• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOALICIONI i SHOQATAVE TË PRONARËVE PËRMES VATRËS KERKOJNË NDIHMËN E DEPARTAMENTIT TË SHTETIT

April 19, 2020 by dgreca

PRONARËT NËPËRMJET SHOQATES VATRA, KËRKOJNË NDIHMËN E DEPARTAMENTIT AMERIKAN TË SHTETIT. PËR TË NDALUAR KLANET E OLIGARKISË POLITIKE QË PËRVETËSOJNË PRONËN E TYRE TË TRASHEGUAR/

Për popullin Shqiptar sot në 2020, veç pandemisë covid 19, që po ikën, problemi më i madh dhe më thelbësor është problemi  i pronës së trashëguar që është vjedhur dhe ngatëruar me ligjet që ka mirtura në këto 30 vjet Kuvendi i Shqipërisë. 

Gazeta Dielli, vlerësohet shtyp i lirë, i pavarur nga politika, pasi redaksia e saj ka mbrojtur pa kompromis parimet themelore të lirive dhe të drejtave të njeriut. P[rmes k[saj gazete, i drejtoj këtë shqetësim që ma dërgojnë kryesia e koalicionit të shoqatave të pronarëve për Kryetarin e Shoqatës Patriotike Panshqiptare  Vatra,  zotit Elmi Berisha. Pronarët e ligjëshëm kërkojnë ndihmë për ta transmetuar këtë shqetësim në Departamentin Amerikan të Shtetit.  Këto shqetësime mi kanë paraqitur edhe miq dhe bashkëfshatarë të mij dhe i lutem Zotit që ligji dhe e drejta të fitojë. Jam i bindur se shqetësimi për mos respektimin e pronës së trashëguar, është i njëjtë edhe për të gjithë shqiptarët në emigracion kudo ku ata jetojnë, dhe se zoti Elmi Berisha,  Kryesia e Shoqatës Vatra dhe çdo njeri i ndershëm nuk pajtohet me përvetësimin e pronave nga oligarkia politike dhe klanet e tyre. Po ashtu jam i bindun se kërkesën e pronarëve, Kryesia e Vatr[s do ta përjelli në Departamentin e Shtetit do të sensibilizojë edhe personalitete të tjera.dhe do ta ndjeki problemin deri në zgjidhje

Prona fitohet me mjete të ligjeshme dhe që nuk prek të drejten e tjetrit  Ndër burimet e pronës është blerja dhurimi  trashëgimija natyrore e cdo personi, se njeriu për të jetue, duhet të mirembaje  frutet e saja po ashtu si kujdeset për jetën dhe shëndetin e tij. Njeriu nga natyra ka dhunti dinjitet dhe fisnikëri, kur Shteti e mbron pronën private dhe pronën e komunitetit në përputhje me normat morale, që janë të shprehura në Kushtetutë dhe në normat ligjore të shtetit të së drejtës. Ligji nr 20/2020 duhet të ishte plotësuar me vërejtjet e pronarëve, pasi zgjidhja e sigurtë dhe e qëndrueshme realizohet vetëm nëpërmjet vlerësimit të origjinës së pronës dhe Kushtetutës në fuqi. 

Në bindjen time mentaliteti komunist, ka drejtuar dhe komanduar në rrugë të mbrapsht, që me demagogji, duke folur për paqe dhe barazi dhe mbrojtje të shoqërisë, por me këtë ligj për pronën në realitet   ka maskuar një mizori në të cilën jeta e individit shfytyrohet e lirija shkaterrohet.  Zgjidhja që ka dhënë Kuvendi me ligjin nr 20/2020, që datë 16.04.2020, u miratua duke mos marrë në konsideratë Kushtetutën, kerkesat e GJEDNJ dhe arsyetimet e pronarëve, është përgjegjësi e Kryeministrit Edi Rrama. Edhe këshilltarët e tij dhe juristën në Kuvend, kanë përgjegjësi për shkatërrimin e ekonomisë, të drejtësisë dhe të stabilitetit social në Shqipëri. Sipas ankesave të shoqatave të pronarëve, ligji i fundit, Nr.20/2020, sanksionon regjistrimin në zyrën e Kadastrës edhe të pronave që janë përfituar me akte të fallsifikuara që dihet se janë NUL, që nuk kanë asnjë bazë ligjore, pa folur për detyrimet që përcakton neni 181 i Kushtetutës dhe vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që ky ligj i shkel . Në formën e miratuar ligji do shtojë problemit egzistuese por vlen për momentin sa për ti raportuar BE se problemi i pronave u zgjidh.

Kryeministri Edi Rama me k[t[ ligj nuk krijon siguri të investimeve të huaja, stabilitet ekonomik dhe social të qendrueshme për të ardhmen. Në mënyrë që pronarët të mos dynden në Gjykatën e Strasburgut për shkak të këtij ligji dhe të akteve Nul që justifikon ku ligj,  Gjykata Kushtetuese duhet t’a bllokojë dhe ta korrigjojë këtë ligj që ai të vijë në përputhje me kërkesat e nenit 181 të Kushtetutës në fuqi. 

Nga Loro Stajka SHBA/

Në vijim ju paraqis kopjen e kërkesave të koalicionit të pronarëve drejtuar Kuvendit, që nuk u morën në konsideratë.

KOALICIONI i SHOQATAVE TË PRONARËVE 

TË ZONËS TURISTIKE VLORË-SARANDË

Drejtuar:

KRYETARIT TË KUVENDIT TË SHQIPËRISË z. GRAMOZ RUÇI

KRYETARIT TË KOMISIONIT PËR ÇËSHTJET LIGJORE z. HULUSI MANJA

KRYETARIT TË KOMISIONIT TË VEPRIMTARISË PRODHUESE z.NIKO PELESHI 

Tiranë, me 30.03.2020

Lënda: Kërkesë që në tryezat e komisioneve parlamentare, që do të shqyrtojnë kërkesat e Presidentit të Republikës për rregullimet konform Kushtetutës në ligjin Nr 20/2020, të jenë i ftuar 3 përfaqësues nga Koalicioni i Shoqatave të Pronarëve të zonës turistike Vlorë-Sarandë, për të argumentuar kërkesat e pronarëve të mirfilltë, për të drejtën e pronës konform Kushtetutës dhe vendimeve të GJEDNJ.   

Zz. deputetë,

      Presidenti i Republikës z. Ilir Meta, duke kërkuar mirëkuptimin e deputetëve, me dekretin Nr. 11457 dt 26.03.2020, i ktheu Kuvendit ligjin Nr. 20 dt. 5.03.2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”  për plotësim konform Kushtetutës. 

      Presidenti në dekretin e tij është ndalur në nenet 12, 24, 33, 48, 49, 59, 60, 65, 68, 69, 71, 78 dhe 82. Vërejtjet e Presidentit. nuk janë të plota dhe nëse ato do plotësohen, e drejta e pronës konform Kushtetutës do vazhdojë të shkelet dhe situata jo vetëm që nuk do të përmirësohet ashtu siç pretendohet, do përkeqësohet në tërësi sepse ligji konsolidon anarkinë institucionale. Siç sqaroi publikisht, ish gjyqtari i GJEDNJ  z. Ledio Bianku, anarkia thellohet kur ligji del mbi Kushtetutën dhe mbi vendimet e GJEDNJ dhe ky ligj është rasti konkret. Ky ligj, duke na mohuar pronën e trashëguar, na mohon atdheun dhe na fut në konflikte  dhe nuk mund të justifikohet me aprovimin nga “Opinioni i Komisionit të Venecias” apo me pohimin se për këtë ligj është punuar me specialistë të huaj. Me Komisionin e Venecias diçka nuk shkon. 

      Komisioni Parlamentar i Ligjeve, e ka filluar procesin e konsultimit, për këtë ligj që në muajin Nëntor 2018, por shoqatat e pronarëve, që duhet të thireshin me herët u thirën në Komisionin e ligjeve me dt. 25 Shkurt 2020, d.m.th. 10 ditë përpara miratimit të ligjit dhe asnjë nga vërejtjet që i paraqitëm të detajuara nen për nen, nuk u morr në konsideratë, pasi çdo gjë ishte e vendosur. 

      Me vërejtjet tona, qëndrojnë në faktin se ligji, duke maskuar origjinën e pronës, krijon tituj të rinj pronësie dhe standarde të dyfishta. Sipas këtij ligji do të regjistrohen pa asnjë verifikim AMTP (aktet e marje së tokës në pronësi) edhe kur ato janë akte pa bazë ligjore ose NUL (në raport me ligjet e kohës në fuqi) dhe siç është bërë publike në media këto raste përbëjnë shumicën e AMTP-ve, në zonat turistike.  Ligji nuk përcakton se cilat prona duhen të kompensohen, në mënyrë që kompensimi të përputhet me nenet 41 dhe 42 të Kushtetutës. Masa e kompensimit, sipas këtij ligji bie ndesh me vendimet e GJEDNJ. Ajo Gjykatë me vendime të përsëritura ka vendosur si dysheme çmimin jo më pak se vlera e vitit 2008. Ky ligj justifikon korrupsionin masiv, veçanërisht me pronat në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, ku pronarët e ligjshëm që presin nga Shteti zbatimin e detyrimeve kushtetuese. Ky ligj favorizon oligarkinë politike dhe klanet e tyre mbështetëse që kanë abuzuar dhe përvetësuar pronat tona . 

       Zgjidhja e shpejtë dhe më e mirë është që prona ti regjistrohet pronarit sipas dokumentave të akteve të shpronësimit nga sistemi i diktaturës, ashtu siç është bërë për zonat e veriut. Këto dokumenta janë të plota në Arkivin e Shtetit dhe ne zyrat e kadastrës. Pronarët asnjëherë nuk e kanë kundërshtuar kompensimin për pronat e tyre, që janë tjetërsuar për nevoja publike. Kompensimi nuk mund të jetë më pak se vlera e hartës 2008 sepse këtë dysheme e ka kanë vendosur vendimet e GJEDNJ. 

      Në mënyrë që të mos vazhdojë abuzimi me metodën e “faktit të kryer”, ky ligj, duhet të saktësojë në mënyrë të qartë se regjistrimi në ZRPP, do bëhet pas verifikimit të AMTP dhe anullimin për pjesën e paligjëshme ose totalisht të paligjëshme të aktit të AMTP. Minimalisht në zbatim të ligjit “Për kadastrën”, ASHK duhet të verifikojë AMTP, për rastet që  ka ankesa nga subjektet e shpronësuar dhe siç e kemi kërkuar, Av. Shtetit nëpërmjet procesit gjyqësor me praninë e palëve të interesuara, të anullojë rastet kur akti bie ndesh me nenet 41 dhe 181 të  Kushtetutës në fuqi . Kështu prona i kthehet të zotit dhe shpallen Nul, ato AMTP, që do të rezultojnë të nxjerra në shkelje të ligjeve. Kështu zgjidhet dhe shqetësimi i ngritur nga Komisioni i Venecias dhe Presidenti i Republikës, për aktet që quhen pritshmëri ose garanci juridike dhe në anarkinë dhe korrupsionin e pas vitit 1991, persona të tretë, i ka përfituar ato padrejtësisht. Në këtë rast drejtësinë e vendos Gjykata.  Me këtë ligj prona zgjidhet me standarde të dyfishta  dhe në shkelje të Kushtetutës. Në këto kushte pronarët do të dynden në Gjykatën e Strasburgut, ku do marrin fitimin e munguar, ashtu siç e kanë fituar ata shtetas që janë ankuar dhe në një kohë tjetër Shteti do detyrohet të kthejë me ligj dhe konform Kushtetutës, pronën e grabitur. Ne jemi të bindur që GjEDNJ, nuk mund të korruptohet apo të marri vendime me standarde të dyfishta.

      Nenet 181/1 dhe 181/2 dhe nenin 41 që përcaktojnë qartë se ç’është prona dhe si fitohet prona por vendimi unifikues i GJEDNJ, Manushaqe Puto etj/2012,  nuk janë  cituar në asnjë nen të këtij projektligji, çka bie ndesh, me titullin, me objektin dhe me qëllimin e ligjit. 

Në formën aktuale ligji konsolidon anarkinë e tuitujve të pronësisë dhe mbështet mafien e pronave që në këto 30 vjet në bashkëveprim me oligarkët e politikës ka dhunuar detyrimet kushtetuese. 

      Me bindje se maxhoranca ka vullnetin për të zbatuar detyrimet kushtetuese, kuptojmë se se kthimi i ligjit nga Presidenti i Republikës i jep mundësi Komisionit të Ligjeve, që duke marrë në konideratë vërejtjet tona, të bëjë çdo plotësimet që e përafron këtë ligj me kërkesat e e Kushtetutës dhe kompensimin në përputhje me vendimet e GJEDNJ. Në këtë mënyrë Komisioni Ligjeve ka mundësinë të realizojë një zgjidhje të shpejtë problemit të pronës , pa patur nevojë për fonde financiare, pasi çdo trung do marri pronën e tij sipas Kushtetutës.

Në përfundim: Me bindje se do të gjejmë mirëkuptimin tuaj, për të zbatuar Kushtetutën dhe vendimet e GJEDNJ, duke  analizuar vërejtjet e Koalicionit të Shoqatave të Pronarëve të Zonës Turistike Vlorë-Sarandë, kërkojmë të vendosni që në tryezat e komisioneve parlamentare, që do të shqyrtojnë kërkesat e Presidentit të Republikës për rregullimet konform Kushtetutës dhe vendimeve të GJEDNJ në ligjin Nr. 20 dt 5.03.2020, të jenë të ftuar tre përfaqësues të pronarëve për të argumentuar nen për nen vërejtjet dhe sugjerimet tona të përmbledhura në vijim.

Në emër të Koalicionit të Shoqatave të Bregdetit

Sekretari i Koalicionit

Adrian Gjoka

gjoka.adrian@gmail.com

Mobile+ 355 68 215 2663 

Filed Under: Politike Tagged With: Loro Stajka

DY PRANVERAT E VIGANIT-SHEN PAPA GJON PALI II

April 19, 2020 by dgreca

(Në përkujtim të Papës Gon Pali II)/

NGA EUGJEN MERLIKA/

            Këtë pranverë bota kujton një nga burrat më të shquar të shekullit të shkuar, Papën Gjon Pali II, datat kryesore të ardhjes dhe ikjes nga jeta tokësore të të cilit përkojnë me stinën e pranverës. Për nga përmasat e mëndjes e të karakterit dhe rëndësinë e ndikimin e veprimtarisë në historinë bashkëkohore Karol Vojtila, Gjon Pali II, është pa dyshim një nga personalitetet më të spikatur të shekullit 20, një vigan i tij.

            Ishte lindur në Wadowice të Polonisë më 18 maj 1920. Ishte njëri nga fëmijët e shumtë të lindur mbas luftës së Parë botërore, në një përpjekje të Zotit për të zëvendësuar jetët e shuara mizorisht të dhjetra milionë njerëzve nga lufta e nga pandemia spanjole mbrapa. Lindi në atdheun e Kopernikut, të Maria Sklladovskajas Kyri, të Adam Mickieviçit e të Frederik Shopenit, në Poloninë martire e tepër katolike. Fëminija dhe djalëria i kaluan në republikën polake të mbas luftës së parë botërore. U njoh  shpejt me dhimbjen njerëzore mbasi, fëmijë nëntë vjeç, humbi nënën e tij. Ndofta ky fakt e lidhi pazgjidhshmërisht me kultin e Zojës së bekuar, figurës së nënës së Jezuit, kult të cilit ai i u kushtua gjithë jetën.

Në Vendin e tij ky kult trupëzohej në tempullin e Çestokovës, të cilin djaloshi Karol Vojtila do t’a adhurojë deri në amëshim. Ai shihte në bustin e Zojës, jo vetëm mbrojtësen hyjnore të Atdheut të tij por, thellë në nëndërgjegje, ndofta dhe përfytyresën e dëshëruar të nënës së re, që përkujdesej për të nga mbretëria e së vërtetës.

I pajisur nga natyra me një zgjuarsi jo të zakonshme, u shqua në shkollë për prirjet e tij në lëndët humanitare e veçanërisht në gjuhët klasike. Katastrofa e Atdheut, shpërbërja e Shtetit polak nën pushtimin dypalësh barbar ruso-gjerman, pasojë e traktatit Ribentrop-Molotov të 23 gushtit 1939, e gjeti student të vitit të parë të filozofisë. Lufta, me tmerret e saj të pafund në tokën e martirizuar polake, nguliti me forcë në thellësinë e shpirtit të Tij prej poeti e aktori bindjen se kjo botë mizore, në të cilën mbizotëron dhuna e padrejtësia, ka nevojë urgjente për kthim në mësimet e Atij që, dymijë vjet më parë, u kryqëzua për t’i hequr njerëzimit mëkatet e tij.

Ashtu si Tolstoi, që e shihte zgjidhjen e problemeve të ndërlikuara të shoqërisë njerëzore nëpërmjet “vetëpërsosjes morale të individit”, poeti e dramaturgu Vojtila konsideronte riungjillizimin e shoqërisë detyrë parësore, fisnike e delikate, për kryerjen e së cilës duhej një përkushtim i plotë. Kështu nisi rruga e gjatë, më shumë se gjysëm shekullore, e priftit, doktorit në teologji, ipeshkvit, arkipeshkvit të Krakovias, kardinalit tw emëruar më 26 qershor 1967.  Bindja kthehet në një mision të fuqishëm që prifti poet do t’a ketë lejtmotivin e jetës së Tij të gjatë.

E kreu këtë mision me kurajo të pashembullt në Poloninë e mbas luftës së dytë botërore, në të cilën ishte  vendosur  regjimi komunist, ateist për nga baza e tij ideologjike e kulturore dhe armik deri në vdekje i besimit fetar, “opiumit të popujve” e sidomos i doktrinës së krishterë. Për dhjetëvjeçarë me rradhë klerikut Vojtila i u  desh të ballafaqohej me demagogjinë dhe praktikën e atij regjimi që, falë historisë e traditës së popullit të tij, nuk tregoi fytyrën e tij më të egër, siç e shfaqi fatkeqësisht në Shqipëri.

Karol Vojtila, ish arqipeshkvi i Krakovias, që u shugurua Papë, për një rastësi të çuditëshme, në ditën kur Enver Hoxha festonte 70 vjetorin e lindjes, më 16 tetor 1978, shpirt poeti e trup atleti, prelati i parë jo italian në fronin e Shën Pjetrit mbas 445 vitesh, ka mbartur në vete një seri parësish. Ka kohëgjatësinë më të madhe të qëndrimit si Papë, mbas Piut IX e, ndoshta, mbas Shën Pjetrit, ka vizituar shumicën e Vendeve të botës, duke udhëtuar më shumë se gjithë paraardhësit të marrë së bashku, ka numurin më të madh të fjalëve të shkruara e të shqiptuara, një seri mahnitëse enciklikash, letrash apostolike, mesazhesh, diskutimesh, librash. Ai ishte i pari Kryetar i Kishës katolike që hyri në një xhami në Siri, i pari që hyri në një sinagogë në Izrael, i pari që puthi tokën në të cilën shkonte si mik. Ai ishte një nga nismëtarët më të zellshëm të dialogut ndërfetar me përfaqësuesit e besimeve të ndryshme, duke filluar që nga ata që i besojnë Krishtit shelbyes e deri në fetë e tjera monoteiste. Ai pati  kurajon të kërkonte falje për episodet e së shkuarës së Kishës së Romës si inkuizicioni, të përmallohej tek muri i Jeruzalemit për tragjedinë e hebrejve në shekuj, të padiste  dukurinë e shëmtuar të  shitblerjes së skllevërve nga Afrika, të kryer nga tw krishterwt.

Vitet 80-të shënuan zhvillimin e shpejtë të shoqërive të Lindjes komuniste drejt ndryshimit përfundimtar të sistemit. Roli i Papës polak në këtë kalim paqësor është i dorës së parë. Vizitat e Tij në vendin e lindjes i japin krahë qëndresës kundër-regjim në shembëlltyrën e Solidarnostit. Bisedat e Tij me burrat e shtetit më në zë të kohës, me Reganin, Gorbaçovin, Theçerin, Miteranin, Kolin, Kraksin etj. synuan të ndërtojnë përfytyresën e një Evrope të re, në të cilën lufta e ftohtë Lindje-Perëndim të zbehej deri në shuarje, për t’i lënë vendin një kontinenti që duhet të fliste me një gjuhë të përbashkët nga Atllantiku deri në Urale. Ajo duhet të ishte gjuha e lirisë dhe e shoqërive demokratike, në të cilat dhuna policore, teoria e “sovranitetit të kufizuar”, ndarja në zonat e influencës të famëkeqes Jaltë do t’i linin vendin bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe respektimit të vullneteve të popujve.

Ishte një sipërmarrje marramendëse e titanike, që tejkalonte disa herë dhe fantazitë më të guximshme të bujkrobërve të Vendeve mbas “Perdes së hekurt”, por Gjon Pali i II i besonte dhe punonte çdo ditë për t’a vënë në jetë, mbasi Zoja e Bekuar, së cilës ai i ishte kushtuar dhe i kishte kërkuar mbrojtjen, ia kishte dërguar mesazhet dhe parathënë ndodhitë nëpërmjet mistereve të fëmijëve të Fatimas. 

38 vizitat zyrtare të Papës Vojtila në të katër anët e botës, qindra takimet dhe audiencat nw Vatikan me kryetarë shtetesh e qeverish, përballimi me të njëjtën qartësi idesh i problemeve të rënda e të ndryshme, kryesisht të të dobtëve, të të varfërve e nevojtarëve në përputhje me frymën e Ungjillit, këshillat e tij të vyera për qeveritarët e planetit, veprimtaria energjike dhe  e pandërprerë për asnjë çast gjatë viteve, i dhanë një autoritet të pakrahasueshëm. Dënimi pa mëdyshje i mizorive naziste e komuniste të këtij shekulli e respekti i sinqertë ndaj viktimave, ngritja e zërit me forcë ndaj anëve negative të shoqërisë së globalizuar, mbrojtja e Vendeve të vogla e në zhvillim, protestat për krimet masive e thirrjet e vazhdueshme për shmangien e tyre në kasaphanat afrikane apo ballkanike, kërkesa për shlyerjen e borxheve të jashtëme të vendeve afrikane etj. e kanë bërë Gjon  Palin e II pikën më të çmuar të riferimit në botën bashkëkohore për miljarda njerëz ttë kohës së tij, e jo vetëm të besimit katolik.

Dhe për ne shqiptarët Papa polak ka simbolizuar shpresën dhe mbështetjen morale në netët e gjata të diktaturës. Nga brigjet e Pulies në vitet 80 ai shprehte dhimbjen për fatet e “tokës së zgjedhur të Shqipërisë”, ndërsa regjimi kriminal protestonte për “ndërhyrje në punët e brëndshme”. Fjala e tij në çdo festë Krishtlindjeje apo Pashke, përshëndetja në gjuhën shqipe për ata që e dëgjonin, duke rrezikuar dhe privimin e lirisë, ishin si  një bar çudibërës që i vihej plagës së hapur të shpirtërave të një populli të dënuar me mungesë lirije, me mjerim, me veçim nga bota.

Ishte shtator 1991. Në qytetin e Latinës vinte për vizitë Papa Gjon Pali II. Në stadiumin e qytetit ai do t’i epte kungimin gjithë të rinjve që ishin krezmuar ato ditë. Mes tyre ishte edhe një vajzë shqiptare që vinte nga Grabiani, një fshat, kamp internimi i Lushnjes. Babai e porositi që kur t’i afrohej Atit të Shenjtë për të marrë osten t’i thoshte se ishte shqiptare e t’i kërkonte të lutej për Vendin e saj. Vajza e plotësoi porosinë e Papa i vuri dorën mbi shpatulla e i buzëqeshi ëmbël. Me atë buzëqeshje ndoshta desh t’i thonte asaj vajze të re se Vendi i saj ishte në zemrën e tij.

 Do t’a vërtetonte këtë me vizitën që bëri më 25 prill 1993, kur solli mesazhin e shpresës për “ tokën e fshikulluar nga përndjekjet”, mirëkuptimin dhe dhimbjen e sinqertë të babait për bijtë e martirizuar sepse predikuan Ungjillin e Krishtit. “ Ajo që ka ngjarë në Shqipëri , të dashur vëllezër e motra nuk ishte parë kurrë në historinë e njerëzimit.” Janë fjalët e Gjon Palit II në mitingun e Tiranës. Është pohimi i një të vërtete historike së cilës shumë të tjerë nga Perëndimi i kanë anashkaluar. Papa këtë të vërtetë e shpalli me forcë, madje dhe në hollësi, kur foli për priftërinjtë e besimtarët e përndjekur nga regjimi. Por mesazhi i Atit të Shenjtë nuk synoi të ndalet vetëm në këtë të shkuar aq të hidhur e të dhimbëshme e nuk u kufizua vetëm në sferën e viktimave reale të diktaturës komuniste.  “Kam ardhur për t’i shfaqur çdo shqiptari admirimin dhe mbështetjen në këtë fazë delikate të kalimit historik dhe shumë të dëshiruar, të ringjalljes shoqërore dhe shpirtërore..” ishin fjalët përgëzuese dhe inkurajuese që Kreu i Kishës katolike botërore i drejtonte një populli bujar e mikpritës, por që në gjirin e tij kishte vetëm një të dhjetën e tij katolikë. Dëshmojnë për strategjinë e  atij institucioni për t’i dhënë përparësi harmonisë e mirëkuptimit në shoqëritë e kombet shumë fetare për të shmangur kundërshtitë e ndryshme që mund të lindnin nga këta faktorë e, që në historinë e vjetër e të re të botës, kishin shkaktuar male kufomash.

Në atë vizitë ai i bëri një thirrje kontinentit të vjetër duke u shprehur: “Evropa nuk duhet të harrojë!”.Donte t’i kujtonte asaj se misioni historik i saj nuk mbaronte me rrëzimin e Murit të Berlinit, se nuk mund të quhej i kryer përderisa në Evropë të kishte Vende të tilla si Shqipëria që “dilte nga një dimër i dhimshëm vuajtjesh” , e të cilët komunizmi i kishte kthyer në gërmadha. Ringjallja e tyre materiale e morale ishte një detyrë e çastit dhe e së ardhmes për kontinentin që me kohë do të bëhej një bashkësi e vetme politike.          

Në atë frymë dashamirësie ndaj Shqipërisë duhet parë edhe emërimi i kardinalit të parë shqiptar në historinë e gjatë të Kishës së këtij Vendi, në personin e Dom Mikel Koliqit, njërit ndër klerikët më të shquar që patën fatin të mbijetojnë ndaj kalvarit të gjatë të terrorit komunist.

Fatkeqësisht Evropa u tregua shumë e vonuar në proçesin historik që ravijëzonte Papa Vojtila n’atë 25 prill të 27 viteve më parë. Sigurisht llogaria e ftohtë e shpirtit tregtar të saj që merrte në shqyrtim gërmadhën e llahtarëshme që kishte lënë komunizmi, zotëroi mbi idealin human të zëdhënësit të Krishtit mbi tokë. Por në këtë histori, që ka ndikuar aq shumë në jetën e shqiptarëve, duhet pranuar ndershmërisht se mangësitë kanë rrjedhur edhe nga vullneti i keq i atyre që kanë drejtuar Shqipërinë në këta vite.

            Në paraditën e 2 prillit 2005 zëdhënësi i Vatikanit, Joakin Navarro Vals, i komunikoi shtypit botëror fjalët e fundit të Papës. Ishte mesazhi i tij i fundit dhe i drejtohej të rinjve të cilëve, pesë vite më parë në Tor Vergata, i u kishte besuar misionin më të lartë e më të vështirë: “Ju takon juve të ndryshoni botën!”. Fjalët e fundit, të nxjerra me ndërprerje e me shumë vështirësi, qenë këto: “Un dhe u thirra, ju erdhët un u falënderoj.” Ka një kuptim të thellë në këtë frazë. Ati i Shenjtë, që tashmë e kishte mbaruar misionin e tij të jetës tokësore e përgatitej të merrte gjykimin për veprën e jetës së tij atje lart tek Krijuesi i Gjithësisë, projektonte në t’ardhmen trupëzimin e atij misioni, vazhdimësinë e tij, e përcillte atë tek brezi i nipave, tek ata që do t’i jepnin formën shekullit të ri. Ishte sendërtimi i thelbit të veprës së Tij, për më shumë se një të katërt qindvjeti në drejtimin e Kishës së Romës, synimi më i lartë që njeriu Vojtila i kish vënë vetes që në rininë e tij: të luftonte me të gjitha forcat për të ndryshuar botën në ato pjesë ku ajo ishte ndërtuar keq. Në kllapinë e çasteve të fundit të jetës ndoshta i shfaqej misioni i pakryer plotësisht e kërkonte që, deri në frymën e fundit, të  porosiste vazhdimin e tij.  

18 maj 1920 – 2 prill 2005, dy data që përkojnë me pranverën e përjetëshme të jetës së një vigani, me vështrimin e ngrohtë e të pafajshëm të një fëmije, me shpirtin e bardhë, që barti deri në fund dhimbjet, dertet e mundimet e një epoke njerëzore, duke predikuar shpresën, të mirën, rrugën e pasosur të Jezu Krishtit  

Lavdi të përjetëshme kujtimit të tij të ndritur në këta përvjetore të lindjes e të ngjitjes në qiell të shpirtit të madh të Gjon Palit të dytë!

Prill 2020

Filed Under: Featured Tagged With: Eugjen Merlika, Shen Papa Pali II

4 KËSHILLTARË BASHKIAKË (EDHE MARK GJONAJ) KËRKOJNË MBYLLJEN E PËRKOHSHME TË METROS

April 18, 2020 by dgreca

PAS DY JAVËSH BETEJE ME COVID-19 NEW YORKU PREK SHIFRËN MË TË ULËT TË VIKTIMAVE -540/

  • TRAGJEDIA NË SHTËPITË E PLEQVE…

Nga Dalip Greca/

Vetëm 540 të vdekur në 24 orët e fundit. Lajmin e ka dhënë vetë Guvernatori Cuomo gjatë komunikimit të përditshëm  përmes Konferencës së Shtypit, të shtunën me 18 prill. Ai pohoi se dhe sinjalet e tjera të kësaj beteje flasin për ulje të goditjes nga koronavirusi. Cuomo përmendi shifrën e shtrimeve të reja në spitale, që nuk shkon më shumë  se 2 mijë në të gjithë shtetin.

New Yorku vazhdon që të ketë shifrat më të larta, jo vetëm në tregusit total të viktimave, por edhe në ato ditore, si për të vdekurit ashtu edhe për të infektuarit me virusin e padukshëm. Me shifrën e sotme të viktimave, shifra totale shkon në 17 mijë e 571 të vdekur. Gjatë 24 orëshit të fundit, New Yorku raportoi se ishin zbuluar 7 mijë e 90 të infektuar, duke e çuar shifrën e përgjithshme të të infektuarëve në rang shteti në 241 mijë 041.

New Jersey, të dy treguesit kryesorë të betejës me koronavirusin, si atë të viktimave ditore edhe atë të infektuarëve të rinj i ka në ulje; ka raportuar 100 vdekej ditore më pak se dje dhe rreth 200 të infektuar të rinj më pak se një ditë më parë.

Ndër shtete e tjerë, Michigani, që ka nisë protesta që kërkojnë dhënien fund të izolimit, raportoi të shtunën 2 mijë e 227 të infektuar të rinj dhe 81 të vdekur, Massachusetts regjistroi 156 të vdekur dhe rreth 2 mijë të infektuar të rinj, Pannsylavania 145 të vdekur dhe dhe 1,810 të infektuar të rinj, Ilionosi shënoi 125 të vdekur dhe 1 mijë e 585 të infektuar të rinj, Kalifornia 99 të vdekur dhe 1,294 të infektuar të rinj, Louisiana raportoi të shtunën 54 të vdekur, Connecticut 50, Ohio 33, Florida 22, Meriland 38 etj. Në rang Unioni, SHBA-ës regjistruan një shifër prej 1 mijë e 766 të vdekur për 24 orë, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 39 mijë 014, ndërsa të infektuarit e rinj ishin 27 mijë 034, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarëve deri në mbrëmjen e së shtunës, 18 Prill, në 738 mijë e 830, ndërkohë që në gjendje kritike janë 55 mijë e 265.

Kjo është gjendja në shifra, ndërkohë që po bëhen përpjekje për të rihapur ekonominë e bllokuar nga Koronavirusi.

KËSHILLTARËT BASHKIAKË (EDHE MARK GJONAJ) KËRKOJNË MBYLLJEN E PËRKOHSHME TË METROS 

Guvernatori Cuomo duhet të jape urdhër për mbylljen e përkohësisht të metros në NYC për të ndihmuar ndalimin e përhapjes së Koronavirusit. Kështu mendojnë katër këshilltarë bashkiakë që i kanë kanë shkruar letër guvernatorit Cuomo.

“Ne besojmë se duhet të merren masa drastike për të ndaluar përhapjen e COVID-19 në sistemin tonë të tranzitit,”, janë shprehur ligjvënësit – Robert Holden, Eric Ulrich, Mark Gonaj dhe Peter Koo, në letrën dërguar guvernatorit të shtetit Andrew Cuomo. 

  • Punonjësit e MTA ende nuk kanë veshje mbrojtëse, trenat janë të mbushur plot me pasagjerë për shkak të shërbimit të reduktuar dhe personave të pastrehë.

          Këshilltarët evidentojnë kushtet e vështira për punonjësit e MTA, të cilët punojnë pa mjete mbrojtëse të sigurta. Atyre u jepet një maskë dhe një palë doreza për një javë të tërë, thonë ata në letër.

            Si rezultat i këtyre kushteve punonjësit e MTA po vdesin në një ritëm më të shpejtë se çdo punëtor tjetër i vijës së parë”, tërheqin vëmendjen këshilltarët.

          COVID-19 u ka marrë jetën 68 punonjësve deri më sot, citohet të ketë thënë të shtunën zëdhënësja Abbey Collins. Gjithsej 2.496 punëtorë janë testuar pozitivë, dhe 4,365 aktualisht janë në karantinë për shkak të sëmundjes ose ekspozimit. 4127 të tjerë janë rikthyer në punë pas karantinës.

Problem më vehte është qëndrimi dhe strehimi i të pastrehëve në mjediset e stacioneve të metros, në vagonët e trenave dhe autobuzë.

Duke marrë parasysh të gjitha këto të dhëna, këshillatrët bashkiakë, besojnë se sistemi i tranzitit i qytetit të Nju Jorkut është një kontribues kryesor në përhapjen e COVID-19, dhe ata rekomandojmë një mbyllje të përkohshme të sistemit për të paktën një javë për pastrim të thellë të metros, trenave, autobusëve dhe stacioneve.

        Këshilltarët propozojnë që qyteti dhe shteti i New Yorkut, mund të aktivizojnë shërbime me qira të taksive për punëtorët thelbsorë, duke u krijuar kompanive lehtësira për parkime.

Kur shërbimi të rifillojë, thonë këshilltarët, sistemi duhet të mbyllet çdo ditë nga mesnata në 5 në mëngjes për pastrim të thellë, punëtorët duhet të pajisen me mjete mbrojtëse. 

Këshilltarët e mbyllin letrën me mendimin se është koha për një qasje të drejtpërdrejtë dhe të koordinuar nga qyteti dhe shteti për t’i dhënë fund krizës së pandemisë.

TRAGJEDIA NË SHTËPITË E PLEQËVE

Media amerikane po shkruan e po flet dhimbshëm për tragjedinë në shtëpitë e pleqëve. Agjensia Associated Press ishte e para që dha alarmin përmes një raporti të detajuar, që tregonte se virsui i padukshëm po shkatërron shtëpitë e pleqëve. Sipas një studimi shtetëror informoi abc News janë identifikuar shtëpitë e pleqëve në New York, ku shumë pacientë kanë vdekur nga virusi.

Edhe në daljen e përditshme në Albany Guvernatori Cuomo dha detaje dhe me dhimbje e përcolli gjendjen tragjike, që Koronavirusi ka shkaktuar në shtëpitë e pleqëve. 

Njëra nga këto shtëpi, ku janë zbuluar 55 pacientë të vdekur ndodhet në Brooklyn dhe katër të tjera me më shumë se nga 40 të vdekur në bashkitë e tjera, njëra prej të cilave në Bronx.

Me shumë dhimbje e ka përcjellë gjendjen Dr. Roy Goldberg, drejtor mjekësor në Kings Harbour Multicare Center, një shtëpi pleqësh me 720 shtretër në Bronx, ku u raportuan 45 viktima. Kohë surrealiste i ka cilësuar doktori këto kohë që po marrin jetë njerëzish.

Raporti i publikuar, që paraqet gjendjen në 68 shtëpi pleqësh, është konsideruar jo i plotë nga media. Kjo ishte hera e parë që shteti dha një informacion të detajuar në lidhje me shtëpitë e pleqëve. Sipas raportit të Associated Press, viktimat në to përbëjnë gati 40% të vdekjeve kombëtare në 9,912 objekte të tilla. Në krye të listës me 55 vdekje renditet Cobble Hill, një shtëpi pleqësh me 300 shtretër në Brooklyn.

Tabloja u përshkrua me nota të trishta: Katër ambulanca mbërritën brenda një ore në shtëpinë e pleqëve të Premten. Policia u shfaq aty për të ndihmuar në heqjen e kufomave.

Shtëpia e Cobble Hill sqaroi përmes një deklarate se vdekjet e raportuara ishin të bazuara në mundësinë se COVID-19 mund të jetë faktor. 

“Megjithëse kemi pasur një rritje të vdekjeve gjatë javëve të fundit, ne nuk kemi qenë në gjendje të konfirmojmë se vdekjet lidhen me COVID-19,” thuhej në deklaratë.

       Lëshimi i sondazhit erdhi një ditë pasi administrata e guvernatorit të New York-ut Andrew Cuomo ndryshoi kursin dhe premtoi transparence.

        Cuomo nuk u përgjigj drejtpërdrejt kur u pyet në konferencën e përditshme të koronavirusit pse administrata e tij nuk e kishte paralajmëruar publikun më herët.

“Ne kemi folur për shtëpitë e pleqve çdo ditë, për 30 ditët e fundit,” tha Cuomo. “Ne kemi thënë 157 herë më të prekur nga popullata janë të moshuarit, vendet më të rrezikuara janë shtëpitë e pleqve. … Unë mendoj se kemi biseduar për të gjithë së bashku. “

         Connecticut lëshoi ​​një listë të ngjashme me New Yorkun të enjten. Në Connecticut kanë vdekur 375 banorët të shtëpive të pleqve, nga 1086 vdekje që ka ky shtet prej COVID-19.

Zyrtarët në disa nga shtëpitë e pleqve kanë thënë se ata po bënin më të mirën e mundshme. Ata e spjeguan numrin e madh të vdekjeve me brishtësinë e pacientëve të tyre.

Nuk është hera e përa që flitet për vdekjet në masë në shtepitë e pleqëve. Në një shtëpi të tillë në Uashington humbën jetën 43 banorë në fillim të përhapjes së virusit në SHBA.

Italia, e cila u godit para SH.B.A.-së nga COVID-19, ka informua për krizën e thellë në shtëpitë e pleqëve, ku mijëra pacienët kanë humbur jetën nga virusi. Po ashtu në Spanjë, ku ka filluar dhe proces hetimor nga prokuroria vendase.

Filed Under: Analiza Tagged With: dalip greca, Mark Gjonaj

KRYETARI I VATRËS, Z. ELMI BERISHA DHE Nazar NICK Mehmeti SHKUAN NË SHTËPINË E JIM XHEMËS PËR NGUSHËLLIM

April 18, 2020 by dgreca


Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha, se bashku me z. Nazar (NICK) Mehmeti(President i Rrjetit te Bizneseve te shqiptareve ne Bote, shkuan sot pasditë, e Shtunë 18 Prill, në shtëpinë e mikut të tij, Jim(Xhim) Xhema për t’i shprehur ngushëllimet për humbjen e bashkëshortes, Mrika.
Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha i shprehu bashkatdhetarit tonë të nderuar ngushëllimet më të thella në emër të familjes dhe të Tijin, në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës ”VATRA”, Kryesisë dhe Këshillit të saj. Z. Nazar Nick Mehmeti ngushelloi ne emrin e Tij e te Familles si dhe Rrjetit te Bizeseve.
         Mrika Xhema ishte lindur me 24 shkurt 1946 dhe u nda nga jeta me 17 Prill 2020. Shërbimet funerale i kreu Shtëpia Mortore” “Leo P. Gallagher & Son” në Greenwch në shtetin e Connecticut.
Gazeta Dielli dhe lexuesit e saj i shprehin ngushëllimet më të thella atdhetarit, biznesmenit, kontributorit të Çështjes Kombëtare, Jim(Xhim) Xhema!
I pushoftë shpirti në Paqë Mrika Xhemës!

Filed Under: Opinion Tagged With: Jim Xhema

HAPPY EASTER TO ALL THE ORTHODOX CHRISTIAN!

April 18, 2020 by dgreca

HAPPY EASTER TO ALL THE ORTHODOX CHRISTIAN!/

Z. ELMI BERISHA, KRYETAR I FEDERATËS PAN SHQIPTARE TË AMERIKËS “VATRA”  DHE GAZETA E SAJ DIELLI URON TË GJITHË BESIMTARËVE ORTODOKSË: GËZUAR PASHKËT!

HAPPY EASTER TO ALL THE ORTHODOX CHRISTIAN!

Filed Under: Featured Tagged With: Gezuar Pashket-Happy Easter

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 633
  • 634
  • 635
  • 636
  • 637
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT