



Intervistoi: Sokol Paja/
Si lindi idea që të hapni shkollën tuaj të pianos “European Piano Academy” dhe çfarë përfaqëson ky hap në rrugëtimin tuaj artistik dhe profesional?
Ideja lindi natyrshëm nga rrugëtimi im si pianiste dhe pedagoge, por edhe nga formimi im në Pragë. Studimet dhe përvoja ime në një ambient artistik europian më kanë dhënë një qasje shumë të thellë dhe të strukturuar ndaj muzikës. Jeta në Europë, shpeshherë, të jep ndjesinë sikur je pjesë e një filmi, si të ishte një epokë tjetër, ku arti dhe tradita janë të pranishme në çdo detaj të përditshmërisë. European Piano Academy është një mënyrë për të sjellë këtë frymë dhe standard këtu në Los Gatos, Kaliforni. Kalimi nga ajo botë artistike në jetën në Silicon Valley, ku lind dhe zhvillohet teknologjia, robotika dhe avancimet që deri para pak vitesh dukeshin të pamundura, ka qenë një kontrast shumë i fortë, por edhe shumë frymëzues për mua. Për mua, ky hap përfaqëson jo vetëm një arritje profesionale, por një mision: të ndërtoj një urë mes traditës europiane të muzikës klasike dhe brezit të ri këtu. Kjo ide është reflektuar edhe në logon e akademisë, ku ndërthuren Ura e Karlit në Pragë dhe Golden Gate në San Francisco. Urat, në thelb, shërbejnë për të lidhur botë që përndryshe do të qëndronin të ndara. Në këtë rast, këto ura përfaqësojnë lidhjen mes Europës dhe Amerikës, mes traditës dhe modernes, mes edukimit klasik dhe jetës bashkëkohore. Përmes muzikës, këto lidhje bëhen të gjalla dhe krijojnë një hapësirë ku arti bashkon njerëzit në mënyrë natyrshme dhe të qëndrueshme.
Cilat ishin emocionet, pjesëmarrësit dhe çfarë e bëri të veçantë ceremoninë e hapjes?
Ceremonia e hapjes ishte një moment shumë emocional dhe i mbushur me mirënjohje. Ishte kulmimi i këtij rrugëtimi deri tani, por njëkohësisht edhe fillimi i një kapitulli të ri shumë të rëndësishëm për mua. Në këtë ditë të veçantë pata kënaqësinë të kem pranë familjarë, miq, nxënës dhe anëtarë të komunitetit, të cilët e bënë atmosferën jashtëzakonisht të ngrohtë dhe mbështetëse. Prania e Kryetarit të Bashkisë së Los Gatos ishte një nder i veçantë për këtë moment, dhe vlerësimi me një certifikatë mirënjohjeje i dha edhe më shumë domethënie kësaj dite. Gjithashtu, ceremonia e prerjes së shiritit (ribbon cutting) i dha një simbolikë të bukur këtij fillimi — një moment që do të mbetet gjatë në kujtesën time.
A do jetë kjo një mundësi për fëmijët shqiptarë për të zhvilluar talentin e tyre në fushën e muzikës?
Absolutisht po. Një nga qëllimet e mia më të mëdha është që kjo shkollë të jetë një mundësi reale për fëmijët shqiptarë dhe për të gjithë studentët që duan të zhvillojnë talentin e tyre në muzikë. Muzika klasike ka lindur dhe është formësuar në Europë, dhe fakti që unë vij nga ajo traditë, jam rritur dhe kam studiuar atje, është një pjesë që nuk mund të ndahet nga identiteti im artistik. Ajo përvojë më ka formuar thellësisht, jo vetëm si muzikante, por edhe si njeri, duke më mësuar disiplinën, ndjeshmërinë dhe respektin për artin. Përmes kësaj akademie, dua të sjell këtë frymë dhe këtë standard, duke u dhënë studentëve një bazë të fortë dhe një perspektivë më të gjerë artistike që i ndihmon të rriten në çdo aspekt.
Çfarë vizioni keni për shkollën tuaj të pianos? Si do funksionojë organizimi? Çfarë do mësohet?
Vizioni im është të krijoj një akademi ku disiplina dhe eleganca e shkollës europiane ndërthuren me një qasje moderne dhe të personalizuar për çdo student. Programi është i strukturuar sipas niveleve dhe moshave, duke përfshirë teknikën e pianos, leximin muzikor, interpretimin dhe zhvillimin e dëgjimit muzikor. Akademia është e hapur për të gjitha moshat, nga fëmijët që lidhen për herë të parë me botën e muzikës klasike, deri tek të rriturit që rikthehen te pianoja ose e zbulojnë atë për herë të parë. Aktualisht, diapazoni i studentëve që më ndjekin varion nga 5 deri në 70 vjeç. Kam kënaqësinë të punoj si me studentë të vegjël, ashtu edhe me profesionistë të rinj që punojnë në kompani të mëdha në Silicon Valley, të cilët gjejnë kohë për t’iu rikthyer muzikës. Për mua si pedagoge, është po aq frymëzuese t’i udhëheq në këtë rrugëtim qoftë duke realizuar ëndrrën për të luajtur këngët e tyre të preferuara, apo duke krijuar momente të vogla, por shumë të veçanta për familjet e tyre. Një element shumë i rëndësishëm është edhe përvoja në skenë. Përmes koncerteve, recitaleve dhe aktiviteteve artistike, studentët zhvillojnë vetëbesimin dhe aftësinë për të performuar. Muzika mbetet një hapësirë e bukur për t’u shprehur, për t’u çlodhur dhe për t’u lidhur me të tjerët. Një art që na formon dhe i jep thellësi jetës sonë të përditshme.
Cilat janë vlerat dhe parimet kryesore që synoni t’u përcillni nxënësve përmes edukimit muzikor?
Përveç aftësive teknike, për mua është shumë e rëndësishme të përcjell vlera si përkushtimi, disiplina, durimi dhe respekti për artin. Këto janë elemente thelbësore në formimin e çdo artisti, por edhe të çdo individi. Në të njëjtën kohë, muzika nuk është vetëm një përvojë emocionale apo artistike. Studimet shkencore tregojnë se edukimi muzikor ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e trurit, duke përmirësuar kujtesën, përqendrimin, koordinimin dhe aftësinë për të menduar në mënyrë më të strukturuar. Për shembull, kërkimet kanë treguar se fëmijët që studiojnë një instrument zhvillojnë më shpejt lidhjet mes dy hemisferave të trurit dhe përfitojnë edhe në fusha si gjuha dhe matematika. Për këtë arsye, për mua është shumë e rëndësishme që studentët dhe prindërit ta kuptojnë se muzika nuk është vetëm një pasion, por një investim i vërtetë në zhvillimin e tyre artistik, intelektual dhe njerëzor.
Cila është thirrja juaj për komunitetin shqiptar në Kaliforni për të mbështetur këtë nismë edukative, kulturore e komunitare?
Më shumë sesa një thirrje, do ta quaja një ftesë të hapur për komunitetin tonë. Kjo shkollë është krijuar me shumë dashuri dhe me dëshirën për të ndarë muzikën dhe përvojën time me të tjerët. Do të ishte një kënaqësi që kushdo që ndjen një lidhje me muzikën, artin apo edhe me rrënjët tona shqiptare, të bëhet pjesë e kësaj hapësire në mënyrën e vet. Qoftë si student, si prind, apo thjesht si mbështetës i artit, çdo prezencë e pasuron këtë iniciativë. Besoj se është shumë e bukur kur arrijmë të ndërthurim rrënjët tona me përvojat ndërkombëtare, duke krijuar një ambient ku kultura, muzika dhe identiteti ynë vazhdojnë të jetojnë dhe të zhvillohen natyrshëm.
Foto: D.Gomez & F.Samadani