• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Z. GJON KADELI NË NJË INTERVISTË EKSKLUZIVE PËR TË PATHËNAT E JETËS SË TIJ

March 20, 2020 by dgreca

Intervistoi : Leonora Laçi/

 Z.Gjon Kadeli i përket mërgatës së hershme shqiptar në SHBA-së dhe nuk është një figurë e panjohur për komunitetin. Puna e tij si spiker dhe përkthyes në Seksionin e Gjuhës Shqipe pranë “Zërit të Amerikës” e ka bërë të njohur, pa lënë me një anë dhe aktivitetin e tij në komunitetin shqiptar. Së fundmi, solli për lexuesin shqiptaro-amerikan librin e tij të parë me kujtime “Kujtimet e nji t’merguemi” botuar nga Shtëpia Botuese Volaj në Shkodër në vitin 2018, ku na paraqiti peripecitë e jetës së tij dhe të familjes së tij.

Kështu që realizuam një intervistë të shkurtër për ta njohur më mirë kontributin e tij në Shtetet e Bashkuara dhe për të na folur për të pathënat rreth jetës së tij.

Pyetje: Përshëndetje z.Kadeli, dua tju falenderoj që pranuat të bënit këtë intervistë. Do e nisim këtë intervistë së pari me librin tuaj, që është pritur mjaft mirë në Shqipëri dhe në komunitetin shqiptar në SHBA. Si lindi ideja për të shkruar kujtimet, çfarë do të thotë për ju t’i ktheheshit të kaluarës? 

Përgjigje: Mendimin për të shkrue diçka rreth vuejtjeve të familjes time dhe të tjerëve e kam shqyrtue disa here, e as vetë nuk e dij se pse nuk e shkrova ma parë.

Pyetje: A ka qenë e vështirë të hidhnit në letër pjesë të së shkuarës? A ka gjëra të tjera që do të donit të ndanit me lexuesit?!

Përgjigje: Nuk ka qënë e lehtë me e mbarshtrue landën, e ndoshta po tregoi dobësi, sepse gjatë procesit, shpesh herë m’u përloten sytë; përveç kësaj, për arsye të rrethanave të ndryshme nuk jam marrë me shkrime, e për këtë arsye e cilësojë librin “Libërth”.

Pyetje: Ju keni qenë një emigrant i arratisur nga Shqipëria në vitet 50’, sa në Kosovë, e më pas në Itali e Belgjikë, si ka qenë gjendja e mërgatës shqiptare në ato vite?

Përgjigje: Përsa i perket gjendjes se emigrantëve politikë që ishin në Jugosllavi na jepshin nji ndihmë sa me mbijetue dhe nuk pagushin per vendbanim. Emigrantët janë transferue disa herë në vende të ndryshme. Ne rastin tim, unë jam transferue tri herë nga nji vend në nji tjetër. Ka pase raste, sidomos në fillim që kanë burgosun si individe ose grupe njerëzish kur kanë kalue kufinin e kanë hy në Jugosllavi. Shtoj këtu se disa grupe që hynë në Jugosllavi në fillim, u zhduken nga faqja e dheut e nuk u dihet as vendvarrimi. Grupet që unë dij kanë qënë ai i Bajraktarit të Merturit Mark Tungjit dhe Gjon Destanishes nga Dukagjini. Grupi i Bilal Kolës nga Macukulli i Matit, Grupi i Cen Elezit e i Dan Kaloshit nga Dibra, grupi i Marka Bib Vokrrit e i Ndrec Lufit nga Mirdita.

Pyetje: Çfarë do të thoshte për ju të kapnit ëndrrën amerikane?! Sa mikëpritëse ishte ajo për ju?!

Përgjigje: Përsa i përket andrrës për të shkue në Amerikë, përsa u perkiste emigrantëve, ata pritshin me padurim që të çlirohej Shqipnija nga rregjimi tejet diktatorial komunist e të ktheheshin pranë familjeve  në vendlindjen e dashtun , të cilën u detyruen t’a braktishin, Tuej qënë se shpresa për t’u kthye në vendlindje ishte shumë e vogël për t’u kthye në vendlindje emigrantët të cilët ishin nëpër kampe të ikunish në Itali, Greqi e në ndonji vend tjetër, filluen të emigroshin në vende të ndryshme shume larg vendlindjes, si në Amerikë, Kanada, e Australi.

Asht e vërtete se shumë njerëz andrrojnë të emigrojnë në Amerikë sepse ekziston liria e plotë në çdo pikëpamje, përveç kësaj ata që emigrojnë në Amerikë, po të kenë aftësinë mund të emnohen në pozita të nalta në administratë qeveritare. Të vetmën detyrë që nji emigrant nuk mund të marri asht ajo e Presidentit të vendit. Pra president i Amerikës mund të bahet vetëm ai njeri që ka le në Amerikë.

Pyetje: Ju keni punuar pranë “Zërit të Amerikës” për shumë vite, si nisi rrugëtimi juaj aty, kush iu shtyu?! Duke pasë parasysh se Shqipëria në atë kohë ishte nën thundren e komunizmit, a merrnit informacione mbi ngjarjet në Shqipëri?

Përgjigje: Mbasi mbarova studimet bazë universitare, dojshem të filloshem nji punë ma të përshtatshme dhe kshtu bana kërkesën dhe mbasi bana provimet u pranova dhe fillova punën si përkthyes dhe spiker.

Pyetje: Sipas jush, çfarë rolit ka luajtur “Zëri i Amerikës” në përcjelljen e informacionit rreth Shqipërisë tek Amerikanët? 

Përgjigje: Zani i Amerikës asht enti zyrtarë i qeverisë që drejton programet radiofonike të qeverisë që transmetohen në rreth 40 gjuhë të ndryshme, tuej përfshi edhe  gjuhën shqipe. Programet e Zanit të Amerikës u drejtohen vendeve të ndryshme. Përsa u përket botës, kryesisht vendeve që kanë sisteme diktatoriale, siç kanë qënë vendet komuniste si edhe vendeve të tjera me sisteme diktatoriale. Përsa u përket programeve radiofonike mbrenda Shteteve te Bashkueme ato jepen nga organizata private në zona të ndryshme të vendit. Popujt e vendeve te robnueme nga regjimet komuniste e kanë cilësue Zanin e Amerikës “Zani i Shpresës”.

Pyetje: Ju keni një familje të shendetshme, të integruar në shtetin Amerikan, a ka qenë e vështirë për ju të edukonit femijët me kulturen dhe traditat shqiptare, a flasin shqip ata? Familja juaj është zgjeruar me niper e mbesa, a ju pyesin ata për Shqipërinë?! A mund të na flisni për ta ?!

Përgjigje: Përsa i përket edukimit të fmijëve me kulturë tradicional dhe mesimit të gjuhës shqipe, fatëkeqësisht rrethanat janë pothuejse krejtësisht të papërshtatshme për këto gjana, për këto arsye: Emigrantët për arsye të punës, banojnë larg njeni- tjetrit. Fëmijët si gjatë orëve të shkollës, si edhe gjatë kohës që kalojnë me shokët e tyne flasin anglisht, përveç kësaj, mjetet elektronike, televizori, telefoni etj., e largojnë vemendjën e tyne nga mesimi i gjuhës se prindve të tyne.  Megjithkëtë disa prej fëmijëve e kuptojnë dhe e flasin pak shqipen.

Pyetje: Jemi në dijeni përmes mediave që fëmijët tuaj kanë arritur në instancat më të larta në qeverinë amerikane dhe në organizata të ndryshme. Z. Lek Kadeli, aktualisht është Ndihmës Administrator në Zyrën e Kërkimit dhe Zhvillimit të SHBA-ve, detyrë të cilën e mbanë që në vitin 2012. Me eksperiencë të gjerë në udhëheqjen e ndryshimeve dhe përmirësimeve organizative, zhvillimin e politikave, menaxhimin e burimeve, menaxhimin e informacionit dhe teknologjisë. Çfarë do të thotë kjo për ju si prind?! 

Përgjigje: Përsa u perket fëmijëve të mi, unë e ndiej vetën shumë të kënaqun sepse të tre i kanë krye studimet universitare, e dy prej tyne edhe nji pjesë pasuniversitare. Përveç kësaj edhe shtatë prej fëmijëve të fëmijëve të mi i kanë krye studimet bazë universitare, e dy prej tyne vazhdojnë ato pas universitare, njeni në muzike e tjetri në mjekësi.

Pyetje: A ruani kontakte me komunitetin shqiptar në zonën ku jetoni, sa janë të organizuar ata? Si janë raportet e juaja me organizatat e ndryshme shqiptare?

Përgjigje: Deri në kohët e fundit në zonën e Uashingtonit ka pasë shumë pak emigrant shqiptar. Kohët e fundit kanë ardh emigrant të rinj me të cilët nuk njifem. Unë tuej qenë se jam i shtyme në moshë kam kontakte vetem me dy tre vete.Me perjashtim te degës së Vatres që asht hap perpara disa vjeteve, nuk ka ndonji organizatë tjetër emigrantësh në zonen e Uashingtonit.

Pyetje: Si ka qenë për ju të vinit në Shqipëri pas shumë vitesh, mund të na e përshkruani ardhjen tuaj dhe emocionet e atyre ditëve?!

Përgjigje: Mundësija për të pa përsëri të afërmit e mij si dhe vendlindjen ka qenë andrra ime, si edhe të gjithë të tjerëve, që u detyruen të braktisshin vendlindjen. Siç e kam vu në dukje në libër, kur erdha për herë të parë në Shqipni me nji grup turistësh, e me nji autobus kaluem nëpër qendër të Tiranës, nuk muejta me u përmbajtë, pa derdh lotë curril (si uji). Ka qene pothuejse krejt e  humbun shpresa  se Shqipnija do çlirohej, dhe se na emigrantët do të mund të ktheheshim ma, pranë familjeve në vendlindje.

Pyetje: Do të donim një mendim tuajin rreth situatës në Shqipëri, të këtyre 30 viteve të fundit?! A mendoni se është punuar sa duhet për demokracinë?!

   Përgjigje: Përsa i përket gjëndjes së tashme në Shqipni, fatëkeqësisht në pikëpamje ekonomike asht mjaft e veshtirë. Me mijra e mijra njerëz kanë emigrue në vende të ndryshme të botës. Për këtë gjendje të randë ekonomike, nuk mund t’u vihet krejt faji, qeverive që e drejtuen vendin mbas shpartallimit të regjimit komunist. Fajin kryesore e ka ish-regjimi, i cili në pikëpamje ekonomike dështoi në mënyrë të turpshme.

Për demokracinë në Shqipni mund të them këto: Populli asht i lirë, burgosje për arsye politike nuk ka ma, e drejta e pronës,   e tregtisë së lirë ekziston, e drejta me leviz  i lirë ekziston; Pra këto janë gjana që nuk kanë ekzistue gjatë sundimit komunist. Prandej përparime janë ba.

Sa i takon vetë cilësisë së demokracisë; Nuk asht ba sa asht pritun nga populli, po ashtu edhe nga opinioni i jashtëm. Përveç kësaj grindjet e vazhdueshme ndërpartiake dhe cenimet e kushtetutës kanë krijue nji gjendje mjaft të keqe.

Po citoj fjalët e burr-shtetit britanik Uinston Çurçillit lidhun me demokracinë “Demokracia asht diçka që merr shumë kohë me u zhvillue si duhet, vendeve të Europës u ka marrë disa qindra vjet me mbërrijtë në llojin e demokracisë që kanë sot, e cila asht ma e mira që kemi sot, por ka ende nevojë për përmirësim. Shtoj këtu se ata që udhëheqin Shqipninë sot duhet patjetër shumë ma shumë si për përmirsimin e ekonomisë si edhe të demokracisë në Shqipni, se perndryshe rrjedhimet do të jenë shumë të këqija për të ardhmen e Shqipnisë.

Shtoj këtu edhe citimin e fjalëve të ish-presidentit  amerikan Gjon Kenedi, i cili në fjalimin që mbajti përpara popullit Amerikan kur u zgjodh president tha “Mos pytni çka mund të bajë Amerika për Ju por çka mund të bani Ju për Amerikën sepse përndryshe gjendja keqsëohet edhe ma tepër”. Me këtë citim dua të them edhe pupulli duhet t’a bajë detyrën e vet tuej respektue rregullat e ligjet e vendit.

Filed Under: Interviste Tagged With: Gjon kadeli, Leonora Laci

NJË KËSHILLË E PAVLERËSUAR

March 20, 2020 by dgreca

“Rroftë ajo  gjë që sa më shumë të kesh nevojë aq më shumë e refuzon, e kjo është këshilla, e dëgjuar pa dëshirë nga ata që kanë më shumë nevojë, pra nga të paditurit”- LEONARDO DA VINCI/

Shkruan:Eugjen MERLIKA-Milano/

            Më datën 3 mars 2020, në gazetën on line “republica.al”, u botua një shkrim mjaft interesant e mendoj, po aq i dobishëm për interesat e qytetarëve shqiptarë të goditur nga tërmeti i 26 nëntorit, që pati pasoja rrënuese në jetën e tyre, duke i lënë ata pa gjënë më të domosdoshme për çdo njeri, shtëpinë. Artikulli titullohej ”Blerja e stokut të banesave për të pastrehët e tërmetit është e domosdoshme” dhe nënshkruhej nga Arben Demo.

Nuk e njoh autorin, por megjithatë, përmbajtjen e atij shkrimi e quaj si një ndihmesë shumë të vyer për organet administrative e drejtues të Shtetit dhe t’ekonomisë. Z. Arben Demo merr shkas nga një deklaratë e “adashit të tij anglishtfolës” Arben Ahmetaj, i vendosur në krye të organizmit qeveritar që merret me ndërtimin e banesave të reja për të dëmtuarit nga tërmeti, i cili njoftoi “Vendimin zyrtar të Qeverisë socialiste se për të dëmtuarit nga tërmeti nuk do të blihen banesat e reja e të pashitura.”

            Nuk u shpjeguan motivet që kanë qenë në bazën e vendimit të Qeverisë e cila, në këtë rast, besoj se e ka për detyrë të sqarojë në mënyrë bindëse opinionin publik për këtë qëndrim i cili, jo vetëm simbas mendimit të Arben Demos, më duket se bie ndesh me interesat e vërteta të shqiptarëve në këtë periudhë tepër të vështirë në jetën e tyre. Nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit kanë kaluar pothuaj katër muaj. Kanë qenë muaj vështirësish, do t’i quaja vetëmohuese, për gjithë ata qytetarë që kanë parë të dëmtuar në mënyrë të pandreqshme shtëpitë e tyre, duke parë vendimet e kompetentëve shqiptarë e të huaj që i kanë vënë një kryq të kuq atyre ndërtesave.

            Gjatë këtyre muajve, më se të mjaftueshëm për të hartuar planet operative të rindërtimit, me sa është njoftuar, nuk është kryer asnjë riparim, qoftë dhe n’ato banesa që kanë pësuar dëme të pjesshme, jo strukturore e të ndreqshme. Por pa hyrë në këtë temë, që ka të bëjë me organizimin, duke marrë për bazë premtimet e dhëna për këtë fund viti, si një njeri që ka një përvojë të gjatë në fushën e ndërtimit, më duket shumë e vështirë që t’arrihen të ndërtohen apartamentet e planifikuara. Problemi është tepër i mprehtë, po të mbahet parasysh se shumë familje jetojnë ende në çadra, të cilat, me ardhjen e të nxehtit, bëhen gjithnjë e më tepër të pabanueshme. Akoma më e papranueshme bëhet gjendja e atyre që janë kthyer të banojnë në shtëpitë e dëmtuara që janë klasifikuar si të pabanueshme. Në këta raste përgjegjësia e organeve drejtuese qendrore e vendore fshik krimin kundrejt popullsisë, në rast të paurueshëm.

            Z. Arben Demo, me një ndjenjë të lartë qytetarie dhe atdhedashurie, në pak rreshta shpalos mendimin e tij:

            “Unë mendoj se të parat që do duhej të përdoreshin për strehim të familjeve që kanë humbur banesën duhet të ishin banesat e pashitura që janë me shumicë, duke lehtësuar dhimbjen dhe vuajtjen e familjeve në këtë dimër e kur rreziku i epidemisë është tejet i mundshëm. Një zgjidhje e tillë për aq sa do të jetë e mundur do të jetë edhe një mundësi kursimi sidomos kur planifikojmë të krijojmë lagje e blloqe të reja, të cilat veç kostos së banesave kërkojnë shpenzime jo të vogla për rrugët, rrjetet e reja të ujësjellësit e kanalizimeve si dhe ato për furnizim me energji elektrike. Nuk ka asnjë arsye që duhet t’i zmadhojmë qytetet për zbukurime, ndërkohë që këto fonde mund t’i përdorim për shkolla, spitale e rrugë.

            Propozimi i ynë është si më poshtë:

            Për të pastrehët e Tiranës, Durrësit dhe Kavajës…. Por dhe për të tjerë që mund të dëshirojnë, të blihen apartamente në zonat e mëposhtëme:

            Në Tiranë: te Astiri, Zona e Yzberishit si dhe në lagje të tjera me çmime të përafërta.

            Në Durrës: në plazhin e Gjirit të Durrësit (nga Ura e Dajlanit deri në Qerret) si dhe në vetë qytetin e Durrësit të blihen banesa për të dëmtuarit e Durrësit, Kënetës dhe Kavajës.”

            Un nuk mund të besoj se Qeveria dhe organizmat e krijuara prej saj për të mbarështuar këtë situatë të pazakontë, të mos e kenë shqyrtuar në punën e tyre këtë mundësi, që shtron në tryezën e propozimeve autori i artikullit të botuar në “republica.al” Por, siç del nga deklarata e Ahmetajt, ky vendim i Qeverisë është i prerë dhe është negativ. Duke mbështetur argumentet e artikullshkruesit mendoj se fakti i ekzistencës së një sasie të konsiderueshme banesash të gatshme është një fat i madh për Shqipërinë në këtë çast të brishtë, madje nuk kuptohet përse nuk shfrytëzohet kjo mundësi që sjell disa zgjidhje të dobishme.

            Dobia e parë është sigurimi i strehës së përshtatshme për qindra familje që, në pak kohë, mund të kenë shtëpinë e tyre. Dobia e dytë është zhbllokimi i kapitalit që tani është në gjendje të ngrirë, mbasi aftësia blerëse dhe kërkesat për banesë janë në një stad shumë të ulët, në kushte normale. Blerja nga ana e shtetit e banesave të gatshme, në vend të ndërtimit rishtas duhet të ketë përparësi, mbasi shkurton ndjeshëm kohën e ndërtimit dhe zgjidhjen e problemit të mprehtë që, përndryshe, do të tërhiqet zvarrë për kohë të gjata. Sigurisht ajo blerje nuk plotëson gjithë nevojat që janë, por edhe sikur të zgjidhë menjëherë një pjesë të kërkesave mendoj se është një gjë e lëvdueshme. Ato para që shteti do të derdhë në xhepat e ndërtuesve kthehen në një kapital që riinvestohet përsëri, duke krijuar vende pune e duke vënë në lëvizje ekonominë.

            Është me vend llogaria e kursimit që nxjerr në pah autori, përsa i përket përparësisë që ka ndërtesa apo lagjia e ndërtuar në krahasim me atë që ndërtohet nga e para. Vendosmëria e Qeverisë për të mos e shfrytëzuar këtë mundësi mund të ligjësohet e të jetë bindëse vetëm në rast se ajo, nga llogaritë e saj, del në përfundimin se kostoja e ndërtimit është mjaft më e ulët se ajo e blerjes, duke krijuar mundësinë e përfitimit të më shumë apartamenteve. Dhe në këtë rast llogaria duhet të bëhet nga ekspertë të fushës me përvojë dhe aftësi e jo nga njerëz të emëruar nga politika. Por edhe në këtë rast besoj se mund të arrihet në një marrëveshje që duhet të jetë e dobishme për shtetin por edhe për pronarët e ndërtesave. Është çështje vullneti, por sido që të jetë mendoj se duhet shqyrtuar me gjakftohtësi e jo me vendime të prera të njëanshme e të pajustifikuara.

            Cilat do qofshin arsyet e qëndrimit të Qeverisë, tejpamja në vendimet e saj duhet të jetë e prekshme në opinionin publik, për më tepër në një kohë kur nuk funksionojnë organizma të rëndësishme të sistemit demokratik. Po t’i shtojmë këtu faktin e mosbesimit që shoqëron një pjesë të madhe të opinionit publik kundrejt Shtetit dhe veprimtarisë së tij financiare, për më tepër kur bëhet fjalë për qindra milionë euro të vëna në dispozicion të Qeverisë shqiptare, si një borxh për t’u shlyer me kohë, merret me mënd se çfarë hamendjesh dyshuese mund të ushqejë një qëndrim i tillë. Madje është e habitshme që opozita parlamentare nuk e ka ngritur kurrë këtë problem të rëndësishëm.

            Të gjithë këto arsyetime kanë vlerën e tyre nëse i referohen një realiteti shoqëror që quhet demokraci, në të cilën dhënia e llogarisë mbetet një kriter bazë i funksionimit të Shtetit. Në të kundërt ushqehet dyshimi i hamendësuar nga shumë anë, se sistemi priret ndaj autoritarizmit, gjë të cilën nuk e dëshirojmë në asnjë mënyrë sepse nuk duam që historia të përsëritet, qoftë edhe në formën e farsës.            Mars 2020     

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

The United States Will Remain Kosova’s Friend in spite of President Donald Trump

March 20, 2020 by dgreca

by Shirley Cloyes DioGuardi/

Last year, on February 14, 2019, as Balkan Affairs Adviser to the Albanian American Civic League, I published “Kosova Should Stay the Course” in portals around the world.  I stated that, I believe that the United States and Europe have overstepped their boundaries in calling on Kosova to repeal its 100 percent import tax on Serbia and Bosnia-Herzegovina.  In addition, I stated that it is a contradiction for the United States to claim that it respects Kosova’s sovereignty, while insisting that Kosova suspend the tax.

I also identified Serbia’s call for a land swap as an attempt to deny Kosova’s right to self-determination and to reopen discussion of Kosova’s status as a sovereign nation—a status that Serbia has worked to undermine ever since Kosova’s independence was recognized in 2008 and ever since the Prishtina-Belgrade talks began in 2011.

My perspective, along with the majority of the friends and supporters of the Albanian American Civic League, has not changed.  I believe that Kosova must continue to stay the course until Serbia recognizes Kosova’s independence.  If peace, stability, and the growth of Southeast Europe is to become a reality, the two countries must come to the negotiating table on equal terms.

Contrary to statements from some of the political leaders in PDK and LDK, taking this position does not threaten the historic partnership between Albanians and the United States.  The Albanian people’s love for the United States is forever cemented in the actions of President Woodrow Wilson, who at the end of World War I insisted that the then so-called Great Powers—Britain, France, and Italy—recognize Albania, because it was one of the oldest peoples of Europe.  

The world also knows that when Slobodan Milosevic began his genocidal campaign against Kosovar Albanians (after killing a half million Bosnians), the US government—and to a great extent because of years of work on the part of me, Joe DioGuardi, and  the Albanian American Civic League—brought Milosevic to a halt and eventually to trial in The Hague War Crimes Tribunal.  In 2008 the United States and many other governments around the world recognized Kosova’s independence.  

But now we are in a different time in US history.  It has been well established by US mainstream media that President Donald Trump is bowing to the machinations of Russia and Serbia and putting Europe’s security in peril.  The Kosova government cannot afford to bow, in turn, to the Trump administration’s insistence that they return to negotiations with a Serbian leadership that refuses to recognize Kosova as a sovereign state and expects to bring northern Kosova and Kosova Serb municipalities in southern Kosova under its control. 

We are fortunate that Shaun Byrnes, a retired US diplomat who served as Chief of the US Diplomatic Observer Mission in Kosova from 1998-1999 has published a very important article in www.peacefare.net, entitled “A Bad Deal.”  In it, Byrnes exposes the intense pressure that President Trump, National Security Advisor Robert O’Brien, US Special Envoy for Serbia and Kosovo Richard Grenell, and Trump’s son-in-law Jared Kushner, in collaboration with Kosova President Hashim Thaci, are placing on Prime Minister Albin Kurti to lift the tariffs.  Byrnes explains why Kosova must not concede.  

I believe that Byrnes’ conclusions in his March 13, 2020, article are important for everyone who cares about the future of the Albanian people to read:

 “Trump is looking for a quick deal to boost his reelection prospects that are looking dimmer because of the economic and health crisis spawned by the pandemic coupled with the collapse of the price of oil and the likelihood that former Vice President Biden will be the Democratic nominee. 

“For his part Thaçi…would like to bring down the Kurti government to protect himself and his corrupt cronies from Kurti’s effort to root out pervasive corruption.  Thaçi’s aim is to then forge a new coalition government composed of the LDK, Kurti’s current coalition partner, and the PDK, the party Thaçi founded.

“Trump’s intervention to take over the dialogue has given Thaçi the opportunity to do so.  He is exploiting threats of US punitive action as a bludgeon against Kurti and is trying to rally the LDK and parliamentary opposition to demand the tariffs be lifted immediately.  In public statements this week, Thaçi charged that Kurti’s actions threatened relations with the US and the “very future of our state,” an irresponsible charge.  

“While the LDK’s leader supports Thaçi, for now the Assembly is not supporting Thaçi and the situation is at stalemate.  

“It is worth reminding Kosovo leaders that no comprehensive deal will end Serbia’s hostility to its former province. Until Serbia acknowledges what it has done in Kosovo under Milosevic’s rule their relations will neither be normal nor friendly.  

“Of more importance, we should remind Kosovo’s leaders that the US is and will remain a firm friend and that will not change regardless of what Trump, O’Brien, Grenell, Pompeo and Kushner may threaten.  Kosovo should not be compelled to accept a consequential agreement with a hostile Serbia its politicians and public have not seen because of the self-serving motives of one politician.” 

In a public declaration in March 2012, entitled “Save ‘The Republic’ of Kosova,” the Albanian American Civic League observed that, “There is an almost total submission of the political class and public to the will of the US State Department and other Western representatives in Prishtina.  Also, the belief that the United States will take care of Kosova is often used as an excuse on the part of Albanian politicians and professionals not to work to resolve Kosova’s problems, and this must stop.”  

The latter has stopped with the decision by Prime Minister Albin Kurti and Parliamentary Speaker Vjosa Osmani not to bow to the demands of the first authoritarian presidency in US history, but to stay the course on behalf of Kosova.

Finally, let us not forget the message that a friend of Kosova, VP Joe Biden, stated eighteen years ago—in 2002 at the 12th anniversary of the Albanian American Civic League’s work at the Sheraton Hotel in New York City.  In his keynote, Biden, then head of the Senate Foreign Relations Committee, said that, 

 “The naked self-interest of the United States rests on the 21st century beginning with a whole, undivided, and unified Europe,” because every time Europe plunges into chaos, “our sons and daughters die, our economy falters, and we pay the price.  By culture, history, and inclination, we are unable to dissociate ourselves from what happens in Europe.  The fate of seven million Albanian people in the Balkans…is also critical to our naked self-interest.  If the ethnic legitimacy of the Albanian people is not recognized and protected, all of the pieces in the region will fall apart, and if we do not stabilize the Balkans, we will pay dearly.”

Filed Under: Analiza Tagged With: Shirley Cloyes DioGuardi

Shtetet e Bashkuara do të mbeten miku i Kosovës pavarësisht nga Presidenti Donald Trump

March 20, 2020 by dgreca

nga Shirley Cloyes DioGuardi/

Më 14 shkurt të vitit të kaluar, unë si Këshilltare për Çështjet e Ballkanit në Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane, kam botuar tekstin “Kosova duhet të qëndrojë në kurs” në portalet nëpër botë. Aty kam deklaruar se besoj që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa i kanë kapërcyer kufijtë duke i bërë thirrje Kosovës që të shfuqizojë taksën e saj të importit 100 për qind ndaj Serbisë. Për më tepër, kam deklaruar se kjo është një kontradiktë për Shtetet e Bashkuara që të pretendojnë se e respektojnë sovranitetin e Kosovës, ndërsa insistojnë që Kosova të pezullojë taksën.

Unë gjithashtu kam identifikuar thirrjen e Serbisë për shkëmbim të territorit si një përpjekje për të mohuar të drejtën e Kosovës për vetëvendosje dhe për të rihapur diskutimin mbi statusin e Kosovës si një komb sovran – një status për të cilin Serbia ka punuar që ta minojë qysh nga koha kur pavarësia e Kosovës u njoh nga Presidenti George W Bush në vitin 2008 dhe qysh prej fillimit të bisedimeve Prishtinë-Beograd në vitin 2011.

Perspektiva ime, së bashku me shumicën e miqve dhe mbështetësve të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, nuk ka ndryshuar. Unë besoj që Kosova duhet të vazhdojë të mbajë kursin e vet derisa Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Nëse paqja, stabiliteti dhe rritja e Evropës Juglindore do të bëhen realitet, atëherë të dy vendet duhet të vijnë në tryezën e bisedimeve me kushte të barabarta

Në kundërshtim me deklaratat e disa liderëve politikë në PDK dhe LDK, marrja e këtij qëndrimi nuk e kërcënon partneritetin historik midis shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara. Dashuria e popullit shqiptar për Shtetet e Bashkuara është e betonuar përgjithmonë në veprimet e Presidentit Woodrow Wilson, i cili në fund të Luftës së Parë Botërore këmbënguli që të ashtuquajturat Fuqitë e Mëdha: Britania, Franca, Italia, Gjermania, Austro-Hungaria, dhe Rusia — të njohin Shqipërinë, sepse ajo ishte me një nga popujt më të vjetër të Evropës.

Bota gjithashtu e di se kur Sllobodan Millosheviqi filloi fushatën e tij gjenocidale kundër shqiptarëve kosovarë (pasi që vrau një gjysmë milioni boshnjakë), qeveria e SHBA – dhe në një masë të madhe për shkak të viteve të punës sime, Joe DioGuardit, dhe të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane – e solli Millosheviqin deri te ndalja dhe përfundimisht te gjykimi në Tribunalin e Krimeve të Luftës në Hagë. Në vitin 2008, Shtetet e Bashkuara dhe shumë qeveri tjera nga gjithë bota e njohën pavarësinë e Kosovës.

Por tani jemi në një kohë tjetër të historisë së SHBA. Është vërtetuar mirë nga mediat kryesore të SHBA se Presidenti Donald Trump po përkulet ndaj makinacioneve të Rusisë dhe Serbisë dhe po vë në rrezik sigurinë e Evropës. Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, nuk mund të lejojë që të përkulet ndaj insistimit të administratës së Trumpit që të kthehet në negociata me një udhëheqje serbe që refuzon ta njohë Kosovën si një shtet sovran dhe që po punon shumë për të sjellë nën kontrollin e vet veriun e Kosovës dhe komunat me serbë të Kosovës në jug të Kosovës.

Jemi me fat që Shaun Byrnes, një diplomat amerikan i pensionuar që shërbeu si Shef i Misionit Vëzhgues Diplomatik të ShBA në Kosovë prej vitit 1998-1999 ka botuar një artikull shumë të rëndësishëm në www.peacefare.net, me titull “Një marrëveshje e keqe”. Në te, Byrnes ekspozon presionin intensiv që Presidenti Trump, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien, i Dërguari Special i SHBA për Serbinë dhe Kosovën Richard Grenell dhe dhëndri i Trumpit Jared Kushner, në bashkëpunim me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, po i bëjnë kryeministrit Albin Kurti që të heqë tarifat për Serbinë. Byrnes shpjegon pse Kosova nuk duhet të pranojë këtë.

Unë besoj se konkluzionet e Byrnes në artikullin e tij të 13 Marsit 2020 janë të rëndësishme për të gjithë ata që kujdesen për të ardhmen e popullit shqiptar ku lexon se:

“Trumpi po kërkon një marrëveshje të shpejtë për të rritur perspektivat e tij të rizgjedhjes që po duken më të errëta për shkak të krizës ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e shoqëruar me rënien e çmimit të naftës dhe gjasat që ish Zëvendës Presidenti Biden do të jetë kandidati Demokratik.

“Nga ana e tij Thaçi … kishte dashur që të rrëzojë qeverinë Kurti për të mbrojtur veten dhe miqtë e tij të korruptuar nga përpjekja e Kurtit për të zhdukur korrupsionin e përhapur. Qëllimi i Thaçit është që pastaj të krijojë një qeveri të re të koalicionit të përbërë nga LDK, partneri aktual i koalicionit të Kurtit dhe nga PDK, partia që e themeloi Thaçi.

“Ndërhyrja e Trumpit për të marrë përsipër dialogun i ka dhënë mundësinë Thaçit ta bëjë këtë. Ai po shfrytëzon kërcënimet për veprimin ndëshkues të SHBA si një goditje kundër Kurtit dhe po përpiqet të grumbullojë LDK dhe opozitën parlamentare për të kërkuar që tarifat të hiqen menjëherë. Në deklaratat publike këtë javë, Thaçi akuzoi se veprimet e Kurtit kërcënuan marrëdhëniet me SHBA dhe “të ardhmen e shtetit tonë”, një akuzë e papërgjegjshme.

“Përderisa lideri i LDK-së e mbështet Thaçin, tani për tani Kuvendi nuk po e mbështet Thaçin dhe situata është e bllokuar”. Vlen të përkujtojmë udhëheqësit e Kosovës se asnjë marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk do t’i japë fund armiqësisë së Serbisë me krahinën e saj të mëparshme. Derisa Serbia nuk e pranon se çka ka bërë në Kosovë nën sundimin e Millosheviqit marrëdhëniet e tyre nuk do të jenë as normale dhe as miqësore.

“Më shumë me rëndësi është se ne duhet t’i përkujtojmë udhëheqësit e Kosovës që SHBA është dhe do të mbetet një mik i fortë dhe kjo nuk do të ndryshojë pavarësisht se çfarë mund të kërcënojnë Trump, O’Brien, Grenell, Pompeo dhe Kushner. Kosova nuk duhet të detyrohet të pranojë një marrëveshje me pasoja me një Serbi armiqësore që politikanët e saj dhe publiku i saj nuk e kanë parë për shkak të motiveve vetë-shërbyese të një politikani. “

Në një deklaratë publike në mars të vitit 2012, me titull “Ruaje Republikën e Kosovës, “Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane vërejti se: ” Ka një nënshtrim pothuajse total i klasës politike dhe publikut ndaj vullnetit të Departamentit të Shtetit të SHBA dhe të përfaqësuesve tjerë perëndimorë në Prishtinë. Gjithashtu, besimi se Shtetet e Bashkuara do të kujdesen për Kosovën, shpesh përdoret si justifikim nga ana e politikanëve dhe profesionistëve shqiptarë që të mos punojnë për të zgjidhur problemet e Kosovës, dhe kjo duhet të ndalet. “

Besimi i rrejshëm nga disa politikanë dhe profesionistë shqiptarë se administrata Trump do të kujdeset për Kosovën është ndalur me vendimin e kryeministrit Albin Kurti dhe kryetaren e parlamentit Vjosa Osmani që të mos përkulen ndaj kërkesave të presidencës së parë autoritare në historinë e SHBA, por të qëndrojnë në kursin e vet në emër të Kosovës.

Më në fund, të mos harrojmë mesazhin që një mik i fuqishëm i Kosovës dhe tani kandidat për President të SHBA, ZP Joe Biden, deklaroi tetëmbëdhjetë vjet më parë — në vitin 2002 në 12 vjetorin e punës së Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në Hotelin Sheraton në Qytetin New York. Në fjalën e tij kryesore, Biden, në atë kohë udhëheqës i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, tha se:

“Vetë-interesi i pastër i Shteteve të Bashkuara qëndron në shekullin XXI duke filluar me një Evropë të tërë, të pandarë dhe të unifikuar”, sepse çdo herë që Evropa zhytet në kaos, “djemtë dhe vajzat tona vdesin, ekonomia jonë dobësohet, dhe ne e paguajmë çmimin. Nga kultura, historia dhe prirja, ne nuk jemi në gjendje të ndahemi nga ajo që ndodhë në Evropë. Fati i shtatë milion njerëzve shqiptarë në Ballkan … është gjithashtu thelbësor për interesin tonë të pastër. Nëse legjitimiteti etnik i popullit shqiptar nuk njihet dhe mbrohet, të gjitha pjesët në rajon do të rrëzohen, dhe nëse nuk e stabilizojmë Ballkanin, ne do të paguajmë shtrenjtë. “

Përkthyer nga; Mire-Marku Rugova/

Filed Under: Politike Tagged With: Donald Trump, Kosove, miqesia, SHBA, Shirley Cloyes DioGuardi

SHBA-ja, Kina dhe Koronavirusi

March 20, 2020 by dgreca

Nga Analizë nga Rafael Floqi /

-Sipas informacioneve në media/

“Diçka e tillë nuk është parë në histori”. Janë fjalët e presidentit amerikan Donald Trump, që i referohen përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Shtetet e Bashkuara ditën e djeshme kanë dyfishuar të prekurit nga COVID-19, duke arritur në 13.133, me 193 të vdekur. 

Presidenti amerikan edhe dje nuk ka munguar të thumbojë Kinën, duke përsëritur termin “kinez” kur i referohej koronavirusit, dhe duke shtuar se “bota po paguan një çmim të lartë për atë që ka bërë Kina, kur ka ngadalësuar shpërndarjen e informacionit”.  

Ndërkohë sot u raportua sërish se Kina nuk ka regjistruar asnjë infeksion të brendshëm nga koronavirusi. Vdekjet janë ngadalësuar në mënyrë të ndjeshme, duke shkuar në total 3248. Në vendin e parë tashmë qëndron Italia. 

Ndërkohë që presidenti Trump po pohon këtë, media e majtë vazhdon ta quajë racist, faktin që presidenti e quan koronavirusin si “virusi kinez”, madje kësaj akuze, i bëri jehonë edhe pretendenti kryesor për President nga demokratët, Joe Baiden. 

Quajta e sëmundjes sipas vend-origjinës nuk ka asgjë raciste, dhe është praktikë e njohur për disa sëmundje infektive, si p.sh MERS ( Sindroma e frymëmarrjes e Lindjes së Mesme)- apo Ethet Malteze, Gripi Spanjoll dhe Rubella ( Fruthi Gjerman), por këtu kalohet në një nonsens, dhe një politizim ekstrem. Nga ana tjetër, sado ekscentrik është presidenti Trump, ndalimi i udhëtimeve nga Kina shërbeu si frenues i pandemisë në shkallë të gjerë në SHBA, ndërsa demokratët e akuzuan për racizëm dhe po përgatisnin një vendim në Kongres, për t’i hequr të drejtën Presidentit Tramp për të bërë ndalimin e udhëtimeve, pikërisht pak para se të deklarohej botërisht pandemia.  Italia thënien e papërgjegjshme të krye bashkiakut të Firences Dario Nardela, kur sapo u shpall epidemia në Kinë, pat deklaruar ”ku është ai djali kinez ta përqafoj”, po e vuan tani vetë ai i infektuar, ku në Firence ka 1330 të infektuar dhe numri i vdekurve në Itali ka arritur pikun me 3405, madje më shumë se vetë Kina.

Përhapja dramatike e koronavirusit, i quajtur edhe COVID-19, ka detyruar zyrtarët amerikanë me një mision të përshpejtuar, për të rikthyer prodhimin e ilaçeve për shpëtimin e jetës së njerëzve në SHBA dhe larg kontrollit të qeverisë kineze. 

“SHBA është në varësi të plotë ndaj ilaçeve nga Kina, që nuk është një model i një vendi të qëndrueshëm,” thotë Das Nobel, themeluesi dhe CEO i Shërbimit MTX Group me bazë në Nju Jork. Ai i deklaroi Fox News se  “Qeveria e SHBA-së duhet të ketë përparësi në planifikimin e saj strategjik për të nxitur, prodhimin e produkteve të ilaçeve pa recetë brenda ShBA-së dhe të ndihmojë kështu në tejkalimin e hendekut, mes së kostos së prodhimit dhe fitimit bruto nga to.” 

“Historikisht, prodhimi i ilaçeve për popullsinë amerikane është bazuar në vend. Megjithatë, në dekadat e fundit, prodhimi i ilaçeve gradualisht është shpërngulur nga Shtetet e Bashkuara. Kjo është veçanërisht e vërtetë për prodhuesit e përbërësve aktivë farmaceutikë (API), ilaçet aktuale që më pas formulohen në tableta, kapsula, injeksione, etj. ” Field vazhdoi. “Që nga gushti 2019, vetëm 28 përqind e objekteve prodhuese që bëjnë këto përbërës për tregun amerikan nuk ndodheshin në vendin tonë. Në të kundërt, 72 përqind e prodhuesve të API që furnizojnë tregun amerikan vinin nga jashtë shtetit, dhe 13 përqind e tyre nga Kina. “

Tregu farmaceutik i Kinës ka qenë vazhdimisht në rritje vitet e fundit, dhe vlerësohet të arrijë në 161.8 miliardë dollarë deri në vitin 2023, duke zënë një pjesë prej 30 përqind të tregut global, shkruante në dhjetor, një ekspert i industrisë. Fu Xudong, nënkryetar i gjigantit farmaceutik global, Bristol-Myers Squibb, sipas China.org,  gjatë përfundimit të takimit botëror të Inovatorëve të mbajtur Equal Ocean, më 2019 ku deklaroi se Kina është bërë tregu i dytë më i madh farmaceutik në botë, duke ndjekur pas Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2018, tregu i saj farmaceutik arriti në 127.9 miliardë dollarë, duke u rritur 2.4 përqind në vit. Në të vërtetë, përhapja e virusit të ri, nëpër brigjet e Amerikës në javët e fundit ka nënvizuar shqetësimin e për sa i përket “mbivarësisë ” së SHBA-së në prodhimin farmaceutik kinez. Amerika në thelb për shembull e pushoi prodhimin e brendshëm të penicilinës rreth vitit 2004, e cila në atë kohë vlerësohej si një veprim pozitiv për të kursyer para, nga ilaçet gjenerike. Por në vitet më të fundit, kjo politikë ka ngjallur një kakofoni shqetësimesh. 

Siç qëndron çështja? SHBA nuk prodhon shumicën dërrmuese të ilaçeve në vend dhe me vite ka qenë e varur nga zinxhiri i lirë dhe furnizimi larmishëm që e ka origjinën e tij në Kinë. Në fakt, mbi 80 përqind e produkteve farmaceutike të shitura në SHBA,  përveç pajisjeve mjekësore të rëndësishme, vijnë nga Kina. Edhe India, e cila prodhon rreth 24 përqind të importeve të ilaçeve në SHBA, varet nga Kina në furnizimin e saj me kimikatet thelbësore të nevojshme, për prodhimin e barnave gjenerike. Madje, dhe qarqet e integruar për prodhimin e respiratorëve për koronavirusin vijnë nga Kina dhe ato janë bllokuar prej disa vitesh. Në fakt, interesi ndaj Kinës u rrit menjëherë, pasi vendi iu bashkua Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) në vitin 2000.

Duke marrë parasysh sfidën gjeopolitike dhe ekonomike me të cilën përballen Shtetet e Bashkuara nga një Kinë autoritare, Pekini tani mund ta përdorë kontrollin e tij ndaj përbërësve bazë që bëjnë shumë prej ilaçeve – dhe klasave të tëra të barnave- si levë në çdo mosmarrëveshje me Uashingtonin. Një zëdhënës i qeverisë Kineze e bëri këtë deklaratë kërcënuese javën e kaluar kur deklaroi se Kina do të ndërpriste furnizimin me ilaçe për SHBA.  Në mënyrë të veçantë, Kina prodhon përbërësit e nevojshëm për pjesën më të madhe të ilaçeve që do të duhet t’i mbajnë gjallë amerikanët . Qysh nga mjetet e matjes të presionit të gjakut, antibiotikët e deri te paracetamoli, ilaçet antivirale dhe reduktuesit e etheve e të temperaturës deri tek aspirina.

Disa projektligje bipartizane, duke përfshirë “Aktin e pavarur farmaceutik të reformës së gatishmërisë afatgjatë”, aktualisht janë në pritje në Kongres me qëllimin për të nxitur dhe madje edhe detyruar prodhimin e produkteve farmaceutike brenda kufijve të  SHBA dhe larg hegjemonisë kineze. 

Presidenti Trump javën e kaluar ndërmori një veprim më urgjent për këtë çështje, duke nënshkruar një urdhër ekzekutiv, për t’i hapur rrugën prodhimit të maskave dhe plotësimit të nevojave të tjera të lidhura me ventiluesit e frymëmarrjes, që duhet të jenë produkte amerikane, sidomos në kohën e mungesës së furishme dhe krizës së pandemisë. Synimi i urdhrit është që të mbyllen boshllëqet ligjore, të hiqen pengesat ligjore të FDA dhe të inkurajohen kompanitë amerikane të prodhojnë sa më shumë produkte në SHBA, sesa në Kinë. Për të shmangur aftësitë e Pekinit për të kontrolluar tregun dhe rrjedhën kritike të medikamenteve. Departamenti i Mbrojtjes ka ngritur prej kohësh shqetësimin në lidhje me një dominim kinez në prodhimin e ilaçeve të tilla në përdorim të ushtrisë amerikane, si një shqetësim i sigurisë kombëtare.

Pandemia e papritur e koronavirusit ka nxjerrë në dritë të metat e një sistem të tillë, me mbylljet e fabrikave të medikamenteve të zakonshme, duke u zvogëluar prodhimin vendas. Javën e kaluar, Komisioneri i Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA) Stephen Hahn i tha Kongresit se më shumë se 200 ilaçe ishin në mungesa në SHBA.  Ndërsa qeveria amerikane në vitet e fundit ka financuar vetëm kërkime për operacione dhe hulumtime të prodhimeve të reja në shkallë të vogël, të atyre që në fushën e mjekësisë japin më shumë para – por që janë me humbje për shkak të kodifikimit të rreptë dhe të ligjeve përkatëse. Për të adresuar më tej kostot e modelit të lëvizjes të prodhimit larg-nga-Kina, disa ligjvënës dhe analistë tani po mbrojnë idenë që në territoret e tjera amerikane dhe / ose kombet e afërt – të tilla si Porto Riko dhe Meksika – të stimulohen dhe të ngarkohen me detyrën për të marrë rolin drejtues nga duart e Kinës duke u bërë bërthama qendrore për prodhimin e ilaçeve për SHBA.

“Do të duhet të punojmë për uljen e kostove të përgjithshme për të bërë barna të tilla – ose amerikanët do të duhet të jenë të gatshëm të paguajnë më shumë,” tha Harry Kazianis. “Unë besoj se nëse do ta dinin që Kina mund të ndalonte prodhimin e ilaçeve në këtë moment – ia vlen të paguajmë një kosto shtesë, pasi nëse ilaçet do të prodhoheshin në vend, ne nuk do t’i nënshtroheshin presionit të një diktature që mban miliona njerëz nën zap”.

Por BBC thotë, se ka akuza e dyshime për të dhënat zyrtare të Kinës. Duke ndjerë presionin ndërkombëtar, Pekini tani ka ndryshuar strategji. Propaganda është zhvendosur te përpjekjet për të ndaluar virusin që të hyjë nga njerëz nga jashtë. Vëzhguesit thonë se kjo është një strategji që Pekini t’i tregojë me gisht vendet e tjera si fajtore dhe t’i largojë akuzat nga vetja . Në rast se Kina arrin të bllokojë ri-importimin e rasteve nga jashtë, do të fajësojë vendet e tjera që nuk e imituan dot progresin e saj.

Në të vërtetë, përhapja e virusit të pazakonshëm, nëpër brigjet e Amerikës në javët e fundit ka nënvizuar shqetësimin konkret të “varësisë së madhe ” të ShBA-së nga prodhimin farmaceutik kinez. Amerika në thelb pushoi së prodhuari në vend penicilinën rreth vitit 2004, gjë që, në atë kohë vlerësohej si një veprim pozitiv për të kursyer para të mëdha nga ilaçet gjenerike. Por në vitet më të fundit, kjo praktikë ka ngjallur një kakofoni shqetësimesh ekonomike gjeopolitike dhe sigurie. 

Në fakt, mbi 80 përqind e produkteve farmaceutike të shitura në SHBA. – përveç pajisjeve mjekësore të rëndësishme, përfshirë dhe produkte kozmetike – vijnë nga Kina. Edhe India, e cila përbën rreth 24 përqind të importeve të barnave nga ShBA, varet nga Kina, përsa i përket  furnizimin e saj me kimikate thelbësore të nevojshme për prodhimin e barnave gjenerike.

“Do të duhet të punojmë për uljen e kostove të përgjithshme për të bërë barna të tilla me teknologji robotike ose amerikanët, do të duhet të jenë të gatshëm të paguajnë më shumë,” tha Kazianis. “Unë besoj se nëse do ta dinin që Kina mund të ndalonte prodhimin e ilaçeve në një moment – ia vlen të paguajmë një kosto shtesë, pasi ne e dimë që nëse ilaçet bëhen në vend, ato nuk do t’i nënshtroheshin presionit të një diktaturë që mban miliona njerëz në zap. 

Partia Komuniste Kineze është në vështirësi me njerëzit e vet, kështu që po përpiqet të  shmangë kritikën globale dhe po përhap teoritë e komplotit se si SHBA dhe ushtria amerikane, e shpërndau virusin në Kinë. Ashtu si zjarrvënësit proverbialë që e venë vetë zjarrin, Kina po ofron ndihmë modeste për të prekurit. Ndërkohë, disa elita perëndimore po bien në grackën e propagandës së Pekinit. 

Na është thënë që pas gjithë kësaj Kina do të udhëheqë një “rend të ri botëror”. Ky është një pretendim, i pa mbështetur nga asnjë fakt apo model i njohur i sjelljes i Partisë Komuniste Kineze . Por ne e dimë se Kina nën Partinë Komuniste Kineze vështirë se mund të qeverisë vetë vendin e vet, e lëre më një rend të ri botëror. Ekonomia e saj do të vuajë edhe më shumë edhe si rezultat i kësaj krize. Dhe populli kinez i prekur nga kjo paaftësi dhe shtypje e PKK e di saktësisht se sa pozitiv është komunizmi. 

PKK ka të ngjarë të miratojë politika të reja stimuluese fiskale, të cilat do ta bëjnë gjendjen e borxhit të saj më të keq dhe do të ulin produktivitetin. Kostot reale të trajtimit të krizës shëndetësore në Kinë ka të ngjarë që të jenë me përmasa më të larta se sa raportohet. Unë nuk jam një ekspert i shëndetit publik. Po për si një laik, duket se SHBA ka bërë një seri gabimesh që datojnë me dekada. Duhet të ketë një llogari, një “mësim-nxjerrje” mbi politikën e dështuar ndaj Kinës që po vazhdon prej dekadash. SHBA duhet të mësojnë nga gabimet dhe të ndryshojnë kursin.   Sidoqoftë kjo krizë, zbulon llojin e problemeve që Kina do të paraqesë për ne në vitet e ardhshme. Ajo është tashmë një vend i fuqishëm me ambicie të mëdha imperialiste, por të paplotësuara, ndaj do të përpiqet t’i eksportojë problemet e saj, nëse ne nuk do të përcaktojmë mënyrat se si t’i bëjmë ballë këtyre kërcënimeve. Siç duket, edhe në këto kohë krize, propaganda kineze e PKK, po zbaton dy porositë e gjeneralit të lashtë kinez, autorit të “Artit të Luftës”, Sun Tzu : “Paraqituni i dobët kur jeni i fortë dhe i fortë, kur jeni i dobët.” dhe se “Arti suprem i luftës është të nënshtrosh armikun pa luftuar” . Kjo strategji në këtë pandemi po e dëshmon këtë. Sa do mundet Kina, kjo është tjetër gjë. 

Filed Under: Politike Tagged With: Koronavirusi, Rafael Floqi, SHBA-ja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 680
  • 681
  • 682
  • 683
  • 684
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
  • Yllka Lezo për median europiane: Shqiptarët kërkojnë drejtësi të paanshme në Hagë
  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT