë, Maqedoni  dhe në trevat e tjera.

Ta lexojë jo si një mesazh rutinë por para së gjithash si një këshillë ndihmuese dhe qortuese për startin plot qëndrime përçarëse e konfliktuale të zotit Rama në detyrën e  tij si kryetar i këshillit të Ministrave.

Zoti Rama i shpalli luftë opozitës në daljen e tij të parë në foltoren e Kuvendit, duke provokuar largimin e  saj nga seanca.

Një ditë më pas provokoi braktisjen e Kuvendit të Kosovës nga opozita e Kosovës me qëndrimet e tij ideologjike përçarëse të stampës së vjetër ndaj figurës së ndritur të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova.

Në harkun e njëzet e katër orëve provokoi braktisje nga dy opozita kombëtare, një rekord që nuk e ka asnjë kryeministër.

Në vend që të nxirrte mësime përgjatë debatit parlamentar, zoti Rama e thelloi më tej luftëshpalljen ndaj opozitës me deklaratën e tij paprecedent se opozita nuk ka parë akoma se ç’është dhuna, deklaratë nga e cila nuk është tërhequr ende.Në vrapin e tij drejt godinës së qeverisë, akoma pa u tharë boja e firmës së betimit para Presidentit të Republikës, nxitoi të hiqte portretin e tij në shkelje flagrante dhe përçarëse të Kushtetutës, etikës, dhe bonsensit.

Kjo nuk është rruga për të shkuar në Europë.

Shqiptarët nuk harrojnë se Edi Rama bllokoi integrimin e vendit si opozitar kundër qeverisë.

Me veprimet konfliktuale dhe përçarëse që po kryen ai po rrezikon të bllokojë  përsëri, kësaj radhe si qeveritar kundër opozitës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Brukseli, Edi Rama, Lulzim Basha, Opozita, PD

VIZITA E KRYEMINISTRIT RAMA NE BRUKSEL

September 17, 2013 by dgreca

Në fjalimin e parë përpara Komitetit të Jashtëm në Parlamentin Europian si Kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama ka shtruar domosdoshmërinë e rifitimit të kohës së humbur për realizimin e ëndrrës europiane, integrimin në BE. Duke folur në seancën me temë

“Shqipëria, situata post zgjedhore dhe perspektiva”, Rama nënvizoi se nuk ka dyshim se gjatë ketyre viteve Shqipëria ka pasur sukses, por sipas tij dhe ambicia ka qenë më e madhe se progresi i arritur deri tani dhe kjo ambicie do të na çojë drejt së ardhmes duke mësuar nga leksionet e kaluara.

“Është një moment i ri dhe ne besojmë se me ndihmën tuaj dhe të Parlamentit Europian, partnerë të Shqipërisë dhe rajonit në Europë ne mund të përfitojmë shumë nga koha e humbur. Nuk ka dyshim se gjatë ketyre viteve Shqipëria ka pasur sukses, por dhe ambicia ka qenë më e madhe se progresi i arritur deri tani dhe kjo ambicie do të na çojë drejt së ardhmes duke mësuar nga leksionet e kaluara” deklaroi ai.

Në këtë kontekst, ai ka siguruar se qeveria e re që ai drejton do të punojë për të përmbushur atë që populli shqiptar ka kërkuar më 23 qershor, anëtarësimin e Shqipërisë në familjen europiane me të drejtat dhe detyrime e plota të saj.

“Unë besoj se populli shqiptar ka votuar për ne, një rezultat jo vetëm i nevojës për të ndryshuar Kryeministrin me një tjetër, disa Ministra me disa të tjerë, por kërkoj një ndryshim për të ecur përpara. Kjo na bën të gjithëve shumë të ndërgjegjshëm për faktin se jemi në një pozitë të tille, jo se kush jemi ne, por për atë që populli ka nevojë, dhe për atë që populli mendon se ne mund të bëjmë” tha Rama.

Kryeministri Rama ka folur edhe lidhur me sigurinë e rajonit në terësi, duke garantuar eurodeputetët se problemet e Shqipërisë me fqinjët do të jenë në konceptin 0.

“Në politikën tonë të jashtme dhe si shtet, Shqipëria ka qenë një ndër vendet më të qendrueshme dhe e pandikuar nga ndryshimi i pushtetit. Por në të njëjtën kohë, është dëmtuar kohët e fundit nga ethet nacionaliste. Për ne politika e jashtme do të jetë politika e problemeve me fqinjët” theksoi Kryeministri Rama.

Kukan: Zgjedhjet treguan maturimin e politikës, pa dialog  s’mund të ketë përparim

Ndërkohë eurodeputeti Eduard Kukan vlerësoi rolin e Qeverisë së larguar lidhur me përpjekjet për integrimin në BE, ndërsa shprehu bindjen se qeveria e re do të mund ta çojë përpara arritjen e këtij objektivi. Duke i konsideruar zgjedhjet e 23 qershorit një test të kaluar me sukses, Kukan kërkoi nga Kryeministri dhe qeveria e tij të lejojnë PE të japë ndihmën e tij në këtë drejtim.

“Mendoj se është e rëndësishme dhe e duhur për të përmendur dhe për të vlerësuar punën e Qeverisë që është larguar përsa i përket përpjekjeve për integrimin në BE. Situata politike ka qenë për një kohë të gjatë në vëmendjen e qeverive europiane. Dhe mendojmë se Qeveria e re do të sjellë arritje në këtë drejtim. Zgjedhjet e 23 qershorit ishin një test për demokracinë e Shqipërisë. Shqipëria e ka kaluar këtë test.Ka patur anëtarë të parlamentit që kanë treguar përgjegjshmëri për vëzhgimin e tyre. Kemi parë që integrimi ka qenë në axhendën e fushatës zgejdhore dhe kjo ka qenë shumë e rëndësishme. Zgjedhjet në përgjithësi kanë qenë kompetitive, ka pasur disa gabime, por përgjithësisht ishin zgjedhje të mira dhe mbi të gjitha, tranzicioni i pushtetit shkoi mirë, që të humburit e zgjedhjeve pranuan rezultatin. Pa dialog të vërtetë politik do të jetë e vështirë shumë që të ecim përpara. Zhvillimet e deritanishme kanë treguar se Qeveria e re është e gatshme ta bëjë këtë. Unë uroj qe në të ardhmen të shikojmë fakte dhe prova për këtë. Mesazhi im është që të themi se Parlamenti Europian ka qenë gjithmonë mbështetës për zhvillimet në vendin tuaj, ndaj ju lutemi të na lejoni tju ndihmojmë sa më shumë të kemi mundësi.”

 Eurodeputetet  pyetje ne drejtim  te Kryeministri Rama

Në vijim eurodeputetët e pranishëm në seancë kanë drejtuar një sërë pyetjesh në drejtim të Kryeministrit të vendit, ku vlen të theksohet se kanë dominuar ato sa i përket përqasjes që do të ketë qeveria e majtë në raport me politikën e jashtme, në mënyrë të veçantë me fqinjët. Në vijim pyetjet dhe përgjigjet e dhëna nga Kryeministri Rama.

SALAMAN: Në emër të Partisë Popullore Europiane ju përgëzoj për rezultatin dhe për tonin konstruktiv të përdorur në këtë komision. Ju po mendoni edhe për atmosferën e krijuar në parlamentin tuaj. Përsa i i përket perspektivës europiane të vendit tuaj, marrëveshjes për vizat dhe aplikimit për të qenë vend anëtar i BE-së, çështja është se në çfarë mase do të përpiqeni që të përfshini të gjithë shoqërine, popullin e vendit tuaj për të ecur drejt BE-së dhe deri në ç’masë do të përfshini opozitën në këtë projekt, që ka nisur me zgjedhje të lira politike? Si i shikoni zhvillimet të marrëdhëniet mes Qeverisë tuaj dhe Qeverisë së kaluar dhe me shoqërinë civile në vendin tuaj?”
PETERLET: Mendoj se e kuptoni se sa i rëndësishëm është uniteti politik për Shqipërinë. Si do ta përcaktoni sa më shumë që të jetë e mundur nga ana juaj?

PACK: Ju e dini se tonet në Parlament duhet të qetësohen pak. Nëse vazhdoni me mënyrën sesi e keni nisur sot, do të tregoni një shembull të mirë. Mendoj se populli shqiptar është rritur dhe për këtë ju them të bëni punën tuaj,  të mos ktheheni mbrapa. Ne s’do jemi mësuesit tuaj.

BOSHTINARO: Rumania ofron mbështetjen për Qeverinë tuaj në integrimin në BE.

GOMEZ: Bazuar ne eksperiencat e mëparshme do të na tregoni një praktikë gjithëpërfshirëse në Shqipëri. Do t’ju pyesja për marrëdhëniet me fqinjët dhe problemet që duhet të zgjidhni. Po kështu është lufta kundër korrupsionit, që nuk është një problem thjesht kombëtar. Si do ta zgjidhni këtë problem?

GIANNAKOU: Diçka që është e rëndësishme për vendet që aplikojnë në BE është marrëdhënie me fqinjët. Mendimi juaj për vendimin për marrëveshjen për ujërat. A mendoni se kjo nuk është e rëndësishme për marrëdhëniet me Greqinë? Cili është qendrimi juaj për marrëdhëniet me Greqinë?

FAJON: Besoj se Shqipëria merjton një shoqëri demopkratike. Si do ta zgjidhni priblemin e papunësisë së të rinjve? Sa i takon korrupsinit, a keni ide të qarta dhe konkrete se si do të zgjidhni këtë problem?

CUFLIN: Si mendoni t’i zgjidhni çështjet me vendet e rajonit? A mendoni se do të këtë vertet një Shqipëri më të madhe?

Rama u përgjigjet eurodeputetëve: Kërkojmë një Shqipëri të orientuar drejt integrimit të vendit, presim bashkëpunimin e opozitës për disa reforma

Kemi numrin më të madh të grave të përfshira në qeverisje dhe mendojmë se qeverisja jonë është në rrugën e duhur. Sa i takon pyetjes për kufijtë, ne jemi të bindur që kufijtë duhet të jenë atje ku janë, por mendoj se nuk duhet të jenë një pengesë jo vetëm mes shqiptarëve, por edhe mes vendeve fqinje.

Janë një sërë detyrimesh dhe reformash që duhet të plotësojmë për të përmbushur hapat e duhur.Shumë njerëz mendonin se pavarësia e Kosovës do të ishte shkatërrimtare për rajonin, por rezultoi e kundërta, pasi të mos njohësh Kosovën është nonsens, dhe besoj se një njohje e plotë e Kosovës, nuk është vetëm gjëja e duhur për t’u bërë për një vend, por është gjëja e duhur për rajonin dhe Europën.Sa i takon peytjeve rreth luftës ndaj korrupsionit, unë besoj se korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk është diçka kombëtare, por diçka më e gjerë. Ndaj duhet që politika në këtë drejtim të jetë e bashkërenduar. Nevojitet modernizim i agjencive dhe i shërbimeve. Korrupsioni endemik që vuan Shqipëria ka të bëjë më mungesën e shërbimeve, mungesën e shtetit afër popullit dhe në shërbim të tij.

Sa i takon integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, mendoj se ministrja e re e Integrimit ka një axhendë ambicioze, dhe do të ketë të gjithë mbështetjen tonë, jo vetëm për dialog mes partive, politikës, dhe shoqërisë, por edhe do të nxisë procesin e integrimit europian. Është e nevojshme që të merren reformat e duhura. Është e nevojshme që reformat t’i marrim së bashku. Do t’i ftojmë të gjithë të marrin pjesë. Do të veprojmë me shpejtësi në procesin e plotësimit të reformave. Për shembull me reformën administrative. Do thoja se problematike në Shqipëri është edhe çështja e pronave. Kemi pronarë që nuk kanë marrë pronat e tyre apo shpërblimet për to. Kemi pronarë të rinj që u janë premtuar legalizimet prej 20 vitesh. Ndërtesat e paligjshme janë kthyer në një epidemi. Kemi qytetarë që punojnë tokat, por nuk kanë një certifikatë për to.

Për t’iu përgjigjur mikes tonë greke, dua të them se politika jonë e jashtme do të thotë të mos kemi asnjë problem me asnjë fqinj, përkundrazi do përpiqemi të zgjidhim çdo problem nga e kaluara. Ne do të luftojmë për një Shqipëri totalisht të orientuar nga politikat europiane. Mjafton të bëni atë që keni bërë deri më tani, ky parlament është shumë i respektuar në opinionin tonë publik, zëri juaj është dëgjuar dhe ju premtoj se do të vazhdojë të dëgjohet edhe në të ardhmen. Ndërsa lidhur me shqetësimin e Ministrit, aleat i Maqedonisë, dua t’i përgjigjem shkurt: Nëse je mik i Maqedonisë, je mik edhe i Shqipërisë.Dhe për të përmbyllur me besimin se i jam përgjigjur pyetjeve tuaja, do të shtoja se do të lëmë pas problemet me fqinjët.

Schultz do të vizitojë Shqipërinë. Rama: Marrim statusin brenda dhjetorit

Pas seancës së pyetjeve në komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, Edi Rama është takuar me presidentin e PE , Martin Schultz,i cili do të vizitojë shumë shpejt Shqipërinë.

I pyetur se kur pritet që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit për ne BE, Schultz u përgjigj: “Folëm për zhvillimet ekonomike dhe politike në rajon. Dëgjuam Edi Ramën për situatën në rajon për zhvillimet politike në Kosovë dhe ndamë pikëpamjet për ndërtimin e paqes në rajon. U kënaqëm për ato që dëgjuam dhe na u dukën inkurajuese. Si president i PE-së, ramë dakord që të kryejmë një vizitë në Shqipëri në kohën më të duhur. E falënderoj zotin Rama.Stefan Fyle po bën të pamundurën për të ndërmarrë hapat e duhura. Është e pamundur të caktojmë dhe parashikojmë afatet. Qeveria e re ka zgjedhur një titull, “Qeveria për Aleancën Evropiane”, mendoj se është titulli është i zgjedhur vendi ka perspektivë të vecantë. Duke e pare edhe ne zhvillimet e fundit rajonale dhe duke pare zhvillimet ne Shqiperi, kam besim se kjo nuk do te zgjase shume”tha Schultz.

Ndërkohë kryeministri  Rama shprehu bindjen e Shqipëria brenda dhjetorit do të marrë statusin e vendit kandidat.Ndërsa u shpreh se Qeveria e re ka mandat për ndryshime, Rama siguroi presidentin e PE-së se do i japë opozitës demokratike ato të drejta që socialistëve iu mohuan.

“Erdhëm në ditën kur u hapën shkollat dhe nuk isha atje,  por erdha këtu si njeri që duhet të bëjë detyrat e Shqipërisë për të marrë vlerësimet dhe për tu bërë pjesë si anëtarë me të drejta të plota. Risigurova presidentin sic sigurova dhe Komisionin e Jashtëm të PE-së ne kemi mandat për ndryshime duke nisur që nga puna jonë për ti dhënë opozitës atë c’ka na mohoi ne. Për të ecur më pas me reformat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Jam i lumtur që presidenti i i PE do të vijë të vizitojë Shqipërinë para se të mbarojë mandatin e tij dhe do i japim rezultatet e para të ASHE.Kam besim se filozofia jonë e qeverisjes është e drejta bazuar jo vetëm në atë cka bëjmë që evropiane të njohë progresin tonë, por që progresi ta bëjë Shqipërinë vend evropian. Integrimi evropian nuk është një udhëtim për në Bruksel, por udhëtim në veten tonë për të zbuluar energjinë pozitive dhe për të shndërruar Shqipërinë në vend me standarded evropiane dhe sapo ta bëjmë do të njihet nga Brukseli. Jam i bindur që do të marrim statusin e vendit kandidat brenda dhjetorit”, u përgjigj Rama.

Barroso takon Ramën: E ardhmja e Shqipërisë është në BE, por realizoni reformat

Presidenti i Komisonit Europian Jose Manuel Barroso ka ndezur shpresat për shqiptarët duke deklaruar se vendi ynë ka shanse reale për të marrë statusin e kandidatit për në BE brenda këtij viti, por për këtë ka lënë edhe detyrat e qarta.

Deri në muajin tetor, Shqipëria duhet të ketë shënuar progres real në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Apeli i drejtëpërdrejtë është bërë fill pas takimit të presidentit të KE-së me kryeministrin Edi Rama.

“Unë mendoj se Shqipëria mund të arrijë statusin e kandidatit këtë vit, por kjo kërkon ende disa përpjekje. Ne e kemi bërë të qartë që për të rekomanduar statusin, Shqipëria duhet të bënte progres në disa reforma dhe hapat e duhura u bënë në reformën në drejtësi, atë të administratës publike si dhe rregulloren e Kuvendit. Fakti që zgjedhjet u konsideruan të lira dhe të drejta, ishte diçka shumë e rendësisme për vlerësimin e progresit. Por në progress raportin e tetorit ne do të marrim në konsideratë aksionet e Shqipërisë për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nuk kemi kohë, javët e ardhshme janë kritike nëse doni të arrini këtë vit statusin. Gjithçka varet nga çfarë do të bëjë Shqipëria” është shprehur Barroso.

Kreu i ri i qeverisë shqiptare Edi Rama u shpreh tejet optimist duke deklaruar se marrja e statusit brenda këtij viti është një objektiv i arritshëm, duke kërkuar në këtë proces edhe mbështetjen e opozitës.

Megjithatë, sipas Ramës, sfida që duhet të fitojë Shqëpëria është hapja e negociatave për anëtërësim në BE.

“Po ka çështje të mbetura. Procesi i integrimit nuk nis me këtë qeveri. Qeveritë e kaluara kanë bërë sa mundën dhe ne duhet të bëjmë punën tonë. Kemi besim se do të arrijmë objektivin me mbështetjen e KE-së, qytetarëve shqiptarë dhe mbështetjen e opozitës. Besoj se duhet të punojmë fort me objektivin e hapjes së negociatave si moment real kur vendi do të jetë në një nivel të ri mundësish” tha Rama.

Rasmussen:Shihni drejt së ardhmes, jo pas. Rama:Do jemi në lartësinë e NATO-s

 Axhendën e takimeve në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Bruksel, Edi Rama e nisi me një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Anders Fogh Rasmussen, i cili porositi kryeministrin e ri të shikojë drejt së ardhmes dhe jo të shkuarës.

“Fakti që ju keni zgjedhur të jeni ketu, në fillim të mandatiti tuaj qevrisës, tregon për vendosmërinë tuaj personal karshi aleancës.  Shqipëria përbën një kontribut të rëndësishëm për NATO-n.  Kjo është një kohë shprese dhe mudësish për Ballkanin Perëndimor. Është një kohë që duhet shfrytëzuar për të ndërtuar të ardhmen dhe jo për të parë të shkuarën. Ne kemi nevojë të punojmë më ngushtë me njëri tjetrin” u shpreh Rasmussen.

Ndërkohë kreu i qeverisë Edi Rama shpreh angazhim se Shqipëria do të vijojë të përmbushë të gjithë detyrimet e anëtarësimit të saj në NATO.

“Shqipëria do të vijë të jetë pjesëtare e kësaj organizate. Na është është dashur një kohë e gjatë për tu bërë pjesë në NATO. Kemi marrë të gjitha përgjegjësitë për të kryer këtë detyre, ne do të bëjmë më të mirën për të mbajtur lart reputacionin e kësaj organizate”, theksoi Rama.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Barroso, Bruksel, Edi Rama, Rasmusen, Shultz

MASHTRIMI…

September 17, 2013 by dgreca

“Një e keqe bëhet edhe më e keqe, nëse ajo mbrohet”- Ainshtajni

Shkruan: Fahri Xharra/

Dr. Ignac Zemelvaisi i njohur si “ babai i kontrollit të infektimit”, ishte një mjek Hungarez i cili u doktorua në Vjenë me 1844. Kurse si asistent në repartin e lindjeve në të madhin “Allgemeine Krankenhaus” të Vjenës u emërua më 1847. Në këtë qendër të madhe spitalore Universitare vdekshmëria e nënave në lindje ishte shumë e madhe në shkallën prej 13-18 %.Paramendoni në 100 nëna të reja ,13-18 të vdesin gjatë lindjes. Shkenca mjekësore tradicionale e kohës kërkonte që për çdo simptomë të kishte një mjekim të veçantë, p.sh. pezmatimi konsiderohej si tepricë gjaku dhe ai ose nxirrej ose të sëmurit i lëshoheshin shushunjat. Vdekshmëria e lartë e shtatzënave  dr. Zemelvaisit me nguti iu bë një ide që do hulumtuar dhe zgjidhur. Ai fillon të njësoj çdo gjë dhe të standardizojë çdo faktor që kishte të bënte me të shtruarat në pavijonet e lindjes. Edhe pse futi standarde të reja, duke filluar që nga pozicioni i lindjes, ajrosja, ushqimi, si dhe pse analizoi çdo mundësi, nuk arriti të gjente zgjidhje, vdekshmëria  nuk (mund) binte. Spitali i përgjithshëm (Allgemeine Krankenhaus) , ishte edhe mësonjëtore dhe kërkimore, shumë nga mjekët e kalonin një pjesë të madhe të kohës duke studiuar, hulumtuar dhe praktikuar anatominë mbi kufomat, siç ndodh edhe sot dhe pjesën tjetër të kohës me nënat e shtruara për lindje në spital. Ishte koha kur nuk dihej ende asgjë për mikrobin. Shkenca e kohës kishte njohuri vetëm për pasojat e sulmit të mikrobit.
Nga vëzhgimet e mëdha dhe përqendrimi i madh në punë dhe me dëshirë të zjarrtë prej mjeku, për zbulimin e së vërtetës ai mbërriti në përfundim se nga kufomat “grimcat” barteshin, me duar të mjekëve në trupin e  nënave para dhe pas lindjes.  E vetmja gjë që e ndryshoi gjendjen ishte urdhri për dezinfektimin e duarve me tretje klori dhe gëlqereje. Mjekët nuk e dinin se vetë ata ishin bartës  së sëmundjes vdekjeprurëse dhe se parandalimi i tyre ishte i mundur vetëm me një veprim të thjeshtë (për sot), dezinfektimi i duarve. E gjithë kjo mbasi u zbulua shkaktari i cili u emërtua “mikrob”. Vdekshmëria ra, në 2%. Por ç’ndodhi më tutje?
Shkenca e kohës ishte shumë e kufizuar. Njerëzit mendonin se dinin mjaft dhe në këtë mënyre ishin të vetë mashtruar. Për çudi edhe udhëheqësi më i lartë i spitalit dhe shumica e mjekëve bënin pjesë në të ashtuquajturin “rrethi i mashtrimit” dhe kurrsesi të dilnin nga ai e t`i jepnin rast Zemelvaisit dhe shkencës një mundësi për të ecur përpara!
Ç`është “vetëmashtrimi” ?   Në librin e Bachut, kjo analizë psikologjike shpjegohet mirë. (“ Të menduarit dhe besimi në vetëmashtrim”, Bach 1997) Një njeri e mashtron vehten sepse për një kohë të gjatë nuk e din se është i vetë mashtruar. Vetëmashtrimi është kur dikush e formon një besim në diçka  për të cilën, normat shkencore e diktojnë dhe procesi i formimit të atij besimi është rastësi dhe i ndikuar nga dëshira e lidhur me besimin në fjalë.
Faktet që na sjellin gjer te vetëmashtrimi janë:
1.  Kjo, çka unë mendoj është  e vërtetë
2. Unë me të vërtetë besoj që është e vërtetë
3. Unë jam i arsyetuar sepse besoj se kjo çka  unë mendoj është e vërtetë
Kurse teoria e Triversit për vetëmohimin qëndron në atë  se disa nga njerëzit kanë lidhje emocionale me atë se çka beson dhe kjo është irracionale. Sipas Triversit (Robert): Një njeri e mashtron veten kur beson në diçka dhe mundohet t`i bindë të tjerët për atë vërtetësi. Me tej Triversi vazhdon: Fshehja e së vërtetës nga vetvetja është e fshehura më e thellë nga të tjerët. Vetëmashtrimi mund të përdorët edhe për të treguar mbimadhështi (superioritet) ndaj të tjerëve.
Vetë-pjesëmarrja në vetëmashtrim e rritë peshën e saj edhe atëherë kur përdoret në politikë. Në invazionin e Irakut (2003) ish Ministri i Informatave Mohammad  Saaid al Sahhaf, e ilustron shumë mirë një instancë tjetër të vetëmashtrimit: Më 7 prill 2003 thoshte se nuk ka trupa amerikane ne Bagdad dhe se Amerikanët me qindra e mijëra po vetëvriten ne hyrje të Bagdadit. Deri sa i thoshte këto, trupat  amerikane
patrullonin disa qindra metra larg nga ndërtesa ku mbahej kjo konferencë për shtyp dhe se ai thoshte se lajmet e tija i ka nga “burime të sigurta”. Pra, ai besonte në atë që nuk ishte e vërtetë dhe se besimin e tij donte t`a shpërndanë te të tjerët. Shembull tipik i vetëmashtrimit.
Rrethi mjekësor i Dr. Zemelvaisit, i  mbetur në rrethin e vetëmashtrimit nuk donte të besonte, se  Doktori i ri nuk i besonte asaj që ai e dinte. Atij i duhej diçka më tepër për të vërtetuar arsyet e një numri kaq të madh të vdekjesh. Ai nuk jetonte i dashuruar në atë që ai dinte, por duke dalë nga “rrethi i vetëmashtrimit” deri te zbulimi se me një dezinfektim të duarve të mjekëve  bëhen mrekullia dhe shpëtohen jetët mijëra grave në lindje.
Por “rrethi i vetëmashtrimit” i drejtorisë dhe mjekëve të Spitalit të Përgjithshëm të Vjenës, ishte i vështirë për t`u shpërthyer dhe Zemelvaisin e larguan nga puna, kështu vdekja për shkak të lehonava vazhdoi edhe për njëzet vjetët e ardhshme.
A kemi vetëmashtrim në Kosovë? Po. Në Shqipëri? Po.
Te na vjen në shprehje edhe vetëmashtrimi i qëllimshëm. “Edhe pse e dijë që nuk është ashtu unë duhet t`a them se është ashtu”.
“Problemet-njeri” në Kosovë e Shqipëri, janë shumë të mëdha. “Mikrobi Taleban” i përhapur jo pak në të gjitha tokat mbarë shqiptare, e bënë përditshmërinë tonë shumë të rrezikshme duke e rrezikuar të ardhmen tonë Evropiane. Edhe ne jemi të vetë mashtruar! “E shohim “ “mikrobin taleban” duke u përhapur dhe vepruar dhe bëjmë sikur nuk jemi duke e parë, ose e minimizojmë ose e nënvlerësojmë rrezikun nga ai.
Duke i njohur “problemet-njeri”, ato mund të zgjidhen me një efikasitet të madh. Është një mënyrë e qartë për t`i goditur dhe për t`i zgjidhur ato- jo një nga një  por me një goditje të disiplinuar.
“Efekti Zemelvajs” është një metaforë që shpjegon se si problemi zgjidhet me një “dezinfektim “ duarsh, por nëse injorohet, vazhdon rritja e shkallës së infektimit. Nëse spitalit të Vjenës iu është dashur njëzet vjet që të binden se mikrobi është shkaku dhe arsyeja, neve sa vjet na duhen për t`a  çrrënjosur atë?

Filed Under: Featured Tagged With: Ajshtajni, e keqja me e keqe, Fahri Xharra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5184
  • 5185
  • 5186
  • 5187
  • 5188
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT