Dritan Zaimi, ekspert i turizmit dhe eksplorues, rrëfen ekskluzivisht per gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, bukuritë mahnitëse të Përmetit, Luginën e Vjosës me lulet dhe trëndafilat, Urën e Katiut një magjepsje natyrore, Kanionin e Lengaricës si një bukuri e thiktë dhe Banjat e Bënjës perlat e mrekullueshme të natyrës. Me Dritan Zaimi bashkëbisedoi gazetari i DIELLIT Sokol Paja.
PËRMETI DHE BUKURITË E TIJ TË PAFUNDME
Udhëtimi ynë është gjithmonë i veçantë, sot do përjetojmë një gërshetim të mrekullueshëm të bukurive natyrore me ato sociale e kulturore. Do të vizitojmë një zonë që i ka dhënë shumë kulturës dhe gjuhës tonë por është edhe simbol më vete i mikpritjes. Gati, gati, ka vendosur markën e vet në lëmin e gatimit. Hë pra, a ju afruat sado pak? Atëherë po ju servir edhe ndihmën e fundit, në hyrje të këtij qyteti, ju do të lexoni me të mëdha një parrullë të tillë: PËRVEÇ DETIT, KEMI GJITHÇKA TJETËR. Po pra, sot do të vizitojmë Përmetin dhe bukuritë e pafundme të tij, kulturën dhe njerëzit e mrekullueshëm që investojnë dhe e mbajnë gjatë këtë traditë nga brezi në brez. Përmeti, qyteti që njihet ndryshe si qyteti i trëndafilave, me simbolin e Gurit në qëndër të tij.
PËRMETI I TË MËDHENJVE LAVER BARIU E MENTOR XHEMALI
Qyteti (zona) ku lindën, u frymëzuan dhe krijuan një plejadë brilante e rilindasve tanë. Përmeti, vendlindja e vëllezërve Frashëri, frymëzimi nga ku lindi poema “Bagëti e Bujqësi”, “Gjuha jonë” etj. Përmeti i sazeve dhe i të madhit Laver Bariu apo tenorit të pavdekshëm Mentor Xhemali. Fjalë, melodi e zëra të ëmbël ashtu siç është edhe ëmbëlsia e glikove të pakrahasueshme të duarartave përmetare. Por që padashur ta nis me kritika, meqënëse ra fjala tek parrulla e mësipërme, dashamirësisht ju kërkoj ta hiqni, nuk është as etike as strategjike ti thuash dikujt direkt, aq më shumë mysafirit në turizëm, se çfarë të mungon, pastaj, ki parasysh s’ke pse i tregon dikujt pikën tënde të dobët, le ta gjej vetë po deshi. (Batuta nga filmi “Dy here Mat”).
Por nëse ju ka ngel kaq shumë meraku tek deti, atëherë unë ju propozoj parrullën si më poshtë:
Në përmet, nuk ke nevojë për det që të ndihesh mbret! Më duhet ta bëja këtë kritikë e sqarim të shkurtër, pasi ky është edhe qëllimi i reportazheve, shkrimeve apo i analizave të mia, të eksplorojë, të promovojë, të ndërgjegjësojë por edhe të rekomandojë kur konstatoj që diçka mund të bëhet më mirë.
LUGINA E VJOSËS, LULET, GURI DHE TRËNDAFILAT
Por, le ti kthehemi Përmetit. Qyteti i bukur i Përmetit shtrihet në luginën e Lumit Vjosë dhe përveç trëndafilave, luleve dhe harmonizimin e gjelbërimit me ngjyrat e kaltra të këtij lumi, është i pangatërrueshëm edhe për simbolin e tij të veçantë në mes të qytetit, Gurin e madh, i cili qëndron në këmbë si një fortesë e ngritur nga mema natyrë për të treguar besëlidhjen midis natyrës dhe njeriut, simbolit të vazhdimësisë dhe jetës pasi guri nuk përfaqëson vetëm qëndresë por është edhe një material i rëndësishëm ndërtimi për shtëpitë, urat dhe kalldrëmet e zonës. E ndërsa jeni në Përmet mos harroni të vizitoni punishten e glikove. Për të shijuar më shumë ngjyrat e lumit Vjosës ne i afrohemi Grykës së Këlcyrës ku shtrati ngushtohet dhe ngjyrat e kaltra theksohen ndërsa lumi zbret ngadalë e qetë dhe trazohet nga burimet e shuma që zbresin në formë ujvarash duke pasuruar koloritin me bardhësine e tyrë. Por padiskutim, konaku i pritjes, “oda” më e mirë për të pritur e gostitur miqtë janë Banjat e Bënjës, ku mund të shijojmë pamjet e mrekullueshme të ujrave të Lumit të Lengaricës, të sodisim Urën e gurtë të Katiut, të eksplorojmë Kanionin e Lengaricës e më pas të qetësohemi në ujrat termale të Bënjes.
URA E KATIUT, MAGJEPSJE ARKITEKTURORE
Ura e Katiut, është ndërtuar në vitin 1700 dhe dallon për kompozimin e veçantë. Ajo është e ndërtuar prej guri dhe shtruar me kalldrëm nga lart, ka shtatë harqe dhe është e gjatë diku tek tridhjetë metra gjatësi. Ndërtimi me harqe të kujton shumë ura të tjera në Shqipëri si ajo e Grabovës së Sipërme në Gramsh por edhe Urën e Tabakëve në Tiranë etj. Prej shumë vitesh monument kulture, kjo urë është kthyer së fundmi në një pasarelë të vërtetë mode ku askush nuk reziston së bëri foto aty apo me atë në sfond.
KANIONI I LENGARICËS, NJË BUKURI E THIKTË
Kanioni i Lengaricës e merr emrin nga Lumi i Lengaricës që është një ndër degët më furnizuese të Lumit Vjosë. Shpeshherë edhe i rrëmbyeshëm, në brëndësi të kanionit do të zbulosh formacione teje të bukura që ngrihen thikë mbi kanion. Ujrat brenda kanionit janë të ftohta por ky është një shqetësim i vogël duke patur parasysh se përgjatë kanionit kemi vaska të shumta natyrore me ujra termalë e për më tepër sapo dalim nga kanioni në kthim, ruajmë embelsirën për në fund, për të shijuar me nge Banjat e Bënjës.
BANJAT E BËNJËS PERLA TË MREKULLUESHME TË NATYRËS
Banjat e Bënjës ishin të njohura që në antikitet. Perla të mrekullueshme të cilat natyra i ofron me shumicë në Përmet dhe madje falas. Janë disa vaska të tilla me ujë sulfuror veshur në ngjyrë të kaltër ku humbet tejdukshmëria dhe temperatura arrin 26-27 gradë celsius, e qëndrueshme dimër, verë. Ashtu sikur ka, edhe vaska të tjera, të cilat ruajnë pastërtinë dhe tejdukshmërinë e ujit siç është ajo direkt në krahë të majtë të urës. Padyshim që vaska më e parapëlqyer është ajo më e madhja në formë rrethore ku ujrat që dalin nga muri prej guri krijojnë një bukuri të rrallë. Këtu vërtet e ndjen veten mbret, dhe as nuk ta ndien fare për të qënë në det. Vaska të ngrohta dimër a verë, ku mund edhe të kurohesh nga sëmundje të lëkurës, stomakut apo rehumatizmës, ku mund të marresh me vete një gotë verë apo shampanjë dhe komoditeti nuk do ti linte mangut as xhakuzit në hotelin më luksos.