• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

STILI I GJYSHEVE DHE NËNAVE SHQIPTARE, PROMOVOHET SI MARKË SHQIPTARE NË NEW YORK

May 26, 2021 by dgreca

Regjizorja Arta Kallaba ka ndërmarrë në New York një nismë promovimi dhe shitjesh të veshjeve, stileve e traditës së vjetër shqiptare nga të gjitha viset dhe trevat e kombit tonë. Puna me dorë e bërë nga gjyshet dhe nënat shqiptare e trashëguar ndër vite si stil, mjeshtri, traditë dhe pasuri etnografike do të sillet si tendencë e veshjeve moderne. Promovimi i punës së dorës së bërë nga gjyshet dhe nënat shqiptare apo “Handmade” është një mundësi e shkëlqyer promovimi talentesh në punimet me dorë, si një mundësi punësimi për gratë dhe vajzat në trevat shqiptare, si një mundësi e ruajtjes së trashëgëmisë etnografike shqiptare, veshjeve, stilit, tendencave, traditës dhe mbi të gjitha veshjes origjinale të vjetër shqiptare. Një përqindje e fitimeve do të shkojnë për bamirësi.  

PUNA E DORËS, NJË MJESHTRI SHQIPTARE QË PO KTHEHET NË MARKË

Promovimi i punës së dorës apo “Handmade” është një mundësi e shkëlqyer promovimi talentesh në këtë fushë, si një mundësi punësimi për gratë dhe vajzat në trevat shqiptare, si një mundësi e ruajtjes së trashëgëmisë etnografike shqiptare, veshjeve, stilit, tendencave, traditës dhe mbi të gjitha veshjes origjinale të vjetër shqiptare. Ne si shqiptarë përveç se jemi popull i bukur, veshjen e kemi pasur gjithmonë karakteristike, shumë speciale që ka tërhequr gjithmonë studiuesit dhe stilistët e huaj. Kur kam vendosur të hap këtë biznes kanë qenë disa arsye që kam dashur ta bëj, e para se e dua punën e dorës, dhe gjithmonë e kam patur ëndërr ta modernizoj një ditë këtë gjë dhe të bëhet trend duke ruajtur kështu edhe trashëgëminë etnografike shqiptare. E dyta përmes këtij biznesi shumë gra të talentuara kanë mundësi ta shprehin veten dhe njëkohësisht kanë shumë nevojë për një pagë personale të tyre sepse shumica janë nga vendet rurale shqiptare ku kanë punuar gjithë jetën e tyre pa pagesë për familjarë të tyre ndoshta, dhe tani ndjehen shumë mirë që më në fund talenti i tyre paguhet dhe promovohet. E treta dhe më e rëndësishmja e këtij biznesi është se nga buxheti që fitohet brenda vitit një përqindje jepet donacion për familjet ë varfëra në Shqipëri dhe Kosovë. 

TENDENCAT DHE STILET NË KËTË LINJË MODE

Përmes kësaj linje të modës e cila është punë dore, dua të rikthej stilin e vjetër shqiptar që dikur gjyshet dhe nënat tona e bënin këtë punë dhe i thurnin veshjet për fëmijët e tyre, që për mua ka një vlerë të veçantë edhe sot, por që shumë pak e shoh nëpër botë të bëhet si trend ky produkt dhe kam vendosur të hap këtë biznes, të dizajnoj vetë këto veshje duke e futur modernen bashkë me motivet shqiptare, e që është një kombinim shumë i mirë stilesh dhe ngjyrash.

STRATEGJITË E MARKETINGUT

Për momentin nuk kam ndonjë strategji të veçantë marketingu ndoshta si të gjithë po përdor rrjetet sociale sidomos Instagramin dhe Facebook ku në faqen time në Istagram @arta.kallaba dhe Facebook ARTA KALLABA New York, publikoj veshjet dhe fatmirësisht Instagrami më ka aprovuar që blerësit të bëjnë blerje online përmes instagramit tim, si dhe miqtë e mi dashamirës që herë pas here më bëjnë marketing përmes rrjeteve të tyre sociale. Duke qenë një biznes i ri dhe në proces shtrirje e zgjerimi, më vonë do të rritet edhe fuqia e marketingut duke promovuar punën por mbi të gjitha motivet e veshjeve të vjetra shqiptare, artizanatin tonë të mrekullueshëm dhe punën duar artë të nënave e gjysheve tona, një stil dhe tëndencë e pëlqyer në çdo kohë. Kam një mirënjohje për Liridona Gjokaj, Fitore Sejdiu dhe Avdije Blakaj për ndihmën që më kanë dhënë në këtë rrugëtim.

FEMRAT SHQIPTARE ME DUAR TË ARTA

Në këtë rrjet biznesi bashkëpunëtoret e mia i kam gra e vajza të shkëlqyera që nga New Yorku e deri në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e krejt trevat shqiptare, të cilat janë mjeshtre të punimeve me dorë. Synimi i kësaj linje veshjes është mbi të gjitha promovimi i tendencave shqiptare të vjetra që kërkohen dhe në kohët moderne. Punonjëset shqiptare që furnizojnë këtë linje shitjesh me produktet e tyre janë gra të talentuara të cilat bëjnë mrekulli me duart e tyre duke mos harruar edhe punëtoret shqiptare që qëndisin nga New Yorku.

TENDENCAT DHE MODELET E VJETRA SHQIPTARE SI MARKË NË NEW YORK

Besoj se kjo do të vijë dalë e ngadalë, sigurisht se na duhet një marketing i fortë për të zgjeruar tregun dhe një marketing i fokusuar te njerëzit e famshëm dhe me ndikim e influencë në botën e spektaklit, medias, televizionit, kinematografisë, muzikës etj. Shumë personazhe publike shqiptare i kanë pranuar me shumë kënaqësi këto veshje dhe pritet kur të jetë sezoni dhe momenti i tyre që të afishojnë dhe të publikojnë diçka që kanë blerë në këtë industri veshjes me motive shqiptare. Ata kanë mbetur të mahnitur nga puna e veçantë e grave e vajzave në hapësirën shqiptare. Ka një tendencë të fortë që ndiqet nga pothuajse të gjithë ndjekësit e modës dhe jo vetëm: çdo veshje pëlqehet vetëm pas që e veshin, preferojnë apo reklamojmë njerëzit e famshëm. Ato kthehen në stil dhe tendencë menjëherë. Duam apo nuk duam njerëzit ndikon jashtëzakonisht shumë dhe vishen në bazë të asaj që i ndjekuri apo i pëlqyeri më i madh i tyre vishet. Stile që domosdoshmërisht përhapen në masë. Vihet re një tendencë tjetër që ka shumë njerëz që nuk duan ta dijnë fare se çfarë kanë veshur të tjerët, të famshëm apo të zakonshëm qofshin, ata thjeshtë e duan të mirën sepse në fund të fundit modë është ajo që na pëlqen.   

NJERËZIT BLEJNË SIPAS STINËS, NGJYRAVE DHE GJËNDJES EMOCIONALE

Si duket deri tani sapo e shoh unë ngjyrat po luajnë një rol shumë të vecantë për të qënë sa më tërheqës një produkt. Natyrisht është shumë e kuptueshme se pse edhe psikologjikisht ngjyrat ndikojnë shumë edhe në disponimin e njeriut. Ngjyrat e ndezuara janë ato që tani kanë qenë të targetuara më tepër. Blerjet dhe stilet shqiptare që po preferohen janë nga më të ndryshmet por momentalisht më shumë blerësit duan fustanët, por edhe këto Jumper/Coat prej leshi po pëlqehen shumë.

NDIKIMI I REGJIZURËS NË PROMOVIMIN E PUNËS SË DORËS

Pa dyshim që ka ndikuar shumë profesioni im i regjizores në fokusimin në këtë industri biznesi, stili dhe shërbimesh. Por edhe para se të merresha me regji, unë kam qenë shumë e dhënë pas veshjeve sidomos kam pas një interesim shumë të madh ndaj punës së dorës dhe kështu e kam mësuar ta bëjë edhe vetë. Në teatër pastaj duke lexuar dramën gjihtmonë duhet ta shohësh fotografinë se si duhet të duken këta personazhe, sigurisht më në detaje merret pastaj kostumografi apo kostumografja por edhe ne si regjisorë kërkojmë pak a shumë atë që e duam për shfaqjen. Arti më ka mbushur më me ide, me shpirt dhe me dritë. Gjithmonë jam në kërkim të kapjes së elementeve dhe tendencave që ka preferencë dhe dëshirë publiku im. 

Filed Under: Featured Tagged With: Arta Kallaba, promovon

Këshillë për Demokratët: Harxhoni energji për unifikimin…

May 25, 2021 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Gjatë fushatës së fundit, kur pyesje lart e poshtë për Agron Shehajn, të thoshin, oh ai do fitoj. Me atë e kemi të sigurt iks zonë elektorale etj. Sot që ai kandidon, e quajnë mosmirënjohës. O shokë, boll me përbaltje. Në fund të fundit edhe Agron Shehaj është demokrat, madje fitues i madh. Ka të drejtë të kandidoj? Duhet ta keni si model të së djathtës, veproni e respektojeni po ashtu siç edhe vepruat gjatë fushatës. Madje jo vetëm ky Agroni, por edhe ndonjë deputet tjetër që theu herësin e votave, siç është rasti i Luçiano Boçit në Elbasan, të ofrohet e të kandidoj. Më të votuarit duhet të kandidojnë, kaq dhe thjesht. Të tjerat janë si t’i nxirrni sytë vetes. Luli nuk ka përse ta ketë të vështirë t’i pranoj. Duhet ta kuptoni, ai i pari që ashtu si tek sportistët edhe në politikë ka një cikël që mbaron gjithmonë. Ndaj mos përbaltni Agron Shehajn por të shqetësoheni për përjashtimet brutale, për rregullat e lojës me teza absurde ke bërë ao nuk ke bërë fushatë. Kjo që po ndodh sot tek e djathta, nuk i shërben vetëm asaj, por kultivimit në përgjithësi të demokracisë shqiptare.  E majta u bë një model i Llukashenkos, të paktën të mos bëhet e djathta. Nëse në Minskun e lodhur Llukashenko del me kallashnikov në dorë, Edi Rama ju ka mbytur me propogandën. E kam fjalën për garën plot konkurencë. Nëse aty do zhvillohet një garë plot konkurencë, fiton edhe demokracia shqiptare. Sot të gjithë ata që ishin në listat e Lulit e quajnë mosmirënjohës Agronin. Sepse gjoja Luli e ka vendosur dy herë të kandidoj. Kjo tregon se sa e ashpër është lufta brenda një force. Zakonisht kjo ndodh kur aty fuqizohen klanet dhe vritet statuti. Aq sa të vjen pështirë kur shikon se si një figurë deformon ato pak radhë, madje bën shtojca nenesh si e si t’i bëhet krah kryetarit aktual. Mendoje pastaj se çfarë mund t’i bëj ky person Kushtetutës së vendit. Epoka e Lulit mbaroi. Mirë do bënte të hapte krahun. Nuk e bëri, është një përgjegjësi personale e tij. Pretendimet për vjedhjen e zgjedhjeve, masakrimin e votës etj., janë humbje kohë. E para sepse si KAS apo çfarë institucioni tjetër gjoja gjykatës i zgjedhjeve, janë me anëtarë të dominuar nga shumica. Çfarë prisni që ata të varin veten? Tek ne nuk ka linduar akoma nëpunësi i statutit civil, i kemi me shumicë ata të teserës së partisë. E dyta edhe sikur të vërtetohen vjedhjet, rezultati nuk ndryshon. Shikojeni humbjen në sy dhe pranojeni. Ajo zuri fill që tek ulja e bërja gjoja e reformës zgjedhore me Damian Gjiknurin. Tjetra tek mos menaxhimi i duhur i vendimeve të forta, si djegia e mandateve. Kur them të forta kam parasysh, o shkoi deri në fund e flijohu, o hap krahun. Luli shkiste. Vendim i fortë ishte dhe mosfutja në zgjedhjet lokale 2019. Por me një përfundim pa bythë. Protestave në mbarë vendin Luli u hodhi kova me ujë duke u thënë që shihemi në shtator.  Vetëm Lulzim Basha çon me pushime protestuesit. Dhe mos të harrojmë, i gjithë mandatati i dytë i Edi Ramës, ishte një krizë edhe sociale. Dimri i ashpër i studentëve 2019-2020, fermerëve etj., që kurrë nuk ngjitën me opozitën për shkak të emrave të përfolur në krye të saj. Duket se një vend i tërë është marrë peng pikërisht për shkak të këtyre emrave. Një propogandë e tërë i ka vënë poshtë sot shqiptarët, aq sa studiot e tyre japin debatet në konfliktin e gadishullit palestinez. Çështjen non grata të Sali Berishës…, madje këtu, u duhet thënë të majtëve t’i ruajnë argumentat e shumta që kanë karshi Berishës, edhe kur të dëgjojnë emrin Edi Ramës. Të mos harrojnë, vet Edi Rama për ish kryetarin e Bashkisë së Durrësit kur u shpalla non grata (2019) tha, që, nuk më intereson fare mendimi i DASH-it, ky person është miku im. Të vjen të vjellësh kur shikon e dëgjon analistët e majtë që merren me lëvizjen brenda të djathtës. Ndërkohë një tip Llukashenko pret shirita banesash me fondet e Bashkimit Europian. Mbaroi epoka e Lulit, me sukses vetëm humbje. Një emër i ri, i bën më shumë se mirë së djathtës pastaj vendit. Një studio e tërë mbrëmë shfrynte me pyetje të panevojshme si, a do shpallësh Sorosin non grata? Të djathtëve më parë se Sorosi u duhet një plan program riunifikimi, një plan program për shqiptarët, të tjerat zbythen vetiu. A do i dalësh në krah Sali Berishës? Sali Berisha është sot tabela më haraçin më të lartë për të djathtën. Këtë më mirë se të djathtët e di ai, Edi Rama, ndaj studiot e tij merren me gjoja krimet e Sali Berishës. Kjo është absurde, pasi në Shqipëri, akoma nuk janë shpaguar krimet e komunizmit. Ose ca pyetje idjote si, e vërtetë që gjatë fushatës punove për emrin tënd? Absurditet…, paçim sa më shumë të tillë që punojnë për emrin e tyre në nja garë elektorale. Se do i shikoni rezultatet. E djathta duhet me domosdo të përqëndrohet tek vetja. E gjitha duhet të jetë një fair-play. Agroni rezulton se është i dyti më i votuari. Megjithëse në raport me titullarin që humbet zgjedhjet, i bie të jetë më i miri. Kurse ju e quani mosmirënjohës. Në fakt është më i miri. Dhe si i tillë duhet të jetë krenaria juaj, jo ta përbaltni!

Filed Under: Opinion Tagged With: Harxhoni energji, Ilir Levonja, UNIFIKIM

PËRMETI DHE BUKURITË MAHNITËSE TË VJOSËS

May 25, 2021 by dgreca

Dritan Zaimi, ekspert i turizmit dhe eksplorues, rrëfen ekskluzivisht per gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, bukuritë mahnitëse të Përmetit, Luginën e Vjosës me lulet dhe trëndafilat, Urën e Katiut një magjepsje natyrore, Kanionin e Lengaricës si një bukuri e thiktë dhe Banjat e Bënjës perlat e mrekullueshme të natyrës. Me Dritan Zaimi bashkëbisedoi gazetari i DIELLIT Sokol Paja. 

PËRMETI DHE BUKURITË E TIJ TË PAFUNDME 

Udhëtimi ynë është gjithmonë i veçantë, sot do përjetojmë një gërshetim të mrekullueshëm të bukurive natyrore me ato sociale e kulturore. Do të vizitojmë një zonë që i ka dhënë shumë kulturës dhe gjuhës tonë por është edhe simbol më vete i mikpritjes. Gati, gati, ka vendosur markën e vet në lëmin e gatimit. Hë pra, a ju afruat sado pak? Atëherë po ju servir edhe ndihmën e fundit, në hyrje të këtij qyteti, ju do të lexoni me të mëdha një parrullë të tillë: PËRVEÇ DETIT, KEMI GJITHÇKA TJETËR. Po pra, sot do të vizitojmë Përmetin dhe bukuritë e pafundme të tij, kulturën dhe njerëzit e mrekullueshëm që investojnë dhe e mbajnë gjatë këtë traditë nga brezi në brez. Përmeti, qyteti që njihet ndryshe si qyteti i trëndafilave, me simbolin e Gurit në qëndër të tij. 

PËRMETI I TË MËDHENJVE LAVER BARIU E MENTOR XHEMALI

Qyteti (zona) ku lindën, u frymëzuan dhe krijuan një plejadë brilante e rilindasve tanë. Përmeti, vendlindja e vëllezërve Frashëri, frymëzimi nga ku lindi poema “Bagëti e Bujqësi”, “Gjuha jonë” etj. Përmeti i sazeve dhe i të madhit Laver Bariu apo tenorit të pavdekshëm Mentor Xhemali. Fjalë, melodi e zëra të ëmbël ashtu siç është edhe ëmbëlsia e glikove të pakrahasueshme të duarartave përmetare. Por që padashur ta nis me kritika, meqënëse ra fjala tek parrulla e mësipërme, dashamirësisht ju kërkoj ta hiqni, nuk është as etike as strategjike ti thuash dikujt direkt, aq më shumë mysafirit në turizëm, se çfarë të mungon, pastaj, ki parasysh s’ke pse i tregon dikujt pikën tënde të dobët, le ta gjej vetë po deshi. (Batuta nga filmi “Dy here Mat”). 

Por nëse ju ka ngel kaq shumë meraku tek deti, atëherë unë ju propozoj parrullën si më poshtë: 

Në përmet, nuk ke nevojë për det që të ndihesh mbret! Më duhet ta bëja këtë kritikë e sqarim të shkurtër, pasi ky është edhe qëllimi i reportazheve, shkrimeve apo i analizave të mia, të eksplorojë, të promovojë, të ndërgjegjësojë  por edhe të rekomandojë kur konstatoj që diçka mund të bëhet më mirë. 

LUGINA E VJOSËS, LULET, GURI DHE TRËNDAFILAT

Por, le ti kthehemi Përmetit. Qyteti i bukur i Përmetit shtrihet në luginën e Lumit Vjosë dhe përveç trëndafilave, luleve dhe harmonizimin e gjelbërimit me ngjyrat e kaltra të këtij lumi, është i pangatërrueshëm edhe për simbolin e tij të veçantë në mes të qytetit, Gurin e madh, i cili qëndron në këmbë si një fortesë e ngritur nga mema natyrë për të treguar besëlidhjen midis natyrës dhe njeriut, simbolit të vazhdimësisë dhe jetës pasi guri nuk përfaqëson vetëm qëndresë por është edhe një material i rëndësishëm ndërtimi për shtëpitë, urat dhe kalldrëmet e zonës. E ndërsa jeni në Përmet mos harroni të vizitoni punishten e glikove. Për të shijuar më shumë ngjyrat e lumit Vjosës ne i afrohemi Grykës së Këlcyrës ku shtrati ngushtohet dhe ngjyrat e kaltra theksohen ndërsa lumi zbret ngadalë e qetë dhe trazohet nga burimet e shuma që zbresin në formë ujvarash duke pasuruar koloritin me bardhësine e tyrë. Por padiskutim, konaku i pritjes, “oda” më e mirë për të pritur e gostitur miqtë janë Banjat e Bënjës, ku mund të shijojmë pamjet e mrekullueshme të ujrave të Lumit të Lengaricës, të sodisim Urën e gurtë të Katiut, të eksplorojmë Kanionin e Lengaricës e më pas të qetësohemi në ujrat termale të Bënjes.

URA E KATIUT, MAGJEPSJE ARKITEKTURORE

Ura e Katiut, është ndërtuar në vitin 1700 dhe dallon për kompozimin e veçantë. Ajo është e ndërtuar prej guri dhe shtruar me kalldrëm nga lart, ka shtatë harqe dhe është e gjatë diku tek tridhjetë metra gjatësi. Ndërtimi me harqe të kujton shumë ura të tjera në Shqipëri si ajo e Grabovës së Sipërme në Gramsh por edhe Urën e Tabakëve në Tiranë etj. Prej shumë vitesh monument kulture, kjo urë është kthyer së fundmi në një pasarelë të vërtetë mode ku askush nuk reziston së bëri foto aty apo me atë në sfond.

KANIONI I LENGARICËS, NJË BUKURI E THIKTË

Kanioni i Lengaricës e merr emrin nga Lumi i Lengaricës që është një ndër degët më furnizuese të Lumit Vjosë. Shpeshherë edhe i rrëmbyeshëm, në brëndësi të kanionit do të zbulosh formacione teje të bukura që ngrihen thikë mbi kanion. Ujrat brenda kanionit janë të ftohta por ky është një shqetësim i vogël duke patur parasysh se përgjatë kanionit kemi vaska të shumta natyrore me ujra termalë e për më tepër sapo dalim nga kanioni në kthim, ruajmë embelsirën për në fund, për të shijuar me nge Banjat e Bënjës. 

BANJAT E BËNJËS PERLA TË MREKULLUESHME TË NATYRËS

Banjat e Bënjës ishin të njohura që në antikitet. Perla të mrekullueshme të cilat natyra i ofron me shumicë në Përmet dhe madje falas. Janë disa vaska të tilla me ujë sulfuror veshur në ngjyrë të kaltër ku humbet tejdukshmëria dhe temperatura arrin 26-27 gradë celsius, e qëndrueshme dimër, verë. Ashtu sikur ka, edhe vaska të tjera, të cilat ruajnë pastërtinë dhe tejdukshmërinë e ujit siç është ajo direkt në krahë të majtë të urës. Padyshim që vaska më e parapëlqyer është ajo më e madhja në formë rrethore ku ujrat që dalin nga muri prej guri krijojnë një bukuri të rrallë. Këtu vërtet e ndjen veten mbret, dhe as nuk ta ndien fare për të qënë në det. Vaska të ngrohta dimër a verë, ku mund edhe të kurohesh nga sëmundje të lëkurës, stomakut apo rehumatizmës, ku mund të marresh me vete një gotë verë apo shampanjë dhe komoditeti nuk do ti linte mangut as xhakuzit në hotelin më luksos.  

Filed Under: Histori Tagged With: Permeti, Sokol Paja, Vjosa

Paradokse nga e sotmja

May 25, 2021 by dgreca

NGA ASTRIT LULUSHI/Në demokraci me pak njerëz të mirë, të këqinjt janë shumicë. Të ikurve në vende të lira u është krijuar një ministrit, por nuk kanë të drejtë të votojnë. Ata kanë mbetur si dikur, ‘pa triskë fronti’; kufijtë ditën e zgjedhjeve qeveria i mbyll për emigrantët, të sëmurët me Covid nuk i lejon t’u afrohen qendrave të votimit. Vetëm ata që janë brenda territorit, si dhe të burgosurit votojnë. Prej zgjedhjeve të tilla dihet se çfarë qeverie del, dhe çfarë kuvendi. 
I gjithë qëllimi i politikës sot është të mbajë të alarmuar popullsinë (dhe kështu me lavdi ta çojë atë në siguri) duke e frikësuar me një seri të pafund rreziqesh, të gjitha imagjinare. Propagandë. Kjo teknikë është përdorur nga sundimtarët. Kombi i njerëzve pa Guxim ka vetëm një fat, të presë, sepse nga qeveria vjen shpëtimi. Kështu do ajo që populli të mendojë. Covid-19, dhe vaksinat që dalin e i presin çdo ditë në aeroport. Thjesht, vazhdon e vazhdon e vazhdon, veçanërisht tani që vendi qeveriset pa program, por vetëm me mesazhe e pamje me drone në FB. 
Dhe nëse nuk mund të presësh mjaftueshëm që ndonjë protestë të ndizet, bëje vetë, atëherë mund të thuash, ‘hej, plasi dhuna – duhet të bëjmë diçka!’ Dhe bën atë që doje të bëje duke përdorur justifikimin se nuk do të ndodhë kurrë më…por do të ndodhë kur të vendosësh të bllokosh aeroportin.
Flamuj alarmi të rremë – historia është e mbushur me ta. Njerëzit besuan në këto qeveri për 30 vjet. Por ishte besim i çimentuar nga diktatura e mëparëshme që i kishte bërë njerëzit ta quanin derrin dajë. Ata përshtaten me të gjithë alarmistët. Teoritë e konspiracionit mund të jenë argëtuese, sepse krijojnë një ndjenjë aventureske dhe mbase epërsie. Por të gjitha bien vetëm me pak analizë. Kurdoherë që ndjen dëshirën për t’u entuziazmuar kontrollo veten dhe mendo për gjërat e tjera të ngjashme që kanë ardhur dhe kanë ikur me kalimin e kohës, për të gjetur se asnjë nuk është më, të gjitha mungojnë. Njeriu, thotë një fjalë e urtë, gjithmonë ka dy arsye për atë që bën – një e mirë dhe një e vërtetë. Ka gjasa ndonjëherë që arsyeja e mirë dhe arsyeja e vërtetë të jenë e njëjta. Kjo mund të ketë ndodhur thjesht rastësisht, por jo mes politikanëve.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Paradokse nga e Sotmja

Kalendar Historik- Sot,175-vjetori i lindjes së Naim Frashërit (1846-1900)-

May 25, 2021 by dgreca

175-vjetori i lindjes së Naim Frashërit (1846-1900)- Naim Frashëri lindi në Frashër të Dangëllisë së Përmetit më 25 maj 1846. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku ndoqi gjimnazin “Zosimea”. Mbas kthimit në vendlindje, ai bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve, por edhe persisht, në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi në vitit 1885.Naim Frashëri mori pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare në Frashër (1878). Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare dhe për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”.Ai botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat dhe përkthime. Veprat e tij më të shquara janë “Bagëti e Bujqësija” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” (1890), poema epike “Istori e Skënderbeut” (1898), lirikat në persisht “Ëndërrime” si dhe poemat në gjuhën greke “O alithis pothos ton Skyperaton” (Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, 1886), etj..Naim Frashëri vdiq në Stamboll më 20 tetor 1900.(Kortezi:Instituti Lumo Skendo)

Filed Under: Histori Tagged With: 175 Vjet nga Lindja, Naim Frasheri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT