• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GAZETARI LUTFI DERVISHI, 5 JAVË I VETËIZOLUAR

March 24, 2020 by dgreca

Rrëfimi prekës i Lutfi Dervishit për sëmundjen e tij, si një thirrje alarmuese për rrezikun që na kanoset…/

Edhe ti mund të vetëizolohesh pa shkuar në spital…

Tërmeti i 26 nëntorit për mua ishte shumë më i lehtë se për këdo tjetër. Isha në spital dhe zgjuar. Në spital sapo kisha kaluar 3 javë dhe tre ditët e para (vonë e mësova) në gjendje kritike për jetën.

“Shkundja” që po kaloja ishte më e madhe se tërmeti që tronditi vendin.

Ditët e para ishin të vështira jo vetëm për pamundësinë për të lëvizur, por më shumë për paqartësinë dhe frikën nga e panjohura dhe nga befasia e sëmundjes. Unë sëmurë?! Çfarë kam?

Me bindjen se çdokujt i mjaftojnë hallet e veta- gjendjen time (përveç familjes) e dinin vetëm 2- 3 miq, që mbetën burim kurajo dhe lidhje me botën që kisha humbur.

Javën e parë çdo lëvizje për kontrolle e bëja duke qëndruar shtrirë në krevat, me ndihmën edhe të tubave të oksigjenit. Për të lëvizur nga një mjek te tjetri duheshin të paktën 3 persona për të më shoqëruar. Një për bombulën e oksigjenit dhe dy për transportin.

Ditët e humbën kuptimin dhe dallimin nga njëra – tjetra. Çdo ditë mori formën dhe përmbajtjen e një të diele të mërzitshme. Pavarësisht rrezeve të diellit çdo ditë dukej gri. E vetmja shenjë dalluese e ditëve ishin gjethet që binin nga pema që shihja gjithë kohën nga dritarja e dhomës. Kur gjethet mbaruan mendoja se ndoshta do t’i shoh sërish në pranverë….

Duhej të përshtatesha me një jetë tjetër. Kjo ishte beteja më e vështirë. E vështirë sepse mendja ishte në rregull. Mund të shkruaja në celular, mund edhe të bëja shaka, por trupi nuk bindej. Lëvizjet që as që i mendon në ditë të zakonshme më dilnin të pamundura.

Ditët e para trupi pranonte vetëm antibiotikë dhe serume. Edhe kur ju riktheva ushqimit- nuk mund të ushqesha vetë.

Kur je në gjendje të rëndë çdo kujdes sado i vogël dhe i parëndësishëm në dukje bëhet burim lumturie. Në ditën e pestë, Remziu më solli një kafe nga lokali preferuar dhe vetëm aroma e kafesë dhe shija e saj bën diferencën për gjithë ditën.

Fundi i javës së dytë solli një përmirësim të madh. Lëvizja nuk bëhej më me krevat, por me një karrocë. Ishte si të gjeje një gjë të shtrenjtë që të kishte humbur. Fundi i javës së tretë solli edhe lëvizjet. Lëvizje të ngadalta që shpejt ja linin vendin lodhjes.

Këtë javë ndjeva se shërimi po vinte. Ndjeja dhimbje nga vigonët që vendosnin infermierët dhe ishte vështirë të gjeje vend të pashpuar në duar për gjilpëra të reja.

Treguesit e analizave po përmirësoheshin. Nisa të heq tubin e oksigjenit dhe bëja ushtrime: sa minuta mund të rezistoj pa ndihmën e oksigjenit që merrja përmes tubave? Sa gjatë mund të shkruaj?

Dita e daljes nga spitali erdhi më shpejt se ç’e kisha menduar. Kalimi nga spitali në shtëpi ishte një fazë tjetër lirie. Krejt ndryshe. Si të kalosh nga pishina e vogël në det. Në ditët e para mendoja se nëse do të duhet të rri, mund të qëndroj me javë e muaj pa asnjë problem vetëm të mos kthehesha më në spital.

Daljet e para jashtë ishin ecje e ngadaltë jo më shumë se 200-300 metra pa pushuar. Ditë pas dite, e javë pas jave – dalë ngadalë rutina u rikthye.

U rikthyen takimi me miqtë e shokët, kafenetë, futbolli, madje edhe vrapi.

Përvoja në spital është e paharrueshme për këdo e pa harrueshme për çfarë kalon vetë dhe e paharrueshme mirënjohja për mjekët, infermierët dhe stafin mbështetës.

“Sëmundja vjen me kilogram dhe largohet me gram”- më tha një infermiere ditët e fundit.

Nuk jam tunduar asnjëherë të ndaj publikisht problemet personale, por këto ditë vendosa të shkruaj me idenë se përvoja që kalova mund të ndihmoj dikë që ta shoh dhe ta marr më me seriozitet koronavirusin.

Të qëndrosh i izoluar nuk është gjë e lehtë. Të qëndrosh i izoluar dhe nën mjekim në spital është sfidë. Të qëndrosh i izoluar në shtëpi është luks. Të kesh mundësi të lëvizësh dhe të dalësh për ajër të pastër qoftë edhe disa minuta është mrekulli. Fjala shëndet mbi të gjitha ka kuptimin e plotë vetëm tek ata që janë apo kanë qenë të sëmurë.

Përvoja në spital më bëri më të kujdesshëm. Nëse në dhjetor apo janar mësoja se një shok ishte me grip, e shmangia takimin me të. Pata fatin që u sëmura në kohën kur mjekët dhe infermierët e kishin kohën dhe ngenë për t’u marrë me mua. Isha në spital në një kohë ku përveç mjekëve e infermierëve kisha luksin të takoja edhe familjarët dhe miqtë e shokët.

E kisha luksin të kisha celularin në dore, të komunikoja, të merrja audio dhe video frymëzuese, të dëgjoja muzikë, të lexoja e të shkruaja. Sot është krejt ndryshe. Nëse shkon në spital do të jesh jo vetëm i izoluar, por do të jesh vetëm. Dëgjoj dhe shoh në rrugë këto ditë plot të shkujdesur që e kanë marrë pak me gallatë virusin e panjohur.

Për mua nëntori i vitit që shkoi kaloi në spital. Dhjetori pothuaj në shtëpi. Por kaloi edhe janari dhe shkurti dhe po ikën edhe marsi. Muajt dhe stinët do të ikin. Si çdo e keqe dhe e mirë edhe kjo do të kalojë, por është 1000 herë më mirë të kalojë duke ndenjur në shtëpi dhe duke komunikuar me miqtë e shokët përmes ëhat’sapp sesa të përfundosh në spital me një sëmundje që në rastin më të mirë vaksina do t’i gjendet në fund të vitit.

Sëmundja vjen me okë dhe ikën me derhem- thonë tironsit. Ky virus tinzar e ka përmbysur këtë thënie: vjen me miligram dhe mund ikë…(Lutfi Dervishi)

Filed Under: Opinion Tagged With: 5 jave i veteizoluar, Lutfi Dervishi

NATO PRIRË NGA AMERIKA SHPËTIMTARE NË KOSOVË

March 24, 2020 by dgreca

-Para 21 viteve nisi ndërhyrja shpëtimtare për Kosovën e NATO-s  prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

-24 Mars 1999: “Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike Presidenti Amerikan Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë fliste për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s. Ai zë i lirisë – liria për Kosovën po vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës…Nga Amerika dhe aleatët…/

-Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999 raportoja nga Prishtina në Tiranë se rreth orës 20:00 u ndjenë fuqishëm goditjet e para të sulmeve ajrore të NATO-s. Media shqiptare ka shkruar se isha gazetari i vetëm që transmetoja nga Prishtina në fillimin e ndërhyrjes së NATO-s për Kosovën…/

-Dita e Lirisë dhe Paqes  erdhi në 12 Qershor 1999, në mëngjesin e asaj dite të lume raportoja nga kolona e tankeve të para të NATO-s që hynin  në Kosovë nga ora 05 e 17 minuta…/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI(Me skume fotografi gjeng ne facebook Dielli vatra)

PRISHTINË, 24 Mars 2020/ Prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para 21 viteve, në 24 Mars 1999, për Kosovën e popullin e saj ndodhi fillimi i ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s me goditjet nga aviacioni luftarak të pozicioneve të forcave serbe që po bënin krime, masakronin e dëbonin shqiptarët në fushatën e egër të spastrimit etnik.

Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999 raportoja nga Prishtina në Tiranë se rreth orës 20:00 u ndjenë fuqishëm goditjet e para të sulmeve ajrore të NATO-s.

Përshkruaja situatën në kryeqytetin e Kosovës në atë orë historike: “Nga goditjet dridheshin xhamat e ndërtesave në Prishtinë, ndërsa vazhdimisht dëgjoheshin sirenat e alarmit”.

 Shtoja se, “pas pak çastesh të goditjeve, e tërë Prishtina dhe Kosova mbeti në terr”, meqë u ndërprenë dritat, furnizimet me energji elektrike.

Raportoja edhe se, “para goditjeve, automjete të blinduara me trupa serbe dhe armë në gjendje gatishmrie, lëviznin nëpër të gjitha rrugët e shkreta të Prishtinës, që ngjan në qytet fantazmë. Pas goditjeve, këto lëvizje tankesh dhe blindash nuk shihen më”.

Dhe, “kohë pas kohe, nëpër qytet, dëgjohen breshëri armësh”, përfundoja lajmin e parë për nisjen e bombardimeve.

Lajmin e jepja për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), për të cilën raportoja nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste të lëvizjes e luftës për liri e pavarësi të Kosovës.

Po atë lajm e dërgoja edhe për Radio Tiranën, me të cilën pastaj u lidha edhe drejtpërdrejtë në raportime, derisa në ato rrethana terri e lufte në Kosovë nuk mund të lexohej Agjencia Shtetërore-Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë as nuk mund të shihej Televizioni Shqiptar.

  Lajmet për ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s në Kosovë shkonin për gjithë kombin shqiptar edhe për botën, të raportuara nga Prishtina, nga lagjeja Ulpiana, nga banesa ime e mbushur refugjatë nga zonat e luftës.

Refugjatët sollën përvojat e tyre të pas dëbimit nga shtëpitë, të strehimit maleve, se si të bëhej dritë në terr kur s’ka as qirinj, duke ndezur ndonjë leckë të futur në vaj ushqimi të mbushur në gjysëmpatate të gërryer nga brenda. Nën atë dritëz po shkruaja lajm tjetër, ndërsa po dëgjoja lajme në një radio të vogël me bateri – tranzistor, derisa shkallëve të ndërtesës dëgjoheshin rrapllimat e ushtarëve e policëve serbë që nga momenti i nisjes së bombardimeve kishin ikur nga rrugët e sheshet ku ishin.

Nga radioja e vogël dgjohej edhe zëri i shpresës dhe besimit të madh, fjala e Presidentit Bill Clinton që i drejtohej kombit Amerikan.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike Presidenti i SHBA-ve, Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë fliste për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s.

Ai zë i lirisë – liria për Kosovën po vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës…Nga Amerika dhe aleatët…

Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

Ajo dritë shpëtimtare e lirie ishte e paralajmëruar…

Më pak se një vit më parë, në 29 Maj 1998, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Presidenti Rugova pas takimit. Ndërsa, bëhej e ditur se Presidenti Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s…

Në fillimet e pranverës së para 21 viteve, ndërhyrja e NATO-s pritej pasi Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje – Francë, që kishte nisur në  6 Shkurt 1999 kishte përfunduar në 18 Mars me refuzim nga delegacioni i Beogradit të marrëveshjes së pranuar nga delegacioni kosovar.

Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova,  në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit, në një konferencë shtypi në 5 Mars 1999 paralajmëronte nënshkrimin  e Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990. Në konferencën për shtyp ku ishte edhe korrespondenti tash i Gazetës DIELLI, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…

Po në atë 5 Mars 1999 kam raportuar edhe për një takim të Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Robert Doll – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, që ishte edhe një paralajmërim lirie. Takimi shumë i rëndësishëm u mbajt në Shkup-Maqedoni, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë-Kosovë…

 Edhe derisa bisedohej në Rambuje-Paris, regjimi i Beogradit kishte sjellë në Kosovë paisje luftarake e trupa ushtarake shtesë, që mund të arrinin në 130.000, sipas vlerësimeve të kohës.

Ndërkohë, për shkak të rreziqeve,  shumica e reporterëve të mediave ndërkombëtare bashkë me Misionin Vëzhgues të OSBE-së ishin larguar nga Kosova para fillimit të ndërhyrjes së Aleancës Veriatlantike. Edhe në ato rrethana vazhdoja pa ndalur asnjëherë raportimet nga Kosova për në Shqipëri…

E, në 24 Mars 1999, ishin orët u fundit para fillimit të bombardimeve të NATO-s kur kërkonim mundësinë e fundit për të dhënë nga Prishtina në Tiranë lajmin e madh të pritur, pasi lidhjet telefonike do bëheshin të pamundura.

Të provojmë me lidhje satelitore në mbrëmje, u morëm vesh me vëllain, Demë Jashari, në Zvicër. Dhe, ishim në linjë në momentin e pritur, nga Prishtina në Lozanë – Zvicër raportoja me telefon derisa po ndodhte lajmin e madh edhe për gjithë botën që e shkruante vellai me kompjuter për ta përcjellë prej atje me telefax drejt Tiranës…

Dhe, vazhdoja raportimet…Media shqiptare ka shkruar edhe se isha gazetari i vetëm që transmetoja nga Prishtina në fillimin e ndërhyrjes së NATO-s për Kosovën në 24 Mars 1999.

Mëngjesin e parë të pas fillimit të bombaredimeve, lajmet që dhash nga Kosova drejt Tiranës ishin për situatën në Prishtinë dhe për ekzekutimet nga forcat serbe gjatë natës të shqiptarëve në shtëpitë e tyre në Mitrovicë, veprimtarëve e intelektualëve – udhëheqësit komunal Agim Hajrizi bashkë me nënën dhe djalin 12 vjeçar dhe poetit Latif Berisha.

Ai mëngjes i 25 Marsit 1999  sillte lajme të reja se forcat kriminale serbe gjatë natës  kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, në Prishtinë kishin rrëmbyr në shtëpi avokatin e veprimtarin e njohur për të drejtat e liritë njerëzore, Bajram Kelmendi, me dy bijtë e tij, të cilët i ekzekutuan. Forcat serbe kishin djegur edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat që ndodheshin në një shtëpi shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Edhe në mëngjes, si edhe natën, Prishtina dukej si një qytet fantazmë, rrugët dhe sheshet ishin të zbrazëta.  Tanket dhe makineria tjetër serbe e luftës, që një ditë më parë i mbushnin rrugët e sheshet, kishin ikur dhe ishin fshehur edhe nëpër lagje për t’i pasur banorët  shqiptarë mburojë të gjallë. Nëpër shumë pika kishte snajperë serbë dhe njerëzit qëndronin të mbyllur në shtëpi, të rrethuar me kërcënimin e madh të forcave serbe, por me gëzimin e besimin e plotë se liria e Kosovës po vinte.

Atë mëngjes të parë të pas mbrëmjes historike të 24 Marsit 1999 u këput edhe mundësia e fundit e lidhjes me telefon dhe e raportimit dhe nisa kërkimin e ndonjë mundësie tjetër, duke ndërruar edhe vendbanimin shkaku i rrezikut të qëndrimit të mëtejmë në banesë, e pastaj edhe duke u larguar nga Prishtina drejt Kufirit jugor të Kosovës, prej nga vazhdoja raportimet.

“Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”, ishte titulli lajmit të 6 Majit 1999  i raportimeve që i bëja nga Kufiri jugor i Kosovës.

Lajmi, ku në ato rrethana nuk përmenda burimin – telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh nga një nënë mbrojë e gjallë bashkë me familjen e saj alarmonte: 

“Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe
po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të
qëndrojnë në shtepitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur
armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëpër objekte që
mund të bombardohen nga NATO-ja… Shumë familje janë detyruar të qëndrojnë për disa ditë me
radhë pranë postes së re të Prishtines, në lagjen Dardania…”.

Cak i goditjeve të aviacionit të NATO-s mbi caqet e forcave serbe ishte edhe ndërtesa e postës së vjetër që ishte bërë edhe bazë ushtarake e që u zhbë e nuk është më e ishte pranë ndërtesës së tashme kryesore të Qeverisë së Kosovës te Sheshi Gjargj Kastrioti – Skënderbeu në Prishtinë.

Raportimet që bëja dëshmonin se forcat serbe vazhdonin fushatën për dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova. U dëbuan afër një milion shqiptarë, shumica në Shqipëri. Më shumë se 12 mijë arrinte numri i shqiptarëve të vrarë e masakruar, edhe të groposur në varreza masive, në mëse 6 mijë arrinte numri i të zhdukurve, qytetet dhe fshatrat shqiptare digjeshin e plaçkiteshin nga forcat ushtareke, policore e paramilitare serbe të Milosheviçit, kasapit të Ballkanit, që pas vitesh përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë…

Ende pa kaluar tre muaj nga fillimi, bombardimet përfunduan në 10 Qershor 1999, pasi një ditë më parë në Kumanovë, qytet në Maqedoni ku një pjesë e madhe e popullsisë janë shqiptarë, ishte arritur  Marrëveshja mes NATO-s dhe Beogradit për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të Alancës Veriatlantike në Kosovë.
Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 Qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morin-Vërmicë, drejt Prizrenit…

Edhe në atë ditë e orë  historike një lajm tjetër të madh se në Kosovë po ndodhte liria e raportoja drejt Tiranës – në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të NATO-s  që kalonte kufirin jugor në Han të Elezit drejt Grykës së Kaçanikut…

Kosova, pas hyrjes së trupave të NATO-s – KFOR-it, u administrua sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së deri në 17 Shkurtin histotik  2008 të shpalljes së Pavarësisë së njohur deri sot nga 116 shtete të botës…

 Njëmbëdhjet vite pas takimit të 29 Majit 1998 në Uashington, në 1 Nëntor 2009 në Kosovën e lirë Presidenti Amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në seancën solemne të Kuvendit të Republikës kosovare, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar. 
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton. 
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.

Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

Filed Under: Featured Tagged With: 24 marsi 1999:, kosova

“Barcodes-Codici a barre”

March 24, 2020 by dgreca

-Dhjetë vjet më parë botohej në SHBA, si libër më vete në italisht e anglisht, kjo poemë e Shpend Sollaku Noé-së, përkthyer tashmë në 32 gjuhë te tjera./ 

Shpend Sollaku Noé,një poet i puthur prej perëndisë Apollo/

Stelvio Mestrovich Wotninsky-it për librin “Barcodes-Codici a barre”, botuar për herë të parë në SHBA, në italisht e anglisht, në vitin 2010.

Pas një sërë librash të një niveli superior (i fundit, sipas kronologjisë, është fenomenali “Abysses-Voragini”, USA 2009), poeti shqiptar Shpend Sollaku Noé na prezanton tani poemën e labirinteve “Barkodë”. 

Autori – profesor, gazetar, shkrimtar dhe sidomos Poet (me P të madhe), për ta diferencuar nga sharlatanët dhe shitësit e vargjeve të mërmëruar (gjithmonë e më shumë të pranishëm) – jeton në Itali si azilant politik që prej 1992-it. Bashkëpunon me gazeta dhe revista të rëndësishme; veprat e tij i gjen të përkthyera në gjuhë të ndryshme. Sh. S. Noé është shumë aktiv në mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, sidomos të emigrantëve dhe të refugjatëve politikë.

Ky presantim nuk është i kotë. Është esencial për të kuptuar Atë që ka shkruar “Barkodë” dhe përse e ka shkruar. Është një  uverturë për të depërtuar në vepër. 

Në shkrimin e poemës “Codici a Barre”, Shpend Sollaku Noé është puthur në ballë e bekuar prej Perëndisë Apollo, ngjizës i shpirtit të Artit, Muzikës e Poezisë, Perëndi e Dritës, nënkuptuar si njohje shpirtërore dhe profetike. Dhe profecirat në këtë poemë gjenden me bollëk. 

Poeti shqiptar ngren zërin, qorton, paralajmëron,  ndëshkon mëkatarët e epokës që jetojmë. Zihet ngushtë vetëm se çfarë të zgjedhë, por kërkon të jetë afër të të braktisurit, të të varfërit, të emigrantit, të të ikurit prej luftrave, të azilantit politik. Shfryhet me forcën e një cikloni, vërsulet kundër bankave, kundër demokracive të rreme, kundër marksizmit, kundër kapitalizmit, duke tundur gishtin mikelaxhelian sidomos kundër kalbësirës, tashmë të përditshme, duke e dënuar pa mëshirë: 

[…] Kafkë mbi kafkë,/ eshtër mbi eshtër,/ fertilizues për gjëmbaçë e grëmëra,/ hiç xixëllonja,/ zero mëllenja,/ zhdukur bretkët/ pak vetëtima./ Shi shtiran,/ bosh kujtesa e aromave,/ por nuk mungon e pamëshirshmja: / nuk kishte lindur idiot,/ vdiq i çmendur […]

Vargje të dhunshme, ku shpërthen zemërimi dhe trishtimi për realitetin që na bren pak nga pak. E më tej:

[…] Ngarkoj mbi shpatulla sarkofagët e të pyes ty,/ fantazmë e përheshme/ e nëntokës,/ si nuk ke ditur/ Pegazin e interesave të kalërosh,/ të mjelësh/ apo të milesh prej financiareve/ o tout court/ të nxjerrësh bukën e gojës?! …]

Këtu autori bëhet therës, këtu poezia ulet e paftuar në kronikën mondane, por gjithmonë e mbyllur në një kornizë të artë vargjesh të habitshëm.

Për një azilant politik, burgu është i parapëlqyer, është i pari dhe i vërteti atdhe: 

[…] sepse atje jashtë bota të është/ si një banjo penale: /programuar si të lindesh,/ programuar përse të jetosh,/ programuar kur të shfarosesh.

Dhe shpresa ku është? Sh.S.Noé regjistron: 

[…] të vegjetojmë e të jemi gati/ për t’i shërbyer epitropit bankomat,/ të flemë si gjithmonë të fundit/ e si gjithmonë të zgjohemi të parët,/ të konstatojmë që trupi ynë/ është akoma lumturimisht i tëri,/ kur sytë / kapsalliten për kredinë e shtëpisë,/ këmbët / vihen në lëvizje për të shlyer këstet e autos,/ krahu i djathtë përkëdhel/ kuzhinën e re,/ dhe i majti/ sallën e ngrënies;/ kur për të pasur subvencionim/ mendon zonja Vaginë,/ dhe ndonjëherë duhet të behet ganimed/ edhe zoti Penis./ Për iPhone-in e brezit të fundit/ parashikon treguesi i djathtë,/ për të vjedhur nga interneti videoklipet/ konsumohet sharësi i majtë,/ për të bërë të mbijetojnë hipertregjet/ turbinon zonja Bythë,/ dhe për boutique-ët/ kafka e trurit kaçak.[…]

Shpend Sollaku Noe lartësohet si Dante Aligieri i shekullit të 21-të: në poemë nuk gjen lugje dhe rrethe të ferrit, por  vizioni është po ashtu ngjethës. Ndihemi më se të mallkuar, buratinë të vërtetë që qarkullojnë në botën-ferr ku, në vend të flakëve, janë informatika, kreditë për t?u paguar, fajdexhinjtë, bankat-shushunja, cmira, xhelosia, mania për të rënë në sy, besimet fetare të rreme, injoranca, historia e falsifikuar, burokracitë e çnderuara e pagdhendja.

Zoti nuk gjendet. Ndoshta edhe ai është bërë mason. Aty-këtu rigon ndonjë cifël qiellore në Terrin Apokaliptik. Hullì kometash shkojnë nxitimthi dhe zhduken në Hiç. Sepse edhe paralajmërimet vlejnë një Hiç: 

[…] Shkoni, o njerëz, të zvarriteni/ si horra të kënaqur/ të puthni duart e të të mëshirshmëve Godfathers,/ t?u lëpini këmbët/ administratorëve bankarë,/ të gërvishni gjunjët në kllapi/ drejt Vegimit Hyjnor,/ e nën kafkë të kamxhikoni të keqen,/ të inçizoni në shpinë gjarpërinj të gjakosur./ E përjetshme lutja e shenjtë qoftë:/ Banka Jonë që je në Tokë.

Me këtë retiçenzë përfundon Poema “Barkodë” e Shpend Sollaku Noé-së. 

Kurrë s?kam lexuar një poemë kaq të bukur, por ngjethëse; kaq të ngjeshur me lirizëm, por të hidhur dhe plot helm; kaq të vërtetë, saqë të vjen të rilexosh, menjëherë pas kësaj, Shkrimet e Shejnta; kaq të përditshme, saqë të vjen të kesh nostalgji për të kaluarën; kaq depërtuese e sëmbuese saqë të vjen të veshësh dorashka para se t?a shfletosh.

                                           Stelvio Mestrovich Wotninsky

“Barcodes-Codici a barre”

                      Fragmente 

1.

Me sytë pre të pagjumësisë

në mbrëmje

bëhem copë të deshifroj

Braque-t e tavanit të murrmë,

ikona anonime që trysin ngushëllimet,

tempuj të panjohur ankthesh damokleiane,

teprica zemrash të depërtuara.

Në dedalët kërkoj të gjej tempullin tim,

një copë dërrasë të pamishtë

për t’iu lutur Zotave të  Lartë,

por nuk arrij dot  të zgjedh

në cilin kult të ringjallem,

për një shpërblim

që përkthehet në thërrime paqeje.

Mund të jetë Agharti,

i mistershmi i templarëve apogjej,

që bëjnë të rrënqethet globin,

përthajnë detet,

e trasformojnë brigjet

në hekatombë të shpirtrave oqeanike?  

Ndoshta, por si Aksel zhylvernian nuk shquhem

e që tash ma merr frymën

shkretëtira Domineddio.

Mund të jetë Konfuci,

i vyeri mërgimtar

në gjah të përjetshëm mecenatësh?

Ndoshta,

por s’mund të jetë e besueshme,

ngaqë nuk rrodhi kurrë gjak i mirë

midis meje e sovranëve.

Mund të jetë Torah Shebiktav,

por nuk ndihem një Elohim;

as i Pastri, as Krijuesi, as i Plotfuqishmi;

nuk më gjen asgjë hyjnore

si Havajahut;

jam fare pak  zotëri,

hiç padron,

prandaj nuk mund të jem as edhe Adonai.

Mund të jetë instikti që shpie drejt Mekës…

por Xhebraili nuk më ndjell,

larg më përlpas,

atje ku pemët nuk flasin

dhe shkëmbinjtë nuk ulërijnë

vajtimin e të vdekurave akullnaja.

Mund të jetë katekizmi që më katapulton

në karakterin e Betlemit,       

por kozmosi

i yjeve kometa

më vjell nëpër terr,

si një ureolë

të padenjë për të shijuar naforën.  

Mund të jetë…

E ngul këmbë në shfletimin

e të të vërtetës doktrinë superiore,

e atelièsë të hekurishteve ekzesliastike,

të laboratorit makiavelik të zotave,

të buduarit të tejngopur të teksteve të shenjtë,

të dyqanit të rrymave jakobine,

të oficinës së lëvizjeve besëshkala,

të karakatinave të dhunuesve  subversivë

të tabuve…

…gjersa mjegulla e barbiturikut

nuk më zvarris

në rrëpirat vorbullore të plogështisë.

2.

I ngatërruar zgjohem pas gardhit të barkodëve

e nuk kam kohë të admiroj yllin

e gozhduar

mbi shtyllën elektrike,

qenin 

që pshurr lulishten publike,

borën vulgare 

të ndotur prej kripës.

Është mëngjes 

dhe i gëzohem  gazit të marmitave,

që më përplas pa mëshirë

ndër gjeratoret gri 

të rrethrrotullimeve ngatërrestare,

mbi fosilet e zogjve të murosur në hekurbeton,

të zhveshur prej erërave gojëqepura,

shurdhuar nga kolaudimi i xinxhirëve të tankeve,

mes “twisters”-ve të varrmihësve të kërrusur,

me lopatë e byrek në dorë,

në paradën e qivureve të zvjerdhura.

Dita?

Vështrim i turbullt prej djersës,

djersës,

djersës,

akoma djersës.

Dhe shpejt është mbrëmje 

– qerpikë gjysëm të kopsitur

të një filmi që më s’e kujtoj në të gdhirë.

Nata nuk ekziston,

nëmos ripërtypja e ditës 

të ngjizur nga Euriborë e Liborë bankarë

të pasurisë të prodhuar (për të tjerë).

Dhe është kaq shpejt

një mëngjes

i ri:

Hidhem prej çarçafit 

qepur me fatura e kambiale

për të vërshuar 

drejt shtegut ekskluziv

që imponon freri i bankave.

3.                                                                                                                                              

Për  ata që ashtu si unë 

nuk janë të shkathët kontornistë

gjenani, ju lutem, një mënyrë tjetër

për të mos mbetur kurrizshtrembër,

ndërsa kalojmë midis sharrës elektrike

të KREDISË       

dhe trapanos tinëzare

të KËSTEVE.

Jepnani një serum

që të mos mbesim të sharruar,

ofronani një dozë

për të mos mbetur të tejshpuar,

ndërkaq na përplasin

nga pikatorja e farmacistit

në peshoren e supermerkatos së huaj.

Tatuazhet tanë

– ca riga verticale të padeshifrueshme

që ngrihen mbi shpatulla numrash

dhe jemi të gatshëm të pësojmë breshëritë

e datalogic-ëve me lazer

në të gjitha fërtelet e mishit tonë të rëgjuar.

Çfarë zjarrmie

edhe për të mjerat meteorite

të hedhur me hobé në Galaktikën e Sporteleve Bankare

– nebulosa conquibus

kaq frymëmbytëse,

kaq stresuese,

kaq afërndenjëse,

kaq të largëta;

nxitje prerjevenash për të shumtit,

për dikë ëndër kroçere spaciale,

krematoriume të gjithndodhshëm

si semaforët:

të kuq për të shumtët,

të gjelbër për të paktët.

Obsteosarkoma që bren eshtrat

e atij që vihet në radhë për t’u rjepur,

e atij që tenton më kot të trafikojë krahët e rëgjuar;

e atij që shpreson të vërë në ankand fitimprurës trurin;

e asaj që shpreson të depozitojë mitrën e shkulur;

e atij që, duke mos pasur asgjë private,

hipotekon të bijën

– krijesë të rrugës;

e atij që shpreson t’i jepet besim prej ikonastasit

si psalltës i zoti apo si epitrop i mbarë;

e atij që është gati të vërë mbi peshore edhe testikujt

për një shpërblim të majmë afrodiziak;

e atij që e ndien që, edhe si kufomë,

mund të jetë jashtëqitur

prej hyjnores bamirësi të bankave.

…

…

26.

Dhe ja kopirajti felin i depozituar, me korrier djallin,

në faltoren e senduiçit universal:

Të jesh i mbijetuar,

nuk është e rastit,

është përqafimi logjik i jetës

dhe i fesë non optional globale:

jo vetëm e gazelës dhe e luanit,

jo vetëm e barit dhe e zjarrit,

jo vetëm e qenit dhe e vjedhësit,

jo vetëm e telekamerësë dhe e privatësisë,

jo vetëm e bankave guaza

që i hapen vetëm një Zoti të Stërholluar.

Që gjithcka në këtë mishmash ka një shpirt mistik:

të ndenjurat dhe poltrona,

Ferrari dhe Nasdaq,

Mib30 dhe picìnu mafioz,

disku i platinit dhe Mibtel,

Bombay Stock Exchange dhe lypësi i rremë,

llogarija rrjedhëse dhe auditori,

HIV dhe savana,

pema gjenealogjike dhe studioja ligjore,

lebra dhe bodrumi;

që dhe Unicum-i ka një shpirt,

si edhe përsosmëria prej kapitalit.

27.

Për tërbimin e djajve, pas vitesh pagjumësie,

e gjeta më në fund të uruarën faltore.

Braktis përgjithmonë mitet anakronike

për të pushuar më në fund nën një strehë paqësore.

Tempulli priftëror

– banka e lakmuar.

Stoli i përunjshëm për t’u falur

– përballë një sporteli bankar.

I Lartësishmi?

Gjithmonë i Njëjti,

quajeni nëse doni Atpërjetshmi Euro

ose më engjëllisht

Shën Dollar.

Le të lutemi, vëllezër,

përpara Zotit Tonë Matematik,

le t?i përulemi titanit bulldozer poshtë mjegullave,

i vetmi që livelon racat,

ideollogjitë,

dhe bën të skuqen prej turpit CIRA-t

dhe Al Qaeda-t.

Nuk shkon më të theremi me njeri-tjetrin

për pretekste të pjella nga templarët e gjorë,

jemi të gjithë bij të të njëjtit kult të vlershëm;

të Klerit Bankeizëm Botëror.

Mos jini kaq naïf, si unë, të përpiqeni

e të besoni akoma

në një tjetër droktrinë globale,

në një tjetër që nuk është Lekizmi

– stridhe që pjell perla prej kartës.

Mos jini kaq kokëtulë, si unë,

të besoni pambarimisht në një kozmos paralel

me këtë të qelburin 

që na poshtëron,

ku tempulli nuk i ka themelet mbi metoritet 

e ankthit monetar,

ku muzika nuk titullohet vetëm Euribor e Libor,

ku era nuk është vetëm

lëvizja e ajrit prej avionëve të luftës,

ku perëndimet nuk linden 

prej reaksionit të uraniumit të varfëruar,

ku Enti Suprem,

e Vetmja e Përhershme,

NënaVdekja

është Democraci e vërtetë…

Por prej lartësisë së obeliskut pigmè

më pëlcet timpanët

tellalli

prej web-it:

Shkoni, o njerëz, të zvarriteni

si horra të kënaqur,

të puthni duart e të të mëshirshmëve Godfathers,

t?u lëpini këmbët

administratorëve bankarë,

të gërvishni gjunjët në kllapi

drejt Vegimit Hyjnor,

nën kafkë të kamxhikoni të keqen,

e të inçizoni në shpinë gjarpërinj të gjakosur.

E përjetshme Lutja e Shenjtë qoftë:

Banka Jonë që je në Tokë… 

Filed Under: ESSE Tagged With: Barcodes-Codici a barre, Noe', Shpend Sollaku

KRYEBASHKIAKU DE BLASIO PARALAJMËROI NJUJORKEZËT PËR NJË JAVË SFIDUSE

March 23, 2020 by dgreca

Qytetet e New York-ut regjistruan këtë shkallë infeksioni: 3.621 të infektuar në Queens, 3,494 në Brooklyn, 2.572 në Manhattan,1.829 në Bronx, 817 në Staten Island/

Shteti i New York-ut është cilësuar si epiqendra e krizës së Coronavirusit, ndërsa NYC ka regjistruar 60 përqind të të gjithë rasteve të shtetit duke regjistruar 12.300 të rasteve të infektimeve dhe 99 të vdekur. Ne, tha De Blasio, jemi epiqendra e krizës.

Kryetari Bill de Blasio përgatiti Njujorkezët gjatë ditës së hënë për atë që ai tha se do të jetë një “javë sfiduese” në luftën kundër shpërthimit të koronavirusit.

Gjatë konferencës së tij të përditshme me gazetarët, de Blasio u shpreh se është koha që banorët të mësohen të jetojnë në një mënyrë që është “absolutisht e paparë  më parë në jetën tonë”.

Mjafton të themi, se tani të gjithë e kuptojmë plotësisht se çfarë po ndodh tha ai. 

 Ne jemi duke ndërmarrë çdo veprim të mundshëm si një qytet, duke punuar me qeverinë e shtetit , por edhe duke bashkëpunuar gjithnjë e më shumë me qeverinë federale për të adresuar këtë krizë. Po përpiqemi në çdo mënyrë për të ngadalësuar rritjen e kësaj sëmundjeje, për të ndihmuar të gjithë qytetarët në nevojë. 

De Blasio tha se numri i rasteve pozitive në qytet e New York-ut kishte arritë në 12,339 deri në mëngjesin e së hënës, përfshirë 99 vdekje.

Përshkallëzimin e të infektuarëve sipas qyteteve, kryebashkiaku e paraqiti kështu:

3.621 të infektuar në Queens

3,494 në Brooklyn

2.572 në Manhattan

1.829 në Bronx

817 në Staten Island

Kryetari i bashkisë komentoi: Askush nuk e dëshiron këtë situatë, as edhe një prej nesh, por është e vërtetë që ne jemi epiqendra e kësaj krize, dhe kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për më shumë ndihmë, veçanërisht nga qeveria jonë federale, për ta kaluar krizën.

Kryetari i bashkisë theksoi edhe një herë rëndësinë e qëndrimit në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur dhe, nëse duhet të dilni jashtë, të jeni vigjilentë për distancimin shoqëror, porositi ai.

Ndërsa qyteti punon për të rritur numrin e shtretërve, de Blasio bëri një turne në Spitalin Coler në ishullin Roosevelt më herët të hënën. Ai tha se Coler do të jetë në gjendje të trajtojë 100 shtretër të rinj këtë javë dhe 240 javën e ardhshme.

De Blasio foli me optimizëm për një spital të ri fushor në Javits Center:”Kjo është diçka absolutisht e rëndësishme. Ne jemi duke bërë presion që qeveria federale të sjellë gjithçka që ata kanë, çdo formë mbështetjeje, dhe të gjithë e vlerësojmë punën e madhe të Korpusit të Inxhinierëve të Ushtrisë. Kjo do të thotë 1.000 shtretër të rinj. Do të jetë jashtëzakonisht e dobishme, “tha de Blasio.

Kryebashkiaku informoi gjithashtu për nevojën e madhe të qytetit për furnizime mjekësore. Ai tha se kishte folë me Presidentin Donald Trump dhe Zëvendës Presidentin Mike Pence të dielën në mbrëmje, duke theksuar realitetin e përditshëm të asaj që përballen punëtorët e kujdesit shëndetësor. Si rezultat i këtyre diskutimeve, de Blasio tha se 400 ventilatorë nga rezervat federale janë duke ardhur për në New York City.”Nevoja jonë për ventilatorë është me mijëra, por ne do të luftojmë çdo ditë në betejë për ta përballuar atë. Ne do të jemi në një garë të vështirë kundër kohës, kështu që edhe 400 ventilatorë janë një hap i madh përpara për të na ndihmuar të kalojmë këtë javë dhe në tjetrën, tha de Blasio, duke shtuar se ai ishte” shumë mirënjohës për ndihmën e dhënë nga qeveria federale.

De Blasio foli me optimizëm edhe për rolin e ushtrisë: “Shpresa ime është se roli ushtarak do të vazhdojë të zgjerohet në ditët në vazhdim,” tha de Blasio, duke iu referuar nevojave në të gjithë vendin.

Kryebashkiaku tha se qyteti ka qenë furnizues kryesor dhe po i dërgon materialet jetike në spitalet publike dhe private, duke përfshirë 200,000 maska ​​N95, 2 milion maska ​​kirurgjikale dhe 70,000 mbrojtëse të fytyrës. Ai tha se ndihma shtesë po vjen nga shteti federal, përfshi: 430,000 maska ​​kirurgjikale, 170,000 maska ​​N95, 175,000 palë doreza, 98,000 mbrojtëse të fytyrës dhe 72,000 unifoma kirurgjikale.

De Blasio falënderoi gjithashtu kompanitë private si ASO Corp të Floridas për dërgimin e 600,000 dorezave vinyl, American Express për 36,000 maska ​​N95, Merc për 500,000 maska ​​kirurgjikale dhe një pjesë të vogël të kompanive vendase që vazhdojnë të prodhojnë dhjetëra mijëra mburoja të fytyrës.

E Hëna ishte dita e parë e zbatimit të urdhrit të “qëndrimit në shtëpi”. Klasat rifilluan për studentët e shkollave publike të Nju Jorkut të hënën, plotësisht online.(Pergatiti:Dalip Greca)

Filed Under: Featured Tagged With: Coronavirusi, dalip greca

KOSOVË-GJERMANI, BISEDË TELEFONIKE MERKEL-KURTI

March 23, 2020 by dgreca

-Njoftim i përbashkët për shtyp mbi telefonatën e Kancelares Angela Merkel me Kryeministrin Albin Kurti/

Prishtinë, 23 Mars 2020-Gazeta DIELLI/

Deklaratë e përbashkët e zëdhënësit të Qeverisë Federale, z. Steffen Seibert dhe atij të Qeverisë së Kosovës, z. Përparim Kryeziut:

Sot, gjatë ditës Kancelarja Angela Merkel dhe Kryeministri Albin Kurti patën një bisedë telefonike.

Gjatë bisedës ata shkëmbyen mendime për marrëdhëniet e ngushta bilaterale, përafrimin e reformave të Kosovës me Bashkimin Evropian, si dhe për situatën në rajon. Kancelarja Merkel i ofroi kryeministrit Kurti mbështetje në luftën kundër korrupsionit dhe programit të gjerë e ambicioz për reforma në vend. Në këtë kontekst, Republika Federale ofroi këshilla specifike nga ekspertë gjermanë.

U diskutua edhe për luftën ndaj virusit Korona. Kancelarja premtoi se do ta shqyrtojë mbështetjen ndaj Kosovës për trajtimin e kësaj krize.

Gjithashtu, u diskutua edhe mbi dialogun e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e po ashtu edhe për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina të vendosur në vitin 2018, nga qeveria e atëhershme. Kancelarja përshëndeti propozim-vendimin e kryeministrit kosovar për heqjen e plotë të tarifës pas datës 1 prill, kjo pas heqjes së tarifës për lëndën e parë në javën që shkoi. Ajo gjithashtu mbështeti një dialog, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili duhet të synojë heqjen e të gjitha pengesave tregtare jo-tarifore midis Serbisë dhe Kosovës.  Të dy besojnë se nuk duhet të ketë pengesa në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kancelarja dhe Kryeministri i Kosovës mbështesin rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi i këtij procesi mbetet arritja e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese që siguron normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe e cila i shërben popujve të të dy shteteve. 

Filed Under: Kronike Tagged With: bisedime online

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 674
  • 675
  • 676
  • 677
  • 678
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT