• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vetështrydhja e një kombit të ndrydhur

April 23, 2013 by dgreca

  “Shteti nuk është asgjë pa popullin dhe një qeveri e mençur  nuk e vendos shtetin mbi popullin, por popullin brenda shtetit” Fredrich Ludwig Jahn/…

–  Si u ndrydh historia e një kombi? Çka ka të ndrydhur ne Zip-in e mëshefur të historisë sonë? Çfarë është ky komb kaq interesant?

 Shkruan Fahri Xharra-Gjakove/

  Të ndrydhësh do të thot të ngjeshësh diçka për të zënë vend më pak.Brumi ndrydhet. Ndrydhet edhe ajri. Ndrydhja është kur nuk e  lë diçkafin  apo dikë të shfaqet apo zhvillohet lirisht duke i krijuar pengesa a vështirësi ,duke e ngushtuar,duke e penguar apo shtyp. Por, këtu e kam fjalën për kombin tonë të ndrydhur; të ndrydhur nga mëndimet ,nga ndjenjat dhe nga dëshirat.Të ndydhur nga hovi ,të ndrydhur nga personaliteti.

Një komb i ndrydhur , i mbyllur në vetvete , i ndrydhur nga ndrojtja e nga frika.Një komb, i vrenjtur ,i rrudhur,i ngrysur: i kufizuar e i penguar në zhvillim,në çfaqje të lirë të mëndimeve . Një komb, që jetuam në një mjedis ndrydhës me me ndjenjë të rëndë shtypëse:me një trishtim ndrydhës e që na dukej qetësi -e ajo ishte qetësi ndrydhëse.

Na mbanin të ndrydhur me dëshira të ndrydhura, me fuqi,vullnet dhe jetë të ndrydhur.

Edhe hapësirën na e ndrydhnin.Shikoni hartat  se ku ishim , se cilat detëra i lagnin brigjet tona . Duke u (na) ndrydhur u ( na) tkurrëm(n) në një vend  që na ofronte vetëm ndrydhje mendore,intelektuale dhe vetvepruse.

Me anë të ndrydhjes na e ndrynë edhe të kaluarën tonë; ashtu të mbyllur në një vend pa kreanari, të këputur nga lidhjet ndërveti  e me të tjerët.

Të gjithë , sot e njofin se ç`është Zip-i , një arkivë e formatuar  e cila mundëson që sa më shumë të dhëna të ndrydhen në një vend që mos të zënë vend në kompjuterin tonë. Zip-in e krijoi me 1989 Phil Katzi. Zip-i na mundëson që t`i ndrydhim(komprimojmë) shënimet tona të shumta duke përdorur metoda të ndryshme apo thjeshtë duke i magazinuar të dhënat tona.Çdo e dhënë e ndrydhur me anë të Zipi-t ruhet veçmas dhe shfletohet po ashtu veçmas., sepse ato duke u ruajtur veç e veç ,pa e trazuar terësinë nxirren jashtë ato që na duhen.Një shigjetë treguese është e vendosur në fundin e Zip-t.dhe ajo ne tregon se cilat të dhëna janë dhe ku janë . E lehtë a?

     Si u ndrydh historia e një kombi? Çka ka të ndrydhur ne Zip-in e mëshefur të historisë sonë? Çfarë është ky komb kaq interesant?

”Po, kush ishin këta pellazgë, që u “sorollatën” si zot të deteve (deti Jon) dhe iu dhanë atribute të Perëndive, Mbretërve të tyre të famshëm? (shiko Niko Stillo “Etruskishtja Toskërishte”).Këta banorë të parë europianë, që u shtuan në shumë “fise” dhe “fara”, i lanë jo vetëm një arkiv të pasur gjuhësor, por edhe të zbulimeve shkencore, kulturore dhe fetare, shoqërive të mëvonshme në Europë dhe bashkëkohëse në Afrikën Veriore, Azinë e Afërme dhe të Largët e deri përtej Oqeaneve. Gjithashtu, krijuan modele të drejtimit të shtetit dhe të edukimit të elitave të ardhshme, që frymëzuan edhe intelektualët e Rilindjes europiane të shek. 18-19. Një trashëgimi kaq e pasur e lashtësisë europiane, e krijuar gjatë 50 000 – 150 000 viteve, sepse gjuhët e njeriut të sotëm mendohet të jenë zhvilluar gjatë kësaj periudhe kohorenuk mund t’i mbanin vetëm shpatullat disa shekullore të Greqisë, që fillon me shek. 6 p.k. me botimin e poemave të Homerit.( Fatbardha Demi)

“Gabimi më i madh i kryer ka qenë, sepse Greqia është vendosur në qendër të të gjitha studimeve historike dhe gjuhësore”, megjithëse nga Homeri “Helenët nuk janë cituar kurrë si popull apo si komb”.

“Përkrenarja e famshme me brirë (cjapi apo dashi) që mbante Pirro II (319-272 p.k) ishte e ngjashme me atë të Aleksandrit të Madh. Të njëjtën përkrenare mbante edhe heroi kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti (1405-1468). Kjo vërteton zanafillën e përkrenares me brirë që mbahej nga sovranët, në veçanti nga ata me zanafillë thrako-ilire (Arif Mati)”

Ky ishte një Zip e ne nuk guxonim të flisnim.

Pastaj Zipi tjetër  nga Roma , Turqia dhe Serbia. . Ndrydhje e pashembulltë ndaj një populli me prejardhje të lashtë e super të lashtë.Neve na ndrydhën të kaluarën ( na e futën në Zip) : pa kurrëfarë mundësie që ta ç`ndrydhim dhe dualën me shënimet e tyre të cilat ia shpërlanë trurin botës e  për ne as mos të flasim. Na shanë, na anashkaluan sikur mos të kishim qenë kurrë këndej pari. Na bënë ”bisha” na ”ngjitën” bishtin e se ç`na thanë. Të gjitha duheshim t`i përpinim dhe besa filluam edhe t`i zënim besë se me të vërtetë ” ishim ”po ata  , ashtu si shkruhej për ne.

Një gjë interesante me këtë trenin e historisë i cili nuk ka të ndalur dhe në të hypin dhe zbresin nga më të ndryshmit , nga më të  … por të fundi i fundit  të gjithë janë udhëtarë ,dhe duhet të kryejnë një mision natyror . Neve ,natyra na i kishte pas pasë dhënë biletat për në vagonat e parë me numra të caktuar të ulëseve .. Dhe udhëtonim.

E fituam atë që nuk e kishim me mileniumedhe krijuam shtete por  kur filluan gjërat të ç`ndrydhen dhe Zipi filloi të hapët ; filloi gjiçkafi por  duke e harruar që Fredrich Ludwig Jahn, theksonte kuptimin politik të idesë kombëtare: “Shteti nuk është asgjë pa popullin dhe një qeveri e mençur, nuk e vendos shtetin mbi popullin, por popullin brenda shtetit”

Për kundër asaj që i kemi biletat për ato ulëset e vagonave të parë të klasit të parë;  ardhësit po mundohen që ato të na i shkyejnë ,dhe këto vende që memzi i kemi rujtur të na i zënë dhe të na gjuajnë ,të na hedhin poshtë nga treni i historisë i cili kurr nuk ndalet.

Kur filluam pak të shlirohemi , të marrim frymë më lirëshëm, të ngopemi me ujë se na mungonte edhe lagështira në ato ndrydhje të pamëshirëshme,filloi shtrydhja  e re mbi ne. Filluam edhe te vetështydhemi.Shtrydh ata ,shtrydh ne, dhe kend? Një popull të ndydhur.

”Dhe nga këtu e ke tepër zor me ia mbushur mendjen njeriut të fillimshekullit të ri, se, o krijesë e vetme me gjykim, vetëdije e të folme, sikur kot se koti je duke djegur çastet e jetës tënde për t’u bërë zot e për mbi zot mbi planetin e tokës, sepse, përvoja e jetës brezave u ka lënë porosi: Ti mund ta blesh shtratin, por jo edhe gjumin. Ti mund ta blesh orën, por jo edhe kohën. Ti mund ta blesh librin, por jo edhe dijen. Ti mund ta blesh ilaçin, por jo edhe shëndetin. Ti mund ta blesh gjakun, por jo edhe jetën. Ti mund të blesh tërë armët e botës, por jo edhe lirinë.” (Riza GREIÇEVCI)

Vazhdimësia iliro-shqiptare? Skënderbeu ? Nënë Tereza?  Ndërrimi i historisë?S`ka nevojë të futem në detaje.

Të përfundoj me shkrimin e Fatbardha Demit: Vetëm atëhere, kur historia e Arbërve, do të zëre vëndin që i takon në Historiografinë e Lashtë Europiane dhe atë Botërore, vetëm atëhere, historiografisë së lashtësisë, do t’ikthehet MORALI i saj shkencor.

Gjakove, Prill 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: e nje Kombi te ndryshur, Fahri Xharra, gjakove, vetshtrydhja

POEZI-SOFRA POETIKE E DIELLIT- POEZI

April 23, 2013 by dgreca

SOFRA POETIKE E DIELLIT/

NE MARATHONEN E BOSTONIT/

 NGA JULIA GJIKA/

 Ata ishin aty me Fitoren, e duartrokitën./

Edhe pëllëmbët e vogelushit 8 vjecar Martin./

I gëzoheshin me brohoritje sekondës vendimtare/

Që fija e flokut e ndau për ta kthyer në kasaphanë./

Djalli kishte punuar për të qënë preciz./

Flamujt e gjithë botës ulen koken,/

Te mbledhun tok si viktima s’pipetinin./

Djalli ishte bërë xheloz.

Kur pa botën në Boston bërë një shtëpi.

Amerika dhe engjëjt e saj,

Në një sekondë të pambrojtur.

U këputën balonat nga duart e fëmijve

në hapesirën e mbushur nga tymi e britmat ngriheshin trishtushem

I shtynte fuqia e zërave që pyesnin ajrin mes ngashërimit:

Kush e bëri, përse e bënë?

Dashuria nuk merte përgjigje.

Martini, kurrë s’do të kthehet në shtëpi

Të luajë me vellanë e madh dhe motrën e vogël 6 vjece.

Ajo ka humbur një këmbë

E ai kurrë nuk do t’a dijë.

Si bir të cmuar

Amerika e vendosi në mozaikun e zemrës.

Ky gjak i pafajshëm që u derdh në Prill

Si shirat që ushqejnë pranverën

Këto të qara që botën prekën

Nuk harrohen!

 

ILIR SPATA

 

Kur mblidhen vatranët

Kur mblidhen vatranët vijnë grimca atdheu
E vatrën me hi e mbushin me prush.
As rrugët e gjata, mërgimi, s’i theu
Po mbahen të fortë, s’i përkuli askush.
Ashtu kokë më kokë një kange ja marrin;
Lëndinës së lotëve a Fushës së korabit.

Kur mblidhen vatranët, të rinj, të moshuar
Një dritës atdheu shkëlqim kanë në sytë.
Qeleshet e bardha mbi ballet rrëzuar
Majëmale shqipëtare të lara me dritë.
Mbi ftyrat brazduar një brengë u lodron
Për motet që shkuan thellë malli trazon.

Larg, vatrat e lana, një nanë që qan;
Një rreze agimi që u ndriti një shteg
Një prag i braktisun me gurët kallkan
Si fat ogurëzi përmbrapa i ndjek.
Ke mall edhe digjesh t’i rrokësh, pushtosh
Si hije t’faniten s’të lanë të gëzosh.

Me vite, dekada, në pritjen e gjatë
Veç nana kujtohej, përmallej për ta.
U zbardh edhe floku që thinja nuk pat
E trupi fidan u thye e ra.
E shpirti zhuritun e priti këtë ditë
Rreth vatrës vunë prushin që kishin në sytë.

Trazuan në netët e ngricat, acar
Me andrrat ma të bukura një shpresë mikluan;
Se akujt do shkrijnë e Dielli do dalë
Të shihnin sërish ca gurë, përmalluar.
Të binin në gjunjë e puthnin atë Dhè
Me lotët për faqesh t’u rrjedhun rrëkè.

Kur mblidhen vatranët, bashkohet atdheu;
Veri edhe jug, gjithë gjaku i shprishë.
Nga Leka e burri e gjer Skënderbeu
Lanë vorret ku flenë e zgjohen sërish.
Zanë flasin me ne e hallet bashkë ndajmë
Rreth vatrës ku prushin të shuhet s’e lajmë.

Na mblodhën gëzimet e hallet sa herë
Atdheut matanë t’ja jipnim një dorë.
Njuë gja që s’e ke e din sa ka vlerë
Se larg na degdisi ky fati mizor.
S’na ngopën rrugnajat e vatrat në botë
Ndaj zumë një tonën t’na mbledhë, mbajë ngrohtë.

E mbajtëm një rreth me mund e me zor
Herë hapej, herë rrudhej në motet e ligë.
S’e lamë që të shuhej, qe shpresa e jonë
Që ruanim në zemrat lënduar me thikë.
Nga baltë e atdheut që gjatë s’na kuptoi
Në zgjimet e befta braktisi, harroi.

Ne kurrë nuk u sprapsëm, rreth vatrës bashkuar;
Nga ernat, stuhitë e mbajtëm atë zjarr.
Se gja jo nuk vlen, një vatër e shuar;
Një grumbull me hi i ftohët si varr.
Asnjeri nuk ngrohet, askush ma nuk vjen
Veç heshtjes si vdekje që shpirtërat përzen.

U mblodhën vatranët nga janë e nga s’janë
Rreth prushit të moçëm, të vjetër, të rinj.
Në kohë të reja prapë hallet t’i qajnë;
Të qeshin, këndojnë, si banin fëmijë.
Ca kangë atdheu t’i çojnë gojë më gojë
Që mallet t’i reshtin e prushet trazojnë.

Në sallat përplot kushdi sa nuk janë?
Në muaj e vite përcollëm pa kthim.
Një lule të kuqe mbi ndenjëse kanë lanë
Si copëz flamuri e ngelun jetim.
Mes heshtjes e mallit përcjellim ca fjalë
Pastaj e harrojmë se s’jeni ma gjallë.

Çfarë flas edhe unë, ju jeni aty
Në kangët e fjalët, në gotat që ngremë;
Fytyrat gjithë gaz e dritën në sy
Ne prushit të vatrës pa shuar e gjejmë.
E marrim nga pak e ndezim prapë zjarre
Që brezat që vijnë t’mos shohin acare.

E sa herë që të mblidhemi do vini dhe ju
Të ngremë ca gota e kujtojmë ndonjë çast,
Kërrusun nga motet, nga hallet randue
Sa frikem mos ikni e druhem t’u flas.
Ju kundrojmë ashtu, të qetë e të bardhë
Si andrrat me dritë që priten pa zbardhë.

Kur mblidhen vatranët, sa hoka e fjalë
Sa gaz edhe dritë u sheh nëpër sytë?
Në valle tek hidhen një çikë e një djalë
Qerpikë që rrëzohen shikimesh pa pritë.
Një iso e zgjatun trazon matanë,
Motiv i përjetshëm: “ Të lamë mor, të lamë!”

Të lamë, po të lamë, o i shtrenjti atdhe
Me vatër e gurë e nanën në prag.
Veç trupi ka ikun se shpirtin e ke
Aty ku jam lindur qofsha afër a larg!
Ndaj ngritëm këtë vatër ta kemi si Ty.
Që dritat e shpresës mos t’na shuhen në sy.

Kur mblidhen vatranët vijnë grimca atdheu
Nga bota e gjanë ku janë edhe rrojnë.
Një grusht me prush që zemrat ua shqeu
Trazojnë së bashku me sytë rrëmbushë.
U lamë vërtet ju o lisa e gurë
Po zemrës e mendjes s’u hoqëm jo kurrë!

Na e bani hallall dhe mundin dhe gjinë
Dhe ujin e gurrave që bjeshkëve pimë

 

AGIM DESKU

 

BASHKIMI KOMBTAR

Në çdo kohë
të kërkova
bashkë me nënat që linden
ushtarë atdheu.
Nëpër secilin lapidar të kërkova
edhe të gjeta.
Për pak liri të kërkova
deri në Shën Stefan e Berlin,
aty ku çdo vit mbledhja trupt e coptuar
të vendit tim.
Si ditar i rujta me vite kujtim
për brezat që pas vijnë.
Për emrat që i kërkoj
nëpër sa e sa luftëra
të rënë dëshmorë,
edhe në emër e zemër
të secilit shqiptar
që lind e rritë shqipe.
E ka si traditë të flasin shqip
denbabaden në Iliri,
ku zoti e krijoj vetëm Një Shqipëri
dhe Shqipet e maleve e ruajnë brezave të ri
e ruajnë nëpër këngë e lahuta
edhe nëpër oda me huta.
E shkruaj në vargun tim
edhe te secilit poet
që di të thurë fjalë
rreshta për Atdheun e Madh
që na fali zoti si dikur
të bashkuar njëhërë moti,
në Besën shqiptare e Lidhjen e Prizrenit,
në Verrat e Llukës, në Malësi e Çamëri.
Edhe sa herë të vdesim për të qenit shqiptar.
Më thuaj cilën kohë të pres e të vdes,
apo të pres prap edhe një traktat të Shën Evropës.
Të kërkoj të zhdukurit nëpër varrezat masive
si sot e dhjetë vjet si sot e njëmijë vjet.
Sonte e shkruani këtë fjalë
që e pritëm me mallë.
Me lotë nënash ,motrave e fëmijë bonjak
dëshmorë për atdheun e lirë.
Sot e shkruaj me këtë fjalë
Është më u çmuar se ari
E shkruaj BASHKIM
E shkruaj Agim
E shkruaj Shqipëri
E shkruaj Kosovë
e shkruaj liri
e shkruaj Çamëri.

 

VATRA

Gjon Kaçaj*

 

Me ngritë lisin ra për tokë

Lidhen besen, hiri i Zotit

Si stuhia që bie në New York

Pagëzuan “ Vatra” Nderi i  Kombit

 

Komb quhen vatrat tona

Rrënjët, trungu e kunora

Me dragonj e cicerona

Ku e thur folenë shqiponja.

 

Kush e thek buken si Vatra

Kush e ndanë në kafshata

Atë Fan Noli e Konica

Flakada nga Amerika.

 

PAJTORI

 

Nga varri i të gjallëve shpëtoi

Syrit-vampir, t’hafijeve skmanorë

I mpirë prej ftohjes, urisë e zinxhirit

Flakada shtrin dorën e pajtimit.

 

VULLNETARVE

 

E vështirë t’u shtrishë dorën e pajtimit!

Gjallë të dërgjen n’guacken e  kërmillit.

Leri të enden në tymnajat e ferrit;

Duke u jargosur, s’ka Zot, Lavdi Enverit!

 

Krimet s’i lanë deti as mbreti

E jo zhaba thithëlopë i “njëjti”

Leri kërmijtë e krimbat e kuq

Bindu Evropë dhe bindi në mundsh!

* Ish Nënkryetar i të Burgosurve Politik të Shqipërisë

 

Vjollca (Safa) Musa

 

AMERIKA, VENDI I ENDRRAVE RINORE

 

Kur te rinj ishim, nje deshire kishim

Ameriken te shifnim, pastaj le te vdisnim

Se e kishim pare ne filmat hollivudiane

Por donim t’a shifnim ne jeten reale.

Por ce do se kjo enderr mbeti pa u realizuar

Se ne ishim te rrethuar

Se monizmi fort na kishte izoluar

Dhe boten s’na linte per t’a shikuar

Se kishte frike nga demokracia

Dhe i ikte nga duart popullsia

Pastaj kerkonin edhe ata liri

Dhe vendosnin demokraci

Se na thonin, ec’nuk na thonin

Te qena e te pa qena!

Se ne bote ka mjerim, dhe ha njeriu njerin!

Por ne edhe pse I degjonim, kurre nuk I besonim

Se neper filma , fshehur I shikonim

Se si njerezit andej jetonin.

Pastaj, avash-avash, gjendja u trash

Kupa u mbush, dhe njerezit u ndezen si prush

Ne revolte u ngrit rinia dhe u vendos demokracia

Njerezit ishin te lire dhe jetonin me deshire

Por prape nga qe ishte fillimi, kishin frike nga rikthimi

Prandaj rinia edhe pse demokraci formoj

Ne vendet e enderruara emigroj

Ku ponojne me ndershmeri dhe jetojne ne liri.

Edhe une ne kohen e pleqerise, realizova nje enderr te rinise

Ne Amerike erdha per te jetuar dhe jeten per ta shijuar

Ketu me pelqen se jeta eshte e qete dhe se vertet ketu ka shtet

Ka ligje ne fuqi, qe denon gabimet qe ben cdo njeri

Ka shtepi, pune e siguri, qe s’le te vuaje njeri

Po te kesh vullnet te mire realizon cdo deshire

Ka pasterti dhe gjelberim, qe tem bush plot gezim.

Pra, kjo eshte Amerika e enderruar

Qe cdo deshire ke mundesi per ta realizuar

Se eshte vendi i lirise dhe demokracise se vertete

Qe te mos vuash kurre ne jete.

 

 

 

LIBRI ËSHTË DIELL

Poezi nga ALBERT ABAZI (HABAZAJ)*

 

 

Eduard de Ver, Lartësia e tij Shekspir

Vjen si shenjt e takohet me ne i qeshur,

i jep bibliotekës dritë e hapësirë

dhe shpresën në kutinë e Pandorës mbetur.

 

Vjen Shekspiri me frymën e hyjnorëve të tokës,

me të erdhën gjithë: nga Homeri te Sidorela,

herë si rruzuj të bukur me ylber rreth botës,

herë si në det anijet e bardha me vela.

 

Vjen Shenjtëria e Penës nga Parajsa shenjtërisht,

Na kujton thesarin e fluturon prapë në  Qiell;

Dhe me nderim të thellë e adhurojmë sinqerisht

Dhe ngrohemi nga rrezet e librit, se libri është diell.

 

Vlorë, 23 prill 2013

*23 PRILLI – DITA BOTËRORE E LIBRIT

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Agim Desku, e Diellit, Ilir Spata, Julia Gjika, Sofra Poetike

MYSAFIRË NGA KOSOVA NË SHTËPINË E VATRËS

April 22, 2013 by dgreca

Një grup vizitorësh nga Kosova ishin mysafirë në Shtëpinë e Vatrës, të premten me 19 prill 2013. Departamenti i Shtetit, që i kishte ftuar për marrje përvoje në luftën kundër korrupsionit, në axhendën e vizitave kishte përcaktuar edhe një vizitë në Vatër, si për shumë nga grupete  vizitorëve që vijnë nga trojet amtare në SHBA.

Grupi i mysafirëve përbëhej nga Major Emin Beqiri, Skënder Haziri, Dardan Nuhiu dhe Rahim Rama. Grupi shoqërohej nga z. Agron Alibali.

Mysafirët u pritën në Vatër nga kryetari i saj dr. Gjon Buçaj, zv/kryetari Agim Rexhaj, anëtari i këshillit Zef Balaj dhe editori Dalip Greca.

Dr. Gjon Buçaj u uroi mirësardhjen mysafirëve dhe i njohu ata me veprimtarinë dhe historikun e Vatrës. Ai u ndal edhe në qëndrimet e Vatrës për zhvillimet në hapësirat shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e Çamëri.

Më pas dr. Buçaj u prezantoi mysafirëve edhe përgatitjet që po bën Vatra për Kuvendin e saj, që do të mblidhet me 27 prill.

Në emër të mysafirëve përshëndeti z. Rahim Rama. Ai informoi se ata kishin mësuar shumë nag viziat në ShBA, duke fituar përvojë konkrete në luftën kundër korrupsionit. Ata vinin në Vatër nga shteti i Arizonës dhe se kishin vizituar shumë shtete, por nuk mund të rrinin pa ardhur në Vatër.

Mysafirët i përshëndeti edhe zv/kryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj.

Më pas editori i Diellit, Dalip Greca, i shoqëroi në bibliotekën e Vatrës dhe në arkivin e saj, duke u përshkuar shkurtimisht përmes dokumentave, eksponateve dhe fotove, rrugën 101 vjeçare të Vatrës.

Filed Under: Featured Tagged With: Mysafire nag Kosova, ne Shtepine e vatres

KRIJOHET EDHE DEGA E RE NË NEWBURGH,NY

April 22, 2013 by dgreca

NE FOTO; Mbledhja e fundit e Keshillit Drejtues, ku u diskutuan problemet qe kane te bejne me Kuvendin dhe u prezantua dega e re e Newburgh/

Më e fundit degë e ngritur në prag të Kuvendit të Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”, është ajo që u riorganizua me inisativë të dr. Nexhat Kaliqit dhe biznesmenit Sylë Ramosaj në Newburgh, New York.të shtunën me 20 prill, në mbledhjen e fundit para Kuvendit të Këshillit Drejtues të Vatrës, këtë degë të re e prazantoi Sylë Ramosaj. Ai informoi Këshillin për organizimin e  degës, e cila po ashtu, si dy degët e krijuara së fundi, ajo e Westchester South dhe Queens  ka 40 anëtarë. Ramosaj ka dorëzuar listat e anëtarësimit, adresat dhe pagesat e anëtarësisë për vitin 2013.

Kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, i përgëzoi organizatorët e degës dhe u uroj atyre mirëseardhjen në Vatër në prag të Kuvendit të saj, që mblidhet me 27 prill 2013, ora 10 paradite, në Royal Regency, Yonkers, New York.

Filed Under: Featured Tagged With: dega e re, dr. Nexhat kaliqi, Newburgh, NY, Syle ramosaj

Poeti “rebel”, Pano Taçi

April 22, 2013 by dgreca

Nga Reshat KRIPA/

Sipas mitologjisë Feniksi ishte një shpend përrallor që kur mbushte moshen 500 vjçare bënte çerdhen, e shtronte me bimë aromatike dhe vdiste mbi të. Nga hiri i tij ai rilindte përsëri dhe ushqehej po me bimë aromatike. Ndaj sot, me përurimin që i bëjmë librit me poezi “Muzgu vjen papritur” të Pano Taçit, e kemi atë përsëri midis nesh, të rilindur si Feniksi, pasi poetët nuk vdesin kurrë. Ata rrojnë nëpërmjet vargjeve të tyre.. Dhe poeti shkruan:

Tërë jetën ç’jam përpjekur,

                                                si t’ia zbus shpirtit hallin.

                                                Për ç’premtova duke vdekur,

                                                them se vargjet me ringjallin.

                                           Për ç’jap shpirtin zemërmekur,

                                                N’atë varr ku do më kallin,

për ç’këndova duke vdekur,

them se këngët më ringjallin.

 

Ndaj sot e kemi përsëri të ringjallur bohemin e fundit apo poetin rebel, siç e kanë quajtur miqtë e tij. Pano Taçi i përket atyre poetëve që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donin të shkruanin atë që mendonin, atë që ëndërronin. Por për fatin e tyre të keq, kishin lindur në një epokë të gabuar. Jetonin në një epokë kur nuk mund të shprehnin atë që u buronte nga zemra e tyre. Nuk mund të shprehnin mendimet e tyre të lira, ndjenjat e shpirtrave të tyre të pastër. Jetonin në një epokë, ku sistemi totalitar politik mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj, ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit, për t’ia kundërvënë mendimit të lirë, formulën e të ashtuquajturit “realizëm socialist“, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarte që në më të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë.

Megjithatë talentet e mëdha i rezistuan, çuditërisht, shtrëngimeve në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre se sa lirinë e dhunuar. Të tjerë provuan prangat e hekurta në vend të nënshtrimit. Ata nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda veprave të tyre, nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë. Këto vepra autori i lexonte dhe rilexonte me vete, pa guxuar t’ia trgonte njeriu, me përjashtim ndoshta ndonjë miku shunë besnik. Ato ishin shkruar nëpër qelitë e errëta të burgjeve apo  kasollet ku jetonin të izoluar nga bota e madhe. Në to shkruhej për atdheun e robëruar, për lirinë, për dashurinë. Shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në shkrimet e tyre sundonte besimi për të ardhmen, edhe atëhere kur shumëkush e kishte humbur atë. Këto shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit e letërsisë së vërtetë. Me to kënaqej vetëm autori i tyre dhe prisnin një ditë “Me shpërthy dhe me u këndu pa frikë e pa zori“. Autorët e këtyre shkrimeve nuk u bënë kurrë servile dhe hipokritë, nuk u bënë lakej oborri.

Një nga këta ishte padyshim edhe Pano Taçi. Ai i përket atij grupi poetësh që kishte dëshirë të mësonte, por nuk e linin për të mësuar, pasi ai qysh në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare do të provonte prangat e rënda të burgut për gati njëzetepesë vjet. Kishte dëshirë të punonte, por nuk e linin për të punuar, pasi për të lejohej vetëm puna në bujqësi apo ndërtim. Kishte dëshirë të jetonte, por nuk e linin as për të jetuar, sepse edhe jeta u lejohej vetëm servilve apo sharlatanve të regjimit. Kujt i mohoheshin këto? Atij, që qysh në moshën fëminore rrëmbeu armën për lirinë e vendit. Atij që ëndërronte për një Shqipëri të lirë, pa ferra dhe gjëmba? Dhe poeti shkruan:

Të rinj, naiv, si partizan,

                                                dolëm malit për vatan

                                                për çlirim të Shqipërisë

                                                nga zinxhiri robërisë.

                                                Dhe me ç’di ne bëmë mirë,

                                                që morëm plagë për liri

                                                e kur ne u bëmë të lirë

                                                për duart tona, për çudi,

                                                nuk kujtoheshin,

                                                o Perëndi!

                                                Në terr ne po farkëtonim

                                                ca zinxhirë të rinj zezona

                                                për plagët, për duart tona

                                                me hallka kyçur në qeli.

 

Fundi i viteve 80-të do të tregonte se forca e mendimit të lirë do të fitonte  betejën me diktaturën. Perdet e hekurta që ndanin të dy botët do fillonin të  shembeshin.  I  fundit nga vendet totalitare të Europës do të ishte vendi ynë. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990, do të ishte konkretizimi logjik i fitores së ideve demokratike mbi ato diktatoriale. Lufta për këtë fitore kishte filluar qysh më 28 nëntor 1944 dhe për të ishte derdhur shumë gjak dhe ishin bërë shumë sakrifica, për gati pesëdhjetë vjet me rradhë. Dhe Panua shpërtheu. Nxorri nga arkivi i burgut poezitë e krijuara nëpër qelitë apo vitet e  “vetmisë së madhe” dhe për një periudhë pesëmbëdhjetëvjeçare, nga viti 1994 deri më 2009 botoi pesëmbëdhjetë përmbledhje me poezi dhe drama.

            Përse është quajtur poet rebel Pano Taçi? Sepse kishte nje shpirt rebel, nje shpirt që në asnjë mënyrë nuk mund të pajtohej me padrejtësinë dhe ngrihej kundër saj. Që fëmi u ngrit kundër robërisë. U rebelua kur pa se idealet për të cilat kishte luftuar ishin tradhëtuar nga klasa sunduese. U rebelua edhe pas përmbysjes së regjimit totalitar kur pa se një pjesë e klasës  politike të vendit i kish transformuar idealet e dhjetorit 1990 në interesa personale duke mos përfillur shtresat e tjera të popullsisë dhe u shua me zemër të plasur.

            Pano Taçi ishte edhe një poet lirik, Ai i këndoi dashurisë. Dashuria, së cilës ai i këndoi, ishte platonike. Vetëm kjo i lejohej. Atij ia prenë që herët ëndrrën e dashurisë. Regjimi nuk e lejonte as të dashuronte. E ku do të dashuronte ai, mos vallë në qelitë e errëta ku e kishin përplasur? Hyri në burg në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare dhe doli prej tij në atë dyzetetrevjeçare. A mund të dashuronte ai kur gati gjysmën e jetës e kishte kaluar në skëterrë? Megjithatë, çuditërisht, dashuroi. Dashuroi nëpërmjet vargjeve të tij. Por edhe këtu ndihet dhimbja, një dhimbje që plekset me dashurinë. Poeti shkruan:

Kur mbi varr me ngashërim,

                                                            Do më qash tek rri në gju,

                                                            Sytë e tu mbi varrin tim,

                                                            Varri im mbi sytë e tu.

Ky ishte Pano Taçi. Ky ishte poeti ynë rebel, poeti i dhimbjes dhe dashurisë, poeti i revoltës dhe kundërshtimit, një Omar Khajam i letërsisë shqipe. Tërë jetën luftoi për të krijuar figurën e tij. Shumë u munduan ta pengojnë. ;Shumë u munduan ta lenë në hije. Por nuk ia arritën qëllimit. Ai triumfoi mbi të gjithë. Dhe vargjet e tij gjëmojnë fuqishëm:

Hieja ime del nga varri,

                                                            Më thotë: – Pse s’vjen të bësh gjumë?

                                                            I them: – S’vij unë qyqari,

                                                            Pa i lënë jetës një gjurmë.

 

                                                            Ndjenjat bëj t’i lë mbi letër,

                                                            që të thonë se jam dikushi.

                                                            Kur të vij te bota tjetër,

                                                            Si mik do më presë Lasgushi.

Pano Taçi la gjurmë të pashlyeshme në jetë dhe në letërsi. Ai ishte me të vërtetë dikushi.

 

 

Mbajtur në ceremoninë e zhvilluar për promovimin e librit të Pano Taçit, “Muzgu vjen papritur”.                                      

Filed Under: Featured Tagged With: Pano Taci, poeti rebel, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5479
  • 5480
  • 5481
  • 5482
  • 5483
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT