• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TABLO E ZYMTË PËR NEW YORK-un: 25.656 TË INFEKTUAR, 210 VIKTIMA

March 24, 2020 by dgreca

– Guvernatori Cuomo kritikoi ashpër qeverinë federale për dërgimin e një dërgesë simbolike, vetëm 400 ventilatorë, kur shtetit i duhen 30,000. Ai tha se ky është një dënim me vdekje për të sëmurët Njujorkezë….”Ju zgjidhni 26,000 personat që do të vdesin,” tha ai duke akuzuar hapur shtetin federal.

Përgatiti:Dalip Greca/

Guvernatori i NY Andrew Cuomo me zemërim kërkon ndihmë nga shteti federal, duke dhënë alarmin për situatën e krijuar.

Guvernatori Cuomo ofroi një tablo të zymtë në pandeminë e shpërthimit të koronavirusit të martën,24 mars, duke thënë se New Yorku është nën kontrollin e një “goditjeje” të frikshme dhe ka shënuar 25.665 të infektuar dhe 210 të vdekur.

Duke folur në Javits Center në Manhattan, ai tha se:”Shkalla e rritjes së infeksionit po dyfishohet çdo tre ditë,” tha Cuomo. “Kurba është në të vërtetë në rritje.”

New York City kishte 14,776 raste COVID dhe 131 vdekje që nga mëngjesi i së martës, sipas zyrës së kryebashkiakut de Blasio. Queens pati shumicën e rasteve nga çdo bashki – 4,364 – e ndjekur nga Brooklyn, 4,237; Manhattan, 2,887; Bronx, 2,328; dhe Staten Island, 935.

Guvernatori paralajmëroi se përpjekjet për të përmirësuar virusin deri më tani nuk po e ndalin ofensivën.Ai kritikoi ashpër qeverinë federale për dërgimin e një dërgesë simbolike, vetëm 400 ventilatorë, kur shtetit i duhen 30,000. Ai tha se ky është një dënim me vdekje për të sëmurët Njujorkezë.”Ju zgjidhni 26,000 personat që do të vdesin,” tha ai duke akuzuar hapur federalin.

Zëvendës Presidenti Mike Pence tha më vonë se 2,000 ventilatorë po dërgoheshin të martën dhe 2,000 të tjerë të Mërkurën.

Duke kritikuar ashpër Presidentin Trump, guvernatori Cuomo tha se Nju Jorku nuk ishte i gatshëm të rrezikojë jetën e njerëzve të moshuar.

“Ne do të luftojmë për çdo gjë që mundemi për të shpëtuar çdo jetë që mundemi sepse kjo është ajo që, mendoj, do të thotë të jesh amerikan. 

Cuomo tha që është mirë që banorët e New York City kanë filluar të tërheqin vëmendjen e paralajmërimeve për të kufizuar ndërveprimin social dhe për të qëndruar jashtë rrugëve.

Por ai pranoi se masat ende nuk funksionojnë.

Tani New York do të ketë nevojë për rreth 140,000 shtretër spitalor, nga 110,000 të vlerësuar më parë. Tani ka vetëm rreth 50,000 shtretër spitalorë.

Cuomo u bëri përgëzime punonjësve të mjekësisë, policisë, zjarrfikësve dhe punonjësve të transportit të New York-ut, të cilët po vënë jetën e tyre në rrezik çdo ditë.

Përveç testimit të paralajmëruar më parë të ilaçit anti-malarie hidroksilklorine, Departamenti i Shëndetësisë i shtetit po eksperimenton me injektimin e plazmës nga personat e infektuar tek njerëzit e tjerë që “luftojnë” me sëmundjen për të parë nëse “antitrupat bëjnë efekt”, tha Cuomo.

New York-u do të eksperimentojë ndarjen e një ventilatori midis dy pacientëve, një procedurë “e vështirë për t’u kryer”, tha Cuomo, duke shtuar, “Domosdoshmëria është nëna e shpikjes.”

Cuomo përsëriti thirrjet për qeverinë federale të përdorë Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes për të detyruar prodhuesit të prodhojnë ventilatorë dhe të dërgojnë ventilatorë nga rezervat federale së paku 20,000 në New York.

Guvernatori tërhoqi vëmendjen se Nju Jorku është duke u goditur  ashpër nga coronavirusi dhe se është në majën e kurbës së sëmundjes. Por shtetet e tjera ka të ngjarë të shohin të njëjtin problem së shpejti.

“Unë po ju kërkoj të ndihmoni Nju Jorkun, të ndihmoni veten,” tha guvernatori, duke iu drejtuar kombit. Merruni me Nju Jorkun se këtu është kulmi i krizës. Le të ndihmojmë njëri-tjetrin, lëshoi thirrjen guvernatorin.

Cuomo, replikoi me Presidentin Trump, i cili ka kërkuar që shteti të rifillojë riprodhimin ekonomik. Nuk do të vemë dollarët para jetës së njerëzve, komentoi guvernatori.

“Nëse i kërkoni popullit amerikan të zgjedhë midis shëndetit publik dhe ekonomisë, nuk është sfidë … Asnjë amerikan nuk do të thotë se sa ia vlen jeta.”

Cuomo u përkrah nga Gjeneral Patrick Murphy dhe Gjeneral Major Raymond Shields, të cilët ai i lavdëroi si udhëheqës të aftë në kohë krize.

Ai portretizoi veten si një udhëheqës dhe një ushtar në luftën pandemike.

Filed Under: Featured Tagged With: Nju Jork, Tablo e zymte

NA VODHËN RININË

March 24, 2020 by dgreca

NGA PELLUMB LAMAJ*/

Kish filluar të binte dëbora e parë.Ashtu dalë ngadalë dhe e qetë floktonte nga retë duke mbuluar rrugicat e ngushta ndërmjet kapanoneve prej druri, catitë e kodrat e zymta që rrethonin Luginën e Vdekjes me emrin Spac, ku qenie të pafajshme të kryqëzuara padrejtësisht nga mendja djallëzore e shpirti kriminal të njeriut, dergjeshin aty me dekada të harruara dhe nga vet Zoti.

Perdja e bardhë vallëzonte nën dritat e prozhektorëve të ushtarëve drejtuar nga ne dhe telat me gjemba ,që më parë gërvishnin qiellin ,nuk dalloheshin më.Herë pas here ushtarët shkrepnin nga një fishek drite për të na treguar se na kishin nën shenjë,dhe drita e tyre merrte pamjen e një vetëtime që sytë tanë të lodhur drejt qiellit e prisnim me kohë.

Pasi hëngrëm copën e bukës dhe gotën e cajës,bashkë me një mikun tim që dergjej burgjeve për tre dekada nisëm të bëjmë xhiron e zakonshme të darkës në hapësirën e kapanoneve.Dëbora zbriste nga,retë,ledhatonte kokat tona dhe trashte e patrazuar dhe magjishëm shtresën e bardhë ku ne zvarrisnim opingat e llastikut.

Bëmë disa xhiro dhe i ngazëllyer nga bukuria që kishte ndryshuar pamjen e zymtë e të zezë të kampit ,ndalova hapin dhe ju drejtova mikut tim;

Sa bukur…..Këtë s’na e ndalojnë dot barbarët !

E pashë që ai u ngrys e pas disa hapash ndaloi ,drodhi një cigare,e ndezi e pasi e thithi dy tre herë mu drejtua ;

Pëllumb a e di ti krimin më të madh që hijenat e kuqe kryen ndaj nesh ?

E vështrova gjatë,ngrita supet dhe për momentin s’dija c’ti thoja.Krimet ishin aq të shumta e makabre sa dhe vet ne kishim filluar të mos i besonim.

Bëmë dhe disa hapa dhe pastaj mu drejtua me shikimin hedhur larg,tej telave me gjëmba ndoshta i mbërthyer nga ndonjë muzë e castit që vinte ti ndizte shpirtin.

Krimi më i madh është se na vodhën dhe na vranë të drejtën hyjnore për të dashuruar.Ti je i ri ,plot energji e zjarr do ta prekësh lirinë, por ne…… – dhe pasi thithi fort cigaren lëshoi një re tymi që ju bashkuan flokëve të dëborës që vazhdonte të binte e patrazuar dhe e qetë. 

Vazhduam xhiron dhe pas pak ndaloi sërish dhe mu drejtua ;

Ti je ri dhe shkruan, por mbi të gjitha të shkruash për ty është dhe detyrë.Tregoi botës një ditë për ne… për ne që u kryqëzuam këtu vetëm e vetëm se donim të bukurën.

Në cast u dëgjua britma e policit që lajmëronte që të futeshim nëpër kapanone.I thamë natën e mirë njeri tjetrit e u shpërndam.Shkova pranë krevatit të kashtës dhe nisa të rrotullohem majtas e djathtas . Fjalët e tij më binin si daulle e s’më ndaheshin për asnjë cast.Në sytë e tij që ende shkëlqenin,në gjoksin e tij plot gulcim e në fytyrën plot rrudha,atë natë të gjatë e të pafund, preka nga afër krimin më të madh të të gjithë krimeve.Nuk di sa kohë kaloi ashtu dhe vetëm gërhitjet dhe ndonjë britmë nga ndonjë ëndërr e keqe e ndonjë fatkeqi, më zgjoi nga ai vegim.Mora letrën e ashtu zemërthyer nga ato që më tha miku im hodha në letër disa vargje …….

Ishte herët në mëngjes kur u dëgjua britma e tellallit dhe policit që bënte zgjimin. ,Jashtëëë!  Gjithçka ishte mbuluar nga velloja e bardhë e dëborës.E mora letrën e futa në xhep dhe pasi mbaruam një nga një nevojat personale duke pritur në rradhë ,u nisa te sporteli i mencës për të marrë supën. Mbaruam mëngjesin dhe pas pak na urdhëruan të futeshim në sallën e leximit kur bëhej leximi i veprave të diktatorit.Para se të futeshim brenda ,i zgjata letrën mikut tim.Ai e mori dhe e futi menjëherë në xhep.

Do ta lexoj më vonë – më tha – se po më kapën – më kalbën në qeli.

Tej telave me gjemba një vegim rinie
C’më zhduku sonte monotoninë 
Me c’zjarr e afsh m’rrëmbeu n’ato ije
Ku muz’ e plagosur kërkon arratinë

Ishte Dita e Verës e lulet vallëzonin
Hijenat e kuqe më vodhën rininë
Më këputën,më ndanë nga lulet e tjera 
E më flakën të vyshkesha në errësirë. 

I gjithë në rrjetë u katandis globi
Detrat, oqeanet, qielli vet’
Vall’ si duron Zoti tek sheh nga sipër
Si kryqëzohen e shuhen bijtë e vet. 

*DITARI I BURGUT Spac 1983

Filed Under: Politike Tagged With: Pellumb Lamaj

NËNKRYETARI I VATRËS ERVIN DINE, I PËRFSHIRË NË BETEJËN KUNDËR KORONAVIRUSIT

March 24, 2020 by dgreca

Ervin Dine, nënkryetar i Vatrës, në bisedën online me editorin e Diellit, tregon se si po e përballon situatën e krizës të shkaktuar nga COVID-19, pasi kompania e tij është e përfshirë në listën e guvernatoreve të shteteve si “essential services”, dhe si të tillë ka kontrata me qeverine lokale dhe atë federale. Si po e përballon këtë situatë familja e tij? Po në jetën e Ervinit cfarë ka ndryshuar?  Cili është mesazhi i tij për bashkatdhetarët në Shqipëri dhe në diasporë? Ndiqeni bisedën:

Dielli: Si është gejndja shëndetsore e familjes Dine në këtë kohë të ngarkuar me shqetësim prej Coronavirusit?  

Ervin Dine: Gjëndja shëndetësore e familjes është përgjethsisht mirë. Jemi munduar të ndjekim rregullat e qeverisë lokale aq sa mundemi. Me fëmijët në shtëpi është pak më e vështirë, sepse ata kanë energji dhe nevojë për të dalë. Në këtë kohë, kur nuk ka shumë informacion rreth virusit, është më mirë të jemi të sigurt, se sa të bëjmë eksperimente.

Dielli: Janë të mbyllur familjarët tuaj apo vazhdojnë e dalin?

Ervin Dine: Si e permenda, jemi përpjekur të ndjekim rregullat aq sa kemi mundur. Fëmijët dhe babai që është në moshë, kanë qëndruar në shtepi. Ndërsa unë kam dalë më tepër për nevoja të domosdoshme, si është furnizimi me ushqim dhe për punë. 

Dielli: Tash ju jeni zhvendosur nga Connecticut në New York. Është e njëta kompani dhe çfarë ka ndryshuar në pozicionin tuaj.

Ervin Dine: Po, është e njëjta kompani. Duke qenë se kompania nuk kishte të implementuar një treg në këtë zonë, ishte përgjegjësia ime të vihesha në lëvizje me një grup njerëzish për të ndërtuar një të tillë. Ashtu si edhe dihet, Nju Jorku dhe Kalifornia kanë tregun më të madh në Amerikë, kjo sjell dhe përgjegjësi më të madhe. Së fundmi, kemi qenë në bisedim e sipër për të ripunuar kontratën me Amazonën, e cila për shkak të COVID-19, do të rishikohet mbas përmirësimit të situatës. Sidoqoft, eksperienca ime në Connecticut ka qenë e veçantë dhe sfiduese. 

Dielli: Ju jeni pjesë e betejës kundër coronavirusit, në ç’mënyrë?

Ervin Dine: Kompania jonë konsiston në transportin gjithëpërfshirës, duke filluar nga makinat me qira për përdorim personal, makina udhëtimesh për biznese të mëdha, kamiona transportues, etj. Jemi përfshirë në listën e guvernatoreve të shteteve si “essential services”, dhe si të tillë kemi kontrata me qeverine lokale dhe ate federale. Gjithashtu, kemi kontrata me kompani të mëdha për transportin e ushqimeve dhe mjeteve të domosdoshme gjatë periudhës së karantinës. Ndër të tjera, kemi filluar bisedimet me kompani shëndetësore të cilat kanë nevoja të mëdha për mjete transporti. 

Dielli: Keni në kompani raste të infektuarish apo të dyshuar si mbartës të COVID-19?

Ervin Dine: Deri në momentin që flas nuk kemi as një punonjës të infektuar. Kemi marrë të gjitha masat e njevojshme për të reduktuar ekspozimin ndaj coronavirus, përfshi dhënien e lejës për të qëndruar në shtëpi punonjësve të cilët shfaqin shenja si, temperaturë apo lodhje. Gjithashtu, po ndjekim direktivat e mjekëve për distancimn social, kemi bër dezinfektim total të ambienteve të kompanisë dhe kemi pajisur të gjithë punonjësit me Skype për të realizuar mbledhje dhe takime virtuale me klientët. Gjithashtu, kemi kërkuar nga qendrat shëndetësore të testojmë punonjësit, por ka rezultuar në kërkesë negative, pasi ata nuk kanë shfaqur shenja. Ftakeqësisht rreziku ekziston pasi çdokush mund të jetë mbartës potencial i virusit. 

Dielli: Po vetë Ervini, sa i rrezikuar ndjehet?

Ervin Dine: Pavarësiht se ndihem i shëndetshëm dhe me një sitem imun të fortë, më shqetëson fakti që mund të jem mbartës dhe shkak për infektimin e familjarëve të tjerë. Sidoqoft, situata ka shkaktuar impakt të madh psikologjik, saqë çdo dhimbje koke ose kollë e shikojmë si një shenjë të koronavirusit. 

Dielli: Duke u kthyer tek familja juaj, si ndjehen pjestarët e familjes tuaj në izolimin e diktuar, në mbylljen në shtëpi? 

Ervin Dine: Izolimi nuk është ideal për askënd, por një kohë kur rreziku është i madh, është i domozdoshmë. Problemi më i madh për familjen time janë dy vajzat e vogla, të cilat janë energjike dhe të vështira për t’u kontrolluar në ambiente shtëpie. Me mbylljen e parqeve është berë akoma edhe më e vështirë, dhe dalja në oborrin e shtëpisë është e vejtmja mundësi. 

Dielli: Te cfar forme jane kontaktet e tanishme me miqte?

Ervin Dine: Fatkeqesisht na ka limituar në përdorim telefonash dhe kamera. Pas lëvizjes sime në NY, kam gjetur gjithmonë kohën të ndaloj në Bronx dhe ndaj një kafe me miq të mirë si, editori Dalip Greca, Mark Mernacaj, Dritan Mishto, Agustin Mirakajn etj. Ndërsa me Ilirjan Blloshmin, i cili jeton në NJ, kafet kanë qenë më të shpeshta. Gjatë kësaj periudhe nuk kam mundur t’i takoj. Gjithashtu, kam qënë në kontakt të vazhdushëm më grupin që po punonë për degën e Manhattan.Telefonatat nuk kan munguar as me editorin e gazetës. 

Dielli: Së fundi, a i frikeni “armikut” të padukshëm COVID-19?

Ervin Dine: Në ushtri ekziston një thenië; “nëse një njeri të thotë nuk kam frikë, po të gënjen, sepse çdokush në mënyrën e vetë ka frikë, por e rëndësishme është si e përballon frikën”. Në këtë rast armiku është i panjohur, gjë e cila vështirëson mundësit për të krijuar strategji për ta luftuar. Strategjia më e mirë për momentin është izolimi dhe shpresa tek Zoti se, doktorët dhe shkencëtarët do munden të gjejnë kurën e duhur. 

Dielli: Çfarë do t’u këshillonit bashkatdhetarëve në përgjithësi dhe vatranëve në veçanti në këtë situatë?

Ervin Dine: Së pari, për bashkatdhetarët në Shqipëri ndjej një dhimbje të madhe, jo vetëm sepse sapo u përballën me një situatë të vështirë si ishte ajo e tërmetit, por edhe për shkak të qeverisë, e cila nuk po bën përgatitjet minimale për të përballuar situatën. Mendoj se, nuk është koha për të bërë politikë, nuk është koha për ndasime, por koha të ruajmë veten dhe familjen. Bashkatdhetarëve ju bëj thirrje të qëndrojnë brënda, të rrespektojnë rregullat të përcaktuara nga institucionet në Shqipëri, pavarsisht se kush i drejton aktualisht këto institucione. Sistemi ynë shëndetësor është në një gjëndje të mjerushme dhe nuk ka kapacitetin të përballojnë një situatë emergjencie ndërkombetare, ndaj e vetmaj zgjidhje për momentin është të qëndrojnë në shtëpi. Ndërsa për vatranët e nderuar, ju uroj shëndet dhe këshilloj të ndejkin rregulloren e vendosur nga autoritetet. Uroj që kjo situatë të përfundoj sa më shpejtën dhe të mund të shihemi sa më shpejt për mbledhjet dhe progamet e Vatrës. 

Bisedoi:Dalip GRECA

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Ervin Dine

RAMIZ MUJAJ: SI U NDODHA PËRBALLË ME TË INFEKTUARIN NGA COVID-19

March 24, 2020 by dgreca

Poeti Ramiz Mujaj, anëtar i Këshillit të Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, vatran për më shumë se tri dekada, është inxhinier riparus, mirëmbajtës, në një nga qendrat e mëdha të rihabilitimit në Bronks, NY- Kings Harbor Multicare Center. Për vetë natyrën e punës, Ramizi, është i ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit nga Koronavirusi. Për të mësuar më shumë detaje nga beteja në frontin e luftës kundër Koronavirusit, Kryeredaktori i Diellit, zhvilloi bisedën e mëposhtme:

DIELLI: Përshëndetje i dashur Ramiz. Si jeni Ju dhe familja e madhe Mujaj, këndej dhe matanë oqeanit, në këtë kohë të vështirë të pandemisë së shkaktuar nga Koronavirusi?

Ramiz Mujaj: Deri tani jemi mirë, këndej dhe matanë Oqeanit.

  • Dielli: Ju vetë jeni duke punuar në këtë kohë kur njujorkezët janë të mbyllur nëpër shtëpi?

Ramiz Mujaj: -Po, punoj çdo ditë. Punon edhe bashkshortja ime Fatmirja edhe djali Besarti.

Dielli: Ndjeheni të friksuar nga rreziku i marrjes së virusit në këto kushte?

Ramiz Mujaj: Natyrisht, nuk jemi në gjendje paniku, por tregohemi të kujdesshëm dhe mbrohemi duke respektuar rregullat dhe porositë. 

Ndjehemi pak të shqetësuar për prindërit e mi, të cilët kanë ardhë më herët nga Kosova në New York. Prindërit janë të moshuar ; të dy kanë nga 85 vite, dhe ata po i ruajmë, si i thonë, si drita e syve nga frika se mos marrin infeksion. Megjithatë ndjehemi të qetë ne dhe ata, falë bashkëshortes tim Fatmirës, e cila ka studjuar mjekësi të përgjithshme dhe djalit tim Bestarit, i cili është shumë i informuar dhe përciell me shumë vëmendje ngjarjet dhe ndihmon me sa mundet. Ata e kanë kthyer shtëpinë në një farë mënyre në spital, ku nuk mungon asnjë nga mjetet mbrojtëse të rekomonaduara nga mjekësia dhe shteti.

Dielli: Sa të ekspozuar ndjeheni ndaj infeksionit?

Ramiz Mujaj: Patjetër jemi të ekspozuar sepse jemi në punë, si unë, për shkak të natyrës së punës, ashtu edhe Fatmirja, që punon në mjeksi, çdo ditë pa pushim, po ashtu edhe Bestari, i cili ndodh që ndonjë ditë punon edhe nga shtëpia .

Dielli: Si është gjendja në Kings Harbor Multicare Center?

  • Ramiz Mujaj: Unë kam 14 vjet që punoj në këtë qendër në pozicionin e inxhinierit riparues, i të gjitha pajisjeve që janë në shërbim të pacientëve dhe ndërtesave. Është një qendër relativisht me kapacitet të madh, janë 1000 pacientë dhe po kaq punëtorë(1000). I gjithë stafi punon me përkushtim e rigorozitet për të mbrojtë pacientët dhe veten.
  • Dielli: A është përgatitë personeli nga ana profesionale për ta përballuar këtë situatë dhe si janë vetëdijësuar pacientët e  shumtë që ju keni?

Ramizi: Fillimisht është kulaifikuar personeli duke zhvilluar klasa mësimore për të marrë udhëzime e për të njohur nga afër masat mbrojtëse. Punë e veçantë është bërë edhe me pacientët për ti vetdijësuar duke u treguar konkretisht si të vetëmbrohen, si të ruajnë distancën dhe si të shmangin kontaktet, dhe kemi forcuar rregullat e pastërtisë.

Dielli: Keni raste të infektuarish?

        Ramiz Mujaj: Po, fatkeqsisht kemi. Para 3 ditesh është konstatuar pacienti i parë me koronavirus. Pas tri ditësh numri u shtua, tash janë bërë 10 dhjetë pacientë të dyshuar.

  • Dielli: Pacientët e prekur nga infeksioni dhe ata të dyshuar janë izoluar apo janë dërguar në qendrat e specializuara?
  • Ramiz Mujaj: Edhe të prekurit edhe të dyshuarit po qëndrojnë në të njëjtin objekt ku kan qenë më parë vetëm se izolohen nga të tjerët duke u mbyllur dyert dhe u është vendosur një shenjë për t’i dalluar personeli që u shërben. Kur kryejnë shërbimin pejstarët e stafit të kryepunetorëve mjeksorë përgatisin mbrojtjen e tyre me maska dhe të gjitha paisjët para se të hyjë në dhomën e të prekurit. 
  • Dielli: Në këtë mjedis, ku tashmë dihet se ka të infektuar me virusin COVID-19, si ndjeheni?
  • Ramiz Mujaj: Me datën 23 mars me urdhëruan të shkoja tek një pacient i prekur nga virusi. Për mua ishte rasti i parë dhe vërtetë e prita me hezitim, pse ta fsheh,edhe pak frikë.Nuk më duket se është lojë dhe nuk e kisha provuar një situatë të atillë. Ishte diku pak para mesnatës. Gati i gjithë stafi kryesor i punëtorëve kishte shkuar në shtëpi. Në dhomën e tij duhej ndrequr një paisje. Mu desh ta bëja të madhe dhe i telefonova kryepunëtorit. Ai më tha që të prisja pak sa ta provonte stafi mjeksor nëse mund ta ndreqte, por ata nuk mundën. Pastaj stafi i punëtorëve mjeksor me përgatitën izolimin nga kontaktet me pacientin dhe pajisjet, dhe unë hyra në dhomën e tij. I infektuari ishte një aziatiko-amerikan i infektuar.

Edhe pse isha i izoluar, e ndjeja një lloj shqetësimi brengosës brenda vetes. Madje ende ndjehem i tillë. Më shqetëson mendimi se mund të kem marrë diçka prej tij. Nuk ka trimëri, e gjithë bota është e trembur, pavarësisht thirrjeve për antipanik.

-Dielli: Duke qenë se ju keni përvojën e qendrës ku punoni: Çfarë mesazhi apo këshilla keni për t’u përcjellë bashkatdhetarët në përgjithësi dhe vatranëve në veçanti?

Ramiz Mujaj: Porosia ime për të gjithë bashkatdhetarët, lexuesit e gazetës Dielli, sidomos për vatranët, të cilët për mua janë si anëtarët e familjes time u sugjeroj :Ta respektojnë distancën mes njerëzve në çdo ambient, të mos neglizhojnë pastrimin e duarëve pas çdo rasti të prekjes të çfarëdo objekti dhe ta respektojnë vendosjen e maskës dhe të dorashkave për arësye se gjatë bisedave mund të ketë spërkatje apo prekje .Nëse u mungojnë dizinfektuesi ta përdorin sapunin dhe gjithësesi duhet ti pastrojnë duart për 20 sekonda. Uroj që të gjithë ta kalojmë këtë situatë krize emergjente me sukses dhe pa viktima.(intervistoi: Dalip Greca)

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca

PRANVERE NE KARANTINE

March 24, 2020 by dgreca

Pranverë në karantinë/

Poezi nga Rafael Floqi -/Dielli/

Pranvera sot ka vënë maskë, /

Maskë në mars, /

Pranvera sot është mbyllur,/

Për 40 ditë, /

Në Quarantena./

Por atë askush, /

Nuk ka fuqi që ta ndalë, /

Edhe pse tulipanët në kopsht, /

S’kanë çelur,/

Edhe pse një gushëkuq, /

Ecën serbes në trotuaret pa njeri…/

Sot janë të gjithë mbyllur në shtëpi.

S’ka punë sot,

S’ka shkollë sot,

S’ka lëvizje.

Në rrugë zhurma e makinës së plehrave, 

Dhe një sirenë ambulance 

Që ndihet nga larg,

Kamioni ka lënë gjurmët e tij ,

Në koshat e zbrazur të plastikës

Por dhe aty punojnë njerëz,  

Gjurmë, se jeta vazhdon. 

Po dhe sot në Kongres 

Politikanët vazhdojnë e grinden,

Për fondet për urën që nuk shkon askund,

Por sot sa njerëz janë papunë.

E  njerëzit

Kërkojnë që sot që kura 

Të mos jetë më e dëmshme

Se sëmundja.

Që dihet se si e qysh  s’dihet nga erdhi   

Për një fajin tëndin, o njeri

Të atyre,

Që luajnë me Zotin,

Covid 19-të

Aty ka diçka përtej pazarit të gjësë së gjallë 

 E lakuriqëve të natës, 

Përtej ngrohjes globale.

“Për të vetmin fajin tënd”,

Siç thoshte dhe prifti 

Në kishën bosh,

Duke i shpërndarë ostet në ajër

Ku asnjeri s’kishte të rrëfehej.

Amen.  

Në këtë moment 

Ku njeriu 

Duhet të gjejë ngushëllimin

Për jetën, 

Duke folur drejtpërdrejt me ty, o Diell …      

O Diell – nëse mund t’i mbush duar si kupë 

Dhe të pi prej teje lëngun e jetës,

Të bëj një çudi të ndritshme, 

Ta ndal këtë tmerr për njerëzimin. 

O Diell

Sa dua,

Në emër të ëndrrave të mia, 

Në emër të familjes time 

Në emër të  fëmijëve të mi .

Në emër të dashurisë sime

Për jetën.

O Diell, 

Ç ‘janë këto fjalë që na thonë 

Të rrimë larg njeri tjetrit?

Madje dhe dashurinë, 

Këshillon Facebook-u 

Të bëjmë vetëm me veten (?!)

Dy metra=  6 feet ,

Një jetë …

Njeriu është njeri

Që kur u bë bashkë, 

Në një shpellë, në një zjarr,

Në kope, në fis e një farë,

Në fshatra e qytete e shtete   

Dhe ndezi një zjarr

Për të ngjallur ty, 

O Diell

Dhe filloi të flasë

Por jo me vete.

O Diell !

Merre dhe një pjesë nga unë 

Nga liria ime 

Në emër të dashurisë 

Për gjyshërit, 

Në emër të dashurisë 

Për prindërit, 

Në emër të dashurisë 

Për fëmijët, 

Në emër të dashurisë 

Për njeriun.

Për të mos i lënë diktatorët të bëjnë

Prova gjenerale 

Të durimit tonë, 

Pasi në kohët e “Fake News”

Dëgjon mjaft thagma .

Me tanke në për rrugë. 

Jo më kot, 

Ky virus ka një emër më kurorë  

Virusi i kurorës = Coronavirus.

Po vdekjen s’ ka

Kunorë që e shlyen,

O Diell.

Ndaj,

Ne emër  të atyre që vuajnë,  

Në emër të atyre që na lanë

E do na lenë,  

Sille pranverën !

Pse është dhe një pjesë prej meje,

Brenda trupit të saj. 

O ditë Marsi 

Shpalosi ngjyrat, shkundi ngjyrat në qiell, 

Pasi njeriut gjithnjë vdekja

Do t’i vijë prej vetes. 

Pasi,  

shkencë nuk do të thotë të luash me jetën.

Valëviti dhe tundni ngjyrat tuaja në qiell.

Deri kur të jem i grimcuar me bukuri. 

Pse ka tek ty 

Më shumë përsëritje të ajrit të diellit.

Se mund të marr frymë pa ventilator? 

Pse ka aty tinguj

Ka heshtje? 

Pse është një plagë që këndon

Rreth çdo ore drite.

Pse s’ka nevojë për parfum kur ka lule?

O Diell! 

Si mund të më shtysh

Më pranë dashurisë?

Ndaj njeriut,

Sot është koha 

Të jemi larg fizikisht, 

Për të qenë më afër shpirtërisht. 

Mjaft me politikë, mjaft me grindje, mjaft me raca.

Sot është koha të duhemi dhe pse në distancë

Para vdekjes jemi gjithë njësoj…

Pranverë mos u vono

Lulet e qershive nuk po çelin

Nuk kanë ato frikën nga virusi. 

Po si mund të çelin ato 

Kur s’ ka njerëz  t’i kundrojnë 

Hiqe maskën 

O Diell,

Lëshoi rrezet,

Kemi nevojë për shpresë.   

Filed Under: LETERSI Tagged With: Rafael Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 673
  • 674
  • 675
  • 676
  • 677
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT